Blog

19 Tet
0

Anëtarët e PD: Të mblidhet urgjentisht Komisioni i Imunitetit, Tahiri dhe Rama po prishin provat e krimit

Anëtarët e PD në Komisionin e Rregullores, Imunitetit dhe Mandateve u paraqitën në Kryesinë e Kuvendit, ku kërkojnë mbledhjen urgjente të këtij komisioni, pasi cdo minut që kalon, Edi Rama dhe Tahiri e shfrytëzojnë për prishjen e provave të krimit.

“Kërkojmë menjëherë që tani mbledhjen e Këshillit për Rregulloren Imunitetin dhe Mandatet, për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm për arrestimin e Saimir Tahirit. Çdo minutë që kalon shërben për të shkatërruar provat e krimit që lidhin Tahirin me Edi Ramën. Çdo minutë që kalon i shërben krimit dhe është kundër drejtësisë dhe kundër qytetarëve. Ndaj i bëjmë thirrje Gramoz Ruçit që të fillojë menjëherë mbledhjen e Këshillit të Rregullores, Imunitetit dhe Mandateve për të shqyrtuar menjëherë, tani kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm”, u shpreh Eduard Halimi.​

Read More
19 Tet
0

Deklaratë e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Prokuroria e Krimeve të Rënda sapo ka njoftuar depozitimin në Kuvendin e Shqipërisë të kërkesës për heqjen e imunitetit, arrestimin dhe kontrollin e banesës të deputetit Saimir Tahiri.

I bëj thirrje Kuvendit të veprojë menjëherë.

I bëj thirrje Kuvendit të mbledhë menjëherë Komisionin e Mandateve dhe seancën plenare për të vepruar pa vonesë.

Çdo minutë, çdo orë vonesë do të shërbejë për shkatërrimin e provave.

Sot është koha që çdo shqiptar i ndershëm, çdo deputet në Kuvendin e Shqipërisë që ndihet përgjegjës para tyre, të veprojë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën. Arrestimi i Saimir Tahirit është vetëm hapi i parë. Në fakt, që prej këtij momenti, qeverisja e Edi Ramës ka mbaruar de fakto.

Çdo ditë e qendrimit të tij si kryeministër është agoni për të gjithë Shqipërinë. Vetë Edi Rama është sot i vdekur politikisht, një kufomë politike që sillet vërdallë dhe flet si njeri i ç’ekulibruar.

Partia Socialiste është sot në buzë të greminës nëse nuk shkëputet nga Edi Rama dhe grupi kriminal që ai solli në krye të Partisë Socialiste. Thirrja ime është për mbledhjen e menjëhershme të Komisionit të Mandateve, dhe të seancës plenare, për të votuar heqjen e imunitetit, që do ti hapë rrugë arrestimit të menjëhershëm të Saimir Tahirit. Thirrja ime është për largimin e menjëhershëm të Edi Ramës nga posti i kryeministrit. Koha nuk pret.

 

 

Read More
19 Tet
0

Prononcimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Dua ta nis me një përgëzim për prokurorinë e krimeve të rënda, Shërbimin  Informativ të Shtetit dhe partnerët e huaj, të cilët bënë të mundur kapjen e një sasie droge rekord në Vlorë, pronë e klanit Habilaj –Tahiri –Rama dhe, t’u bëj thirrje organeve të zbatimit të ligjit, organeve të drejtësisë, prokurorisë në mënyrë të vecantë, të veprojnë pa vonesë në administrimin e këtyre provave dhe për vënien e autorëve para përgjegjësisë.

Pas arrestimit të Moisi Habilaj në Itali, prokuroria dhe organet e drejtësisë duhet të veprojnë pa vonesë për të vënë prapa hekurave dhe para përgjegjësisë të gjithë anëtarët e këtij klani të rrezikshëm mafioz, të sekuestrojnë pasuritë e tyre dhe të veprojnë me vendosmëri për vënien para përgjegjësisë të kokave politike të këtij klani, duke nisur me Sajmir Tahirin.

Ka 48 orë që fakte tronditëse të lidhjes së drejtpërdrejtë dhe bashkëpunimit të Sajmir Tahirit me këtë bandë kriminale, janë bërë publike botërisht, ndaj cdo vonesë në këtë drejtim, është e pafalshme.

Duke mirëkuptuar sekretin hetimor i kërkojmë Prokurorisë të mirëkuptojë domosdoshmërinë dhe nevojën e publikut për transparencë totale në këtë hetim me rëndësi jetike për të nesërmen e Shqipërisë

Së dyti dua të dënoj përpjekjet e Haki Cakos dhe kupolës së korruptuar të Policisë së Shtetit, për të tërhequr vemendjen nga ky operacion i suksesshëm, që pati sukses pikërisht për shkak të izolimit të segmenteve të korruptuara të policisë deri në castin e fundit, deri atëherë kur ata nuk mund të paralajmëronin dhe të pengonin këtë aksion të suksesshëm.

Ka kaluar një muaj që kur unë, PD dhe opozita dhe mbarë opinioni kemi denoncuar me revoltë të madhe ngjarjen e tmerrshme të Elbasanit, që tregoi me figurë sesi ky shtet, shteti i Edi Ramës, është vënë përfund nga mafia.

Veprimet e Haki Çakos të ndërmarra sot nuk janë thjesht të vonuara, ato janë të pavend.

