- Me deklaratën e sotme, Edi Rama ka hedhur në erë marrëveshjen e 5 Qershorit. Ajo ishte emëruesi i përbashkët për të krijuar kushtet minimale për normalitet zgjedhor.
- Marrëveshja plotësonte 1 nga 15 kushtet për hapjen e negociatave me BE. Për pushtetin e tij, Rama është gati të shkatërrojë demokracinë dhe të ndalë rrugëtimin europian të Shqipërisë.
- Diskutimi i sotëm nuk është për listat e hapura, por për koalicionet parazgjedhore. Kryeministri në ikje ka vetëm një frikë dhe tmerr – zgjedhjet me koalicionin opozitar përballë.
- Problemi në Shqipëri nuk është sistemi. Problemi me çdo lloj sistemi në Shqipëri është bashkëpunimi i krimit me politikën dhe, pa zgjidhur këtë problem, çdo lloj sistemi do të dështojë.
- Nëse Edi Rama është për lista të hapura, nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese, sepse ato bëhen në Kod Zgjedhor. OSBE rekomandoi mosndryshimin e sistemit zgjedhor 1 vit para zgjedhjeve.
- Edi Rama kërkoi pazar, por pazarin nuk mori e nuk do të marrë kurrë. Për 1 muaj e gjysëm, ka dërguar ndërmjetësit e tij, pothuaj çdo ditë me të njëjtin mesazh: “Ti kryeministër, unë president, vetëm të heqim koalicionet.”
- PD nuk e ka përjashtuar kurrë diskutimin për sistemin. Jemi të vendosur që një diskutim të tillë ta bëjmë, por jo me ballaopozitën tre javët e fundit të korrikut. Vendimarrja u takon shqiptarëve përmes referendumit.
- Nëse Edi Rama ka vendosur të bëjë ndryshime të tjera në kuadër të Reformës Zgjedhore, është i detyruar, sipas marrëveshjes së 14 Janarit dhe të 5 Qershorit të kthehet në diskutimet e Këshillit Politik.
- Pika 2 e konkluzioneve të marrëveshjes, qartësisht, përjashton mundësinë e ndryshimit të njëanshëm të sistemit zgjedhor. Ai hedh në erë mundësinë e Shqipërisë që të ecë përpara me integrimit europian.
- Kryeministri në ikje nuk e prek dot Kushtetutën me 122 deputetë, nga të cilët gjysma nuk përfaqësojnë askënd, përveçse paratë e Taulant Ballës dhe favoret me të cilat janë blerë dhe shitur.
- Nuk ka cirk që e ndal rotacionin politik.E vetmja gjë në të cilën ne jemi investuar si opozitë me përgjegjësi të madhe kundrejt qytetarëve është që këtë rotacion ta sjellim me sa më pak kosto për vendin.
- Edi Rama t’i thërrasë përgjegjësisë së tij si Kryeministër, si qytetar dhe si prind dhe të lejojë rotacionin e pashmangshëm politik me votën e lirë të shqiptarëve ose të përballet me të gjitha pasojat e një vendimi ndryshe.
- As Shqipëria, as shqiptarët nuk janë dhe nuk do të jenë peng i ankthit, frikës dhe tmerrit të Edi Ramës nga zgjedhjet e ardhshme dhe nga rotacioni i pashmangshëm politik.
KONFERENCA E SHTYPIT E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, ME GAZETARËT.
Dua të përshëndes, në radhë të parë, gjithë qytetarët shqiptarë, që na ndjekin sot përmes medias, natyrisht ju përfaqësuesit e medias, që keni patur sot, pak minuta më parë para syve tuaj njeriun më të tmerruar nga zgjedhjet e ardhshme, që Shqipëria ka njohur në 30 vite pluralizëm.
Tmerri dhe ankthi i Edi Ramës për humbjen e pushtetit me zgjedhje të lira dhe të ndershme ka kohë që manifestohet me gjuhën e tij, me veprimet e tij, por sot ka arritur një majë papërgjegjshmërie që nuk e patur as Ramiz Alia në ditët e tij të fundit. Mesa duket një nga rekordet që Edi Rama do të thyejë, është rekordi i kryeministrit në ikje më të tmerruar dhe frikësuar për lënien e pushtetit.
Në esencë, sot Edi Rama ka prishur marrëveshjen e 5 Qershorit, marrëveshje për të cilën u investuan forcat politike me dakordësinë e 14 Janarit dhe me ndërmjetësimin e SHBA-ve, BE dhe Britanisë së Madhe.
