Blog

21 Qer
0

Verdikti gjerman është se Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet për hapjen e negociatave

· Verdikti gjerman është se Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet për hapjen e negociatave dhe se Edi Rama nuk i ka bërë detyrat e shtëpisë. Ky është lajmi më i keq për shqiptarët, të cilët po mbahen peng nga Edi Rama.

· Shqipërisë nuk i vendosen vetëm kushte, por për herë të parë, edhe një proces kontrolli që demonstron pabesueshmërinë totale ndaj çdo raportimi të bërë nga Edi Rama.

· Vendimi mund të kishte qenë edhe më i keq, nëse opozita nuk do të kishte këmbëngulur për hapjen e negociatave, duke pranuar të vërtetën që e di Gjermania dhe partnerët e tjerë se Shqipëria nuk mund të qeveriset nga krimi dhe oligarkët, se Tahiri duhet të jetë në burg, se Xhafaj s’mund të jetë Ministër i Brendshëm.

· Cili është ndryshimi që Maqedonisë i rekomandohet hapja e negociatave pa kushte nga Bundestag-u dhe Shqipërisë i vendosen kushte të rënda të parecedenta për asnjë vend tjetër të Ballkanit? Cila është arsyeja??? Shqiptarët e kanë të qartë arsyen: Edi Rama, i zhytur në krim dhe korrupsion është e vetmja arsye pse Shqipërisë i vendosen kushte të rënda, të paprecedenta për asnjë vend tjetër të Ballkanit.

· Vetëofrimi i Edi Ramës për 600 mijë refugjatë bëhet kundër interesave të Shqipërisë dhe vetëm për të mbajtur pushtetin e tij me shpresën se Europa do t’i harrojë drogën, krimin, korrupsionin. E bën me shpresën se do të blejë prapë heshtjen e Europës me refugjatë. Koha e Edi Ramës kur blen heshtjen e Europës, ka marrë fund mbrëmë me konsensusin gjerman.

· Sot është dita që shqiptarët të pyesin vetën: Cila është përgjegjësia jonë? Sepse një popull ka qeverinë që meriton. Vetëreflektimi i shqiptarëve do të na bashkojë në një drejtim të vetëm: mobilizim kombëtar dhe qytetar për të larguar një orë e më parë Edi Ramën, këtë tradhtar të interesave kombëtare dhe popullore.

 

FJALA E KRYETARIT BASHA GJATË NDËRHYRJES SË PARË

Kjo mazhorancë dhe kjo qeveri e falimentuar politikisht, moralisht, e zhytur dhe e lidhur me krimin, po mundohet të japë përshtypjen se gjithçka po ecën normalisht.

Edi Rama mbrëmë është informuar, sikundër jam informuar edhe unë, për një ngjarje të hidhur dhe me pasoja të tmerrshme për fatin e negociatave, për fatin e integrimit europian të Shqipërisë.

Ai ka ardhur sot këtu të bëjë të paditurin, akoma më keq, të fshehë të vërtetën apo ta manipulojë atë përmes mediave të kapura prej gryke me favore, joshje, shantazhe qeveritare.

Mbrëmë, vetëm 24 orë pas samitit Franko-Gjerman dhe takimit Merkel-Makron, kristiandemokratët dhe kristiansocialët gjermanë, aleatët, partia jonë simotër, anëtare e Partisë Popullore Europiane dhe socialdemokratët gjermanë, aleatët dhe partia simotër e Partisë Socialiste dhe anëtarë të Partisë Socialiste Europiane, kanë rakorduar qëndrimin e tyre sa i përket hapjes apo jo të negociatave për Shqipërinë.

Zonja dhe zotërinj, ashtu si Edi Rama e di fare mirë, lajmi nga ky rakordim është më i keqi që shqiptarët mund të prisnin.

Është një lajm që Shqipëria nuk e meriton.

Është verdikti gjerman tashmë, jo dhe vetëm i Gunther Krichbaum, as thjesht dhe vetëm i Johan David Vadeful-it, as thjesht dhe vetëm i kristiandemokratëve, por i qeverisë gjermane, i mazhorancës gjermane, konservatorë e socialistë së bashku, se Edi Rama ka gënjyer.

Se Edi Rama nuk i ka bërë detyrat.

Se Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet për hapjen e negociatave.

Në këtë rezolutë e cila do të bëhet zyrtare, javën e ardhshme të martën, për herë të parë Shqipërisë nuk i vendosen thjesht dhe vetëm kushte por edhe një proces kontrolli që demonstron pabesueshmërinë totale ndaj çdo raportimi të bërë deri më sot nga Edi Rama apo nga hallka institucionale të blera e të korruptuara nga ai.

Kjo është një ngjarje dramatike për Shqipërinë.

Shqiptarët, populli më proeuropian që i meriton hapat drejt integrimit europian si asnjë vend tjetër në Ballkan, mbahet peng nga një kryeministër… (mbyllet mikrofoni)

FJALA E KRYETARIT BASHA GJATË NDËRHYRJES SË DYTË

I ftoj mediat të më ndjekin përmes transmetimit në facebook.

Këta që zgërdhihen këtu janë përgjegjësit bashkë me këtë (Ramën), për këtë mandatë që ka marrë Shqipëria dj, nga vendi më i madh anëtar i Bashkimit Europian, nga Gjermania e kancelares Merkel, por siç e shikoni, nuk u bën përshtypje. Shikojeni si sillen dhe zgërdhihen.

U bëhet qejfi që Shqipërisë nuk i hapen negociatat.

Qeshin, fërkojnë duart se në fund të fundit ky ka qenë qëllimi, të shmangin me çdo kusht e me çdo çmim mbikëqyrjen e rreptë europiane që vjen me hapjen e negociatave.

Zonja dhe zotërinj,

Të dashur qytetarë,

Kjo që shikoni sot, është shfaqja më e shëmtuar e falimentit moral të një mazhorance që erdhi me lekët e drogës dhe të krimit dhe s’u bë kurrë mazhorancë e votave të shqiptarëve.

Shikojeni.

Bojkotojnë opozitën, bojkotojnë Kuvendin, bojkotojnë Komisionet e Kuvendit, kjo ka një dhe vetëm një arsye: Edi Rama asnjë ditë nuk ka qeverisur për qytetarët e aq më pak me qytetarët.

FJALA E KRYETARIT BASHA GJATË NDËRHYRJES SË TRETË

Shihni mirë të dashur qytetarë se çfarë po ndodh edhe në këtë sallë.

Ka më shumë se një vit që ndodh anembanë Shqipërisë. Heqin zërin e opozitës, pastaj fusin një zhurmues për të ndërprerë edhe valët e internetit. Në mënyrë që të pengojnë transmetimin e fjalës së opozitës, përmes medias sociale.

I ftoj qytetarët shqiptarët e të shohin se cilat vende ndalojnë internetin për të ndaluar fjalën, për të ndaluar të vërtetën. Cili vend tjetër përveç Shqipërisë së Edi Ramës, Gramoz Ruçit, Fatmir Xhafës dhe Sajmir Tahirit heq internetin që të mos dëgjohet e vërteta?

