Blog

30 Jan
0

Basha rikthehet në Shkozet: 2 muaj pas tërmetit, banorët pa bonusin e qerasë. Qytetarët po paguajnë faturën e dështimit dhe të propagandës së Ramës

Kryetari i opozitës Lulzim Basha u takua në Shkozet me banorë të braktisur nga shteti, të cilët nuk kanë marrë bonusin e qerasë prej 2 muajsh. Banorët thanë të revoltuar se pallati i tyre është shumë i dëmtuar, por bashkia, pa bërë vlerësim me ekspertizë, u ka thënë të futen brenda.

Për kryetari e opozitës, kjo situatë pasigurie tek njerëzit 2 muaj pas tërmetit, është fatura e dështimit dhe e propagandës së qeverisë.

“Nuk ka asnjë ndryshim, ka dy muaj. As vlerësim të dëmeve, dhe as faturën e dëmeve. Kemi vetëm llafe dhe vetëm propagandë. Jam shumë i shqetësuar, sepse kjo po fillon të futet në dismensionin e tretë të krizës. E para shëndeti i të sëmurëve, të moshuarve dhe të fëmijëve, e dyta gjendja e biznesi për të cilën dua të njihem realisht se çfarë po ndodh dhe impaktin që ka në ekonominë e Durrësit dhe e treta, ndërkohë që fillon viti buxhetor, lëvrohen 150 milionë dolarë për oligarkët, ndërsa për njerëzit presin konferencën e donatorëve për të dhënë bonuset e qerasë dhe për të dëmshpërblyer shtëpitë”, tha Basha.

Read More
30 Jan
0

“Asnjë masë në ndihmë të biznesit”, Pasojat e tërmetit, Basha: Ka nisur dimri ekonomik, falimentimi i bizneseve 25% më i lartë.

Tërmeti ka patur ndikim të drejtpërdrejtë tek ekonomia, tek rënia e konsumit. Dhe në radhë të dytë tek indikatorët që po shohim dhe se si po ndikon tek ekonomia e Durrësit dhe tek zonat e tjera të goditura, dhe padyshim si e përcjell këtë në Tiranë.
Për një gjë tjetër më vjen keq, që dy muaj më parë, pas bisedës tonë të parë ne bëmë një plan me pesë pika duke marrë përvojën italiane. Dhe i kërkuam qeverisë të merrte pesë masa të thjeshta:

1. Përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore gjatë periudhës së rindërtimit për të gjithë operatorët ekonomikë me aktivitet në zonat e prekura.
2. Përjashtimin nga tatim fitimi për të gjitha subjektet që e ri-investojnë fitimin për të rikuperuar dëmet e tërmetit.
3. Pezullimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën deri në rikuperimin e dëmeve dhe pagesat e shtyra të kryhen me këste pas periudhës së rikuperimit.
4. Përjashtimin nga TVSH për të gjitha materialet, lëndët e para, mjetet kapitale që përdoren për rikuperimin e dëmeve.
5. Pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit gjatë kohës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

Këtu me thënë të drejtën mund të kishim futur edhe shpenzimet të paktën për periudhën e emergjencës një mujore edhe shpenzimet e telefonisë celulare. E bëjnë turqit. Veçanërisht në atë periudhë sa hapesh me reklama e me kaq dhurova unë, e kaq dhurove ti; këtë kërkesë në fakt duhet t’ia kisha shtruar që në fillim kompanive të telekomunikacionit që për zonën e goditur të kishin bërë komunikimin falas për ata numra që janë regjistruar në atë zonë sepse edhe diçka praktika. Shumica prej tyre janë me pagesë, dhe ato ditë të para sa të shkonin të paguanin atë 10 mijë lekësh për të rimbush kartën e telefonit t’ua jepte këtë lehtësi.

Natyrisht këto që i kemi nxjerrë si pika i kemi nxjerrë bazuar në përvojat më të mira europiane edhe mbi ato që dëgjova nga ju kur u takova për herë të parë. Por në fakt ky nuk mund të jetë një veprim spontan. Kjo duhet të jetë një praktikë e qeverisë.

