-Lulzim Basha paraqet shtyllat kryesore të programit ekonomik dhe social, së bashku me ekspertët e CDU, në prani të sipërmarrjes
-Mathias Schafer, Drejtor i Politikave në fondacionin Konrad Adenauer: Programi i Bashës është realist, i besueshëm dhe i zbatueshëm
-PD ka realizuar një program ambicioz, realist i cili sipas mendimit tim është me të vërtetë një program që shqiptarët e meritojnë. Eshtë një program i cili realizon rimëkëmbjen ekonomike, krijon klimën e përshtatshme me sipërmarrjen dhe rrit besimin e konsumatorëve, qytetarëve dhe të rinjve
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, së bashku me eskpertë të CDU-së dhe Konrad Adenauer të cilët kanë asistuar Partinë Demokratike në hartimin e programit, prezantuan para përfaqësuesve të sipermarrjes, biznesit, sindikatave dhe shtresave në nevojë, alternativën e PD për zhvillim ekonomik, punësim, mirëqënie.
Propozimet kryesore për të nxjerrin vendin nga kriza, që do të rrisin ekonominë, do të krijojnë vende të reja pune, dhe do të zbusin varfërinë, si më poshtë;
Në këto kater vjet taksat jane rritur me 1,5 mld USD. Cdo shqiptar ka paguar 500 usd taksa shtese
-Ne do të vendosim taksën e sheshtë 9 për qind, duke ruajtur fashën e 30 mijë lekëshit të parë me tatim 0
-Tatimi mbi dividentet do te zerohet
-TVSH do të ketë një shkalle të vetme tatimore prej 15%
-Tatimi i biznesit të vogël do të jetë 1,5% e xhiros
- Paratë e taksave do të shkojnë tërësisht në shërbim të taksapaguesit: abuzimet që i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 310 mln USD për luks do të marrin fund. Këto para do t’u kthehen qytetarëve përmes investimeve që sjellin zhvillim, mirëqënie dhe punësim.
Ne nuk do të lejojmë konkurime për fonde publike me një kandidat në garë e aq më pak që cdo tender e koncesion ta marrin klientë të qeverisë sic ka ndodhur këto 4 vite, ku 230 milion dollarë i kanë marrë 11 persona të lidhur me kryeministrin.
- Koncensionet, PPP-te do të rishikohen thellësisht. Ato do të jenë transparente dhe me kosto zero për buxhetin e shtetit. Pagesat nga arka e shtetit për 6 kontrata, koncesionare deri në vitin 2025, janë programuar të jenë 68 miliardë lekë (rreth 500 milionë euro) nga të cilat, vetëm për këtë vit do të paguhen 71 milion dollarë. Kjo vlerë është 8 here më e lartë se pagesa e papunësisë e gjithë vitit 2017. Kjo situatë do të marrë fund. Po kështu, nuk do të ketë më asnjë koncesion apo PPP në formën e monopolit. Do nxisim dhe mbrojmë konkurencen.
- Në qeverinë time nuk do të kete investime për palma, pllaka e fasada, sic ka ndodhur këto katër vjet ku janë shpenzuar plot 510 mln USD, por investime që i shërbejnë punësimit dhe zhvillimit.
- Borxhi është kthyer në një kërcënim real pë Shqipëinë. Sot çdo shqiptar, çdo shqiptar, jo çdo kryefamiljar, ka një borxh prej 3800 dollarësh. Rregulli im fiskal do të jetë sjellja në kontroll e borxhit tek 60%, kujt i duket utopi, kujt i duket e parealizueshme, e ftoj të ulemi sot, konteksti është më i gjerë dhe të shikojmë masat drastike, duke pëfshirë privatizimet strategjike të cilat do të mundësojnë futjen e borxhit nën kontroll.
- Papunësia në radhët e rinisë ka arritur në 40%. Do të mbështesim drejtpërdrejtë kompanitë që hapin vende pune për rininë, do të ndërtojmë urën lidhëse midis të sapo diplomuarëve dhe tregut të punës. Jo me fjalë, por me veprime konkrete! Duke nisur me stazhet për 10 000 të rinj në vit.
Sipas llogarive tona, fatura totale duke përfshirë një rrogë prej 200 000 lekësh të vjetra në muaj dhe sigurimet e gjithçka tjetër shkon në 24 milionë euro. Vetëm për 6 koncesionare sot paguajmë 71 milionë euro. Ja ku do ti gjejmë!
