Blog

29 Qer
0

Denoncimi i PD/ OKB rendit Shqipërinë të parën në Europë për kanabisin. Rekordet e zeza të regjimit Rama-Doshi po shkatërron rendin, ekonominë dhe demokracinë.

 

 

  • Denoncimi i PD/ OKB rendit Shqipërinë të parën në Europë për kanabisin. Rekordet e zeza të regjimit Rama-Doshi po shkatërron rendin, ekonominë dhe demokracinë

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ERVIN SALIANJI

 

Pas medaljes së argjendtë për ryshfetin dhe korrupsionin së javës së shkuar, ku Banka Botërore dhe BERZH e renditën vendin tonë të dytin në botë, si një shtet i kapur që fut duart në xhepat e sipërmarrjeve dhe qytetarëve, këtë javë regjimi Rama-Doshi merr një medalje ari.

Në raportin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për drogat, Shqipëria renditet si vendi i parë i origjinës së kanabisit në Europë dhe i gjashti në botë për periudhën 2015-2019.

Këto rekorde të zeza janë arritjet e vetme të regjimit Rama-Doshi përgjatë këtyre viteve.

Arritje që i kanë nxirë faqen Shqipërisë ndërkombëtarisht dhe e kanë futur vendin tonë në një listë të zezë nga e cila fiton vetëm regjimi dhe humbasin familjet shqiptare.

Sepse modeli i ndërtuar nga Edi Rama, ai i bashkëpunimit me krimin dhe i dorëzimit të vendit në duart e ortakëve të tij, duke e licencuar lulëzimin e kanabisit veçanërisht në periudhën zgjedhore, ka bërë që Shqipëria të jetë e para për drogën dhe korrupsionin, por e fundit në Europë për të ardhurat për frymë, sikurse dëshmojnë të dhënat e publikuara pak ditë më parë nga Eurostat-i.

Prandaj shqiptarët largohen, rrugët përgjaken, familjet jetojnë në pasiguri për jetët dhe të ardhmen e tyre, sepse interesat e një pakicë plaçkitësish i janë mbivendosur dhunshëm shumicës dërrmuese të qytetarëve.

Prej vitesh kemi denoncuar këtë model, kemi luftuar kundër kriminalizimit të vendit dhe kanabizimit të tij, sepse e gjithmonë e kemi ditur që ky model shkatërron sigurinë dhe rendin publik, shkatërron ekonominë dhe sipërmarrjen e ndershme, shkatërron demokracinë duke manipuluar zgjedhjet në bashkëpunim me krimin.

Masakra zgjedhore e 25 prillit e dëshmoi edhe njëherë këtë!

Prandaj ne do vazhdojmë të luftojmë me gjithë forcën tonë për zhbërjen e këtij modeli, sepse jemi të bindur që asnjë shqiptar nuk pranon që vendi I tij të jetë i pari për drogën dhe korrupsionin dhe i fundit për mirëqenien që garanton për qytetarëve të tij.

Bashkë me këtë shumicë, ne do ta largojmë pakicën që ka ndaluar përkohësisht ndryshimin që shqiptarët duan dhe meritojnë!

Read More
28 Qer
0

Reagimi i PD: Regjimi nuk mban përgjegjësi për gjunjëzimin para krimit. Ndarja e politikës nga krimi e vetmja rrugë për të garantuar rend dhe siguri për familjet shqiptare.

 

  • Reagimi i PD: Regjimi nuk mban përgjegjësi për gjunjëzimin para krimit. Ndarja e politikës nga krimi e vetmja rrugë për të garantuar rend dhe siguri për familjet shqiptare.

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE,  ENKELEJD ALIBEAJ

 

E dëgjuam zëdhënësin e regjimit Rama-Doshi teksa lante duart me kapitullimin e rendit dhe sigurisë në vend.

Fjalë dhe vetëm fjalë nga ata që kanë rrëmbyer të gjitha pushtetet dhe nuk mbajnë përgjegjësi për asgjë.

Për zëdhënësin e regjimit në ministrinë e brendshme, fajin e kanë shqiptarët, fajin e kanë viktimat, fajin e kanë familjet shqiptare që jetojnë në ankthin e breshërisë së radhës apo përgjakjes së radhës, por kurrsesi ata që të vetmen strategji kanë “hëngshin kokat e njëri-tjetrit’.

Fatkeqësisht, përveç gjunjëzimit para krimit, ata nuk kanë çfarë t’ju ofrojnë shqiptarëve.

Modeli që kanë ndërtuar ndër vite është ai i kriminalizmit të institucioneve dhe të politikës për të marrë dhe për të mbajtur pushtetin me çdo çmim. Me krimin dhe për krimin.

Faturën e këtij bashkëpunimi të pështirë midis politikës dhe krimit, po e paguajnë familjet shqiptare, sepse një pushtet i marrë me krimin, nuk vret vetëm demokracinë, por vret të pafajshëm në çdo cep të Shqipërisë.

Pa u goditur ky model, pa u zhbërë aleanca midis regjimit Rama-Doshi dhe krimit të organizuar, pasiguria do të mbretërojë në çdo shtëpi, në çdo rrugë, në çdo lagje dhe në çdo qytet.

Partia Demokratike, bashkë me shumicën e shqiptarëve që në 25 prill votuan për largimin e këtij regjimin dhe fundin e modelit të politikës të lidhur me krimin, do të vazhdojë luftën për ndarjen e politikës nga krimin, për kthimin e legjitimitetit në vend, si të vetmen rrugë për të garantuar rend dhe siguri për familjet shqiptare.

Read More
28 Qer
0

DENONCIM i PD/ Rama po u jep klientëve të tij pasuritë publike. Pronat shtetërore duhet të shërbejnë për kompensimin e pronarëve të ligjshëm.

  • DENONCIM i PD/ Rama po u jep klientëve të tij pasuritë publike. Pronat shtetërore duhet të shërbejnë për kompensimin e pronarëve të ligjshëm.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, INA ZHUPA

Edi Rama kreu masakrën zgjedhore dhe vodhi zgjedhjet e 25 Prillit, që të masakrojë dhe vjedh pasuritë publike të shqiptarëve, që të vazhdojë të shtojë pasurinë e tij dhe të bizneseve pranë tij, që të vazhdojë të detyrojë të rinjtë e papunë të largohen të pashpresë nga vendi.

 

Më datë 19 Maj 2021, njëlloj siç ka bërë gjatë keqqeverisjes së tij, Edi Rama ka vendosur të trajtojë si plaçkë personale një tjetër pasuri publike të shqiptarëve. Plot 55 mijë m2 tokë në bregdet, në zonën e Hamallajt, pa garë dhe pa asnjë transparencë, ka vendosur t’ia jap dy miqve të tij në një biznes korruptiv, shoqërisë “Sviluppo Mare 1” sh.p.k., me pronar Redi Pezën dhe “S&D Invest” sh.a., me pronar Gentjan Sulën.

