1-Skema e TVSH rrit cmimet, fut në krizë biznesin e vogël
2-Reforma zgjedhore e barabartë me dekriminalizimin e zgjedhjeve
3-Pa shembjen e kupolës politike në Tiranë, ska luftë ndaj mafias
Çështja e parë që dua t’ju njoftoj ju dhe qytetarëve të Shqipërisë është që nesër unë dhe Partia Demokratike do të nisim një tur takimesh me biznesin e vogël në lidhje me problemin e mprehtë, të paralajmërimit të qeverisë për futjen e tyre në skemën e TVSH-së.
Pozicioni ynë, qëndrimi ynë për këtë çështje është bërë publik, e konsiderojmë një marrëzi, një çmenduri me prapavijë të mosnjohjes totale të gjendjes ekonomike të vendit nga ata që e kanë shkaktuar këtë krizë me ndërhyrjet e tyre brutale, me represionin ndaj biznesit, me politikat e tyre të dështuara fiskale siç është provuar edhe nga mbledhja e të ardhurave dhe qëndrimi i FMN-së, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër kemi një prapavijë klienteliste, korruptive, që i shërben një grupi faktorësh ekonomikë që janë kryesisht biznesi i madh, duke shkelur e shkelmuar biznesin e vogël i cili përbën edhe shtyllën kryesore në kuptimin e numrit të njerëzve që punësohen në Shqipëri, bëhet fjalë pra për 80 mijë njësi ekonomike që punësojnë drejtpërdrejtë, por edhe në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, afro 280 mijë shqiptarë.
Futja e biznesit të vogël në TVSH, në pamje të pare, justifikohet me formalizimin e ekonomisë. Në fakt, cka do të ndodhë sipas këndvështrimit tonë si opozitë, janë tre gjëra.
E para, do të rriten çmimet. Do të rriten çmimet anembanë vendit për konsumin e qytetarëve, do të rriten 5%, 10%, 15% apo 20% kjo do të variojë. Kjo është e sigurt që, prej janarit, çmimet e konsumit do të rriten. Dhe ku do të rriten? Në një vend ku siç e thamë javën e kaluar, 30% e shqiptarëve nuk paguajnë dot shportën e ushqimeve bazë.
Kjo do të mjaftonte për një qeveri të përgjegjshme dhe për një kryeministër të përgjegjshëm që ti thoshte vetes ndal, apo t’i thoshte ndal çdokujt që ja këshillon këtë akt.
Por ju e dini raportin e Edi Ramës me përgjegjshmërinë dhe kjo është një tjetër provë që interesi qytetar, interesi i njerëzve, i banorëve të këtij vendi, është i fundit sa herë që ai përballet me zgjedhje, me vendime të tilla.
Eshtë vendimi i tij, është zgjedhje e tij, përkundër paralajmërimit tonë si opozitë, përkundër zërave që janë ngritur nga përfaqësuesit e biznesit të vogël dhe në dijeninë time, përkundër kritikave që ka marrë nga institucionet ndërkombëtare financiare, që të mos e fusë biznesin e vogël në zinxhirin e TVSH. Efekti i parë do të jetë rritja e çmimeve të konsumit.
Efekti i dytë paralel do të jetë mbyllja, falimentimi i numrit të madh të bizneseve të vogla që nuk do të përballojnë dot koston e shtuar të operimit, kur të jenë brenda skemës së TVSH-së. Ato që nuk do të mbyllen dot do të ndalin investimet, do të ndalin rritjen, pra do të jetë një cikël krize për biznesin e vogël.
Dhe efekti i tretë, do të jetë pikërisht ajo e faturës së shpenzimeve sepse që të kontabilizojnë, të llogarisin TVSH-në, 20% që do t’ia përcjellin konsumatorit dhe pastaj do ta kërkojnë si kreditim nga shtetit, do tu duhet 100-150 mijë lekë kosto shtesë për çdo biznes, për kontabilitet. Pra, i bie që në rastin e biznesit të vogël, diku midis 20-80% e fitimit të tyre mujor të ikë nga kostot që duhet të paguajnë për të marrë kontabilistë dhe për tu futur në zinxhirin e TVSH-së.
Më e trishta, më dramatikja, që tregon edhe injorancën e thellë, sharlatanizmin ekonomik të propozimit katastrofik është që shteti nuk do të përfitojë asgjë. Sepse shtetit, në radhë të pare, i duhet të rrisë administratën tatimore që të menaxhojë këtë proces, të shtojë numrin e tatimorëve, dhe të ballafaqohet me një volum pune që është 5-fishi i asaj që kryen sot administrata në raport me TVSH-në. E gjitha kjo, për të vjelur më pak se 2% të TVSH-së, pasi mbi 90% e TVSH-së vjen nga maja e piramidës, nga biznesi i madh, 8% të tjera vijnë nga biznesi i mesëm dhe vetëm 2% vjen nga biznesi i vogël. Pra, me dy fjalë nuk ja vlen barra qeranë as për arkën e shtetit, as për kostot që do të duhet të paguhen, kosto që do të duhet ti paguajë qytetari shqiptar, se këta punonjës shtesë të administratës tatimore do të paguhen nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Cila është zgjidhja?
