Blog

29 Mar
0

Basha në kongresin e PPE: Beteja për vlerat europiane, për zgjedhje të lira e të ndershme, do fitohet me çdo kusht

I nderuar president Daul

Të nderuar anëtarë të këtij samiti

Të nderuar të ftuar

Më lejoni të filloj duke falenderuar mikëpritësit tanë Partinë Nazzjonalista dhe t’u uroj atyre fitore në sfidën që po vjen me zgjedhjet e ardhshme këtu në Maltë.

Projekti europian ndodhet nën presion kudo në Europë dhe është nën presion në Ballkanin perendimor dhe në Shqipëri gjithashtu. Faktorët kryesorë të këtij presioni në vendin tim janë krimi i organizuar dhe trafiku i drogës që po kërcënojnë themelet e bashkëjetesës demokratike dhe shtetin ligjor.

Sipas Europolit, raportit të Departamentit të Shtetit në javën e kaluar, dhe po ashtu raportet e autoriteteve italiane, sot Shqipëria është vendi i parë i prodhimit dhe  furnizimit të marijuanës në Europë. Vitin e kaluar, autoritetet italiane raportuan se kultivimi i drogës është rritur me 5 herë krahasuar me 2015. Vetëm në 17% të territorit që është monitoruar nga ajri nga autoritetet italiane në 2016, u identifikuan 2086 plantacione. Mijëra njerëz punojnë në këto plantacione që ruhen nga qindra roje të armatosur të punësuar nga krimi i organizuar. Tashmë kjo  industri, e cila mbrohet dhe ka lidhje direkte me qeverinë, sipas raporteve ndërkombëtare po prodhon qindra milion euro.

Për më shumë, sipas Europolit dhe raportit të Departamentit të Shtetit mbi narkotikët dhe pastrimin e parave, Shqipëria është kthyer në portën kyçe të shpërndarjes së heroinës kudo në Europë si dhe bazë për operacionet e krimit të organizuar në rajon e në veçanti për pastrimin e parave.

Kjo situatë dramatike është pasojë direkte e veprimeve nga qeveria aktuale socialiste që ka promovuar trafikantë droge dhe njerëz të dënuar në Europën perendimore për akuza të rënda për krim të organizuar, të cilët janë bërë deputetë, kryebashkiakë dhe zyrtarë të lartë publikë.

Ligji për dekriminalizimin i imponuar me vullnetin e Partisë Demokratike dhe  Partisë Popullore Europiane, nuk është zbatuar. 

Ky është projekti politik i maxhorancës socialiste, për të manipuluar  dhe  vjedhur  zgjedhjet e ardhshme.

Ja përse, gjatë vitit të fundit ata kanë refuzuar çdo propozim për reformë elektorale konform rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Perspektiva e frikshme, që përmes kësaj zhbërje të demokracisë, Shqipëria të kthehet në parajsën e drejtuar nga droga dhe krimi, po ndodh në zemër të Europës. Ky model, i cili ka për qëllim përzgjedhjen e Parlamentit dhe qeverisë jo nga populli, por nga krimi dhe paratë e drogës, mund të ketë pasoja të rënda në rajon.

Nëse kjo betejë nuk luftohet dhe fitohet në Shqipëri, vend anëtar i NATO dhe shtet kandidat për BE, me një shoqëri thellësisht pro-europiane, ku tjetër mund të fitohet?

Ne gjendemi përpara dy zgjedhjeve. Të injorojmë dhe mbulojmë këtë realitet të frikshëm ose të ngrihemi dhe të luftojmë për thelbin e vlerave të demokracisë dhe shtetit ligjor. 

Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë.

Në 18 Shkurt shqiptarët e bënë zgjedhjen e tyre dhe i’u bashkuan protestës më të madhe të Shqipërisë post komuniste. Sot është dita e 40-të që protesta vazhdon 24 orë në ditë. Lufta jonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme kërkon këputjen e lidhjes mes qeverisë dhe krimit të  organizuar.

Ja përse vetëm një qeveri teknike mund të përmbushë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke zbatuar ligjin e dekriminalizimit dhe duke luftuar kultivimin e narkotikëve dhe trafikimin.

Europa nuk është thjesht një Kontinent. Eshtë një projekt, një ide dhe në zemër të këtij projekti është demokracia, shteti ligjor dhe dinjiteti individual. 

Ja përse lufta jonë për një Shqipëri europiane është njëkohësisht lufta për vetë projektin europian në Shqipëri dhe Ballkan.

Ne po luftojmë për këto vlera themelore, vlerat tona të përbashkëta europiane dhe është koha të ngrihemi bashkë për to. 

Dhe ju siguroj, se me ndihmën tuaj, dhe bindjen e fortë për vlerat e përbashkëta europiane që përbëjnë dhe identitetin e vetë Europës, ne do të mund të udhëheqim Shqipërinë larg kësaj gremine, duke shtypur krimin e organizuar dhe duke rikthyer edhe njëherë vlerat e demokracisë, shtetin ligjor, luftën kundër korrupsionit, ekonominë e tregut të lirë, konkurencën, që përbëjnë edhe identitetin europian dhe identitetin e Shqipërisë së ardhme europiane.

Faleminderit!​


Njoftim per shtyp 29 Mars 2017

Read More
29 Mar
0

Situata e biznesit të vogël në Shqipëri në krizë për shkak të taksimit të lartë dhe tatimeve abuzive

Sipërmarrës dhe biznesmenë folën sot në Sheshin e Lirisë për problemet madhore të biznesit të vogël

Sipërmarrës të vegjël nga Sheshi i Lirisë dikutuan për situatën e vështirë në të cilën ndodhen. Rritja e çmimit të taksave, energjisë elektrike, naftës dhe mungesa e ekzistencës së shtetit ligjor ishin mes problemeve të shtruara.

Shqipëria sot është në gjendje kritike sa i përket taksave dhe tatimeve të rënda dhe burokracisë shtetërore. Këtë e konfirmon raporti i Bankës Botërore 2016.

Sipërmarrësi Denis Ndregjonaj tregoi historinë e tij. I sapokthyer nga emigrimi ai hapi një biznes të vogël. Edhe pse me fitim minimal, biznesin ia taksuan si biznes të madh pasi ofronte për klientët edhe shërbimin e transfertave të parave. Kjo e detyroi Ndregjonajn ta mbyllte biznesin e tij.