 

Çmimi i vendosur për shitje është disa herë më i ulët se çmimi i tregut në atë zonë bregdetare, rreth 1,100 lekë për metër katror. Siç provon ky dokument shtetërore, vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 292, datë 19.5.2021, 55 mijë metra tokë shtetërore në bregdet i është dhënë dy oligarkëve të Edi Ramës, Redi Peza dhe Gentjan Sula, për 59,565,000 lekë.

 

E ndërsa Edi Rama dhe miqtë e tij ndajnë si plaçkë pasuritë publike, shumica e shqiptarëve janë të papunë dhe të pashpresë për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre.

 

Ndërkohë që Edi Rama ka përqëndruar të gjithë ekonominë e vendit tek 5 biznese korruptive pranë tij, mijëra biznese në Shqipëri kanë falimentuar apo janë në prag falimenti, nga taksat e rritura dhe nga rënia e konsumit.

 

Po ky nuk është prioritet i Edi Ramës. Ai nuk i vodhi zgjedhjet që ti shërbejë Shipërisë apo shqiptarëve. Prioritet i vetëm Edi Ramës është pasurimi i miqve të tij.

 

Kjo është arsyeja, pse shqiptarët janë të zhytur në varfëri, ndërkohë që Edi Rama dhe oligarkët e tij janë zhytur në luks. Kjo është arsyeja pse Shqipëria renditet ndër vendet më të korruptuara në botë dhe ka 8 vjet që ka ngecur në vendnumëro.

 

Partia Demokratike i kërkon SPAK të hetojë menjëherë këtë aferë të rëndë korruptive dhe të vendos përpara përgjegjësisë plaçkitësit e pasurisë publike. Shqipëria dhe pasuritë e saj, duhet t’i shërbejnë shqiptarëve dhe rritjes së mirëqenies së tyre. Pronat shtetërore duhet të shërbejnë për t’i dhënë fund sa më parë procesit të kompensimit të pronarëve të ligjshëm.

 

Prona shtetërore duhet t’i shërbejë vetëm interesit publik dhe interesit të qytetarëve shqiptarë. Ndaj ne do luftojmë kundër kësaj pakice plaçkitësish që pengoi përkohësisht ndryshimin, derisa t’ua kthejmë Shqipërinë shqiptarëve.

Read More
17 Qer
0

Zyrtarizohet aleanca e masakrës zgjedhore Rama-Doshi. Mandatet e PSD në shërbim të pushtetit të vjedhur.

  • Emërimi i ushtarit të Tom Doshit në IKMT Shkodër, PD: Zyrtarizohet aleanca e masakrës zgjedhore Rama-Doshi. Mandatet e PSD në shërbim të pushtetit të vjedhur.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ENKELEJD ALIBEAJ

Aleanca mes Edi Ramës dhe Tom Doshit është zyrtarizuar sot me një emërim kyç kriminal në Shkodër.

Serdar Hoxha, kandidati për deputet i PSD-së së Tom Doshit u emërua kryeinspektor për Veriun në Inspektoriatin e Ndërtimit, një funksion në varësi të qeverisë së drejtuar nga Edi Rama.

Ushtari i Tom Doshit ka akoma në prokurori një dosje të paverifikuar për të shkuarën e tij kriminale, por kjo nuk e ka penguar qeverinë ta emërojë atë në një detyrë të rëndësishme .

Me emërimin e sotëm, Edi Rama ka konfirmuar zyrtarisht koalicionin me personin që SHBA e shpallën non grata për shkak të së kaluarës së tij kriminale, dhunimin e të drejtave të njeriut dhe përfshirjen në korrupsion.

Mediat mund t’I kujtojnë shqiptarëve deklaratën e Edi Ramës para zgjedhjeve se nuk do të qeveriste me Tom Doshin. Sot të gjithë e kanë të qartë se kjo ishte pjesë e lojës së pistë të Edi Ramës për të mashtruar publikun dhe partnerët.

Aleanca e tyre nuk është ndalur asnjëherë.

Tom Doshi ka përfituar miliona euro nga qeveria e Edi Ramës, për t’i përdorur ato për blerjen e votave në masakrën e zgjedhjeve të 25 Prillit. 3 mandatet e blera janë mandate në shërbim të Edi Ramës, janë garanci për të vazhduar ndarjen e pushtetit të vjedhur dhe për të thelluar më shumë zhvatjen e shqiptarëve.

Qytetarët janë të ndërgjegjshëm se Edi Rama dhe Tom Doshi janë një.

Partia Socialdemokrate është vetëm një zgjatim i Edi Ramës për të mbajtur të paprekur aleancën  me Tom Doshin, si dhe kopertura e paktit kriminal Rama-Doshi për masakrën zgjedhore të 25 Prillit.

Emërimi i njerezve të Tom Doshit në qeverisjen e vendit është një nga treguesit se nën drejtimin e Edi Ramës, interesat e shqiptarëve mbeten të pambrojtura!

Read More
15 Qer
0

Refuzimi i Kolegjit për transparencën e zgjedhjeve, PD: Edi Rama, urdhërues për fshehjen e vjedhjes së pushtetit.

 

 

  • Refuzimi i Kolegjit për transparencën e zgjedhjeve, PD: Edi Rama, urdhërues për fshehjen e vjedhjes së pushtetit

 

Marash Logu: Prej dy muajsh Partia Demokratike dhe Aleanca për Ndryshim, së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim, ka filluar një betejë ligjore në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve për zbardhjen e plotë të masakrës elektorale të 25 prillit.

Ne kemi sjellë me qindra fakte dhe shpjegime, të cilat shpjegonin në mënyrë të detajuar të gjithë sistemin kriminal që kishte ndërtuar regjimi Rama-Doshi për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë në 25 prill.

Fatkeqësisht por pa asnjë surprizë, Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve dhe Kolegji Zgjedhor refuzoi të drejtën për transparencë, jo vetëm të Partisë Demokratike, jo vetëm të 630 mijë zgjedhësve që përfaqësojmë ne apo 107 mijë zgjedhësve që përfaqëson Lëvizja Socialiste për Integrim, por të gjithë qytetarëve shqiptarë të cilët donin të kuptoni se çfarë ka ndodhur në të vërtetë në zgjedhjet e 25 prillit.

Këto vendime janë të paprecedenta. Këto vendime janë në kundërshtim flagrant me ligjin zgjedhor dhe të gjitha aktet e tjera ligjore në Shqipëri, ku i refuzohet e drejta palëve për të bërë transparencë mbi një proces zgjedhor.

Ne sigurisht e dimë se kush ka qenë mbrapa këtyre vendimeve.

Ka shumë qytetarë që na pyesin çdo ditë:

Kush nuk është i interesuar për të zbardhur të plotë masakrën zgjedhore të 25 prillit?

Kush është i frikësuar nga transparenca e plotë mbi këtë masakër?

Kush është “dora e zezë” që ka mbyllur gojën e komisionerëve të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve?

Kush është “dora e zezë” që mbyll gojën e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor?

Kush është “dora e zezë” dhe kriminale që nënshkruan vendime të paligjshme?

Përgjigja është një dhe e vetme është Edi Rama. Është Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë që është njeriu më i interesuar në këtë vend për të shuar dhe për të shkatërruar çdo hapësirë lirie, çdo hapsirë demokracie dhe çdo hapësirë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme që ekzistojnë në këtë vend.