Menjëherë sapo nxora këto pesë pika, dëgjova nga ana e qeverisë që tha “Disa nga pikat që ka nxjerrë Lulzim Basha janë në hartim e sipër”. Se çfarë ka ndodhur pas “hartimit e sipër”, unë nuk e di. Ndoshta unë jam i painformuar. Por kjo nuk ka gjasa, sepse kryetari i opozitës është njeriu i dytë më i informuar në Shqipëri, pas të parit të qeverisë.

Por nëse jam i pa informuar dhe situata këtu është ndryshe nga sa me thonë informacionet dhe burimet e mia, ma thoni. Por sipas informacioneve dhe burimeve të mia situata është njësoj dhe në disa aspekte, shumë më keq.

Kanë filluar efektet e para të asaj që e kam quajtur dimri ekonomik. Më thonë që afro 25% më shumë është rritur falimentimi i biznesit të vogël. Ndërkohë që kostoja që ka përcjellë tërmeti dhe pasojat e tërmetit edhe tek biznesi jo i vogël dhe biznesi madh dhe biznesi prodhues në tërësi, tani po fillon të ndihet kafshimi i kësaj kostoje dhe po fillon të përkthehet në disa raste edhe në largim njerëzish nga puna. Sepse është edhe një nga zërat e para që biznesi redukton kur nuk është në gjendje të përgjigjet financiarisht.
Kjo natyrisht është një situatë katastrofike.

E para arsye përse doja t’ju takoja dua të di situatën tuaj reale. Dua të përsëris dhe te sensibilizoj sa të mundem, se nuk ka përse të jetë kështu. Nuk jemi me duart përpjete së nuk kemi çfarë të bëjmë. Atë formulë që dhamë para dy muajsh e kemi edhe sot. Nuk mundet që të jemi edhe në emergjencë dhe të sillemi sikur jemi në luks. Edhe të jesh në emergjence dhe ta zgjasësh deri në mars dhe ndërkohë që vazhdon pagesa fiktive, të bëj edhe ndonjë fitim. O je në emergjencë dhe gjithçka mobilizohet si në emergjencë. E para që mobilizohet në emergjencë është financa. Ligji i emergjencave është bërë që ti japë Këshillit të Ministrave dhe Qeverisë lehtësira në mënyrat se si të disponojë buxhetin; që të mos ketë të njëjta procedura të alokimit të fondeve; që të mos ketë të njëjta procedura të tenderimit. Për këtë është bërë ligji i emergjencës se nuk ka gjë tjetër. Mirë që struktura e emergjencës u pa që nuk ekzistonte, por të paktën kaluan dy muaj, si nuk është marrë asnjë masë. Dhe se kam me asnjërin prej jush personalisht, edhe pse secili prej jush e ka hall personal, ka hall familjar dhe qindra familjeve që ushqehen me biznesin. Këtu kemi të bëjmë me interes qytetar dhe kombëtar. Kemi të bëjmë me interes publik. nuk ka më kohë, në një mënyrë apo tjetër duhet ti’ japim zgjidhje. Edhe në qoftë se qeveria aktuale nuk është e gatshme, kemi një arsye më shumë për të bërë çfarë është e mundur për t’i dhënë zgjidhje.

Read More
30 Jan
0

Edi Rama ta nisë ndëshkimin për ndërtimet nga Erion Veliaj, Sadri Abazi, Tom Doshi, Jurgis Çyrbja, Vladimir Kosta.

  • Edi Rama ta nisë ndëshkimin për ndërtimet nga Erion Veliaj, Sadri Abazi, Tom Doshi, Jurgis Çyrbja, Vladimir Kosta.

DEKLARATË PARTIA DEMOKRATIKE, ORIOLA PAMPURI

Në qendër të Tiranës, në këtë ndërtesë, po ndërtohet një shtesë në kat të fundit. As më pak e as më shumë është shtesa, të cilën po e ndërton vetë miku i tij, ish-deputeti i Partisë Socialiste.

