Blog

18 Kor
0

Basha-Selami, përballje para demokratëve të Shkodrës

Lulzim Basha dhe Eduard Selami ishin para demokratëve të Shkodrës, ku përvec analizës së tyre, morën dhe pyetje nga demokratët. Basha theksoi deformimin e vullnetit të qytetarëve me 25 qershor nga paratë e bandave të drogës dhe makineria shtetërore, dhe u shpreh se PD është sot  bartëse e vlerave dhe e moralit e nuk do të bëjë kurrë pakt me krimin. Eduard Selami vuri në dukej se nëse duam edhe njëherë ti kthehemi momenteve, ditëve më të mira, ne duhet të funksionojnë në mënyrë demokratike siç nuk kemi funskionuar, ti kthehemi qendrës tonë, filozofisë tonë të djathtë, të hapim një dialog jo vetëm brenda bazës tonë por, edhe me shoqërinë civile.
 
“Unë jam nga ata që e shoh problemin tek vetja, se kundërshtari këtë punë ka. Jo vetëm kaq por edhe avantazhet që ka kundërshtari. Ne duhet të ulemi dhe të shohim se si duhet tia heqim nga dora. Se në qoftëse ne mendojmë që shitblerja e votes, qe arsyeja kryesore e humbjes, mendoni ju se kjo në zgjedhjet e ardhshme do të bjerë?! Jo. Diskutimi dhe debati ynë duhet të bëhet se si ta shmangim këtë problem. Në këtë pikë unë mendoj që ne duhet të bëjmë një analizë serioze. Po nuk pyete strukturat, po nuk pyete degën, po nuk pyete demokratët, po nuk pyete qytetarët, ti mund të kërkosh votën por nuk merr gjë mbrapa. Zhgënjimi im më i madh ka qënë me modelin Basha që kam mbështetur, që Partia Demokratike ka qënë më pak demokratike, edhe në momentin që e mori, me atë që e la z.Basha. Nëse duam edhe njëherë ti rikthehemi momenteve, ditëve më të mira, ne duhet të funksionojnë në mënyrë demokratike siç nuk kemi funskionuar. Ne krizë emrash dhe liderësh në Partinë Demokratike sepse ne jemi mbyllur. Kemi pushuar së funskionuari si parti demokratike. Jemi bërë vetëm partia e kryetarit. Jemi kthyer në atë kohën e vjetër të Partisë së Punës që po të ikë ky, duket sikur gjithçka merr fund. Jo. Me këtë platformë, unë mendoj se kemi për tu ringritur më të fortë akoma. Nuk është e gjitha por është më e rëndësishmja. Do ti rikthehemi edhe vlerave tona. Do ti kthehemi qendrës tonë, filozofisë tonë të djathtë. Do të hapim një dialog jo vetëm brenda bazës tonë por, edhe me shoqërinë civile. Edhe me rininë, e cila fatkeqësisht na ka braktisur. Hajde të hapim një debat të gjerë që t’u japim shpresë shqiptarëve”, tha Selami.
 
“Ka katër vite që jemi në betejë të përditshme me një pushtet të bërë njësh me krimin, me një pushtet të ardhur përmes krimit e që sundon bashkë me krimin. Nga dekriminalizimi, tek beteja kundër drogës që është një projekt i pastër politik i Edi Ramës, për të fshehur dështimin e tij ekonomik dhe për të përgatitur tjetërsimin e vullnetit të shqiptarëve, e deri tek beteja për zgjedhje të lira e të ndershme, kauzat tona janë provuar jo vetëm si kauza të drejta e të rëndësishme, por më jetiket sot për Shkodrën e për mbarë Shqipërinë.
25 qershori e provoi këtë katërcipërisht. Si në kohët e Sigurimit të Shtetit, shqiptarët u skeduan familje për familje. Kësaj radhe jo për t’i futur në burg për mendimin e tyre politik, po për t’i përndjekur për votën e tyre; diku listat për ndihmën ekonomike, diku listat për subvencionet, diku listat për legalizimin, diku pagesën apo shtrëngimin e gjobave të OSHEE-së apo të subvencioneve, diku paratë në dorë. Qindra milionë euro të drogës që derdhet lumë edhe sot. Ne e pamë këtë fare mirë, kudo ku ndodheshim në fushatë, ku me plan, me shtrirje kapilare; e para Partia Socialiste, derdhën miliona të shoqëruara nga bandat kriminale për të kapur vullnetin e votuesve.  Në Tiranë, vetëm për të mos dalë në votime, plani ka qenë 5 deri 15 familje opozitare për qendër votimi, pagesa 200 mijë lekë për familjar, jo për votues. E kjo është shtrirë anembanë vendit në përmasa dhe forma të ndryshme, por me një synim; me para, me dhunë, me terror, për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve. Ndaj njësoj si në ’91, këto zgjedhje nuk reflektojnë vullnetin e lirë të qytetarëve shqiptarë.
E vetmja forcë politike e cila refuzoi paktin me krimin, që u ofrua, na u ofrua këtu në Shkodër, siç na u ofrua në Vlorë dhe në Durrës e Peqin, por e kemi thënë që; nuk bëjmë e nuk do të bëjmë pakt me krimin për të ardhur në pushtet. Sepse ne jemi vlerat dhe ata janë antivlerat dhe kjo është bardh e zi si asnjëherë në historinë njerëzore, kjo është bardh e zi, nuk ka gri këtu në mes, nuk ka gri. Dhe kjo është një betejë që duhet dhe do të vazhdojë deri në fitore”, tha Basha.

