Basha: Dyshja Rama-Meta, piramida më e madhe e mashtrimit politik.

Basha: Më 21 qershor votë njerëzve të punës dhe jo të krimit

Fjala e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha në mbyllje të fushatës elektorale në Kavajë

Mirëmbrëma Kavaja, mirëmbrëma zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra, maratonomak të lirisë dhe demokracisë, bashkudhëtarë të fitores të Ëngjëll Carës dhe të Kavajës demokratike. Mirëmbrëma banorë të bashkisë së re të Rrogozhinës, bashkëqytetarë ka ardh dita që me votën tuaj me 21 qershor do të jetë qytetari i parë dhe shërbëtori i parë Eqerem Deliu.

Vëllezër dhe motra kohë të rënda pllakosën këto dy vite Kavajën, Rrogozhinën dhe mbarë Shqipërinë, bashkë në këto ditë e javë të fushatës , por edhe më parë, në muajt që kaluan, jemi parë sy më sy , kemi qarë hallet, kemi dëgjuar nga goja juaj sesi jeta është bërë më e vështirë, më e vështirë për të papunët, që tashmë s’kanë asnjë shans për përkrahje ekonomike, më e vështirë për sipërmarrjen e vogël dhe biznesin sepse taksat janë dyfishuar, më e vështirë për familjen anembanë sepse dyfishuara janë edhe faturat abuzive të energjisë, dyfishuar janë edhe taksat, edhe listat e ushqimeve, e vështirë është bërë edhe për ata që kanë një vend pune, por nuk kanë asnjë siguri, se këtë vend pune do ta gëzojnë edhe nesër. Është bërë vështirë, nuk ka lekë, nuk ka punë. Ky është refreni që dëgjon kudo nga jugu në veri, nga lindja në perëndim.

Po ç’është kjo e keqe që ka pllakosur, pse është thelluar varfëria, pse papunësia ka kapur nivele rekord, pse vallë shqiptarët 25 vjet pas rrëzimit të rregimit komunist janë drejtuar kurbetit njësoj si para dy dekadash duke shënuar numrin më të madh të azil-kërkuesve në Europë, pas sirianëve, ku lufta civile ka shkatrërruar vendin , familjet e komunitetin. Ç’është kjo e keqe vëllezër dhe motra që ka kapur prej fyti  shqiptarët, të djathtë e të majtë, ç’është ky lak në fytin tuaj. Janë taksat që janë rritur e shumëfishuar, janë faturat e energjisë më të larta, është çmimi i naftës më i lartë dhe kush i solli, dyshja Rama-Meta, piramida më e madhe e mashtrimit politik.

Njerëz të pashpirt e të pabesë, që tjetër gjë premtuan para dy vitesh e krejt e në drejtim tjetër shkuan sapo morën pushtetin. Premtuan ulje taksash dhe i rritën ato, por thonë sot me pacipësinë më të madhe se opozita gënjen. Opozita u thotë të vërtetën, siç e shikon, siç e ndjen, siç e dëgjon nga goja e njerëzve. Thuajini Edi Ramës dhe Ilir Metës a i kanë rritur taksat apo jo, a i kanë rritur faturat e energjisë apo jo, a ju kanë sjellë vende të reja pune, a kanë punësuar njerëz në Kavajë, po në Rrogozhinë. Ku janë vendet e punës, ku janë paratë e taksave të larta, e faturave të larta të energjisë, çfarë kanë sjellë këto dy vite, përveç shkatërrimit, mashtrimit, kërbaçit, gjobave, burgut, papunësisë, varfërisë dhe eksodit.

Kjo është e vërteta, e vërteta e dhimbshme dhe vëllezër dhe motra është detyra ime ta them si kryetar i opozitës se me dyshen Rama-Meta e nesërmja do të jetë edhe më e zezë, ekonomia do të rrëshqasi në gropë më të thellë, papunësia do të rritet, varfëria do të vazhdojë të thellohet siç tregojnë ditë për ditë raportet e institucioneve europiane dhe ndërkombëtare sepse për ta rritja e taksave, kërbaçi mbi kokën e të pamundurve, rritja e faturës së energjisë është drejtimi i duhur, por ky nuk mund të jetë drejtimi i duhur për shqiptarët.