Por ne e kemi marrë vendimin, e kemi thënë prej ditës së parë dhe do t’i shkojmë deri në fund.

Demokratët nuk dorëzohen.

Ne nuk dorëzohemi.

Qytetarët shqiptarë nuk dorëzohen.

Prandaj ne do ta vazhdojmë deri në fund betejën për zbardhjen e plotë të masakrës zgjedhore të 25 prillit.

Ne do ta vazhdojmë deri në fund betejën që asnjë “dorë e zezë” dhe kriminale në Republikën e Shqipërisë, qoftë kjo dora e Edi Ramës, qoftë dora e Taulant Ballës, Damian Gjiknurit apo Engjëll Agaçit të mos mundë të ndalë vullnetin e qytetarëve për ndryshim. Këtë betejë jemi të vendosur për ta çuar deri në fund.

Pyetje: Ku do të shkojë ankimimet tuaja z.Marashi, pasi vendimet e Kolegjit Zgjedhor janë të pankimueshme?

Marash Logu: Siç e kemi thënë edhe në fillim ne do të përdorim çdo mjet, çdo mundësi që ekziston për t’i shkuar deri në fund betejës tonë. Grupi i juristëve që është pranë Partisë Demokratike do të përgatisë shumë shpejt strategjinë ligjore që ne do të ndjekim në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Strasburgut për transparencë të plotë për procesin zgjedhor të 25 prillit dhe për të mos lejuar që zgjedhjet; që u diktuan nga krimi dhe paligjshmëria, zgjedhjet që u diktuan nga 10 mijë lejet e legalizimit të dhëna në mënyrë të paligjshme, nga 13 mijë punonjës të punësuar në administratën publike në vetëm 4 muaj, nga 63 milionë euro paga, nga 125 milionë euro që u përdorën për tërmetin, nga heqja e të drejtës së 500 mijë shtetasve shqiptarë që jetojnë në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut, apo votimet e shumëfishta që ne i kemi denoncuar vazhdimisht, ku në qarqe si Fieri, Tirana, Durrësi ka pasur persona që kanë votuar nga 5-6 herë të mos lejohen që të diktojnë vullnetin e shqiptarëve në zgjedhjet e 25 prillit.

Kjo është një betejë që ne do të përdorim çdo mjet ligjor, sigurisht shumë shpejt do të njoftoheni edhe për mjetet politike që do të përdoren për të adresuar këtë problematikë.

 

 

 

 

Read More
14 Qer
0

Lulzim Basha fiton mandatin me 81% të mbështetjes së anëtarësisë

·         Rezultati zyrtar i zgjedhjeve në PD, Lulzim Basha fiton mandatin me 81% të mbështetjes së anëtarësisë. Jemin Gjana: Rezultati është çertifikuar nga të gjithë përfaqësuesit e kandidatëve në garë.

DEKLARATË E KRYETARIT TË KOMISIONIT ZGJEDHOR NË PD, JEMIN GJANA

Komisioni Zgjedhor i Partisë Demokratike sapo ka përmbyllur procesverbalin e përgatitjes dhe të deklarimit të rezultatit përfundimtar zyrtar.

Kemi administruar 76 kutitë e 76 komisioneve të votimit në të gjithë vendin. Në prani të Komsionit janë hapur një nga një kutitë, janë regjistruar të dhënat e dokumentuar në procesverbale.

Nga procesverbalet e administruara në kuti rezulton që në të gjitha rastet komisionerët, natyrisht kanë firmosur dhe përfaqësuesit e kandidatëve në garë në të gjithë ato raste ku kandidatët kanë patur përfaqësim.

Bazuar në të dhënat zyrtare të 76 procesverbaleve të futura në llogaritje.

Bazuar në të dhënat zyrtare të 76 procesverbaleve të futura në përllogaritje rezulton se 75 mijë e 67 anëtarë të Partisë Demokratike, kanë votuar 41 mijë e 97 anëtarë. Vota të pavlefshme kanë rezultuar 413. Vota të vlefshme janë 40 mijë e 684 vota. Të ndara sipas kandidatëve në garë: Për z. Fatbardh Kadilli kanë votuar 781 anëtarë. Për zonjën Edith Harxhi kanë votuar 983 anëtarë. Për z. Agron Shehaj kanë fotuar 6 mijë e 38 anëtarë dhe për z.Lulzim Basha kanë votuar 32 mijë e 882 anëtarë. Bazuar në këto të dhëna, komisioni Zgjedhor i Partisë Demokratike shpall zyrtarisht fitues të garës për kryetar të PD-së z. Lulzim Basha.

Ju falënderoj për të gjithë kohën që i keni kushtuar ndjekjes së procesit të votimit dhe mirutakofshim në evente të tjera të Partisë Demokratike.  ​

Read More
09 Qer
0

Komisioni Zgjedhor në PD vendos garanci të reja për garë të barabartë mes kandidatëve për kryetar të PD

· Komisioni Zgjedhor në PD vendos garanci të reja për garë të barabartë mes kandidatëve për kryetar të PD.

· Jemin Gjana: 3 nga kandidatët nuk kanë sjellë listat e komisionerëve të tyre. Do të presim deri në momentet e fundit.

· Jemin Gjana: Komisionerët duhet të jenë anëtarë të PD në degën përkatëse të komisionit, ku propozohen.

KONFERENCA E SHTYPIT E KRYETARIT TË KOMISIONIT ZGJEDHOR NË PD, JEMIN GJANA

Dje pasdite kemi zhvilluar mbledhjen e Komisionit Zgjedhor të PD, të krijuar për zgjedhjet për kryetar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, që do të zhvillohet më datë 13 Qershor.

Janë marrë disa vendime të rëndësishme; ashtu siç nuk mundëm të kryejmë edhe një nga detyrat që do të duhej të kishim kryer që në datën 3 Qershor për arsye të pengesës që vjen nga tre nga kandidatët në garë, për arsye që do t’ua shpjegoj pak më vonë.

Së pari, kemi miratuar vendvotimet për 76 komisionet që do të ngrihen në 71 degë të PD, siç e dini në 5 nga degët e PD do të ketë nga 2 komisione për efekt të numrit të lartë të anëtarëve.

Po mbrëmë në mbledhje është marrë vendimi për të shkyçur sistemin e listave të anëtarësisë. Hapja e sistemit do të bëhet ditën e premte, në datën 11 Qershor ora 10:00, në prani të të gjithë anëtarëve të Komisionit. Do të hapet sistemi, do të shkarkohen dhe printohen listat e votuesve, që siç e kam deklaruar janë 75067 anëtarë të PD në lista, do të vulosen secila prej listave me vulën zyrtare të PD, do të mbyllen në zarfa, do të vulosen dhe do të firmosen të gjitha zarfat brenda të cilave janë listat e votuesve për 76 qendrat e votimit.

Është miratuar Udhëzimi për vlefshmërinë e votës, janë përcaktuar kriteret se cilat konsiderohen votat e vlefshme dhe cilat të pavlefshme.

