Gjirokastra ka qenë ndalesa e radhës së kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha në turin e tij elektoral për zgjedhjet e 21 qershorit.  Bashkimi i madh i gjirokastritëve në këtë shesh, tha zoti Basha tregon vendosmërinë e tyre për të marrë në dorë fatin e tyre dhe për t’i dhënë oligarkisë mësimin e madh të demokracisë se : “Me 21 qershor askush nuk është mbi popullin!”

Ju vendosni dhe ju do vendosni të lirë nga presioni, të lirë nga shantazhi, të lirë nga hileja e pazaret, të lirë nga gjobat, të lirë nga tentativa dhe uria për t’ju poshtërurar me shit-blerje, me mëshirë, me lëmoshë. Kjo nuk do të ndodhë! Nuk ka për të ndodh sepse gjirokastritët janë të bashkuar si asnjëherë, janë bashkuar për veten e tyre, për familjet e tyre, për qytetin e tyre, për fshatrat dhe komunitetet rurale. Janë bashkuar sepse kohë të vështira kanë pllakosur vëllezër e motra, zonja dhe zotërinj, kohë të vështira kanë pllakosur në Gjirokastër e në të gjithë Shqipërinë, e Edi Rama dhe Ilir Meta nuk kanë bërë asgjë në këto dy vite për t’ju ndihmuar por ua kanë bërë edhe më të vështirë jetën.”

Anembanë Shqipërisë tha zoti Basha ka pllakosur varfëria, mjerimi, papunësia, çmimet janë të larta, kosto e jetesës është rritur, mundësia për të mbyllur muajin është zvogëluar, faturat janë shtuar, rrogat janë ulur. Dyshja Rama-Meta e ka dëshmuar në këto dy vite se këto nuk janë prioriteti i tyre. Gjatë gjithë kohës merren me opozitën, shajnë opozitën dhe kandidatët e saj sepse nuk kanë ofertë, nuk kanë zgjidhje për hallet e shqiptarëve të cilat në dy vjet vetëm i shtuan.

Prioritetet e tyre janë kërcënimet ndaj qytetarëve, prioritetet e tyre janë fjalët boshe pa premtime, pa ofertë, pa zgjidhje, pa asnjë zgjidhje për problemet dhe hallet tuaja të shumta. Këto janë fatkeqësisht realitetet e hidhura që ofron dyshja Rama-Meta sepse prioritet kanë kontrollin, prioritet kanë pushtetin, prioritet kanë korrupsionin e pasurimin në kurrizin tuaj.

Ndaj në vend që t’ua lehtësojnë jetën shqiptarëve ua kanë bërë më të vështirë. Premtuan ulje taksash por i rritën ato, rritën taksën mbi karburantin, rritën taksën mbi pronën, rritën para disa ditësh me vendim të Këshillit të Ministrave tavanet e qirave. Premtuan 300 mijë vende pune, po ku janë këto vende pune?! Këtu në Gjirokastër si kudo nëpër Shqipëri papunësia është rritur, varfëria është rritur, mjerimi është rritur.

Premtuan çmime të ulta por faturat e energjisë janë dyfishuar, shqiptarët paguajnë dyfish më shtrenjtë energjinë sesa vendet e tjera të Ballkanit. Vetëm për naftën ku çmimi është rritur e vetëm rritet, 240 lekë/ litër më shumë janë taksat që vuri Edi Rama dhe Ilir Meta që premtuan uljen e tyre. Premtuan ulje çmimesh dhe i rritën, premtuan punësim dhe sollën papunësi, premtuan taksa të ulta dhe i rritën taksat. Ky është drejtimi i duhur për ta, taksa të rritura, papunësi, çmime të rritura, jetë më e vështirë për qytetarët, ky është drejtimi i duhur për ta. Por a është për ju drejtimi i duhur? A është për familjet tuaja drejtimi i duhur ky? A është për komshinjtë, për fqinjët tuaj demokratë dhe socialistë drejtimi i duhur ky? Sigurisht që jo!”,- theksoi zoti Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike ka shpalosur ofertën e demokratëve, ofertë e cila ofron zgjidhje për shqetësimet e qytetarëve që nga ulja e çmimit të energjisë dhe falja e kamat-vonesave, ulja e taksave, mbështetje bizneseve që hapin vende pune dhe investime në interes të zhvillimit dhe punësimit dhe jo të mbushjes së xhepave të qeveritarëve.

Oferta jonë është oferta e punësimit, është oferta e uljes së çmimeve për t’ju lehtësuar familjeve që të mbyllin muajin, është oferta e mbështetjes për fermerin, është oferta e mbështetjes për rininë dhe për bizneset që ndihmojnë në punësimin e rinisë, është oferta e rritjes së rrogave dhe pensioneve, e uljes së taksave anembanë vendit.

Filozofia tjetër është e tyre, tjetër mendësi kanë ata, kap çfarë të kapësh:  “E imja e imja, e jotja e imja, të kapim çfarë të mundim!” Filozofia e babëzisë, mendësia e babëzisë, gjithë pushtetin për vete, gjithë fondet për vete, gjithë paratë për vete edhe gjithë hashashin për vete, kjo është mendësia e Edi Ramës dhe Ilir Metës.

Jam i bindur që në këto zgjedhje mes këtyre kandidaturave ju do të zgjidhni ata që punojnë për ju, Igli Kokalari do të punojë për ju dhe interesat tuaja. Ju do të zgjidhni Igli Kokalarin dhe jo tjetrën që do të punojë për Ilir Metën, Vangjel Tavon dhe interesat e tyre. Njëri do të uli taksat, tjetra do ti rrisë taksat. Kë do të zgjedhë Gjirokastra?! Njëri do të punojë për ekonominë tuaj, për mirëqenien tuaj, tjetra do të punojë për ekonominë e Vangjel Tavos dhe Ilir Metës, do të punojë për xhepat e ologarkisë, do të punojë për qeverinë e tyre dhe do të shtypë e do të marrë gjithçka që i nevojitet nga populli punëtor, nga njerëzit e pamundur të Gjirokastrës dhe komunave përreth.

Këto janë hallet e shqiptarëve, këto halle meritojnë zgjidhje, ne ofrojmë zgjidhje dhe me votën tuaj zgjidhje do të japim”.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 14 Qershor 2015