Është një listë e shkurtër vendesh të falimentuar të shkatërruara, të varfëra, të mjeruara. Këtu e kanë degdisur edhe këta Shqipërinë sot.

Përse e heqin fjalën?

Sepse po thoja një të vërtetë që e di sot e gjithë Gjermania, e gjithë Europa, e di edhe ky që mbrëmë  dhe hesht dhe e mban të fshehtë, sepse këtij kryeministri, që është edhe kryeprokurori, edhe kryegjyqtari edhe kryeredaktori i mediave shqiptare, duhet t’iu diktojë mediave që negociatat po hapen por s’kemi datë.

Vendimi i djeshëm i Gjermanisë, është verdikti më i qartë që negociatat nuk hapen për një arsye të vetme sepse Shqipëria nuk ka plotësuar kushtet, sepse Edi Rama nuk ka bërë detyrat e shtëpisë dhe jo vetëm kaq, por ka gënjyer dhe mashtruar pacipërisht.

Kjo është arsyeja se përse mbrëmë konservatorët dhe socialdemokratët gjermanë morën këtë vendim.

Mund t’ju them edhe këtë se vendimi mund të kishte qenë edhe më i keq po mos të kishte qenë për insistimin tonë si opozitë.

Shikoni si zgërdhihen. Ata që zgërdhihen më shumë njëri prej atyre që zgërdhihen më shumë ka qenë në Gjermani para tre ditësh. Mbajeni mend këtë që po ju them. Dhe ka porositur një Toyota Yaris, por ta kanë zbuluar Toyotën, o zgërdhimtar, bashkë me 1.5 milion euro të drogës brenda.

Vazhdo qesh, do ta shikosh se çfarë do të tundet para hundës shumë shpejt.

Kryemashtruesi këtu shkonte dhe u thoshte, ne s’kemi probleme, s’kemi krim, s’kemi drogë, reformat po ecin, drejtësia po pastrohet, krimi po luftohet, korrupsioni po luftohet, ekonomia po ecën, ku në fakt e vërteta është ajo që di çdo shqiptar dhe nuk ka nevojë ta thotë opozita.

Ju kemi thënë se ato që dini ju:

  • Se kemi një kryeministër dhe një Ministër të Brendshëm të kapur nga krimi janë të vërteta;
  • Se Shqipëria është e renditur e 11 nga fundi i botës për korrupsion nga agjencia përkatëse, është e vërtetë.
  • Se këtu paratë e taksapaguesve shqiptarë, më të varfërit e Europës vidhen me kamionë nga Edi Rama dhe oligarkët

janë e vërteta.

Ne i njohim këto probleme. Ndryshe nga ky balerini që vjen vetëm për ekspozita për t’ju mashtruar sepse mendon se në Europë mund të shkohet me mashtrime.

Ne u kemi thënë partnerëve tanë ndërkombëtarë se ne i njohim këto të vërteta. I pranojmë këto të vërteta.

Por, pikërisht për shkak të këtyre të vërtetave kemi nevojë më shumë se kurrë për ndihmën tuaj. Është ky qëndim i yni i cili të paktën ka çuar në një formulim të tillë, ku Shqipërisë nuk i thuhet një jo e prerë, por derisa të plotësohen kushtet:

Derisa Sajmir Tahiri të jetë aty ku e kanë vendin trafikantët e lidhur me drogën; derisa Shqipëria të mos ketë një Ministër tjetër të Brendshëm i cili harxhon gjithë ditën e tij duke mbrojtur vëllain e tij trafikant të dënuar droge dhe kokën e krimit të organizuar në Vlorë. Derisa qeveria t’i kthehet njerëzve, derisa të kemi një bashkëqeverisje me qytetarët dhe jo një bashkëqeverisje me krimin dhe oligarkët.

Këto janë kushtet e një vendi që i do vetëm të mirën Shqipërisë.

E një vendi ku taksapaguesit e të cilit gjermanët kanë paguar më shumë se çdo komb tjetër në këto 27 vite, për zhvillimin tonë ekonomik, për demokracinë, për shtetin ligjor.

Kjo është e vërteta për të cilën sot i hoqën mikrofonin opozitës dhe hoqën e prenë internetin në një akt kriminal, që po të kishte shtet këtu, ai që e bëri duhej të shoqërohej për në polici, sepse administrata e parlamentit thotë nuk e bëmë ne.

Por dihet kush e bëri.

E bëjnë ata jo që përfaqësojnë njerëzit, por janë kukulla të bindura të Edi Ramës dhe aleancës së tij me krimin. Ky është thelbi.

Bashkëqeverisja me krimin, Rama-Krim, është arsyeja përse Gjermania ka marrë këtë vendim të qartë dhe të prerë.

  • Jo derisa të vendosen para drejtësisë politikanët e lidhur me krimin dhe politikanët e korruptuar.
  • Jo, derisa të luftohet trafiku i drogës, kultivimi i saj dhe Shqipëria të mos jetë eksportuesja kryesore e kokainës, heroinës dhe kanabisit në Europë.
  • Jo, derisa të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme që të mund të garantohen përmes një reforme zgjedhore që një herë e përgjithmonë, i jep fund farsave elektorale me shitblerjen e votës, me përdorimin e parave të pista të krimit dhe të drogës, për të blerë zgjedhjet.
  • Jo, derisa të ketë një reformë të vërtetë në drejtësi, me gjyqtarë e prokurorë që nuk mbrojnë Sajmir Tahirin dhe Fatmir Xhafën e vetë Edi Ramën, por ndëshkojnë krimin dhe korrupsionin.

Këto nuk janë më thjesht dhe vetëm qëndrimet e konservatorëve europianë apo gjermanë, ky është konsensusi konservator dhe socialist. Dhe nuk ka asgjë këtu kundër Shqipërisë apo kundër shqiptarëve, nuk ka këtu albanofobi.

Përkundrazi, a një shqetësim të madh për një vend ku 97% e shqiptarëve duan dhe e meritojnë integrimin europian por “Ali Baba me 40 hajdutë”  e mban peng dhe ditë për ditë shkon në drejtim të kundërt me gënjeshtra me mashtrime, me kërcënime, me hallishverishe.

Ky i cili largoi 500 mijë shqiptarë, tani që ia ka zënë rrota bishtin dhe që nuk e shpëtojnë dot as milionat e eurove që paguhen nga paratë e drogës dhe të korrupsionit me rrjetin e tij të lobistëve të korruptuar anembanë Europës dhe botës, ky tani ofron Pazar që të marrë 600 mijë sirianë.

500 mijë shqiptarë i çoi refugjatë, por është gati të marrë 600 mijë sirianë. Kjo është fantazma që sillet tani nëpër Europë.

Sillet vërdallë dhe lutet që Shqipëria të bëhet kazani i plehrave të botës.

Armët kimike, sillini në Shqipëri.