Është miratuar Udhëzimi për votimin e anëtarëve të PD të cilët nuk e kanë emrin në lista por disponojnë dokument anëtarësie, nuk do t’u mohohet kjo e drejtë këtyre anëtarëve, por do të ketë disa kushte dhe disa përjashtime.

Kushtet do të jenë që, do të paraqiten nëpër qendrat e votimit me dokumentin e anëtarësisë që disponojnë dhe me kartën e identitetit. Komisioni ka për detyre që të regjistrojë më përpara se të japë mundësinë të votojë këtyre anëtarëve, në një formular të posaçëm emrin, atësinë dhe mbiemrin, numrin e dokumentit të identifikimit, numrin e telefonit dhe të marrë firmën e secilit anëtar që do të votojë kundrejt disponimit të një karte anëtarësie. Ndërkohë karta e anëtarësisë së këtyre anëtarëve, do të mbetet tek komisioni i cili do t’i depozitojë tek Komisioni Zgjedhor i PD bashkë me gjithë materialet e tjera votimit. Komisioni Zgjedhor me gjithë këto karta anëtarësie, me një procesverbal të posaçëm do t’ia dorëzojë menjëherë pas shpalljes së procesit të votimit Sekretariatit Organizativ të Partisë Demokratike, i cili brenda një muaji do të ketë për detyrë që t’i regjistrojë ata në sistem si të gjithë anëtarët e tjerë të partisë, të nxjerrë kartat e tjera të anëtarësisë, në formatin elektronik, që të pajisjen edhe ata me karta të reja, dhe për arsye të sentimentit që kanë për dokumentin që ruajnë prej kohësh për anëtarësimin në parti do t’u kthehen edhe kartat e mëparshme. Ndërkohë që për këta individë që do të paraqiten me një kartë anëtarësie do të ketë një kushtëzim përjashtues, nuk mundet të bëhen pjesë e votimit ata anëtar të PD që më fushatën e fundit zgjedhore kanë qenë anëtarë, kanë qenë komisionerë, kanë qenë vëzhgues dhe kanë qenë aktivistë të partive të tjera politike jashtë koalicionit të PD me aleatët.

Siç e dini janë minimalisht 4-5 parti që u krijuan para zgjedhjeve dhe ka patur anëtarë të PD që kanë shkuar me këto lëvizje të reja politike. Natyrisht do t’ju mohohet kjo e drejtë, për të qenë votues për të zgjedhur kryetarin e partisë në këto zgjedhje.

Ashtu sikundër unë personalisht jam i bindur që siç ka ndodhur gjithmonë në këtë parti, shkojnë dhe pasi rrinë disa vite rikthehen përsëri në folenë bazë, në PD. Ky është historiku i 30 viteve. Se çfarë do të ndodhë edhe me këta më të fundit mbetet për tu parë.

Ka mbetur pezull ende miratimi i komisioneve. Kemi miratuar komisionet me 3 anëtarë që përcaktojnë degët, i kemi miratuar mbrëmë. Ka sjellë 2 ditët e fundit listën e anëtarëve për në komisione, vetëm përfaqësuesi i kandidatit Lulzim Basha. Përfaqësues të 3 kandidatëve të tjerë, deri mbrëmë, nuk kanë sjellë asnjë emër që do t’i përfaqësojë në 76 komisionet e votimit.

Është zhvilluar mbrëmë një diskutim i gjatë për këtë çështje. Madje, njëri nga kandidatët dhe përfaqësuesi i tij, nuk e di nëse me lejen e kandidatit apo me vendimin e tij personal, dorëzoi pardje, bëhet fjalë për kandidatin Shehaj dhe përfaqësuesin e tij z.Kapri që dorëzoi një listë, të cilën pasi e verifikuam rezultoi se askush prej tyre nuk ishte anëtar i PD.

Ia kam thënë mbrëmë në mbledhje që është një listë bllof, që është e papranueshme që të bëhen lojra të kësaj natyre.

Natyrisht plotësimi i komisioneve me përfaqësues të kandidatëve është e drejtë e kandidatëve, nuk është detyrim, është e drejtë e tyre nëse duan ta shfrytëzojnë këtë të drejtë. Nuk po e shfrytëzojnë deri tani, po e zvarrisin përtej çdo kufiri të mundshëm.

Mbrëmë është bërë e qartë dhe dua ta bëj të qartë për anëtarësinë e PD, dua ta bëj të qartë për publikun, dua ta bëj të qartë edhe për kandidatin, asnjë emër nuk mund të shkojë në Komision pa u verifikuar nga Komisioni Zgjedhor i PD, i miratuar nga Këshilli Kombëtar i PD, që është organi më i lartë politik vendimmarrës.

Para sesa Komisoni ta miratojë, dy janë kushtet bazë që duhet të plotësojë individi që do miratohet, anëtarë i që do miratohet:

Së pari, duhet të jetë anëtar i PD. Ne jemi organizatë politike, nuk jemi OFJ dhe nuk mund që të monitorojmë procesin me njerëz që janë jashtë anëtarësisë.

Së dyti, duhet të plotësojë detyrimin që të jetë bërë anëtar brenda degës ku bëhen zgjedhjet. Sepse nuk mundet që të merret dikush nga Vlora si përfaqësues i komisionit në Berat apo të merret nga Puka, të shkojë si përfaqësues i komisionit në Shkodër.

Pretendimi i tyre i mbrëmshëm ka qenë se “ne na duhet ende kohë për t’i gjetur emrat”. Natyrisht ne do të presim deri në momentet e fundit, deri edhe në momentet pasi të ketë filluar procesi. Vetëm se në asnjë rast, askush nuk do të delegohet, nuk do të miratohet nga Komisioni pa bërë këto dy verifikimet që thashë.

Kjo është situata e deritanishme. Përgjithësisht procesi ka vazhduar normalisht i takimeve të kandidatëve.

Janë marrë masat për të gjithë bazën materiale, janë tërhequr nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Republikës dhomat e fshehta, dhe gjitha materialet e tjera që na duhen ditën e votimit, të cilat do të shpërndahen ditën e shtunë deri në orën 16:00.

Përfaqësuesit e kandidatëve që ende s’po caktohen kanë qenë të ftuar që të ishin pjesë e grupit që do të tërheqë materialet, përndryshe do t’i tërheqin kryetarët e komisioneve. Sigurisht gjithçka do të jetë e vulosur dhe e sekretuar pa bërë ndonjë problem. Pastaj do të presim ditën e zgjedhjeve dhe zhvillimin e procesit ditën e zgjedhjeve.

Këto janë zhvillimet më të fundit që kemi lidhur me ecurinë e procesit për zgjedhjet e 13 Qershorit në PD.

Pyetje: A është parashikuar në Udhëzim që vëzhguesit e kandidatëve në komisione të jenë anëtarë të PD?

Jemin Gjana: Është edhe në vendim që ka dalë nga Kryesia, por natyrisht që është edhe detyrim, ne jemi parti politike dhe nuk mundet të kandidosh për këtë parti, nuk mundet të monitorosh procesin brenda kësaj partie në qoftë se nuk je anëtar i PD.