Sistemi i komplikuar i taksimit dhe burokracia e administratës shtetërore i shkaktojnë mijëra bizneseve humbje të mëdha nga xhiroja e tyre. Lokalet dhe restorantet sot paguajnë 10 herë më shumë për të marrë në përdorim një hapësirë publike. Sipërmarrësit deklaruan se jo vetëm nuk mbështeten nga shteti, por madje gjobiten.

Një fenomen tjetër ka goditur biznesin e vogël në Shqipëri. Rënia e fuqisë blerëse tek qyetarët shqiptarë, të cilët konsumojnë më pak, duke ulur xhiron e dyqaneve të vegjël. Kryeministri Rama rriti me 23% çmimin e energjisë elektrike dhe atë të ujit duke zvogëluar xhepat e shqiptarëve. Pronarët e dyqaneve thanë nga Sheshi i Lirisë, se në xhiron e tyre ditore, më shumë japin borxh me lista, sesa me para. Rritja e taksave, rritja e çmimit të naftës, rritja e çmimit të produkteve nëpër tregje, po i  çon sot drejt falimentimit qindra mijëra biznese të vogla të shqiptarëve. 30 mijë biznese janë mbyllur në këto katër vjet.

Një sipërmarrës i kthyer nga emigrimi tregoi se si i shkatërruan biznesin.

Shkak u bë një projekti i kryeministrit Rama për të zgjeruar një rrugë. Problemi ishte se Kryeministri refuzoi t’i tregonte zotërisë projektin për të cilin po i shkatërronte biznesin duke treguar edhe njëherë arrogancën dhe dhunën shtetërore që qytetarët, sipërmarrësit heqin në kurriz sot. Nikollaq Neranxi tha se reforma administrative e Kryeministrit Rama, bëri bashkimin e komunave dhe qyteteve vetëm e vetëm për të grabitur pronat e ligjshme dhe të trashëguara të qytetarëve.

Sipërmarrësit dhe biznesmenët thanë se kryeministri jo vetëm nuk i mbajti premtimet e bëra ndaj bizneseve, por i rëndoi taksat dhe goditi biznesin e vogël. Taksa e sheshtë 9% e propozuar nga kryetari Lulzim Basha dhe kota fikse prej 1.5% e xhiros e cila do të zëvendësojë tatimin mbi të ardhurat dhe TVSH për bisnesin e vogël, synon t’i kthejë paratë e taksave në shërbim të taksapaguesit.

 

Read More
29 Mar
0

Kryeministri hungarez, mbështetje të plotë për aksionin e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme

Basha takohet me Orban në Kongresin e PPE, në Maltë. Kryetari i opozitës pritet të mbajë fjalën në seancën plenare dhe të ketë takime me liderë europiane

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, takoi sot Kryetarin e Fidesz, njëkohësisht Kryeministër i Hungarise, Viktor Orban, në Maltë, ku dy liderët marrin pjesë në Kongresin e Partive Popullore Europiane.

Z.Basha dhe z.Orban diskutuan për zhvillimet politike në Shqipëri dhe për kërcënimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nga krimi i organizuar dhe paratë e drogës me lidhje qeveritare.

Kauza e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, është e lidhur pazgjidhshmërisht me integrimin europian të Shqipërisë, theksoi kryeopozitari Basha teksa e informoi z.Orban mbi rrugëzgjidhjen përmes qeverisë teknike që do të zbatojë dekriminalizimin, luftojë drogën dhe paratë e pista dhe të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Z.Orban deklaroi se Partia simotër FIDESZ i jep mbështetje të plotë aksionit të opozitës që synon garantimin e votës së lirë e të ndershme në vend.

Kryetari i Partisë Demokratike po merr pjesë në punimet e Kongresit të Partive Popullore Europiane në Maltë, ku pritet të mbajë edhe fjalën në seancën plenare dhe të ketë takime të veçanta me liderë europianë.

PPE është grupimi politik më i madh në Parlamentin Europian dhe kryeson Parlamentin Europian, Këshillin Europian dhe Komisionin Europian.

Read More
28 Mar
0

Të rinjtë sot nuk ndjehen të lirë sepse nuk zgjedhin shkollim, punësim apo edhe vetë përfaqësuesit e tyre në Parlament

Të rinj dhe të reja, gjimnaziste dhe studentë folën për problemin e arsimimit dhe papunësisë në Shqipëri

Dhjetëra të rinj dhe të reja, gjimnazistë dhe studentë dhe të sapodiplomuar folën për mungesën e mundësive dhe punësimit.

Mungesa e meritokracisë për studentët fillon nga bangat e shkollës e deri tek tregu i punës. Të rinjtë theksuan se nuk ndihen të lirë, pasi përzgjedhja e shkollës që ndjekin, punës që bëjnë apo edhe vetë përfaqësuesve të tyre nuk është e tillë.

Reforma në arsimin e lartë zvogëloi mundësinë e studentëve për të vazhduar shkollimin në degën e përzgjedhur prej tyre. Qindra nxënës për shkak të pamundësisë financiare, të tjerë prej frikës nuk arritën të fitonin degët e preferuara në Universitetet Publike. Ata të cilët arritën të fitonin studimet e larta në shtet, u përballën me tarifat e trefishuara të edukimit. Të vetmit përfitues nga formula arsimore “Rama – Nikolla” ishin Universitetet private të cilët faturuan shtrenjtë ëndrrat e studentëve shqiptarë.

Shifrat e papunësisë tek të rinjtë, i shtyjnë ata sot drejt emigrimit në rastin më të mirë, e në rastin më të keq, drejt përfshirjes në vepra kriminale si narkotrafiku. Disa aplikojnë për llotarinë amerikane në mënyrë që të largohen drejt perëndimit. Të tjerë vazhdojnë kërkojnë po ato standarte për vendin e tyre. Sot të rinjtë duan ngritjen e klubeve studentore, apo të bëhen kerkime shkencore nga universitetet e Shqipërisë. Kërkojnë mundësinë të hapin biznesin e tyre apo të punësohen në profesionin për të cilin kanë studiuar.

Zgjedhje të manipuluara nga paratë e drogës, krimit të organizuar dhe prostitucionit, nuk mund të ketë – argumentuan studentet –  dhe pushteti duhet të jetë në duart e rinisë, e jo të Kryeministrit dhe klientëve të tij.

