Blog

10 Mar
0

DEKLARATË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA

  • Shpërndarja e 1.2 milionë maskave të skaduara për personelin shëndetësor është krim që duhet hetuar menjëherë.

 

  • Vënia me vetëdije në rrezik e personelit shëndetësor është tregues i qartë se qeveria është jo vetëm e papërgatitur, por dhe e papërgjegjshme.

 

  • Qeveria nuk ka marrë masat e duhura në kohën e duhur. Spitalet janë të papërgatitura për të përballuar më shumë se 120 raste njëkohësisht.

 

DEKLARATË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA.

 

Të dashur bashkëqytetarë mirëdita!

 

Rastet e personave të infektuar nga koronavirusi sa vinë e po rriten. Siç ju thashë dje, nuk është kohë për panik, por është koha për kujdes.

 

Kjo është, në radhë të parë, një thirrje për të rritur kujdesin dhe jo panikun.

 

Nëse vihemi në panik, nuk do të mund të kujdesemi as per veten tonë, as për familjarët tanë dhe, kryesisht për të moshuarit, të sëmurët dhe për njerëzit me imunitet të dobët, të cilët kanë dhe më shumë nevojë.

Përvoja botërore tregon se në shumicën e rasteve njerëzit e kanë mposhtur këtë virus. Prandaj është shumë e rëndësishme që të ndiqen me përpikmëri dhe me përgjegjshmëri këshillat e mjekëve dhe të stafit shëndetësor, duke  shmangur sa të jetë e mundur daljet në ambientet publike dhe kontaktet, duke qenë përmasat e vërtetë dhe reale të infeksionit tani dhe në ditët në vijim janë akoma të panjohura.

Mburoja e vetme kundër këtij virusi janë shërbimet shëndetësore, të cilat po punojnë me vetëmohim dhe në kushte aspak të përshtatshme.

Sot dua të ndaj një shqetësim të jashtëzakonshëm, që prek kryesisht mjekët, infermierët dhe stafet shëndetësore.

 

Pak orë më parë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike nga terreni denoncoi një fakt tronditës.

 

Kjo është një kuti standarde e atyre që pretendohen se janë 1 milionë e 200 mijë maska me të cilat është pajisur stafi shëndetësor, njëpërdorimshme dhe ku, në qoftë se fokusoni kamerat tuaja, shikoni që në pjesën e poshtme të kutisë ka një pullë të mbivendosur në këtë kuti, e cila nëse hapet, tregon qartë se data e skadencës së këtyre maskave është 2011-a.

 

Është kriminale dhe ftoj Prokurorinë të nisë menjëherë hetimet për vënien në përdorim të maskave të skaduara.

 

Ky është krim ndaj kujtdo dhe në veçanti ndaj stafeve mjekësore që sot po sakrifikojnë gjithçka, edhe shëndetin e tyre për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.

 

Ky akt është, po kështu, tregues i qartë se qeveria është jo vetëm e papërgatitur, por dhe e papërgjegjshme.

 

Me vetëdije është bërë shpërndarja e maskave të skaduara për personelin shëndetësor, të cilave u është vënë një pullë për të mbuluar datën e skadencës. Është provë e një akti të vetëdijshëm kriminal.

 

Me maska të skaduara, pa mjete mbrojtëse të domosdoshme, personeli shëndetësor është i pambrojtur dhe nuk është në gjendje të kryejë detyrat e veta. Kështu rrezikohen vetë personeli shëndetësor, rrezikohen familjarët dhe rrezikohen pacientët.

 

Në vend që të jenë në linjën e parë të shërbimit ndaj njerëzve, ata kthehen, në këtë mënyrë, në viktimat e para dhe në transmetues të virusit tek qytetarët dhe pacientët që kanë nevojë për ndihmë. Kjo është papërgjegjshmëri totale.

 

Ndërkohë spitalet janë të papërgatitura për të përballuar fluksin e pritshëm të pacientëve në nevojë, e kam fjalën për ata që do të kenë nevojë për trajtim në kushte spitalore, në mënyrë që të përballen me pasojat e infeksionit. Kapacitet aktuale të spitaleve shqiptare nuk kalojnë 120 njësi të tilla për të trajtuar njëkohësisht jo më shumë se 120 të infektuar që kanë nevojë për këtë trajtim, përndryshe u kërcënohet jeta.

 

Kjo është kronikë e një dështimi të paralajmëruar.

 

Prej dy javësh kemi kërkuar marrjen e masave dhe tani që epidemia po përparon, duket haptazi se qeveria nuk e ka vënë ujin në zjarr, nuk  ka marrë masat e duhura në kohën e duhur.

 

Kjo kohë është harxhuar me fjalë të kota, me vënien në gjumë të opinionit publik dhe nënvleftësim të rrezikut që u kanoset qytetarëve shqiptarë nga epidemia e koronavirusit.

 

Është urgjente që kjo sjellje e papërgjegjshme të ndalet menjëherë dhe qeveria të akordojë në radhë të parë fondet e nevojshme për të pajisur stafet mjekësore  dhe spitalet me mjetet e nevojshme dhe cilësorë për t’iu përgjigjur situatës së rëndë.

Ekipet tona në terren kanë raportuar pranë Task Forcës se gjendja në spitalet e Tiranës dhe në spitalet e vendit është e mjerueshme sa i përket, në radhë të parë, pajisjes së personelit shëndetësor me mjetet bazë – maska jo të skaduara, doreza, syze higjienike dhe bluzat e përshtatshme në mënyrë që mjekët, të parët, infermierët, të mos infektohen, por të jenë në gjendje t’u shërbejnë personave që janë të infektuar apo dyshohet se janë të infektuar.

 

Ndërkohë që një nga faktorët kryesorë për të parandaluar përhapjen është higjiena personale, qeveria ka harruar mijëra bashkëqytetarë që ndodhen  në kushte të mjerueshme  për shkak të tërmetit të 26 nëntorit dhe që jetojnë në mungesë të një strehe akoma nëpër çadra apo janë rikthyer në banesat e dëmtuara, në kushte aspak të favorshme higjienosanitare dhe me mungesa të theksuar në ushqime, në ujë dhe në medikamente.

