- “150 milionë USD nga oligarkët”. Basha propozon planin emergjent me 3 pika. “Vlerësimi i banesave mund të mbarojë për 10 ditë”
KOMUNIKIMI ME GAZETARËT I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, PAS VERIFIKIMIT TË GJENDJES SË RËNDË NË LAGJEN 7, NË QENDËR TË DURRËSIT.
Pyetje: Zoti Basha si e vlerësoni situatën pas tërmetit?
Lulzim Basha: Këtu ndodhemi në lagjen 7 të qytetit të Durrësit. Faktikisht, jemi në qendër të qytetit të Durrësit. Gjendja këtu është e mjerueshme.
Në radhë të parë, shumica e banorëve këtu nuk kanë marrë asnjë lloj ndihme, siç i dëgjuat vetë një pjesë prej tyre,dhe unë i dëgjova pothuajse të gjithë gjatë kohës që isha në lëvizje në lagje para se të mbërrinit ju.
E dyta, ka një pasiguri, sepse njerëzit nuk e dine, nëse mund të rrinë apo nuk mund të rrinë brenda. Janë futur në disa prej banesave ku gjendja është e mjerueshme, kanë rënë muret, ka shkatërrim të orendive dhe banorët nuk kanë siguri do të rrinë apo nuk do të rrinë. Në qoftë se nuk rrinë, ku do të shkojnë. Disa prej banorëve thonë që u është siguruar një apo dy netë strehim dhe pastaj janë nxjerrë. Pra, këtu mbizotëron kaosi.
E rëndësishme është të kuptojmë se po mbushet java e ngjarjeve tragjike dhe prioritare është ndihmesa ndaj këtyre njerëzve në nevojë. Ne në radhë të parë mbështesim gjithçka, çdo masë që merret për t’i ndihmuar këta njerëz dhe po bëjmë çfarë të mundemi ne si opozitë për t’i ndihmuar, kryesisht përmes vullnetarizmit tonë dhe mbështetësve tanë.
Tani është koha për veprime urgjente, konkrete dhe të mirëkoordinuara.
Siç e dini, mbrëmë kam patur një takim me ekspertët, inxhinierët, specialistët më të mirë që Shqipëria ka, duke përfshirë disa nga drejtuesit kryesorë të institucioneve më të mirë shkencorë dhe akademikë në vend. Nga ky takim kam mësuar se kemi të paktën 500 specialistë, kryesisht inxhinierë, të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre vullnetar. Nisur nga kjo dhe nisur nga gjendja që është alarmante, jo vetëm këtu në lagjen 7 por kudo, kam ardhur nga Bubqi, ku situata është totalisht jashtë kontrollit, propozoj një plan me tre pika:
- Pika e parë, organizimi i këtyre 500 apo më shumë inxhinierëve në mënyrë vullnetare, siç janë ofruar nga qeveria për të përshpejtuar procesin e vlerësimit të banesave. Vlerësimi i banesave të banorëve u jep siguri, u jep qartësi dhe kjo pastaj kontribuon edhe për qetësimin shpirtëror dhe mendor të paktën në këtë fazë të dytë të traumës që po jetojmë. Pra, pika e parë është organizimi i këtyre qindra inxhinierëve të cilët ofrohen vullnetarisht për të përshpejtuar procesin e vlerësimit.
- E dyta, vlerësimi i me urgjencë dhe ndarja në dy kategori kryesore: të banueshme dhe të pabanueshme, që banorët të kenë qartësi se çfarë do të bëjnë, të rrinë aty apo jo.
- Dhe pika e tretë e propozimit është të përdoren fuqitë që ka qeveria në gjendjen e fatkeqësisisë natyrore për të anuluar afro 150 milionë dollarë të planifikuara për 10 oligarkë. 150 milionë dollarë të destinohen urgjentisht për t’u ardhur në ndihmë banorëve në nevojë.
Këto janë tre pikat që propozojmë sot, i propozoj si kryetar i opozitës, si kryetar i Partisë Demokratike. Ndërkohë, ekspertët tanë po punojnë për t’i zhvilluar edhe më tej.