Dhe e dyta, nuk mundet të pranojmë, siç ju e dini që edhe me ligjin zgjedhor të këtij vendi, disa janë kritere unike. Edhe kur flasim për vlefshmëri të votës ne kemi marrë të njëjtat kritere që përdoren për vlefshmërinë e votës kur flasim për zgjedhjet lokale apo qendrore në Shqipëri. Edhe kur bëhet fjalë për komisionet zgjedhore, askush nuk mund të shkojë në një komision në qoftë se nuk është votues brenda të njëjtës KZAZ. Edhe në këto kushte askush nuk mund të shkojë jashtë rrethit ku ai bën jetën e partisë. Është krejt normale. Hapeni, sepse e keni të shkruar edhe në vendimin e Kryesisë.

Pyetje: Në kushtet kur kandidatët nuk kanë dorëzuar ende përfaqësuesit e tyre për 76 degët në të cilat do të bëhet procesi i votimit, në rast se këto kandidatë nuk do t’i sjellin përfaqësuesit e tyre deri në momentin kur do të nisë votimi, Komisioni Zgjedhor parashikon që të përcaktojë vetë përfaqësues për ta?

Jemin Gjana: Jo, Komisioni Zgjedhor cakton përfaqësues të kandidatëve. Është e drejta e kandidatëve që t’i sjellin. Unë jam i sigurt që do t’i sjellin, por janë duke ruajtur momentin e fundit. Justifikimi i tyre se “nuk i gjejmë sepse jemi në fushatë”, nuk më duket shumë i gjetur. Mendoj se disa arsye të tjera mund t’i shtyjnë që të presin momentet e fundit.

Mbrëmë përfaqësues të dy kandidatëve kanë deklaruar se “ne do ta kemi të gatshëm listën e përfaqësuesve tanë në 76 komisione të premten në darkë” dhe bëhet fjalë për përfaqësuesin e znj.Harxhi dhe përfaqësuesin e z.Kadilli. Ndërsa përfaqësuesi i z.Shehaj, mbrëmë u deklarua se do të mundet t’i dorëzojë të shtunën pasdite. Natyrisht në çdo moment që do t’i dorëzojnë ne do të mbledhim komisionin, do të bëjmë verifikimet, do të kemi një lehtësi, që do ta mbajmë sistemin të hapur me qëllim që të kemi lehtësimin e verifikimit nëse janë në lista apo jo dhe nëse jo, do të kërkojmë që të verifikohen nëse disponojnë një teser të partisë të PD.

Pyetje: Edhe në Udhëzimin që ka përcaktuar PD është e qartë edhe roli që duhet të luajnë funksionarë të lartë të kësaj force politike, por edhe kryetarët e degëve në procesin e fushatës së gjithë kandidatëve. Vetë Komisioni Zgjedhor apo i vëzhgon figurat e larta të PD nëse po tregohen të padrejtë, për sa i përket mbështetjes së drejtpërdrejtë që mund t’i japin ndonjërit prej katër kandidatëve?

Jemin Gjana: Në vendimin e marrë për shpalljen e procesit dhe shpalljen e datës së zgjedhjeve, u është kërkuara të gjithë drejtuesve të strukturave të PD-së, anëtarëve të Këshillit Kombëtar, deputetëtve dhe pjesës së strukturës së PD-së që të mos përfshihen në fushatë individuale në favor të një kandidati apo të një kandidati tjetër. Ka patur raste të cilat janë të pashmangshme që individë të veçantë që janë pjesë e këtyre strukturave të kenë anësuar, të kenë mbatjru qëndrime.

Ka mbajtur qëndrime të njëjanshme Kryetari i këshillit Kombëtar të PD-së z. Bujar Nishani, duke qenë në fushatë ditë për ditë, siç mund të ketë patur ndonjë individ të PD-së që mund ta ketë bërë këtë gjë nga drejtues të degëve, është zgjedhje individuale, që natyrisht është përtej kërkesave, porosisë dhe vendimit publik të bërë tashmë nga Kryesia e PD-së.

Pyetje: Në cilat kritere bazoheni ju për të përjashtuar anëtarë të PD-së që të mos votojnë më 13 qershor?

Mendoni se është e pamundur? Mund të kenë qenë komisionerë, vërtetohet? Mund të kenë qenë vëzhgues, vërtetohet? Janë anëtarë të asaj partie, janë deklaruar anëtarë, vërtetohet? Janë vendosur në pozicionet e kandidatëve, vërtetohet? Psh. Ish-kryetari i Bashkisë së Tropojës ka kandiuar në emër të partisë të zonjës Topalli, është lehtësisht e verifikueshme dhe strukturat e partisë dhe grup-seksionet kanë qenë prezent në ato fushata dhe një njeri që ka shkuar të shoqërojë kandidatin për deputet të partisë të z. Murrizi psh, apo z.Patozi, sigurisht është afishuar në fushatë dhe është i ditur që ka qenë në fushatë me ta. Dikush që mund të ketë bërë fushatë të fshehtë, pa indentifikueshme, apo që ka votuar për to, natyrisht që nuk mund të indentifikohet dhe do të votojë. Ne nuk mund të hyjmë në shpirtin e secilit. Ne themi, shfaqet e tyre të tyre, të gjithë ata që kanë qenë në fushatë. Unë psh që kam qenë pjesë e drejtimit të fushatës të zonjës Tabaku në njësinë 2 në Tiranë kam parë se kush janë aktivistët e një partie apo një partie tjetër. Kanë pasur zyra, ambiente, kanë bërë takime publike, janë takuar me njerëz, tani të dekonspiron facebook sepse nqse vazhdon të bësh komente në favor të kandidatit të partisë tjetër do të thotë që ke shkuar tek parti tjetër. Natyrisht ne nuk kemi patronazhistë të natyrës që krijoi pushteti që ta ndërojmë këtë ndarje.

Pyetje: Në një farë mënyrë keni, sepse po punoni për t’i indentifikuar.

Jemin Gjana: Jo në një farë mënyre, nuk kemi, sepse nuk kemi ngarkuar asnjë individ e ta kemi quajtur patronazhist dhe t’i themi hajde spiuno të tjerët. Por njerëz që kanë dalur hapu në fushatë nuk janë në ndjekje nga prapa, nuk janë hije, ne nuk po bëjmë punën e atyre që janë njerëz hije.

Pyetje: Ditën e premte ju printoni listat e anëtarëve e të PD-së dhe këto i drejtohen 76 degëve, këto lista do të hapen vetëm ditën e dielë? Nqse zarfi dëmtohet, a do të ketë votim në atë qendër?

Jemin Gjana: Do të mbyllen me vulën e Partisë dhe me vulën në çdo zarf të të gjithë anëtarëve të Komisionit dhe do të hapen ditën e dielë në prani të Komisionit. Do të mbyllen në zarfa sërish dhe do të kthehen në Komisionin Zgjedhor të Partisë të dielën në darkë.

Pyetje: Kandidatët as të premten nuk do të kenë mundësi t’i marrin këto lista?

