Blog

02 Pri
0

Marrëzia që mori jetën e 4 dëshmorëve të lirisë, është ende në këmbë, e kemi për detyrë ta rrëzojmë atë

Mesazhi i Lulzim Bashës sot në 26 vjetorin e përkujtimit të 4 dëshmorëve të 2 prillit në Shkodër

Dita e sotme është dita e përkujtimit dhe nderimit për katër dëshmorët e 2 Prillit, Arben Brocin, Bujar Bishanakun, Nazmi Kryeziun dhe Besnik Cekën.

Dita e përkujtimit dhe e nderimit, për sakrificën më sublime të katër të rinjve të përjetshëm të Shkodrës, dhe 82 qytetarëve të tjerë të plagosur nga plumbat e bishës komuniste në grahmat e saj të fundit.

Por dita e sotme është edhe dita e nderimit dhe e kujtimit për Shkodrën, për çmimin e lartë që ajo gjithmonë ka ditur të paguajë për lirinë dhe për demokracinë.

Sot është dita jo vetëm t’i drejtohem Shkodrës dhe shkodranëve me mirënjohjen më të thellë që më del nga shpirti, si kryetar i Partisë Demokratike, si kryetar i opozitës, si shqiptar e patriot, por po kështu t’i them Shkodrës dhe shkodranëve, se bashkë me dhimbjen e thellë, nderimin dhe perkujtimin, për katër heronjtë e 2 Prillit, jeni dhe duhet të jeni, jemi dhe duhet të jemi krenarë, për këtë çmim kaq të lartë që keni vendosur në altarin e lirisë dhe demokracisë.

Sepse asgjë tjetër nuk i ndan më qartë shoqëritë, në të civilizuara apo barbare, në të naltsueme apo të ulta, se sa vlera e njohjes, e dijes dhe e luftës deri në çmimin më të lartë për lirinë dhe për demokracinë.

Kjo është çka e dallon Shkodrën dhe e lartëson atë në të gjithë kapitujt e historisë sonë kombëtare.

Ndaj, Shqipëria dhe shqiptarët krenohen përherë me Shkodrën. Sepse çmimi i lirisë nuk ka qenë e nuk do të jetë asnjëherë i lirë, por asnjëherë nuk do të mungojnë djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë e krenarisë, e forcës dhe vendosmërisë shkodrane, nga Shkodra në Vlorë, nga Durrësi në Korçë e kudo anembanë hapësirës shqiptare, të cilët do të dinë përherë të përballen për këtë vlerë të lartë pa të cilën nuk ia vlen të jetohet.

Asnjëherë nuk ka qenë më aktuale sakrifica e 2 Prillit në këto 27 vite, se sa sot. Sepse, asnjëherë nuk ka qenë më e kërcënuar demokracia, liria për të zgjedhur me votë dhe për të rrëzuar me votë qeverinë.

Në kushtet e një deliri që buron nga aleanca e rinovuar mes politikës dhe krimit, e rinovuar jo thjesht me krimin politik që përgjaku Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë para 26 vitësh por, e rinovuar nga aleanca e politikës me krimin e organizuar, deliri i pushtetarëve të sotëm thotë atë që nuk ia zinte goja, as diktatorit të fundit; se demokracia mundet të bëjë edhe pa opozitën, se zgjedhje mund të ketë edhe pa opozitën.

Marrëzia që shkaktoi katër dëshmorët e 2 Prillit dhe 82 qytetarëve të plagosur, nuk ka vdekur.

Themelet e demokracisë që hodhëm, nuk janë të forta. Republika që u ngrit mbi këto themele, plotësoi disa prej detyrave dhe ëndrrave të qytetarëve shqiptarë që u ngritën për liri dhe demokraci dhe të atyre që u flijuan për to, por tashmë kjo republikë e themelet e saj, janë të pamjaftueshme, për të mbajtur ngrehinën e shpresave dhe ëndrrave që burojnë nga gjoksi i shqiptarëve të emancipuar që nuk mund të pranojnë asgjë më pak se standardi europian dhe euroatlantik, duke filluar nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

E në veçanti shpresat e ëndrrat e rinisë shqiptare, në ballë të cilës qëndron me vendosmëri, me kurorën e krenarisë, rinia e Shkodrës.

Ndaj më duket e përshtatshme dhe e domosdoshme, te përsëris përpara këtij altari frymëzues që përkujton sakrificën sublime të katër dëshmorëve tanë dhe që kujton sakrificën shekullore të shkodranëve dhe të shqiptarëve për liri dhe demokraci, se sot e deri në fitoren e betejës që kemi vendosur më 18 shkurt, zotimi ynë është dhe mbetet: zgjedhje të lira dhe të ndershme të standardit europian dhe Republikë e Re e demokracisë, lirisë dhe drejtësisë së vërtetë.

Marrëzia duhet dhe do të marrë fund!

Shkodra dhe Shqipëria do t’i japin fund!

Amaneti i Arben Brocit, Nazmi Kryeziut, Bujar Bishanakut dhe Besnik Cekës do të kryhet deri në fund.

Zoti e bekoftë Shkodrën!

Zoti i bekoftë dëshmorët tanë në altarin e demokracisë!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

 

Read More
01 Pri
0

Dinjitetin në vend të përndjekurve, vendin që meritojnë persekutorëve

Në mbrëmjen e 43 të protestës, në Sheshin e Lirisë u diskutua mbi dramën e regjimit komunist. Përpara protestuesve u shfaq një dokumentar i regjisorit Besnik Bisha “Fëmijët e diktaturës”, një prodhim i Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë në bashkëpunim me Fondacionin Kondard Adenauer.

Protagonistët e dokumentarit, ish të përdjekur politikë ndanë me protestuesit nevojën që ka sot shoqëria për të përkujtuar viktimat, nevojën për të nderuar familjet që vuajtën nga sistemi komunist por edhe nevojën për të dënuar të kaluarën kriminale të diktaturës.

Dokumentari solli dëshmi tronditëse se si fëmijët e të përndjekurve ishin torturuar duke i lënë pa ngrënë, persekutuar, duke i ndarë nga shokët që në cerdhe e kopësht, duke i përjashtuar nga cdo aktivitet.

Ritvana Hima, një nga personazhet e dokumentarit apeloi për më shumë vëmendje të shoqërisë ndaj të kalurës. “Ne jemi këtu për të treguar historinë si ka ndodhur sepse është e rëndësishme të ndërgjegjëson brezat e rinj për çka ka ndodhur në të kaluarën. Shoqëria shqiptare u detyrohet shumë atyre familjeve që nuk ua ka dhënë akoma, kthimin e dinjitetit të saj. Askush nuk ka kërkuar të falur për krimet makabre të komunizmit, atyre familjeve, që kishin kuroja të mendonin ndryshe. Minimumi duhet që të dënohen ata njerëz që kanë kryer ato krime. Në këto 26 vite nuk është dënuar askush për ato krime dhe sot ecin të lirë, janë në institucione të larta njerëz që vendosin për fatin e këtij vendi, ata që kanë vrarë pa gjyq e kanë burgosur shqiptarë të pafajshëm. Nuk mund të tolerojmë më ministra që kanë qënë pjesë e regjimit”, tha Hima.

Simon Miraka kërkoi një minutë heshtje për të nderuar viktimat e dikaturës komuniste. “Ka ardhur koha që parlamenti të zbukurohet me fëmijët e të përdjekurve dhe me pinjollë të familjeve të rëndësishme që kanë bërë hsitorinë e këtij vendi, por me të gjitha kriteret që kërkon koha. Kjo kohë ka ardhur”, tha Mirakaj.

Regjisori i dokumentarit, Besnik Bisha tha se ka shumë nevojë që të ketë prodhime të shumta për t’i treguar shoqërisë të vërtetën e diktaturës. “Me thanë mysafir, por këtu ndihem si në shtëpinë time, që nga viti 1990. Ndihem shumë i emocionuar dhe kjo më duket shfaqja më e bukur e jetës time. Ky dokumentar është më mbresëlënësi i xhiruar në jetën time. Unë jam i sgurtë që pasi ta shihni dokumentarin, do jemi ndryshe. Uroj që në të ardhmen të bëjmë shumë dokumentarë të tillë dhe do i kërkoja kryeministrit të ardhshëm që e kemi këtu që jepini një buxhet të veçantë për të plotësuar këtë mangësi njohje për këto vuajtje të këtyre njerëzve, për sakrificat e tyre, si dje por edhe sot, për tu integruar në shoqëri”, tha regjisori dhe pedagogu Bisha.