Read More
18 Kor
0

Deklaratë e kryetarit të Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, Jemin Gjana

Në respektim rigoroz të afatit 5 ditor para datës së zgjedhjeve të 22 Korrikut 2017, të përcaktur në Udhëzimin Nr.1 datë 04.07.2017, dje në mbasdite u mblodh Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale.

Në këtë mbledhje të datës 17.07.2017, Komisioni mori vendimet përkatëse për Komisionet e Votimit dhe vëndet e votimit për të gjitha Degët. Sipas këtij vendimi është përcaktuar përbërja e 73 Komisioneve të Votimit dhe vend votimet për 68 Degët e Partisë Demokratike.

Siç vërehet ka 5 komisione votimi më shumë se numri i degëve, për arsye se 5 degë të Partisë Demokratike (Shkodër, Elbasan, Fier, Durrës dhe Kamëz) për efekt të numrit të madh të anëtarësisë kanë nga dy komisione votimi.

Të 73 Komisionet kanë në përbërje të tyre, nga 73 përfaqësues të propuzuar prej secilit nga kandidatët në garë.

Po në mbledhjen e datës 17.07.2017 Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, mori vendimin për listat përfundimtare të votimit. Në fillim të procesit të zgjedhjeve për Kryetar në PDSH-së, kemi deklaruar se regjistri elektronik i anëtarësisë së PDSH-së përmbante 103,200 anëtarë. Sot listat përfundimtare të votimit të miratuara, kanë një total prej 103,952 anëtarë. Ndryshimet që u miratuan në Komision, konsistojn në:

–           Janë shtuar 1,557 anëtarë në listat shtesë, nga persona që janë paraqitur pranë degëve të PDSH-së me karta anëtarësie ndër vite por që nuk ishin përditësuar në rregjistrin elektronik, në përputhje me pikën 8/b të Udhëzimit Nr.1, datë 04.07.2017.

–           Janë shtuar 112 anëtarë në 5 degë të Partisë Demokratike, që kishin  formular dhe dokument anëtarësie të para datës 28.06.2017 por që rezultonin të pa hedhur në sistem.

–           Janë hequr nga rregjistri elektronik 607 anëtarë, që kanë dërguar zyrtarisht 14 degë të Partisë Demokratike për arsye të kalimit të tyre legalisht në Parti të tjera.

–           Si dhe 310 anëtar që në 4 vitet e fundit rezultojnë së nuk jetojnë më.

Për të gjitha këto të dhëna ka dokumenta të shkruara zyrtare që gjënden dhe do të ruhen në protokollin dhe arkivin e Selisë Qëndrore të PDSH-së.

Theksojmë se në listën përfundimtare të votimit janë të përfshira dhe tre kategori anëtarësh me mundësi të kufizuara për të votuar. Këta janë, anëtarë të PD-së në degët e saj në Selanik, Athinë, Romë, Milano, Belgjik, Londër etj.

Anëtarë të PD-së të rregjistruar online si të tillë nga jashtë Shqipërisë si dhe disa mijëra anëtarë të larguar në emigracion në 3 vitet e fundit. Sipas të dhënave operative të marra nga degët e Partisë Demokratike, numri i tyre shkon rreth 23,000 anëtarë. Ata do të vazhdojnë të mbeten në listat e anëtarësisë së Partisë Demokratike pavarësisht mundësive aktuale të kufizuara për të qënë pjesë e proceseve elektorale në parti dhe jashtë saj.