Mbetjet dhe plehrat, sillini në Shqipëri.

ISIS-in silleni në Shqipëri.

Dhe tani është vetëofruar për 600 mijë refugjatë sirianë.

Ky, qeveria e të cilit me 2 gisht shi falimenton, dorëzohet, kërkon ndihmën e botës, të NATO-s, për të përballuar situatën, deklaron se qenka i gatshëm për të ndërmarrë një operacion emergjence, që nuk e përballojnë dot as vetë vendet e Europës, sepse nuk ka asnjë pikë përgjegjësie dhe nuk ndjen asnjë pikë keqardhje për bashkëqytetarët e tij që po largohen nga Shqipëria.

E ka thënë vetë, e shikoni si e rreh gjoksin.

Një njeri që thotë mirë bëjnë që ikin shqiptarët papritur i vjen keq për sirianët për emigrantët e vendeve të tjera.

Në fakt nuk i vjen keq, nuk i bëhet vonë këtij as për sirianë, as për afganë, se këtij nuk i bëhet vonë për shqiptarët, s’i bëhet vonë as për ata që ka në krah, vetëm për veten e tij.

Vetëm për pushtetin e tij.

E bën me shpresën se do t’i harrojnë drogën.

E bën me shpresën se do t’i harrojnë krimin,

E bën me shpresën se do t’i harrojnë korrupsionin.

E bën me shpresën se do të blejë prapë heshtjen e Europës me refugjatë.

Harroje, se koha jote ku blen heshtjen e Europës, ka marrë fund!

Mbrëmë ka marrë fund një herë e përgjithmonë.

Ai është guri që i varet në qafë qeverisë tënde të dështuar të paaftë, të korruptuar, të lidhur me krimin, pengesës numër një dhe kryesore për Shqipërinë europiane, por po e bën këtë edhe për para, se kampet e refugjatëve janë tendera.

Kudo ku ky vetëofrohet për plehrat, për inceneratorët, gjithçka ka paranë.

Kampe refugjatësh, do të thotë, tendera ndërtimi. Do të thotë tendera furnizimi. Do të thotë tendera mirëmbajtje. Do të thotë më shumë para për Edi Ramën dhe oligarkët e tij.

Si munden që t’i besohen këtij, jo 600 mijë, por 6 refugjatë, kur dihet fare mirë se Shqipëria ka sot flotën më të rrezikshme për trafikun e drogës që nesër mund dhe do të shndërrohet në trafikun e qenieve njerëzore.

Kjo është arsyeja, të bëjë Shqipërinë kamp refugjatësh.

Një vend që është burim dhe tranzit i trafikut të qënieve njerëzore, në një vend burim tranzit dhe pikë kyçe të trafikut të drogës, në një vend të falimentuar nga korrupsioni, 600 mijë refugjatë janë një treg për më shumë trafik, për më shumë drogë, më shumë para në xhepat e krimit të organizuar të lidhur me Edi Ramën.

Për të bindur që ta kthejë Shqipërinë e varfër dhe të falimentuar në një kamp refugjatësh, Edi Rama, po përdor edhe një tezë skandaloze, po thotë që kemi përvojë me refugjatët që kemi pranuar me kosovarët në fillim.

Është e vërtetë që Shqipëria ia doli të përballojë krizën e shpërnguljes së kosovarëve  me zemër dhe dashuri, siç e ka thënë kryeministri i asaj kohe, jo me qeveri.

Kosovarët u strehuan në shtëpitë e vëllezërve të tyre në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë, dhe jo në kampe refugjatësh. Qytetarët e Tiranës ndejtën në rradhë me orë të tëra për t’i pritur në familjet e tyre.

Ky njeri nuk njeh as atdhe, as familje, madje i quan kosovarët refugjatë dhe mburret se me kosovarët paska përfituar përvojë për të mbajtur refugjatët në kamp.

Shpërdorimi i dashurisë së shqiptarëve për njëri-tjetrin për të kthyer Shqipërinë në një kamp refugjatësh, është jo vetëm shenjë e mungesës së dashurisë për vendin e këtij njeriu, por dëshmi se për pushtet dhe para, Edi Rama shkel mbi gjithçka.

Zonja dhe zotërinj,

Dua ta them sot qartë dhe shkoqur

Partia Demokratike, opozita qëndron fuqishëm prerë dhe vendosmërisht, për largimin e Fatmir Xhafajt. Fatmir Xhafaj do të ikë. Agron Xhafaj është trafikant droge në Itali dhe Shqipëri.

Refugjatët sirianë, nuk e shpëtojnë dot.

Nuk e shpëtojnë dot as prokurorët që po montojnë një skenar qesharak dhe idiot si ato që montonte Fatmiri kur ishte hetues i Sgurimit të Shtetit dhe detyronte me tërtura të pafajshmit, të pranonin që ishin të fajshëm.

Nuk e shpëton dot as propaganda.

Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama vetëm sa po e fundosin më shumë veten e tyre.

Unë dhe PD po presim me qetësi të shohim se ku do t’i çojë dëshpërimi dhre budallallëku i tyre.

Këtu paska një parlament ku zbatohen rregullat??? Këtu paska një parlament ku garantohet rregullorja, rregullat, ligji??? Në fakt këtu asgjë nga këto nuk bëhet.

Të gjithë  shqiptarët e kanë të qartë se cili është ndryshimi. Cili është ndryshimi që Maqedonisë i rekomandohet hapja e negociatave pa kushte nga Bundestag-u dhe Shqipërisë i vendosen kushte të rënda të parecedenta për asnjë vend tjetër të Ballkanit?

Cila është arsyeja???

Arsyeja është një dhe vetëm një: Edi Rama.

Një kryeministër i lidhur me krimin dhe i zhytur ne krim, që kryeson sot një qeveri rekord të korrupsionit.

Një qeveri e cila ia ka dalë në vetëm tre vite e gjysëm ta kthejë Shqipërinë në prodhuesin më të madh të emigracionit për frymë në planet.

Më shumë emigrantë largohen nga Shqipëria si përqindje e popullsisë se nga çdo vend tjetër i botës duke përfshirë Sirinë, Afganistanin dhe vendet e tjera të luftës civile e të mënxyrave të tjera që s’mund t’i rrokë mendja njerëzore.

Përse? Sepse ky ka kryer një krim të pafalshëm , jo thjesht ka destabilizuar shkatërruar ekonominë, jo thjesht dhe vetëm ka mbyllur ditë për ditë qepenat e bizneseve që nuk përballojnë dot taksat, tarifat më të larta në Europë, për popullin më të varfër të Europës.

Jo thjesht dhe vetëm e ka shndërruar Shqipërinë në Kolumbinë e Mesdheut, në Kolumbinë e Europës.

Por ka vrarë shpresën.

Ky është krimi më i rëndë, ky është epitafi i këtij eksperimenti të dështuar dhe me kosto që quhet Edi Rama dhe Rilindja e tij kriminale.