Haki Çako sot në mos duhet të ishte dorëhequr, duhet të ishte shkarkuar. Ai dhe kupola e policisë duhet të gjendeshin para drejtësisë. Kjo nuk mund të ndodhë sa kohë që Ministria e Brendshme vazhdon të drejtohet nga një njeri në konflikt interesi, siç është Fatmir Xhafaj, vëllai i Agron Xhafajt, kreut të klanit tjetër mafioz dhe kriminal në Vlorë, i cili kërkohet për ekstradim nga autoritetet italiane për shkak të dënimeve të tij në Itali në lidhje me trafikun e kokainës.

Dhe kjo, natyrisht, nuk mund të ndodhë sa kohë që në krye të kupolës është Edi Rama.

4 tonëshi i kapur sot është maja e ajsbergut. 2.5 milionë rrënjë të deklaruara nga Policia e Shtetit përkthehen në 10 mijë tonë. Pra, 4 tonë nuk është as më pak, as më shumë se 2.5% e sasisë së drogës që menaxhon sot kupola e korruptuar e Policisë së Shtetit për llogari të Saimir Tahirit, të Agron Xhafajt dhe vëllait të tij, Ministrit të ri të Brendshëm, dhe natyrisht, për llogari të Edi Ramës, i cili është përfituesi i drejtpërdrejtë i qindra-milionë eurove të kësaj droge, të përdorura siç vërtetojnë dhe përgjimet italiane në zgjedhjet e 25 qershorit.

Ndaj ka vetëm një rrugë për të nxjerrë vendin nga kriza e thellë e ilegjitimitetit, largimi i Edi Ramës, formimi i një qeverie anti-mafia, me mbështetje të të gjitha forcave politike, e cila do të shembë lidhjet e kupolës mafioze në krye të qeverisë shqiptare, lidhjet e krimit me politikën dhe do të përgatisë përmes një reforme zgjedhore, zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të kthyer legjitimitetin në vend.

Pyetje: z.Basha ku ndryshon krijimi i qeverisë për reformën zgjedhore nga kërkesa për krijimin e qeverisë teknike?

Basha: Nuk dua të hyj në modalitete që i takojnë pastaj tryezës së partive politike. Hapi i parë dhe i domosdoshëm është largimi i menjëhershëm i Edi Ramës si përgjegjësi politik dhe njeriu që ka mbrojtur për këto 4 vite krimin e kupolës mafioze-politike dhe e ka drejtuar atë, për përfitimet e tij, politike dhe financiare.

Pyetje: z.Rama për pothuajse për 4 vjet nuk e largoi z.Tahiri ndërkohë që e kishte ministër, ndërkohë që ju i bënit këto denoncime. Tashmë publikimet faktojnë një pjesë të asaj që i keni thënë ju. Keni paralajmëruar se do të ketë edhe dosje të ministrave të tjerë që mund të publikohen. Ku i keni pritshmëritë, për ta përmbledhur, që Edi Rama mund të largohet? Pse duhet të bindet ai për t’u larguar kur ai sapo është konfirmuar kryeministër? 

Basha: Duket qartë nga përgjimet e dosjes “Habilaj-Tahiri” se si ka funksionuar mekanizmi. Shqiptarët e kanë parë, e kanë lexuar, ju e keni parë dhe dëgjuar me sytë tuaj, se si kjo bandë kriminale ka ndihmuar në financimin e zgjedhjeve të 25 qershorit dhe zgjedhjeve të 2015–tës. Edi Rama është kapur në flagrancë, qeveria e tij është kapur në flagrancë si bashkëpunëtore e krimit.

Dhe kreu i këtij narko-shteti është Edi Rama. Pa dijeninë e tij, pa bekimin e tij, pa lejen e tij dhe pa përfitimin e tij direkt, krimi nuk do mund të diktonte emërimet e policisë, kriminelët nuk do të tregonin me gisht furgonat e policisë si pronë e tyre apo të kishin njerëzit e tyre brenda qendrës së radarëve dhe të lajmëroheshin për çdo lëvizje skafesh. Të gjitha këto, janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Edi Ramës. Nuk ka shqiptar të besojë se këto janë bërë në kokë të vet nga Saimir Tahiri, apo nga Fatmir Xhafa, apo nga Haki Çako, apo nga drejtorë të tjerë të policisë. Pas Saimir Tahirit, pas çdo Halilaj, Balilaj, Shullazi, pas çdo oficeri të lartë të korruptuar të Policisë së Shtetit, është vetë Edi Rama dhe Edi Rama është koka që mban të lidhur të gjithë këta faktorë interesi.

Ndaj, largimi i tij është domosdoshmëri absolute për luftën e vërtetë kundër mafias, për të shembur lidhjet e krimit me politikën dhe për ti hapur rrugën një qeverie legjitime që gëzon mbështetje të vërtetë popullore dhe jo një qeverie të ardhur me votën e më pak se 20% të shqiptarëve dhe me qindra miliona euro të krimit. Prandaj, hapi i parë dhe i domosdoshëm, është largimi i Edi Ramës, krijimi i një qeverie anti-mafie dhe shkëputja, shembja e lidhjeve të mafies me politikën.