Zgjidhjen ne e kemi formuluar para fushatë së qershorit, e kemi formuluar tash dy vjet dhe do ta formulojmë përsëri institucionalisht në Kuvend. Zgjidhja është në radhë të parë rritja e kufirit të biznesit të vogël në 12 milionë lekë të reja xhiro, e cila çfarë do të mundësojë?
Do të mundësojë që askush nga biznesi i vogël të mos ketë motivim, për të mos shtypur butonin e kuponit tatimor. Me fjalë të tjera, me rritjen e xhiros deri në 12 milionë lekë çdo biznes i vogël nuk ka asnjë arsye të mos përdorë kasën fiskale dhe t’i japë fund një shqetësimi të drejtë që është marrja e faturës së mallrave nga biznesi i madh tek biznesi i vogël. Eshtë një shqetësim i drejtë, por nga ky ka një nuancë. Cila është nuanca? Shpërndarja në një treg të vogël, në një vend të vogël siç është Shqipëria, bëhet nga dy tre furnitorë për çdo sektor. Në qoftë se këta furnitorë vendosin të zbatojnë ligjin dhe të mos japin më mall pa faturë nuk do të kishte fare nevojë për një aspekt të tillë rregullator. Le të mendojmë një moment që s’po ja lëmë ndërgjegjes së furnitorëve të biznesit të madh. Rritja e pragut në 12 milionë lekë, i bie afërsisht 370 mijë lekë xhiro në ditë, përfundimisht zhduk çdo motiv të biznesit të vogël për të mos marrë faturat.
Hapi i parë rritja e pragut në 12 milionë.
Hapi i dytë, paisja me pullën fiskale në dritaren, derën të biznesit të vogël.
Me këto pulla fiskale, tatimorët nuk kanë më asnjë punë brenda biznesit të vogël, liria e tyre është e garantuar nga terrori, frika që është një nga faktorët kryesorë të rënies ekonomike dhe xhiros te biznesi i vogël, terrori i administratës tatimore, gjobat dhe korrupsioni që vjen prej tyre, dhe nga ana tjetër, zgjidhet t’i shërbehet një interesi publik që është formalizimi i mëtejshëm i ekonomisë. Formalizim i cili ka bërë hapa prapa këto katër vite.
Sepse, këto katër vite, me taksa më të larta, mblidhen më pak para. Pra e gjithë tamtamja e madhe, e gjithë daullja, se po luftojmë informalitetin jo vetëm që nuk është e vërtetë, por e kundërta ka ndodhur me Edi Ramën. Me taksa më të larta, mblidhen proporcionalisht më pak para.
Informaliteti është më i madh. Ne do të nisim një tur takimesh, do ta nis që nesër personalisht unë, por edhe deputetë të Partisë Demokratike, me biznesin e vogël, me qytetarët, për t’i pyetur për qëndrimet e tyre, mendimet e tyre në raport me këtë iniciativë që ne e konsiderojmë shkatërrimtare për ekonominë, një çmenduri të vërtetë dhe për të marrë mendimin e tyre, se e shikojnë ata. Si i shikojnë argumentat tona, qëndrimet tona, çfarë qëndrimi kanë për sa i përket argumenteve të qeverisë dhe për të formuluar në bazë të këtij konsultimi me përfaqësuesit e biznesit të vogël, por edhe të konsumatorëve, qytetarëve, hapat e tjera të aksionit tonë politik, sa i përket futjes së TVSH-së në të gjitha nivelet e biznesit.
Kjo do ta kthejë Shqipërinë në një nga vendet e pakta ku TVSH-ja aplikohet në të gjitha nivelet e biznesit.
Shumica e vendeve dërrmuese europiane, mbi 90% e vendeve europiane, kanë një prag TVSH-je për biznesin e vogël.
Propozimi ynë është, 12 milionë lek të reja në vit. Kjo do të shërbejë për të formalizuar edhe më tej biznesin e vogël, do t’i shërbejë formalizimit, luftës së vërtetë kundër formalitetin, por nga ana tjetër, nuk do t’i vërë lakun në fyt biznesit dhe nuk do të rrisë çmimet për konsumatorët, qytetarët e një vendi, 30% e të cilëve, pra, 3 në 10 qytetarë nuk paguajnë dot ushqimet, gjysma prej tyre nuk ngrohin dot shtëpitë, 1 në 3 nuk paguajnë dot këstet e huave.
E dyta çështje, që do të doja të diskutoja me ju është, problemi i Reformës Zgjedhore.
Insistuam dhe pas një vonese të pakuptimtë, u ngrit Komisioni i Reformës Zgjedhore.
Reforma Zgjedhore në pikëpamjen tonë, si Parti Demokratike ka një qëllim, dekriminalizimin e zgjedhjeve.