Edhe njëherë të dashur qytetarë, ju thirrje që të mos neglizhoni asnjë shenjë rëndimi apo përkeqësimi të shëndetit tuaj, por t’u drejtoheni mjekëve dhe specialistëve të fushës.

 

U bëj thirrje mjekëve dhe specialistëve të dëgjohet zëri i tyre, të flasin qartë dhe pa ndroje, të tregojnë se çfarë mungesash kanë, të bëjnë kërkesa, të bëjnë kërkesat e tyre për mjetet që u mungojnë, sepse nesër mund të jetë shumë vonë.

 

Qeveritë shkojnë e vijnë, shëndeti i qytetarëve dhe personeli shëndetësor janë parësor në këtë situatë dhe është në dorën tuaj të evidentoni mungesat dhe të bëni kërkesat, që këto mungesa të plotësohen për t’u shërbyer sa më mirë qytetarëve.

 

Të dashur qytetarë, nuk duhet të keni asnjë fije dyshimi, Shqipëria ka personel shëndetësor të shkëlqyer, profesional dhe të aftë për t’iu përgjigjur në lartësinë e duhur sfidës së çdo situate eventuale të përhapjes së koronavirusit.

 

Detyra e qeverisë është të sigurojë kushtet dhe jo të bëjë shfaqje apo propagandë. Jam i bindur se nëse vihen në dispozicion mjetet e nevojshme, mjekët tanë, personeli ynë shëndetësor, infermierët tanë do të përballojnë me sukses çdo situatë që mund të krijohet.

 

Nga ana tjetër, qeveria duhet të ketë plan të saktë dhe të qartë të karantinës, e cila duhet të ishte gati, por, siç mësuam, fondi për ngritjen e saj është akorduar vetëm një ditë më parë.

 

Ashtu siç kam kërkuar edhe një ditë më parë, është e domosdoshme që pas mbylljes së shkollave, kopshteve, çerdheve shteti të paguajë në rastin e sektorit publik apo të kompensojë, në rastin e punonjësve të sektorit jopublik, njërin nga prindërit që të kujdeset për fëmijët.

 

Grupi i punës pranë Partisë Demokratike po monitoron me seriozitet masat e marra për përballimin e epidemisë dhe rrezikut të përhapjes së mëtejshëm të saj, sikundër po u përgjigjet pyetjeve dhe interesit të qytetarëve që janë natyrshëm të shqetësuar.

 

Ne do të vazhdojmë t’ju mbajmë të përditësuar me informacionet tona, ndërkohë që do të vazhdojmë të monitorojmë situatën dhe të kërkojmë llogari për gjithçka që është përgjegjësi e autoriteteve. Ndërkohë, edhe një herë, ju bëj thirrje qytetarëve: Pa panik, por me kujdes maksimal të konsiderojmë këtë sfidë si një  mundësi që, përmes kujdesit të shtuar, të ruajmë shëndetin tonë personal, shëndetin e familjarëve dhe shëndetin e të afërmëve tanë, duke respektuar në mënyrë rigoroze rekomandimet e bëra botërisht të njohura edhe nga OBSH dhe duke iu vënë veshin fjalëve të specialistëve të mjekëve dhe personelit shëndetësor.

 

Ju faleminderit!

 

Read More
10 Mar
0

Akt kriminal i Ministrisë së Shëndetësisë, shpërndan 1.2 milion maska të skaduara për personelin mjekësor. Prokuroria të nisë hetimet

  • Akt kriminal i Ministrisë së Shëndetësisë, shpërndan 1.2 milion maska të skaduara për personelin mjekësor. Prokuroria të nisë hetimet.

DEKLARATË E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË DEMOKRATIKE, GAZMENT BARDHI, PAS INSPEKTIMIT NË QENDRËN SHËNDETËSORE NË KAMËZ ME ANËTARËT E GRUPIT TË PUNËS PËR KORONAVIRUSIN, ALBANA VOKSHI DHE BARDH SPAHIA

Sot kam qenë bashkë me kolegët e grupit të punës ngritur në Partinë Demokratike për të verifikuar marrjen e masave nga qeveria për parandalimin e përhapjes së virusit koronavirus në disa qendra shëndetësore në gjithë Tiranën. Kjo është qendra e fundit shëndetësore, një nga më të mëdhatë në qarkun e Tiranës.

Siç jeni në dijeni gjatë gjithë muajit shkurt ka patur një propagandë të vijueshme nga qeveria se ka marrë të gjitha masat për të mbrojtur personelin mjekësor. Keni qenë dëshmitarë që vetëm pasi kolegët vizituan disa nga qendrat shëndetësore, Ministria e Shëndetësisë, në datën 28 shkurt deklaroi se ka shpërndarë për stafin mjekësor, pra për mjekët dhe infermierët maska mbrojtëse, që janë këto kutia që shihni këtu.

Nga data 28 shkurt e deri më sot kemi marrë me dhjetëra denoncime nga mjekë që nga përdorimi i këtyre maskave mbrojtëse të shpërndarë nga Ministria e Shëndetësisë, Manastirliu, një propagandë e admirueshme, 1 milionë e 200 mijë maska deklaron në çdo studio televizive që i ka shpërndarë mjekëve. Denoncimet nga mjekët në të gjithë Shqipërinë që nga përdorimi i këtyre maskave kanë patur irritim në fytyrë. Kemi verifikuar arsyet se përse shkaktohej ky irritim në fytyrë tek mjekët që në disa raste ka shkuar deri në probleme me frymëmarrjen.

Të jemi të sinqertë nga faktet që kemi marrë dje nuk donim të besonim se ajo që na raportohej ishte e vërtetë, por për fat të keq sot jemi njohur me një fakt tronditës, me një fakt që tregon papërgjegjshmëri të lartë të qeverisë dhe me një akt kriminal nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Siç e shikoni këto kuti, me të cilat kanë pajisur mjekët me maska kanë një pullë, që ka bllokuar datën e skadencës së këtyre maskave. Nëse pullën e heq, do të shikoni se data e skadencës së këtyre maskave që janë shpërndarë personelit mjekësor është 20/12/2011. Kjo tregon që Ministria e Shëndetësisë, personalisht Ministrja e Shëndetësisë dhe të gjitha institucionet shëndetësore në vend janë përfshirë në një veprimtari kriminale me pasoja të rënda për shëndetin e stafit mjekësor.

