Blog

17 Kor
0

Kuvendi Kombëtar/Fjala e plotë e kryetarit të Partisë Demokratike, z.Lulzim Basha!

 

 

Të dashur demokrate dhe demokratë!

Të dashur mbështetës dhe simpatizantë të Partisë Demokratike!

Të nderuar anëtare dhe anëtarë të Kuvendit Kombëtar!

Të dashur bashkëqytetarë, zonja dhe zotërinj, të rinj e të reja!

Jam krenar që ndodhem sot midis jush, në këtë sallë që ju e lartësoni dhe zbukuroni me pasionin tuaj për të qenë bashkë, si njerëz të lirë të këtij vendi.

Përpara se të nis fjalën time, dua që të gjithë bashkë të mbajmë një minutë heshtje për jetët e humbura gjatë këtij vitit të vështirë për shkak të Covid-19!

 

Zoti u dhëntë paqe shpirtrave të tyre! Zoti ngushëlloftë familjet që humbën të dashurit e tyre.

 

Sikurse e gjithë Europa e di tashmë, kjo sprovë e vështirë për mbarë njerëzimin shënoi në Shqipëri numrin më të lartë të jetëve të humbura në kontinent, në raport me popullsinë.

Një bilanc tragjik që bëhet edhe më pikëllues prej indinjatës që lind vetiu kur lotëve të mijëra familjeve, u kundërvihet buzëqeshja e shtirur e propagandës së një regjimi që lau duart me përgjegjësitë.

Dhe kur shqiptarët kishin nevojë për ndihmë, ofroi vetëm gjoba dhe propagandë.

Kjo përballje me pandeminë, ishte një tjetër moment në të cilin pamë qartë natyrën e kundërshtarit që kemi përballë dhe diferencën mes botëkuptimeve që ne kemi.

Sepse edhe kur fatkeqësia goditi Shqipërinë, ata nuk e ndalën babëzinë e tyre.

 

Kjo është arsyeja se pse kur ne propozonim planin tonë me 5 pika për rimëkëmbjen, i cili do të mbështeste personelin mjekësor, familjet dhe sipërmarrjet, ata vazhduan me planin e tyre për plaçkitjen e Shqipërisë, me tendera sekretë, me koncesionet dhe PPP-të.

Dhe kur qeveria zgjodhi të mbrojë interesat e pakicës me të cilën ka zaptuar vendin dhe ofroi paketën më të ulët mbështetëse në gjithë Europën, jeta, shëndeti dhe ekonomia e qytetarëve u vendos në rrezik.

Ky rrezik nuk erdhi vetëm nga pandemia, por nga vullneti i qartë për të ndjekur dhe shërbyer interesat e pakicës. Ata zgjodhën pasurimin e klientelës së tyre përballë jetës dhe shëndetit të qytetarëve, ata zgjodhën pushtetin përpara mbijetesës së njerëzve që kishin humbur gjithçka.

 

Dhe sikurse ndodhi me pandeminë, kështu ndodhi me një tjetër fatkeqësi, atë të tërmetit të 26 nëntorit 2019. Edhe këtë herë, ndërkohë që njerëzit ishin ende në çadra, hajdutët e fatkeqësisë zgjodhën të kënaqin babëzinë e tyre me tenderat korruptivë.

Me vetëdije ata i lanë qytetarët 1 vit e gjysëm në mëshirë të fatit, për t’i kërcënuar deri ditën e zgjedhjeve, dhe disave për t’ua blerë vuajtjen javën e fundit përpara zgjedhjeve, kur paratë e tërmetit vërshuan si lumë, gati 90 herë më shumë se sa në 15 muajt pararendës të braktisjes dhe propagandës me fatkeqësinë dhe mjerimin e tyre.

Përsëri Edi Rama vuri pushtetin e tij përpara sigurisë, jetës dhe mbijetesës së mijëra familjeve shqiptare.

 

Motra dhe vëllezër, demokrate dhe demokratë, të mbledhur në këtë kuvend të madh të Partisë tonë, kjo që po ndaj me ju është vetëm pak nga gjithë e vërteta e hidhur, është modeli i antivlerave që kemi përballë, është modeli që përmbys faktet, modeli që dështimin e shet si fitore dhe vjedhjen e zgjedhjeve si sukses zgjedhor.

Këto janë vetëm disa episode të masakrës zgjedhore të 25 prillit. Një masakër që nuk ndodhi në një ditë, por sic tregojnë poshtërsitë që ishin në gjendje të bëjnë edhe në ditët më të zeza për shqiptarët, regjimi Rama-Doshi ka punuar ethshëm për të penguar me çdo mjet ndryshimin që shqiptarët kërkonin. Se kanë punuar ethshëm vetëm për interesat e tyre, dhe kundër interesave të njerëzve të thjeshtë të vendit tonë.

Këto nuk janë vetëm konstatimet tona, të një pale në këtë proces, as nuk janë vetëm dëshmitë tuaja, që i keni jetuar ditë për ditë këto padrejtësi të kryera mbi ju dhe mbi bashkëqytetarët tanë.

Këto janë pjesë të raportit paraprak të OSBE ODIHR dhe Raportit të Delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.

 

Në të dyja këto dokumente, raportohet:

–        Blerja masive e votave

–        Presioni ndaj votuesve

–        Shkrirja në një e partisë në pushtet me shtetin

–        Keqpërdorimi i aseteve publike në avantazh të partisë në pushtet

–        Abuzimi me pushtetin dhe funksionet publike

–        Vjedhja e të dhënave private dhe personale të shqiptarëve nga partia në pushtet dhe ngritja e sistemit kriminal të patronazhistëve duke ushtruar përmes këtij sistemi presione dhe shantazhe ndaj qytetarëve.

–        Shkelja e marrëveshjes së 5 qershorit

–        Ndryshimet kushtetuese të njëanshme, jo demokratike dhe të paligjshme, në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias, vetëm 6 muaj përpara zgjedhjeve

–        Rritja e paprecedentë e fletëve të votimit të pavlefshme, si pasojë e hileve të regjimit, një shifër tre herë më e lartë se diferenca midis dy kampeve

Me dy fjalë: MASAKËR ZGJEDHORE!

 

Partia Demokratike ka depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe në SPAK me mijëra informacione, fakte, dokumente, muaj, javë dhe ditë përpara zhvillimit të zgjedhjeve, që provonin sesi regjimi po zbatonte një projekt kriminal të deformimit të vullnetit të qytetarëve përmes vjedhjes më të madhe në historinë e Shqipërisë.

Por ju i dini këto. Shumica e shqiptarëve i di këto. Madje të gjithë ne dimë edhe më shumë dhe mund të themi edhe më shumë se sa ajo që thonë raportet ndërkombëtare me gjuhën e tyre diplomatike.

I kam dëgjuar rrëfimet tuaja në takimet që kemi zhvilluar pas 25 prillit.

Për kërcënimet e një pushteti të verbuar nga frika dhe rreziku i përballjes me revoltën e njerëzve që panë rrënimin e ekonomisë nën qeverisjen e dështuar dhe të korruptuar të Edi Ramës.

 

Për frikën e regjimit nga vuajtjet dhe pasigurinë e shkaktuar nga modeli i pështirë i bashkëpunimit të pushtetit me krimin.

Për frikën e regjimit nga lëndimi që ka sjellë zbrazja e qyteteve dhe fshatrave tona nga të rinjtë që morën rrugët e botës, sepse asgjë e mirë nuk erdhi për ta, përvec përbuzjes me të cilën i përcolli për t’i zëvendësuar me bangladeshas apo kombësi të tjera.

Frikën e regjimit nga mjerimi që mbolli anembanë Shqipërisë pas premtimeve të rreme, duke e blerë më pas mjerimin me atë çka u ka vjedhur shqiptarëve në 8 vite.

Të gjitha këto, përballë bashkimit tonë të paprecedent, e shtynë regjimin që nuk solli asgjë të mirë për shqiptarët, të kryejë vjedhjen më të madhe të historisë së pluralizmit.

 

Janë në kujtesën e të gjithëve, makinat që endeshin ditë e natë, me paratë e drogës apo të korrupsionit, shumë prej të cilave ju i keni denoncuar.

Po ashtu kemi parë se si drejtori i Policisë së Shtetit u rreshtua publikisht dy ditë përpara zgjedhjeve me regjimin dhe me krimin e organizuar që blinte vota për të në Elbasan, teksa mashtronte pa u skuqur për atë ngjarje të rëndë.

Kemi parë përsëri se si aleanca e Edi Ramës me krimin vijon e pandëprerë në çdo nivel. Jo vetëm duke ricikluar si deputetë personazhet e dosjeve 184 dhe 339, që nxinë faqen e Shqipërisë në gjithë botën, dhe që vijojnë të jenë të pandëshkuar për krimet e tyre zgjedhore, por duke përdorur edhe trafikantët e drogës si patronazhistë, si në rastin e zjarrëfikësit të Bashkisë së Tiranës.

 

Kemi parë se si, bashkë me Tom Doshin, Edi Rama përdori një sigël politike si kamuflim për ortakun e tij në masakrën zgjedhore, duke e kthyer në një makineri votëblerëse, madje me një dredhi tinëzare drejtorët e Partisë Socialiste i shiti si kandidatë për deputetë të Tom Doshit.

Kemi parë se si në këtë masakër zgjedhore u ngritën nga hiçi në rangun e më të votuarve në Shqipëri njerëz pa asnjë identitet politik, pa asnjë kontribut shoqëror, përveç parave për të blerë vota dhe muskujve të krimit për të shantazhuar votuesin, si rasti i djalit dhe dhëndrit të ortakut të Edi Ramës, Aqif Rakipit.

 

Talente të panjohura, që nuk ka studiues në botë të shpjegojë shpërthimin e tyre sipas logjikës më elementare politike. Do të mjaftonte vetëm fakti që Taulant Balla doli personi më i votuar në Shqipëri, si prova më e zezë e metodës kriminale me të cilën janë blerë votat dhe shantazhuar qytetarët në një nga zonat që nën këtë regjim është kthyer në nyjen e trafikut të drogës në rajon. Sigurisht nën mbrojtjen e pushtetit!

Dhe përkundër parave për vota, legalizimeve për vota, ndërtimeve pa leje për vota, lejeve për të mbjellë hashash për vota, mbylljes së kufirit me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut për të pamundësuar votën e emigrantëve, Partia Demokratike doli me kokën lart nga kjo masakër zgjedhore.

 

Edhe pse 25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë, edhe pse çdo padrejtësi që mund të bëhej, u bë për të penguar ndryshimin, ne dolëm më të fortë dhe më të bashkuar, sepse të gjithë bashkë luftuam me mish dhe me shpirt për të ndezur besimin dhe shpresën e njerëzve se një Shqipëri më e mirë është e mundur.

Jo duke përdorur mjetet dhe modelin e Edi Ramës, por duke e përbuzur dhe refuzuar atë.

Ne nuk hoqëm dorë nga mjetet e ndershme për të bërë politikë. Nuk u stepëm nga propaganda e shtrenjtë dhe meskine e regjimit, as nga llumi i krimit që sot është garniturë e një kryeministri ilegjitim, as nga oligarkët që si shushunja i janë turrur trupit të drobitur të Shqipërisë.

 

Ne luftuam dhe besuam, sikurse ende besojmë, se mund t’i ndryshojmë gjërat në këtë vend pa u bërë më të këqij, më të pabesë dhe më të korruptuar se Edi Rama.