Dhe në funksion të dekriminalizimit të zgjedhjeve, në radhë të parë është futja e sistemit elektronik dhe biometrik për të demotivuar disa nga aktivitetet e grupeve kriminale të lidhura me pushtetin, siç është mbledhja e kartave, për të detyruar votuesit të votojnë në një mënyrë apo në një mënyrë tjetër, apo për të mos votuar fare, siç është presioni gjatë ditës së votimit apo presioni gjatë momentit të numërimit.
Ky do të jetë hapi i parë, po jo i vetëm. Ne do të kërkojmë në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODHIR, ngritjen e institucioneve përkatëse për dekriminalizimin e zgjedhjeve.
Kemi hedhur një hap me dekriminalizimin e politikës, i cili duhet të zbatohet deri në fund dhe nuk po zbatohet, tani, na duhet dekriminalizimi i zgjedhjeve.
Nuk mjafton thjesht dhe vetëm të zbatojmë ligjin dhe të mos kemi kriminelë në Parlament, që akoma kemi, të mos kemi kriminelë kryetarë bashkishë, që kemi akoma dhe me shumicë, të mos kemi kriminelë në administratë, banditë që i ka sjellë PS dhe Edi Rama edhe sot.
Pra duhet që edhe kur ligji të zbatohet dhe këta të mos jenë më me pushtete zyrtare, të mos ketë më pushtete politike.
Pra na duhet të kemi një sistem që dekriminalizon të gjithë proçesin zgjedhor që kriminelët, të gjendur përballë forcës së pakundërshtueshme të ligjit, të ndalohen nëse tentojnë të jenë pjesë e procesin elektoral. Reforma nuk e zgjidh dot këtë sepse reforma mbetet në letër.
Çfarë ka ndodhur në Shqipëri?
Pa dyshim, krimi i organizuar nuk ka ardhur këto katër vite.
Por, ngritja e nivelit të krimit të organizuar, nga krim i organizuar në mafie, me klane, me familje mafioze, është produkt i qartë i këtyre katër viteve.
Dhe nuk është produkt thjesht dhe vetëm i krimit, është produkt i investimit të politikës tek krimi, dhe krimit tek politika.
Edi Rama, ka kërkuar ndihmën e krimit që në zgjedhjet e 2013-ës dhe kanë shkëmbyer favore. Krimi u ka dhënë mbështetje në zgjedhje, Edi Rama dhe PS, u ka dhënë pushtet. U kanë dhënë funksione zyrtare, u kanë dhënë tendera, u kanë dhënë emërime, u kanë dhënë Shqipërinë si serë droge, u kanë dhënë liri trafikimit të drogës, u ka dhënë liri nga ndjekja penale, dhe natyrisht u ka dhënë strehë sa herë që policitë europiane i kërkojnë për vepra penale në vendet e tyre.
Ky është problemi.
Pra, kemi të bëjmë me një sistem mafioz.
Që të ketë mafie, duhet të ketë mbështetje politike, përndryshe është krim i organizuar në nivele të larta. Që të kthehet në mafie, do të thotë, të kesh njeriu tënd në Tiranë, të madhin në Tiranë që të të japë mbështetje sa herë të kesh probleme me ligjin.
Dhe sistemi që kemi sot, është një sistem mafioz, një kartel, një kupolë, politiko-kriminale.
Që të goditet krimi, duhet në radhë të parë, të goditen drejtuesit politikë, kupola politike e krimit.
Pa ndodhur kjo, gjithçka mbetet fasadë, mbetet kozmetikë.
Mund të ndërtojmë një tjetër strategji për krimin, janë miratuar nja 10 strategji, në drejtimin e qeverisë “Rama 1”, asnjëra prej tyre nuk është zbatuar.
Mund të bëhet edhe një e 11-të, ne nuk kemi asgjë kundra strategjive, problemi është se strategjitë janë kthyer në justifikime për mungesën e luftës ndaj krimit, ndërkohë që, krimi është mbrojtur dhe promovuar drejtpërdrejt nga Edi Rama dhe nga kupola politike e PS-së, për interesa politike, sa herë ka patur zgjedhje.
Prandaj, hapi i parë dhe më i rëndësishëm është, goditja e drejtuesve të kupolës kriminale politike.
Në këndvështrimin tonë, është e pamundur që kjo të bëhet nga të njejtët njerëz që kanë përfituar politikisht, sepse këtu, ka një paradoks. Nga njëra anë kemi krimin dhe shteti duhet të luftojë krimin dhe nga ana tjetër, shteti është i pafuqishëm, nuk përballet dot me krimin, sepse kupola e shtetit, është drejtpërdrejt bashkëpunëtore me krimin.
Prandaj, që të nisë lufta kundër krimit, duhet menjëherë të shpërbëhet lidhja midis shtetit dhe krimit.
Pra duhet një goditje për jetë a vdekje ndaj kupolës kriminale që fillon me kupolën politike në krye të shtetit.
Vetëm kështu do të hapet rruga për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, një qeveri llogaridhënëse ndaj qytetarëve dhe jo ndaj krimit.