Këto nuk janë mjete mbrojtëse mjekësore. Këto janë mbetje mjekësore që do të duhej të ishin nënshtruar menjëherë procedurës së asgjësimit siç parashikon ligji. Jo vetëm nuk janë asgjësuar, jo vetëm mjekët janë sot më shumë të pambrojtur dhe  nga këto maska iu rrezikohet edhe shëndeti i tyre, por për këto maska sigurisht që janë paguar edhe para dhe Ministria e Shëndetësisë është përfshirë në një skenar kriminal të manipulimit, pra të fshehjes së vërtetës duke vënë në dispozicion të mjekëve mbetje spitalore. E ripërsëris, nuk janë mjete mbrojtëse spitalore janë mbetje spitalore që do të duhej të ishin asgjësuar.

Kam dy apele nga Qendra Shëndetësore Kamëz, që është qendra e fundit shëndetësore që ne vizitojmë sot:

Së pari, për Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë. Ky është një krim i rëndë shtetëror me përgjegjëse direkte ministren e Shëndetësisë e cila është përfshirë në një operacion manipulimi për të marrë mbetjet spitalore që duhej të asgjësoheshin dhe për t’ia vënë në dispozicion stafit mjekësor.

Së dyti, nga ky operacion kriminal sigurisht që rrezikohet jeta e mjekëve, por duke qenë se sot të gjithë shqiptarët i kanë sytë nga mjekët, i kanë sytë nga personeli mjekësor  do të thotë se rreziku i shëndetit dhe  jetës së mjekëve do të thotë se është rrezik për jetën dhe shëndetin e çdo qytetari shqiptar.

E kemi bërë me dije që ditën e parë, kur kjo gjendje e jashtëzakonshme u krijua në të gjithë botën dhe ku kërkuam marrjen e masave edhe në vendin tonë. Ka nevojë për përgjegjshmëri. Ka nevojë për përulësi. Ka nevojë për fonde financiare për të pajisur mjekët me mjetet e nevojshme spitalore dhe shëndetësore.

Nuk ka nevojë për propagandë, nuk ka nevojë për shfaqje.

Prandaj, apeli im i dytë shkon për qeverinë: të lërë propagandën, të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur stafin mjekësor, për të mbrojtur mjekët dhe infermierët dhe gjithashtu për të mbrojtur të gjithë qytetarët shqiptarë.

I bëj edhe njëherë thirrje Prokurorit të Përgjithshëm: këto kuti, 1 200 000 maska sipas ministres Manastirliu, ndodhen në të gjitha Qendrat Shëndetësore në të gjithë territorin e Shqipërisë, është përgjegjësi ligjore, kushtetuese, e Prokurorit të Përgjithshëm që në këtë moment, që pa asnjë vonesë të urdhërojë të gjitha prokuroritë e rretheve, përfshirë dhe Prokurorinë e Tiranës, të sekuestrojë në cilësinë e provës për këtë akt kriminal, të gjitha këto kuti të skaduara të mbetjeve spitalore që mjekëve u janë vënë në dispozicion si pajisje mbrojtëse për të përballuar situatën me koronavirusin.

Është një situatë të cilën opozita në tërësi dhe veçanërisht Partia Demokratike në veçanti, nuk la dashur dhe nuk do kurrë për ta përdorur për politikë, mirëpo është në përgjegjësinë tonë kushtetuese dhe ligjore, për të denoncuar çdo fenomen që rrezikon, së pari jetën e personelit shëndetësor dhe mbi të gjitha jetën e gjithë qytetarëve shqiptarë.

Faleminderit!

Read More
09 Mar
0

“Fonde, mobilizim, transparencë”, mesazhi i Bashës për mjekët, qytetarët dhe qeverinë. “Nuk është koha për panik, por për kujdes. Kemi mjekët më të mirë, por ata duhen mbështetur me mjete dhe fonde”

“Fonde, mobilizim, transparencë”, mesazhi i Bashës për mjekët, qytetarët dhe qeverinë. “Nuk është koha për panik, por për kujdes. Kemi mjekët më të mirë, por ata duhen mbështetur me mjete dhe fonde”

DEKLARATA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA

Të dashur bashkëqytetarë,

Sot u konfirmuan edhe zyrtarisht dy rastet e para të të prekurve nga koronavirusi. Duke u uruar atyre shërim sa më të shpejtë, dua t’ju drejtohem me këtë mesazh.

Së pari, personelit shëndetësor, të nderuar mjekë dhe infermierë.

Shëndeti i shqiptarëve është në duart tuaja. Sytë, veshët dhe mendjet e njerëzve, si asnjëherë, janë të fokusuara te ju.

Prandaj, sot të gjithë jemi në mbështetjen tuaj për të zbatuar masat dhe vendimet që ju sugjeroni dhe vendosni.

Nuk duhet të ngurroni për asnjë çast të kërkoni çfarë ju nevojitet për të përmbushur misionin tuaj. Qeveritë ikin e vijnë, ata që do të mbeten jeni ju, ata që keni në dorë jetën e gjithsecilit prej nesh, jeni ju.

Ne kemi një nga stafet më të specializuara mjekësore për të përballuar çdo situatë dhe ajo që duhet t’u japim juve sot, janë mjetet dhe fondet e nevojshme mjekësore për ta përballuar këtë gjendje me sukses.

Të gjithë duhet të dëgjojmë zërin tuaj. Sa më shumë të flisni ju, aq më të qetë do të jenë qytetarët.

Të dashur bashkëqytetarë!

Sot duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm për çdo veprim që ndërmarrim.

Të dëgjojmë me vëmendje këshillat e mjekëve dhe t’i zbatojmë ato.