Aurela, bashkëshortja e Lulzim Bashës, vlerësoi kurajon dhe dinjitetin e familjeve të përdjekura shqiptare dhe u shpreh se shoqëria duhet të investojë më shumë për integrimin e tyre të plotë. “Eshtë shumë e rëndësishme të flitet për integrimin e të përdjekurve në shoqërinë shqiptare. Eshtë e vërtetë që ata janë ende të përdjekur. Të gjithë e dinë sa e vështirë është të integrohesh në shoqëri të huaja, dhe të gjithë ne që kemi qënë jashtë shtetit, këtë e dimë shumë mirë. Por mbase është më e vështirë të integrohesh në shoqërinë tënde. Ne të gjithë e kemi këtë borxh ndaj të përdjekurve politikë dhe për ata që guxuan. Ne jemi të gjithë këtu për të thënë që kjo do bëhet. Me mirë vonë se sa kurrë por kjo do të bëhet”, tha Aurela Basha.

Dekani i Fakultetit të Arteve, Ardian Isufi, që moderoi këtë bashkëbisedim u shpreh për nevojën që ka shoqëria jonë për të mos harruar, për të reflektuar mbi të shkuarën, vuajtjet dhe krimet që kanë ndodhur, që ato të mos përsëriten kurrë më.

Lulzim Basha tha se është e turpshme që paketat e dëmshpërblimit financiar ndaj ish të përdjekurive nuk janë mbyllur ende. “Ky është padyshim një mëkat dhe një gabim shumë i madh dhe një faj i Partisë Demokratike, i cili do të ndreqet menjëherë. Kemi bërë shumë por kur s’e kemi mbyllur punën nuk ka vend për justifikime por ka vend për ndjesë dhe ndjesë të thellë që shpresoj të pranohet nga të gjithë të përndjekurit politikë dhe pasardhësit e tyre, fëmijët e tyre”, tha Basha.

Kryedemokrati u shpreh se kjo dramë do të gjejë zgjidhje ndërsa premtoi përfaqësuesit më të mirë në parlamentin e ardhshëm.

“Ju garantoj si kryetar i Partisë Demokratike se ne do përmbyllim kalvarin 27 vjeçar. Do ti jalim fund harresës dhe shtrembërimit të historisë. Do zbatojmë standardet më të forta europiane për të vënë dinjitetin e të përndjekurve, nderin e shoqërisë së lirë, në vendin që u takon dhe duke u kujdesur që persekutorët, të paktën në histori, të marrin atë që meritojnë. Sa kohë që ky nuk është një realitet ligjor dua të garantoj çdo shqiptare dhe çdo shqiptar, të djathtë e të majtë, që një ndër tre kriteret bazë për përfaqësuesit e ardhshëm të Partisë Demokratike në Parlamentin e Shqipërisë, do të jenë: Dosjet e pastra nga lidhjet me krimin, dosjet e pastra nga korrupsioni dhe dosjet e pastra nga e kaluara si bashkëpunëtorë apo si xhelatë të diktaturës komuniste. Grupi i ardhshëm Parlamentar i Partisë Demokratike do të mishërojë kështu virtytet më të mirë si garancia e vetme për tu përballur dhe për të çuar përpara kauzën e një shoqërie me të vërtetë europiane”, tha Basha.


Njoftim per shtyp, 1 Prill 2017

Read More
01 Pri
0

Mesazhi i plotë i Lulzim Bashës në mbrëmjen e 43 të protestës, ndjesa për të përndjekurit politik dhe zotimi për të çuar aty ku e kanë vendin xhelatët e diktaturës

Jam shumë i nderuar që ndodhem sonte këtu në këtë premiere, në çadrën e lirisë, për këtë dokumentar për të cilin dua të falenderoj nga zemra regjizorin, artistin e madh Besnik Bisha, për punën e jashtëzakonshme që ka bërë, falenderoj Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë dhe fondacionin Konrad Adenauer të Partisë Kristian Demokrate gjermane që ka bërë të mundur financimin e këtij filmi. Gjermanët e dinë më mirë se çdo komb tjetër në Europë se çdo të thotë të kujtosh dhe të mos harrosh, dhe për fat të keq, ne shqiptarët kemi bërë lëshime dhe gabime të mëdha në këtë drejtim me 26 vitet e fundit. Nuk e kam fjalën thjesht dhe vetëm për paketat e dëmshpërblimit financiar, të cilat duhet të kishin qenë të përmbyllura sot për të gjithë të përndjekurit, dhe është një turp i madh që nuk janë përmbyllur, dhe që ne vazhdojmë dëgjojmë dhe i kemi lënë dorë sharlatanëve dhe persekutorëve dhe bijëve të persekutorëve të flasin e të bëjnë akoma propagandë me këtë çështje. Ky është padyshim një mëkat dhe një gabim shumë i madh dhe një faj i Partisë Demokratike, i cili do të ndreqet menjëherë.

Kemi bërë shumë, por kur s’e kemi mbyllur punën nuk ka vend për justifikime por ka vend për ndjesë dhe ndjesë të thellë që shpresoj të pranohet nga të gjithë të përndjekurit politikë dhe pasardhësit e tyre, fëmijët e tyre.

***

Së dyti, dua të them se një shoqëri që nuk distancohet nga krimi vazhdon të jetë nën tutelën e krimit dhe shembulli më i qartë është kjo qeveri, që drejtohet nga një njeri që deri më sot, jo vetëm nuk ka patur guximin të distancohet nga krimet e babait të tij biologjik dhe babait të tij politik, për varjen e Havzi Nelës në 1989, e një poeti që u var në mes të Kukësit vetëm për vargjet e tij, dhe padyshim për këtë nuk ka faj Edi Rama, por Edi Rama, do të kishte fisnikërinë dhe nderin të kërkonte falje për krimet e babait të tij që bashkëfirmosi varjen e Havzi Nelës. Në vend të kësaj, Edi Rama krenohet me krimet e diktaturës dhe në fakt, fjala rilindje, është një kod mafioz për rilindjen e nomeklaturës komuniste dhe xhelatëve komunistë.

Ndaj nuk ka turp ai, të rikthejë në krye të Ministrisë së Brendëshme, muaj para zgjedhjeve, një tjetër simbol të krimit të dyfishtë, Fatmir Xhafën që për turpin tonë dhe për turpin tim, se edhe unë nuk e dija deri sa plasi ky skandal, që kishte qenë një hetues mizor, torturues i djemve dhe vajzave të reja të Krujës, jo për krime ordinere, por për krime politike, sepse kishin pirë një gotë raki ditën kur vdiq kasapi i shqiptarëve, ditën kur vdiq Hitleri i pas Europës, siç e cilëson Këshilli i Europës, Enver Hoxha, dhe pasi fshehu të kaluarën e tij për krimet, sepse edhe në diktaturë ligjërisht, ndonëse çdo hetim politik ishte torturë, internim e burgosje, ligjërisht tortura ishte e ndaluar, dhe ky njeri sot edhe në rrafshin moral edhe në rrafshin ligjor duhet të ishte para përgjegjësisë, dhe jo Ministër i Brendshëm, por them që është simbol i krimit që pjell krim, sepse këta të dy Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj dhe qindra të tjerë pjesëtarë të këtij kabineti dhe të kësaj qeverie të bërë njësh me krimin, jetojnë me kultin e krimit, ndaj kanë kriminalizuar qeverisjen.

Ndaj ky, i pari i të gjithëve, mëngjes, drekë dhe darkë ka lidhur fatin e tij jo me qytetarët, as me socialistët e ndershëm por me kriminelët, me trafikantët e drogës, marijuanës, kokainës. Me njerëz që i kanë trafikuar dhe prostituuar gratë dhe vajzat shqiptare. I kanë berë anëtarë të parlamentit, kryetarë bashkish, drejtues të lartë institucionesh. Ndërsa vëllai i Ministrit të Brendshëm shpëtoi prej drejtësisë pikërisht sepse ai ishte Ministër Drejtësie. Sot ai është në dosjen e partnerëve europiane. Po, po. Fatmir Xhafa. Jo thjesht si vëllai i një trafikanti të lidhur me kokainën, por edhe si i lidhur vetë me bandat më të rrezikshme kriminale të trafikut të drogës. Krimi sjell krim. Ndaj detyra e parë e Republikës së Re, është, të presë njëherë e përgjithmonë lidhjet e krimit me politikën dhe politikës me krimin. Por kjo nuk mund të ndodhë nëse Republika e Re nuk bën një shkëputje në bllok, etike, morale dhe politike me krimet e diktaturës më çnjerëzore që ka njohur Europa komuniste.