Pyetje: Z. Basha, duke u nisur nga kjo e fundit, ju folët për goditjen e kupolës mafioze të krimit. Si bëhet? Partia Demokratike edhe në platformën e saj të shkruar për zgjedhjet, për reformën zgjedhore, shpresat për goditjen e krimit edhe për t’i dhënë fund shitblerjes së votës në një farë mënyrë, e ka për ngritjen e strukturës së posaçme antikorrupsion. A është kjo një mënyrë apo keni në mendje diçka tjetër, ku politika nuk përfshihet siç thatë ju?
Basha: Sigurisht nëse zbatohet siç duhet, ngritja e SPAK-ut dhe pastrimi i drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar do të japë një shtysë kundër krimit të organizuar dhe lidhjeve të krimit të organizuar me politikën. Por ne nuk duhet të presim sa të ndodhë kjo, nëse ndodh kjo. Sepse tani, kemi një investim nga mazhoranca pikërisht për të dobësuar procesin e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe mos u habisni për të vënë nën kontroll strukturat e reja që duhet për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele qeveritare. Nuk duhet të presim. Cili është hapi i parë? Hapi i parë është vetëndërgjegjësimi i shqiptarëve për faktin që as krimi nuk do të luftohet, as ligji dhe rendi nuk do të vendosen pa shpërbërë pjesën politike të kupolës politiko-kriminale. Vetëdijësimi që krimi është me flatra, krimi sundon qytetet sepse ka mbështetjen e drejtpërdrejtë politike nga të mëdhenjtë në Tiranë siç ka edhe dalë nga tabulatet e përgjimeve të organeve të ligjzbatimit, apo të publikuara nga media.
Komuniteti ndërkombëtar ka hedhur një hap në këtë drejtim, ka folur për 20 familje mafioze, për 4 klane mafioze, ka folur për mafie, jo thjeshtë për krim të organizuar, për një shkallë më të lartë të organizimit, për mbështetjen politike që iu jepet këtyre familjeve.
Është e pamjaftueshme kjo. Komuniteti ndërkombëtar, përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar tani duhet të përmendin me emra politikanët e lidhur me këto klane kriminale, me këto familje kriminale.
Opozita e ka bërë, do të vazhdojë ta bëjë. Dhe më e rëndësishmja, qytetarët duhet të ndërgjegjësohen që këto familje kriminale dhe këto klane kriminale janë hiç asgjë po nuk patën mbështetje politike, po nuk patën mbështetjen e kryeministrit, ministrave përkatës, të deputetëve. Pa këto, janë zero me hiç.
Ndryshimi themelor i Shqipërisë sot nën thundrën e krimit siç shfaqet dhunshëm rrugëve dhe qyteteve tona me atentate mafioze, siç shfaqet edhe me bllokimin e integrimit europian të Shqipërisë, është, sepse sot, krimi ka mbështetje politike. Asgjë tjetër nuk ka ndryshuar. Me këtë polici pak a shumë, me këtë territor pak a shumë, vendit i janë hequr vizat vetëm 7 vite më parë. Sepse nuk mungonte vullneti politik për të luftuar krimin dhe një pjesë prej këtyre banditëve që sot i shikojmë në tryezat e gostive të ministrave të Edi Ramës dhe në kontakt të vazhdueshëm me kreun e qeverisë dhe bashkëpunëtorët e tij, kanë qenë në burg. Sot nuk janë në burg, janë në krah të qeveritarëve, ky është ndryshimi.
Hapi i parë është vetëdijësimi se vendi sundohet nga një kupolë politiko-kriminale të lidhur me njëri-tjetrin për shkak të interesave.
Politika, Edi Rama ka nevojë për këta kriminelë për të mbledhur vota. Këta kriminelë kanë nevojë për mbështetje politike, për mbrojtje politike sa herë që bien në konflikt me ligjin në Shqipëri apo jashtë Shqipërisë.
Pyetje: A besoni se ardhja 20 agjentëve nga SHBA, sic thotë Rama, do ndihmojë për të luftuar krimin?
Basha: Kjo është një përpjekje mjerane për t’i ikur të vërtetës. Nuk ka agjentë ndërkombëtarë që të vijnë të merren me krimin në Shqipëri. Kjo është detyrë e qeverisë shqiptare, është detyrë e institucioneve shqiptare, është detyre e policisë shqiptare.
Ka patur tash 27 vite misione ndërkombëtare që ndihmojnë policinë, ndihmojnë prokurorinë, ndihmojnë organet e ligjzbatimit. Këtu s’ka asgjë të re. Prandaj ishte një gënjeshtër sa për të hedhur lumin e ditës së premte në Parlament.