Të gjithë ju që vini nga Italia e Veriut, por edhe zona të tjera të prekura nga coronavirusi, drejtohuni për ekzaminime, nëse keni simptoma gripi dhe shmangni kontaktet me qytetarët dhe të afërmit për një periudhë 2 javore. Kujdes të veçantë duhet të kemi për të moshuarit.

Sot nuk është koha për panik, por për kujdes maksimal.

Sa më të kujdesshëm të jemi sot, aq më lehtë do ta kalojmë këtë situatë dhe me pasoja minimale.

Ne do të jemi në ndjekje të situatës hap pas hapi. Ekspertët dhe specialistët tanë të shëndetësisë do të jenë në shërbimin e çdo qytetari për çdo informacion shtesë që do të kenë.

Dy javë më parë, nga kjo foltore i kam bërë thirrje qeverisë të marrë masa për t’u përgatitur për përballimin e situatës.

  1. Fondet e mjaftueshme
  2. Mobilizimi maksimal
  3. Transparenca

Këto janë tre komponentë të rëndësishëm politikë, për të cilët nuk duhet humbur kohë.

Dua t’ju siguroj se ne do të vazhdojmë ta ndjekim situatën hap pas hapi. Ekspertët dhe specialistët tanë të shëndetësisë do të jenë në shërbimin e çdokujt, ndërkohë që grupi i krizës, i ngritur pranë PD, bashkë me ekspertët e opozitës, do të vazhdojë të monitorojë dhe të bëjë gjithçka në mundësitë, kapacitetet dhe fuqitë tona për të qenë sa më afër njerëzve dhe për të tejkaluar këtë situatë me pasoja sa më të lehta.

Read More
09 Mar
0

11 masat e propozuara nga grupi i punës i PD, i ngritur nga Kryetari Basha në fillim të shkurtit, të komunikuara për publikun nga dr.Mirela Tabaku.

Komunikimi për publikun nga Dr.Mirela Tabaku

Do të doja ta filloja komunikimin me citimin e drejtorit të OBSH, që bëri në konferencën e fundit për shtyp: Sa vdekjeprurës do të jetë ky virus, varet jo vetëm nga ai por edhe nga mënyra sesi ne do të sillemi.

Për këtë qëllim është e rëndësishme:

  1. Komunikim tejet transparent dhe disa here ne dite me popullatën ne lidhje me situatën aktuale dhe masat e marra nga qeveria.
  2. Prioriteti i rëndësishëm është marrja e masave urgjente në lidhje me mbrojtjen e personelit shëndetësor dhe lehtësimin e punës së tyre në funksion të popullatës. Për këtë është e rëndësishme të veprohet me shpejtësi nga ana e qeverisë në mënyrë të organizuar, me mendje të kthjellët dhe pa panik.
  3. Pajisja e personelit me mjetet mbrojtëse (antivirus protection kit, maskat N95, tutat mbrojtëse, syzet apo vizierat që mbulojnë fytyrën, dorezat, qeset me qafa për veshjen e këpucëve dhe qeset për mbledhjen e mbetjeve).
  4. Marrja e masave për pajisjen adekuate me mjetet mbrojtëse për autoambulancat transportuese dhe stafin mjekësor të tyre.
  5. Bërja gati e çdo strukture të shërbimit parësor apo sekondar spitalor në çdo cep të Shqipërisë. Trajnim i kujdesshëm dhe i detajuar i stafeve mjekësore, qoftë për trajtimin e kujdesshëm të pacientëve, ashtu edhe për mbrojtjen e tyre.
  6. Fuqizimi dhe shtimi i kapaciteteve te laboratorëve, jo vetëm i atyre epidimiologjikë, viralë, por kudo që ato janë.
  7. Mobilizimi dhe vënia në dispozicion e gjithë personelit mjekësor, i cili sot nuk është aktiv, mjekë epidimiologë, infeksionistë apo edhe të specialiteteve të tjera dhe që janë aktualisht në pension.
  8. Rritjae kujdesit dhe promovimi i masave parandaluese për të gjithë popullatën dhe për personelin mjekësor në të gjitha mediat.
  9. Karantinim i detyruar për personat që kanë kontakt me të infektuarit dhe vetëkarantinim vullnetar për personat që vijnë nga zona të infektuara.
  10. Sigurimi i fondeve të detyrueshme nga ana e qeverisë.
  11. Zbatimi me përpikmëri i të gjithë masave dhe protokolleve nga Organizata Botërore e Shëndetësisë

 

Read More
07 Mar
0

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha takim me Presidentin e Parlamentit të Austrisë, z. Wolfgang Sobotka

Kryetari i Partisë Demokratike dhe lideri i Opozitës së Bashkuar Lulzim Basha zhvilloi një takim të veçantë me Presidentin e Parlamentit të Austrisë, Z. Wolfgang Sobotka gjatë vizitës së këtij të fundit në Tiranë. Kryetari Basha duke shprehur përkrahjen e plotë të opozitës për forcimin e bashkëpunimit dypalësh e falënderoi Presidentin për kontributin e Austrisë në ndihmë të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Kryetari i Opozitës i shprehu Presidentit Sobotka besimin se Republika mike e Austrisë do të luajë një rol aktiv mbështetës për hapjen e negociatave me Shqipërinë gjatë presidencës Kroate.

Gjatë takimit, Presidenti Sobotka shprehu interes dhe u informua lidhur me qëndrimet e Partisë Demokratike dhe Opozitës së Bashkuar përsa i përket situatës së krizës politike e institucionale në Shqipëri, perspektivës europiane të vendit, reformës zgjedhore, reformës në drejtësi, gjendjes së shtypit të lirë, si dhe zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kryetari i Partisë Demokratike i prezantoi Presidentit Sobotka shqetësimet e opozitës lidhur me mungesën e demokracisë funksionale në vend, kapjen e shtetit, mosfuksionimin e institucioneve, mungesën e organizimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme, rënien ekonomike, shpopullimin e Shqipërisë, si dhe bllokimin e procesit të integrimit europian të vendit.

