- Basha: Qeveria nuk ka marrë asnjë masë ndërkohë që rritet numri i të prekurve me Covid. E vetmja masë e qeverisë është të gjobisë qytetarët. Rama po vjedh në kohë pandemie.
- Basha: Nuk ka asnjë transparencë mbi numrin e testimeve nga shteti dhe numrin e testimeve që bëjnë privatisht vetë qytetarët.
- Basha: Gjobat janë përgjigja e Edi Ramës. Thesari zbrazet nga pagesat korruptive për inceneratorët dhe mbushet me gjobat mbi qytetarët.
- Basha: Afera e inceneratorëve, duke përfshirë pagesën e javës së kaluar prej 2 milionë eurosh, tregon përse nuk e zbaton planin me 5 pika. Qeveria i ka paratë, por ia jep inceneratorëve këto lekë.
- Basha: Inceneratorët janë skemë mafioze e zhvatjes së parave publike. 17 vendime qeverie brenda 1 dite të vetme. U dhanë 75 milion euro për inceneratorë që nuk punojnë dhe nuk kanë asnjë punëtor.
- Basha: Inceneratorët, Klodian/Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto asnjë ditë përvojë në përpunimin e mbetjeve. Pse u janë dhënë dhjetëra milionë euro kompanive pa asnjë eksperiencë në treg?
- Basha: SPAK të bëjë detyrën dhe të tregojë se është në anën e duhur. Të hetojë dhe të zbulojë se kush qëndron pas inceneratorëve dhe ku kanë shkuar lekët e shqiptarëve.
KONFERENCA E PLOTË PËR SHTYP E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE LULZIM BASHA ME GAZETARËT.
Ju uroj dhe një herë mirëseardhjen në selinë e Partisë Demokratike!
Situata ka marrë një tjetër përkeqësim dhe po përkeqësohet nga dita në ditë. Numri i të infektuarve po rritet ka arritur 257 raportuar zyrtarisht dje. Ndërsa numri i viktimave ka arritur në 439.
Ndërkohë që qeverisa nuk ka marrë asnjë masë të vetme. E vetmja masë që ka marrë është të gjobisë qytetarët. E vetmja veprimtari e qeverisë në kohën kur çdo shtet tjetër po merr masa kundër pandemisë është të gjobisë qytetarët. Është kthyer në një shtet dhe në një qeveri gjobëvënës.
Gjoba për qytetarët nëse nuk mbajnë maskën. Gjoba për bizneset. Gjoba për këdo, gjoba dhe vetëm gjoba.
Gjoba për të mbushur një thesar të zbrazur dhe që zbrazet duke paguar inceneratorët e plehrave dhe një grusht kontratash korruptive ku qeveritarët dhe klientët e tyre ndajnë paratë e qytetarëve, të shqiptarëve dhe kur shqiptarët kanë arritur në Ballkan që nuk marrin asnjë lloj mbështetje.
Dje e dëgjuat me zë dhe e patë me figurë edhe një herë premtimin e majit se do të kishte një paketë të tretë. Paketa e tretë nuk u bë kurrë realitet.
Vendet e tjera kanë ofruar paketën e katërt. Përfshirë dhe vendet e rajonit. Ndërsa po je, i pari i qeverisë për pak kohë tha që nuk do të ketë as paketë të tretë. Gjobë për qytetarin, gjobë për shoferin, gjobë për biznesin, kjo është masa e vetme, përgjigja e vetme e Edi Ramës ndaj pandemisë.
Një herë nxjerr blindat për të luftuar COVID-in, tani fshihet pas maskave vetëm e vetëm që mos të ndërmarrë ato hapa të cilat do të ndihmonin mjekët, infermierët, shëndetësinë, pacientët, dhe do të ndihmonin po kështu qindra e mijëra familja shqiptare që si rezultat i keqqeverisjes dhe keqqmenaxhimit të pandemisë kërcënohen me vetë ekzistencën e tyre, kërcënohen me bukën e gojës. Vetëm e vetëm që paratë të shkojnë tek tenderat korruptiv dhe tek inceneratorët.
E keni parë që tani nuk tregojnë më se sa teste bën ISHP-ja dhe sa bën sektori privat sa janë serologjike dhe sa janë tamponet për COVID-19. Pyetja shtrohet pse ndodh kjo? Përgjigja është fare e qartë, sepse Shqipëria vazhdon të mbetet vendi me numrin më të ulët të testimeve në rajon dhe në europ për frymë popullsie. Prej marsit kam kërkuar ditë për ditë rritjen e numrit të testimeve si mënyra e vetme për të identifikuar të infektuarit, për t’i izoluar dhe për të shkëputur zinxhirin e infektimeve. Ndaj sot dua ta nis edhe një herë, pa humbur kohë të zbatojë planin me 5 pika.
Pika e parë, mbështetja dhe përgatitja e sistemit shëndetësor. Rritja urgjente e testimeve për COVID me 2500 testime në ditë. Rimbursimi i plotë për mjekimin që marrin të sëmurët me COVID në shtëpi dhe që arrin shifrën minimale prej 600 mijë lekësh të vjetra e shpesh herë dyfishin e trefishin e kësaj shume.
Sot që flasim, jo vetëm ata 257 të identifikuar sit ë infektuar, por qindra të tjerë të cilët nuk hynë në defterët e manipuluara të qeverisë vazhdojnë të merr kohën me një kosto të lartë të barnave të cilat nuk rimbursohen. Në planin tonë me 5 pika, rimbursimi i plotë i paketës së medikamenteve Anti-COVID do të lehtësonte këto mijëra familje nga kjo barrë e papërballueshme financiare. Cilat nga familjet mesatare shqiptare mund të përballojë qoftë edhe minimumin e kostove prej 600 mijë lekësh?
Kush mendon për ta? Çfarë mase ka marrë Edi Rama? 2 orë e gjysmë dje, në një shfaqje gjija të çmendur, se nuk është çmenduri. Gabim i rëndë nëse mendoni që është çmenduri. Gjithë ajo shfaqje, gjithë ai kërcim pupthi në studio u bë vetëm e vetëm për të shmangur pyetjet dhe përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve, pse nuk rimburson pacientët e sëmurë me COVID? Kush përgjigjet për ta?