Premtimet e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha për shfuqizimin e ligjit të arsimit të lartë dhe 10 mijë stazheve për çdo vit, të paguara nga buxheti i shtetit për studentët më të mirë, të rinjtë i shohin si një luftë ndaj sistemit arsimor klientelist. Ata bën thirrje që çdo gjimnazist, student apo i ri i cili nuk është më i lirë të zgjedhë për veten e tij, ti bashkohet qëndresës popullore për një Republikë të Re ku pushteti kthehet në duart e njerëzve dhe paratë e taksapaguesve në investim për rininë. Kjo mund të arrihet vetëm përmes  zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të një qeverie teknike.

Read More
27 Mar
0

Intervista e Lulzim Bashës dhënë sonte për emisionin Opinion

Pyetje: Z.Basha a mund të jeni më i qartë në konfirmimin që keni marrë për vazhdimin e protestës tuaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vizitën që patët. Ka pasur deklarata dhe kundër deklarata për atë çfarë keni besuar në departamentin e shtetit?

Basha: Asnjë kundërdeklaratë. Unë jam shprehur fare qartë dhe nga Uashingtoni jam kthyer me 3 mesazhe. Mesazhi i parë është një mesazh përgëzimi për qytetarët shqiptarë, për këtë lëvizje qytetare kombëtare paqësore e demokratike, për një kauzë të madhe siç është kauza e lirisë, kauza e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Mesazhi i dytë është falenderimi që shqiptarët, të bashkuar, të emancipuar, nga rreziku i krimit dhe një qeverisje të bërë njësh me krimin, po bëjnë detyrën e tyre në një front të gjërë ku po luftohet për lirinë, ku liria është e kërcënuar nga krimi i organizuar, nga tirania, nga terrorizmi, nga keqqeverisja. Këtu, në këtë pjesë të frontit, liria kërcënohet nga keqqeverisja, nga krimi i organizuar, nga droga dhe këto dy komponentë lidhen fare lehtësisht edhe me rrezikun terrorist që i kanoset sot botës së civilizuar, Europës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës në tërësi. Prandaj është një falenderim, që shqiptarët me qendresën e tyre, me vendosmërinë e tyre për të luftuar për liri, bëhen pjesë e këtij fronti të lirisë. Dhe mesazhi i tretë, është mbështetja totale nga Partia Republikane e në veçanti nga stafi fitues i fushatës presidenciale të Donald Trump, për fushatën e ardhshme të Partisë Demokratike. Pra do të kemi ekspertët e fushatës fituese të Presidentit Trump në krah të Partisë Demokratike në fushatën zgjedhore, fushatë që do të vijë menjëherë pasi të sigurojmë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, përmes, dhe vetëm një qeverie teknike. Besoj se kam qenë fare i qartë.

Pyetje: Megjithatë, në lajmet e Top Channel është trasmetuar një zëdhënës i ambasadës …

Basha: Nuk merrem dhe nuk komentoj mediat, aq më shumë mediat nën presion qeveritar, aq më pak zëdhënësa pa emra apo me emra. Qendrimi im është i qartë. Kam thënë dhe e kam përsëritur sot mesazhin që kam marrë nga Uashingtoni. Siç ma kanë dhënë, ua kam dhënë qytetarëve shqiptarë dhe protestuesve në çadër. Kush shton apo heq nga qendrimet e mia, nuk e bën për hesapin tim, e bën për hesap të vet, dhe unë nuk merrem me komentet e atyre që bëjnë hesapet e vetes së tyre. Qendrimi im ka qënë i qartë. Nuk ka asnjë interferencë apo spinim mediatik të çfarëdollojshëm, që të më heqë asnjë presje, asnjë pikë nga ato që kam thënë.

Pyetje: Po për letrën që ka mbërritur nga një zyrtar i partisë së znj.Merkel ku ndër të tjera thuhet se pas votimit që është bërë për reformën në drejtësi duhet që bashkëpunimi të vijojë edhe për çështjen e zgjedhjeve, që të mos ketë probleme për zgjedhjet e ardhshme?

Basha: Çfarë thuhet faktikisht aty, shpresoj që të lexohet edhe sonte në studion e Opinion. Shqetësim shumë shumë i madh për zgjedhjet, dhe ky është qendrim i një aleati me një kontribut dhe angazhim të jashtëzakonshëm për Shqipërinë europiane, Gjermanisë e në veçanti partisë tonë simotër CDU-së, grupit parlamentar CDU-CSU. Absolutisht që ky shqetësim, vjen si rezultat i njohjes së thellë të problematikës. Denoncimit të kësaj problematike pak metra që këtej nga z.Kirschbaum, mohimit dhe fshehjes së kësaj problematike nga kryeministri disa ditë para se të shkonte për vizitë tek Kancelarja, e cila po kështu përsëriti qartësisht problemin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Problemi pra është përtej cdo diskutimi. Në çdo deklaratë, qoftë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfaqësuesit e tyre në Tiranë, qoftë nga deklarata që ka ardhur sot nga nënkryetari i grupit parlamentar gjerman, problematika është ajo që themi ne, që konstatojmë ne. Ne na takon të japim rrugët e zgjedhjes dhe ne kemi parashtruar me qytetarët shqiptarë të vetmen rrugëzgjidhje që ka mbetur, që është rruga e qeverisë teknike. Shqetësimi për bojkotin parlamentar dhe mosregjistrimi në zgjedhje është shqetësimi i miqve që duan që kjo të kalojë me sa më pak kosto për Shqipërinë. Unë e mirëkuptoj këtë shqetësim por dua të përsëris, përmes dritares të “Opinion”, për qytetarët shqiptarë, siç ju kam thënë miqve që kam informuar në Uashington dhe që do të informoj edhe në qendrat e tjera të politikbërjes në Europë, që kjo nuk është dëshira jonë, nuk është zgjedhja jonë. Jemi të detyruar drejt kësaj mase ekstreme, për të detyruar qeverinë të mos shkatërrojë tullën e fundit të demokracisë dhe stabilitetit, të bashkëjetesës demokratike, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kemi dhënë një zgjidhje të ndershme për të gjitha palët, në momentin që kjo zgjidhje ekzekutohet, Partia Demokratike dhe aleatët do ti japin fund bojkotit në Parlament dhe do të marrim pjesë në procesin zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, me qeveri teknike që garanton ….