Të gjitha operacionet e sukseshme antimafia janë zhvilluar për shkak të partnerëve tanë. Kjo është e vërteta për operacionin e djeshëm në Vlorë, kjo është e vërteta për Xibrakën, sepse Edi Rama në vend që të luftonte apo parandalonte këto operacione të mafies me grumbullime disa tonëshe të drogës apo me ndërtimin e fabrikave të kokainës, ka qënë drejtpërdrejtë i interesuar në mbrojtjen e tyre. Prej më shumë se dy vitesh, Partia Demokratike dhe eksponentë të saj kanë denoncuar përfshirjen edhe të familjarëve të Edi Ramës, të cilët faktohen se kanë lëvizur me të njëjtat automjete që kanë lëvizur bosët e fabrikës së kokainës. Edi Rama ka heshtur. Edi Rama nuk ka marrë asnjë përgjegjësi. Edi Rama mohon dhe kërkon ti ikë kësaj përgjegjësie, për një arsye të vetme, sepse ai është përgjegjësi kryesor. Dhe kjo përgjegjësi nuk mund të shuhet as duke arrestuar dhe as duke e lënë të lirë Tahirin. Ne e dimë, kemi të dhëna se Edi Rama dhe Saimir Tahiri, aktualisht, po përpunojnë një marrdhënie dhe një marëveshje me njëri-tjetrin. Saimir Tahiri disponon fakte, të dhëna, përgjime, dokumente dhe filmime të përfshirjes direkte të Edi Ramës në marrdhënien me bandat mafioze dhe klanet mafioze të Shqipërisë. Ndaj, Edi Rama e ka jetike marrëveshjen me Saimir Tahirin, i cili, ndonëse i ekspozuar në mënyrë të pashpresë para opinionit publik dhe ligjit, do përpiqet tia hedhë me një kosto sado të ulët, dhe të dy të shpëtojnë paq e të vazhdojnë të manaxhojnë milionat e eurove dhe pushtetin politik. Kjo nuk mund të ndodhë. Kjo nuk duhet të ndodhë.

Ndaj as arrestimi i Saimir Tahirit, as procedimi i tij penal, as vënia para drejtësisë e peshqeve të tjerë të mëdhenj, nuk do të ketë sukses përsa kohë që, peshku më i madh, është ulur në karrigen e kryeministrit.  Faleminderit dhe besoj se ditët e kësaj jave do vazhdojnë me lajme të tjera të rëndësishme.​

Read More
18 Tet
0

Deklaratë e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas tryezës së Frontit të Bashkuar Opozitar

Fronti i Bashkuar Opozitar nga kjo tryezë ka dalë me një vendim të përbashkët dhe një qendrim të përbashkët, që sapo i është shpërndarë mediave dhe opinionit publik.

Vendimi është; krijimi i një Fronti të Bashkuar Opozitar kundër krimit, pjesë e të cilit me efekt të menjëhershëm janë të gjitha partitë politike që iu përgjigjen thirrjes time në këtë tryezë dhe ftesa qëndron e hapur për çdo parti tjetër politike dhe çdo faktor tjetër shoqëror, në veçanti për intelektualët e këtij vendi, shoqërinë civile, botën akademike, përfaqësuesit e medias.

Sepse, Shqipëria ndodhet para një gremine të vërtetë.

Si ndihet dikush që ka denoncuar 4 vite me radhë lidhjet e Edi Ramës dhe qeverisë së tij me krimin, kur këto faktohen dhe provohen, siç ndodhi me skandalin e djeshëm që është maja e ajsbergut të të vërtetave tronditëse për narko-shtetin dhe drejtuesin e këtij narko-shteti që është Edi Rama?

Këtë pyetje, nuk ia bëj thjesht vetes time, por dhjetra-qindra shqitarëve të ndershëm, që nga oficerët e ndershëm të Policisë, simboli i të cilëve sot është Dritan Zagani, tek gazetarët kurajozë dhe përfaqësuesit e tjerë të ndershëm, të organizatave joqeveritare dhe të faktorit politik që, për 4 vite me radhë, në krah të Partisë Demokratike dhe të opozitës kanë bërë betejë kryesore luftën për shembjen e kupolës mafioze-politike të drejtuar nga Edi Rama.

Sot shqiptarët kanë provat e pakundërshtueshme të kësaj marrdhënie krim dhe politikë, kanë provat e pakundërshtueshme se përfituesi kryesor i kanabizimit të vendit, i qindra-milionë eurove të drogës, është vetë Edi Ramës.

Kanë prova, se këto para janë përdorur për të kriminalizuar zgjedhjet përmes shitblerjes së votave dhe përdorimit të bandave kriminale për tjetërsimin e vullnetit të zgjedhësve.

Pyetja që i shtron vetes çdo shqiptar sot është:

Çfarë do të bëjmë më tej?

A mund të vazhdohet më kështu?

A mund ti besohet më rendi dhe siguria e përditshme e jetës së shqiptarëve dhe fëmijëve të tyre, kësaj kupole mafioze dhe kriminale në pushtet?

A mund të ketë çdo shqiptar i djathtë apo i majtë besim se është kjo qeveri dhe ky kryeministër të cilit i besohet për aq sa i takon, zbatimi i reformës në drejtësi?

A mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme me një kryeministër dhe një mazhorancë të kapur në flagrancë me prova dhe fakte të pakundërshtueshme si shkatërruesja e procesit zgjedhor në aleancë me krimin?

