Kandidatja për bashkinë e Durrësit, Grida Duma shpalosi programin në lagjen nr 8 në qytet. Duma tha se do të ruhen veprat arkeologjike në qytet dhe se ka një plan për shpëtimin dhe rivitalizimin e tyre. Ajo u shpreh se duhet të shpëtojmë qytetin dhe të nxjerrim në pah historinë antike.

“Do ruajmë pasurinë tonë të përbashkët dhe do të tregojmë se kjo pasuri është detyrim ndaj brezit tjetër, ashtu siç ne duhet të jemi mirënjohës për atë që paraardhësit e këtij qyteti dhe historisë tonë po na i linin si pasuri. Është njësoj sikur të na vjedhin pronën, hisorinë, të na përçudnojnë qytetarinë. Mjaft më. Duhet të stopojmë këtë masakër arkeologjike që në fakt duhet të kishte qënë pasaporta e turizmit të Durrësit. Janë 18 vepra dhe gjetje të tilla arkeologjike që po na presin ne, të shpëtojmë qytetin dhe të nxjerrim në pah historinë antike të këtij qyteti. Një zonjë këtu po qan. Një duartrokitje për të”, tha Duma e cila shtoi se “”asnjë të mos mërzitet. Do ta shpëtojmë, do t’i rregullojmë, do t’i pastrojmë, do t’i ndriçojmë”.

Kandidatja e djathtë tha më tej se ulja e taksave do të lirojë biznesin nga barra e madhe si dhe do të hapen 15 mijë vende pune.

“Kjo bashki mundësitë i ka pasur dhe i ka të panumërta por sot shfaqet me 3 pikë nën mesataren e republikës. Një bashki e varfër. Së paku 50 % e taksapaguesve janë biznes i vogël dhe sot paguan dyfishin e Tiranës. Një dyqan i vogël në Durrës paguan 1.9 milionë lekë, një dyqan në Tiranë paguan 800 mijë në fund të vitit. Do të ulim taksat me 30 % për të gjitha bizneset. Nga 24 taksa dhe tarifa që paguahen sot në bashkinë e Durrësit do të jenë vetëm 11 të tilla. Deri në fund të mandatit, në bashkinë e Durrësit do të kemi 15 mijë vende pune të shtuara dhe unë kam thënë që çdo familje durrsake të ketë së paku një të punësuar”, tha Duma.

Ajo tha më tej se do të zgjidhet përfundimit problemi i ujit të pijshëm dhe kanalizimeve.

“Problem madhor është uji i pijshëm. Në 6 muaj do kemi 3 herë furnizim me ujë në gjithë bashkinë e Durrësit dhe në një vit e 8 muaj do kemi mbyllen totale të kanaleve, ujërave të zeza, përmbytjeve. Porti i peshkimit dhe markata e peshkut do jetë një nga veprat që do investohet. Do ta çojmë bashkinë e Durrësit në një etapë tjetër, pa varfëri dhe me dinjitet, u shpreh Duma.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 16 Qershor 2015