Blog

27 Maj
0

TAKIMI I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE LULZIM BASHA ME FERMERËT NË TREGUN AGRO-USHQIMOR NË RROGOZHINË

 

 

  • “Nuk morëm asnjë ndihmë”, Fermerët e revoltuar në tregun e Rrogozhinës takohen me Bashën: Jetojmë me borxhe dhe lista.

 

  • Basha: Shqipëria po punon për 5 oligarkë. Shpëtimi i vetëm është largimi me votë i qeverisë së varfërisë.

 

 

TAKIMI I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE LULZIM BASHA ME FERMERËT NË TREGUN AGRO-USHQIMOR NË RROGOZHINË

 

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua sot me fermerë në tregun agroushqimor të Rrogozhinës, ku dëgjoi prej tyre situatën shumë të rëndë të ekonomisë familjare në fshat. Të gjithë fermerët pohuan se nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga qeveria, megjithëse pandemia i goditi rëndë.

 

“Ilaçet i kam marrë me listë te farmacia. Edhe bukën e kam marrë me borxh, me listë se me 80 mijë lek pension kooperative unë s’e kaloj dot. Turp është ta themi në çfarë situate jemi.”- i tha kryetarit Basha një pensioniste që shiste disa prodhime të bahçes. Por kreu i opozitës ka një mendim tjetër se në anën e kujt qëndron turpi.

 

“E vërteta nuk është turp. Turp është për atë që lekët e taksave tuaja ua çon oligarkëve e nuk ua jep ju. Kur vjen dita që t’ju ndihmojë, shteti i merr lekët dhe ia çon oligarkëve, jep tendera e koncesione. Ka lënë gjithë popullin në mjerim.”- theksoi Basha në bashkëbisedimin me qindra fermerë të revoltuar nga braktisja e qeverisë.

 

“Asgjë nuk më kanë dhënë. Ushqimi ka shkuar nëpër vila, te kush ka vila. Ndihmat që kanë shpërndarë kanë shkuar në vila. Tallen me ne. Ku shkojnë këto taksat tona? Unë i përgjigjem shtetit me dritë, me ujë, por asnjë lloj ndihme, asnjë lloj ushqimi.”- tha nëna e dy fëmijëve.

 

“Shitjet në treg kanë rënë gjysmë për gjysmë. Është krizë e thellë, e hedhim prodhimin që nuk shitet. Asnjë ndihmë nuk kemi marrë”- u shpreh një tregtar gjatë bashkëbisedimit me zotin Basha, i cili tha se ka ardhur koha  për t’u bashkuar e për t’i dhënë fund praktikës së kësaj qeverie që Shqipëria të punojë për 5 oligarkë, duke i bërë gjithë të tjerët skllevër të tyre.

 

Më poshtë është komunikimi i plotë i Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, pas takimit me fermerët në tregun agroushqimor në Rrogozhinë

 

Përshëndetje të dashur miq!

 

Jam në tregun e Rrogozhinës në këtë lidhje të drejtpërdrejtë. Siç e shikoni, gjendja e fermerëve dhe gjithë atyre që shesin prodhimet e tyre, prodhimet e bahçes, prodhimet e serës është po aq, edhe më e keqe se gjendja e bizneseve që kemi vizituar këto ditë në Tiranë, Durrës. Konsumi ka rënë zero. Rrinë këtu me orë të tëra për 10, 15, 20 mijë lekë xhiro në javë dhe jo në ditë. Askush nuk ka parë asnjë ndihmë me sy, as ndihmë financiare, as ndihmë ushqimore, gjendja e fermerëve është e rënduar. Propaganda me regji qendrore tregon një pamje të gënjeshtërt, totalisht pa lidhje me realitetin.

 

Ky është realiteti, përpara kam kilometër, ndoshta kilometër e gjysëm me tezga të banorëve të zonës, të fermerëve të zonës, të cilët kanë ekspozuar prodhimet e tyre, gjysmën e tyre do ta groposin sot, sepse nuk shitet. Kjo është një gjendje katastrofale. Bujqësia shqiptare ka shtatë vjet në krizë të thellë, por këtë vit me mungesën totale të subvencioneve, me mungesën totale të çdo lloj interesimi dhe paketë mbështetje situata ka kaluar atë që mund të përshkruhet si kritike.

 

Ndaj bredhjet me regji qendrore dhe propaganda e pështirë e qeverisë dhe Edi Ramës nuk mund ta fshehë përgjegjësinë e tij, dështimin e tij kriminal, sepse ato miliona të cilat ia ka hedhur 4-5 oligarkëve të taksave të shqiptarëve do të mjaftonin që edhe fermeri shqiptar, njësoj si fermeri i Kosovës, si fermeri i Maqedonisë së Veriut të paktën të mbante kokën mbi ujë në këto kohë të vështira. Por jo, e keqja po vazhdon të thellohet.

 

Vetëm tek Teatri Kombëtar duan të harxhojnë 30  milionë euro taksave tuaja me të cilat mund të kishim mbyllur komplet kanalizimet e fshatrave të Shqipërisë, mund të kishim mbyllur komplet kanalizimet e autostradës Tiranë-Durrës ku janë edhe taksapaguesit më të mëdhenjtë, janë bizneset më të mëdha të cilët janë edhe  kontribuuesit më të mëdhenj të cilët qelben nga mungesa e infrastrukturës; mund të ndihmonin mijëra familje në shtrëngesë të madhe në këto kohë të Covid-it të cilat i kanë zhvatur edhe nga qindarkat e fundit. Dhe në vend të tyre e kanë mendjen vetëm të zhvasin dhe të grabisin. Ky është e keqja e Shqipërisë është e keqja e këtyre njerëzve, është e keqja e ekonomisë.

 

Kjo është një Shqipëri e robëruar nga Edi Rama me 5 oligarkë e cila vazhdon të paguajë për krimet, për hajdutërinë, për zhvatjen e kësaj shoqërie. Ndaj, shpëtimi i vetëm është një orë e më parë të garantojmë që ju me votën tuaj t’i drejtoheni kutive të votimit dhe t’i japim fund kësaj të keqe dhe të kthejmë bashkë me demokracinë edhe institucionet tuaja, edhe ekonominë, edhe punësimin, edhe mbështetjen për njerëzit punëtorë.

