Të nderuar motra dhe vëllezër
Të nderuar Demokrate dhe Demokratë ,
Të nderuar qytetarë të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë
Po bëhet më shumë se një vit e gjysmë, që një sulm i pashembullt, i mirë-koordinuar, i mirë-organizuar, i mirë-financuar, vazhdon të zhvillohet pandërprerë ndaj Partisë Demokratike të Shqipërisë, partisë së parë opozitare të vendit, të krijuar nga ëndërra e studentëve dhe intelektualëve të lëvizjes së Dhjetorit. Kjo parti ka rëndësi historike për fatet e orientimit perëndimor të Shqipërisë, parti që ka bërë gjërat më të mëdha dhe më të rëndësishme për vendin.
Që ky vend të dalë jo vetëm nga prapambetja e regjimit komunist, nga dhuna, nga varfëria, por si partia që e ka futur Shqipërinë në rrjetën e qytetërimit perëndimor.
E pra, sot kjo parti është nën agresion. Partia Socialiste, pasardhëse e ish-komunistëve shqiptarë, me në krye një kryeministër mafioz si Edi Rama, një pazarxhi politik si Ilir Meta, bashkë me Sali Berishën, ish-kryetarin tonë dhe ish-kryeministrin e Shqipërisë të shpallur
non-grata nga aleati ynë madhor, SHBA,
si minues i demokracisë dhe inkurajues i korrupsionit madhor në vend, në koordinim të hapur dhe të fshehtë me veglat e tyre në pushtet
me sistemet mediatike dhe mafioze të tyre, me korrupsionin e 30 viteve, i janë futur një sulmi që nuk po njeh të ndalur.
Partia Demokratike dhe çdo simpatizant i saj ka qenë në një agresion të shumëfishtë. Agresion politik, agresion mediatik, agresion ligjor, madje dhe agresion fizik.
Dhe e dini pse?
Sepse kjo parti, ju dhe të gjithë demokratët që e duan dhe kanë kontribuar për të janë ndryshe nga ata. Ata nuk e durojnë dot – e kam fjalën për kastën e vjetër politike, dinozaurët e tranzicionit shqiptar
– që të ekzistojë një forcë politike me integritet, që të ekzistojë një forcë politike që në themel të saj ka vlerat më të mira njerëzore, që ka në themel të saj lirinë e çdo individi, demokracinë dhe shtetin e së drejtës.
Dinozaurët e politikës së vjetër Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta nuk mund të pranojnë që të ekzistojë një forcë politike jashtë kontrollit të tyre personal.
Ata nuk mund të pranojnë që në Shqipëri, ka njërëz të lirë si puna juaj, sepse njerëzit dhe pushtetin i duan t’i kenë në kontroll, për interesat e tyre, për pushtetin e tyre dhe për hallet e tyre.
Ata e dinë shumë mirë, se një parti politike si Partia Demokratike, e çliruar nga mëkatet e së shkuarës, e çliruar nga çdo dilemë e rrugës që duhet të ndjekë, me moralitet të lartë politik dhe vendosmëri drejt të ardhmes, është një kërcënim për pushtetin e tyre.
Ky mentalitet që kasta e vjetër politike përfaqëson, mentaliteti ku çdo gjë shihet si pronë personale, njerëzit, partitë, insitucionet, ja kanë marrë frymën Shqipërisë për 32 vite me radhë.
Për një gjë të jeni të sigurtë, ju dhe gjithë shqiptarët që na dëgjojnë sot. Janë të tre bashkë, dhe s’ka as më të voglin dyshim për këtë. Nuk mund të vazhdojnë jetën politikë pa njëri tjetrin.
Kanë 33 vite që ndajnë interesa politike dhe financiare bashkë. Oligarkët i kanë bashkë, mediat i kanë bashkë, politikën e kanë zaptuar bashkë.
Si ka mundësi që Sali Berisha dhe Ilir Meta, këta opozitarët e vërtetë nuk denoncojnë asnjë oligark të lidhur me qeverinë dhe bashkinë?!!