Jemin Gjana: Ju ende nuk e keni të qartë që listat të cilat kanë të bëjnë me anëtarësinë në parti, me anëtarësinë në sindikata, me përkatësi fetare, përkatësi racore, etnike etj, ndalohen nga ligji të bëhen publike? Jeni njerëz të medias ju lutem. Lexoni ligjet e këtij vendi. Ju akuzoni herë pas here me të drejtë se ky vend ka ligje të mira por nuk zbatohen dhe vini bëni një presion pozitiv, po e quaj, pësr nuk jepni listat. Është e ndaluar me ligj zotëri, nuk jepen.

Pyetje: Nëse zarfi dëmtohet, a do të ketë votim në atë qendër?

Jemin Gjana: Jo nuk do të ketë votim në atë qendër nëse dokumentat dëmtohen. Sigurisht.

Pyetje: Një pyetje kisha në lidhje me anëtarësinë. Ju thatë se personat që kanë marrë në fushatë elektorale për partitë e tjera nuk do të mund të votojnë, ju i keni lënë që t’i verifikoni ditën e votimeve? Në çfarë mënyre do t’i verifikoni?

Jemin Gjana: Një pjesë e tyre janë të verifikuar tashmë. Një pjesë e madhe është e sigurt që nuk do të paraqiten në qendrat e votimit. Do të kenë aq moral sa që të mos ndërrojnë ngjyrë brenda 2-3 javëve. Nëse do të paraqiten, pothuajse që të gjithë janë të indentifikuar sepse nuk është ndonjë anëtarësi e jashtëzakonshme, degët e partisë kanë nga 1 mijë, 700, 800, 1200, 1500 dhe i kanë me grup-seksione. Nuk ka kryetar dhe sekretar grup-seksioni që është zgjedhur nga anëtarësia që të mos njohë aktivitetin e anëtarëve të vetë dhe të dijë se për kë ka punuar në këtë fushatë zgjedhore.

Pyetje: Këta persona janë hequr apo thjesht nuk do të lejohen që të votojnë?

Jemin Gjana: Ata nuk do të lejohen të votojnë ndërsa për largimin e tyre nga partia, është një proces që është më i gjatë, do të merren vendime në seksionet e partisë, ne grup-seksione, në degë të partisë, pastaj të vijë dokumenti për çregjistrim këtu. Është një proces i cili mund të ndodhë më pas sepse nuk ka ku shkon të merret në këtë periudhë me këto emra. Ata janë vetëpërjashtuarm por për ta legalizuar përjashtimin e tyre do të duhet një proces i cili nis nga seksionet dhe përfundon në listimin përfundimtar.

Pyetje: Z. Gjana, këto anëtarë të PD-së ndoshta kanë qenë të zhgënjyer nga kryetari aktual i PD-së dhe për këtë arsye kanë marrë pjesë në parti të tjera. Por ata kanë të drejtën e votës që të votojnë për të zgjedhur një kryetar të ri. Nuk keni përse i përjashtoni.

Jemi Gjana: Zhgënjimi i tyre nuk përbën problem për mua, por përbën problem për ata.

Pyetje: Po ata duan ndoshta një kryetar të ri dhe për këtë arsye nuk kanë marrë pjesë në fushatë.

Jemin Gjana: Le të shkojnë tek kryetari tjetër, zgjedhje e tyre. Ju mendoni se ata, sepse kjo punë është bërë ilaritet, ndërrojmë parti, ndërrojmë bashkëshortët, bashkëshortet, është bërë modë, por ata që i ndërrojnë kaq dëndur nuk janë në rrugën e duhur. Ju mendoni se ata që kanë lënë partinë e Topallit, do të shkojnë tek partia e zonjës tjetër?

Pyetje: Sigurisht që një anëtar i një partie tjetër nuk mund të votojë për kryetarin e një partie tjetër, por në momentin kur kjo listë nuk është e rifreksuar, pra mund të kenë ndonjë që është aktivizuar në një parti, kush e siguron që të mos ketë një vendim subjektiv nga komisionerët. Psh unë si person, mund të mos kem bërë fushatë për një person tjetër, por mbase komisionerët e dinë që unë votoj për një kandidat dhe nuk duan, dhe me këtë justifikim ata thonë që ti je aktivizuar në një parti tjetër.

Jemin Gjana: Ne e kemi bërë këtë për të qenë korrekt sepse duhet të dini një gjë; i gjithë procesi është proces për t’u dhënë të drejtën dhe mundësinë anëtarësisë së PD-së dhe ju që bëni një pyetje të natyrës që përbëjnë një përqindje që është e pakonsiderueshme, e papërfillshme, ne duhet të jemi korrekt me atërësinë, por duhet të dini diçka, PD, është një forcë politike e krijuar në vitin 1990, simotrat e saj në lindje nuk e kanë emrin askund, janë shuar, PD është një forcë politike që ende në kushtet e zgjedhjeve si ato të 245 prillit, shkon tek 35-40% të votave të shqiptarëve dhe këtë e bëjnë të mundur jo ne që jemi këtu, në selinë qendrore, apo individë drejtues nëpër degë, por e bën një anëtarësi e gjërë aktive e PD-së. Ne jemi të detyruar t’i respektojmë ata, tyë ndërtojmë rregulla loje që të respektojmë sentimentet e tyre. Që të mos i japim të drejtë të votojë si një anëtëtar partie që ka 30 vjet që punon, si edhe një tjetri i cili në dy javët e fundit ka bërë të kundërtën e asaj për fitoren e PD-së. Gjërat janë më të thjeshta seç po përpiqeni t’i komplikoni me pyetjet tuaja.

Read More
09 Qer
0

Tentativa e Ramës per uzurpimin e Shoqatës së Bashkive, antiligjore dhe antidemokratike.

• Tentativa e Ramës per uzurpimin e Shoqatës së Bashkive, antiligjore dhe antidemokratike. PD: Synohet tërheqja nga padia në Gjykatën Kushtetuese për zgjedhjet moniste lokale

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, JORIDA TABAKU

Vjedhja e zgjedhjeve të 25 Prillit do të përkeqësojë akoma më shumë gjendjen e demokracisë dhe të të drejtave të qytetarëve në vend. Për fat të keq, Edi Rama po jep çdo ditë provat e një kryeministri autokrat, i cili shkel çdo ligj, në funksion të pushtetit të tij dhe kundër opozitës.

Me një akt të paprecedentë, antikushtetues, antiligjor, të fallsifikuar, Edi Rama i ka hapur luftë Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, e drejtuar nga kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi, e vetmja kryebashkiake legjitime në vend. Kjo shoqatë ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e votimeve të paligjshme lokale të 2 viteve më parë, duke vënë në rrezik një tjetër pushtet të vjedhur prej Edi Ramës.

Vendimi i mercenarëve të Ramës për të ashtuquajturin shkarkim të Voltana Ademit si drejtuese e shoqatës nuk ka asnjë bazë ligjore. Është një vendim partiak, por pa pasoja ligjore. Personat që kanë marrë vendimin, nuk janë anëtarë të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë dhe nuk kanë asnjë të drejtë mbi të.

Vetëm në Shqipërinë e Edi Ramës, një shoqatë mund të mblidhet për të shkarkuar kryetarin e një shoqate tjetër.