Sot në Shqipëri nuk mbështetet punëtori, nuk mbështetet njeriu i punës, nuk mbështetet prodhimi, mbështetën kriminelët, mbështetem hajdutët, mbështetën 5 oligarkë, e gjithë Shqipëria punon për 5 oligarkë. Kjo situatë do të marrë fund dhe duhet të marrë fund një orë e më parë.

 

Ky është realiteti këtu nga tregu i Rrogozhinës. Tani do të shkoj tek disa prej fermerëve të Rrogozhinës. Ky është realiteti i vërtetë i Shqipërisë reale. Kjo është Shqipëria reale, ndërsa shfaqjet me regji qendrore janë një fantazi e pështirë, një gënjeshtër e madhe e cila duhet dhe do të marrë fund një orë e më parë.

Read More
26 Maj
0

DEKLARATA E PLOTË E PËRFAQËSUESIT TË OPOZITËS, OERD BYLYKBASHI PAS TAKIMIT TË KËSHILLIT POLITIK PËR REFORMËN ZGJEDHORE

 

 

  • Këshilli Politik bie dakord për 3 çështje të reformës zgjedhore, financimi i partive, periudha e zgjedhjeve dhe kuotat gjinore. Bylykbashi: Problematika më e rëndësishme është mbrojtja e zgjedhësit shqiptar që ta hedhë votën e lirë dhe në sekret të plotë.

    DEKLARATA E PLOTË E PËRFAQËSUESIT TË OPOZITËS, OERD BYLYKBASHI PAS TAKIMIT TË KËSHILLIT POLITIK PËR REFORMËN ZGJEDHORE

     

    Sot patëm mbledhjen e radhës të Këshillit Politik pas asaj ndërprerje brutale që shkaktoi veprimet e kryeministrit Rama, për të nxjerrë nga binarët një proces kaq të rëndësishëm politik për Shqipërinë.  Sot ne diskutuam tre çështje, çështjen e periudhës zgjedhore, çështjen e kuotës gjinore dhe çështjen e financimit të partive politike. U arrit në Këshill dakordësia që periudha zgjedhore të jenë në dy periudha zgjedhore; 15 prill -15 maj është periudha e parë dhe 15 tetor -15 nëntor periudha e dytë, e cila do t’i mundësojë Presidentit të Republikës që të mundësojë datën e zgjedhjeve pa kufizime siç është deri më sot në këto periudha zgjedhore.

    Kjo jep mundësinë që jo vetëm zgjedhësve të marrin pjesë në numër më të lartë në zgjedhje, duke gjykuar që shumë zgjedhës largohen nga Shqipëria për impenjimet e tyre për periudha sezonale apo largohen për periudha të nxehta apo të ftohta që mund të pamundësojnë pjesëmarrjen në zgjedhje.

    Nga ana tjetër diskutuam dhe arritëm në dakordësinë në shumë prej elementëve për sa i përket financimit të partive politike. Ekspertët tashmë kanë marrë detyrën për të gjetur zgjidhjet përfundimtare në lidhje me raportet e financimit nëpërmjet një formule mikse, ku synimi kryesor i yni si opozitë ka qenë pikërisht reduktimi në mënyrë drastike i financimit privat dhe i shpenzimeve në fushata zgjedhore, në mënyrë që të pastrohet politika dhe fushata nga ndikime të paligjshme dhe interesa të paligjshme që vijnë dhe penetrojnë në fushatë nëpërmjet financimit.

    Sigurisht që pati debat për çështje të ndryshme për sa i përket por jemi në rrugën e përmbylljes së këtyre dy paketave.

    Duhet të jeni të qartë se problematikat kryesore të procesit zgjedhor, pavarësisht se këto çështje që diskutuam sot janë të rëndësishme, nuk janë këto.

    Ajo që ne duhet patjetër të garantojmë është mbrojtja e zgjedhësit shqiptar që ai ta hedhë votën e lirë dhe në sekret të plotë. Është një rekomandim shumë i rëndë në fakt që ODIHR-i, i cili pasi konstaton se liria dhe sekreti i votës cenohet ka bërë rekomandimin e qartë se kjo duhet të merren masa për ta mbrojtur.

    Ajo që ne do të kemi në diskutim në ditët në vijim janë masa që rregullojnë rolin e organeve ligjzbatuese, Prokurorisë, Policisë, SPAK-ut në mënyrë të veçantë në goditjen e krimit zgjedhor i cili intimidon zgjedhësit dhe cënon lirinë.

    Masa që do të merren për të mbrojtur sekretin e votës në qendrat e votimit, masa që do të merren për garantimin që kutia e votimit nuk do të mbushet, pra teknologjia në votim të shërbejë që ato vota që janë aty janë vota të zgjedhësve të vërtetë dhe jo votim familjar, votim në emër të emigrantëve pa ardhur kurrë në Shqipëri apo mbushje e kutisë nga komisionerët, e më pas për të vazhduar me çështje të tjera.

    Por këto janë problemi real, garantimi që vota e  zgjedhësve është e vërtetë dhe numërohet pa manipulim, të gjitha çështjet e tjera janë rreth këtij  boshti për të garantuar standarde. Kjo është sfida e madhe që na pret në ditët në vijim dhe për të cilin ne do të kërkojmë konsensus deri në momentin e fundit pa hequr dorë për asnjë moment nga garantimi i standardit siç e kërkon OSBE/ODIHR-i.

    Pyetje: Z.Bykykbashi është e mundur kjo reformë zgjedhore brenda muajit maj?

    Oerd Bylykbashi: Ne do të provojmë të gjitha përpjekjet që brenda datës 31 maj të diskutojmë dhe të arrijmë në kompromis. Ditën e enjte do të kemi mbledhje me këto çështje që do të diskutojmë.