Edi Rama sot deklaroi që do të ketë ndëshkim për të gjithë ata ndërtues të cilët ndërtojnë shtesa pa leje. Por së pari le ta nisë ndëshkimin me ata të cilët japin lejet e ndërtimit, nga ata të cilët lejojnë këtë katrahurë që ka ndodhur në Tiranë.

Këtë katrahurë në Tiranë e ka sjellë Edi Rama për 11 vjet kryetar Bashkie dhe tani, pasuesi i tij Erjon Veliaj, të cilët japin lejet e shkatërrimit që kanë bërë të mundur betonizimin e Tiranës.

Edi Rama për 11 vite kryetar Bashkie, sipas raportit të OSBE-së, vuri 200 milionë euro, Erjon Veliaj është ai i cili ka dhënë lejen e ndërtimit të kësaj shtese, mbi këtë pallat dhe Edi Rama nga foltorja e parlamentit deklaroi sot se do të ketë ndëshkim për të gjithë ata ndërtues që japin leje për shtesat e pallateve. Le ta nisë nga kjo shtesë që është dhënë këtu, i është dhënë klientit të tij, ish-deputetit, mikut të tij.

Edi Rama punon me dy standarde nga njëra anë kërkon të ndëshkojë ata të cilët janë qytetarë të thjeshtë, ndërtues të cilët nuk kanë lidhje me të, dhe nga ana tjetër mban dhe mbështet ndërgtuesit që janë klientët e tij, ata me të cilët ndan paratë dhe mbështetës të tij.

Edi Rama le ta nisë ndëshkimin nga Sadri Abazi, le ta nisë ndëshkimin nga Tom Doshi, bnga Jurgis Çyrbja, le ta nisë ndëshkimin nga miqtë, ish-deputetët, deputetët e tij dhe nga oligarkët me të cilët ndan paratë nga mëngjesi në darkë.

Ftoj Edi Ramën dhe zyrtarët e korruptuar të policisë bashkiake, të ALUIZNI-t, së bashku me shkatërruesin e Tiranës Erjon Veliaj, bashkë me Edi Ramën shkatërruesin e Tiranës si kryetar Bashkie i cili betonizoi Tiranën, ta nisin këtu ndëshkimin, nga kjo shtesë, e cila sot vijon punimet në mes të ditës.

Edi Rama nise që këtu, jo nga hallexhinj, që nuk i mbështete kurrë.

Read More
30 Jan
0

Pasojat e tërmetit, PD dorëzon kallëzimin penal në SPAK për zyrtarët e lartë

 

Partia Demokratike i është drejtuar Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion me një kallëzim penal lidhur me pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit 2019.  Erjon Veliaj, Sandër Lleshaj, Artur Bushi, Vangjush Dako, Valbona Sako dhe Besa Shahini, janë disa nga zyrtarët e lartë publikë të kallëzuar penalisht nga Partia Demokratike e Shqipërisë, për 5 vepra penale:

“Shpërdorim detyre”

“Vrasje nga pakujdesia” në rrethana rënduese

“Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”

Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë”.

Në kallëzimin e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi, një javë më parë, evidentohet se: “Neglizhenca kriminale e Kryetarit të Bashkisë Krujë dhe të funksionarëve të tjerë publikë, duke lejuar banorët e 2 pallateve në Thumanë të qëndronin në brendësi të këtyre godinave, të cilat ishin deklaruar të pabanueshme dhe përbenin rrezik serioz për jetën e banorëve, ka sjellë pasojën e rëndë të vdekjes së 24 qytetarëve. Kjo përbën veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Vrasje nga pakujdesia” në rrethana rënduese”.

Kallëzimi i PD-së thekson se “zyrtarët publikë me vetëdije të plotë nuk kanë marrë asnjë masë për parandalimin e këtyre pasojave dhe pse kishte informacion të plotë dhe të detajuar në lidhje me pasigurinë që këto objekte paraqesin, por me shpërfillje totale dhe pas pasojave të tërmetit të datës 21.09.2019, përsëri refuzoi të ndërmerrte masat ligjore”. Kjo shpërfillje totale për jetët njerëzore nga zyrtarët publikë e bën vdekjen e 24 qytetarëve në Thumanë një “vrasje shtetërore”, për të cilën duhet të përgjigjen penalisht personat përgjegjës.

