Blog

09 Pri
0

Jam me të mjerët, jemi shumica e bashkuar për Republikën e Re, ti ke zgjedhur milionat e kriminelët e parfumosur

Mesazhi i Lulzim Bashës në ditën e 51 të protestës popullore për votë të lirë e të ndershme. “Hiq dorë nga kërcënimet, hiq dorë nga përçarja. Mos i fryj dasisë mes shqiptarëve se ne të mjerët vijmë nga Vermoshi në Konispol, nga Korça në Durrës. Ne jemi kudo, gegë dhe toskë, muslimanë e të krishterë, demokratë e socialistë, që një gjë nuk durojmë dot, dhe këtë do ta shporrim, dhe kjo është qeveria e lidhur me krimin dhe krimi i bërë njësh me pushtetin”.

 

 

Të dashur miq më lejoni t’ju ftoj ta nisim këtë të dielë, me një minutë heshtje për të nderuar kujtimin e një oficeri trim të Policisë së Shtetit, një luftëtari të paepur kundër krimit, një mbrojtësi të sigurisë dhe jetës së njerëzve, të flakur kundër ligjit dhe pa asnjë arsye, në mes të katër rrugëve, që u ekzekutua dje barbarisht nga dora mafioze, oficerit Artan Cuku.

 

(Një minutë heshtje)

 

U prehtë në paqen e Zotit

Vëllezër dhe motra,

Zonja dhe zotërinj

 

Artan Cuku, shërbeu për dhjetra vite në Policinë e Shtetit, në detyra nga më të ndryshmet, ku më të rëndësishmet janë pa dyshim ato në Drejtorinë e Krimit në Tiranë dhe krye të policisë së qarkut të Vlorës.

 

Një nga qarqet problematike sa i përket krimit të organizuar dhe në veçanti sa i përket drogës dhe trafikut të drogës.

 

Qarku i Vlorës siç e dini ju të gjithë, është po kështu edhe qarku në të cilin kryekryeministri aktual është edhe kreu i listës, deputeti i parë i Partisë Socialiste. Kanë kaluar mbi 12 orë nga kjo vrasje makabre e stilit mafioz, shoqëria ka shprehur tronditjen e thellë, kolegët e oficerit të lartë të Policisë së Shtetit kanë shprehur shqetësimin e madh dhe revoltimin me faktin që një oficer i shërbeu ligjit dhe luftoi krimin u flak në rrugë pa asnjë mbrojtje nga krimi.

 

I vetmi që nuk ka reaguar, është shteti shqiptar.

 

Nuk ka reaguar Ministri i Brendshëm, nuk ka reaguar kryeministri, njëkohësisht edhe deputeti i parë i qarkut në të cilin oficeri Cuku shërbeu si drejtor.

 

Nuk kanë reaguar, nuk kanë gjetur kohën, nuk kanë gjetur fjalët, nuk kanë gjetur kurajon, nuk kanë gjetur dhe nuk kanë moralin të ngrenë zërin kundër dorës kriminale që goditi shërbëtorin e ligjit.

 

Sikundër, nuk kanë gjetur kohën të thonë një fjalë të vetme, as ata, as edhe miqtë e tyre, (që nuk lënë moment pa folur broçkulla pa fund) për 12 tonët e drogës të kapur në Përmet. Nuk flasin për drogën, nuk flasin për krimin, sepse për ta, krimi nuk ekziston, kriminelët në Parlament dhe në Bashki janë sajesa të fantazisë opozitare, ndërsa droga dhe problemi i madh i drogës është shpikje e opozitës për t’i nxirë faqen vendit.

 

***

Kjo është fabula e një njeriu që ka humbur çdo lidhje me realitetin e përditshëm të shqiptarëve dhe jeton në flluckën e tij, i rrethuar nga vizatimet e tij dhe nga milionat e korrupsionit dhe milionat e drogës dhe nga baronët e drogës, që i ka miq në zyrën e kryeministrit nga mëngjesi deri në darkë, po kështu në vilat qeveritare, e në drekat e darkat e kushtueshme, ku konsumojnë shishe vere që kushtojnë të gjitha së bashku sa ndihmat ekonomike për një qytet të mesëm në Shqipëri.

 

Kur pi shishe vere që bëjnë sa 10 pensione mesatare, normalisht që njerëzit që mblidhen këtu në çadër të duken mjeranë. Të duken mjeranë ata që ngrihen kundër teje, sepse të mjerë e bëre ekonominë, të mjerë e bëre shëndetësinë, të mjerë e bëre arsimin, të mjerë e bëre popullin tënd përmes papunësisë që është mbjellur kudo së bashku me depresionin social dhe psikologjik, mjerimi para së gjithash dhe mbi të gjitha, është vepra jote Edi Rama, e kriminelëve dhe oligarkëve partnerë, me të cilët vodhe dhe shkatërrove Shqipërinë.

 

Po sigurisht, këta janë të mjerët. Ju jeni të mjerët. Ne jemi të mjerët se të privilegjuarit janë atje, prapa fasadave, të ulur mbi kolltuqet dhe dysheqet e miliardave të eurove, që i ke vjedhur këtij populli në katër vite. Të ulur mbi sunduqet e drogës. Me drogë poshtë këmbëve, me drogë para hundës, natyrisht që populli të duket i mjerë dhe i mjerë është. Por nuk është i pashpresë. Eshtë i bashkuar. I ke bashkuar ti. Demokratë dhe socialistë në mjerimin e tyre, po kështu i ke bashkuar në vendosmërinë e tyre. Ndaj të paralajmëroj, të mos i frysh zjarrit të përçarjes dhe të hedhjes së shqiptarëve kundër shqiptarëve me parullat e tua raciste dhe etnofobe që tregojnë se sa i cekët dhe i mjerë ke qenë, dhe do të jesh, sa do i pasur të jesh bërë këto vite.

 

Hiq dorë nga kërcënimi ndaj opozitës dhe kauzës së shqiptarëve të bashkuar.

 

Luftë siç e përmende zotrote, përplasje civile për të mbrojtur karriken dhe prapanicën tënde të korruptuar, kurrë nuk do të ketë në Shqipëri.

 

Po e kërkon me qiri konfliktin mes shqiptarëve. Por, shqiptarët nuk kanë konflikt me njëri-tjetrin, sepse siç e the vetë, janë të mjerë, të djathtë dhe të majtë, gegë e toskë, sepse të mjerë e bëre Shqipërinë, me drogën, krimin dhe korrupsionin tënd.

 

Ndaj, i vetmi konflikt i papajtueshëm sot në Shqipëri, është mes shumicës dërrmuese të shqiptarëve, shumicës absolute të shqiptarëve të mjerë për shkak të qeverisjes tënde dhe qeverisjes tënde të korruptuar dhe kriminale. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë zgjidhje tjetër përveç largimit të kryeministrit dhe qeverisë së krimit dhe korrupsionit.

 

***

Shikoni se sa bukur mundohet t’i shpëtojë këtij gjykimi të drejtë të kësaj lëvizje të madhe popullore.

 

Ju jap KQZ-në thotë, merreni KQZ-në. Po çfarë duhet KQZ-ja, kur ti ke krimin, kur ti ke drogën, kur ti ke një polici që e ke shndërruar në një repart ushtarak të krimit, drogës dhe rilindjes së kriminalizuar.

 

Ti e di fare mirë që një KQZ në këto kushte është kukull, siç është kukull kjo KQZ me këtë kryetar idiot dhe të papërgjegjshëm që iu thotë shqiptarëve: tani që po vjen data e mosregjistrimit, me vullnetin e mirë unë jam gati ta shtyj edhe 19 ditë.

 

O Denar Biba, je kryetar i KQZ, jo Papa i Vatikanit! O idiot!

 

Se kështu i bie që edhe ky këtu, nesër të na e bekojë kanabisin e të thotë: Ky është rigon e jo kanabis.

 

Për të qeshur?! Por më shumë për të qarë se ku ka përfunduar ky vend, në duart e kujt ka përfunduar ky vend.

 

Një kryeministër që nuk ka guximin të dënojë krimin që godet kryepolicin e  qarkut të tij, që nuk ka guxim të thotë një fjalë për 12 tonë hashash në një ditë, në një magazinë, që janë 120 milionë euro. Sepse këto ja prishin fabulën, se këtu do të ketë zgjedhje.

 

Si mund të kesh zgjedhje me qindra-miliona eurot e drogës. Dhe padyshim pastaj kur idiotësia dhe poshtërsia është në nivelet më të larta, ka vetinë të shumëfishohet edhe në nivelet e të tjerëve, me deklarata të tilla idiote si të këtij që thotë: Unë me vullnet të mirë do ta shtyj edhe 19 ditë.

 

Regjistrimi skadon nesër, opozita nuk regjistrohet për zgjedhje fasadë.

Zgjedhjet fasadë nuk ka për të pasur, zgjedhje të diktuara nga krimi nuk ka për të pasur.

 

Socialistët e ndershëm të rrinë rehat se jo vetëm Shqipëria por edhe Partia Socialiste do të çlirohet një herë e mirë nga zgjedha e krimit që e ka marrë peng.

 

Natyrisht që kjo nuk drejtohet kundra asnjë shqiptari të ndershëm, kundra asnjë shqiptari të thjeshtë, kundër të mjerëve siç i quan Edi Rama, të mjerëve që kanë 50 ditë pa bërë dush.

 

50 ditë mos ke për vete pa bërë dush, se kështu thonë ata që të kanë sjellë nga Parisi.

 

Por edhe po të ketë njerëz që këtu nuk bëjnë dot dush, sepse qëndrojnë kundër pisllëkut tënd, më mirë era dhe fryma e tyre sesa parfumi i trafikantëve me të cilët ngrysesh dhe gdhihesh çdo ditë.

 

Kjo ështe çështje shijesh padyshim, por është edhe çështje bindjesh. Ti ke zgjedhur të rrish me bundrat e krimit që parfumosen me erën e hashashit dhe ngjyejnë hundën e tyre me pluhurin e bardhë. Unë kam zgjedhur këtu me të mjerët e mi, me gjithë popullin shqiptar që e ke mjeruar në 4 vite por që ka vendosur të ngrihet një herë e mire, e të shporrë ty dhe kriminelët.

 

(ovacioni, rama ik! ik!)

 

Ndaj minutat që po kalojnë, shpresoj sado pak të të kthjellojnë, se ne të mjerët nuk jemi as 100 miijë, as 200 mijë, por jemi plot 1 milionë përballë një çete kusarësh, përballë Edi Ramës me 40 hajdutë, kriminelë dhe oligarkë.

 

Përballja do të jetë fatale për krimin, por do të jetë përballje paqësore, demokratike dhe europiane.

 

Hiq dorë nga kërcënimet, hiq dorë nga përçarja. Mos i fryj dasisë mes shqiptarëve se ne të mjerët vijmë nga Vermoshi në Konispol, nga Korça në Durrës. Ne jemi kudo, gegë dhe toskë, muslimanë e të krishterë, demokratë e socialistë, që një gjë nuk durojmë dot, dhe këtë do ta shporrim, dhe kjo është qeveria e lidhur me krimin dhe krimi i bërë njësh me pushtetin.

 

Jemi në një moment të veçantë, të psikologjisë dhe mendimit që profesor Artan Peqini e shprehu fare bukur, e kam zili sepse e shprehu me fjalë të thjeshta e njerëzore.

 

Jemi në momentin kur të gjithë e kuptojnë që ajo që po vjen, që është nisur, dhe do të vijë shpejt, është shpresa dhe ëndrra e gjithsecilit prej nesh, që ne e quajmë Republika e Re.

 

Ndërsa kjo që sot është akoma realiteti që shtyp ëndrrat tuaja, shpresat tuaja, xhepat tuaja, tavolinat tuaja, është në fakt e keqja që po ikën. Ajo që kemi në shpirt dhe në mendje së shpejti do të jetë realitet.

 

Kjo që jetoni akoma në orët e tyre të fundit së shpejti do të jetë histori, asgjë nuk do të jetë si parë.

 

Gjithçka do të ndryshojë, falë kësaj lëvizje, falë kësaj qendrese, falë jush dhe gjithsecilit prej jush.

 

Zoti ju bekoftë ju!

 

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

 

 

 

Read More
09 Pri
0

Kryetari i opozitës Lulzim Basha, homazhe oficerit Artan Cuku

Read More
08 Pri
0

Konservatorët britanikë dhe europianë në mbështetje të kauzës popullore për zgjedhje të lira e të ndershme

Pasdite në Sheshin e Lirisë, kreu demokrat Lulzim Basha priti drejtuesit e partive konservatore europiane. Konservatorët britanikë dhe Aleanca e Konservatorëve Europianë shprehën mbështetjen e tyre për kauzën e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Lulzim Basha ndau vlerësimin për mbështetjen e Aleancës së Konservatorëve dhe Reformistëve europianë, Partisë Konservatore britanike, forca që kanë bërë historinë e lirisë europiane.

“Ata vijnë nga vende që janë djep i demokracisë si Mbretëria e Bashkuar, dhe vende që vuajtën bashkë me Shqipërinë, shkatërrimin, diktaturën, terrorin komunist, por që ia kanë dalë të ngrihen e të qëndrojnë fuqishëm, vetëm falë lirisë dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme”.

Presidenti i Aleancës së Konservatorëve dhe Reformistëve në Europë, Jan Zahradil tha se vend i tij dhe Shqipëria kanë një të përbashkët të madhe, të shkuarën e egër komuniste dhe luftën kundër saj.

“Trashëgiminë komuniste po përpiqemi ta lemë pas, po si mund ta arrijmë këtë?! Vetem me zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente. Ne e dimë sa e rëndësishme është që qytetarët të kenë mundësi për të zgjedhur lirshëm. Nëse ju mohohet mundësia për të zgjedhur lirshëm, atëhere nuk ka fare demokraci.  Prandaj ne jemi këtu për tju mbështetur në luftën dhe kërkesën tuaj që qeveria të dëgjojë zërin e qytetarëve, për të organizuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente, ku askujt të mos i mohohet e drejta për të votuar lirshëm. Kjo është beteja juaj, por ne jemi këtu për t’iu mbështetur plotësisht ndaj mund të mbështeteni tek ne. Ju keni këtu politikanë të besueshëm dhe të përgjegjshëm që janë demokratë të vërtetë. Mbështetini dhe luftoni për ta. Të jeni të sigurtë që me ta demokracia do të jetë më e fortë, më njerëzore dhe më e vërtetë”, tha Zahradil.

Daniel Hannan, Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës së Konservatorëve dhe Reformistëve në Europë, si dhe eurodeputet i Parlamentit Europian, vlerën më të madhe të Shqipërisë e sheh tek kurajo e qytetarëve të saj.

“Prindërit tuaj luftuan për pavarësi dhe liri kundër pushtuesve të ardhur nga lindja apo perëndimi. Ata u munduan dhe luftuan për rrëzimin e një prej diktaturave më të rënda që ka ekzistuar në tokën e Europës moderne. Dhe tani është detyrë e brezit tuaj për të larguar edhe mbetjet e fundit të mendësisë komuniste. Nuk ka forcë më të madhe në politikë se sa ëndrra për liri”, u shpreh Hannan.

Daniel Hannan tha se shqiptarët i kanë liderët që do i çojnë me përgjegjësi drejt vlerave dhe parimeve europiane, por më parë duhen siguruar zgjedhje të lira e të ndershme.

“Une nuk kam dyshim se do ju drejtojnë me sukses drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, me mbikqyrjen e një trupi të pavarur, dhe me lidershipin e tyre, fitorja do të jetë e juaja”.

Geoffrey Clifton-Brown, deputet i parlamentit Britanik tha se demokracia nuk vjen rastësisht, por populli i një vendi duhet të luftojë për ta fituar atë.

“Ne qendrojmë, sic dhe Britania ka bërë gjithnjë, në mbështetje të shteteve europiane që luftojnë për të fituar lirinë nga forcat e tiranisë dhe komunizmit dhe këtë do të bëjmë për Shqipërinë sot. Unë ndjej se jemi në një kthesë kyçe të historisë së Shqipërisë. Miqtë e mi, vetëm vazhdoni betejën pa reshtur, dhe do të keni zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe liria do të vijë e do transformoheni në një shoqëri moderne europiane si ne. Fat të mbarë!”, tha Brown.

Fatmir Mediu tha se gjatë takimeve të zhvilluara me Partitë Konservatore Europiane prej dy ditësh në Tiranë, ka diskutuar me politikanë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Çekisë, Portugalisë, Estonisë dhe sëbashku kanë dalë në një përfundim.

“E drejta dhe dinjiteti i individit nuk mund të zëvendësohen nga asnjë shtet apo kryeministër. Ajo buron nga liria e tij, dhe e drejta e votës është liri themelore. Ndaj ne nuk do të ndalemi në rrugën tonë për zgjedhje të lira e të ndershme”.


Njoftim per shtyp 8 Prill 2017

Read More
08 Pri
0

Detyrat tona janë të qarta, ta ndalim tiraninë. Qeverisja jashtë Kushtetutës dhe jashtë ligjit është tirani dhe tiranitë ndalen ose përmbysen

Lulzim Basha bashkëbisedoi me njerëz të mediave dhe studentë për fjalën e lirë dhe situatën ku sot ndodhen mediat dhe formën që do të ketë Republika e Re. Gazetarë të medias së shkruar dhe vizive, me eksperiencë por edhe të rinj përballen me presionin për të përçuar tek shikuesi, lajmin e përzgjedhur dhe përgatitur paraprakisht nga zyrat e propagandës qeveritare.