Sot, degëve të Partisë Demokratike, do t’u dërgohen zyrtarisht listat e komisioneve të votimit dhe vendet e votimit të miratuara. Si dhe do t’u përcillen elektronikisht listat përfundimtare të votimit. Në këto lista, në Selinë Qëndrore të Partisë Demokratike dhe në të 68 Degët e saj, kanë akses të plotë: çdo anëtar i PD-së, gjithë drejtuesit e strukturës qëndrore dhe lokale të PD-së, anëtarët e komisioneve të votimit dhe me përparësi përfaqësuesit e kandidatëve në këto komisione.

Komisioni OKOE gjithashtu ka marrë vendimet e duhura për gjithë logjistikën e nevojshme. Në datën 21 korrik Kryetarët e 73 Komisioneve të votimit në prani të detyrueshme të dy anëtarëve përfaqësues të kandidatëve do të tërheqin pranë Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, listat e printuara të votimit që do të jenë të njëjta me listat elektronike që do t’u përcillen sot degëve të PD-së, vulat zgjedhore me numrat përkatëse, kutitë e votimit me kodet përkatëse, dhomat e fshehta të votimit si dhe të gjithë formularët dhe proces verbalet që nevojiten për hapjen dhe mbylljen e votimit.

Degët e Partisë Demokratike kanë marrë me shkrim nga Komisioni OKOE të gjitha Udhëzimet e nevojshme për ecurinë e procesit, njoftimin e anëtarësisë, lehtësimin e transportit të anëtarëve që jetojnë larg qëndrave të votimit, krijimin e kushteve normale në votim dhe krijimin e të gjitha mundësive për të patur një proces të drejtë, të qetë dhe të zhvilluar në kushte të plota sigurie.​

Read More
17 Kor
0

Fuqizim i qytetarit, fuqizim i anëtarit të Partisë Demokratike, vendimet e rëndësishme në duart e tyre

Lulzim Basha bashkëbisedoi me demokratët e Beratit, Kucovës, Policanit ku u ndal në analizën e asaj cfarë ndodhi me 25 qershor, ku përballë ishin PD me vlerat e programin e saj dhe nga ana tjetër, krimi, droga, makineria shtetëtore dhe shitblerja masive e votës. Basha tha se beteja për vlerat ku aspirojmë të shkojmë duhet të vazhdojë deri në fund, dhe PD është e vetmja që mund ta bëjë e ta shpëtojë vendin.

“Bashkë luftuam betejën për dekriminalizimin, luftën kundër drogës, luftën për zgjedhje të lira e të ndershme. Tre kauzat që 25 qershori i vërtetoi katërcipërisht se nuk janë vetëm kauza të drejta por kauzat më të rëndësishme për Shqipërinë dhe për shqiptarët sot. Edi Rama, e dinë fare mirë shqiptarët dhe me 18 maj e dinte edhe bota, ai jo vetëm nuk mund të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme, por siç vërtetoi 25 qershori është strumbullari i varrmihjes së demokracisë në Shqipëri. Sepse ka ndërtuar një sistem politik klientelist, korruptiv dhe kriminal me një qëllim asgjësimin e vullnetit të lirë të qytetarëve shqiptarë. Në njërën anë të peshores shteti, institucionet, administrata, policia, milionat e tenderave të koncesioneve të korruptuar, bandat, paratë e drogës, në anën tjetër të peshores Partia Demokratike e cila nuk përdori asnjëherë presionin dhe shantazhin ndaj votuesit. Ne, nuk lidhëm dhe as nuk do të lidhim pakt me krimin për të ardhur në pushtet. Ne, nuk u përfshimë në lojën e ndyrë të shit-blerjes së indentitetit të qytetarëve, të dinjitetit të tyre me shukun e pisët të korrupsionit dhe drogës”, tha Basha.

Lulzim Basha tha se projekti i tij synon fuqizimin e qytetarit, të anëtarit të thjeshtë të PD, që të ketë në dorë vendimet e rëndësishme.

“Sot ndodhem për herë të dytë para jush në një garë statutore me një anëtar-një vote, për kryetarin e Partisë Demokratike. Në cadrën  e lirisë iu folëm qytetarëve për Republikën e Re, si një realitet i ri, një raport i ri midis pushtetit dhe qytetarit; i përkthyer në disa forma, në sistem të ri elektoral me deputetë të ardhur drejtpërdrejtë dhe pa filtra partiakë nga populli, si një balancë e re kushtetuese midis degëve të ndryshme të pushtetit; Parlamentit, Kryeministrit, Presidentit, gjykatave. Por po kështu, iu thamë shqiptarëve se ky është një raport që duhet të fillojë brenda familjes tonë. Ashtu siç e thashë kur dorëzova listën për deputetë, se kjo duhet të jetë hera e fundit që kryetari i PD, në bindjen time do të dorëzojë një listë të tillë. Se tashmë, për të gjithë vendimmarrjet e rëndësishme ne duhet të aplikojmë parimin më demokratik për të kaluar në një sistem një anëtar-një vote, për përzgjedhjen e çdokujt që do të mbajë peshën e përfaqësimit të demokratëve dhe Partisë Demokratike”, theksoi Basha.