Read More
26 Maj
0

DEKLARATAT E PLOTA TË AMBASADORES SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS NË TIRANË, YURI KIM DHE KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA

 

 

  • Ambasadorja e SHBA: Diskutimi me kreun e opozitës për të ardhmen, jo për të shkuarën. Presim rezultatet për reformën zgjedhore

 

  • Lulzim Basha: Zgjedhje të lira e të ndershme me qeveri dhe parlament të dalë nga vota e lirë, që Shqipëria të mos mbetet peng i së shkuarës.

 

DEKLARATAT E PLOTA TË AMBASADORES SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS NË TIRANË, YURI KIM, DHE KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA

 

YURI KIM, AMBASADORE E SHBA

 

Sapo zhvilluam një takim shumë të mirë. Isha shumë e kënaqur që pata mundësinë të takohesha me kryetarin e opozitës z.Lulzim Basha. Diskutimi ynë ishte i vendosur për të ardhmen dhe jo për të shkuarën. Veçanërisht folëm për rëndësinë se si udhëheqësit shqiptarë duhet të përmbushin pritshmëritë e popullit shqiptar, sikurse e kanë premtuar, për të përfunduar reformën zgjedhore deri më 31 maj. Ky nuk është një afat kohor që e ka vendosur Ambasada e Shteteve të Bashkuara ose ndonjë faktor tjetër i jashtëm. Ky është një afat kohor që e kanë caktuar mbi veten e tyre vetë udhëheqësit. Për nga përkufizimi opozita ka një punë shumë të vështirë përpara tyre, por ndihem shumë e inkurajuar nga diskutimi që kemi zhvilluar këtë pasdite dhe pres me kënaqësi për rezultatet.

 

LULZIM BASHA, KRYETAR I PARTISË DEMOKRATIKE

 

Dua ta falënderoj ambasadoren Yuri Kim për mbështetjen që i ka dhënë dhe i jep reformës  zgjedhore. Organizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme është prioriteti absolut i Partisë Demokratike, i opozitës së bashkuar dhe i të gjithë shqiptarëve. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për t’u garantuar shqiptarëve mundësinë që t’u drejtohen një orë e më parë kutive të votimit dhe të zgjedhin qeverinë e tyre me votën e tyre të lirë, të pandikuar nga bandat kriminale, të pandikuar nga shitblerja e votës, të pandikuar nga paratë e korrupsionit. Jemi të vendosur për këtë betejë dhe do të bëjmë gjithçka që brenda 31 Majit, një afat që ne ia kemi kërkuar dhe ia kemi vendosur kësaj maxhorance, reforma të ketë përfunduar dhe, natyrisht, të bëjmë gjithçka që të garantojmë vullnetin politik për ta zbatuar ligjin, që është dhe problemi numër një me zgjedhjet në Shqipëri, në mënyrë që kjo krizë e thellë politike, kushtetuese dhe institucionale të marrë rrugëzgjidhje përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, ku shqiptarët të zgjedhin parlamentin dhe qeverinë që meritojnë me votën e tyre dhe, njëkohësisht, Shqipëria të ecë përpara, të mos mbahet peng i së shkuarës, por të hapë rrugën e integrimit europian dhe anëtarësimit të Shqipërisë në BE, që është dhe mbetet një nga zotimet kryesore ekzistenciale të PD që nga dita e saj e parë.

Read More
26 Maj
0

TAKIMI I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, ME BIZNESE TË VOGLA NË NJËSINË Nr.5, TIRANË

 

• Basha takim me bizneset në Njësinë Administrative Nr.5 në Tiranë. “Njerëzit s’kanë lek, nuk kanë me se të blejnë”. Basha: Mungesa e mbështetjes nga shteti po falimenton biznesin familjar, varfëria është ulur këmbëkryq në familjet shqiptare

 

TAKIMI I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, ME BIZNESE TË VOGLA NË NJËSINË Nr.5, TIRANË

 

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ndal në Njësinë Administrative Nr. 5 në Tiranë, ku bisedoi me shumë qytetarë, biznese dhe punonjës të këtyre bizneseve prej të cilëve u njoh me gjendjen shumë të rëndë në të cilën po kalon biznesi i vogël si pasojë e krizës që solli keqmenaxhimi i situatës nga ana e qeverisë.

 

Në të gjithë bisedat që pati kryetari Basha, doli në pah fakti që biznesi ka humbur mbi 50 përqind të xhiros që ka pasur para pandemisë.
Një biznes këpucësh të përdorura thotë se kriza është ndjerë shumë ndërkohë që edhe gjatë kohës së izolimi ai është detyruar të paguajë detyrimet që nga qeraja deri tek taksat ndërkohë që nga shteti ka marrë vetëm 26o mijë lek të vjetra ndihmë.

 

“Kam marrë vetëm 260 mijë lek. Jemi 6 veta në familje dhe vetëm unë punoj. Xhiroja ka rënë se s’ka më lek”, – i thotë ai kryetarit Basha.
Edhe më e rëndë paraqitet gjendja në biznese të tjera në të cilat ndalet Basha. Pronarët e këtyre bizneseve ngrenë duart lart duke deklaruar se pothuajse nuk kanë fare xhiro dhe nëse vazhdon kështu situata rrezikojnë falimentimin.

 

“Nuk kemi pasur xhiro fare. Asgjë, zero”, thotë prerë njëri prej pronarëve, ndërkohë që tregon se vetëm qeraja që duhet të paguajë është 500 mijë lek.
Ka edhe nga ato biznese që megjithëse gjatë kohës së izolimit lejoheshin nuk i kanë hapur asnjë ditë dyert e bizneseve pasi nuk kanë pasur xhiro fare.
“Kemi një javë që e kemi hapur sepse gjatë kohës së izolimit nuk e hapem se s’kishte fare punë sepse nuk kishte fare lëvizje se nuk lejoheshin njerëzit të dilnin”, – thotë punonjësja e një dyqani prodhimesh deti. Ajo thotë se kanë aplikuar për të marrë pagën e luftës por ende janë në pritje. “Kemi aplikuar dhe jemi në pritje. Gjatë kohës kur ishim mbyllur jemi sajuar me pagesat vetë”.

