Blog

12 Tet
0

PD kallzim penal ndaj Policisë së Shtetit. Kërkesë Prokurorisë të indentifikohen dhunuesit me apo pa uniformë të protestuesve paqësore të “Unazës së Re”.

Dhuna e policisë e ushtruar mbrëmjen e 11 tetorit kundrejt protestuesve të “Unazës së Re”, ka sjellë reagimin e Partisë Demokratike pranë Prokurorisë së Tiranës.

 

Pas depozitimit të kallëzimit penal (KALLEZIM) nga PD kundër funksionarëve të lartë të policisë së Tiranës, të cilët në shkelje të të drejtave të njeriut dhe Kushtetutës, arrestuan protestues paqësorë dhe përfaqësues të medias, Gent Strazimiri, Albana Vokshi dhe Oriola Pampuri i bënë thirrje prokurorisë të veprojë dhe të ketë vullnet të indentifikojë dhunuesit me apo pa uniformë.

 

DEKLARATA E GENT STRAZIMIRIT PËRPARA PROKURORISË SË TIRANËS

 

Partia Demokratike ka dorëzuar sot pranë prokurorisë një padi kundër Policisë së Shtetit e cila prej 350 ditësh po sillet si një bandë, që nuk e meriton uniformën, me banorët e Unazës së Re.

 

Prej 350 ditësh, e vetmja gjë e paligjshme që po ndodh tek “Unaza e Re”, është një projekt i cili është mirëmenduar dhe papërgatitur, për të grabitur shqiptarët me një kosto prej 20 milion eurosh, për km, ashtu sikurse është programuar në mënyrë të pashpirtë, për të grabitur banorët e Unazës së Re, për t’i shveshur ata nga gjëja më e shtrenjtë që ka njeriu, nga shtëpitë e tyre, bizneset e tyre, apo çdo tullë apo pëllëmbë toke që kanë kultivuar me djersën e ballit.

 

Jemi këtu sot për t’i bërë thirrje prokurorisë së shtetit, të marrë menjëherë në ndjekje penale, autorët e kësaj shkelje të të drejtave të njeriut dhe Kushtetutës.

 

Autorët e kësaj grabitje të cilët tashmë janë të mirënjohur për opinionin publik dhe të ndalë dorën gjakatare dhe të pamëshirshme të oligarkëve kundrejt banorëve të “Unazës së Re” dhe të ndalë dorën e përlyer në mënyrë të përsëritur, me grabitjen e parave të shqiptarëve, ashtu sikurse do ta bënte një pushtues i pashpirt.

 

DEKLARATA E ALBANA VOKSHIT PËRPARA PROKURORISË SË TIRANËS

 

Po mbrëmë dhjetëra policë me uniformë, ap të veshur civilë kanë kryer një akt tjetër të pashembullt, një akt kriminal ndaj punonjësve të medias.

 

Mbi Ledio Dunin dhe Rigert Kapllanin është ushtruar dhunë fizike, psikologjike dhe verbale, u janë shkatërruar të gjitha materialet filmike, të gjitha fotografitë, janë kërcënuar dhe shantazhuar që të mos denonconin.

 

Bëj me dije se ata ishin në krye të detyrës duke raportuar në kohë reale protestën e banorëve të “Astirit”.

 

Dhuna ndaj medias, dhuna ndaj fjalës së lirë, mostransparenca, ndalimi i informimit të publikut mbi atë çka po ndodh jo vetëm në “Astir”, por edhe në Shqipëri, është jo vetëm antikushtetuese, antiligjore, por përbën edhe rrezik për demokracinë.

 

Ndaj, ne jemi sot këtu, para prokurorisë, për t’i kërkuar asaj, të identifikojë çdo polic me uniformë, apo pa uniformë që mbrëmë ka guxuar të ngre dorën ndaj medias që duhet të jetë e lirë.

 

Pyetje: Çfarë provash keni sjellë?

 

Albana Vokshi: I kemi depozituar të gjitha. Janë dërguar në prokurori bazuar edhe në nenet, shkeljet që kanë bërë policia për dhunën që është ushtruar ndahj qytetarëve, nënave, motrave dhe ndaj punonjësve të medias.

 

Një pjesë e mirë e pamjeve janë shkatërruar me dhunë nga policia me uniformë dhe dhjetëra policë pa uniformë, kanë mbetur disa pamje filmike, por jam e sigurt se prokuroria nëse do të ketë vullnetin dhe do të dojë mund të gjejë pamje, prova, jo vetëm filmike por edhe dëshmitarë okularë.

 

 

DEKLARATA E ORIOLA PAMPURIT PËRPARA PROKURORISË SË TIRANËS

 

 

Prej tre ditësh në “Unazën e Re” ka pasur një situatë shumë të trazuar. Janë marrë disa qytetarë, protestues të pafajshëm. Ata kanë 365 ditë, prej një viti qëndrojnë aty për të mbrojtur banesat e tyre.

 

Dhe në këto tre ditë ata janë marrë pa asnjë justifikim, sepse nuk mund të ketë justifikim të tillë kundrejt protestave paqësore që ata kanë kryer, dhe përveç kësaj, në ditën e djeshme janë thirrur në komisariat edhe përfaqësues të opozitës përfshirë mua, z.Balliu, përfaqësuesin e LSI-së, Z. Brahimllari, për t’u paraqitur në Komisariatin nr.6, kjo e gjitha përse qëndrojnë pranë banorëve të “Unazës së Re”. Dhe të gjitha arrestime, thirrje në Komisariat, ndalime, e gjithë kjo dhunë, kundrejt banorëve është bërë vetëm sepse ata protestojnë për të mbrojtur banesat e tyre.

 

Ne i bëjmë thirrje prokurorisë që të ndalë menjëherë këtë lloj reagimi dhe këtë lloj dhune që ka ndaj qytetarëve, banorëve, protestuesve që protestojnë në mënyrë paqësore prej një viti për të drejtat e tyre.

 

Të ndalin këtë lloj dhune dhe reagimi, pasi reagimi qytetar është normal në një vend demokratik dhe të reagosh në të kundërt, është të shkelësh të drejtat njerëzore.