Ndaj, të dashur qytetarë, ndërkohë që vendimi për moshapjen e negociatave dhe kushtet e vendosura Shqipërisë flasin më qartë se çdo fjalim i imi, i demokratëve, apo i kundërshtarëve tanë, sot është dita, t’i bëjmë një pyetje vetes.

Cila është përgjegjësia jonë?

Një popull ka qeverinë që meriton.

A meritoni ju një kryeministër dhe një qeveri e cila pengon aspiratën mbarëkombëtare, demokratë dhe socialistë, toskë e gegë, muslimanë e të krishterë, për të qenë pjesë e Europës?

A meritoni ju një qeveri dhe një kryeministër i cili nga mëngjesi deri në darkë ushtron vetëm dy aktivitete: allishverishe me oligarkët për drogë, për kulla, për pastrim parash, për pushtetin e tij dhe propagandë në të cilën ia ka kaluar për minutazh edhe regjimit komunist.

A meritoni ju shqiptarë një njeri i cili me urrejtjen e verbër ndaj jush dhe ndaj vendit është gati të shesë gjithçka, është gati ta kthejë vendin në një kazan plehrash për inceneratorët e Benit e të Klodit e të vetat.

Është gati ta kthejë vendin në një kamp gjigant në vend që të punojë për të kthyer 500 mijë shqiptarët e larguar prej tij.

Për të sjellë këtu 600 mijë sirianë është gati të shesë gjithçka mjafton që të qëndrojë në pushtet.

Kjo është pyetja që duhet t’i shtrojmë sot vetes.

Jam i bindur se përgjigja do ta na bashkojë në një drejtim të vetëm: Mobilizim kombëtar dhe qytetar për të larguar një orë e më parë këtë tradhtar të interesave kombëtare dhe popullore.

Read More
20 Qer
0

Ilir Beqja merr 1.1 milionë euro pa garë. 4 deputetë të Ramës kanë përfituar tendera prej 78 milionë eurosh.

Deklaratë e Drejtueses së Departamentit Antikorrupsion Lealba Pelinku

Që kur ka ardhur në pushtet, Edi Rama e ka përqëndruar shpërndarjen e taksave të rritura të shqiptarëve në pak duar, që janë ose miq të tij, ose klientë, ose deputetë, me të cilët blen dhe mban pushtetin.

Janë të paktën 4 deputetë të tij që përfitojnë para publike nëpërmjet kompanive të tyre, në shumicën dërrmuese të rasteve pa garë.

Ilir Beqaj është njeriu më i afërt i Edi Ramës, i cili, edhe pse nuk është më ministër vzhdon të marrë me qindra milionë lekë nga taksat e shqiptarëve.

Rasti më i fundit është ai i shpalljes fituese të kompanisë “Intech+”, e zotëruar de facto prej Beqajt. Në një tender pa asnjë konkurent, shoqëria e ish ministrit që rrënoi shëndetësinë, u shpall fituese për 1 mld e 362 mln lekë ose 1,1 mln euro, duke patur ofertë gati të njëjtë me fondin limit, pa i kursyer buxhetit gati asnjë qindarkë.

1.1 milionë euro, të fituara së fundmi nga taksat e rritura të shqiptarëve, i shtohen pasurisë së Ilir Beqjes, i cili, që kur Rama është bërë kryeministër, ka përfituar tedera me vlerë 29 milionë euro.

Ilir Beqja nuk është i vetëm në listën e deputetëve të Edi Ramës që pasurohen me paratë e shqiptarëve.

Prej kohës kur Edi Rama është kryeministër, Sadri Abazi ka fituar tendera me vlerë 34 milionë euro nga paratë publike. Media raportoi pak kohë më parë se në shumë prej tenderave, kompania ka paraqitur dokumentacion fallco, por nga prokuroria, nën kontrollin e Edi Ramës, nuk ka asnjë reagim.

2 deputetët e tjerë të partisë Socialiste, Xhemal Qefalia dhe Pjerin Ndreu, kanë përfituar secili nga tenderat publikë prej 8.1 dhe 7 milionë euro.

Këta të 4 deputetë të Edi Ramës, Ilir Beqja, Sadri Abazi, Xhemal Qefalia dhe Pjerin Ndreu kanë përfituar së bashku 78 milionë euro nga paratë publike të shqiptarëve, të cilëve ata u kanë rritur çdo vit taksat në parlament.

78 milionë euro nga pasuria publike për 4 deputetë është rekord i babëzisë së pushtetit të Edi Ramës, i cili si qëllim të vetëm ka pasurimin e tij dhe të njërëzve të afërt të tij për të blerë pushtetin dhe për të sunduar shqiptarët.

Të tilla rekorde korruptive janë një nga pengesat madhore të hapjes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Read More
19 Qer
0

Korrupsion gjigand me 250 milionë euro, 1 në 3 tendera është dhënë pa garë. Me nxjerrjen jashtë funksionit të Gjykatës Kushtetuese, Edi Rama po shndërrohet në diktator.

Jorida Tabaku denoncoi me fakte konkrete korrupsionin në nivelet më të larta në qeveri. Gjatë ndërhyrjes në Komisionin e Ekonomisë, Tabaku, vuri në dukje se korrupsioni është një nga pengesat kryesore për hapjen  e negociatave.

“Në periudhën 2014-2018, qeveria ka dhënë më shumë se 36 mijë tendera, ndër to, me negocim pa shpallje janë dhënë  pothuajse 10 mijë tendera. Një në tre tendera jepet pa garë. Pothuajse 250 milionë euro jepet pa konkuruar. “

Tabaku tha se nëse ligji do të zbatohej,  do të kursehehsin të paktën 60 milionë euro, një fond i mjaftueshëm për të ndërtuar jo 1 teatër, por 2. Jorida Tabaku ngriti si shqetësim kryesor mungesën e Gjykatës Kushtetuese, e cila, siç theksoi nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, është nxjerrë jashtë funksionit që opozita dhe qytetarët të mos kenë ku të godasin vendimet antikushtetuese.

“Ligji i veçantë për Aeroportin e Vlorës nuk çohet dot në Gjykatë Kushtetuese. Ligji i veçantë për shembjen e Teatrit Kombëtar nuk çohet dot në Gjykatë Kushtetuese, VKM-ja abuzive për Air Albania nuk çohet dot në Gjykatë Kushtetuese. Edi Rama po shndërrohet në një diktator”- u shpreh Jorida Tabaku, e cila vuri në dukje se edhe për Bashkimin Europian është e papranueshme nisja e negociatave me një vend ku nuk ekziston Gjykata Kushtetuese.

Read More
19 Qer
0

Sqarimi i Kryetares së Komisionit të Medias, Albana Vokshi pas largimit të Veliajt dhe bojkotit të PS.

Opozita nxjerr jashtë nga Komisioni i Kulturës Erjon Veliajn, i cili hyri në mënyrë të paligjshme në dëgjesën e kërkuar nga opozita me Ministren e Kulturës për projektligjin që shemb teatrin Kombëtar dhe i jep tokën e tij dhe prona të tjera publike kompanisë së lidhur me Ramën dhe Veliajn.

