Blog

28 Jan
0

REAGIM I PARTISË DEMOKRATIKE

Në një akt të paprecedentë në historinë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela ka detyruar sot dy prej vartësve të saj të nxjerrin sekretin hetimor.

 

Vetëm për këtë shkelje flagrante të ligjit, Donika Prela duhet të shkarkohet nga organet e vetingut.

 

Vartësit e Donika Prelës nuk thonë të vërtetën. Shefja e tyre është pjesë e përgjimeve të bandës së Avdylajve në dosjen 339. Këtë e provojnë përgjimet e muajit janar 2018.

 

Duke qenë se tani Donika Prela e ka cënuar sekretin hetimor, le t’i shkojë deri në fund! Të urdhërojë të bëhen publike përgjimet audio të bandës së Avdylajve në muajin janar 2018, kur në makinën e kreut të bandës u gjet një armë pa leje, 9 mm, dhe Astrit Avdylaj u arestua në flagrancë.

 

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka përgjegjësi ta verifikojë këtë informacion.

 

Organet e vetingut duhet ta detyrojnë Donika Prelën të përgjigjet, nëse ajo ka urdhëruar dhe firmosur lirimin e kreut të bandës së Avdylajve dhe nxjerrjen e tij të pafajshëm, në janar 2018, kohë kur Donika Prela drejtonte Prokurorinë e Durrësit.

 

Është në përgjegjësinë e organeve të vetingut të mos lejojnë një tjetër prokurore të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar të qëndrojë në sistemin e drejtësisë.

 

 

 

Read More
28 Jan
0

Përpara se të japë vendimin për Donika Prelën, KPK duhet të verifikojë nga kamerat e sigurisë a është takuar Donika Prela në nëntor-dhjetor me anëtaren e vetingut Valbona Sanxhaktari dhe a është pjesë e dosjes 339, duke u kapur në përgjim me Astrit Avdylajn.  

  • Përpara se të japë vendimin për Donika Prelën, KPK duhet të verifikojë nga kamerat e sigurisë a është takuar Donika Prela në nëntor-dhjetor me anëtaren e vetingut Valbona Sanxhaktari dhe a është pjesë e dosjes 339, duke u kapur në përgjim me Astrit Avdylajn. 

DEKLARATË E DEPUTETIT ENKELEJD  ALIBEAJ, NËNKRYETAR I KOMISIONIT TË LIGJEVE.

Rasti i drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela po konfirmon se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është një vegël në duart e pushtetit për të mbajtur në sistem prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar.

Në dosjen e Donika Prelës ka dokumenta që provojnë se miliona lekë nga pasuria e saj janë të pajustifikuar, se bashkëshorti i saj dyshohet për pastrim parash dhe se, në rastin më të mirë, ai ka punuar në të zezë.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit bëri një përpjekje të lavdërueshme për të hedhur dritë mbi aktivitetin e paligjshëm të Donika Prelës, por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është urdhëruar të mbajë në sistem një tjetër prokurore të korruptuar, të shantazhueshme nga politika dhe nga bandat.

Përpara se të japë vendimin për Donika Prelën, Komisioni I Pavarur I Kualifikimit ka për detyrë të verifikojë dy informacione të reja për Drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Së pari, të konfirmojë që Donika Prela, në konflikt të hapur interesi, është takuar gjatë periudhës që ishte nën veting me anëtaren e trupës së vetingut, Valbona Sanxhaktari. Për lehtësi pune, i sugjerojmë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të kërkojë kamerat e Sigurisë së Prokurorisë së Krimeve të Rënda në muajt nëntor dhjetor.

Së dyti, organet e vetingut duhet t’i japin përgjigje pyetjes: a është Donika Prela pjesë e dosjes 339, e kapur në përgjim me bandën e Avdyljave duke biseduar me kreun e bandës Astrit Avdylaj? Përgjimet e dosjes 339 janë bërë në kohën kur Donika Prela drejtonte Prokurorinë e Durrësit dhe Astrit Avdylaj u arrestua për armëmbajtje pa leje, por më pas u lirua si i pafajshëm.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka përgjegjësinë të bëjë verifikim të plotë për Drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Një prokuror i korruptuar dhe me lidhje me krimin e organizuar nuk mund të japë drejtësi!

Organet e vetingut kanë përgjegjësinë të mos lejojnë që një prokurore me pasuri të pajustifikuar, e dyshuar për lidhje me krimin e organizuar të drejtojë strukturat më të rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Read More
28 Jan
0

Videoskandal/Deputeti Bardh Spahia filmon gjendjen skandaloze në Urgjencën e Tiranës pa ilaçe dhe me shtretër me pleshta

Deputeti Bardh Spahia ka nxjerrë zbuluar situatën skandaloze të Urgjencës së Tiranës.

Pacientët shtrohen në shtretër me pleshta, në ambient me lagështirë dhe të amortizuara.

Pacientët transportohen në autoambulanca pa oksigjen dhe pa maska të përshtatura për fëmijë ose të rritur.