A është përmirësuar jeta juaj këto dy vite vëllezër dhe motra, a njihni kavajas jeta e të cilëve është përmirësuar këto dy vite, për familjet e tyre, për komshinjtë e tyre? Sigurisht që jo, ky nuk është drejtimi i duhur për Shqipërine dhe shqiptarët, pork y është drejtimi i duhur për oligarkinë e cila pasurohet ditë për ditë, duke abuzuar paratë e ilaçeve, taksave, faturave, djersës dhe gjakut tuaj. Në këto zgjedhje kanë refuzuar të flasin për varfërinë, për papunësinë e le më të ofrojnë zgjidhje, kanë refuzuar sepse e dinë mirë këta nastradinë se janë ata shkaktarët e thellimit të varfërisë, janë ata shkaktarët e 5-fishimit të mjerimit, janë ata që i vunë kularin në fyt ekonomisë dhe lakun në fyt mijëra familjeve, duke shkaktuar papunësinë më të shpejtë këtë dekadë, ndaj nuk ju shohin në sy, i ulin  mbështetësit e tyre punonjës të administratës nëpër karrige si memcë, sespe nuk duan të dëgjojnë as zërin e mbështetësve të tyre të 23 qershorit, se njësoj si zëri juaj do t’ju thoshte, gënjeshtarë ku i keni premtimet, ku i keni taksat e ulëta, ku i keni çmimet e ulëta, ku i keni 300 mijë vendet e punës?

Kjo është e vërteta, e vërteta e dhimbshme. Kanë guximin t’i diktojnë opozitës mos flasë për varfërinë, mos flasë për papunësinë,  most ë ofrojë zgjidhje për njerëzit, kjo është shkolla e vjetër e diktaturës që lamë pas dhe këta janë pinjollët e të njëjtës mendësi, e asaj mendësie që e ka tmerruar aq shumë Engjëll Cara saqë dje fikën kabllorin për mos të dëgjuar zëerin e tij, po nuk e ndalin dot zërin e Engjëll Carës se ai është zëri juaj, nuk e ndalin dot fitoren e Engjëll Carës se është fitorja  e Kavajës.

Ndaj i ka hyrë tartakuti pa ofertë, pa zgjidhje për ju, denigrojnë dhe shajnë nga mëngjesi në darkë,  nuk merren me punë, nuk është asnjë ditë në punë kryeministri, por gjithë ditën duke sharë e dukë marrë në gojë opozitën, kandidatët, popullin, duke kërcënuar, duke shpifur, duke baltosur. Po vallë për këtë e zgjodhën, për këtë paguhet nga taksat tona, për këtë majmet e fryhet ai dhe klientela e tij? Sigurisht që jo, po këtë e bën se s’ka zgjidhje për ju, dhe do të shurdhojë debatin politik, me qëllim që ju most ë dëgjoni zgjidhjet që ne kemi për ju,  e ka të pamundur.

Ju e njihni ofertën tonë, ju e njihni projektin tonë, ulje taksash, ulje çmimesh, rrije të punësimit përmes investimeve publike, ky është premtimi i Partisë Demokratike, ulja me 25% e çmimit të energjisë dhe falja e kamatvonesave është programi ynë dhe ju do ta ktheni në ligj me 21 qershor duke votuar Partinë Demokratike, duke votuar numrin 15, taksa më e ulët në Ballkan 9% për popullim me të ardhurat më të ulëta në Ballkan, ky është premtimi i Lulzim Bashës dhe i Partisë Demokratike që me votën tuaj do të kthehet në ligj më 21 qershor. Ulja e çmimeve për bukën, vajin, sheqerin, orizin, për miellin, për qumështin, për vezën dhe për mishin, përmes eliminimit të tvsh-së, pra uljen me 20% për mallrat e konsumit, për familjet dhe familjarët që ta kenë më të lehtë të mbyllin muajin.

Kjo është oferta jonë, ky është ligji që ju votoni duke votuar votuar Partinë Demokratike, numrin 15 më 21 qershor. Vëllezër dhe motra, këto zgjedhje janë të qarta, oferta jonë në nivel qendror mbështetet nga kandidatët tanë në nivel lokal.