Çfarë po thotë, që do të dorëzojë zbatimin e ligjit tek faktori ndërkombëtar?! Nuk po e thotë këtë sepse nuk ka faktor ndërkombëtar që të vijë dhe të thotë: hapu ti tani se ngaqë ti nuk i arreston dot kriminelët, do ti arrestojmë ne kriminelët. Kjo është një gënjeshtër për të fshehur dhe zbehur një të vërtetë të madhe. Edi Rama nuk e lufton krimin sepse Edi Rama ka një pakt me krimin dhe pakti u shpalos në zgjedhjet e 25 qershorit, u shpalos në zgjedhjet e Dibrës, u shpalos në zgjedhjet e 2015-ës. Këtë pakt, nuk e zgjidh dot prania e 1,2, 10 apo 15 agjentëve. Kjo është për të hedhur hi syve. Lufta ndaj krimit është detyrë e qeverisë shqipatre. Dhe kur qeveria shqiptarë nuk e bën dot këtë luftë, nuk e shpall dot këtë luftë atëherë shoqërisë, qytetarëve, përfshirë edhe opozitën, i lind detyrimi të shikojë se si do të përballet me një qeveri të marrë peng nga krimi.
Prandaj edhe një herë dua ta përsëris. Eshtë e rëndësishme që faktori ndërkombëtar ka filluar të flasë me fakte konkrete të vërë pikën mbi i. Cilët janë politikanët e lidhur me krimin e organizuar? Kujt prej këtyre politikanëve iu shërbejnë këto klane mafioze dhe këto familje mafioze? Nëse nuk thuhet kjo, atëherë nuk i shërbëhet interesit të një Shqipërie të sunduar nga ligji dhe jo nga bandat, dhe nuk i shërbehet as edhe një rajoni më të sigurt dhe as interesave gjeostrategjike që na lidhin me partnerët tanë.
Ndaj ftesa ime ndaj partnerëve ndërkombëtarë është të nisim menjëherë të flasin me emra konkretë se pse këto klane mafioze, pse këto familje mafioze, bëjnë ligjin tash 4 vjet, shndërruan Shqipërinë në prodhuesin më të madh të drogës dhe eksportuesin më të madh të kanabisit në Europë, një pikë kyçe të eksportit të heroinës për në Europë, po citoj gjithmonë raportet e tyre, pse Shqipëria u fut në listën e zezë të pastrimit të parave? Kush i ka përgegjjësitë për këto ?!Natyrisht i ka Edi Rama dhe qeveria e tij, janë aktet e tij politike të aleancës me krimin që sollën në këtë gjendje.
Pyetje: Pse kërkoni që t’i publikojnë ndërkombëtarët. I keni ju emrat e familjeve që thoni? Pse prisni që ti thonë ndërkombëtarët?
Basha: Natyrisht që po. Jo, nuk po presim. Ta sqarojmë diçka. Nuk presim, unë mirëpres faktin që faktori ndërkombëtar ndonëse me vonesë, më në fund po tregon atë që ne kemi thënë 4 vite me radhë, ditë për ditë, e gjitha protesta 90 ditore në çadrën e lirisë këtë kishte temë, zgjedhjet do të shkatërrohen nga krimi. Besoj se këtë e mbani mend. Me emra dhe me mbiemra i kemi denoncuar dhe do të vazhdojmë t’i denoncojmë.
Ajo që po deklaroj sot është, e para që më në fund edhe nga faktori ndërkombëtar ka një ndërgjegjësim dhe një shpallje të faktit botërisht të njohur se në Shqipëri, nuk bëhet fjalë thjesht për krim të organizuar, por bëhet fjalë për mafie, që do të thotë për një nivel më të lartë të krimit të organizuar, bashkëpunim i krimit të organizuar me politikën, ku secili merr atë që synon. Politika merr mbështetje, siç ka marrë në zgjedhjet e 25 qershorit për të marrë vota, për të dhunuar vullnetin, krimi merr mbështetje për aktivitetin e tij fitimprurës me shuma marramendëse, siç është trafiku i drogës.
Sa herë që bëjnë një zullum edhe atje në vendet europiane, e kanë gati rifuxhon në Shqipëri, këtu nuk i prek njeri. Përkundrazi, këtu mund të bëhen biznesmenë, mund të bëhen edhe deputetë, mund të bëhen drejtorë të mëdhenj. Kjo është shkalla më e lartë e krimit të organizuar, kjo është mafia. Pra, duke folur për 20 familje mafioze, 4 klane mafioze, më në fund është pranuar fakti që në Shqipëri nuk kemi të bëjmë thjesht dhe vetëm me familje mafioze, por kemi të bëjmë me një bashkëpunim në nivele më të larta të politikës, që janë nivelet qeveritare.
Dhe ftesa ime, duke e mirëpritur këtë konstatim që ka qenë konstatimi ynë ditë për ditë tash 4 vjet, është që njësoj si opozita edhe faktori ndërkombëtar, edhe media që është nën presion të jashtëzakonshëm, sepse kjo është një situatë shumë e vështirë për ju, të nisim dhe të denoncojmë jo thjesht dhe vetëm familjet mafioze dhe klanet mafioze, por edhe politikanët që përfitojnë prej tyre. Me emra.