Është shumë e thjeshtë! Janë bashkë me Edi Ramën, me sistemin politik dhe financiar 33 vjeçar në Shqipëri.
Ditën bëjnë sikur zihen për parime, natën ndajnë interesat financiare së bashku. Prandaj edhe fyejnë, shajnë, ulërasin, sa herë që u përmenden paratë që përdorin për fushata e interesa politike.
Ashtu siç kanë bërë me mua këto ditë, mediat dhe taboret politike të Sali Berishës, vetëm e vetëm se ngrita një pyetje që e bëjnë të gjithë shqiptarët në fakt.
Ku i gjen paratë Sali Berisha për aktivitet e tij politike të kushtueshme?
Pyesni Erion Velinë, oligarkët që ai përfaqëson, dhe aty do të gjeni përgjigjen se ku gjenden këto para.
Ky sistem pra, sistemi politik i drejtuar nga Rama, ka element përbërës themelor të tij, Berishën dhe Metën. Sistemi politik që ka patur si elemente bazë të tij në vendimarrjen politike biznesin klientelist dhe krimin e organizuar nuk mund të bëjë pa Berishën dhe Metën.
Berisha dhe Meta janë shpëtimi i vetëm i këtij sistemi të kalbur sepse nuk janë alternativë për shkak të izolimit perëndimor dhe pamundësisë për të fituar. Dhe ne duhet ta themi sot fort.
Po!!
Edi Ramën e mbajnë në pushtet Sali Berisha dhe Ilir Meta. Nuk mund të vashdojë gjysma e sistemit pa gjysmën tjetër. Kjo është e qartë! Kanë nevojë për njëri tjetrin.
֍֍֍
Në shtëpinë tonë të demokratëve, prej më shumë se një viti e gjysmë vazhdon një luftë, një përçarje me protagonist Sali Berishën. Shkaku është i thjeshtë!
Halli personal dhe familjar i tij, shpallja non-grata nga SHBA-të si minues i demokracisë dhe inkurajues i korrupsionit madhor, janë në thelb dhe e vërteta lakuriq e gjithçkaje që ai ka kryer kundër Partisë Demokratike gjatë këtyre muajve pa ndalim, qëkurse ish- Kryetari i Partisë Demokratike ia pezulloi praninë në Grupin Parlamentar deri sa të zgjidhej statusi i tij nongrata.
Në koherencë të plotë me qëndrimin që ne kemi pasur për të gjitha nongratat e tjera që kanë shpallur SHBA, si Tom Doshi, Vangjush Dako, Aqif Rakipi etj; në koordinim dhe mbështetje të politikës së Presidentit Biden,
si derivim i urdhrit ekzekutiv të ish-presidentit Bush, për ta konsideruar korrupsionin në vendet e rajonit tonë si rrezik serioz për sigurinë dhe zhvillimin e demokracisë dhe prosperitetit
– tashmë është koha të sqarojmë se kush jemi ne, demokratët euroatlantikë të Shqipërisë, përkundër gjithë propagandës berishiste me një frymëzim dhe tonalitet leninist, që është pjesë e kulturës së vjetër politike të Sali Berishës.
Në vend që këtë qëndrim, këtë akt, Sali Berisha ta trajtonte si problem të tijin, ai ia ka ngarkuar atë çdo demokrati dhe po kërkon të implikojë çdo ditë çdo demokrat,
çdo simpatizant dhe çdo strukturë të Partisë Demokratike në rrugën e pashpresë të tij, por shumë dëmsjellëse për të gjithë ne, për të krijuar një negociatë dhe rrugëdalje me udhëheqësit e botës së lirë, SHBA, dhe prej korrikut të vitit të kaluar dhe me Britaninë e Madhe.
