Lezhjanët nuk duan fjalë që mbeten në ajër apo një llafollog si menaxher të taksave të tyre, por duan zgjidhjen e problemeve që i kanë të trashëguara apo ato që do të krijohen.  Kështu u është drejtuar banorëve të zonës së Fushë Balldrenit, kandidati i djathtë për bashkinë e Lezhës Fran Frrokaj duke deklaruar se do të  jetë korrekt në premtimet e tij.

” Është e nevojshme që kandidati të jetë një kryetar i mirë duhet së pari të jetë një punëtorë i mirë dhe jo një llafollog i cili dergjet nëpër ekrane televizive për tu treguar atyre që s’e njohin atë që nuk ka bërë për qytetarët që e kanë votëbesuar. Është shumë herë më e thjeshtë për të folur se për të vepruar dhe realizuar ato që banorët kanë nevojë apo e ardhmja ka nevojë duke përmirësuar të tashmen. Unë kam zgjedhur që të flas pak, të premtoj aq sa mund të realizoj dhe jam i bindur që realizohen, por mbi të gjithë sepse dua që të bëhen realitet ato që premtoj. Dua të jem korrekt me çdo premtim të dhënë dhe këtë sepse dua që në çdo ballafaqim përballë jush të mos jem kokulur, por i vetëdijshëm që kam përmbushur objektivat e mundshëm dhe duke marrë të tjera angazhime konkrete. Eleminimi i plotë i përmbytjeve, si një fenomen që ka dëmtuar deri më tani bujqësinë, krijimi i disa lidhjeve të zonës si dhe ndërtimi i disa akseve të shkurtra rrugore janë objektiv i imi për katër vitet e ardhshme. ”

Frrokaj e ka vënë edhe njëherë tjetër theksin tek objekivi i tij më i rëndësishëm si kryebashkiak i Lezhës që janë eleminimi i plotë i përmbytjeve brenda gjysmës së parë të mandatit dhe shmangien e trafikut drejt Shëngjinit duke ndërtuar rrugën lidhëse drejt plazhit. Sipas Frrokut, janë këto dy elementë që jo vetëm përbëjnë edhe bazën kryesore të zhvillimit, por ndërkohë janë të ndërlidhura mes tyre duke qenë një nxitje për njëra tjetrën. Gjetja e fondeve për realizimin e këtyre objektivave kanë qenë një tjetër pyetje që ka kërkuar vëmendjen e kandidatit Frrokaj, kjo e referuar përgjigjeve të kryeministrit se nuk do ti mbështesë të djathtët. Për Frrokajn, është lajthitje e kreut të qeverisë të bëjë diferencime, kur në fakt ligji e përcakton qartazi fondet që merr çdo njësi vendore, por gjithsesi ka shtuar Frrokaj, të ardhurat e bashkisë, donacionet e partnerëve apo edhe thithja e investimeve nga fondet e BE-së nëpërmjet projekteve konkrete të hartuara nga ekspertë që do të jenë pjesë e administratës së bashkisë, do të krijojnë buxhetin e mjaftueshëm për të përmbushur detyrimet ndaj qytetarëve, që në fakt janë problematike e sotme që kërkon me doemos zgjidhje”.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 16 Qershor 2015