Blog

13 Gus
0

“Kërkojnë t’i hedhin llumin PD-së”, Lulzim Basha: Rama dhe Berisha bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, ‘beteja’ në publik është për…

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama, kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn dhe ish-kryeministrin Sali Berisha për bashkëpunim.

Në një postim në Facebook, Basha shkruan se shqiptarët e kanë të qartë se pas fasadës së “betejës” sa për sy e faqe të qeverisë me nongratat, qëndrojnë interesa multi-milonëshe që kanë joshur dhe ushqyer llumin e hedhur gjithë këto kohë ndaj Partisë Demokratike.

Kryedemokrati inkurajon SPAK të hetojë dhe të nxjerrë përpara drejtësisë çdokënd që ka përgjegjësi për zhvatjen që po i bëhet shqiptarëve.

Postimi i plotë:

Edi Rama dhe Erion Veliaj nuk e fshehin dot bashkëpunimin e dukshëm dhe të padukshëm me Sali Berishën. Kullat dhe përfitimet nga qeveria nuk mund të fshihen as pas betonierave anonime dhe as pas hartimeve gjasme të inatosura që i postojnë njëri-tjetrit në FB.

Shqiptarët e kanë të qartë se pas fasadës së “betejës” sa për sy e faqe të qeverisë me nongratat, qëndrojnë interesa multi-milonëshe që kanë joshur dhe ushqyer llumin e hedhur gjithë këto kohë ndaj Partisë Demokratike. Ne jemi po ashtu të qartë e të vendosur në qëndresën tonë të pakompromistë ndaj tentakulave të krimit në qeverisje dhe korrupsionit e arrogancës në kurriz të qytetarëve.

Për inceneratorët e qeveritarëve dhe kullat e bashkëpunimit me nongratat si dhe për çdo akt tjetër korruptiv, ne inkurajojmë SPAK të hetojë dhe të nxjerrë përpara drejtësisë çdokënd që ka përgjegjësi për zhvatjen që po i bëhet shqiptarëve.

Read More
13 Gus
0

Roland Bejko: Rrugët që nuk ngopen me para dhe pas inagurimeve të Edi Ramës

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Roland Bejko, shprehet se një  vit pas  inagurimit pompoz të rrugës Kardhiq-Delvinë nga Edi Rama, e cila ka kushtuar rreth 154 milion euro, ajo ende vazhdon të jetë e papërfunduar dhe kërkon financime shtesë.

Në një postim në Facebook, Bejko shprehet se mungesa e rrjetave mbrojtëse tek skarpatet përgjatë 24 kilometrave në terren shkëmbor,  paraqet rrezik për jetën e qytetarëve, pasi rruga karakterizohet nga rrëshqitjet e dherave dhe gurëve nga lartësitë.

Postimi i plotë:

Rrugët që nuk ngopen me para dhe pas inagurimeve të Edi Ramës.

Plot një  vit pas  inagurimit pompoz të rrugës Kardhiq-Delvinë nga Edi Rama, e cila ka kushtuar rreth 154 milion euro (4,6 milion euro për kilometër), ajo ende vazhdon të jetë e papërfunduar dhe kërkon financime shtesë.

Mungesa e rrjetave mbrojtëse tek skarpatet përgjatë 24 kilometrave në terren shkëmbor,  paraqet rrezik për jetën e qytetarëve, pasi rruga është e karakterit kodrinor- malor dhe karakterizohet nga rrëshqitjet e dherave dhe gurëve nga lartësitë.

Përveç mungesës së rrjetave, rruga ka ende mungesa në sinjalistikën vertilale dhe horizontale.

Për të përmbyllur punimet në këtë akas rrugor që lidh Gjirokastrën me Sarandën, kompania e ndërtimit të saj i ka kërkuar Autoritetit Kombëtar të Rrugëve para shtesë pas rishikimit të projektit.

Qysh prej 2008, kohë kur nisi ndërtimi i kësaj rruge, projekti është riparë disa herë, deri sa shuma për një kilometër shkoi mesatarisht 4.6 milion euro.

Ndaj, i bëjmë thirrje  Prokurorisë dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit të bëjnë verifikimet urgjente për këtë rast, me qëllim  parandalimin e një akti të mundshëm korrupsioni, pasi dihet që rishikimet e projekteve dhe alokimi shtesë i një rifinancimi  milona dollarësh në një rrugë që është konsideruar e përfunduar, në raste të ngjashme, ka rezultuar në një akt korrupsioni në qeverisjen e Edi Ramës.

Video: Reagimi i Roland Bejko, Sekretar i Decentralizimit dhe Vetqeverisjes Vendore në Partinë Demokratike, për fondet shtesë të rrugës Kardhiq-Delvinë.

 

 

Read More
12 Gus
0

Këshilltarët e PD letër kryetarit të Bashkisë Tiranë për ndërtimet, Basha: Pastrimi i parave të pista shqetësim kryesor më raportin e DASH

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, publikoi në rrjetin social Facebook një kërkesë të këshilltarëve të PD në Këshillin Bashkiak të Tiranës drejtuar Kryetarit të bashkisë,  Erjon Veliaj, ku kërkohet informacion për lejet e ndërtimit të dhëna në territorin e kryeqytetit gjatë periudhës 2015-2023.

Në postimin  e tij, kryetari i PD, Lulzim Basha,  thotë se pastrimi i parave të pista në sektorin e ndërtimit janë shqetësim kryesor më raportin e DASH dhe ripërsërit kërkesën për SPAK që të zbardhë sa më shpejt se nga vijnë këto para, kush fshihet pas këtyre financimeve dhe kush i siguron lejet e ndërtimit të tyre?!