Vetëm PD, ka moralin dhe vlerat për ta shpëtuar vendin, tha Basha, dhe ai është gati ta bëjë këtë betejë deri në fund.

“Vij t’ju kërkoj të vazhdoj këtë betejë me ju, për demokratët e Shqipërisë dhe gjithë shqiptarët e ndershëm që janë gati të na bashkohen në një luftë, jo për kolltuqe dhe privilegje, por për ndryshim. Bejetë, që ka dhe mund të ketë vetëm një përfundim, siç na mëson historia e vendit tonë dhe historia  e civilizimit tonë, e ky përfundim do të jetë fitorja e vlerave të cilat sot e kanë shtëpinë vetëm në një forcë politike dhe në zemrat e anëtarëve të vetëm të një shtëpie politike, që janë demokratët shqiptarë dhe Partia Demokratike e Shqipërisë”, deklaroi Lulzim Basha.

 

Read More
17 Kor
0

Selami: Më votoni mua, modeli që ofroj bashkëkohor

Në takimet  me demokratët  e  Beratit, Kuçovës, Urës Vajguore dhe Policanit, Eduard Selami, është ndeshur me shqetësimin e strukturave për përçarjen e Partisë. Por Selami, ka theksuar se pikërisht në këto momente  vota për të është akti i parë i bashkimit të partisë demokratike dhe rikthimit i  saj si forcë  bashkëkohore.

“Nëse vërtetë doni bashkim,  me votoni mua  dhe të bashkuar jeni. Kjo është një arsye më shumë. Unë shoh një shans real që së bashku të firmosim një kontratë, sepse ky model që ofroi është model bashkëkohor dhe i provuar. Nuk ka asnjë rast në historinë time publike që kam thënë diçka e se kam bërë”, tha Selami.

Kandidati për kreun e Partisë Demokratike, është shfaqur optimist nga mbështetja që ka marrë në bashkëbisedimet me demokratët, veçanërisht  gjatë ditëve të fundit kur ata patën  mundësinë ta njohin nga afër Selamin dhe vizionin e tij.

“Dorëheqja  do të ishte një veprim qe do t’i shërbente atij vetë por dhe PD. Do i hapte rrugë një procesi të lirë. Prapë nuk është vonë të dorëhiqet, pasi kandidatin përballë e ka shumë të mirë dhe do ta lërë partinë në dorë të mirë dhe të sigurte”, tha Selami.

Selami tha se Basha, është lider i dështuar dhe  që braktis premtimet.

“Diferenca me e madhe është mes të thënës dhe të bërës. Kur e dëgjon zotin Basha, thua lum si unë por kur e sheh ne PD thua mjerë si ne. Nuk mund te qahesh,  i njeh  nga pikëpamja teorike si funksionon një demokraci bashkëkohore. Por 4 vite më vonë jemi me larg se kurrë. Pse? sepse ai nuk i zbatoi ato që premtoi”, tha Selami.

Selami, kërkoi sërish publikimin e listave të antarësisë, kjo për t’i dhënë besim garës, ndërsa thotë  se një praktikë e tillë ndiqet ne forcat politike bashkëkohore si në shtetet e bashkuara  ashtu dhe në partinë CDU të Merkel.

Read More
16 Kor
0

Rruga e vetme për shqiptarët janë demokratët, do bëjmë realitet qeverinë e qytetarëve

Lulzim Basha bashkëbisedoi dje me demokratët e Elbasanit, Librazhdit, Gramshit, Belshit, Prrenjasit duke ndarë me ta nevojën për të vazhduar betejen politike për kauzat e drejta të shqiptarëve. Basha tha se Partia Demokratike është rruga e vetme për shqiptarët dhe se ai është gati për vazhduar këtë mision deri në thyerjen e këtij sistemi të korruptuar.

