Kandidatja për bashkinë e Durrësit, Grida Duma nisi prezantimin e programit në çdo lagje të qytetit dhe bashkisë së Durrësit. Ajo shpalosi programin në lagjen 18 të qytetit ku u shpreh se brenda 4 viteve qyteti do çlirohet dhe do hapen 15 mijë vende pune, do ulen taksat me 30 % dhe tarifat bashkiake nuk do jenë më shumë se 11 nga 24 që janë sot. Duma u shpreh se do zerohen faturat e ujit atje ku nuk ka ujë dhe brenda 6 muajve do ketë të paktën 3 herë ujë në ditë. Kandidatja e djathtë u shpreh se do ti jepet zgjidhje përfundimtare kanalizimeve si dhe do të 3 fishohet transporti publik duke futur edhe konceptin e biletës me orë.
“15 mijë vende pune në fund të katër vjeçarit. Çdo familje e bashkisë së Durrësit do ketë së paku një të punësuar. Do të shkojmë nga 24 taksa dhe tarifa që ka tani bashkia, ta çojmë në 11 tarifa. Ne do të kemi menjëherë një çlirim të ekonomisë së vogël dhe të mesme. Kam një detyrim moral për të vendosur drejtësi. Të gjitha faturat e ujësjellësit të cilat kanë ardhur si faturim 24 orësh kur treçereku i popullsisë nuk ka pasur ujë do rishikohen, dhe në rastet kur janë faturuar kur nuk ka pasur ujë, do ti zeroj të gjitha. 6 muaj do të mjaftojnë për rehabilitimin e situatës së ujit. Një vit e 8 muaj është projekti për të mbyllur gjithë rrjetin kanalizimeve, ndarjen e kanalizimeve të ujërave të zeza nga ato të bardha, pastrimin e kanaleve të mëdha dhe kthimin në zona të gjelbërta të kanalit të Kënetës dhe mbylljen e plotë të kanalit të Shkozetit. 3 fishim i transportit publik është plani brenda 2 muajve si dhe futja e konceptit të biletës me orë. Nëse ke paguar një biletë në orën 8 sigurisht ajo do të vlejë deri në orën 11 apo në zona të veçanta deri më 12 sepse s’mund të zbresësh nga një stacion në tjetrin dhe të presësh biletë. Gjithë bota ka biletën me orë dhe gjithë qyteti ka një transport publik”, tha Duma.
Kandidatja tha më tej se më 21 Qershor, qyteti do të çlirohet nga ankthi.
“Ky kryebashkiaku nuk ka ndonjë problem të madh me metrat katrorë të betonit. Ky, kur vjen puna për të regjistruar njerëz me ardh e me votu, ka për borxh të bëjë një kontratë qeraje që në 50 metra të jetojnë 75 veta. Kështu që koncepti i tij për hapësirën luan sipas interesit të tij për të vjelë e përfituar andej e këndej. Por sot ju siguroj një gjë, të gjithë këto tentativa më duken qesharake. Është komplet qesharake të mendosh që do arrish të tenderosh konsumimin e pushtetit, pengmarrjen e qytetit, varfërimin e qytetarëve me kështu makinacionesh të vogla të cilat nuk do të jenë asgjë përpata votës së madhe që do hedhim ne më 21 Qershor. Dhe sa herë i dëgjoj kam të njëjtën buzëqeshje se kuptoj se në çfarë ankthi është. Ai është në ankth të madh por duhet ta shpëtojmë edhe atë nga ky ankth dhe të fillojmë një rrugëtim”, tha Duma.
Ajo u ndal në veçanti në shkatërrimin e gjetjes së lagjes antike arkeologjike në ish Lulishten 1 Maji e cila u mbulua me beton.
“Miqtë e mi, lulishtja 1 Maji është e pakthyeshme. Është njësoj sikur kemi marrë pjesë në një nga varrimet më të mëdhaja të këtij qyteti. Kjo që është gjetur aty, që kur e shikojmë sot në foto drithërohemi, mund të ishte Pompei i Shqipërisë. Do të kishin ardhur nga mbarë bota të shikonin çfarë qyteti ishte aty poshtë. Dhe kjo është ajo sot aty. E ka murosur me beton. Të bëhemi bashkë, të mos pranojmë më asnjë milimetër të kësaj varrosje në çdo cep të këtij qyteti. Të dalë dhe të thotë më falni për këtë varrosje nën beton të shumicës së gjërave të rëndësishme, ai pikërisht atë që ëhshë mëkati i tij më i madh e propozon si projektin e tij më të madh”, tha Duma.
Një premtim i veçantë ishte edhe rehabilitimi i lagjes së ish të përdjekurve politikë.
“Kjo është një lagje e banuar nga përgjithësisht ish të persekutuar që gjithastu janë konsideruar të persekutuar edhe nga bashkia. Por kanë ideale dhe kanë arritur të mbrojnë që aty të mos u ndërtohej gjë me beton. Kur shkova aty më thanë; zonja Grida, e kemi ruajtur se e dinim që dikush do e bënte për ne”, u shpreh Duma.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 10 Qershor 2015