Ishim ne që nxorëm në sipërfaqe llumin e këtij regjimi me denoncime dhe opozitë pakompromis, ishim ne që treguam se si zgjidhen problemet e përditshme të qytetarëve dhe të Shqipërisë, gjatë gjithë fushatës, me vizion, me ekip dhe me një program serioz dhe shpresëdhënës.

 

Prandaj, sot dua t’ju falënderoj nga thellësia e zemrës për gjithçka keni bërë. Jam krenar për ju!

Për mua ka qenë dhe është privilegji dhe përgjegjësia më e shenjtë të luftoj bashkë  me ju, në drejtimin e një partie që ka shkruar faqet me të ndritura  të demokracisë shqiptare.

Mirënjohje për besimin që më dhatë për ta vijuar bashkë përballjen me regjimin.

 

Unë e konsideroj nderin më të madh, dhe këtë betejë më të rëndësishmen e jetës time, sepse është një betejë për fatin e cdo shqiptari, për demokracinë, për të rinjtë dhe të rejat e këtij vendi, për Shqipërinë europiane.

Do të jem përjetësisht mirënjohës për punën tuaj, për sakrificat e parrëfyeshme me të cilat jeni përballur, për qëndresën pakompromis ndaj të keqes që ka kapur vendin, edhe kur ajo mori forma shtazarake dhe kërcënuese të presioneve kriminale, gjobave, largimeve nga puna dhe mbylljes së bizneseve.

Ju qëndroni para shqiptarëve kryelartë, sepse nuk u dorëzuat kurrë dhe me angazhimin tuaj fisnik dhe qytetar, i dhatë jetë fushatës më të bukur dhe europiane që ka njohur Shqipëria.

 

Ju i dhatë një kuptim misionar angazhimit politik, që s’kishte si të mos përngjante me atë të themeluesve që janë mes nesh në këtë sallë, kur në orët e para të pluralizmit sfiduan regjimin me duart bosh, por zemrat plot shpresë dhe vendosmëri për ndryshim, për liri dhe demokraci.

Mirënjohje për cdo demokrate dhe cdo demokrat që dhanë gjithcka që Shqipëria dhe shqiptarët të kishin një të nesërme më të mirë.

Mirënjohje për kandidatët tanë, që përcollën vizionin tonë anembanë Shqipërisë, dhe nuk u përkulën përballë egërsisë së atyre që po luftonin me cdo mjet, për të mbajtur dhe ruajtur plaçkën e vjedhur këto 8 vite.

Mirënjohje e veçantë për kandidatet tona, zonjat dhe zonjushet e mrekullueshme të Partisë Demokratike. Angazhimi juaj ishte frymëzues, puna dhe pasioni juaj për ndryshimin janë vlera që i japin forcë dhe hijeshi kësaj Shtëpie të Lirisë.

 

Motra dhe vëllezër, të gjithë bashkë hymë në këtë betejë të pabarabartë, me programin më të mirë të hartuar në historinë e këtyre 30 viteve, fryt dhe prodhim i ekspertëve më të aftë të vendit dhe bashkëpunimit me institutet dhe institucionet prestigjioze të Perëndimit.

Fryt i viteve të punës së bazuar mbi studime të gjendjes reale që e kemi prekur bashkë shtëpi më shtëpi, fshat më fshat, qytet më qytet, sipërmarrje në sipërmarrje me të gjitha grupet e interesit, në bashkëpunim të thellë dhe të hapur me të gjithë grupet shoqërore,

me të papunët, me fermerët, me sipërmarrjen e vogël, me sipërmarrësit e mëdhenj, me prodhuesit, me eksportuesit,

me mjekët dhe personelin shëndetësor, me arsimtarët, pedagogët dhe studentët, artistët dhe intelektualët, me elitën e mendjes dhe shpirtit të këtij vendi,

me personat me aftësi të kufizuara, me të përndjekurit politikë dhe shoqatat e pronarëve që u bashkuan për herë të parë ndër vite me përfaqësuesit e tyre në selinë e Partisë Demokratike përmes programit tonë.

 

Një program i detajuar, me angazhime konkrete, për cdo sektor të shoqërisë, që vendosi gishtin tek plagët e shumta të vendit, që ofronte zgjidhje për të cliruar potencialin e cdo shqiptari, që clironte dhe zhvillonte potencialin e Shqipërisë, të ndrydhur, të mpakur, të boshatisur, të ngecur në vendnumëro në 8 vite nga një fatkeqësi kombëtare që e quan veten qeveri.

Një program që ka në qendër familjen shqiptare, si shtylla e politikave tona; një program që synon forcimin e shtresës së mesme, si motori i zhvillimit dhe i transformimit të shoqërisë, sepse një shtresë e mesme e fortë është garante e stabilitetit ekonomik dhe politik të vendit.

 

Të vetëdijshëm që shqiptarët meritojnë një politikë që punon për ta dhe jo për vete, ne qëndruam pranë njerëzve në nevojë, pranë të papunëve, pranë familjeve shqiptare, pranë studentëve dhe të rinjve shqiptarë, pranë sipërmarrësve të ndershëm dhe fermerëve, pranë gazetarëve që luftojnë përditë për të vërtetën dhe artistëve dhe intelektualëve që luftojnë për gjallimin e jetës së kombit.

Ne nuk lejuam që mjegulla hileqare e propagandës kundër kësaj lufte të drejtë, të na largonte nga njerëzit dhe vështirësitë e tyre të vogla e të mëdha.

Shqiptarët sot e dinë se problemet që ata hasin në punësim, arsimim, shëndetësi, biznes e kudo tjetër burojnë aty ku e ka gjenezën lufta jonë me regjimin: Te demokracia që shkatërrohet, tek zgjedhjet që vidhen, tek e drejta që shkelet.

Dhe pa u fituar kjo luftë, për cdo shqiptar, të majtë apo të djathtë, atëhere cdo zgjedhje e lirë në jetën e secilit prej tyre, cdo përpjekje e gjithsecilit prej tyre për punësim, për arsimim për të patur një jetë më të mirë, do të jetë e pamundur.

 

Ne e kemi bërë këtë çdo cast dhe në çdo rrethanë: kemi ngritur zërin me forcë kundër dhunimit dhe burgosjes së njerëzve të pafajshëm, kundër shkatërrimit dhe cënimit të pronës së qytetarëve, kundër dhunës së pushtetit ndaj qytetarëve, kundër shantazhit të tatimorëve dhe qeveritarëve ndaj bizneseve, në një shtet që ua merr frymën, dhe i lë pa mbështetje, pa dinjitet, pa të ardhme.

Ne kemi protestuar. Ne kemi organizuar me qindra protesta, në mbrojtje të cdo gjëje të shtrenjtë për qytetarët e një vendi me ambicie europiane, kundër padrejtësive të panumërta të kryera ndaj shqiptarëve, kundër dhunimit sistematik të së drejtës parësore mbi të cilën ngrihet një demokraci, atë të votës së lirë.

Kemi treguar përmes tyre jo vetëm mospajtimin tonë, forcën tonë, por edhe gatishmërinë për të sakrifikuar gjithcka në emër të një interesi më të madh, në emër të një politike që buron nga njerëzit dhe për njerëzit dhe jo nga krimi dhe për krimin.

 

Ne hymë në këtë betejë të bashkuar, vetëm me forcën tonë morale dhe besimin në vlerat dhe idetë tona. Pa asnjë pushtet, vetëm me pushtetin që buronte dhe buron nga vullneti i lirë i secilit prej nesh për t’i dhënë Shqipërisë një alternativë më të mirë. Jo për interesin tonë, jo për karriket tona, por në shërbim të qytetarëve që besuan dhe besojnë dhe e duan ndryshimin.

Përkundër makinerisë gjigande me të cilën u masakrua vota dhe u godit në zemër demokracia, qytetarët na besuan. Qytetarët ju besuan.

Ky besim lindi dhe u farkëtua në betejat që ne kemi bërë së bashku në shërbim të interesit publik, në shërbim të njerëzve, në shërbim të Shqipërisë.

Sepse pavarësisht propagandës dhe antiopozitarizmit malinj, të financuar nga paratë që u vidhen shqiptarëve, betejat tona ndër vite kanë qenë të drejta. Ne kemi qenë dhe jemi zëri i qytetarëve shqiptarë.

 

Prandaj edhe koha na ka dhënë të drejtë. Sepse jemi ne ata që denoncuam dhe luftuam projektin e shndërrimit të Shqipërisë në Kolumbinë e Europës. Ishin denoncimet tona që e nxorrën cullak projektin politik të regjimit të Edi Ramës për ta kanabizuar vendin.

Tani e gjithë bota e di se bashkëpunëtori i tij më i afërt, ishte zbatuesi i kësaj strategjie kriminale, që kriminalizoi policinë, tradhëtoi punonjësit e ndershëm të policisë duke gjunjëzuar shtetin përballë krimit, kriminalizoi ekonominë, duke e kthyer atë në një lavatriçe për paratë e drogës që dëmton konkurencën dhe sipërmarrjen e lirë.

Futën mijëra të rinj në rrugën e krimit, si e vetmja zgjidhje për punësimin që erdhi nga regjimi, duke shtuar plagët familjare dhe shoqërore prej jetëve që shkatërron dhe shuan përdorimi dhe trafikimi i drogës.

Po ashtu, përmes avionëve që shiteshin si mushkonja dhe radarëve që fikeshin sipas shukut të parasë kriminale, vranë garën e ndershme politike me milionat e eurove të drogës që hidhen në cdo fushatë si një garanci për të mbjellë përsëri e përsëri me bekimin e ortakëve që krimi ka në pushtet.

 

Jemi ne që luftuam dhe luftojmë kundër kriminalizimit të politikës, dhe sfidës që krimi i organizuar po i bën çdo vlere të shoqërisë tonë me bekimin dhe ortakërinë e Edi Ramës, sepse ne nuk mund të pranojmë kurrë që institucionet publike të përqafojnë një model, që askush nuk do ta pranonte për familjen apo fëmijët e tij.

Ne nuk e veshim kriminelin me kostum për ta futur në parlament dhe bashki.

Ne kemi luftuar dhe luftojmë që institucionet e shqiptarëve të jenë të lira nga ndikimi i krimit dhe në shërbim të qytetarëve.

Ne e dimë fare mirë, që kur ky tumor përhapet në indet e një partie politike, metastazat e tij kapin gjithë shtetin, deri në atë pikë sa sot është e qartë për të gjithë pa përjashtim, se pushteti i rrëmbyer me masakrën zgjedhore, nuk i përket qytetarëve, as socialistëve, por ortakëve të Edi Ramës që blenë vota, shantazhuan, dhunuan, dhe në këmbim marrin kontrollin mbi ato institucione që i shërbejnë më mirë interesave të tyre kriminale.

Jemi ne që kemi denoncuar korrupsionin marramendës të këtij regjimi, që duke përfituar nga vakumi i drejtësisë, e çoi Shqipërinë në një tatëpejtë të frikshme, duke e renditur të parën në Europë për korrupsion dhe të dytën në botë për ryshfetin që shërbëtorët dhe ortakët e Ramës u rrëmbejnë qytetarëve dhe sipërmarrjeve.

Miliarda euro dëme ekonomike, të paktën 7 sipas raporteve të KLSH-së, që mund të ishin përdorur për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, shkuan në xhepat e regjimit Rama-Doshi.

Nga të dhënat e Bankës Botërore dhe BERZH ryshfeti që merr ky regjim u kushton bizneseve shqiptare 550 milionë euro në vit, ose 1.5 milionë euro në ditë, një shumë tre fish me e lartë se ajo që raportohej në 2013-ën.

