Erion Veliaj ka qejf të flasë për ligjin dhe rregullin. Por kush e merr seriozisht këtë person, kur ai nuk jep asnjë shpjegim për marrëdhënien me Dzanashvillin, emër ky i akuzuar për lidhje me botën e krimit, për pastrim parash, për trafik prostitucioni e droge.

Ja ku është prokura (foto bashkëngjitur në email).

Dzanashvilli, ka zgjedhur të ketë Ajola Xoxen, bashkëshorten e Veliajt si përfaqësuese ligjore me të drejta të plota në Shqipëri.

Kandidati që flet e flet pa pushim për rregull e ligje duhet të bëjë transparencën për këtë rast.

Sa para ka përfituar ai dhe bashkëshortja e tij nga kjo kontratë?

Por më e rëndësishmja, kjo është një shkelje flagrante e ligjit dhe e shtetit ligjor në vendin tonë.

A ka raportuar ajo në momentin kur u bënë transaksionet e dyshimta financiare, për te cilat ka nisur edhe hetimi për pastrim parash?

Ligji nr 9917, i vitit 2008, e detyron Ajola Xoxen, si përfaqësuese ligjore, të raportojë në momentet kur bëhet një transaksion i dyshimtë, sidomos në vlerat prej miliona eurosh.

Neni 3 thotë se subjektet e këtij ligji janë, avokatët, noterët, përfaqësuesit ligjorë, ekspertët kontabël, etj. Zonja Veliaj është pikërisht përfaqësuese ligjore e z. Dzanashvilli. Ligji e detyronte atë të raportonte transaksionin e dyshimtë.

Neni 4 i këtij ligji, thotë se subjektet, pra pikërisht avokatët e përfaqësuesit ligjorë, duhet të marrin masat për transaksione të dyshimta, apo për transferta që e kalojnë shumën 1 milionë lekë. Zonja Veliaj, ende nuk flet nëse ka denoncuar apo jo tek drejtoria pastrimit të parave. A ka denoncuar ajo të dhënat e transaksionit që lidh Dzanashvillin me Mark Frrokun, ku 30% e aksioneve të kompanisë shiten 300 mijë euro, ndërsa 15% e aksioneve të së njëjtës kompani brenda pak muajsh, shiten me 1.8 milionë euro? Transparenca në këtë rast është detyrim ligjor. Por transparenca është ajo qe i mungon kandidatit rilindas për bashkinë e Tiranës dhe të afërmve te tij, që çuditërisht gjenden gjithmonë në qendër të skandaleve me shuma të tilla parash.


Deklaratë për media e deputetit të Partisë Demokratike, Gert Bogdani, 7 Qershor 2015