Së pari le të përfitojmë nga kjo ofertë vullnetarizmi i inxhinierëve shqiptarë për të shtuar grupet në terren. Problemi dhe ankthi kryesor është se askush nuk vjen të shohë e t’u thotë, këtu mund të rrini ose jo, dhe kjo është çështje vlerësimi. Këtë mund ta bëjë qeveria dhe askush tjetër. Këtë duhet ta bëjë shteti. Të merren 500 a më shumë inxhinierë që janë vetëofruar, të organizohen në grupe pune dhe të shtrihen në të gjithë zonën e dëmtuar.
Së dyti të bëhet urgjentisht vlerësimi sipas ekspertëve me të cilët bashkëbisedova mbrëmë, me angazhimin e këtyre 500 inkxhinerëve mund të mbarojë brenda një kohe të shkurtër. Dikush tha një javë, por maksimumi 10 ditë.
Dhe së treti, të përdoren fuqitë e jashtëzakonshme që qeveria ka në kuadrin e fatkeqësisë natyrore për të anulluar kontratat e këtyre 10 oligarkëse. Bëhet fjalë për një shumë të madhe rreth 150 milionë dollarë të planifikuara në buxhet. Këto para urgjentisht të destinohen për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë.
Ky është plani me tre pika të cilin ia vë në dispozicion qeverisë për ta zbatuar.
Pyetje: Zoti Basha, folët për një plan me tre pika, por në fakt kryeministri Edi Rama shpesh ju ka ftuar për një bashkëpunim që, në fakt, është për të mirën e këtyre qytetarëve që ju komunikuar vetëm pak minuta më parë. A do t’i përgjigjeni ftesës së kryeministrit Edi Rama, zoti Basha?
Lulzim Basha: Gjendja tragjike e këtyre njerëzve kërkon ndihmë konkrete, nuk kërkon poza dhe as teatër. Kërkon angazhim konkret. Prandaj, në emër të opozitës, mbështesim çdo përpjekje që u vjen në ndihmë këtyre njerëzve në nevojë dhe, nga ana tjetër, po bëjmë ne çfarë kemi në dorë si opozitë, për t’i ndihmuar, përmes vullnetarizmit dhe mbështetsve tanë. Tani nuk është koha as për shfaqje, as për fotografi, as për teatër.
Pyetje: Këtë përpjekje do ta mbështesni?
Lulzim Basha: Sapo jua thashë. Po e përsëris për herë të kartërt. Mbështesim çdo përpjekje për t’u ardhur në ndihmë këtyre njerëzve. Këta njerëz kanë nevojë për ndihmë.
Së pari, PD, opozita e bashkuar mbështet çdo përpjekje të qeverisë dhe të çdokujt tjetër për t’u ardhur në ndihmë këtyre njerëzve.
Së dyti, po bëjmë dhe do të vazhdojmë të bëjmë çfarë kemi ne në dorë për të ndihmhuar, përmes vullnetarizmit tonë dhe të mbështetësve tanë. Edhe një herë po ju them, nuk është koha për foto dhe për shfaqje. Tani është koha për veprime të mirëkoordinuara urgjente: Që të vlerësohet gjendja e banesave, të sigurohen njerëzit, që të garantohet siguria e tyre dhe pastaj t’u garantohet strehimi. Në funksion të kësaj është plani ynë trepikësh.
- Të përdorim kapacitetet më të mira që kemi. Këta 500 apo më shumë inxhinierë në mënyrë vullnetare po i afrojnë këto kapacitete. Thirrja ime ndaj qeverisë, ndaj kryeministrit, ndaj grupit që koordinon emergjencën është që menjëherë ta zgjerojë grupin e punës që merret me vlerësimin e banesave. Me 500 më shumë do të thotë që mund të veprohet më shpejt në terren.
- Të bëhet një vlerësim brenda një kohe sa më të shkurtër.
- Të pezullohen dhe anullohen menjëherë kontratat e këtyre 10 oligarkëve, afro 150 milionë dollar para në buxhet dhe këto para menjëherë të destinohen për të ndihmuar banorët.
Ky është propozimi ynë me 3 pika, që do të detajohet akoma më shumë në ditët që vijnë.
Read More