- Detyra morale dhe fitorja më e madhe për brezin e sotëm politik është ndalja e së keqes që ka pllakosur vendin dhe përgatitja e kalimit të politikës në duart e një elite të re, e aftë për aspiratën e ndryshimit.
- Qëllimi kryesor është të hapim rrugën për këtë ndryshim të madh, duke ndërtuar një sistem politik, ekonomik dhe shoqëror të lirë, të hapur dhe meritokratik.
- Në 5 vjet, dëmi më i madh që Edi Rama i ka shkaktuar vendit është zhgënjimi i madh nga politika, vrasja e besimit dhe shpresë, mpirja e shoqërisë për të reaguar dhe protestuar, përçarja e shqiptarëve.
- Me një grusht njerëzish të politikës, biznesit, medias dhe krimit, Edi Rama synon të kontrollojë çdo pushtet dhe pasuri të vendit për disa dekada nëpërmjet shkatërrimit të zgjedhjeve.
- Sfida e parë dhe më e madhe e PD është rikthimi i besimit të shqiptarëve tek vetja dhe njëri-tjetri. Misioni i PD është të ringjallë besimin se Shqipëria do të bëhet vërtetë si Europa.
- E vetmja garanci që qeverisja e nesërme e PD do të jetë demokratike është që vetë PD të jetë e tillë. Sot PD është e vetmja parti në vend që mban zgjedhje të vërteta, ku anëtarët kanë pushtetin të zgjedhin.
- PD do të vendosë në muajt e ardhshëm një tjetër standard të ri për politikën, zgjedhjet primare brenda partisë. Demokratët do të votojnë për kandidatët për deputetët dhe kryetarë bashkie.
- Objektivi i përditshëm i Edi Ramës me ushtrinë e tij të mercenarëve dhe propagandën miliona euro është shkurajimi dhe përçarja e demokratëve, që PD të mos jetë e besueshme.
- Kushdo që do që të kontribuojë, ka vendin e vet në PD. Kontribut nuk do të thotë të kesh post apo pushtet të përjetshëm në PD, por të punosh për PD në pushtet dhe opozitë, me dhe pa post.
- PD është opozita më efikase që ka patur ndonjëherë vendi në nxjerrjen në dritë dhe bindjes së publikut për skandalet e qeverisë, që nga kriminelët në Kuvend, tek droga, grabitjet me koncesione, pastrimi i parave.
- PD nuk do të vijë kurrë në pushtet mbi kufoma. PD nuk do të vijë kurrë në pushtet me mjet tjetër përveçse me zgjedhje. Ne nuk jemi burravecë që t’i përdorin shqiptarët si mish për top për të ardhur në pushtet.
- Për të rrëzuar Edi Ramën nuk ka nevojë për dhunë. Edi Rama nuk rrëzohet duke e goditur një herë me top, por duke rezistuar çdo ditë, duke denoncuar krimet e tij dhe të ministrave të tij injorantë, duke iu bashkuar çdo proteste kundër çdo padrejtësie.
- Mos prisni nga unë që të bëj thirrje të bashkohen të gjithë qelbësirat për të hedhur poshtë Edi Ramën. Largimi i Edi Ramës dhe përparimi i Shqipërisë nuk duhet të bëhet përmes aleancës së qelbësirave. Ai do të jetë akti i qytetarëve të lirë dhe me dinjitet.
- Edi Rama nuk duhet thjesht larguar. Ai dhe banda kriminale me të cilën ai po shkatërron Shqipërinë duhet të dalin para drejtësisë. Asnjë qeveri që do të vijë në pushet nuk do të jetë serioze dhe e ndershme, nëse nuk nxjerr Edi Ramën para drejtësisë.
- Për të mos përsëritur gabimet e së shkuarës, Shqipëria ka nevojë të ndryshojë mentalitetin e qeverisjes: shërbim ndaj interesit publik në vend të grabitjes për pasurim vetjak.
- Alternativa qeverisëse e PD garamton një sistem të ri politik, që ka në bazë lirinë dhe konkurencën e ndershme në politikë dhe ekonomi nëpërmjet dekriminalizimit, deoligarkizimit, kufizimit dhe transparencës së pushtetit.
- Tre prioritetet kryesore për një shoqëri të hapur konkurente dhe të drejtë janë arsim masiv perëndimor për rininë, teknologjia e informacionit për zhvillimin, kujdesi social për të pamundurit.
- PD i ka kapacitetet, vlerat, projektin dhe vendosmërinë. Orët e errësirës po numërohen mbrapsht. Drita e shpresës që rinia ka ndezur për një ndryshim të vërtetë për çdo shqiptar nuk do të fiket derisa ta mposhtë errësirën. Ajo do të jetë Ora e Shqipërisë si gjithë Europa!
FJALA E KRYETARIT LULZIM BASHA NË KUVENDIN KOMBËTAR TË PD.
Të nderuar demokratë, anëtarë të Kuvendit Kombëtar te PD,
Ju që iu bashkuat që në oret e para kësaj partie, kontribuat me mish e me shpirt e kurrë nuk u pritë nga interesi i ngushtë i perfitimit personal, por nga interesi i madh, motivi për të cilin lindi kjo Parti, vlerat demokratike, njerëzore e morale, zhvillimin dhe integrimin.
Ju të rinj, jo vetëm nga mosha, por edhe nga angazhimi politik, që keni përqafuar vlerat tona e na jeni bashkuar në këto ditë të vështira për vendin, kur qeverisjen e dikton krimi dhe jo interesi qytetar, arroganca e jo vullneti për të lehtësuar hallet dhe shqetesimet e bashkëqytetarëve tanë, ku vlerat përçmohen e antivlerat drejtojnë;
Dua të ndaj me ju sot respektin dhe mirënjohjen time si demokrat, por mbi mbi të gjitha, si qytetar, për të gjitha përpjekjet dhe betejat e muajve të fundit në mbrojtje të lirisë, pronës, demokracisë dhe vlerave perëndimore.
Për të gjithë qytetarët që protestojnë prej 10 muajsh për Teatrin, qytetarët që protestojnë për mbrojtjen e pronës së tyre në Tiranë dhe kudo, studentët që protestojnë kundër rrënimit të arsimit: Respekt edhe për të gjithë ata njerëz në media, në shoqërinë civile dhe kudo që i dhanë zë dhe inkurajim këtyre përpjekjeve.