POSTIMI I PLOTË I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE,  LULZIM BASHA

Mbi 2 miliardë euro janë pastruar në sektorin e ndërtimit në Shqipëri sipas raporteve ndërkombëtare.

– Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e tij konstaton se Shqipëria është “destinacion kryesor i pastrimit të parave”.

– Në 2020, Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GITOC) konstatoi se ndërtimet në Shqipëri ishin një mënyrë e preferuar për pastrimin e parave.

– Në 2021, arrestimi i dhjetëra anëtarëve të Ndranghetës në Itali zbuloi lidhjet e tyre me sektorin e ndërtimit në Shqipëri. Përgjimet si pjesë e hetimit zbuluan se njëri prej të dyshuarve ka deklaruar: “Në rrokaqiejtë e rinj, çmimet shkojnë rreth 3800-4000€ për metër katror. A e dini sa është kostoja e vërtetë? 510€.”

Ndonëse SPAK nisi një hetim paraprak në shkurt të vitit 2021, nuk ka akoma asnjë të dhënë se çfarë po ndodh me këtë hetim.

Miliona metra katrorë leje ndërtimi raportohen se janë dhënë në Tiranë vitet e fundit. Shumica e kompanive nën emrin e të cilave merren lejet e ndërtimit nuk kanë kapacitetet financiare për t’i përfunduar ato. Bilanci i kompanive tregonte se ato kanë të ardhura minimale dhe nuk kanë asete apo kredi që mund të përdoren për financimin e projekteve.

 

Nga vijnë këto para?

Kush fshihet pas tyre?

Kush dhe si i siguron lejet e ndërtimit në emër të këtyre kompanive modeste?

Paratë e kujt po pastrohen me ndërtimet në Tiranë?

Partia Demokratike përmes këshilltarëve të saj në Tiranë ka kërkuar të dhëna të plota mbi lejet e ndërtimit në kryeqytet. Bashkia e Tiranës e ka detyrim të bëjë transparencë për lejet e dhëna, ndërsa SPAK duhet të ndërmarrë një hetim të thellë e të papenguar në mënyrë që Tirana të mos jetë oaz i krimit dhe politikanëve të korruptuar që pastrojnë paratë në sektorin e ndërtimit.

 

Read More
12 Gus
0

Flutura Açka letër Presidentit Begaj: Ligji për Akademinë e Shkencave na njollos të gjithëve

Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka i ka dërguar një letër Presidentit, Bajram Begaj për të mos dekretuar ligjin për Akademinë e Shkencave. Açka shprehet se ky është një ligj që na njollos të gjithëve, duke shtuar se ASH është akademikëve jo e politikëve.

Reagimi i plotë:

Një ligj që na njollos të gjithë

Akademia është e akademikëve jo e politikëve.

Letër Presidentit të Repiblikës z. Bajram Begaj për të mos e dekretuar projektligjin 69/2023 mbi “Disa shtesa në ligjin 53/2019 të Akademisë së Shkencave në RSH.” 1 gusht 2023

Mbi projektligjin klandestin me të cilën skuadra puniste e shumicës sicialiste shkeli hapur Rregulloren e Parlamentit dhe Kushtetutën e RSh-së.

 

Letra e plotë:

 

Lënda: ​Kërkesë për mosdekretimin e Ligjit 69/2023

Drejtuar: ​Shkëlqesisë së Tij, Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

I nderuar z. Begaj

Projekt ligjit «Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 53/2019 «Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë» është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë me datë 19.01.2023 si një projekt ligj i propozuar nga grupi i deputetëve i pëbërë nga z. Ismet Beqiraj dhe z. Petro Koçi.

Ky projekt ligj ëshë futur në kalendarin e punës së Kuvendit, për periudhën 22 maj – 30 qershor me vendimin e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve (të grupeve parlamentare) të datës 18 maj 2023.

Projektligji është marrë në shqyrtim nga Komisioni Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik (KPEMIP) në mbledhjen e datës 12 korrik 2023. Në këtë mbledhje për arsye proceduriale projektligji nuk u votua në Komision, pa përcaktuar një datë të mëpasshme për shqyrtimin dhe miratimin e tij.

Me datë 19 korrik 2023 pas një mbledhjeje të nxituar, me një numër të kufiuar deputetësh, mjaftueshëm për të siguruar kuorumin, por pa njoftimin e të gjithë anëtarëve të KPEMIP-së, z. Petro Koçi organizoi votimin e tij, duke i hapur rrugën për votimin e nxituar në Parlament të nesërmen.

Ligji nr. 69/2023, ju është përcjellë për dekretim: Nr. Prot. 2394 datë 26.07.2023.

Për shkak të ndjeshmërisë së lartë të çështjes me të cilën lidhet ky projekligj, temë e një debati të gjerë publik, i cili lidhet edhe me statusin aktual të Kryetarit të Akademisë së Shkencave të RSH-së, z. Skënder Gjinushi në krye të Akademisë së Shkencave të RSH-së , e kam ndjekur me një kujdes të shtuar diskutimin dhe votimin e këtij projektligji në Kuvend.