“Vlerat morale i kemi ne. Shqiptarët duan një rrugë tjetër përveç dëshpërtimit që i çon në vetëvrasje, i çon në nënshtrim apo në emigracion. Rruga tjetër jemi vetëm ne. Nuk ka forcë tjetër politike. Ju them që jam gati për të vazhduar betejen politike me ju ditë për ditë, orë për orë, derisa ta thyejmë këtë sistem dhe me zgjedhje të lira dhe të ndershme të sjellim vlerat në pushtet, të sjellim një qeveri të qytetarëve me planin tonë, vizionin tonë, të hedhim hapin tonë tjetër përpara sepse ne i kemi hedhur hapat përpara gjithmonë. Ky është çelësi i fitores si ato që kemi korrur së bashku në vitin 2009. Sepse koncepti i Repubikës së Re brenda shtëpisë tonë do të thotë fuqizim i anëtarit, do të thotë kalimi i vendimarrjes tek anëtari i Partisë Demokratike. Do të thotë anëtari i Partisë Demokratike si strumbullarin e vendimarrjes, si peshoren e vlerave dhe kontributeve të gjithsecilit. Çelësi është shpirti i pastër i demokratit. i atij që nuk pyet se kur me vjen radha për tu bërë deputet por vjen në betejë sa herë ka betejë për vlerat për të cilat kemi lindur dhe luftojmë”, tha Basha.

Ai tha se zgjedhjet e 25 Qershorit nuk ishin të ndershme dhe u provuan kauzat e opozitës nga shitblerja masive e votës. Basha tha se kjo është një mazhorancë fiktive.

“25 Qershori provoi se kauzat tona të dekriminalizimit, të luftës kundër drogës dhe të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme janë kauzat më jetike për Shqipërinë sot. Nuk kishte zgjedhje të lira dhe të ndershme me 25 Qershor. Nuk foli vullneti i qytetarëve. Ai u tjetërsua përmes shtrembërimit e blerjes masive të votës nga një qeveri e bërë njish me krimin dhe krimi i bërë njish me qeverisjen, me të cilët Shqipëria nuk ka e nuk do të ketë asnjë të ardhme. Plani ynë për një qeveri të qytetarëve parashikon që shqiptarët të kenë mundësi të jetojnë në shtëpitë e tyre pa qënë nevoja të shkojnë emigrantë. Të kenë mundësi për punësim. Të mos kenë frikë nga të fortët, nga të pushtetshmit dhe të zgjedhin lirisht qeverisjen që meritojnë në nivel qendror dhe lokal. Kjo mazhorancë është një mazhorancë fiktive. Prodhim jo i shpresës, as i vizionit për të nesërmen por i dëshpërimit, i frikës që mbollën dhe thelluan. Njësoj si në 1991 nuk ka se çfarë ti ofrojë shqiptarëve. Ekonominë e kanë në kolaps. Arkën e shtetin e kanë në kolaps. Qeverinë e ka ilegjitime pa votën e shqiptarëve. E dimë ne, e dinë shqiptarët. E di edhe ai dhe e dinë edhe socialistët”, tha Basha.

 

 

Read More
16 Kor
0

Selami: Basha mendon më shumë për karrigen se për demokratët. Bashkë rikthehemi më fuqishëm se kurrë

Në vijim të turit elektoral me demokratët e Elbasanit, Librazhdit, Belshit, Përrenjasit dhe Gramshit, kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Eduard Selami kërkoi që listat e votuesve të jenë të hapura për të gjithë në mënyrë që zgjedhjet e 22 korrikut të jenë transparente.

“Hajde ta bëjmë sa më të mirë garën, që listat tona duhet të jenë transparente. Listat e votuesve të PD duhet të bëhen publike. Nuk janë bërë. Ne duhet t’i lëmë qytetarët, votuesit tanë dhe ata që s’janë anëtarë partie ta shikojnë se çfarë po ndodh këtu. Nuk jemi ne parti ilegale. Demokratët janë krenarë që janë pjesë e PD” – u shpreh Selami i cili gjithashtu i kërkoi kandidatit tjetër për kryetar, Lulzim Bashës, që të pranonte debatin e hapur për mediat dhe qytetarët ashtu siç kishte premtuar në fillim të garës.

“Unë e pata fjalën e zotit Basha që këto do të ishin takime të hapura, dhe të ishim të dy përballë jush dhe të shpalosnim platformën tonë dhe ti bënim pyetje njëri-tjetrit edhe me mediat këtu, dhe gjithkush të marrë atë që i takon, ballë për ballë.  Z. Basha iu largua debatit. Unë mendoj që kjo nuk është e drejtë dhe i bëj thirrje se akoma ka kohë. Hajde, prej këtej e tutje t’i bëjmë debatet të hapura përpara kamerave, ta shikojmë se ku kemi gabuar. T’ia them në sy se ku e humbi besimin tim”, tha Selami.

Selami u tha demokratëve se problemi i zotit Basha, është se mendon më shumë të ruajë karrigen e tij si kryetar se sa për rimëkëmbjen e demokratëve.