- Asnjë familje në ndihme ekonomike nuk do të privohet nga mundësia për të patur të siguruar të pakten bukën, energjinë elektrike, ujin, libra për femijet e tyre dhe kujdes shendetesor. Për këtë kategori, 200 kv energji elektrike do të paguhen nga shteti dhe po ashtu, fatura e ujit, e librave të fëmijeve.
- Një nga vendimet e mia të para do të jetë rritja e ndihmës ekonomike në 3 mijë leke për person nga 1300 lek që është sot, dhe shpërndarja e saj tek të gjitha familjet që janë në nevojë.
Do ta rrisim pagen minimale në 32 mijë lekë, do të rrisim pensionin minimal me 33%, si dhe do të ulim moshën e daljes në pension
-Bashkëngjitur, fjala e plotë e Lulzim Bashës sot
Ju uroj mirseardhjen në këtë tryezë!
Një javë më pare, këtu, në këtë sallë ishim me italianët, me investitorë italianë, të ardhur nga vendi fqinj, investitorë të cilët veprojnë në Shqipëri prej 5, 10, 15 vitesh, me përfaqësues të nderuar të senatit italian, Paulo Romanin, kryetarin e Grupit të “Forza Italia”, parti simotër e PD, me Mario Mauron, senator, ish-ministër i Mbrojtjes, në prezantimin e platformës ekonomike të zgjidhjeve që Partia Demokratike ka për gjendjen ku ndodhet sot ekonomia shqiptare.
Sot jemi me gjermanët, dhe unë dua të përshëndes, të mirëpres dhe të falënderoj nga zemra për praninë e tyre drejtuesin e Fondacionit “Konrad Adenauer”, Walter Glos, i cili me fondacionin e tij ka bërë një punë të jashtëzakonshme në drejtim të mbështetjes, të hartimit të platformës ekonomike të Partisë Demokratike. Dhe po kështu, të falenderoj nga zemra për praninë e tyre dy ekspertë të shquar ekonomikë të Fondacionit “Konrad Adenauer” dhe të Partisë Kristian Demokrate, Unionit Kristian Demokrat, të Angela Merkel në Gjermani, zotërinjtë Matias Shefer dhe Matias Hypsher.
Të dy ekspertët ekonomikë të cilët luajnë një rol të jashtëzakonshëm për platformën ekonomike të vendit të tyre në Gjermani, janë sot këtu pas një pune të madhe, krah për krah ekipit tim ekonomik, të cilin dua ta falënderoj po kështu për punën voluminoze dhe cilësore prej dy vitesh pothuajse.
Puna ka nisur në prill të vitit 2015 dhe përfundon me një produkt i cili në fakt nuk është produkti i vetëm i ekipit tim ekonomik, sigurisht është certifikuar dhe parë nga ekspertët gjermanë, italianë, amerikanë, Institutit Republikan Ndërkombëtarë, njërin prej të cilëve e kemi këtu mes nesh, të Institutit CATO, qendrave më me peshë për formulimin e zgjidhjeve ekonomike në botë, por bashkëautorë, jemi shumica dërrmuese prej jush këtu; ata që kanë mbështetur prej fillimit zgjidhjet tona dhe ata që kanë debatuar me ne për të arritur në këto zgjidhje.
Pra, një falënderim të madh për të gjithë ju, për qindra-mijëra të tjerë anembanë Shqipërisë, sepse gjatë takimeve të shumta që kam pasur muajt e fundit me qytetarë, me fermerë, me sipërmarrës, me biznesmenë të vegjël, me biznes të mëdhenj, me sipërmarrës, kemi patur mundësinë jo vetëm të shohim realitetin në sy, përkeqësimin e jetës dhe aktivitetit të tyre nga viti në vit, sepse për këtë nuk ka nevojë të kthehemi dhe të rikthemi tek qytetarët, për të konstatuar dështimin, dështimi është evident, “Ç’të të mbjellësh do të korrësh!”,- thotë populli, (kjo qeveri e parashkroi që në fillim dështimin, me rritjen e taksave dhe me paratë që shkonin për luks dhe për miqtë e kryeministrit), por jam kthyer dhe rikthyer për të dëgjuar sa më shumë qytetarë, sipërmarrës, investitorë në mënyrë që alternativa jonë të ishte një produkt realist, që adreson dhe u jep zgjidhje reale problemeve dhe shqetësimeve të sipërmarrjes, dhe të qytetarëve.
