Blog

25 Tet
0

KOMUNIKIMI ME GAZETARËT I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, PAS TAKIMIT TË OPOZITËS SË BASHKUAR ME SEKRETARIN E PËRGJITHSHËM TË OSBE

Zgjedhjet, tema kryesore në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së. Opozita është e vendosur të japë kontributin për një reformë, që garanton lirinë e votës, por duhet vullnet politik për ta zbatuar.

 

·        Për opozitën, rruga është e qartë. Ajo përshkruhet në kushtet e Bundestagut: miratim i reformës dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhje vendore, ku vota e shqiptarëve është e garantuar.

 

·        Nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme me këtë kryeministër që ka shkatërruar 3 palë zgjedhje. Deri sa vendi të bëhet anëtar i BE, të kemi një dispozitë tranzitore që garanton një qeveri kujdestare të zgjedhjeve dhe një proces të pakontestueshëm zgjedhor.

 

·        Dialog brenda dyerve të këtij pseudoparlamentit nuk mund të ketë, sepse është monolog. Nuk ka Komision të Reformës Zgjedhore. Ka një komisariat të PS dhe të marionetave të PS në parlamentin ilegjitim, të dalë nga zgjedhjet e Avdylajve.

 

·        Nuk mundet që për interesat e Edi Ramës dhe të 10 pashallarëve të Edi Ramës, të vazhdojmë të mbajmë vendin në këtë gjendje dhe dyert e Europës të mbyllura. Ndryshimi është i domosdoshëm dhe i pandalshëm.

 

 

KOMUNIKIMI ME GAZETARËT I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA PAS TAKIMIT TË OPOZITËS SË BASHKUAR ME SEKRETARIN E PËRGJITHSHËM TË OSBE-SË.

 

 

Pyetje: Çfarë diskutuat me z.Greminger dhe çfarë ju kërkoi?

Lulzim Basha: Siç mund ta imagjinoni, me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së tema kryesore ka qenë tema e zgjedhjeve. Opozita është e vendosur të japë kontributin e saj për një reformë të vërtetë zgjedhore që të garantojë lirinë e votes. Për këtë nevojitet vullnet politik. Vullnet politik për ta miratuar këtë reformë dhe, më e rëndësishmja, vullnet politik për ta zbatuar këtë reformë. Kjo është arsyeja pse opozita, Partia Demokratike, aleatët tanë, kanë vënë në dispozicion të kësaj reforme shumë të rëndësishme për qytetarët, gjithë ekspertizën tone. Mund të them se është ekspertiza më e mirë në vend. Por, nga ana tjetër, duhet vullnet politik, i cili, deri më sot, mungon nga pala tjetër, që është edhe pala e kapur në shkatërrimin e tre palë zgjedhjeve, siç tregojnë edhe raportet e OSBE/ODIHR-it.

Prandaj me sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së kemi diskutuar për ndihmën që OSBE mund të japë në këtë drejtim, në veçanti në tre fusha kryesore:

1.     Në rolin që ka OSBE për t’i kujtuar vendeve anëtare për standardet dhe kushtet që duhet të përmbushim sa i përket demokracisë dhe shtetit ligjor.

2.     Në ofrimin e ekspertizës, të ekspertëve të OSBE-së për të ndihmuar në këtë proces.

3.     Në rolin që OSBE mund të luajë për të ndihmuar në dialogun politik, kaq shumë të nevojshëm dhe të kërkuar edhe nga Bashkimi Europian, edhe nga Gjermania, për t’i dhënë fund krizës së rëndë politike në vend.

Për opozitën, rruga është e qartë, është e njëjta rrugë që përshkruhet edhe nga kushtet e Bundestagut – miratimi i reformës dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhje kushtetuese vendore, ku vota e shqiptarëve është e garantuar dhe vullneti i shqiptarëve nuk tjetërsohet nga grupet kriminale dhe nga një qeveri e paaftë dhe pavullnet për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, siç është qeveria dhe kryeministri aktual.

Pyetje: Zoti Basha, kur thoni se OSBE mund të luajë rol për rikthimin e dialogut po nënkuptoni që Partia Demokratike do të pranonte që OSBE të jetë ndërmjetëse që të uleni në një tryezë për reformën zgjedhore me maxhorancën?

Lulzim Basha: Jo, nuk është kjo ajo që po them. Po them që OSBE-ja vetë ofron këto tre mundësi.

Së pari, t’i kujtojë Shqipërisë si çdo vendi tjetër anëtar detyrimet që ka për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe këtë e ka bërë me raportin e ODIHR-it. Së dyti, të ofrojë ekspertizë dhe këtë e ka bërë dhe shpresoj që ta bëjë. Së treti, që të ndihmojë, sa i përket rolit të OSBE-së, nuk është vetëm OSBE-ja këtu janë edhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë në një dialog të vërtetë që të ketë një produkt. Dhe për ne një produkt duhet të jetë një reformë zgjedhore e vërtetë dhe vullneti politik për ta zbatuar këtë reformë përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe zgjedhjeve lokale në një ditë sipas përcaktimeve kushtetuese dhe të reformës zgjedhore.

Pyetje: Zoti Basha, keni një koment në lidhje me draftin e maxhorancës, sipas të cilit, 6 muaj para zgjedhjeve qeveria kthehet në qeveri teknike, pothuajse “defacto” qeveri teknike?

Lulzim Basha: Të botohet, ta diskutojnë me transparencë dhe një mendim i tillë pastaj mund të shqyrtohet, pa diskutim. Në fakt është një propozim i yni. Ju e dini fare mirë që është një nga propozimet tona që jo vetëm kësaj radhe, që është e domosdoshme, – nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme me këtë kryeministër dhe më këtë qeveri që u kapën duke vjedhur edhe veten e tyre me 30 Qershor – por deri sa vendi të bëhet anëtar i Bashkimit Europian, të kemi një dispozitë të tillë tranzitore që garanton një qeveri kujdestare të zgjedhjeve dhe një proces të pakontestueshëm zgjedhor. Pra, që zhduk këtë dramën e përsëritur të zgjedhjeve shqiptare e të kemi edhe ne, të paktën zgjedhje me standarde të Kosovës.

Pyetje: A është dakord OSBE që dialogu mes palëve të zhvillohet jashtë dyerve të Parlamentit?

Lulzim Basha: Dialog brenda dyrve të pseudoparlamentit nuk mund të ketë, sepse është monolog. Kështu që, normalisht, dialogu do të zhvillohet jashtë dyerve të pseudoparlamentit deri sa të kemi një parlament që është produkt i votës së qytetarëve dhe jo i përfshirjes së bandave kriminale.