Infermieri i urgjencës denoncon se në Spitalin Nënë Tereza përveç kushteve skandaloze në të cilat shteti nuk vë dorë, mungojnë shumë ilaçe të urgjencës mes tyre edhe ilaçi primar kundër atakut në zemër, trinitrina.

“Në QSUT nuk ka ilaçe, mungojnë shumë prej tyre. Autoambulanca nuk funksionon. Mungon oksigjeni, ilaçet e ndihmës së parë “, tregon infermieri i turnit.

Deputeti Spahia thotë se rrëfimi i infermierit është kurajoz, edhe pas dy vërejtjeve e kërcënimeve për largim nga puna.

“Për shkak të denoncimeve të mëparshme të kësaj situate skandaloze vazhdon të flasë me shpresën se diçka do të ndryshojë, se puna fisnike që ai e kolegët e tij bëjnë çdo ditë për të shpëtuar jetë, të mos jetë një mision mbijetese profesionalisht së pari për shkak të mungesave, që nga ilaçet bazike për ndërhyrjen e shpejtë”-shprehet Spahia.

Duke treguar pamjet skandaloze të Urgjencës së Tiranës, deputeti Spahia bëri kontrastin e realitetit me mashtrimet e kryeministrit dhe Ministres së Shëndetësisë, që gënjejnë çdo ditë shqiptarët.

Read More
27 Jan
0

Faktet, Rama firmosi që në Parkun Kombëtar të Zagorisë, pjesë e bllokut 4, të shpohet dhe të kërkohet për naftë

Shqiptarët po tregojnë gjatë gjithë këtyre ditëve se duke protestuar, mund të ndalojmë të keqen.

Kështu ndodhi në kanionin e Holtës. Ne protestuam bashkë me banorët dhe qeveria u detyrua të ulej në bisedime. Akoma nuk ka pranuar se do ta anullojë vendimin me gjasë korruptiv të Edi ramës dhe Damian Gjiknurit, por ne sërish jemi gati të protestojmë.

Protesta e përditshme ka shpëtuar shtëpitë e mijëra banorëve tek Zona e Astirit, protesta e studentëve tregon se ata akoma nuk janë dorëzuar, protesta  e pritshme e pedagoëve është një sinjal po ashtu frymëzues. Të gjithë janë në protestë, nga Tirana, deri tek Zagoria e largët në Gjirokastër.

Protesta e Zagorisë nxori përpara shqiptarëve një kryeministër frikacak dhe mashtrues i pacipë për të mbuluar aferat e tij në grabitjen e pasurive të vendit.

“Nuk bën vaki që qeveria të lejojë shpime naftëkërkuese në një Park Kombëtar”- ishte deklarata e Edi Ramës për të frenuar protestat e banorëve.

Në të vërtetë, ky është një mashtrim flagrant i një kryeministri frikacak.

Vakia ka ndodhur dhe ka ndodhur me praninë dhe firmën e vetë Edi Ramës.

Në 20 shkurt 2018, të gjitha mediat raportuan për arritjen e një marrëveshje historike që do të na bëntë si Arabia Saudite me shpimin në bllokun 4, zona mes Gjirokastrës dhe Sarandës. I ftoj mediat, t’u kthehen atyre pamjeve dhe t’u tregojnë shqiptarëve vakinë e paralajmëruar nga Edi Rama dhe Damian Gjiknuri.

Fotografia gjatë firmosjes së marrëveshjes për shpim dhe kërkim nafte në zonën e Zagorisë nuk është akti i vetëm i frikacakut kryeministër, që mashtron pa iu dridhur syri.

4 muaj më vonë, më 12 qershor, marrëveshja u miratua në Këshillin e Ministrave dhe mban firmën e Edi Ramës.

Ai mund të dalë dhe të thotë se këto fakte janë fotomontazh! Çfarë nuk bën vaki me këtë kryeministër! Por e vërteta është se Edi Rama i ka gënjyer shqiptarët sy për sy. Ai ka firmosur që në Parkun Kombëtar të Zagorisë, pjesë e bllokut 4, të shpohet dhe të kërkohet për naftë!

Protesta dhe qëndresa është e vetmja gjuhë që njeh frikacaku dhe mashtruesi Edi Rama. Dhe këtë do të marrë derisa t’ia arrijmë t’u heqim shqiptarëve nga qafa një kryeministër hajdut, arrogant, shërbëtor i krimit dhe oligarkëve.

Read More
27 Jan
0

Pas bashkëpunimit me krimin, Rama kthen në nivele të larta drejtimit njerëzit e sherbimit sekret më të egër të Lindjes, Sigurimit të Shtetit

Bashkëpunimi me krimin dhe korrupsioni i perhapur ne çdo qelizë të qeverisë janë dy tiparet më dalluese të qeverisë së Edi Ramës. Por skema e sundimit të tij, është e paplotë, nëse lihen jashtë saj njerëzit e sherbimit sekret më të egër të Lindjes, Sigurimit të Shtetit.

Pasi mori në qeveri të gjithë pasardhësit e Byrosë Politike, miq të afërt të tij, Edi Rama riktheu në poste të rëndësishme drejtues të Sigurimit të Shtetit.