Në këtë marrëveshje qëndrore ishte miratimi me konsensus i reformës zgjedhore, që do t’i hapte rrugë procesit zgjedhor dhe, po kështu, do të plotësonte një kusht për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Ne si opozitë, në këto 7 muaj, kemi bërë gjithçka për arritjen e një marrëveshje për reformën zgjedhore konsensuale. Natyrisht, kjo nuk ishte marrëveshja që ne dëshironim, por ishte minimumi i mundshëm në kushtet e panikut, frikës dhe motiveve që e shtynë Edi Ramën të diktonte në tavolinën e negociatave absurditete, të tilla si depolitizimi i komisioneve, me kusht që komisionet të përbëheshin nga administrata publike. Që në atë moment, për këdo që e ndjek politikën, ishte e qartë që kishim të bënim me një njeri në panik, ankthi i të cilit dhe jo interesat as të PS, as interesat e socialistëve të thjeshtë, jo më të shqiptarëve, që diktonin sjelljen e negociatorëve në tavolinë.
Në gënjeshtrat e shumta që ka këputur sot, kjo është një nga gënjeshtrat fanar. Sepse, të paktën, për ju gazetarët që e keni ndjekur zhvillimin, por edhe për qytetarët shqiptarë që e ndjekin politikën për aq sa e ndjekin, të lodhur nga keqqeverisja, nga kriza ekonomike, nga dështimi spektakolar me pandeminë, është e qartë si drita e diellit, Edi Rama nuk donte depolitizim. Donte të nxirrte komisionerët e opozitës jashtë dhe t’i zëvendësonte ata me bedelët apo me njerëzit e shantazhuar dhe të kontrolluar, siç kemi dëgjuar të gjithë nga përgjimet e “Bild”-it, ku drejtorë të administratës merrnin urdhra të drejtpërdrejtë nga Pjerin Ndreu me shokë, nga Ymer Lala me shokë, çështje dhe dosje hetimore, të cilat njihen edhe në Parlamentin Europian.
Ju e dëgjuat para dy javësh se si Parlamenti Europian kërkoi edhe një herë plotësimin e një tjetër kushti që ka të bëjë me hetimin dhe vënien para përgjegjësisë penale të njerëzve që, për llogari të pushtetit të Edi Ramës, vodhën zgjedhjet e vitit 2017, vitit 2016, kërcënuan zgjedhësit, blenë vota dhe keqpërdorën administratën publike. Atë administratë publike, të cilën Edi Rama kërkonte ta vinte si rojtare të zgjedhjeve. Pra, donte të institucionalizonte dosjen “339” dhe dosjen “184”. Donte që të njëjtën praktikë që sot duhej të ishte nën hetim dhe duhej të ishte çuar para drejtësisë, bashkëpunëtorët më të ngushtë të Edi Ramës, qofshin këta politikanë apo kriminelë, donin ta kthenin në standard për menaxhimin zgjedhor.
Pa diskutim, na u desh pak kohë për ta treguar këtë të vërtetë, por në momentin që e vërteta doli para syve të partnerëve tanë ndërkombëtarë, qëndrimi ishte i qartë. Sa kohë që administrata publike është ose thellësisht e politizuar, ose e nënshtruar, e kërcënuar, e dhunuar nga një pushtet i ardhur jo me votë, por me banda, asaj nuk mund t’i besohet administrimi zgjedhor, ndaj dhe ne propozuam që “patjetër t’i depolizitojmë komisionet, por jo me administratën publike, e cila, në çdo raport të BE, në çdo raport të DASH, të KiE, të “Venecias” dhe të rojtarit të zgjedhjeve, të OSBE/ODIHR-it, është rekomandimi i parë që “presioni ndaj administratës zgjedhore të jetë një çështje që duhet të zgjidhet, sepse administrata zgjedhore është nën presion”.
Në momentin që e kuptoi që nuk fuste dot drejtorët militantë apo njerëzit që mund t’i shantazhonte në vend të komisionerëve të opozitës, pra, në momentin që nuk kontrollonte dot as komisionet zgjedhore, ishte vetë zotëria e tij (Rama) që u tërhoq nga depolizitimi, sepse nuk donte depolitizim.
Njeriu që kontrollon sot qeverinë, gjysëmparlamentin, të gjitha bashkitë e vendit me përjashtim të kryebashkiakes së Shkodrës, Policinë e Shtetit, grupet kriminale, drogën, oligarkët, ekonominë, tenderat, PPP-të, koncesionet, kontrollon gjithçka në këtë vend, është kaq i tmerruar nga zgjedhjet, kaq i obsesuar me mbajtjen me çdo kusht dhe kundër vullnetit të shqiptarëve të pushtetit, kaq i vendosur të bëjë gjithçka për të ndalur të pandalshmen, rotacionin politik në vend, saqë donte të hiqte edhe komisionerët e opozitës.