Pyetje: Që do të jenë në qershor?

Basha: Do të jenë atëherë kur do të jenë. Kjo nuk varet tërësisht nga unë dhe nuk mund ta them sonte. Varet se kur do t’i thërrasë mendjes Edi Rama, se kur do të hapë veshët të dëgjojë zërin qytetarët. Por rrugë pas nuk ka dhe nuk ka për të pasur.

Pyetje: Z.Basha pas takimeve, keni zhvilluar biseda dhe mbledhje me stafin tuaj të afërt, po kështu mbledhje me grupin tuaj parlamentar, a keni patur zëra kritikë për protestën dhe mënyrën se si po zhvillohet?

Basha: Asnjë zë kritik. Mbështetje totale nga grupi parlamentar, nga kryesia e partisë, nga kolegji i kryetarëve të degëve të PD dhe nga aleanca e PD, koalicioni opozitar, ku sot kemi dalë edhe me një deklaratë të përbashkët me shkrim, të cilën me siguri edhe ju e posedoni dhe do ta afishoni.

Pyetje: A është e vërtetë që pas kthimit nga SHBA, PD ka ndezur motorët e organizimit në rrethe për zgjedhjet e qershorit? Pasi deri tani dukej se të gjitha energjitë ishin të projektuara më së shumti tek çadra e lirisë?

Basha: Jo, ne kemi ndezur motorët e kontaktit me bazën, në veçanti me qytetarët, me forumet qyyetarë për zgjedhje të lira, forume që janë formuar prej dy javësh dhe funksionojnë pikërisht në kuadër të betejës për zgjedhje të lira. Ka një kohë për zgjedhjet, dhe kjo kohë po afron. Por tani është koha të përfundojmë me sukses betejën e nisur me 18 shkurt, e cila ka dhe do të ketë vetëm një përfundim, qeveri teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Asnjë alternativë tjetër nuk garanton votën e shqiptarëve dhe ne do të këmbëngulim për t’i dalë me sukses kësaj beteje.

Pyetje: A mendoni se në një farë mënyrë përqëndrimi i energjive këtu, ndoshta e ka humbur paksa vigjilencën e PD për të organizuar strukturat dhe për t’u përgatitur nëse zgjedhjet do të jenë në qershor?

Basha: Strukturat e Partisë Demokratike janë tërësisht të mobilizuara, të angazhuara, vigjilente. Eshtë pjesë e suksesit të kësaj proteste, gadishmëria dhe potenciali i PD, sigurisht dhe i aleatëve dhe qytetarëve, që i falenderoj me mirënjohje të thellë për këtë qëndresë të paprecedent. Po mbyllim ditën e 38 të një proteste non-stop, të paprecedentë në historinë e Shqipërisë apo të Ballkanit. Ndaj, kushdo që shqetësohet për gadishmërinë apo potencialin e PD, që e ka me të vërtetë këtë shqetësim, dua ta qetësoj sot dhe ti them PD është gati për betejë, gati për fitore. Sigurisht, në një garë të ndershme, në zgjedhje të lira dhe të ndershme me një qeveri teknike

Pyetje: Do të merrni pjesë në zgjedhjet për Bashkinë e Kavajës?

Basha: Sigurisht që në këto kushte nuk mund të bëhet fjalë për asnjë proces të rregullt zgjedhor, qoftë ky i pjesshëm, lokal apo zgjedhjet e përgjithshme, afërmendsh.

Pyetje: Domethënë, Kavajën do ta keni të humbur për sa kohë do të garojë kandidati, që do të jetë socialist?

Basha: Kavajën nuk do t’ia dorëzojmë krimit për këtë të garantoj.

Pyetje: Në ç’mënyrë do ta bëni këtë?

Basha: Këtë do t’a shikoni hap pas hapi.


Intervista per emisionin Opinion, 27 Mars 2017

Read More
27 Mar
0

Deklaratë e Koalicionit Opozitar

Partitë e koalicionit opozitar duke shqyrtuar krizën e thellë politike ku ndodhet Shqipëria, kërcënimin e zgjedhjeve nga krimi i veshur me pushtet, droga dhe paratë e pista dhe vendosja e të gjitha strukturave shtetërore në funksion të fushatës së partive qeverisëse, konfirmojnë njëzëri vendimin e shpallur me 18 shkurt: se zgjidhja e vetme që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme është krijimi i një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike, e cila do të zbatojë ligjin e dekriminalizimit, do të luftojë me efikasitet narkotrafikun, krimin e organizuar dhe paratë  e pista të drogës dhe do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Duke marrë në konsideratë raportet e fundit ndërkombëtare si ai i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe i EUROPOL, në të cilat Shqipëria kryeson listën euopiane për prodhimin e trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave, është e qartë se shqiptarët ndodhen në kushtet e asgjësimit të zgjedhjeve të lira nga krimi i organizuar dhe paratë e drogës me lidhje qeveritare.

Në këto kushte, partitë e koalicionit opozitar konfirmojnë unanimisht vendimin për mosparaqitjen e kërkesës për regjistrim si subjekte zgjedhore në KQZ deri në arritjen e një marrëveshje politike për krijimin e qeverisë teknike me mbështetje të gjerë.

Partitë aleate të koalicionit opozitar përshëndesin dhe falenderojnë me mirënjohje të thellë të gjithë qytetarët shqiptarë që i janë bashkuar kësaj lëvizje popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe bëjnë thirrje për një mobilizim të të gjitha energjive, dhe qëndresë të vendosur, deri në fitoren e kauzës për zgjedhje të lira e të ndershme.

Read More
27 Mar
0

Afera e CEZ, bashkëpunim i mafias shqiptare me atë ndërkombëtare në kurriz të popullit më të varfër të Europës

Qytetarët denoncojnë në Sheshin e Lirisë padrejtësitë që u bëhen cdo muaj me energjinë elektrike, me cmime të rritura, me mbifaturime e dhunim nga qeveria. Lulzim Basha premton se një drejtësi e pavarur do të bëjë drejtësi për vjedhjen e madhe me energjinë, që u është bërë shqiptarëve.