Por, për fat të keq, ndryshe nga përvojat e deritanishme në Komisionin që drejtoj prej dy vitesh, e gjithë procedura e përpunimit të këtij projketligji e Kuvend ka kaluar përmes shkeljeve të njëpasnjëshme, sipas të gjitha procedurave në të cilat ka kaluar:

 

 

  1. Projektligji në fjalë është depozituar në Kuvend më datë 09.01.2023 dhe, edhe pse në radhën e punëve të KPEMIP-së ka projektligje të mbartura që vijnë për shkak të varësisë së punës sonë nga komisionet e tjera parlamentare për dhënie mendimi, përmes ndërhyrjeve pranë hartuesve të kalendarit të punës së Kuvendit dhe në komisionet e tjera, ky projektligj parakaloi çdo punë tjetër, po aq të rëndësishme për komisionin tonë. Në mbledhjen e datës 12 korrik 2023, pyetjes se nëse iniciuesit e këtij ligji kishin një histori të gjatë miqësore me Kryetarin e ASH të RSH-së dhe nëse ndërhyrja në ligj për zgjatjen e mandatit të «mikut të tyre» ishte një konflikt i hapur interesi, gjatë relatimit të tij z. Ismet Beqiraj u përgjigj se kjo nuk e pengonte aspak. Nisur nga këto rrethana, kam shprehur publikisht shqetësimin se ky ligj jo vetëm që nuk shpreh interestat e Asamblesë së ASH, por akomodon në mënyrë të hapur kreun e tij, duke cënuar edhe parimin themelor të Parlamentit Shqiptar në shërbim të shqiptarëve. Këtë fakt e bën edhe më të besueshëm pjesëmarja e vetë zotit Skënder Gjinushi në mbledhjen e KPEMIP datë 12 korrik 2023 edhe pse kishte refuzuar për dy vite rresht çdo ftesë të këtij komisioni. Siç edhe mund të vërehet nga regjistrimet e mbledhjes inciuesit e projektligjit e pranojnë se e kanë ftuar ata personalisht që të jetë pjesë e diskutimit të këtij projektligji.

 

  1. Sikurse shihet nga procedurat parlamentare, ky projektligj ështe iniciuar nga një grup deputetësh, ndërsa gjatë diskutimit në komision, datë 12 korrik 2023, z. Ismet Beqiraj, në prani të Kryetarit të ASH, deklaroi se inciuesit e projektligjit në të vërtetë janë të dy palët dhe se projektligjin e kanë hartuar së bashku, madje shqetësimin për nevojën e ndërhyrjes në ligj e kishte ngritur vetë Akademia e Shkencave [lexoni, Kryetari i saj], gjë që nuk është pasqyruar në relacionin që shoqëron draftin e dorëzuar në Kuvend dhe as është shoqëruar me dokumentacionin përkatës që të japë një pasqyrim të saktë të nismëtarëve të tij.

 

  1. Relacioni që shoqëron Projekligjin në fjalë nuk jep asnje argument konkret me shpjegimet në nenet e caktuara ku edhe është ndërhyrë, mbi përmirësimet që do të sjellë ndryshimi dhe as jep ndonjë shpjegim për keqkuptimit që mund të kenë lindur gjaté zbatimit të ligjit gjatë veprimtarisë së ASH të RSH-së. Relacioni është thjesht një tekst butaforik arritjesh të mëdha, aq sa ndien keqardhje se pérse u dashkan këto ndryshime të nxituara, duke i shtuar kësaj edhe faktin se është një ligj i ri dhe i bëre me kujdes në kohën e harttimit të tij, megjithë të metar e tij duke i dhënë Akademisë së Shkencave të RSH-së statusin e një shoqate të zakonshme, jo të një institucioni aq autoritar mes nesh.

 

  1. Relacioni si dhe ndryshimet që ky i fundit ka propozuar (tashmë të miratuara) nuk sjellin asnjë risi përsa i përket ligjit. Sjellim në vemendjen Tuaj se Ligji 55/2019 është një ligj relativisht i ri dhe si i tillë nuk paraqiste ndonjë nevojë urgjente për ndryshimin e tij. Relacioni shoqërues i projektligjit nuk analizon apo përcakton shkaqet për të cilat është i nevojshëm ndryshimi i kufizimit. të vendosur me ligjin që ndryshohet, në zgjedhjen e Kryetarit të ASH-së për dy mandate rradhazi. Fakti që ligji ndryshohet pikërisht në prag të procesit të zgjedhjeve për Kryetarin ASH-së, duke deformuar një proces të pritshëm zgjedhor, krijon përshtypjen e qënësishme se jemi në kushtet e ndryshimeve ligjore ad personam, të një ligji të miratuar posacërisht për të mbrojtur apo ndikuar në interesat personale të një individi të caktuar. Ky parlament ka ndjekur të njëjtat principe dhe modele ligjesh ad personam edhe më parë dhe ky nuk është rasti i parë i vendimmarrjeve të tilla (lexo ligji Fusha për rindërtimin e Teatrit Kombëtar).

 

  1. Përveçse nxitimit për ta kaluar shpejt në komisionet e tjera për dhënie mendimi dhe në komisionin përgjgjës përmes ndërhyrje në stafin e Parlamentit që harton kalendarin e punës së Komisioneve Parlamentare, projektligji ka pësuar ndryshime sipas mundësive për ta lehtësuar atë gjatë procedurës së shqyrtimit. Kështu Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ka punuar me draft tjetër të projektligjit, dy relatoret e KPEMIP-së, zonjat Blerina Gjylameti dhe Ina Zhupa kanë punuar me draft tjetër, iniciuesit kanë parashtruar në mbledhjen e datës 11.07.2023 draft tjetër, në fillim të mbledhjes së KPEMIP më datë 12.07.2023 kanë parashtruar draft tjetër për shkak të pranisë dhe ndikimit që bënte në seanncë Kryetari i ASH të RSH-së, z. Skënder Gjinushi dhe për votim në fund ka paraqitur draft tjetër. Ndërsa kalimi në seancën parlamentare në datë 20.07.2023 është mbi një draft tjetër.