E njëjta përgjegjësi evidentohet edhe për vdekjen e Kryekomisar Bajram Hajdarmetaj, në Godinën e Konvaleshencës në Durrës, e cila ishte shpallur e pabanueshme pas tërmetit të 21 Shtatorit, por Ministria e Brendshme nuk kishte marrë asnjë masë për të ndaluar hyrjen në godinë. Si pasojë e kësaj neglizhence totale të Ministrit të Brendshëm dhe të vartësve të tij në kryerjen e detyrave dhe funksioneve të tyre, ka ardhur një pasojë shumë e rëndë, vdekja e Kryekomisarit Hajdarmetaj.”

Në kallëzimin penal drejtuar SPAK-ut, listohen të gjitha rastet e dëmtimit të infrastrukturës arsimore publike, të cilat janë ndërtuar apo rikonstruktuar vitet e fundit, por janë shkatërruar si pasojë e tërmetit. Për Partinë Demokratike, shkatërrimi apo dëmtimi i këtyre objekteve është rrjedhojë e prokurime publike korruptive, që kanë sjellë cilësi të dobët të punimeve, duke vënë në rrezik serioz jetën e fëmijëve.

Duke kërkuar nga SPAK regjistrimin dhe fillimin e procedimit penal ndaj personave të kallëzuar, Partia Demokratike thekson se ky kallëzim është provë për SPAK që të dëshmojë se zbatimi i ligjit është i barabartë për të gjithë, pavarësisht pozitës shtetërore, duke i dhënë fund në këtë mënyrë pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë.

Read More
29 Jan
0

Keqmenaxhimi i Albpetrol, kompania shtetërore e naftës fsheh të dhënat për humbjet. Favorizohen koncesionarët në dëm të interesit publik.

  • Keqmenaxhimi i Albpetrol, kompania shtetërore e naftës fsheh të dhënat për humbjet. Favorizohen koncesionarët në dëm të interesit publik.

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, LUAN BAÇI

 

Rreth 1 vit më parë, Partia Demokratike denoncoi keqmenaxhimin e kompanisë shtetërore të naftës, Albpetrol dhe të reformës politike në këtë kompani, ku u hoqën profesionistët dhe u mbajtën militantët. Qeveria, siç e ka zakon, u përpoq ta mbysë realitetin me propagandë dhe mashtrime, duke mohuar të vërtetën.

 

Një vit më pas, Albpetroli ka ndërruar 3 drejtorë me motivationin “rezultate negative”, gjë që konfirmon shqetësimet e ngritura prej nesh. Por, megjithëse ka ndërruar 3 drejtorë në 12 muaj, Albpetrol nuk ka përmirësime.

 

Ashtu siç pritej, drejtuesja e re e kompanisë shtetërore të naftës Erjola Muka, po rezulton një dështim.

 

Kompania nuk e ka realizuar planin e nxjerrjes së naftës as me drejtuesen e re, e cila rezulton e paaftë profesionalisht. Ajo është një inxhiniere kimiste mjedisi dhe nuk ka patur më parë asnjë ditë përvojë pune në fushën e hidrokarbureve apo të menaxhimit të një kompanie të ngjashme.

 

Nga 6 vendburime, në 5 prej tyre nuk realizohet plani. Objektivi është arritur vetëm në vendburimin e Karbunarës, ku plani është vetëm 1 ton, më i ulëti nga të gjithë. Partia Demokratike disponon të dhëna se deri 2 javë më parë, Albpetroli ishte minus 26 tonë naftë në një ditë të vetme,  ndërsa 160 puse janë jashtë përdorimit për shkak të difekteve, ku nuk vë dorë njeri.

