Vëllezër dhe motra,
Zonja dhe zotërinj,
Bashkëqytetarët e mi,
Të rinj e të reja,
Student dhe student, dhe ju të dashur fëmijë shqiptarë, drita e syrit tonë.
Kurrë më parë nuk ka mbledhur Shqipëria kaq shumë shqiptarë në një vend të vetëm si sot.
Kurrë më parë nuk ka bekuar drita e Perëndisë, drita e Zotit një bashkim kaq të madh zemrash dhe vullnetesh si sot.
Kjo nuk është protestë, ky nuk është manifestim, ky është referendumi i shqiptarëve për Republikën e Re.
Ju shoh dhe e ju dëgjoj edhe ju atje në fund fare para heroit kombëtar Skënderbeut, ju shoh e ju përshëndes, siç ju kam dëgjuar 85 ditë e 85 netë me radhë që nga fillimi i lëvizjes tonë të madhe kombëtare, popullore e qytetare në bashkimin e 18 Shkurtit.
Sot jemi 3 herë më shumë, mbi 600 mijë shqiptarë në këtë shesh dhe miliona të tjerë bashkë me ne në këtë referendum historik.
Me 18 shkurt, 3 muaj më parë u bashkuam në këtë shesh për t’i thënë ndal keqqeverisjes, ndal drogës, ndal krimit me lidhje qeveritare dhe për të kërkuar me doemos zgjedhjet e lira si themeli i bashkëjetesës demokratike, themeli i mirëqenies, i sigurisë dhe i të ardhmes europiane të kombit tonë.
U bashkuan në këtë shesh për 85 ditë e për 85 netë me radhë shqiptarë nga gjithë Shqipëria, intelektualë, profesorë, artistë, sportistë, fermerë, pensionistë, gjimnazistë, punëdhënës e punëmarrës dhe miq nga e gjithë bota që na qëndruan e na qendrojnë në krah në betejën tonë të pakthyeshme për demokraci të vërtetë.
Ajo që nisi si rruga e bashkimit, i vetmi shteg për miliona shqiptarë të shtypur, të nëpërkëmbur, të zhgënjyer, të dhunuar, të mashtuar e të shpunësuar.
Ajo që nisi si shtegu i vetëm përpos dëshpërimit që kish kapluar të madh e të vogël, gegë e toskë, demokratë e socialistë, myslimanë e të krishterë, çdo shqiptar, për shkak të qeverisjes dhe shtetit të dështuar e kriminal, që ju shkatërroi ekonominë, që ju vrau vendet e punës, që ju shkatërroi shëndetësinë dhe arsimin dhe ju la si rrugëdalje vetëm dëshpërimin ose emigracionin.
Ajo që nisi si një kërkim thellë në shpirtrat tanë për rrugën e vetme të daljes nga gjendja e mjerë e vendit, ajo u kthye në motorrin më të fuqishëm të shpresës që vrau frikën anembanë vendit, që ngjalli kurajon në zemrat e çdo shqiptari, që mbushi çdo shqiptar e çdo shqiptare të ndershme përmes frymës së shenjtë të besimit në Zot, e në atdhe, e në Shqipëri, për një të nesërme më të mirë për fëmijët tanë, shpresën dhe vendimin e madh për ta shporrur dëshpërimin, për ta mposhtur frikën, për ta përmbysur republikën e vjetër e për të ngritur së bashku të renë, të vetmen republikë të qytetarëve shqiptarë.
Ja tek jemi sot, ja tek jemi sot në një bashkim që nuk e ka parë Shqipëria, nuk e ka parë Ballkani, nuk e ka parë Europa, nuk e ka parë bota. Ky nuk është thjesht dhe vetëm bashkimi kundër keqqeverisjes, ky nuk është thjesht dhe vetëm marshimi kundër të keqes, kjo është shpallja e shpresës dhe besimit tek vetja juaj, tek familjarët tuaj dhe gjithë sëbashku tek Shqipëria jonë.
Këtu kemi ardhur sepse besoni tek Republika e Re, këtu nuk keni ardhur sepse besoni tek një njeri, as vetëm tek një parti, sepse arritja më e madhe e këtyre tre muajve qëndresë dhe bahskim që ka hyrë në historinë tonë kombëtare është ripërtëritja e besimit të çdo shqiptari tek vetja e vet. Përtëritja e besimit të çdo shqiptari tek vetja e vetë, ripërtëritja e besimit tek vetja e vetë, tek familja e vetë dhe të gjithë së bashku tek njëri tjetri. Zoti na e jep këtë besim dhe nuk ka njeri në botë të na e marrë dhe përmes këtij besimi ka lindur, shpresa që nuk vdes kurrë, shpresa dhe vendimi për Republikën e Re.