 

  1. Me gjithë shkeljet që përmenda më lart, KPEMIP në mbledhjen më datë 12.07.2023, e shqyrtoi me të gjithë seriozitetin e duhur projektligjin. Por gjatë gjithë kohës, z. Skënder Gjinushi, Kryetar i ASH-së, në shkelje të rregullores së mbarëvajtjes së komisionit, ka ushtruar në mënyrë të vazhdueshme presion për ndryshimin e neneve, duke folur në emër të iniciuesit, duke ua ndërprerë deputetëve fjalën, duke rrëmbyer mikrofonin vend e pa vend dhe pa leje, duke provokuar e duke qesëndisur deputetë të caktuar të komisionit, edhe vetë drejtuesen e tij, aq sa të jepte të kuptoje se në fakt ishte Kuvendi ishte thirrur në dëgjesë nga drejtuesit e ASH të RSH-së. Aq i interesuar ka qenë Kryetari i ASH të RSH-së atë ditë, e shpjegon qartë edhe heqja dotrë nga nenet me efekte financiare, për të cilat KPEMIP-së do t’i duhet të shprehet sërish në vjeshtë, gjë që e prishte të gjithë skemën e ngritur për ta kaluar ligjin.

 

  1. Gjithashti me keqardhje verejmë se Asambleja e ASH të RSH-së, që përfaqësohet nga akademikë me emër që i kanë dhenë shumë vendit, është kepërdorur nga hartuesit e projektligjit dhe Kryetari i ASH të RSH-së, pasi ata nuk janë i informuar për të gjitha ndryshimet, të cilat mund të cënojnë edhe ambicjet e ndonjërit prej tyre për ta drejtuar këtë institucion. Siç edhe mund të vihet re nga dy letrat përcjellëse të ASH të RSH-së për KPEMIP, ato nuk kanë të njëjtën përmbajtje. Akademikët e nderuar janë informuar dhe kanë firmosur vetëm për një ndryshim shumë «patriotik», atë të shtimit të mundësive të promovimit të akademikëve jashtë Shqipërisë, ndërkohë që në shkresën përcjellëse i jepet me dije KPEMIP-së se Asambleja i miraton të gjitha ndryshimet. Konflikti i krijuar midis dy shkresa iu bë me dije edhe nismëtarëve të projekligjit gjatë parashtrimit të projekligjit, të cilët nuk mundët të japin anjë shpjegim bindës.

 

  1. Por shkelja më e rëndë lidhet me votimin e Projekligjit në KPEMIP. Për shkak se dokumentacioni për votimin e këtij projekligji nuk ishte i plotë, votimi i tij u shty për sesionin e ardhshëm parlamentar, edhe për shkak të ngarkesës së Komsionit në mbyllje të sesionit. Me një puç të pastër institucional, fshehur, natën, duke shkelur hapur Rregulloren e Parlamentit, iniciuesit e projekligjit, duke shmangur tërësisht rolin e Kryetares së KPEMIP, përfaqësuese e Opozitës, duke i bërë presion stafit të Komsionit për ta emetuar online pseudombledhjen, pa ndjekur procedurën për të protokolluar kërkesën sipas Rregullore, me pjesëmarrjen e mjaftueshme për kourumin, në katër minuta z. Petro Koçi, në cilësinë e N/Kryetar i KPEMIP e votoi projekligjin më datë 19 qershor 2023, edhe pse Kryetarja e KPEMIP nuk kishte marrë asnjë kërkesë për mbledhje. Veç kësaj, duke shkelur hapur Rregulloren e Parlamentit në votim janë shënuar 11 vota, nga 10 anëtarë të shumcës në KPEMIP, duke përfshirë në të 4 vota të anëtarëve zëvendësues, të cilët nuk e kanë ndjekur fare procedurën e ligjit në fjalë dhe as kanë dije për shkeljet në radhë të bëra me të dhe as kanë ndjeshmërinë e nevojshme, edhe poltike, në lidhje me të, por thjesht janë urdhëruar të votojnë.

 

  1. Duke shkelur çdo procedurë normale parlamentar, ky projekligj u fut në nxitim edhe për votim në seancën parlamentare të datës 20.07.2023, jashtë rendi të ditës [sikurse shihet edhe nga dokumentacioni shoqërues] dhe me procedurë të përshpejtuar, duke u votuar në të gdhirë të datës 21.07.2023 pas një seance shumë të gjatë parlamentare, pa debat dhe në kushte të një sforcimi té plotë, duke marre vetëm 69 vota të shumicës parlamentare, pa marrë as votën e Kryetares së Parlamentit, zj. Lindita Nikolla, e cila ka qenë e informuar prej meje me të gjitha shkeljet e procedurës sé shqyrtimit dhe të votimit të tij.

 

  1. Nën përgjegjësinë time publike e politike Ju shpreh shqetësimin se pas kësaj maratone shkeljesh flagrante te Kushtetutës së RSH-së dhe rregullores së Parlamentit, kam dyshime se fshihen interesa të qarta ekonomike të bizneseve dhe oligarkëve të caktuar, té cilet kanë vënë dorë mbi pasurinë tonë kobëtare dhe mbi Trashëgiminë Kulturore. E mbështets dyshimin tim nga mënyra e nxituar dhe plot shkelje të kalimit të këtij prokjetligji, nga ndërhyrja brutale dhe aspak etike e Kryetarit të ASH të RSH-së në té gjithë këtë proces, në CV poltike të vetë z. Gjinshi dhe lidhjeve te tij poltike në dekadat e tij në poltikën shqipare, por mbi të gjitha në praktikën e fundit té akaparimit nga ASH rë RSHsë së Akademisë Albanologjike Shqiptare, pas së cilés jané asete shumé te rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore. Krahas kësaj letre drejtuar Jush, do t’i drejtohem edhe organeve té tjera si SPAK dhe KLSH, që ta kenë në vëmendjen e tyre të gjthë çdo te ndjekë zbatimin e këtij projekligji nëse ai merr formën e prerë të tij.