Përgjigja për çdo shqiptar është kjo:

Kjo është koha që të marrim sëbashku vendime të mëdha jo për partitë politike sot të pranishme në këtë tryezë, jo për fatin e Partisë Demokratike apo të partive të tjera politike të pranishëm në këtë tryezë, por për fatin e çdo shqiptari dhe fëmijëve të shqiptarëve nesër.

Fronti i Bashkuar Opozitar kërkon largimin  e kryeministrit Rama si drejtuesi, si përgjegjësi dhe drejtuesi i narko-shtetit, përfituesi i drejtpërdrejtë i lidhjeve të tij mafioze dhe ministrave të tij, me narko- trafikantët dhe trafikantët e armëve.

Fronti i Bashkuar Opozitar kërkon krijimin e një qeverie anti-mafia dhe të reformës zgjedhore me qëllim shembjen e lidhjeve të krimit me politikën dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si e vetmja rrugë për t’i kthyer legjitimitetin qeverisë.

Këto janë tre vendimet e sotme të tryezës që pata kënaqësinë dhe nderin ta thërras mbrëmjen e kaluar dhe mbi bazë të këtyre tre vendimeve, të gjithë faktorët politikë të pranishëm në këtë tryezë dhe çdokush tjetër, të cilit dhe të cilës i bëjmë aktivisht thirrje të bëhet pjesë e këti fronti të bashkuar opozitar, do të vendosim axhendën dhe kalendarin e veprimeve.

deklarata

Read More
18 Tet
0

Biznesi i vogël në Kavajë në alarm: Po u fut TVSH-ja, ulëm qepenat

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua me pronarë dhe të punësuar në biznesin e vogël në Kavajë, të cilët shprehen kundër futjes së tyre në skemën e pagesës së TVSH, pasi kjo do ti cojë drejt falimentimit për shkak të rritjes së shpenzimeve. Po ashtu kjo, do ti detyrojë të rrisin cmimet, që do të thotë se konsumi do bjerë dhe ata do humbin klientelën.

“Kam dalë që në 6.30, thotë Aliu, një tregtar peshku, nuk kam shitur gjë. Lek s’ka, gjë s’ka. Fukarallik dhe gazepllik gjithandej. Me na rrit taksat, do të ul qepenin. Që në ditën e parë që do thonë u miratua, do të ul qepenin dhe të iki”.

Basha: Ka edhe një rrugë tjetër.

“Rruga tjetër, të ngrihet populli atje. Ta shkundim një herë e mire”, thotë Aliu.

Dashi ka një biznes të vogël në qendër të qytetit.

“Kontabilist po, por sigurim këtu në vend të punës. Kontabilisti nuk diskutohet se ai t’i bën të gjitha llogaritë. Plus sigurimet muaj për muaj, dy vetë të siguruar. 3 milionë në vit, nuk diskutohet”, thotë ajo.

Basha: Po për çmimet?

“Cmimet do të ngrihen se s’bën. Sepse unë do të shpenzoj, po nxora do ngrej çmimin. Eshtë fare e thjeshtë”.

Lulzim Basha i thotë Besnikut, pronarit të një picerie të vogël, se ky projekt duhet ndalur:

“Jeni shumicë. Shumica e biznesit është biznes i vogël. Këta janë pakicë, janë pakicë e qeverisë, 20% e shqiptarëve e kanë votu dhe rritjen e TVSH-së për biznesin e vogël po e bëjnë për hesap të 10 vetave, 10 oligarkëve. Këtu çelësi është bashkimi. Po u bashkuam, këta nuk kanë çfarë të na bëjnë. Do të detyrohen të zbrapsen”, thotë Basha.

Besniku e di cili është qëllimi i këtij vendimi. “Qëllimi është me mbyll biznesin e vogël, nuk ka tjetër”.

Me futjen e biznesit të vogël në skemën e pagesës së TVSH nuk janë dakord as ato biznese që paguajnë TVSH tani.

“Do të bie fuqia blerëse. Në momentin që bie fuqia blerëse do të bëjmë më pak xhiro, do të çojmë më pak të ardhura në shtëpi, do të shpenzoj më pak për fëmijët e mi, për familjen, do të shtrëngoj rrypin akoma më tepër, e derisa të këputet fare”, thotë Lorenci, që ka një pikë shumice.

Paridi ka një dyqan të vogël celularësh. “Unë punoj për një rrogë me mbajt familjen, nëse ti këtë rrogë ma përgjysmon, apo më heq një pjesë nga kjo rrogë, do më detyrosh ose t’ia vë barrë klientit, ose ta mbyll, ose të iki te kryetari i Bashkisë. Se punë tjetër nuk ke çfarë të bësh”.

Kryetari i Partisë Demokratike i shpjegon Gertit, një i vetëpunësuar, projektin e tij.

“Ne duam që biznesi nën 12 milionë lek të reja për vit të mos paguajë fare TVSH. Vër pullën tek dera, punoni, t’i shërbeni njerëzve, mallrat e konsumit t’i shisni me çmime të arsyeshme dhe të nxirrni bukën e gojës, sepse vetëm për bukën e gojës punoni apo jo?”

Do të rriten çmimet, thotë Gerti. “Tek konsumatori do të shkojë çdo gjë. Do të përplaset aty. Unë do ta blej më shtrenjtë, do ta shes më shtrenjtë, konsumatori, pagat janë po ato. Po s’pati rritje pagash, po nuk u rritën, populli i shkretë do ta vuajë”.