E nisëm për një objektiv; zgjedhje të lira dhe të ndershme si themeli i demokracisë por sot jemi këtu për shumë më shumë. Nuk jemi mbledhur kaq shumë sot për një ndryshim të vetëm, as për një ndryshim të vogël por për ndryshimin më të madh në 27 vite të historisë tonë kombëtare. Gjithçka duhet të ndryshojë dhe falë bashkimit tonë, falë qendresës tuaj, me ndihmën e Zotit gjithçka do të ndryshojë, asgjë nuk do të jetë më si më parë. Republika e vjetër sot shpallet objekt i Arkivit të Muzeut Kombëtar.
Ne shqiptarët e bashkuar nuk e pranojmë, nuk e njohim dhe nuk do ta njohim më republikën e vjetër të krimit dhe drogës. E si mund të pranojnë më shqiptarët një shtet ku 18 vjeçari shtyhet drejt vetëvrasjes në qelitë e burgut për një cigare hashash dhe trafikantët e hashashit, heroinës dhe kokainës bëhen deputetë, kryetarë bashkish, ministra, drekojnë e darkojnë me të parin e qeverisë, mbushin valixhet dhe kontot e tij bankare.
E si mund të pranojmë një vend kur të papunët kërkojnë më kot bukën e përditshme për fëmijët e tyre. Mijëra familje enden pa ndihmë sociale pa kushtet minimale për të paguar dritat dhe ujin ndërsa pushtetarët, kriminelët dhe oligarkët ia shtrojnë me dreka dhe darka që kushtojnë secila prej tyre sa ndihma ekonomike e një qyteti të tërë.
E si mund të pranojmë republikën e vjetër, republikën e turpit, ku pacientët shqiptarë dhe familjarëte tyre rropaten spitaleve që vetëm emrin kanë spitale. Në farmacitë spitalore që vetëm ilaçe për ta nuk ka. Me mungesë mjetesh e përbuzjesh totale, me një sistem të kolapsuar sepse qindra miliona euro të taksave të shqiptarëve i merr me një dorë Edi Rama me oligarkët dhe koncensionet kriminale të shendetësisë.
E si mund të pranojmë si republikën e vjetër që nis ushtritë e taksidarëve dhe inspektorëve në qafën e biznesit të vogël, shtyllës kurrizore të ekonomisë shqiptare duke i shantazhuar, gërryer deri në qindarkën e fundit me taksa të larta dhe me haraçe, duke i privuar nga buka e gojës në familjet e tyre, ndërkohë që vetë ata dhe pushtetarët e korruptuar ndërtojnë vila, hotele dhe blejnë pasuri në vendet më të shtrenjta të Europës me paratë që i grabisin qytetarëve të tjhjeshtë.
E si mund të pranojmë republikën e vjetër që la mijëra maturantë jashtë auditorëve, me tarifat e rritura studentonte me abuzivitetin dhe kaosin që krijoi, me qindra e mijëra studentë të tjera që i detyroi të ndërpresin studimet për shkak të kushteve të pafavorshme, ndërkohë që një grusht okigarkësh dhe pronarësh universitetesh të bërë njish me pushtetin e korruptuar të Edi Ramës, bëjnë miliona euro vit për vit nga paratë e djersës dhe gjakut të shqiptarëve.
E si mund të pranojmë në këtë republikën tonë ku të përdjekurit politikë poshtërohen, vidhen, dhe pastaj u vihet për ministër i Brendshëm njeriu që i torturoi për fajin e vetëm se gëzuan ditën që vdiq diktatori.
E si mund të pranojmë ne republikën e vjetër që e shndërroi vendin në Kolumbinë e Europës. Një të katërtën e tokave bujqësore ua rrëmbeu fermerëve që i ktheu në skllevër. E mbushi me drogë dhe e futi në tunele dhe e shet për pasurinë dhe pushtetin e Edi Ramës dhe një grushti kriminelësh e politikanësh të lidhur me të.