Frika dhe ankthi i Edi Ramës nga zgjedhjet e ardhshme është motivi i gjithçkaje që ka ndodhur në javët dhe muajt e fundit në Shqipëri.
Diskutimi i sotëm nuk është për listat e hapura. Diskutimi i sotëm është për koalicionet parazgjedhore, të cilat prej fillimit të demokracisë kanë qenë përherë një realitet i pluralizmit politik, i sanksionuar në Kushtetutë, i sanksionuar në Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut – e drejta për t’u bashkuar dhe bashkëpunuar në konkurimin politik. Ky është halli i vërtetë i Edi Ramës.
Pra, sot ranë edhe dorezat, edhe maskat.
Ranë dorezat, sepse shqiptarët besoj e kanë të qartë se ka një dhe vetëm një shqetësim Edi Rama, ka vetëm një frikë dhe tmerr – koalicionin opozitar dhe zgjedhjet me koalicionin opozitar përballë. Ndërsa maskat ranë, sepse, deri tani, kishte vënë alibi për këtë kërkesë, një grup njerëzish që nuk përfaqësojnë asnjë parti politike të opozitës, njerëz që në këtë sallë nënshkruan heqjen e mandateve dhe që, më pas, u blenë si gjë e gjallë me para të thata në dorë, me leje ndërtimi me premtime për t’u nxjerrë njerëz nga burgu dhe lloj-lloj dallavaresh të tjera.
Nga ky moment, ata nuk përfaqësonin më asnjë forcë politike dhe, në shumë raste, as familjarët e tyre, por ishin mall i blerë nga Edi Rama. Mall i blerë nga Edi Rama ose, siç i quajnë rëndom edhe vetë parlamentarët socialistë në kafenë e Parlamentit, ballaopozita, në tërësinë e saj, se ka edhe përjashtime, u përdor si mish për top dhe doli kundër interesave elementare që mund të ketë një individ, një i pavarur, një parti e vogël. Ishin këta që propozuan heqjen e koalicioneve, kur, në fakt janë ata më të interesuarit për koalicionet. Ishin këta që propozuan rritjen e pragut, kur dihet fare mirë se pragu sa më i ulët favorizon partitë e vogla.
Pra, nuk ka njeri, nuk ka budalla ta besojë se Edi Rama do listat e hapura. Edi Rama është i tmerruar nga listat e hapura. Dhe në fakt, kur ne shtruam diskutimin për listat e hapura, akoma në kohë, apo për sistemin maxhoritar që e lidh drejtpërdrejtë votuesin me deputetin, nuk patëm absolutisht asnjë përgjigje. Në fakt, vetë Edi Rama dhe sejmenët e tij dolën haptazi kundër listave të hapura.
Natyrisht, problemi në Shqipëri nuk është sistemi. Siç e thotë legjenda e famshme e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu “Nuk është shpata, por është krahu”. Problemi me çdo lloj sistemi në Shqipëri është bashkëpunimi i krimit me politikën dhe, pa zgjidhur këtë problem, çdo lloj sistemi do të dështojë.
Më lejoni t’ju jap një shembull: Nëse në listën e Tiranës i 36-të i një partie, i cili, praktikisht, nuk ka asnjë shans të zgjidhet, papritur merr mbështetjen e bandave kriminale, e oligarkëve, padiskutim që mund të zgjidhet. Por në atë moment nuk është më deputet i popullit, nuk është më as i partisë që e caktoi, është deputet i krimit, është deputet i oligarkëve dhe do ta ngrejë dorën atje për të bërë atë që ka bërë ky parlament sot, për të falur taksat tuaja oligarkëve, për të falur pronat tuaj oligarkëve, për të administuar paratë e pista të krimit, për të rritur taksat, faturat, për të bërë paratë tuaja rrush e kumbulla.
Pra, një sistem me lista të hapura apo çfarëdolloj sistemi tjetër sa kohë që në Shqipëri nuk shkëputet lidhja midis politikës dhe krimit nuk përbën garanci për përfaqësimin e qytetarëve shqiptarë, por përbën një garanci për ata që kanë mjaftueshëm para dhe muskuj kriminalë për të vendosur jo më të mirët, por më të nënshtruarit në parlament, jo njerëzit që do të qëndrojnë dhe do të mbrojnë interesin e shqiptarëve, interesin e qytetarëve, interesin e taksapaguesve, të nënave, të fëmijëve, të shtresës së mesme, të papunëve, të fermerëve, por interesat e një grushti njerëzish që kanë marrë peng, tash sa vjet, Edi Ramën dhe qeverisjen e tij. Një përzierje fatale kriminelësh dhe oligarkësh.
