Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi takime me banorë të Klosit dhe Bulqizës. Dëshpëruese e ka cilësuar zoti Basha përpjekjen e dyshes Rama – Meta për të diktuar përmes presionit dhe terrorit votën e 21 qershorit. Shqiptarët, tha zoti Basha e kanë zgjedhur rrugën e tyre, duke i thënë jo mashtrimit, jo terrorit, jo dhunës, do të votojnë për projektin e shpresës dhe zhvillimit.

“Po në cilën demokraci vendos presioni, në cilën demokraci vendos terrori? Vetëm në diktaturë, po diktaturë nuk do të ketë! 21 qershori është festa e demokracisë, betejën e 21 qershorit nuk e vendosin të korruptuarit, nuk e vendosin banditët. Fatin e 21 qershorit e vendosni ju me votën tuaj. Është votë për të hequr kërbaçin nga dora abuzive e qeverisë, pra është votë për punë, është votë për dinjitet. Jepjani votat platformës sonë, sepse para se të jetë platformë politike është platforma e shpëtimit, është platforma e bukës së gojës, është platforma e punës dhe dinjitetit për çdo banor e banore të Klosit dhe Shqipërisë!”

Dyshja Rama – Meta, tha zoti Basha nuk përballet dot me qytetarët të cilët i mashtruan, u morën votën dhe pastaj i varfëruan, u shkatërruan pronën dhe i detyruan të marrin rrugët e emigrimit. Premtuan 300 mijë vende pune por mbyllën mijëra vende pune, premtuan ulje taksash po i rritën ato, premtuan ulje të çmimit të energjisë po e rritën atë, – tha zoti Basha. Kjo është arsyeja, theksoi kryetari i Partisë Demokratike që dyshja Rama – Meta ka frikë nga vota e popullit, nga ndëshkimi i tyre.

“Vota juaj është ligji suprem, vota juaj është ligj i ligjit. Bëjeni ligjin me votën tuaj, në 21 qershor. Votoni për PD, votoni për uljen e menjëhershme të çmimit të energjisë me 25%, faljen e kamatë-vonesave, uljen e taksave në nivelin më të ulët në Ballkan, rritjen e rrogave e pensioneve, uljen e menjëhershme me 20% përmes eliminimit të TVSH, të mallrave të shportës, të miellit, orizit, sheqerit, vajit, qumështit,  bukës, sepse kohët janë mjaft të vështira për shqiptarët dhe ka nevojë për ndërhyrje urgjente, ka nevojë për shpresë e shpëtim të menjëhershëm.”


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 13 Qershor 2015