Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka konsideruar të ulëta dhe qesharake mallkimet e kryeministrit ndaj qytetarëve. Në takimin elektoral në Mallakastër, zoti Basha tha se pasi Rama –Meta dhe gjithë makineria e tyre dështuan me turp për të trembur popullin me shantazhe, me sondazhe, me pazare, me zarfe, me përçarje, me intriga, me diversion, me dhunë, me kërcënime deri më gotën e ujit, tani kanë nisur me mallkime. Mallkimi më i madh që Edi Rama dhe Ilir Meta i kanë bërë popullit janë varfëria mjerimi  dhe pasiguria ku e kanë zhytur vendin për të cilin do të marrin dhe ndëshkimin në 21 qershor.

“Shikoni sa qesharak dhe i pashpresë është bërë! Pasi e ka parë se s’i i funksionojnë as premtimet se nuk i beson njeri, as kërcënimet se nuk kërcënon dot një popull ka filluar me mallkime, është bërë si ai qesharaku që thoshte, të zëntë sëmundja po s’më votove mua! O Edo sa poshtë ke rënë! Po pse, me mallkime do i marrësh votat e mallakastriotëve dhe shqiptareve?”,- tha zoti Basha

Në dy vite, qeverisja dyshja Rama Meta nuk mbajtën asnjë premtim për të cilin u votuan. Bënë të kundërtën e premtimeve, rritën taksat, rritën çmimin e energjisë, shtuan papunësinë, ua bënë më të vështirë jetën qytetarëve. Varfëria që thelluan dhe mbollën në këtë vend tha zoti Basha nuk është në shitje, por është në luftë me dyshen Rama Meta. Dinjiteti që nëpërkëmbën nuk është në shitje, por është në luftë më ta.
Kryetari i Partisë Demokratike tha se asgjë nuk e shuan shpresën e qytetarëve dhe nuk mund t’i mposhtë ëndrrat e tyre.

“Në këto dy vite pllakosi një varfëri edhe më e madhe, u shtua papunësia, u rrit kostoja e jetesës u rritën çmimet, u rritën taksat dhe njerëzit u zhytën në varfëri e në dëshpërim të thellë por dyshja Rama-Meta nuk i ka prioritet këto halle.  Këto dy vite nuk bëri asgjë për t’ju ndihmuar. Përkundrazi, ju a bëri edhe më të vështirë jetën, ndaj jemi mbledhur këtu, për të ndalur këtë të keqe, për t’i thënë stop kësaj mënxyre dhe do i themi me votë”,- theksoi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 15 Qershor 2015