Para që mund të shkonin për shkolla, spitale, rrugë, paga më të mira për mësues dhe mjekë, pensione më të dinjitetshme për të moshuarit tanë që meritojnë një pleqëri të bardhë, larg shqetësimeve për faturat përherë e më të kripura të dritave dhe ujit, larg ankthit për ilacet që nuk mund të përballojnë dhe tryezës që bëhet gjithmonë e më e varfër.

 

Këto para nuk shkojnë tek ata që kanë nevojë, tek ata që paguajnë taksa për të marrë mbrapsht shërbimet që meritojnë, por rrëmbehen si haraç korrupsioni nga një pakicë të babëziturish që sillen njësoj si pushtues në një tokë të huaj, të gatshëm ta djegin atë, përpara se ta kthejnë te të zotët e saj.

Jemi ne që kemi luftuar kundër PPP-ve korruptive, si ato që e kanë shkallmuar buxhetin e shëndetësisë, kundër ligjeve antikushtetuese si ai i Teatrit, kundër koncesioneve që kanë shkatërruar financat publike, kundër rrugëve të florinjta me 20 milionë euro kilometri.

Që kanë pasuruar oligarkët dhe ortakët e Ramës, ndërsa kanë varfëruar më shumë se gjysmën e shqiptarëve  që jeton me më pak se 5 dollarë në ditë.

Që e kanë çuar borxhin publik në rekorde negative të panjohura ndonjëherë, si një bombë me sahat me të cilën po hedhin në erë trashëgiminë e brezave të ardhshëm, në një Shqipëri që po plaket nën goditjet shpopulluese të regjimit të cilit nuk i bëjnë sytë dritë përtej pushtetit të tij për të vjedhur.

 

Sot, këto projekte njihen botërisht si gropa thithëse për paratë publike, dhe dëmet për shqiptarët janë të shumëanshme.

I tillë është rasti i inceneratorëve dhe katastrofës mjedisore që po nxitet anembanë Shqipërisë. Kemi kërkuar hetimin e tyre që prej kohës së Prokurores së Përgjithshme të Përkohëshme, të paralizuar. Sot përsëri jemi ne që kërkojmë nga SPAK hetimin dhe ndëshkimin e atyre që kanë ngritur këtë skemë mafioze, e cila gllabëron taksat e shqiptarëve dhe vret shëndetin e tyre.

E bëjmë këtë edhe në kushtet e censurës dhe dezinformimit më të sofistikuar dhe të shtrenjtëpaguar, që kyç gojën e shumë mediave kur denoncon opozita, ndërsa paratë e dala nga këta përbindësha korruptivë përdoren për të sulmuar Partinë Demokratike.

Duke gënjyer për ne dhe duke gënjyer çdo ditë për hesap të regjimit.

 

E bëjmë këtë sepse ne e dimë, se e keqja sundon padrejtësisht në Shqipëri, dhe ne nuk kemi detyrë tjetër përveç se ta luftojmë të keqen. Ky është misioni ynë, ky ka qenë misioni ynë që nga dita e parë e ekzistencës tonë.

Kjo e keqe, sikurse pohohet në raporte të ndryshme ndërkombëtare, dhe sikurse e ndjen cdo qytetar në përditshmërinë e tij, ka marrë trajtat e një shteti të kapur nga krimi dhe korrupsioni. Një shtet në duart e një pakice të vogël njerëzish, që punon kundër interesave të shumicës së shqiptarëve.

Ligjet bëhen me porosi të klientëve të regjimit, prona private grabitet dhe shkatërrohet, pasuritë natyrore plackiten, prona publike vidhet në shkelje të cdo norme dhe përfituesit fshihen në parajsa fiskale, si në rastin e Portit të Durrësit, kësaj mega-afere, konturet e të cilës vetëm sapo nisin të përvijohen.

Të drejtat shkelen, liritë mohohen, taksat e qytetarëve vidhen, ekonomia asfiksohet nga korrupsioni i kudogjendur, institucionet publike vendosen në shërbim të interesave të errëta klienteliste dhe kriminale, procesi zgjedhor goditet deri në asgjësim, për të mbajtur fasadën e një normaliteti fiktiv të një demokracie që nuk është më.

 

Kapja e shtetit ka plagosur rëndë sistemin politik, ka shkatërruar ekonominë, ka dëmtuar rëndë shoqërinë. Kjo është arsyeja pse njerëzit janë kaq të dëshpëruar për gjendjen e vendit tonë. Shqiptarët e dinë që nuk mund të jenë të lirë, në një shtet të kapur.

Sepse kur pushteti punon për interesat e një pakice, kur pushteti përdoret për të mbrojtur interesat e një pakice, dhe pasuritë kombëtare përdoren për të nginjur orekset e një pakice, atëherë shumica përjashtohet dhe humbet çdo kontroll mbi qeverisjen, çdo shpresë për një të ardhme më të mirë.

Nuk ka pse të jetë kështu, nuk duhet të jetë kështu dhe nuk mund ta pranojmë kurrë të vazhdojë kështu.

 

Zoti i ka falur Shqipërisë një natyrë kaq të bukur dhe burime natyrore në kaq pak kilometra katrorë sa do t’ia kishte zili gjithkush, falë të cilave shqiptarët duhet të gëzonin pasuri për frymë më shumë se çdo vend i Rajonit, por, për shkak të kapjes së shtetit, familjet shqiptare kanë të ardhurat më të ulëta se në çdo vend tjetër të Rajonit.

Të jesh i varfër në një vend të pasur, do të thotë se shteti nuk është më aty për t’u shërbyer njerëzve.

Me modelin korruptiv dhe kriminal të ndërtuar nga Edi Rama, njerëzit janë aty për t’i shërbyer shtetit dhe interesave të atyre që e kanë kapur atë.

Prandaj borxhi publik rritet, taksat rriten, ndërsa bizneset dhe vendet e punës mbyllen, shqiptarët varfërohen dhe të rinjtë largohen.

 

Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat e Eurostat, sipas të cilave, Shqipëria është shteti më i varfër i Europës, me 31% të të ardhurave për frymë të mesatares europiane dhe me pagat më të ulëta, edhe në krahasim me fqinjët ballkanikë.

Përballë përmbysjes së marrëdhënive të qytetarit me shtetin që ka prodhuar ky regjim i korruptuar, misioni i Partisë Demokratike është t’ua kthejë qytetarëve kontrollin mbi shtetin e tyre.

T’u kthejë shumicës së shqiptarëve të drejtën për të jetuar një jetë të plotë dhe të lirë për realizimin e aspiratave të tyre, këtu pranë familjeve dhe miqve të tyre. Larg trysnisë së një pushteti që ka depërtuar dhunshëm në cdo qelizë të shoqërisë, një shteti që merr gjithcka dhe nuk jep asgjë.

T’ua kthejë të drejtën për të vendosur, t’ua kthejë Shqipërinë shqiptarëve.

 

Rruga drejt realizimi të këtij misioni nuk është e lehtë dhe as e tillë që Partia Demokratike mund ta përshkojë e vetme.

Ajo fillon duke u dhënë pushtet qytetarëve. Ndaj me forcën që na dhanë qytetarët në 25 prill, ne ftojmë shumicën e shqiptarëve që kërkojnë ndryshim rrënjësor në punët e vendit, dhe rezultate të prekshme për veten dhe fëmijët e tyre, që të ndërtojmë së bashku një Platformë Qytetare për Demokracinë.

Ndërtimi i kësaj platforme do të ketë në themelin e saj rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend.

Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha grupet shoqërore: Intelektualë, studentë, pedagogë, sipërmarrës, artistë, gazetarë, profesionistë, fermerë,  të rinj e të reja që kërkojnë kthimin e normalitetit në vend.

 

Që kërkojnë zgjedhje të lira, ndryshime kushtetuese dhe ligjore që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve, që përmirësojnë përfaqësimin politik, që reformojnë ndarjen territoriale dhe demokratizojnë pushtetin vendor.

Që mundësojnë ushtrimin e demokracisë së drejtpërdrejtë nëpërmjet referendumeve lokale dhe kombëtare, propozime për çlirimin e ekonomisë nga oligarkët dhe modelit të dështuar ekonomik që po i marrin frymën sipërmarrjes së ndershme, për lirinë dhe pavarësinë e medias, për shkëputjen përfundimtare të politikës nga krimi, ndryshime që e bëjnë shoqërinë realisht demokratike dhe e shpëtojnë shtetin nga kapja e një pakice që kërcënon të ardhmen e vendit.

 

Vetëm ne mund ta bëjmë këtë, sepse ne jemi njerëzit që besojmë tek shteti i vogël, tek liria e individit, tek ndarja e pushteteve, tek liria e sipërmarrjes

Ne jemi Partia që ka luftuar për këto vlera,  që në zemër-rrahjet e para të jetës së saj, ne do të luftojmë bashkë me qytetarët për mbrojtjen e tyre.

Ne luftojmë për individin, luftojmë për familjen, për komunitetet, për shtetin e për kombin, për prodhuesin, tregtarin, fermerin e për sipërmarrësin, për të varfërin e për të pamundurin. Sepse ne jemi parti popullore europiane.

 

Për ne individi nuk është armik i padisiplinuar i cili duhet nënshtruar nën dhunën e masës. Individi është njeri me veçantitë dhe dhuntitë e tij.

Individi nuk mund të arrestohet pa ligj, siç janë arrestuar e ndaluar mijëra shqiptarë. Nuk mund të kontrollohet dhe të bastiset në shtëpinë e tij.

Për ne familja është çerdhja e mrekullueshme që Zoti i ka dhënë njeriut, për të garantuar vazhdimësinë e njerëzimit.

Për ne shteti nuk është shoqëri aksionere, nuk është parajsë fiskale ku familjet pushtetare pasurohen duke përdorur paratë e qytetarëve dhe zyrat e shtetit. Për ne shteti është publik.

Për ne sipërmarrësit nuk janë një rast i mirë për t’u gjobitur e për të kënaqur tatimorët dhe bosët e tyre. Ata janë bazamenti i shoqërisë. Me talentin e tyre ata krijojnë punë, krijojnë pasuri dhe shpërndajnë mirëqenie për njerëzit.

 

Ne e kemi këtë përvojë bashkëpunimi me shoqërinë. Të gjithë bashkë kemi punuar për hapjen e Partisë Demokratike ndaj shoqërisë, dhe kemi mirëpritur bashkëpunimin me mbi 12 grupe të ndryshme interesi, me të cilat nënshkruam kontrata përgjatë hartimit të programit tonë.

Ne jemi gati ta zbatojmë këtë model ndërveprimi, duke ngritur dhe konsoliduar më tej komunikimin dhe bashkëpunimin konkret mes shoqërisë dhe Partisë Demokratike. Për t’ia shkurtuar ditët këtij regjmi, sepse ajo që nuk ishte e mirë përpara 25 prillit, vetëm mund dhe do të përkeqësohet, deri sa ta ndalim.

 

Me përvojën e akumuluar dhe vullnetin e ripërtërirë për të shtrirë dhe zgjeruar bashkëpunimin me forcat e gjalla, konstruktive dhe të përgjegjshme të shoqërisë, me mbështetjen e partnerëve Euro-Atlantikë, ne do ta çojmë këtë Platformë Qytetare për Demokracinë edhe në Parlament, ku do të zhvillohet një pjesë e betejës tonë për rikthimin e legjitimitetit në vend.

Dhe me forcën dhe besimin që na kanë dhënë qytetarët në 25 prill, do ta shndërrojmë atë në një aksion për t’i dhënë zgjidhje, dilemave që masakra zgjedhore vetëm i shtoi në jetët e shqiptarëve.

Sepse nuk kemi vetëm shpresën, ne besojmë se kemi edhe zgjidhjen!