 

  1. Siç edhe keni qenë në dijeni përmes disa letrave të z. Artan Fuga, i cili qe i pranishëm në dëgjesën që KPEMIP organzizoi më datë 11.07.2023, ky ligj jo vetëem cënn rëndë autonominë e ASH të RSH-së, jo vetëm legjitimon një mandat té ri të padrejtë të kryetarit aktual té ASH të RSH, por votimi i tij eshte shoqëruar edhe me ndërhyrje publike të Akademisë së Shkencave [lexoni, Kryetari të ASH të RSH-së] në punën e KPEMIP, sikurse éshte publikimi në faqen e Akademisë më date 25 korrik 2023 të një njoftimi duke kërkuar publikisht dorëhejen e Kryetares së KPEMIP.

Bashkëlidhur kësaj kërkese po Ju dërgoj dy letrat e Akademisë, Rendin e ditës së parlamentit 20.07.2023 dhe Njoftimin publik të Akademisë së Shekëncave datë 25.07.2023

Nisur nga gjithe sa parashtruar më lartë, në vlerësim edhe të parregullsive ligjore që paraqet ky projekt ligj Ju paraqes kërkesën për mosdekretimin e tij

Në pritje të përgjigjes Tuaj

Me respekt,

Flutura Açka

Kryetare e Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit

 

Read More
11 Gus
0

Çarçafi i lerosur i KM-së

Nga deputetja e PD, Flutura Açka

 

I cili qenkësh munduar të na shkruajë një kartë për Tiranën, që shihet qartë me filtër e pa filtër

Unë nuk do të zgjatem shumë që këtij pisku vere t’iu shkaktoj shqiptarëve gërditje, duke iu përgjigjur me lerë politike fjalëformimeve baltore të KM-së.

Një çarçaf i lerosur i radhës është shkarrashkrimi i fundit i tij, i tillë, që iu shkakton dhimtë qytetarëve të Shqipërisë, veçmas të Tiranës, gjithaq të bërë def nga trafiku, mungesa e trotuareve, ajri i tejndotur nga ndërtimet, sheshi-gungë i padritë për shëtitje natën, mungesa e muzeve, mangësia e shfaqjeve kulturore, nga pylli orbital 3D dhe të gjitha gënjeshtrat të bëra mullar nga byku i tij politik, që ka kohë që mban erë e po na kutërbon, dhe Europën.

Turistike, është vetë Shqipëria nga Zoti dhe njerëzit e saj, jo nga KM-ja apo politika, e cila vetëm turistike nuk mund të jetë.

Kam vetëm disa pyetje të thjeshta që do të t’i bënte çdo qytetar europian KM-së vendit të vet:

Si mund të rrini pa pikë turpi në fron, kur zëvendësi juaj, shqytari juaj më besnik, ka marrë arratinë. Pra nuk del para drejtësisë, edhe pse është i pafajshëm? Keni gisht ju në këtë fluturim 3D?

Si mund të rrini pa pikë turpi në fron kur mbushët të gjitha gazetat e botës me përfshirjen tuaj në korrupsionin më të shëmtuar etik dhe institucional me Amerikën në çështjen McConigal? Pse na bëni edhe ne pjesë të këtij turpi kombëtar?

Si mund të rrini ti pa pikë turpi në fron kur e nisët dhe e bitisë vetë Open Ballkan dhe nuk dhatë asnjë llogari për krisjen gjeopolitike që shkaktoi ai në politikën e Europës Juglindore dhe të vetë EU-së? A keni ju ndonjë ndjesë për këtë?

Si mund të rrini ti pa pikë turpi në fron pas ndërprerjes së fondeve europiane të IPARD II, dhe (mos e thëntë Zoti!) të IPARD III, duke njollosur ecurinë e negociatave me EU-në? Pse duhet ta vuajnë shqiptarët turpin e kësaj, dhe jo ju?

Si mund të rrini ju pa pikë turpi në fron kur një shpurë ministrash e nëpunësisht të lartë i keni në burg në lidhje me incineratorët, për të cilët me zë e figurë jeni mburrur si pastruesit e Shqipërisë që jua lanë të ndotur paraardhësit tuaj? Pse u thoni shqiptarëve që nuk keni lidhje me ta?

Si mund të rrini ju pa pikë turpi në fron kur shqiptarëve ua shkatërruat të vetmin Teatër Kombëtar dhe ua zëvendësuat me furriqe teatrore? Mjaft të vizitoni se në ç’sgëq është kthyer Art Turbina. E keni parë kohët e fundit? Kur flisni për muzetë, për çfarë muzesh e keni fjalën? Për atë të gjetheve që e ngritët për të mbuluar me gjethe krimet e komunizmit?

Si mund të rrini pa pikë turpi në fronin e shqiptarëve kur i bullizoni ata?

Edhe në çarçafin e sotëm të lerosur, edhe pse me një veshtulli më të kursyer, ju i fyeni në gjuhën që flasin në dialektet e tyre, që duken përçude për veshët tuaj elitarë, të cilët nuk janë ndërtuar prej mishi, por prej atomesh divine. Dhe as përshkohen nga ai gjak të thjeshtësh, të cilët nuk e kuptojnë zhvillimin, por nga një lëng pasionesh e ëndrrash të komplikuara përjetësie.

Ne të gjithë e dimë pse ju jeni ende në fron, sepse e dimë që ju mbajnë ata që mbani.

Mbani ata që ju mbajnë: një arketip që shqiptarët duhet ta shkallmojnë sa më shpejt, nëse duan që ndonjëhere atdheu i tyre të thirret edhe Europë.

Në mos, do të mbeten vasalët e pashallëkut më të rrezikshëm që kaloi ndonjëherë pari në politikën shqiptare.