Ai pra , është në luftë për imunitetin e tij politik. Ai kërkon vetëm imunitet dhe përballë kësaj nevoje është gati të shkatërrojë PD-në dhe opozitën, është gati ta çojë votën tek LSI-ja dhe më pas kjo ta çojë tek PS-ja.
֍֍֍
Ne jemi të qartë dhe të bindur për karakterin anti-perëndimor, anti-atlantist të lëvizjeve të tij.
Por po ashtu kemi një qëndrim të palëkundur ndaj faktorit kryesor të së keqes në këtë vend, qeverisë së Edi Ramës.
Nuk ka dyshim që problemi themelor i lëngatës së Shqipërisë aktuale, shkaku kryesor i zbrazjes së saj nga njerëzit, shkaku themelor i gjendjes katastrofale ekonomike, korrupsionit të ngritur në sistem, dorëzimit tek krimi i organizuar, mungesës së shpresës, shkatërrimit të shtetit të së drejtës dhe zgjedhjeve, pra vetë sistemit demokratik, është Edi Rama.
Sikur kjo të mos mjaftonte, ai është koordinuar me dy këmbët e tjera të trinomit, me Sali Berishën dhe Ilir Metën,
dhe përpiqen në çdo moment, përkundër hapave mbështetës të aleatëve euroatlantikë, të bllokojnë mekanizmin demokratik shqiptar, me firma, me vula, me vendime, me shantazhime, me lloj-lloj marrëveshje të fshehta e të pista, për ta bllokuar sistemin politik në Shqipëri.
Ne, demokratët euroatlantikë jemi kundërshtarët e vendosur të regjimit në fuqi. Ne kërkojmë përmbysjen sa më parë të këtij regjimi, shkurtimin e ditëve të kësaj qeverie dhe rrëzimin e saj. Kjo është e mira e Shqipërisë dhe e shqiptarëve.
Përkundër kësaj, ne gjendemi të rrethuar nga një veprim i koordinuar i krahëve të trinomit që do ta ruajë sistemin politik të vjetër 30 e ca vjeçar, që askujt mos i hyjë gjemb në këmbë, të bëhet thjesht në makiazh gjoja drejtësie apo vendosje gjasme e rendit apo të ligjit dhe mbi të gjitha të mbetet një status quo që i lë gjërat në Shqipëri siç janë, kur ne duam të kundërtën: ndryshim dhe reformim të thellë të sistemit tonë politik, tregun e lirë dhe prosperitet në zhvillimin e vendit. Asnjë ndotje, asnjë përbaltje, asnjë përgojim nuk e zhbën dot pozicionimin tonë të qartë, kundër kësaj qeverie, me qëllimin për t’ia shkurtuar jetën një orë e më parë.
Ai që po ia zgjat jetën kësaj qeverie është Sali Berisha me veglat e tij të gënjyera apo të interesuara, të cilat, duke e dëmtuar thelbësisht Partinë Demokratike, duke e sabotuar procesin politik të demokratëve dhe shpresën e tyre, janë shndërruar në varken e shpetimit të qeverisë së Ramës.
Ne luftojmë për të ndaluar përdorimin e këtyre zgjedhjeve nga non grata si sifdë ndaj SHBA dhe perëndimit në tërësi. Qytetarëve shqiptarë nuk duhet tu devijohet qëllimi i votës kundër qeverisë, duke u përdorur si votë anti-amerikane. Ndaj çdo votë kundër qeverisë që nuk është dhe votë kundër perëndimit e ka një sigël, është Partia Demokratike e Shqipërisë
֍֍֍
Në lidhje me Sali Berishën i qëndrojmë vendimit të 9 shtatorit. Ai ka qenë një vendim i drejtë dhe i arsyeshëm i ish-kryetarit të Partisë Demokratike, proporcional në raport me zgjedhjen themelore që kjo parti ka bërë në dhjetor të vitit 1990, qëndrimin euro-atlantist.