 

 

Motra dhe vëllezër, sot në këtë kuvend të madh të demokratëve, na mbledh fati ynë i përbashkët dhe i pashmangshëm, misioni për të cilin ka lindur dhe ekziston kjo familje politike: Një Shqipëri demokratike dhe europiane.

Në 13 qershor, kur vendosët me një anëtar një votë për kryetarin e Partisë Demokratike, ju përcaktuat qartë se cila do të jetë rruga jonë.

Ju i thatë Shqipërisë mbarë se ne, demokratët, nuk dorëzohemi përballë pakicës që ka kapur dhunshëm Shqipërinë, nuk dorëzohemi përballë padrejtësive, se ne nuk heqim dorë nga Shqipëria.

Ne do të luftojmë me gjithë forcën tonë kundër këtij regjimi, në të gjitha mënyrat, brenda dhe jashtë parlamentit, brenda dhe jashtë Shqipërisë, derisa kauza e demokracisë dhe e Shqipërisë europiane të ngadhënjejë. Jo sepse kështu duam ne, por sepse e drejta është me ne.

 

Ne e dimë që Edi Rama është armiku i demokracisë, të gjithë e dinë që Edi Rama ka manipuluar zgjedhjet, por gjithashtu e dimë që Edi Rama nuk blen dot të djeshmen e tij. Pesha e korrupsionit, e krimit me të cilin bashkëpunon dhe e dështimeve 8 vjeçare i qëndron mbi krye si shpata e Demokleut, që sa vjen dhe bëhet më e rëndë.

Prandaj për ne 25 prilli nuk është një histori e mbyllur, masakra zgjedhore nuk është thjesht hileja e tij e radhës kundër shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, por është një krim që kërkon ndëshkim.

Ne nuk e njohim atë, dhe autorët e saj duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi për cfarë i kanë bërë vendit tonë dhe demokracisë!

 

Ne nuk do të rreshtim përpjekjet tona brenda dhe jashtë vendit, derisa ndryshimi të vijë për shumicën e shqiptarëve që e donin këtë ndryshim në 25 prill, dhe e duan edhe më shumë sot, kur oferta e vetme që Rama ka, është më shumë krim, më shumë korrupsion dhe më shumë dështime.

Ne angazhohemi fort për ta kthyer shtetin shqiptar në shtet të shqiptarëve. Për ta kthyer në shtet europian. Shtet i cili mbron lirinë individuale. Garanton paprekshmërinë e jetës. Mbron pronën private dhe publike. Mbron paratë dhe ekonominë e njerëzve. Mbron dinjitetin dhe personalitetin e njeriut.

Ndaj ne do të ndërmarrim, të gjithë bashkë, të gjitha vendimet e nevojshme për ta çuar deri në fund luftën tonë kundër këtij regjimi, përmes përsosjes së mëtejshme të qeverisjes së shtëpisë tonë të përbashkët. Një shtëpi ku secili gjen vendin e vet.

 

Pak javë më parë ne dhamë një leksion demokracie. Zgjedhjet tona të brendshme treguan se jemi një parti e hapur, parti e garës dhe parti e lirisë. Kjo garë na bëri më të fortë, dhe e bëri edhe më të dukshme diferencën mes nesh dhe kundërshtarit tonë politik.

Unë jam krenar që ne jemi sot partia që nuk përsërit në mënyrë abstrakte fjalë si demokraci e brendshme, hapje, meritokraci. Për ne këto nuk janë fjalë por vlera, mbi të cilat ne ngrejmë jetën dhe aktivitetin tonë politik.

Natyrisht, ne nuk jemi të përsosur, dhe unë nuk kam qenë kurrë personi që mëton pagabueshmërinë e liderit.

 

Megjithatë në asnjë moment nuk duhet të ngatërrojmë diferencën mes debateve për përmirësimet që ne bëjmë për të qenë edhe më pranë njerëzve, edhe më të hapur me njëri-tjetrin, edhe më të fortë si parti,,, dhe pseudo-debatit që nxitet, për të fshehur krimet dhe padrejtësitë që janë bërë mbi zgjedhjet në Shqipëri dhe për të spostuar artificialisht vëmendjen nga partia e lidhur me krimin që varfëron shqiptarët, te Partia Demokratike, që ka zgjedhur që luftën me regjimin të mos e zhvillojë me të njëjtat mjete.

Sepse të gjithë e dimë që krimi pjell krim. Sepse përsëritja e të njëjtit model, me emra të ndryshëm, nuk është zgjidhje, por riciklim i të keqes.

Ne e dimë që shpeshherë, zhurma e armiqve të demokracisë kumbon më fort se e vërteta, e dimë gjithashtu se antiopozitarizmi i mirëpaguar në media dhe politikë ka përftuar forcën për ta mbivendosur mashtrimin mbi faktet.

 

Ne e kemi parë se si prej vitesh shpenzohen miliona euro për të goditur Partinë Demokratike, sigurisht edhe mua.

Ndaj është detyra jonë, të mos lejojmë që përmbysja e të vërtetës dhe përmbysja e vlerave që krijon artificalisht regjimi dhe kasnecët e tij, të na pengojë, devijojë apo ngadalësojë në misionin tonë.

Natyrisht ne i mirëpresim kritikat, pranojmë vërejtjet, sugjerimet dhe thirrjet për të bërë më shumë, për të bërë më mirë.

Por kurrësesi nuk mund të pranojmë që padrejtësitë e kryera, jo mbi Partinë Demokratike, por mbi gjithë shqiptarët, të relativizohen dhe vjedhja e zgjedhjeve, përdorimi i krimit dhe i cdo mjeti të paligjshëm të normalizohen.

 

Ne mirëpresim në këtë fushëbetejë, pa asnjë përjashtim, këdo që ka dëshirën të japë kontribut dhe ka vizione alternative, por përmbysja e vlerave është një lojë e rrezikshme, një rreth vicioz që mund ta bëjë të keqen permanente.

Precedentët historikë nuk mungojnë, as në të shkuarën dhe as sot. Përreth nesh po rikthehen fantazmat e të kaluarës, regjime autokratike që nuk vijnë më në pushtet dhunshëm, por janë po aq efektivë në ekzekutimin e demokracisë, në goditjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve. Një perde e re e hekurt po bie.

Detyra jonë është ta shkërrmoqim këtë model përpara se të jetë tepër vonë.

Pra le të mos pengohemi nga romuzet nihiliste, dhe as kompleksohemi nga hipokrizia e atyre që nuk kanë ngritur një gisht për të penguar masakrën zgjedhore dhe relativizojnë të keqen. Beteja jonë nuk është me ta.

 

Madje beteja jonë nuk është as me Partinë Socialiste. Ne jemi në luftë me modelin që Edi Rama ka ndërtuar brenda asaj force politike. Jemi në luftë me modelin që përdor krimin për të zhbërë zgjedhjet, jemi në luftë me modelin që fut ushtarët e krimit në parlament, jemi në luftë me cdo antivlerë që po mban peng të ardhmen e Shqipërisë.

Nuk gëzoj asnjë simpati për eksponentët e Partisë Socialiste që nuk do të jenë në parlament, për shkak se vendet e tyre u zunë nga tre tomdoshët dhe dy aqifrakipët apo nga bedelë të tjerë të krimit, por jam i bindur se ata, si shumë të tjerë, e kanë kuptuar impaktin shkatërrimtar që ka për një forcë politike, për shoqërinë dhe për vendin bashkëjetesa me krimin.

E pra ne nuk kemi për t’u bërë kurrë si ata.

 

Ne jemi dhe do të mbetemi partia që lindi nga ëndrrat më të bukura për liri të Studentëve të Dhjetorit, jemi dhe do të mbetemi partia që solli pluralizmin, jemi dhe do të mbetemi partia me të cilën frymoi demokracia, jemi dhe do të mbetemi partia e shqiptarëve që e duan Shqipërinë si gjithë Europa.

Me vlerat që na dallojnë, të lirisë, konkurencës dhe hapjes, ne do të përsosim edhe më shumë Partinë Demokratike, jo vetëm për t’u përballur me regjimin, por për të qenë në lartësinë e premtimit të papërmbushur të dhjetorit 1990. Atë të Shqipërisë europiane.

Jemi ne që do ta bëjmë realitet këtë amanet, jemi ne partia që do të realizojë këtë aspiratë dhe do ta bëjmë duke i hapur rrugën brenda rradhëve tona atyre që i kanë prirë betejës së 25 prillit, të rinjve dhe të rejave.

 

Unë do të jem përherë mirënjohës për angazhimin tuaj, është krenaria ime të shoh, se kemi midis nesh një brez të ri që është gati të bëhet ndryshimi që duan të sjellin në Shqipëri.

Ndaj jush, kemi një borxh të madh dhe ne duhet të jemi gati që këtij brezi të ri demokratesh dhe demokratësh t’u hapim dyert dhe zemrat, sepse në fytyrat e tyre guximtare është shkruar e ardhmja e familjes tonë politike dhe e ardhmja europiane e Shqipërisë.

Ne kemi nevojë për energjinë tuaj, ne kemi nevojë për krijimtarinë dhe vizionin tuaj, është koha që ju të merrni përgjegjësitë që ju takojnë!

 

Vëllezër dhe motra, dua të ndaj me ju diçka që nuk e kam thënë më parë.

Unë e dua Europën jo vetëm për atë që përfaqëson dhe për mundësitë që ajo i krijon Shqipërisë, por edhe sepse kam një ëndërr, dhe ajo është që shumë shpejt, ne të shohim të rinjtë e këtij vendi, vajzat dhe djemtë e mrekullueshëm të Shqipërisë, të përfaqësojnë vendin tonë, shtetin tonë, kombin tonë në institucionet e Europës, me dinjitetin që u takon brenda familjes së madhe europiane.

Këtë do ta bëjmë realitet bashkë!

Dhe kjo do të jetë ora më e mirë e Partisë Demokratike, ora më e bukur e Shqipërisë.

 

Sot gjithashtu kam një thirrje për të gjithë ata që e kuptojnë rrezikun që ky regjim përbën për demokracinë, dhe ndër vite kanë kontribuar për Partinë Demokratike. Kjo është dhe mbetet shtëpia juaj. Nëse doni të jepni kontributin tuaj, apo të ktheni në shërbim ndaj demokratëve besimin që demokratët ju kanë dhënë ndër vite, jeni të mirëpritur.

Nga ana tjetër kam edhe një mesazh për të gjithë ata, që për një motiv apo për një tjetër kanë parë të arsyeshme të luftojnë më shumë kundër Partisë Demokratike se sa kundër Ramës:

Dora ime do të mbetet përherë e shtrirë nëse doni t’i bashkoheni aksionit tonë, dhe t’i ktheheni vlerave tona, por kurrë më nuk do të kthej faqen tjetër ndaj gjithë atyre që sakrificat e demokratëve i shpërdorojnë për inate personale apo përfitime të përkohshme.

 

25 prilli tregoi se demokratët janë të bashkuar dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që këtë bashkim zemrash dhe mendjesh ta drejtojmë kundër armikut të vetëm që kemi, regjimit Rama-Doshi.

Demokrate dhe demokratë, në 25 prill shqiptarët na mbështetën sepse panë mundësinë e një ndryshimi real përmes Partisë Demokratike.

Kjo dëshirë, kjo etje për ndryshim nuk është vrarë, energjitë për të luftuar për këtë ndryshim nuk janë shteruar, horizonti i një të ardhme më të mirë është ende në sytë e shqiptarëve.

Unë jam i bindur që ata nuk do ta humbasin besimin, sepse ne nuk do ta humbasim besimin tek vetja dhe tek Partia Demokratike.