Ndaj është e domosdoshme te marrim përgjegjësitë tona. Ti marrim sot si opozitë, si PD. Une ju garantoj se do i marrim këto përgjegjësi. Ne jemi një parti që kemi lindur si e madhe, popullore, për të përfaqësuar të gjithë spektrin e shoqërisë shqiptare pa asnjë përjashtim. Por, nuk jemi dhe nuk mund të jemi nëse në radhë të parë nuk jemi parti e të përndjekurve politikë. Parti e heronjve që u përballën me represionin dhe terrorin komunist, të jemi të tillë, në program, në skuadër. Ju garantoj, si kryetar i Partisë Demokratike, se ne do përmbyllim kalvarin 27 vjeçar. Do t’i japim fund harresës dhe shtrembërimit të historisë. Do zbatojmë standartet më të forta europiane për të vënë dinjitetin e të përndjekurve në vendin që u takon dhe duke u kujdesur që persekutorët të paktën në histori të marrin atë që meritojnë.

Kjo është një punë e jashtëzakonshme por që nuk kryhet me një film apo me dy filma, por kryhet vetëm kur një komb i tërë të lartësojë në ndërgjegjen e vet, duke kuptuar fajin dhe mëkatin e kobshëm të 50 viteve diktaturë, të realizojë në ndërgjegjen e vetë domosdoshmërinë për të njohur në thellësi çdo barbari që mendja dhe zemra njerëzore kanë qenë në gjendje t’i shkaktojnë bashkëqytetarëve, t’i zbulojë ato para dritës së diellit, t’i thërrasë xhelatët njësoj si krimelët dhe ti ndalojë ata që të marrin pjesë në funksionet publike të Republikës së Re.

Xhelatët, ata që kanë qenë në krye të persekutimit, ata që madje shkelën edhe ligjet e diktaturës duke tortuar të rinjtë dhe të rejat shqiptare nuk duhet të kenë asnjë vend në vendimarrjen e re të Republikës së Re, as në krahun e demokratëve, as në krahun e socialistëve. Vendi i tyre është në skutat më të zeza të historisë tonë kombëtare.

Sa kohë që ky nuk është një realitet ligjor dua të garantoj çdo shqiptare dhe çdo shqiptar, të djathtë e të majtë, që një ndër tre kriteret bazë për përfaqësuesit e ardhshëm të Partisë Demokratike në Parlamentin e Shqipërisë, tre kriteret bazë do të jenë: Dosjet e pastra nga lidhjet me krimin, dosjet e pastra nga korrupsioni dhe dosjet e pastra nga e kaluara si bashkëpunëtorë apo si xhelatë të diktaturës komuniste.

Grupi i ardhshëm Parlamentar i Partisë Demokratike do të mishërojë kështu virtytet më të mirë të shoqërisë, si garancia e vetme për t’u përballur dhe për të çuar përpara kauzën e një shoqërie me të vërtetë europiane, që nuk humb jetë e nuk do të jetë e tillë për sa kohë që nuk do të diktohet nga krimi.

***

Ndaj, misioni ynë i parë që na ka mbledhur tash 7 javë këtu në këtë shesh, është çlirimi i vendit nga zgjedha e krimit. Këtë do ta bëjmë vetëm me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk pranojmë asnjë kompromis, asnjë pazar me standardin zgjedhor, nuk do të pranojmë asnjë kompromis, asnjë pazar me standardin e votës së lirë. Dhe nuk mund të pranojmë që as ne, as partnerëve tanë ndërkombëtarë, t’u hedhin hi syve dhe tua shesin sapunin për djathtë, Fatmir Xhafa, Edi Rama me shokë.

Dikush që ka besim tek e ardhmja e Shqipërisë, dikush që mendon se di ta mbështesë shoqërinë tonë, vendin tonë, kombin tonë për të arritur standardet europiane dhe amerikane në zgjedhje, në drejtësi, demokraci dhe ekonomi duhet së pari të njohë historinë e vendit, e të mos ketë asnjë iluzion. Zgjedhje me Edi Ramën, me Fatmir Xhafën dhe sojin e tyre në pushtet nuk ka për të pasur, dhe ne nuk pranojmë asnjë lloj tjetër, përveç zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Dhe nuk do të ketë asnjë kthim në institucionet e inkriminuara të republikës së vjetër, asnjë kthim në parlament, pa u përmbushur vendimi dhe premtimi i shqiptarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Historia përsëritet keq për popujt që harrojnë të kaluarën. Jemi këtu të gjithë njëzëri, për të thënë, se nuk harrojmë dhe jemi të vendosur të mos lejojmë përsëritjen e më të keqes në historinë tonë kombëtare.


Fjala e Lulzim Bashes ne Sheshin e Lirisë, 1 Prill 2017

Read More
01 Pri
0

Çmimin e naftës dhe të gazit që thelloi varfërinë e shqiptarëve, e rriti Edi Rama, jo bursa

Kryetari Lulzim Basha bashkëbisedim me inxhinierë dhe specialistë të fushës për çmimin e naftës dhe hidrokarbureve. Gjendja mund të ndryshojë, dhe do të ndryshojë, me sigurimin e votës së lirë, me clirimin e Shqipërinë nga krimi dhe droga

 

Paraditen e 43-të në Sheshin e Lirisë, kryetari demokrat Lulzim Basha bashëbisedoi me inxhinierë, specialist dhe qytetarë lidhur me çmimin e lartë të hidrokarbureve. Inxhinierë, mekanikë e biznesmenë argumentuan se çdo qytetar shqiptar, pavarësisht situatës së tyre ekonomike,  preket nga rritja e çmimit të gazit dhe naftës.

 

Emiliano Mone, inxhinier nga Fieri tha se pikërisht qytetarët e Fierit, të cilët jetojnë mbi pasurinë kombëtare të Patozit, Marinzës dhe Zharrësës janë nga më të varfërit, teksa kompanitë shfrytëzojnë resurset natyrore të shqiptarëve, për përfitimet e tyre. Rasti i naftëtarëve të Fierit, të cilët nuk marrin rrogat dhe nuk u paguhen sigurimet shëndetësore dhe shoqërore prej 16 muajsh, është skandaloz.

 

Met Selimi, inxhinier mekanik, tha se qeveria jo vetëm rriti koston e jetesës duke rritur çmimin e naftës, por nuk ofron as cilësinë e kësaj të fundit. Karburanti në Shqipëri është jashtë normave të cilësisë.

 

Rritja e çmimit të naftës dhe gazit nuk prek vetëm personat të cilët përdorin automjetet personale. Inxhinierët denoncuan se vetëm një vit më pare, Rilindja rriti me 33% çmimin e biletave të autobuzave urbanë, duke rritur koston e jetesës së qytetarëve. Po kështu, rriti edhe çmimin e gazit, edhe për përdoruesit familjarë. Një bombël gazi ka pësuar rritje deri në 60% duke shtuar ndjeshëm shpenzimet e një famijeje shqiptare që përdor gaz. Të prekur nga rritja e çmimit të gazit ishin edhe shoferët, të cilët për shkak të çmimit të lartë të naftës, i vendosën automjeteve të tyre impiante me gaz.

 

Kryetari Lulzim Basha tha se rasti i rritjes së çmimit të hidrokarbureve dhe shfrytëzimit të pasurive natyrore tregon se mirëqënia ekonomike e qytetarëve shqiptarë nuk është parësore për këtë qeveri.

 

“Këtu folësit e thanë fare qartë se çmimi i rritur i naftës, çmimi i rritur i gazit, i energjisë elektrike është një nga faktorët kryesorë të rritjes së varfërisë, përmes rritjes së kostos së jetesës, sepse nafta më e shtrenjtë, do të thotë produkte më të shtranjta, shërbime më të shtrenjta për qytetarët shqiptarë. Çmimi i naftës në Shqipëri është më i larti në rajon, ndërkohë që fuqia blerëse e shqiptarëve është më e ulëta në rajon. Sot Kryeministri bredh duke thënë se çmimi i naftës është çmim i bursës.

 

Por a nuk ishte Edi Rama që rriti jo një herë, por dy herë akcizën mbi hidrokarburet? Sot çdo litër naftë është 240 lekë më i shtrenjtë jo për shkak të tregjeve por për shkak të Kryeministrit i cili e rri akcizën e naftës”, tha Basha.