Asnjë non-grata i çfarëdo lloji nuk ka vend në Partinë Demokratike, aq më pak të na udhëheqë, aq më tepër të na përdorë apo manipulojë demokratët e Shqipërisë, njerëzit më të vuajtur, më energjikë dhe më besimplotë të këtij vendi, në shërbim të qëllimit të tij.
Në këto 18 muaj është koha të bëjmë një bilanc.
Pas 9 shtatorit, në vend që të tërhiqej në jetën e tij dhe të trajtonte personalisht problemin me SHBA, në rrugë ligjore, Sali Berisha iu fut një fushatë për t’i vënë kazmën Partisë Demokratike.
Ai ndërtoi një proces anti-statutor dhe të paligjshëm duke ndërtuar organe dhe struktura paralele në PD dhe duke mbledhur në 11 dhjetor një kongres të paligjshëm të cilin Gjykata e Apelit e rrëzoi dhe e quajti nul.
Por nuk u mjaftua me kaq. Ai erdhi në 8 janar dhe sulmoi fizikisht selinë e Partisë Demokratike duke dhënë shembullin e një barbarie të pashoqe për jetën publike kombëtare dhe ndërkombëtare.
Në 6 mars të vitit të kaluar në një koordinim perfekt me trekëndëshin, në zgjedhje krejt të sajuara, mori demokratë dhe i çoi nëpër sigla të tjera socialiste, duke goditur shanset e demokratëve për të fituar këto zgjedhje.
Aktet e tij kundër PD nuk përfundojnë këtu!
Edhe pse ish-kryetari Lulzim Basha dha dorëheqjen për të mos e vazhduar përçarjen, me pretendimin logjik që të njëjtën gjë ta bënte dhe Sali Berisha, me qëllim që demokratët të shkonin drejt një procesi dhe të ndalej kjo përçarje dhe dhuna e brendshme verbale ose fizike, Sali Berisha vazhdoi veprimet e tij të njëanshme.
Ai bëri kongres të njëanshëm në 30 prill, bëri zgjedhje të njëanshme duke u zgjedhur apo vetëzgjedhur kryetar i PD-së dhe duke përmbysur çdo rregull apo logjikë politike.
Ai, vazhdoi duke mashtruar demokratët se është njeriu që do ti çonte në fitore, dhe kush?!
Ai që humbi në vitin 2013!
Jo vetëm kaq. Ai që në fund të korrikut të këtij viti prej qeverisë konservatore britanike u shpall non-grata.
Dhe ajo nuk ishte qeveri soroiste, ishte qeveri e partisë sonë simotër, ishte qeveri anti-soroiste dhe e shpalli me të njëjtat terma non-grata Sali Berishën, tashmë me një dosje të plotë të vënë përpara syve të tij.
Duke pretenduar se do të rrëzonte për disa ditë qeverinë apo Edi Ramën, por në koordinim të thellë me të, ai organizoi procesin e njëanshëm të primareve duke manipuluar dhe gënjyer demokratë për shanset për pushtet të një partie të udhëhequr nga non-grata, shanse të cilat thjesht nuk ekzistojnë.
Megjithatë, qëndrimin tonë të arsyeshëm për bashkim ai e refuzoi duke bërë një proces të njëanshëm primaresh.
Negociatat Bardhi – Paloka dështuan sepse Sali Berisha nuk pranoi asgjë, sepse kërkonte jo bashkim por imponim, jo fuzion por nënshtrim dhe asimilim.
Kulmi i veprimit shkatërrimtar të tij ndaj Partisë Demokratike qe pas 3 marsit, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, vendim i mbajtur peng gjatë nga qeveria e Edi Ramës.
Gjëja më absurde, që dëshmon qartë se qëllimet e Sali Berishës që nuk janë për demokratët, nuk janë për shqiptarët, nuk janë për simpatizantët, por janë për të krijuar një moment imponues për hallin e tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është refuzimi nga Sali Berisha i ofertës sonë zyrtare që kandidatët e primareve të ishin kandidatë të Partisë Demokratike dhe të vinin të kandidonin në shtëpinë e tyre, me logon e tyre.