Keto kanë qenë ditët kur në skenën politike të vendit ka dalë vrullshëm rinia, e cila ka flakur plogështinë dhe inercinë e heshtjes dhe mosveprimit dhe po kërkon që gjërat të ndryshojnë.
Me ngritjen e saj Rinia studentore na vetëdijësoi për një të vërtetë të madhe: problemet më të mëdha me të cilat ndeshen sot shoqëria dhe vendi ynë do të mund të zgjidhen nga rinia.
Koha ka filluar të thërrasë në drejtimin e vendit rininë dhe duket se rinia do të jetë në lartësinë e kohës.
Shqipëria ka nevojë jo vetëm për energjinë dhe ndershmërinë e rinisë, por mbi të gjitha për një mentalitet të ri politik, për një qasje të re ndaj politikës dhe për një politikë ndryshe.
Prej të paktën një shekulli, politika ka qenë e keqja mes shqiptarëve, politika ka qenë më shpesh pengesë se shtytje për përparim, ka qenë më shpesh ndarje se sa bashkim, ka qenë një mjet në duart e disave për të grabitur dhe sunduar gjithë shqiptarët e tjerë.
Sot, ne kemi nevojë për një politikë perendimore, një politikë në shërbim të njerëzve dhe të kombit, për veprime të vërteta jo për parrulla dhe predikime sipërfaqësore dhe për fjalë në erë. Kjo nuk eshte e lehte por as e pamundur.
Duhet një brez i ri politik. Duhet një elitë e re e vendit, e aftë për këtë aspiratë ndryshimi të shqiptarëve.
Ndaj detyra morale dhe fitorja më e madhe për brezin e sotëm politik, është ndalja e së keqes që ka pllakosur vendin dhe përgatitja e kalimit të politikës në duart e një elite të re.
Ne duhet të krijojmë kushtet Duhet të ndërtojmë rrugën për këtë kalim të madh të përgjegjësisë së drejtimit të vendit tek një brez i ri në politikë, ekonomi dhe shoqëri.
Hapja e rrugës për këtë kalim të madh, për këtë ndryshim të madh mund të arrihet vetëm përmes ndërtimit të një sistemi politik, ekonomik dhe shoqëror, të lirë, të hapur dhe meritokratik.
Ky është dhe do të jetë deri në fund qëllimi im kryesor dhe, mbi të gjitha, si drejtues i Partisë Demokratike.
Sot nga kjo tribunë, nga ky takim demokratësh, në këtë përvjetor të atij dhjetori magjik dhe triumfues të historisë sonë, ju ftoj në këtë mision të madh kombëtar, në këtë mision për të shpëtuar Shqipërinë me të vetmen kurë që ka shpëtuar dhe çuar përpara kombet e përparuara mbi dhé: liri, demokraci dhe europianizëm.
Të dashur demokratë,
Që nga thirrjet për liri, demokraci dhe Shqipëri si e gjithë Europa, ka kaluar një jetë politike, kanë kaluar disa breza njerëzore, por aspirata e shprehur në ato fjalë më të rëndësishmet që kanë shpallur shqiptarët pas kërkesës së tyre për pavarësi, ka mbetur ende e pamundur.
Nuk ka asnjë dyshim se liria që fituam me rënien e komunzimit, hapja ndaj botës
vetë koha dhe ndryshimet e natyrshme që ajo sjell, kanë sjellë një transformim të madh në Shqipëri.
Shqipëria e sotme nuk mund të krahasohet me atë të para 30 viteve në asnjë drejtim.
Por Shqipëria e sotme, ashtu si Shqipëria e para 30 viteve, është ende prapa botës së zhvilluar, është ende larg potencialit tonë kombëtar, është ende një vend i prapambetur ekonomikisht, politikisht dhe nga pikëpamja shoqërore.
Vitet e fundit, vendi është zhytur në autokraci, po vuan nën sundimin e krimit dhe të korrupsionit, po lëngon në mjerim ekonomik dhe është e izoluar nga bota e politikës, ekonomisë, kulturës, dijes, shkencës dhe vlerave perendimore.
Është e vërtetë se korrupsioni nuk lindi këto pesë vitet e fundit. Është e vërtetë se krimi ka tentuar dhe ka mundur edhe më parë të ndikojë apo të ketë lidhje me qeverinë. Është e vërtetë se biznesmenët kanë synuar edhe më pare, jo pa sukses, të ndikojnë vendim-marrjen e qeverisë në favor të tyre.
Por me qeverisjen e fundit socialiste të gjitha këto dukuri shkatërruese për demokacinë dhe zhvillimin, u ngritën në sistem. Projekti i ashtuquajtur i rilindjes në fakt ishte një projekt për institucionalizimin e krimit, të korrupsionit dhe kapjen e shtetit nga interesat private dhe kriminale.
Sot politika, biznesi dhe media janë shkrirë në një. Një grusht njerëzish të politikës, të biznesit të medias dhe të krimit kontrollojnë krejtësisht pushtetin politik, pushtetin ekonomik, pushtetin mediatik të vendit. Ajo që synon tani ky grup i kriminalizuar është të çimentojë kontrollin e vet mbi këto pushtete për dekadat e ardhshme duke duke futur në dorë dhe kontrolluar të gjitha burimeve ekonomike dhe natyrore të vendit.
Mineralet, pyjet, bregdeti, ujërat, parqet, trojet dhe pasuritë e tjera natyrore po privatizohen apo i jepen me koncesion këtij grupi për dekadat të tëra.
E gjithë infrastruktura e vendit, shëndetësia, arsimi po i jepen këtij grupi njerëzish.
Të gjitha këto operacione po financohen duke e zhytur Shqipërinë në borxh. Miliarda euro borxh ka marrë qeveria socialiste që kur ka ardhur në pushtet, të cilët kanë përfunduar të gjitha në duart e këtij grushti të vogël njerëzish.
Breza të tërë shqiptarësh do të paguajnë në të ardhme këto borxhe që kanë përfunduar në xhepat politikanëve dhe klientëve të tyre, nëse nuk e ndalim këtë projekt.