Ekspertë dhe qytetarë u bashkuan në çadrën e lirisë rreth forumit për energjinë elektrike, ku diskutuan dhe ndanë me të pranishmit eksperiencat e tyre personale të përballjes me padrejtësitë e kësaj qeverie në sektorin e energjitikës, për të cilin kabineti “Rama” krenohet se ka reformuar përgjatë këtyre viteve. E vërteta e treguar nga qytetarët është se reforma e Ramës faktikisht është vetëm një aksion i organizuar dhunshëm, arbitrar dhe abuziv duke lënë pas edhe viktima.

Afera me kompaninë CEZ ishte fillimi i kalvarit të problemeve në sektorin energjitik, i cili prej mbi tre vitesh i kushton xhepave të shqiptarëve edhe bukën e gojës. 650 milion euro iu zbrazën financave të shqiptarëve pas marrëveshjes me mirëkuptim të orkestruar nga Rama dhe mafia ndërkombëtare, e cila pasurohet me paratë e shqiptarëve.

Partia Demokratike ka ndjekur këtë problematikë edhe përmes rrugëve institucionale, sic është edhe komisioni hetimor parlamentar i ngritur për të hetuar marrëveshjen e cila po i kushton ende shqiptarëve sot.

Afera e CEZ u pasua me aksionin për mbledhjen e detyrimeve dhe mbifaturimin e qytetarëve sot. Taulant Kullolli tha se shteti sot mbifaturon qytetarët deri në 35% më shumë se sa vlera. Luljeta Tahiri, qytetare nga Durrësi, kryefamiljare në pension tha se paratë e pensionit nuk i mjaftojnë as për të paguar faturat mujore.

Me një faturë mujore prej 50 mijë lekesh për çdo muaj për energjinë elektike dhe rreth 20-30 mijë lekesh për faturën e ujit, Luljeta tha se nuk arrin të përballojë jetesën. Sadik Zeqiri nga Tirana denoncoi nga Sheshi i Lirisë aferën me sahatet që ndodh në banesën e tij. Zeqiri tha se në pallatin e tij janë 42 familje që faturohen nga 50 kilovat vetëm për ndriçimin e shkallës. Kjo është pseudo-reformë për të vjedhur popullin tënd – tha Zeqiri.

Kryetari i demokratëve Lulzim Basha, tha se kryeministri Rama me çmimin e rritur të energjisë elektrike dhe mbifaturimin e qytetarëve kërkon të mbyllë gropat e shkaktuara nga marrëveshja me CEZ e quajtur edhe si vjedhja e shekullit.

“Nuk u mjaftua me rritjen e cmimit dhe me mbifaturimet e energjisë elektrike por nisi një fushatë represioni duke arrestuar, intimuiduar duke prerë lidhjet e  energjisë elektrike, duke pamundësuar shërbime të tjera me të vetmin qëllim që të mbushte arkën e zbrazur nga afera me CEZ. E keni dëgjuar me fakte, fakte të avokatit ndërkombëtar të Shqipërisë, fakte të institucioneve ndërkombëtarë të energjisë, sesi dy mafie, bashkëpunuan për të vjedhur  popullin më të varfër të Evropës, për të vjedhur 650 milion euro nga xhepat e shqiptarëve”.

Marrëveshja e dyshes Rama – Gjiknuri i vodhi shqiptarëve nga arka e shtetit për ti lëvruar paratë në funksion të fuqizimit të tyre kriminal.

“Kjo është mafia e Edi Ramës e cila në bashkëpunim me mafian ndërkombëtare zhvatën nga xhepat e shqiptarëve qindra milion euro detyrime të njohura të pranuara botërisht dhe ligjërisht nga kompania CEZ, para që duhej të ishin në arkën e  shtetit shqiptar por nuk erdhën kurrë. Nuk erdhën, sepse këto para u ndanë mes mafias ndërkombëtare dhe kryemafiozit dhe bashkëpunëtorëve të tij në Shqipëri”.

Kjo është drejtësia për të cilën kryeministri lufton sot në mënyrë që t’i shpëtojë nesër, tha zoti Basha duke theksuar këmbënguljen e demorkatëve për zbardhjen e rastit në fjalë.

“Prandaj nuk na duhet dhe nuk do të pranojmë kurrë një drejtësi të kapur nga Edi Rama. Ne jemi këtu për të garantuar shqiptarët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë, për vendosmërinë tonë, për të zbatuar deri në fund paktin kushtetues të 22 korrikut i cili është dhunuar në mënyrë të njëanshme nga hajduti i CEZ-it, nga njeriu që ka prodhuar dhe futur në xhep miliarda euro me drogën, me kanabisin, me heroinën, më kokainën”.

Lulzim Basha i ka premtuar qytetarëve se me ardhjen e tij në pushtet 200 kv e para të energjisë elektrike do të jenë falas për familjet në nevojë.

Read More
27 Mar
0

Mesazhi sot i Lulzim Bashës në ditën e 38 të protestës

Edi Rama, narkomafia shqiptare, mediat e blera me paratë e drogës, me paratë e korrupsionit, i kanë shpallur luftë popullit shqiptar, jo thjesht kësaj çadre, por popullit shqiptar dhe aspiratës së tij për demokraci të vërtetë dhe drejtësi të vërtetë.

Këtu në agorë, në këtë shesh të lirisë, ditë për ditë, paqësisht, me zë të lartë përgjegjësie patriotike dhe qytetare, ne shpalosim Shqipërinë e vërtetë.

Por ditë për ditë jemi këtu për t’i kujtuar njëri –tjetrit, shqiptarëve kudo ku janë, miqve tanë nga Uashingtoni në Bruksel, që na duan të mirën, që duan një Shqipëri me zgjedhje të lira dhe të ndershme, me drejtësi të vërtetë, me gjyqtarë të pastër që nuk mbrojnë, por ndëshkojnë korrupsionin, si ky i CEZ-it, nuk mbrojnë por ndëshkojnë faraonët e drogës të bërë njësh me pushtetit, se; në këtë agorë të paqes, të qëndresës dhe të vendosmërisë, kjo që po zhvillojmë është jo më pak se një luftë për jetë a vdekje, për Shqipërinë europiane, për Shqipërinë demokratike, për Shqipërinë euroatlantike.