 

Kreu i opozitës tha se asgjë nga këto nuk ka për të ndryshuar për mirë, në rast se shqiptarët nuk vendosin me votën e tyre të lirë përfaqësuesit e tyre, bazuar në nje program dhe premtime. Kjo mund të ndodhë vetëm pasi lidhja e fortë mes krimit dhe pushtetit të thyhet njëherë e mirë.

 

“Por që të arrijmë këtë, duhet dhe do të çmontojmë nga rrënjët koalicionin e 1 prillit, zakonin e 1 prillit, vesin e 1 prillit, trajtimin e popullit si budalla nga një grusht pushtetarësh të korruptuar dhe të inkriminuar deri në palcë. Sot le ti themi dhe mediave të 1 prillit, se asgjë nuk ka ndryshuar në kushtet që ne i kemi vënë kësaj qeverie prej datës 18 Shkurt.

 

Nuk ka e nuk do të ketë asnjë kusht të ri. Por nuk do të ketë asnjë tërheqje nga kushtet dhe vendimet që shqiptarët shpallën njëzëri në këtë shesh; qeveri teknike, me mbështetje të gjerë politike, që do të realizojë dhe zbatojë dekriminalizimin, që do të luftojë me të vërtetë dhe jo alla Xhafa drogën, trafiqet e drogës dhe paratë e drogës, që do të sigurojë të drejtën sovrane të cdo shqiptari e shqiptareje për të votuar i lirë, i pashantazhuar dhe i pablerë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, dhe këtu, gadishmërinë tonë për ti shkuar deri në fund zbatimit të reformës në drejtësi, sipas paktit popullor të 22 Korrikut, dhe jo sipas kulisave Rama- Shullazi”, theksoi Basha.

 

Kryetari Lulzim Basha pohoi se vendimi i marrë  më 18 shkurt, dhe i pandryshuar edhe në javën e 8 të qëndresës së qytetarëve, do të mbetet i tillë deri në fund, pasi pa çliruar Shqipërinë nga krimi dhe droga, të gjithë shqiptarët, pa dallim bindjesh politike, socialistë e demokratë nuk do të shohin ditë të bardha.

 

Read More
01 Pri
0

Mesazhi i Lulzim Bashës, sot në ditën e 43 të protestës

Përshëndetje dhe mirdita të nderuar zonja dhe zotërinj, te reja dhe të rinj, qytetare dhe qytetarë të Tiranës e mbarë Shqipërisë, dhe gëzuar fillimin e javës së tetë të kësaj lëvizje popullore dhe demokratike, për liri dhe demokraci, për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 

Dje e thashë fare qartë, por sot dua ta përsëris se jo vetëm Shqipëria, por Europa dhe bota mbarë e kanë kuptuar se kjo që po ndodh këtu në këtë shesh, kjo që po ndodh në zemër të Shqipërisë, në zemër të Europës, nuk është thjesht dhe vetëm një lëvizje opozitare, por është një revolucion paqësor për Shqipërinë europiane dhe vlerat europiane dhe euroatlantike.

 

Vlerë esenciale e kulturës dhe e civilizimit europian është e vërteta.

 

Ashtu siç është. Dikujt i pëlqen e dikujt jo. Shumë të vërteta i bashkojnë kombet, të tjera i ndajnë në palë të ndryshme me bindje të ndryshme, por e vërteta dhe shpalosja e së vërtetës është themel i qytetërimit europian.

 

Mbi këtë themel ndërtohet vlera bazë e demokracisë. Demokracia apo qeverisja është një kontratë mes popullit, qytetarëve me të drejtë vote, të cilët delegojnë të drejtën e tyre sovrane, natyrale, hyjnore që e kanë nga Zoti dhe nga asnjë qeveri apo parti politike, tek një grup që merr besimin në bazë të premtimeve dhe programeve.

 

Pjesa tjetër e kësaj vlere ka të bëjë me postulatin e vetëkuptueshëm se nëse ai që kërkon dhe merr votën në bazë të programit, dështon të përmbushë pjesën e vet të kontratës, nuk largohet populli, por largohet qeveria, largohet pushteti.

 

Mekanizmi europian, euroatlantik, demokratik është largimi me votë. Gjykimi me votë dhe largimi me votë. Këto ju i dini fare mirë dhe i dinë edhe brezi i ri i shqiptarëve dhe pikërisht këtu qëndron problemi i madh që ka sot kjo qeveri dhe ky kryeministër.

 

Sot me 1 prill që në Shqipëri njihet si dita e gënjeshtrave, sot më 1 prill dhe katër vjet pas 1 prillit të koalicionit aktual në pushtet, Edi Rama e di fare mirë se me gjykim popullor, me votë të lirë dhe të ndershme është i rënë dhe i larguar një herë e mirë nga qeverisja. Ndaj shpresa e tij e vetme është ta ndalojë dhe ta deformojë këtë gjykim popullor me votë.

 

Sot nuk është rasti të lexojmë listën e gjatë të premtimeve që u kthyen njëri pas tjetrit në mashtrime. Nuk ka nevojë ta bëjmë, sepse premtimet e kthyera në mashtrime janë fakt, vuajta e përditshme e miliona shqiptarëve këtu, nga jugu në very, është fakt, dhe atje ku i ka larguar halli i madh në emigracion, ku më shumë se 250 mijë sot gjenden si rezultat i shkatërrimit të çdo perspektive për një jetë normale në Shqipëri.

 

Nuk është rasti të ndalemi në ato premtime-mashtrime që janë bërë klishe dhe barsaleta, si 300 mijë vendet e punës, apo shëndetësia falas, apo legalizimet falas, apo aksesi në arsim.

 

***

Ju keni zgjedhur sot të diskutoni për një problem të mprehtë që po kështu është pjesë e mashtrimeve të koalicionit të qeverisë së 1 prillit, që është problemi i çmimit dhe cilësisë së hidrokarbureve dhe impaktit që kjo ka për ekonominë kombëtare, për ekonominë familjare dhe fatet e çdo shqiptari.

 

Këtu, folësit e thanë fare qartë, me gjuhë të thjeshtë dhe popullore, se çmimi i rritur i naftës, çmimi i rritur i gazit, çmimi i rritur i energjisë elektrike është një nga faktorët kryesorë të rritjes së varfërisë, përmes rritjes së kostos së jetesës, sepse nafta më e shtrenjtë, do të thotë produkte më të shtrenjta, do të thotë shërbime më të shtrenjta për qytetarët shqiptarë.

 

Edhe për ata që nuk disponojnë një mjet një makinë, apo motorr që djeg naftë, paguajnë që nga momenti kur hapin sytë në mëngjes e deri sa shtrihen për të fjetur në darkë, qindarkë më qindarkë çmimin e rritur të naftës. Tek buka që blejnë, tek fatura e ujit që paguajnë, tek shërbimet që marrin dhe jo vetëm shërbimi i urbanit që u rrit brenda natës me 33%, ndërkohë që cilësia e ofruar është e njëjta ose më keq.

 

Tek çdo shërbim, sepse nafta është gjaku i ekonomisë. Kështu ka qenë dhe kështu do të mbetet për sa kohë që është i vetmi mjet i vënies në lëvizje të mjeteve të punës në ekonominë moderne.

 

Pra, është fare e qartë se, çmimi i naftës ka një ndikim të drejtpërdrejt si pakkush në çmimet e jetesës në një vend. Çmimi i naftës në Shqipëri është më i larti në rajon, ndërkohë që fuqia blerëse e shqiptarëve është më e ulëta në rajonKjo e shtyu para 4 vjetësh kryeministrin aktual të premtonte uljen e çmimit të naftës për të gjithë shqiptarët, e në veçanti për kategori të veçanta siç janë fermerët. Por ju e dini fare mirë se Edi Rama nuk bëri asgjë për të ulur çmimin e naftës.

 

Sot bredh vend më vend, duke thënë se çmimi i naftës është çmim i bursës. Kjo është një gënjeshtër e trashë. Padyshim tregjet bëjnë punën e tyre dhe çmimi i naftës në tregje financiare nuk caktohet dhe nuk mund të përcaktohet nga qeveria.

 

Por a nuk ishte Edi Rama që rriti jo një herë, por dy herë akcizën mbi hidrokarburet 120 lekë në fillim të vitit 2014, 120 lekë në fillim të vitit 2015. Sot çdo litër naftë është 240 lekë më i shtrenjtë jo për shkak të tregjeve por për shkak të mashtruesit, gënjeshtarit kryeministër i cili rriti akcizën e naftës.