Përmes pushtetit ekonomik dhe kontrollit të burimeve të vendit, Ky grup kriminal politik ekonomik dhe mediatik, kërkon të kontrollojnë procesin politik për sot dhe për nesër ose me mirë të asgjesojë atë:
- vullneti i shqiptarëve nuk do të ketë asnjë rëndësi dhe asnjë ndikim në punët e vendit
- vota e tyre nuk do të vlejë veçse për t’u blerë pasi ky grup kriminal do ta mbajë pushtetin përmes parasë dhe dhunës.
Brenda 5 vitesh, përmes bashkëpunimit me krimin dhe grabitjes së pasurive të vendit, Edi Rama:
- Shkatërroi procesin zgjedhor,
- Shkatërroi procesin politik
- Vuri nën kontroll ekonominë, median e pavarur
- Vuri në gjumë shoqërinë civile
Tani, ai po kërkon që këto “arritje” kriminale t’i përjetësojë. Po kërkon që kjo të jetë gjendja e përhershme të Shqipërisë:
- Pa demokraci
- Pa ekonomi tregu
- Pa media
- Pa shoqëri civile
- Pa drejtësi
Ajo që është akoma më e rëndë është se zhgënjimi i thellë nga politika dhe propaganda trushplarëse që u është bërë njerëzve ka plagosur frymën e reagimit, ndjenjën e protestës, forcën e revoltës.
Vepra më tinzare e Edi Ramës ka qënë përçarja e njerëzve, duke i bindur ata se këtu nuk ka shpresë, se ky vend nuk bëhet, se gjithkush duhet të shohë vetëm interesin e tij, se askush nuk ka ç’i duhet nëse dikush tjetër dhunohet, nëse dikush tjetër abuzohet.
Propaganda mizore i ka bindur shqiptarët se nuk është puna e tyre nëse qeveria prish banesat në Shkozë, në Himarë apo tek Unaza e Tiranës. I ka bindur se nuk është punë e tyre nëse qeveria prish stadiumin apo teatrin. nuk është punë e tyre nëse ata që ngrenë zërin burgosen.
Kjo propagandë i ka kthyer shqiptarët kundër njëri-tjetrit, duke bindur një pjesë se pjesa tjetër nuk janë të denjë, se të tjerët janë shpellarë, jane ngelësa, janë dembelë, janë armi, duke krijuar idenë se qytetar i përparuar dhe modern është vetëm ai që duartroket spektaklet e pushtetit, cirkun e përditshëm të udhëheqësit.
Edi Rama me ndihmën e klikës së tij të kalbur, më së shumti pjellë e nomenklaturës komuniste të fundit të viteve 1980-të, i ka shtyrë shqiptarët drejt cinizmit të thellë individual dhe shoqëror, duke i bërë ata të mos besojnë se në këtë vend ka njerëz që përpiqen për mirë,duke i bindur se në këtë vend të gjithë janë njësoj se nderi nuk ekziston se interesi i përbashkët dhe e mira publike ka vdekur përgjithmonë se të gjithë bëjnë pazare, të gjithë shiten dhe blihen.
Dhe keshtu pra shqiptarët nuk duhet të besojnë tek askush dhe në asgjë.
Nën efektin e propagandës së kësaj elite parazitare dhe grabitqare neokomuniste.
shqiptarët janë zhveshur nga ndenja se i përkasin diçkaje, nga ndjenja e përkatësisë familjare, e përkatësisë komunitare e shoqërore, nga ndjenja e atdheut.
Shqiptarët sot ndihen si qenie të padobishme, pa vetëdije, pa kurajo, pa forcë.
Ndaj shoqëria jonë është sot e mpirë, sepse shumica nuk besojnë më në asgjë, shumica jonë nuk ka më besim tek e ardhmja.
Shoqëria jonë ka humbur sot ndjenjën e qëllimit, ndjenjën e një të ardhmeje të përmbushur.
Ndaj shqiptarët janë mbërthyer në vend e nuk po lëvizin dot, si në një dhomë të errët ku nuk ke kurajë të çohesh, nga frika se do të përplasesh. Vetëm ikja duket se u ngjall shpresën E vetmja zgjidhje që ata shohin është migrimi diku tjetër, në një vend të lirë, në një vend ku ka dinjitet dhe mundësi për ta dhe sidomos për fëmijët e tyre.
Në një errësirë dhe plogështi të tillë e keqja e ka të lehtë të sundojë. Të këqijtë e kanë të lehtë të dalin në krye, në politikë, në biznes, në shoqëri, kudo.
Nga kjo dhomë e errët ku gjendemi mund të dalim vetëm duke parë dritën, dritën e shpresës, dritën e besimit tek vetja dhe njëri-tjetri. Kjo është sfida jonë e parë dhe më e madhja: të rikthejmë besimin.
Nëse njerëzive nuk ju kthehet besimi tek aftësia për t’u vetëqeverisur, tek forca e tyre për të kontrolluar qeverinë, asgjë nuk do të ndryshojë.
Ky mision është sfida e Partisë Demokratike, sfida jonë.
Partia Demokratike, e cila ndezi dritën e shpresës në një nga momentet më të errëta të historisë sonë, e cila ngjalli besimin tek e ardhmja, ndezi energjinë e shqiptarëve për t’u bërë si e gjithë Europa, tani duhet ta ringjallë këtë besim të venitur se Shqipëria do të bëhet vërtetë si Europa.
Por Shqipëria do të bëhet si Europa, vetëm kur ne të fillojmë të mendojmë, të ndjejmë, të sillemi dhe të qeverisemi si Europa këtu në tokën tone, këtu në Atdheun tonë.
Hapi i parë drejt këtij qëllimi, detyra e parë për ne demokratët është që partia jonë, Partia Demokratike të jetë një parti e vërtetë demokratike, europiane.
Të dashur demokratë:
Modernizimi dhe demokratizimi i partisë sonë është një zhvillim i rëndësishëm jo vetëm për demokratët, por për të gjithë vendin.
Partitë janë themeli i demokracisë moderne, pa to nuk mund të ketë rend demokratik. Por që të kemi qeverisje demokratike, partitë duhet të jenë demokratike. Sepse siç janë partitë, ashtu është qeverisja e vendit.
Partitë autokratike sjellin qeverisje autokratike, Vetëm partitë demokratike mund të qeverisin në mënyrë demokratike. Ndaj e vetmja garanci që qeverisja e nesërme e Partisë Demokratike të jetë demokratike është që vetë PD të jetë sot demokratike.
Ne kemi filluar një ndryshim të thellë të partisë sonë, por duhet te jemi të vetëdijshëm se ndryshimi është i vështirë dhe nuk ndodh menjëherë.