Sqarimi i Kryetares së Komisionit të Medias, Albana Vokshi pas largimit të Veliajt dhe bojkotit të PS.

Shembja e Teatrit Kombëtar është një prej aferave më të mëdha korruptive. Është një proçedurë ekstraligjore që ka zgjedhur Edi Rama, për të shpërndarë përgjegjësinë edhe me deputetët e vetë për të mbuluar një pazar shumë të madh që ai ka bërë me kompaninë “Fusha”.

Për këtë caktuam të hënën e kaluar, në të cilën Ministrja refuzoi të paraqitet. Vetë Ministrja propozoi që të vinte përpara këtij Komisioni në datën 19 ose 20.

Ne vendosëm që ta kishim në datën 19 duke i bërë një shkresë tjetër zyrtare, sepse të gjitha i kemi të firmosura, të vulosura, me numër protokolli. Një shkresë tjetër zyrtare, ku e ftonim ministren, të vinte, të jepte sqarime për këtë projektligj abuziv antiligjor, sepse shkel një sërë ligjesh të tjera, siç është ligji për koncesionet dhe Partneritetin – Publik-Privat, ligjin për vetëqeverisjen vendore, Ligjin për pronat, gjithashtu është një projektligj antikueshtetues, pasi shkel nenin 3, nenin 113, nenin 116 të Kushtetutës.

Duke pasur parasysh që, ne si deputetë të opozitës në këtë Komision por jo vetëm, edhe grupet parlamentare tonat, qoftë të PD dhe LSI, jemi shumë të shqetësuar për këtë projektligj të propozuar nga Edi Rama, vendosëm që ta mbanim sot dëgjesën me Ministren e Kulturës, e dakordësuar nga të gjitha palët.

Përderisa në këtë projektligj, që në fakt e kanë shkruar si me këmbët e pulës, i jepej një rol shumë i madh negociatori kryetarit të Bashkisë ,i cili do të ishte ai vetë, në bazë të termave të referencës, të hartuar nga kompania “Fusha”, e cila përcakton edhe kushtet e kontratës, atëherë ne vendosëm që Kryetari i Bashkisë të thirrej në këtë Komision për të dhënë edhe ai sqarimet e tij si drejtues i Bashkisë për të dhënë informacionin për deputetët e këtij komisioni, për rolin e tij dhe rolin e Bashkisë në pjesën e negocimit, si kryetar i grupit të negocimit. Të negocimit i thënçin, se s’ka negociata, është një pazar i mbaruar dhe dihet edhe fitimet kush i merr, kush nuk i merr, vetëm ndarja e fitimeve nuk dihet, sa merr Rama, sa merr Veliaj, si ndahen fitimet.

Ky është një partneritet jo PPP, por Rama-Veliaj-Fusha.

Vendosëm që kryetarin e Bashkisë ta thërrisnim të mërkurën, pra nesër në orën 10.00.

Për sqarim Rregullorja e ka shumë të qartë, se 1/3 e deputetëve të një Komisioni mund të thërrasë për dëgjesë të gjithë krerët e institucioneve për të dhënë informacione dhe sqarime të mëtejshme për një projektligj, për një iniciativë ligjore, për një implementim të ligjit apo çdo çështje që ata e kanë nën institucionin që drejtojnë.

Përderisa ishte caktuar që ministrja sot, kryetari i Bashkisë nesër, me urdhër të Ramës, deputetët e mazhorancës, në një akt të paprecedentë, sollën një kërkesë mbi kërkesë, ndërkohë që rregullorja e përcakton qartë që, sapo bëhet kërkesa e 1/3 së anëtarëve, futet në rendin e ditë. Nuk ka më votim kalendari sepse rregullorja dhe Kushtetuta kanë përcaktuar hapësirat e opozitës. I kanë lënë hapësirë opozitës, por tentativa e sotme ishte që t’i mbyllej goja opozitës.

Dhe për fatin tonë shumë të keq, edhe si qytetarë të Tiranës dhe si deputetë, sot roli i ishte caktuar Erjon Velisë që të vinte i paftuar, që të vinte në shkelje të ligjit dhe rregullores.

Prania e tij ishte e paligjshme dhe jo vetëm kjo, por të tentohej të uzurponte këtë mbledhje, të shkatërronte këtë mbledhje të Komisionit vetëm e vetëm që t’i hiqnin mundësinë që rregullorja dhe Kushtetuta ia ka dhënë opozitës, për të bërë transparencë, mbi këtë vjedhje shumë të madhe që po i bëhet, duke tjetërsuar pronën publike, për t’ia dhënë privatit, për përfitime personale marramendëse.

Ajo çka ndodhi këtu mendoj se është rrëzimi i shtetit ligjor. Kryetari i Bashkisë erdhi i paftuar për të uzurpuar parlamentin. Është parë e dëgjuar më parë kjo gjë? Kemi një kryetar Bashkie i cili i hakërrehet oficerëve të gardës. Sot kishim oficerë të gardës, që në vënd që të bënin detyrën e tyre dhe të mbronin deputetët, sot oficerët e gardës kanë marrë urdhër nga Edi Rama dhe Veliaj për të mbrojtur kryetarin e Bashkisë, duke iu kundërvënë deputetëve të Kuvendit. A është parë a dëgjuar ndonjëherë kjo?!

I kam bërë thirrje Gramoz Ruçit që të ndërhynte për të zhbllokuar situatën që e krijoi në mënyrë të dhunshme konfliktuali Erion Veliaj që kishte marrë sot për turp këtë rol.

Është për të ardhur keq që kryetari i Kuvendit nuk ndërhyri për të zhbllokuar situatën duke mos kryer funksionet e tij.

Është për të ardhur keq që drejtuesi i gardës nuk ndërhyri për t’i dhënë urdhër oficerëve të gardës për të nxjerrë jashtë Erjon Velinë.

Erjon Veliaj ta harrojë që mund të hyjë në këtë sallë apo në këtë godinë, apo në të gjitha godinat që i përkasin sovranit. Ta harrojë që mund të bëjë arrogantin dhe dhunuesin.

As paratë e oligarkëve, as paratë e bosëve të drogës nuk e bëjnë dot Erjon Velinë që të shkelë mbi Kushtetutën dhe rregulloren dhe të prishë mbledhjet e këtij Komisioni apo procesin parlamentar.

Ne do ta ngremë çështjen e gardistëve të cilët nuk ndërhynë, në shkelje të ligjit. Do të bëjmë edhe një kallzim penal për të gjithë oficerët që nuk ndërhynë për të mbrojtur deputetët, por u vunë në urdhrat, në shkelje të ligjit, nën urdhrat e kryetarit të Bashkisë. Gjithashtu atë çka ndodhi sot, ne do t’ia tregojmë të gjitha ambasadave, delegacionit të BE-së, Parlamentit Europian dhe të gjitha institucioneve të tjera të BE-së.