 

25 prilli nuk zgjidhi asgjë për Shqipërinë, vendi është përsëri në udhëkryq, ndaj nuk do të pranojmë kurrë padrejtësitë që janë kryer jo vetëm mbi demokratët, por mbi të gjithë shqiptarët.

Ne nuk do të pranojmë në heshtje modelin e shtetit të bërë njësh me partinë, me krimin dhe oligarkinë. Ne nuk do të pranojmë që vendi të hyjë në një natë të gjatë, errësira e të cilës,  përngjan me atë që tre dekada më parë u ça nga drita e shpresës, me të cilën sfiduan regjimin themeluesit e kësaj partie të madhe dhe demokratike.

 

Sepse ne jemi demokratët e Shqipërisë, ne nuk dorëzohemi, ne nuk mund të nënshtrohemi, ne nuk mundet të na zbraps askush, ne nuk mund të na gjunjëzojë asgjë.

Ndaj ne nuk tërhiqemi. Ne e mirëpresim përballjen me këtë regjim sepse është shënuar në fatin e çdo demokrati dhe çdo demokrateje.

Beteja për liri, për zgjedhje të lira, për demokraci janë të brendashkruara në indentitetin tonë, dhe jetët tona lartësohen e fisnikërohen kur çdo energji, çdo sakrificë, çdo ditë të jetës tonë e japim në përmbushje të misionit tonë ndaj Shqipërisë, ndaj vlerave tona, ndaj familjes tonë politike.

 

Janë vlerat tona, është besimi që ne kemi te individi, te liria, te shteti i së drejtës, te dashuria për atdheun, ato që na vendosin në rreshtin e parë të kësaj beteje kundër armiqve të demokracisë.

Dhe kësaj beteje ne nuk i kemi thënë kurrë jo. E nuk kemi ndërmend t’i themi jo sot, kur përkundër gjithë paligjshmërive të këtij regjimi, diferenca mes nesh dhe tij mbetet sa votat e blera nga dy anonimë, pjellë e paligjshmërisë.

Sot, nga ky Kuvend, ne po i japim dritë, shpresë dhe besim edhe atyre që fatkeqësisht në 25 prill nuk votuan siç deshën, dhe u dorëzuan përballë presioneve të bandave, presioneve shtetërore, apo trysnisë së varfërisë që gërryen lirinë e qytetarëve dhe shkërmoq dinjitetin.

 

Ju them sot, ne i njohim vuajtjet tuaj, e ndjejmë dhimbjen tuaj, dhe do të luftojmë më shumë, me më shumë forcë, me më shumë vendosmëri, që edhe ju të çliroheni nga këta pengmarrës, të çliroheni nga bandat, të çliroheni nga ky regjim i korruptuar që ju do, të varfër dhe të nënshtruar.

Të gjithë bashkë do të luftojmë për t’u kthyer dinjitetin shqiptarëve, për t’i kthyer dinjitetin Shqipërisë.

 

Motra dhe vëllezër, në këtë mision të vështirë, në këtë kohë përcaktuese për fatin e vendit, vota e çdo delegati merr një peshë të madhe duke zgjedhur përfaqësuesit që do të luftojnë çdo ditë së bashku me ju për shqiptarët dhe që do të jenë çdo ditë së bashku me ju pranë tyre, por edhe për vizionin që ne kemi për Shqipërinë.

Vizionin tonë për të ardhmen, që sigurisht do ta realizojmë bashkë me shumicën e shqiptarëve që duan një vend më të mirë.

Ata na dhanë një besim të jashtëzakonshëm për planet tona konkrete të të gjitha fushave: për ekonominë, për arsimin, shëndetësinë, punësimin, përballimin e kostos së jetesës, dhe kurimin e plagës së emigracionit.

Ne jemi të përkushtuar ndaj angazhimeve tona më shumë se kurrë, dhe nuk do të ndalojmë së luftuari për qytetarët e Shqipërisë,  derisa t’i bëjmë ato realitet.

 

Sepse ambiciet e shqiptarëve kanë qenë përherë ambiciet tona.

Partia Demokratike ka hedhur themelet e të gjitha proceseve modernizuese në këto tre dekada.

Me vetëdije, vullnet dhe sakrifica kemi ndryshuar trajektoren historike të Shqipërisë, duke shënuar arritjet më domethënëse që kanë ndryshuar për mirë jetën e njerëzve

Nga rrëzimi i komunizmit dhe sjellja e demokracisë, tek futja në Këshillin e Europës dhe anëtarësimi në NATO, nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe heqja e vizave, tek marrja de facto e statusit kandidat, nga zhvillimi ekonomik dhe sjellja e investimeve të huaja, tek zhvillimet në infrastrukturë, dyfishimi i pensioneve dhe i rrogave në shumë sektorë.

 

Të gjitha këto arritje nuk mbajnë rastësisht vulën tonë, por janë produkt i fuqisë jetëgjatë të ideve tona, të sakrificave dhe vendosmërisë së papërkulshme të të gjithë demokratëve shqiptarë.

Ndaj, nga ky kjo tribunë, nga ky takim demokratësh, nga më i vjetri tek më i riu, si njerëz të lirë dhe ballëlartë që me zemër dhe kurajo sfiduan hordhitë e partisë shtet, krimit dhe oligarkisë,

të vetëdijshëm për barrën e rëndë që kemi mbi supe si e vemtja shpresë për shqiptarët që kërkojnë ndryshim, mesazhi ynë është fare i qartë:

Ejani me ne!

Ejani me ne në këtë rrugëtim për demokracinë,

Ejani me ne në këtë rrugëtim që do tua kthejë Shqipërinë shqiptarëve.

Zoti i bekoftë demokratet dhe demokratët kudo ku janë!

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe mbarë kombin shqiptar!

 

 

 

 

 

 

 

Read More
13 Kor
0

PD: Vendi i zhytur në korrupsion, faji i modelit me të cilin keq qeveris Edi Rama. Peshku qelbet nga koka.

 

  • PD: Vendi i zhytur në korrupsion, faji i modelit me të cilin keq qeveris Edi Rama. Peshku qelbet nga koka.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, JORIDA TABAKU

 

Pas 8 vitesh në pushtet, sot Rama më në fund pranoi se qeveria e tij e ka zhytur vendin në korrupsion.

Por, si zakonisht ai fshihet pas përgjegjësive për kthimin e Shqipërisë në një shtet të kapur nga korrupsioni dhe fajin e hedh diku tjetër.

Kjo është loja e tij e vjetër, kostot e të cilës po i paguajnë sot qytetarët, familjet dhe bizneset shqiptare.

Por sot nuk ka shqiptar që të besojë se vendi është zhytur në korrupsion pa dijeninë dhe përgjegjësinë e Edi Ramës.

Sot nuk ka shqiptar që të besojë se shkallmimi dhe vjedhja e buxhetit të shtetit, e  miliona eurove në buxhet, ndodh pa dijeninë dhe përgjegjësinë e Edi Ramës.

Nuk është faji i 30 specialistëve në ministritë e linjës, që sistemi i korrupsionit është kapilar, nga nivelet më të larta, në ato më të ulëta, por është faji i modelit dhe i sistemit që ka keq qeverisur Edi Rama. Nuk është çështje ligji, nuk është çështje teknike, nuk është çështje kriteresh të ligjit, por është çështje e vullnetit politik.

–              1 në 3 tendera jepen pa garë dhe ky është fakt është denoncuar nga PD që nga viti 2015 dhe njëkohësisht është provuar edhe në vitin 2018 nga Gjykata Europiane e Auditit.

–              Të gjitha tenderat e rindërtimit që Rama sot i vëzhgon duke u krenuar janë dhënë pa garë, janë dhënë në limitet e fondit, me 99% të vlerës.

–              Gjatë pandemisë janë dhënë tendera pa garë, tendera sekretë, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Shëndetësisë  kanë qenë kampionë. Me kompani që nuk kishin asnjë lidhje me fushën për të cilën ata jepnin shërbimin apo produktet.

–              Ligjet speciale, janë kthyer në rregull tashmë. 7 të tilla të përmendura me emër nga opozita dhe vërtetuar nga “Transparency International”, janë votuar nga Rama dhe mazhoranca si dhe janë mbrojtur publikisht nga ai.

–              Ligji Fusha për teatrin kombëtar që u shoqërua me kalimin antikushtetues dhe prishjen antikushtetuese të godinës së Teatrit është mbrojtur nga Rama dhe i ka dalë vetë për zot, Rama.

–              Mbi 2 miliard euro koncesione të dhëna nga qeveria Rama me ofertë të pakërkuar, pa garë, kompanive të preferuara prej tij.

–              Toka sot në bregdet jepen me 1 euro me VKM. Ndërkohë që pronarët sorollaten me vite për të marrë një vendim për kthim dhe kompensim të pronave.

–              7.2 miliard euro dëm ekonomik ka vërtetuar KLSH, që ka ndodhur në 8 vitet e fundit.

–              Dhe afera më e fundit e inceneratorëve që akoma marrin para nga taksat e qytetarëve shqiptarë, janë mbrojtur publikisht dhe personalisht nga Rama. Miliona euro që shkojnë për një projekt mafioz, me procedura dhe afate që me dijeninë e tij dhe ministrave të tij janë shkelur me të dyja këmbët. Në të gjitha këto raste, Rama i ka dalë për zot. Rama e ka mbrojtur korrupsionin, i ka dalë për zot këtyre projekteve duke goditur drejtpërdrejt buxhetin e shtetit dhe xhepat e familjeve shqiptare.

Shqiptarët sot varfërohen përditë nga ky regjim i korruptuar e dinë se përgjegjësi i vetëm që e ka frymëzuar këtë sistem, përgjegjësi i vetëm për këtë korrupsion, në këtë nivel te kapjes së shtetit  është Edi Rama.

Read More
12 Kor
0

Ndëshkimi i modelit politik të Edi Ramës, rruga e çlirimit nga korrupsioni

  • Korrupsioni me tenderat, PD: Ndëshkimi i modelit të ndërtuar nga Edi Rama është e vetmja rrugë që Shqipëria të çlirohet nga korrupsioni dhe t’u kthehet sa më parë shqiptarëve.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, BELIND KËLLIÇI

Ndoqëm përpjekjen e radhës të Edi Ramës për t’u hedhur hi syve qytetarëve shqiptarë, me propagandën e gënjeshtërt dhe hipokrite përballë të emëruarve të tij në pushtetin vendor.

Por tashmë shumica dërrmuese e qytetarëve e dinë mirë se ajo që Rama bën dhe ajo që Rama thotë, nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.

Sot Partia Demokratike do të sjellë një provë për të dëshmuar edhe një herë, se sevdaja e madhe e Ramës për antikorrupsionin është një lojë që konsumohet para kamerave, ndërsa kur ato shuhen vazhdon vjedhjen e taksave të shqiptarëve me bandën e tij të plaçkitësve.

Të gjithë e mbani mend Agim Kajmakun.

Të emëurarin nga Edi Rama në krye të Bashkisë së Vorës, që humbi mandatin sepse shkeli ligjin e dekriminalizimit dhe ndërsa ishte në arrati, midis viteve 2019 dhe 2020, fitonte miliona lekë tendera.

Sot Agim Kajmaku vazhdon të shpërblehet nga Edi Rama.

AME 2020 sh.p.k., në pronësi të Kajmakut, ka përfituar 2 tendera. Një nga nga OSHEE sh.a me objekt “Mirëmbajtje e ambienteve të brendshme dhe taracës për OSHEE Group sh.a dhe për Drejtorinë Rajonale Tiranë / OSSH sh.a”, me vlerë 61,136 euro. Oferta më e lartë!