E rëndësishme është që hapat tonë të ndryshimit të jenë të matur dhe mbi të gjitha të qendrueshëm.
Pak ditë më parë, ne mbaruam zgjedhjet për drejtuesit e të gjitha strukturave lokale të partisë.
Partia jonë është e para parti në Shqipëri në të cilën të gjithë drejtuesit organizativë janë të zgjedhur në mënyrë të ndershme dhe të lirë me votën e anëtarëve.
Sot Partia Demokratike është e vetmja parti në vend që mban zgjedhje të vërteta.
Është e vetmja parti ku anëtarët kanë pushtetin të zgjedhin.
Është e vetmja parti ku anëtarët zgjedhin drejtuesit e tyre.
Nga rezultatet e zgjedhjeve që sapo mbyllëm, kanë mbetur, natyrshëm, demokratë të pakënaqur.
Kjo është normale, zgjedhje do të thotë dikush fiton e dikush humbet. Razultati shpesh është i ngushtë. Nganjëherë me 2 vota si në Shkodër, apo me 12 si në Vlorë. Në zgjedhjet që ne zhvilluam, ka patur patjetër probleme dhe kritika, të cilat ne do t’i korrigjojmë në të ardhmen.
Por një gjë është e rëndësishme: në Partinë Demokratike bëhen zgjedhje të vërteta. Në Partinë Demokratike anëtarët kanë pushtet të vërtetë.
Zgjedhjet dhe pjesëmarrja e anëtarësisë në vendim-marrje duhet të fuqizohet. Duhet të bëhen një standard i pakthyeshëm.
Në muajt e ardhshëm, Partia Demokratike do të vendosë një tjetër standard të ri për politikën shqiptare:
Ne do të prezantojmë zgjedhjet primare brenda partisë.
Demokratë do të votojnë për zgjedhjen e kandidatëve për postet publike, përfshi deputetët dhe kryetarët e bashkive.
Me përmbushjen e këtij standardi, Partia Demokratike do të fuksionojë mbi themele dhe parime tërësisht demokratike.
Partia Demokratike do të jetë partia e parë në Shqipëri që rrëzon modelin e kryetarokracisë, që zbon servilizmin dhe bindjen e verbër ndaj kryetarit si e vetmja rrugë karriere në parti.
Në organizim dhe vendim-marrje, PD do të ketë standart lirinë, hapjen, mundësitë për të gjithë dhe konkurencën e lirë.
Karriera në PD do të varet nga vota e njerëzve, nga shërbimi ndaj njerëzve.
Çdokush do ketë mundësi të bëhet pjesë e PD-së, të kontribuojë për përmbushjen e misonit të saj. Çdokush do të ketë rrugën e hapur drejt majave të politikës.
Puna, aftësia dhe vizioni vetjak do të jenë e vetmja gjë që do të përcaktojë sukesin brenda PD, në konkurencë të ndershme me ata që synojnë të njejtën gjë.
Dua të shfrytëzoj rastin dhe nga kjo Konventë dua t’u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që besojnë tek liria, tek kufizimi i pushtetit, tek konkurenca e lirë, u’i bëj thirrje sidomos rinisë që aspiron vlerat europiane që të bëhet pjesë e Partisë Demokratike. Të bëhet pjesë e forcës së vetme vërtet demokratike dhe europiane në Shqipëri.
Në të do të keni rrugën e hapur jo vetëm për një karrierë të ndershme dhe të lirë politike, por mbi të gjitha për t’u bërë pjesë e përpjekjeve për një Shqipëri europiane.
Në Partinë Demorkatike ne e konsiderojmë politikën një mision publik, në shërbim të njerëzve dhe vendit. Ndaj ne do të garantojmë që kandidatët e Partisë Demokratike për poste publike të kenë integritetin dhe aftësinë për t’i shërbyer njerëzve dhe vendit.
Reforma tjetër që ne kemi ndërmarrë është pikërisht ajo e filtrimit të kandidatëve që duan të konkurojnë për poste publike. Ne po ndërtojmë mekanizmin e vlerësimit paraprak për të gjithë ata që duan të konkurojnë për kandidatë për poste publike. Ky vlerësim paraprak do të garantojë që në zgjedhjet primare në parti të marrin pjesë vetëm ata që kanë formimin e duhur demokratik, kanë integritet moral dhe aftësi për t’i shërbyer interesit publik.
Për këtë ne po marrim praktikën më të mirë britanike, të cilën po e zbatojmë me mbështetjen dhe ekspertizën e ekspertëve të Partisë Konservatore britanike. Ndihmë të vyer po japin në këtë proces tashmë prej vitesh kristiandemokratët gjermanë dhe së shpejti edhe Instituti Republikan Amerikan. Partia jonë do të tërheqë të gjithë ata që përqafojnë vlerat dhe misionin e saj, por do t’i ofrojë vendit njerëzit me përgatitjen dhe integritetin më të lartë.
Të dashur demokratë,
Sot është koha, gjithashtu, për t’i konfirmuar vetes vlerat politike dhe ideologjinë tek të cilat ne besojmë.
Partia jonë lindi si parti e vlerave të lirisë, vlerave të demokracisë, vlerave europiane.
Ne duhet të mbetemi gjithmonë luftëtarë të këtyre vlerave.
Ne demokratët besojmë tek liria e individit,
Ne besojmë tek e drejta e çdokujt që të ndjekë thirrjen e tij dhe interesin e tij
Ne besojmë tek prona private,
Ne besojmë tek sipërmarrja e lirë,
Ne besojmë tek e drejta
Ne besojmë tek konkurenca e lirë
Ne besojmë tek qeveria e vogël por e fortë
Nne besojmë se qeveria duhet të sigurojë lirinë, pronën dhe ligjin
por ajo nuk duhet të ndërhyjë në rregullimin e ekonomisë apo shoqërisë.
Për ne:
- Të drejtat e njeriut janë të paprekshme,
- Prona private është e shenjtë,
- Sipërmarrja e lirë dhe e ndershme është i vetmi çelës drejt përparimit.
Ne besojmë se kufizimi i pushtetit është e vetmja mënyrë për të garantuar lirinë, pronën, sipërmarrjen dhe përparimin shoqëror.
