Dua ta nis me një deklaratë të shkurtër sa i përket një çështje që hyn në zhargon si “çështja e Teatrit”, por që në fakt është një çështje shumë më kritike sesa thjesht dhe vetëm Teatri apo kullat, është çështja e lirive themelore të qytetarëve shqiptarë.
Ka shumë rëndësi, ndonëse do të duket pak si leksion ligjor, të kuptojmë se ajo që ka ndodhur me Ligjin për Teatrin, është atentat i lirive dhe të drejtave të çdo qytetari.
Në demokraci, në vendet demokratike, europiane, ligjet respektojnë tre parime të përgjithshme; parimin e sigurisë, parimin e barazisë dhe parimin e universalitetit, përgjithshmërisë.
Çfarë do të thotë kjo?
Kjo do të thotë se asnjë ligj nuk mund të ndërtohet në mënyrë të tillë që mund të adresojë një person të veçantë, apo një entitet të veçantë, apo një çështje të veçantë, sepse kjo përbën një instrument në duart e pushtetit që mund të çojë drejt arbitraritetit, pra padrejtësisë, selektivitetit.
Në histori, dhunimi më masiv i këtij parimi ka ndodhur kur janë diskriminuar madje kur ka patur edhe tentativa për të asgjësuar grupe të veçanta njerëzish, siç është fati i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Dhe pikërisht për këtë arsye, Këhsilli i Europës, Bashkimi Europian, OSBE, Komisioni i Venecias, si pjesë e Këshillit të Europës e vlerësojnë parimin e gjeneralitetit të ligjit si një parim themelor.
Nuk mund të bësh ligj për një person të veçantë. Nuk mund të bësh ligj për një godinë të veçantë. Normat duhet të jenë të përgjithshme. Përse është? Për të mbrojtur qytetarët nga arbitrariteti.
Ligji në vetëvete është instrumenti i garantimit të lirive të qytetarëve, sepse pikërisht që normat janë të përgjithshme.
Përndryshe, dikush goditet, apo dikush favorizohet.
Shkelja e këtij parimi duhet të ishte normalisht një këmbanë alarmi për të gjitha institucionet dhe unë akoma habitem, përveçse nëse janë me pushime, sesi nuk kemi asnjë reagim nga Këshilli i Europës dhe përfaqësuesit e tyre në në Tiranë, nga OSBE dhe përfaqësuesit e tyre në Tiranë, nga Bashkimi Europian dhe përfaqësuesit e tyre në Tiranë.
Shkelja e kësaj norme elementare, është shkelmim i parimit të shtetit të së drejtës. Ky është shteti i së padrejtës. Shteti i padrejtësisë.
Megjithatë kemi një lajm të mirë, kemi një reagim nga një institucion shumë i rëndësishëm për trashëgiminë kulture që Europa Nostra që e keni marrë përmes zyrës sonë të shtypit, kur për herë të parë theksohet një element shtesë mbi të gjitha elementet e tjera të ligjit se pse nuk duhet të veprohet në këtë mënyrë.
Europa Nostra që është organizata më prestigjioze europiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore europiane e konsideron teatrin pjesë të trashëgimisë kulturore europiane. Jo më thjeshtë shqiptare, por europiane.
Ja ku e keni, një organizatë prestigjioze, do të thoja më prestigjioze në çështje të trashëgimisë kulturore në Europë, e cila mban një qëndrim të qartë dhe të prerë për teatrin, ndërkohë që Edi Rama dhe lakenjtë e tij janë sulur në barbari si talebanë për të shkulur një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore i cili është i gjithë kompleksi i teatrit, me të gjithë historinë që mbart dhe me të gjithë vlerat që mbart.
Duhet ta përshëndes dhe falënderoj presidentin e Europa Nostra për këtë qëndrim të qartë dhe të pa ekuivokë. T’ju them atyre që kanë humbur kurajon deri në atë pikë sa janë zbuluar si me karakter të dobër përpara qytetarëve, merrni shembull nga organizata të huaja të cilat qëndrojnë fuqishëm dhe rikthehuni në betejën për mbrojtjen e vlerave të Teatrit si një monument kulture me një rëndësi të madhe për trashëgiminë kulturore shqiptare.
Sikundër i them kryetalebanit dhe talebanëve të tjerë që çdo ditë e më shumë demaskohen para shqiptarëve dhe para botës synimet mafioze mbi të cilat është ndërtuar përpjekja për të shkatërruar teatrin.
Përse them mafioze? Po përpiqem nga kjo sallë të mos kem asnjë inflacion fjalësh.
Historia e tjetërsimit të truallit të teatrit për të ndërtuar kulla nuk ka nisur as këto dy muaj, as para gjashtë muajsh as para një viti, ka ardhur fiks 20 vjet më parë.
Duhet t’i themi 18 vjeçarëve se Edi Rama ka 20 vjet që merr vendime. 20 vjet në politikë, është një nga politikanët më të vjetër të vendit.
20 vjet më parë ky Edi Ramë nisi procesin për të shkatërruar Teatrin Kombëtar proces që fatmirësisht u ndal kur ishte kryetar bashkie nga vullneti politik i atyre që atëherë qeverisnin vendin që ishin kryeministra socialistë.
Tani, nuk ka hequr dorë. Qartësisht nuk ka hequr dorë. dhe prej ditës së parë në karriken e kryeministrit ka hedhur hapat për të realizuar ëndrrën e tij.
Është një projekt mafioz, sepse ndërthur nga njëra anë etjen e Edi Ramës për para. Ekonomistët dhe inxhinierët tanë kanë provuar me shifra të pakundërshtueshme se përmes kësaj afere korruptive do të përfitohen afro 205 milionë euro. Një shumë që nuk ta rrok mendja. Një shumë më e madhe se buxheti mbrojtës i Shqipërisë, mqse këto ditë kemi parë debatet për buxhetet e mbrojtjes së vendeve të anëtarëve të NATO-s.
Ky është vetëm marzh i fitimit me këtë projekt. Sipas llogarive që kanë bërë specialistët.
Është po kështu çuarja në fund e një marrëzie, e cila burimin e ka tek komplekset e inferioritetit i një njeriu që dikur në atë rang që i takonte, ishte pjesë e komunitetit të artistëve, dhe sot po derdh gjithë urrejtjen e shfrenuar ndaj artistëve dhe ndaj artit.
Është po kështu një provë gjenerale, pasi ka shkatërruar tre palë zgjedhje pasi ka kapur dhe tjetërsuar reformën në drejtësi, pasi ka bërë zap Prokurorinë e Përgjithshme, pasi ka kapur çdo media, pa përjashtim, pasi ka vënë të gjitha asetet publike nëpërmjet PPP-ve dhe tenderave korruptivë në duart e pesë klientëve të tij, tani kjo është prova gjenerale për të shkatërruar themelin e fundit të Kushtetutës që është ndarja e pushteteve. Për t’u vetëshpallur Pasha i Pashallëkut të Shqipërisë, se sulltan nuk mund t’i themi. Por Pasha i Pashallëkut të Shqipërisë.