Nëse Edi Rama do të kishte interes për të diskutuar për listat e hapura, nuk do ta linte atë për një pazar fund korriku, të cilin OSBE e ka hedhur poshtë dy ditë më parë, si në kundërshtim flagrant me praktikat e zgjedhjeve të lira e të ndershme, duke cituar kështu jo vetëm qëndrimet e saj të përsëritura për Shqipërinë dhe vendet e tjera, por edhe qëndrimet e Komisionit të Venecias, Këshillit të Europës dhe çdo institucioni tjetër, i cili rekomandon se nuk mund të ketë ndryshime të sistemit zgjedhor një vit para zgjedhjeve.
Shqipëria nuk mund të jetë peng i tmerrit dhe frikës së Edi Ramës. Marrëveshja e 5 qershorit, që ka bekimin e faktorit ndërkombëtar është e qartë: Nuk ka konsensus për ndryshimin e sistemit, jo sepse nuk deshëm ne, por se në këtë marrëveshje Edi Rama u fut me një dhe vetëm një qëllim: të kapte komisionet zgjedhore, në të cilin dështoi me turp.
Vetëm një budalla mund të besojë atë që tha sot Edi Rama që “aspektet e reformës zgjedhore, që kanë të bëjnë Kodin Zgjedhor, kanë nevojë për konsensus me opozitën, ndërsa këto të tjerat që kanë nevojë për ndërhyrje në Kushtetutë, nuk paskan nevojë për konsensus me opozitën! “Për Kodin Zgjedhor duhet konsensus, për Kushtetutën nuk duhet konsensus” – këtë tha me pak fjalë. A ka budalla në Shqipëri që e beson këtë?!
Nëse Edi Rama është për lista të hapura, nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese, sepse bëhen ndryshime në Kod Zgjedhor. E vetmja arsye përse Edi Rama kërkon ndryshime Kushtetuese është të heqë koalicionet parazgjedhore. Motivi i kësaj është tmerri i një frikacaku nga zgjedhjet e lira e të ndershme.
Sot është dita të përsëris diçka që e kam thënë në një emision. Për një muaj e gjysëm, Edi Rama ka dërguar ndërmjetësit e tij, pothuaj çdo ditë me të njëjtin mesazh: “Ti kryeministër, unë president, vetëm të heqim koalicionet.” Edi Ramës nuk i bëhet vonë për njerëzit. Për këtë, besoj, nuk ka nevojë të zgjatem, se është në fund, në ikje dhe bëmat e gjëmat e tij, i njeh çdokush. Edi Rama merakoset vetëm për pushtetin e tij. “Heqim koalicionet dhe ti kryeministër, unë president”. Kështu e shikon Edi Rama politikën, si një pazar të ndyrë, si një lojë me porta të vogla për të vjedhur e zhvatur Shqipërinë, siç ka bërë këto 7 vite e gjysëm.
Kryeministri në ikje nuk e prek dot Kushtetutën me 122 deputetë, nga të cilët gjysma nuk përfaqësojnë askënd, përveçse paratë e Taulant Ballës dhe favoret me të cilat janë blerë dhe shitur. Çdo hap në këtë drejtim është fund i Marrëveshjes së 5 Qershorit, është dhunim flagrant i konsensusit të arritur për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Ndaj dua t’ju them sot fare qartë, Partia Demokratike kurrë nuk e ka përjashtuar diskutimin për sistemin. Unë personalisht e kam bërë publike prej vitesh preferencën time për një maxhoritar të pastër, për një parlament me dy dhoma me të njëjtin numër deputetësh, në mënyrë që shqiptarët të mos paguajnë më shumë, por me dy valvula kontrolli që asnjë kryeministër, nesër, të mos i ngjajë as në hije Edi Ramës, kryeministrit më të babëzitur në 29 vite pluralizëm, që kontrollon të gjitha pushtetet dhe i përdor ato vetëm dhe vetëm për pasurimin e tij dhe një grushti njerëzish në kurriz të gjithë shqiptarëve.
