Çdo ditë, në sytë e mbarë opinionit publik, Ilir Meta me heshtjen e miratimin e ortakut të tij Rama, po zbaton në Vorë një skenar kriminal, të hartuar në zyrat e LSI, dhe të vënë në jetë në bashkëpunim të ngushtë mes banditëve të skeduar të sjellë enkas nga brenda e jashtë vendit, me strukturat e kriminalizuara të shtetit që shkelin ditë përditë ligjin për Ilir Metën.

Pjesë e këtij skenari kriminal të Ilir Metës, në traditën e tij të shëmtuar të zgjedhjeve të vitit 2001, është dhe inskenimi me metodat e sigurimit të shtetit i ngjarjeve dhe dëshmive të sajuara për të manipuluar opinionin publik.

E vërteta që po dëshmohet çdo ditë në sytë e shqiptarëve në Vorë është se Ilir Meta po zbaton standardet e një organizate kriminale bashkë me taborrin e tij shtetëror e me persona me precedentë penalë, që po ushtrojnë çdo ditë presion, dhunë e terror. E gjithë kjo për interesat korruptive të Ilir Metës që kërkon me çdo kusht të marrë bashkinë e Vorës.

Ja ku kemi këtë foto, ku duket qartë, Bujar Laze nga Skrapari, shefi i komisariatit të Vorës, në shërbim të kandidatit të Ilir Metës. Ky tjetri këtu është edhe drejtori i AKU, i cili ka spikatur me sulmet ndaj biznesit të kandidatit të Partisë Demokratike. Dhe në sfond, janë si gjithnjë banditët e makinave me xhama të zinj, që vijnë lart e poshtë gjithë ditën e gjithë natën në Vorë.

Ilir Meta kërkon ta kthejë Vorën në një inkubator kriminal të manipulimit të zgjedhjeve. Dhe sërish, megjithëse është përqendruar aty me çdo strukturë shtetërore e kriminale, ai e ka humbjen të sigurt. Fitorja e Fiqiri Ismailit dhe e Partisë Demokratike në këtë Bashki është vetëm një javë larg.

Vora dhe banorët e saj nuk do të pranojnë kurrë thundrën e Ilir Metës që kërkon ta kthejë Vorën në çiflig personal për planet e tij korruptive.

Partia Demokratike i bën thirrje prokurorisë të hetojë urgjentisht të gjithë personat e përfshirë në këtë skenar kriminal. Ne kemi bërë kallëzim penal për shefin e komisariatit të Vorës, që është kthyer në mashën e Ilir Metës në këtë zonë, dhe kërkojmë nga prokuroria të lëvizë me shpejtësi për të garantuar ligjin. I kërkojmë përfaqësuesve të OSBE-ODIHR, BE dhe SHBA, prani sa më masive për regjistrimin e këtyre zhvillimeve që janë rekorde të zeza për standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Askush dhe asgjë nuk do ti ndalë qytetarët e Vorës të ushtrojnë sovranitetin e tyre me votë. Fitorja e Partisë Demokratike dhe e Fiqiri Ismailit është e padiskutueshme.


Deklaratë për media e deputetit të Partisë Demokratike, Keltis Kruja, 14 Qershor 2015