Kryetari Basha dhe Kryeparlamentari Austriak patën dakortësi të plotë se udhërrëfyesi më i mirë për daljen nga kriza e thellë politike e institucionale që po kalon vendi, por edhe për të zhbllokuar rrugën e integrimit europian të Shqipërisë, është zbatimi i 9 kushteve të Bundestagut. Kryetari Basha e informoi Kryeparlamentarin Sobotka lidhur me angazhimin e plotë të Partisë Demokratike për të realizuar detyrimet e saj në raport me kushtet e mësipërme, me qëllim hapjen e negociatave për Shqipërinë.

Presidenti Sobotka shprehu bindjen se reforma zgjedhore dhe organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme janë themelore për gjendjen që po kalon vendi, si dhe për perspektivën e mëtejshme. Ai e siguroi Kryetarin Basha për vëmendjen e tij dhe të Austrisë ndaj rolit dhe qëndrimeve të opozitës në Shqipëri. Ndër të tjera Kryeparlamentari austriak nënvizoi rolin e medias në shoqëritë demokratike duke theksuar gjatë takimit se në Shqipëri duhen bërë përpjekjet maksimale për fuqizimin e medias së lirë dhe lirisë së shtypit në përgjithësi dhe se çdo përpjekje në të kundërt do të ishte në dëm të interesit të vendit.

Read More
07 Mar
0

Kryetari Basha në Dajç të Shkodrës, viziton me fëmijët dhe prindërit e zonës shkollën e mbyllur “Shtjefën Maçi”

Në Dajç me nxënës dhe prindër në shkollën 9 vjecare “Shtjefën Maçi” e cila ka mbyllur dyert këtë vit për shkak të largimit të shumë banorëve të kësaj zone nga Shqipëria. Trishtimi dhe vështirësitë e këtyre fëmijëve që udhëtojnë me orë të tëra përditë për të shkuar në shkollë, duhet të marrin fund. Ne do të garantojmë shkolla të hapura në çdo cep të Shqipërisë dhe me alternativën tonë për transformimin ekonomik të vendit, do t’i japim fund largimit masiv të shqiptarëve.

Turi #potëdëgjoj, Kryetari Basha në Dajç të Shkodrës, viziton me fëmijët dhe prindërit e zonës shkollën e mbyllur “Shtjefën Maçi”

Prindrit tregojnë se fëmijët janë zhvendosur larg, në Dajç të ri ose në Shkodër për të ndjekur mësimet.

Fëmijët i thanë Bashës se udhëtojnë çdo ditë me furgon në orën 6.30 për të shkuar në shkollë në Shkodër dhe kthehen pas orës 14.00, duke e bërë të mundimshëm rrugën për shkollë.

Shkolla në Dajç u mbyll këtë vit për shkak të pakësimit të numrit të fëmijëve pas largimit nga Shqipëria të nxënësve dhe familjeve të tyre.

Kryetari Basha: Do të bëj gjithçka që njerëzit të mos ikin as nga Dajçi, as nga Shkodra dhe për këtë më duhet ndihma e të gjithëve.

Basha: Ne do të garantojmë shkolla të hapura në çdo cep të Shqiperisë dhe me alternativën tonë për transformimin ekonomik të vendit do t’i japim fund largimit masiv të shqiptarëve.

 

Read More
06 Mar
0

Basha propozon reformë radikale të sistemit zgjedhor. “Qeveria kalimtare garante për votën e lirë”

1. Basha në takim me të rinj dhe intelektualë prezanton platformën për reformimin e sistemit. Sistemi zgjedhor jo vendim i partive politike, por i popullit.

2. Zgjedhjet në Shqipëri janë prishur. Vota jonë nuk ka vlerë për shkak të paracaktimit të rezultatit. Është koha të ndryshojmë rregullat.

3. Ndryshimi i parë, kontroll të plotë kushtetues dhe ligjor mbi kandidatët, që të jenë të pastër dhe me integritet. Kontrolli të bëhet nga një organizëm i pavarur.

4. Ndryshimi i dytë, tolerancë zero për ata që përfshihen në shitblerjen e votës. Edi Rama i ka mbrojtur dhe promovuar, ne do t’i çojmë në burg.

5. Ndryshimi i tretë, financimi i partive, që ato të mos varen nga biznese dhe individë të pasur. Politikanët të varen nga njerëzit dhe të kontrollohen prej tyre.

6. Kush financon partitë, përjashtohet nga marrja e tenderave publikë pas zgjedhjeve, që të mos përfitojnë për shkak të donacioneve për partitë.

7. Ndryshimi i katërt, identifikim, votim dhe numërim elektronik. Do t’i bëjë zgjedhjet më të ndershme dhe rezultatin më të shpejtë.

8. Ndryshimi i pestë, sistemi. Ne duam një sistem të thjeshtë, të qartë, përfaqësues. Një sistem, që i kërkon llogari qeverisë.

9. Basha për sistemin zgjedhor: Vendimi për sistemin duhet t’u takojë të gjithë qytetarëve, jo vetëm partive politike.

10. Sistemi zgjedhor të garantojë kontrollin dhe balancimin e pushteteve, në mënyrë që pushteti të mos përqendrohet në një dorë.

11. Basha propozon ngritjen e një Senati për llogaridhënien e qeverisë. 40 anëtarët e Senatit zgjidhen bashkë më 100 anëtarët e Parlamentit.

12. Parlamenti me dy dhoma nuk rrit koston për qytetarët, por ndryshon mundësinë për t’u shërbyer njerëzve në mënyrë pozitive.

13. Arroganca dhe presioni i qeverisë nuk do të funksionojnë më për një parlament të fuqizuar me dy dhoma. Qeveria duhet të kërkojë konsensus me të dy dhomat.

14. Basha sjell shembujt e vendeve më të zhvilluara me Senat: SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Italia vende me parlament me dy dhoma.

15. Derisa Shqipëria të bëhet anëtare e BE, 100 ditë para zgjedhjeve shqiptarët të kenë një qeveri kujdestare për të menaxhuar procesin, për të garantuar zbatimin e ligjeve dhe votën e lirë.