Mafia ndërkombëtare, narkomafia shqiptare të bërë njësh me Edi Ramën po bëjnë e do bëjnë gjithçka për të mbrojtur milionat e aferave të pisëta korruptive që janë luajtur në kurriz të popullit shqiptar. Po bëjnë e do bëjnë gjithçka për të ruajtur miliardat e drogës, të kanabisit, heroinës e të kokainës me të cilat financojnë politikën e tyre, lobistët e tyre, me të cilat mendojnë se mund të blejnë të vërtetën për të shtypur një herë e mirë aspiratën e këtij populli për drejtësi të vërtet, për demokraci të vërtetë.

Ndaj në këtë luftë ka vetëm dy rrugë.

Rruga e parë, rruga që dëshirojnë kundërshtarët dhe armiqtë e lirisë dhe demokracisë është të tërhiqemi, ta pranojmë si fatin tonë të keq Edi Ramën dhe klikën e tij mafioze e cila me paratë e korrupsionit dhe të drogës dëshiron të diktojë përsëri zgjedhje sipas vullnetit të krimit dhe mafias dhe jo sipas vullnetit të qytetarëve shqiptarë.

Rruga tjetër, rruga që ju keni zgjedhur tash 38 ditë, rruga që unë jam zotuar para jush se nuk do t’i ndahem deri në fitore, është rruga e qëndresës, është rruga e vendosmërisë, rruga e përballjes, rruga e betejës.

Në këtë rrugë, ne kemi me vete faktet, kemi me vete të vërtetat, ne kemi me vete shpresën, aspiratën e çdo shqiptari për një Shqipëri të lirë nga krimi, për një Shqipëri të lirë nga korrupsioni, për një Shqipëri të lirë nga tirania e varfërisë, që ul kokat e prindërve para fëmijëve të tyre nga mëngjesi deri në darkë. Dhe kjo rrugë mund dhe do të kalojë vetëm përmes një shtegu: zgjedhjeve të lira dhe të ndershme pa Edi Ramën Kryeministër, me një qeveri teknike, zgjedhje të standardit eruropian.

Ingranazheve të narkomafies shqiptare në qeveri, në media dhe në lobingjet ndërkombëtare dua t’u jap sot një mesazh të qartë: Për këtë betejë, për këtë kauzë, kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kauzën e largimit të krimit nga politika, kauzën e luftës pa kompromis kundër drogës, ky shesh, kjo agorë, Partia Demokratike, Lulzim Basha dhe gjithë shqiptarët e ndershëm, PO, kanë marrë  mbështetje totale në Uashington!

Dhe këtë mbështetje e përkthejmë në këtë aksion politik që ka një dhe vetëm një synim, Shqipërinë e standardit europian, Shqipërinë e standardit euroatlantik, asgjë më pak nuk do të pranojmë për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

Ndaj me dashamirësi dhe mirënjohje ndaj miqve që na mbështesin pa kushte, me mirëkuptim dhe durim ndaj miqve që kanë akoma nevojë të sqarohen e të kuptojnë surratin e vërtetë të mafias shqiptare, dhe pa asnjë milimetër tërheqje para çdokujt që ka vendosur para interesave të shqiptarëve interesin e xhepit të vet, ju them që; nuk ka e nuk do të ketë asnjë tërheqje.

Nuk do të pranojmë zgjedhje me standard më të ulët sesa miqtë tanë kërkojnë dhe kanë për qytetarët e tyre. Kjo nuk është beteja e radhës, kjo nuk është beteja dosido, kjo është beteja e betejave për Republikën e Re, për Shqipërinë europiane, për Shqipërinë euroatlantike.

Ndaj nuk ka dhe nuk mund të ketë tërheqje.

Sepse tërheqje do të thotë rënie e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Sepse tërheqje apo dremitje para krimit që bën ligjin do të thotë rënie e Shqipërisë së lirë nga krimi.

Sepse tërheqje do të thotë Shqipëri republikë e drogës.

Ndaj nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë tërheqje, do të ketë vetëm luftë të vendosur deri në fitore, deri në Republikën e Re, deri në zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa Edi Ramën Kryeministër.

Ky është vendimi i popullit tim dhe unë do t’i bindem deri në fitore.

Read More
26 Mar
0

Lëvizja për votën e lirë, është lëvizje për dinjitetin e shqiptarit

Në ditën e 37 të protestës, në Sheshin e Lirisë, Lulzim Basha tha se lëvizja për votën e lirë, është një lëvizje kombëtare. Basha theksoi se Shqipëria nuk mund të luajë rolin e saj për ti shërbyer shqiptarëve kudo ku jetojunë, nëse nuk garanton të drejtat elementare për qytetarët e vet.

Në agorën e sotme, ishin të pranishëm miq nga Presheva dhe Aleanca Kuq e Zi.

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa u shpreh se: Kemi udhëtuar gjatë me shumë shokë nga Lugina për të mbështetur demokracinë sepse nuk ka gjë më të shtrenjtë se demokracia dhe e kemi ndjekur nga afër gjithë rezistencën tuaj në këtë çadër prej ditëve të para. “Duam ta shohim Shqipërisë sa më mirë. Uroj që kjo protestë të rritet çdo ditë më shumë dhe në fund demokracia të fitojë”, tha Mustafa.

Kreu i AK, Spahiu, vuri theksin tek rëndësia e kontratës që parashikon Republika e Re e ideuar nga Lulzim Basha dhe e mbështetur nga aleatët.

Më poshtë, mesazhi i plotë i Lulzim Bashës sot:

Kjo e dielë, dita e 37-të e protestës vjen me disa lajme praktike siç është ndryshimi i orës, lajme politike, siç është mbështetja euroatlantike për fitoren e kauzës tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe lajme për praninë në këtë shesh të miqve të nderuar. Jo të kuqezinjve, që kanë qënë që ditën e parë dhe unë dua ti falenderoj me mirënjohje, ju të rinj dhe të reja, burra dhe gra që i jeni bashkuar kësaj lëvizje popullore prej orës së parë me kurajo, me guxim, me vendosmëri dhe keni ngritur këtu në këtë shesh të lirisë tributin tuaj të vendosmërisë së bashku me Kreshnik Spahiun, kryetarin e Aleancës Kuqezi. Por dua të falenderoj në mënyrë të veçantë miqtë nga Presheva me në krye Ragmi Mustafën, të cilët vijnë këtu për të na kujtuar se lëvizja jonë popullore demokratike, qytetare dhe kombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme është edhe një lëvizje për të drejtat e shqiptarëve kudo që ata jetojnë. Eshtë e tillë sepse askush nuk mund të besojë dhe as të pranojë që një Shqipëri që nuk garanton dot të drejtat themelore të qytetarëve të saj, të jetë në gjëndje të përmbushë detyrimin kushtetues, detyrimin e shënuar në preambulën e Kushtetutës së Republiëks së Shqipërisë, për të luftuar për të drejtat legjitime të shqiptarëve kudo që jetojnë.