Ti taksat i merr, taksat i ke rritur, faturën e energjisë e ke rritur, çmimin e naftës e ke rritur, lekët jua merr qytetarëve. Të dhënat tregojnë se shqiptarët janë sot në pikën e tyre më të ulët sa i përket të ardhurave dhe ekonomia është në krizë të thellë. Kush përgjigjet për këta njerëz që zhyten në borxh për të marrë ilaçe?
Po kur nuk zhyten dot as në borxh dhe nuk blejnë dot ilaçet dhe kërcënohen me jetën e tyre, kush përgjigjet për këta? Çfarë përgjigje ka Edi Rama? Zero përgjigje.
Zero masa. Gjobat për mos mbajtjen e maskave njësoj si nxjerrja e autoblindave në rrugët e Tiranës për të luftuar COVID-in nga një shfaqje e shëmtuar për të fshehur përgjegjësinë Edi Rama për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve.
Ndaj përpos rritjes së numrit të testimeve me 2500 testime në ditë në mënyrë urgjente. Kërkesa e dytë është të merren urgjentisht masat dhe paratë e qytetarëve shqiptar që janë në thesarin e shtetit të shkojnë për të rimbursuar plotësisht paratë që çdo qytetar i sëmurë me COVID detyrohet të shpenzojë për të blerë ilaçet e shtrenjta. Së treti, sistemi shëndetësor vazhdon të mbetet i papërkrahur, i braktisur, i pa mbështetur. Spitalet COVID kanë arritur sipas burimeve të brendshme në kapacitetet e tyre.
Jemi rikthyer në një cikël ku nga qendrat e përballimit të infeksionit, por kthehen në qendra të shpërndarjes së infeksionit. Duke filluar me mjekët dhe infermierët e duke vazhduar me pacientët dhe familjarët dhe vizitorët e tyre. Sigurimi i pajisjeve mbrojtëse për të gjithë personelin shëndetësor do të thotë të fusësh në këtë betejë të gjithë mjekët shqiptar. Edhe mjekun e familjes, edhe spitalet rajonale, që të bësh këtë çdo mjek duhet pajisur në radhë të parë me pajisjet mbrojtëse për vetveten, në radhë të dytë me pajisjet e tjerë e bëjnë të mundur si diagnozën ashtu dhe trajtimin e të sëmurëve me COVID. Dhe në të njëjtën kohë i mundësojnë mjekëve dhe infermierëve shqiptarë të përballen edhe me sëmundjet e tjera të pacientëve shqiptar.
Bonusi prej 1 mije eurosh për çdo mjek dhe 500 euro per çdo infermier. Premtimi përsëritur dhe i ripërsëritur, i harruar, i pazbatuar, gënjeshtër. Sot më shumë se kurrë paratë e shqiptarëve duhet të dedikohen për shëndetin e tyre dhe kjo fillon me një personel shëndetësor, me një trup shëndetësore që është e aftë, e motivuar pas 6 muajsh rraskapitës, të vazhdojë të përballet me numrin rekord të infeksioneve me Covid.
Pika e dytë ka të bëjë me hapjen e shkollave prej 14 shtatorit dhe pasojat që kjo ka sjellë si për mësuesit, stafin pedagogjik në tërësi, ashtu edhe për nxënësit dhe familjarët e tyre. Kemi kërkuar testimin periodik të mësuesve duke nisur nga dita e parë e shkollës siç e bëri Kosova. Refuzojnë ta bëjnë.
Duken qartë pasojat. Ditë për ditë kemi lajme të mësuesve, stafit pedagogjik të infektuar, disa prej tyre fatkeqësisht edhe të ndarë nga jeta.
Ndërkohë që në shkolla vazhdon të mungojë uji i rrjedhshëm për të larë duart, dezinfektimi i shkollave nuk ndodh në mënyrë të rregullt, ndërsa nxënësve dhe mësuesve u kërkohen të pajisen me maska dhe dezinfektantë ndërkohë që shumica dërrmuese e familjeve e kanë të pamundur përballimin e kostos së tyre. Dhe po kështu asnjë hap për të garantuar që në rast të masave shtrënguese siç është mësimi në distancë, mijëra familje shqiptare vogëlushët e të cilëve nuk kanë asnjë mundësi ta bëjnë mësimin ne distancë, të pajisen me tabletë dhe të sigurohet teknologjia e nevojshme që të mos ndërpritet mësimi i tyre.
E treta. Ndërkohë që vendet e tjera po disbursojnë shuma të mëdha nga buxheti i shtetit, po anulojnë çdo lloj kontrate duke përfshirë edhe punë publike apo kontrata të tjera.
Po shkurtojnë çdo shpenzim operativ të qeverisë për t’i çuar këto para në nevojën më akute që ka sot ekonomia, që është rritja e konsumit. Qeveria shqiptare dhe kryeministri shqiptar është i vetmi që nuk e vë ujin në zjarr, që e ha turpin me bukë.
Vetë premtoi paketën e tretë. Nuk ka paketë të tretë për qytetarët. Nuk, ka paketë të tretë për të papunët, nuk ka paketë të tretë për pensionistët, për familjet në nevojë. Nuk ka paketë të tretë për biznesin e vogël, nuk ka paketë të tretë për sipërmarrjen punëdhënëse, por ka vetëm pagesa të treta e të katërta, e të pesta për mafian e plehrave dhe për kontrata të tjera korruptive të shtetit.
Mbështetja, që asnjë shqiptar të mos lihet pas dore konsiston në radhë të parë në një çek prej 16 mijë lekë të reja për 6 muajt e ardhshëm për çdo person që e ka humbur vendin e punës dhe llogariten tashmë mbi 100 mijë të tillë. Prej më shumë se 2 javësh kjo pikë e tretë e planit tonë me 5 pika , përsëritet nga unë, nga ekspertët tanë, nga përfaqësuesit tanë politikë dhe tashmë edhe nga qytetarët si një nevojë e ngutshme.