Përse e them këtë?
Nëse lejojmë një ligj special që bëhet për synime korruptive, të grabisë pronën publike, të shkatërrojë monumentet e kulturës për t’i dhënë pa garë dhe pa tender një aktori të dyshuar mundësinë të fitojë 205 milionë euro ndërkohë që nuk ka Gjykatë Kushtetuese, do të thotë që nesër ky njeri mund të bëjë gjithçka.
Dhe këtu vijmë se ku është relevanca.
Se po më thonin dje deputetët, që fermerët në Divjakë thonë “ç’lidhje kemi ne me teatrin”?
Nuk keni ju lidhje me Teatrin, nëse nuk keni shkuar në Teatër dhe nuk jemi ne enti i Kulturës që t’ju themi shkoni në Teatër. Nuk shkoni në Teatër, ju pëlqen të shikoni televizor, por këtë që po ju bën sot me teatrin, do t’jua bëjë nesër me pronat tuaja. Dyqanin, restorantin, tokat tuaja bujqësore, me shtëpitë tuaja.
Çfarë e ndalon një qeveritar të shkatërrojë pronën dhe lirinë tuaj? Ligji! Por Ligji është koncept abstrakt. Është mënyra se si bëhen ligjet dhe kush i kontrollon kushtetueshmëritë e këtyre ligjeve që mbron të drejtat tona.
Dhe si kudo tjetër në Europë, ligjet duhet të jenë të përgjithshme, pra jo specifike dhe nëse bie në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e qytetarëve, nëse kërcënojnë pronën, lirinë, shëndetin e tyre, ka një instrument që e hedh poshtë, që është Gjykata Kushtetuese.
Ky është një instrument inekzistent nga njëra anë dhe nga ana tjetër kemi një qeveritar që njerëzit e quajnë të çmendur të marrë, dhe nuk është i marrë, e di mirë se çfarë po bën, i cili po përqëndron të gjitha pushtetet në dorën e tij. Sot e bën me Teatrin, nesër e bën me pronën tuaj. Siç ka filluar ta bëjë. Kjo është domethënia e aferës së Teatrit.
Përse themi se është një aferë mafioze?
Do t’ju them shkurt fare disa fakte në mënyrë të përmbledhur që janë pasqyruar edhe përmes konferencave për shtyp që kanë bërë përfaqësuesit tanë.
Fakti i parë – Në 2013-ën, sapo u bë kryeministër gjëja e parë që bëri Edi Rama, regulloi kryeministrinë. S’e kam fjalën vetëm për marchesen e për gjërat që bëri. Kostoja e shndërrimit të Kryeministrisë në një pallat luksoz me salltanete, me restorant privat, me sallë masazhi, gjimnastike, etj, pra, kostoja totale e këtij rinovimi u denoncua atëherë të kishte një vlerë prej afro 5 milionë euro.
Ne si opozitë i kërkuam të na tregojë se si i bëri këto punë?
Ku ishin dokumentat e tenderit, me çfarë fondesh u bënë, dhe e mbani mend, nuk dha asnjë përgjigje, se këto punime u kryen nga kompania Fusha shpk, e cila pas këtij momenti ka marrë 80 milionë euro tendera publikë nga Edi Rama dhe Rilindja. 80 milionë euro, si edhe një koncesion 125 milionë euro. Ky është fakti i parë.
Fakti i dytë – Në shkurt 2016 Edi Rama përgjysmoi me vendim qeverie, çmimin e vlerës së truallit nga 1 milionë e 200 mijë lek për m2, që ishte në 2012-ën, e çoi në 670 mijë lek për m2. Në mars 2016 “Fusha” u bë pronar i 298 m2 pranë zonës së Teatrit.
Fakti i tretë përse kemi të bëjmë me një aferë mafioze – Në vitin 2000 Teatri ju e dini ka qenë pjesë e Ansamblit Monumental siç është dhe e konfirmon Europa Nostra. Më 12 prill 2017, në kohën që opozita protestonte për zgjedhje të lira dhe kundër qeverisë së kapur nga narko-mafia, më 12 prill 2017 e ka hequr Teatrin nga zona e mbrojtur.
Fakti i katërt – Më 14 prill 2017, plani i përgjithshëm vendor, i kaluar dy ditë më vonë, e la të hapur shfrytëzimin e territorit në zonën e teatrit, në mënyrë që ta vendoste Edi Rama se sa beton do të hidhej, sa kate e sa kulla do të ndërtoheshin. Për zonat e tjera plani përcakton kate dhe koeficiente të përcaktuar për të gjithë territorin e Tiranës. Fakti i pestë -Harta që ju kemi shpërndarë zbulon edhe mashtrimin tjetër se prona e marrë në fund të 2016-ës nga “Fusha”, nuk është kufitare me Teatrin siç pretendohet në ligj për të justifikuar grabitjen e 8 mijë 500 m2 tokë publike. Nuk është kufitare.
Këto ditë kam bashkëbiseduar me një numër të madh jo thjesht njerëz të angazhuar politikisht, deputetë të Partisë Demokratike, përfaqësues politik që e kanë ndjekur këtë çështje por dhe me njerëz të tjerë të angazhuar, njerëz publikë, intelektualë, artistë, që kanë ndjekur me vëmendje disa prej shqetësimeve të shprehura publikisht.
Dua ta deklaroj sot prerë dhe qartë. Partia Demokratike ka qenë, është dhe do të jetë deri në fund kundër shembjes së Teatrit. Pra, për ruajten dhe restaurimin e godinës si një vlerë e rrallë e trashëgimisë tonë kulturore.
Ato fotografitë që boton, që çojnë në darkë horrat e policisë bashkiake për të kapur vrima në muret e vjetra dhe të pamirëmbajtura të teatrit për t’i botuar, dua t’i kujtoj këtij kryetalebani se qendrat e qyteteve evropiane u rrafshuan gjatë luftës së dytë botërore dhe u ringritën prapë – në bazë të fotografive – siç ishin, për të mbajtur gjallë trashëgiminë kulturore. Po përmend vetëm një qytet: Varshavën, por janë dhjetëra qendra qytetesh ku u rrafshua gjithçka, por u ringrit sërish. Pra, kjo është një alibi prej injoranti ose që do t’i trajtojë shqiptarët si injorantë, sepse edhe kur larg qoftë tërmeti apo lufta rrafshon një vlerë të trashëgimisë kulturore, detyra kryesore e shoqërisë, e vendit, përmes qeverisë, është ta rindërtojë atë. Por qartësisht këta gjejnë çdo sebep të rremë për të justifikuar dhe për të çuar deri në fund aferën mafioze që kanë planifikuar.