Ndaj, prej ditës së pare, kemi thënë që kjo është një levizje kombëtare, se nga fati i kësaj beteje, nga fitorja e kësaj beteje, varen fatet dhe fitoret e betejave të shqiptarëve kudo që ata jetojnë, në Kosovë, në Maqedoni, në Preshevë, në Mal të Zi, në diasporë kudo ku ka shqiptarë. Sytë, zemra, mendja e tyre janë të investuara në fitoren e kësaj lëvizje popullore dhe kombëtare. Alternativë tjetër nuk ka. Një Shqipëri e fortë, siç tha këtu para një jave Kim Mehmeti, është garancia më e mirë, është garancia më e sigurtë për shqiptarë të fortë dhe dinjitozë kudo që jetojnë. Ndërsa një Shqipëri e dobët dhe e nëpërkëmbur ku klikë pushtetarësh të korruptuar mbajnë peng të sotmen dhe të nesërmen e vendit, duke kyçyr në 7 dyer dinjitetin e shqiptarëve përmes dhuimit, blerjes dhe kërcënimit të votës së tyre, është garancia më e mirë për armiqtë e kombit shqiptar, që të vazhdojnë ti mbajnë shqiptarët nën zgjedhë, që të vazhdojnë ti poshtërojnë, që të vazhdojnë ti mohojnë të drejtat themelore që i kanë të garantuara me dokumentet kryesore ndërkombëtare. Dhe ky është realiteti kudo. Në Preshevë para 3 vjetësh, kryeministri aktual premtoi mbështetjen e shtetit shqiptar, mbështetje për arsimin, njohje të diplomave, ndihmë të drejtpërdrejtë për zhvillimin social dhe ekonomik. Asnjë nga këto nuk janë bërë realitet. Për arsyen e thjeshtë, dhe të vetme, se një Shqipëri jo demokratike, një Shqipëri e korruptuar, një Shqipëri e bërë zap nga krimi nuk mund të kujdeset as për qytetarët e vet, e jo më të përmbushë detyrimet kushtetuese për shqiptarët jashtë kufinjve të Republikës së Shqipërisë.

Ja pra, pse prej ditës së parë të gjithë së bashku kemi thënë që kjo është një lëvizje kombëtare. Nuk është një lëvizje që synon zhbërjen e kufinjve. E kemi diskutuar disa herë këtë çështje së bashku, por edhe me aleatin tonë të ri, AK. Aleanca dhe koalicioni ynë nuk synon zhbërjen e kufinjve, por synon që këto kufinj të mos jenë më barrierë dhe as pengesa, dhe ti bashkojnë shqiptarët në dinjitet, të drejta dhe standarde europiane të jetës që fillojnë me standardin e artë europian dhe amerikan, standardin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Prandaj kemi mbështetjen e gjithë shqiptarëve të ndershëm kudo që jetojnë, e atyre që kanë votuar dhe kanë pasur mundësi të votojnë Partinë Demokratike por edhe të atyre, të cilët nuk e kanë votuar apo nuk kanë mundësi të votojnë Partinë Demokratike sepse standardi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është standard që bashkon çdo shqiptar që i thotë vetes patriot dhe atdhetar. Kjo është një beteje për dinjitetin e kombit shqiptar pavarësisht se ku jetojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë. Kudo ku jetojnë dhe frymojnë shqiptarë, beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme i bashkon.

Në këtë beteje, jo rastësisht kanë marrë krahë, kanë vendosur të hedhin peshën e tyre politike faktorët ndërkombëtarë. Ata që historikisht kanë mbështetur aspiratat legjitime të Shqipërisë dhe shqiptarëve për demokraci, për liri, për shtet ligjor, për ekonomi të hapur të tregut, për të drejtat e njeriut, për respekt para ligjit për çdo individ, kanë zgjedhur të mbështesin këtë betejë sepse duke e mbështetur këtë betejë, mbështesin tabanin mbi të cilin qendrojnë vlerat më të larta të civilizimit të aleancës euroatlantike. Prandaj, Amerika është me ne, prandaj Europa është me ne, prandaj miqtë dhe aleatët e Shqipërisë janë me ne deri në fitore.

Keni dëgjuar këto dy javët e fundit që e ka zënë temperatura e lartë dhe ethet. Fillon dhe llomotit. Keni dëgjuar të flasë për armiqtë e jashtëm të cilët nuk ia duan të mirën Shqipërisë, të cilët sipas tij paskan bërë konspiracion me këtë çadër lirie, me këtë shesh lirie, me këtë koalicion lirie, por kundër kujt?! Sot nga ky shesh dua ti them Edi Ramës dhe mercenarëve të tij që paguhen me paratë e drogës dhe narkomafias shqiptare, mercenarëve të tij shqiptarë dhe mercenarëve të tij të huaj, zyrtarë të shkarkuar për korrupsion nga qeveritë e tyre, që me paratë e drogës shqiptare lehin kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, se; Shqipëria dhe shqiptarët kanë vetëm një armik, dhe kjo është tirania e krimit, tirania e korrupsionit, tirania e drogës dhe ne jemi të vendosur ta mundim, ta shporrim dhe ta çlirojmë Shqipërinë nga kjo tirani.

Armiqtë e Shqipërisë dhe shqiptarëve janë olirgakia, krimi i organziuar dhe narkomafia e cila po investon rëndë për të deformuar të vërtetat dhe për ti treguar botës jo realitetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve por realitetin e bandave, krimit të organizuar, dhe pushtetit të bërë njësh me ta. Por kanë dështuar dhe po dështojnë me sukses të plotë. Dielli i pranverës po djeg dhe përvëlon gënjeshtrat e Edi Ramës dhe konsulentëve të tij të paguar me paratë e mafias shqiptare. Uashingtoni e di të vërtetën, perëndimi e di të vërtetën. E vërteta ka triumfuar, e vërteta e dhimbshme e një Shqipërie që qeveriset nga një kryeministër i bërë njësh me narkomafian dhe krimin e organizuar. Dhe, pas të vërtetës, vjen fitorja e vlerave, fitorja e betejës tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ndaj, le të presim këtu në këtë shesh të vendosur e të bashkuar kështu siç jemi, lajmet e mëdha të fitores që po vjen, të fitores së Shqipërisë, të fitores së shqiptarëve, të fitores së vlerave europiane dhe edhe euroatlantike, lajmin e largimit të Edi Ramës, të qeverisë teknike dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Zoti e bekofshte Shqipërisë. Zoti e bekoftë Flamurin tonë kombëtar. Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë.