Në këndvështrimin tonë, strumbullari është kryeministri i cili ka përdorur të gjitha këto klane dhe familje mafioze duke deleguar pranë secilit prej tyre emisarët më të lartë politikë të Partisë Socialiste në zgjedhejt e 25 qershorit. Dhe për këto, ne kemi folur dhe do të vazhdojmë të flasim me fakte konkrete. Natyrisht ne nuk jemi prokuroria, por faktet që disponojmë nga burimet tona, nga denoncimet e qytetarëve që janë 5-fishuar javën e kaluar, javën që lëmë pas, dhe natyrisht sipas rastit në bashkëpunim me partnerët tanë.
Pyetje: A ka opozita mosbesim ndaj institucioneve shqiptare, Policisë dhe Prokurorisë, gjykatat? Pse opozita nuk dorëzon fakte në Prokurori?
Basha: Asnjë nga faktet që ne disponojmë nuk janë fakte unike. Pra, nuk është se ne kemi gjetur një provë balistike, e kemi marrë dhe e mbajmë ne. Sepse në fakt kjo do të ishte vepër penale. Këto janë fakte publikisht të njohura. Dhe fakti që ne i bëjmë publike do të thotë që po kështu, lehtësisht të përdorshme edhe nga institucionet e zbatimit të ligjit. Nuk ka nevojë as prokuroria, as policia që të shkojmë ti çojmë ne fakte atje. Se nuk është se gjetëm ne armën e krimit e s’po ua çojmë që të bëjë provën balistike. Këto janë fakte botërisht të njohura, kështu që në kuptimin formal, formalisht nuk ka asnjë pengesë as prokuroria, as policia që të gjejë denoncimet që bën opozita dhe të nisë hetimet.
Në fakt, e kanë për detyrë, me ligj. E kanë për detyrë, quhet kryesisht, po të lexoni Kodin Penal, po të lexoni Kodin e Procedurës Penale, thotë: kryesisht. Çfarë do të thotë kryesisht? Latinisht i thonë: “ex-ufficio”- E ka për detyrë. A po e bëjnë? Absolutisht, në masën më të madhe nuk po e bëjnë, edhe kur e marrin në dorë e zvarrisin. Tani këtu kemi një spërdredhje të madhe që ka tash 4 vite që zotëron debatin publik, dhe ata që vuajnë janë shqiptarët.
Spërdredhja është kjo; ndërkohë që Edi Rama ka lidhur fijet me krimin e organizuar dhe e përdor krimin e organizuar, e përdor mafien për interesat politike, thotë fajin e kanë gjyqtarët dhe prokurorët. A ka gjyqtar, prokuror apo polic në Shqipëri që merr guxmin të përballet me krimin e organizuar kur e di se krimi i organizuar ka mbështetjen e drejtpërdrejtë të Kryeministrit, Ministrit të Brendshëm, të Drejtorit të Përgjithshëm të Polciisë, drejtorit të të Policisë së Qarkut, Shefit të Komisaratit, të Shefit të Krimeve.
A ka gjyqtar, prokuror apo oficerë policie në botë që ta ketë këtë kurajo. Ka disa. Shumica prej tyre sot kujtohen me pllaka përkujtimore, sepse kanë qenë shënjestër e krimit të organizuar. E kemi këtu, në Italinë fqinje rastin e fillimviteve 90’ ku gjyqtarë dhe prokurorë u hodhë në erë nga mafia sepse u futën në hetimin e aferave kriminalo-politike. Çfarë e zgjidhi këtë? Këtë e zgjidhi vetëm një reformë politike, e zgjidhën duart e pastra.
Një pjesë prej jush, ndoshta jeni tepër të rinj për ta kujtuar. Pa reformën e politikës, pa dekriminalizimin e politikës, pa dekriminalizimin e zgjedhjeve nuk ka institucion tjetër, prokurori, gjykatë apo polici t’i bëjë ballë. Sepse aleanca politiko-kriminale, është aleanca më e fuqishme që njeh një shoqëri.
Ndaj shpërbërja e kësaj aleance, goditja e kësaj aleance që nis me goditjen e komponentit politik është rruga e vetme për t’i bërë ballë kësaj.
Edhe këtu nuk po them asgjë të re.
Çdo vend që ka nisur me sfida të tilla, e ka nisur me pastrimin e politikës nga politikanët që bashkëpunonin me mafien.
Pa larguar politikanët që bashkëpunojnë me mafian, nuk mund tI kërkojmë asgjë, as gjyqtarëve, as prokurorëve, as ambasadorëve.
Pyetje: Cila është strategjia që ju keni në raport me forcën tuaj politike por edhe me qeverinë. Duket sikur jeni në opozitë me të gjithë. Do të thotë, krahas qeverisë edhe me një grup jo të vogël brenda forcës suaj politike. Keni një strategji konkrete për bashkimin e PD-së në një front opozitar me qeverinë për të bashkuar edhe një grup jo të papërfillshëm brenda forcës suaj politike që ka bërë një kërkesë konkrete ndaj jush. Pyetja e dytë. A keni pasur përgjigje për një platformë që ju ka ardhur nga një grup i Lëvizjes për Rigritjen e PD-së?