Merrni kamerat tuaj dhe drejtojini dyqaneve të ushqimoreve, dyqaneve të bukës, farmacive dhe do të shikoni se në këto tre njësi bazë që tregojnë konsumin e përditshëm të qytetarëve shqiptarë në Tiranë dhe kudo tjetër në Shqipëri, listat po shtohen, konsumi po bie, sasia dhe cilësia e ushqimeve që mund të blejnë shumica dërmuese e shqiptarëve, po bie. 160 mijë lekë në muaj për çdo person që ka humbur vendin e punës është minimum i jetik për një person dhe nuk do të bëj mrekulli, as nuk do të zgjidhë problemin e një familjeje ku ai person që humbi vendin e punës ishte i vetmi që sillte rrogën.
Por do të jetë një ndihmë minimale, një përkushtim minimal për të mos kërcënuar me bukën e fëmijëve , me mjerimin absolut të qindra mijëra familje shqiptare që kanë humbur të ardhurat e tyre të vetme për shkak të shpunësimit të kryefamiljarit apo edhe të punësuarit vetë në familje. Krijimin e një fondi punësimi në mbështetje të bizneseve për të rimarrë në punë të larguarit gjatë pandemisë duke i dhënë çdo punëdhënësi 20 mijë lekë të reja në 6 muajt e ardhshëm për çdo person që e rimerr në punë. Si një inkurajim për të marrë në punë personat që u janë dashur të largohen gjatë nisjes së pandemisë dhe pasojave ekonomike që ka sjellë keqmenaxhimi i ekonomisë nga Edi Rama.
Dyfishimi i ndihmës ekonomike për çdo familje që trajtohet me ndihmë ekonomike dhe përfshihen në skemë atyre që janë padrejtësisht jashtë dhe nuk kanë sot asgjë për bukën e tyre të përditshme. Si dhe një çek prej 2 mijë lekësh në muaj për përballimin e kostove shtesë të pandemisë për 6 muajt e ardhshëm për pensionistët duke filluar me kostot shtesë që i kërkon t’i mbajnë dhe i gjobit në qoftë se nuk i mbajnë.
Katër: Ndihma për biznesin e vogël.
Prej ditësh qeveria e Kosovës ka njoftuar një paketë prej 60 milionë euro. Kemi kërkuar prej më shumë se dy javësh që çdo sipërmarrje e vogël shqiptare të cilat në tërësi përbëjnë mbi 90% të ekonomisë shqiptare, të marrë një çek prej 1 mijë eurosh për të përballuar kostot shtesë të pandemisë. Sepse nga njëra anë iu kërkohet ditë për ditë e muaj për muaj të paguajnë edhe detyrimet, edhe nga ana tjetër nuk do t’ia dijë Edi Rama se 6 në 10 biznese nuk nxjerrin më fitim, madje dalin me humbje.
Se numri i bizneseve që falimentojnë ditë për ditë shtohet e shtohet duke larguar të vetëpunësuar dhe të punësuar nga burimi i vetëm i të ardhurave që kanë. Edhe kjo nuk është një recetë për mrekulli, por është një hap për të stabilizuar sadopak këto biznese që kanë marrë një valë goditëse, rrënuese nga keqmenaxhimi i pandemisë nga Edi Rama.
Dhe së pesti, mbështetje për biznesin prodhues dhe punëdhënësit e mëdhenj për të parandaluar një tjetër hemoragji masive të vendeve të punës, largime masive nga puna nga ata që nuk ia dalin dot më ndonjë fitim dhe as të paguajnë borderonë e punonjësve të tyre .
Dhe për këtë kemi kërkuar një hap të parë që për 6 muajt e ardhshëm të subvencionohet me 50% të qerasë për ambientet e punës, ose të hiqet taksa e pronës për rata që janë pronarë të ambienteve të punës në mënyrë që këto para të dedikohen për të financuar sadopak deficitin, hendekun që u është gërmuar bizneseve dhe që ka çuar dhe vazhdon të çojë në, largimin nga puna të personave që ata punësojnë. Sepse kur nuk ke të ardhura, kur nuk gjeneron dot fitim dy rrugë ke: Ose t’i largosh nga puna ose t’i paguash nga xhepi.
Dhe së dyti shtrirjen në kohë dhe ri konceptimin e kritereve të përfitimit nga skemat e garancisë sovrane në mënyrë që të gjithë bizneset që kanë nevojë të mbështeten më garancinë sovrane dhe të paguajnë jo më shumë se 2% të interesit të kredisë kur kanë nevojë të marrin kredi për investime kapitale apo shpenzime operative, dhe 0 % interes kur iu duhet të shkojnë në bankë për të nxjerrë lekë, për të marrë lekë me kredi për të paguar punonjësit . Për të marrë kredi për të paguar punonjësit. Kjo është një barrë e papërballueshme edhe për bizneset më të fuqishme të Europës e jo më për biznesin shqiptar. Kjo barrë duhet të bashkë ndahet sot nga qeveria , nga shteti shqiptar dhe prej më shumë se dy javësh po e përsëris këtë pikë të pestë të planit tonë për përballjen me pandeminë që është marrja përsipër e kostove shtesë të interesave bankare nga buxheti I shtetit.
Larg prej të ndjerit të dhimbjes së qytetarëve, të njerëzve, të pacientëve, të mjekëve, të mësuesve, të sipërmarrjes, Edi Rama vazhdon aferat korruptive. Gjatë ditëve të kaluara afera korruptive që pa frikë mund të quhet vjedhja e shekullit, ajo e incerneratorëve ka qenë në qendër të vëmendjes tonë si opozitë dhe të një numri mediash.
Pse po kërkojmë transparencë për aferën korruptive të incerneratorëve? Cfarë tregon ky mega korrupsion i Edi Ramës? Edi Rama i ka dhënë dhjetëra milionë euro të parave të qytetarëve shqiptarë një personi që ka regjistruar kompani offshore, kompani guaska dhe është pronar i 3 të ashtuquajturave incerneratorë në Elbasan, në Fier dhe në Tiranë. Vetëm në një rast, në rastin e Tiranës kompania është regjistruar një ditë para se të lidhtë kontratën. E kuptoni apo jo?
Një ditë para se të merrte koncensionin është regjistruar kompania. Një ditë përpara. Nuk ekzistonte dhe është regjistruar.