16. Basha i vendosur për reformën zgjedhore. Shitblerja e votës shuan zërin e qytetarëve dhe i jep kontrollin një grushti politikanësh, biznesmenësh dhe kriminelësh të fuqishëm.

17. Reforma zgjedhore është hapi i parë për t’i dhënë fund korrupsionit, për një ekonomi më të fortë dhe anëtarësim në BE.

18. Mënyra e zhvillimit dhe rezultati i zgjedhjeve ndikon direkt në jetën tonë. Me një rezultat të ndershëm përfitojnë të gjithë shqiptarët.

 

 

Read More
05 Mar
0

Prishja e banesave në Unazën e Re, Balliu: Aferë skandaloze korruptive

·         Prishja e banesave në Unazën e Re, aferë skandaloze korruptive. Mbi gjakun dhe djersën e banorëve po i hapet rrugë ndërtimit të kullave të pushtetarëve dhe oligarkëve të lidhur me Ramën e Veliajn. Partia Demokratike do t’i qëndrojë kontratës me banorët duke kompensuar sipas ligjit dhe Kushtetutës

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, KLEVIS BALLIU

Policia e Shtetit ka ardhur vetëm me një detyrë: të shkatërrojë provat e vjedhjes makabre në Unazën e Re me projektin famëkeq që po bën gjenocid tek Unaza e re, ku 1 kilometër kushton 20 milion euro dhe 40 milion euro shkon i gjithë projekti.

20 milionë euro kilometri, që nuk ekziston në asnjë vend të Europës apo të botës.

Ky projekt famëkeq dhe korruptiv, ka shkatërruar jetët e këtyre qytetarëve, zonjave dhe fëmijëve të tyre, të cilëve sot u kanë shkatërruar shtëpitë, strehën e tyre. Kjo vetëm për një arsye: ndërtimin e kullave të pushtetarëve dhe të oligarkëve.

Ju po i shikoni sot këto shtëpi, nesër do të shikoni që këtu do të jepen leje ndërtimi mbi gjakun e kurrizin e këtyre qytetarëve. Mbi djersën e këtyre qytetarëve.

Banorëve të Unazës së Re, gjej rastin tu konfirmoj se asnjë germë, asnjë presje, nuk i hiqet kontratës të Partisë Demokratike me banorët e Unazës së re.

Ata do të kompensohen cent për cent me çmimin e tregut, dhe të gjithë përgjegjësit që kanë bërë këtë krim, këtë gjenocid këtyre qytetarëve, do të mbajnë përgjegjësi dhe do të përballen me drejtësinë.

Partia Demokratike nuk i fshihet sot, nuk do t’i fshihet nesër në pushtet, kësaj kontrate. Do t’i qëndrojmë në çdo germë të saj.

Kjo prishje sot, është bërë pa asnjë letër, pa asnjë dokument dhe as nuk e kanë paralajmëruar duke krijuar këtë kaos që është sot me trafikun.

Sepse këta punojnë si mafia. Sepse këta janë mafia.

Këta punojnë në errësirë, nuk punojnë me ligj, nuk punojnë me Kushtetutë. Këta ligjin e kanë armik, këta Kushtetutën e kanë armik dhe sot kanë armiq dhe qytetarët shqiptarë. Por të bindur të jenë qytetarët shqiptarë se këtij pushteti kriminal dhe të korruptuar, që varfëron xhepat e tyre, që po sëmur fëmijët e tyre nëpër shkolla, që po bën qytetarët të vrasin vetën nëpër burgje sepse nuk paguajnë dot dritat, që po bën që qytetarët të vdesin nëpër protesta, këtij pushteti kriminal, të droguar dhe të korruptuar, po i vjen fundi.

Të gjithë qytetarët shqiptarë që janë dhunuar, arrestuar, do të marrin atë çfarë i takon, siç do të marrin atë që i takon ata pushtetarë të korruptuar dhe të inkriminuar.

Pyetje: Pse nuk ka pasur rezistencë nga banorët?

Klevis Balliu: Banorët e Unazës së re kishin dy mundësi. Njëra ishte të bënin luftë dhe të vriteshin me këta oficerë policie apo me këdo që do të çonte Edi Rama dhe Erjon Veliaj. Por qytetarët e Unazës së re, si çdo qytetar tjetër shqiptar, nuk e ka as me policin, as me gazetarin, as me intelektualin, por armiku i tyre është pushteti kriminal i Edi Ramës dhe Erjon Veliajt. Janë këtë dy individë që po bëjnë këtë krim dhe këtë gjenocid këtu. Të përplasen qytetarë me policë, që të gjakosen qytetarë me policë, që të fusë para në xhep Edi Rama dhe të mbizotërojë pushteti i tij mbi gjakun e derdhur të qytetarëve, absolutisht kjo nuk është e pranueshme dhe unë i përshëndes për këtë akt europian. Për hir të së vërtetës këta banorë janë në të drejtën e tyre legjitime të ndërmerrnin çdo lloj mase për ditën e sotme. Sepse sot po u vidhet prona. Sot po u vidhet shtëpia. Kjo po u ndodh banorëve sot dhe ata ishin në të drejtën e tyre të merrnin çdo lloj mase. Por ata zgjodhën të dokumentojnë, dhe kjo është arsyeja se pse jam sot këtu, të dokumentojnë se si sot qeveria me dhunën policore po vjen dhe po shkatërron provat. A e dini se ky projekt është në SPAK?! A e dini ju që ky projekt është te prokuroria e Tiranës?! Si vazhdojnë punimet kur nuk janë mbyllur hetimet?! Çfarë do të hetojë prokuroria nëse shkatërrohen shtëpia dhe shkatërrohen provat?! Çfarë do të hetojë SPAK-u nëse shkatërrohen provat?! Në çdo vend të botës nëse ka hetim ndalohen punimet deri në përmbyllje të hetimeve. Mbi të gjitha nga këta qytetarë janë mbi 200 persona të arrestuar. Më thoni emër të arrestuar për aferën korruptive te Unaza e re. Më thoni një emër të arrestuar nga ata që kanë marrë pjesë tek tenderimi fiktiv, salillarëve të partisë. Më thoni një emër të arrestuar për vjedhjet në këto 7 vite në Shqipëri. Më thoni një emër të arrestuar nga ata që kanë dalë nga dosja e Dibrës 184. Kush është arrestuar? Askush! Vetëm qytetarët ende burgjeve sepse nuk paguajnë dot dritat. Burgjeve se mbrojnë shtëpitë e tyre, se mbrojnë ligjin, Kushtetutën. Sepse kjo qeveri është qeveria anti-ligj, është qeveria anti-Kushtetutë. Kjo është qeveri e bandave, qeveri e mafias, funksionon si mafia, punon si krimi i organizuar dhe është misioni i tyre të shkatërrojnë Shqipërinë, për ti hapur rrugë krimit të organizuar dhe salillarëve të partisë, që mbi gjakun e këtyre qytetarëve kërkojnë të ndërtojnë kullat.