Të dhënat publike tregojnë se të 60 mercenarët e Ramës në bashkitë e vendit janë të deklaruar si anëtarë në shoqatën e krijuar nga Edi Rama që në vitin 2010 dhe që sot drejtohet nga Erion Veliaj. Rrjedhimisht, ata mund të mblidhen të shkarkojnë nga kryetar të shoqatës së tyre Erion Veliaj, por nuk mund të vendosin për të larguar Voltana Ademin, për arsyen e vetme se është në opozitë me Edi Ramën dhe ka çuar në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjet moniste lokale të 2 viteve më parë.

Edi Rama sot mund të ketë çdo pushtet, por ai kurrë nuk do të mundë të ketë pushtet mbi opozitën. Zëri ynë do të vazhdojë të jetë akoma më i fortë kundër regjimit të dalë nga vjedhja e zgjedhjeve në aleancë të hapur mes qeverisë, krimit të organizuar dhe oligarkëve.

Tentativa e dështuar për të uzurpuar Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë vjen pasi Edi Rama ka uzurpuar çdo instituticion tjetër tjetër në vend. Kjo është një përpjekje tërësisht anti-demokratike dhe autoritariste nga një kryeministër që nuk i intereson demokracia, funksionimi i institucioneve dhe liria e tyre. Synimi i Ramës është zhbërja e lirive të qytetarëve dhe pasurimi i tij personal.

Është koha që çdo qytetar t’i bëjë rezistencë ketij regjimi të rrezikshëm, duke mos lëshuar asgjë nga të drejtat e tij. Zëri i qytetarëve dhe zëri i opozitës janë shpresa e vetme reale për ndryshim dhe për t’i dhënë fund uzurpimit të të gjitha pushteve nga autokrati Edi Rama.

Read More
09 Qer
0

SPAK të hetojë pa vonesë krimin e blerjes së votave në Durrës dhe gjithë vendin.

 

  • Vjedhja e zgjedhjeve në Durrës, kryekorruptuesi i OSHEE Ardian Çela shantazhon opozitën. Belind Këlliçi: SPAK të hetojë pa vonesë krimin e blerjes së votave në Durrës dhe gjithë vendin.

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, BELIND KËLLIÇI, NGA GJYKATA PENALE

 

Sot erdha në seancën ku duhet të përballesha me “viktimën” akuzuese Adrian Çelën, drejtorin famoz të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes të Energjisë Elektrike. U njoha me një akuzë, akuzohem për shpifje për shkak se kam bërë publike dy kallëzime të bëra në SPAK për krime zgjedhore nga ana e Partisë Demokratike dhe Opozitës së Bashkuar në lidhje me masakrën zgjedhore që është zhvilluar më 25 prill, vendi kur është ekzekutuar kjo masakër zgjedhore, në mënyrë perfekte, pa diskutim ka qenë Qarku i Durrësit, qyteti i Durrësit, ku vetëm javën e fundit zgjedhore, 5 ditët e fundit, janë disbursuar 6 milionë Dollarë nga fondi i rindërtimit.

 

Ku janë dhënë me mijëra leje ndërtimi. Tani që po shemben shtëpitë e qytetarëve, janë dhënë certifikata legalizimi, janë shpërndarë cash etj… Kjo është një tentativë sigurisht e dëshpëruar për të shantazhuar opozitën, për t’i mbyllur gojën kujtdo që ngre zërin dhe kërkon transparencë mbi masakrën zgjedhorë të ndodhur më 25 prill dhe një tentativë për të zhvendosur vëmendjen.

 

I tmerruar nga fakti që nuk e lërkon vetëm PD dhe Opozita e Bashkuar transparencën për zgjedhjet e 25 prillit por tashmë edhe partnerët tanë strategjikë Adrian Çela me sa duket ka marrë porosi për të shantazhuar drejtuesit e opozitës me këto pseudopadi.

 

E prita “viktimën” akuzuese në seancë për t’u përballur, sigurisht si shokët e tij, si Erjon Veliaj, nuk erdhi.

Unë këtu do të jem. Nëse mendojnë se na shantazhojnë, nëse mendojnë  se ka ndonjë drejtues, funksionar politik, apo individ brenda PD që do të heshtë për atë çka ndodhur realisht më datë 25 prill e kanë gabim. Aq më tepër një njeri si unë që çdo ditë përballet me dhjetëra të rinj që largohen për shkak se shansi i fundit i tyre ishte 25 prilli për të qëndruar në këtë vend.

 

Atë mandat të vjedhur, atë shpresë të grabitur që i kanë bërë të rinjve mbi të gjitha  ta harrojnë se ne do ta lëmë pa përmendur dhge do të ulim zërin.

 

Pyetje: Kur është vendosur seanca e radhës?

 

Belind Këlliçi: Në datë 1 Korrik e pres sërish viktimën akuzuese të vij dhe të përballemi ne gjyq. Unë nuk i lëviz asnjë presje deklaratës publike që kam bërë nga foltorja e selisë së PD dhe transparencës që kam kërkuar për këtë individ që kam kallëzuar në SPAK. Ta lëmë SPAK të bëjë detyrën e saj. Në fakt duhej të ishte ai sot këtu për të dhënë shpjegime mbi dy akuzat që i rëndojnë në kurriz, nga paditë që ka bërë Opozita e Bashkuar. Por e shohim që gjërat funksionojnë ndryshe në Shqipëri. Megjithatë unë nuk do të ndalem, më 1 Korrik do të jem sërish këtu edhe me Adrian Çelën, edhe me inceneratorin e Tiranës kur të kem gjyqin e radhës, edhe me Erion Veliajn, e me të gjithë.

Ta dinë që 25 prilli nuk kalon kollaj dhe nuk harrohet kollaj.

Pyetje: Keni informacion se në çfarë faze janë kallëzimet në SPAK?

Belind Këlliçi: Nuk kam akoma asnjë informacion të them të drejtën. Për rastin në fjalë tre javë para ditës së zgjedhjeve, në datë 2 Prill dhe dy javë më pas, në datë 14 Prill, ne kemi bërë dy kallëzime në SPAK për të parandaluar në fakt atë çka po ndodhte në qytetin e Durrësit. Por sot që ne flasim është data 9 Qershor dhe ende nuk ka asnjë reagim nga institucionet e drejtësisë.

Read More
01 Qer
0

Padia për incineratorin e Tiranës, Mirel Mërtiri nuk shkon në gjykatë për përballje me opozitën. Ina Zhupa dhe Belind Këlliçi: Të vendosur në betejën për mbrojtjen e ineteresit publik kundër aferave korruptive të Ramës dhe Veliajt

•  Padia për incineratorin e Tiranës, Mirel Mërtiri nuk shkon në gjykatë për përballje me opozitën. Ina Zhupa dhe Belind Këlliçi: Të vendosur në betejën për mbrojtjen e ineteresit publik kundër aferave korruptive të Ramës dhe Veliajt.