Edhe njëherë dua ta bëj fare të qartë:
- Partia Demokratike ka qenë, është dhe do të jetë kundër shembjes së Teatrit Kombëtar si një vlerë e patjetërsueshme e trashëgimisë tonë kulturore.
- Partia Demokratike e konsideron aferën legjislative Ligjin Special për Teatrin Kombëtar, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, si një atentat me pasoja fatale për liritë, pronat dhe shëndetin e qytetarëve, si një akt që ndan një demokraci me shtet ligjor nga një diktaturë, tashmë joideologjike, por e krimit dhe e aferave kriminale. Kjo do të thotë që nëse në analizën e fundit, që pas ezaurimit të të gjitha hapave legjislativë që kanë të bëjnë me dekretimin apo mosdekretimin, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese këmbëngulet të ecet në këtë drejtim, popullit i lind e drejta të rezistojë me të gjitha format dhe mënyrat, jo thjesht për të mbrojtur teatrin, por për të parandaluar që nesër fati i teatrit t’u vijë në oborrin e shtëpisë së tyre, në shkollën e fëmijëve të tyre, në vendin e tyre të punës, në pronën e tyre dhe në liritë e tyre.
- Kam paralajmëruar Bjarke Ingels se do të shpallet dhe do të trajtohet non-grata nga qytetarët, komuniteti artistik dhe nga opozita shqiptare. Sot duhet t’i jap një paralajmërim të qartë “Fusha shpk-së” dhe çdo kompanie tjetër që do të bëhet vegël përmes PPP-ve, tenderave dhe koncesioneve, në procesin e grabitjes së pasurive publike të shqiptarëve: nuk ka asnjë shans të gëzoni frutet e një ndërmarrjeje të tillë kriminale. Asnjë shans! Çdo veprim i Fusha shpk-së dhe i çdo entiteti tjetër, do të jetë subjekt i një ligji të amenduar antimafia; do t’ju fillojmë që ditën e parë të biznesit dhe në bazë të ligjit antimafia do t’ju sekuestrojmë çdo centimetër katror dhe çdo cent euro për shkeljet që do t’ju konstatojmë. Sikundër, nëse guxoni t’i vini minat Teatrit Kombëtar, të jeni të sigurtë, se minat do t’jua vënë edhe kullave tuaja, me ligj!
Ky paralajmërim vlen edhe për ndonjë bankë që mendon se mund të investojë në këtë projekt, ndonëse kam bindjen se paratë janë paratë e toyotave yaris apo makinave të Spanjës Seat. Paralajmëron çdo entitet financiar që do të përfshihet në këtë çështje se do të trajtohet si subjekt i Ligjit Antimafia.
I bëj gjithashtu thirrje çdo qytetari: Hap sytë e mos fut asnjë cent në këtë projekt, sepse do të mbetet me gisht në gojë.
Akti i kalimit të ligjit është shpallje e luftës ndaj interesit publik, është shpallje lufte ndaj Kushtetutës, është shpallje lufte ndaj pronës publike, është shpallje lufte ndaj kulturës dhe trashëgimisë kulturore.
Nëqoftëse kryetalebani dhe aksesorët e tij në krim nuk tërhiqen, do t’i përgjigjemi me një luftë totale. Jam i sigurtë, që populli do të bëjë atë që bën për të mbajtur gjallë Pemën e Lirisë, sepse ajo po kërcënohet tani, po përdor një metaforë amerikane, sepse amerikanët e dinë se si mbahet gjallë Pema e Lirisë.
Ndërkohë që ne si opozitë do të ndërmarrim të gjitha hapat që na takojnë, institucionalë dhe ligjorë, sot dhe nesër, për të siguruar që kjo aferë të mos përfundojë ashtu siç e kanë nisur dhe nëse vërtet duan ta çojnë deri në fund, t’i marrë me vete në gropën që duan të hapin në zemër të Tiranës.
Pyetje- Zoti Basha, ditën e djeshme keni zhvilluar një takim me dy nga kritikët e lidershipit tuaj, zotin ruli dhe zotin Mustafaj. Çfarë është diskutuar në atë takim dhe a ishtë kjo një përpjekje për të bërë bashkë kontributet e PD siç ka sygjeruar zoti Berisha dhe a do të bëni përpjekje të tilla me zonjën Topalli, zotin Bode apo zotin Patozi?
Pyetja e dytë. Zoti Rama ka folur për një platformë bashkëpunimi me opozitën. Si do t’I përgjigjeshit një oferte hipotetike të Edi Ramës për bashkëqeverisje në shtator?
Basha: Ka qënë një kafe miqësore, nuk kam asgjë për t’i shtuar apo për t’i hequr asaj që iu kanë thënë Besniku dhe Genci.
Natyrisht atë që kam thënë në Kuvendin Kombëtar, i qëndroj plotësisht. Dora ime është dhe do të mbetet e shtrirë për këdo që dëshiron të vijë e të kontribuojë në këto orë kritike, qofshin këta njerëz që i takojnë historikisht shtëpisë së tyre, Partisë Demokratike, qofshin këta të rinj apo që duan të rikthehen.
Tani sa i përket situatës politike në vend. Shqipëria ka një krizë të trefishtë. Ka një krizë ekonomike, është një vend që ka 5 vjet ku nuk ka asnjë investim të huaj. Dy investimet e mëdha të huaja të fundit po mbarojnë. Janë TAP-i dhe HEC-et e Devollit. Siç e ka thënë dhe FMN, me mbarimin e tyre, mijëra vende pune do të humbasin.
Kemi një politikë të kapur nga krimi. Kaluam nga ministri i brendshëm që bënte trafikun e drogës me kushërinjtë, tek një ministër i brendshëm që mbron vëllain e tij trafikant droge. Për të marrë dy shembuj të spikatur, se këta dy shembuj të çojnë tek maja e piramidës, tek Edi Rama dhe tentakulat e tij në gjithë sistemin. Së treti kemi një reformë në drejtësi e cila sot tërësisht e kapur nga kjo qeveri, që në vetvete është e kapur nga krimi. Pra kemi një krizë të trefishtë. Një krizë ekonomike, një krizë kushtetuese të provokuar nga kapja e reformës në drejtësi, dhe një krizë morale e cila shtrihet në të gjitha institucionet e shtetit. Shohim gjyqtarë që largohen se kanë fshehur bisedat apo pretendohet se kanë fshehur bisedat me kunatin që ka konsumuar 0.4 gr hashash, ndërkohë që kemi vëllain e ministrit të brendshëm trafikant të heroinës dhe kokainës, të dënuar me vendim të formës së prerë.