Pyetje: Kush do ta ndërmjetësojë dialogun zoti Basha? Ju keni nisur një ditë më parë diskutime për propozime konkrete për reformën zgjedhore. Zoti Gjiknuri tha se “jemi dakord që të jetë OSBE, shkesi që të vijnë propozimet e PD. A do ta pranoni këtë?

Lulzim Basha: Këto janë budallallëqe për t’u hedhur hi syve njerëzve dhe për t’u bërë ju që të bëni pyetje të tilla dhe ta fusni diskutimin në qorrsokak. Këto punë nuk bëhen me shkes as në Afrikë, jo më në Europë.

Pyetje: Si do të bëhet zoti Basha?

Lulzim Basha: Ashtu siç bëhet dialogu politik. Ashtu siç janë zgjidhur krizat politike edhe në Shqipëri dhe në vendet fqinje. Merrini dhe shfletojini, nuk do të jap leksion se nuk është vendi për leksion këtu. Këto janë budallallëqe, merri këtu, çoi atje, budallallëqe. Janë heqje përgjegjësie. Për fat të keq, ajo që shikojmë, është që kjo qeveri, ky kryeministër dhe zëdhënësit e kësaj qeverie, nuk mbajnë përgjegjësi. Nuk mbajnë përgjegjësi për dështimet, siç ishte dështimi me refuzimin e negociatave nga BE. Nuk mbajnë përgjegjësi për dështimin për t’u dhënë shqiptarëve një mundësi për të zgjedhur pushtetin vendor dhe u organizua një farsë që e pa gjithë bota. Është një turp që e pa gjithë bota. Dhe në atë farsë prapë se prapë, vodhën, edhe kur nuk kishin kundërshtar. Nuk mbajnë përgjegjësi për dështimin me ekonominë, nuk mbajnë përgjegjësi për dështimin me luftën ndaj korrupsionit. Dje ka rënë Shqipëria 19 vende në klasifikimin e Bankës Botërore për klimën e biznesit, për shkak të korrupsionit. Çfarë bëjnë këta? Të tjerë tendera korruptivë, të tjera dhurata qindra milionë euro oligarkëve për inceneratorë, Kepin e Rodonit një trafikanti droge. Janë të papërgjegjshëm. Megjithatë, rruga për ta zgjidhur këtë është e qartë, është rruga për t’u kthyer shqiptarëve atë që iu është marrë me të padrejtë: të drejtën e tyre për të zgjedhur me votë të lirë qeverinë që duan dhe për të shkarkuar qeverinë kur do që dëshiron.

Pyetje: Zoti Basha, javën e ardhshme do të mblidhet Komisioni për Reformën Zgjedhore në një tryezë gjithëpërfshirëse. A do të marrë pjesë PD?

Lulzim Basha: Nuk ka Komision të Reformës Zgjedhore. Ka një komisariat të Partisë Socialiste dhe të marionetave të PS në parlamentin ilegjitim, të dalë nga zgjedhjet e Avdylajve. Prandaj, le t’i japim fund kësaj shfaqjeje. Gjithë shqiptarët e dinë se çfarë ka ndodhur. Gjithë shqiptarët presin t’i japin fund kësaj “status quo-je”. Edhe socialistët nuk e duam më këtë gjendje. Të vetmit që pretendojnë se nuk ka ndodhur asgjë, i vetmi që pretendon se mund të vazhdojë kështu, është ai që ruan interesat e pushtetit dhe i vendos ato mbi interesat e shqiptarëve. Kjo duhet të marrë fund. Për interesat e Edi Ramës, Shqipërisë i është mbyllur përsëri dera e Europës. Nuk mundet që për interesat e Edi Ramës dhe të 10 pashallarëve të Edi Ramës, të vazhdojmë të mbajmë vendin në këtë gjendje. Ndryshimi është i domosdoshëm dhe i pandalshëm.

Faleminderit!

Read More
25 Tet
0

“E duam veten, e duam jetën”, LDGSH aktivitet sensibilizues për luftën kundër kancerit të gjirit.

Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë organizoi një takim sensibilizues kundër kancerit të gjirit, me gra e vajza të njësive administrative 6 dhe 7 më Tiranë. Me fushatën sensibilizuese të LDGSH “ E duam veten, e duam jetën”, u bashkuan figura të njohura të politikës, mjekësisë, medias, artit dhe shoqërisë civile, si Tritan Shehu, mjekët Mirela Tabaku, Arben Beqiri, Henrik Zoto, aktivistët e shoqërisë civile Egla Bardhi dhe Adriatik Lapaj, moderatoja e njohur e emisionit investigativ BOOM Fiori Dardha, si dhe pedagogia e arteve Taulanta Jupi. Ata ndanë më gratë dhe vajzat eksperiencat e tyre profesionale e personale, duke dhënë mesazhin se kontrolli i rregullt, nëpërmjet mamografisë, mund të shpëtojë jetë.

 

Kryetarja e LDGSH, Albana Vokshi, vuri në dukje shkakun e lartë të vdekshmërisë në Shqipëri, tek gratë e prekura nga kanceri i gjirit, për shkak të diagnostikimit në stad të avancuar dhe mungesës së kujdesit të duhur shëndetësor për këtë kategori.

 

“Në Shqipëri ka një vdekshmëri shumë më të lartë se në vendet e BE, pasi mungojnë kurat, shërbimet, shtyhen afatet për seancat e kimioterapive, nuk funksionojnë aparatet e mamografive edhe në qendër të Tiranës, edhe gjatë muajit tetor, që duhet të jetë muaji i sensibilizimit, mungojnë mjekët e specializuar për problemet e gjirit, mungon baza e të dhënave për persona e prekur nga sëmundjet tumorale, duke pamundësuar planifikimin e kurave të mjekimit”- u shpreh zonja Vokshi.

 

Kryetarja e Forumit të Grave Demokrate u bëri thirrje grave dhe vajzave që të gjithë të bashkohen në betejën për shëndetin e për jetën, pasi kjo betejë nuk duhet të zgjasë vetëm një ditë apo një muaj, por në 365 ditë të vitit.

 

Mirela Tabaku, mjeke pedagoge e gjenetikës mjekësore vuri në dukje se çdo vit në spitalet publike në Shqipëri evidentohen rreth 700 raste të reja të grave më kancer gjiri, ndërsa çdo vit humbin jetën 230 gra me këtë sëmundje. “Problemet kryesore vijnë nga një sistem shëndetësor shumë burokratik, që kujdeset vetëm për fasadën. Me paratë që shkojnë për koncesionin e laboratorëve mund të ishin mbuluar të gjitha testet e grave të prekura, si dhe mjekimet për shërimin e tyre. Ky muaj të jetë një thirrje për të shkundur qeverinë e të bëjnë dicka për veten e të ardhmen e fëmijëve të tyre.”- apeloi mjekja Mirela Tabaku.