Policia e Shtetit sot drejtohet në të gjithë piramidën e saj nga ish oficere dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.

Rasti i Prokurorit të Apelit të Krimeve të Rënda, Bujar Sheshi, spiun i Sigurimit, u emëruar në kundërshtim me ligjin, në mënyrë që Edi Rama dhe vegla e tij Arta Marku të kontrollojnë Këshillin e Lartë të Prokurorisë nëpërmjet shantazhit.

Skema për të drejtuar shtetin që pretendon të anëtarësohet në Bashkimin Europian, me njerez të Sigurimit të Shtetit, tani po funksionon edhe në Shërbimin Informativ Shtetëror.

Partia Demokratike disponon të dhëna se nën drejtimin e njeriut të Edi Ramës në shërbimin sekret, Helidon Bendo, të paktën 9 ish oficerë dhe operativë të Sigurimit të Shtetit janë emëruar në poste shumë të larta drejtuese në kundërshtimin me ligjin e promovimit në detyrë të personave që figurojnë në dokumentacionin e Sigurimit të Shtetit.

Lista jep të qartë emrat dhe detyrat e larta ku janë emëruar pas marrjes së shërbimit sekret nën kontrollin e Edi Ramës.

1-            Rafail Milo: ish oficer i Sigurimit të Shtetit. Nga inspektor, ai emërohet Drejtor i Departamentit të Administratës në SHISH. Ka në varësi Drejtorinë Juridike dhe atë Ekonomike.

2-            Qerim Dedja: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, nga inspektor emërohet drejtor i Drejtorisë së Sigurisë

3-            Mevlud Matraku: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, punëtor operativ, kryesisht në Sarandë. Nga inspektor, është emëruar Drejtor i Performancës. Bën vlerësimin e të gjitha drejtorive të linjës informative operative.

4-            Vladimir Elezi: ish punëtor operativ i Sigurimit të Shtetit është emëruar Drejtor në SHISH në Elbasan.

5-            Gëzim Bime: ish oficer i Sigurimit të Shtetit nga inspektor, emërohet Drejtor kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit (drejtori e rëndësishme në punën operative)

6-            Ilir Tafa: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, emërohet Drejtor i Drejtorisë SHISH, në Durrës. Vëllai i tij është Afrim Tafa, ish Drejtor Policie, i cili është në listat e punonjësve të policisë, i implikuar në trafikun e drogës.

7-            Sokrat Mite: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, nga inspektor, emërohet zëvendësdrejtor i Departamentit të Kundërzbulimit.

8-            Agim Karralli: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, nga inspektor, emërohet Drejtor i Drejtorisë SHISH Tiranë.

9-            Rinald Serhani: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, emërohet Drejtor në SHISH.

Për dy emrat e parë, Autoriteti i Dosjeve ka zbuluar dokumentacion të mjafteshëm që i bën ata të papërshtatshëm për promovimin në detyrë, ndërsa për 7 të të tjerët,  ka prova të qarta në dojet e tyre personale në SHiSH se kanë qenë oficerë të shërbimit sekret të diktaturës.

Sot kam një pyetje për çdo qytetar shqiptar:

A besoni se rendi, drejtësia, siguria mund të garantohen nga njerëz që dikur na kanë torturuar dhe na kanë masakruar, na kanë mbajtur të izoluar si në kafaz?

Partia Demokratike është e bindur se përgjigja e shumicës së shqiptare pergjigjen me një Jo të fortë! Sigurimi i Shtetit nuk mund të na japë as drejtësi, as rend dhe as siguri! Shërbimi më i mirë që sot mund t’i bëjmë vendit është të largojmë pa humbur kohë arkitektin e qeverisjes me Sigurimin e Shtetit!

 

Read More
26 Jan
0

Prokurori i Apelit të Krimeve të Rënda Bujar Sheshi është emëruar në KLP në kundërshtim me Ligjin. Ai është bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit me pseudonimin Venusi.

 

  • Prokurori i Apelit të Krimeve të Rënda Bujar Sheshi është emëruar në KLP në kundërshtim me Ligjin. Ai është bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit me pseudonimin Venusi.

 

  • Arta Marku dhe vetingu e kualifikuan Bujar Sheshin duke shkelur ligjin, në mënyrë që qeveria dhe ajo vetë, ta shantazhojnë për ta mbajtur nën kontroll.

 

  • Arta Marku, organet e vetingut dhe Autoriteti I Dosjeve janë pjesë e mekanizmit mafioz për të mbajtur nen shantazh organet e reja të drejtësisë.

 

  • E vërteta për Bujar Sheshin u publikua një ditë pasi ai votoi kundër interesit të Edi Ramës dhe Arta Markut për të kthyer në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dy prej prokurorëve të larguar nga Arta Marku.

 

  • Bujar Sheshi duhet shkarkuar! Ai nuk përmbush kriteret për të qenë anëtar i KLP-së. Arta Marku duhet shkarkuar menjëhere sepse ka shkelur ligjin dhe, me vetëdije, ka manipuluar procesin e ngritjes së KLP.