Eshtë rasti të përsëris para jush se ne besojmë fuqimisht tek shpirti sipërmarrës i njeriut në liri. Ne besojmë se kjo është forca më e madhe lëvizëse e shoqërisë, e ekonomisë.
Prandaj shohim si zgjidhje më shumë liri, më pak shtet arbitrar dhe arrogant. Më shumë liri për individin, më shumë liri për sipërmarrësin.
Që sipërmarrjet e iniciativës së lirë të jenë të suksesshme, është i domosdoshëm zgjerimi i hapësirës së lirisë me një kuadër ligjor sa më të thjeshtë, zbatuar me ndershmëri, pa diskriminim, pa diferencim, (midis nënës dhe njerkës, midis demokratëve dhe socialistëve), me infrastrukturë moderne, me akses në rrjetet e informacionit, me energji elektrike të siguruar dhe të përballueshme dhe konkuruese në çmim, hidrokarbure të garantuara dhe të lira, me mundësi për arsim cilësor për të gjithë, të lidhura me punësimin, sipërmarrjen dhe tregun.
Për ne, kjo arrihet përmes një shteti të vogël, efikas, jo të madh, arrogant dhe arbitrar, por një shtet shërbëtor të qytetarëve dhe të sipërmarrjes, jo padron të çdo frymori në Shqipëri. Më lejoni të prek linjat kryesore të propozimit tonë, sepse pastaj do të kemi kohë dhe mundësi t’i debatojmë këto, dhe t’i shkojmë në detaje sipas fushave të interesit që ju përfaqësoni në këtë tryezë.
Në këto katër vjet, taksat janë rritur me një total 1,5 mld USD që janë mbledhur si rezultat i rritjes së taksave dhe jo përmirësim të sistemit.
Çdo shqiptar nga foshnja deri tek më i moshuari, ka paguar 500 USD taksa shtesë, si rezultat i rritjes së taksave. Shifrat flasin qartë. Ne mbështesim politikën e taksave të ulëta, dhe ky është thelbi i politikës sonë fiskale. Do të nxisim sipermarrjen që paratë që sot paguan për taksa dhe tarifa, nesër t’i investojë në shtim të vendeve të punës, në shtim të rritjes së pagave, në funksion të zgjerimit dhe përmirësimit të kapaciteteve prodhuese të kapaciteteve të biznesit.
Ne do të vendosim taksën e sheshtë 9 për qind.
9% për të ardhurat personale duke ruajtur fashën e 30 mijë lekëshit të parë me tatim 0, që është një abuzim nga ata që s’kanë çfarë të thonë kundër taksës së sheshtë, e dini mirë se kush. Pra, 9% për të ardhurat personale, 9% për fitimin korporativ, 9% për kontributin e sigurimeve shoqërore si nga punëdhënësi ashtu edhe nga punëmarrësi.
Tatimi mbi dividentin do të zerohet.
TVSH do të ketë një shkallë tatimore prej 15%.
Tatimi i biznesit të vogël kuotë fikse, e përafërt me 1,5% të xhiros, do të zëvendësoje tatimin mbi të ardhurat dhe TVSH.
Do të ofrojmë lehtësira fiskale për fushat prioritare të zhvillimit, për bizneset që sigurojnë vende pune dhe vende pune me paga dinjitoze në sektorë kyç të ekonomisë si turizmi, teknologjia dhe inovacioni.
Paratë e taksave që do të mblidhen, do të shkojnë tërësisht në shërbim të taksapaguesit: buzëkuqë, fasada, makina luksi, orendi, zyra, shpenzime marramendëse për udhëtime, dieta pa fund, abuzime që i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 310 mln USD, do të marrin fund.
Këto para do t’u kthehen qytetarëve përmes investimeve që sjellin zhvillim, mirqënie dhe punësim, dhe skemave që mbështesin futjen në tregun e punës, përmes kualifikimit të stazheve, të mijëra e mijëra qytetarëve, e në veçanti të rinisë, që sot bredh rrugëve e papunë.
Sepse s’ka punë. S’ka punë.
Do të rishikohet regjimi rregullator me një qëllim, shumica e lejeve, liçencat, autorizimet, do të shfuqizohen. Një praktikë kjo që nisi me sukses dhe e vendosi Shqipërinë, nga arbitër të pavarur, si një nga vendet që po ecte drejt klimës miqësore të biznesit, dhe e cila është kthyer mbrapsht, përmbys, duke krijuar një kaos total, nga i cili përfitojnë vetëm ata që japin lejet, liçensat, autorizimet dhe humb sipërmarrësi, humb ekonomia, humbin qytetarët.