 

Tritan Shehu, duke këshilluar vajzat dhe gratë të kontrollohen në mënyrë të vazhdueshme për ta kapur në kohë sëmundjen, theksoi ndryshimin mes Shqipërisë dhe vendeve të BE.

 

“Vdekshmëria e tumoreve në Shqipëri është rreth 70%, ndërkohë që në BE është rreth 30%. Diferenca vjen nga mjekimi dhe diagnostikimi, kapja në kohë, një organizim i mirë i sistemit shëndetësor për ta bërë të aksesueshëm nga çdo qytetar. Nuk jam kundër check up, por jam për ato check up që kryejnë të plotë profilaksinë, që kapin në kohë sëmundjen pa spekuluar, jo të krijojnë piramida për të vjedhur dhjetëra mln euro pa bërë asgjë.”- u shpreh zoti Shehu, i cili solli në vëmendje se sa pak kujdeset qeveria për kurimin e pacientëve me tumor. “Shpenzimet ne buxhet për kimiopreparatet janë 5.4 milionë euro në vit, por, minimalisht, duhet të jenë 12 milionë euro në vit.” – tha Tritan Shehu.

 

Mjeku Arben Beqiri u tha grave dhe vajzave se ato mund të jenë mjekët më të mirë të vetes. “Kanceri i gjirit është një patologji lehtësisht e diagnostikueshme, lehtësisht e kurueshme.”- u shpreh Arben Beqiri, i cili ka shërbyer edhe si ish zëvendësministër i Shëndetësisë në qeverinë e PD. Ai solli në vëmendje vullnetin e PD për reformat e duhura në sistemin e shëndetësisë. “Keto reforma do të sjellin transformim të rëndësishëm drejt realizimit të një shërbimi tepër të prekshëm e të matshëm, me qëllim që të mos diskutohet në një vend si ky i yni, pamundësia për trajtim të kancerit të gjirit për arsye të pamundësisë ekonomike”- tha zoti Beqiri, duke apeluar për kujdes më të madh. “Të gjithë t’i bashkohemi një fushate të vazhdueshme për t’i thënë stop një sëmundje të diagnostikueshme e të kurueshme siç është kanceri I gjirit.”

 

Aktivistët e shoqërisë civile Egla Bardhi dhe Adriatik Lapaj u ndalën në faktin që sistemi shëndetësor ka qenë më pak i vlerësuar dhe i financuar nga qeveritë, për pengesat e panumërta që pacientet hasnin në sistemin shëndetësor, mungesën e kurave e medikamenteve. Ata bënë të ditur se pasi kanë përdorur shumë mënyra demokratike si protesta, artikuj në media dhe denoncime televizive për të ngritur zërin kundër padrejtësisë në kurimin e keq të pacientëve me tumor, tani i janë drejtuar sistemit të drejtësisë. Ata kanë fituar 3 raste për mungesë mjekimi dhe pacientët kanë fituar dëmshperblim miliona Euro. “Qëllimi nuk është ky, por trajtimi me dinjitet i të gjitha grave dhe respektimi i të drejtave të tyre kushtetuese”- thanë aktivistët Egla Bardhi dhe Adriatik Llapaj.

 

Autorja dhe moderatorja e rmisionit investigativ “Boom” Fiori Dardha tregoi rastin personal me nënën e saj, e cila u diagnostikua 5 vjet më parë me kancerin e gjirit. Në një rrëfim prekës, Fiori tregoi për rastësinë që solli në diagnostikim në fazë shumë të hershme të sëmundjes dhe luftën 5 vjeçare me tumorin që u fitua nga nëna e saj dhe e gjithë familja.  “Kur sëmuret nëna në shtëpi, duket sikur sëmuret gjithë familja. Por mund t’ju them se diagnostikimi në kohë është një ndihmë shumë e madhe. Sot mamaja ime gëzon shëndet të plotë, falë Zotit dhe mjekëve. Ndaj them se mjekët shqiptarë janë heronj të vërtetë. Mua më ka ndodhur me dhjetëra herë që me mamanë time t’i siguroj ilaçet e kimios disa ditë para seancës vetëm që të paktën t’i hiqja stresin e mungesës së ilaçeve. Ky realitet vazhdon edhe sot. Përveç aktiviteteve dhe fjongove rozë, realiteti në QSUT është krejt tjetër. Ndaj thirrja ime për çdo grua është që të tregojnë kujdes ndaj vetes dhe të mos ngurrojnë të kryejnë vizita mjekësore.”- theksoi Fiori Dardha.

 

Henrik Zoto, mjek pranë shërbimit të onkologjisë në QSUT u ndal në disa prej faktorëve që shkaktojnë sëmundjen, ekzamimimin, shancet për kurim. Ai u shpjegoi grave dhe vajzave në aktivitetin sensibilizues të LDGSH “E Duam veten, e duam jetën” se vetëdiagnostifikimi është një nga mënyrat për të zbuluar sëmundjen dhe për të shpëtuar jetën. Mjeku Henrik Zoto dha këshilla të vlefshme për çdo grua për rrugën që duhet ndjekur që nga vetëdiagnostikimi, ekzaminimi, konsultimi dhe kurimi i sëmundjes së kancerit të gjirit.

 

Në aktivitetin sensibilizues të Lidhjes Demokratike të Grave të Shqipërisë Onelda Zefi, ish punonjëse sociale pranë shërbimit onkologjik në QSUT, ndau me gratë eksperiencat e saj dhe ndihmën në aspektin psikosocial që u nevojitej atyre, në mënyrë që të përballonin sa më mirë betejën me sëmundjen. Pjesë e aktivitetit për ndërgjegjesimin e grave dhe vajzave ishte edhe pedagogia e arteve, Taulanda Jupi, e cila interpretoi me një nivel të lartë artistik dhe emocional një monodramë, frymëzuar nga rastet e grave të prekura me kancer gjiri.

 

Aktivitete të ngjashme sensibilizuese, LDGSH ka planifikuar të organizojë edhe në degë të tjera të Tiranës dhe disa qytete të tjera të vendit.​

Read More
24 Tet
0

KOMUNIKIMI ME GAZETARËT I SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË DEMOKRATIKE, GAZMENT BARDHI

Opozita është e angazhuar për të dhënë kontribut konkret për reformën zgjedhore për të përmbushur kushtet e Bundestagut për hapjen e negociatave. 

 

· Në zgjedhje marrin pjesë partitë politike dhe duhet të jenë partitë politike që, me konsensus, të përcaktojnë rregullat e lojës për zgjedhjet.