Erjon Veliaj mund të bëjë çfarë të dojë në zyrën e tij, por nuk mund ta bëjë dot këtu. I çorientuar krejtësish,t ai ka dhënë një deklaratë se PS zhvillon qytetin sa herë është në drejti të tij.

Në tre muajt e parë janë dhënë  231 leje ndërtimi. Ajo çka po bën Erjon Veliaj me Tiranën është krimi më i madh që po i bëhet Tiranës.

Sa herë që PS vjen në pushtet, Tirana shkatërrohet, Tirana betonizohet.

Dhe tani duke larë edhe paratë e drogës që ata e mbollën, e korrën, e eksportuan dhe tani duan të bëjnë pastrimin e parave.

Të gjitha projektet që i nisi Lulzim Basha, merita e vetme e Erjon Velisë është që i privatizoi dhe i shpalli si të tijat.

Projekte që i bllokoi Edi Rama dhe del Erjon Veliaj sot duke u dukur si një kryetar bashkie që po bën punë për Tiranën, por pas fasadës me ngjyra e biçikleta, me pemë që po mbjell, po vjen vdekja e qytetit të Tiranës. Nuk them, vetëm vdekja kulturore, vdekja historike por edhe në kuptimin fizik të fjalës. Sepse ai me gjithë këto ndërtime, me betonizimin e Tiranës po shkakton një krim shumë të madh. Po shkatërron Tiranën.

Read More
18 Qer
0

Urdhri kriminal i Edi Ramës për të nderuar atentatorin e Azem Hajdarit, është rilindje e së shkuarës më antieuropiane të vendit!

 Deklaratë e nënkryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gent Strazimiri

Në një akt të pashembullt dhe kriminal, Edvin Kristaq Rama shpalli sot Qytetar Nderi të Hasit atentatorin e Liderit të Lëvizjes së Dhjetorit Azem Hajdari.

Vendimi i përfaqësuesve të Edi Ramës në Këshillin Bashkiak të Hasit u mor 3 ditë pasi Partia Demokratike i bëri thirrje Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë të ndalojë vendimmarrjen kriminale të këshilltarëve, të cilët janë plotësisht nën kontrollin e tij.

Prandaj, Edvin Kristaq Rama nuk fshihet dot sot dhe as mund të lajë duart si Pilati!

Partia Demokratike e konsideron atë vetë, autorin e vendimit kriminal që nderoi me titullin më të lartë atentatorin e Tribunit të Demokracisë Azem Hajdari, që bashkë më studentët dhe qytetarët e Tiranës, rrëzuan regjimin e etërve të këtyre që drejtojnë sot vendin.

Vendimi për të nderuar vrasësin e Azem Hajdarit është gjest revanshi i bijve të kupolës së bandës së xhahilëve, që sundoi për 46 vjet mbi gjakun e këtij populli;

Është vendim i Edvin Kristaq Ramës, i Ditmir Sulejman Bushatit, i Ilir Hamit Beqjes, i Ministrit të Brendshëm të Ramiz Alisë, Gramoz Ruçi, i hetuesit torturues të komunizmit kundër Lëvizjes Studentore Fatmir Xhafaj, e i sa e sa të tjerëve, oficerë Sigurimi e persekutorë e vrasës, të genit më të mirë të këtij kombi.

Vendimi i Edvin Kristaq Ramës për të nderuar atentatorin e Azem Hajdarit është:

  • Rilindje e mëkateve, krimeve monstruoze, perversitetit, injorancës
  • Rilindje e së shkuarës më të përgjakshme të këtij vendi.
  • Rilindje e anti-Evropës, anti-Amerikës, anti-Perëndimit, i ‘politikës’ së etërve.
  • Rikonfirmim i politikës së kriminelëve dhe kriminalizimit deri në memorie.

Edvin Kristaq Rama që sot përpiqet të lajë duart si Pilati, është urdhërdhënësi, frymëzuesi dhe projektuesi i këtij vendimi kriminal, që rrënon çdo shpresë për rikthimin e një situate normale politike në vend.

Është ai, i njëjti, që ne cilësinë e Kryebashkiakut të Tiranës, e njëkohësisht të kreut të PS, refuzoi 2 m2 vend për bustin e Azem Hajdarit, duke e konsideruar atë ‘ndërtim pa leje’!

I biri i vrasësit të Havzi Nelës, duhet ta dijë se po shkon me shpejtësi drejt një, dhe vetëm një fundi të pashmangshëm, fund në të cilin do ta marrë përgjigjen, në emër të të gjallëve dhe të të vdekurve të kësaj partie, e që po e kërkon me ngulm!

 

Read More
14 Qer
0

Atentatori i Azem Hajdarit, “Qytetar Nderi” i Hasit.

Deklaratë e deputetit Flamur Noka

Dy dekada pas atentatit brenda në Parlament kundër Azem Hajdarit, atentatori, deputeti i Partisë Socialiste në atë kohë, Gafurr Mazreku propozohet nga Edi Rama per t’i dhënë titullin “Qytetar Nderi”.

Partia Demokratike disponon propozimin që Kryetari i Bashkisë së Hasit i ka bërë Këshillit Bashkiak për të nderuar një vrasës si Gafurr Mazreku me titullin më të lartë që mund të japë pushteti lokal.

Nderimi i një deputeti që ka përdorur armën brenda sallës së Parlamentit kundër Azem Hajdarit është modeli që Edi Rama ka ndjekur që kur ka ardhur në pushtet.

Është modeli që nderon dhe i jep pushtet kriminelëve në parlament, qeveri dhe bashki, siç është rasti i Elvis Roshit, Mark Frrokut, Arben Ndokës dhe të tjerëve si ata.

Është modeli që mbron krimin të lidhur me qeverinë, siç është rasti i saimir Tahirit dhe Agron e Fatmir Xhafës.

Mbledhja e Këshillit Bashkiak është parashikuar për të hënën, prandaj ne i bëjmë sot thirrje Edi Ramës të tërhiqet nga ky vendim skandaloz që vret për herë të dytë Liderin e Lëvizjes së Dhjetorit Azem Hajdari.

Read More
14 Qer
0

9 ditë pas themelimit, kompania e mikut të Edi Ramës merr liçencën e “Air Albania” me investim 100 mijë lekë.

Deklaratë e deputetes Jorida Tabaku

Në një akt klientelist dhe korruptiv, Edi Rama i ka dhënë mikut të tij vlonjat Sinan Idrizi pronësinë e kompanisë shqiptare Air Albania me një investim prej vetëm 100 mijë lekësh.

Kompania fantazëm është krijuar vetëm 9 ditë përpara daljes së vendimit të posaçëm të qeverisë, duke treguar qartë se gjithçka ishte e paracaktuar, pa garë, jo transparente dhe antiligjore.

Kompanisë me fond vetëm prej 100 mijë lekësh, Edi Rama i ka vënë në dispozicion kompaninë shtetërore Albcontroll, e cila do të financojë një kompani private klienteliste të lidhur me kryeministrin.