 

Prej një viti janë duke u shkelur të drejtat njerëzore, duke mos kthyer asnjë përgjigje kundrejt një kërkese fare jerëzore. Banesa streha të cilën ata po mbrojnë. I bëjmë edhe një herë thirrje prokurorisë të jetë e vëmendshme ndaj çdo individi dhe përfaqësuesi të policisë me apo pa uniformë, të marrë masa kundrejt këtyre akteve të papreçendetë që kanë tre ditë që i kryejnë me banorët e “Unazës së Re”.

 

 

Read More
11 Tet
0

Qeveria e Edi Ramës vijon të rëndojë klimën e binzesit në Shqipëri, vendos një tjetër barrierë proçeduriale antiligjore.

  • Qeveria e Edi Ramës vijon të rëndojë klimën e binzesit në Shqipëri, vendos një tjetër barrierë proçeduriale antiligjore. Çdo biznes nuk do të ketë më marrëdhënie direkte me tatimet, por me agjensinë pa ekspertizë dhe pa kapacitet ADISA.

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, DREJTORI I KABINETIT TË PD, DORIAN TELITI

 

Qeveria e Edi Ramës ka marrë këto ditë një vendim që godet çdo biznes tatimpagues dhe që përkeqëson më tej klimën e biznesit në Shqipëri.

 

Në kundërshtim flagrant me ligjin, qeveria ka vendosur që çdo biznes, i vogël apo i madh qofte ai, nuk do të ketë më marrëdhënie direkte me tatimet dhe nuk do të marrë më shërbimet e nevojshme pranë sporteleve të organit tatimor.

 

Tatimpaguesit shqiptare do të futen në rradhët e gjata të sporteleve të Agjensisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA), e cila nuk ka as ekpertizën, as kapacitetet për të përballuar kërkesat dhe volumin e punës për të dhënë përgjigje për çdo shqetësim që tatimpaguesit kanë.

 

Sipas Ligjit për Proçedurat Tatimore, detyra parësore e organit tatimor është dhënia e shërbimit tek tatimpaguesi, por me vendimin e fundit të qeverisë, nëse bizneset do të kenë nevojë për sqarim apo ndihmë nga tatimet, do ta gjejnë këtë derë të mbyllur, pasi  klima e mirë për biznesin nuk është prioritet për Edi Ramën.

 

Tatimet do të funksionojnë vetëm për të shtydhur bizneset, për t’u marrë edhe qindarkën e fundit nga taksat e rritura për t’u turrur si ujqër kur të jete koha për kontroll, por nuk do të japin më asnjë shërbim për biznesin.

 

Vemendja e qeverisë nuk shkon në përmirësimin e kushteve për të bërë biznes.

 

Perkundrazi!

 

Në vend që t’i kushtohet më shumë vëmendje marrëdhënies tatimpagues – administratë, me qëllim rritjen e performancës së bizneseve, duke i ndihmuar ata gjatë rrugëtimit të tyre të vështirë, qeveria vendos edhe një tjetër barrierë proçeduriale, e cila rëndon akoma edhe më shumë klimën aktuale negative që po përjeton ekonomia shqiptare.

 

Zgjidhje ka, dhe shumë shpejt do të bëhet realitet.

 

Partia Demokratike ka një plan të thjeshtë dhe të qartë për biznesin!

 

Tatimpaguesi në piedestal, një sistem tatimor të thjeshtë dhe shërbëtor  për biznesin, minimizim të kontrolleve tatimore, taksa të ulëta, hapje të vendeve të punës dhe më shumë para për njerëzit e ndershëm të këtij vendi.

Read More
10 Tet
0

Në Vlorë, në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë po përplasen bandat e krimit të organizuar me bandën e qeverisë për prishjen e pazarit për grabitjen e pronave të shqiptarëve

  • Në Vlorë, në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë po përplasen bandat e krimit të organizuar me bandën e qeverisë për prishjen e pazarit për grabitjen e pronave të shqiptarëve. Edi Rama është peng i krimit të organizuar.

 

DEKLARATË PARTIA DEMOKRATIKE, FLAMUR NOKA

 

Djegia e makinës së Kryetarit të Bashkisë së Vlorës është tregues i shtetit të Edi Ramës të bërë njësh me krimin, ku pushteti i takon bandave dhe jo ligjit.

Në Vlorë po vepron krimi i organizuar që Edi Rama i ka dhënë pushtet, për arsyen e vetme se është krimi i organizuar që financon fushatën e Partisë Socialiste dhe që e ndihmon Edi Ramën të blejë vota e të vjedhë zgjedhjet. Tani, krimi kërkon akoma më shumë zgjerim, kërkon të blejë pasuri të patundshme, të pastrojë paratë e pista dhe nuk ndalet përpara asgjëje.

Paprekshmëria e krimit të organizuar dhe fuqizimi i tij gjatë qeverisjes së Edi Ramës është arsyeja pse në Vlorë kanë dhënë dorëheqjen 9 drejtorë për çështjen e pronave. Vetëm tre muajt e fundit kanë dhënë dorëheqjen, njëri pas tjetrit, 3 drejtorë kadastre, por Edi Rama ua fsheh të vertetën shqiptarëve.

E vërteta është se kjo është një luftë mes bandave. Është një bandë e krimit të organizuar për të gllabëruar toka në bregdetin e Jalit, kundër bandës së qeverisë, që po e grabit atë me klientët e Edi Ramës, të cilëve u jep statusin e investitorit strategjik për të grabitur dhe betonizuar Rivierën shqiptare.

Bashkë me vrasjet, rrëmbimet dhe kërcënimet mafioze, gjendja është njësoj e rëndë në të gjithë Shqipërinë, veçanërisht në Durrës, Fier dhe Elbasan. Krimi i organizuar me trafikantë ndërkombëtare droge, ka në dorë gjithçka. Ai ka në dorë edhe kryeministrin e vendit, i cili akuzon prokurorët se bashkëpunojnë me bandat, por nuk çon përpara drejtësisë as prokurorët, as bandat, megjithëse ka nën urdhra policinë, shërbimin informativ dhe vetë drejtësinë.