Basha: Për të dyja pyetjet kam një përgjigje. PD ka nisur një proces analize dhe konsultimi dhe çdo anëtar i PD-së është i mirëpritur, i ftuar, i thirrur të jetë pjesë e këtij proçesi.
Pyetje: Për t’iu rikthyer Reformës Zgjedhore që u miratua mbrëmë pas 14 orësh debat në seancën parlamentare. Qysh në fillim kur është prekur kjo çështje, ju jeni shprehur për një propozim ose një ide për ndryshimin e sistemit zgjedhor, për një sistem mazhoritar. I qëndroni këtij propozimi dhe a besoni që do të keni konsensusin e Partisë Socialiste për ta çuar deri në fund këtë ide?
Basha: Jam pyetur dhe kam dhënë mendimet e mia, por se çfarë sistemi zgjedhor do të kemi, nuk ka pikë rëndësie nëse nuk dekriminalizojmë zgjedhjet. Ndaj fokusi i PD-së është dekriminalizimi i zgjedhjeve. Dekriminalizimi i zgjedhjeve do të thotë jo vetëm votimi elektronik dhe numërimi elektronik, që është kushti teknik dhe duhet të nisë sa më shpejt, do të thotë që duhet të kemi disa hapa për të arritur deri tek infrastruktura, por do të thotë mbi të gjitha që të pamundësojmë jo vetëm depërtimin e kriminelëve në Parlament në krye të bashkive, në këshillat bashkiakë, në administratën shtetërore, por të pamundësojmë rolin e tyre në proceset zgjedhore, sepse çfarë ka ndodhur tani.
Në disa raste nuk janë vetë kriminelët, por kriminelët bëjnë një kontratë me një person që ata e kontrollojnë, shpeshherë biznesmen, ndonjëherë familjar dhe i thonë: Ti do të jesh përfaqësuesi ynë në Parlament, në krye të Bashkisë, në drejtoritë e përgjithshme, në drejtorinë e prokurimeve.
Krimi, mafia ka nisur përshtatjen me ligjin e dekriminalizimit dhe përshtatja është që nuk çojnë më përdhunuesin, trafikantin, vrasësin, por çunin e hallës, çunin e dajës, vëllain, vajzën, apo shokun, biznesmenin dhe nga ana tjetër edhe PS, Edi Rama, ka hedhur një hap për ta perfeksionuar skemën.
Nëse më parë bashkëpunonin aktivistë, drejtues të PS-së në terren, me bandat kriminale, për shpërndarjen e parave, tani PS me një kontratë, u thotë urdhëroni bandat e Shkodrës, Lezhës, Laçit, kjo është shuma e parave, ky është objektivi, kryjeni punën dhe hajdeni merrni shpërblimin që ju takon. Pra, kemi një fazë të sofistikuar krim-politikë. Ndaj, na duhet një përqasje e vendosur, për të shpërbërë në radhë të parë këtë bashkëpunim. Dhe shpërbërja nuk nis nga komponenti kriminal, nis nga komponenti politik. Nga koka. Nëse ne godasim kokën politike të mafias, atëherë kemi të gjitha shanset të shkatërrojmë dhe të shpërbëjmë organizatën që vepron në terren.
E kundërta është naivitet. Nuk mund të luftohet mafia nga padrinoja, nga kumbari. Kush e ka këtë pikëpamje është thellësisht i gabuar dhe ne thellësisht do ta kundërshtojmë, ndërkohë që do t’i vihemi në krah çdo përpjekjeje dhe do të kërkojmë ndihmën e çdokujt, shqiptar apo të huaj, për të shpërbërë mekanizimin politiko-kriminal që nis me goditjen e drejtuesve politikë të mafias në pushtet.
Edhe një here, ju them që po jetojmë në një situatë që fqinji ynë perëndimor e ka kaluar përpara disa dekadash dhe është një luftë jashtëzakonisht e vështirë.
Miqtë tanë, partnerët tanë e dinë këtë fare mirë, prandaj kanë paralajmëruar që do të ketë kosto për vendin.
Por dua t’ua them ju dhe qytetarëve që nuk ka rrugë tjetër për Shqipërinë.
O do të kthehemi të gjithë në skllevër dhe shërbëtorë të mafias, ose rrugë tjetër përveç përballjes nuk ka. Nuk mund t’i shkojmë as anash, as poshtë, as sipër. Duhet të përballemi me të. Dhe përballja nis me pastrimin e elitës politike nga kupola politiko-kriminale, nga ata politikanë të cilët kanë përdorur dhe përdorin krimin për synimet e tyre politike. Opozita, prej ditës së parë e ka ngritur këtë alarm dhe ka vënë gishtin tek përgjegjësi kryesor që është Edi Rama. Ky është një model i ndërtuar nga ai.
Pyetje: Në të gjithë këtë betejë opozitare, keni një marrëveshje bashkëpunimi me LSI-në për një front të gjerë opozitar apo deklaratat dhe qëndrimet pothuajse të njëjta me zonjën Kryemadhi ditët e fundit kanë qenë të natyrshme përsa i përket situatës në vend.