Klara Bici, Elton Metaj, Mina Hysa, Altin Mema, Gëzim Saliu, Artan Cena dhe Bled Kasmi folën për vështirësitë në vendin e punës për të mos bërë kompromis me të vërtetën. Bici tha se kryeministri sot sulmon ato media, të cilat edhe përmes presionit, e ndihmuan në ngritjen e figurës së tij fiktive. Hysa tha se gazetarët janë nën presion, ndërsa pronarët janë blerë dhe se nuk mund të ketë liri në media kur nuk ka votë të lirë. Gazetari nga Lezha, Altin Mema tha se kryeministri po zhduk gazetarët dhe kameramanët të cilët nuk i lejon të xhirojnë në aktivitetet e tij, sepse i bën vetë dhe ia dërgon lajmin redaksive të gazetave dhe televizioneve të parapërgatitur. Mema tha se në këtë mënyrë kryeministri jo vetëm kontrollon lajmin, por i heq edhe ditën e punës gazetarit dhe kameramanit profesionist. Gazetari Artan Cena tha se “sheshi i lirisë” i ka dhënë mundësinë njerëzve të thonë hallet e tyre, të cilat duhen zgjidhur dhe kjo është Republika e Re për qytetarët.

Poeti dhe autori Agim Doçi tha se iu bashkua qytetarëve në atë të cilën e quajti “çadra e gjithë Shqiptarisë”.

“Kam ardhur për misionin e madh sepse disa shqiptarë se kanë kuptuar se në opozitë është çështja kombëtare.”

Doçi shprehu keqardhjen për situatën ku po kalon vendi, e sidomos rinia shqiptare.

Gjatë diskutimit, studentët e pranishëm folën për mungesën e vizionit në një vend ku jo vetëm të rinjtë por edhe mosha e mesme sot kërkon të largohet përtej kufijve. Alit Brati, Erjada Halili, Edona Staka folën për nevojën që rinia të qëndrojë dhe investojë në vendin e saj.

Staka, studente nga Shkodra tha se kjo qeveri nuk i dha shqiptarëve asnjë arsye për të qëndruar në vendin e tyre. 60% e të rinjve duan të largohen, gjashtë nga dhjetë fëmijë largohen për të gjetur shkollim dhe punë përtej kufijve. Shtetit i ikën katalizatori i tij.

Do kisha dash tju them mos ikni dhe me ju dhënë 1 milionë arsye mos me ik, por unë nuk i kam as 100, kam vetëm 5 të mijat modeste pse kam zgjedh unë mos me ik. Nuk dua të iki sepse kam lindur ne vitin 1991, ndaj jam konceptuar të jem e lirë. Nuk e kam ndërmënd të lë bishën komuniste të më kalojë para syve. S’kam ndërmënd të lë prindrit e mi të jetojnë komunizmin për herë të dytë në 2017. Kam një za dhe mendim dhe kam bindjen se i duhem vendit tim. Mos ikni por guxoni dhe të guxosh dmth të mos të kesh frikë të sfidosh sistemin.”

Lulzim Basha tha se kryeministri Rama është i vetdijshëm se me votë popullore nuk mund të dalë i fituar përpara shqitparëve. Për këtë shpresa e tij e vetme është ruajtja e lidhjes së ngushtë me krimin dhe përmes tij të mbajë pushtetin.

Plani i republikës së vjetër është të ruajë me cdo kusht status quo-në. Me milionat e drogës, koncesioneve dhe tenderave është futur në lojë për ti mbyllur gojën edhe mediave shqiptare, jo gazetarët as analistët e ndershëm, por një grusht pronarësh, të cilët e kanë lidhur fatin e tyre jo me të vërtetën, por me paratë e tenderave korruptive, të lejeve të dnërtimit dhe që kanë të njëjtin interes si Rama të mbajën këtë gjendje në këmbë, të ruajnë status quo-në. Sepse me këtë gjendje, me këtë status-quo, ata janë zotër të vërtetë të parave të shqiptarëve, të pasurive të shqiptarëve , të mediave, mendjeve dhe fatit të shqiptarëve. Ata janë zotër të vërtetë dhe populli e qytetarët nuk janë asgjë, përvecse shërbëtorët, një tufë delesh që ushqehen me kashtë e me bar që vetëm t’ju merret  qumështi leshi, mishi dhe pika e fundi e gjakut.”

Kryetari Basha tha se kush e ka përjetuar qëndresën popullore, që sot hyri në ditën e 50 të saj, ka krenarinë të jetë pjesë e një qëndrese qytetare e cila nuk iu dorëzua së keqes dhe i dha zë shpresës dhe forcës së një populli që sot ngrihet bashkë kundër saj.

Kryeministri thotë që do bëjë shtet. Shtetin Edi Rama e ka bërë. Ky është shteti i Edi Ramës dhe siç e dini fare mirë, asgjë nuk ka për të ndryshyar për këtë shtet nëse ne e lejojmë tiraninë e krimit të vazhdojë të diktojë jetët e shqiptarëve. Ky është shteti i Edi Ramës. Kriminelë në parlament, kriminelë në krye të bashkive, eskobarë në krye të policisë, doganave, tatimeve. Por e bënë këtë vetëm e vetëm sepse kishin mbështetjen, bekimin dhe mbrojtjen politike të kryetarit të tyre të krimit në pushtet që është Edi Rama. Asgjë nuk do të ndryshojë për rininë shqiptare, asgjë nuk do të ndryshojë për studentët shqiptarë. Përkundrazi, ligji aktual i Arsimit të Lartë e ka të shkruajtur të zezë mbi të bardhë, se tarifat do të rriten nga viti në vit, ndërkohë që cilësia e mësimdhënies në auditorë do të bjerë nga viti në vit, duke rënë kështu edhe mundësia për të pasur një brez të ri të mirëarsimuar e të gatshëm t’i përgjigjet nevojave të tregut të punës.”

Lulzim Basha tha se vendosmëria e qytetarëve është edhe garancia se nuk largohen nga kjo betejë pa fitoren e plotë të kauzës për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Përkundër ofshamave të prindërve, përkundër dëshpërimit të rinisë, nuk ju dorëzuam këtij fati të keq, por duke marrë forcë nga virtytet më të pastra të shqiptarit ndër shekuj i dhamë zë, shpresë dhe forcë një populli i cili nuk dorëzohet, një populli i cili nuk nëpërkëmbet nga e keqja por çohet, ngrihet së bashku për ta mposhtur të keqen. Detyrat tona janë të qarta, ta ndalim tiraninë. Qeverisja jashtë Kushtetutës dhe jashtë ligjit është tirani dhe tiranitë ndalen ose përmbysen. Ky shtet jo vetëm që nuk do të qendrojë në këmbë por nuk do ti mbijetojë as orës së parë të republikës së re që po vjen me zgjedhjet të lira dhe të ndershme. Ky është kuptimi, ky është mesazhi, kjo është leviza e betejës tonë tash 50 ditë dhe i tillë do të mbetet qëndrimi, e tillë do të mbetet qëndresa dhe vendosmëria e kësaj lëvizje popullore deri në fitoren totale të kësaj beteje.”


Njoftim per shtyp 8 prill 2017

Read More
08 Pri
0

Dita e Republikës së Re po vjen, pushteti i krimit dhe korrupsionit ka rënë

Sot për mua është dita të përulem me respektin më të thellë historik ndaj 50 ditëve, 1200 orëve të kësaj qëndrese historike, që në fakt përfaqësojnë miliona orë të jetës së qindra-mijëra shqiptarëve në bashkimin më të madh popullor për liri dhe demokraci të vërtetë.

Nisi si domosdoshmëri, vazhdoi si sakrifice, dhe sot, siç e thanë të pranishmit në këtë agorë, përfaqësuesit e medias e në veçanti rinia shqiptare, është shpresa, ëndrra dhe e nesërmja e Shqipërisë së re. E një Shqipërie, e cila me të vërtetë u zhyt në dëshpërim, në varfëri, në mjerim, në depresion në këto katër vite të shartimit të pushtetit me krimin dhe krimit me pushtetin, por, përkundër ofshamave të prindërve, përkundër dëshpërimit të rinisë, nuk iu dorëzua këtij fati të keq, por duke marrë forcë nga geni më mbijetues i racave europiane dhe nga virtytet më të pastra të shqiptarit ndër shekuj, i dha zë shpresë dhe forcë një populli i cili nuk dorëzohet, një populli i cili nuk nëpërkëmbet nga e keqja por çohet, ngrihet së bashku për ta mposhtur të keqen.

Kush e përjetoi dhe e përjeton këtë qëndresë ka krenarinë e jashtëzakonshme, siç e kam edhe unë sot që ti them vetes bashkëqytetar i juaji, bashkëkombës i juaji, shqiptarë si shqiptarët e sheshit të lirisë, shqiptarë si shqiptarët e çadrës së lirisë, shqiptarë si shqiptarët e qëndresës së lirisë, shqiptarë dhe patriotë si anëtar i kësaj lëvizje të madhe, historike dhe transformuese.

Detyrat tona janë të qarta, ta ndalim tiraninë. Po, qeverisja jashtë Kushtetutës dhe jashtë ligjit, është tirani dhe tiranitë ndalen ose përmbysen.

Ky është mësimi i madh i demokracive të mëdha, është shkruar me germa të praruara në zemrën e demokracisë, në Uashingtonin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, jo thjesht si një nderim për popullin amerikan dhe luftën e tij për pavarësi dhe liri e dinjitet njerëzor, por si një kujtesë për pushtetarët vendas dhe ata të huaj që vizitojnë Uashingtonin. Një kujtesë e praruar në germa por e paguar me sakrificën e bijve dhe bijave të revolucionit amerikan, “Një qeveri jashtë ligjit është tirani dhe tirania përmbyset!”.

***

Ju thashë kur u ktheva nga Uashingtoni se gjërat po ndryshojnë dhe kanë ndryshuar. Dje e gjithë bota u bë dëshmitare e rindezjes së shpresës dhe konfirmimit të lidershipit moral të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që përvëluan me 59 raketa tomahok bazat e një tirani që nuk kurseu fëmijët e popullit të tij nga sulmet genocidale me gaz helmues.

Kishin pritur prej muajsh dhe vitesh, miqtë dhe aleatët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që fjalët të bëheshin vendime, që Shtetet e Bashkuara të qëndronin siç kanë qëndruar fort, për parimet bazë të lirisë së kombeve që fillojnë me liritë dhe të drejtat e njeriut të cilat mund dhe garantohen vetëm nga demokracia dhe shteti ligjor, që mund, dhe bëhen realitet vetëm me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, që mund të ndodhin vetëm me votën e lirë, me vullnetin e lirë të qytetarëve.

Ky është kuptimi, ky është mesazhi, kjo është deviza e betejës tonë tash 50 ditë dhe i tillë do të mbetet qëndrimi, e tillë do të mbetet qëndresa dhe vendosmëria e kësaj lëvizje popullore deri në fitoren totale të kësaj beteje.

Asgjë nuk ka për të ndryshuar, asgjë nuk ka për tu bërë më mirë nëse nuk mposhtim krimin e lidhur me pushtetin dhe pushtetin e lidhur me krimin. Asgjë nuk ka për të ndryshuar në jetët e shqiptarëve, në përditshmërinë tuaj nga orat e para të mëngjesit deri në orët e fundit të mbrëmjes, nga ajo që kemi hequr dhe po hiqni tash 4 vjet të shkatërrimit të Shqipërisë nga rilindja e kriminaliziuar dhe nga krimi i rilindur, nëse ne nuk e çojmë këtë betejë deri në fund me fitore pa pritur asnjë ditë, asnjë orë por tani këtu në këtë shesh deri në fitoren e kësaj kauze.

Asnjë vend i ri pune nuk do të hapet, por qindra vende pune do të shkatërrohen ditë për ditë nga një ekonomi e asfiksuar ku nuk konkurohet më as me ide, as me inovacion, as me punën e ndershme dhe as me djersën e ballit, por ku gjithçka vjen peshqesh nga lidhjet e korruptuara të një grushti oligarkësh me një grusht pushtetarësh që i ndajnë miliardat e taksave të shqiptarëve për 5 apo 10 xhepa miliarderësh që jetojnë në luks total dhe totalisht të shkëputur nga realiteti dhe nga varfëria e mjerimi i shqiptarëve.

Asgjë nuk ka për të ndryshuar në spitalet shqiptare, që janë shndërruar në një purgator për pacientët tanë, për të afërmit tanë, për prindërit tanë, për fëmijët tanë. Dhe janë shndërruar në një ferr të vërtetë edhe për ne, familjarët e tyre teksa shohim se, ato që duhet të jenë stacionet e shërimit, janë në fakt paradhomat e përcjelljes për në botën tjetër për shkak të korrupsionit që i ka shndërruar në kullesa nga ku vidhen dhe shpërdorohen miliardat e taksave të shqiptarëve që nuk kthehen as në paisje të reja, as në përgaditje më të mirë për mjekët, as në mjekë dhe infermierë të përgatitur, as në ilaçe të rimbursueshme, por vetëm në koncesione korruptive që i kanë marrë gjithsej 3 klientë të qeverisë. Tre klientë me qindra milionë euro të shqiptarëve në xhepat e tyre që në rastin e shëndetësisë nuk është thjesht korrupsion, por është krim kundër njerëzimit, është genocid kundër shqiptarëve.

Asgjë nuk do të ndryshojë për rininë shqiptare, asgjë nuk do të ndryshojë për studentët shqiptarë, përkundrazi, ligji aktual i Arsimit të Lartë e ka të shkruajtur të zezë mbi të bardhë, se tarifat do të rriten nga viti në vit, ndërkohë që cilësia e mësimdhënies në auditore do të bjerë nga viti në vit, duke rënë kështu edhe mundësia për të pasur një brez të ri të mirëarsimuar e të gatshëm t’i përgjigjet nevojave të tregut të punës.

Asgjë nuk do të ndryshojë, por do të bëhet edhe më keq nëse ne nuk e ndalim marrëzinë e pushtetit  të bërë njësh me krimin dhe krimit të bërë njësh me pushtetin.

Asgjë nuk do të ndryshojë për pensionistët shqiptarë që në këto katër vite kanë parë se si fuqia e tyre blerëse ka rënë, se si mundësitë për të blerë prodhimet dhe shërbimet të domosdoshme për jetën e tyre, për mbijetesën e tyre janë më të pakta se katër vite më parë dhe, sesi duke shkelur edhe parashikimet ligjore, rritjet simbolike janë më të vogla se inflacioni që gërryen xhepat e tyre për të mos folur për faturat e kripura të energjisë, faturat e ujit, faturat e ilaceve, taksat lokale dhe qendrore, dhe lloj-lloj faturash të tjera që e lanë pensionistin shqiptar me gisht në gojë.

Asgjë nuk do të ndryshojë për pensionistët shqiptarë po nuk e ndalëm këtu, po nuk e  mposhtëm këtu tiraninë e bërë njësh me krimin dhe krimin e bërë njësh me tiraninë. Asgjë nuk do të ndryshojë për intelektualët e përbuzur, të tallur, të diskriminuar nga një kryeministër arrogant, delirant dhe injorant që fshihet pas fasadës sipërfaqësore të kopertinave që ka lexuar.

***

Në jetën e tij, kurrë nuk është thelluar sepse kopertinat kanë qenë formimi i tij. Kopertinat dhe fasadat janë oferta e tij, është mundësia e tij e vetme për të qendruar në pushtet me një demokraci kopertinë, me një qeverisje kopertinë dhe një retorikë kopertinë. Asgjë nuk ka për të  ndryshuar , gjithcka do të jetë si në këto katër vite madje edhe me keq, për qindra mijëra njerëz që më kot presin zhvillim ekonomik dhe vende të reja pune. Njerëzit do të përballen me një ekonomi që do të vazhdojë të lëngojë nën peshën e taksave të larta, nën mungesën e qartë të konkurrencës si motor i zhvillimit, në një ekonomi, që vetëm në letër është e tregut të lirë, sepse gjithcka kontrollohet si dikur nga komisioni qendror i planifikimit.

Tani nga byroja e pashpallur jopolitike, por mafioze, me në krye Edi Ramën dhe 40 hajdutët e tij në ministritë kryesore dhe institucionet e vendit, ky është dhe plani i republikës së vjetër, të ruajë me cdo kusht këtë status-quo. Sepse, me këtë gjendje, me këtë status-quo, ata janë zotër të vërtetë të parave të shqiptarëve, të pasurive të shqiptarëve, të mediave të shqiptarëve, të mendjeve të shqiptarëve, të fatit të shqiptarëve. Ata janë zotër të vërtetë dhe populli e qytetarët nuk janë asgjë, përvecse shërbëtorët e vërtetë, një tufë delesh që ushqehen me kashtë e me bar që u merret dhe pika e fundi e gjakut.