 

· Propozimi i opozitës për strukturën e posaçme është një mekanizëm konkret për një produkt të përbashkët të të gjitha palëve për reformën zgjedhore.

 

· Reforma duhet të garantojë që qytetarët të përcaktojnë qeverisjen me vullnet dhe votë të lirë, duke i dhënë fund zgjedhjeve që diktohen nga krimi.

 

 

KOMUNIKIMI ME GAZETARËT I SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË DEMOKRATIKE, GAZMENT BARDHI, PAS MBLEDHJES SË GRUPIT TË PUNËS TË OPOZITËS PËR REFORMËN ZGJEDHORE

 

 

Gazment Bardhi: Në mbledhjen e grupit të punës të opozitës mbi reformën zgjedhore janë diskutuar dy tema kyçe që lidhen me reformën zgjedhore. Dua të informoj opinionin publik që mbledhja e grupit të punës dhe e ekspertëve të opozitës është një tregues i qartë i angazhimit të opozitës së bashkuar për reformën zgjedhore. Ashtu siç kemi bërë të ditur që nga momenti kur reforma zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe me kontribut të të gjithë partive politike, u shndërrua në një kërkesë të Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave, opozita mori angazhimin për të dhënë kontributin e vet të sinqertë në këtë reformë. Madje kemi propozuar edhe një mekanizëm për të patur një produkt të përbashkët edhe me palën tjetër. Reforma zgjedhore nuk është dhe nuk mund të jetë çështje e Parlamentit të Shqipërisë. Reforma Zgjedhore dhe çështjet që lidhen me të, janë përcaktim i rregullave të lojës për partitë politike që marrin pjesë në zgjedhje. Siç ju e dini, në zgjedhje nuk merr pjesë Parlamenti i Shqipërisë, në zgjedhje marrin pjesë partitë politike dhe do të duhet të jenë partitë politike që, me konsensus, të përcaktojnë rregullat e lojës për pjesëmarrjen e subjekteve zgjedhore në zgjedhje. Prandaj, dhe opozita ka qenë e angazhuar tërësisht jo vetëm në angazhime konkrete që lidhen me reformën zgjedhore, por edhe për të bashkëpunuar dhe për të dhënë kontribut të përbashkët me palën tjetër, pra me Kuvendin monist i cili vazhdon punën me një komision të quajtur komisioni për reformën zgjedhore. Produkti i sotëm i opozitës për të dyja çështjet është dakordësuar me konsensus të plotë të të gjitha partive të koalicionit. Mbledhja e ardhshme e grupit të punës do të jetë të hënën në orën 18:00. Pra, është përcaktuar edhe një axhendë pune e grupit të punës dhe besoj se do të kemi edhe informime të tjera që lidhen me çështje konkrete që janë diskutuar sot dhe që do të diskutohen edhe në mbledhjet e ardhshme.

 

Pyetje: Zoti Bardhi çfarë keni përmbyllur në mbledhjen e sotme?

 

Gazment Bardhi: Sot kemi përmbyllur dy çështje kryesore të reformës zgjedhore që lidhen me financimin e fushatave dhe të partive politike, si dhe çështje që lidhen me administrimin e procesit zgjedhor.

 

Pyetje: Zoti Bardhi, mekanizmi që keni propozuar mbetet i njëjtë me atë të tryezës së OSBE-së, pra të një strukture të posaçme me pjesëmarrjen e ndërkombëtarëve?

 

Gazment Bardhi: Ne i kemi propozuar palës tjetër një mekanizëm për t’u angazhuar bashkarisht në përmbushjen me sukses të një nga kushteve për hapjen e negociatave, reformën zgjedhore. Por jo thjesht reformë zgjedhore e miratuar në letër, por një reformë e vërtetë zgjedhore është kusht për hapjen e negociatave. Për këtë arsye ne kemi propozuar një mekanizëm për të bashkëpunuar me palën tjetër, ku në fakt do të duhet të ishte qeveria, që do të duhej t’i shtrinte dorën dhe të kërkonte bashkëpunimin e opozitës në realizimin e këtij kushti. Bundestagu e ka bërë të qartë, nuk kërkon vetëm realizimin e reformës zgjedhore apo miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, por kërkon një reformë zgjedhore me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike. Ky është kushti që ka vënë Bundestagu. Shqipëria duhet të përmbushë për të marrë datën e fillimit të bisedimeve me BE.

 

Pyetje: Është struktura e posaçme që keni propozuar në shtator në tryezën e OSBE-së apo tjetër?

 

Gazment Bardhi: Është i njëjti propozim. Sigurisht që në presim përgjigje nga pala tjetër mbi propozimin konkret dhe të sinqertë që ne kemi bërë. E ritheksoj, është detyrë, siç e tha dhe kryeministri italian gjatë vizitës në Shqipëri, është detyrë e qeverisë, nëse do të kishim një qeveri të përgjegjshme, që të bënte opozitën pjesë të këtij procesi. Meqënëse kemi përballë një qeveri dhe një maxhorancë të papërgjegjshme, opozita e bashkuar është në rolin e vet, në mbrojtje të interesit të qytetarëve dhe me përgjegjshmëri të plotë ka propozuar një mekanizëm sesi duhet të bëhemi bashkë për të realizuar këtë kusht të Bundestagut gjerman, që do të ishte edhe kusht zyrtar i Këshillit Europian për hapjen e negociatave. E rëndësishme për opozitën është që të tregojë përkushtim në përmbushjen e këtij kriteri për hapjen e negociatave. Ne po e tregojmë, jemi në krye të detyrës, në përmbushje të përgjegjësive tona. Do të duhet që edhe pala tjetër të përmbushë përgjegjësitë e veta.

 

Pyetje: Këto propozime si do t’i diskutoni me shumicën, do t’i diskutoni në nivel teknik, çfarë mekanizmi do të përdorni nëse nuk bini dakord me strukturën e posaçme?

 

Gazment Bardhi: Ne kemi propozuar një mekanizëm sesi e mendojmë ne bashkëpunimin e kërkuar në kuadër të realizimit të reformës zgjedhore. Sa kohë nuk ka një refuzim të arsyetuar të palës tjetër mbi këtë propozim, tregon se nga pala tjetër ka mungesë vullneti për të bashkëpunuar me opozitën në realizimin e reformës zgjedhore. Detyra jonë është që të kemi gati kontributin e opozitës në këtë reformë. Detyra e palës tjetër është të mendojë për interesin e qytetarëve, të mendojë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, të tregojë përgjegjshmëri përpara kushteve dhe kritereve të vendosura nga partnerët ndërkombëtarë dhe të pranojë atë mekanizëm bashkëpunimi që ne kemi propozuar për të pasur një produkt të përbashkët të Reformës Zgjedhore. E kundërta do të ishte, jo vetëm thellim i krizës, jo vetëm tregues i lartë papërgjegjshmërie nga ana e qeverisë, por, mbi të gjitha, do të ishte prova e fundit që tregon se Edi Rama nuk është i interesuar që Shqipëria të bëhet sa më parë pjesë e Bashkimit Europian dhe do të ishte prova e fundit që tregon se Edi Rama është pengesa e vetme për integrimin europian të Shqipërisë.