 

DEKLARATAT E PLOTA TË DEPUTETIT GENT STRAZIMIRI, NËNKRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE

 

Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë ka ndodhur ajo që Partia Demokratike ka paralajmëruar shumë kohë më parë: vetingu ka mbajtur në sistemin e drejtësisë gjyqtarë dhe prokurorë në kundërshtim me ligjin, që i shërbejnë Edi Ramës për të mbajtur nën kontroll organet e  reja të drejtësisë.

 

Prova më flagrante është emërimi si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë i prokurorit të Krimeve të Rënda Bujar Sheshi.

 

Dokumentat zyrtarë tregojnë se ai është bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe për këtë fakt procedura e emërimit të tij duhet të ishte ndërprerë menjëherë.

 

Ligji e ka shumë të qartë: një bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit ndalohet të bëhet pjesë e organeve të reja të drejtësisë.

 

Më konkretisht, kushti pengues ligjor parashikohet nga neni 105, ku thuhet se:

 

“Kandidatët duhet të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit.”

 

Por përse për sigurimsin që në shkollë të mesme Bujar Sheshi, vija e kuqe e ligjit nuk ka funksionuar?

 

Si ka mundësi që ai aplikoi dhe kaloi vetingun me shpejtësi, pa u bërë verifikimi i figurës, siç e kërkon ligji?

 

Ka një përgjigje fare të thjeshtë per këto pyetje që me të drejtë mund t’i bëjë kushdo, që ka besuar tek reforma në drejtësi.

 

Bujar Sheshi nuk duhet të ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por Arta Marku e kualifikoi atë në kundërshtim me ligjin, në mënyrë që qeveria dhe ajo vetë, ta shantazhojnë për ta mbajtur nën kontroll.

 

Ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë e ngarkon Arta Markun me përgjegjësi direkte, pasi në nenin 279 percaktohet se “Prokurori i Përgjithshëm verifikon përmbushjen e kritereve ligjore për anëtarë te KLP-së”.

 

Të vetmen detyrë që i ngarkon ligji në raport me krijimin e KLP-së, Prokurorja e Paligjshme e Edi Ramës nuk e ka kryer. Ajo nuk ka pritur përgjigje nga Autoriteti i Dosjeve, por e ka çuar aplikimin e paplotë pranë organeve të vetingut.

Edhe këta, besnikë të partisë, kanë mbyllur njërin sy për të mos parë që kandidatit të vetëm, në dorë të të cilit kishte ngelur ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

 

Ka edhe një pyetje tjetër për t’i dhenë përgjigje në këtë lojë të pistë për kapjen e sistemit të drejtesisë?

 

Përse Autoriteti i Dosjeve e publikoi 3 muaj me vonesë gjetjen e papërshtatshmërisë absolute të Bujar Sheshit, si drejtues i asaj që quhet “drejtësia e re”?

 

Ku “gaboi” shoku Bujar Sheshi, që Partia ta dënonte me dekonspirim dhe…”zbatim të ligjit”?

 

Kjo është pyetja që kërkon përgjigje, për të sqaruar hijen e turpit që qëndron mbi konstituimin e organeve të “drejtësisë popullore e socialiste”, në të cilën e nën të cilën ligji zbatohet vetëm si dënim për mosbesnikëri ndaj PARTISË.

 

 

DEKLARATA E DYTË E GENT STRAZIMIRIT

 

Rreth 2 orë më parë, ne publikuam dokumentin zyrtar që provon se  anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bujar Sheshi, është emëruar në KLP në kundërshtim me ligjin, sepse ai ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit që në gjimnaz.

 

Pseudonimi i atij që sot është në drejtimin e qeverisjes së re të Prokurorisë ka qenë “Venus”-i, por dashuria me Arta Markun, e cila e ka kualifikuar në kundërshtim me ligjin, ka mbaruar.

 

Ne i kërkuam Arta Markut të japë sqarime se për çfarë arsye e dërgoi për vetting aplikimin e Bujar Sheshit pa përmbushur kriterin ligjor:

–        pa marrë përgjigje nga Autoriteti i Dosjeve për kandidatin e drejtësisë se reformuar.

 

Arta Marku po hesht për të mbuluar mekanizimin mafioz që Edi Rama ka përdorur me veglat e tij në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Autoritetin e Dosjeve për të kontrolluar Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

 

E vërteta është se organet e reja të Drejtësisë nuk janë të pavarura. Ato punojnë nën shantazh dhe sipas interesave politike mafioze.

 

Ky është shpjegimi pse Arta Marku nuk e zbatoi ligjin, pse vettingu e mbylli njërin sy për njeriun e partisë dhe pse Autoriteti i Dosjeve e publikoi 3 muaj me vonesë gjetjen se, anëtari i KLP-së ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

 

Partia dhe shoku Edver duan ta djegin sigurimsin Bujar Sheshi, pasi ai votoi kundër interesit të tyre.