 

Për të fshehur dështimin, vjedhjen dhe lehtësirat e paligjshme koncesionarët, kompania shtetërore Albpetrol nuk publikon të dhëna nëse është më fitim apo me humbje. Nuk dihet bilanci i saj, sa janë të ardhurat, sa janë shpenzimet.

 

Albpetrol ka detyrimin të bëjë publik prodhimin mujor dhe vjetor të naftës. Të bëjë transparencë për sasinë e naftës që eksporton dhe asaj që përpunohet në vend, duke mos vënë të parin interesin e koncesionarëve, por të naftëtarëve dhe të shqiptarëve.

 

Kompanitë koncesionare kanë detyrim që 50 % të prodhimit vjetor ta perpunojne në vend, por, me miratimin korruptiv të Albpetrolit, ata nuk e bëjnë një gjë të tillë. Kjo është edhe arsyeja pse prodhimi i naftës mbahet i fshehtë. Kjo marrëdhënie e paligjshme, dhe korruptive mes kompanisë shtetërore të naftës dhe koncesionarëve privatë përbën shkakun kryesor lae rafineritë e nadyës mbeten pa punë dhe punonjësit e tyre pa bukën e gojës.

 

Përfitoj nga rasti që, në emër të Partisë Demokratike, të mbështes protestën e përsëritur të punonjësve të rafinerisë së Ballshit, që nuk marrin dot rrogat. Ata janë mashtruar për të disatën herë nga kjo qeveri, por roblemi i tyre nuk ka për t’u zgjidhur përsa kohë vendi drejtohet nga ata që u shërbejnë okigarkëve, pasurimit të paligjshëm të tyre dhe jo qytetarëve.

 

E vërteta e Albpetrolit është se kompania shtetërore vidhet pa pushim për të pasuruar një grusht pushtetarësh dhe klientësh të tyre. E vërteta është se kompania, që duhet të sillte zhvillim për zonën trajtohet si celulë partiake, ku ka rëndësi punësimi i militantëve dhe largimi i profesionistëve të ndershëm.

 

Çlirimi i Albpetrolit nga interesat mafiozë, që punojnë për pushtetarët dhe oligarkët përbën një nga prioritetet kryesore të Partisë Demokratike.

Read More
29 Jan
0

Edi Rama ka dështuar

Edi Rama 🤡 nuk dëgjonte kur opozita denonconte kanabizimin e vendit 🚭. Edi Rama 🃏 nuk dëgjonte kur media shqiptare 🇦🇱 dhe ajo ndërkombëtare 🌍 publikonin shifrat alarmante të mbjelljes së kanabisit 📈. Edi Rama 🏴‍☠ nuk dëgjonte 🙉 as kur raportet e huaja e rendisnin Shqipërinë si prodhuese dhe eksportuese të kanabisit 👎🏼. Edi Rama 👺 ende nuk dëgjon alarmin e kanabizimit 🚨 që vazhdon të bjerë 🔔! Edi Rama ka dështuar! ☠🎭👹🚫

Read More
29 Jan
0

SPAK në rrezik për t’u kthyer shtojcë e PS. Me vendimin për të mos hetuar Edi Ramën në dosjen 184 të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër, Arben Kraja minoi besimin tek SPAK.

  • SPAK në rrezik për t’u kthyer shtojcë e PS. Me vendimin për të mos hetuar Edi Ramën në dosjen 184 të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër, Arben Kraja minoi besimin tek SPAK.

 

DEKLARATË PARTIA DEMOKRATIKE, ENKELEJD ALIBEAJ

 

Hetuesi i diktaturës komuniste, që sot drejton Prokurinë e Posaçme Antikorrupsion, Arben Kraja, nuk është emëruar në krye të SPAK-ut për të ndëshkuar politikanët me pushtet, por për t’i mbrojtur ata.

 

Vendimi i tij i paligjshëm dhe politik për të mos hetuar krimin e rëndë të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër i shërben kreut të grupit të strukturuar kriminal, Edi Rama, i cili urdhëroi masakrën elektorale të Dibrës 3 vjet e gjysëm më parë.