 

Edhe bizneset e dyqaneve agro-ushimore thonë se tani ka filluar të ndjehet kriza pasi njerëzit nuk kanë më para të blejnë.
“Dobët jemi. Pandemia ka goditur gjysmë për gjysmë konsumin. Edhe tani që u hap lëvizja nuk është rritur xhiroja sepse njerëzit nuk kanë lek. Nuk kemi marrë asnjë ndihmë, po punojmë me shumë sakrifica, me zor na del”, – thotë një tregtar fruta-perimesh që punon nga mëngjesi në darkë për të mbajtur familjen.

 

Panorama që konstaton kryetar i opozitës është e njëjtë në të gjitha bizneset e kësaj zone që megjithëse ndodhet në një nga qendrat më të populluara po vuan rëndë krizën duke shënuar një rënie të blerjeve në masën mbi 50 përqind.

 

“Sot mijëra biznese përballen me rënien e fuqisë blerëse, pamundësinë për të paguar qiratë edhe për muajt e izolimit, ndërsa xhiroja e tyre është në nivele minimale, faturat aforfe të energjisë janë më të larta edhe se një vit më parë ndërsa Shqipëria renditet ndër vendet me çmimin më të lartë të energjisë e po kështu edhe për faturat e ujit. Këto së bashku me tatimet dhe taksat rrënuan ekonominë e po çojnë drejt falimentimit në masë të biznesit të vogël. Ky është shqetësimi që dëgjova sot nga të gjithë bizneset e vogla në Njësinë Nr. 5 në Tiranë. Mungesa e mbështetjes për ta dhe për konsumatorët nga qeveria po i çon drejt mbylljes shumë biznese familjare. Kjo gjendje është kudo në Shqipëri. Varfëria është ulur këmbëkryq në familjet shqiptare. RAMAVIRUSI ka prekur çdo degë të ekonomisë, pasiguria e papunësia po prek çdo pjesë të shoqërisë”, – u shpreh Basha nëpërmjet postimit në “Facebook” pas takimeve me banorët dhe bizneset e Njësisë Nr.5 në Tiranë.

 

Read More
25 Maj
0

TAKIMI I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA ME BIZNESE TË VOGLA NË NJËSINË 3, TIRANË

 

  • Basha takohet me bizneset në Tiranë, “Po falimentojmë”, “Nuk kemi mbështetje”, “Nuk ka lekë”. Bizneset ankohen edhe për mbylljen e tyre me urdhër nga Facebook-u i Ramës. Basha: Është e paligjshme. Bashkë do të bëjmë ndryshimin.

 

TAKIMI I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA ME BIZNESE TË VOGLA NË NJËSINË 3, TIRANË

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua me dhjetëra biznese në zonën mes Brryllit dhe Xhamllikut në Tiranë, duke konstatuar përkeqësimin e gjendjes ekonomike nga dita në ditë për bizneset e vogla. Pronarët e tyre shprehen se pagesa shumë e vogël e dhënë nga qeveria, është e pamjaftueshme për të mbyllur shpenzimet e muajit, me taksa më të rritura dhe me fatura më të larta për ujin dhe energjinë.

 

“Jemi keq. Shumë keq, shumë shumë keq. S’kemi marrë as pagë lufte. Kam paguar të gjitha taksat, siguracionet, të gjitha. Çfarë mund të bëj me një kioskë kaq të vogël që e kaluan me TVSH?! Nuk kam marrë asnjë mbështetje. Xhiro është shumë e ulët, 60 -70% ulje.”- tha pronari i një dyqani të vogël.

“Mora një mbështetje, e cila nuk më del as për qeranë, 260 mijë lekëshin. Kisha punëtoren, detyrova ta heq sepse nuk e përballoj dot. Tani jam vetëm unë, nga mëngjesi deri në darkë. Do të shikoni vetë gjithë rrugës sesa e trishtë është situata, kanë mbyllur qepenin.- tha pronarja e një dyqani veshjesh.

 

“E kam dyqanin me qera, 200 mijë lekë. Shpenzimet e muajit më shkojnë 300 e ca mijë lekë bashkë me dritat, taksat, që vijnë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Për tre muaj mora vetëm 400 mijë lekë nga qeveria. Kam 40 vjet në këtë profesion, por ka ardhur kohë shumë e keqe. Njerëzit nuk kanë më fuqi. “ – i tha kryetarit Basha një këpucar.

 

Për shkak të pamundësisë për t’i paguar, shumë nga bizneset kanë larguar nga puna shumë njerëz, por një nga problemet e reja që ata kanë është drejtimi shtetit përmes Facebook-ut të Ramës dhe ndalimi i biznesit në fundjavë. “Të mos na e mbyllë të shtunën e të dielën. Njerëzit që janë në punë dalin për të blerë të shtunë e të dielë. Pandemia është ose gjatë gjithë kohës ose nuk është fare, kështu që është non sens kjo” – theksoi e revoltuar pronarja e një biznesi të vogël” “Atëherë kur kemi më shumë punë, në fundjavë, del korona dhe duhet të futemi brenda. Pretendohet që gjatë fundjavës njerëzit shpenzojnë diçka, atëherë nuk na lejojnë.”- u shpreh pronarja e një biznesi lulesh gjatë bashkëbisedimit me kreun e opozitës.

 

Basha: Duhet t’i kthehemi një orë e më parë normalitetit dhe më e rëndësishmja është t’ju mbështesim ju, se po nuk mbështetëm biznesin do të shkatërrojmë ekonominë, do të shkatërrojmë gjithçka.

 

Biznesi: Epo mesa duket këtë qëllim ka qeveria, të shkatërrojë biznesin. Me statuse “Facebook”-u kujtohet te të lajmërojë në 21:30 të darkës. Unë e kisha bllok, detyrova ta zhbllokoja që të shihja statusin a mund ta hapja dyqanin nesër. Këtu jemi katandisur.
Basha: Kjo është totalisht e paligjshme. Këta e kanë mendjen vetëm të zhvasin e të marrin, sikur nuk do të ketë të nesërme. Kështu që ne duhet të bëhemi të gjithë bashkë të mos e lejojmë këtë.
Biznesi: Duhet të zgjohet populli, se ndryshe…

 

Rënia e konsumit, mospasja e njerëzve është ajo që vënë re të gjithë tregtarët.