Dhe një tjetër nga Bashkia Fier me objekt “Blerje lule dekorative”, me vlerë 16,279 euro. Edhe ky tender me ofertën më të lartë!

Ky pra është Edi Rama i vërtetë. Ai që para kamerave qan për taksat e qytetarëve, dhe pas kamerave i përdorë ato për të shpërblyer ata me të cilët ka kryer masakrën zgjedhore të 25 prillit.

Korrupsioni dhe bashkëpunimi me krimin janë modeli me të cilin Edi Rama ka shkaktuar rrënimin e përditshëm të ekonomisë së çdo familje, duke nxitur largimin masiv e të rinjve shqiptarë.

Ndëshkimi i modelit të ndërtuar nga Edi Rama është e vetmja rrugë që Shqipëria të çlirohet nga korrupsioni dhe t’u kthehet sa më parë shqiptarëve.

Read More
09 Kor
0

PD: Peshku qelbet nga koka! Një regjim që vjedh zgjedhjet mund të ofrojë vetëm korrupsion 

·         PD: Peshku qelbet nga koka! Një regjim që vjedh zgjedhjet mund të ofrojë vetëm korrupsion

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, DHURATA ÇUPI

Pas shfaqjes tallëse të ditës së djeshme me policinë, sot Rama dhuroi shfaqjen e radhës me drejtuesit e komanduar të pushtetit vendor.

“Bëni si them unë por mos bëni si bëj unë” u tha Rama të emëruarve të tij në bashkitë e vendit.

Natyrisht qytetarët shqiptarë e dinë se njerëzit e ndershëm të mbledhur në atë sallë numërohen në gishtat e një dore, megjithatë të dëgjosh Ramën që bën moral për tenderat dhe korrupsionin, nuk është gjë tjetër veçse një nivel i ri i teatrit të absurdit. Sepse shkelësi i ligjit nuk mund të vendosë drejtësi aq më pak kritere ndershmërie në zbatimin e ligjeve mbi prokurimet publike.

Qeveria Rama, në kundërshti me çdo normë kushtetuese dhe ligjore, ka miratuar 9 ligje të bëra apostafat për klientët pranë kryeministrit. Duke e kthyer kështu korrupsionin në nivelin e kapjes së shtetit, sikurse vërtetohet nga raportet e “Transparency International”.

Qeveria Rama është kampione e Prokurimeve Publike të dhëna pa garë; 30% e prokurimeve publike në vend jepen pa garë që nga viti 2014. Fakt i provuar nga Komiteti Auditues i BE-së që 1 ne 3 jepet pa gare dhe kjo nuk ka lidhje me pushtetin vendor por me te gjithë qeverisjen Rama.

Çdo tender sot jepet pa gare, me 99 perq te vleres limit dhe me nje dem ekonomikte vertetuar nga klsh ne nivelin e 7 miliard euro.

E pra të dashur qytetarë, ai që bëri një ligj antikushtetues për shembjen e teatirt, me emër dhe mbiemër të ortakut me të cili do rrëmbente pronë publike, ai që falsifikoi firmë e Sekretartit të Shtetit të Delaware për të vjedhur 20 milionë euro për një kilometër rrugë, ai që i kontraktoi miliona euro me kontrata sekrete, ai që praktikat korruptive nuk i ndali as në kohë pandemie dhe as gjatë fatkeqësisë së tërmetit, ai që e renditi Shqipërinë të dytën në botë për nivelin e ryshfetit, sot po përpiqet të lajë duart me korrupsionin, duke bërë koka turku ushtarët e tij nëpër bashki.

Fatkeqësia e Ramës është se nuk i gënjen dot më qytetarët. Shqiptarët e ndjejnë në xhepat e tyre, në tryezat e tyre peshën e korrupsionit që ka varfëruar çdo familje dhe e ka bërë edhe më të zymtë perspektivën europiane të Shqipërisë.

Shqiptarët e dinë që peshku qelbet nga koka  dhe se një regjim që vjedh zgjedhjet nuk mund të ofrojë gjë tjetër veçse një qeverisjes të korruptuar.​

Read More
08 Kor
0

Ndryshimet në Polici/PD: Reformimi i klanit të sekserëve të Ardi Veliut

  • Ndryshimet në Polici/PD: Reformimi i klanit të sekserëve të Ardi Veliut. Policia do t’u kthehet qytetarëve kur të ndëshkohen lidhjet e politikës me krimin.

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ENKELEJD ALIBEAJ

 

Shqiptarët dëgjuan sot kryeministrin në rolin e shejtanbudallait,  që pas 2 mijë e 920 ditësh, pra 8 vitesh, në një pushtet të fituar me mbështetjen e krimit dhe që e ushtron në mbështetje të krimit, t’u japw 100 ditë afat drejtuesve të policisë për të gjetur të infiltruarit në rreshtat e forcave të rendit.

 

Shqiptarët dëgjuan themeluesin e modelit të bashkëpunimit me krimin, atë që futi njerëz me rekorde kriminale në parlament, bashki dhe administratë, të zgjohet një ditë vere dhe të flasë për bashkëpunim të policisë me krimin.

 

Fatkeqësisht kjo nuk është shaka, madje kjo nuk mund të quhet më as hipokrizi, kjo është një lojë për t’u hedhur hi syve të qytetarëve, që vuajnë modelin e krijuar nga Edi Rama, atë të bashkëqeverisjes me krimin.

 

Ndaj edhe situata e rendit dhe sigurisë në vend nuk mund të kishte rezultat tjetër, përveç revanshit të krimit që ndihet i paprekshëm pasi ka shërbyer pushtetin në rrëmbimin e të drejtës të qytetarëve për të votuar të lirë.

 

Prej vitesh Partia Demokratike ka mbështetur policët e ndershëm të tradhëtuar nga regjimi Rama-Doshi.

 

Ne e dimë që një polic që kërkon t’i shërbejë ndershmërisht qytetarëve, nuk mund të ndihet i sigurt në ushtrimin e detyrës së tij kur sheh që kryeministri u bën peshqesh, jo një, por dy ministra të lidhur me krimin.

 

Po ashtu e dimë, sikurse e di çdo shqiptar, që policia nuk mund të ketë asnjë forcë përballë krimit, kur me urdhër politik një pjesë e saj përdoret për të ruajtur parcelat e hashashit apo si punëtorë krahu për të ngarkuar gomonet e trafikantëve.

 

Shqiptarët e dinë që policia e drejtuar nga ushtarët e Edi Ramës, nuk u shërben atyre por interesave të oligarkëve, kur  forcat e rendit përdoren për të hedhur gaz lotësjellës për të nxjerrë fëmijë 5 vjeçarë nga shtëpitë e tyre për të mbrojtur grabitjen e pronës nga mafia e ndërtimit, apo për të shembur në mënyrë barbare  dhe antikushtetuese Teatrin Kombëtar.

 

Shqiptarët e kanë të qartë se asnjë punojnës i ndershëm i policisë nuk vepron dot kundër krimit, kundër të fortëve, për sa kohë ata janë ortakë të pushtetit.

 

Prandaj nëse Rama kërkon të infiltruarit në policinë e shtetit, le të fillojë të pyes veten për ata që mblodhi rreth vetes në atë sallë.

Duke nisur nga Ardi Veliu, që jo më larg se 3 muaj më parë, mashtroi shqiptarët për të mbuluar lidhjet e Ramës me kriminelët që blenë vota për të në Elbasan.

 

Gjovalin Loka, i shkarkuar nga Drejtor i Rendit Publik pasi ka nxjerrë të dhëna për llogari të një grupi kriminal në veri, që është përfshirë në kanabzimin e Shkodrës dhe Lezhës, i përfshirë gjithashtu në procesin zgjedhor në Elbasan.

 

Edmond Traga, i emëruar në Berat, një nga zonat më të begata për kultivimin e hashashit, që shkon aty me eksperiencën me të cilën lejoi kanabizimin e Dibrës kur qarku u kthye në hambar droge.

 

Neritan Nallbati, i lidhur me Hakmarrjen për Drejtësi, apo Oltion Bitri, mik personal i Ardi Veliut, i njohur si gjobvënës i lokaleve të bllokut dhe ushtrues presionesh gjatë zgjedhjeve të ndryshme në favor të pushtetit.

 

Lorenc Shehu, gjobvënës për subjektet e OFL-së, që u përfshi në fushatën zgjedhore me grupet kriminale të Shijakut, në shërbim të Ardian Celën dhe Vangjush Dako. Apo Niko Brahimaj, që sipas SHISH paguhej për informacionet që jepte, dhe ka favorizuar trafikimin e lëndëve narkotike në drejtim të Malit të Zi.

E kështu me rradhë mund të listohen emrat e gjithë kësaj rokade që Rama quan reformë, por që në të vërtetë mund të përkufizohet si reformimi i klanit të sekserëve të Ardi Veliut.

 

Shqiptarët dhe familjet e tyre nuk meritojnë këtë tallje me rendin dhe sigurinë. Policët e ndershëm nuk meritojnë riciklime që shërbejnë vetëm si makiazh për regjim, ndërkohë që shteti është gjunjëzuar para krimit të bërë njësh me pushtetin.

 

Policia e Shteti do t’u ktheht qytetarëve vetëm kur  të ndëshkohet modeli i krijuar nga Edi Rama, vetëm kur të  kur të ndëshkohen lidhjet e pushtetit me krimin.

Read More
08 Kor
0

Rama injoroi BE dhe OSBE për pushtetin personal. 

·      Emërimi i militantes së Ramës në krye të AMA-s, PD: Akt skandaloz kundër lirisë së fjalës. Injoroi BE dhe OSBE për pushtetin personal.

·      PD kallëzoi në SPAK Armela Krasniqin për shkeljen e Kodit Zgjedhor: Hetimi pa zvarritje të tjera, kontribut për çlirimin e AMA-s nga militantët e paaftë të Ramës.

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ALBANA VOKSHI.

 

Parlamenti ilegjitim i vuri dje vulën e regjimit antidemokratik me emërimin skandaloz të zëdhënëses së Edi Ramës në krye të Autoritetit të Medias Audiovizive.

Një militante në drejtimin e Autoritetit që ka në dorë licensat dhe gjobat ndaj televizioneve, përbën një kërcënim serioz për lirinë dhe pavarësinë e medias.

Në detyrën e drejtueses së Agjencisë Telegrafike Shqiptare, militantja e Edi Ramës e shndërroi këtë institucion publik, që mbahet me taksat e shqiptarëve, në një shtojcë të propagandës së qeverisë dhe Partisë Socialiste. Për këtë arsye, gjatë fushatës zgjedhore, Partia Demokratike ka bërë kallzim penal në SPAK për “shpërdorim të detyrës” dhe “Përdorim të funksionit publik për veprimtari politike e zgjedhore”.

Partia Demokratike i kërkon SPAK-ut të mos heshtë për këtë rast. Të nxjerrë dosjen nga sirtari, ku qëndron prej gati 4 muajsh, dhe ta hetojë militanten e Edi Ramës! Ky do të jetë një kontribut real jo vetëm për zgjedhjet, por edhe për lirinë e medias, duke e çliruar Autoritetin e Medias Audiovizive nga militantët e paaftë dhe kamikazë të kryeministrit.

Pas masakrës elektorale të 25 prillit perdja e fallsitetit të Edi Ramës me shqiptarët, me opozitën dhe me partnerët europianë ka rënë.

Për asnjë moment, Partia Demokratike nuk ka patur as iluzionin më të vogël se Edi Rama mund të tërhiqej nga rruga e tij antidemokratike për mbajtjen dhe kontrollin e çdo pushteti me çdo mjet!