Kjo është e njëjta kompani që Partia Demokrastike e denoncoi në janar si pjesë të aferës korruptive me Aeroportin e Vlorës dhe një kompani turke. Përpara marrëveshjes për aeroportin e ri, Edi Rama është shoqëruar në Turqi nga Sinan Idrizi.

Siç duket në këtë foto, pronari i kompanisë fantazëm Air Albania, është në një takim të nivelit të lartë me Presidentin Erdogan dhe kryeministrin Rama.

Janë disa pyetje për të cilat Edi Rama duhet të japë disa përgjigje:

  • Të kujt janë paratë e Air Albania?
  • Për llogari të kujt punon Sinan Idrizi?
  • Paratë e kujt po pastron miku i Edi Ramës?
  • A po investohen tek Air Albania para të pista të familjes Rama dhe të ndonjë fondacioni të dyshimtë?

Janë të tilla afera gjigande korruptive që mbajnë peng hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Peshqit e mëdhenj janë në krye të qeverisë dhe pa largimin e tyre nuk do të ketë as Shqipëri Europiane.

Read More
13 Qer
0

Familjet e protestuesve kuksianë që mbahen në burg jetojnë në varfëri.

Sekretari i aksionit politik Ervin Salianji vizitoi familjet e dy prej kuksianëve të protestës të cilët mbahen padrejtësisht në burg, Vasil Laçi dhe Isuf Gashi.

Situata e tyre është shumë e vështirë dhe burgosja ka shtuar më shumë varfërinë dhe borxhet në familjet e tyre në Kukës.

Babai i Isuf Gashit tregon se për çdo vizitë në Tiranë tek djali në burg merr 100 mijë lekë borxh.

Familja e Vasil Laçit ka dy fëmijë. Askush nuk është në pune dhe ata jetojnë me ndihma nga të afërmit në një shtepi që ka vetëm 4 muret.

Salianji tha se “Në burg sot për shkak se shkel ligjin duhet të jetë Edi Rama dhe ata që bëjnë miliona euro në kurriz te me te varfërve te vendit. Ne jemi këtu për t’ju thënë që jo vetëm nuk do t’ju harrojmë dhe do të japim ndihmë deri në fund, sepse janë heronj për Shqipërinë dhe kanë vendosur një gur të rëndësishëm me atë akt që kanë bërë. Ai tregoi se zotër janë shqiptarët, qytetarët dhe, pavarësisht se janë të varfër e nuk kanë mundësi për jetesën, prapë reagojnë dhe tregojnë se ky vend për zot ka shqiptarët. Nuk është pronar as Edi Rama, as këta të konçesionarit”

Read More
12 Qer
0

Rama, Tahiri, Xhafaj janë sot pengesat kryesore të integrimit në Bashkimin Europian dhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit

  • Mesazhi i zv/kryetarit të Grupit Parlamentar CDU/CSU tregoi se Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë kusht për hapjen e negociatave dhe se strategjia e Ramës për të gënjyer me fasadën e rreme ka dështuar. 
  • Wadephul renditi 7 kushte për negociatat, mes të cilave zhbllokimin e Gjykatës Kushtetuese dhe krijimin e SPAK, luftën ndaj trafikut të drogës, reformën zgjedhore, kapjen e peshqve të mëdhenj si Tahiri, largimin e Xhafajt. 

Deklaratë e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Të dashur bashkëqytetarë,

Kur na ndajnë vetëm 2 javë nga vendimi për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në familjen europiane, mesazhet e Europës po bëhen çdo ditë e më të qarta.

Hapja e negociatave dhe integrimi i Shqipërisë në BE nuk është proces reklamash dhe lobimesh personale. Është një proces i vërtetë i veprimit dhe sjelljes si europiane.

Strategjia e Edi Ramës, përmes krijimit të një fasade të rremë që gjërat në Shqipëri shkojnë mire, ka dështuar. Fasada ka rënë. Qeveria është lakuriq para botës.

Sot nuk ecin më gënjeshtrat, mashtrimet, kërcënimet dhe fajësimet e të tjerëve.

Mesazhet e djeshme të zv/kryetarit të Grupit Parlamentar CDU/CSU se Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë kusht për hapjen e negociatave, se Tahiri është peshk i madh dhe Xhafaj duhet të largohet, janë pasqyra e vërtetë e gjendjes në Shqipëri dhe prova se gënjeshtrat nuk ecin.

Numri dy i Kancelares Merkel në Grupin Parlamentar CDU/CSU, Dr. Johann David Wadephul, Zv. Kryetari i Grupit Parlamentar CDU/CSU ne Bundestag, përgjegjës për politikën e jashtme, të sigurisë dhe Këshillin e Europës, dhe Kreu i Grupit te Punës për Ballkanin Perëndimor foli qartë kur deklaroi se:

  1. Duhet të zhbllokohet Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë dhe të krijohet SPAK.
  1. Është rritur trafiku i të gjitha drogave.
  1. Reforma zgjedhore kusht i rëndësishëm për hapjen e negociatave.
  1. Emërimet në administratë, janë në shkelje të ligjit.
  1. Peshqit e mëdhenj janë të paprekur, në rrjetë kanë rënë vetëm peshq të vegjël.
  1. Tahiri është peshk i madh. Çështja e tij është një pengesë reale për hapjen e negociatave.
  1. Fatmir Xhafaj është në konflikt interesi dhe vazhdimi i tij në detyrë bie ndesh me standardet europiane të sundimit të ligjit, rrjedhimisht dhe mos largimi i tij është pengesë për hapjen e negociatave.

Wadephul tregoi se e vetmja gjë që na shpëton është e vërteta.

Zgjedhja që kemi sot përpara nesh është e qartë:

Nëse duam Europën, Samir Tahiri duhet të jetë aty ku e kanë vendin trafikantët dhe pushtetarët e lidhur me trafikantët.

Nëse duam Europën Fatmir Xhafaj duhet të largohet.

Nëse duam Europën, qeveria duhet të luftojë dhe jo të mbrojë korrupsionin, krimin dhe trafikantët.

Nëse duam Europën, duhet të bëjmë reformë zgjedhore dhe të ndalim njëherë e përgjithmonë shitblerjen e votës dhe manipulimin e zgjedhjeve.

Rama, Tahiri, Xhafaj janë sot pengesat kryesore të integrimit në BE.

Është e qartë se çfarë duan shqiptarët:

Shqiptarët duan Europën. Shqiptarët duan hapjen e negociatave.

Ndaj është urgjent largimi i Fatmir Xhafës dhe dhënia fund e mbrojtjes politike që Rama po i bën Saimir Tahirit. Zgjedhja është e shqiptarëve dhe jo e Edi Ramës. Edi Rama duhet t’i bindet vullnetit të njerëzve ose të largohet.

Read More
10 Qer
0

Deklaratë e kryetares së Komisionit të Edukimit dhe Medias, Albana Vokshi

Jam këtu në emër të Partisë Demokratike dhe në cilësinë e Kryetares së Komisionit Parlamentar të Kulturës për të denoncuar veprimet korruptive të Kryeministrit Edi Rama, Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro dhe Kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj për të shembur Teatrin Kombëtar dhe për ta pushtuar qëndrën historike të Tiranës me kullat e sponsorëve, që i mbajnë në pushtet.