 

Shkresa e Autoritetit të Dosjeve mban datën 22 Janar, pra një ditë pasi KLP votoi për të kthyer në detyrë dy prokurorët e Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj dhe Olsian Çela, të shkarkuar në shkelje të ligjit nga Arta Marku.

Votimi ka rezultuar 6 me 5 me favor të prokurorëve të shkarkuar dhe vota e Bujar Sheshit ka bërë ndryshimin.

 

Prandaj, Arta Marku sot po qarkullon dokumentat kundër Bujar Sheshit – si hakmarrje për mosbindje ndaj urdhrit të partisë dhe shokut Edver!

 

Pavarësisht makinacioneve mafioze dhe shantazheve për të mbajtur nën kontroll sistemin e drejtësisë, është fakt se, si bashkëpunëtor i Sigurimit, emërimi i Bujar Sheshit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, është në kundërshtim me ligjin.

 

Bujar Sheshi duhet shkarkuar!

 

Ai nuk përmbush kriteret për të qenë anëtar i KLP-së.

 

Ndërsa Arta Marku duhet shkarkuar menjëhere sepse ka shkelur ligjin dhe, me vetëdije, ka manipuluar procesin e ngritjes së KLP.

 

Partia Demokratike shpreh edhe njëherë bindjen se Edi Rama nuk ka ndërmend të ndërtojë një drejtësi me të mirë për shqiptarët, por një drejtësi që i shërben vetëm atij, për të mbuluar lidhjet e tij me krimin e organizuar dhe aferat korruptive.

 

Me kapjen politike të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Edi Rama synon t’i shpëtojë drejtësisë, duke kontrolluar dhe penguar SPAK-un të bëjë atë që shqiptarët presin me padurim: burg për politikanët dhe zyrtarët e korruptuar e të lidhur me krimin.

 

Kjo është një arsye më shumë për të dalë në protestë më 16 Shkurt!

 

Të mos lejojmë që drejtësia të bëhet nga ata që na kanë shtypur për 50 vjet me radhë!

 

 

Read More
26 Jan
0

Hapja e ekspozitave dhe shitja e veprave të artit gjatë ushtrimit të detyrës së kryeministrit e bën të pavlefshëm mandatin e Edi Ramës.

  • Hapja e ekspozitave dhe shitja e veprave të artit gjatë ushtrimit të detyrës së kryeministrit e bën të pavlefshëm mandatin e Edi Ramës. Kuvendi duhet ta konstatojë menjëherë papajtueshmërinë.
  • Duke shitur krijimtarinë e tij artistike, Edi Rama deklaruar më 3 vjet 79 milionë lekë, duke shkelur hapur Kushtetutën dhe ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit.
  • Paligjshmëria, abuzimi me pushtetin dhe pasurimi i babëzitur janē 3 tiparet kryesore të Edi Ramës në krye të qeverisjes së vendit. Është koha t’i japim fund këtij modeli.

 

ALBANA VOKSHI, DEPUTETE E PARTISË DEMOKRATIKE

 

Në këto ditë të ftohta Tirana dhe disa qytete të vendit janë përballur me ndërprerjen e energjisë elektrike.

Studentët janë ende në bojkot me kërkesa minimale të parealizuara nga qeveria.

Fatura e ujit ka ardhur edhe më e lartë këtë muaj nga futja e një takse të re.

Shumica e shqiptarëve jeton më keq, por kryeministri i vendit nuk do t’ia dijë.

Edi Rama e ka braktisur detyrën, për të hapur në Berlin një ekspozite të re për shitjen e krijimeve të tij, në shkelje të hapur të ligjeve dhe të Kushtetutës së vendit, e cila detyron heqjen e mandatit për deputetin Edi Rama.

Shpjegimi për këtë është fare i thjeshtë.

Deri në vitin 2014, Edi Rama ka deklaruar zero lekë nga krijimtaria artistike.

Pasi bëhet Kryeministër, Edi Rama, nis të hapë ekspozita në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara.

Për 3 vjet rresht, në 2015-2016-2017, ka deklaruar 79 milionë lekë të ardhura nga krijimtaria artistike.

Gjithçka është në kundërshtim me ligjin dhe detyrën e tij si kryeministēr dhe si deputet.

Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike, pērcakton në nenin 27 të tij se, “Kryeministri nuk mund të ushtrojë veprimtari private që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar”.

Duke shitur krijmtarinë e tij artistike dhe duke krijuar të ardhura të deklaruara 79 milionë, kryeministri Edi Rama ka vepruar në cilësinë e personit fizik tregtar, siç e përcakton ligji për të drejtat e autorit.

Kjo përbën qartazi papajtueshmëri me funksionin e Kryeminstrit dhe deputetit, duke shkelur hapur Kushtetutën.

Në këto kushte, Kuvendit të Shqipërisë i takon të mos sillet si vegël në duart e Edi Ramës, por të ushtrojë të drejtën e vet: të konstatojë papajtueshmërinë me funksionin e Kryeministrit/deputetit dhe të deklarojë mbarimin e mandatit të Edi Ramës në bazë të nenit 71 të Kushtetutës.