 

“Hyrja në dyqan zero. Ndërsa ishim në pandemi sigurimet shoqërore na i kërkonin. Taksat e bashkisë një më një. Xhiro zero. Nuk hyn njeri. Prishi rregullat e biznesit. Jemi drejt falimentimit. Do të mbyllen. Sa do rezistojmë? Një muaj dy muaj, po pastaj?! – u shpreh e dëshpëruar një kryefamiljare.

 

“Çfarë jepet është kot, sepse është dhe një qira për t’u paguar, është një kredi për t’u paguar. Kjo është e keqja se çdo klient që vjen, nuk futet brenda se nuk ka lekë. E vetmja gjë që thonë është “nuk kemi lekë. Ka rënë më shumë se gjysma e xhiros”.- tha një tregtar, i cili ndau të njëjtin mendim me kreun e opozitës se këto janë shenjat e krizës, e cila do të thellohet, nëse biznesi do të vazhdojë të mos mbështete nga qeveria.

 

“Ndaj i thamë “jepu lekë njerëzve, që të mos bjerë konsumi, se po ra konsumi e ndjeni ju, po e ndjetë ju do ta përcillni në të gjithë zinxhirin e ekonomisë, do ta ndjejë pastaj edhe arka e shtetit.”- u shpreh Basha.

 

Kreu i opozitës i inkurajoi bizneset e vogla të rezistojnë dhe së bashku të bëjnë ndryshimin që i duhet familjeve shqiptare dhe vendit. “Mbahuni se kemi kaluar shumë të këqija, por ky e ka mendjen vetëm të zhvasë dhe të marrë, por gjërat do t’i ndryshojmë, nuk do t’i lëmë kështu në mëshirë të fatit”- u shpreh zoti Basha.

 

Read More
24 Maj
0

Kryetari i PD, Lulzim Basha uron nga Shkodra Fiter Bajramin!

 

Bajram të gëzuar dhe me fat nga Shkodra për të gjithë shqiptarët dhe për besimtarët myslimanë që pas një muaji agjërimi festuan sot me besimin dhe shpresën se Zoti me madhështinë dhe mëshirën e tij do jua pranojë sakrificën dhe lutjet.

Paqe dhe gëzim në zemrat dhe shtëpitë e shqiptarëve në këtë ditë të madhe shprese. Zoti ju begatoftë ju dhe familjet tuaja, e mot më mirë!

Read More
22 Maj
0

KOMUNIKIMI ME GAZETARËT I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA

 

 

  • Opozita është e vendosur t’u ofrojë shqiptarëve rrugëdaljen nga kriza, duke u angazhuar plotësisht në përfundimin një orë e më parë të reformës zgjedhore, që i hap rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe integrimit në BE.

 

  • Nuk e kemi braktisur asnjëherë tryezën e reformës zgjedhore. Detyra dhe prania jonë në tryezë ka vetëm një arsye: të largojë një orë e më parë Edi Ramën që është e keqja e vendit dhe e së ardhmes sonë europiane.

 

  • 15 kushtet për integrimin janë për ne udhërrëfyesi për të nxjerrë vendin nga kriza, për ta çuar drejt zgjedhjeve një orë e më parë, me standarde dhe me garanci. Kjo është detyra e opozitës. Opozita nuk mund të bëhet fasadë, aq më pak e një njeriu që ka treguar se nuk ka vullnet as për reformën zgjedhore

 

KOMUNIKIMI ME GAZETARËT I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA

 

Loja e Edi Ramës me shpresën se duke shkatërruar Teatrin Kombëtar do të shkatërronte dhe reformën zgjedhore dhe shanset për t’u dhënë shqiptarëve zgjedhje  të lira e të ndershme dhe të merrte peng  procesin e integrimit europian të vendit, tani, doli zbuluar. Të gjithë, shqiptarë e të huaj, e kanë parë këtë plan mafioz që ka për qëllim të pengojë reformën zgjedhore, të pengojë integrimin europian të vendit dhe të lejojë Edi Ramën të përdorë të njjtëat mekanizma që ka përdorur edhe më parë për të manipuluar e të mbajë Shqipërinë peng të krizave ciklike.

Ne jemi të vendosur të mos e lejojmë këtë. PD dhe opozita e bashkuar është e vendosur  t’u japë shqiptarëve një orë e më parë garancitë për t’iu drejtuar kutive të votimit dhe për t’u bashkuar në një votë plebishitare për të larguar këtë të keqe. Ky është fillimi i vendosjes së drejtësisë popullore për shkatërrimin e teatrit, por edhe për shkatërrimin e ekonomisë, shkatërrimin e mijëra vendeve të punës, për shkatërrimin e Kushtetutës, të ligjit e të drejtësisë nga një kryeministër, i cili ka 7 vjet që vjedh, mashtrom dhe sillet si një kriminel ordiner duke shkelur çdo ligj të vendit, duke shkelur Kushtetutën e vendit. Prandaj, bashkë me opozitën e bashkuar kemi vendosur t’ia mohojmë Edi Ramës këtë plan dinak dhe diabolik dhe t’u ofrojmë shqiptarëve rrugëdaljen nga kriza, duke u angazhuar plotësisht në përfundimin një orë e më parë të reformës zgjedhore, që do t’i hapë rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të lira e të ndershme, do t’i hapë rrugë procesit të negociatave dhe futjes së Shqipërisë në BE, që, të gjithë ata që kanë shkelur ligjin, janë përfshirë në afera korruptive, që janë në bashkëpunim të hapur me krimin, i tremben, sepse ky është një proces monitorimi, që ka filluar të nxjerrë zbuluar autorin e varfërimit, shpunësimit, krizës ekonomike dhe shkatërrimit të institucioneve demokratike, që është një dhe vetëm një, Edi Rama, i cili duhet të largohet një orë e më parë me votën e lirë dhe të bashkuar të shumicës dërrmuese të shqiptarëve.

 

Pyetje: Z.Basha ju po flisni për lojë të Edi Ramës për të bllokuar reformën zgjedhore, por jeni ju ai që e keni braktisur tryezën e Këshillit Politik. Fillimisht, kur do të riktheheni meqë thatë “ne do të vijojmë punën dhe do të përmbushim punën për reformën zgjedhore”?

