Kandidati i Partisë Demokratike në Elbasan Ardjan Turku,  zhvilloi një takim me banorë të lagjes Vullnetari në qytetin e Elbasanit. Kjo lagje, është ndër më të prekurat nga problemet sociale, ku papunësia është në një shkallë edhe më të madhe se në zonat e tjera. Duke iu drejtuar banorëve kandidati Ardjan Turku, tha se është në dijeni të problemeve tepër të mëdha të këtyre banorëve, të cilët janë hequr nga ndihma ekonomike dhe janë braktisur nga shteti, duke premtuar ndërhyrje për përmirësimin e situatës.

“Shumica e familjeve kanë qenë me ndihmë ekonomike, vjen qeveria dhe pret gjoja në emër të një reforme, apo projekti pilot për Elbasanin, gjysmat e familjeve në ndihmë ekonomike. Para vitit të ri, vitin e kaluar, nga 4200 familje në ndihmë ekonomike që ka pasur Elbasani, 2000 u shkurtuan menjëherë dhe besoj ka edhe nga ju që jeni këtu që keni dalë jashtë skemës së ndihmës ekonomike. Ishin 7000 familje në Elbasan, në kohën kur unë kam qenë kryetar bashkie me ndihmë ekonomike. Tashmë kanë zbritur në 2200. Edhe pse vetë z. Sejdini sot pranon, që janë jo 17 mijë thotë ai por 31 mijë të papunë, dhe nuk janë 31, por ç’rëndësi ka. Si ka mundësi që me kaq të papunë qeveria të mos afrojë diçka. Por jo vetëm ata që janë të papunë, ata që janë në nevojë, po me KEMP-in ç’patën, për njerëzit që janë të sëmurë, pse i përgjysmuan dhe ata, sepse ia ka dhënë mjeku paaftësinë dhe duhet të marrin paratë dhe përsëri i shkurtuan gjysëm për gjysëm. Dhe imagjinoni s’po them ngritja e çmimit të energjisë elektrike dhe ca gjëra të tjera, imagjinoni që qeveria premtoi para dy vjetësh, se do t’ia marrë 5% të pasurve dhe do i shtojë ndihmën ekonomike dhe asistencën, do kompensojë, që të përfitojnë 95% e popullsisë. Pra 95% është bërë akoma më keq ndryshe nga sa ata premtuan”.

Më pas kandidati Ardjan Turku është ndalur në një takim me të rinj  në fshatin Kuqan dhe me banorë të kësaj zone. Në këtë takim edhe njëherë Ardjan Turku bëri thirrje për një reagim të fortë me votë në zgjedhjet e 21 qershorit, pasi situate e rëndë ekonomike dhe sociale, ka përfshirë jo vetëm familjet e djathta por edhe ato të majta.

“Boll më me këto se po na shkon thika në palcë, dhe kur të shkon thika në palcë, i shkon edhe familjeve të majta dhe familjeve të djathta. Kur rritet energjia rritet edhe për të majtën edhe për të djathtën. Kur tallen për 3-4 mandate rresht me popullsinë janë tallur edhe me të majtën edhe me të djathtën. Kur të fusin në burg për një tjegull që i ndërron çatisë, fusin edhe të majtët edhe të djathtët. Na ndihmoni në 21 qershor t’i japim një goditje që t’i trembim, atë lakun që po na e shtrëngojnë, ta lirojmë, të marrim pak frymë dhe ta lirojmë edhe për të majtët edhe për të djathtët. Jo për të mos zbatuar ligjin, por mos i frikësojmë njerëzit me gjëra, që edhe gjithë bota i ka çështje administrative, çështje civile, kurse këto i kanë bërë të gjitha çështje penale dhe të bien policinë tek dera”, tha Turku.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 14 Qershor 2015