Shikoni se çfarë ju ofron oligarkia. Një biznesmen të marrë nga Tirana për Rrogozhinën. A po vjen të japë, a po vjen të marrë? Sigurisht për të marrë nga banorët e Rrogozhinës, të marrë nga pasuritë e Rrogozhinës, të marrë nga taksat e Rrogozhinës e t’ia dorëzojë oligarkisë. Nuk ka shanse, Rrogozhina e ka marrë vendimin. Oferta e Rrogozhinës përfaqësohet nga njeriu i punës, ai që vjen të japë, të shërbejë, të ulë taksat, të nxisë punësimin, të jetë në krahun tuaj, Eqerrem Deliu.

Zgjedhje katastrofë në Rrogozhinë kanë bërë për kandidatin e tyre, me sybet këtu në Kavajë me Elvin alias Elvis Roshi. I njohur tashmë edhe përtej kufijve të Republikës së Shqipërisë si njeriu me dy emra, me dy fytyra dhe me një të kaluar të errët dhe kriminale. Një njeri i cili është një turp i madh për Kavajën, një turp i madh dhe një njollë e madhe për këtë vatër të demokracisë, me të cilën krenohen jo vetëm demokratët, por të gjithë shqiptarët.

Nuk e dija, thotë kryeministri, nuk e dija si e kishte emrin dhe nuk ka rekorde kriminale. Shtypi vendor i nxorri dënimin për plagosje me armë zjarri. Shtypi ndërkombëtar i nxorri dënimin për trafik droge dhe narkotikësh në Zvicër. Po tani pse hesht? Ça do t’i thuash nesër kavajasve? Si do t’ia thuash emrin, Ervin , siç e thërret i ati, apo Elvis siç e thërret partia? Pse kandidon, pse nuk e tërheq tani që shqiptarët anëembanë, e çdo kavajas e kupton që s’është socialist, e s’është asgjë tjetër përveçse një trafikant i dënuar? Sepse e ka aleatin e tij, aleatin e partnerin e tij, ortakun e tij sepse Ervini është i Ramës, për Ramën dhe me Ramën e nuk ka qenë, e nuk do të jetë kurrë, i Kavajës, për Kavajën dhe me Kavajën.

Prandaj bën gjithçka për të heshtur ofertën tonë, bën gjithçka për të mbytur ofertën dhe zërin e saj, gjithçka për të eklipsuar kandidatin tonë. Ja ku e keni, e njeh Kavaja, e njeh Parlamenti, e njeh Shqipëria, birin e Kavajës, prindin e Kavajës, babain e Kavajës, qytetarin e parë të Kavajës, shërbëtorin e Kavajës, Engjëll Cara.

Kavaja ka dy zgjedhje. T’i nënshtrohet kularit, kërbaçit, krimit, taksave, drejtimit të cilin ka shkuar Kavaja në këto dy vite si gjithë Shqipëria, e që Elvin Roshi do ta bëjë edhe më keq, apo të zgjedhë shpëtimin, shpresën, zhvillimin, punën dhe dinjitetin, vizionin, pra të zgjedhë Engjëll Carën dhe Partinë Demokratike.

Le t’i themi nga ky shesh sot, ku jemi të gjithë në këmbë e të gjithë të bashkuar, cili është vendimi juaj e kush është kryetari i ardhshëm i bashkisë. Mesazhi i Kavajës, fitorja e Kavajës, është pararendja e fitores së madhe së qytetarisë. Kështu ka qenë në ditët e vështira, kur e izoluan dhe e rrethuan nga terrori komunist, ju vëllezër e motra, prindër të kësaj rinie të mrekullueshme, e thyet në mes diktaturën dhe hapët kapitullin e demokracisë.

Atëherë ishit vetëm, ishit të rrethuar e ishit pak. Sot jemi shumë, sot jemi bashkë, bashkë me ne është Amerika, bashkë me ne është Europa, është e vërteta, është Zoti, është fitorja. Masivisht vëllezër dhe motra, masivisht drejtohuni kutive të votimit, asnjë kavajës të mos mbesë në shtëpi, të gjithë së bashku të kthejmë 21 qershorin në festën e madhe të fitores së demokracisë. Zoti e bekoftë Kavajën, gëzuar muajin e mrekullueshëm të Ramazanit, fitore, fitore, fitore!


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 18 Qershor 2015