Ai refuzoi çdo bashkëpunim me Partinë Demokratike në këto zgjedhje duke i çuar demokratët te socialisti Ilir Meta, duke pasur vetëm një qëllim: të dëmtojë sa më shumë shanset e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 majit.
Bashkë me veglat e qeverisë, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, lloj-lloj pengesash dhe stërkëmbshash i nxorën demokratëve për të konkurruar në zgjedhje.
Ja pra, ky është Sali Berisha, që përçau Partinë Demokratike dhe e përçau në momentin kur ai nuk e kishte një instrument kundër perëndimit, me qëllimin për t’ju kundërvënë politikës amerikane në Shqipëri.
Partia Demokratike ka lindur si partia e parë pro-perëndimore në Shqipëri dhe e ka për detyrë të jetë aleate e pakorruptuar e perëndimit në Shqipëri.
Të jesh aleat me perëndimin nuk mjaftojnë vetëm deklarata si ato të Sali Berishës, Ilir Metës apo Edi Ramës.
Të jesh me Perëndimin duhet të luftosh për standartet e perëndimit në shoqërinë shqiptare dhe jo të flasësh si perëndimor dhe të sillesh si dikatator i korruptuar.
֍֍֍
Për Partinë Demokratike këto janë zgjedhje politike.
Misioni ynë është të shmangim perceptimin se opozita është e pashpresë pasi është e kapur nga dy figura të korruptuara dhe anti-perëndimore.
Ne nuk duhet të lëmë qyetarët e Shqipërisë pa alternativë. Ata nuk mund të gjenden mes Shillës dhe Karibdës.
E gjithë përpjekja jonë është që këto zgjedhje të prodhojnë një klimë për bashkimin e PD-së pas zgjedhjeve.
Dhe kjo klimë krijohet jo duke mbështetur non-gratat, por duke e bërë të qartë se mbajtja e tyre në krye të opozitës është mbajtje në pushtet e Edi Ramës.
Non-grata është shkaku i përçarjes së PD-së dhe bashkimi i opozitës do të vij kur të eliminohet ky shkak.
Partia Demokratike është e vetmja parti që nuk ka brenda saj, as si mbështetje të saj persona non-grata apo të sanksionuar për korupsion madhor. Ata janë pjesë e qeverisë dhe opozitës së korruptuar. PD është ishulli i vetëm i pakorruptuar i politikës shqiptare.
14 maji është një ditë shumë e rëndësishme për Partinë Demokratike dhe të ardhmen e saj.
Megjithëse për ne, për të gjitha rrethanat ku jemi ndodhur në vitin e fundit, këto nuk janë zgjedhje ashtu sikurse duhet të ishin, unë besoj se përsëri ne do të dalim më të fortë se më parë.
E kam bindje këtë gjë sepse shikoj vendosmërinë tuaj për misionin që kemi. E kam bindje se demokratët nuk do ti çojnë votat e tyre për të siguruar karrierën politike të Ilir Metës dhe për të përfocuar LSI-në. Demokratët do të votojnë Partinë Demokratike dhe kandidatët e saj.
Ky takim që ne po bëjmë sot dhe ju falenderoj të gjithë për pjesamarrjen, dhe të gjitha takimet që do të zhvillojmë në ditën në vijim në Tiranë e në të gjithë Shqipërinë,
nuk janë thjesht takime elektorale. Por janë gur themeli për atë që do të jetë Partia Demokratike pas 14 majit.
Një parti më e organizuar, një parti më e qartë, më e lirë, më demokratike, një parti që padyshim do të jetë alternativa qeverisëse e Shqipërisë nesër. Ne e kemi për detyrë që t’i japim Shqipërisë një të djathtë me vizion të qartë politik, një të djathtë perëndimore, besnike të vlerave tona, aleate të Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit.