***

Por, për ta, stekat janë të larta. Vetëm nga buxheti i shtetit, vetëm vitin e kaluar dhe vetëm sipas raportimeve zyrtare të institucioneve të shtetit, vodhën 650 milion euro. Me paratë e mafias dhe të drogës sot e zhytën Shqipërinë si vendit e fundit ne Evropë, apo më mirë të themi të parin, për pastrimin e parave, ndaj dhe droga jo vetëm nuk do të zhduket, por do të mbulojë cdo cep të Shqipërisë,  sepse paratë e drogës dhe droga janë plani, kompromisi, projekti i Ramës dhe krimit për të qenë në pushtet, për të mbajtur pushtetin, për t’u pasuruar dhe për të ruajtur pasuritë kriminale, përmes pushtetit të korruptuar. Në funksion të saj dhe vetëm në funksion të pushtetit dhe parave, paguhen me paratë e drogës shqiptare lobistë evropianë dhe amerikanë, fundërrina morale, të cilët bëjnë duanë e krimit të organizuar shqiptar dhe qeverisë më të korruptuar të Evropës, vetëm e vetëm që të vjelin milionat e dollarëve dhe eurove që merren nga xhepat e qytetarëve më të varfër të Evropës.

Milionat e drogës, milionat e koncesioneve, milionat e tenderave janë futur në lojë për ti mbyllur gojën edhe medias shqiptare. Jo gazetarët as analistët e ndershëm aq më pak punonjësit e ndershëm të medias, por një grusht pronarësh, të cilët e kanë lidhur fatin e tyre jo me të vërtetën, por me paratë e tenderave korruptive, të lejeve të dnërtimit dhe që kanë të njëjtin interes si Rama të mbajnë këtë gjendje në këmbë, të ruajnë këtë status-quo. Prandaj Henri Cili me shokë, thonë që po iku qeveria teknike, iku Rama, ikim dhe ne, sepse nuk duan dhe nuk luftojnë për interesin publik, por duan dhe luftojnë vetëm për interesat dhe xhepat e një grushti njerëzish që e kanë lidhur fatine tyre me fatin e Edi Ramës dhe përmes Edi Ramës, me fatin e krimit dhe korrupsionit.

***

Humbasin shumë, shumë humbasin dhe e thonë dhe me gojën e tyre. Kush humbet, kush humbet me zgjedhje të lira dhe të ndershme, me të cilat populli do të gjykojë me votë të lirë qeverinë e mjerimit, shkatërrimit, mashtrimit , drogës dhe krimit? Humbasin oligarkët, humbasin kriminelët, humbet ceta e korrupsionit, por fiton një Shqipëri e tërë, fitojnë shqiptarët e ndershëm, të djathtë e të majtë, të gjithë së bashku.

***

Fabula e fundit është se, ne duam të pengojmë PS të marrë pjesë në zgjedhje dhe ti fitojë ato. Fabula e fundit është se, Edi Rama po e bën gjithë këtë qëndresë jo për të ruajtur karrigen dhe privilegjet e pushtetit, që ti përdorë për ti prishur e kapur zgjedhjet e shqiptarëve, po sepse ai do të bëjë drejtësinë, ai do të bëjë shtetin. Ka ngritur bashkë me një tufë të korruptuarish ndërkombëtarë mitin se,  Edi Rama donte drejtësinë dhe ne nuk e duam dhe për një kohë të gjatë. Se ne, këtu, hapim shpirtin apo jo.

Për një kohë të gjatë edhe na kanë kompleksuar duke thënë, jo ne nuk duam reformën. Por nuk është e vërtetë që nuk duam reformën.

Por kam kuptuar falë jush dhe kemi kuptuar sesa e kotë është të jesh civil dhe sa e dëmshme është të jesh defensiv përballë të keqes. Që ne duam reformën në drejtësi, këtë e kemi provuar me votën tonë të 22 Korrikut dhe nuk ka nevojë, as ta themi e as ta mbrojmë më, por sot, është dita ti them Edi Ramës dhe kujtdo që e mbështet në këtë komplot kundër lirive të shqiptarëve me cfarëdo pasaporte që të ketë se; kurrë, kurrë Edi Rama nuk do ta ketë në dorë drejtësinë shqiptare, se PD nuk do të jetë kurrë alibia që Edi Rama dhe kriminelët të shtijnë në dorë drejtësinë shqiptare. Reformë në drejtësi alla-Shullaz, nuk ka për të pasur kurrë.

Ne dhe qeveria e dalë me votë të lirë e ndershme do ta zbatojmë reformën në drejtësi jo sipas përcaktimeve Rama-Tahiri-Shullazi, para të cilave mbyllën sytë ata që nuk kanë interes reformën në drejtësi por karrigen e Edi Ramës, për arsyet që i dinë vetë dhe turp të kenë, por ne, do të zbatojmë reformën në drejtësi që votuam sipas formulës së rakorduar, SHBA-BE. Vetëm dhe vetëm pasi 6 ligjet të kenë vulën e konsensusit opozitar sipas marrëveshjes politike të 21 Korrikut. Kush nuk ka kohë për ti dëgjuar këto detaje bën mirë të hapë veshët se nuk janë detaje. Kush i dëgjon dhe i kupton ta dijë se shteg tjetër për reformën në drejtësi nuk ka dhe nuk mund të ketë. Drejtësi në duart e Edi Ramës, drejtësi në duart e kriminelëve me të cilët mbushi parlamentin dhe bashkitë, drejtësi në duart e kartelit të drogës, nuk dorëzojmë kurrë. Që të kemi drejtësi të vërtetë duhet të kemi demokraci të vërtetë. Zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndaj, që të kemi një përfundim të suksesshëm të reformës në drejtësi që do ti hapë rrugën gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk mbrojnë, por luftojnë krimin dhe korrupsionin, duhet së pari të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme.

***

Tani, për tezën tjetër që do bëjë shtet. Shtetin, Edi Rama e ka bërë. Ky është shteti i Edi Ramës dhe siç e thamë dhe siç e dini fare mirë, asgjë nuk ka për të ndryshuar për këtë shtet, nëse ne e lejojmë tiraninë e krimit të vazhdojë të diktojë jetët e shqiptarëve. Ky është shteti i Edi Ramës. Kriminelë në parlament, kriminelë në krye të bashkive, eskobarë në krye të policisë, doganave, tatimeve. Këta kriminelë jo socialistë, por kriminelë, vendosin se kush merret në punë dhe kush hiqet nga puna. Këta kriminelë, vendosin se kush i fiton tenderat qendrore dhe lokale. Këta kriminelë, vendosin planet urbanistike ku do prishen lulishtet, ku do ndërtohen pallatet dhe kush do t’i ndërtojë. Këta kriminelë, e shndërruan Shqipërinë në hambarin më të madh të drogës. Por, e bënë këtë vetëm e vetëm sepse kishin mbështetjen, bekimin dhe mbrojtjen politike të kryetarit të tyre të krimit në pushtet, që është Edi Rama.

Ky shtet, jo vetëm që nuk do të qendrojë në këmbë, por nuk do ti mbijetojë as orës së parë të Republikës së Re që po vjen me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sepse, detyra e parë e Republikës së Re, është të shembë me themel, të shkallojë deri në gurin e fundit, shtetin kriminal, komplotin kundër shqiptarëve, republikën e vjetër të Edi Ramës dhe kriminelëve në pushtet. Këtë, e di fare mire, ndaj ka frikë të japë dorëheqjen. Ka frikë të vijë në sheshin e garës dhe betejës elektorale si palë e barabartë, sepse Edi Rama, pa krimin, pa drogën, pa paratë e krimit dhe drogës dhe koncensioneve dhe tenderave korruptivë, është jo i humbur por i shkatërruar para gjykimit popullor me votë. Por askush nuk duhet të ketë frikë nga kjo. Opozitarët jo e jo. Bashkimi i madh popullor që ka brenda vetes edhe skeptikët e djeshëm ndaj synimeve dhe objektivave tona, po kështu, nuk kanë dhe nuk mund të kenë asnjë keqardhje. Por edhe socialistët e ndershëm duhet ta dinë se skanë të ardhme me republikën e vjetër të krimit dhe korrupsionit, ata janë këtu me republikën e re të bashkimit popullor e do të jenë bashkë me shqiptarët në një stacion të ri të shpresës dhe mundësive për Shqipërinë dhe për Partinë Socialiste. Se Republika e Re, nuk është dhe nuk do të jetë republika e përjashtimit por republika e gjithpërfshirjes, të gjithë shqiptarëve pa dallim bindjesh politike. Themeli i Republikës së Re është barazia para ligjit. Themeli i Republikës së Re është konkurenca e lirë. Themeli i Republikës së Re janë mundësitë e barabarta për këdo dhe mundësia e madhe për të gjithë ne që në varësi të aftësive dhe talenteve ti kthejmë këto në mirëqënie për jetën e familjarëve.

Republika e Re është shansi, mundësia dhe garancia që jo vetëm pushteti politik por edhe pushteti ekonomik t’i takojë sovranit, pra qytetarëve. Ndaj vendimet e para të Republikës së Re, do të jenë çmontimi me themel i aleancës së krimit dhe politikës, por duke nxjerrë nga institucionet të gjithë personat me rekorde kriminale të cilët kurrë nuk erdhën për hallet e popullit por vetëm për hallet e tyre. Vendimet e para do të jenë anullimi i dhjetra dhe qindra kontrata korruptive që u kushtojë xhepave të shqiptarëve mbi 200 milionë euro vit për vit. Këto para do tua shkulim nga xhepat e korrupsionit dhe kontot bankare kudo që ti kenë, dhe që prej ditës së pare, do ti destinojmë për problemet, hallet dhe shpresat e shqiptarëve. Republika e Re, kësisoj, do të mund të mbajë premtimin tonë se në krye të katër vjetëve, pensioni minimal në Shqipëri nuk do të jetë më pak se 250 mijë lekë të vjetra në muaj. Se pensionet në tërësi do të njohin një rritje prej 40%. Se rinia shqiptare që po mbaron universitetin do të ketë të paguar nga Republika e Re, me paratë e taksapaguesve shqiptarë 10 mijë stazhe në vit me pagesë minimale prej 200 mijë lekësh për ti mundësuar çdo të riu e të reje një urë material-financiare, një urë profesionele për të kaluar nga bankat e universitetit në tregun e punës, siç e bëjnë vendet e zhvilluara të Bashkimit Europian.

Taksa e sheshtë 9%. Për bizneset e vogla, 1.5% e xhiros, dhe pulla ndalim-kalimi për hajdutët e zullumqarët e taksave dhe tatimeve. Ulje e kontributeve shoqërore në nivelin 9% do të formalizojnë ekonominë, do të sjellë mijëra operatorë ekonomikë në dritën e formalitetit duke rritur të ardhurat dhe mundësitë e shtetit për t’iu përgjigjur atyre dhe shtresave të tjera si pensionistëve, rinisë, të papunëve, njerëzve në ndihmë speciale për shkak të aftësive të kufizuara dhe çështjeve të tjera. Por premtimi më i madh i Republikës së Re, është që prej ditës së saj të parë e në përjetësi, kurrë më qytetarët nuk do të ulin kokën para pushtetarëve, por pushtetarët, do të ulin kokën para sovranit, para qytetarëve, pa arrogancë, por me besnikëri ndaj ligjit dhe interesit publiK do të kryejnë detyrën e tyre brenda kushtetutës dhe ligjit. Asgjë nuk do të ndryshojë, nëse kjo beteje nuk përfundon me fitore. Por ju e dini dhe unë e di, shqiptarët e dinë dhe e Edi Rama e di fare mirë se, fitorja e kësaj kauze është çështje ditësh, se republika e vjetër po vdes dhe e reja po lind.

Njëmijë e 200 orë qendresë. Miliona orë të qindra e mijëra protestuesve, është investimi më sublim, detyrimi më i madh për ata që me votë të lirë do të marrin peshën e rëndë të ndryshimit të madh përmes Republikës së Re. Sa për mua, i qendroj asaj që u kam thënë. Këtë ditë që po vjen, unë e kam parë dhe e kam jetuar dhe e kam gëzuar në Europë. Dhe e di, që po vjen dhe këtu që ta gëzojnë shqiptarët si europianë të vërtetë. Ju jap fjalën me mirënjohjen më të thellë për sakrificën tuaj se asgjë nuk do të jetë më si më parë. Ndryshimi po vjen. Fitorja do të jetë e juaja, qytetarë të vendit tim. Zoti e bekoftë Shqipërinë. Zoti i bekoftë shqiptarët.


Mesazhi i Lulzim Bashës në ditën e 50 të protestës për votë të lirë e të ndershme, 8 Prill 2017

 

 

Read More
07 Pri
0

Deklaratë e Partisë Demokratike

Presidenti Trump urdhëroi sot në orët e para të mengjesit goditjen me 59 raketa tomahok të bazës ushtarake në Siri, prej ku u lëshuan pak ditë më parë bombat me gaz helmues që shkaktuan vdekjen e dhjetra civilëve mes tyre dhe shumë femijë.

 

Perveçse një operacion me efektivitet të lartë ushtarak, kjo është një përgjigje e drejtpërdrejt ndaj një diktatori i cili nuk kursen jetë civilesh të pafajshëm për t’i shërbyer pushtetit të tij.

 

Përgjigja amerikane është edhe një shpresë e rindezur se rendi demokratik botëror në mbrojtje të jetës dhe të drejtave e lirive të njeriut ka garant vendin më të fuqishëm dhe demokratik të globit, SHBA.

 

Urdhëri i presidentit Trump është një konfirmim i lidershipit moral të padiskutueshëm të SHBA në zhvillimet ndërkombëtare.

 

Partia Demokratike përshëndet këtë akt të jashtëzakonshëm në mbrojtje të jetës dhe dinjitetit njerëzor dhe ndihet krenare për partneritetin unik strategjik me SHBA dhe Presidentin Trump.

 

Partia Demokratike do të jetë përherë në krah të SHBA dhe nesër në qeverisjen e vendit do ta ngreje këtë partneritet në nivelet më të larta historike.

 

 

 

Read More
07 Pri
0

Dialog për zgjidhje, jo monolog për shfaqje

Mesazhi i Lulzim Bashës në ditën e 49-të të protestës për zgjedhje të lira e të ndershme

 

Dita e sotme, agimi i sotëm e afron më shumë orën e fitores së lëvizjes më të madhe popullore, ditën e fitores së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, vetëm me një qeveri teknike me mbështetje të gjerë politike e cila do të bëjë të mundur largimin e kriminelëve nga institucionet, do të luftojë drogën dhe do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 

Nuk ka shqiptar dhe shqiptare që nuk e di zezanën e drogës dhe krimit, që është gjëma më e madhe që qeveria e Edi Ramës i shkaktoi Shqipërisë dhe shqiptarëve.

 

As kriminelët nuk erdhën vetë në institucione dhe as droga nuk mbiu nga shiu e nuk u rrit nga dielli. Kriminelët në institucione i solli Edi Rama për të mbajtur pushtetin e tij politik, dhe me kriminelët shkatërroi totalisht institucionet shqiptare, ekonominë shqiptare, liritë dhe të drejtat e shqiptarëve dhe e mbushi Shqipërinë me drogë.

 

Këtë ne e kemi denoncuar që ditën e parë. Na u desh një punë e madhe por sot Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në raportet e tyre më serioze për drogën dhe krimin e kanë konstatuar të zezë mbi të bardhë gjendjen dramatike të vendit.

 

E pra, droga dhe krimi, janë dy arsyet e jashtëzakonshme për kërkesën tonë për zgjidhje të jashtëzakonshme, ndaj kërcënimit të jashtëzakonshëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kërkesa jonë, vendimi jonë nuk ndryshon; vetëm qeveri teknike.

 

Ka miq dhe dashamirës të Shqipërisë që për një arsye apo një arsye tjetër nuk kanë informacionin e plotë, me ta kemi e duhet të kemi durim, me ta kemi e duhet të kemi të hapur rrugën e dialogut për t’i informuar mbi këto të zeza që i janë shkaktuar Shqipërisë nga droga me lidhje qeveritare.

 

Por ka edhe të tjerë që nuk duan të informohen. Atyre, pavarësisht se nga vijnë dhe çfarë posti mbajnë u them: Të mbyllësh sytë para krimit dhe drogës, dhe kërcënimit që këto sjellin për votën e lire, do të thotë që je ose i papërgjegjshëm, ose  i korruptuar nga paratë e narkomafies shqiptare.

Nga kjo betejë, ky bashkim i madh popullor, kjo lëvizje e madhe popullore nuk mund të kthehet përveçse me fitore totale, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

 

Nuk mund të dorëzohet kauza e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në duart e atyre që shkaktuan drogën duke sjellë krimin në pushtet.

 

Ndaj rruga e vetme është largimi sot, një orë e më pare, i Edi Ramës nga karrigia kryeministrore dhe hapja e rrugës për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Për fat të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, nuk kanë munguar e nuk mungojnë miqtë e vërtetë të Shqipërisë, të cilët i kanë dhënë mbështetje totale të kauzës së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kauzës së dekriminalizimit, luftës pa kompromis kundër drogës dhe korrupsionit qeveritar, që synon të shkatërrojë zgjedhjet e shqiptarëve.

 

Këta miq, kanë folur nga kryeqytetet e tyre, kanë dërguar mesazhet e tyre të përshëndetjes dhe mbështetjes së protestës, dhe për qytetarët e bashkuar, në këtë lëvizje të madhe kombëtare, evropiane dhe euroatlantike.