E mbylla që të nesërmen, I thotë Bashës një I moshuar që ka një market të vogël, nëse futet TVSH-ja.

“E mbylla që të nesërmen. Me të thënë ai, me datë 3, ula qepenin, më mirë rri. Me u rrit TVSH filloi rritja që tek blloku i TVSH-së që e blen 3 mijë lek plus ekonomistin 100 mijë lek. Pa ekonomist nuk i mban dot letrat. Përveç këtyre, çdo ditë ke shpenzime jashtë mase”.

Rita është krejt e qartë për pasojat që do të ketë ky plan i qeverisë.

“Tani do të shtohet TVSH, do e paguaj se s’bën. Çmim blerje dhe shitje, atë do paguaj. Se e blej 20 lek, e shes 25, do të paguaj 5 lekëshin. Po ky 5 lekësh do të ikë nga buxheti im. Nëse unë me këtë biznes të vogël fitoj 50 lek, ose një pagë minimale 300 mijë lekësh, këtë 300 mijë lekësh nuk e fus më në xhepin tim. Ky 300 mijë lekësh do të më ikë për shtet. Do më mbetet 100 mijë lek, ku nuk e përballojmë dot jetesën”.

Gjatë takimeve me qytetarët, Basha ndalet nga Bajram Sereci, të cilit i kanë grabitur në shtëpi një muaj më parë, ku i kanë dhunuar edhe prindërit. Ai është i revoltuar sepse policia ende nuk ka gjetur autorët.

“Nuk do t’ia dijë njeri a u vodh a s’u vodh. Plakun e shkretë e masakruan. I kanë gjuajtur me tytë pistolete kokës. Çfarë janë këto. Çfarë Shqipërie është kjo? Ku po e çojmë Shqipërinë? Vetëm po degjenerohet, po fëlliqet për çfarë erdhe në shtëpi, erdhe për të na vra? Për mendimin tim, edhe për lekët edhe për të na vra. Çfarë bëhet këtu me këtë qeveri. Ku jemi e ku po shkojmë. Eshtë turp”, shprehet Bajrami.​

Read More
17 Tet
0

Skandali Habilaj-Tahiri, Rama përgjegjësi dhe përfituesi kryesor i trafikut të drogës

Të dashur bashkëqytetarë!
Ju keni parë sot në media me sytë tuaj, provat dhe faktet e Anti-Mafias Italiane që lidhin direkt Saimir Tahirin me  trafikun e drogës dhe të armëve.
Provat e hetimit nga anti-mafia italiane tregojnë se grupi narkotrafikant i drejtuar nga Moisi Habilaj, kushëriri  i Saimir Tahirit, i ka paguar shuma marramendëse në dorë Sajmir Tahirit, si dhe kanë përdorur për trafik droge, Audin e Saimir Tahirit dhe skafin e tij.
Provat e hetimit tregojnë se narkotrafikantët kanë kontribuar miliona euro në fushatën elektorale të Edi Ramës.
1400 herë Partia Demokratike e ka denoncuar Saimir Tahirin për lidhjet e tij me organizatat kriminale dhe trafikun e drogës. 1400 herë Edi Rama e ka mbrojtur Saimir Tahirin dhe ka sulmuar opozitën.
Edi Rama burgosi dhe sulmoi oficerin e antidrogës Dritan Zaganin kur ai denoncoi me fakte lidhjen e Tahirit me Habilajt. Sa herë dilnin në dritë fakte për lidhjet e Tahirit me bandat, Edi Rama e ka mbrojtur duke e quajtur Tahirin bashkëpunëtorin e tij me të ngushtë dhe ministrin e tij më të suksesshëm. Këto janë faktet.
Rama i ka dalë në krah Sajmir Tahirit për çdo akuzë, ndaj sot, nuk ka njeri që të mendojë që Tahiri ka bërë në kokë të vetë.
Sot Edi Rama e shiti Sajmir Tahirin vetëm për të shpëtuar lëkurën e tij.
Sepse, Tahiri ka qënë as me pak as më shumë se ndërmjetësi i Edi Ramës me Habilajt, Shullazin dhe banda të tjera mafioze në vend.
E vërteta është se Tahiri nuk është as më shumë as më pak se një nga peshqit e mëdhenj, anëtarët e sukseshëm të organizatës kriminalo-politike. Fakte tronditëse do të dalin në ditët dhe javët në vazhdim për të tjerë ministra të Edi Ramës.
Gjithçka është bërë me dijeninë dhe bekimin e Edi Ramës, që është përfituesi kryesor i parave të drogës së Habilajve. Vetë kriminelët pohojnë në përgjimet e antimafias se për të fituar zgjedhjet janë përdorur miliona euro.
Para shqiptarëve, sot, janë provat që tregojnë skemën sesi Edi Rama ka blerë zgjedhjet.
Këto janë faktet tronditëse para shqiptarëve dhe mbarë botës. Këto janë provat që tregojnë edhe skemën se si Edi Rama ka blerë votën dhe ka dhunuar zgjedhjet.
Për çdo shqiptar është e qartë se me Edi Ramën në qeveri dhe jo para drejtësisë, qeveria shqiptare do të vazhdojë të jetë karteli kryesor i krimit dhe drogës në Shqipëri.
Nesër Partia Demokratike do të thërrasë një tryezë me gjithë spektrin opozitar.
Për çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve politike po troket ora e ballafaqimit me të vërtetën. Po troket ora e vendimeve të mëdha. 
Deklaratë e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha: Me Edi Ramën në qeveri dhe jo para drejtësisë, qeveria shqiptare do të vazhdojë të jetë karteli kryesor i krimit dhe drogës në Shqipëri

Read More
17 Tet
0

Dosja e Plotë Hetimore Habilaj-Tahiri

 

Më poshtë gjeni dosjen e plotë nga autoritetet Italiane.