“Në mënyrë fare të natyrshme ngrihet një pyetje: Kush është qëllimi dhe interesi kryesor i z.Basha? Rimëkëmbja e Partisë Demokratike apo mbajtja dhe ruajtja e postit të kryetarit? Kam frikë se është një pyetje që në mënyrë të sinqertë  z.Basha nuk i pergjigjet dot” – theksoi ai ndërsa siguroi demokratët se merr pjesë në këtë garë për t’i ngjallur shpresën dhe për t’u rikthyer më të fuqishëm se asnjëherë më parë.

“Jam këtu për t’ju ngjallur edhe njëherë shpresën dhe besimin që së bashku do të rikthehemi fuqishëm, edhe më fuqishëm se sa në kohët tona më të mira. Të gjithë jemi krenarë që në historinë tonë kurrkush nuk ka bërë më shumë se ne. Rrëzuam diktaturën më të egër së bashku me qytetarët shqiptarë dhe e futëm Shqipërinë në rrugën e Europës, në rrugën e shtetit ligjor, në rrugën e lirisë së institucionalizuar dhe në rrugën e demokracisë. Këto janë fakte”, tha Selami.

 

Read More
15 Kor
0

Njoftim i Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale në Partinë Demokratike

Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale në Partinë Demokratike zhvilloi sot datë 15.07.2017 në orën 12:00 mbledhjen e tij të radhës. Në këtë mbledhje u administruan dokumentacionet zyrtare të Degëve të Partisë Demokratike që kanë të bëjnë me përbërjen e Komisioneve të votimit, vëndet e votimit si dhe listat shtesë sipas përcaktimit të bërë në pikën 8/b të Udhëzimit Nr.1, datë 04.07.2017, për anëtarët që kanë karta antarësie të PD-së ndër vite, por për arsye teknike nuk ishin përditësuar në Regjistrit Elektronik të antarësisë.

Deri në mesditë janë administruar të dhënat e 64 degëve nga gjithsej 68 degë të Partisë Demokratike.

Data 15 korrik është afati përfundimtar për administrimin e këtyre të dhënave. Komisioni vendosi si afat të fundit për përfaqësuesit e kandidatëve datën 16 korrik për të sjellë listën e përfaqësuesve të secilit kandidat për 68 komisionet e votimit.

Komisioni është duke përpunuar të dhënat e listave shtesë të cilat do i bashkëlidhen Regjistrit Elektronik dhe 5 ditë para zgjedhjeve do të merret vendimi për listën përfundimtare të votuesve.

Theksojmë se, lista e anëtarësisë është e hapur për përdorim të brendshëm në gjithë degët dhe strukturat lokale të Partisë Demokratike. Ato janë të dhëna personale dhe bazuar në ligjin për “Të dhënat personale” dhe ligjin për “Mbrojtjen e të dhënave personale” nuk mund të publikohen. Përveç arsyes ligjore ka dhe një arsye morale. Këto lista nuk mund të vihen në përdorim jashtë Partisë për ta kthyer anëtaresine tonë në gjueti shtrigash në vendet e punës në administratë dhe jo vetëm.

Komisioni gjithashtu mori në shqyrtim të gjitha përgatitjet logjistike për votimet e 22 korrikut. Tashme janë gati vulat zgjedhore, fletët e votimit, formularët e posaçëm etj. I gjithë procesi po ecën normalisht konform rregullave statutore të PDSH-së.

 

Read More
15 Kor
0

Kauzat e PD janë kauzat e drejta për Shqipërinë, vetëm ne e kemi moralin për ta cuar betejën deri në fund

Lulzim Basha gjatë takimeve të tij me demokratët e Shijakut, Durrësit dhe Rrogozhinës tha se Partia Demokratike duhet të vazhdojë rrugën e saj të kauzave të drejta për Shqipërinë, me në krye atë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Basha tha se zgjedhjet e 25 qershorit dhe mazhoranca që doli prej saj, janë një version i asaj të vitit 91, ku qytetarët bëheshin pjesë e votimeve fiktive nën terrorin e Sigurimit të Shtetit dhe fletë rrufetë identifikonin koka turku mes qytetarëve. Për Lulzim Bashën, e vetmja forcë që ka moralin dhe fuqinë për t’i dhënë popullit zgjidhjen që meriton dhe dëshiron është Partia Demokratike dhe plani i saj.