 

Lulzim Basha: Unë e di që jo ju Elda, por nuk e di se cili në televizionin tuaj ka guximin të thotë se orë pas aktit terrorist dhe të paligjshëm të Edi Ramës me Teatrin, opozita mund të ulej në tryezë. Por ne kurrë nuk e braktisëm dhe nuk mund ta braktisim procesin e reformës zgjedhore, për arsyen e thjeshtë që sapo ju thashë: këtë dëshiron Edi Rama. Braktisja e reformës zgjedhore shtyn objektivin kryesor të shqiptarëve që është largimi një ore e më parë, shporrja një orë e më parë e këtij keqbërësi, e këtij diktatori, e këtij krimineli, e këtij hajduti ordiner me votën e shqiptarëve.

 

Pyetje: Kur do të riktheheni në tryezë?

 

Lulzim Basha: Një orë e më parë. Nuk do të rikthehemi në tryezë. Nuk e kemi braktisur asnjëherë tryezën.

 

Pyetje: E keni bojkotuar të paktën mbledhjen e 18 majit?

 

Lulzim Basha: Mbledhja e 18 majit dhe letrat e maxhorancës erdhën në kohën kur njerëzit po rriheshin në rrugë, aktivistët e opozitës rriheshin në rrugë, nuk ka njeri që nuk e kupton këtë. Prandaj mos të merremi me këto detaje, është e qartë se ky ishte një plan, një lojë mafioze e Edi Ramës, që tani e dimë ne, e di faktori ndërkombëtar dhe siç e keni parë, Brukseli, Berlini, Londra, i gjithë faktori ndërkombëtar ka reaguar njëzëri dhe maska e Edi Ramës ka rënë bashkë me teatrin. Teatri do të ringrihet aty ku ka qenë, ashtu siç ka qenë. Maska e Edi Ramës ka rënë njëherë e përgjithmonë.

 

Pyetje: Për lojëra foli sot edhe ambasadorja e SHBA, zonja Yuri Kim, kush po luan sipas jush?

 

Lulzim Basha: Ai që hodhi në erë teatrin me dinamit për të hedhur në erë reformën zgjedhore dhe për të bllokuar proceset e integrimit europian të vendit.

 

Pyetje: Ndjeheni i gatshëm të uleni në një tryezë për integrimin, për drejtësinë, siç e ka propozuar sot Presidenti i Republikës?

 

Lulzim Basha: Jam njohur me propozimin e Presidentit që në javën e parë të prillit. E ka marrë përgjigjen time. I kam thënë që Edi Rama absolutisht ka 15 detyra për të kryer, opozita ka 1 detyrë për të kryer. Në këtë detyrë Edi Rama nuk po tregon vullnet. Ne do të vazhdojmë të tregojmë vullnet deri në fund për ta realizuar, 14 detyrat e tjera kanë të bëjnë me Edi Ramën, kanë të bëjnë me arrestimin e njerëzve që mban në krahun e tij të djathtë të dosjeve 339 dhe 184, është një nga kushtet e Bashkimit Europian. Ka të bëjë pra me vënien e drejtësisë për zgjedhjet e vjedhura, ka të bëjë natyrisht me Reformën Zgjedhore, ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit. Në asnjë nga këto detyra opozita nuk është e pranishme. Detyra e opozitës është një dhe vetëm një dhe në tryezën e reformës zgjedhore jemi për një dhe një arsye: Për të larguar një orë e më parë Edi Ramën që është e keqja e vendit, është e keqja e Shqipërisë, është e keqja e të ardhmes tonë europiane.

 

Pyetje: Domethënë çfarë përgjigje i keni dhënë Presidentit zoti Basha?      

 

Lulzim Basha: Përgjigjen që sapo ju thashë.

 

Pyetje: Që jeni të gatshëm?

 

Lulzim Basha: Jo! Përgjigjen që sapo ju thashë. Thashë që opozita po e bën detyrën e saj me reformën zgjedhore, që opozita po e bën detyrën e saj me 15 kushtet për integrimin. 15 kushtet për integrimin janë për ne udhërrëfyesi për të nxjerrë vendin nga kriza, për ta çuar drejt zgjedhjeve një orë e më parë, me standarde dhe me garanci. Kjo është detyra e opozitës. Opozita nuk mund të bëhet fasadë, aq më pak e një njeriu që ka treguar se nuk ka vullnet as për reformën zgjedhore, dhe siç treguan ngjarjet e dy javëve  të fundit është përpjekur çdo ditë të sabotojë dhe të hedhë në erë procesin e reformës zgjedhore, të mbajë peng Shqipërinë në procesin e integrimit europian për t’i shërbyer interesave të veta. Kaq e thjeshtë.

 

Pyetje: Ka një propozim, nuk e di nëse jeni njohur përmes kanaleve të tjera apo nga vetë ambasadorja Kim përmes komunikimeve që mund të keni pasur që të zbatohet në Shqipëri sistemi i Danimarkës, listat e hapura?

 

Lulzim Basha: Nuk ka asnjë propozim të tillë. Nuk ka asnjë sugjerim të tillë, nuk ka asnjë propozim të tillë. Jua thashë para dy ditësh dhe i qëndroj njëqind për qind që nuk ka një propozim të tillë amerikan. Por ka një vullnet timin personal për t’ju dhënë shqiptarëve cilindo sistem ata ta gjykojnë më të mirin dhe më të përshtatshmin. Këtu sigurisht nuk shoh vullnet nga ana e Edi Ramës. Nuk shoh asnjë vullnet për të ndryshuar sistemin, ndaj le ta largojmë me votë dhe pas kësaj të zgjedhim sëbashku sistemin më demokratik dhe pse jo dhe institucione të reja kushtetuese, siç është p.sh parlamenti me dy dhoma që fuqia mos të jetë në dorë të kryeministrit, oligarkëve, krimit, por të jetë në dorë të qytetarëve. Unë kam bërë propozim për sistem maxhoritar, jam i hapur për listat e hapura. Jam i hapur për çfarëdo lloj reforme që fuqizon qytetarin dhe rivendos kontrollin dhe balancat duke mos përqendruar pushtetin në duart e një njeriu, por detyra e parë është të shporrim me votë masive popullore këtë keqbërës që ka marrë peng vendin dhe do të marrë peng të ardhmen e tij europiane.