Ju e dini fare mirë se tenderin për lotin nr.2 e ka marrë Salillari, por ky tender ishte nën hetim. Kështu e nxorën mediat, kështu e tha ministria më përpara, dhe tani del ministria dhe thotë që nuk është nën hetim. Del zonja Balluku dhe thotë se nuk është më nën hetim! Po si nuk është nën hetim një tender fiktiv si ai, ku njëri bën ofertë zero dhe tjetri ofron çfarë të dojë, që t’i siguronte fitoren Salillarit?! Dhe shikoni ku jemi sot. Kush e mori lotin e parë? Përsëri Salillari.

Kjo është qeveri e Salillarëve, jo e qytetarëve, por kësaj qeverie po i vjen fundi. Banorët e unazës të ruajnë qetësinë dhe ta dinë: Partia Demokratike do ti përgjigjet cent për cent, do të marrin lekët siç u takon me ligj dhe me Kushtetutë me çmimin e tregut, sepse është e drejta e tyre. Nuk po u bëjmë as nder, asgjë, thjeshtë po respektojmë ligjin dhe Kushtetutën.

Partia Demokratike do tu përgjigjet qytetarëve të unazës dhe të gjithë qytetarëve shqiptar të cilëve iu janë bërë padrejtësi nga qeveri pushtuese siç janë këta që sot po drejtojnë vendin.

Por koha e tyre po mbaron. Është koha e qytetarëve dhe këta do të mbajnë përgjegjësi nuk do të harrohet. Asnjë arrestim i paligjshëm, asnjë lot i derdhur nga nënat e këtyre qytetarëve që janë sot këtu, asnjë fëmijë që është marrë zvarrë nga kjo polici e inkriminuar dhe e droguar që deri dje na mbillte canabis, sot vjen dhe shkatërron shtëpitë.

Prandaj unë do i bëj thirrje çdo qytetari që të bashkohen të gjithë me njëri-tjetrin, kundër këtij pushteti kriminal.

Read More
05 Mar
0

5 arsyet pse ligji për Kalimin e Pronësisë që miraton Rama sot, është anti-kushtetues.  Ky ligj i jep Ramës fuqinë e një gjykate duke vendosur për kufijtë e pronës në rast konflikti gjë që bie ndesh me Kodin e Prcedurës Civile duke marrë fuqi e kompetenca ekstraligjore

·       5 arsyet pse ligji për Kalimin e Pronësisë që miraton Rama sot, është anti-kushtetues.  Ky ligj i jep Ramës fuqinë e një gjykate duke vendosur për kufijtë e pronës në rast konflikti gjë që bie ndesh me Kodin e Prcedurës Civile duke marrë fuqi e kompetenca ekstraligjore

 

·       Partia Demokratike zotohet se do të rrëzojë këtë korpus ligjor anti-pronë, që cenon dhe sulmon parimin themelor të barazisë përpara ligjit, gëzimin e të drejtës së pronës dhe vendimet Gjykatës Kushtetuese.

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, JORIDA TABAKU

Edi Rama, ka prodhuar në 7 vjet një korpus ligjor anti-pronë dhe pro oligarkë. Synimi i këtij korpusi ligjor është zhdukja e të drejtës së qytetarit për të gëzuar pronën, vjedhjen e saj për interesa personalë të tarafit ekonomik të Ramës.

Në gjithë këtë grup ligjesh, qeveria dhe mazhoranca kanë shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën e Shqipërisë, Vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe ato të Strasburgut. Të uritur për të gllabëruar e marrë çdo pronë të mundshme, mazhoranca ka dhunuar plotësisht parimin e shenjtë të Kartës të të Drejtave të Njeriut.

Në projekt-ligjin për Kalimin e Pronësisë, mazhoranca nuk ka respektuar asnjë nga këshillat parimore të Komisionit të Venecias. Jo vetëm kaq por ajo ka ideuar një ligj akoma dhe më  malinj se ai që kish propozuar më parë, duke e ndryshuar vetëm në fasadë dhe duke ruajtur brendinë e tij.

Projektligji që sot po miratohet nga votat e noterit personal të Ramës, të parlamentit ilegjitim, i kalon kompetenca ekstra ligjore agjencive të qeverisë si e si që kjo e fundit të përdorë pushtetin e saj për të kryer ndere personale.

Praktikisht do të kemi disa ligje në fuqi që janë në kundërshti të pastër me njëri tjetrin. Ligji për planifikimin e territorit dhe ligjin në fjalë që i jep të drejtën ASHK-së të vjedhë kompetencat e IKMT-së. Me qëllimin që procesi i legalizimeve jo vetëm të mos përfundojë kurrë, por të jetë një rrjetë me të cilën qeveria të marrë vota dhe të abuzojë me pushtetin.

Aq i pandershëm është ky ligj saqë qeveria ka vendosur që të mos mbrojë interesat ekonomik të pronarit të ligjshëm. Propozimi i cili do të votohet në kuvend, nuk i jep asnjë afat garancie të shpërblimit për tokën e grabitur pronarit. Nga ana tjetër nuk i jep as siguri për legalizimin e tij.