E si mund të pranojmë ne republikën e vjetër që i rrënoi fermerët shqiptarë. Asnjë lekë subvension por dhjetra e qindra taksa e fatura të pakapërdishme. Një treg i rrënuar nga monopolet që bëjnë të pamundur shitjen e djersës e sakrificës së tyre me dinjitet e për të mbajtur familjet gjallë.
E si mund të pranojmë ne republikën e vjetër shtresa e mesme, motorri i shoqërisë shqiptare, inxhinjerët, financierët, ekonomistët, jursitët, profesionistët të cilëve me taksat e rritura dhe kontrollet tatimore ju bëhet presion që të mbyllin gojën, ju bëhet presion që të ulin kokën. Sot shtresa e mesme është nën presionin më të madh taksativ dhe ekonomik në Ballkan dhe gjithë Europën.
Kjo republikë e vjetër, kjo kastë dhe kupolë politike ka vetëm një axhendë dhe interes, interesin e pasurimit të tyre, interesin e pushtetit të tyre, interesin e kontrollit të tyre dhe nuk kanë në axhendë asnjë nga interesat tuaja, as të majtëve dhe as të djathtëve por vetëm interesat e veta kriminale.
Pasi kanë vjedhur dhe grabitur çdo aset, pasi ka abuzuar me qindra miliona euro të tenderave, tani republika e vjetër bëhet gati për vjedhjen më të madhe, vjedhjen më kriminale në histori, vjedhjen e zgjedhjeve të ardhshme që shqiptarët të mos kenë një parlament të diktuar nga vota e tyre por një parlament të diktuar nga krimi, dhe një qeveri të diktuar nga krimi. Ne jemi bashkuar dhe bashkë i kemi thënë ndal këtij projekti. Ne jemi dhe ju jeni bashkuar dhe u kemi thënë se zgjedhje pa opozitën nuk ka dhe nuk do të ketë, zgjedhje me krimin dhe drogën nuk ka dhe nuk do të ketë. Do të ketë vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme me një qeveri teknike që nxjerr jashtë kriminelët, që lufton drogën dhe u kthen shqiptarëve besimin dhe garancinë te vota e tyre e lirë.
Nuk ka forcë më të madhe se forca e bashkimit tuaj. Nuk ka forcë më të shenjtë se forca e kauzës sonë të drejtë. Ndaj sot jemi 5, 10, 15 herë më shumë se dje e nesër do të jemi edhe më shumë.
Partia Demokratike që ju e lindët për kauzën e madhe të pruralizmit bëhet çdo ditë më e madhe dhe më e fortë duke luftuar me ju dhe për ju për kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Historia na tregon se askush nuk dobësohet dhe as nuk bie nga lufta për kauzat e drejta. Lufta për kauzën e drejtë i bën njerëzit më të fortë, i bën lëvizjet më të pamposhtme, e bën bashkimin tonë të pathyeshëm kështu siç është sot në këtë shesh të madh të lirisë.
Beteja jonë bëhet për vlerat që ndërtuan Europën dhe Amerikën. Në asnjë vend të Europës nuk luftohet më fort për Europën se në këtë shesh të lirisë, në këtë shesh të bashkimit, në këtë shesh të qendresës. Ne jemi mbledhur së bashku sot për një vendim të madh. Për të vetmin vendim që e çon Shqipërinë në Europë, për të vetmin vendim që rikthen fatet e qytetarëve, fatet tuaja në duart tuaja. Vendimin për t’i thënë njëherë e përgjithmonë lamtumirë republikës së vjetër, komplotit politik dhe ekonomik kundër xhepave të shqiptare, kundër mirëqënies tuaj dhe fëmijëve tuaj, kundër të drejtave dhe lirive tuaja themelore.
Ne jemi këtu që përmes republikës së re t’ju kthejmë shqiptarëve atë që është e shqiptarëve. T’u japim 650 mijë pensionistëve shqiptarë të drejtën dhe mundësinë që në krye të 4 viteve të para të republikës së re, pensioni minimal të jetë 250 mijë lekë në muaj.
T’u japim studentëve shqiptarë tarifa të përballueshme bashkë me premtimin e republikës së re se askush bir apo bijë shqiptari nuk do të mbetet pa studiuar për shkak të pamundësive ekonomike, duke anuluar ligjin për arsimin e lartë, duke u dhënë tarifa të përballueshme me autonomi të plotë studentore, ju qindra e mijëra studentëve që keni mbushur këtë shesh si asnjëherë më pare. Studentët që përfundojnë studimet do kenë mundësinë e stazheve të paguara të punës me një vlerë minimale prej 200 mijë lekësh në muaj në bazë të meritës tuaj si një urë nga auditorët e shkollave drejt tregut të punës, dhe si bekim i Republikës së Re, pronë e prindërve tuaj për tu uruar fillimin e mbarë të jetës këtu në Shqipëri, këtu në vendin tuaj.