Dosja e Plotë në Italisht. 

 

 

Read More
17 Tet
0

Deklaratë e deputetit Eduard Halimi pas mbledhjes së Këshillit të Rregullores

Parlamenti sot ka në përbërje të tij deputetë me rekorde të tmerrshme kriminale, e cila është evidentuar qartë nga raprti i OSBE-së për zgjedhjet e 2017-ës, ku në faqen 11 parashikohet se deputetë me të dhëna kriminale janë futur në Parlament. Ka deputetë të cilët kanë lidhje me krimin dhe me njerëz të botës së krimit, ka deputetë të cilët kanë përfituar fonde publike në emër të tyre, apo familjarëve të tyre përfshirë dhe një situatë të rëndë që ka të bëjë me drejtimin arbitrar dhe arrogant të Parlamentit nga kryetari i Parlamentit. Këto janë çështje të cilat duhen adresuar dosmosdo në një kuadër rregullator si ky që mund të jetë “Kodi i Etikës së Parlamentit”.

Në këtë pikë pati diskutime edhe nga deputetë të mazhorancës dhe në përfundim u ra dakord që një grup pune me deputetë të Grupeve Parlamentare, të adresojë këto shqetësime që kanë të bëjnë me një hartimin e një kuadri ligjor, i cili të pastrojë Parlamentin nga deputetët me rekorde kriminale.

Deputetët të cilët kanë lidhje me krimin, lidhje familjare me krimin, lidhje shoqërore me krimin, janë financuar nga paratë e errëta të krimit të organizuar duhet të largohen  dhe të lënë mandatin.

Deputetë që kanë përfituar fonde publike, koçensione drejtpërdrejt, personalisht, apo nepërmjet fëmijëve të tyre, duhet të lënë mandatin dhe të largohen.

Drejtimi i Parlamentit dhe institucioni që do të menaxhojë të gjithë këtë proçes, duhet të përfshijë një rol substancial të opozitës në mënyrë që të jetë efektiv sipas modeleve perëndimore.

Këto janë çështjet që do të diskutohen nga grupi i punës që do të ngrihet dhe pastaj pas tre javësh ky grup do të paraqesë një dokument.

Ky ishte vullneti i opozitës në këtë Këshill, pra për të pastruar Parlamentin.

Read More
17 Tet
0

Provat e lidhjes së Ramës me narkomafian janë para syve të çdo shqiptari, po vjen ora e vendimeve të mëdha

Kam thirrur këtë konferencë për shtyp në orët e para të mëngjesit pasi Shqipëria ndodhet para shpërthimit të një skandali me përmasa historike, përsa i përket krimit të organizuar shqiptar dhe lidhjeve të këtij krimi me qeveritarët e sotëm.

Dje, pas muajsh dhe vite pune, policia italiane arrestoi Moisi Habilajn, kreun e një prej bandave më të rrezikshme dhe të fuqishme të trafikut të drogës midis Shqipërisë dhe Italisë.

Moisi Habilaj njihet po kështu si kushëriri i Saimir tahirit, për 4 vite Ministri i Brendshëm i Shqipërisë.

4 vite me radhë, Partia Demokratike ka denoncuar mbi 1 mijë e 400 herë lidhjet e Saimir Tahirit me narkotrafikun përmes bandës së Habilajve. Mbi 1 mijë e 400 herë Edi Rama e ka marrë në mbrotje Saimir Tahirin dhe ka refuzuar të ndërmarë hapat politikë dhe ligjorë, edhe atëhere kur lidhja e Saimir Tahirit me bandën e Habilajve u provua, siç ishte rasti i dëshmisë së Dritan Zaganit, kreut të Antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, i cili denoncoi se banda e Habilajve përdorte mes të tjerave automjetin personal të Saimir Tahirit, audin e famshëm, taksinë e drogës me imunitet ministror.

Prej 24 orësh, Edi Rama hesht.

Prej 24 orësh, në emër të opozitës dhe besoj gjithë shqiptarëve të ndershëm i kam bërë pyetjen; çfarë do të thuash tani që Moisi Habilaj ndodhet në pranga dhe i akuzuar si kreu i një prej bandave kryesore të narkotrafikut.

Partnerët strategjikë prej vitesh e prej muajsh i kanë vënë Edi Ramës në dispozicion materiale të pakundërshtueshme që faktojnë jo vetëm lidhjen por rolin e Saimir Tahirit si Ministër i Brendshëm, në trafikun e drogës mes Shqipërisë dhe Italisë.

Edi Rama ka refuzuar të ndërmarrë çdo lloj veprimi. Përkundrazi, e ka mbrojtur Ministrin e tij të Brendshëm dhe, në qeverisjen e tij të dytë, e ka graduar koordinator kombëtar për bashkëqeverisje me qytetartët.