Sakaq, pronarët që në të drejtë të tyre kanë gëzuar një pronë për vite edhe dekada me radhë në rast të mungesës së një tapie do të konsiderohen si ilegalë. Kjo çmenduri që votohet sot në kuvendin e Shqipërisë nga noterët e krye-oligarkut Rama i kërkojnë pronarit të tokës që të ri blejë truallin e tij dhe ndërtesën e tij edhe nëse kjo është ndërtuar përpara 1991.

Të vetmit që mund të gëzojnë me këtë ligj janë padyshim oligarkët e shpurës së Ramës. Janë pikërisht ato që mbrohen specifikisht për gjoja investimin e tyre që njihet si qera 99 vjeçare.

Në raste të tilla, kur një oligark që ka zgjeruar pronën e tij ilegalisht nga ajo çfarë ka marrë me qera, mund ta posedojë këtë pronë të grabitur me letra, lehtësisht. Madje një lehtësi e tillë bie dhe në kurrizin e pronarit privat apo publik edhe me një çmim qesharak.

Në fjalë të tjera. Mjafton që një prej këtyre që ka marrë rrugët e florinjta me koncensione miliarda euro, nga veriu në jug, që të vendosë njollën e tij në një tokë private apo publike duke zgjeruar aktivitetin e tij. Dhe ai mundet të zotërojë këtë tokë për biznesin e tij në dëm të interesit të qytetarëve.

Ky ligj i jep fuqi Ramës dhe vartësve të tij të kenë autoritetin e një gjykate, duke vendosur për kufinjtë e pronës në rast konflikti, të drejtë që deri më sot e kanë vetëm gjykatat në Republikën e Shqipërisë, që bie ndesh me Kodin e Prcedurës Civile duke marrë fuqi e kompetenca ekstraligjore.

Komisioni i Venecias foli qartë për këtë ligj si dhe për grupin prej 10 ligjesh që PD ka vite që i denoncon. Miratimi i këtij Ligji është një hap më tej në uzurpimin e çdo hapësirë institucionale, në marrjen e çdo kompetence dhe në rrëmbimin e cdo përgjegjësie.

Partia Demokratike zotohet se do të rrëzojë këtë korpus ligjor anti-pronë, që cenon dhe sulmon parimin themelor të barazisë përpara ligjit, gëzimin e të drejtës së pronës dhe vendimet Gjykatës Kushtetuese.

Gjithashtu zotohemi se do të trajtojmë pronën, pronarët dhe qytetarët që duan të gëzojnë pronën e tyre jo me parimin “prona e para”. Përkundrazi, ne do të vendosim pronën dhe gëzimin e saj primare duke vlerësuar dhe respektuar çdo zgjidhje që nuk e trajton këtë proces si formë kërcënimi, por si një mënyrë për të respektuar të drejtat dhe liritë e qytetarëve.

Ky ligj i vë edhe njëherë vulën Kuvendit ilegjitim, Kuvendit që ka dalë jashtë çdo funksioni. Mbron çdo interes, përveç interesat legjitime të qytetarëve shqiptarë.

 

Read More
04 Mar
0

Kthimi nga Presidenti i ligjit antikushtetues për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është akti i duhur në mbrojtje të Kushtetutës dhe interesit publik nga interesat private korruptive të kryeministrit të vendit.

• Kthimi nga Presidenti i ligjit antikushtetues për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është akti i duhur në mbrojtje të Kushtetutës dhe interesit publik nga interesat private korruptive të kryeministrit të vendit.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, SEKRETARI PËR ÇËSHTJET LIGJORE, ÇLIRIM GJATA

Uzurpimi i Gjykatës Kushtetuese është një nga qëllimet e hershme të Edi Ramës për të kapur të gjitha organet e drejtësisë. Kjo është arsyeja pse vendi ndodhet prej dy vjetësh pa një Gjykatë Kushtetuese funksionale dhe përse Edi Rama po ndërmerr akte që shkelin Kushtetutën, që zhbëjnë reformën në drejtësi dhe minojnë stabilitetin politik të vendit.

I tillë është ligji antikushtetues që ndryshon procedurën e betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët, në kundërshtim me Kushtetutën, detyrohen të bëjnë betimin me postier, përmes një deklarate me shkrim.

Ky ligj që privatizon Gjykatën Kushtetuese nga Edi Rama, është kthyer nga Presidenti i Republikës, i cili, ka bërë aktin e duhur në mbrojtje të Kushtetutës së vendit. Partia Demokratike mbështet kthimin e këtij ligji, që i jep Edi Ramës kontrollin total të shtetit dhe shënon rënien e demokracisë dhe shtetit ligjor.

Akti i Presidentit parandalon një goditje të rëndë kundër Kushtetutës, pasi neni 129 i Kushtetutës sanksionon në mënyrë të qartë dhe urdhëruese se “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës.” Kushtetuta nuk lejon asnjë lloj procedure tjetër betimi, as me noterët, as me postierët e Edi Ramës.

Duke i rrëmbyer kompetencat Presidentit, kryeministri i zgjedhjeve të vjedhura me krimin kërkon të ketë kontroll mbi Gjykatën Kushtetuese, sepse ajo do të shqyrtojë votimet moniste të 30 qershorit dhe aktet e tjera antikushtetuese që cënojnë rëndë lirinë e shprehjes, që përligjin vendimet e Edi Ramës pët t’u vjedhur pronat pronarëve të ligjshëm, ia heqin hetimin prokurorisë dhe ia japin narkopolicisë politike dhe bëjnë Edi Ramën pronarin de facto të Shqipërisë.

Akti i Presidentit shkon në unison me aspiratën e qytetarëve shqiptarë të cilët duan një shtet ligjor, një drejtësi të pavarur dhe të barabartë për të gjithë, që funksionon me standardet më të mira europiane; duan një Gjykatë Kushtetuese që, mbron interesin publik nga interesat private të politikanëve dhe kryeministrit të vendit.

Akti i Presidentit është guri i fundit institucional në mbrojtje të parimit kushtetues të kontrollit dhe balancimit të pushteteve në Shqipëri.

Read More