Largohen policë që nuk tregojnë dot faturën e biçikletës apo motorçikletës, ndërkohë që Fatmir Xhafa, pasuria e të cilit dhe e gjithë familjes së tij, duhej të merrej nën shqyrtim nga ligji Antimafia, vazhon ta pengojë këtë sepse ligji Antimafia dhe zbatimi i ligjit Antimafia, janë detyra të dy organeve që janë në vartësinë e drejtëpërdrejtë politike apo tutorazhin politik të Fatmir Xhafës, që janë Policia Kriminale dhe Prokuroria.
Tani të vijmë tek problem kryesor dhe pritshmëritë kryesore të shqiptarëve por edhe të europianëve karshi nesh.
Vendimi i 28 qershorit për ta shtyrë me një vit shqyrtimin e vendimit, nëse do t’i hapen ose jo negociatat Shqipërisë, është një tjetër leksion për Shqipërinë dhe shqiptarët e në veçanti për Edi Ramën se në Europë nuk hyhet me gënjeshtra. Në Europë shkohet dhe hyhet vetëm me të vërtetën. E vërteta është se Shqipërisë nuk iu hapen negociatat këtë vit edhe pse kishte një mbështetje pa kushte nga Komisioni Europian. Kjo është e vërteta! Pyetja shtrohet: Pse nuk u happen? Sepse shtetet e mëdha anëtare si Gjermania dhe Franca ngritën shqetësimin se Shqipëria nuk ka treguar rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit e në veçanti në luftën kundër trafikut të drogës.
Ky është një mesazh për qeverinë dhe jo për popullin. E dinë europianët se 97 përqind e shqiptarëve e duan Shqipërinë në Europë. Ky nuk është një mesazh ndaj shqiptarëve dhe nuk është faji i shqiptarëve. Shqiptarët i meritojnë negociatat, qeveria i pengon negociatat.
Në fillim na thanë vettingu, kaloni ligjin për Vettingun se do të futemi në Europë. Ju thamë se kjo nuk është e vërtetë. Nuk është çeshtje e kalimit të një ligji. Është çeshtja e zbatimit në tërësi të reformave dhe në veçanti e Reformës në Drejtësi. Tani na thonë kaloni ligjin e Magjistraturës.
T’u themi pak shqiptarëve: Çfarë është ligji i Magjistraturës?
Është të futësh student, një kuotë studentësh, 15-25, të cilët pas tre vitesh do të mbarojnë shkollën. Reforma siç e parashikuan këta, me ligjet që kaluan në mënyrë të njëanëshme, thotë se kjo është detyrë e KLGJ-së dhe KLP-së. Por nuk ka KLGJ dhe KLP! Procesi zvarritet. Vettingu ecën me ritme shumë të ngadalta, sepse nuk i dhanë as fonde as personel siç i kërkuan ata dhe siç i mbështetëm ne. Ta zëmë për një moment se kaloi ligji për Magjistraturën për të larë këtë problem që ka shkaktuar vetë qeveria.
E zgjidh kjo problemin e Gjykatës Kushteuese jofunksionale? E zgjidhë kjo, faktin që vendi s’ka Gjykatë Kushtetuese? A e zgjidh kjo faktin, se kemi një Prokuror të Përgjithshëm të zgjedhur në mënyrë partizane në kundërshtim me Kushtetutën? A e zgjidh kjo faktin, se nuk kemi KLGJ dhe KLP dhe nuk e dimë se kur do t’i kemi? A e zgjidh kjo faktin, se nuk kemi SPAK dhe BKH?
Besoj jeni dakord me mua që përgjigja për të gjitha këto është: Jo, jo, jo dhe jo!
Pra duke rendur pas diçkaje sipërfaqësore dhe duke injoruar kolapsin total të Reformës në Drejtësi, për shkak të ligjeve të bëra në mënyrë të njëanshme nga Edi Rama, jo vetëm nuk e zgjidhin problemin por e thellojnë atë.
Ligji për Magjistraturën nuk e zgjidh asnjë nga këto çeshtje. As çeshtjen e Gjykatës Kushtetuese. As çeshtjen e Prokurorit të Përgjithshëm. As çeshtjen e KLP-së dhe KLGJ-së.
Për sa kohë këto mbeten të bllokuara, për sa kohë nuk ka Gjykatë Kushtetuese, Edi Rama vjedh me ligj, siç po bën me teatrin. E legalizon vjedhjen, grabit pronën publike, tjetërson pronën private, mashtron publikun, në shpërdorim të plotë të detyrës. Gjykatë Kushtetuese nuk ka, Prokurori nuk ka, prokuroria është e kapur, Tahiri është i lirë, fukarenjtë shkojnë në burg. Elvis Roshi çohet për riedukim. Do t’i zgjidhë këto problem, amendamenti për shkollën e Magjistraturës? Sigurisht që jo!
Problemi është shumë më i thellë. Problemi është se shtetit ligjor i kanë prerë të dyja duart dhe të dyja këmbët. Këta na thonë vërini ankeplast! Zgjidhet problem me ankeplast?
Për sa kohë nuk ka KLGJ dhe KLP, nuk ka as SPAK as BKH, Tahiri do të bredhë i lirë. Fatmir Xhafaj dhe vëllai i tij nuk do të hetohen siç e kërkon Ligji Antimafia. Edi Rama dhe qeveria e tij do të vazhdojnë të bashkëjetojnë dhe të bashkëqeverisin me krimin. Droga do të vazhdojë, siç e thoshte raporti i fundit i Antimafias italiane. Paratë e drogës do të pastrohen me Toyota dhe me kulla si te Teatri, zgjedhjet do të blihen. Buxheti do të vidhet nga banda qeveritare dhe klientët e saj. Media do të vazhdojë të jetë e kapur siç është e kapur e gjitha, me përjashtim të Ismetit, por ty ta kanë shtrënguar mirë.
Ndërhyrje e gazetares së Faxnews: Edhe Faxnews është i kapur zoti Basha?
Basha: Nuk po bëj koment. Ti jo njëherë! S’e kam për gazetarët kur them “media e kapur”, por do merremi njëherë tjetër me mediat dhe sesi kapen mediat në Shqipëri se, po nuk e thamë, do të vazhdojë të kapet media. Do ta themi sot që ta pengojmë edhe qeverinë e ardhshme ta kapë median.
Pra, papunësia do të shtohet, ekonomia do të rrënohet, njerëzit do të vazhdojnë të pashpresë t’i drejtohen emigracionit. Pra nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë zgjidhje duke u vënë ankeplast krahëve dhe këmbëve të këputura të shtetit ligjor. Nuk ka!
Në thelb, kjo do të thotë se në qershorin e ardhshëm do të jemi këtu ku jemi sot. Në qershor do dyert e Europës do të vazhdojnë të mbeten të mbyllura.