“Ne kemi ngritur disa kauza të drejta të cilat koha dhe 25 qershori provuan se janë kauzat më të rëndësishme për Shqipërinë sot. E nisëm me kauzën e dekriminalizimit. Me luftën kundër drogës si projekt politik i Edi Ramës, për të mbuluar dështimin me ekonominë dhe për të zhvilluar skemën që përdori, sofistikoi dhe kulmoi me 25 qershor, shit-blerjen masive të votës dhe leket e drogës. Qytetarët ishin skeduar me metodat e sigurimit famëkeq. Paratë ishin shpërndarë, ata mbaheshin nën vrojtim me ndihmën e një shteti të bërë njësh me krimin, administratës, shërbimeve, ndihmës sociale, subvencioneve, legalizimeve, me mediat të gjitha të kapura dhe të vëna në shërbim të pushtetit dhe gjithçka tjetër. Në këto kushte u zhvilluan zgjedhjet e 25 qershorit. Në këto kushte mazhoranca që ka dalë nga 25 qershori është një mazhorancë fiktive. Nuk reflekton vullnetin e njerëzve aq sa e reflektonte ajo e 91-shit, për rrethana të njëjta apo të ngjashme. Reflekton frikën, dëshpërimin, reflekton varfërinë që këta e theluan. Ne jemi te vetmit  që kemi moralin forcën, kurajon vizionin dhe planin për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Nuk ka dritë në fundin e tunelit të Edi Ramës”, tha Basha.

Lulzim Basha theksoi se vetem PD ka moralin dhe vlerat per ta cuar perpara Shqiperine.

“Kur i dhamë shqiptarëve konceptin e Republikës së Re, që në thelb është një raport i ri midis qytetarit dhe pushtetit, me zgjedhje të drejtpërdrejta të deputetëve, me zvogëlim të numrit të deputetëve, me ndryshim të balancës kushtetuese midis institucineve, fuqizimin e qytetarit, eleminimin e partitokracisë dhe rikthimin tek vlerat demokratike për të cilat u ngritëm 25 vjet më parë,  kjo do të ndodhë edhe brenda partisë demokratike. Fuqizimi i anëtarit do të thotë vendimmarrje një anëtar një votë, sic u shpreha kur dorëzova listën e deputetëve. Kjo duhet të jetë hera e fundit që lista dorëzohet nga kryetari. E që ketej e tutje duhet të jetë produkt i një procesi transparent gjithpërfshirës me standarde dhe konkurrues për të evidentuar me votën e çdo anëtari të Partisë Demokratike, më të mirët dhe për tu bashkuar rreth tyre në betejë.”, deklaroi Lulzim Basha.

Read More
15 Kor
0

Selami: Bashkoj PD-në, përçarja nuk ka të ardhme

Në bashkëbisedimet me demokratët e Durrësit, Shijakut, Rrogozhinës dhe Fierit, kandidati për kryetar i Partisë Demorkatike Eduard Selami, bëri thirrje për bashkimin e gjithë faktorëve të djathtë, duke theksuar se përcarja nuk ndihmon në ringritje. Kundërshtari politik, tha Selami,  po e shijon këtë fazë, por me mua u shpreh ai, Partia Demokratike,   do të ringrihet dhe rifitojë demokratët, elitën dhe shtresat e djathta.

“Dalim nga strukturat dhe  përcahemi. Kundërshtarët tanë po e shijonë këtë, edhe ato “miq”  mezi presin  të na shohin  përtokë, por ne të gjithë sëbashku nuk do ia japim këtë shanc. Do të dalim më të fortë nga kjo garë, duke thënë disa të verteta që duhej të ishin thënë me kohë, jo duke folur në mënyrë personale jo duke hedhur njëri-tjetrin, jo në mënyrë përjashtuese”, tha Selami.

Problemi më i madh në Partinë Demokratike thotë Selami,  është prishja e rregullave të lojës. Kur ai të jetë kryetar angazhohet të bëjë një analizë të thellë për të rikthyer funksionimin e bazës.

“Rregullat e lojës janë prishur, në strukturë dhe në funksionim. Unë këtë quaj  pikën më të dobët tonën. Prandaj ju them se nëse me 22 korrik nëshkruajmë një kontratë sëbashku, dhe jam besimim plotë që do të ndodhë sepse modeli që ofroi  është bashkohorë dhe fitues. Do fillojmë një analizë nga e para në seksion dhe grupseksion për ti rikthyer në funksionim , duke futur konkurencën , meritokracinë. Ju do të zgjidhni kush do t’iu përfaqësoi në nivel qëndrorë dhe lokal”, tha Selami.

Selami konfirmoi shqetësimin për pabarazinë e garës dhe u angazhua se PD, do të ketë në statut nenin që kryetari në rast humbje  të dorëhiqet.