Republika e Re do të jetë republika e taksave të ulëta, e taksës së sheshtë duke i dhënë fund taksave të larta, vjedhjes së madhe qeveritare në këto 27 vite. Me 9 % taksën e sheshtë ne do t’i japim frymëmarrje sipërmarrjes shqiptare, do të injektojmë 1 miliardë euro në ekonominë kombëtare, do të ndezim motorrët e saj për të çliruar energji pozitive, e do të krijojë mijëra vende pune, e do të përmirësojmë jetën e shqiptarëve, e do të rrisë rrogat dhe fuqinë blerëse të tyre.
Republika e Re e ka një premtim të madh për çdo sipërmarrës të vogël, për gjithë biznesin e vogël shqiptar, të një takse maksimale e cila kombinon taksat qendrore dhe lokale dhe kurrë nuk mund të jetë më shumë se 1.5% e xhiros vjetore me një pullë në ambientet e jashtë të biznesit për t’i thënë lamtumirë një herë e përgjithmonë çdo inspektori, çdo tatimori e çdo taksidari.
Republika e Re do t’i kthejë klasës së mesme shqiptare përmes tatimit 9% dinjitetin dhe mundësinë ekonomike për të vazhduar motorri i përparimit, së bashku me elitën e mendjes dhe të shpirtit shqiptar.
Republika e Re do të kthejë mbi 40 mijë familje të hequra padrejtësisht nga ndihma ekonomike, në skemën e ndihmës ekonomike ku paratë që u jepen me një dorë nuk do t’u merren me dorën tjetër.
Sepse për të gjitha familjet me ndihmë ekonomike Republika e Re do të paguajë faturat e energjisë deri në 300 KV dhe faturat e ujit të pijshëm për konsum familjar.
Republika e Re do të investojë më shumë se gjithçka tjetër tek fëmijët e shqiptarëve, tek fëmijët tanë, tek fëmijët tuaj.
Nuk do të ketë asnjë ndërtesë më madhështore e të mirëpajisur në asnjë fshat dhe asnjë lagje qyteti se shkollat e fëmijëve tuaj, shkollat e fëmijëve shqiptarë.
Me dyfishimin e korpusit të mësuesve, me rritjen e rrogave të tyre, do të mundësojmë për çdo fëmijë shqiptar, nga mosha 5 deri në 18 vjeç, të kenë drekën falas në shkollat e Republikës së Re, me orarin nga ora 08:00 deri në orën 16:00 duke përfshirë bërjen e detyrave të shtëpisë, aktiviteteve sportive.
Fëmijët e shqiptarë do të dalin nga tempujt e arsimit vetëm kur prindërit e tyre të dalin nga puna. Republika e Re do t’i heqë fëmijët e shqiptarëve nga rruga.
Fermerët shqiptarë duhet ta dinë se në Republikën e Re paratë që sot zhduken në xhepat e qeveritarëve të korruptuar dhe oligarkëve barkderra, do të kthehen në subvencione.
Plot 100 milionë euro në vit për çdo familje fermere, në bazë të prodhimit, në bazë të tokës që punojnë dhe krerëve që mbarshtojnë.
Dhe mbi 50 milionë euro të tjera në vit për rrugë, vaditje, kullim, tregje. Doganat do ta ulin traun për prodhimet e eksportit që ju konkurojnë në mënyrë të pandershme tarifat e Republikës së Re do ta barazojnë djersën e fermerit shqiptar me djersën e fermerit europian.
Pronarët e ligjshëm e dinë tashmë se bashkë me reflektimin tonë për kauzën tuaj të drejtë, për të cilën bëmë por duhet të kishim bërë më shumë, vjen zotimi im, zotimi ynë për hedhjen menjëherë poshtë çdo platforme neokomuniste për t’ju rishpronësuar.
Pronat tuaja do të kthehen apo kompensohen vetëm sipas vlerës së tregut dhe asnjë kriteri tjetër antikombëtar dhe antieuropian.
Vëllezër e motra emigrantë, ju që jeni larg vendit tuaj dhe sot jeni shumë më shumë se para tre vitesh për shkak të vrasjes së shpresës, pasigurisë e varfërisë.