Ne e dimë se është çështje orësh apo ditësh, para se të bëhen publike, faktet e vëna në dispozicion autoriteteve shqiptare për lidhjen e Saimir Tahirit dhe për përgjegjësinë e tij direkte për mbrotjen dhe promovimin e trafikut të drogës përmes bandës Habilaj. Ne e dimë se prej kohësh ato janë në dispozicion të Edi Ramës.

Pyetja që sot shtroj në emër të opozitës dhe në emër të çdo shqiptari të djathtë apo të majtë, është se çfarë pret Edi Rama ti vërë prangat, ta arrestojë e ta ekstradojë, në mos ta gjykojë këtu në Shqipëri, Saimir Tahirin, si një ndër kapitenët kryesorë të trafikut të drogës në 4 vitet e kaluara?

Natyrisht nuk pres përgjigje prej Edi Ramës.

Edi Rama e ka mbrojtur Saimir Tahirin këto 4 vite edhe pse e ka ditur se, ai, është protektor dhe përfitues i drejtpërdrejtë i trafikut të drogës, përmes bandës Habilaj dhe bandave të tjera të krimit të organizuar.

Edi Rama e ka bërë këtë me vetëdije të plotë, sepse paratë e drogës dhe muskuli kriminal i bandave, është përdorur nga Edi Rama bashkë me Saimir Tahirin gjatë zgjedhjeve të 2015-ës dhe në veçanti në zgjedhjet e 2017-ës.

Sot, jo vetëm Shqipëria, apo Italia por Europa dhe gjithë bota kanë përpara “corpus delicti”, faktet e pakundërshtueshëm të lidhjes së Edi Ramës dhe Saimir Tahirit me botën e errët dhe narkobandave shqiptare.

Jemi përpara vendimeve të rëndësishme.

Shqiptarët kanë dy rrugë;

Të ulin kokën e të pranojnë realitetin malinj që iu imponohet çdo ditë në rrugët e sheshet e qyteteve tona nga bandat që përdorin kallashët dhe tritolët për të larë hesapet me njëri-tjetrit, pavarësisht prej numrit të viktimave të pafajshme, dhe të fëmijëve që ndodhen në këto rruge, në këto sheshe të qyteteve dhe fshatrave tona, të pranojnë se ekonomia shqiptare e bashkë me ta edhe shqiptarët si krah pune të shndërrohen skllevër dhe burime përfitimi për bandat e narkotrafikut dhe qeveritarët e lidhur me ta, ose, së bashku të ngrihemi dhe të kërkojmë të drejtën tonë legjitime për të mos u qeverisur as nga bandat, as nga ministrat, as nga kryeministri i bërë njësh me ta.

Eshtë ora e vendimeve të mëdha.

Por sot, është dita që Saimir Tahiri të arrestohet dhe procesi gjyqësor ndaj tij të nisë pa vonesë.

Faktet janë publike, provat janë në tavolinën e Edi Ramës dhe me siguri do të bëhen publike në orët apo ditët në vijim.

 

Read More
16 Tet
0

Prononcimi i Kryetarit të PD, Lulzim Basha, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar

Tema kryesore e mbledhjes së grupit parlamentar ka qenë reforma zgjedhore. Zoti Bylykbashi ka paraqitur draft strategjinë e Partisë Demokratike e cila përmblidhet në një aksion politik, dekriminalizimi i zgjedhjeve.

Dekriminalizimi i zgjedhjeve dhe mbështetja totale për votën e emigrantëve si propozim i kahershëm i Partisë Demokratike. Po mbushen 8 vite që PD ka propozuar votën e emigrantëve.

Janë dy pra shtyllat kryesore të reformës zgjedhore: Dekriminalizimi i zgjedhjeve- vota e emigrantëve.

Çështja e dytë që kemi diskutuar me prioritet, ka qenë amendamenti që do t’i përcillet Kuvendit për financimin nga buxheti i shtetit të gjithë librave të shkollës për fëmijët nga klasa e parë deri në klasën e nëntë. Çështja e tretë ka të bëjë me disa ligje të propozuara nga mazhoranca, që synojnë përkeqësimin e kontrollit të qeverisë në sektorin e noterëve publik në funksion të aleancës së krimit politik dhe roli që ka kupola politike në këtë bashkëpunim mafioz. Kemi diskutuar një sërë çështjesh të tjera, që do të trajtohen në komisione. Pra, puna në komisione do të vazhdojë dhe këtë javë dhe padyshim edhe qendrimet tona në këto komisione dhe në seancën plenare të javës së ardhshme, beteja jonë për shkëputjen e lidhjes krim- shtet, do të vazhdojë. Ne ju ftojmë edhe një herë të gjithë ju, mediat në veçanti, gazetarët e ndershëm dhe kurajozë shqiptarë të mos jepen para presionit të gjithanshëm që e dime, është i pranishëm në aktivitetin tuaj. Vetëm te enjten e kaluar një nga gazetarët kurajozë, Artan Hoxha bëri me dije se pas arrestimit të Durim Kecit, persona me imunitet janë paraqitur në komisariatin e policisë për t’i ushtruar presion politik policisë.