Ne besojmë tek qeverisja nga ligjet dhe jo tek sundimi nga njerëzit,
Ne besojmë tek shteti i së drejtësDhe jo tek drejtësia e udhëheqësit.
Këto vlera duhet të përshkruajnë jo vetëm aktivitetin tonë politik, por mbi të gjitha programin dhe politikat tona qeverisëse.
Alternativa jonë qeverisëse duhet të jetë alternative e lirisë individuale, e tregut dhe konkurencës së lirë dhe qeverisjes së vogël.
Të dashur demokratë,
Shtylla e tretë për modernizimin e partisë sonë, krahas demokratizimit dhe rikonfirmimit të vlerave ideologjike, është administrimi transparent dhe profesional i saj.
Ne po paraqesim standarde të reja transparence në vendim-marrjen e brendshme, në drejtimin e aktivitetit të përditshëm dhe, mbi të gjitha, në administrimin e financave të partisë.
Çdo vit ne do të hartojmë dhe botojmë raportin e aktivitetit të PD-së.
Çdo vit do të hartojmë dhe botojmë raportin vjetor të financave të saj.
Të dy këto raporte do të miratohen nga Këshilli Kombëtar, i cili do të analizojë gjithë veprimtarinë vjetore të partisë dhe do të vendosë për strategjinë e vendit të ardhshëm.
E gjithë veprimtaria e përditshme e partisë do të jetë transparente për anëtarët e saj.
Komunikimi me anëtarësinë për t’i informuar, marrë mendime do të jetë i përditshëm. Të gjitha vendimet, programet, platformat, propozimet që ne do të bëjmë do të ndahen paraprakisht me anëtarët e partisë.
Të dashur demokratë:
E gjithë përpjekja jonë demokratizuese dhe modernizuese është një proces i vështirë që porsa ka filluar. Gjërat kërkojnë kohën e vet, njerëzit duhet të jenë e ndihen pjesë e ndryshimit dhe të kontribuojnë në ndryshim.
Natyrshëm, në këtë proces janë bërë gabime. Natyrshëm ne kemi bëra hapa në drejtim të gabuar, por me kontributin e të gjithëve juve, me mendimet, kritikat dhe sugjerimet e mijëra demokratëve, ne kemi korrigjuar dhe përmirësuar këtë proces dhe po vazhdojmë të bëjmë kështu.
Por pavarësisht këtyre Partia Demokratike nuk ka qenë asnjëherë më shumë nën sulm sesa sot.
Partia Demokratike, drejtuesit e saj, deputetët e saj dhe vetë demokratët e thjeshtë janë nën shënjestrën e sulmeve të makinerisë së propagandës qeveritare nga të gjitha anët.
Shkurajimi i demokratëve, përçarja e tyre është një objektiv i përditshëm i propagandës së Ramës. Edi Rama dhe grupi i plaçkitësve të tij kanë nevojë që PD të jetë e përçarë, që PD të mos jetë e besueshme.
Rritja e cinizmit dhe mosbesimit të shqiptarëve është qëllimi i dytë i kësaj propaganda. Edi Rama ka nevojë gjithashtu që shqiptarët të mendojnë se të gjithë janë njësoj. Se krimi dhe korrupsioni i tij marramendës është dicka e zakonshme.
Për të arritur këto qëllime të ndikimit të opinionit publik, për të manipuluar opinionin publik, Edi Rama ka financuar një operacion gjigand propagande, me kosto dhjetëra miliona euro, me para para të adhura nga korrupsioni e nga krimi kundër Partisë Demokratike dhe çdo zëri kritik.
Në këtë operacion janë përfshirë një ushtri e mercenarëve të përçarjes dhe përçmimit të shqiptarëve.
Shikoni cfare ndodh:
- Në PS nuk ka asnjë lloj zgjedhje dhe asnjë lloj demokracie.
- Në PS ka vetëm një autokrat që vendos çdo gjë sipas tekave të çastit.
- PS kontrollohet nga krimi dhe nga interesat kriminele
- Rilindja solli në majat e pushtetit dhe në mes të Kuvendit vrasës dhe përdhunues.
- Rilindja e ka shndërruar këtë parti politike në një shtojcë memece të dhe organizatës së saj kriminale.
Por pak kush flet për këtë, sepse propaganda kontrollon çdo gjë.
Të njëjtët që as nuk shohin e as nuk shqetësohen për autokracinë kriminale në PS, sulmojnë dhe kritikojnë përditë zhvillimet e brendshme në PD, të cilat me të gjitha problemet e kuptueshme, janë në thelb demokratike dhe përparimtare.
Këto sulme tradhëtojnë frikën e madhe që politika e korruptuar dhe e lidhur me krimin bashkë me ortakët e saj kanë nga vlerat që përcjell rruga që kemi nisur.
Hapja dhe konkurenca e lirë në PD janë parime të shenjta që ne i kemi vënë në themel të partisë sonë. Kjo hapje do të thotë që kushdo që dëshiron të jetë pjesë e PD-së dhe kushdo që do të kontribojë, ka vendin e vet brenda PD-së.
Por kontribut nuk do të thotë të kesh post, dhe aq më pak një post të përjetshëm në PD apo në pushtet.
Kontribut do të thotë të punosh dhe mbeshtetësh misionin dhe veprimtarinë e PD-së. Në qeverisje dhe në opozitë, kur je anëtar i thjeshtë apo drejtues i lartë.
Të gjithë demokratët e ndershëm që kanë shërbyer në qeveritë demokrate, mund të kontribuojnë shumë sot në opozitë, duke ofruar dijet dhe përvojën e tyre, duke shpjeguar dukuritë që kalon vendi dhe duke ofruar mendime për zgjidhjen e tyre.
Ata mund të ndihmojnë PD duke u kthyer në misionarë, në ambasadorë të PD-së, duke propaganduar idetë dhe vlerat e PD-së.
Ata mund të ndihmojnë PD-në duke u kthyer në mentorë për demokratët e rinj.
Në të vërtetë ka shumë demokratë që kanë shërbyer në qeveritë tona që po e bëjnë këtë gjë, çdo ditë. Ata e kanë vënë përvojën, maturinë, dijen që kanë grumbulluar në shërbim pa kushte ndaj PD dhe Shqipërisë.
Pa asnjë dyshim, PD ka vend edhe për të gjithë ata që e kritikojnë atë nisur nga parimet dhe vullneti dashamirës për forcimin e saj.