 

Faleminderit!

Read More
22 Maj
0

Denoncimi i biznesmentit turk, Sinan Idirizi mbulesë e Edi Ramës për të blerë kompaninë e markimit të karburanteve

 

• Denoncimi i biznesmentit turk, Sinan Idirizi mbulesë e Edi Ramës për të blerë kompaninë e markimit të karburanteve

 

• SPAK të hetojë. Skema e denoncuar e zbulon Edi Ramën si pronar tek Air Albania dhe në çdo koncesion dhe pasuri publike të dhënë oligarkëve

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ENO BOZDO

 

Denoncimi i një sipërmarrësi të njohur turk ka zbuluar para shqiptarëve se Edi Rama po e përdor postin e kryeministrit për t’u pasuruar në mënyrë të paligjshme dhe për këtë përdor si koperturë persona të ndryshëm. Në këtë rast është Sinan Idrizi, ortaku i Edi Ramës në kompaninë Air Albania, i cili akuzohet për mashtrim me 3.5 milionë euro. Denoncimi i biznesmenit turk e identifikon Sinan Idrizin si personin që Edi Rama përdor si mbulesë për të zhvatur koncesione, prona dhe pasuri publike.

 

Siç dëshmon biznesmeni turk, Edi Rama është përfshirë në diskutimet mes turkut dhe Sinan Idrizit për të blerë kompaninë e koncesionit fitimprurës të markimit te karburanteve. Edi Rama duhet t’i japë përgjigje një pyetje shumë të thjeshtë: Çfarë roli bënte kryeministri në një marrëveshje private tregtare?

 

Denoncimi i biznesmenit turk zbulon skemën sesi Edi Rama përdor Sinan Idrizin si mbulesë për të vjedhur dhe është ai që e mbron nga drejtësia sekserin e tij. Personi që Edi Rama i dha 41 % të aksioneve të kompanisë shtetërore Air Albania, akuzohet për mashtrim prej miliona euro, por Sinan Idrizi vazhdon të bëjë biznes i qetë, i pashqetësuar, sepse pazari nuk është i tij, por është i Edi Ramës.

 

Nuk ka asnjë dyshim që Sinan idrizi po bënte pazar për të pasuruar Edi Ramën dhe se 3.5 milionë euro që ka marrë nga biznesmenti turk janë futur në xhepat e Edi Ramës. Nuk ka asnjë dyshim se edhe tek Air Albania ai është vetëm një koperturë për Edi Ramën. Sipas skemës që ka denonciar biznesmeni turk, edhe ksionet në emër të Sinan Idrizit tek Air Albania janë të Edi Ramës.

 

Ky skandal eshte nje nga shumë kontratat korruptive koncesionare, ku ekonomia dorezohet si nje torte per tu copetuar tek miqte oligarke te Edi Rames ose tek ata që i përdor si mbulesë për të fshehur pasurinë e paligjshme.

 

Skema është e thjeshtë: presioni politik nga njera anë që kombinohet me parate korruptive nga ana tjeter, mund te detyrojne cdo kompani te shitet, vecanerisht ne kushtet kur vete kryeministri perfshihet ne afere.

 

E njejta skeme e presionit dhe e sekserit ka ndodhur edhe me shitjen e kompanise e cila menaxhonte aeroportin e vetem nderkombetar te Shqiperise.

 

E njejta skeme u gatua dhe do po perdoret edhe per Teatrin, i cili u shemb per t’i hapur rruge ndertimeve shume fitimprurese ne qender te Tiranes.

 

Kudo ku ka ligje speciale, ku ka tjetersim te prones publike, ku ka presione ndaj kompanive fitimprurese, ku ka segmente tregu te kapura ne menyre abusive, shfaqet Edi Rama me pazaret e tij të pista.

 

Skema e mashtrimit me Sinan Idrizin duhet hetuar menjëherë nga SPAK.Nga lidhjet mes Edi Ramës dhe ortakut të Air Albania, drejtësia do të gjejë sesi në karrigen e kryeminsitrit qëndron një hajdut, i cili ka vetëm një prioritet. Të pasurohet sa më shumë dhe në çdo formë.

 

Read More
20 Maj
0

Kemi bashkuar sot gjithë forcat tona anë e mbanë Shqipërisë në një projekt ndryshimi, i cili merr jetë me votën e shqiptarëve. Ndryshimi në Shqipëri është i paevitueshëm

 

 

  • Kemi bashkuar sot gjithë forcat tona anë e mbanë Shqipërisë në një projekt ndryshimi, i cili merr jetë me votën e shqiptarëve. Ndryshimi në Shqipëri është i paevitueshëm.

 

  • Edi Rama i provoi botës më 17 Maj se me të nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, por vetëm dhunim të të drejtave të qytetarëve.

 

  • PD dhe opozita kanë treguar vullnet për Reformën Zgjedhore. Sot nuk është përgjegjësia jonë. Më 17 maj PS dhe Edi Rama hodhën në erë besimin tek procesi. Opozita nuk mund të jetë fasadë, përgjegjësia është e Edi Ramës.

 

 

KOMUNIKIMI I KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA PAS PROTESTËS

 

 

Pyetje: Kjo është protesta e dytë e thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, a do të vazhdojë opozita të jetë në krah të artistëve dhe kur do të ketë një protestë masive popullore siç keni lajmëruar ditë më parë?