Pra edhe para një viti, ata që nuk kanë kohë apo edhe dëshirë të hapin sytë para të vërtetave, po hanë kokrrat e gënjeshtrave si kokrra ulliri. Premtuan gjëra që nuk ndodhën!
E vërteta është se në Europë nuk hyhet me gënjeshtra, hyhet vetëm me të vërteta, duke luftuar krimin, duke luftuar krimin! Ne e kemi luftuar këto pesë vite. Kemi luftuar me dekriminalizimin, kemi luftuar kanabizimin, kalimin nga kanabisi tek heroina, nga heroina tek kokaina e tani tek pastrami i parave. Jemi përballur me të gjitha këto!
Por për fat të keq të gjitha këto i kemi bërë shpesh herë të vetmuar, me kosto politike. Jemi demonizuar, jemi sulmuar edhe për kriminalizimin edhe për kanabizimin edhe për luftën kundër drogës, sepse po hidhnim baltë.
Por, Shqipëria nuk është Edi Rama!
Shqipëria nuk përfiton as nga kanabizimi, as nga droga. Shqipëria përfiton vetëm nga e vërteta. Kështu që koha i ka nxjerrë atë bllof dhe na ka dhënë ne të drejtë.
Dhe unë ju them se prapë koha do të na japë të drejtë.
Ne do të shkojmë në Europë vetëm kur të luftojmë krimin dhe kur Reforma në Drejtësi do të zbatohet siç është në Kushtetutë dhe të çojë në rezultate të prekshme. Me kriminelë dhe banda të çmontuara dhe me politikanë të lidhur me krimin para drejtësisë dhe pas hekurave.
Kur kaluam Reformën në Drejtësi, bota na përshëndeti. Dhe çfarë ndodhi pas kësaj? Kapen ligjet një e nga një dhe na kanë sjellë në këtë kolaps. U kap Prokuroria, Gjykata Kushtetuese u asgjesua. Tani do të vendosim: Do të fusim kokën prapë në rërë e të themi “jo magjistratura, jo ligji i baletit, etj,etj” apo do të përballemi me të vërtetë dhe të themi “nuk”ecet më kështu”? Ne si opozitë na takon të themi të vërtetën dhe të vërtetën do të themi: Nuk ecet më kështu!
Ndaj që të hapen negociatat dhe që të çlirohemi nga të gjithë këto probleme të zeza, nga ekonomia te papunësia e gjithçka tjetër, ne na duhet në rradhë të parë ndarja e qeverisë nga krimi. Ky është prioriteti numër një. Prioriteti numër një, është ndarja e qeverisë nga krimi.
Një kryeministër dhe një ministër i brendshëm pa lidhje me krimin është minimum. Kush na thotë se do të shkojmë në Europë me një kryeministër dhe me një ministër të brendshëm të lidhur me krimin, na gënjen dhe nuk na e do të mirën, së dyti. Reforma në Drejtësi sipas Kushtetutës së 22 korrikut.
Pyetje: Çfarë do të thotë kjo zoti Basha?
Basha: Kjo do të thotë që parimet e 22 korrikut, të cilat janë të mishëruara në Kushtetutë, duhet të zbatohen. Aty kanë kaluar afatet, aty ku janë krijuar gropa, duhet të gjenden instrumentat për t’i kthyer në “normat kushtetuese të 22 korrikut” që morën vulën e Venecias dhe votat e Opozitës. Dhe e treta. Duhet të kemi një reformë zgjedhore dhe një garanci që kjo reformë zgjedhore të zbatohet.
Të treja këto bashkë do të çojnë në luftë kundër krimit e korrupsionit, do të çojnë në rezultate të prekshme. Zgjedhje të lira e të ndershme dhe përbëjnë garancinë e vetme që ne të kemi një shans për një vendim pozitiv në qershorin e vitit të ardhshëm.
Por, hapi i parë është që të kemi një qeveri të ndarë nga krimi dhe jo një bashkëqeverisje të qeverisë me krimin siç kemi sot.
Pyetje: Zoti Basha më falni që po këmbëngul, por në kohën para se PD të ngrinte çadrën kishim të njëjtën situatë, pra një krizë politike dhe koha tregoi që ju dhe zoti Rama arritet një marrëveshje. Pra, duke iu rikthyer pyetjes sime të parë: A mohoni ju kategorikisht mundësinë për një pakt me zotin Rama ose një ofertë për bashkëqeverisje?
Basha: Nuk ka dhe nuk ka për të pasur bashkëqeverisje me Edi Ramën. Në mënyrë absolute dhe të prerë, në përgjigje të pyetjes suaj dhe ta dëgjojë çdo shqiptar:
Nuk ka dhe nuk ka për të pasur bashkëqeverisje me Edi Ramën.
Ajo që sapo ju shpjegova është platforma dhe vizioni ynë për të dalë nga kriza e trefishtë: ekonomike, politike dhe morale ku e ka zhytur vendin bashkëqeverisja e Edi Ramës me krimin.
Edi Rama e ka zgjedhur partnerin e vet në bashkëqeverisje tash pesë vjet dhe ky është: Krimi I organizuar.
Partia Demokratike nuk bën absolutisht asnjë pakt me Edi Ramën dhe qeverinë e tij të lidhur me krimin. Ne njohim detyrimet tona sa i takon pjesës së opozitës, ndaj shqiptarëve dhe ndaj fatave të Shqipërisë në proçesin e integrimit europian, ndaj ky është vizioni dhe prioritet tona që besojmë se janë edhe prioritet kombëtare.
- Ndarja e qeverisjes me krimin, që do të thotë minimalisht një kryeministër dhe një ministër i brendshëm i palidhur me krimin
- Reforma në Drejtësi sipas Kushtetutës së 22 korrikut
- Reformë Zgjedhore dhe garanci për zgjedhje të lira e të ndershme.
Natyrisht jo vetëm reforma në letër por edhe rezultate. Që do të thotë luftë kundër krimit dhe luftë kundër korrupsionit. Që do të thotë një infrastrukturë e besueshme.
Kryepolicë, drejtorë qarqesh dhe institucione të tjera, të cilët nuk janë të kapur politikisht, por që kanë guximin dhe lirinë për të vepruar, për të zbatuar ligjin dhe për të çmontuar krimin e organizuar që është sot pengesa kryesore për sigurinë dhe për mirëqenien e shqiptarëve.
Pyetje: Zoti Basha, historia ka treguar që edhe në momente radikalizimi të situatave, palët kanë shkuar drejt një marrëveshje që nuk është domosdoshmërisht marrëveshje për bashkëqeverisje, por për zgjidhjen e situatave. Ju referuat tani pikërisht asaj çfarë mund të shërbente për zgjedhjet, sikundër mund të ketë zgjidhje edhe për Reformën në Drejtësi. A mundet të shkojmë drejt uljes në bisedime, kur ju pak më herët u shprehet se “paratë e pista të drogës po futen në ekonomi, po blihen zgjedhjet, po kapet drejtësia”, duke përshkruar një situatë kaq radikale, sim und të shkohet në zgjidhje si për Reformën në Drejtësi si për Reformën Zgjedhore, dhe si do të organizohet PD, pasi ka edhe punët e saj të brendëshme për të shkuar në zgjedhje si dhe për të fituar zgjedhjet që jut ë amendoni ligjin Antimafia?