 

***

1 prilli njihet si dita e gënjeshtrave në Shqipëri por 1 prilli është një ditë ndërkombëtare. Në anglisht 1 prillit i thonë “fools’ day”, që përkthehet “dita e budallenjve”. Dita e budallenjve, pavarësisht se mekanizmi është i njëjtë, shpiken gënjeshtra, shpiken të paqena dhe këto pastaj trajtohen si shaka në kurrizin e atyre që i hanë dhe kjo me siguri, ndonëse nuk e kam analizuar shkencërisht, duhet të jetë edhe kuptimi i fjalës dita e budallenjve.

 

Dhe me siguri në paktin e 1 prillit 2013 teksa përpunoheshin gënjeshtrat e mëdha për shëndetësinë falas, për 300 mijë vende pune, bashkautorët kanë qeshur apo nënqeshur sepse jo vetëm ka qenë dita e gënjeshtrave, por kanë menduar se kjo ka qenë edhe dita për t’i trajtuar shqiptarët si budallenj, që mund t’i gënjesh, mund t’i mashtrosh, mund t’ua marrësh votat dhe pastaj të bësh çfarë të duash me ta.

 

E pra, sot e tash 7 javë, duke hyrë e 8-ta, shqiptarët janë këtu në këtë shesh me trup, me mendje, me shpirt dhe ne kemi një mesazh për Edi Ramën dhe për koalicionin e 1 prillit; budalla është ai që pranon të trajtohet si budalla dhe shqiptarët kanë vendosur të mos pranojnë më kurrë të trajtohen si të tillë nga një bandë hajdutësh e bërë njësh me krimin e organizuar!

 

Asgjë nuk ka për të ndryshuar; as çmimi i naftës, as akciza mbi naftën, as mirëqenia e shqiptarëve, as shëndetësia, as arsimi, as punësimi, as pensionet dhe as ndihma sociale, as çmimi i energjisë, asgjë nuk ka për të ndryshuar në këtë vend, nëse nuk thyejmë cop e çikë aleancën midis krimit dhe politikës, kriminelët në pushtet dhe pushtetarët e bërë njësh me krimin.

 

Ne e kemi kuptuar këtë fare mirë prej fillimit, ju e dini këtë. Dhe këtij fakti, këtij postulati, këtij vendimi të madh i kemi dhënë forcë me bashkimin e madh popullor të 18 shkurtit që rritet dhe zmadhohet çdo ditë në një konsensus kombëtar, qytetar dhe europian.

 

Asgjë, nuk ka për të ndryshuar me një grusht oligarkësh hajdutë më pak se gishtat e një dore, që marrin dhe zotërojnë pasuritë e vendit, gjithë tenderat e qeverisë, koncesionet, kontratat e partneritetit publik-privat, paratë e shqiptarëve.

 

Asgjë nuk ka për të ndryshuar nëse kjo betejë nuk arrin qëllimin e saj dhe qëllimi është t’i kthejë shqiptarëve të drejtën europiane për të vendosur të lirë, me votë, se kush i qeveris dhe për të shkarkuar të lirë, me votë, ata që keq qeverisin. Kjo është esenca e kësaj beteje të madhe.

 

Ne duam një Shqipëri të përparuar dhe të zhvilluar, pa krim, me konkurencë, me mundësi për çdo shqiptar sipas aftësive e talentit të tij apo të saj, dhe me mundësi edhe për ata më të pamundurit që të mos mbeten mbrapa, por të jenë pjesë e familjes së madhe kombëtare të shqiptarëve kudo që jetojnë.

 

Por që të arrijmë këtë, duhet dhe do të çmontojmë nga rrënjët koalicionin e 1 prillit, zakonin e 1 prillit, vesin e 1 prillit, trajtimin e popullit si budalla nga një grusht pushtetarësh të korruptuar dhe të inkriminuar deri në palcë.

 

Vendimi është marrë dhe sot i shkon për shtat t’i themi se në këtë 1 prill, budallenjtë i kemi pas kësaj fasade që kujtojnë akoma se kjo mund të zgjidhet me pazare, me mashtrime, me lobime, me paratë e narkomafies shqiptare, se mundet akoma t’i hedhin hi syve shqiptarëve, me mediat e 1 prillit. Mediat mashtruese të 1 prillit, të cilat, sigurisht nuk e kemi fjalën as për gazetarët, as për operatorët të cilët meritojnë t’u japim mirënjohjen tonë për gjithçka kanë bërë dhe bëjnë, por e kemi fjalën për ata anëtarë të një korporate, të një çete hajdutësh dhe kriminelësh që kanë futur duart në të njëjtin sahan, ata përfituesit e miliona eurove që i morrën nga qeveria.

 

Po qeveria nga i mori? I mori nga xhepat e shqiptarëve për të blerë median, për ti mbyllur gojën mediave, për të transformuar të vërtetën.

 

Dhe sot, le ti themi mediave të 1 prillit, se asgjë nuk ka ndryshuar në kushtet që ne i kemi vënë kësaj qeverie prej datës 18 Shkurt. Nuk ka, e nuk do të ketë asnjë kusht të ri. Por nuk do të ketë asnjë tërheqje nga kushtet dhe vendimet që shqiptarët shpallën njëzëri në këtë shesh; Qeveri teknike, me mbështetje të gjerë politike, që do të realizojë dhe do të zbatojë dekriminalizimin, që do të luftojë me të vërtetë dhe jo alla-Xhafa drogën, trafiqet e drogës dhe paratë e drogës, që do të sigurojë të drejtën sovrane të cdo shqiptari e shqiptareje për të votuar i lirë, i pashantazhuar dhe i pablerë, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe këtu, gadishmërinë tonë për ti shkuar deri në fund zbatimit të reformës në drejtësi, sipas paktit popullor të 22 Korrikut, dhe jo sipas kulisave Rama- Shullazi.

 

Kjo dhe vetëm kjo është e vërteta nga e cila nuk tundemi dhe nuk ka forcë të na largojë nga ndjekja deri në sukses, deri në fitoren e objektivave të shpallura botërisht.

 

***

Por sigurisht, nëse mendon se mund ta zgjasësh deri ditë para zgjedhjeve dhe pastaj të ikësh gjoja me një qeveri teknike, që nuk ka kohë as forcë për të zbatuar ligjin për Dekriminalizimin, që nuk ka kohë as këllqe të luftojë kartelet e drogës që drekojnë e darkojnë me ty në atë sallë, që nuk ka as mundësi as vullnet, as kohë që të garantojë që cdo shqiptar të votojë, që askujt, asnjë shqiptari mos t’i mohohet e drejta e votës, duke i marrë kartën e identitetit duke i bërë presion për vendin e punës, nëse mendon se një qeveri e tillë do të përbëjë alibi për ty lidhur me kauzën që ne kemi ngritur mbi shpatullat, zërin, mbi vendosëmrinë e shqiptarëve për një Republikë të Re ku qytetarët janë zot dhe pushtetarët shërbëtorë, atëherë gabohesh rëndë. Koha tashmë po skadon.

 

Zgjedhjet e 18 Qershorit në këto kushte nuk mund, dhe nuk do të mbahen!

 

Por zgjedhjet parlamentare do të mbahen sepse, qeveria teknike e vullnetit për të luftuar krimin, e vullnetit për të luftuar drogën dhe që do t’i japë mundësinë cdo shqiptari të votojë, e do t’u garantojë garë të lire, të ndershme e të barabartë partive politike, po vjen dhe do të jetë realitet. Banda e pushtetit të lidhur me krimin nuk mund dhe nuk do ta ndalë.

 

Ne jemi të sigurtë, të vendosur për këtë betejë, sepse e dimë që kjo nuk është beteja e radhës, por beteja e të gjithë betejave. Ne e dime se mbi fitoren apo dështimin e kësaj beteje, nuk varet thjesht dhe vetem fati i opozitës apo i PD, apo i disa individëve në politikë, por varet fati i Shqipërisë.

 

Ose do të kemi një Shqipëri të rrënuar e të zaptuar, ose do të kemi një Shqipëri europiane, ku qytetarët janë zot të fatit të tyrë dhe ku pushtetarët ulin kokën, e jo anasjelltas . Kjo është Republika e Re dhe Republika e Re ka nevojë për zgjedhje të lira e të ndershme sot dhe mot.

 

Dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme kanë nevojë për një qeveri teknike, jo vetëm të zbatojë detyrat e shtruara nga populli, por dhe të ketë kohën për ti zbatuar ato, ashtu sic duhet. Këto janë të vërtetat që kemi shpallur  cdo ditë. Kjo është e  vërteta që përsërisim sot, për ti thënë koalicionit të 1 prillit, koalicionit të gënjeshtarëve, koalicionit të mashtruesve, koalicionit që mundohet ta trajtojë popullin e vet si budalla, se budallenj jeni ju, prandaj vejini gishtin kokës. Nuk ka kthim prapa.