 

Pyetje: Produkt i përbashkët përfshin edhe ndarjen e reformës në dy faza?

 

Gazment Bardhi: Produkti i përbashkët përfshin realizimin e reformës zgjedhore që kërkojnë qytetarët shqiptarë. Qytetarët shqiptarë kërkojnë që nga reforma zgjedhore t’u garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pastaj fazat dhe ndarja me dy, tre apo pesë nuk ka asnjë rëndësi për qytetarët shqiptarë. Qytetarët shqiptarë duan që të jetë vullneti i tyre që përcakton qeverisjen e nesërme të vendit dhe jo siç ka qenë deri tani, që qeverisjen e vendit e kanë përcaktuar paratë e pista të krimit dhe bashkëpunimi apo përfshirja në zgjedhje e krimit të organizuar.

Read More
23 Tet
0

Qeveria e Edi Ramës, kampione në vjedhje. Ka manipuluar dhe fshehur vlerën reale prej 296 milionë euro të inceneratorit të Tiranës

Qeveria e Edi Ramës, kampione në vjedhje. Ka manipuluar dhe fshehur vlerën reale prej 296 milionë euro të inceneratorit të Tiranës

 

·         KLSH ka zbuluar se në kontratën e miratuar, inceneratori i Tiranës me pronarë të fshehur në parajsa fiskale, ishte deklaruar 118 milionë euro më pak.

 

·         Me korrupsionin e tij, Edi Rama mban peng integrimin europian. Deri tani u ka paguar inceneratorëve fantazëm 44.3 milionë euro.

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, JORIDA TABAKU

 

 

Në 6 vjet, qeveria e Edi Ramës ka treguar se ka vetëm një prioritet: të vjedhë sa më shumë dhe pastaj të vjedhë sërish.

 

Edi Rama është kapur shumë herë me duart në xhepat e qytetarëve, duke vjedhur dhjetëra e qindra miliona euro, por kryevepra e tij e korrupsionit janë inceneratorët.

 

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar se qeveria e Edi Ramës ka manipuluar shifrat për kostot e PPP-ve, veçanërisht për inceneratorin e Tiranës. Për këtë incenerator shqiptarët nuk do të paguajnë 178 milionë euro, siç ishte deklaruar më parë në kontratë, por 118 milionë euro më shumë. Gjithsej 296 milionë euro për një koncesion,  pronarët e vërtetë të cilit janë të fshehur në parajsa fiskale.

 

Siç tregohet në tabelën e programit buxhetor afatmesëm dhe në tabelën e Kontrollit të Lartë të Shtetit për pagesat e inceneratorit të Tiranës, qeveria e ka fshehur me qëllim vlerën reale prej 296 milionë euro të kontratës, duke e kaluar mënyrë anti-ligjore këtë PPP korruptive.

 

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit tregon qartë se qeveria ka gënjyer për shifrat në kontratën e firmosur, pasi ajo po paguan 296 milionë euro ose 118 milionë euro më shumë sesa kishte deklaruar për koncesionin e inceneratorëve.

 

Akoma më i rëndë është fakti se këta inceneratorë, sipas kryeveprës së korrupsionit të Edi Ramës, paguhen miliona euro çdo vit, megjithëse nuk ekzistojnë.

 

Në dy vjet, qeveria e Edi Ramës ka bërë 44.3 milionë euro pagesa për  inceneratorët fantazmë, një vjedhje ditën për diell e shqiptarëve.

 

Nga të dhënat e thesarit rezulton se pagesat e kryera deri tani për çdo incenerator janë si më poshtë:

Inceneratori i Tiranës 11,9 milion euro

Inceneratorin i Fierit 15,3 milion euro

Inceneratori i Elbasanit  17,1 milion euro

 

Kush kërkon gjurmët e korrupsionit të qeverisë Rama, kush kërkon arsyet e refuzimit të Bashkimit Europian për këtë qeveri mjafton të shohë koncesionin e Inceneratorëve

 

Refuzimi i BE-së është vulë korrupsioni për qeverinë e Edi Ramës. Prandaj, kjo qeveri e ka të pamundur të përmbushë 9 kushtet e Bundestagut, një prej të cilëve është lufta kundër korrupsionit, është nxjerrja para drejtësisë e zyrtarëve të lartë të korruptuar.

 

Çdo koncesion, çdo kontratë PPP-je është e lidhur ngushtë me vjedhjen publike që i bëhet pronës së qytetarëve, fondeve publike dhe pasurisë së tyre.

Ka vetëm një rrugë për të shpëtuar vendin. Zgjedhjet e parakohshme, të lira e të ndershme, të çliruara nga Kampioni i Korrupsionit, Edi Rama!

 