Rasti i Durrësit, ku edhe aty janë në përplasje banda e krimit të organizuar me bandën e qeverisë për çështje pasurish të paluajtshme, është tregues i qartë se kryeministri i vendit është peng i krimit të organizuar.

Duke blerë zgjedhjet për Edi Ramën krimi i organizuar ka siguruar paprekshmërinë nga drejtësia, prandaj ai guxon të kërcënojë zyrtarët e shtetit, t’i detyrojë ata të japin dorëheqje dhe të hedhë në erë makinat e kryetarëve të bashkive.

Edi Rama është shkaku kryesor i fuqisë që krimi i organizuar ka sot në Shqipëri dhe jashtë saj, prandaj vendi ynë ka nevojë urgjente të ndahet nga kryeministri peng i krimit.

 

Read More
09 Tet
0

Ervin Salianji publikon fakte të reja të falsifikimit të zërit të Agron alias Geron Xhafaj, për të shmangur  nga hetimi për trafik droge mafian qeveritare.

·         Ervin Salianji publikon fakte të reja të falsifikimit të zërit të Agron alias Geron Xhafaj, për të shmangur  nga hetimi për trafik droge mafian qeveritare.

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ERVIN SALIANJI​

 

Në mënyrë të vazhdueshme kemi denoncuar për falsifikime të herë pas hershme dhe të pafundme të dosjes Xhafaj, sot jemi në një situatë të re, me prova të reja të dala edhe gjatë gjykimit për këtë çështje, në një superskandal, falsifikimit të procesit jo për të çuar para përgjegjësisë denocnduesit e aferave mafioze në Shqipëri, por për të shmangur  nga hetimi për trafik droge të mafias qeveritare dhe Agron alias Geron Xhafaj.

 

Mos harroni dhe të kthejmë në vëmendje të publikut tonelata me drogë të kapura këto ditë në Greqi dhe lidhjet prej punëmarrësi dhe punëdhënësi me Agron Xhafajn, por për këtë do të kemi një ditë tjetër për të denoncuar sepse ka ikur nga vëmendja e medias në mënyrë të shpejtë.

 

Sot dua t’ju paraqes disa prova të reja, më kryesorja është falsifikimi i aktit të ekspertimit, nga ana e prokurorisë dhe avokatit të Agron Geron Xhafajt.

 

Më datë 15, sipas prokurorisë në orën 14:15 Agron Geron Xhafaj jep mostrat e zërit Prokurorinë e Tiranës pranë  OPGJ-së, Gabon Vrioni dhe ekspertit të kriminalistikës Dritan Zota. Proçedurialisht është marrë zëri në rregull duke pasur oficerë të policisë gjyqsore, ekspertë kriminalistikë dhe në prani të prokurorit.

 

Në datë 16, një ditë pasi ne kishim bërë publikimin e skandalit, Agron Xhafaj dorëzohet vullnetarisht për të kryer dënimin në Itali prej 7 viteve dhe 4 muaj burg, pavarësisht se kishte 10 vite që jetonte i lirë në Shqipëri.

 

Për ekspertizë në Itali dhe pas refuzimit të Italisë sepse nuk ishte marrë zëri në mënyrën e duhur nga ana proçeduriale, në Angli nuk dorëzohet dhe nuk dërgohet kampioni i zërit të marra nga ana e prokurorisë Tiranë sipas proçedurës, por dërgohen dy mostra të tjera të marra më 22.07.2018 dhe 25.07.2018, kohë në të cilën Agron Xhafaj nuk ndodhej në Shqipëri, por në burg në Romë.

 

Në procesverbalin që kemi kërkuar në Gjykatë, të marrjes së mostrave, kemi kërkuar se kush është oficeri apo prokurori, apo eksperti kriminalistik që ka marrë modelet e zërit në Agron Xhafajt, dhe ku i mori. I mori në burg në Romë, apo në Tiranë?

 

Në dosje është administruar vetëm mostra e marrë më datë 22.07.2018e cila po ju citoj: “Është një bisedë midis Geron Xhafajt me një shtetas tjetër”.

 

Nuk e di se si në burg mund të bëhet një bisedë me një shtetas tjetër dhe këtë e ka dorëzuar vetëm avokati i Geron Xhafajt, Ardian Visha.

 

Pra prokuroria në shkelje të ligjit dhe në falsifikim të plotë, ka çuar për akt ekspertim në Angli jo mostrat e zërit që janë marrë vetë nga ana e prokurorisë, por ka dërguar një mostër zëri e cila nuk dihet nga vjen, nuk është marrë në formën e duhur ligjore dhe për të cilën nuk dihet nëse zëri i regjistruar është i Agron Xhafajt apo është i Alfred Alizotit.

 

Ekspertiza britanike, për të cilën do t’ju vendos në dispozicion materialin, pasi është refuzuar nga laboratori shtetëror i kriminalistikës italiane për shkak të klësaj shkelje, ka marrë dhe ka analizuar mostrat e zërit të çuara në mënyrë të kundraligjshme nga prokuroria të cilat nuk dihet nëse janë Agron Xhafaj, apo Alfred Alizoti.

 

Për herë të parë bëjmë publike të katër dënimet që kemi gjetur deri tani të dëshmitarit të rremë, të një prej llumit të shoqërisë që zhytet ditë pas dite Edi Rama, të dëshmitarit të rremë me të cilin kanë shpëtuar nga dënimi një grup të strukturuar kriminal dhe mafioz, Alfred Alizoti, siç po e shihni ka të paktën 4 dënime për vjedhje me dhunë, për pengmarrje, etj.

 

Në një prej rasteve policia e ka gjetur të stërvitur sepse e ka bërë pikërisht fiks rolin që po kryen sot.

 

Në vendimin e gjykatës thuhet: “Shtetasi Alfred Alizoti, apo Alfred Rama, se njësoj janë, ka krijuar një situatë të rreme me shtetasin Artur Bregu sikur grindeshin me njëri-tjetrin dhe kur janë afruar, kanë vjedhur me dhunë qytetarin në makinë.