Ministria e Kulturës në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë ka publikuar për konsultim projektligjin për përcaktimin e një procedure të vecantë negociimi me Kompaninë Fusha Sh.pk, të cilës do t’i jepet falas e gjithë qëdra historike e Tiranës, për të shembur teatrin Kombëtar dhe për të ndërtuar kulla biznesi.

Projektligji bie ndesh me Kushtetutën, ligjin nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, si dhe ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.

Ky është një rast i paprecedent!! Ndërkohë që ekziston një ligj i posaçëm që rregullon këtë proces për realizimin e një projekti sipas procedurës së partneritertit Publik – Privat (ligji nr. 125/2013), Rama ka hartuar një ligj tjetër të posaçëm, që rregullon vetëm një rast individual, një projekt konkret, duke synuar shmangien e rregullave të paracaktuara dhe që kanë si synim mbrojtjen e interesit publik. Pra, qëllimi I vetëm është të realizohet një projekt I klientit të Ramës, jashtë cdo procedure që parashikon Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi.

Rama ka hartuar këtë ligj të posacëm vetëm për të shmangur përgjegjësinë penale të personave të përfshirë në këtë aferë korruptive, dhe për të ligjëruar shkeljet flagrante të ligjit që janë kryer, po kryhen apo do të kryhen në realizimin e këtij projekti.

Ky pr.ligj bën realitet një plan të kahershë, 20 vjecar të Ramës, pasi miratimi i tij nënkupton shembjen e menjëhershme të Teatrit aktual Kombëtar, ndërtimin e Teatrit të ri, shoqëruar me ngritjen e disa kullave të larta, në qendrën historike të Tiranës, për interesa të subjektit privat Fusha sipas një procedure të vecantë, në shkelje të Kushtetutës, dhe legjislacionit në fuqi. Kjo rrëzon të gjitha deklaratat e Ministrit të Kulturës dhe Kryetarit të Bashkisë Tiranë, që projekti ishte vetëm një ide për nisjen e procedurës (një propozim i pakërkuar), dhe se procesi do të ndiqet sipas legjislacionit shqiptar në fuqi.

Me anë të këtij pr.ligji, Rama pranon automatikisht, projektin e prezantuar nga subjekti privat “Fusha” sh.p.k., pa iu nënshtruar asnjë procesi konkurimi apo gare të hapur pa asnjë procedurë konsultimi me grupet e interesit, apo me qytetarët, edhe pse ai përfshin tjetërsimin e pasurive publike dhe prishjen e Teatrit Kombëtar, që është monument kulture dhe paraqet vlera të veçanta, që mbrohen nga legjislacioni në fuqi. Ky pr.ligj nuk lejon garë, dhe Eleminimi i garës, provon që qëllimi nuk është ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar, por vënia në jetë e një projekti të errët, klientelist privat, duke dëmtuar rëndë në këtë mënyrë interesin publik, që sigurohet vetëm nëpërmjet një procedure konkurime të hapur.

Së katërti, ky pr.ligj tjetërson pronat publike pa transparencë dhe pa një proces konkurimi. Ministrat e Ramës (dhe jo ligji), do të bëjnë vlerësimin mbi tjetërsimin e pronave në pronësi të pushtetit qendror apo vendore për realizimin e këtij projekti I cili do të ketë një process farsë negociimi të  të paracaktuar pa asnjë transparence Në krye të grupit të negocimit ka vënë Kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Velia I cili I zhytur në konflikt interesi, do negociojën me partnerin e tij privat “Fusha sh.p.k.”, propozimin e paraqitur nga Fusha shpk, me termat e përcaktuara nga Fusha, dhe në kushtet e urgjencës brenda një afati kohor prej 30 ditësh.

Duke mos patur këtë shumicën prej 3/5 në Këshillin Bashkiak Tiranë që ligji I qeverisjes vendore përcakton, Rama thjesht e shmang atë nga kompetenca që të vendosë për tjetërsimin e pronave në pronësi të Bashkisë Tiranë, me 3/5 e votave të anëtarëve të Këshillit Bashkiak dhe parashikon që kushtet e kontratës së negociuar të kalojnë me dhënie pëlqimi në parim nga Këshilli Bashkiak me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të këshillit në shkelje të nenit 113 dhe 116 të Kushtetutës dhe nenit 54 i ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.

Duke qenë se ka paracaktuar fituesin, Edi Rama nuk mund të kërkojë as konsensusin dhe as të realizojë një procedurë konkurruese ligjore, për këtë arsye propozon ai shkel kushtetutën, shkel ligjet me këtë projektligj të posaçëm, duke e shndërruar Kuvendin në noter të një marrëveshje korruptive dhe klienteliste të tij me një subjekt privat.

Të gjitha këto tregojnë qartë, se Kryeministri Edi Rama ka vepruar në tejkalim flagrant të kompetencave të tij, duke marrë përgjegjësitë e institucioneve të posaçme, që ngarkon ligji nr. 125/2013, për realizimin e një projekti partneriteti publik privat.​

Kryeministri, Ministrja e Kulturës dhe Kryetari i Bashkisë Tiranë, kanë kryer deri në këtë moment, veprime dhe mosveprime, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, dhe që kanë dëmtuar interesat e shtetit shqiptar, dhe nga ana tjetër i kanë krijuar përfitime një subjekti privat. Kujtojmë këtu që është i njëjti subject privat që dyshohet i ka mbyllur në prokurori Veliajt cështjen e të ndjerit Ardit Gjoklaj që humbi jetën në mënyrë tragjike në Landfillin e Sharrës, si dhe ka përfituar dhjetëra mln EURO nga Bashkia për punimet në Sheshin Skënderbej.

Këto veprime dhe mosveprime, përbëjnë vepër penale, dhe organi i prokurorisë duhet të veprojë menjëherë, duke nisur procedim penal dhe vendosur si masë parandaluese edhe bllokimin e cdo veprimi të mëtejshëm mbi realizimin e këtij projekti. K

Projektligji është haptazi antikushtetues, mirëpo sot vendi është pa Gjykatë Kushtetuese. Prandaj Edi Rama e ka eleminuar Gjykatën Kushtetuese dhe ka bllokuar plotësimin e saj, me qëllim që të grabisë i qetë pronat publike e private.

Kryeministri, Ministrja e Kulturës dhe Kryetari i Bashkisë Tiranë, duhet të hetohen dhe dënohen jo vetëm për “shpërdorim detyre”, por edhe për veprime të dyshuara korruptive, ku prokuroria duhet të dokumentojë motivet ekstraligjore që shtyjnë Kryeministrin, Ministren e Kulturës dhe Kryetarin e Bashkisë Tiranë, që të shkelin ligjin për llogari të përfitimit të një subjekti privat.

Read More