Këtë gjë mund ta bëjmë vetëm ne dhe askush tjetër. Prandaj unë besoj se pas 14 majit jo vetëm që do të riorganizojmë dhe do të forcojmë më shumë Partinë Demokratike,
por do të jemi në gjendje që ti japim një dimension ndryshe të djathtës shqiptare. Shqipëria ka nevojë për këtë forcë politike dhe ne do t’ja japim atë me kontributin e të gjithëve ju.
Për një arsye shumë të thjeshtë.
E ardhmja i përket kësaj partie për të gjitha vlerat që ajo mbart.
Ata tjerët, dinozaurët e politikës shqiptare, mund të jenë më të zhurmshëm, por ama nuk ka dyshim që janë e shkuara, dhe ata vetë e dinë këtë gjë.
Prandaj edhe shantazhojnë, kërcënojnë dhe ulërasin. Dhe këtë ë bëjnë vetëm e vetëm nga frika sepse hallet e tyre janë të pafundme.
Frika që një ditë do të humbasin pushtetin, dhe kjo ditë nuk është larg, i bënë gjithmonë e më shumë agresiv.
Mirëpo agresiviteti tyre nuk na step aspak. Detyra jonë, detyra ime, detyra e gjithesecilit është që të flasim me njerzit dhe me demokratët për të vërtetën. Ti shpjegojmë atyre me sinqeritet se ne besojmë te kjo parti dhe besojmë që ardhmja i përket Partisë Demokratike.
Unë këtë do ta bëjë në të gjitha takimet e mia që do të zhvillojë gjatë fushatës në të gjithë Shqipërinë.
Në këto zgjedhje kudo që kemi paraqitur kandidat për kryetar bashkie, i kemi përzgjedhur njerëz me integritet dhe njerëz me vlera.
Pikërisht kjo është forca jonë në dallim me kundërshtarët tanë.
Kandidatët tanë për këshillat bashkiak në të gjithë Shqiperinë janë njërëz me kontribute për Partinë Demokratike, janë njërëz që vetëm kanë sakrifikuar për këtë parti dhe jo njërëz që kanë përfituar prej saj.
Dhe unë jam i bindur që ata do të zhvillojnë një fushatë shembullore, me njerezit dhe per njerezit me dore ne zemer.
Kjo gjë ka ndodur edhe në Tiranë, sidomos në Tiranë. Tirana është një betejë politike shumë e rëndësishme për të gjitha qëllimet e të ardhmes për Partinë Demokratike. Kandidati ynë në Tiranë, Roland Bejko, është një kandidaturë që e nderon këtë garë për të gjithë kontributin që ka dhënë për këtë parti, dhe të gjitha vlerat që përfaqëson.
Prandaj unë sot ju bëjë thirrje që ta mbështesim Rolandin në këtë garë për të mirën e Tiranës dhe të mirën e Partisë Demokratike. Për këto qëllime që kemi, lipset kontributi i gjithsecilit, ashtu sikurse po e jepni deri më tani.
Ndoshta kemi edhe ndonjë mosmarrëveshje midis nesh, është normale në një parti ku liria ekziston, por le ti lëmë për momentin mënjanë dhe të mbështesim të gjithë kandidatët tanë për anëtarë të Këshillit Bashkiak për Tiranën
dhe kandidatin tonë për kryebashkiak Roland Bejkon.
Rolandi dhe ekipi i tij deri më tani kanë kryer një punë fantastike dhe dua t’i përgëzojë për këtë. Kanë arritur të ndërtojnë me programin e tyre një alternativë qeverisëse për Tiranën dhe unë besoj se është alterantiva më e mirë për Tiranën, dhe qytetarët e saj do ta votojnë pa me të voglin dyshim.
Ndaj miq, me besim ne zot e me besim tek e verteta dhe e drejta, me respekt për njeri-tjetrin, kurrë të mos dorëzohemi, e t’i japim frymëmarrje, Tiranës dhe Shqipërisë.
Zoti ju bekoftë, Zoti bekoftë Shqipërinë!
Faleminderit!
Read More