Në rastin e Fierit, pa asnjë përvojë, asnjë përvojë në fushën e administrimit të mbetjeve. Në rastin e Fierit është regjistruar bashkë me një kompani italiane me përvojë në menaxhimin mbetjeve dhe sapo ka marrë tenderin ja ka blerë kuotat kompanisë italiane, për sa thoni ju? Për 200 mijë lekë të vjetra. E kuptoni apo jo. Hapini veshët. Për 20 mijë lekë të reja e ka nxjerrë italianin jashtë dhe e ka prapë i njëjti person me një zinxhirë kompanish guaskë të regjistruara në parajsa fiskale. Kemi dërguar vazhdimisht këto vite, e në veçanti muajt e fundit dhe kemi kërkuar praninë mediatike për të treguar se as në Fier, as në Tiranë nuk ekziston incinerator.
Ndërsa ai i Elbasanit nuk është marrë në dorëzim nga Bashkia, sepse nuk plotëson kushtet e kontratës. 75 milion euro të parave të shqiptarëve janë paguar deri më sot për këtë aferë korruptive.
Pa garë, pa transparencë, me një person të vetëm që nuk ka asnjë përvojë. Më 16 dhjetor 2016 qeveria ka marrë 17 vendime brenda ditës për të mundësuar këtë kontratë korruptive dhe ka disbursuar 14 milion euro pa bërë asnjë punë. J’ua shtroj në formë pyetje juve dhe atyre që na ndjekin përmes jush, çfarë do të thotë kjo?
Cila qeveri në botë mobilizohet dhe bënë 17 vendime brenda ditës për një kompani që ka marrë tender pa konkurrencë, me një person që nuk ka asnjë përvojë në fushën e administrimit të mbetjeve.
Me kapital fillestar 1 mijë euro, aq është kapitali i kompanisë. Ja ku i kam 1 mijë euro, i ka thënë një personi të vetëm pa asnjë përvojë, më jep kontrata që vlera e të cilave shkon në total 400 milion euro. Dhe mblidhet qeveria dhe bën 17 vendime brenda ditës. Për t’i dhënë pastaj me një dorë 14 milion euro. Sa herës mbledh qeveria për të marrë vendime të tilla, për t’i dhënë 14 milion shqiptarëve që po vuajnë për bukën e gojës. Sa herë?
Si mundet të mblidhet 17 herë brenda ditës, për t’i dhënë 14 milion euro një personi me 1 mijë euro në xhep dhe t’i japi bashkë me të një kontratë 400 milion euro, e t’i japi direkt nga taksat e shqiptarëve po atë ditë 14 milion euro.
A ka nevojë ta komentoj unë?
A ka njeri që nuk e kupton?
A ka nevojë të kesh universitet, apo qoftë dhe shkollë të mesme për ta kuptuar se çfarë po ndodh?
Çfarë e ka detyruar Edi Ramën ta bëjë këtë?
Çfarë e lidh Edi Ramën me Klodian apo Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton?
Çfarë eksperience kanë Klodian apo Mirel Mërtiri dhe Kodian Zoto në fushën e administrimit të plehrave? Pse janë dhënë dhjetëra milion euro kompanive të sapo krijuara pa patur asnjë investim, asnjë kosh plehrash, asnjë makinë përpunimi më kapital 1 mijë euro, pse? Pse i kanë shpikur këta miqtë tuaj kompani guaska, i kanë fshehur me drejtor fiktiv?
Pse ju ka ndryshuar emri? Pse nuk është botuar në Fletoren Zyrtare as kontrata për inceneratorin e Fierit dhe as kontrata për inceneratorin e Tiranës.
Kanë nxjerr 75 milion euro nga buxheti pa patur asnjë kontratë në Fletore Zyrtare.
Muajin e kaluar Ministria e Financave, përpos vetë Kontrollit të Lartë të Shtetit që e ka bërë më përpara këtë auditim, edhe Ministria e Financave muajin e kaluar njoftoi përmes raportit që ju tregova dje të këtij raporti që ndonëse ka përlarë dhjetëra e milion euro, nuk kanë investuar as 12% të fondit që duhet të kishin investuar.
Çfarë janë këta që në kohë pandemie marrin dhjetëra e miliona euro dhe nuk kanë asnjë punëtor? Çfarë janë këta?
Kush janë këta?
Çfarë pushteti kanë këta mbi kryeministrin?
Mbi ish-ministrin e Financave Arben Ahmetaj?
Mbi kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj?
Çfarë është kjo? Po jua shtroj sot me pyetje, sepse konkluzionet i kemi arritur prej kohësh.
Pyetje: Z. Basha çfarë do të bëjë Partia Demokratike për inceneratorët nëse vjen në pushtet? A do t’i qëndrojë kontratave aktuale dhe a do të vazhdojë me të njëjtin model për djegien e mbeturinave?
Lulzim Basha: Modeli që ne kemi shpallur për çdo aferë korruptive do të zbatohet edhe për këtë aferë. Me dispozitat e ligjit “Antimafia” dhe me moton “Ndiq paranë”, jo vetëm do të pezullohen, hetohen, anulohen kontrata korruptive, qartësisht korruptive të tre inceneratorëve por edhe çdo afere tjetër korruptive, por çdokush i përfshirë nga zyrtari më i thjeshtë tek zyrtari më i lartë do të vihet para përgjegjësisë ligjore, çdo partner apo ortak i tyre i përfshirë në këtë megavjedhje do të vihet para ligjit, do të vihet para drejtësisë.
Shqipëria ka patur një plan për administrimin e mbetjeve të hartuar në bashkëpunim me qeverinë gjermane dhe me ekspertët e Bankës Botërore. Edi Rama e ka gjetur këtë plan të gatshëm. Dhe ky plan mund të zbatohej me transparencë, me garë të hapur dhe po të ndodhte kështu, Shqipëria i kishte dhe i ka të gjitha mundësitë që mbledhja dhe trajtimi i plehrave; pastrimi i qyteteve dhe fshatrave tona, të bëhen me mënyra bashkëkohore dhe në të njëjtën kohë shteti të mos nxjerrë asnjë kacidhe, asnjë qindarkë shtesë nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Sepse çdo familje shqiptare dhe çdo familje shqiptari paguan tarifën e pastrimit apo jo.
Edi Rama i ka vënë shkelmin strategjisë së hartuar nga qeveria gjermane dhe eskpertët e Bankës Botërore, dhe e ka bërë pa tendera, pa garë, pa transparencë, këtë aferë me një person të vetëm që qëndron pas të tre kompanive, që është i regjistruar në parajsa fiskale.