Dijeni se në Republikën e Re akti i parë do të jetë e drejta juaj për të votuar njësoj si familjarët tuaj përmes sistemit të votës elektronike, zëri juaj do të dëgjohet dhe kombi do të bashkohet në parlamentin e ri të Republikës së Re.
Të gjitha këto janë të mundura dhe të realizueshme nëse kuçedra e republikës së vjetër largohet nga burimi i resurseve, pasurive dhe parave të shqiptarëve.
Të gjitha këto janë të mundshme vetëm nëse presim një herë e përgjithmonë lidhjen mes krimit dhe politikës, diktatin e drogës dhe jetën e qytetarëve shqiptarë.
Asgjë nuk do të ndryshojë, keq e më keq do të bëhet Shqipëria nëse ja lejojmë diktatit të krimit dhe drogës të vendosë në vend të qytetarëve shqiptarë përmes zgjedhjeve farsë, përmes zgjedhjeve fasadë të diktuara nga droga dhe krimi.
Gjithçka do të ndryshojë, asgjë nuk do të jetë si më parë nëse ne së bashku marrin fatin tonë në duart tona.
Republika e Re nuk mund e nuk do të jetë kurrë republika e politikanëve, as republika e partive politike. Nuk do të jetë republika ku Parlamenti është noteri i Kryeministrit.
Në Republikën e Re me Kushtetutë dhe me ligj, anëtarët e Parlamentit do të zgjidhen vetëm si produkt i vullnetit tuaj qytetare dhe qytetarë shqiptarë, do të përfaqësojnë vetëm vullnetin tuaj dhe do të jenë kërkues, llogarikërkues dhe avokatët tuaj para qeverisë dhe institucioneve shtetërore.
Që kjo të ndodhë vellezër e motra, ne duhet të kemi patjetër zgjedhje të lira e të ndershme.
Zgjedhje të lira e të ndershme ku çdo qytetar të mund të shprehë vullnetin e tij apo të saj i pakërcënuar, i pashitur, i pablerë, paterrorizuar nga krimi dhe droga, apo nga pushtetarët që e kanë kthyer administratën në një garnizon të tyre elektoral.
Nuk mund të ketë zgjedhje të tjera në Shqipëri.
Nuk mund të ketë zgjedhje moniste në Shqipëri.
Koha e monizmit shkoi një herë e përgjithmonë. Ne as nuk do të lejojmë, as nuk do pranojmë kurrë rikthimin e monizmit dhe zgjedhjet pa opozitën t’i harrojë republika e vjetër e çdokush që qëndron pas saj.
Por do të ketë zgjedhje të lira e të ndershme. Sepse forca jonë është forca e bashkimit dhe qëndresës. Këtë betejë e nisëm së bashku. Ju pyeta a jeni gati të luftojmë. Ju premtova se jam gati t’ju udhëheq drejt një beteje pa kthim për Shqipërinë europiane, për Shqipërinë e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Dhe sot jam këtu për t’ju thënë se unë dhe Partia Demokratike e kemi mbajtur premtimin që ju dhamë 85 ditë më parë.
Nuk kanë rreshtur kritika, sulmet, shpifjet, qëndrimet totalisht të padrejta ndaj meje dhe ndaj Partisë Demokratike.
Por ju e keni parë që unë as s’jam stepur, as s’jam ndalur, as s’jam kthyer nga rruga ku kam premtuar që do t’ju udhëheq deri në fund, as nuk jam joshur për dy arsye.
E para sepse këtë betejë nuk e bëj për veten time as për karriken time, as për pushtetin tim apo të partisë time por për të gjithë ju, bashkëqytetarët e mi, për shqiptarët të djathtë e të majtë, e për Shqipërinë e sotme dhe të nesërme.
Arsyeja e dytë, sepse këto sulme, kritika, baltosje, shpifje e qëndrime të padrejta nuk më bëjnë asnjë përshtypje sepse forca ime është te bashkimi juaj, është te qëndresa juaj.
Shikojeni njëri-tjetrin në sy teksa Zoti na sheh.
A ka forcë më të madhe në këtë Shqipëri se ky bashkim?
A ka forcë më të madhe në këtë Shqipëri, se ky bashkim, se kjo qëndresë?
Vëllezër dhe motra, të majtë që nuk jeni sot me ne këtu dhe ju vëllezër e motra të Policisë së Shtetit që ju përshëndes përzemërsisht.