Read More
11 Gus
0

Debati mbi kullën pas TOB, Tabaku: Paratë e korrupsionit apo paratë e grupeve kriminale pastrohen në këto lavatriçe

Nga Jorida Tabaku:

 

Kush paguan?

 

Debati mbi kullën mbi 50 kate me kosto rreth 100 milion euro në qendër të Tiranës ka ngritur me të drejtë një pyetje kryesore se “kush paguan për të?”

 

Ndërtimet pa fre që kanë nisur të shpërndahen në Tiranë dhe Shqipëri ngrenë shqetësimin gjithnjë e më të qartë se milionat pas kompanive janë para që vijnë nga burime të dyshimta. Me pak fjalë paratë e korrupsionit apo paratë e grupeve kriminale pastrohen në këto lavatriçe të mëdha duke i dhuruar vendit më shumë beton dhe çfarë është më e keqja duke i injektuar ekonomisë një rritje fiktive.

 

Duke pasur parasysh këtë, në kuvendin e Shqipërisë dorëzova një propozim ligjor për ndryshime në Ligjin e Zhvillimit të Territorit ashtu që kompanitë që aplikojnë për leje ndërtimi të ofrojnë më shumë transparencë për burimet e tyre.

 

Imagjinoni pak sikur leje dhënësit dhe leje marrësit e kullës 50 kate me vlerë 100 milionë euro do të kishin bërë transparente vlerën e investimit për bashkinë, qeverinë qendrore apo dhe publikun? Shumëkush do të kishte kuptuar se si do të mund të financohet ajo kullë. E ky debat filozofik se kush e do më shumë këtë vend të bekuar nuk do të kish ndodhur. Transparenca në fakt është ilaçi më i mirë; askush nuk ka vdekur nga informacioni; se jo të gjithë falë Zotit mendojnë njësoj si për zhvillimin ashtu dhe për qytetin; po të gjithë biem dakort se kur bëhet fjalë për të ardhmen e fëmijëve sigurisht të gjithë për atë mendojmë më të mirën.

Por fatkeqesisht ky propozim ligjor i imi në emër të PD u refuzua me justifikime të sforcuara nga mazhoranca.

Këto ditë, bëhet dhe më e qartë arsyeja e këtij refuzimi. Kuptohet ortakët e një tranzicioni të tillë që nuk ofron as mundësi dhe as zhvillim ekonomik për vendin nuk kanë dëshirë të investojnë tek transparenca.

Fatkeqësisht ndonëse transparenca e plotë mungon për financuesit e këtyre kullave faturën për to e paguajnë shqiptarët. Deri më tani ata kanë paguar faturën e korrupsionit, pastrimit të parave, një ekonomie të monopolizuar nga oligarkia dhe së fundi edhe faturën e një qyteti të pajetueshëm.

E kjo prek te majtë e të djathtë; prandaj turravrapet për të folur e reagur kanë rezultuar të drejta e koha na ka dhënë të drejtë; se e vërteta nuk qëndron vec nga njëra anë!

 

P.s video nga votimi për ndryshimet e propozuara në ligjin për ndërtimet dhe lejet e ndërtimit. Një projektligj o rrëzuar në 13 korrik me votat e shumicës socialiste. Nëse do kishim këtë ligj funksional sot shumëkush do dinte kush paguan r kullat!

Read More
11 Gus
0

Roland Bejko: Përgjigjet e munguara të Edi Ramës për kullën mal të “revolucionit” në mes të Tiranës

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Roland Bejko, ka reaguar ndaj Kryeministrit Edi Rama lidhur me shumëkatëshin “Mali i Tiranës”, që pritet të ndërtohet në lulishten pas TOB.

Në një postim në Facebook, Bejko shkruan se Edi Rama nuk u jep përgjigje shqetësimeve të qytetarëve për të paktën 4 çështje, ndërsa gjuhën në politikë e përdor si artin për të fshehur të vërtetën.

Reagimi i plotë:

Në reagimin e tij të gjatë plot metafora e fraza të gjata, Edi Rama nuk u ka thyer asnjë përgjigje shqetësimeve të opinionit publik dhe focave opozitare. Përkundrazi, kushdo që ka një opinion negativ ndaj çështjes së Kullës-Mal në mes të Tiranës, si gjithmonë, e ka gjetur veten në mes të sulmit me baltë e llumit metaforik të Edi Ramës.

Në këtë rast, Edi Rama na dëshmoi edhe një herë se gjuhën në politikë ai e përdor si artin për të fshehur të vërtetën.

Mirëpo, kryeministri i një vendi demokratik e ka për detyrë kushtetuese transparencën ndaj qytetarëve të vet.

Edi Rama, në këtë rast, dhe si gjithmonë në fakt, ka bërë të kundërtën.

Mos transparencën, e ka standart qeverisje.

 

Në reagimin e tij të gjatë Edi Rama nuk u ka dhënë asnjë përgjigje shqetësimeve të opinionit publik mbi temën në fjalë, të cilat  janë:

 

  1. Përse kullat ndërtohen në mes të Tiranës dhe jo në një kënd të dedikuar për to, si në gjithë kryeqytetet perëndimore, larg zonave të trashëgimisë arkitekturore historike?

 

  1. Përse zhduken parqet dhe lulishtet e Tiranës, ndërkohë që kryeqyteti ynë e ka shkallën e ndotjes së ajrit trefishin e normës së lejuar evropiane, dhjetëfish më pak sipërfaqen e gjelbër për banor nga norma evropiane, dhe dhjetëfish më të lartë edhe numrin e vdekjeve për banor për shkak të sëmundjeve në organet respiratore?