 

Lulzim Basha: Opozita ka një qëllim, t’u japë fund menjëherë kushteve në të cilat padrejtësia shtyp qytetarët, shkatërron pronën e tyre, i varfëron dhe kjo padrejtësi e ka një emër: ky është Edi Rama. Në funksion të këtij qëllimi ne kemi bashkuar sot gjithë forcat tona anë e mbanë Shqipërisë në një projekt ndryshimi, i cili merr jetë me votën e Shqiptarëve. Ndryshimi në Shqipëri është i paevitueshëm. Edi Rama është investuar të ndalë rrugën europiane të Shqipërisë, është investuar të ndalë përpjekjet për zgjedhje të lira e të ndershme dhe me 17 maj i ka provuar mbarë botës se me të nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, me të mund të ketë vetëm dhunim të të drejtave të qytetarëve. Ndaj kjo i jep sot betejës tonë tash trevjeçare për zgjedhje të lira e të ndershme një apel kombëtar dhe ndërkombëtar të painjorueshëm. Në ditët në vijim Partia Demokratike dhe opozita do të përvijojnë hapat e mëtejshëm me qëllim që synimi ynë i kahershëm për t’u dhënë shqiptarëve lirinë e votës, pa të cilën nuk mund të ketë as ekonomi, as zhvillim, as punësim dhe as Europë, të realizohet një orë e më parë dhe t’u mundësojmë atyre t’i drejtohen kutive të votimit për të shporrur me një votë plebishitare dhe popullore një qeveri uzurpatore të institucioneve, një hajdut ordiner dhe një kriminel të faktuar para gjithë botës si i tillë me krimin e 17 majit, që do të përpiqemi me të gjitha forcat tona të jetë krimi i fundit i kësaj qeverie të babëzisë dhe korrupsionit.

 

Pyetje: Kur dhe si do të largohet Edi Rama? A do të uleni sërish në tryezën e reformës zgjedhore?

 

Lulzim Basha: Partia Demokratike dhe Opozita kanë patur dhe kanë treguar vullnet për Reformën Zgjedhore pikërisht sepse duhet që një orë e më parë shqiptarët t’u drejtohen kutive të votimit. Sot nuk është përgjegjësia e jonë. Me atë që ndodhi me 17 maj Partia Socialiste dhe Edi Rama kanë hedhur në erë besimin në një proces që pa besim nuk është asgjë. Opozita nuk mund të jetë fasadë, përgjegjësia është e Edi Ramës.

 

Pyetje: A e keni parë propozimin amerikan për sistemin zgjedhor?

 

Lulzim Basha: Nuk kam parë asnjë propozim amerikan për sistemin zgjedhor.

 

Pyetje: Propozim për sistem danez zoti Basha?

 

Lulzim Basha: Jua dhashë përgjigjen.

 

Pyetje: Lista të hapura ju jeni dakord?

 

Lulzim Basha: Ne do të jemi gati për lista të hapura dhe ndryshim sistemi, ju e dini idenë time për maxhoritar të pastër dhe dy dhoma, për kufizimin e mandateve të deputetëve, kryeministrit, por asgjë nuk do të ketë kuptim sa kohë që kujdestare e zgjedhjeve është hajdutja e zgjedhjeve dhe hajduti i zgjedhjeve Edi Rama.

 

Pyetje: Ka një kërkesë nga Gjiknuri për zotin Bylykbashi dhe zotin Vasili për të shkuar në tryezë, do të jenë përfaqësuesit e opozitës?

 

Lulzim Basha: Besoj përgjigjen e morët të plotë dhe shteruese nga ajo që ju thashë.  Faleminderit!

 

Read More
20 Maj
0

Edi Rama liron bandat kriminale ndërsa dhunon e burgos qytetarët, artistët, të rinjtë, shoqërinë civile dhe kundërshtarët politikë

 

·       Edi Rama liron bandat kriminale ndërsa dhunon e burgos qytetarët, artistët, të rinjtë, shoqërinë civile dhe kundërshtarët politikë

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ENKELEJD ALIBEAJ

 

Lirimi nga burgu i grupit të tmerrshëm kriminal të Bajrave dëshmoi sot, në mënyrë të përsëritur, se regjimi i Edi Ramës i ka themelet tek krimi dhe se reforma në drejtësi ka dështuar, duke u bërë mburojë e grupeve kriminale në shërbim të pushtetit të kryeministrit.

Lirimi i grupit kriminal të Bajrave, me të cilët Edi Rama vodhi dhe bleu zgjedhjet në Shkodër, konfirmoi para qytetarëve të vërtetën që ne e kemi thënë prej shumë kohësh, se kush është pjesë e grupeve kriminale, qeveria dhe drejtësia, nën diktatin e saj, bën gjithçka për ta shpëtuar.

Kush proteston, kush mbron trashëgiminë kulturore, kush kërkon që Shqipëria të bëhet si Europa, kush kërkon respektimin e lirive dhe të drejtave, kush kërkon të luftohet krimi dhe korrupsioni, kush denoncon Edi Ramën dhe bandën e tij si vegël të oligarkëve për të vjedhur Shqipërinë, goditet, tërhiqet zvarrë, burgoset.

Mes rinisë, artistëve dhe qytetarëve të ndershëm dhe bandës së tmerrshme të Bajrave, që njihet në zonën e Shkodrës për vrasje makabre, trafik droge dhe prostitucioni, Edi Rama zgjedh të jetë krah kriminelëve, t’i mbrojë ata, t’i lehtësojë nga akuzat dhe t’i lirojë nga burgu.

Vetëm përmes tyre, Edi Rama mund të mbajë në këmbë pushtetin e tij të kalbur nga krimi, korrupsioni, nga paraja e zezë që e mban peng si kryeministrin e vetëm në Europë, i cili shkatërron trashëgiminë kulturore për të ngritur kulla betoni me oligarkët dhe grupet kriminale si ata që u liruan sot.

Kjo është një arsye më shumë për të protestuar! Të mos e lëmë jetën në dorë të një regjimi që ka bërë pakt me krimin kundër qytetarëve. Është në nderin e të gjithëve të jenë sot në sheshin e protestës, bashkë me artistët, me rininë, me opozitën.

Partia Demokratike i bën thirrje Policisë dhe Prokurorisë të heqin dorë nga dhuna dhe presioni ndaj qytetarëve. Është e papranueshme që policia po sillet si një vegël e verbër politike duke mos lejuar  qytetarët nga jashtë Tiranës të bashkohen me protestën e orës 17.30. Kushdo polic apo prokuror që, në vend të zbatimit të ligjit, zhytet në llumin e paligjshmërisë dhe korrupsionit të Edi Ramës, duhet të ketë të qartë se asgjë nuk do të harrohet!

Read More