 

Dje kryetari i grupit të Forza Italia në Senatin Italian e tha qartë mbështetjen e plotë për një qeveri teknike të vullnetit për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 

Ndaj sot kam nderin dhe kënaqësinë  e madhe të përshëndes me mirënjohje e ti uroj mirëseardhjen dhe në emrin tuaj e të qindra mijë qytetarëve shqiptarë të bashkuar në këtë lëvizje të madhe, Kryetarit të Komitetit të Kontrollit Demokratik të Forcave të Armatosura, deputetit të Partisë Popullore Austriake, të Austrisë mike dhe aleate, zotit Michael Hammer.

 

-Ndërhyrja e dytë

 

Dua të falënderoj të gjithë folësit në agorën e sotme të cilët ndanë me ne historitë e tyre, kryesisht të emigracionit.

 

Natyrisht, këta përfaqësojnë vetëm një pikë ujë në oqeanin e madh të vuajtjeve të qindra –mijë shqiptarëve që kanë marrë sërish rrugët e kurbetit në këto tre vite e gjysëm për shkak të një qeverie e cila ka braktisur totalisht shqiptarin e thjeshtë, për shkak të një kryeministri i cili ka braktisur totalisht përgjegjësitë e tij, për t’i shërbyer vetëm një çete pushtetarësh të korruptuar, kriminelësh dhe oligarkësh që janë sot përfituesit e vetëm të këtij pushteti.

 

Duke i falënderuar nga zemra dhe duke falënderuar mikun tonë Michael Hammer për mbështetjen e jashtëzakonshme për kauzën tone, më lejoni t’i bëj më dije qytetarëve shqiptarë qëndrimin tim për dialogun.

 

***

E dini që çdo ditë, çdo orë që kalon dhe ju jeni këtu, ai ju përgjon nga dritarja, dhe ka 49 ditë që nuk qeveriset më Shqipëria. Puna e vetme e tij është të përgjojë çadrën dhe të lidhë kokën me peshqir sa herë që flet çadra.

 

Tani, ka shprehur dëshirën të vijë në çadër.

 

(Degjohen thirrjet Joooooo)

 

E qartë, e qartë, unë them se një shteg duhet t’ia lëmë.

 

Po, të vijë me dorëheqjen e firmosur, po dialogut.

 

Ka 36 orë që negociatori i Partisë Demokratike dhe i opozitës, pret të dërguarin e Kryeministrit, për të përgatitur një dialog në funksion të zgjidhjes së krizës politike.

 

Por Kryeministri nuk do dialog. Do monolog, monologje shterpë për t’i hedhur hi syve shqiptarëve dhe për t’iu shitur dokrra ndërkombëtarëve, gjasme sikur është i angazhuar për zgjidhje.

 

Nuk do të lejojmë dhe as nuk do të pranojmë.

 

Do ketë vetëm dialog për zgjidhje, për zgjidhjen e krizës politike përmes formimit të një qeverie teknike me mbështetje politike që të realizojë zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit, luftën efikase kundër drogës dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 

Për këtë dialog, i përgatitur me qëllim që të ketë sukses e jo të shkojë drejt dështimit dhe konferencave për shtyp me fjalime të parapërgatitura, kemi 36 orë që i kemi vënë në dispozicion negociatorin tonë dhe do ta ketë në dispozicion në qoftë se me të vërtetë do dialog.

 

Përndryshe, përballja vazhdon deri në fitore.

 

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

 

Read More
07 Pri
0

Michael Hammer: E vetmja zgjidhje, për zgjedhje të lira e të ndershme, është qeveria teknike

Mesazhi i deputetit austriak, sot në Sheshin e Lirisë

“Jam shumë i nderuar që kam ardhur këtu tek ju si një mik i Shqipërisë  dhe si mik i shqiptarëve dhe mbi të gjitha, si një mik i Partisë Demokratike Shqiptare. Z.Basha më kërkoi që unë të vij e të tregoj mbështetjen time në një çështje kaq të rëndësishme për ju, siç është demokracia dhe zgjedhjet e lira.

 

Që nga viti 2011 kur kam ardhur për herë të parë në Shqipëri, kam patur takime me ish kryetarin e Partisë Demokratike, z.Berisha dhe me z.Lulzim Basha, e në atë periudhë, kam vënë re se si Shqipëria është zhvilluar nga ana kulture, ekonomike dhe industriale dhe jam i lumtur që Shqipërinë ta mirëpresim në Bashkimin Europian. Kjo ka qënë një periudhë e mirë për Shqipërinë por unë pres që një periudhë akoma më e mirë të vijë me një kryeministër të ardhshëm, si z.Lulzim Basha.

 

Dëshiroj të theksoj që elementi më i rëndësishëm i një demokracie moderne janë zgjedhjet e lira. Nuk është një e drejtë e qytetarëve të kenë zgjedhje të lira dhe të ndershme, por është detyrim për ta që zgjedhjet të zhvillohen në mënyrë të lirë dhe të ndershme.

 

Siç e shikoni edhe ju, ka ardhur momenti që besimi për qeverinë aktuale nuk është i madh, ndaj është momenti të gjejmë një alternativë tjetër për zgjedhje të lira. E vetmja zgjidhje për zgjedhje të lira dhe të ndershme është një qeveri teknike.

 

Vendi im është një mbështetës shumë i fortë për Ballkanin dhe Shqipërinë. Dhe ne jemi për një Shqipëri europiane sa më shpejt. Por duhet të kemi parasysh që për Shqipërinë, gjithashtu është shumë e rëndësishme që të ndjekë detyrat e Bashkimit Europian dhe një ndër to është zhvillimi i zgjedhjeve të lira. Eshtë shumë e rëndësishme të bëhet reforma zgjedhore, si dhe që procesi i zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve të bëhet në mënyrë objektive.

 

Unë kam folur shumë shpesh me qeverinë duke i kërkuar asaj që lufta kundër drogës dhe korrupsionit të jetë më e fuqishme.

 

Po ashtu, dekriminalizimi të bëhet, dhe po ashtu, reforma në drejtësi të marrë rrugë. Kanabisi juaj nuk është problem vetëm për Shqipërinë, por për gjithë Europën, por është momenti që ta mposhtim atë.

 

Një Shqipëri demokratike ka nevojë për zgjedhje të lira dhe për media të lirë, por Shqipëria nuk i ka të tilla. Ju falenderoj që jeni këtu prezent për të mbështetur zgjedhjet e lira.

 

Unë dhe partia që përfaqësoj do të jemi një mbështetje e madhe dhe pak më vonë do të ketë një tjetër përfaqësues nga Austria në mbështje të Shqipërisë. Nëse vërtet në Shqipëri do të ketë këtë herë zgjedhje të lira, atëherë patjetër që do të ketë një qeveri të drejtuar nga Lulzim Basha.

 

Unë jam i sigurtë që herën tjetër që do të vij në Shqipëri, Lulzim Basha si kryeministër do të ketë bërë gjithçka të mirë për ju”.

Read More
06 Pri
0

Pjesa e parë dhe kryesore e intervistës së Lulzim Bashës dhënë në Opinion

Fevziu: Janë pothuajse katër ditë tejet të tensionuara, që prej ditës së hënë kur Ilir Meta doli me një vendim të kryesisë së LSI, duke thënë se vendi ka nevojë për një qeveri besimi, se vendi nuk mund të shkojë në zgjedhje pa opozitën, se gjuha e mazhorancës është arrogante. Ka patur tension politik. Pas deklaratës së Metës ka pasur takime të Kryeministrit me aletatët e tij, si dhe Kryeministri për herë të parë që prej hapjes së cadrës ka kërkuar dialog me opozitën. Por cfarë po ndodh? A do kemi zgjedhje në 18 Qershor dhe cili është qëndrimi i Partisë Demokratike dhe aletaëve të saj? Për të diksutuar mbi këto ccështje, unë kam ftuar Kryetarin e Partisë Demokratike, z.Lulzim Basha. Mirëmbrëma dhe mirë se keni ardhur Zoti Basha.

Basha: Faleminderit për ftesën.

Fevziu: Unë kam qënë në cadrën tuaj dhe ishte detyrimi juaj të vinit në studio. Këto ditë janë vendimtare edhe për ju edhe për forcat e tjera politike. Rama ka deklaruar sot që ju po i shmangeni ftesës së tij. Duket se ka përpjeke për një takim pavarësisht se Rama ka thënë se është i pafuqishëm sepse jeni ju që po i shmangeni takimit. Kam dy ditë që pres vendin dhe orën. Nuk kam as vend as orë, thotë Kryeministri?

Basha: Kjo është një deklaratë e pasaktë dhe e gënjeshtërt sepse ne kemi ftuar shumë palë politike të mbajnë përgjegjësi për këtë moment krize që po kalon vendi. Kemi qënë të hapur që dialogun ta zhvillojmë jo sot, por cdo ditë në këto 48 ditë proteste, që nga dita e parë, që nga 18 Shkurti e deri më sot. Dialog nuk do të thotë të bëjmë monologje secili për hesap të vet, sic ndodhi më 6 Qershor, gjatë reformës në drejtësi. Në shkuam të përgatitur me terma juridike dhe politike dhe si përgjigje mora që zoti Rama kishte ardhur me një fjalim të përgatitur në xhep. Ishte takim i synuar për t’u përdorur politikisht. Me dialogun që kërkojmë, duam të japim zgjidhje. Për këtë arsye, që prej ditës së sotme stafi im ka kontaktuar stafin e Kryeministrit duke treguar gatishmëri për përgatitjen e takimit i cili të ketë premisa për zgjidhjen e krizes.  Jo thjesht të shkojmë aty, secili të thotë ato që ka në mendje dhe pastaj të bëjmë disa fotorafi e disa filmime. Kjo është fasadë. Unë jam shprehur që prej ditës së parë se koha e fasadave i takon republikës së vjetër.

Fevziu: Ju po thoni që jeni i gatshëm për takim me axhenda të paradiskutuara?

Basha: Për një takim të përgatitur sepse kriza është e rëndë dhe kërkon vullnet të vërtetë.

Fevziu: Zoti Rama thotë se kriza është vetëm në cadrën tuaj..

Basha: Se cfarë thotë ai, e kam dëgjuar por se cfarë thonë shqiptarët duhet ta dëgjojë ai dhe cdokush tjetër që mendon se kjo është dicka e shpikur dhe jo reale.

Fevziu: Kur është kontaktuar stafi juaj nga stafi i Ramës? Apo i ka kontaktuar stafi juaj?

Basha: Kontakti ka qënë që prej mëngjesit të ditës së sotme, midis stafit tim dhe stafit të Zotit Rama.

Fevziu: A ka ndërmjetës ndërkombëtar ose shqiptar për takimin?

Basha: Nuk ka as ndërmjetës shqiptar as ndërkombëtar.

Fevziu: Me cilin nga stafi i Ramës po negocioni?

Basha: Stafi im është mandatuar për të përgatitur takimin ndërkohë që nga stafi i Ramës ende nuk është mandatuar dikush.

Fevziu: Si e parashikoni ju përgatitjen e takimit?

Basha: Në radhë të parë, të sigurojë që ky nuk do jetë takim për të bërë fotografi e për të buzëqeshur para kamerave, por që do ketë objektiv dialogun politik në funksion të zgjidhjes. Opozita bashkë me qytetarët e kanë parashtruar zgjidhjen. Një qeveri teknike me mbështetje të gjerë politike e cila do fokusohet te zbatimi i plotë i dekriminalizimit, i luftës ndaj drogës dhe përgatitja për zgjedhje të lira.

Fevziu: Edi Rama ka përjashtuar diskutimin e kushteve për qeveri teknike dhe për shtyrjen e zgjedhjeve të cilat shkelin kushtetutën. Në këtë aspekt, nuk ka dialog…

Basha: Të zgjohemi dhe mos të bëjmë sikur nuk kemi qënë këtu këto 48 ditë. Kjo protestë, ka këtë vendim, largimin e këtij kryeministri dhe të kësaj qeverie sepse Shqipëria është e mbushur me drogë dhe institucionet janë të mbushura me kriminelë.

Fevziu: Po si prisni të vijë në takim kur i vini ultimatum.

Basha: Vendimi është i 18 Shkurtit. Dua ti kujtoj qytetarët, para 5 javësh gjatë një takimi me aleatët kanë dalë ftesat për dialog. Sot, në kushtet kur edhe brenda koalicionit qeveritar është shprehur gatishmëria, urgjenca për një dialog politik, për ti dhënë zgjidhje krizës, nuk mund ti kthehemi prap cështjes së para 5 javëve.

Fevzu: Qeveri teknike, asnjë kusht tjetër? Po atëhere pse do bëhet takimi?

Basha: Për të përcaktuar modalitetet se si do biem dakort për qeverinë teknike. Ka shqiptar që nuk e di pse qytetarët janë bashkuar në këtë lëvizje?

Fevziu: Në negociatat politike shkohet për të zgjidhur një ngërc. Nëse ju shkoni me ultimatum, Rama është shprehur prerazi që nuk do ketë qeveri teknike..

Basha: Dy rrugë ka si zgjidhet kjo, njëra është rruga e dialogut politik për qeveri teknike, me anë të së cilës ne do u mundësojmë të gjithë shqiptarëve të votojnë të lirë, të pakërcënuar. Rruga tjetër është rruga e përbaljes me qytetarët. Rruga tjetër nëqoftëse nuk ka dialog politik për këtë, është rruga e përballjes qytetare që ka nisur në 18 Shkurt dhe nuk do të ndalojë deri sa të realizojmë qëllimin që kemi. Zgjedhje të lira dhe të ndershme vetëm me një qeveri teknike.

Fevziu: Fakti që po këmbëngulni për një axhendë, le të nënkuptohet se nuk doni të bëhet takimi  sepse kjo axhendë është një lloj kushtëzimi

Basha: Absolutisht nuk është kushtëzim, nuk është kushtëzim për dialog për qeveri teknike, kushtëzimi qytetar i 18 Shkurtit është qeveria teknike dhe duhet të jesh në Mars të mos e kuptosh. A ka shqiptar që nuk e di këtë që kemi parashtruar

Fevziu: Ka një vendim të qeverisë që nuk e jep qeverinë teknike

Basha: Atëherë ne do të vazhdojmë të përballemi.

Fevziu: Atëherë, dialogu është i vdekur që në gjenezë

Basha: Atëherë, ftesa e Ramës gadishmëria e Ramës për dialog është hipokrizi sepse nuk kemi për cfarë të ulemi përvecse të përcaktojmë modalitetet e qeverisë teknike

Fevziu: Atehërë po ua përsëris edhe një herë, e vetmja mënyrë me të cilën uleni është të dialogoni për të përcaktuar modalitetet e qeverisë teknike?

Basha: Unë nuk ua përsëris këtë, po pyes, për cfarë tjetër mund të uleshim me Ramën?

Fevziu: Zoti Rama mund t’u pyeste përvec qeverisë teknike dhe shtyrjes së zgjedhjeve, a ka mënyrë tjetër që ju mund të bashkëpunoni për të gjetur një zgjidhje kësja krize?

Basha: Përgjigja për këtë është: PO, kishte para një viti. JO nuk ka më. Eshtë e prerë dhe e shterruar për një vit me radhë. Sepse cfarë ka ndodhur. Shqipëria është mbushur me drogë dhe miliardat e drogës po influencojnë tek zgjedhjet sic e pamë në Dibër. Kriminelët janë akoma në detyra shtetërore në kundërshtim dhe me sfidim të ligjit në fuqi të Dekriminalizimit, Kushtetutës që ndryshuam bashkarisht, spo përmend presionin që i bëhet administratës, policies, arsimit, shëndetësisë, ushtrisë gjithë sektorit publik, që  është e përditshme, por vetëm këto të dyja mjaftojnë në kushtet e shterrimit të reformës zgjedhore sepse në maj të vitit të kaluar ne bëmë propozimin për reformën zgjedhore dhe në ato kushte kur propozuam votimin elektronik, zoti Rama e kishte në dorë t’i hapte dritën jeshile dhe ne nuk do kishim sot legjitimitetin që kemi për të kërkuar largimin e kësaj qeverie, për të mbrojtur zgjedhjet. Por në kushtet kur kemi shterruar cdo mundësi institucionale që unë e kam kërkuar me ngulm, cdo mundësi për ta zgjidhur këtë, në suazën e institucioneve që kanë rënë të gjitha, meqë ra fjala, i vetmi institucion që qëndron në këmbë është qeveria sepse i ka rrëzuar të tjerat dhe tani do të rrëzojë zgjedhjet, pra në këto kushte, e vetmja zgjidhje është një qeveri teknike.

Fevziu: Ajo që po kuptoj unë është se nëse zoti Rama nuk pranon të flasë për qeverinë teknike, ju nuk shkoni në takim?

Basha: C’kuptim ka të ftosh palën për dialog që ka 48 ditë që ka parashtruar kërkesën për qeveri teknike si zgjidhje e vetme për krizën politike.

Fevziu: Ndoshta ka një keqkuptim dhe unë po tentoj ta sqaroj

Basha: Jo nuk ka keqkuptim, ka një hile. Hilja është, PO jam i hapur të diskutoj për qeverinë teknike. Në këtë moment ftesa është, urdhëro atëherë, ta përgatisim që të mos dalim atje e të bëjmë shfaqje. Ta përgatisim, si e mendon pala juaj  krijimin e qeverisë teknike, si e mendon pala jonë dhe si do ta strukturojmë dialogun për të arritur një marëveshje për këtë cështje. Kjo është mënyra normale.