Me epilogun e turpshëm dhe arrogant, në injorim të plotë të kërkesës së Bashkimit Europian dhe OSBE-së për shtyrjen e procedurës për parlamentin e ri, Edi Rama dëshmoi se prioriteti i tij kryesor nuk është integrimi europian, por pushteti personal.

Kryeministri i Shqipërisë u provua sërish si armiku më i madh i fjalës së lirë dhe i medias së pavarur.

Siç paralajmëroi edhe organizata më e madhe e gazetarëve “Reporterët pa kufij”, gjendja e lirisë së medias në Shqipëri do të vazhdojë të përkeqësohet dhe, bashkë me të, do të dobësohen mundësitë për ecjen shpejt përpara me integrimin europian.

Injorimi,  shpërfillja dhe turpërimi publik që Edi Rama i bëri dje Bashkimit Europian, OSBE-së dhe disa qeverive mike, shkon në drejtim të kundërt me interesin e shqiptarëve!

Qeveria e di mirë se pa përmbushjen e standardeve demokratike, nisja e bisedimeve për anëtarësim mbetet thjesht një akt formal.

Që kjo të mos ndodhë dhe shqiptarët të mos penalizohen për shkak të një regjimi që pushtetin e ka të bazuar tek aleanca me krimin dhe vjedhja e votës, Partia Demokratike do të qëndrojë në krah të gazetarëve për lirinë e medias dhe në krah të çdo qytetari për të drejtat e tyre.

Bashkë me shqiptarët, e rrëzuam diktaturën 30 vjet më parë dhe nuk kemi për të lejuar një narkokryeministër si Edi Rama, që të na marrë liritë e fituara!

Beteja jonë për fjalën e lirë është betejë për demokraci dhe për Shqipërinë si Europa!

 

Read More
07 Kor
0

PD: KAS shkel ligjin e dekriminalizimit, merr ne mbrojtje kryebashkiakun që fshehu dënimin me 3 vjet burg.

  • PD: KAS shkel ligjin e dekriminalizimit, merr ne mbrojtje kryebashkiakun që fshehu dënimin me 3 vjet burg.
  • PD nuk tërhiqet, çon në Gjykatën Administrative vendimin për kryebashkiakun e Mallakastrës. Nuk pranojmë modelin e Edi Ramës për të bashkëqeverisur me krimin.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, BELIND KËLLIÇI

Me të njëjtin zell me të cilin KAS refuzoi të bënte transparencë para shqiptarëve për masakrën zgjedhore të 25 prillit, sot vendosi të shkelë Ligjin e Dekriminalizimit dhe të marrë në mbrojtje uzurpuesin e paligjshëm të bashkisë së Mallakastrës, pavarësisht dënimit të padeklaruar me 3 vite burg në Greqi.

Në kundërshtim me interesin e qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtarë, të cilët mbështetën dhe mbështesin Ligjin e Dekriminalizimit, KQZ dhe KAS vendosën të marrin në mbrojtje shkelësit e këtij ligji të rëndësishëm për pastrimin e politikës nga krimi.

Ligji i Dekriminalizimit erdhi në jetë pas betejës së gjatë të Partisë Demokratike për t’ua kthyer institucionet qytetarëve shqiptarë dhe për të kthyer andej nga erdhën djajtë që Rama nxori nga shishja, duke i strehuar në Parlament, bashki dhe administratë.

Precedenti i rrezikshëm që KQZ dhe KAS po krijojë me rastin Ismailaj, nuk mund të përshkruhet ndryshe veçse si një përpjekje për të goditur vullnetin e shumicës së shqiptarëve për të pasur institucione të çliruara nga njerëz me të shkuar kriminale dhe pranimi i modelit të bashkëqeverisjes me krimin të ndërtuar nga Edi Rama.

Partia Demokratike nuk i pranon këto hapa prapa dhe do ta çojë këtë çështje në Gjykatën Administrative. Ligji i Dekriminalizimit është një fitore e shoqërisë shqiptare, ndaj nuk mund të shkelet për të amnistuar modelin që sundon dhe që e ka lënë Shqipërinë në vendnumëro.

Read More
06 Kor
0

PD kërkon informacion në SPAK për ecurinë e hetimeve: Rama-Veliaj kryen 9 vepra penale për interesa korruptive. 

  • 13 muaj pas kallëzimit në SPAK për shembjen e Teatrit, PD kërkon informacion për ecurinë e hetimeve: Rama-Veliaj kryen 9 vepra penale për interesa korruptive. 
  • Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, SPAK i ka duart e lira. Të vendosë nën arrest përgjegjësit duke filluar me kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj.
  • Përkrahim SPAK në luftën kundër korrupsionit, por kjo luftë po bëhet me pikatore dhe shumë e vonuar. Kërkojmë transparencë për hetimin ndaj Ramës dhe Veliajt për Teatrin.

 

DEKLARATAT E PLOTA TË SEKRETARIT TË PD PËR ÇËSHTJET LIGJORE, ÇLIRIM GJATA DHE DEPUTETES SË ZGJEDHUR FLUTURA AÇKA.

 

ÇLIRIM GJATA: Sapo kemi dorëzuar këtu në SPAK kërkesë për informacion. 13 muaj e 4 ditë më parë Partia Demokratike ka bërë një kallzim penal në SPAK për sa i takon shembjes së Teatrit Kombëtar. Kanë kaluar 13 muaj dhe nuk kemi asnjë informacion se çfarë është bërë me këtë çështje. Sot bazuar në dispozitat përkatëse, neni 283/58 etj, të Kodit të Proçedurës Penale kërkojmë informacion nga SPAK se çfarë ka bërë me kallëzimin tonë. Ku janë hetimet? Çfarë ka ndodhur? Çfarë masash janë marrë deri tani?

Të mos harrojmë se sapo është shpallur një vendim i Gjykatës Kushtetuese i cili ka konstatuar si antikushtetues të gjitha veprimet që janë bërë me shembjen e Teatrit Kombëtar. Që kur kemi bërë kallëzimin ne i kemi ditur këto, madje edhe tani pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, na rezulton se pikërisht ata që kemi kërkuar ne, janë fajtorë.

Ne kemi bërë një kallzim mbështetur në 9 vepra penale ku janë përcaktuar me rradhë në këtë kallzim personat përgjegjës që fillojnë me Kryeministrin Edi Rama, me kryebashkiakun e Tiranës Erjon Veliaj dhe të gjithë të tjerët me radhë që kanë marrë pjesë në këtë masakër që i është bërë, kulturës së trashëgimisë sonë dhe pasurisë publike. E gjitha kjo në emër të korrupsionit, në emër të abuzimit, të shfrytëzimit të pasurisë publike për interesat e tyre personale, për interesa të oligarkisë që ata mbrojnë.

Jemi këtu për t’i kërkuar SPAK informacionin se çfarë ka bërë me kallzimin tonë, pa folur se ka mbi 10 kallzime të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Çfarë ka bërë me këto hetime? Përse SPAK vonohet kaq shumë, përse nuk ka transparencë? Brenda asaj që quhet sekret hetimor, duke ruajtur sekretin hetimor, brenda ligjit, duhet dhënë një informacion, nëse ka thirrur njeri, ka marrë ndonjë dokument, ndonjë provë, ndonjë kqyrje në vendngjarje. Çfarë ka bërë deri tani? Ne kërkojmë që të na kthejnë përgjigje.

SPKAK po vonohet shumë në misionin e tij.

Ne, Partia Demokratike përkrahim çdo veprim të SPAK dhe kujtdo qoftë në luftën kundër korrupsionit, kundër abuzimit, por kjo luftë po bëhet me pikatore dhe shumë e vonuar.  Prandaj ne kërkojmë që brenda caqeve ligjore të bëhet transparencë ku jemi, çfarë ka bërë me kallëzimet tona, veçanërisht me kallëzimin e 13 muajve më parë, në raport me shembjen e Teatrit Kombëtar. Aty fajtor janë kryeministri me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama dhe Erion Veliaj.

Tani pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, SPAK i ka duart e lira, nuk e pengon asgjë të marrë masat, madje të vendosë edhe nën arrest, duke filluar edhe me kryetarin e Bashkisë. Së pari, të na kthejë përgjigje se e ka detyrim ligjor se çfarë ka bërë me kallëzimin tonë.

FLUTURA AÇKA: Ne të gjithë jemi njohur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 2 Korrik për çështjen e Teatrit. Dhe sigurisht jemi duke pritur për arsyetimin më të gjërë që të krijojmë një panoramë për çështjen. Por nuk ka dyshime që qasja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka lidhje me ruajtjen e trashëgimisë kulturore, ka lidhje me protestën e lirë të qytetarëve shqiptarë dhe natyrisht ka lidhje me respektimin e shtetit ligjor. Mendoj se ky vendim është një lloj kambanë kujtese për politikën shqiptare që të fillojë një sjellje të re, veçanërisht, ndaj trashëgimisë kulturore. Të gjithë e kemi parasysh se çfarë ndodhi me Teatrin Kombëtar që është një nga aktet më barbare me trashëgiminë kulturore dhe natyrisht edhe ndaj historisë shqiptare dhe që shkon edhe kundër integritetit të shqiptarëve.

Çfarë duhet të kishte ndodhur në fakt menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese?

Do të duhej që Erion Veliaj ose më mirë po themi dyshja, po përdor togfjalëshin e famshëm të tij “Edi dhe unë”, duhet të ishin përgjigjur disa pyetjeve publike:

Përse nuk pritën vendimin e Gjykatës Kushtetuese para se të shembnin Teatrin Kombëtar?

Përse Erion Veliaj shembi Teatrin Kombëtar, kur nuk e kishte në pronësi të tij?

Ku e gjen autoritetin Erion Veliaj për të prishur një aset kombëtar, kur në fakt është thjesht një kryetar bashkie i një qyteti, qoftë ky edhe i Tiranës?

Këto tre pyetje publike duhet t’i kishte dhënë menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Erion Veliaj personalisht.

Por gjëja më e paktë që mund të kishte bërë të jepte dorëheqjen dhe t’i ofrohej organeve të drejtësisë për një hetim dhe investigim më të hollësishëm, sepse në pozicionin që është sigurisht që mund të pengojë një hetim më të hollësishëm për prishjen e Teatrit Kombëtar, siç thashë, është një nga aktet më barbare mbi kulturën dhe  trashëgiminë tonë kulturore.

Por në fakt çfarë bëri Erion Veliaj?!

Kaloi në një sulm të paprecedentë kundër të gjithë njerëzve, kundër kujtdo figure që e përshëndeti, e duartrokiti dhe u gëzua nga ky vendim si forma e vendosjes së një drejtësie për të fryrë një erë e re mbi këtë çështje kaq delikate dhe me sentiment për shqiptarët e zakonshëm. Sigurisht është e çuditshme mënyra, sidomos në intervistat e fundit, qasjet e tij ndaj kësaj çështje për mua kanë qenë të pakuptueshme.

Ku e gjen Erion Veliaj të drejtën të fyejë qytetarë të zakonshëm shqiptarë në intervistat e tij, të ndajë shqiptarët në “ata” dhe “ne”, që mendojnë ndryshe nga ai, në armiq dhe miq?

Ku e gjen të drejtën Erion Veliaj që në intervistat e tij të sugjerojë mediat, të këshillojë mediat dhe të intimidojë mediat kë duhet të marrin në panel, kë nuk duhet të marrin në panel, kujt duhet t’ia ofrojnë mikrofonin dhe kujt jo?