Njoftim per shtyp 26 Mars 2017

Read More
25 Mar
0

Shqipëria do të pastrohet nga droga, nga krimi dhe inkriminimi vetëm me votë të lirë e të ndershme

Pedagogë, profesionistë, studentë dhe qytetarë të thjeshtë bashkëbiseduan në sheshin e lirisë, në ditën e 36 të protestës, lidhur me situatën e drogës dhe pasqyrimin e saj në raportet ndërkombëtare, si ai i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Europol, dhe inkrimnimin e jetës politike dhe institucioneve në vend.
Ish-dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Altin Shegani, theksoi tre momente kryesore nga raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi situatën në Shqipëri.
“Tre moment të rëndësishme që kulmojnë në një trekëndësh që në thelbin e tyre janë edhe baza e zgjedhjeve të lira. Së pari, është defiçenca dhe rënia e integritetit dhe besueshmërisë së institucioneve politike në Shqipëri. Moment i dytë, është pesë-fishimi i sasisë së drogës, që qarkullon në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që ndikon kuadrin gjeografik të fqinjëve tanë. Dhe një moment tjetër i rëndësishëm është shkalla e lartë e korrupsionit, dendësia e të cilit ka ardhur në rritje. Vota e lirë dhe zgjehjet e lira, janë kushtetuta e çdo demokracie politike, e ka thënë Monteskje, e ka thënë Hans Kenzel, gjithë filozofët dhe politikanët që besojnë se shteti i së drejtës është formula më e mirë për funksionimin më efiçent të një dmeorkacie politike”.
Lorenc Danaj, pedagog i procedurës penale në Universitetin e Vlorës, tha se protesta e qytetarëve në sheshin e lirisë po shkund themelet e kësaj qeverie e cila punon vetëm për interesin e saj dhe kriminelëve të veshur me pushtet.
“Kjo protestë, partisë në pushtet ia ka thyer njërën këmbë, vazhdimi i kësaj proteste duhet të vijojë për ti thyer edhe këmbën tjetër deri në rrëzimin e strukturës kriminale”. Danaj vlerësoi protestën që po mbahet në Sheshin e Lirisë, si një lëvizje që po parandalon vjedhjen e votës që ka ndërmend qeveria.
Klodi me profesion avokat, tha se Shqipëria nuk është ajo e përfaqësuar nga kriminelët e Parlamentit, por është vend i cili e urren krimin dhe drogën dhe kërkon instalimin e një shteti të se drejtës.
“Kam parë njerëz të futur në burg sepse skishin mundësi të paguanin energjinë elektrike, nga ana tjetër, kam parë kriminelë e trafikantë droge të cilët mbroheshin nga strukturat drejtuese në pushtet. Kjo situatë nuk vjen rastësisht.  Shumë qytetarë duhet të kuptojnë që prej zgjedhjeve të lira vjen dhe zhvillimi dhe mirëqënia. Dhe ne ndaj jemi këtu për tu treguar se Shqipëria e urren krimin, e urren drogën”.
Bergin Shehu, student i sapo diplomuar për drejtësi i drejtoi kryetarit Lulzim Basha dy pyetje, ku kërkoi të dijë nëse Republika e Re do të ngjallë shpresën tek rinia dhe do të garantojë që kriminelët të mos përfshihen më në politikë e aq më pak në Parlament.
Lulzim Basha, në përgjigje ndaj pyetjeve të studentit, theksoi burimin e çdo sistemi të lirë dhe demokratik: zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
“Nëse jemi këtu sot, jemi mbledhur pikërisht që përmes Republikës së Re ti japim shpresë dhe jetë kësaj ëndrre të re që ngjan shumë me shpresën dhe ëndrrën e para 27 viteve, por sot dimë më shumë, jemi më të përgatitur, kemi parë dhe shijuar standardin europian të lirive e të demokracisë, të tregut të lire. Jemi këtu në këtë shesh, sepse kemi lidhur besën me njëri-tjetrin dhe me çdo shqiptar të djathtë e të majtë, se nuk do të pranojmë asnjë standard më të ulët se standardi që kanë italianët, grekët, holandezët, gjermanët, amerikanët, për demokracinë e tyre, për votën e tyre dhe për përfaqësimin e tyre dhe A-ja e kësaj është cilësia e përfaqësimit në të gjitha forumet që marrin vendime për shqiptarët dhe në emër të shqiptarëve, duke nisur me parlamentin e Shqipërisë”.
Lulzim Basha deklaroi se Parlamenti i Shqipërisë do të jetë i pastër nga krimi vetëm kur shqiptarët të votojnë të lirë dhe për këtë Partia Demokratike kërkon të vendosë një standard.
“Së dyti, në këtë nivel përfaqësimi, përmes këtij mekanizmi do të synohet cilësia më e lartë në komunitet, po kështu edhe pastërtia e motiveve, çiltërsia që është e vetëkuptueshme tek brezi i ri i shqiptarëve. Prandaj kam kërkuar që të paktën Partia Demokratike e Shqipërisë, partia historike e pluralizmit, të vendosë një standard duke nisur nga zgjedhjet e ardhshme, për përfaqësimin e të rinjve dhe të rejave shqiptare, duke i propozuar shqiptarëve një të tretën e kandidatëve të ardhshëm të PD nga rinia, nën moshën 35 vjeç”.
Për Bashën vendosja e standardit nuk është fundi, por fillimi i një pune të madhe ku nuk mjafton vetëm motivimi, nuk mjafton vetëm vendosmëria por duhet patjetër edhe mençuria për të kapërcyer një nga një të gjitha etapat dhe sfidat me të cilat janë përballur edhe shoqëritë perëndimore për të siguruar produktin për të cilin jemi sot këtu.


Njoftim per shtyp 25 Mars 2017

 

Read More