Fevziu: A ju ka thënë Rama stafi i tij që është gati të flasë për qeveri teknike

Basha: Ditën e djeshme që ka qenë kontakti i parë, PO, i janë përgjigjur interesit tonë kur ne kemi parashtruar dy cështje: krijimin e qeverisë teknike dhe mandatin e kësaj qeverie për të siguruar zgjedhje të lira e të ndershme. Kanë thënë dakort. Sot në mëngjes, kur stafi ka kërkuar  rakordimin e nivelit të lartë, për të rakorduar dialogun, për këto cështje, nuk kanë pranuar, refuzon përgatitjen e një takimi që do të trajtojë një cështje kaq komplekse.

Fevziu: Sot negociatat kanë mbetur në ngërc…

Basha: Sot nuk ka pasur takim midis stafeve, mes të deleguarit tim e të deleguarit të palës tjetër në mënyrë që të strukturojnë, të përgatisin një takim për cështje kaq sensitive Pse është e rëndë kjo. Sepse, ndërkohë që refuzohet kjo, kemi dy gjëra, kemi kryeministrin në parlament që përsëri refuzon qeverinë teknike dhe kemi një shprehje, një zhargon politik që shkon krejtësisht kundër frymës së dialogut dhe kjo na bën ne të besojmë se oferta paska qenë fallso. Se në fakt, edhe pse u tha se, po, jemi të gatshëm të diskutojmë këto, nuk janë të gatshëm, ti diskutojnë.

Fevziu: Pra ju po prisni tani një përgjigje nga Rama që të përcaktojë një këshilltar, një axhendë. Nëse këshilltari, negociatori i tij përcaktohet dhe axhenda bihet dakort, cfarë parashikohet? Në axhendë do të jenë të gjitha pikat apo thjesht këto dy cështje?

Basha: Sigurisht që këto janë dy cështje shumë komplekse. Ne duam të kuptojmë në radhë të parë që ka vullnet për dialog për këto dy cështje sepse në momentin që bihet dakort dhe pala tjetër një ditë thotë PO dakort për këto dy cështje, dhe të nesërmen del në deklarata për shtyp, në takime me aleatët e vet, në Parlament dhe thotë nuk ka qeveri teknike, atëherë ne kuptojmë se nuk është e sinqertë.

Fevziu: Atëherë takimi është deri më tani një zhurmë mediatike

Basha: Zhurmë mediatike apo jo, këto cilësime i vendosni ju. Unë ju them që kemi qenë dhe do të jemi të gatshëm për dialog.

Fevziu: Kur mund të jeni të gatshëm për dialog

Basha: Kjo varet tërësisht nga pala tjetër. Ne jemi të gatshëm, edhe në këtë moment negociatori im është gati që të takohet me negociatorin e palës tjetër për të përgatitur takimin.

Fevziu: Nëse ky takim mbahet nesër apo pasnesër, a ka kohë dhe shanse Shqipëria të shkojë në zgjedhje në 18 Qershor?

Basha: Para së gjithash, cështja e zgjedhjeve është cështje standardesh, jo cështje kohe. Por sigurisht, që, nëqoftëse standardet sigurohen, sigurisht që data është në funksion të standarteve.

Fevziu: Pra mund të shkojmë në zgjedhje edhe në datën 18?

Basha: Jo në gjykimin tim, sigurisht që jo. Për faktin e thjeshtë sepse ka vetëm pak kohë për të kryer detyrat e veta bazike në vecanti në raport me dekriminalizimin, në raport me një luftë efektive kundër drogës dhe parave të drogës dhe në raport me cështjet esenciale që garantojnë votën e shqiptarëve.

Fevziu: Nëqoftëse kjo datë është e pamundur kur mendoni se është data më e mirë për zgjedhjet?

Basha: Për mua, kjo është një cështje standardesh dhe jo kohe. Neqoftëse strandardet plotësohen, dhe për këtë duhet një qeveri teknike që të ketë mandatin e plotë për ti plotësuar këto standard, atëherë data do të jetë më afër. Sa më shumë zvarritet ky process, aq më shumë largohet dhe data e zgjedhjeve të lira dhe të dnershme.

Fevziu: Sot, zoti Berisha ka bërë një deklaratë ku thotë se Rama mund të qëndrojë deri në datën 18 qershor. Ka një kontradiktë mes jush dhe zotit Berisha. Jeni dakort me këtë deklaratë

Basha: Ky është mendimi i zotit Berisha. Qendrimi zyrtar i Partisë Demokratike është ai që shpreha unë, natyrisht që nëqoftëse Rama qendron në zyrë deri më 18 qershor zgjedhjet do të shtyhen shumë më shumë, sesa nëqoftëse ai vendos ti hapë rrugë qeverinë teknike tani. Pra i vetmi efekt i qendrimit të tij më gjatë në zyrë, është shtyrja, shtyrja e zgjedhjeve. Unë gjykoj se kjo nuk i shërben as zgjidhjes së krizës, as vendit, as interesave të shqiptarëve. Nuk kam komunikuar me zotin Berisha, por mendoj se është më shumë një shprehje sesa një platformë politike, sepse platforma jonë politike është qeveria teknike një orë e më parë, sepse koha nuk pret.

Fevziu: Sot kanë ndodhur kontaktet më të rëndësishme midis stafit tuaj dhe stafit zotit Rama,  a do të ketë ky takim një ndërmjetës një ambasador të huaj ose zyrtar të lartë të BE?

Basha: Vetë krijimi i qeverisë teknike në monetin që merr formë është garancia e marëveshjes. Sigurisht, marrëveshja duhet zbatuar gërmë për gërmë por në qoftëse nuk ka vullnet politik nuk ka faktor ndërkombëtar që të sjellë ndryshimin.

Fevziu: Keni kërkuar garant ndërkombëtar për tryezën?

Basha: Nuk kemi kërkuar por kjo nuk do të thotë që nuk e mirëpresim.

Fevziu: A mund të ndërmerrte një nisëm për të ulur palët në tryezë, kur e kanë shprehur vullnetin, Presidenti i Republikës?

Basha: Në gjykimin tim po. Por ju e dini që kjo mazhorancë ka qenë jashtëzakonisht paragjykuese, denigruese dhe përjashtuese ndaj figurës së Presidentit.

Fevziu: Pra, ju është propozuar një tryezë tek për tek ju dhe z.Rama apo të shoqëruar me aleatët?

Basha: Nuk kemi arritur në çështjen e formatit. Sepse përmbajtja, thelbi i asaj që do të bëjmë është më e rëndësishme. Ajo që presin shqiptarët është zgjidhja e krizës përmes një marrëveshje politike që do ti hapë rrugë krijimit të një qeverie teknike për të bërë detyrën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndërsa nga ana jonë nuk është këmbëngulur për një format të caktuar. Sigurisht presim propozimet e palës tjetër për formatin që ata dëshirojnë apo kanë në mendje.

Fevziu: A do ishit ju të gatshëm të mbylleshit në një zyrë apo në një dhomë tek për tek me Ramën për të zgjidhur këtë çështje?

Basha: Unë nuk besoj në fabula të tilla, që zgjidhje të mëdha që kërkojnë racionalitet politik, kërkojnë përgjegjësi të mëdha vijnë thjesht nga takimet tek për tek.

Fevziu: Keni frikë ta takoni tek për tek?

Basha: Sigurisht që nuk kam asnjë frikë dhe nuk kam pse të kem frikë. Por çështja qëndron këtu; që nuk do të projektojmë takime të tilla nga të cilat varen fatet e njerëzve. Nga zgjedhjet e lira varen fatet e njerëzve, varet mirëqenia e tyre, varet nëse do të ketë shanse për më shumë punësim, për më shumë siguri, për më shumë arsim, shëndetësi, etj. Por i them si vullnete personale, a thua se ne jemi gjysëm zotër. Nuk jemi. Ne jemi qytetarë të këtij vendi që kemi marrë përgjegjësi para shqiptarëve dhe këto përgjegjësi duhet ti kryejmë me seriozitet, duhet t’i kryejmë me përgjegjësinë më të lartë dhe përkushtimin ndaj fateve të shqiptarëve.

Prandaj për çështjen e formatit unë pres propozimin e palës tjetër dhe sigurisht unë do të konsultohem me aleatët dhe forumet e mia.

Fevziu: Ju jeni i predispozuar të bëni takime dhe kokë më kokë, vetëm ballë për ballë apo edhe me aleatët?

Basha: Unë nuk kam asnjë problem me formatin e takimit. Pres propozimin e palës tjetër. Sigurisht nuk jam i vetëm, kam edhe unë aleatët e mi dhe unë jam njeri që konsultohem me bashkëpunëtorët e mi.

Fevziu: A do të marrë pjesë në këtë takim z. Meta?

Basha: Për këtë mos më pyesni mua. Meta është aleat i Ramës.

Fevziu: Z.Meta ka mbrojtur dhe ka dhënë legjitimitet disa prej tezave tuaja?

Basha: Nuk kam asnjë të drejtë unë të vendos për aleatët e Ramës. Të dy Meta dhe Idrizi janë aleatë të Ramës.

Fevziu: Pra, i mbetet Ramës që të kërkojë nëse do të jenë ata të dy në tryezë apo jo?

Basha: Ramës patjetër që i mbetet të propozojë formatin. Mua më mbetet t’i përgjigjem formatit dhe sigurisht pas konsultimit me aleatët e mi.

Fevziu: Z.Basha kur mendoni se do të jetë takimi?

Basha: Kjo varet tërësisht nga z.Rama.

Fevziu: Nëse z.Rama ju kthen një përgjigje pozitive sot edhe pas këtij emisioni mund të jetë takimi?

Basha: Mendoj se është e paarsyeshme të mendosh se takimi do të bëhet në mes të natës.

Fevziu: E kam fjalën tek shpejtësia e takimit…

Basha: Unë jam i gatshëm t’i përgjigjem menjëherë gatishmërisë për një dialog në funksion të zgjidhjes por nuk jam i gatshëm të bëhem pjesë e monologjeve shterpë vetëm për të bërë fotografi dhe për të dalë pastaj në konferencë duke akuzuar njëri-tjetrin.

Fevziu: Ka pasur një shpjegim nga z.Rama se përse nuk ka pasur një interlekutor, një ndërmjetës sot?

Basha: Nuk ka pasur.

Fevziu: Ju këmbëngulni për qeveri teknike, Rama këmbëngul për jo, a ka një plan B apo një rrugë të mesme që t’i bashkojë këto dy qëndrime krejtësisht të kundërta?

Basha: Jo nuk ka.

Fevziu: Do me thënë ju do shkoni vetëm me kushtin tuaj?

Basha: Kushti është shpallur, vendimi është marrë me 18 shkurt dhe nuk ka asnjë hap prapa. Më shumë se qytetarët shqiptarë e ka marrë vetë Rama me asgjesimin total që i ka bërë çdo garancie për zgjedhje të lira dhe të ndershme, me faktin që e ka kthyer vendin në një hambar droge prej nga ku rrjedhin lumenjtë e drogës për në Europë; me faktin që kriminelët janë akoma në Parlament, në bashkitë e vendit, në Policinë e Shtetit, në institucionet kryesore. Eshtë vetë Edi Rama që ka përcaktuar qeverinë teknike si e vetmja zgjidhje për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Fevziu: Z.Basha me sa shoh unë ky takim nuk do të bëhet, pasi nëse Rama këmbëngul në vendimet e veta, ju këmbëngulni në pozitat tuaja, në distance, a mundet të uleni në një tryezë?

Basha: Dua t’ju them që prej ditës së parë e deri në përfundimin me fitore të kësaj beteje qytetare, që kjo nuk është betejë për kalkulime politike, elektorale, po për fatin e qytetarëve, të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ne kemi parashtruar dy rrugë :

Rruga e parë është rruga e dialogut politik për një qeveri teknike.

Rruga tjetër është rruga e përballjes qytetare përmes kësaj lëvizje të madhe, të paprecedentë në historinë e Shqipërisë, të Ballkanit dhe do të guxoja të thoja edhe të Europës. Këto dy rrugë janë; dialog ose përballje.

Fevziu: Z.Basha, z. Rama ka qenë i prerë dhe i pa ekuivok, PS së bashku me ata që do të duan me datë 18 qershor, do të hyjnë në zgjedhje. Ndërkombëtarët kanë thënë në zgjedhje shkon vetëm ato që duan, kush nuk do mund të mos marrë pjesë, duke nënkuptuar PD. Çdo të bëni ju  në qoftë se Rama do të shkojë në zgjedhje me 18 qershor dhe negociatat të dështojnë?

Basha: Të fusësh të gjithë ndërkombëtarët në një thes është guxim i madh. Ne kemi marrë një mbështetje të jashtëzakonshme për kauzën tanë, nga çdokush. Asnjë faktor ndërkombëtar nuk është shprehur kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.  Asnjë faktor ndërkombëtar nuk është shprehur kundër dekriminalizimit…

Fevziu: Ambasadorja e Republikës Federale Gjermane ka thënë sot se duhet të shkoni në zgjedhje, zgjedhjet mbahen më 18 qershor, ambasadori austriak, pjesë e BE, është shprehur në të njëjtën mënyrë?

Basha: Në zgjedhje të lira dhe të ndershme, mos harro pjesën më të rëndësishme. Ne për këtë po luftojmë.

Fevziu: Kush ka thënë se nuk janë të lira dhe të ndershme zgjedhjet e 18 qershorit? Atëherë shkoni dhe negocioni kushtet për tu bërë zgjedhjet të lira por jo vetëm qeverinë teknike?

Basha: Tani ti flet sikur ke ardhur sot në Shqipëri. Ne kemi negociuar që prej majit të vitit të kaluar dhe qeveria ka refuzuar platformën tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pas kësaj është tallur në komisionin ad-hoc për reformën elektorale. Jo një here, por dy herë OSBE/ODIHR ka sjellë 53 rekomandime të cilat sot si asnjëherë në 15 vitet e fundit të Shqipërisë, mbeten pa implementuar sepse këta duan që të rrokullisin Shqipërinë dhe shqiptarët, të shtrijnë zgjedhjet si ato që zhvilluan në Dibër. Kjo nuk ka për të ndodhur, zgjedhje të diktuara nga krimi në Shqipëri nuk ka për të pasur më.

Fevziu: Si do ta ndaloni z.Basha, në rast se data 18 qershor është kushtetuese dhe presioni i ndërkombëtarëve do të rritet ndaj jush. Si do të rezistoni ju? Rrezikoni të mbyllni një cikël 25 vjeçar politik si Parti Demokratike, tha kryeministri?

Basha: Jo. Ne rrezikojmë vetëm republikën e vjetër dhe interesat e krimit dhe korrupsionit të lidhura me të. Dhe jo vetëm i rrezikojmë, por ne do ti asgjësojmë ato përmes kësaj lëvizje popullore. Hapi i parë për asgjësimin e tyre janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Zgjedhje të tjera në Shqipëri nuk ka për të pasur. Sa për çështjen e apelit të ndërkombëtarëve, edhe një herë dua t’ju them se asnjë zë ndërkombëtar nuk është ngritur kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kundër dekriminalizimit, kundër problemit të drogës i cili sot është botërisht i njohur. Rrugët që na çojnë drejt zgjidhjes së këtij problemi i ka përcaktuar opozita bashkë me qytetarët shqiptarë. Përgjegjësia jonë e pare, nuk është para ndërkombëtarëve. Sepse populli shqiptar, qytetarët shqiptarë, të papunët shqiptarë nuk hanë as në Bruksel, as në Belgjikë, as në  Uashington, as nuk marrin ndihmë sociale atje kur janë të papunë këtu, as nuk marrin pensione atje. I kanë këtu problemet dhe problemet do të zgjidhen këtu dhe kjo është fare e qartë si për shqiptarët ashtu edhe për ndërkombëtarët. Prandaj ne marrim përgjegjësitë para qytetarëve shqiptarë, zgjidhjet do të jepen këtu.

Fevziu: Por nëse qytetarët shqiptarë shkojnë në zgjedhje dhe zgjedhin një opozitë tjetër, siç thotë Kryeministri, çfarë do të bëni nëse ndodh kjo?

Basha: Nuk ka shans të ndodhë kjo për faktin e thjeshtë sepse sot kjo që i thotë vetes qeveri dhe që në fakt është provuar se vepron me ligjet e një bande, është më e izoluar se kurrë, jo vetëm nga qytetarët që mbështesin protestën tonë por edhe nga përkrahësit e tyre të cilët kërkojnë njësoj siç kërkojmë ne, t’i nxjerrin jashtë kriminelët nga PS, të mos jenë ata apo të përcaktuarit e tyre, në listat zgjedhore dhe të garojmë si parti politike dhe jo si një koalicion politik nga njëra anë dhe një koalicion të krimit nga ana tjetër.

Fevziu: Z. Basha mesa kuptoj unë takimi mezi do të bëhet por edhe nëse u bë do të jetë i dështuar …

Basha: Takim sa për sy e faqe nuk ka për të patur. Ajo që thoni, kushtëzim, e keni gabim. Vendimi i 18 shkurtit ka qenë publik. Kushdo që mendon se dialogu politik nuk do të ishte për qeverinë teknike i themi: “Mirë se vjen sot në Shqipëri se nuk e paske haberin!” .