Rikthimi tek strategjia e hartuar nga ekspertët më të mirë të Europës do të jetë hapi i parë.
Dua po kështu të ripërsëris një nga pikat e planit tonë antikorrupsion të shpallur prej dy vitesh, asnjë kompani e regjistruar offshore, asnjë kompani e regjistruar guaskë nuk do të lejohet më as të marrë pjesë në prokurim, jo më të përfitojë tendera të drejtpërdrejtë apo si nënkontraktorë, apo si nënkontraktorë të nënkontraktorëve, apo si kompani nënë, apo si kompani bijë. Gjithë këto skema mafioze që bëhen për të fshehur faktin se shqiptarët kanë paguar 75 milionë euro dhe këto para nuk dihet se ku kanë shkuar.
Natyrisht, se pas gjithë këtyre fakteve ju e kuptoni mirë se ku kanë shkuar dhe pse është ndërtuar kjo skemë që të mos merret vesh kush është pronari dhe ku shkojnë lekët, për t’i vjedhur.
Ndaj, dua të përsëris edhe një herë sot kërkesën time drejtuar SPAK-ut, kryetarit të SPAK-ut, prokurorit Kraja. Me emër dhe me mbiemër, Arben Krajës i kërkoj sot të dalë dhe të prononcohet publikisht: Në cilin stad ndodhen hetimet për aferën e inceneratorëve, të Fierit, të Tiranës dhe të Elbasanit?
Është e pafalshme që gazetarë kurajoze si rrjeti investigativ “BIRN” apo “Të Pa Ekspozuarit” kanë bërë prej muajsh dhe vitesh transparencë, natyrisht edhe ekspertët e Partisë Demokratike që e nisën këtë që në vitin 2014.
Bëmë një betejë që kur ishim në Parlament dhe jashtë parlamentit dhe prokuroria shqiptare, në veçanti Struktura e Posaçme Antikorrupsion, të heshtë njësoj siç heshtë Edi Rama. Është e pafalshme! Të heshtë njësoj siç heshtë Arben Ahmetaj. Është e pafalshme! Të heshtë siç hesht Erion Veliaj. Është e pafalshme! Të heshtë siç hesht Klodian apo Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto! Kjo ju vendos në anën e gabuar të kësaj afere.
Ndaj kërkoj sot të bëjë detyrën. E ka për detyrim edhe sikur të isha taksapaguesi i fundit i republikës, jo më kryetari i opozitës, të dalë dhe t’u tregojë shqiptarëve se në çfarë stadi janë hetimet për inceneratorët? Cilët janë prokurorët e ngarkuar me dosjen? Çfarë veprimesh hetime janë ndërmarrë? Cili është plani dhe trajektorja e hetimeve? Kur do të pyeten Edi Rama, Arben Ahmetaj, që brenda një dite të vetme me 16 dhjetor 2016 përfshirë 9 institucione të shtetit dhe morën 17 vendime për t’i dhënë një personi me 1000 euro kapital kontrata që shkojnë në 400 milionë euro.
Kush qëndron pas këtyre tre inceneratorëve? Pse janë të përfshirë në parajsa fiskale? Pse kanë marrë 75 milionë euro ku vetë Ministria e Financave thotë që nuk është investuar as 12%. Kjo konfirmohet vetë nga Ministria e Financave të Edi Ramës.
Ku kanë shkuar paratë e shqiptarëve, tani që kanë nevojë më shumë se kurrë për bukën e fëmijëve, për ilaçe?
Dhe së fundmi, raporti i fundit i progresit nga Komisionit Europian, e thotë qartë dhe shkoqur, citoj, “Ndërtimi i inceneratorëve të rinj përbën shqetësime sa i përket përputhshmërisë sa i takon standardeve europiane mbi mbetjet dhe mbi parimet e hierarkisë dhe objektivave të riciklimit”. Është një gjuhë teknike për të thënë se kjo që kanë bërë me inceneratorët është në kundërshtim total me praktikat e mira dhe standardet europiane sa i takon trajtimit të mbetjeve urbane.
Pyetje: Z.Basha a ka bërë një parashikim grupi juaj i ekspertëve, në rast se plani juaj prej 5 pikash nuk implementohet nga qeveria, nëse nuk do të ketë një paketë të tretë apo në rastin tjetër nëse numri i testimeve nuk rritet siç parashikon OBSH-ja? Pra, a keni ju një skenar se çfarë mund të ndodhë?
Lulzim Basha: Për fat të keq skenari po ndodh, numri i viktimave po rritet, të papunët po rriten, numri i bizneseve që po falimentojnë po rritet, ekonomia po shkon drejt kolapsit, shëndetësia po kështu. Pra, vendi po shkon drejt një kolapsi total. Dhe i gjithë qëllimi ynë ka qenë që ne t’i dilnim përpara kësaj të keqe. Ne si opozitë këtë kishim në dorë; të paralajmëronim të keqen, të ngrinim zërin për atë që nuk po bëhet.
Dhe ndryshe nga çdo opozitë tjetër në rajon apo në Europë mund të them, të jepnim edhe planin një qeverie dhe një kryeministri të lodhur, pa motiv, pa ide, pa vizion, pa zemër, pa mendje, pa pasion për njerëzit por me pasion vetëm për xhepat e tij dhe të një grushti njerëzish me të cilët vjedh në mënyrat me të cilat e kemi shpalosur këto ditë.
Ky është qëllimi i planit tonë dhe prandaj jam ditë për ditë para jush, për të bërë atë që kam në dorë për të bërë si opozitë, presionin maksimal, se nuk bëhet fjalë as për interesat e mia, se nuk bëhet fjalë as për interesat e forcës time politike, as për interesat e opozitës. Bëhet fjalë për jetën e mijëra bashkëqytetarëve tanë, bëhet fjalë për shëndetin e qindra, mijëra shqiptarëve, bëhet fjalë për ekonominë tonë dhe ekonominë e miliona shqiptarëve, qindra, mijëra familjeve shqiptare. Kjo është arsyeja përse po bëj këtë përpjekje të përditshme, për atë që është sot realisht urgjenca. Po e bëj këtë përpjekje pavarësisht përpjekjeve të Edi Ramës për ta fshehur dështimin e tij katastrofik, mosnxjerrjen e mësimeve në këto 6 muaj që kemi kaluar, hedhjen në kosh të plehrave të sakrificave të shqiptarëve që i detyroi të mbylleshin për dy muaj kur infeksionet ishin 1/5 e asaj që janë sot e për ta fshehur këtë pas lojës së vjetër.