Paligjshmëria, abuzimi me pushtetin dhe pasurimi i babëzitur janë 3 tiparet kryesore të Edi Ramës në krye të qeverisjes së vendit.

Ai e tregoi këtë edhe pak kohë më parë, kur ne provuam me dokumenta zyrtarë se Edi Rama nuk i justifikon 400 milionë lekët e deklaruar për vilën superluksoze të Surrelit.

Edi Rama heshti, sepse e di që fshehja e pasurisë dhe pastrimi i parave janë vepra penale që dënohen me burgim te gjatë!

Heshtja e tij dhe e institucioneve që kontrollon, mund ta ndihmojë  edhe tani për të shpëtuar mandatin nga ushtrimi i paligjshëm i detyrës së kryeministrit, por nuk do ta shpëtojë dot përgjithmonë!

Ka ardhur koha t’i japim fund këtij modeli të neveritshëm dhe shkatërrues për shoqërinë tonë!

Është koha të bashkohemi në protestë për të mos e lejuar më kryeministrin të shkëmbejë me ekspozita picture, të ardhmen e fëmijëve tanë!

Read More
25 Jan
0

Hetimi për shkeljen e ligjit nga KKT për lejen e ndërtimit mbrapa presidencës është i pamjaftueshëm.

  • Hetimi për shkeljen e ligjit nga KKT për lejen e ndërtimit mbrapa presidencës është i pamjaftueshëm.
  • Edi Rama dhe Erion Veliaj duhet të hetohen për pastrim parash. Brenda 7 muajve, ata I kanë dhënë 3 leje ndërtimit pronarit të kompanisë më të madhe të bixhozit.
  • Hetimet do të verifikojnë akuzat në media se pas lejes së 3 kullave në Tiranë fshihet vëllai i kryeministrit Olsi Rama.
  • Kohës së shndërrimit të Tiranës ë lavatriçe parash të pista i ka ardhur fundi. Qytetarët po i bashkohen protestës së opozitës për t’i dhënë fund këtij modeli. 

DEKLARATË E ZËDHËNËSES SË PD, INA ZHUPA

Prokuroria e Tiranës njoftoi pak ditë më parë se ka nisur hetimet për shkeljen e ligjit nga kryeministri Edi Rama për dhënien e lejes së ndërtimit për një kullë mbrapa presidencës. Nisja e hetimeve erdhi si përgjigje për investigimin nga emisioni Ajsberg, por është krejt e pamjaftueshme.

Tirana është shndërruar në një lavatriçe të madhe parash të pista nga çifti më i korruptuar në Europë Edi Rama dhe Erion Veliaj. Ndërtimi mbrapa Presidencës është vetëm njëra prej godinave të larta, që do të ndërtohet me firmat e çiftit Rama-Veliaj, duke i hapur rrugë pastrimit të parave nga biznesi i bixhozit.

Aktualisht janë në ndërtim edhe kulla prapa Sahatit të Tiranës dhe ajo në zemër ish zonës së ish Bllokut.

Të  treja ndërtimet në zonat më të mira dhe më të shtrenjta të Tiranës i janë dhënë një personi Dajlan Avdia– pronar deri pak kohë më parë i kompanisë më të madhe të bixhozit Apex.

Këto faktë, Partia Demokratike i ka denoncuar disa javë më parë, duke ngritur shqetësimin se kompanitë e bixhozit, klientë të Edi Ramës, po i investojnë paratë e bixhozit në fushën  e ndërtimit me lejen e Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

Të treja kullat do të zënë një sipërfaqe prej 54 mijë metrash katrorë, thënë ndryshe sa 6 fusha të mëdha futbolli, të dhëna për një person, që sipas denoncimeve të medias, ka lidhje të drejtpërdrejta me vëllain e kryeministrit Olsi Rama.

Edi Rama duhet t’u thotë shqiptarëve çfarë ka të veçantë Dajlan Avdia, i cili nuk ka patur kurrë më parë aktivitet ndërtimi, që i dha brenda pak muajve leje ndërtimi në 3 zonat më të shtrenjta të Tiranës, duke shkelur edhe ligjin.

  • Njëra në nëntor 2017 në zemër të Bllokut
  • Një tjetër në shkurt të këtij viti tek Kulla e Sahatit.
  • Për kullën e tretë leja u dha në muajin qershor, pak pasi klienti i Edi Ramës shiti aksionet e bixhozit. Kjo është kulla që po ndërtohet mbrapa presidencës dhe për të cilën po heton prokuroria.

Kohës së përdorimit të kryeqytetit si lavatriçe e pastrimit të parave të pista nga Edi Rama dhe Erion Veliaj po i vjen fundi! Qytetarët po ngrihen në protestë së bashku me opozitën! Duke bashkuar zërin në protestat tona në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë, ne mund t’i japim fund modelit që punon për pasurimin e një grushti klientësh të pushtetit dhe kundër interesit të qytetarëve!

Read More
25 Jan
0

Komisioni i vetingut po përdor standard të dyfishtë për të mbajtur Donika Prelën në sistemin e drejtësisë, e cila ka pasuri të pajustifikuar.