Në dijeninë tonë, bëhet fjalë për kryetarin e bashkisë së Durrësit dhe përfituesin direkt të bandave të Durrësit, Vangjush Dako, dhe të paktën një deputet të PS . Këto janë prova dhe fakte që flasin qartë se krimi i organizuar shqiptar dhe mafia shqiptare, kanë te kjo qeveri dhe te ky kryeministër, një mbrojtës dhe një promovues të interesave të tyre. Beteja më jetike e shtetit shqiptar, për shoqërinë shqiptare, për familjet shqiptare dhe për shqiptarët e thjeshtë dhe të zakonshëm, është beteja për të larguar nga karriket e pushtetit ata që janë bërë njësh me krimin e organizuar, kryeministrin Rama dhe mashat e tij në pushtet.

Së fundmi, do të doja t’i jepja një përgjigje për çoroditjen totale dhe panikun që e ka kapur për çështjen e TVSH. Në këtë çoroditje, çekuilibrim total, nuk e di se çfarë thotë. I referohet statusit të një deputeti që e ka çorientuar në fakt akoma dhe më keq. Pretendon që PD ndihmon oligarkët, duke propozuar çfarë? Që biznesi i vogël të mbetet jashtë skemës së TVSH. Ku është ndihma këtu për oligarkët?

Oligarkët po i ndihmon ai që në emër të oligarkisë dhe të interesave të tyre, dëshiron të zhvendosë barrën e TVSH-së tek ata që mezi mbajnë frymën gjallë, tek biznesi i vogël.

I kam bërë, dhe ia përsëris thirrjen, që të tregojë se sa kontribuojnë oligarkët të cilët rrinë me të nga mëngjesi në darkë, me të cilët ndan interesat në të gjithë sektorët jetikë të vendit. Sa kontribuojnë ata? Sa taksa paguajnë oligarkët shqiptarë në buxhetin e shtetit?

Nuk kam marrë përgjigje pse Edi Rama mbron dhe promovon interesat e këtyre oligarkëve, një grushti njerëzish të cilët kanë shtënë në dorë të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë shqiptare.

Propozimi ynë është i thjeshtë: biznes i vogël të konsiderohet çdo biznes nën nivelin 12 milionë lekë të reja xhiro në vit.

Biznesi i vogël të mos paguajë TVSH, por duke përfshirë biznesin nën fashën 12 milionë lekë do të rritet lufta kundër informalitetit, do të rritet formalizimi i ekonomisë.

Në qoftë se këta thonë që paska oligarkë të cilët maskohen në biznese të vogla, atëherë çfarë përgjegjësie mbajnë këta për dhjetra aksione të ashtuquajtura kundër informalitetit? A mund të na tregojnë cilat qenë rezultatet e këtyre aksioneve? Cilat qenë rezultatet e këtyre aksioneve dhe përgjegjësia e Edi Ramës si kryeministër për katër vite e kusur aksione, në qoftë se akoma pretendohet se oligarkët fshihen tek biznesi i vogël?

Në fakt, oligarkët nuk fshihen tek biznesi i vogël por fshihen tek paradhoma e kryeministrit, pse jo edhe në zyrat e tij dhe në rezidencat e tij të pushimit.

Lufta kundër informalitetit nuk bëhet duke goditur biznesin e vogël.

Le të pyesim, pse ekspertët e tij janë ngritur kundër futjes së TVSH tek biznesi i vogël?! Pse FMN është shprehur kundër futjes së TVSH-së tek biznesi i vogël?!

E mirëpresim një ballafaqim të argumentave, si opozitë. Pse jo, të ftojmë të gjithë aktorët, edhe biznesin e vogël, edhe institucionet ndërkombëtare, FMN, edhe ekspertët e ndryshëm që vijnë nga bota akademike, disa prej tyre shumë afër në mendime me Partinë Socialiste, dhe të ndajmë shapin nga sheqeri.

Futja e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së nuk do të ndihmojë formalizimin e ekonomisë, do të rrisë çmimet, do të shkatërrojë vendet e punës duke mbyllur biznesin e voël dhe do ti bëjë favore vetëm një grushti oligarkësh duke i bërë ata totalisht të pakonkurueshëm në tregun e konsumit të mallrave, nga bizneset e vogla që operojnë sot anembanë vendit.

Prandaj thirrja ime është të heqë dorë nga retorika, të pranojë propozimin e opozitës i cili shumë shpejt do të materializohet dhe të heqë dorë nga çoroditja dhe paniku që e ka kapur nga një front i bashkuar qytetarësh, konsumtatorësh, biznesi i vogël, opozita, institucione ndërkombëtare monetare si FMN dhe ekspertët të cilët njëzëri kërkojnë me të drejtë që biznesi i vogël të mos futet në skemën e TVSH-së, sepse në këtë mënyrë do të rriten çmimet, do të shkatërrohen vendet e punës dhe vetë arka e shtetit nuk do të fitojë por do të humbë të ardhura.

Pyetje: A mund të na thoni diçka mbi dekriminalizimin e zgjedhjeve, se jemi të paqartë?

Basha: Jeni të paqartë sepse procesi është në nisje, ne kemi propozimet tona dhe këto propozime do të pasurohen edhe përmes konsultimit brenda vetë demokratëve, me aleatët tanë politikë dhe me të gjithë faktorët shoqërorë që duan ti japin fund shitblerjes së votës, dhunimit të votës dhe bashkëpunimit midis kriminelëve dhe politikanëve.

 

 

Read More