22 vjet ka Edi Rama që këtë punë bën; me gërr-vere, me batuta, me sjellje ordineri si ajo e djeshme në atë studio televizive. Se kujton se njerëzit do të merren me këtë në vend që të merren me faktin e tmerrshëm: Çfarë kanë sot për të ngrënë? Si do ta blejnë atë që iu duhet nesër? Ku do t’i gjejnë lekët?
E kuptoni se çfarë laku jemi apo jo?
Papunësi, do të thotë se s’ka të ardhura.
Pamundësi edhe e dyqaneve për të dhënë me listë.
Pamundësi edhe e kushërinjve dhe familjarëve që janë jashtë shteti për të dërguar shuma që dërgonin përpara dhe disa prej tyre nuk dërgojnë asgjë, se edhe ekonomitë atje po vuajnë.
Dhe ky vazhdon t’i çojë lekët e shqiptarëve tek inceneratorët. Ky vazhdon të paguajë kontrata dhe të bëjë studime për aeroporte 3D. Ndërkohë që shtete të fuqishme, shtete të pasura kanë ndalur çdo shpenzim të tillë dhe i kanë çuar lekët tek rritja e konsumit, tek ardhja në ndihmë të njerëzve që kanë humbur vendin e punës. Edhe ata që janë në marrëdhënie pune, edhe ato biznese që vazhdojnë e operojnë, prapë se prapë po mbështeten.
Ne që kemi nevojë më shumë se askush tjetër për të mbështetur konsumin, për të mbështetur biznesin, për të mbështetur njerëz që s’kanë kacidhen për të blerë ushqimin apo ilaçet, kemi një kryeministër që edhe në këtë kohë vazhdon i patrazuar vjedhjen e lekëve të shqiptarëve dhe gënjeshtrat e mashtrimet.
Vetëm pronari inceneratorëve mund të hidhej ashtu nga kolltuku i asaj studio, siç u hodh dje, dhe të vërsulej me atë egërsi ndaj kolegëve tuaj me stërkala që i dilnin nga goja.
Vetëm pronari i vërtetë, vetëm njeriu që fut në xhepin e vet milionat e kësaj afere korruptive mund të tërbohej në atë farë feje.
Unë kam 30 vjet që e ndjek politikën pas shpalljes së pluralizmit, nuk kam parë një çakërdisje të tillë, nuk kam parë.
Dhe për shkak të asaj çakërdisje shumë prej këtyre pyetjeve nuk morën përgjigje të drejtpërdrejtë. Besoj se shqiptarët e kuptuan, e kuptuan se çfarë halli ka njeriu që hidhet ashtu.
Por sot edhe një herë jam këtu, për të kërkuar përgjigje për secilin pyetje që parashtrova para jush. E këtë përgjigje shqiptarëve ua ka borxh, jo ai që është demaskuar mbrëmë si pronari i vërtetë i inceneratorëve, por ia ka borxh Prokuroria Speciale Antikorrupsion. Meqë është produkt i reformës në drejtësi dhe që e kemi mbështetur duke edhe mbi bindjen dhe besimin tonë sa i përket aftësisë apo integritetit paanshmërisë së tyre, e kemi mbështetur. Sot iu kërkoj të dalin para shqiptarëve, të mos heshtë dhe të tregojë çfarë po bën me këtë rast epik, me këtë vjedhje të shekullit në kohë pandemie. Vjedhje në kohë pandemie. Njerëzit pa bukë, ky vazhdon çon milionat. Dy milionë javën e kaluar. E patë llogarinë sesa maska mund të ishin blerë, sesa pensionistë mund të ishin ndihmuar, sesa familje mund të kishin marrë bukën e gojës.
Çfarë vendi është ky që nuk ka një prokuror të dalë dhe të thotë: Ky është një krim kaq i rëndë, saqë unë o e nis hetimin dhe i çoj para përgjegjësisë këta ose jap dorëheqjen!
I kanë të gjitha; kanë mbrojtje speciale, kanë mbështetje speciale nga partnerët strategjikë. Po ju them sot do të kenë mbështetjen time të plotë e të gjithanshme, pa asnjë paragjykim.
Por e kanë për detyrim të dalin para shqiptarëve sot e të thonë kanë nisur hetimet apo nuk kanë nisur hetimet, në çfarë stadi janë hetimet, pse nuk thirren të dyshuarit kryesorë?
Nuk ka nevojë të jesh një jurist që ta kuptosh se kur një qeveri brenda një dite angazhon 9 institucione, merr 14 vendime për t’i dhënë një personi me 1000 euro një kontratë prej 400 milionë euro dhe ky person ka të regjistruar kompanitë në parajsat fiskale dhe vetë Ministria e Financave thotë se nga paratë që ka marrë ka investuar vetëm 12%. Ku janë pjesa tjetër? Ku janë 88% e parave që kanë marrë?
Nuk ka nevojë të jesh jurist, as të kesh stazh si prokuror për të filluar menjëherë hetimin dhe për t’i thirrur një nga një këta.
Afera e inceneratorëve ka zbuluar një grup të strukturuar kriminal, me pjesëmarrës Edi Ramën, Arben Ahmetaj, Erjon Veliaj, Mirel apo Klodian Mërtirin dhe Klodian Zoton, si fillim.
Këto pesë emra i kanë investiguar mediat, i kanë investiguar gazetarët kurajozë, por jo prokuroria.
Ndaj edhe një herë i bëj thirrje SPAK-ut dhe kryeprokurorit të SPAK-ut Arben Kraja të dalë sot përpara shqiptarëve dhe t’i informojë se në çfarë stadi janë hetimet ose nqse ka presione të llojit mafioz, megjithëse ka mbrojtje speciale edhe ai, edhe të gjithë prokurorët, të dalë dhe të denoncojë dhe ne do t’u jemi në krah.