 

Pas vendimit që synon varrosjen e dosjes 184 dhe çlirimit penal të Edi Ramës e Damian Gjiknurit nga akuzat për vjedhjen e zgjedhjeve, Partia Demokratike e konsideron Arben Krajën një shërbëtor tjetër të Edi Ramës në drejtësi.

 

Ky është një nga ato vendime që minojnë besimin e opinionit publik tek reforma në drejtësi, për të cilën janë hedhur miliona euro dhe dollarë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve në nivele të larta.

 

Duke mos lejuar SPAK-un të hetojë skemën e vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër, duke mos lejuar të zbulohet zyrtarisht cili ishte roli i Edi Ramës, çfarë detyre i dha Damian Gjiknurit, sa para hodhën në fushatë për blerjen e votës dhe frikësimin e votuesve, cili është burimi i këtyre parave, cilat ishin grupet e drogës që përfshiu në zgjedhje Partia Socialiste, Arben Kraja ka vepruar kundër interesave të Shqipërisë.

 

Duke ridërguar dosjen 184 në Dibër, drejtuesi i SPAK, praktikisht, ka varrosur hetimin e një krimi të dokumentuar zgjedhor, i cili është kusht i Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

 

Juridikisht, nuk ka asnjë dilemë që Arben Kraja mashtron për llogari të Edi Ramës, kur thotë se SPAK nuk ka kompetencë për të hetuar Edi Ramën. Prokuroria e Posaçme u ngrit për një qëllim të vetëm – të çojë para drejtësisë politikanët që shkelin ligjin.

 

Politikisht, Partia Demokratike shpreh keqardhjen që, për shkak të drejtuesit të saj, shërbëtor të Edi Ramës, SPAK-u ka marrë një goditje të rëndë në imazhin si organ i pavarur.

 

Shërbimi ndaj partisë në pushtet u paralajmërua prej nesh, që kur u zbulua se drejtuesi i SPAK kishte qenë një hetues i zellshëm i regjimit komunist deri në grahmat e tij të fundit. Prandaj ne i kërkuam atij dhe një anëtari tjetër të SPAK, që u kap në foto me Ulsi Manjën e partisë Socialiste, të hiqnin dorë për të ruajtur integritetin e Prokurorisë së Posaçme.

 

Partia Demokratike e ka bërë të qartë prej fillimit se ajo nuk do të paragjykojë punën e këtij organi, i cili është i vetmi nga organet e reja të drejtësisë që ne kemi votuar me garancinë e partnerëve tanë.

 

Partia Demokratike ka paralajmëruar gjithashtu, se dosjet 339 dhe 184 për shitblerjen e votave janë një nga testet e medha, nëse do të kemi apo jo SPAK të vërtetë, siç e presin shqiptarët.

 

Me vendimin për të refuzuar hetimin e dosjes 184, Arben Kraja, tregoi se SPAK është në rrezik të kthehet në një shtojcë të partisë në pushtet dhe kryeministrit të vendit, duke dëmtuar rëndë imazhin, integritetin dhe besimin e shqiptarëve tek Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion.

 

Read More
28 Jan
0

REAGIM I SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË DEMOKRATIKE GAZMENT BARDHI

REAGIM I SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË DEMOKRATIKE GAZMENT BARDHI

Vendimi i hetuesit të komunzimit, Arben Kraja për të mos lejuar SPAK-un të hetojë Edi Ramën, Damian Gjiknurin, Pjerin Ndreun apo Ulsi Manjën për vjedhjen e zgjedhjeve në Dibër është vendim politik dhe kundër interesave të Shqipërisë.

Hetimi i dosjeve ku janë përfshirë zyrtarë të lartë, siç është kryeministri dhe disa deputetë të PS është detyrë ekskluzive e SPAK-ut.  Prokuroria e Posaçme u ngrit për t’i dhënë fund pandëshkueshmrisë së politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, por akti i sotëm i shërbëtorit të Edi Ramës në krye të SPAK-ut godet çdo pritshmëri se Arben Kraja mund të sillej ndryshe nga Donika Prela, përsa kohë padroni i tyre është në krye të qeverisë.