Asnjë frikë nuk duhet të ketë askush, forca jonë që ditën e parë nuk ka qenë dhuna. Forca jonë që ditën e parë nuk ka qenë forca. Forca jonë, çelësi i artë i derës së historisë që hapet sot është bashkimi ynë, është qëndresa juaj.
Ju ftova të vini me gëzim në zemrat tuaja dhe më duket së kështu keni ardhur.
Mbi supet tuaja, mbi supet e mia dhe çdo shqiptari të ndershëm peshon pesha e madhe e përgjësisë dhe historisë që marrim sot përsipër në këtë shesh.
Në zemrat tona, në shpirtrat tanë dhe tek miliona shqiptarë, drita e të vërtetës, drita e shpresës së Zotit e ka mposhtur errësirën e frikës apo jo?
Ju jeni gati të hedhim hapim drejt të ardhmes që na pret?
Ju jeni gati të marrim sëbashku vendimin e madh?
Dhe unë jam gati ta mbaj premtimin tim para jush, së bashku për t’ju çuar deri në fitoren totale.
Dita e parë e Shqipërisë po afron.
Unë e dija se kjo ditë po vinte, ishte thjeshtë dhe vetëm çështje kohe. Çështje kohe sa shqiptarët të rizbulonin kreshnikun e kreshniken brenda vetes së tyre, fisnikërinë e moçme, qytetarinë europiane.
Dhe ja tek ka ardhur kjo ditë e bekuar.
Le ta shpallim sot njëzëri, Republikën e Re.
E sotmja ka hyrë në histori, si dita e bashkimit më të madh deri sot, historia e Republikës së Re është vulosur sot me votën tuaj më të shenjtë, praninë tuaj në këtë shesh.
E vjetra po mundet, por që beteja jonë të përmbyllet me fitoren totale, ajo është akoma në dorën tuaj dhe unë kam një pyetje për ju.
Nuk ju kërkoj asnjë sakrificë tjetër. Ju lus që gëzimin dhe paqen ta merrni me vete në fund të këtij referendumi popullor e të shpërndajmë lajmin e mirë në çdo fshat e çdo qytet, por pyetja ime është kjo.
A jeni gati të qëndrojmë të bashkuar?
E të bashkohemi përsëri këtu në këtë shesh derisa Republika e Re të jetë realiteti institucional, kushtetues dhe qytetar me zgjedhjet e lira dhe të ndershme që po vijnë.
A jeni gati ta vazhdojmë këtë betejë?
Ju kërkoj vetëm qëndresë dhe bashkim dhe Zoti do ju bekojë e do të na bekojë me fitore.
Për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të vetmet zgjedhje që Shqipëria do të ketë, për Republikën e Re të qytetarëve shqiptarë, kështu sot siç u mblodhëm sot në këtë referendum, të jemi gati për të tretën, të vërtetën, marshimin tonë final
T’i lutemi Zotit t’i hapë veshët kundërshtarëve të pakët të Republikës së Re, përballë këtij bashkimi kombëtar. T’i thërrasin mendjes e t’i hapin rrugë përmes dialogut.
Por, po kështu le të zotohemi se kjo që themeluam sot këtu, pasuria jonë e përbashkët, vendimi juaj i madh, shpresa e çdo shqiptari e çdo shqiptare, Republika e Re, nuk do të ndalet, nuk do të thehet, por do të marshojë në fitore totale.
Ne me Republikën e Re, ne duam dhe do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa.
Sepse e duam Shqipërinë si gjithë Europa!
Vëllezër dhe motra,
Referendarë të Republikës së Re,
Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!
Zoti e bekoftë Shqipërinë tonë të dashur, e çdo shqiptar e çdo shqiptare kudo qoftë.
Drita e shpresës që ndriçoi në këtë shesh, u përhap anembanë.
Fitorja e Republikës së Re, qoftë fitorja e çdo shqiptari.
Zgjedhje të lira, qeveri teknike, Republikë e Re, Republike e Re, Republikë e Re.
Me gëzim dhe paqe në zemrat tuaja, kthehuni në shtëpitë tuaja në Tiranë, në qytete dhe fshatra nga keni ardhur.
Rrëfeni të vërtetën tuaj, vendimin tuaj për Republikën e Re dhe bëhuni gati për marshimin final.
Jeni gati apo jo?
Zoti ju bekoftë!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
13 Maj 2017
Read More