Read More
23 Tet
0

KËRKESA E PD PËR DEKRIMINALIZIMIN, DREJTUAR PROKURORISË SË PËRGJITHSHME

    • PD: Prokuroria po mbron 3 kriminelët e Ramës në bashki. Nuk zbaton ligjin për të na dhënë informacion
KËRKESA E PD PËR DEKRIMINALIZIMIN, DREJTUAR PROKURORISË SË PËRGJITHSHME
Duke nisur që nga 1 gushti, PD ka paraqitur prova autentike se kandidatët e Edi Ramës në bashkitë Shkodër, Valdrin Pjetri, Vorë, Agim Kajmaku dhe më bashkinë Vau i Dejës, Mark Babani kanë te kaluar kriminale dhe si të tillë duhet të largohen dhe të ndiqen penalisht për fallsifikim të formularit të dekriminalizimit.
Por, tani, PD akuzon prokurorinë se nuk po zbaton ligjin, duke zvarritur çështjet dhe duke mos i dhënë opozitës informacionin e kërkuar për procedurën e ndjekur nga organi i akuzës, siç e parashikon ligji. PD, e konsideron mosveprimin prej më shumë se 2 muaj të prokurorisë sI përpjekje  për të mbrojtur me burokraci procedurale dhe vonesa njerëzit e inkriminuar të Edi Ramës në bashki.
Kjo del në pah nga një lëtër e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi, për Prokurorinë e Përgjithshme, e cila i çohet për dijeni edhe KLP-së që vlerëson punën e Prokurorit të Përgjithshëm , ambasadës së SHBA, BE, OSBE dhe Këshillit të Europës. Sipas ligjit, deklarimet e rreme në formularin e dekriminalizimit dënohen me burg nga 6 muaj deri në 4 vjet.
Në respekt të ligjit, PD ka kërkuar në 5 Shtator që t’i vihet në dispozicion i gjithë dokumentacioni që tregon veprimet e prokurorisë për të bërë verifikimin e 3 denoncimeve të bëra nga PD.
“Organi i prokurorisë në shkelje flagrante të ligjit, edhe pse afati është tejkaluar disa herë, ende nuk ka vënë në dispozicion të kërkuesit dokumentacionin e kërkuar, duke na pamundësuar ushtrimin e të drejtave tona ligjore dhe duke mos bërë transparencë për opinionin publik mbi këto raste. “ – thuhet në kërkesën e re për informacion që Sekretari i Përgjithshëm i PD i dërgon Prokurorisë së Përgjithshme.
“Kjo sjellje e organit të prokurorisë ngre dyshime të arsyeshme mbi tentativën shtetërore për marrjen në mbrojtje të personave të inkriminuar që kanë arritur, me mbështetjen e partisë në pushtet, të uzurpojnë funksionet publike, në kundërshtim flagrant me ligjin e dekriminalizimit.”- theksohet në kërkesën e PD.
Duke kërkuar edhe një herë zyrtarisht informacion për procedurat e ndjekura nga prokuroria për të treja rastet, PD u bën thirrje prokurorëve të ngarkuar me këtë çështje, të mos i nënshtrohen presionit politik të Edi Ramës dhe Arta Markut.
“Kapja e qeverisjes nga krimi përmes përfshirjes së individëve me rekorde kriminale, në pushtetin vendor, përbën një kërcënim të rëndë për integritetin dhe funksionimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike, si dhe për vetë sigurinë kombëtare, interesin publik dhe të drejtat e qytetarëve. Ndëshkimi i zyrtarëve të lartë është një nga 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman për nisjen e bisedimeve të antarësimit të Shqipërinë në Bashkimin Europian.”- thuhet në kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi.
Për Valdrin Pjetrin e Shkodrës PD publikoi dokumenta se ka qenë i dënuar dhe i dëbuar nga Italia për trafik droge. Për Agim Kajmakun e Vaut të Dejës se ishte në kërkim nga Greqia për veprën e rëndë të përdorimit të parave të fallsifikuara. Për Mark Babanin e Vaut të Dejës se kishte bërë burg dhe ishte dëbuar për vjedhje makinash më Itali.

Read More
22 Tet
0

Rama i jep me koncesion krimit dhe oligarkëve portin e Kepit të Rodonit dhe të Sarandës. Vendimet janë korruptive dhe klienteliste.

Rama i jep me koncesion krimit dhe oligarkëve portin e Kepit të Rodonit dhe të Sarandës. Vendimet janë korruptive dhe klienteliste.

 

·        Kapja e shtetit nga krimi dhe oligarkët është arsyeja kryesore që Shqipëria është jashtë Bashkimit Europian

 

·        Europa do ta refuzojë Ramën derisa ne ta largojmë nga pushteti dhe t’u  kthejmë njerëzve qeverisjen nëpërmjet zgjedhjeve të lira e të ndershme

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, DREJTORI I KABINETIT DORIAN TELITI

 

Në kohë krize, në kohë tërmetesh, në kohë negociatash, në çdo kohë, Edi Rama nuk e ndal vjedhjen e Shqipërisë.

 

Javën e shkuar në Bruksel, Bashkimi Europian diskutonte për hapjen e negociatave, kurse në Tiranë Edi Rama i dha me koncesion krimit dhe oligarkëve dy pasuri të mëdha strategjike të Shqipërisë: portin e jahteve në Kepin e Rodonit dhe portin e Sarandës.

 

Të dyja këto koncesione u dhanë me tendera fallco, ku pati vetëm një ofertë, nga personat me të cilët Rama kishte bërë pazaret që më parë.

 

Kepin e Rodonit ia ka dhënë për 35 vjet Roland Ziut, i njohur nga mediat si trafikant ndërkombëtar droge. Prej vitesh ky trafikant është lidhur ngushtë me pushtetin e Edi Ramës. Para pak kohe, Erion Veliaj i dha atij koncesionin e terminalit jugor të transportit. Në këtë koncesion trafikanti i drogës i shndërruar në biznesmen pranë qeverisë, është bashkë me kompaninë R&T, e Renis Tërshanës.

 

Koncesioni i Portit të Sarandës i është dhënë për 30 vjet dyshes Kastrati-Dulaku. Kastrati është oligarku më i ngushtë i Edi Ramës, që ka marrë koncesion 400 milionë euro të Rrugës së Kombit, furnizon ekskluzivisht prej 6 vjetësh me karburant qeverinë dhe ka përfituar leje ndërtimi në zonat e gjëlbërta të Tiranës.

 

Porti i Sarandës i ishte dhënë më qira për 20 vjet kompanisë së biznesmenit Artan Dulaku dhe nuk dihet sesi qiraja u kthye në koncesionin Dulaku-Kastrati.

 

Vendimet për të dhënë me koncesion dy pika të rëndësishme të pasurisë dhe sigurisë kombëtare tek krimi dhe oligarkët e Edi Ramës janë pazare të paracaktuara. Për to nuk pati garë reale, kompanitë e huaja u përjashtuan de facto, koha e plotësimit të dokumentacionit ishte shumë e shkurtër, duke eliminuar konkurrencën dhe duke i shndërruar vendimet e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut në vendime korruptive dhe klienteliste.

 

Kapja e shtetit nga krimi dhe oligarkët është arsyeja kryesore që Shqipëria është jashtë Bashkimit Europian. Europa ka 6 vjet që e refuzon Ramën dhe krimin e tij. Europa do ta refuzojë atë deri sa ne ta largojmë nga pushteti dhe t’u  kthejmë njerëzve qeverisjen nëpërmjet zgjedhjeve të lira e të ndershme.

 

Read More
21 Tet
0

DEKLARATË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA

  • Është koha që qeveria te ndjekë shembullin e Maqedonisë së Veriut, të marrë përgjegjësinë për dështimet e saj dhe t’ia kthejë mandatin popullit shqiptar.

 

  • Shumica e vendeve ishin të një mendje se qeveria e Shqipërisë nuk e meritonte hapjen e negociatave. Kushtet tregojnë se qeveria ka bërë hapa pas.