Basha: Jam i qartë në atë që them dhe dua ta merrni farë qartë këtë mesazh nga unë dhe në atë liri që ju jepet për t’ua transmetuar qytetarëve.
Opozita ka detyrën e vet dhe nuk pretendon të dalë dhe të marrë detyrat e qeverisë, qeverisja ka detyrën e vet.
Për ne hapat janë këto: Ndarja e qeverisë me krimin, që do të thotë minimalisht pa një kryeministër dhe pa një ministër të brendshëm të lidhur me krimin.
Reforma në Drejtësi sipas Kushtetutës, që do të thotë të kemi
- Gjykatë Kushtetuese funksionale.
- Prokuror të Përgjithshëm të zgjedhur sipas përcaktimeve kushtetuese dhe jo të diktuar nga një parti politike për të mbyllur dosjet e politikanëve të lidhur me krimin.
- KLGJ dhe KLP sipas Kushtetutës,
- Krijimi sa më i shpejtë i SPAK-ut dhe BKH-së që të nisë dhe të çojë drejt përfundimit me sukses hetimin e korrupsionit, çeshtjeve të mëdha të korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Dhe rezultate konkrete, jo thjesht miratime ligjesh por rezultate konkrete.
Në fushën e Reformës Zgjedhore do të thotë jo thjesht reform zgjedhore, po garanci të implementimit të reformës zgjedhore. Sepse ne mund të bëjmë reformën zgjedhore më të mirë, por vjen Toyota pastaj. Toyotën s’e zgjidh dot reforma pastaj.
Prandaj ju them se hapi i parë dhe më i rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët është ndarja e qeverisjes nga krimi.
Pyetje: Ju flisni për garanci të implementimit të reformës zgjedhore, por nga ana tjetër aleatët e opozitës, i referohem këtu një qendrimi të mbajtur nga zoti Nard Ndoka, kanë folur për manipulim të zgjedhjeve nga PD dhe PS. Çfarë do t’u ofroni ju aleatëve, pasi ata kërkojnë pikë së pari ndryshimin e sistemit, kërkojnë lista të hapura dhe mbështesin edhe idenë e depolitizimit të komisioneve zgjedhore…
Basha: Zoti Ndoka është anëtar i komisionit ad-hoc për reformën zgjedhore, siç është çdo aleat anëtar i Partisë Demokratike në parlament. Unë jam në komunikim të vazhdueshëm me aleatët përsa i përket reformës zgjedhore dhe besoj se ne ndajmë pikëpamje të përbashkëta sa u përket prioriteteve. Dhe besoj se prioriteti kryesor i reformës është procesi, pra aspekti i administrimit zgjedhor, që është identifikimi biometrik, votimi elektronik dhe numërimi elektronik. Kjo është e vetmja mënyrë si mund të shkojmë drejt largimit të bandave të pushtetit nga qendrat zgjedhore. Sepse në këto momente është e panevojshme që të kemi komisione të fryra me militantë që në rastin e Partisë Socialiste shndërrohen në banditë lokalë me lidhje të drejtpërdrejta me qendrën dhe me kryeministrin. Por kjo – siç e thashë – edhe nëse arrihet një konsensus i tillë, nuk e zgjidh problemin e parave të drogës e krimit, sepse janë këto para të pista dhe sistemi i shpërndarjes së këtyre parave të pista, që shkatërrojnë vullnetin e zgjedhësve që në fillim, ndërkohë që ne merremi me fundin e procesit. Natyrisht një komponent i rëndësishëm është reforma e financimit të partive politike dhe financimit të fushatave zgjedhore. Por, edhe njëherë, ne kemi ligje shumë të mira, por problem është zbatimi i tyre. Por zbatimi është çështje vullneti, prandaj kthehem edhe njëherë dhe ju them se prioritare për Partinë Demokratike, por edhe për aleatët e saj, është shkëputja e lidhjeve midis krimit dhe qeverisë. Pa ndodhur kjo, çdo reformë do të mbetet fjalë të bukura në letër dhe shqiptarët nuk do t’ia shohin hajrin. Hajrin do t’ia shohin vetëm horrat, banditët dhe politikanët e lidhur me ta.
Pyetje: Zoti Basha, aleatët tuaj në fakt e shohin si domosdoshmëri ndryshimin e sistemit…
Basha: Nuk kemi arritur tek sistemi, askush nuk po flet për sistemin. Jemi ende tek çështja e garantimit të një procesi të lirë zgjedhor. Pra, kur të arrijmë tek sistemi, ne absolutisht që diskutimin e parë dhe më të rëndësishëm do ta bëjmë me aleatët tanë, me askënd tjetër përveçse me aleatët tanë. Por nuk jemi aty, jemi tek Toyota Yaris që blen zgjedhjet, jemi tek banditët, jemi tek bandat që janë në telefon me Edi Ramën, me Vangjush Dakon, me Damian Gjiknurin, me Saimir Tahirin, me Qazim Sejdinin, për të përmendur disa nga këta kryesorët, se pastaj janë edhe këta dora e dytë e Tërmet Peçit me shokë. Jemi këtu pra, është luks i tepërt të flasim për sistemin, të pretendojmë sikur gjërat e tjera janë në rregull. Të flasësh sot për sistemin, kur nuk ke garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, është e njëjta gjë si të flasësh sot për ligjin e magjistraturës kur ti s’ke sot Gjykatë Kushtetuese dhe të është kapur prokuroria, nga një parti politike në pushtet, e cila e ka shndërruar Shqipërinë, në një strehë të krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.
Pyetje: Duke parë se kjo mazhorancë me forcën e kartonit është e vendosur të kapë edhe SPAK dhe të gjitha instrumentet e tjera që kanë rrjedhur nga reforma në drejtësi, pyetja ime është e thjeshtë: Si opozita do të përballet për ta penguar këtë gjë?