Fevziu: Nëse z.Rama nuk do të pranojë qeverinë teknike, nuk do të pranojë shtyrjen e zgjedhjeve. Ju çfarë masash do të merrni ndaj tij? Meqë edhe LSI dhe PDIU së paku kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë pa opozitën a do ti bashkoni ju votat në mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit Rama dhe ta shkarkoni atë dhe mund të ndërtoni qeverinë teknike? Pra, ju mund ta bëni qeverinë teknike me votat tuaja pa pritur Ramën…

Basha: Ne kemi zgjedhur rrugën tonë dhe e kemi zgjedhur me vetëdijen e plotë për t’i shërbyer interesit publik. Nuk e kemi zgjedhur në funksion të llogarive elektorale apo në funksion të llogarive politike. Klisheja se demokracia në perëndim funksionon vetëm mbi bazë të vullnetit të shumicës, është e gabuar. Në perëndim funksionon demokracia sepse bashkë me vullnetin e shumicës ka një sistem të tërë kontrolli dhe balancash të pushteteve, ka të drejta të minorancës për të kontrolluar pushtetin, ka media të pavarura, ka moral, ka edhe ndjeshmëri publike. Prandaj funksionon demokracia në perëndim. Këtu mediat i ke të kapura, opinioni publik sa herë që shprehet, përballet me dhunë, me heqje nga puna, me presione nga më të ndryshmet. Ne jemi në misionin tonë për ti sjellë shqiptarëve, së bashku me shqiptarët, demokracinë e vlerave perëndimore dhe jo demokracinë fasadë.

Fevziu: Tani sapo është shprehur Rama dhe thotë se: “Nuk mendoj se PD nuk do të hyjë në zgjedhje. Ashtu siç hyri kur votoi reformën zgjedhore, kartonin jeshil lartë dhe me kokën poshtë. Po kështu nuk mendoj se z.Meta nuk do të hyjë në zgjedhje”. Kryeministri mesa duket është më i sigurtë sesa ju që do të hyni në zgjedhje. Mbase i di disa gjëra që ju si dini?

Basha: 21-22 korrik kokën poshtë e mbante Kryeministri, unë e mbaja kokën lart sepse arrita misionin që kisha parashtruar para shqiptarëve, jo një paketë kushtetuese që ja jepte kontrollin e drejtësisë kryeministrit, por një paketë kushtetuese të standardit europiano-perëndimor. E arrita këtë pavarësisht prej presionit të jashtëzakonshëm, jo parimor, të atyre që në vend që të kishin interesat e Shqipërisë të parat, kishin interesat e Ramës të parat. Dhe në qoftë se merr përshembull 22 korrikun, të jetë i sigurtë që të njëjtin përfundim do të ketë edhe kjo betejë.  Më 22 korrik fitoi Shqipëria përmes përcaktimeve kushtetuese që ne vendosëm dhe luftuam deri në fund.

Fevziu: A jeni i gatshëm që të bashkoni votat me LSI dhe PDIU në një mocion mosbesimi ndaj z.Rama ose në zgjedhjen e një qeverie teknike që mund të mbështetej nga partitë tuaja. Edhe z.Blushi ka deklaruar që dy votat e tij janë në favor tuajin për të rrëzuar z.Rama?

Basha: Për ne rrugët janë dy, dialog politik për qeveri teknike ose përballje qytetare. Këto janë dy rrugët që kemi përcaktuar.

Fevziu: E përjashtoni mocionin? Ndërkohë që z. Meta sapo është shprehur që qeveria e besimit nuk do të thotë që do të ikë kjo qeveri dhe do të krijohet një qeveri tjetër. Nëse kjo qeveri jep garanci për zgjedhjet duke plotësuar një pjesë të kërkesave të opozitës, jemi dakord. Pyetja ka qenë: E shikoni Ramën në këtë qeveri? Përgjigja ka qenë: Patjetër. Në qoftë se kjo qeveri e z.Rama del garanti që do ti plotësojë kërkesat a mund të shkohet në zgjedhje edhe me një qeveri të z.Rama?

Basha: Në mënyrë absolute jo.

Fevziu: Jeni i prerë për këtë?

Basha: Për arsyen e thjeshtë se nuk mundet autori i gjendjes ku është vendi të jetë në të njëjtën kohë edhe zgjidhësi i kësaj gjendje.

Fevziu: Si e konsideroni ju, ose si e gjykoni atë që z.Meta e ka quajtur qeveri besimi?

Basha: Kjo është një pyetje për z.Meta, ne kërkojmë një qeveri teknike me Ministra dhe Kryeministër, të cilët nuk janë pjesë e jetës aktive politike por me mbështetje të plotë nga partitë politike për të bërë largimin e kriminelëve nga politika, luftën kundër drogës dhe kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, kjo është platforma jonë.

Fevziu: Keni pasur kontakte me Z. Meta këto ditë?

Basha: Jo! Nëqoftëse merr atë lajmin që unë isha në katin e parë të një ndërtese dhe ai ishte në katin e tretë dhe thonë që kanë qenë në takim, ajo u përgenjeshtrua.

Fevziu: Jo nuk po flas vetëm takim, a keni pasur kontakt?

Basha: Jo, nuk kam pasur. E para e punës është e pavërtetë, por kjo sdo të thotë që nuk jam i hapur për kontakte me z.Meta, me z. Idrizi, me z.Rama, me këdo, nuk kam unë paragjykime të tilla.

Fevziu: Ju ka kërkuar z.Meta një takim?

Basha: Jo!

Fevziu: Po ju pse nuk ia kërkoni?

Basha: Për çfarë ta kërkoj? Unë e kam përshëndetur qendrimin e tij sepse siç ju thashë nuk jemi në këtë betejë për llogari elektorale apo për llogari politike, jemi për një interes madhor të shqiptarëve dhe gjykoj se një qëndrim i përgjegjshëm që ndihmon në arritjen e një zgjidhjeje për zgjedhje të lira e të ndershme është një qëndrim për tu përshëndetur.

Fevziu: A ka një marrëveshje midis Metës dhe Berishës, po përflitet shumë z.Basha, se ka një kontakt dhe marrëveshje midis tyre dhe ju thjesht po zbatoni piketat e kësaj marrëveshjeje.

Basha: Po ka një marrëveshje po është në arkivin e shtetit, është marrëveshja e vitit 2009. Këto kohë një marrëveshje? Absolutisht jo!

Fevziu: Ka komente që vijnë nga shumë media që ka një marrëveshje që tenton të bllokojë Vettingun dhe ju thjesht po e zbatoni atë.

Basha: Z.Berisha as nuk ka kërkuar, as nuk ka marrë mandat të lidhë marrëveshje as me z.Meta, as me z.Rama dhe as me asnjë faktor tjetër politik.

Fevziu: Në qoftëse ju do të shkoni në një qeveri teknike dhe do të ndërmerrni hapa për çështjen e zgjedhjeve do të parashikojë kjo edhe votimin e Vettingut?

Basha: Votimi i Vettingut është një çështje e cila është sjellë në këtë debat pikërisht për të eklipsuar problemin e madh që Edi Rama ka me garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, sepse Partia Demokratike nuk do t’i japë kurrë, kurrë votën Edi Ramës për një reformë Rama-Shullazi. Ne kemi votuar formulën Han-Nuland, dhe e vetmja formulë që do të zbatohet, e vetmja reformë që do të zbatohet është formula dhe reforma Han–Nuland, jo reforma Rama–Shullazi.

Fevziu: Po çdo me thënë kjo?

Basha: Këtë që thashë!

Fevziu: Pse nuk shkoni atëherë ta votoni?

Basha: Sepse 6 ligjet, të cilat sipas paktit të 22 Korrikut, duhet të kalonin me konsensusin e opozitës, Edi Rama i gatoi me duart e tij në mënyrë që të gjitha proceset e ngritjes së institucioneve të reja të kontrolloheshin nga Kryeministri dhe kjo për ne është e papranueshme. Sajoi marrëveshje politike në mënyrë që të kontrollonte drejtësinë prandaj ne kurrë nuk do ta japim votën për zbatimin e reformës në drejtësi në mënyrë të njëanëshme. Rruga e vetme për zbatimin e reformës në drejtësi është rikthimi i konsensusit siç u bë në rastin e një ligji ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës detyruan mazhorancën të pranonte vërejtjet tona dhe është i vetmi ligj i paketës kushtetuese i votuar nga opozita që është ligji për SPAK-un dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Sot presim reflektim për 6 ligjet e tjera dhe shënoje këtë, kjo është e vetmja rrugë se si opozita apo Partia Demokratike ta votojë, ska rrugë tjetër, rruga e vetme për të rikthyer në binarët e Kushtetutës zbatimin e reformës në drejtësi dhe kështu do të bëhet.

Fevziu: Këto shënojini ju se mund të rrezikojë që ashtu si thotë kryeministri në datën 18 Qershor të shfaqeni para kamerave duke votuar dhe të kërkoni falje.

Basha: Për procesin e dekriminalizimit, për procesin e reformës në drejtësi atë çfarë kam shpalosur para shqiptarëve, atë kam realizuar, dhe të siguroj të njëjtën gjë do të realizoj edhe për zgjedhjet e lira e të ndershme.

Fevziu: A e dini që kjo rrezikon të djegë të gjithë karrierën tuaj poltike z.Basha, të rrezikojë edhe Partinë Demokratike?

Basha: E para e punës nuk e kam shtruar dhe se kam menduar kurrë në këtë rrafsh, e dyta e punës të jesh i sigurtë, është hera e pestë që po ta them që, në këtë betejë, kam braktisur dhe i kam kërkuar të gjithë bashkëpunëtorëve të mi të braktisin çdo llogari apo prapamendim elektoral. Ky është një mision.

Fevziu: Merrni ju dot pësipër të shkatërroni një parti e cila ka 25 vjet?

Basha: Jo ne kemi marrë përsipër që të shkatërrojmë Republikën e vjetër, Republikën e krimit e cila sot ka vënë përfund qytetarët shqiptar dhe në qoftëse nuk e bëjmë këtë atëherë partitë nuk kanë më kutpim, sepse janë kukulla dhe fasada.

Fevziu: Përse nuk shkoni ta mundni në zgjedhje këtë Republikë?

Basha: Për arsyen e thjeshtë dhe ti e di fare mire, siç e di sot çdo shqiptar, i djathtë apo i majtë se sot në Shqipëri është tërësisht e pamundur të bëhen zgjedhje të lira nga diktati i krimit dhe i parave të drogës.

Fevziu: Z.Basha a jeni ju sërisht kundër një koalicioni parazgjedhor me Lëvizjen Socialiste për Integrim? Tani që LSI po mban qëndrime të ndryshme të ngjashme me tuajat keni ndërruar mendim për LSI-në?

Basha: LSI është shprehur fare qartë dhe mendoj se kjo pyetje të paktën sonte nuk ka fare vend. LSI ia ka bërë fare të qartë Partisë Socialiste dëshirën për të qenë në koalicion me ta. Edhe një herë po të përsëris që me partitë, me të dy partitë e mazhorancës dhe ma partinë e madhe, Partinë Socialiste, jemi gati për çdo bashkëpunim në funksion të betejës për zgjedhje të lira e të ndershme, nuk jemi gati për llogari politike dhe elektorale por vetëm gati për një front popullor që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme

Fevziu: Pra mund të bashkëpunoni me LSI-në vetëm në garantimin e zgjedhjeve dhe jo për një koalicion parazgjedhor!

Basha: Koalicionin parazgjedhor Z. Meta e ka bërë të qartë që e do me z.Rama.

Fevziu: Ka pasur komente shumë që po shihet mundësia e një koalicioni të gjerë, pra e një qeverie me bazë të gjerë.

Basha: Ne, mandatin për të qeverisur e kërkojmë dhe do ta marrim vetëm me votë të lirë nga qytetarët shqiptarë në bazë të programit tonë për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza ekonomike dhe pë ti ofruar asaj një ekonomi të fortë, një të nesërme të sigurtë një të nesërme europiane.

Fevziu: A mund të shihni një bashkëpunim për një qeveri të përbashkët me PS-në, pas zgjedhjeve të ardhshme.

Basha: Unë shoh tani dy gjëra, një qeveri teknike për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe një koalicion opozitar të gatshëm të dalë para shqiptarëve me një platformë fituese për ta nxjerrë vendin nga kriza.

Fevziu: Ju thoni që jeni i gatshëm tani për një qeveri teknike, nëse qeveria teknike nuk u jepet si do ta merrni?

Basha: Dy rrugë ka për zgjidhjen e këtij problemi. Rruga parë është e dialogut, rruga e dytë është rruga e përballjes. Përballje do të thotë që ne, opozita, me të gjitha resurset që ka, as nuk do të lejojë, as nuk do  të marrë pjesë, në një proces zgjedhor farsë të diktuar nga krimi dhe kriminelët. Ne nuk do të lejojmë që shqiptarët dhe vullneti i tyre të merren përsëri peng nga krimi dhe kriminelët.

Fevziu: Nënkryetari i Partisë Demokratike, Spaho ka thënë në çadër se ka ikur koha që për hir të stabilitetit të rrënohet demokracia, a rrezikon ta fusni vendin në një spirale përplasjesh dhe pastabiliteti që mund ta shkatërrojë këtë vend z.Basha?

Basha: E vetmja gjë që rrezikon stabilitetin e Shqipërisë janë një tjetër palë zgjedhje ku qytetarët nuk janë të lirë të shprehin vullnetin e tyre dhe kësaj rradhe një palë zgjedhje ku parlamentin dhe qeverinë nuk e emërojnë më qytetarët me votë po i emëron krimi. Në qoftëse ndodh kjo, ta marrim për një moment, kjo padyshim kërcënon stabilitetin, demokracia ka marrë fund në atë moment dhe kjo kërcënon të ardhmen europiane të Shqipërisë. Sepse nuk do të ketë, edhe po të lejoheshe diçka e tillë apo po të merrte pjesë opozita, opozita në atë moment do të delegjitimohej, do kthehej në një alibi të krimit me mbështetje qeveritare, shqiptarët do të kishin të gjithë të drejtën të thonin për karriket tuaja, për pushtetin tuaj, për privilegjet që iu sjell të qenit deputetë, ju braktisët një kauzë pë të cilën ne ju besuam, që është kauza e çlirimit të vendit nga zgjedha e krimit dhe në këtë moment patjetër që do të ketë kaos, do të ketë kaos dhe do të ketë për fat të keq vazhdim të problemit të madh të emigrimit masiv të shqiptarëve. Por kjo nuk ka për të ndodhur, ky skenar nuk ka për të ndodhur dhe për këtë sot garante nuk është vetëm opozita por është një lëvizje e madhe qytetare që bashkë me opozitën janë të vendosura të mos të lejojnë një proces elektoral farsë. Me të gjitha format demokratike dhe paqësore, të mosbindjes civile ne do të pengojmë çdo përpjekje për të marrë peng Kavajën apo Shqipërinë nga krimi dhe droga.

Fevziu: Në ç’mënyrë do ta pengoni?

Basha: Mënyrat nuk do ti them sot. Nuk do të ketë zgjedhje në Kavajë.

Fevziu: Ka një datë të dekretuar nga Presidenti, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar procedurën, është regjistruar kandidati i mazhorancës, si nuk do ketë?

Basha: Neni i bashkëjetesës demokratike që pastaj konkretizohet në Kushtetutë dhe në ligje është vota e lirë, në qoftëse dhunohet vota e lirë s’kanë rëndësi as afatet, as dekretet, as datat, kaq e thjeshtë.

Fevziu: Po si do ta pengoni z.Basha?

Basha: Me të gjitha format dhe mënyrat demokratike, paqësore dhe europiane të cilat dislokohen në momentin kur një qeveri del nga binarët.

Fevziu: A ka vend Europian që s’bën zgjedhje Z. Basha?

Basha: Po, ka një histori Europa, po s’na ke thirrur për histori këtu, ndërsa nëse dëshiron sonte të të shpalos taktikat opozitare po të them që ka një moment kur të shpaloset edhe kjo.

Fevziu: Z.Rama sot ka qenë gati gati sfidues me ju, shih se ç’ka thënë.

Basha: Ka diçka thellësisht jologjike. Ky thotë Partia Socialiste fiton e vetme zgjedhjet. Ilir Meta i thotë, krijo kushte për zgjedhje të lira dhe unë do të vij në koalicion, me sa duket PDIU po ashtu. Pra ky qenka i blinduar për të fituar zgjedhjet apo jo? Pse nuk jep dorëheqje? Ta them unë se përse nuk jep dorëheqje. Sepse fati politik i Edi Ramës nuk është i lidhur jo me qytetarët, por as me socialistët e ndershëm. E ka të lidhur me krimin, me drogën dhe më një polici që dëshiron ta vëjë në shërbim të prishjes së zgjedhjeve. Ai e di fare mirë, se me largimin nga ajo karrike këto tre faktorë ku i ka bazuar betejat elektorale deri më sot dhe do t’i bazojë në betejat elektorale të zgjedhjeve të ardhshme, nuk i shkojnë nga pas. Krimi shpërbëhet, policia futet në binarët e ligjit.

Fevziu: Z.Basha, përse duhet ta japë dorëheqjen? Eshtë mandatuar nga qytetarët shqiptarë me votë, është zgjedhur nga Parlamenti i Shqipërisë. Po t’i keni votat hiqeni në Parlament. Përse duhet ta japë dorëheqjen? Ku ka një precedent të dytë në 25 vjet në Shqipëri që një kryeministër që po drejton qeverinë, në tre muajt e fundit të japë dorëheqje?