 

  • Krimi, korrupsioni, blerja e votës, mosfunksionimi i gjykatave, nuk janë probleme të brendshme të Europës, por të qeverisë së Ramës.

 

  • Me një qeveri të re, legjitime që drejton procesin e negociatave, përparimi është i mundur.

 

  • Kushtet e BE janë udhërrëfyesi ynë për të dalë nga kriza, për të ndërtuar një Shqipëri demokratike, me mundësi për të gjithë qytetarët e saj.

 

 

DEKLARATË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA

 

 

Përshëndetje të dashur bashkëqytetarë dhe ju uroj një javë të mbarë!

 

Vlerësim sipas meritës është qendrimi i prerë i vendeve anëtare për vendet që duan t’i bashkohen BE-së.  Shumica e vendeve ishin të një mendje se qeveria e Shqipërisë nuk e meritonte hapjen e negociatave. Për këtë u artikuluan disa kushte që, në thelb, tregojnë se Shqipëria, nën këtë qeveri, ka bërë hapa pas, nga viti në vit.

Situata e rëndë ekonomike, mungesa e mundësive, që vjen prej kapjes së institucioneve dhe pabarazisë para ligjit, ka detyruar shqiptarët të largohen në numra rekord si azilkërkues.

 

  • Krimi dhe korrupsioni janë shqetËsim për vendet e Bashkimit Europian.
  • Ndëshkimi i blerjes së votës
  • Funksionimi i gjykatave të larta të vendit
  • Vënia para drejtësisë e te inkriminuarve dhe korruptuarve në nivele të larta janë kërkesat e panegociueshme për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit.

 

Këto nuk janë probleme të Bashkimit Europian, siç deklaron propaganda e kryeministrit aktual. Janë probleme të qeverisjes së tij.

 

Krejt e ndryshme paraqitet situata për Maqedoninë e Veriut. Asnjë kusht për këtë vend dhe një mbështetje gati unanime për hapjen e negociatave, me përjashtim të një vendi.  Megjithatë, kryeministri Zaev paraqiti dorëheqjen, ua riktheu mandatin qytetarëve dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

 

Nga ana tjetër, qeveria jonë, e cila është refuzuar nga vendet europiane, vazhdon të mos e lëshojë pushtetin, në dëm të popullit shqiptar.

Ne kemi vetëm një rrugë drejt së ardhmes dhe kjo është rruga europiane. Europa ka refuzuar Edi Ramën, jo Shqipërinë. Dështimi është i Edi Ramës, jo i Shqipërisë. Ky mesazh ka qenë më i fortë se kurrë nga Gjermania, që i tha Po Shqipërisë dhe JO qeverisë përmes 9 kushteve që duhen përmbushur.

Në Europë shkohet duke ndërtuar, fillimisht, standartet europiane në vendin tënd. Por kjo nuk i intereson Edi Ramës. Sepse kjo nënkupton:

 

  • Zgjedhje të lira dhe të ndershme
  • Ndarje të politikës nga krimi
  • Ndarje dhe balancim të pushteteve
  • Institucione të forta dhe të pavarura te drejtësisë.

 

Të gjithë biem dakord se rruga e vetme përpara është rruga drejt Europës! Europa ka refuzuar Edi Ramën, jo Shqipërinë. Pa reforma serioze, të cilat ai nuk është në gjendje dhe nuk ka vullnetin t’I bëjë, Europa do të vazhdoje ta refuzojë Edi Ramën, por ne, shqiptarët, do të vazhdojmë të vuajmë pasojat.

Një njeri po na mban peng të gjithëve! Kjo duhet të marrë fund!

 

Është koha që qeveria te ndjekë shembullin e Maqedonisë së Veriut, të marrë përgjegjësinë për dështimet e saj dhe t’ia kthejë mandatin popullit shqiptar.

Me një qeveri të re, legjitime që drejton procesin e negociatave, përparimi është i mundur.

 

Ne jemi një popull i talentuar, i mirëarsimuar dhe punëtor. Ne na duhet nje qeveri e re, një qeveri që çon vendin përpara në procesin e integrimit europian, qeveri e dalë nga zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 

Kushtet e BE janë udhërrëfyesi ynë për të dalë nga kriza, për të ndërtuar një Shqipëri demokratike, me mundësi për të gjithë qytetarët e saj.

Me politikat e duhura, me drejtimin europian ne mund dhe do të sigurojmë mirëqenie dhe përparim drejt të ardhmes europiane.

 

Ju faleminderit!

 

Read More
19 Tet
0

Mesazhi i CDU-CSU i qartë, pa plotësuar kushtet nuk hapen negociatat

DEKLARATË E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PD, GAZMENT BARDHI
Mirënjohje për mbështetjen e ndershme dhe mesazhin e qartë që Bundestagu i jep Shqipërisë në procesin e integrimit europian përmes Nënkryetarit të Grupit Parlamentar të CDU/CSU z. Johann Wadephul dhe relatorit për Shqipërinë, z. Christian Schmidt.
Mesazhi është i qartë: Pa plotësuar kushtet e vëna nuk ka asnjë mundësi për Shqipërinë për të hapur negociatat.
Koha e propagandës ka mbaruar!
Shqipëria nuk mund të mbetet peng i qeverisjes së dështuar dhe të refuzuar të Edi Rames!
https://www.cducsu.de/presse/pressemitteilungen/der-weg-die-eu-bleibt-fuer-albanien-und-nordmazedonien-offen

Read More
19 Tet
0

Nuk është faji i Europës, por i Edi Ramës për moshapjen e negociatave.

  • Nuk është faji i Europës, por i Edi Ramës për moshapjen e negociatave.

 

  • Korrupsioni, manipulimi i zgjedhjeve dhe sundimi i dështuar i Edi Ramës pengojnë integrimin.

 

  • Për të mirën e vendit, Edi Rama duhet të japë dorëheqjen dhe të çlirojë vendin nga keqqeverisja e tij.

 

  • Edi Rama nuk ka ndërmend të përmbushë 9 kushtet e Bundestagut, që për opozitën janë udhërrëfyesi për nxjerrjen e vendit nga kriza.

 

  • Vetëm duke siguruar zgjedhje të lira e të ndershme dhe barazi para ligjit, Europa do të na pranojë në familjen e saj.

 

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, SEKRETARI PËR MARRËDHËNIE NDËRKOMBËTARE, ARBEN KASHAHU

 

 

Edi Rama vuri sërish interesin e pasurisë dhe pushtetit të tij personal përpara interesit të shqiptarëve dhe fatit europian të Shqipërisë. Ai ka vënë në levizje mekanizimin e propagandës për të fajësuar Bashkimin Europian, duke mos i njohur vetes asnjë përgjegjësi pse Shqipërisë nuk iu hapën sërish negociatat.