Ndaj, jemi të vendosur që diskutim të tillë ta bëjmë por jo me ballaopozitën tre javët e fundit të korrikut, me të gjithë shqiptarët në mënyrë transparente. Vendimmarrja siç e kam thënë e përsëris dhe e konfirmoj, u takon të gjithë shqiptarëve përmes një referendumi popullor.
Shqiptarët le të vendosin me votën e tyre, nëse duan një maxhoritar të pastër me një apo dy dhoma, nëse duan një kombëtar proporcional, nëse duan sistemin aktual me lista të hapura apo me lista të mbyllura. Ky vendim u takon shqiptarëve dhe jo një njeriu të tmerruar nga rezultati që e pret në zgjedhjet e ardhshme.
Për fat të keq, qëndrimi i sotëm tregon edhe diçka tjetër. Ndërkohë që Edi Rama ulej dhe thoshte gënjeshtrat e radhës para shqiptarëve, Komisioneri për Zgjerimin u bë zëri i katërt në harkun kohor të tre ditëve që paralajmëroi kundër ndryshimeve të njëanshme dhe kërkoi respektimin e Marrëveshjes së 5 Qershorit.
Ky ndryshim i njëanshëm, padyshim e zhvlerëson marrëveshjen e 5 qershorit, por jo vetëm kaq. Rrezikon edhe atë minimum normaliteti për një proces elektoral dhe padiskutim hedh në erë mundësinë e Shqipërisë që të ecë përpara në procesin e integrimit europian.
Ju e dëgjuat edhe dje kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila në Parlamentin Europian deklaroi se për Maqedoninë e Veriut është vendosur hapja e negociatave, ndoshta edhe për Shqipërinë, sigurisht në varësi të përmbushjes së 15 kushteve.
Për vite me radhë, Edi Rama ka përdorur një truk psikologjik, të cilin shkencëtarët e quajnë “Shifting the discussion”- ”të ndërrosh temën”. Aty ku i djeg nuk flet, por flet për diçka tjetër. Nuk ka thënë asnjë fjalë për manipulimin zgjedhor të 2016-2017, as nuk është distancuar dhe nuk ka kërkuar ndëshkimin e atyre që u kapën në flagrancë duke vjedhur vota, duke kërcënuar administratën publike dhe votuesit, duke keqpërdorur administratën shtetërore dhe burimet e shtetit, përkundrazi i ka promovuar dhe vazhdon t’u shërbejë atyre, sepse duke u shërbyer atyre i shërben vetes së tij, por jo shqiptarëve dhe as të ardhmes sonë europiane.
Gjëja e parë që kërkoj nga çdo qytetar, që është aksioner i kësaj Republike, aksioner i kësaj demokracie dhe, në veçanti, nga media në rolin e saj të veçantë informues dhe opinionbërës, është të refuzoni me përbuzje këtë lojë që ju trajton ju si fëmijë çerdhesh. Ju tregon një rraketake dhe ju fsheh gjëmën.
Rraketakja është premtimi për lista të hapura, gjëma është përpjekja e Edi Ramës për të qetësuar tmerrin nga zgjedhjet e ardhshme, duke prishur sistemin aktual zgjedhor.
Nëse Edi Rama ka vendosur të bëjë ndryshime të tjera në kuadër të Reformës Zgjedhore, është i detyruar, sipas marrëveshjes së 14 Janarit dhe të 5 Qershorit të kthehet në diskutimet e Këshillit Politik.
Nëse ka ndryshuar mendje për sistemin zgjedhor, atëherë kur refuzonte qoftë listat e hapura apo të tjera propozime të ardhura nga opozita, partitë e opozitës, shoqëria civile, atëherë e ka për detyrë t’i thërrasë të gjithë bashkë, të lejojë një diskutim të hapur popullor dhe në fund një vendimmarrje me Referendum.
Por ai e ka lënë me qëllim këtë, në “zeitnot” siç thonë gjermanët, (në minutën e fundit), pikërisht për të parandaluar një vendimmarrje që do t’i shërbejë të gjithë shqiptarëve dhe për të mundësuar një vendimmarrje që i shërben thjesht dhe vetëm qetësimit të frikës së tij për zgjedhjet që do të vijnë.
Nuk ka cirk që e ndal rotacionin politik.
E vetmja gjë në të cilën ne jemi investuar si opozitë me përgjegjësi të madhe karshi qytetarëve është që ta sjellim këtë rotacion me sa më pak kosto për vendin.
Ndaj, dua t’i them sot çdo qytetari që unë, personalisht, Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar, në emër të së cilës flas sot përpara jush, jemi të vendosur dhe të përkushtuar që të bëjmë gjithçka për miratimin dhe zbatimin e marrëveshjes së 5 qershorit, ku pika 2 e konkluzioneve të marrëveshjes, qartësisht përjashton mundësinë e ndryshimit unilateral, të njëanshëm, të sistemit zgjedhor.