“Gara nuk është e përsosur.  Hajde të fusim një nen në statut për herët e tjera që nëse kryetari i Partisë nuk fiton, jep dorëheqje dhe nuk kandidon atë radhë për kryetare partie, që të shmangen këto gjëra.Nuk mund të jetë njëri me këpucë, tjetri zbath, njëri kryetarë në detyrë me  skortë, ndërsa unë me një shofer që nuk din rrugët”, tha Selami.

Rinia është në qendër të projektit të Selamit, ndërsa tha se kërkohet  një qasje e re për motivimin e  tyre pasi sic u shpreh ai, kanë humbur shpresën te Partia Demokratike.

Read More
14 Kor
0

Me 25 Qershor humbi Shqipëria, PD e vetmja me moral e vizion për të nxjerrë vendin nga kriza e për të çuar deri në fund luftën për zgjedhje të lira e të ndershme

Lulzim Basha në takimet me demokratët e Kukësit, Hasit e Tropjës, dhe të Njësisë 7 në Tiranë, e vuri theksin tek deformimi i vullnetit të qytetarëve me 25 qershor, përmes shitblerjes së votës, me paratë e krimit dhe drogës, dhe keqpërdorimit të makinerisë shtetërore. Beteja për zgjedhje të lira e të ndershme do të vazhdojë deri në fund, tha Basha, duke shtuar se vetëm PD e ka sot moralin për ti prirë kësaj kauze.

“25 qershori vërtetoi se lufta kundër krimit në politikë, lufta kundër drogës dhe beteja për zgjedhje të lira e të ndershme ishin kauza të drejta dhe më të rëndësishme për Shqipërinë sot. Kush i luftoi këto kauza? Kush u përball me këto kauza? Vetëm Partia Demokratike, vetëm demokratët. Në ditët, muajt kur skeptikët nuk guxonin të pranonin apo të shqiptonin, problemin e thellë të krimit në politikë me autorizim dhe bekim të Edi Ramës, demokratët u ngritën, dhe ne u përballëm me drogën kur askush nuk guxonte të fliste për të.

Me drogën, si projekt politik të Edi Ramës dhe kriminelëve që solli në institucione, pikërisht për të mbuluar dështimin e tij me ekonominë dhe për të përgatitur atë që ekzekutoi me 25 qershor. Ndaj beteja kryesore që ne duhet të vazhdojmë sot pavarësisht se çfarë ndodh brenda shtëpisë tonë është beteja për demokracinë. Sepse njësoj si në ’91-in, nuk ka humb vetëm Partia Demokratike, ka humb demokracia, kanë humbur shqiptarët, ka humbur Shqipëria”, u shpreh Basha.

Lulzim Basha foli për projektin dhe sfidat që presin përpara.

“Ju siguroj që do të vazhdoj t’ju shërbej me sakrificë totale, çdo sekondë të drejtimit tim, duke luftuar me ju dhe për ju, dhe për çdo demokrat dhe për çdo shqiptar, me të gjithë demokratët e bashkuar në një betejë e cila nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë përfundim tjetër, përveç fitores së të drejtës, zgjedhje të lira e të ndershme e përmes tyre, fitores së projektit tonë”, tha Basha.

“Dalim nga kjo garë me kokën lart si e vetmja forcë morale që nuk u përlye në shit-blerje, që nuk u përlye në krim, që ofroi Shqipërisë rrugën e daljes. Dhe sot Shqipëria është pa rrugë dalje. Nuk ka ça të festojë Edi Rama, s’ka as shpresë, as besim, as entuziazëm as te grupi i tij i ngushtë, se nuk ka rrugëdalje njësoj si në ’91-in.  Nuk ka dritë në fund të tunelit të tij, as për ekonominë, as për makrofinancat e shtetit, as për rininë, as për pensionistët, nuk ka. Në radhë të parë kemi kurajon tonë, moralin tonë politike, kemi vizionin tonë europian të qendrës së djathtë me vlerat tona. Por që ta ofrojmë këtë duhet patjetër të fitojmë betejën për zgjedhje të lira e të ndershme”, pohoi Basha.

Lulzim Basha theksoi se nuk do të ketë asnjë marrëveshje, asnjë pakt me partitë që blenë, e manipuluan votën e shqiptarëve.

“Betejë e cila nuk mbaron me kaq, marrëveshja e 18 majit na diktoi provën nën presionin ndërkombëtar, me Edi Rama Kryeministër, prova dështoi. Ajo që ne kishim thënë u provua, nuk ka zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, është armik i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kur flas për përballje totale, për zgjedhje të lira e të ndershme, sigurisht që s’ka asnjë shans lloj bashkëpunimi politik apo koalicioni me Edi Ramën. I vetmi shans është përballja dhe fitorja përmes përballjes”, deklaroi Lulzim Basha.

 

Read More