 

Faji nuk është i Europës! Pengesa kryesore për moshapjen e negociatave është Edi Rama. Ai ka 6 vjet që, me keqqeverisjen e tij, po bllokon ëndrrën e shqiptarëve për t’u bërë pjesë e familjes europiane.

 

Ndaj, duhet të jetë e qartë për të gjithë, nëse Shqipëria do që të bashkohet me Bashkimin Europian, kjo do të ndodhë pa Edi Ramën.

 

Për të mirën e vendit, Edi Rama duhet të japë dorëheqjen. Nëse ai do të vendoste ineteresat e shqiptarëve para interesave të tij, Rama do të ikte, do të na çlironte nga qeverisja e tij e dështuar dhe do të na linte të ecnim drejt Bashkimit Europian.

 

Ndaj të mos ketë asnjë dyshim se ky vendim është një dështim personal për Edi Ramën. Nuk ka të bëjë me Shqipërinë, por ka të bëjë me Edi Ramën.

 

Nuk janë problemet e brendshme të Europës ato që pengojnë vendet europiane të hapin negociatat me Shqipërinë. Është korrupsioni, manipulimi i zgjedhjeve dhe sundimi i dështuar i Edi Ramës që nuk bind Bashkimin Europian.

 

Janë mijëra shqiptarë që kërkojnë azil në Francë, nën qeverinë e Edi Ramës, Shqipëria nuk është më i tyrja, po i një grushti oligarkësh dhe kriminelësh. Në raport me popullsinë, numri i azilkërkuesve shqiptarë gjatë qeverisë së Edi Ramës është më i larti në botë.

 

Krimi shqiptar është dhjetëfishuar në Hollandë, por trafikantët e drogës në Shqipëri shndërrohen në biznesmenë të fuqishëm, që pasrojnë para dhe blejnë gjithçka, drejtësinë, qeverinë, parlamentin.

 

Për të gjitha këto nuk e ka fajin Europa.

 

Ky është dështimi personal i Edi Ramës. Është ajo çfarë ka mbjellë 6 vjet në drejtimin e vendit, duke shkelur pa mëshirë interesat e shqiptarëve, duke i zbuar ata nga vendi dhe duke e bërë Shqipërinë parajsën e krimit të organizuar dhe të disa klientëve të tij, me të cilët grabit pasuritë e shqiptarëve dhe i varfëron ata.

 

Shumica dërrmuese e shqiptarëve e kanë kuptuar se përsa kohë Shqipëria do të drejtohet nga Edi Rama, vendi ka për të bërë vetëm hapa prapa.

 

Edi Rama nuk ka ndërmend të përmbushë as 9 kushtet e Bundestagut gjerman, që për opozitën janë udhërrëfyesi për nxjerrjen e vendit nga kriza.

 

Vetëm duke siguruar zgjedhje të lira e të ndershme, vetëm duke zbatuar standardet më elementarë për barazinë para ligjit, Shqipëria do të bëhet si Europa dhe Europa do të na pranojë në familjen e saj.

 

 

 

 

Read More
18 Tet
0

Edi Rama, pasi i imponoi Akademisë së Shkencave një ligj krejtësisht sovjetik e antikushtetues, sot vuri në krye Akademisë ministrin e fundit të diktaturës komuniste

  • Edi Rama, pasi i imponoi Akademisë së Shkencave një ligj krejtësisht sovjetik e antikushtetues, sot vuri në krye Akademisë ministrin e fundit të diktaturës komuniste

 

  • Gjinushi është rrëzuar me dekret nga Presidenti, por Edi Rama, në vend që të ikë bashkë me të, kthen Akademinë e Shkencave në një organizatë tjetër politike

 

  • Emërimin e turpshëm e të paligjshëm të ushtarit të Ramës dhe Tom Doshit në Akademinë e Shkencave, ne do ta ankimojmë në Kushtetuese, sapo kjo gjykatë të jetë funksionale

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, LUÇIANO BOÇI

 

Edi Rama vazhdon të uzurpojë e të pushtojë institucionet e pavarura kushtetuese me kamikazët e tij politikë, duke ricikluar figura si Skënder Gjoinushi, që i shërbyen regjimin komunist edhe gjatë rënies së tij.

 

Pasi i imponoi Akademisë së Shkencave një ligj krejtësisht sovjetik dhe antikushtetues, ai sot vuri në krye Akademisë ministrin e fundit të diktaturës komuniste, duke shkelur plotësisht Kushtetutën dhe Ligjin për Akademinë e Shkencave.

 

Emërimi me dhunë i Skënder Gjinushit është realizuar sot nën presion politik. Ai është një regres shkencor, moral dhe politik, një uzurpim në grup i një posti publik.

 

Skënder Gjinushi është rrëzuar me dekret nga Presidenti i Republikës, por Edi Rama, në vend që të ikë bashkë me të, për dështimin e tij personal me negociatat, kthen Akademinë e Shkencave në një organizatë tjetër politike.

 

Në krye të Akademisë së Shkencave nuk mund të emërohet një person me angazhim të qartë politik, një person pa asnjë kontribut shkencor, një person i cili, përveç mendësisë komuniste, nënshtrimit ndaj Edi Ramës dhe Tom Doshit, nuk nuk mund prodhojë  asgjë shkencore e bashkëkohore.

 

Kryesia e Akademisë ka bashkëpunuar dhe pranuar të përdoret për të kryer këtë emërim tërësisht antiligjor, duke marrë mbi vete të gjitha përgjegjësite ligjore dhe morale përpara opinionit shoqëror dhe kombit.

 

Për të zbatuar porosinë politike të Edi Ramës, kryesia emëroi Gjinushin duke i dhënë fuqi prapavepruese ligjit të ri të Akademisë së Shkencave për një proces të përfunduar me ligjin e vjetër.

 

Emërimi i paligjshëm i Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave shkallmon shtetin ligjor pikërisht atje ku duhej të ishte shtëpia e së drejtës, shtëpia e dijes dhe e elitës së kombit.

 

Partia Demokratike kundërshton me forcë këtë uzurpim të Akademisë së Shkencave nga Edi Rama dhe Skënder Gjinushi, si dhe dënojmë çdo ndërhyrje politike në Akademi.

 

Emërimin e turpshëm dhe të paligjshëm të ushtarit të Edi Ramës dhe Tom Doshit në Akademinë e Shkencave, ne do ta ankimojmë në Gjykatën Kushtetuese, sapo kjo gjykatë të jetë funksionale.

Read More