Kryeministri Rama ishte dje në Vlorë.
Erdhi, dhe theu tre rekorde.
Rekordi i parë: Mbylli një fushatë elektorale pa shpallur një program për Vlorën.
Rekordi i dytë: Mbylli fushatën dhe sezonin turistik. Duke mos e hapur fare sivjet.
Rekordi i tretë: Foli më gjatë se kandidati i tij dhe gjithë të pranishmit bashkë.
Dje, si përherë, kryeministri nuk i kurseu batutat, sharjet, dhe premtimet enciklopedike.
Gjatë kësaj batareje verbale m’u referua edhe mua si kandidat i opozitës në Vlorë.
E kishte kapur meraku me arsimimin tim si jurist.
E keni kot z. Kryeministër: Unë jam inxhinier!
Kandidati yt, siç e ka thënë vetë, ka dashur të jetë i tillë.
Dikush mund të kompleksohet nga diploma e vetë: Qoftë ky mjek, apo mësues vizatimi.
Një mësues vizatimi si ai, që vizaton më keq se Joni im 5-vjeçar.
Por ky nuk është problemi im, dhe as i vlonjatëve.
Kam një merak tjetër, dhe një pyetje për ju dhe kandidatin tuaj.
Ku e keni programin?
Si mund të mbyllet një fushatë elektorale pa i thënë votuesve: Ja ku është alternativa ime?
Cilën prej premtimeve të 2013-ës keni realizuar për Vlorën, që vlonjatët t’u besojnë premtimeve të 2015?
Përgjigjen ua jep Vlora më 21 qershor.
Deklarata e kandidatit të opozitës për bashkinë e Vlorës Genc Deromemaj, 15 Qershor 2015