 

  1. Me çfarë parash ndërtohen këto kulla?! A shërbejnë ato si lavatriçe për pastrimin e parave të pista të krimit dhe korrupsionit shtetëror, trafiqeve, apo mafjes lokale e ndërkombëtare ndërkohë që në Shqipëri janë pastruar deri vitin e shkuar të paktën 1.6 miliardë euro?

 

  1. Për Kullën Mal që do ngrihet në mes të Tiranës, a është Edi Rama në dijeni të pronarëve të vërtetë të saj?! A është dhënia e lejes për ndërtimin e saj një dhuratë me benefite politike për të dhe përfituesin që siç po thuhet prapa kësaj pune qëndron familja e “krerevolucionarit”?! ( Natyrisht, ai nuk mund të thotë, Po, se ndryshe i bie të largohet nga pushteti.)

 

Pra, që të kuptohemi. Siç e kish thënë në fund të shkrimit të vet Edi Rama, ne nuk jemi kundër  sektorit të ndërtimit në Tiranë e në gjithë Shqipërinë. Por ne jemi kundër përdorimit të kësaj industrie si një sektor i rëndësishëm i pastrimit të parave të pista të krimit, trafiqeve e korrupsionit shtetëror e cila po shkatëron ekonominë e ndershme duke prishur rregullat në treg, duke favorizuar kryesisht oligarkët, duke rritur artificialisht çmimet e banesave, duke deformuar artificialisht kursin e këmbimit, ku forcimi i lekut dhe shvlerësimi i valutës së huaj po falimenton eksportuesit dhe prodhuesit vendas. Ne jemi kundër hipokrizisë politike të atyre që ditën premtojnë e nxisin revolucion për përbysjen e një regjimi të korruptuar, duke hedhur baltë, akuza e shpifje si pazarexhinj me pushtetin ndaj nesh që jemi të ndryshëm nga ata, dhe natën bëjnë pazare me qeverinë dhe Kryeministrin dhe Kryetarin e Bashkisë për kullat nëTiranë,  a resortin e rradhës në bregdet me të njëjtët oligarkë dhe trafikantë.

 

Pra, Edi Rama në reagimin e tij i është shmangur thelbit të debatit publik mbi pazaret politike, dhe ekonominë kriminale.

 

Dhe kjo nuk besoj se është lajthitje, por strategji për të mbrojtur pazarin politik me pronarët e vërtetë të kullave dhe investitorëve të tij strategjik në bregdetin e Shqipërisë ku me sa duket pastrojnë paratë e pista në emër të zhvillimit.

 

SPAKU do ketë shumë, shumë  punë. Por puna bëhet e lehtë kur ndjek paranë, mjafton që të ketë vullnetin e duhur.

 

Me këtë rast, hipokrizisë politike po i vjen fundi. Bakrit, po i del kallai, siç kulla- mal ia nxori bojën qëllimit të vërtetë të të ashtuquajturit “revolucion” që do përmbyste regjimin e korruptuar të Edi Ramës.

Koha qenka zbardhuesi më i mirë i të vërtetave të mëdha!

Read More
11 Gus
0

Zgjatja e koncesionit për markimin e naftës, Sula: Ka dështuar me fakte të qeverisë. SPAK të hetojë!

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka reaguar për vendimin e qeverisë shqiptare për zgjatjen e afatit të koncesionit të markimit të naftës. Në një postim në Facebook, Sula shkruan se më 13 Nëntor të vitit 2022, pas skandalit me kontrabandën e naftës, ministrja deklaroi se qeveria po përgatiste një sistem te ri te monitorimit pasi koncesioni kishte dështuar, ndërsa dy ditë më parë qeveria shqiptare zgjati me një vit pa garë koncesionin e markimit të karburanteve.

Në llogaritjet që ka bërë deputeti demokat, rezulton se koncesioni ka dështuar dhe fton SPAK që të hetojë rastin.

Postimi i plotë:

Çfarë e detyroi Ministren e Financave të shkelte mbi veten për konçesionin e markimit të naftës?!

Më 13 Nëntor të vitit 2022, pas skandalit me kontrabandën e naftës, ministrja deklaroi se qeveria po përgatiste një sistem te ri te monitorimit pasi koncesioni kishte dështuar.  (Me poshtë deklarata e Ibrahimajt).

“Komponenti i gjurmimit te karburantet mbetet i pazbatuar. Për këtë komponent jemi në proces gjyqësor më X kompani. Në planet e qeverisë shqiptare ishte edhe kryerja e gjurmimit të karburanteve, proces i cili nuk ka filluar. Kjo lidhet me gjyqin e shtetit shqiptar me një kompani edhe me ngritjen e një sistemi gjurmimi nga e para”.

Po çfarë ndodhi rreth 10 muaj më vonë?

Dy ditë më parë qeveria shqiptare zgjati me një vit pa garë koncesionin e markimit të karburanteve. Si pasojë qytetarët shqiptarë do të paguajnë të paktën 4.5 milionë euro shtesë, nga të cilat minimalisht 1.5 milionë euro do të shkojnë si fitim neto për kompaninë koncesionare.

Për ta bërë më të kuptueshme për të gjithë, Kontrata koncesionare e lidhur ndërmjet Ministrisë së Financave me kompaninë koncesionare ‘Global Fluids Internationals’ (GFI) ka si objekt markimin/shenjimin dhe monitorimin karburanteve, me qëllim përfundimtar kontrollin cilësor dhe mbledhjen e të ardhurave, pra shmangjen e kontrabandës dhe evazionit fiskal. (Kjo gjë ka dështuar)

Gjurmimi i naftës nuk bëhet dhe shqiptarët vidhen shumëfish.