Basha: Opozita dhe Partia Demokratike do të bëjnë atë që kemi bërë deri më sot. Së pari dhe më kryesorja, nuk do të bëhemi kurrë pjesë e së keqes, as në afera kriminalo-mafioze siç është teatri, as në asgjësimin e shtetit ligjor, siç janë aktet për teatrin apo për Prokurorinë e Përgjithshme, as nuk do bëhemi fasadë, duke votuar masa sipërfaqësore, si ligji për magjistraturën, ndërkohë që shteti ligjor është në hemorragji totale, sepse ia kanë prerë krahët dhe këmbët; pra nuk do të bëhemi pjesë e të keqes por do e denoncojmë, siç po e denoncojmë. Së dyti, do të vetëdijësojmë njerëzit e këtij vendi, që nga qytetarët e thjeshtë, tek njerëzit që kanë një autoritet publik, të problemeve me të cilat përballemi dhe të rrugëve për të dalë nga këto probleme. Do të shpalosim vizionin tonë, planin tonë, për të pastruar Shqipërinë, nga krimi, droga dhe bandat, brenda një kohe fare të shkurtër, për t’i rikthyer milionat që vidhen sot me tendera dhe partneritete publike tek taksat e ulëta për sipërmarrjen e vogël, tek subvencionet për fermerët, rritje pensionesh për pensionistët, tarifa të ulëta dhe stazhe për studentët, rritje të buxhetit për arsimin, shëndetësinë, kulturën e kështu me radhë. Pra, duke shpalosur alternativën tonë, sepse ne jemi parti politike, s’jemi batalion, jemi parti politike që synojmë t’u japim shqiptarëve një rrugë të besueshme për të ndërtuar një të nesërme më të mirë dhe më të sigurt dhe një ekonomi më të mirë për veten e tyre. Kjo e gjitha bën sens kur kemi rregulla loje, kur kemi një proces politik i cili sot është shkatërruar. Hapi i parë është rikthimi i procesit politik, hapi i parë për rikthimin e procesit politik është të kemi një qeveri ku të paktën kryeministri dhe Ministri i Brendshëm të mos jenë të lidhur me krimin. Këto janë rrugët që parashtrojmë ne dhe në funksion të saj, siç kemi ngritur zërin do të vazhdojmë të ngremë zërin, do të organizojmë protesta, do të jemi në krah të protestave të njerëzve, por në fund të fundit, duhet ta kuptojmë se ky nuk është një qëllim vetëshërbimi. Ne jemi në funksion të interesit publik, të interesit të njerëzve, prandaj është e rëndësishme që bashkë me ata faktorë shoqërorë, që ndajnë të njëjtat shqetësime me ne, pavarësisht çfarë i bashkon, i bashkon halli i ekonomisë, i papunësisë, halli i gjendjes së fermerëve, halli i gjendjes së biznesit të vogël, taksat e rritura, tvsh-ja, shëndetësia, arsimi, teatri, arti dhe kultura, apo shkatërrimi I shtetit ligjor, që të gjithë së bashku të imponojmë, përmes aksionit politik që na takon ne, dhe aksionit qytetar ku do të jemi në krah të qytetarëve, rrugën e daljes, e cila për ne kalon nga një qeveri e ndarë nga krimi, me një kryeministër dhe ministër të brendshëm të palidhur me krimin, kalon nga plotësimi i reformës në drejtësi sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut, nga reforma zgjedhore dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Pra, nga disa masa emergjente, që çojnë pastaj në një proces normal politik, ku vullnetin ta shprehin njerëzit, as kriminelët, as oligarkët, as klientët e qeverisë, por njerëzit. Të zgjedhin dhe të mbajnë përgjegjësi për votën e tyre.
Pyetje: Zoti Basha, a mund të na sqaroni çfarë do të thotë: “të kthehemi në shinat kushtetuese të 22 korrikut”?
Basha: As unë, as ju dhe as disa të tjerë nuk jemi dhe nuk duhet të hiqemi si ekspertë ligjorë. Unë jam kryetar i opozitës, ju jeni gazetare, ata të tjerët janë diplomatë, ambasadorë, institucione ndërkombëtare, por ky është një problem politik dhe kërkon një zgjidhje politike. Politikisht kjo do të thotë që të kemi një Gjykatë Kushtetuese funksionale, politikisht kjo do të thotë që të kemi një prokuror të zgjedhur sipas kushtetutës dhe jo sipas qejfit të Edi Ramës. Politikisht kjo do të thotë që të marrim masa që të kemi një KLGJ dhe një KLP funksionale, një orë e më parë, sipas kushtetutës dhe jo sipas ligjit të Edi Ramës, do të thotë që pas këtyre të kemi një SPAK dhe një BKH që të përfundojë hetimet dhe jo të fshehë dosjet e Damian Gjiknurit, siç fshihen sot në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e të Vangjush Dakos, e të Arben Ahmetajt, e të Erion Veliajt, e të Qazim Sejdinit, e shumë e shumë dosje të tjera pushtetarësh. Kjo do të thotë pra të kthehemi në shinat e kushtetutës. Mekanizmat se si, ai është një proces tekniko-ligjor, por e para dhe kryesorja është të kemi vullnetin politik për ta bërë këtë.
Pyetje: Për t’iu rikthyer edhe njëherë çështjes së Teatrit Kombëtar, ju folët për një sërë tenderash, koncesionesh të fituara nga Fusha shpk gjatë qeverisjes së majtë. Po çfarë ka ndryshuar me kohën kur ju qeverisnit Tiranën dhe kishit të njëjtin bashkëpunim me të njëjtën kompani për projekte të mëdha siç ishte Sheshi Skënderbej?
Basha: Dy gjëra kanë ndryshuar të cilat ai që interesohet për këtë i di fare mirë. E para është se Fusha ishte kontraktor i Sheshit nën Edi Ramën dhe unë punova me kontraktorin e Sheshit për të mbyllur zonat e hapura në mes të qytetit që ishin bërë një makth për qytetarët, sepse ishte prioritet dhe me kosto sa më të ulët. Nuk e përjashtoj që ai të ketë konkuruar dhe të ketë fituar tendera kur unë kam qenë kryetar i Bashkisë. Por nuk kam bërë asnjë Kullë, as me Fushën, as me Kodrën, as me Malin. Ky është ndryshimi kryesor siç e di fare mirë edhe porositësi i pyetjes.
Pyetje: Që gjithçka çfarë ju thatë të ndodhi duhet të paktën që Kryeministri apo Ministri i Brendshëm të mos jetë…
Basha: Nuk thashë këtë. Dua të më citoni tamam. E kam thënë 5 herë dhe kërkoj të jeni të qartë. Ndarja e qeverisë nga krimi do të thotë minimalisht që kryeministri i vendit dhe ministri i Brendshëm të mos kenë lidhje kriminale.
Pyetje: Pikërisht. Përsa kohë ju thoni që Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj kanë lidhje, këta të dy nuk duhet të jenë?
Basha: Minimalisht.