Duke ridërguar dosjen 184 në Dibër, drejtuesi i SPAK, praktikisht, ka varrosur hetimin e një krimi të dokumentuar zgjedhor, i cili është kusht i Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Arben Kraja ka detyrim të japë sot sqarime publike pse i mohoi SPAK-ut mundësinë e hetimit të Edi Ramës dhe shpurës së tij për vjedhjen e zgjedhjeve në Dibër.

Read More
28 Jan
0

Rritja me 1200 përqind e kanabisit, dështim i Ramës. Salianji: Rama mbrojtës i  bosëve të krimit të organizuar.

DEKLARATË PARTIA DEMOKRATIKE, ERVIN SALIANJI

 

 

Propaganda e Edi Ramës ka paguar shtrenjtë brenda dhe jashtë vendit për ta prezantuar Shqipërinë si një vend në reforma të vazhdueshme në përpjekje për të arritur standardet europiane dhe për t’iu bashkuar familjes europiane.

 

Por propaganda nuk e blen dot gjithmonë të vërtetën. Reportazhi i televizionit shtetëror Rai 3, faktoi se Shqipëria vazhdon të jetë Kolumbia e Europës.

 

“Vendi është gjithmonë e më shumë në dorën e narko-trafikantëve”.

 

“Hyrja në Bashkimin Europian është një shpresë më shumë për shqiptarët që të çlirohen nga makthi i kriminalitetit”.

 

“Prodhimi i kanabis është rritur 1200%”.

 

“Janë 100 mijë rrënjë kanabisi të fshehura”.

 

“Mafia shqiptare rol kryesor në trafikun e kokainës”

 

Këto mund t’ju tingëllojnë si fjalë të thëna nga çdo opozitar me qeverinë, por ky është qëndrimi i televizionit shtetëror italian dhe i prokurorit antimafia të Leçes për gjendjen në Shqipëri.

 

Le ta ndjekim me zë dhe me figurë dëshminë e gazetarit italian Valerio Cataldi, i cili u kërcënua më parë në Shqipëri për një tjetër denoncim të lidhjes së pushtetit me trafikun e drogës.

 

KRONIKA E PLOTË

 

Dëshmia e sjellë nga Rai 3 dëshmon dështimin e Edi Ramës dhe Sandër Lleshajt në plotësimin e një prej kushteve kryesore të Bundestagut për nisjen e   negociatave- luftën kundër krimit të organizuar. Në Shqipëri, krimi i organizuar jo vetëm nuk po luftohet, por, i mbrojtur nga partia në pushtet, është shndërruar në lojtar  kryesor në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.

 

Prej 6 vjetësh, nuk ka asnjë bos të krimit të organizuar në burg. Nuk ka asnjë bos të trafikut të drogës të arrestuar. Burgjet e Sandër Lleshajt kanë mbushur me opozitarë që protestojnë kundër qeverisë së lidhur me krimin dhe me të varfër që punojnë parcelat me kanabis.

 

Bosët  janë të gjithë të lirë, sepse i sigurojnë Edi Ramës para për të blerë votat dhe për të mbajtur në këmbë projektin e tij për vjedhjen e zgjedhjeve dhe kapjen e drejtësisë.

 

Reportazhi i Rai 3 rrëzon propagandë  prej miliona eurosh të qeverisë se ajo e ka asgjësuar kanabisin. Vetëm pak ditë më parë u kapën në Greqi 1.2 ton drogë, ndërsa në brigjet italiane kjo është një ngjarje e zakonshme.

 

Është e qartë favorizimi i hapur që i bën Rama  trafikantëve të drogës për interesit e tij personale politike, është e qartë për këdo që me Edi Ramën në qeverisje fëmijët në shkolla  gjejnë më lehtësisht kanabis se stilolapsa, se me Ramën biznesi kriminal i drogës po mbyt çdo konkurrencë dhe mundësi që biznesi i ndershëm të ngrejë kokë, se me Ramën në qeveri te arsimuarit të shkolluarit nuk kanë të ardhme, është e qartë se rendi dhe siguria publike, jeta dhe prona e qytetarëve është e pasigurt prej bandave dhe kriminelëve të veshur me pushtet.