Nëse Edi Rama është për lista të hapura, nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese, sepse bëhen ndryshime në Kod Zgjedhor. E vetmja arsye përse Edi Rama kërkon ndryshime Kushtetuese është të heqë koalicionet parazgjedhore. Motivi i kësaj është tmerri i një frikacaku nga zgjedhjet e lira e të ndershme.
Sot, me thirrjet e Komisionerit për Zgjerimin Oliver Varheley, dje me mesazhe të qarta të përfaqësues së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, para disa ditësh me mesazhet e ardhura nga Parlamenti Europian dhe, së fundmi, dhe jo më pak e rëndësishme, me rekomandimin e qartë të OSBE/ODHIR kundër çdo ndryshimi një vit para zgjedhjeve, është e qartë se e vetmja mënyrë për të ecur përpara është dhënia fund e kësaj maskarade, që ka 1 dhe vetëm 1 qëllim – të qetësojë tmerrin dhe frikën e Edi Ramës nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Ndaj, sa nuk është vonë i bëj thirrje të marrë të gjitha masat e nevojshme, të çfarëdo natyre për t’u qetësuar dhe pranuar realitetin e pashmangshëm.
Askush nuk është i përjetshëm në pushtet.
Askush nuk e ndal dot rotacionin.
Edi Rama ka vetëm diçka në dorë, të paktën në këtë fazë të fundit të qeverisjes, t’i thërrasë përgjegjësisë së tij si Kryeministër, si qytetar dhe si prind dhe të lejojë rotacionin e pashmangshëm politik me votën e lirë të shqiptarëve ose të përballet me të gjitha pasojat e një vendimi ndryshe.
Por e sigurt është që as Shqipëria, as shqiptarët nuk janë dhe nuk do të jenë peng i ankthit, frikës dhe tmerrit të Edi Ramës nga zgjedhjet e ardhshme dhe nga rotacioni i pashmangshëm politik.
Jam i hapur për pyetjet tuaja.
Pyetje: Zoti Basha, ju sapo deklaruat se nëse Edi Rama nuk miraton ndryshimet kushtetuese, atëherë kjo do të thotë që zhbëhet edhe marrëveshja e 5 qershorit. Por ju nuk na thatë se cili do të jetë pastaj qëndrimi i Partisë Demokratike. A do të hyni në zgjedhje me nje Kod Elektoral me ndryshime kushtetuese, të cilat ju nuk i pranoni dhe nuk i njihni?
Lulzim Basha: Sot jam këtu, para jush, për t`i bërë të qartë gjithë shqiptarëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë se ne jemi e do të jemi bashkë me ta, në një përpjekje për të shmangur këtë marrëzi, që synon të fundosë vendin, të shkatërrojë vendin, demokracinë dhe të ndalë integrimin europian të vendit. Sot jam këtu për t`ju thënë që interesi i një njeriu për pushtet dhe frika e tij nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme nuk mund dhe nuk do ta mbajë peng as Shqipërinë, as shqiptarët, as integrimin europian të vendit.
Pyetje: Zoti Basha ju përmëndët pak më herët një ndërmjetësim për 1 muaj e gjysëm nga ana e kryeministrit, siç u shprehët, që ju kërkonte ai në pozicionin e presidentit, ju në të kryeministrit dhe të hiqeshin koalicionet. Kur ka ndodhur ky ndërmjetësim zoti Basha? Flasim tani apo në 2017?
Lulzim Basha: Bëhet fjalë për tani, për periudhën Mars- Prill-Maj.
Pyetje: Cila ka qënë përgjigja juaj zoti Basha?
Lulzim Basha: Besoj e deduktoni në mënyrë të qartë dhe nga ky qëndrimi i imi, sepse, po të kishte patur një përgjigje tjetër, sot nuk do të kishit një njeri të tmerruar nga zgjedhjet e ardhshme dhe nuk do të shikonit këtë përpjekje antikushtetuese për t’i imponuar shqiptarëve vullnetin e një njeriu që, për pushtetin e tij, është gati të shkatërrojë demokracinë dhe të ndalë rrugëtimin europian të Shqipërisë.