 

Orët e republikës së vjetër janë të numëruara, nuk ka zgjidhje fasadë, nuk ka zgjidhje pazar, zgjidhja e vetme, zgjidhja  e vërtetë është qeveria që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo është e vërteta e plotë, e pacensuruar e pablerë, e pashtrembëruar dhe në këtë betejë, sot janë bashkuar më shumë se kurrë, më qartazi se kurrë, të gjithë shqiptarët, pa dallim bindje politike. Pa cliruar Shqipërinë nga krim, pa cliruar Shqipërinë nga droga, as socialistët, as demokratët dhe asnjë shqiptar nuk do të shohë as një ditë të bardhë. Vendimi është marrë, vendimi është shpallur, beteja po shkon drejt fitores së garantuar.

 

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

 

Rroftë Shqipëria, rrofshin shqiptarët, poshtë gënjeshtarët!

 

Read More
31 Mar
0

Qeveria teknike është mjeti, ndërsa beteja nga e cila nuk kthehemi pa fitore, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme

Mesazhi politik i Lulzim Bashës, sot në ditën e 42-të protestës

Mirdita vëllezër dhe motra,

Zonja dhe zotërinj,

Mirëse ju gjej në këtë ditë të bekuar të fundit të javës së shtatë dhe fillimit të javës vendimtare për fitoren e betejës sonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Dua të falenderoj nga zemra 70 pedagogët që gjenden sot këtu në këtë çadër të lirisë, në këtë shesh të lirë bashkë me qindra mijëra qytetarë që përbëjnë tash 42 ditë jo thjesht dhe as vetëm opozitën; kjo ditë e 42-të, bekon para kombit, para historisë dhe para Zotit këtë lëvizje, si një lëvizje kombëtare, si një lëvizje popullore, si një lëvizje historike që tejkalon kufijtë e opozitës dhe çdo partie politike.
Ju sjell përshëndetjet dhe solidaritetin e Partisë Popullore Europiane dhe partive tona simotra, nga Kongresi i Mbajtur në Maltë. Ju sjell mbështetjen e liderëve e partive tona simotra në qeveri apo në opozitë, anembanë Bashkimit Europian dhe drejtuesve më të lartë të institucioneve të Bashkimit Europian.
Beteja e nisur më 18 shkurt do të vazhdojë deri në fitoren e plotë, deri në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përmes një qeverie teknike që do të bëjë detyrat e ngarkuara nga populli.

 

Ky është mesazhi që kemi thënë çdo ditë. Ky është mesazhi që përsëris sot, jo vetëm për ju, bashkëluftëtarë të nderuar, bashkëqytetarë që jeni ngritur për Republikën e Re, por për çdokënd që ka vesh të dëgjojë dhe ka mendje të kuptojë.

 

****

Shumëkush i bindur se kjo qeveri e rënë moralisht, do të bjerë së shpejti edhe juridikisht, shtron pyetjen, paraqet dilemën nëse zgjedhjet do të jenë të lira dhe të ndershme me një qeveri teknike që nuk ka kohën apo pushtetin e mjaftueshëm për të shpërbërë deri në fund lidhjet kriminale që ngriti në pushtet Edi Rama dhe çeta e tij e hajdutëve të babëzitur?
Sot, i sapo kthyer nga Malta, dhe pasi kam dëgjuar broçkullat e mediave qeveritare që interpretojnë siç u do prapanica fjalët e aleatëve tanë, dua t’u them se; nuk kanë asnjë shans, zero shans, që ne të pranojmë një qeveri teknike kukull sepse në këtë betejë nuk jemi për veten tonë, sepse në këtë betejë nuk jemi për karriket tona, në këtë betejë nuk jemi për fatin e partisë sonë, por për fatin e të gjithë shqiptarëve të ndershëm dhe ne as nuk kërkojmë as nuk do të pranojmë një qeveri teknike fasadëQeveria teknike është mjeti, ndërsa kushti, beteja, nga e cila nuk kthehemi pa fitore, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme do të thotë në radhë të parë zbatim deri në një i ligjit për dekriminalizimin. Deri në një, do të thotë nxjerrjen nga funksionet publike të deputetëve, të kryetarëve të bashkive dhe çdo funksionari publik me rekorde kriminale.
Nga Malta kthehem me garancitë e një miku të hershëm, drejtorit të Përgjithshëm të EUROPOL-it, me bazë në Hagë, Rob Wainwright, me të cilin kam bashkëpunuar ngushtë si Ministër i Brendshëm për të hequr vizat për qytetarët shqiptarë dhe të cilit i kam kërkuar një protokoll special bashkëpunimi, që do të vërtetojë, jo për një muaj, as për një javë, por brenda ditës shenjat e gishtave të kriminelëve politikanë dhe politikanëve kriminelë.
Prandaj ju them, ju gënjen mendja, kjo nuk është shfaqje, kjo nuk është teatër, kjo është luftë dhëmb për dhëmb me krimin në politikë dhe politikën e inkriminuar. Kjo është luftë për jetë a vdekje, për Shqipërinë demokratike, europiane dhe euroatlantike, ose Shqipërinë e bërë zap nga krimi. Dhe në këtë betejë kemi vënë zemrën tonë, pasionin tonë por dhe vendosmërinë tonë.
Çdo kriminel do të largohet nga funksionet publike, para se në këtë vend të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. 

 

Prandaj me Rrosh, e me Bush, e me gjithë sa jeni nuk keni parë asgjë akoma!
Shefave tuaj po ju jap edhe lajmin tjetër, e kanë marrë me shkrim mbrëmë; ose s’kanë fjetur, ose kanë shtuar dozën. S’ua kemi ne fajin, fajin e keni vetë: Çështja e dytë që kam diskutuar me Rob Wainright ka të bëjë me atë që ne, nuk do të paguajmë ne miliona euro kompani private të shtrenjta për të gjurmuar se ku i keni futur ju paratë që u keni vjedhur shqiptarëve dhe paratë e drogës. Sepse në bashkëpunim me EUROPOL-in do t’i gjurmojmë deri në ishujt më të largët dhe do  t’ua konfiskojmë paratë që u keni marrë qytetarëve shqiptarë.

 

Nuk ka vrimë miu ku t’i fshihni paratë e vjedhura dhe paratë e drogës, rrjeta europiane dhe amerikane po tendoset oqean më oqean. Peshq të mëdhenj dhe peshq të vegjël, bëhuni gati, paratë që ua keni vjedhur shqiptarëve do t’i dorëzoni deri në një!
Ne luftojmë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe ky është një parim i madh. Ata luftojnë për të ruajtur pushtetin dhe pasuritë që kanë vënë përmes korrupsionit dhe drogës, dhe këto janë interesa të mëdha.
Sepse edhe ne me zgjedhje të lira dhe të ndershme duam që këto para që vidhen ditë për ditë e nuk shkojnë për shëndetin, arsimin, pensionet, punësimin dhe rrogat e shqiptarëve, t’i vendosim pikërisht në funksion të një ekonomie që rritet dhe garanton punësim, t’i vendosim pikërisht për të rritur pensionet e shqiptarëve në mënyrë që në fund të katër viteve të para të Republikës së Re të mos ketë pension nën 250 mijë lekë për shqiptarët dhe shqiptaret.
Pikërisht që shëndeti publik të ketë financimin e mjaftueshëm, dhe jo financimin e mjaftueshëm për Nushet me shokë, por për spitalet dhe kujdesin shëndetësor ndaj pacientëve shqiptarë. Pikërisht që paratë të mos shkojnë tek Çilat me shokë, por të shkojnë tek studentët shqiptarë, të cilët të mund të studiojnë pavarësisht prej mundësive të tyre ekonomike dhe të jenë pjesë e një shoqërie të zhvilluar dhe europiane.
Por asgjë nuk ka për të ndryshuar. Asgjë nuk do të ndryshojë sa kohë që krimi është në pushtet.

 

Nuk do të ndryshojë sa kohë që krimi është në pushtet dhe pushteti i inkriminuar rrezikon zgjedhjet e lira dhe të ndershme.  Nuk ka për të pasur ekonomi të zhvilluar, as punësim për shqiptarët, as liri për sipërmarrjen, as mundësi për studentët, as shëndetësi më të mirë, as pensione më të larta sa kohë që vendi është nën zgjedhën e krimit.