 

Të njëjtin rol që po kryen sot me dëshmi të rreme për llogari të Edi Ramës e ka kryer për llogari të banditëve të tjerë, të llumit tjetër për të vjedhur qytetarët.

 

Dje ka vjedhur qytetarët në mënyrë të drejtpërdrejt, sot bashkë me Edi Ramën dhe me Ballën, Xhafën, Ard Veliun, Andon Markon dhe Alfred Nushin, drejtues të lartë të policisë, kanë krijuar një situatë të rreme për të shpëtuar një grup mafioz nga procedimi penal, dhe kanë devijuar vëmendjen e publikut dhe organeve ligjzbatuese, aty ku nuk duhet të jetë.

 

Pavarësisht se kemi instituar në Gjykatë, pavarësisht se kemi çuar kallzim penal, prokuroria nuk merr asnjë masë, qoftë për shpërdorimin e detyrës të bërë nga Balla, Xhafa, Veliu, Marko dhe Nushi, por nuk merr asnjë veprim tjetër, as për shpërdorim detyre të kryeprokurorit Gentian Osmani dhe për t’i çuar ata përpara përgjegjësisë penale, për një rast i cili duhet të kishte çuar prapara hekurave disa prej mafiozëve më të mëdhenj që edhe sot kontrollojnë trafikun e drogës në Shqipëri dhe që dje kishin mbështetjen e ish-ministrit të asaj kohe Fatmir Xhafaj dhe sot kanë mbështetjen e plotë të kryeministrit të Republikës Edi Rama.

 

***

 

Shpjegimi i dokumenteve:

 

Dokumentat me nr 1, 2, 3, 4 dhe 6 janë vendime gjykate në kohë të ndryshme që  tregojnë disa prej dënimeve të dëshmitarit të rremë Fredi Alizoti. Mbi dëshminë e tij të rreme se ai ka bërë rolin e Agron Xhafajt, është ngritur akuza kundër Ervin Salianjit dhe gazetarit Jetmir Olldashi, duke u shmnagur hetimi për trafik droge i vëllait të Fatmir Xhafës, në atë Ministër i Brendshëm.

 

Dokumenti nr 5 është nga dënimi i Fredi Alizotit për vjedhje me dhunë. Aty tregohet se dëshmitari I rremë I qeverisë është përsëritës në aktrim për të kryer një krim.

 

Dokumenti 7 është procesverbali i datës 22 Korrik 2018, nëpërmjet të cilit prokuroria pranon marrjen nga avokati i Agron Xhafajt të një kampioni tjetër zëri nga Agron Xhafaj. Në dokument nuk ka asnjë shpjegim për rrethanat sesi është marrë ky kampion, në një kohë kur pretendohet se Agron Xhafaj është në burg në Itali.

 

Dokumentat 8, 10, 11 dhe 12 janë pjesë nga akt ekspertimi britanik, që tregojnë se audio e analizuar prej tyre është një regjistrim telefonik I datës 25 Korrik 2018,  ku prokuroria pretendon se është Agron Xhafaj, por në dosjen e prokurorisë nuk ka asnjë akt, asnjë procesverbal që të tregojë sesi është marrë ky kampion zëri, kush oficer gjyqësor e ka marrë, kush ekspert kriminalistik apo prokuror ka qenë i pranishëm, siç e kërkon procedura ligjore, në momentin e marrjes së këtij kampioni. Gjatë gjykimit ka rezultuar se nuk ekziston asnjë dokument që të provojë burimin e kampionit të zërit të ekspertuar në Britani dhe nuk dihet sesi ky kampsion është future në dosjen e prokurorisë.

 

Dokumenti 9 tregon sesi është procedura ligjore e marrjes së kampionit të zërit të Afron Xhafajt. Procedura i përket datës 15 Maj 2018, një ditë përpara se Agron Xhafaj të largohej nga vendi.

 

 

Read More
09 Tet
0

Prokuroria është vënë nën kontrollin e Edi Ramës e cila ka stopuar verifikimin e kriminelëve të tij për blerjen e votave më 30 qershor.

  • Prokuroria është vënë nën kontrollin e Edi Ramës e cila ka stopuar verifikimin e kriminelëve të Edi Ramës në të paktën 3 bashki të vendit të cilët ende qëndrojnë në detyrë për shkak të mosveprimit të prokurorisë.

 

  • Hajdutët e votave janë të paprekshëm. Ata nuk hetohen dhe nuk ndëshkohen, sepse i shërbejnë pushtetit të korruptuar dhe të kriminalizuar të Edi Ramës.

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ENKELEJD ALIBEAJ

 

Pavarësisht se flet nga mëngjesi në darkë për drejtësinë dhe qytetarët, Edi Rama është një nga armiqtë më të mëdhenj të drejtësisë së pavarur dhe zgjedhjeve demokratike.

 

Me kontrollin e plotë mbi prokurorinë, Edi Rama ka bllokuar çdo veprim të drejtësisë kundër atyre që blejnë vota, kundër kriminelëve që përdoren më zgjedhje, kundër komisionerëve që manipulojnë rezultatin për të mbajtur në këmbë pushtetin e korruptuar dhe kriminal të Edi Ramës.

 

Me kontrollin e plotë mbi prokurorinë Edi Rama ka stopuar verifikimin e kriminelëve të tij në të paktën 3 bashki të vendit, për të cilët Partia Demokratike ka sjellë dokumenta të pakundërshtueshëm.

 

Megjithëse kanë kaluar disa javë nga denoncimi i tyre, kriminelët e Ramës vazhdojnë të drejtojnë bashkitë, vazhdojnë të  mos përballen me drejtësinë për shkak të mosveprimit të prokurorisë.

 

Prej më shumë se 3 muajsh, Partia Demokratike ka referuar në prokurori krimin shtetëror të 30 Qershorit, rastet flagrante të blerjes së votave, presionit mbi administratën, shkeljen flagrante të ligjit nga komisionerët e të gjitha niveleve, manipulimin e votave në 30 Qershor, por organi i prokurorisë nuk ka bërë asnjë veprim.