Pa asnjë dyshim, PD ka nevojë për kritika, ka nevojë për mendimin ndryshe, ka nevojë për debat. Pa mendim ndryshe, nuk mund të ketë parti demokratike.
Të gjithë ata që sot duan të kontribuojnë në PD, nuk kanë nevojë të jenë dakord me çdo gjë që bën PD, dhe janë të mirëpritur njësoj që të jenë pjesë e saj.
Për të gjithë ata unë kam vetëm një ftesë: ejani bëhuni pjesë nga afër, të gjitha dyert dhe të gjitha mendjet janë të hapura për ju.
Të dashur demokratë:
Detyra dhe përgjegjësia parësore e çdo opozite është mbikqyrja dhe kërkesa e llogarisë ndaj qeverisë për zbatimin e ligjit, për përdorimin e parave publike, për mirëqeverisur.
Po e them hapur, se në këtë drejtim ne kemi qenë dhe mbetemi opozita më efikase që ka patur ndonjëherë vendi.
Ne kemi arritur që në kushtet e kapjes më të madhe të medias, në kushtet e mungesës tërësore të transparencës qeveritare, në kushtet e një propagande gjigande shpërqendruese, të nxjerrim në dritë dhe të bindim publikun për të gjitha skandalet e qeverisjes, që nga kriminelët në Kuvend, tek droga, tek grabitjet me koncesione dhe tek pastrimi i paRave të kësaj qeverie.
Ky është kontribut i jashtëzakonshëm. Në këtë kontribut, Partia Demokratike ka qenë pothuajse e vetme, ne kushtet kur pjesa dërrmues e medias dhe thuajse e gjithë shoqëria civile ka braktisur misionin e tyre të mbikqyrjes dhe kërkesës së llogarisë ndaj qeverisë.
Së dyti, detyra e opozitës është të mbrojë liritë dhe të drejtat e njerëzve, t’u qëndrojë atyre pranë dhe t’i mbështesë. Ne e kemi bërë këtë gjë çdo cast dhe në çdo rrethanë: kemi ngritur zërin me forcë kundër dhunimit dhe burgosjes së njerëzve të pafajshëm, kundër shkatërrimit dhe cënimit të pronës së qytetarëve, kundër dhunës së policisë ndaj qytetarëve që protestojnë, kundër shantazhit të tatimorëve dhe qeveritarëve ndaj bizneseve.
Kemi qenë pranë njerëzve në fatkeqësi natyrore, në ditë të vështira.
Së treti, detyra jonë si opozitë është të përgatisim një alternative të vërtetë, të përgatisim një zgjidhje ndaj autokracisë të Edi Ramës. Keqqeverisjen e deritanishme ta zëvendësojmë me një qeverisje demokratike, transparente dhe të përgjegjshme.
Një alternativë që të mos jetë ndryshim mediokër emrash, por të jetë ndryshim thelbësor qeverisjeje.
Një alternativë që do të sigurojë se qeverisja e ardhshme nuk do të jetë peng i oligarkëve të zakonshëm dhe mercenarëve të zakonshëm, por do të jetë një qeverisje e njerëzve dhe për njerëzit.
Së katërti, ne kemi protestuar. Ne kemi organizuar me qindra protesta, nga mitingjet e mëdha deri tek protestat në Kuvend. Kemi treguar përmes tyre jo vetëm mospajtimin tonë por edhe forcën tonë.
Unë e di se ka prej jush që kërkojnë që Partia Demorkatike të organizojë protesta për rrëzimin e qeverisë, qoftë edhe me dhunë. Ka edhe në media dhe në publik zëra të fuqishëm që e propagandojnë këtë ide.
Është absolutisht e drejtë kushtetuese dhe liria e çdo kujtqë të protestojë kundër qeverisë. Partia Demokratike mbështet dhe nxit çdo lloj proteste për mbrojtjen e të drejtave, lirive të njerëzve dhe për mbajtjen e qeverisë përgjegjëse.
Është absolutisht detyrimi ynë t’i përkrahim, mbështesim dhe madje t’i prijmë këto protesta atëhere kur është e mundur. Këtë ne e kemi bërë dhe do ta bëjmë kundër keqeverisjes, krimin dhe korrupsionin.
Por PD nuk do të vijë kurrë në pushtet mbi kufoma. PD nuk do të vijë kurrë në pushtet me mjet tjetër përveçse me zgjedhje.
Demokratët nuk e duan pushtetin duke shkaktuar drama dhe kosto shoqërore, duke nxitur përçarjen e përplasje mes shqiptarësh.
Jeta dhe mirëqenia e çdo shqiptari është më e shtrenjtë se çdo karrike e tepsi.
Ne nuk jemi burravecë që t’i përdorin shqiptarët e ndershëm e të pafajshëm si mish për top për të ardhur në pushtet.
Kurajo është të punosh për ditë, çdo ditë, për të kërkuar llogari, drejtësi e ndryshim, për të bindur njerëzit për këtë ndryshim.
Dua ta them edhe një herë siç e kam thënë me mijëra herë:
- Sa më parë të largohet nga pushteti Edi Rama aq më mirë do jetë për Shqipërinë.
- Sa më larg të jetë dita e largimit të tij, aq më zi do të jetë për Shqipërinë.
- Me Edi Ramen nuk ka zhvillim, nuk ka mireqenie, nuk ka shtet, nuk ka Shqiperi!
Por unë jam i bindur se për të rrëzuar Edi Ramën nuk ka nevojë për dhunë.
Edi Rama nuk rrëzohet nga pushteti duke e goditur një herë me top.
Edi Rama rrëzohet:
Duke i rezistuar atij përditë
Duke kundërshtuar përditë keqqeverisjen e tij
Duke protestuar për ditë
Duke ju bashkuar protestës së qytetarëve të Shkozës
Duke ju bashkuar protestës së qytetarëve të Unazës
Duke iu bashkuar protestës së qytetarëve për Teatrin
Duke iu bashkuar protestës së qytetarëve të Kukësit
Duke iu bashkuar protestës së qytetarëve të Himarës
Duke iu bashkuar protestës së studentëve
Duke iu bashkuar protestave të qytetarëve, biznesit të vogël, fermerëve, që po shpërthejnë çdo ditë nën shembullin e kurajos së studentëve
Duke iu bashkuar çdo proteste, çdo ditë, kundër çdo padrejtësie
Rama rrëzohet:
Duke denoncuar krimet e tij përditë
Duke diskredituar ministrat e tij injorantë dhe hajdutë përditë
Duke demaskuar dhe braktisur klientët e tij hajdutë përditë
Rama rrëzohet:
Kur mediat i kërkojnë llogari dhe nuk e lënë të qetë
Kur gazetarët ngrenë zërin dhe revoltohen kundër propagandës dhe manipulimit të tij.