 

 

Prandaj e bëjmë këtë betejë dhe prandaj do ta bëjmë,  derisa kjo betejë të kurorëzohet me fitoren e qytetarëve shqiptarë dhe të Shqipërisë evropiane, demokratike. Hapim një derë të re me këtë lëvizje madhështore, popullore. Ndaj dhe është një lëvizje historike jo për epos, as për histori për hir të historisë, por sepse këtu nga ky shesh do të çlirohet ekonomia, punësimi, shëndetësia, arsimi, pensionet, mirëqënia sociale për të gjithë shqiptarët. Duke çliruar Shqipërinë nga zgjedha e krimit me zgjedhje të lira e të ndershme.

 

****

Tani për mashtruesin që nuk di të lexojë Kushtetutën, po na lexoka rezolutën e partisë sonë, se punë tjetër nuk ke dhe lexon rezolutën e partisë sonë, po të them se të është vënë kryqi në Francë në gjoks, po në Maltë ta kanë vënë kryqin në kokë, të gjitha vendet anëtare të BE-së. Ta kanë vënë kryqin sepse tashmë e gjithë bota dhe Europa e dinë që ti e ke shndërruar Shqipërinë në një parajsë të krimit të organizuar, ku lulëzon kanabisi, ku kalon heroina, ku përpunohet kokaina dhe ku pastrohen paratë e zeza të krimit të organizuar shqiptar dhe rajonal.Të gjithë e dinë, të gjithë e dinë që je tashmë, barrë, je kosto, je kërcënim jo thjesht për popullin shqiptar, por për mbarë rajonin, stabilitetin rajonal, demokracinë dhe vetë aspiratat europianë të popujve të Ballkanit.

 

Ndaj, orët i ke të numëruara. Kjo lëvizje popullore ia ka dalë me sukses të tregojë më në fund të vërtetën që je përpjekur ta fshehësh me paratë e drogës dhe korrupsionit që kanë blerë stacionet televizive, gazeta, firma lobimi.
Po, po, sepse këta di ti paguash mirë për të gënjyer, për të fshehur të vërtetat, i  paguan me para, i paguan me çeqe, i paguan me vila. Por koha e gënjeshtrës ka mbaruar. E vërteta si ky diell pranveror e ka përveluar, e vërteta po fiton dhe e drejta do të fitojë me zgjedhje të lira e të ndershme për shqiptarët dhe Shqipërinë evropiane.

 

Prandaj bëhu gati,  sepse me të vërtetë s’ke parë gjë akoma.
Si the, negociata me dy kushte jo qeveri teknike dhe zgjedhjet të mbahen më 18 Qershor?!

 

PO, qeveri teknike dhe: zgjedhje vetëm të lira e të ndershme, vetëm me çmontimin e krimit,  vetëm kur vota e çdo shqiptari të garantohet.

Këto janë kushtet e sovranit, vëri gishtin kokës, ose përndryshe do të pendohesh shumë shpejt.

Read More
31 Mar
0

Kanë shkatërruar arsimin e lartë, universitetet do kthehen në shërbim të studentëve, dijes dhe interesit publik

Lulzim Basha bashkëbisedim me pedagogë dhe qytetarë në Sheshin e Lirisë, për sistemin e arsimit të lartë. Skema e ramës anti-dije, në funksion të klientëve dhe pasurimit të tyre.

Paraditen e 42-të, në Sheshin e Lirisë, kreu demokrat Lulzim Basha, pedagogë dhe qytetarë, bashkëbiseduan lidhur me sistemin arsimor universitar në vend. 70 pedagogë të degëve të ndryshme të Universitetit Publik u bashkuan për të çjerrë masken e premtimeve të pambajtura të Kryeministrit Rama.

Enriketa Papa, pedagoge në Fakultetin e Historisë, tha se ligji i arsimit të lartë është cungim i lirive, pavarësisë dhe fjalës së lirë të universiteteve. Papa tha se sidomos pedagogët dhe intelektualët nuk duhet t’i binden autoritarizmit. Orinda Malltezi beson se ligji i arsimit të lartë duhet zhbërë i gjithi pasi është ndërtuar duke mbrojtur jo interesat e studentëve dhe pedagogëve, por ato të klientëve të kryeministrit dhe minsitres se Arsimit Nikolla.

Çlirim Gjata argumentoi nga pikpamja e juristit se problem madhor është edhe mungesa e mbështjetjes ligjore. Kjo, sipas tij, shkakton frikë tek njerëzit të cilët nuk ndihen të lirë të shprehin mendimin e tyre sa kohe mund t’i rrezikojë vendin e punës. Duhet një status ligjor ku intelektualët të jenë të lirë, të mos shkarkohen njerëzit nga puna vetëm sepse kanë kundërshtuar dicka – tha Gjata.

Në anën tjetër, pedagogët denoncuan farsën e rritjes së rrogave të premtuara nga Edi Rama. Zamira Sina deklaroi se kryeministri, jo vetëm nuk i rriti me 20% deri në 25% rrogat e pedagogëve, ashtu si edhe u kishte premtuar, por tani u ka ngritur ngarkesën. Duke përdorur një formulë të re në mënyrën se si paguhen pedagogët për orët e punës, Kryeministri i ka ulur pedagogëve normën e orëve të mësimit dhe koefiçentin që përllogariste shpërblimin për to. Sot – tha Sina – ne duhet të punojmë më shumë, që të marrim më pak.

Problem tjetër i shtruar nga pedagogët është edhe mungesa e financimit për kërkimin shkencor në Universitete. Ky shqetësim është ngritur edhe më parë nga studentë të Universiteteve Publike, po nga Sheshi i Lirisë, ku sot ngritën zërin pedagogët. Enriketa Papa tha se universitetet nuk kanë as kushtet minimale për kërkime shkencore. Zamira Sina theksoi se kërkimi shkencor në Shqipëri nuk paguhet duke treguar se mendja e shkencëtarëve për këtë qeveri ka vlerën zero. Mirela Tabaku tha se pedagogët shqiptarë, të cilët shkruajnë artikuj për revista prestigjoze që i kontaktojnë edhe nga jashtë, nuk kanë asnjë kusht apo shpërblim për ta bërë këtë në vendin e tyre.

Lulzim Basha i sapo kthyer nga Malta ku mori pjesë në kongresin e Partisë Popullore Europiane, i përcolli qytetarëve përshëndjetjet nga përtej kufijve.

“Ju sjell përshëndetjet dhe solidaritetin e Partisë Popullore Europiane dhe partive tona simotra, nga Kongresi i Mbajtur në Maltë. Ju sjell mbështetjen e liderëve e partive tona simotra në qeveri apo në opozitë, anembanë Bashkimit Europian dhe drejtuesve më të lartë të institucioneve të Bashkimit Europian”.

Për situatën ku Rama e ka sjellë Shqipërinë sot, Basha tha se zgjidhja është një dhe e vetme: zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Ne luftojmë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe ky është një parim i madh. Ata luftojnë për të ruajtur pushtetin dhe pasuritë që kanë vënë përmes korrupsionit dhe drogës, dhe këto janë interesa të mëdha. Sepse edhe ne me zgjedhje të lira dhe të ndershme duam që  paratë që vidhen ditë për ditë e nuk shkojnë për shëndetin, arsimin, pensionet, punësimin dhe rrogat e shqiptarëve, t’i vendosim pikërisht në funksion të një ekonomie që rritet dhe garanton punësim. T’i vendosim pikërisht për të rritur pensionet e shqiptarëve në mënyrë që në fund të katër viteve të para të Republikës së Re të mos ketë pension nën 250 mijë lekë për shqiptarët dhe shqiptaret”.

Paratë e taksapaguesve shqiptarë duhet t’i kthehen sërish atyre për të rritur mirëqënien dhe mundësitë e të rinjve për studim e për të rritur cilësinë e universiteteve publike. Lulzim Basha tha se kjo do të arrihet vetëm përmes shkëputjes së lidhjes së fortë të krimit me pushtetin. “Pikërisht që paratë të mos shkojnë tek Çilat me shokë, por të shkojnë tek studentët shqiptarë, të cilët të mund të studiojnë pavarësisht prej mundësive të tyre ekonomike dhe të jenë pjesë e një shoqërie të zhvilluar dhe europiane”.

Read More
31 Mar
0

Basha me drejtuesit e institucioneve të BE: Beteja për zgjedhje të lira e të ndershme, është një betejë europiane

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në vijim të punimeve të kongresit të PPE në Maltë, u takua me drejtues të lartë të institucioneve europiane dhe udhëheqës politik të së djathtës.