Basha: Ka ndodhur në Maqedoni, sapo ndodhi. Në Shqipëri ka ndodhur, Vilson Ahmeti.

Fevziu: Vilson Ahmeti ishte në qeveri për zgjedhje të parakohshme.

Basha: Ke shembullin e freskët në Maqedoni, ke shembullin shqiptar, Vilson Ahmetin. Nuk qëndron ajo që the. Shqipëria ka precedentin e saj, rajoni ka jo një, por disa precedentë, të thuash që kjo nuk ndodh nuk është e vërtetë, është e pasaktë. Arsyeja përse duhet të ndodhë kjo, nuk janë kasetat e Zajevit, as situata politike përpara Vilson Ahmetit, por është situata që EUROPOL-i, DASH, pra Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian, Italia kanë shpalosur fare qartë. Shqipëria sot është një vend ku nuk sundon ligji, nuk sundon qeveria, por sundon krimi i organizuar dhe droga. Droga dhe krimi kanë asgjesuar procesin zgjedhor. Këtë e pe fare mirë në Dibër, ti dhe miliona shqiptarë. Ajo që u bë në Dibër, është prova gjenerale që po bëhet gati në të gjithë Shqipërinë. Ju këtë e dini fare mirë. Këtë e dinë fare mirë shqiptarët që janë nën presion nga bandat kriminale që kanë fillluar punën qark më qark. Janë në presion administrata tatimore, nga policia, nga shteti i bërë njësh me partinë. Situata nuk ka qenë kurrë më e rëndë. Nuk ka një vend në Europë që të ketë qenë nën pushtetin e drogës dhe të krimit. Përse u mbush Shqipëria me drogë? Për zgjedhjet e ardhshme. Prandaj, jo vetëm është e arsyeshme, por i domosdoshëm largimi. Ai është autori i kësaj gjendjeje ku krimi dhe droga kanë zëvendësuar ligjin. Përse nuk e zbaton ligjin e dekriminalizimit? Për arsyen e thjeshtë sepse nuk e ka lidhur fatin e tij politik me qyetarët shqiptarë. Ai thotë: Unë në pushtet do të rri, me krimin, me drogën, me aleancat e pashenjta me krimin dhe me drogën, dhe për këtë nuk më duhen qytetarët shqiptarë, dhe i ka bërë hesapet pa popullin. Sepse sot popullin e ka në këmbë dhe kjo është arsyeja përse duhet të ikë dhe do të ikë.

Fevziu: Z.Basha, është një reagim i Metës i cili ka thënë: LSI ka dashur të japë këtë mesazh: kjo situatë kërkon që të gjithë të lëshojnë diçka, edhe opozita duhet të lëshojë diçka sepse jo të gjitha kërkesat e saj mund të realizohen dhe kjo nuk duhet marrë personale jo do të ikë Rama, jo kërkesa të tjera. Dhe së dyti, edhe nga mazhoranca duhet të ketë lëshime. Nuk është çështja e posteve.

Basha: Fleksibiliteti i marrëveshjes, është qeveria teknike, pa Edi Ramën kryeministër.

Fevziu: Ky është ultimatum.

Basha: Sigurisht, po. Më 18 qershor mirëseerdhe o turist, me 18 qershor është marrë vendimi dhe ne do t’i shkojmë deri në fund. Dy mundësi ka. Mundësia e parë është dialogu, mundësia tjetër është përballja.

Fevziu: Ju nuk i thoni dialog, i thoni bindje ndaj kërkesës suaj.

Basha: Nuk ka diskutim sepse ai e di që është autori i kriminalizimit dhe i mbushjesh së Shqipërisë me drogë. Duhet të marrë përgjegjësinë, të largohet. Askush nuk ka besim. As njerëzit e tij nuk kanë besim që ai do organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Thelbi është ky. Nuk ka sot besim. Eshtë bërë sondazhi jo nga partitë, por është bërë nga fondacione të huaja, ku 86% e shqiptarëve kanë thënë: Nuk kemi besim se procesi i ardhshëm zgjedhor do të jetë i lirë dhe i ndershëm.

Fevziu: Edi Rama shprehet se sondazhet e nxjerrin atë fitues edhe tani.

Basha: Mirë, të japë dorëheqje dhe të shkojë të fitojë. Ai i ka lidhur me karriken zgjedhjet e ardhshme. I ka lidhur me krimin dhe drogën dhe krimin që e mbajnë në pushtet e të cilët i përdor për të prishur zgjedhjet. Nuk ka njeri që nuk e kupton këtë, të djathtë, apo të majtë. Mbështetës të opozitës, apo të Edi Ramës.

Fevziu: A mund të zgjidhen bisedimet me një paketë ligjore që të garantojë zgjedhje pa pasur ultimatum për kryeministrin.

Basha: Ky do të jetë thelbi i negociatave. Por, kjo do të bëhet nga një qeveri teknike, sepse kjo qeveri ka humbur besimin se mund ta bëjë këtë. Mund ta bënte para një viti, e bëri tani, nuk ka më besimin e opozitës dhe të jesh i sigurtë që nuk ka besimin e shumicës së shqiptarëve.

Fevziu: Po thoni se nuk do ta lejoni. Nuk do ta lejoni. Nuk do të ketë zgjedhje. E mbani mend çfarë thatë disa ditë më parë? Fatmir Xhafaj nuk do të hyjë në zyrë dhe atë ditë Fatmir Xhafaj hyri i qetë në zyrë dhe po vazhdon punën përditë. Përse mos mendoj unë që siç bëtë atë deklaratë për z.Xhafaj që nuk funksionoi, jeni duke bërë edhe deklaratat e tjera?

Basha: Për dy arsye. E para sepse qëndrimi i Xhafës në zyrë është në vetëvehte përligjja më e qartë e argumentave tona. Të marrësh një njeri i cili kishte fshehur të kaluarën e tij, sepse unë nuk e kam ditur, nuk e di nëse e ke ditur ti…

Fevziu: As unë nuk e kam ditur…

Basha: Ka fshehur faktin që ka qenë hetues i degës politike. Pra i sigurimit të shtetit, sepse hetuesia ndahej në dy pjesë, për ata që e kanë jetuar atë kohë dhe e mbajnë mend, dhe pjesën politike. Hetues i kohës së komunizmit i cili ka torturuar sipas dëshmive që ju keni marrë, ka torturuar djem dhe vajza të reja krutane sepse dyshohej se kishin pirë raki, ditën që kishte vdekur diktatori. Edhe me ligjet e diktaturës, tortura ishte e paligjshme, ndonëse ushtrohej nga sigurimi i shtetit në mënyrë të rregullt. Ky njeri është Ministër i Brendshëm i shqiptarëve. Dihet botërisht fakti se si Ministër i Drejtësisë ai ka lehtësuar në mënyrë të jashtëligjshme çështjet e të vëllait të Agron Xhafajt, që është numri dy i një bande ndërkombëtare të trafikut të kokainës i gjykuar në Itali dhe në Venezuelë, pra një njeri, vëllai i të cilit është i lidhur drejtpërdrejt me trafikun ndërkombëtar të kokainës. Ai vetë përfaqëson hetuesinë politike që ka torturuar njerëz në kohën e diktaturës, i jepet sot opozitës si garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Çuarja atje e Fatmir Xhafës është diskretitimi më i madh që Rama mund t’i bënte shqiptarëve dhe para faktorit ndërkombëtar. Kjo është arsyeja e parë. Arsyeja e dytë është se do të shfokusonte betejën tonë që është vetë Edi Rama, sepse Fatmir Xhafaj është aty prej Edi Ramës.

Fevziu: A duhet ta dekretonte Presidenti i Republikës?

Basha: Unë jam shprehur për këtë çështje. Unë mendoj se Presidenti i Republikës ka zbatuar Kushtetutën. Kjo Kushtetutë nuk ia jep të drejtën Presidentit të bllokojë propozimet për Ministër, përveçse në funksion të mandatit të tij që ka të bëjë me mbrojtjen e sigurisë kombëtare, por ai paralajmëroi qartësisht koalicionin qeveritar që të mos ta votonin në parlament për hir të problemit politik që ka kandidatura e Xhafës.

Fevziu: A keni kontaktuar me Presidentin përpara dekretimit?

Basha: Jo

Fevziu: Ndërkohë që z.Rama është shprehur se ka dy ditë që u pret për tu ulur, me këdo që ju doni për të diskutuar për datën e zgjedhjeve. Ai thotë që ju nuk keni as vend as ore por flisni vetëm për komplot. Rama thotë që i lutem kreut të PD të vijë e të flasë. Kur kërkoja dialog me paraardhësin tim thoshtë që nuk pranoj të ulem. Ky, thotë për ju, kërkon çelësat e zyrës tek çadra se s’ka fituar asnjë betejë dhe vetëm ia kanë dhuruar. Kjo është krizë nervore e PD dhe jemi në kushtet e një irracionaliteti që e kupton, thotë Rama…

Basha: Racionaliteti është i qartë në këtë gjendje, dhe duhet të largohet që ti japë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në dorën e tij, përsa kohë zgjedh dialogun dhe jo përballjen, është që ta bëjmë këtë në një mënyrë që qeveria teknike me të vërtetë të ketë një mbështetje të gjerë politike për të bërë ato detyra që shqiptarët të kenë besim që zgjedhjet nuk do jenë të diktuara nga krimi. Ndërsa për çështjen e kohës dhe vendit të takimit, menjëherë sapo ai të japë besim përmes përgatitjes së një dialogu në funksion të zgjidhjes duke dërguar të besuarin e tij tek negociatori im që ka gjithë ditën që e pret.

Fevziu: Pra ju kërkoni vetëm një emër?

Basha: Jo një emër. Unë kërkoj prova. Sepse kjo është prova që Edi Rama nuk do thjeshtë të ulet në një tavolinë me mua dhe të mbajë monologje si ato që mban në facebook, por të vijë të dialogojmë që qeveria teknike të ketë një mbështetje të gjerë politike për të hapur rrugën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Fevziu: Ju thoni të diskutojmë për zgjidhje por vetëm të shkojmë tek qeveria teknike?

Basha: Kjo është zgjidhja. Mos bëj si turist mor burrë.

Fevziu: Nuk po bëj si turist. Kjo është si ti thuash tjetrit do flasim e pastaj ti biesh me grusht. Si mund ti vesh kushte?

Basha: E ke gabim. Ti flet në vakum. Kjo ka ardhur pasi ai ka kriminalizuar vendin, pasi ai ka mbushur vendin me drogë, pasi i ka sjellë kriminelët në pushtet dhe refuzon që ata ti heqë nga pushteti.

Fevziu: Por sipas tij qytetarët janë sërish gati ta votojnë…

Basha: Po mirë hajde. Në zgjedhje të lira dhe të ndershme le të votojnë qytetarët se s’po them që ta marrim pushtetin në tavolinë. Thelbi është që ne të kemi një garë të ndershme. Meqë i pelqen futbolli, kur futesh në fushë ke dy skuadra me uniforma dhe top në mes por jo që nga njëra anë një skuadër dhe nga ana tjetër banditë me hunj në dorë. Ne i themi hiqi hunjtë, vish fanellat dhe hajde.

Fevziu: Por por jo ti thuash të luajmë futboll dhe të fitoj unë me 3 me 0. Këtë po i thoni ju…

Basha: E ke gabim. Ne po i themi hiqi hunjtë sepse nuk ka futboll me hunj. Ne do ti heqim hunjtë nga duart e tyre, sepse nuk ka futboll me hunj. Do heqim shiringat e drogës, do përcaktojmë rregullat e futbollit dhe jo të boksit dhe pastaj të fitojë më i miri.

Fevziu: Por ti i thua hiqe Mesin ose sulmuesin më të mirë…

Basha: Unë thashë një batutë për qytetarët dhe jo… e kush është Mesi?!

Fevziu: Por PS atë ka mesin, pavarësisht se ka figura të tjera

Basha: Ne s’po i themi ik nga Partia Socialiste. Ne po i themi të heqim njeriun që i ka vënë hunj në dorë skuadrës së tij. Eshtë fare e qartë që në një ndeshje të tillë, palët duhet të futen në kushte të barabarta garë e cila duhet të jetë e ndershme. Pra do të thotë që nuk duhet të ketë kriminelë nëpër këmbë. Nuk do të jenë më paratë e drogës.

Fevziu: Po pse nuk i vini këto kushte atëherë?

Basha : Po s’mund ti plotësojë njeriu që e ka mbjellë fushën e futbollit me drogë dhe në vend të futbollistëve ka sjellë boksjerë të armatosur me armë.

Fevziu: Po nëse z.Rama do u thoshte në 2013 që për hir të Lazaratit nuk hyjnë në zgjedhje apo për 21 Janarin që duhet të ikë Berisha dhe duam qeveri teknike?!

Basha: Kemi ndryshime themelore. Ndryshimi i parë është që Shqipëria sot është në këtë gjendje për shkak të këtij kryeministri dhe se ky është një projekt politik për të kapur dhe mbajtur pushtetin. Kaq e thjeshtë është.

Fevziu: Z Basha, sot keni deklaruar se në Uashington lobistët janë paguar me paratë e naftës dhe ARMO-s. Çfarë keni dashur të thoni?

Basha: Atë që kam thënë

Fevziu: Kush janë lobistët që paguhen me këto para?

Basha: Do të dalin shumë shpejt besoj.

Fevziu: Keni të dhëna të sigurta?

Basha: Sigurisht.

Fevziu: Paguhen nga qeveria shqiptare apo individë të lidhur me qeverinë shqiptare?

Basha: Eshtë një skemë korruptive e Edi Ramës dhe lobingjeve të fuqishme të cilët kanë marrë në dorë ARMO-n dhe me anë të parave të naftës shqiptare, sot përpiqen që tu shesin dëngla kongresit e senatit sepse Shtëpisë së Bardhë nuk i janë afruar akoma. Pra ka lobistë të paguar me paratë e ARMO-s.

Fevziu: Keni fakte Konkrete? Kur do ti bëni publike?

Basha: Po kemi. Do ti bëjmë publike shumë shpejt.

Fevziu: Ndërkohë që ju vizituat SHBA-të para disa kohësh dhe nuk u duk që patët ndonjë takim konkret..

Basha: Shqiptarët janë mësuar me politikanë që shkojnë vetëm për të bërë fotografi dhe i përdorin për të legjitimuar pozicionet e tyre.

Fevziu: Kë keni takuar në SHBA?

Basha: Unë kam takuar përfaqësuesit më të lartë që kanë të bëjnë me politikën e jashtme dhe të sigurisë në kongres dhe në senat dhe zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë.

Fevziu: A kanë emër këta zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë? Dhe çfarë u thanë këto takime?

Basha: Sigurisht që po. I kam deklaruar.

Fevziu: A ka kohë Shtëpia e Bardhë me gjithë këtë kaos të merret edhe më Shqipërinë?

Basha: Shtëpia e Bardhë ka kohë të merret me gjithë botën.

Fevziu: Çfarë u kërkuat këtyre zyrtarëve?

Basha: U kërkova mbështetje për kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme e cila kalon përmes dekriminalizimit dhe luftës kundër drogës si dhe më kërkuan garanci që përpjekjet tona si parti politike, qoftë sot në opozitë e qoftë nesër në pushtet, do të jenë për të intensifikuar luftën kundër krimit të organizuar dhe lidhjes së krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Fevziu: Sot në fakt kishte një deklaratë nga Saviano që ishte shumë problematike dhe nuk e di sa e vërtetë është. Unë shpresoj që të mos jetë e vërtetë.

Basha: Mund ta thuash deklaratën.

Fevziu: Ai lidhte terroristët islamikë me kultivimin e marijuanës në Shqipëri. Kam një pyetje që si shpjegohet që menjëherë pas këtyre takimeve në nivelet e larta në Shtëpinë e Bardhë, Departamenti i Shtetit lëshoi një deklaratë shumë të ashpër ndaj jush.

Basha: Për çfarë e keni fjalën?!

Fevziu: Deklarata që i kërkonte PD-së që të kthehet në Parlament dhe të marrë pjesë në zgjedhje.

Basha: Nuk ka pasur deklaratë, por një intervistë për klan Kosovën ku zyrtari është pyetur për zgjedhjet në Shqipëri dhe ka thënë që zgjedhjet të paktën do të duhet të mbaheshin më 18 Qershor dhe ne i bëjmë ftesë opozitës të kthehet në parlament dhe të marrë pjesë në procesin zgjedhor. Përgjigja ndaj kësaj është po. Ne do të kthehemi në parlament. Ne do të marrim pjesë në procesin zgjedhor, por vetëm pasi të kemi siguruar standardin për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Fevziu: Nëse SHBA dhe partnerët e tjerë europiane vijojnë ti bëjnë thirrje PD-së të marrë pjesë në zgjedhje në datën 18 qershor dhe të kthehet në parlament, dhe nëse këto thirrje intesifikohen, a do ti dëgjojë PD-ja apo jo?

Basha: PD i dëgjon dhe i ka dëgjuar dhe do i dëgjojë gjithmonë këto thirrje. Dhe përgjigja jonë ka qënë, është dhe do të jetë; po, ne jo vetëm që do të marrim pjesë por do të jemi faktori që do të përcaktojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe padyshim do të marrim pjesë në jetën institucionale të vendit, në parlamentin që do të dalë nga këto zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Fevziu: Kur mendoni ju që mund të mbahen zgjedhjet nëse jo në datën 18 Qershor?