Rama rrëzohet kur shoqëria civile dencon keqqeverisjen.
Rrëzimi i regjimit të Edi Ramës është përgjegjësi dhe detyrim i opozitës, por edhe i çdo shqiptari të ndershëm, i çdo gazetari të ndershëm, i çdo intelektuali të ndershëm, i çdo biznesmeni të ndershëm.
Unë e di se:
- Një alternativë e shëndoshë opozitare
- Një perspektive moderne dhe demokratike qeverisjeje e ofruar nga opozita
- Një ekip i ndershëm dhe i aftë i ofruar nga opozita
Janë frymëzues të shpresës dhe kurajos së njerëzve
Kjo është përgjegjësia jonë ndaj shqiptarëve.
Unë jam i bindur se me një alternativë të qartë shqiptarët do të gjejnë kurajon të luftojnë për lirinë, dinjitetin dhe mirëqenien e tyre.
Mos prisni nga unë që të bëj thirrje të bashkohen të gjithë qelbësirat për të hedhur poshtë Edi Ramën,
Largimi i Edi Ramës nuk duhet të jetë akt qelbësirash, kriminelësh, të korruptuarish, interesaxhinjsh, shushunjash të çdo pushteti,
Ai do të jetë akti i qytetarëve të lirë, që çmojnë dhe duan liri, demokraci, dinjitet; i shqiptarëve që kërkojnë një qeverisje të ndershme, shtet të së drejtës, konkurencë të ndershme
Këtyre shqiptarëve unë u bëj thirrje të bëhemi bashkë!
Të ngremë zërin!
Të sqarojmë dhe bindim çdo njeri të ndershëm që të bashkohet me ne, për të ndryshuar përgjithmonë mënyrën e qeverisjes së vendit, për të hyrë në rrugën e vërtetë të vlerave evropiane dhe politik-bërjes demokratike perëndimore.
Këtyre shqiptarëve unë dua t’u bëj thirrje të dalim dhe të protestojmë jo për pushtet, por për liri, demokraci dhe vlerat europiane.
Kur ne ta arrijmë këtë, kur të arrijmë që të bindim dhe të bëjmë që të gjithë shqiptarët e ndershëm do na bashkohen, ajo do jetë dita kur qëndrimi i Edi Ramës në pushtet do të jetë i pamundur.
Përparimi i Shqipërisë nuk duhet dhe nuk mund të bëhet përmes aleancës së qelbësirave. Përparimi i Shqipërisë mund dhe duhet të bëhet vetëm përmes aleancës së qytetarë të lire.
Por mbi të gjitha përparimi i Shqipërisë do të vijë atëhere kur partitë politike vijnë në pushtet dhe qendrojnë në pushtet me misonin për të punuar për liritë e njerëzve, për demokraci, për vlerat europiane dhe për mirëqenie.
Kur partitë politike vijnë në pushtet me çdo kusht për hir të pushtetit të udhëheqësit të tyre, kur karrikja është i vetmi qëllim i politikanëve që kërkojnë dhe marrin pushtetin, ata që vuajnë janë qytetarët.
Të gjithë ju kujtohet se si Edi Rama shpalli se morali i vetëm që kishte vlerë në vitin 2013 ishte largimi nga pushteti i kundërshtarit dhe marrja e pushtetit prej tij.
Çdo gjë tjetër përtej kësaj e quajti “dokrra hini”.
Shqiptarët u gënjyen dhe në vend të moralit të Zotit, në vend të moralit të Atdheut, në vend të moralit të familjes dhe moralit njerëzor, zgjodhën pushtetin e Edi Ramës.
Kështu ata sollën qeverinë më të pamoralshme që ka patur ndonjëherë Shqipëria, e cila braktisi çdo lloj skrupul e çdo lloj morali që nga dita e pare.
Nëse historia na ka treguar një gjë ne shqiptarëve, është se ata që vinë në pushtet si triumfatorë e çlirimtarë dhe jo me përunjësi, ata që vinë si gjela me arrogancë, ata kthehen shpejt në dhunues e uzurpues.
Ndaj sot ne duhet të luftojmë për ndryshim, jo për pushtet.
Vetëm kështu do të kemi nesër një qeveri të përgjegjshme, demokratike, transparente dhe paqësore.
Dua të jem i qartë pa asnjë mëdyshje.
Edi Rama e ka shtyrë Shqipërinë në buzë të greminës. Pas Enver Hoxhës ai është njeriu më i dëmshëm që ka patur ndonjëherë Shqipëria.
Largimi i tij nga pushteti është i domosdoshëm për të ndalur fundosjen e Shqipërisë. Largimi i tij nga pushteti është hapi i parë drejt ndryshimit të drejtimit të vendit.
Madje Edi Rama nuk duhet thjesht larguar: ai dhe gjithë banda kriminale me të cilën ai po shkatërron Shqipërinë duhet të dalin para drejtësisë. Asnjë qeveri që do të vijë në pushet nuk do të jetë serioze dhe e ndershme, nëse nuk nxjerr Edi Ramën para drejtësisë.
Ne shpesh nuk kemi mbajtur qendrim ndaj të shkuarës dhe sidomos ndaj krimeve dhe korruptimit të politikës. Kjo pandëshkueshmëri duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë.
Pa nxjerrë Edi Ramën, Saimir Tahirin, Vangjush Dakon, Taulant Ballën, Elvis Roshin, Qazim Sejdinin, Ervis Çyrbjen, Rrahman Rrajen, Damian Gjiknurin, Arben Ahmetajn e të gjithë bandën e inkriminuar të Rilindjes para drejtësisë, në Shqipëri nuk do të ketë as drejtësi dhe as shpresë për drejtësi.