-Në Korrik-Gusht të vitit 2022 denoncova me fakte se si në Shqipëri ishte bërë “Deti, kos” me naftën kontrabandë.

Në vitin 2011: 410.629 Automjete të regjistruara në Shqipëri, ndërkohë sasia e karburantit të importuar për konsum ka qenë 570 milionë e 441 mijë e 945 litra.  Pra mbi 570 mijë ton karburant të importuar.

Ndërkohë në vitin 2021 rezultojnë 740.669 automjete të regjistruara, ndërkohë sasia e karburantit të importuar është 536 milionë e 25 mijë e 971 litra ose e thënë ndryshe 536 mijë ton karburant.

Sakaq nga AKBN kam paraqitur edhe më herët sasinë e naftës bruto të nxjerrë nga burimet shqiptare.

Në vitin 2011 Albpetrol nxirrte 835.610 ton naftë të papërpunuar.

Ndërkohë në 2021 rezulton se nga burimet Shqiptare është nxjerrë 625.051 ton karburant.

Nëse analizojmë të dhënat e mësipërme mes vitit 2011 dhe vitit 2021 rezulton se numri i automjeteve të regjistruara në Shqipëri në vitin 2021 gati është dyfishuar, ndërsa sasia e naftës së importuar është më e ulët sesa në vitin 2011.

Kur në 2021 që kemi thuajse dyfishin e numrit të automjeteve që kishim në vitin 2011, si ka mundësi që importojmë më pak naftë sesa në vitin 2011. Nga e gjejmë ne naftën për të vendosur në lëvizje automjetet. A mos ka hyrë kjo naftë kontrabandë?

Apo mos ndoshta nga puset e naftës në Shqipëri është nxjerrë e njëjta sasi por një pjesë e saj futet në tregun vendas dhe qytetarët blejnë naftë “Ballshi” për naftë importi?

Ku është koncesioni i markimt në këtë mes, çfarë përgjegjësie ka?

Me pak fjalë shqiptaret paguan 30 milionë euro për 10 vite kot fare dhe ndërkohë u vodhën edhe ne cilësinë e naftës dhe me të ardhurat e munguara në buxhet.

Mua më lind pyetja dhe ftoj SPAK që të më sqaroj mua dhe qytetarët; përse u shty me një vit koncesioni kur ka dështuar sipas fakteve të publikuara dhe e pranuar nga vet qeveria.

 

Read More
11 Gus
0

Basha sfidon Ramën: Bëjmë vetting në politikë, meqë mali i korrupsionit në qendër të Tiranës të duket “mullar balte”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka sfiduar kryeministri Edi Rama për të bërë vettingun në politikë, pas reagimit të kreut të qeverisë për projektin e “Malit të Tiranës”.

Basha shkruan se meqë mali i korrupsionit në qendër të Tiranës i duket si një “mullar balte, ka një zgjidhje shumë të thjeshtë për të ndarë të vërtetën nga balta dhe ky është “Veting në politikë”.

Postimi i plotë:

Sa më shumë zgjatet lista e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë që janë në burg, arrati apo nën hetim për shkak të makutërisë me të cilën është mbrujtur qeverisja e tij, aq dhe më të gjata bëhen hartimet e Ramës. Por atë që nuk e thotë dot me pak fjalë, nuk ka shans ta mbulojnë fjalët shumë e për lumë.

Meqë mali i korrupsionit në qendër të Tiranës i duket si një “mullar balte”, ka një zgjidhje shumë të thjeshtë për të ndarë të vërtetën nga balta: Veting në politikë.

Kur është i mirë për gjyqtarët, prokurorët, policët, pse të mos jetë i tillë edhe për politikanët?!

Propozimi i Partisë Demokratike është në Parlament, mjafton vullneti politik për ta miratuar. Me këtë rast u kursejmë qytetarëve andrallat e njëpasnjëshme të cirkut 33 vjeçar, pas të cilave fshihet frika nga e shkuara e atyre që ndonëse e kërkojnë votën për t’i shërbyer njerëzve, i kanë shërbyer vetëm interesave personale dhe klientelës oligarkike.

Read More
11 Gus
0

“Mbetjet në Tiranë janë rrugëve”, Gështenja: Aferës së inceneratorëve duhet t’i shkohet deri në fund

Deputeti i Partisë Demokratike, Lefter Gështenja, në një postim në Facebook shkruan se situta e plehrave dhe mbetjeve nuk u zgjidh prej 8 vitesh nga bashkia dhe as prej 10 vitesh nga qeveria.

Gështenja shprehet se mbetjet në Tiranë janë rrugëve, koshat plot, lagjet nuk pastrohen, ndërsa ajri i ndotur. Sipas tij, gjithë propaganda e inceneratorëve u përdor gjoja për të pastruar Shqipërinë por pasi vodhën qindra miliona euro të shqiptarëve, situatën e lanë sërish kështu.

Postimi i plotë:

Tirana dhe qeveria e plehrave!

Tjetër propaganda e tjetër realiteti! Situata e plehrave dhe mbetjeve nuk u zgjidh prej 8 vitesh nga bashkia dhe as prej 10 vitesh nga qeveria.

Mbetjet në Tiranë janë rrugëve, koshat plot, lagjet nuk pastrohen, ndërsa ajri i ndotur.

Gjithë propaganda e inceneratorëve u përdor gjoja për të pastruar Shqipërinë. Por pasi vodhën qindra miliona euro të shqiptarëve, situatën e lanë sërish kështu.

Kjo pamje gjendet kudo në Tiranë. Mendoni një moment sikur ato para të ishin shpenzuar si duhet, sot do kishim një qytet realisht të pastër.

Kjo është pamja që duhet të shohë drejtësia. Aferës së inceneratorëve duhet ti shkohet deri në fund.

Read More