Përndryshe, qartësisht po bën të njëjtën gjë. Po hesht, siç po hesht edhe pronari i inceneratorëve.
Dhe për këtë do të marrë përgjegjësinë që i takon.
Pyetje: Ju z.Basha, ditën e djeshme i bëtë thirrje SPAK-ut që të hetojë aferën e inceneratorëve, ndërsa deklaruat se në lidhje me çështjen e inceneratorëve këto inceneratorë janë projektuar edhe për mbetjet italiane. Çfarë informacionesh keni ju z.Basha?
Lulzim Basha: Informacionet e atyre që kanë analizuar në detaje, ekspertëve tanë, por edhe të gazetarëve, janë se, kapacitetet të cilat janë paguar por nuk ekzistojnë, kapaciteti përpunues i këtyre tre incenerartorëve për të cilët është paguar dhe dy nuk ekzistojnë, i treti është me teknologji të viteve ’70, nuk e merr përsipër ta marrë në dorëzim Bashkia e Elbasanit, sepse ka edhe njerëz që s’e marrin përsipër, siç ju thash, nuk e merr përsipër Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Durrësit.
Ka ndonjë që edhe i trembet drejtësisë dhe shpresoj edhe normave morale, që e bën njeriun, njeri.
Se të bësh këtë aferë kur njerëzit janë duke numëruar kacidhet për bukën e gojës, vetëm njeri nuk je. Para së gjithash! Por po flasim edhe për anën ligjore.
Pra, është kjo e cila ka shtyrë ekspertët të arrijnë në këtë konkluzion. Ose është një punë fiktive, është njësoj sikur të bësh një autostradë me 8 korsi nga Dibra në Kukës, për të vjedhur, se nuk ka nevojë të ketë 8 korsi autostrada Dibër – Kukës, në fakt nuk ka nevojë as për autostradë nga Dibra në Kukës.
Kush e ka bërë atë rrugë që kalon nga “Kalaja e Dodës”? Ka nevojë aty për autostradë me 8 korsi?
Edhe Shqipëria nuk ka nevojë për këto kapacitete për të cilat është paguar, se nuk është ndërtuar.
Pyetja është: Çfarë plehrash do të digjnin këta?
Çfarë makinash do të kalojnë në autostradën me 8 korsi Dibër – Kukës, nqse do të hapej një tender me 8 korsi dhe pyetja shtrohet, çfarë plehrash do të digjnin këta që kushtojnë kaq shumë dhe përgjigjia që ekspertët i kanë dhënë kësaj, është që kjo është pjesë e një afere për të importuar plehra nga jashtë.
Pyetje: Në kohën kur flisni për një kolaps në sistemin shëndetësor , a keni një mesazh për politikanët të cilët ditën e djeshme refuzuan që të bëheshin shembull për qytetarët duke mos e përdorur maskën dhe së dyti, nëse më lejoni, nisur nga një deklaratë e z.Mediu, nga Shkodra ditën e djeshme, kur tha se opozita duhet të përqëndrohet tek alternativa dhe jo tek kalkulimet elektorale, a ka PD gati planin e saj elektoral dhe kur do ta prezantojë?
Lulzim Basha: Një pjesë e programit është shpalosur dhe është bërë pjesë e raportimit nga media. Ju kujtoj këtu taksën 9%, ju kujtoj këtu masat për rrogën minimale prej 300 eurosh ose 360 mijë lekë, ju kujtoj programin tonë për bujqësinë dhe do të vazhdojmë hap pas hapi të shpalosim programin tonë i cili është hartuar prej më shumë se dy vjetësh në një proces ndërveprimi me të gjithë grupet e interesit që me sipërmarrjen, biznesin e vogël, fermerët, sektorin e arsimit, shëndetësinë, kulturën, me rininë dhe me çdo grup tjetër interesi, ndërsa përsa i përket çështjes së parë që shtruar, nuk mund të fshihet qeveria pas gjobave për maskat.
Dhe unë ju ftoj të mos bini pre’ e këtij tjetër truku propagandistik për të hequr dorë nga pyetja e përgjigjeve që shtrohen sot, çfarë masash po merr për të ndihmuar qytetarët?
Çfarë masash po merr për të ndihmuar shëndetësinë?
Kur do të kemi 2500 testime në ditë, si minimumi për t’u përballur me këtë situatë pandemie.
Ku do të kemi ekipe që do të gjurmojnë të infektuarit, të izlolojnë dhe të ndërpresin zinxhirin e infektimit?
Kur do të kemi mjaftueshëm masa mbrojtëse për mjekët dhe infermierët?
Kur do të paguhet bonusi 1 mijë euro për mjekët dhe 500 euro për infermierët?
Kur do të bëhet dezinfektimi i shkollave në mënyrë të rregullt?
Kur do të ketë ujë të rrjedhshëm në të gjitha shkollat?
Çfarë masash do të merren për të mbrojtur mësuesit dhe nxënësit nga infeksioni që ka plasur kudo?
Çfarë masash do të merren për të mbështetur mbi 100 mijë shqiptarë që kanë humbur vendin e punës dhe nuk kanë as një kacidhe për të mbështetur veten e tyre apo fëmijët e tyre?
Çfarë masash do të merren për bizneset që po falimentojnë 50, 60, 70 në ditë?
Çfarë masash do të merren për sipërmarrjen e madhe shqiptare që po detyrohet të largojë njerëz nga puna?
Këto janë pyetjet.
Maskat janë për t’u fshehur pas maskave.
Gjoba për maska, është njësoj si autoblindat në rrugët e Tiranës. Është një alibi dhe heqje përgjegjësie nga vetja ndërkohë që vazhdojnë të vjedhin dhe të kërdisin paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Sa për qëndrimin tim, e keni parë se edhe jashtë kamerës ju kam thënë që edhe para se t’i shpallte alibinë, kam thënë që duhet të marrim masa dhe duhet të japim shembullin personal.
Pyetje: Z.Basha, a do të përshkallëzoni ju reagimin tuaj lidhur me planin pesë pikësh mqse situata është mjaft emergjente dhe kryeministri bën sikur nuk e dëgon, me pak fjalë nuk po e vë në zbatim. Cili do të jetë reagimi juaj, apo do të jeni gjithmonë në vazhdën e konferencave dhe deklaratave për shtyp?