DEKLARATA E INA ZHUPËS

Ishim në një seancë gjyqësore përballë Mirel Mërtirit të inceneratorit të Tiranës, i cili na ka hedhur në gjyq, si dy përfaqësues të Partisë Demokratike, mua dhe z.Belind Këlliçi, për denoncimin publik që ne kemi bërë me fakte dhe prova për aferën e inceneratorit të Tiranës.

Ne të dy, si përfaqësues të PD, kemi dalë në mbrojtje të interesit publik, në mbrojtje të fondeve publike që janë përdorur nga taksat e qytetarëve për t’ia dhënë incineratorit të Tiranës në një kontratë të bërë në vitin 2017 dhe sot që ne flasim ende nuk ka një godinë, e cila të kryejë djegien e mbetjeve të qytetit të Tiranës, ashtu siç ishte parashikuar në kontratë dhe siç paguajnë qytetarët e Tiranës.

E gjithë kjo padi është bërë që ne të trembemi, që në të tërhiqemi nga beteja përballë atyre që zotërojnë inceneratorin e Tiranës, por edhe zyrtarëve të lartë publik që ua kanë dhënë inceneratorin e Tiranës, por as unë dhe as z.Këlliçi, as partia politike që ne përfaqësojmë nuk kemi ndërmend të tërhiqemi nga beteja për të mbrojtur interesin e qytetarëve. Do të qëndrojmë përballë. Do të themi të vërtetat gjithë kohës. E kemi çuar këtë çështje për padi edhe në SPAK dhe do të jetë SPAK-u që do ta gjykojë edhe më thellë çështjen e inceneratorit të Tiranës, inceneratorit të Fieri,t por edhe inceneratorin e Elbasanit.

• Çdo ditë Bashkia e Tiranës paguan për inceneratorin e Tiranës 650 ton mbetje, pavarësisht mbetjeve dhe punës që bëjnë.
• Ne deri më sot kemi paguar 23 milionë euro në kontot e inceneratorit, që nuk ekziston të Tiranës.
• Çdo vit, parashikohet që do të paguajmë 6.8 milionë euro, po për inceneratorin e Tiranës.

Këto janë fakte të shkruara, ekzistojnë, mjafton që secila media të shkojë në Sharrë dhe të verifikojë: Nëse bëhet djegia? A kryhet djegie e mbetjeve? Apo thjesht groposje e tyre, si një mal dherash përpara syve të qytetarëve.

Ne nuk mund të heshtim. Ne nuk kemi ndërmend të heshtim, përballë çdo afere të qeverisë “Rama”, të bashkisë Tiranë dhe cilido zyrtar që është përfshirë në marrjen e parasë publike, në tjetërsimin e parave publike, në marrjen e parave të qytetarëve, kur nuk ka asnjë përfitim për qytetarët e Tiranës.

Ju e dini shumë mirë që sesi Sharra, brenda natës u kalua nga një shërbim publik në një shërbim privat. Dhe pa ndryshuar asgjë. E vetmja gjë që ndryshoi ishte kostoja që paguanin qytetarët e Tiranës për atë shërbim që merrej për pastrimin e qytetit dhe për mbetjet e qytetit.

Ne do të qëndrojmë. Sot ishte seanca e dytë. Do të kemi edhe përballje të tjera me z.Mërtiri, i cili na ka hedhur në gjyq, duke gjykuar se ne kemi shpifur. Ndërkohë që ne po themi të vërtetat dhe nuk kemi asgjë personale me z.Mertirin, as nuk e njohim personalisht, as nuk kemi interes personal, por kemi thjesht interesin publik të çështjes së inceneratorëve të Tiranës.

DEKLARATA E BELIND KËLLIÇIT

Ne personalisht Mirel Mërtirin as nuk e njohim. E prisnim sot sërish në gjykatë për ta parë dhe për fytyrë kush është dhe nuk erdhi. Kjo nuk është çështje kundër Mirel Mërtirit apo individëve të caktuar. Kjo është një çështje për të cilën ne paditemi për shpifje pse kemi thënë të vërtetën dhe pse kemi dalë në krah të mbrojtjes së interesit të qytetarëve. Flitet për një aferë korruptive ku janë dhënë 23 milionë euro për një incenerator që nuk ekziston.

Sot është 1 Qershori dhe unë uroj të gjithë fëmijëve, gëzuar! Është një ditë shumë e bukur. Pak a shumë 5 vite më parë një i mitur, Ardit Gjoklaj, humbi jetën në landfillin e Sharrës. Dhe kur kemi qenë për të denoncuar nga landfilli i Sharrës rastin edhe të humbjes së jetës së Ardit Gjoklaj, na është thënë nga punëtorët që “kjo nuk ka ndodhur në landfillin e Sharrës dhe se ne po gënjenim”, siç pretendohet që ne sot, sërish po gënjejmë.

Mirel Mërtiri sot na kish kërkuar edhe psikolog. Nuk e di për çfarë? Për të vlerësuar dëmin, mbase vjedhjen që kanë bërë. Se ne kemi thënë që janë vjedhur 400 milionë euro por mbase janë 420 milionë euro, me këtë koncesion korruptiv që rëndon xhepat e taksapaguesve të kryeqytetit.

Çdo ditë në Tiranë qytetarët paguajnë 51 mijë euro në ditë që Tirana të pastrohet. Dhe kryeqyteti sot është më i pisët se kurrë. Sot, Tirana është e pajetueshme; keni kulla, keni beton dhe nuk keni asnjë park, asnjë lulishte. Tiranës po i merret fryma. Sikur të mos mjaftonte vetëm betoni, tashmë është edhe afera korruptive e inceneratorit të Tiranës që rëndon më shumë mbi xhepat e qytetarëve dhe të rinjve që kanë vendosur të jetojnë në këtë vend dhe të rrinë në këtë vend.

Nëse mendojnë se do të na stepin, të bindur të jenë që nuk do të ndalemi.

E presim sërish në seancën e radhës në 22 korrik. Mirel Mërtiri të vijë ta njohim edhe për fytyrë kush është. Dhe për t’ia bërë të qartë që kjo çështje nuk është kundër tij, por është kundër çdo hajduti që fut duart në xhepat e taksapaguesve dhe që vjedh paratë publike, fondet publike.

Ne e kemi thënë dhe stërthënë që do t’i shkojmë kësaj afere publike deri në fund. Dhe për të gjetur në fakt që kush janë pronarët e vërtetë të tre inceneratorëve; të Tiranës, Elbasanit dhe Fierit. Për të parë të gjithë qytetarët shqiptarë dhe për të bërë transparencë, se ku shkojnë paratë e tyre, paratë e buxhetit të shtetit.

E them edhe një herë që Shqipëria, për fatin e saj të mirë, gjeografikisht ndodhet në zemër të Europës por me standarde jemi në zemër të Afrikës, si standarde të Zimbabve të Mirel Mërtirit. Kështu që i bëjmë thirrje publike, edhe unë personalisht, të vijë në gjyq, të përballet në seancë, nuk ka asnjë problem, të themi të vërtetat tona. Le të vendosë gjykata pastaj se kush po shpif në këtë mes.

Nëse mendojnë se do të na intimidojnë, se do të na mbyllin gojën e kanë shumë- shumë gabim.

Faleminderit!

Read More