 

Deri tani:

 

  • Nuk ka asnjë procedim penal të regjistruar.
  • Nuk ka asnjë person të hetuar.
  • Nuk ka asnjë person të arrestuar.

 

Nën kontrollin e Edi Ramës po veprohet kundër vullnetit të Bashkimit Europian për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

 

Hetimi i krimeve elektorale është një nga 9 kushtet e vendosura nga  Bundestagu gjerman për hapjen e negociatave me Shqipërinë, por prokuroria hesht. Hajdutët e votave janë të paprekshëm. Ata nuk hetohen dhe nuk ndëshkohen, sepse i shërbejnë pushtetit të korruptuar dhe të kriminalizuar të Edi Ramës.

 

Duke mos regjistruar zyrtarisht asnjë procedim penal që lidhet me zgjedhjet, Prokuroria ka zhvlerësuar  edhe ODIHR-in, i cili thekson se ishte dëshmitar i rasteve të kërcënimit të votuesve dhe shkeljes së fshehtësisë së votës në qendrat e votimit.

 

Mosveprimi i prokurorisë për të ndëshkuar krimet zgjedhore që mbajnë në pushtet Edi Ramën, është treguesi më i qartë i mungesës së vullnetit politik të kryeministrit për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme.

 

Edi Rama është pengesa e vetme që Shqipëria nuk bën dot zgjedhje si në Kosovë apo në vende të tjera, ku demokracia funksionon vërtet.

 

Mungesa e vullnetit politik të kryeministrit për zgjedhje të lira e të ndershme ka bllokuar zbatimin e planit me 5 pika të opozitës së Bashkuar për realizimin e një reforme të vërtetë elektorale, një plan që është pikënisje për zgjidhjen e krizës së rëndë të vendit.

Read More
09 Tet
0

Edi Rama dhe Erion Veliaj me VKM speciale po grabisin 15 HA të Kopshtit Botanik, ku do të ndërtojnë kulla betoni

  • Edi Rama dhe Erion Veliaj me VKM speciale po grabisin 15 HA të Kopshtit Botanik, ku do të ndërtojnë kulla betoni, pa konsultimin me Rektoratin, Senatin, dekanatin, asamblenë e personelit akademik e as këshillin studentor, si pronarët ligjorë të Kopshtit Botanik.

 

DEKLARATË PARTIA DEMOKRATIKE, LUÇIANO BOÇI                            

 

Edi Rama dhe Erion Veliaj po rrëmbejnë me dhunë shtetërore Kopshtin Botanik, pronë e Universitetit të Tiranës, për ta shndërruar këtë nga një zonë të gjelbër dhe të rëndësishme për interesa  akademike, në një shesh për kullat e betonit.

Një vendim i qeverisë së Edi Ramës grabit 15 hektarë të Kopshtit Botanik me synimin për të pastruar aty në fushën e ndërtimit me miliona euro para të pista.

Ky vendim është vjedhja më e madhe që i bëhet sot Universitetit dhe është në kundërshtim të plotë me ligjin e Arsimit të Lartë dhe statutin e Universitetit te Tiranës, të cilët nuk lejojnë trasferimin e pronësisë dhe ndryshimin e destinacionit të saj.

Kjo vjedhje me VKM speciale, eleminon krejtësisht punën kërkimore shkencore në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe i jep një goditje fatale procesit akademik.

Në vend që të rrisë financimin për Arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor, Edi Rama, përkundrazi, i heq të drejtën e pronësisë.

Në vend që t’i ndihmojë për të ndërtuar laboratorë shkencorë për procesin mësimor, Rama i eleminon laboratorin më të madh natyror për të ndërtuar dhe për të pastruar paratë e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në vend t’i japë  frymëmarrje Universitetit, Rama godet autonominë dhe lirinë akademike të tij me harbutëri dhe padrejtësi.

Vendimi është marrë nga Rama – Veliaj në mënyrë arbitrare dhe arrogante, pa pyetur as Rektoratin e universitetit, as Senatin, as dekanatin, as asamblenë e personelit akademik e as këshillin studentor që janë ligjërisht pronarët e vërtetë dhe ligjorë të Kopshtit Botanik.

Asnjë konsultim paraprak nuk është bërë me ta, siç pretendohet në deklaratat e Bashkisë Tiranë.

Asnjë dakortësi nuk është dhënë  për këtë grabitje.

Madje pedagogët e studentët e kanë kundërshtuar me forcë rrëmbimin e kësaj prone, duke përballur çdo  presion apo joshje që u është bërë.

Ata kanë  kërkuar pranë gjykatës administrative anullimin e kësaj VKM-je korruptive dhe kriminale në një seancë që zhvillohet sot në orën 11.00.

Partia Demokratike ka mbështetur dhe mbështet të drejtën legjitime të përfaquesve të Universitetit dhe të asamblesë së personelit akademik dhe i bashkohet përpjekjeve të tyre për anullimin e VKM-së grabitëse 510.

Ne u bëjmë thirrje pedagogeve, studenteve dhe qytetarëve të solidarizohen sot në ora 11.00 pranë Liceut Artistik, me betejën ligjore që po behet nga Universiteti kundër rrëmbimit, grabitjes dhe hajdutërisë së kësaj prone publike.

Read More
08 Tet
0

Opozita është e vendosur të japë kontributin e saj për tejkalimin e krizës së rëndë politike

·        Me Ministrin e Jashtëm të Austrisë ndamë shqetësimin për mosbesimin që qeveria shqiptare ka krijuar tek shumë faktorë europianë, duke mos plotësuar kriteret kryesore për negociatave.
·        Opozita është e vendosur të japë kontributin e saj për tejkalimin e krizës së rëndë politike dhe problemet e shkaktuara prej saj, që pengojnë integrimin.
·        Rruga që ka zgjedhur Rama duke fajësuar Euorpën dhe opozitën është absolutisht e gabuar para marrjes së vendimit të BE.
 