Pyetje: Zoti Basha, ju thatë pak më herët se çfarë po ndodh me Kuvendin e Shqipërisë, po realizohet me njerëz që nuk kanë firmosur për lënien e mandateve edhe më pas janë blerë nga PS për të dhënë votat e saj pro. Gjatë ditës së djeshme besoj, ju i keni ndjekur zhvillimet, ku njerëz të dalë nga listat tuaja, janë shprehur të gatshëm për të krijuar edhe grupet parlamentare, edhe sot zoti Rama tha se do të ishte më e lehtë të komunikonte edhe të negocionte me ta, pra me njerëz që mund të pranojnë këto grupe nga PD edhe LSI. Unë kam një pyetje, a jeni ju në vazhdim në një komunikim me deputetët që kanë nga listat tuaja që janë shprehur pro idesë për të ndryshuar Kodin Zgjedhor?
Lulzim Basha: Asnjë nga personat që zunë vendet e opozitës politike nuk përfaqëson asnjë nga partitë politike të koalicionit opozitar, por unë vlerësoj qëndrimet e atyre, të shprehura dje, por edhe tjera të pashprehura publikisht, për shkak të kërcënimeve apo joshjeve, si një shërbim ndaj interesit publik dhe si zbërthim të qartë të çmëndurisë së Edi Ramës për të vendosur interesin e tj personal pushtetin dhe pasurinë e tij mbi fatin e gjithë shqiptarëve.
Pyetje: Zoti Basha, nëse ju do të ishit në parlament, Partia Demokratike dhe LSI- ja, kryeministri nuk do t’i kishte 94 vota. A mendoni se bëtë gabim, kur i dogjët mandatet?
Lulzim Basha: Kjo është një pyetje, së cilës i kam dhënë përgjigje me dhjetëra herë dhe nuk kam asgjë tjetër për të shtuar për atë që ju kam thënë.
Pyetje: Zoti Basha, por në rast se Kryeministri, së bashku me deputetët që kanë zënë vendet e PD-së dhe LSI, i miraton ndryshimet kushtetuese, çfarë bën Partia Demokratike dhe opozita?
Lulzim Basha: Është përgjigja që i dhashë koleges tuaj Elda fjalë për fjalë.
Gazetari: Që do të thotë? Bojkot zgjedhjesh, protesta, aksion, shkon në Gjykatë Kushtetuese?
Lulzim Basha: Arsyeja pse jam sot para jush është për ta bërë të qartë se qytetarët shqiptarë, faktori ndërkombëtar, që është i investuar ne kredibilitetin e tij në marrëveshjen e 5 Qershorit, do të kenë mbështetjen totale të Opozitës së Bashkuar, të Partisë Demokratike dhe timen personale në mbrojtjen e dakordësisë së 5 qershorit, që garanton një minimum normaliteti për zgjedhjet e ardhshme dhe që, së bashku me ta, do të marrim vendimet e duhura.
Pyetje: Po në rast se Kryeministri e miraton marrëveshjen e 5 Qershorit në 23 Korrik? Në 30 Korrik ndryshimet kushtetuese?
Lulzim Basha: Edhe njëherë ju thashë, jemi para një akti të një njeriu që ka vendosur interesin e tij personal mbi interesat e Partisë Socialiste, kjo është shkatërrimtare për Partinë Socialiste. Sa herë që individë me pushtet brenda partive politike kanë marrë vendime të tilla, që kanë shkuar kundër interesave të vendit, kundër interesave të demokracisë, kundër interesave të europiane apo euroAtlantike të Shqipërisë janë përballur me pasoja të dhimbshme për vendin dhe me pasoja shumë të rënda për vendimmarrësit.
Pyetje: Cilat janë këto pasoja të dhimbshme?
Lulzim Basha: Sot jam këtu për t’u bërë thirrje njerëzve me gjykim të ftohtë në Partinë Socialiste, që e di që janë të tmerruar nga kjo fazë e fundit e degjenerimit mendor dhe politik të kreut aktual të Partisë Socialiste, sikundër çdokujt tjetër, që të vendosë interest e Shqipërisë, interesat e njerëzve mbi interesin e një njeriu të vetëm.
Pyetje: Zoti Basha, ju thatë pak më herët se kryeministri Rama është i tmerruar nga ideja e të dalit në zgjedhje para opozitës së bashkuar, po opozita e bashkuar është e tmerruar nga ideja të shkojë në zgjedhje me lista të hapura dhe pa koalicione parazgjedhore? Dhe në rast se kryeministri i shkon deri në fund kësaj ideje, pra, shkon me lista të hapura dhe pa koalicione, a keni një plan B bashkëpunimi me forcat opozitare?