Basha: Kjo varet tërësisht nga mandati i qeverisë teknike për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, i cili do të jetë edhe subjekti i dialogut politik.

Febziu: Çfarë kuptoni ju me qeveri teknike?

Basha: Një qeveri që përbëhet nga persona jo aktivë në jetën e partive politike dhe gëzojnë reputacion, aftësitë dhe padyshim që të kenë mbështetjen e plotë të partive politike.

Read More
06 Pri
0

Monologje me fjalim të parapërgatitur për interesat e republikës së vjetër, nuk ka. Dialog vetëm për qeveri teknike, për zgjedhje të lira e të ndershme, për interesin e shqiptarëve

Zonja dhe zotërinj, qytetare dhë qytetarë, patriote dhe patriotë, ushtarë të armatës dhe lëvizjes së madhe popullore për demokraci të vërtetë, për liri të vërtetë dhe për drejtësi të vërtetë.

Nën peshën e zullumeve të pafund, nën peshën e mëkatëve të panumërta në kurriz të shqiptarëve të ndershëm po shembet republika e vjetër, po shembet republika e krimit, po shembet republika e drogës, republika e korrupsionit, republika e mashtrimit, republika e hajdutërisë, republika e pafytyrësisë, republika e pashpirtësisë. Po shembet, sepse pesha e zullumeve dhe e mëkateve kundrejt shqiptarëve të ndershëm është e madhe, por po shembet sepse po e shembni ju, qytetarët e lirë, qytetarët dinjitozë të lëvizjes me dinjitoze, europiane, euratlantike që ka njohur Shqipëria në këto 100 vite.

Republika e vjetër, është mbi të gjitha, komploti më i madh kundër shqiptarëve. Eshtë një komplot politik, është një komplot ekonomik, është një komplot kundër lirive dhe të drejtave të çdo shqiptari të ndershëm.

Në këtë komplot përfitojnë një grusht njerëzish dhe pushtetarësh të cilët kanë bërë zap partitë e tyre përmes aleancës me krimin, kanë shndrruar territorin e Shqipërisë tonë të dashur në një hambar droge dhe një infrastrukturë për prodhimin, kultivimin dhe trafikimin e drogës drejt gjithë vendeve europiane.

Në këtë komplot, marrin pjesë një grusht kriminelësh në shërbim të këtij grushti politikanësh të korruptuar dhe një grushti oligarkësh që kanë shtënë në dorë të gjithë paratë e shtetit dhe buxhetit përmes tenderave korruptivë, të gjitha pasuritë e vendit përmes koncesioneve korruptive.

Një grusht politikanësh të korruptuar, një grusht kriminelësh që i mbajnë në këmbë, një grusht oligarkësh që vjelin ditë për ditë pasuritë e shqiptarëve, ky është komploti ekonomik kundër çdo shqiptari, kundër mirëqënies se çdo familje.

Asgjë nuk ka ndodhur vetëvetiu. Ekonomia jonë është shkatërruar nga autorët e këtij komploti. Papunësia është bërë përditshmëria e shqiptarëve të thjeshtë, çmimet janë rritur, taksat janë rritur, vuajtjet janë shtuar, faturat janë kripur jo vetvetiu por si pjesë e këtij komploti kundër shqiptarit të thjeshtë, kundër shumicës dërrmuese të shqiptarëve, demokratë dhe socialistë, nga një grusht banditësh me pushtet dhe pushtetarësh të bërë njësh me bandat e krimit.

Ky komplot po bën gjithçka që ka në dorë për të mbajtur në jetë republikën e vjetër, republikën e vjedhjes, republikën e krimit, republikën e pashpirtësisë, që është e shurdhët ndaj zërit qytetar e shurdhët ndaj vuajtjeve të shqiptarëve të thjeshtë.

Ata kanë shumë për të humbur, miliardat e buxhetit të shtetit që kurrë nuk i dhanë për shqiptarët por i përvetësuan në xhepat e tyre dhe në llogaritë e tyre bankare, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Ata kanë shumë për të humbur, miliardat e drogës që i përfitojnë duke skllavëruar qindra e mijëra fermerë të pashpresë për bukën e tyre të gojës, dhe fëmijët e familjet e tyre.

Miliardat e nxjerra nga droga e narkomafies shqiptare paguajnë sot lobistë të korruptuar europianë dhe amerikanë për të mbajtur në këmbë republikën e vjetër në kurriz të shqiptarëve të ndershëm. Me miliardat dhe milionat e naftës shqiptare paguhen të tjerë lobistë amerikanë dhe ndoshta dhe të tjerë për të mbajtur në këmbë republikën e krimit, republikën e korrupsionit me petrodollarët e korrupsionit, duke shfrytëzuar pasuritë që duhet të shkonin për pensionistët shqiptarë, për ndihmën sociale, për investimet në gjithë pellgun naftëmbajtës dhe anembanë Shqipërisë.

Ky është komploti më i madh në histori dhe ky është komploti më i poshtër dhe më tinzar në histori sepse ka përpara maskën, fasadën e një pseudodemokracie. Një demokraci fasadë, me një parlament fasadë, me deputetë fasadë dhe kukulla, me një qeverisje fasadë, kjo është maska e republikës së vjetër dhe e komplotit të krimit dhe korrupsionit kundër shqiptarëve të thjeshtë, kundër shqiptarëve punëtorë, kundër shqiptarëve të ndershëm.

Lobistët e paguar me paratë e drogës, të narkomafies shqiptare dhe lobisti i paguar i paguar në Uashington me paratë që vidhen nga ARMO dhe nga nafta shqiptare, nuk duan tia dinë nëse ju keni bukë për të ngrenë, bukë për të ushqyer fëmijët tuaj, para për tu blerë atyre këpucë, libra apo lapsa për shkollën. Sepse për ata, Shqipëria nuk është një vend me qytetarë që vuajnë, nuk është një vend me peshën e madhe të padrejtësisë qeveritare, por është një bankë që nxjerr dhe pastron paratë e drogës, paratë e krimit, paratë e vjedhjes së pasurive të shqiptarëve, siç është nafta, siç është ARMO-ja pasuri kombëtare që sot financon lobingje të ndyra në Uashington, kundër lirive dhe të drejtave të shqiptarëve.

Por Uashingtoni dhe Europa kanë qendruar jo sot, por tash 100 vjet e gjithmonë, jo në krah të hajdutëve, kriminelëve të korruptuar, por, në krah të shqiptarëve, në krah të Shqipërisë, në krah të kombit shqiptar, siç qendrojnë edhe sot në krah të kësaj lëvizje popullore, në krah të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, në krah të lirisë, demokracisë dhe drejtësisë së vërtetë.

Ora po vjen që do ti kthejne paratë e naftës shqiptare, që do të përgjigjen një më një për paratë e narkomafies shqiptare me të cilat kanë lobuar kundër demokracisë, kundër lirisë së zgjedhjeve, kundër të drejtave themelore të njeriut. Do të kthejnë paratë dhe do të mbajnë përgjegjësi përpara drejtësisë shqiptare, para drejtësisë amerikane dhe para drejtësisë së vendeve të Bashkimit Europian.

Ky komplot i madh, kjo republikë e vjetër ka bërë gjithçka që faktet e mjerimit të përditshëm të shqiptarëve dhe arsyet e thellimit të këtij mjerimi, të mbahen të fshehta apo të shtrembërohen sipas oreksit të qeverisë së inkriminuar të republikës së vjetër.

Do të doja shumë ta merrja unë kredinë që ua çorrëm këtë perde dezinformimi dhe propagande, por merita nuk është e imja, merita nuk është as e partisë sime, merita është e juaja qytetare dhe qytetarë të lirë shqiptarë, që në 47 ditë qëndrese të pashembullt, e paprecedent, i treguat miqve tanë se fytyra e vërtetë e Shqipërisë nuk janë kriminelët me të cilët qeveris Edi Rama, por jeni ju europianët, euroatlantikët, populli më fisnik, më kurajoz dhe më i vendosur për lirinë e tij dhe të drejtat e tij.

***

Republika e vjetër është në grahmat e saj të fundit, por ka shumë, shumë për të humbur dhe në këtë orë të vendimmarrjeve të mëdha, kërkon që dialogun politik, që kjo lëvizje e madhe popullore e parashtroi si zgjidhjen racionale të krizës së thellë politike, ekonomike dhe psikologjike ku ky kryeministër ka zhytur vendin, dialogun politik, si mënyra më e paqtë për të zgjidhur njëherë e mirë problemin e zgjedhjeve të lira e të ndershme përmes një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike, ta kthejë në një pazar për mbijetesën e republikës së vjetër, në një pazar që komploti ekonomik, politik kundër shqiptarëve të vazhdojë.

Dhe për këtë pazar kanë hedhur gjithçka që kanë miliardat, pozicionet, pushtetin e tyre me një dhe një qëllim; të mbajnë në këmbë qeverinë e krimit, qeverinë që e shndërroi Shqipërinë në prodhuesin dhe shpërndarësin numër një të drogës në Europë, qeveri që i mbylli Shqipërisë rrugën e anëtarësimit në Europë dhe u rrezikon shqiptarëve heqjen e vizave.

Nuk duan një dialog ashtu siç e ka përcaktuar populli më 18 shkurt, ashtu siç ushton jehona e 18 shkurtit ditë për ditë në këtë shesh, por duan një dialog fasadë, një dialog me fjalime të parapërgatitura. Ju e mbani mend se për çfarë e kam fjalën, e kam fjalën për të ashtuquajturin dialog të 6 qershorit të vitit të kalur ku opozita shqiptare shkoi e gatshme, me vullnet dhe e përgatitur për të dhënë zgjidhjen e saj për një drejtësi të vërtetë e të pakapur, e cila nuk mbronte, por ndëshkonte korrupsionin dhe krimin. Ndërsa, pala qeveritare erdhi me të vetmin synim, të ruante projektin e kontrollit politik mbi drejtësinë dhe po me këtë qëllim erdhi me fjalim të parapërgatitur, pra qartësisht me objektivin për të refuzuar zgjidhje. Ky nuk është dialog, këto janë monologje, monologje shterpë nga ato që ju keni dëgjuar me shumicë në këto tri vite e gjysmë, në tribunën e Parlamentit, në fshatra dhe qytetet tona, të dielë për të dielë nga Facebook-u. Nëse për çdo monolog, qytetarët shqiptarë do të kishin përfituar një mijë lekë, sot do të ishin milionerë.

E pra, ky është vendi, dhe tani është moment t’iu them ju, miq të mi, dhe qindra mijëra, miliona shqiptarëve që na ndjekin, se monologje shterpë nuk pranoj dhe nuk do të pranoj! Jemi të hapur siç e kemi thënë prej ditës së parë për një dialog të vërtetë politik me dy objektiva: ndërtimin e qeverisë teknike, me mbështetje të gjerë politike dhe përcaktimin e mandatit të kësaj qeverie për; dekriminalizimin e plotë të institucioneve të shtetit shqiptar, luftën e vërtetë kundër drogës dhe parave të drogës dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Për dialog në funksion të zgjidhjes që i shërben çdo shqiptari, ftoj dhe mirëpres çdo faktor politik të përgjegjshëm dhe ky është momenti t’i bashkëngjis mirënjohjes sime, që besoj që është edhe çdo qytetari shqiptar pavarësisht bindjeve politike, për përgjegjshmërinë e treguar nga njëri prej partnerëve të koalicionit para tre ditësh, edhe përfaqësuesve politike të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, për qëndrimin e shfaqur.

***

Kjo është një lëvizje popullore. Prej ditës së parë kemi mirëpritur këtu jo vetëm ata që mendojnë si ne, por edhe ata që mendojnë krejt ndryshe nga ne.

Kjo është forca e kësaj lëvizje popullore. Kjo është forca e këtij fronti të madh e të bashkuar kundër krimit, kundër drogës, kundër padrejtësisë, kundër korrupsionit dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme. E vetmja pengesë për zgjedhje të lira dhe të ndershme sot, është frika e Edi Ramës për të lëshuar karriken e kryeministrit.

Kjo zbulon në të njëjtën kohë edhe planin ogurzi, personalisht të tij, që përmes pushtetit që mban si kreu i ekzekutivit  të ushtrojë një mijë e një të zeza për procesin zgjedhor në aleancë me krimin dhe në aleancë me falangat e drogës.

Prandaj e përjeton si dramë largimin nga posti i kryeministrit dhe është gati të sakrifikojë themelin e demokracisë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Eshtë gati të bëjë fli interesin e çdo shqiptari dhe interesat e Republikës së Re që po lind, interesat e Shqipërisë europiane, vetëm e vetëm për karriken dhe pushtetin e tij personal.

E pra, sot i themi se shqiptarët e kanë kuptuar lojën e pisët dhe të vjetër që e drejton tash katër vjet.

Se shqiptarët nuk do pranojnë më kurrë të jenë delet e një komploti politik dhe ekonomik drejtuar kundër të drejtave të tyre, kundër ekonomisë së tyre, kundër mirëqenies së tyre, dhe për këtë arsye, jemi sot këtu. Sepse në mënyrë që kjo të marrë fund, Shqipëria duhet të ketë jo vetëm këtë herë, por që nga kjo herë, çdo here, vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ne e dimë se nëse pranojmë kompromise dhe pazare në kurriz të këtij interesi të madh kombëtar, asgjë nuk do të ndryshojë në këtë vend. Asgjë nuk do të ndryshojë në institucionet e kalbura e të korruptuara të republikës së vjetër. Asgjë nuk do të ndryshojë në mirëqenien e shqiptarëve, në fuqinë e tyre blerëse, në nivelin e rrogave dhe pensioneve, në cilësinë e shëndetësisë dhe arsimit. E njëjta lojë, i njëjti teatër kukullash, e njëjta fasadë do të vazhdojë të shfaqet në sytë e shqiptarëve.

I njëjti monolog do t´u këndohet ditë për ditë e natë për natë. Asgjë nuk do të ndryshojë, po nuk shporrëm një herë e mirë krimin nga dhe po nuk i dhamë fund, problemit dhe kërcënimit të jashtëzakonshëm që droga paraqet:

Kërcënim për shëndetin e shqiptarëve, për të ardhmen e fëmijëve të tyre, për ekonominë tonë dhe për sistemin tonë demokratik.

Por, ne jemi këtu jo vetëm sepse jemi të vendosur që mos ta lëmë më këtë gjendje, jo vetëm sepse besojmë se asgjë nuk do të ndryshojë nëse kjo betejë nuk fitohet e plotë me zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe me qeveri teknike. Ne jemi këtu, sepse ne të gjithë besojmë dhe së bashku punojmë, që asgjë të mos jetë më si më parë.

***

Republika e Re do të jetë pronë e qytetarëve shqiptarë. Pushteti politik do t’i takojë jo një herë në katër vite, por çdo ditë, çdo orë, çdo sekondë vetëm qytetarëve shqiptarë. Në Republikën e Re, qytetarët shqiptarë do të jenë zotër të fateve të tyre. Do të jenë pushtetarët ata që do të ulin kokën para qytetarëve dhe jo anasjelltas. Arroganca do të marrë fund.

Në këtë komplot të madh ku janë përfshirë edhe ata që nuk kanë interesat e shqiptarëve dhe Shqipërisë në zemër, por interesa të xhepave që i kanë mbushur me paratë e drogës shqiptare dhe të naftës shqiptare, në këtë betejë ku hidhen miliarda nga krimi i organizuar, ku janë bërë njësh korporata e mediave të korruptuara të cilat mbushin xhepin me paratë e shqiptarëve për të treguar broçkulla dhe gënjeshtra në ekranet dhe gazetat e tyre nga mëngjesi deri në darkë, në këtë betejë, garancia, siguria për fitore jeni vetëm ju.

Ju jeni njerëzit që ndryshuat rrjedhën e historisë, që e nxorët Shqipërinë nga bataku i vjetër, që u përballët nga kjo çadër e lirisë me kërcënimet mashtrimet dhe presionet e komplotit të narkomafias shqiptare dhe politikanëve të korruptuar shqiptarë, dhe ju do të jeni që do ta çoni këtë betejë deri në fund me fitore, me fitore, me fitore.

E drejta e votës qendron mbi çdo të drejtë tjetër të shkruar në letrat e ligit. Gjithçka tjetër është në funksion të së drejtës së votës. Nëse nuk ka votë të lirë, nuk ka demokraci, nuk ka shtet ligjor, nuk ka ligj, nuk ka drejtësi, nuk ka liri.

Ja pse kjo nuk është një betejë në radhën e betejave, por beteja e betejave.

Ja pse as ju, as unë, nuk e përfundojmë dot këtë betejë dhe as nuk kthehemi dot nga kjo betejë përveçse me fitoren totale të kësaj beteje.

E  hapur mbetet ftesa për dialog, për qeverinë teknike dhe mandatin e kësaj qeverie teknike.

Por nëse lojërat me cicmicet janë përgjigjia e vetme e republikës së vjetër, dhe atyre që kanë filluar të numërojnë mbrapsht orët e privilegjeve të pushtetit, atëherë nga ky shesh ju themi se përballja do të jetë përgjigja jonë deri në fitore.

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Zoti i bekoftë shqiptarët!


Mesazhi i Lulzim Bashës në ditën e 48 të protestës popullore për votën e lirë e të ndershme, 6 Prill 2017

Read More