KOMUNIKIMI I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE LULZIM BASHA PAS TAKIMIT ME MINISTRIN E JASHTËM TË AUSTRISË

Falenderova ministrin Schallenberg për mbështetjen e jashtëzakonshme austriake e, në veçanti, mbështetjen që i jep procesit të hapjes së negociatave për Shqipërinë.

Ndamë së bashku shqetësimin për qëndrimin e shumë faktorëve europianë në raport me mosbesimin që ka krijuar qeveria shqiptare duke mos plotësuar kriteret kryesore të hapjes së negociatave.

E sigurova që Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar janë të vendosura të japim gjithë kontributin tonë për të tejkaluar këtë krizë të rëndë politike dhe problemet kryesore të shkaktuara nga kjo krizë politike dhe nga kjo qeverisje, që janë edhe pengesa kryesore për hapjen e negociatave.

Dua ta them fare qartë para jush dhe para gjithë qytetarëve shqiptarë që rruga që ka zgjedhur Edi Rama është rruga absolutisht e gabuar në këto javë që ka mbetur në marrjen e një vendimi kaq të rëndësishëm për vendin tonë.

Është rruga e njohur e fajësimit të çdokujt tjetër, e sulmeve ndaj Bashkimit Europian, e sulmeve ndaj  qeverive europiane, e sulmeve ndaj shënjestrës së preferuar opozitës, Partisë Demokratike, medias, madje edhe qytetarëve, për të hequr vëmendjen dhe për të hequr përgjegjësinë nga, në fakt, i vetmi njeri përgjegjës në këtë situatë.

Dështimi për herë të katërt ka vetëm një firmë, vetëm një vulë, vetëm një emër dhe ky është Edi Rama.

Përtej këtij dështimi Edi Rama po tregon se është pengesa e vetme për të tejkaluar këtë krizë dhe për t’i zgjidhur problemet që na mbajnë peng.

Opozita e bashkuar është në krye të detyrës. Propozimi ynë për daljen nga kriza dhe, në veçanti, propozimi për reformën zgjedhore vazhdon të mbetet në tryezë. Dhe me këtë përgjegjësi që kemi marrë para shqiptarëve, me të njëjtën përgjegjësi kam konfirmuar sot Ministrit të Jashtëm austriak se mund të mbështeten plotësisht tek PD, tek opozita e bashkuar.

Ne jemi të vendosur që të bëjmë gjithçka që Shqipëria të mos mbetet peng i korrupsionit i lidhjeve të politikës me krimin, i kapjes së shtetit dhe asgjësimit të pushteteve të pavarura, qofshin drejtësia apo media e pavarur, dhe se synimi ynë kryesor është që, përmes zgjidhjes politike, t’u ofrojmë shqiptarëve atë që meritojmë. Të dalim nga marshi indietro ku e ka futur ekonominë dhe politikën kjo qeveri dhe ky kryeministër dhe të ecim përpara me vendosmëri, me vizion dhe me qartësi të plotë për të kryer detyrat tona të shtëpisë, duke luftuar korrupsionin, duke shkatërruar lidhjen e krimit me politikën, duke i nxjerrë paratë nga xhepat e politikanëve të korruptuar, të oligarkëve dhe bandave kriminale dhe duke i kthyer këto para aty nga janë vjedhur, në xhepat e shqiptarëve.

Pyetje: Dje kryediplomati i BE-së Josep Borrell u shpreh se Kosova nuk mund të jetë shtet për sa kohë kur superfuqi si India, Kina apo Rusia nuk e njohin pavarësinë. Sipas jush a ka ndonjë ndryshim në politikën e jashtme të BE-së në raport me Kosovën?

Lulzim Basha: Kosova është një vend i pavarur, i njohur nga shumica e vendeve anëtare të OKB-së dhe nga shumica dërrmuese e vendeve anëtare të BE-së dhe të NATO-s. Me mbështetjen e këtyre vendeve Kosova ka arritur progres të jashtëzakonshëm me konsoilidimin e praktikave demokratike, siç treguan edhe zgjedhjet e ditës së diel, që në fakt janë një shembull jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin. Në veçanti janë një shembull për Shqipërinë ku tregohet qartë se kemi të bëjnë me një shtet që ka institucione mjaftueshëm të konsoliduara për të garantuar demokracinë funksionale, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe respektin e të drejtave të minoritetit serb ç’ka nuk mund të mohohet nga askush dhe, me sa pashë, u përshëndet edhe nga Presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Këto janë faktet. Kosova është një shtet i pavarur, i konsoliduar dhe. për Partinë Demokratike dhe opozitën e bashkuar, mbështetja ndaj Kosovës për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, prosperitetit ekonomik dhe integrimin europian dhe euro-atlantik, bashkëpunimin më të ngushtë midis dy vendeve tona, është prioritet i dorës së parë.

Ju faleminderit.

 

Read More
07 Tet
0

Kosova i dha leksion qeverisë shqiptare me zgjedhjet. Vullneti politik garanton zgjedhje demokratike dhe rotacion politik paqësor.

  • Kosova i dha leksion qeverisë shqiptare me zgjedhjet. Vullneti politik garanton zgjedhje demokratike dhe rotacion politik paqësor.

 

  • Pa u larguar pengesa e zgjedhjeve demokratike, Edi Rama, zgjedhjet e Kosovës apo çdo reformë zgjedhore e jona, do të mbeten një leksion në letër.

 

DEKLARATË PARTIA DEMOKRATIKE, OERD BYLYKBASHI

 

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë një leksion i madh për politikën ‎shqiptare, por mbi të gjitha janë një këmbanë e fortë për qeverinë. Zgjedhjet demokratike kërkojnë vullnet politik.

 

Kosova dha një mësim të madh se zgjedhjet bëhen demokatike, kur në vend të parë vjen interesi i zgjedhësve dhe kur qeveria ka vullnet për të zbatuar ligjin,‎ që garanton të drejtën e zgjedhësve dhe të kandidatëve që konkurojnë të lirë e pa presion.

 

Askush nuk ka dëgjuar zhurmë për reformë zgjedhore në Kosovë, por të gjithë pamë se si Kosova bëri zgjedhje demokratike që garantuan rotacion politik paqësor, ku fituesi angazhohet për ndryshim dhe humbësi nuk manipulon numërimin, por pranon humbjen.