Në takimin me Komisionerin e Zgjerimit, Hahn, z.Basha u ndal në zhvillimet politike në vend, ku theksoi se e vetmja rrugëdalje nga kriza, është krijimi i një qeverie teknike që do të krijonte kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, duke zbatuar dekriminalizimin, duke luftuar krimin, drogën, paratë e pista që janë kërcënim i hapur ndaj votës së lirë, kjo e provuar në të gjitha zgjedhjet e zhvilluara në këto 4 vite me qeverinë Rama.

Po ashtu, Basha tha se kjo qeveri teknike do të kishte mbështetjen e plotë politike për të vijuar me zbatimin e reformës në drejtësi sipas ndryshimeve kushtetuese konsensuale të 22 korrikut.

Gjatë bisedës me kreun e Parlamentit Europian Antonio Tajani, basha nënvizoi rëndësinë që ka për të ardhmen dhe stabilitetin e vendit garantimi i  standardeve për zgjedhjet. Basha ndau shqetesimin se në kushtet aktuale të krimit, drogës dhe parave të narkotrafikut me lidhje qeveritare, nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme.

Në takimin me nënkryetarin e grupit parlamentar CDU-CSU, Friedrih, u bisedua për gjendjen e rëndë të kriminalitetit në vend dhe daljen jashtë kontrollit të drogës e trafikut të saj, sipas dhe raporteve të fundit të Europol dhe Departamentit amerikan të Shtetit.

Në këto rrethana, kur qeveria është bërë palë me krimin, zgjedhjet janë të rrezikuara, tha Basha.

Në të gjitha takimet, Kryetari i Opozitës ka theksuar se beteja në Tiranë bëhet për standardet dhe vlerat e Europes dhe Bashkimit Europian, ne themel të së cilave janë zgjedhjet e lira e të ndershme. Shqiptarët meritojnë të njëjtin standard si qytetarët europianë, ka vënë në dukje Basha, duke gjetur përkrahjen e drejtuesve më të rëndësishëm të politikës dhe institucioneve europiane.


Njoftim per shtyp, 31 Mars 2017

Read More
30 Mar
0

Basha takon kreun e Europol: Bashkëpunim për dekriminalizimin dhe pasuritë e fshehura të pushtetarëve

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha takoi sot drejtorin e Europol Rob Wainright, të cilin e falenderoi për bashkëpunimin e shkëlqyer që çoi në liberalizimin e vizave me Europën në fund të vitit 2010, ç’ka mundësoi lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen. Basha dhe Wainright ndanë shqetësimin e thellë për prodhimin dhe trafikimin tronditës të marijuanës në Shqipëri, kthimin e vendit në portë për tranzitimin e heroinës si dhe një vend kryesor për pastrimin e parave. Fenomene që janë theksuar në raportin e fundit të Europol. Z.Basha e njohu drejtuesin e lartë të Europol me planin e PD për të luftuar krimin e organizuar dhe trafiqet e paligjshme për të ndaluar prodhimin e trafikimin e drogës. Kreu i opozitës diskutoi me shefin e Europol mundësinë e vendosjes së protokollit për bashkëpunim të shpejtë në lidhje me verifikimin e shenjave të gishtërinjve me qëllim zbatimin efikas të ligjit të dekriminalizimit, si dhe në luftën ndaj krimit të organizuar e trafikantëve të drogës. Wainright ofroi mbështetjen e tij për këtë projekt si dhe për hetimin dhe gjurmimin e aseteve të krimit të organizuar dhe pasurive të fshehura të zyrtarëve të lartë, të përfituara nga trafiqet dhe korrupsioni. Wainright ishte i pranishëm në punimet e samitit të PPE sot, ku Europol mori çmim për merita në luftën ndaj krimit.


Njoftim per shtyp 30 Mars 2017

Read More
30 Mar
0

Mbështetje e plotë europiane për betejën për zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri

Lulzim Basha merr përkrahjen e udhëheqësve europianë për votën e lirë e të ndershme. Sot Samiti i krerëve të shteteve në PPE në Maltë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, po merr pjesë në Kongresin e Partisë Popullore Europiane (PPE) në Maltë ku mbajti edhe një fjalë në seancën plenare. Gjatë qendrimit në Maltë, kryetari i opozites ka zhvilluar takime me udheheqës të partive simotra dhe drejtues të institucioneve Europiane.

Gjatë këtyre takimeve, z.Basha ka parashtruar kërcënimin real të zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqiperi prej krimit, drogës dhe parave të pista, si dhe ka kërkuar mbështetjen europiane për këtë betejë që po zhvillon opozita. Kjo ishte tema e bisedës me Presidentin e PPE, Josef Daul, dhe me Sekretarin e Pergjithshëm Antonio Lopez Isturiz.

Me Ministrin e Jashtëm austriak, Sebastian Kurz, Basha vuri ne dukje rendesine themelore qe kane zgjedhjet e lira per te ardhmen europiane te Shqiperise. Basha tha se kjo beteje per vlerat europiane do te zhvillohet deri ne fitore.

Z.Basha u takua me Komisionerin europian për Sigurinë, Dimitri Avramopulos me të cilin ndanë shqetësimin e thellë për krimin e organizuar, drogën dhe trafiqet. Basha e njohu me planin e Partisë Demokratike për lufte pa kompromis dhe shtypje të krimit dhe trafiqeve, dhe mori garancitë për mbështetjen e plotë dhe institucionale nga Komisioneri për Sigurinë, në luftën ndaj krimit në vend.

Në bashkëbisedimin me Pier-Ferdinando Cazini, kreu i senatit italian e ka siguruar z.Basha se do të ketë përkrahjen e tij për kauzën e votës së lirë. Z.Basha argumentoi se e vetmja rrugëdalje është krijimi i një qeverie teknike që lufton drogën, paratë e pista, këput lidhjet me krimin dhe zbaton dekriminalizimin. Z.Cazini e ka vlerësuar si të drejtë propozimin e opozitës shqiptare për daljen nga kriza.

I shqetesuar për situatën e krimit të organizuar dhe drogës është dhe kreu i opozitës greke Kyrjakos Micotaqis. Në takimin me z.Basha kryeopozitari grek u shpreh se e çmon dhe mbështet betejën që z.Basha dhe opozita shqiptare po bëjnë për të siguruar zgjedhje të lira e të ndershme.

Senatori italian Mario Mauro dhe kryetari i grupit Forza Italia në Senatin Italian, Paolo Romani e njohin situatën në Shqipëri. Ata i thanë z.Basha se qendrojnë në krah të tij dhe se përpjekjet e medha që po bëhen për votën e lirë, janë të drejta.

Në takimin me Presidentin e Këshillit të Europës, Pedro Agramunt, Basha ka theksuar se Shqipëria s’duhet lenë të bjerë në greminen e krimit të organizuar që ka kapur shtetin dhe të karteleve të drogës me lidhje qeveritare që kanë planifikuar mbajtjen e pushtetit duke asgjesuar votën.

Basha mori garancinë e Agramunt për mbështetje që Shqipëria te mos beje kthim pas ne standardet e demokracise e votes se lire.

Kryetari Basha u takua edhe me kryeministrin kroat Andre Plenkovic, me fituesin e zgjedhjeve në Bullgari, Borisov me Doris Pack, që e njeh mjaft mirë gjendjen e krimit, të drogës dhe kërcënimin e votës në Shqiperi, me kreun e kristiandemokratëve holandezë Sybrand Buma, me kreun e Komisionit të Jashtem ne PE, David Mcallister me kreret e partive simotra të Suedisë dhe Sllovenisë, Ministrin federal të Bujqësisë në qeverinë gjermane, Christian Schmidt. Në këto takime është theksuar nevoja që ka Shqipëria për të ndalur planin e qeverisë për vjedhjen e cënimin e votës, e për të mbajtur zgjedhje të lira e të ndershme.

Kryetari i opozitës Basha do të marrë pjesë sot në Samitin e Partisë Popullore Europiane, forumi më i lartë politik i formacionit të djathtë në Europë, ku pritet të takohet dhe bashkëbisedojë me krerët e partive simotra dhe krerët e qeverive dhe institucioneve europiane. PPE është grupimi më i madh politik në Parlamentin Europian dhe aktualisht përfaqësuesit e saj janë në krye të tre institucioneve kryesore të BE, në Parlamentin Europian, Këshillin Europian dhe Komisionin Europian.

Read More