Basha: Ne mirëpresim kontributin e çdokujt në këtë betejë. Nuk mendoj se këtu është rasti për të pasur marrëveshje, këtu është për të treguar me vepra se në cilën anë jemi, jemi në anën e shqiptarëve të thjeshtë, të ndershëm, të atyre që nuk paguajnë dot këstet e huasë, që nuk paguajnë dot ushqimet bazë, që nuk paguajnë dot për ngrohjen e shtëpisë, të atyre që nuk u shkon mendja të bëjnë pushime krahasuar me çdo popullsi të Ballkanit, të atyre që po ikin si askush tjetër në Europë nga vendi i tyre, apo, jemi në anën e xhepave, interesave korruptive ekonomike të klasës politike të bërë njësh me krimin.
Nëse jemi në anën e qytetarëve, në ato llogore do të gjejmë në mënyrën më të natyrshme Partinë Demokratike, e vetmja forcë politike që nuk bleu vota, që nuk u josh me aleancën e krimit, e vetmja forcë politike që shkoi në këto zgjedhje me program për të zgjidhur problemet e qytetarëve dhe jo me hipokrizi dhe propagandë, për të fshehur sistemin e shit-blerjes së votës, siç bëri PS.
Ne nga këto zgjedhje kemi dalë me numra më të ulët se në zgjedhjet e kaluara. Ne nga këto zgjedhje kemi dalë përsëri si opozita e vendit, por ne nga këto zgjedhje kemi dalë si forca e vetme që ka kartën morale për t’i bërë thirrje çdo shqiptari dhe çdo formacioni politik që nuk i ka duart e përlyera me aleancën me krimin, që të bëhen me ne, në aleancë vlerash. E vetmja mënyrë se si mund t’i kundërvihemi aleancës së krimit është një aleancë vlerash. Dhe në një aleancë vlerash nuk do të thotë që të ndajmë pikëpamjet për çështje të tjera. Mund të jesh tërësisht i majtë në botëkuptimin e mbledhjes së të ardhurave dhe shpenzimeve, por nëse je kundër krimit, je i mirëpritur në këtë aleancë. PD ka bindjet e veta, ka programin e vet politik. Edhe në raport me taksat, edhe në raport me shpenzimet, edhe në raport me ekonominë, por kur vjen puna tek lufta kundër krimit, mendoj se këtu duhet të ndahemi në ata që janë bashkëpunëtorë të krimit dhe ata që janë të gatshëm të bashkohen me ne në luftë kundër krimit.
Pyetje: Në momentin që do të bëhet indentifikimi i blerësve të votës çfarë do të ndodhë me ta? A i bashkoheni thirrjes së zonjës Kryemadhi për të rrëzuar qeverinë Rama?
Basha: Procesi i parë është evidentimi i mekanizmit që ka përdorur kundërshtari në terren për shit-blerjen e votës. Kjo infrastrukturë përbëhet në tërësi me persona me rekorde kriminale, po ashtu janë përdorur aktivistë politikë të kundërshtarëve tanë. Se çfarë do të bëjmë me këto të dhëna pastaj, ne kemi një strategji e cila do të shpaloset hap pas hapi, të cilën me të gjithë respektin për ju, apo këdo tjetër, nuk kam ndërmend ta bëj publike pa marrë së pari këto të dhëna dhe pa ecur në drejtim të zbatimit të kësaj strategjie. Strategjia ka për qëllim të shërbejë për një proces zgjedhor të pastër nga shit-blerja e votës në zgjedhjet e ardhshme. Prandaj kemi kërkuar Reformën Zgjedhore, prandaj i kemi kërkuar Partisë Demokratike, në nivel seksionesh, të evidentojë se kush janë ushtarët e shit-blerjes së votës në terren. Po të jetë në dorën tonë, sigurisht Edi Rama përmbyset sot, sigurisht nuk ka pse të presë nesër. Sepse kostoja që po i jep vendit me aleancën e tij me krimin është e jashtëzakonshme. Çfarë po përfiton vendi me Edi Ramën përsëri në krye të qeverisë? Negociatat janë bllokuar, ekonomia është në kolaps, krimi po bën kërdinë, institucionet janë të demotivuara, ky po flet sikur ka ardhur dje. Thotë, administrata është bandë. Po mirë, a ka qenë ky kryeministër katër vjet apo jo? Atëherë ky është kapobanda. Natyrisht që është kapobanda. Nëse adminitrata është banda, ky është kapobanda. Kemi të bëjmë me një njeri i cili nuk ka çfarë t’i ofrojë më Shqipërisë. Si do të largohet Edi Rama nga pushteti? E para është që të vetëdijësohemi, që kjo nuk është thjesht dhe vetëm një ambicie politike e PD-së apo e LSI-së, apo e partive të tjera, nuk është vetëm luftë për pushtet, por është domosdoshmëri për vendin. Nëse ka një prioritet absolut është, shpërbërja e lidhjes krim-shtet. Që ta shpërbëjmë këtë lidhje, largimi i Edi Ramës është urgjencë kombëtare.
Read More