Pyetje: Që kjo të ndodhë, kryeministri dhe ministri i Brendshëm duhet të japim dorëheqjen dhe e ne dimë që nga 2017 kjo nuk ndodhë ose duhet të rrezohet përmes edhe asaj që ju përmendët si Pema e Lirisë, që prapë nuk është zgjidhja më e mirë për një vend që nuk do trazira. Si do e nxisë PD largimin e kryeministrit nëse jo përmes zgjedhjeve dhe përsa kohë që ju nuk po jepni shpresa se reforma zgjedhore mund të jetë pjesë e kësaj zgjidhje, pse nuk e tërhiqni bashkëkryetarin e Reformës Zgjedhore nëse nuk keni besoj se ajo mund të sjellë ndryshim. Duhet të kujtojmë se ajo të paktën se ministrin e Brendshëm e parët nga radhët tuaja radhën e kaluar.
Basha: Jo, ajo s’ka lidhje. Ministri i Brendshëm ishte vetëm për 4 javë dhe s’ka lidhje me procesin zgjedhor. Ajo ishte një marrëveshje e sforcuar. Reforma zgjedhore është një reformë normative. Nuk është garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme në vetvete nëse ska vullnet politik për ta zbatuar. Interesi ynë është që propozimet tona për identifikimin biometrik, pra me gishta të qytetarëve që të mos vidhen e të blihen karta e identitetit, votimi elektronik, numërimi elektronik, është propozimi ynë dhe ne e duam ta shohim këtë të mishëruar me ligj dhe mënyra e vetme për ta arritur këtë është që të jemi në komision të reformës zgjedhore dhe jo të ikim nga komisioni. Por thënë kjo, edhe nëse këto propozime pranohen, zbatimi i një Kodi Zgjedhor të rishikuar është çështje vullneti politik. Çfarë dua të them. Ne mund të kemi prapë Kodin më të mirë, përfshirë edhe propozimet tona, dhe Toyota Yaris të vazhdojë, paratë e drogës së vazhdojnë. Prandaj është e domosdoshme që pë rtë garantuar vullnetin politik për zgjedhje të lira e të ndershme të realizohet hapi i parë që është jetik, jo vetëm për reformën zgjedhore por dhe për reformën në drejtësi, por edhe për çështjet më të përditshme të shqiptarëve, të kemi një qeveri ku të paktën kryeministri dhe ministri i Brendshëm të mos jenë të lidhur me krimin.
Pyetje: Përsa kohë që për ju është i rëndësishëm votimi elektronik dhe financimi i partive, për aleatët tuaj është i rëndësishëm ndryshimi i sistemit. Kanë thënë që kanë marrë premtim nga ju që kjo çështje do diskutohet. A e keni vendosur që kjo çështje do diskutohet?
Basha: Absolutisht po. Nuk ka asnjë sekret këtu. Por po ju themi që treni është akoma në stacionin e Tiranës dhe nuk është nisur akoma. Sistemi është treni i dytë. Kemi rënë dakord me aleatët që nuk do hapim diskutim për sistemin pa garantuar procesin sepse do të ishte farsë. Se po të zgjedhim sistemin më të mirë sipas mendjes tonë dhe ta pranojë kundërshtari politik, prapëseprapë pa një proces zgjedhor që nuk garanton që vota të mos shitet e blihet, vidhet e tjetërsohet, nuk pi ujë. Pra prioritetet janë kuptimi formal e ligjor të një kodi Zgjedhor që parashikon të gjithë platformën tonë për identifikimin biometrik me shenjat e gishtave, votimin dhe numërimin elektronik, masat për financimin e zgjedhjeve, partive politike, aksesin në media etj, këto janë rregullat dhe zbatimi i rregullave për të cilat kushti minimal është një qeveri e palidhur me krimin, me rrjetet e drogës. Pra minimalisht kryeministri dhe ministri i Brendshëm të mos jenë të lidhur me krimin.
Pyetje: Z. Basha, pavarësisht këtyre kërkesave tuaja, në zgjedhjet e kaluara u vu re disa fenomene si ai që dikush shkon me merr kartat e identiteti familjarëve të kundërshtarit politik. i merr kartat, u jep lekë dhe nuk shkojnë në votime. Këtë nuk e zgjidhim dot.
Basha: Zgjidhjet Ismet. Ky është qëllimi i identifikimit biometrik sepse karta nuk hyn më në punë dhe me shenjat e gishtërinjve, votuesi identifikohet përmes një aparati dhe demonstrimi i kësaj mundësie teknike është bërë edhe në PS edhe në PD.
Pyetje: Në fakt aleatët janë shprehur, z Shehu, për ndarjen territoriale në prag të zgjedhje lokale. A ka PD ndodnjë plan për ndryshimin e hartës territoriale?
Basha: PD konsideron që atë që thamë para 4 vitesh, sot e faktoi koha, që kjo reformë dështoi. Paratë që shpenzohen për rroga nga pushteti lokal sot janë më shumë dhe jo më pak se sa kur kishim mbi 370 njësi vendore. Shërbimet ndaj qytetarëve janë më të dobëta dhe jo më të mira, aksesi qytetar tek pushteti vendor është më i vështirë dhe padyshim që autoriteti i pushtetit vendor për të kryer punë lokale dhe shërbyer qytetarëve, është cunguar sepse Edi Rama si në çdo fushë tjetër edhe këtu i ka përpirë kompetencat dhe fondet për vete. Prandaj ne i qëndrojmë plotësisht dhe na vjen keq të themi që të gjitha çështjet që ne ngritëm janë vërtetuar, që kjo ishte një hartë bllof për interesa politike, që decentralizimi ka marrë goditjen më të rëndë në këto 20 vite, ndaj ajo që na duhet është jo thjesht një rindarje e re administrative por një rikonceptim i pushtetit vendor, që të ketë kompetenca, fonde, përgjegjësi dhe kjo arrihet duke plotësuar standardin europian pa qenë nevoja të shpikim një formulë alla shqiptare si ajo që u shpik ku u vendos që bëhet për 24 orë. U bë në funksion të një pazari politik që rezultoi me pasoja të rënda për qytetarët. Po ne i qëndrojmë parimeve dhe vizionit tonë jo thjeshtë për një hartë të re territoriale, por për një vizion për pushtetin vendor, të gashtëm, të legjitimuar dhe të financuar për ti shërbyer qytetarëve dhe jo për të qenë vasal i pushtet qendror në Tiranë, sepse kjo e dyta i shërben vetëm kryeministrit dhe e vetmja mënyrë për ti shërbyer qytetarëve është e para.
Pyetje: Përsa i përket këtyre zgjedhjeve lokale a do të kërkoni këtë ndryshim?
Basha: Këtë s’mund t’ua them sot sepse në hierarkinë e beteja dhe kauzave, kauzat kryesore mbeten ndarja e qeverisë nga krimi, një reformë zgjedhore e plotë dhe e zbatueshme dhe natyrisht me avancimin e këtyre patjetër që ne do të qëndrojmë fuqishëm për bindjet tona që është një reformë e vërtetë dhe që funksionon për pushtetin vendor.
Read More