 

Qytetarët nuk e duan dhe nuk e pranojnë këtë realitet. Së bashku me ta ne do ta shkëpusim Shqipërinë nga zgjedha e krimit.

 

Lufta ndaj krimit është prioritet kryesor i Partisë Demokratike. Ne jemi të vendosur ta shkërmoqim krimin e  organizuar, lidhjet e tij me politikën dhe të çojmë para përgjegjësisë penale çdo bandit, qoftë ai Kryeministër, deputet, kryetar bashkie apo bos i krimit të organizuar.​

 

Read More
27 Jan
0

Në gjyq me Albana Vokshin për analizat e chekup-it korruptiv, Edi Rama refuzoi sot për herë të katërt të bëjë testin e drogës.

·        Në gjyq me Albana Vokshin për analizat e chekup-it korruptiv, Edi Rama refuzoi sot për herë të katërt të bëjë testin e drogës.
 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ALBANA VOKSHI

Prej disa ditësh, Kryebashkiaku ilegjitim i Bulqizës, Lefter Alla, është kapur duke konsumuar kokainë. Pamjet janë bërë publike, opinioni është shumë i tronditur, por Lefter Alla vazhdon të qëndrojë në detyrë me mbrojtjen personale të  Edi Ramës.

Edi Rama nuk e shkarkon kryebashkiakun përdorues të kokainës, sepse ka hallin e tij personal me kokainën.

Opinioni publik duhet ta dijë se në përballjen që unë kam me të në gjykatë, Edi Rama refuzon të bëjë testin e drogës. Me seancën e sotme numri i refuzimeve nga ana e Edi Ramës për të bërë testin e drogës, shkon në katër.

I kam kërkuar gjykatës ta marrë provën e testit të drogës si pjesë e procesit gjyqësor të hapur prej vetë Edi Ramës ndaj meje, pasi ai u ndie i fyer nga një postim për checkup-in. Ky koncesion korruptiv ka nxjerrë burrat shtatzanë dhe nuk do të ishte asnjë çudi që analizat e checkup-it të Edi Ramës, të dilnin me doza kokaine e t’i jepeshin dikujt tjetër.

Përtej ironisë, refuzimi për të bërë testin e drogës në këtë proces gjyqësor të hapur prej vetë Edi Ramës, nuk është hera e parë e refuzimit të tij.

Opinioni publik nuk ka harruar, kur ai fliste për gjithçka në parlament, por nuk guxonte t’i përgjigjej pyetjes: a ka konsumuar kokainë? Gjithashtu, opinioni publik e mban mend se pika e vetme e rëndësishme me të cilën Edi Rama nuk ka ra dakord gjatë hartimit të ligjit të dekriminalizimit, ishte testi i drogës nga politikanët.

Edi Rama ka frikë nga testi i drogës si djalli nga temjani, prandaj vazhdon ta refuzojë duke përdorur çdo mjet dhe mënyrë. Një kryeministër që merr vendime të rëndësishme nën efektin e drogës është një rrezik i madh për vendin dhe qytetarët e tij, prandaj, Edi Rama duhet të lejojë gjykatën që të bëjë transparencë.

Bashkë me përgjigjen, nëse ai është apo jo konsumues i kokainës, shqiptarët kanë të drejtë të njihen nga gjykata edhe me kontratën koncesionare të checkup-it prej 120 milionë euro, të cilën Edi Rama refuzon ta bëjë publike duke urdhëruar vartësit e tij që ta mbajnë atë sekret në mënyrë skandaloze, si sekret tregtar.

Herët a vonë, sekreti i Edi Ramës do të zbulohet. Partia Demokratike do ta anulojë këtë koncesion.

Ata që kanë vjedhur me vulën e qeverisë së tij do të dalin para drejtësisë dhe shqiptarëve do t’u kthehen paratë e vjedhura.

Read More