  • Komisioni i vetingut po përdor standard të dyfishtë për të mbajtur Donika Prelën në sistemin e drejtësisë, e cila ka pasuri të pajustifikuar.

 

  • Prokurorja e Krimeve të Rënda dyshohet jo vetëm për pastrim parash dhe konflikt interesi në blerjen e disa apartamenteve.

 

  • KPK duhet të shkarkojë dhe jo të mbrojë, si deri tani, Donika Prelën. Roli i viktimës me padinë e korrikut nga bashkëshorti i saj kundër firmës ku ka punuar në të zëzë, është mashtrim. Padia nuk ka vlerë ligjore.

 

DEKLARATA E SEKRETARIT PËR ÇËSHTJET LIGJORE, ÇLIRIM GJATA.

 

Faleminderit që keni ardhur për çështjen e Prokurores së Krimeve të Rënda Donika Prela dhe raportin e saj me organet e vettingut, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

 

Ne kemi këtu dosjen e zonjës Prela me shkeljet që ajo ka bërë, dosje e cila ndodhet në vetting, pra ndodhet në KPK.

 

Nuk është se kemi shpikur diçka të re, nuk kemi bërë ndonjë hetim, thjesht këto janë të gjitha të dhëna që ndodhen në zyrat e Komisionit të Vetingut.

 

Ku qëndron problemi? Çështja është se përse nuk i merr në konsideratë, nuk i merr në shqyrtim?

 

Kemi disa raste, të cilat duhen  hetuar me shumë seriozitet që të mbahet i njëjti standard si në rastet e tjera, që Komisioni i Pavarur të Kualifikimit, të Vettingut, të mos bjerë në atë që quhet standard i dyfishtë.

 

Kur qëllon njëri i nënës, tjetri i njerkës, çfarë  ndodh?

 

Duke filluar me rastin e parë, me një apartament që zonja Prela e ka blerë në “Rrugën Tefta Tashko Koço”, tek një Kompani të quajtur Lim-Em, Administrator i së cilës është në ndjekje penale, është nën hetim po nga Krimet e Rënda.

 

Prokurorja e Krimeve të Rënda ka marrë një apartament, është në marrëdhënie kontraktore me një kompani, administratori i së cilës është nën hetim nga Prokuroria që ajo drejton.

 

Tjetër moment.

 

Çmimi është shumë më i lirë se sa i tregut, është nga 300 deri në 500 euro më i lirë se çmimi i tregut për metër katror, dhe kjo del nga vetë thirrjet që kjo Kompani ka bërë për shitjen e apartamenteve të pallatit të ndërtuar nga kjo, ku të gjitha çmimet shkojnë minimumi nga 250 deri në 500 Euro më shtrenjtë për metër katror se ç’e ka blerë apartamentin zonja Prela.

 

Atëherë përse ky preferencim, përse kjo ulje e çmimit pikërisht për këtë Prokurore,  e ndodhur në këto kushte.

Në zyrat e Vettingut ndodhen rastet e tjera.

 

Blerja e apartamentit në Durrës për 1 milionë lek të reja, shitet për 4 milion lek të reja. Apo blerje trojesh, apartamentesh, pronash, më lirë, apo shitje më shtrenjtë, apo shumë më shtrenjtë se ç’është çmimi i tregut.

 

A hetohet këtu për pastrim parash? Apo për fiktivitet, apo për kontrata fiktive? E ka detyrim organi i vettingut ta bëjë këtë.

 

Por ajo që është më e rëndësishme është procesi gjyqësor që bashkëshorti i zonjës Prela ka hapur me Kompaninë ku ka punuar, për mospagim taksash.

 

Megjithëse për vite me rradhë ka përfituar të ardhura dhe s’ka paguar taksa, kujtohet tani, pikërisht, pasi është futur nën proces verifikimi zonja Prela, bashkëshorti i saj ka hapur një proces gjyqësor kundër kompanisë përkatëse, kundër kompanisë “Bruci”, tek e cila ka punuar, deri në mars 2018.

 

Dhe këtë padi e ka hapur pas 7 vitesh.

 

Kodi civil nuk ta jep këtë mundësi që të hapësh një padi të tillë për dëshpërblim, për pagesë taksash apo sigurimeve pas 7 viteve, pasi është e parashkruar. E drejta e kësaj padie është e parashkruar.

 

Nuk e ditkërka zonja në fjalë si juriste, që bashkëshorti nuk mund të hapë një padi pas shtatë vitesh? Është bërë fiktive, pra vërtetë s’i kemi paguar, por e ka fajin kompania dhe unë po e padis në gjyq.

 

Tani kaq e trashë është gatuar kjo dhe tregon që ka një mbështetje shumë të fuqishme politike të organet e vetingut derisa bën veprime të tilla.

 

Që nga blerja e apartamenteve, administratorët e kompanisë të cilët janë në konflikt interesi, çmime preferenciale, shitblerje pasurish të paluajtshme e deri tek procesi gjyqësor dhe fiktiv për t’ia hedhur ligjit, i themi ne.