Lulzim Basha: Po i ikni çështjes kryesore për sot, se këto janë çështje që mund t’i diskutojmë edhe nesër edhe pasnesër. Çështja kryesore sot është: Edi Rama me deklaratën e sotme ka hedhur në erë marrëveshjen e 5 Qershorit. Marrëveshje e 5 Qershorit nuk është një copë letre, është një investim i forcave politike dhe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, dhe një vendi që para pak kohësh ishte anëtar, Britanisë së Madhe, i aleatëve dhe partnerëve kryesorë të Shqipërisë. Marrëveshja e 5 Qershorit ishte emëruesi i përbashkët për të krijuar kushtet minimale për normalitet zgjedhor. Prishja e kësaj marrëveshje me deklaratën e sotme të Edi Ramës dhe kërkesa e paprecedentë për të ndryshuar Kushtetutën për të hequr koalicionet – se për të hapur listat s’ka nevojë të ndryshojë Kushtetutën – është një akt që tregon fund e krye, vetëm tmerrin e një njeriu. Ndaj pyetja sot është, nëse një njeri i vetëm, egoja e tij për pushtet dhe tmerri i tij nga zgjedhjet do të jetë më i fortë se sa nevoja akute për rotacion, për ndryshim dhe domosdoshmëria për të hapur rrugën europiane të Shqipërisë.
Pyetje: Nuk e mendoni më bojkotin e zgjedhjeve, në rast se Edi Rama shkon deri në fund të kësaj ideje?
Lulzim Basha: Sot jam përgjigjur 4 herë të të njëjtës pyetje, por do t’i përgjigjem edhe herën e 5-të, edhe herën e 10-të, sa herë të ma bëni. Përgjigja ime drejtpërdrejt është kjo: me aktin e sotëm, Edi Rama ka hedhur në erë Marrëveshjen e 5 Qershorit, thirrja ime është të reflektojë, përndryshe ai do të jetë përgjegjësi i vetëm, siç është i interesuari i vetëm, për këtë akt të paprecedentë.
Pyetje: Në politikë ka marrëveshje, ka dhe pazare. Ju folët për një tentativë për pazar. Ju kryeministër, zoti Rama president. Ajo ç’farë e bën interesante, cili do të ishte pozicioni aktual i presidentit Meta? Në situata të tilla, gjithmonë kanë ndërhyrë ndërkombëtarët. Cila do të ishte oferta e ndërkombëtarëve në këtë rast, që Partia Demokratike është e gatshme ta pranojë?
Lulzim Basha: E para e punës, unë nuk flas për ofertat apo propozimet e faktorit ndërkombëtar, sepse jam në komunikim të vazhdueshëm me ta dhe mund të them sot që janë thellësisht të shqetësuar për këtë zhvillim të papritur dhe të papërgjegjshëm të njeriut, që është akoma dhe për pak kohë kryeministër i vendit. Ndërsa sa i përket çështjes së pazarit, është një pyetje hipotetike, se pazar kërkoi, por pazar nuk mori e nuk do të marrë kurrë.
Pyetje: Lulzim Basha si kryeministër, në ditën e parë që do të vijë në qeveri, a do ta mbajë premtimin që do të çojë para drejtësisë Edi Ramën, Erion Veliajn dhe çdo funksionar, që ka abuzuar me paratë e shqiptarëve?
Lulzim Basha: Në menyrën më absolute, lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm një çështje që ka të bëjë me paudhësitë, padrejtësitë, zhvatjen dhe vjedhjen e këtyre shtatë viteve, por është standarti që ne duhet të vendosim. Rotacioni që po vjen nuk do të ketë kuptim, nëse do të vazhdojë pandëshkueshmeria dhe jam absolutisht i vendosur të bëj gjithçka nesër, dhe bashkë me ekipin tim kemi krijuar dhe instrumentat ligjore, qe t’i japim fund kulturës së pandëshkueshmërisë. Natyrisht, një pjesë kryesore e detyrës i takon sistemit të drejtësisë dhe për këtë arsye, Partia Demokratike është e vendosur të ndërmarrë të gjitha hapat për ta nxjerrë reformën në drejtësi nga amullia, ku e ka futur kapja e Edi Ramës dhe për të realizuar atë për të cilën keni votuar në 22 korrik 2016 një reformë në drejtësi që garanton gjyqtarë dhe prokurorë që nuk mbrojnë, por ndëshkojnë korrupsionin dhe që japin drejtësi për qytetarët shqiptarë në të gjitha çështjet që u takojnë atyre, nga prona tek të drejtat e tjera.
Ju uroj një pasdite sa më të qetë!
Read More