Por vetëm largimi i Edi Ramës nuk mjafton që të garantojë mirëqeverisjen e vendit, nuk garanton mospërsëritjen e gabimeve dhe keqqeverisjes të së shkuarës. Që të ndodhë kjo gjë duhet të ndryshojë struktura politike dhe ekonomike e vendit.Këto 3 dekada na kanë mësuar se ndryshimi i njerëzve nuk përbën zgjidhje, nëse nuk ndryshojmë institucionet, nëse nuk ndryshojmë rregullat, nëse nuk ndryshojmë mentalitetin dhe qasjen.
Shqipëria nuk ka nevojë të ndërrojë Edi Ramën me Lulzim Bashën.
Shqipëria ka nevojë në rradhë të parë të ndryshojë mentalitetin e qeverisjes: shërbim ndaj interesit publik ne vend te grabitjes për pasurim vetjak
Për këtë duhet jo vetëm të çrrënjosim regjimin e Edi Ramës, tTë çrrënjosim strukturat e mbyllura dhe të kriminalizuara politike, qeverisëse, ekonomike e shoqërore të krijuara prej shumë dekadash dhe të kulmuara më Edi Ramën.
Shqipëria ka nevojë për një qeverisje të ndershme, transparente, demokratike dhe në interes të popullit.
Beteja jonë politike nuk mund të jetë siç e quante një nga intelektualët më të shquar shqiptarë të viteve 1930-të: “ulu ti, të hypi unë”.
Kjo duhet të jetë një betejë që të bjerë autokracia, pushteti i pakufizuar, korrupsioni, krimi, dhe të ngrihet shteti i së drejtës, demokracia.
Çdo lloj përpjekje që reduktohet dhe kanalizohet vetëm në rrëzim nga pushteti të Edi Ramës dhe bandës së tij, por nuk sjell çrrënjosjen e të gjithë politikës së deritanishme, nuk do të sjellë asnjë rezultat, vetëm një iluzion fillestar.
Përpara se të besoni tek Lulzim Basha, duhet të besoni tek ligjet që e ndalojnë Lulzim Bashën dhe këdo që të abuzoje me liritë, të drejtat, pronën, sipërmarrjen, aktivitetin e çdo kujt në favor të vetes dhe pushtetit të tij.
Sot beteja jonë duhet jo thjesht për të larguar Edi Ramën dhe regjimin e tij shkatërrues nga pushteti, por për të zhdukur bashkë me të edhe këtë sistem të ndryshkur në qeverisje, në politikë dhe në ekonomi.
Kjo gjë nuk arrihet me dhunë, por me mjete demokratike.
Kjo gjë nuk arrihet me forcë, por me votë.
Të dashur demokratë
Detyra kryesore e opozitës mbetet hartimi i një alternative të besueshme qeverisëse.
Shqiptarët janë të etur për një qeverisje të aftë, të ndershme dhe në shërbim të njerëzve.
Nisur nga gjendja ku ne gjendemi është e qartë se vendi ka nevojë për një program emergjence, për një program transformimesh thelbësore mbi të cilin të ngrihet shtrati për zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e njerëzve.
Programi ynë qeverisës do të synojë në rradhë të parë ndryshimin e kursit të vendit dhe reformat e mëdha institucionale dhe strukturore.
Ai do të synojë ndaljen e thellimit të krizës së vendit dhe zhdukjen e kushteve që kanë çuar në kriminalizimin e vendit, korrupsionin epidemik, autokracinë e vazhdueshme dhe ekonominë e mjeruar.
Qëllimi kryesor i programit tonë është fuqizimi dhe shtrirjes në çdo fushë të kushteve themelore për një shoqëri demokratike të ekonomisë të tregut ku askush nuk mbetet prapa,
- Lirisë
- Konkurencës
- Hapjes
Programi ynë do të synojë
- Politikë të lirë, të hapur dhe konkurente permes:
- Dekriminalizimit të politikës.
- Dekriminalizimit të zgjedhjeve
- Kufizimit të pushtetit
- Transparencës totale të qeverisë
- Shtetit të së drejtës
- Ekonomi të lirë të hapur dhe konkurente përmes
- Dekriminalizimit të ekonomisë dhe aktiviteteve sipërmarrëse
- Deoligarkizimit të vendimmmarjes përmes çmontimit të sistemit të favoreve dhe rentave ekonomike, mundësuar nga politikat korruptive e klienteliste të koncesioneve dhe PPP-ve, të sistemit tërësisht klientelist të prokurimeve publike, të rregullimit të çdo gjëje nga shteti, të vendm-marrjes pa transparencë dhe të mbyllur
- Uljes së taksave, tarifave dhe çmimit të energjisë dhe naftës, dhe mirëadministrimit fiskal
- Shoqëri të lirë, të hapur dhe konkurente dhe krijimit të mundësive për të gjithë, pa lënë asnjë prapa. Tre prioritetet kryesore:
- Arsim masiv perëndimor, si fuqizues i burimeve njerëzore dhe çlirues i njerëzve!
- Teknologji e informacionit si fuqizues, mundësues dhe çlirues i potencialeve të njerëzve
- Kujdes social, që asnje shqiptar te mos mbetet pa buke uje dhe drita dhe ku kosto e jetes te jete e perballueshme.
Te nderuar demokratë, të dashur bashkëqytetarë,
Sfidat qe kemi perpara janë te medha, por vullneti dhe vendosmëria jonë po ashtu.
Ne i kemi kapacitetet, ne i kemi mundesite, Ne kemi vlerat, projektin dhe vendosmërinë.
Ndaj le te nisim sot nga ky Kuvend për çdo shqiptar, lajmin që orët e errësirës po numërohen mbrapsht, sepse drita e shpresës që rinia ka ndezur, drita e shpresës për një ndryshim të vërtetë për çdo shqiptar nuk do të fiket, por do të shndrisë çdo ditë e më fort derisa ta mposhtë errësirën!
Shikojini dhe dëgjojini mirë bijtë dhe bijat tuaja! Ata na thërrasin në këtë betejë dhe ne nuk mund t’i braktisim. Ne nuk do t’i braktisim!
Le të luftojmë me ta e për ta! Le të shtrojmë me sakrificën tonë rrugën, që rinia të jetë e sotmja e Shqipërisë, Zot e fateve të Shqipërisë. Një orë e më parë! Sepse ajo,
do të jetë ora fatlume, ora që kemi uruar prej castit tonë të parë si demokratë, Ora e Shqipërisë si gjithë Europa!
Zoti ju bekoftë ju dhe Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Read More