 

Institucioni i vettingut duhet të heqë dorë nga standardi i dyfishtë.

 

Dhe ç’është më e bukura, nëse një prokuror e ka shkarkuar nga detyra, i cili kishte bërë një blerje të fshehtë dhe thoshte se jetoj me qera, të njëjtën gjë bën edhe zonja Prela me apartamentin.

 

E ka bërë blerjen, por letrat janë lënë, pasi të kalojë vettingu. Pra ndodhemi para së njëjtave kushte. Përse të mos ketë të njëjtin trajtim si Prokurori tjetër?

 

Të gjitha këto i keni. Do t’jua nisim edhe elektronikisht, me adrea, me linqe, me të gjitha elektronikisht, ku dalin faktet, apartamentet, sipërfaqet, metrat katrorë, gjithçka çfarë ka ndodhur, kërkesë-padia fiktive që ka ngritur, rasti i Prokurorit apo disa raste të tjera të ngjashme.

 

Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se sa institucioni i vettingut të mbajë të njëjtin standard për raste të ngjashme.

 

Ndryshe, këtu ka ndërhyrje politike.

Read More
24 Jan
0

Vendimi i Urdhrit të Stomatologut për përcaktimin e çmimit të 13 shërbimeve është i paligjshëm dhe korruptiv.

  • Vendimi i Urdhrit të Stomatologut për përcaktimin e çmimit të 13 shërbimeve është i paligjshëm dhe korruptiv.
  • Qeverisë, e cila u lajmërua që në dhjetor për rritjen e paligjshme të çmimeve, është bashkëpërgjegjëse me heshtjen e saj.
  • PD u bën thirrje dentistëve të mos zbatojnë urdhrin e paligjshëm dhe të shkarkojnë këdo që është bërë pjesë e aktit korruptiv.

 

DEKLARATË E DEPUTETIT BARDH SPAHIA, NËNKRYETAR I KOMISIONIT TË SHËNDETËSISË.

Makineria e propagandës së qeverisë së Edi Ramës flet çdo ditë për ulje taksash, për çmime më të lira dhe jetë më të mirë. Por e vërteta është ndryshe. Me heshtjen e saj, qeveria është bërë pjesë e një vendimi të paligjshëm dhe korruptiv, të marrë nga Urdhri i Stomatologut për thuajse dyfishimin e çmimit të shërbimit për qytetarët.

Me një vendim të paprecedentë, të paligjshëm, abuziv, presidenti i Urdhrit të Stomatologut, Nikollë Deda. kandidati për deputet i Edi Ramës në Pukë,  urdhëron dentistët të rrisin gati dyfish çmimet për 13 shërbime. Janë shërbimet që kryejnë më së shumti qytetarët, përfshirë edhe mbushjen e dhëmbëve, vënien e protezave dhe deri tek ndërhyrjet kirurgjikale.

Kandidati për deputet i Edi Ramës që drejton urdhrin e stomatologëve është në shkelje të plotë të ligjit për Urdhrin e Stomatologut, i cili nuk i jep asnjë të drejtë Urdhrit të vendosë çmime për shërbimin që dentistët u japin qytetarëve.

Ky organ ka si mision ligjor ruajtjen e standardeve të larta në këtë profesion e sidomos mbrojtjen e pacientëve nga kequshtrimi i profesionit të stomatologut. Shtatë kompetencat e Urdhrit janë në funksion të këtij misioni.

Në asnjë pikë nuk figuron e drejta për të vendosur dhe caktuar çmime!

Kjo është shkelje jo vetëm e parimeve të Urdhrit, por edhe e ligjit. Për këtë kandidati i PS, Nikollë Deda duhet të mbajë përgjegjësi, pasi ka nxitur në mënyrë të paligjshme vendosjen në treg të cmimit monopol, duke cënuar rëndë konkurencën.

Qeveria është përgjegjëse, sepse ka heshtur pas këtij urdhri të paligjshëm, korruptiv dhe abuziv. Ministria e Financave është informuar zyrtarisht që lista e çmimeve të reja të paligjshme të zbatohet në kasat fiskale, por nuk ka bërë asgjë për ta kundërshtuar.

Po kështu Ministrja e Shëndetesisë, e cila është e zënë me propagadën e shëmtuar për të paraqitur spitalet e Shqipërisë si spitalet e zvicrës, ka mbyllur një sy për urdhrin e paligjshëm që bie në kurrizin e çdo shqiptari.

Partia Demokratike u bën thirrje dentistëve të mos  zbatojnë një vendim të paligjshëm, duke rritur artificialisht çmimet për qytetarët shqiptarë. Partia Demokratike i nxit anëtarët e urdhrit të shkarkojnë cilindo person që është bërë pjesë e këtij mekanizmi antiligjor, që synon të rrjepë nga lekët shqiptarët me bekimin e qeverisë.

Kundër këtij modeli abuzues e grabitës të qytetarëve duhet të ngrihemi të gjithë. Të bashkohemi në protesta deri në largimin e kryeministrit që frymëzon modelin e grabitjes së shqiptarëve.

Read More