Ku e gjen të drejtën Erion Veliaj që të intimidojë, të provokojë qytetarët shqiptarë në forma dhe aktivitete sikurse ndodhi në varrezat e Sharrës, sigurisht me artistin shumë të talentuar Sislej Xhafa, që nuk është faji, ai është thjesht viktima duke provokuar pikërisht në vendin e krimi,t ku ende nuk janë dënuar vrasësit e Ardit Gjoklaj, ose rasti i koncertit në sheshin e Teatrit duke provokuar protestën.

Ku e gjën Erjon Veliaj të diskutojë, të intimidojë dhe të përmendë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të cilët me vendimin e tretë për çështjen e shembjes së Teatrit Kombëtar nuk paskan qenë në unison.

Kam përshtypjen që me këto deklarata SPAK duhet të mbajë shënim, ndoshta këto kanë prapavijën  e një forme fushate shtrigash, kundër njerëzve të cilët duan që më në fund ligji të bëjë punën e tij. Jam e bindur që pas këtij vendimi, pas kësaj këmbane kujtese për të mbrojtur trashëgiminë kulturore, përgjegjësit duhet ë mbajnë përgjegjësi deri në fund. Nuk është fjala vetëm për godinën  e Teatrit Kombëtar, është fjala për të gjithë rekuizitën, është fjala për të gjithë prapavijën, e cila u shkatërrua bashkë me Teatrin Kombëtar. Ata, përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi qoftë për kopsat, qoftë për xhaketat, qoftë për xhaketën e Arturo Ui-së e deri tek opingat dhe këpucët e shfaqjes së fundit të gardianit të “Shtrigave të Salemit”, në mënyrë që kjo luftë shtrigash kundër kulturës shqiptare të marrë fund.

Read More
05 Kor
0

Reagon PD/ Nga Habilajt te shoqëruesit e Tahirit, faktet vërtetojnë akuzat e PD. Vendi u kanabizua me lejen e Ramës.

  • Reagon PD/ Nga Habilajt te shoqëruesit e Tahirit, faktet vërtetojnë akuzat e PD. Vendi u kanabizua me lejen e Ramës.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ENKELEJD ALIBEAJ

Operacioni i nisur nga Antimafia Italiane ka konfirmuar edhe njëherë se kanabizimi i vendit, kthimi i Shqipërisë në Kolumbinë e Europës, ishte një projekt ogurzi nëpërmjet të cilit regjimi që sot mban peng Shqipërinë, kriminalizoi policinë, duke e kthyer në rojtare të parcelave të kanabisit dhe punëtorë krahu për ngarkimin e gomoneve me drogë, kriminalizoi institucionet, kriminalizoi ekonominë me pastrimin e parave të drogës dhe shkatërroi në mënyrë sistematike zgjedhjet, duke përdorur paratë e pista për të blerë vota.

Më shumë se 1 mijë e 400 herë Partia Demokratike ka denoncuar Saimir Tahirin për lidhjet me organizatat kriminale dhe trafikun e drogës. Po kaq herë Saimir Tahiri është mbrojtur nga Edi Rama si “kampion i luftës ndaj krimit”.

Koha na dha të drejtë.

Sot para syve të shqiptarëve dhe botës mbarë, falë operacionit të Antimafias Italiane, shohim përsëri se pas kushërinjve të Saimir Tahirit, që me bekimin e ministrit dhe me makinën e tij trafikuan miliona euro hashash dhe se milionat eurove përdoreshin për blerjen e zgjedhjeve, radhën për të tronditur opinionin publik e kanë shoqëruesit e Saimir Tahirit.

Veprimet e tyre dëshmojnë se si, me urdhër politik, i gjithë shteti ishte vendosur në shërbim të trafikut të drogës, nga mbrojta e parcelave, te ngarkimi i gomoneve deri te fikja e radarëve.

Fatkeqësisht, ndryshe nga sa deklaroi policia, shoqëruesit e Tahirit Agustin Deda dhe Hekuran Marku, nuk janë nën arrest.

Arsyet për këtë janë të vetëkuptueshme. Arrestimi i tyre ekspozon Tahirin dhe Ramën.

Ky mashtrim i kryer për të mbrojtur urdhëruesit e kanabizimit të vendit, nuk është as i pari dhe as nuk do të jetë i fundit.

Por përsëri koha do t’i jap të drejtë Partisë Demokratike, sikurse na ka dhënë të drejtë për një tjetër mashtrim publik, atë të radarëve.

(Sinkron, Tahiri, Kodheli, Xhaçka)

Të tre mashtruan për fikjen me porosi të radarëve. Sikurse dëshmon hetimi i antimafias italiane, radarët e një shteti anëtar të NATO-s janë fikur në shërbim të trafikut të drogës dhe fikja e tyre shpërblehej me 15 mijë euro.

Përballë hetimit të nisur nga Antimafia Italiane, Rama hesht.

Hesht sepse çdo gjë që ka ndodhur në vitet e kanabizimit të Shqipërisë është bërë me lejen e Edi Ramës.

Nëse nuk do të ishte kështu, Rama nuk do të kishte votuar në Parlament për të mos i dhënë leje prokurorisë për të arrestuar Saimir Tahirin në vitin 2017.

Nëse nuk do të ishte kështu, Rama nuk do të kërcënonte,  transferonte, hiqte nga puna dhe burgoste oficerët e policisë që denonconin lidhjet e politikës me trafikun e drogës, si në rastin e Dritan Zaganit.

Nëse nuk do të ishte kështu, pra nëse kryeministri nuk do të lejonte që me urdhër politik shteti të kthehej në një ndërmarrje të prodhimit të hashashit, Shqipëria e vogël nuk do të renditej e para në Europë dhe e gjashta në Botë për prodhimin e hashashit, sikurse tregojnë edhe raportet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Nëse nuk do të ishte kështu, Edi Rama nuk do të lejonte pastrimin e parave të drogës në përmasat e tmerrshme që ka marrë në Shqipëri, duke kapur shifrën 1.6 miliardë euro pikërisht në vitet e lulëzimit të kanabisit në mbarë vendin, sikurse tregon raporti  i Nismës Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar.

Për çdo shqiptar e vërteta është fare e qartë, asgjë nuk ka ndodhur pa lejen e Edi Ramës.

Kësaj të vërtete nuk mund t’i shmanget as SPAK, i cili duhet të hetojë sa më parë përfshirjen e ministrave, zyrtarëve të lartë dhe vetë Edi Ramës në projektin politik të kanabizimit të vendit dhe dorëzimin e Shqipërisë në duart e trafikantëve të lidhur me politikën.

Partia Demokratike ka denoncuar me fakte se modeli i regjimi i ndërtuar nga Edi Rama i ka rrënjët te fushat e kanabisit, te trafiku i drogës, te futja e kriminelëve në politikë dhe te vjedhja e zgjedhjeve në bashkëpunim me krimin.

Ne nuk jemi dorëzuar përballë këtij regjimi, në nuk do dorëzohemi deri ne çmontimin e tij!

Prandaj, bashkë me shumicën e shqiptarëve dhe me ndihmën e partnerëve ndërkombëtar, ne do vazhdojmë të luftojmë me gjithë forcën tonë zhbërjen e këtij modeli që shkatërron institucionet dhe me paratë e krimit vret demokracinë.

Read More
02 Kor
0

Denoncimi i PD: Rama shpërblen me fonde publike autorët e masakrës zgjedhore. Ndarja e politikës nga krimi është e vetmja rrugë që Shqipëria t’u kthehet shqiptarëve.

 

  • Denoncimi i PD: Rama shpërblen me fonde publike autorët e masakrës zgjedhore. Ndarja e politikës nga krimi është e vetmja rrugë që Shqipëria t’u kthehet shqiptarëve.

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE,  ENKELEJD ALIBEAJ

 

Pasi masakra e Velipojës nxori edhe njëherë në pah gjunjëzimin e shtetit përballë krimit, përgjigja e vetme që regjimi Rama-Doshi ishte nisja e aksionit propagandistik në vijën bregdetare, nëpërmjet të cilit kërkojnë të krijojnë imazhin e rremë të një situate nën kontroll.

Por, sikurse qytetarët e dinë, e kundërta është e vërtetë.

Ndaj ky aksion nuk e mbulon dot rrokopujën e rendit dhe sigurisë, sepse rrënjët e masakrës së Velipojës janë të thella dhe shkojnë te modeli mbi të cilin është ngritur pushteti i regjimit Rama-Doshi, lidhjet e politikës me krimin dhe bashkëpunimi i tyre në vjedhjen e zgjedhjeve.

Dhe Velipoja është një nga skenat e krimit zgjedhor, sepse aty prej vitesh vepron trafikanti i drogës Pëllumb Gjoka, një nga ushtarët më të rrezikshëm të regjimit Rama-Doshi, që në çdo palë zgjedhje zbret në fushë për të blerë vota, për të shantazhuar qytetarët dhe në këmbim fiton pandëshkueshmërinë, lirinë për të pastruar paratë e pista dhe akses në tenderat publik.

Dhe fill pas masakrës zgjedhore,  si shpërblim për shërbimet e tij ndaj Ramës, trafikanti Pëllumb Gjoka, përfiton pa garë nga Bashkia Tiranë  tenderin me objekt “Shërbim mirëmbajtje dhe furnizim me solucion për tunelet e dezinfektimit”, me vlerë kontrate 204 mijë euro (95% e fondit limit).

Por shpërblimet nuk kanë munguar edhe përpara masakrës zgjedhore, pasi nga shtatori 2020 ka përfituar nga e njëjta bashki 5 tendera me vlerë 1.8 milionë euro si dhe në janar 2021 (periudhë zgjedhore) ka përfituar nga KKT me firmën e Edi Ramës “Leje për ndërtimin e objektit: “Kompleks turistik “Silver Sand Resort”, me vendndodhje në zonën Pulaj-Plazh, Velipojë.

Tenderat të fituar pa garë dhe pranë fondit limit nga Bashkisë e drejtuar nga Veliaj dhe leja e ndërtimit në Velipojë me vulën e Edi Ramës, janë ilustrimi më kuptimplotë se si paratë e drogës shkrihen me paratë publike dhe se si shteti vendoset në shërbim të kriminelëve që vodhën zgjedhjet, për të vjedhur bashkë me politikanët e korruptuar taksat e shqiptarëve.

Partia Demokratike ka kallëzuar penalisht në SPAK Pëllumb Gjokën për blerje votash gjatë masakrës zgjedhore të 25 prillit, bashkë me të janë kallëzuar Tom Doshi, Artur Hata (burri i deputetes së PSD-së Meri Merkiçit) dhe Dor Dulin, të gjithë persona me rekorde kriminale.

Sot ne i bëjmë përsëri thirrje SPAK të mos vonojë hetimet ndaj autorëve të masakrës zgjedhore, sepse çdo tolerim, çdo vonesë, dëmton drejtpërsëdrejti qytetarët shqiptarë duke çimentuar edhe më shumë kapjen e shtetit nga krimi dhe korrupsioni.

Krimet zgjedhore, lidhjet e politikës me krimin dhe korrupsioni që lulëzon për të ushqyer me para publike këtë lidhje, godasin ekonominë, godasin sipërmarrjen e ndershme, godasin sigurinë e çdo familje që sheh në pandëshkueshmërinë e politikës të lidhur me krimin pamundësinë për një jetë më të mirë për fëmijët e tyre në Shqipëri.

Ndëshkimi i modelit të ndërtuar nga regjimi Rama-Doshi dhe ndarja e politikës nga krimi është e vetmja rrugë për të pasur rend dhe siguri, është e vetmja rrugë që Shqipëria t’u kthehet sa më parë shqiptarëve.

Read More