Lulzim Basha: Reagimi ynë është, mbledhja e të dhënave, denoncimi i së keqes, është shpalosja e alternativës, është ndërgjegjësimi sa është e mundur përmes mediave dhe sa është e mundur përmes qytetarëve.
Kjo është detyra e opozitës. Jo çdo opozitë e ka bërë siç e kemi bërë ne. Shumë opozita janë mjaftuar, shumë kanë heshtur, shumë janë mjaftuar me denoncime, jemi e vetmja opozitë në Ballkan dhe ndër të paktat në Europë që prej ditës së parë, që prej 11 Marsit, kemi shpalosur dhe kemi vendosur në dispozicion të qeverisë plan masash për t’u përballur me këtë të keqe.
Jua përsëris, po të na kishin dëgjuar para gjashtë muajsh, nuk do të ishte Shqipëria ku është këtu sot.
Megjithatë, siç e dini fare mirë, nuk e kemi këtë “kalë beteje”, por prapë kemi bërë një tjetër plan, duke qenë se këta as vunë mend, as nxorën mësim, dhe nuk kanë asnjë ide, asnjë plan, asnjë masë për t’u marrë me situatën tani, përveçse me gjoba, gjoba, gjoba…
Dhe ja ku ia kemi vënë në dispozicion, jo sot, as dje, por më shumë se dy javë një plan plotësisht të realizueshëm, të zbatueshëm, që kërkon vetëm një gjë, të hiqet dorë nga vjedhja e parave të shqiptarëve në kohë pandemie, dhe paratë të shkojnë tek shqiptarëve.
Është detyrë e opozitës dhe këtë po e përmbushim me sukses. Të tjerat janë në dorë të qeverisë dhe në fund janë qytetarët ata që gjykojnë, janë qytetarët ata që vendosin.
Pyetje: Prej 29 Shtatorit ju dhe ekspertët tuaj keni prezantuar një plan me 5 pika, në fakt një plan i cili gëzon për shkak të ndihmave që vijnë, mbështetjen e mjekëve, mësuesve, pensionistëve, të shtresave në nevojë, dhe prej asaj dite ju keni kërkuar publikisht, vazhdimisht ndaj qeverisë, që ta vendosë në zbatim. Në kushtet kur qeveria ka refuzuar ta vendosë këtë plan në zbatim dhe ka deklaruar se nuk do të ketë një paketë të tretë, përse është vendosur që në retorikën publike të ndërlidhet edhe çështja e inceneratorëve në kohën kur i jepet një alibi qeverisë që të merret me çështjen e inceneratorëve dhe jo me shkakun real dhe me çështjen emergjente që është tani, çështja e pandemisë. Ndonëse është një çështje që i takon drejtësisë dhe do të duhet që drejtësia të shprehet për të.
Lulzim Basha: Për arsyen e thjeshtë dhe të kuptueshme nga çdo shqiptar. Sepse afera e inceneratorëve, duke përfshirë pagesën e javës së kaluar prej 2 milionë eurosh, tregon përse nuk e zbaton planin me 5 pika.
Të dyja janë të lidhura shumë ngushtë, siç janë të lidhura ngushtë çdo aferë tjetër korruptive. Edhe rruga Korçë – Leskovik, 5 milionë euro kilometri, edhe tenderat me projekte 3D në kohë pandemie, të gjitha tregojnë se shteti i ka mundësitë.
Qeveria i ka paratë, por në vend që t’ia japë 100 mijë të papunëve pagë prej 160 mijë lekësh në muaj, siç e propozojmë ne, ia jep inceneratorëve këto lek.
Në vend që t’i japë pensionistëve 2 mijë lek të reja në muaj, 20 mijë lek të vjetra në muaj, për të përballuar kostot shtesë, ua jep kontraktiorëve dhe klientëve të vetë.
Në vend që të paguajë atë 1 mijë euro për një biznes të vogël që të mos shkojë drejt mbylljes, vazhdon korrupsionin dhe aferat korruptive.
Në vend që të paguajë bonusin e premtuar mjekëve, 1 mijë euro për mjekë dhe 500 euro për infermierë, bën sikur nuk i dëgjon dhe i trajton në mënyrën më shtazarake kërkesat e tyre të drejta.
Në vend që të marrë masa për arsimin siç ia kemi kërkuar që përpara se të hapeshin shkollat, bën sikur nuk e shikon që 70% e shkollave akoma nuk kanë ujë të rrjedhshëm.
Këto i dashur Juxhin janë të lidhura me njëra-tjetrën.
Këtë ka në dorë qeveria.
Merr taksa, bën shpenzime.
Taksat i merr, shpenzimet nuk i bën. Taksat ua merr qytetarëve, shpenzimet i bën për veten e vetë dhe për mafian e plehrave.
Prandaj nuk është një alibi për qeverinë por këto kanë një lidhje organike me njëra-tjetrën. Arsyeja përse Edi Rama refuzon të zbatojë planin me 5 pika, sepse ai vazhdonin planin e vjedhjes së parave të shqiptarëve me mafian e plehrave dhe me 5 oligarkë.
Pyetje: Z. Basha, deklaratat e mbrëmshme të kryeministrit, përveç “meme-ve”, nuk kanë prodhuar asnjë lajm pozitiv për ekonominë dhe për fatin e paketës së propozuar nga PD, në këto kushte, në rast fitoreje në këto zgjedhje, a do të ndërmerrni një iniciativë për impakt të shpejt në ekonomi si akt të parë të qeverisë?
Lulzim Basha: Pa diskutim që po dhe programi ynë, plani ynë ekonomik ka edhe një komponent të fuqishëm të rimëkëmbjes afatmesme nga dëmet e shkaktuara për shkak të keqmenaxhimit të pandemisë nga Edi Rama. Pra nuk janë vetëm masat e përgjithshme të çlirimit të ekonomisë, të uljes së taksave, të shpenzimeve publike që ndihmojnë ekonominë, por ka edhe një komponentë të veçantë të hartuar po kështu me ndihmë dhe ekspertizë gjermane dhe europiane përshtatur për kushtet e Shqipërisë, që do të targetojë në veçanti ato aspekte të rimëkëmbjes ekonomike që kanë të bëjnë me keqmenaxhimin e krizës nga kjo qeveri.
Read More