 

Zgjedhjet demokratike në Shqipëri i vrasin:

 

  • Qeveritarët e korruptuar që blejnë vota për të vazhduar të mbajnë pushtetin
  • ‎Kriminelët që qeveritarët i angazhojnë për të blerë vota dhe frikësuar zgjedhësit në këmbim të tenderave dhe pasurive publike
  • Kandidatët me rekorde kriminale apo ushtarë të krimit
  • Oligarkët që financojnë partinë në pushtet që të vijojnë vjedhjen e shqiptarëve me PPP dhe konçensione
  • Komisionerët militantë që shkelin ligjin me dy këmbë duke mbushur kutitë apo manipuluar numërimin
  • Mediat e kapura nga pushteti me interesa biznesi apo licenca të paligjshme

 

ODIHR dhe Bashkimi Europian në 2019 kërkon të luftohet:

 

  • Shitblerja e votës dhe të ndëshkohen ata që blejnë vota
  • Presioni mbi zgjedhësit
  • Presioni mbi administraten
  • Cënimi i sekretit të votes
  • ‎Cënimi i lirisë së votës
  • Abuzimi me burimet shtetërore në favor të partisë në pushtet‎
  • Që partitë politike të jenë transparente me financat e tyre.

 

Partia Demokratike është e angazhuar për të gjitha këto, në mënyrë që t’u sigurojë shqiptarëve zgjedhje demokratike dhe rotacion demokratik me votë.‎  Partia Demokratike është e bindur që vetëm zbatimi i plotë dhe i vërtetë i rekomandimeve të ODIHR na hap rrugën për zgjedhje demokratike dhe për këtë ka propozar një plan me pesë pika, në bazë të të cilit qendron vullneti politik për zgjedhje të lira e të ndershme.

 

E vetmja pengesë në rrugën e shqiptarëve për zbatimin e rekomandimeve, si dhe garantimin e zgjedhje si gjithë Europa, është Edi Rama dhe qeveria e tij‎. Pa u larguar Edi Rama, zgjedhjet e Kosovës apo çdo reformë zgjedhore e jona, do të mbeten një leksion në letër.

 

 

Read More
04 Tet
0

Presion kriminal i Edi Ramës dhe Erion Braçes ndaj drejtësisë për të mos dënuar drejtorin e arrestuar për korrupsion të Kadastres së Durrësit. Drejtori, kushëri dhe emërim i Erion Braçes.

Enkelejd Alibeaj denoncon ne emër të PD presionin kriminal të Edi Ramës dhe Erion Braçes ndaj drejtësisë për të mos dënuar drejtorin e arrestuar për korrupsion të Kadastres së Durrësit.

Drejtori, kushëri dhe emërim i Erion Braçes.

 

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ENKELEJD ALIBEAJ

 

 

Presioni i Qeverisë nga Kryeministri tek Zëvendëskryeministri ndaj prokurorisë dhe gjykatës që kanë urdhëruar arrestimin e Drejtorit të Kadastrës në Durrës, është kriminal.

 

Kërcënimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve me vetting për çështje konkrete është prova e gjallë sesi Edi Rama po përdor vettingun për të kërcënuar e shantazhuar gjyqtarë e prokurorë, që të mos hetojnë krimet e tij dhe të Qeverisë së tij.

 

Veprimet e prokurorit të çështjes u gjetën ligjërisht korrekte nga gjykata. Magjistratja Besjana Garxenaj, e emëruar në 10 Shkurt 2017, tregoi integritet profesional, duke mos iu nënshtruar presionit kriminal, të padëgjuar më parë, në sallën e gjyqit nga Zëvendëskryeministri Erjon Braҁe.

 

Drejtuesi i korruptuar i Kadastrës në Durrës, që është arrestuar me vendim gjykate, është kushëriri dhe i emëruari i Erjon Braҁes, i cili ka vënë qeverinë në funksion të hallit të tij dhe për të mbrojtur një zyrtar të akuzuar për korrupsion.

 

Edi Rama ka dy standarde për drejtësinë. Jo më larg se mbrëmë ai refuzoi të komentojë për Saimir Tahirin, me pretekstin se çështja nuk quhet e mbyllur nga drejtësia. Ndërsa për të korruptuarin e tij në Kadastrën e Durrësit, ai e sulmoi drejtësinë, kërcënoi hapur prokurorin e çështjes dhe shantazhoi gjykatën.

 

Partia Demokratike bën thirrje për nisjen menjëherë të hetimeve ndaj Edi Ramës dhe Erion Braçes për ushtrim të ndikimit të paligjshëm tek prokurorët dhe gjyqtarët në vend, si dhe shantazhimin që ai bën me procesin e vettingut për çështje individuale dhe konkrete.

 

Presione të tilla tregojnë para shqiptarëve se përse të pushtetshmit janë të paprekshëm dhe pse nuk ndëshkohet korrupsioni i bandës që drejton vendin.

Read More
04 Tet
0

PD padit arkitektin Bjarke Ingels për korrupsion. “Me porosi të Ramës dhe Veliajt, mori pjesë me vetëdije në projektin e paligjshëm për Teatrin.”

PD padit arkitektin Bjarke Ingels për korrupsion. “Me porosi të Ramës dhe Veliajt, mori pjesë me vetëdije në projektin e paligjshëm për Teatrin.”

 

Partia Demokratike dërgon për ndjekje penale arkitektin danez Bjarke Ingels për përfshirje të paligjshme në projektin korruptiv të grabitjes së tokës publike tek teatri Kombëtar për ndërtimin atje të kullave private. Akuzat në padinë që Partia Demokratike ka depozituar në prokurori kundër arkitektit danez janë 3:  “Korrupsioni pasiv në sektorin privat”; “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm”; dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

 

Padia e Partisë Demokratike kundër arkitektit të projektit korruptiv për Teatrin sjell me detaje historikun e këtij projekti, bazuar mbi deklaratat publike të Edi Ramës, Erion Veliajt, Bjarke Ingels dhe akteve zyrtare, që çojnë në konkluzionin se Edi Rama, bashkë me Erion Veliajn kanë bashkëpunuar me Bjarke Ingels për një projekt të pabazuar në asnjë ligj.

 

Duke cituar Bjarke Ingels në një intervistë më 14 Mars 2018, bëhet e qartë se projekti ka patur porositës kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun Erion Veliaj, ndërsa kompoania “Fusha shpk” vetëm sa ka kryer pagesën për një punë të paracakuar nga dy prej njerëzve me më shumë pushtet në vend, kryeministri dhe kryebashkiaku i Tiranës. Projekti është porositur prej tyre që në vitin 2016, shumë kohë përpara se Fusha shpk ta paraqiste si projekt të financuar prej saj.

 

“Ishte një ftesë e Kryeministrit dhe e Kryetarit të Bashkisë për Teatrin Kombëtar. Për këtë projekt ne kemi filluar para një viti e gjysmë dhe kemi punuar në mënyrë të vazhdueshme.”- citohet të ketë thënë më 14 Mars 2018 Bjarke Ingels.

 

“Ky fakt provon se jemi përpara marrjes së një përfitimi të parregullt dhe pranimit të një oferte që vjen nga një përfitim i parregullt.”- thuhet në padinë e Partisë Demokratike. Aty vihet në dukje se “kryerja e një projekti për zhvillimin e pronës publike dhe ndërtimin e një pasurie publike, si Teatri Kombëtar, pa asnjë marrëveshje me autoritetet publike shqiptare dhe pa u njohur me ndonjë procedurë konkrete ligjore për partneritet publik privat, nënkupton se studio arkitekturore “BIG-BJARKE INGELS GROUP” dhe arkitekti i saj z. Bjarke Ingels, kanë konsumuar veprën penale të parashikuar në nenin 164/b “Korrupsion pasiv në sektorin privat”, vepër e cila dënohet me burgim nga 6 muaj në 5 vjet.

 

“Qartësisht shtetasi z. Bjarke Ingels ka qenë në dijeni të faktit se jemi përpara një oferte të parregullt, dhe me dashje ka pranuar realizimin e saj.”- shkruhet në padinë e depozituar nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

 

Mes të tjerave, në padi, theksohet fakti se për t’i hapur rrugë projektit të Bjarke Ingels, të porositur nga Kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë që në 2016-ën, pa u bazuar në asnjë procedurë ligjore, qeveria ka ndërmarrë disa veprime përpara paraqitjes nga “Fusha shpk” të propozimit të pakërkuar për të ndërtuar një teatër të ri dhe disa kulla përreth, i cili mban datën Shkurt 2018.

 

  1. Në 12 Prill 2017 qeveria heq Teatrin Kombëtar dhe territorin përreth nga Zona e Qendrës Historike të Tiranës.
  2. Në 14 Prill 2017 miratohet Plani i Përgjithshëm Vendor i Bashkisë Tiranë, në të cilin, ndryshe nga çdo zonë e kryeqytetit ku përcaktohet intensiteti i ndërtimit dhe specifikime të tjera teknike, për zonën e Teatrit Kombëtar, nuk përcaktohet asnjë kufizim për lartësinë e ndërtesave dhe koeficentin e shfrytëzimit të truallit.
  3. Në 13 Mars 2018, në shkelje të çdo ligji vendas dhe ndërkombëtar, pa garë, pa procedurë, pa tender, kryeministri Edi Rama shpall fitues projektin e Bjarke Ingels, i porositur prej tij dhe prej Kryetarit të Bashkisë së Tiranës që në 2016-ën, duke paracaktuar edhe ndërtimin e kullave nga Fusha shpk, që ka marrë përsipër pagesën e projektit të Bjarke Ingels.

 

Për këtë padi, Partia Demokratike ka njoftuar edhe Ministrinë e Drejtësisë së Danimarkës, duke qenë se studio arikitekturore e Bjarke Ingels, “BIG-BJARKE INGELS GROUP”, ka qendrën ne Kopenhagen të Danimarkës.

 

 

PD për projektin që shemb Teatrin dhe grabit tokën publike: Të vendoset në sekuestro për të parandaluar dëmin kundër interesit publik.

 

3 akuzat kundër arkitektit danez Bjarke Ingels për shkelje të rënda të ligjit shqiptar në aferën e Teatrit Kombëtar nuk janë objekti i vetëm i padisë që Partisë Demokratike ka depozituar në prokurori. Forca më e madhe e opozitës i kërkon prokurorisë që të kërkojë në gjykatë urdhërimin e vendosjes së sekuestros preventive ndaj projektit, që shemb Teatrin Kombëtar dhe i hap rrugën grabitjes së pasurisë publike për ndërtimin e kullave.

 

“Vendosja e sekuestros preventive ndaj këtij projekti do të ishte edhe një masë që parandalon pasojat e parikuperueshme dhe jashtëzakonisht të dëmshme për interesin publik që ka realizimi i atij projekti. “- thuhet në padinë e dorëzuar nga Partia Demokratike ndaj arkitektit danez Bajrke Ingels dhe studios së tij që ka projektuar Teatrin Kombëtar, pa u bazuar në ligjet e vendit dhe me përfitime të paligjshme.

 

Partia Demokratike i kërkon, gjithashtu, prokurorisë të kryejë një hetim të plotë e të gjithëanshëm për aferën me Teatrin Kombëtar, duke patur si pikënisje ftesën që arkitekti Bjarke Ingels deklaron se ka marrë në vitin 2016 nga Kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë Tiranë për realizimin e projektit të paligjshëm dhe korruptiv tek Teatri.

 

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në padinë drejtuar prokurorisë shprehet se hetimi i kësaj afere, i pandikuar politikisht, është një rast për t’I dhënë fund pandëshkueshmërisë për afera korruptive, duke vënë të parin interesin publik.

 

BASHKËNGJITUR PADIA E PLOTË PENALE E DEPOZITUAR NË PROKURORI NGA PARTIA DEMOKRATIKE.

Read More