Ato që do të mbeten do të jenë të sanksionuara në ligj për t’i prerë rrugën çdo abuzimi. Të gjitha kontratat publike do të bëhen transparente. Jo si sot. Ndërtohet në mes të Tiranës stadiumi, ka një vit, opozita, shoqëria civile, që kërkon dokumentat, dhe ai refuzon. Nivel të tillë të mungesës së transparencës mund ta gjesh vetëm në ndonjë diktaturë afrikane, por vend demokratik ku të refuzohet shpalosja e termave me të cilat shteti lidh kontratë me privatin, në Europë nuk ka. Përveçse, aty ku gëlon korrupsioni dhe paratë ndahen me miqtë e kryeministrit. Të gjitha vendimet në lidhje me prokurimet dhe kontraktimet do të bëhen publike. Ne nuk do të lejojmë konkurime për fonde publike me një kandidat në garë, se e dimë se i kujt është ai kandidat, e aq më pak që çdo tender e konçesion ta marrin klientë të qeverisë, siç ndodh sot rëndom.
Koncensionet, me të ashtuquajturit Partneriteti-Publik-Privat, PPP-të, duke përfshirë këtu edhe kontrata Out-Sources, do të rishikohen një për një. Do të jenë transparente dhe me kosto zero për buxhetin e shtetit madje duke rritur në maksimum përfitimin që duhet të marrë publiku nga përdorimi i aseteve publike, që duhet të marrin qytetarët nga përdorimi i aseteve të qytetarëve. Pagesat nga arka e shtetit, domethënë nga xhepat e taksa-paguesit shqiptar, për 6 kontrata konçesionare deri në vitin 2025, janë programuar afro 68 miliardë lekë, rreth 500 milionë euro me kursin aktual të shkëmbimit, nga të cilat, vetëm për këtë vit, do të paguhen 71 milionë dollarë. Kjo vlerë është 8 herë më e lartë sesa pagesa e papunësisë në Shqipëri.
Pra, 6 kontrata, 6 miq të kryeministrit aktual, përfitojnë 6 veta, tetë herë më shumë se gjithë të papunët në Shqipëri, ky është realiteti.
Eshtë e barabartë me ndihmën ekonomike në këto nivele, me 80 mijë familje, në 4 muaj, është 3.5 herë më e madhe se fondi që parashikohet me kompensimin e të përndjekurve dhe pronarëve, them parashikohet, se nuk paguhet asnjëherë siç parashikohet.
Kjo situatë do të marrë fund. Nuk do të ketë më asnjë koncesion apo PPP në formën e monopolit. Ç’është kjo skemë, kjo është skemë t’ia japësh mikut tënd. Do të fusësh privatin në një skemë që e menaxhon më mirë? Hape garën, duke nisur me kontrollin e automjeteve, dhe nise me një autokritikë se shkojnë njerëzit atje e torturohen me orë të tëra, me rryshfete dhe me keqtrajtim.
Nuk e bëjmë dot ne aq mirë të paktën siç e ka Kosova? Sigurisht që mund, duhet dhe do ta bëjmë. Sot, zihen partitë se kush do të vjedhë tek kontrolli i automjeteve, çamët, socialistët, apo vetë LSI-ja. Jo zotërinj, kjo do të kthehet në një skemë transparente nga e cila do të përfitojnë qytetarët, nuk humbasin asetet e shtetit, dhe luftohet korrupsioni. Beteja kundër korrupsionit është një betejë e vështirë, por jo e pamundur.
Do të nxisim transparencën, do t’i hapim rrugë konkurencës së ndershme. Do të heqim monopolet, do të luftojmë konfliktin e interesit dhe do t’u japim garanci qytetarëve se ne do të jemi partnerë të vërtetë te tyre dhe jo vetëm për propagandë.
Lufta ndaj korrupsionit bëhet me vepra, jo me fjalë. Bëhet duke dhënë i pari shembullin kryeministri që paratë e buxhetit nuk i çon, siç ka ndodhur këto katër vite, 230 milion dollarë tek 11 miqtë e tij, dhe shpesh pa tendera dhe pa garë, por i çon tek fituesit reale të një gare të hapur e transparente, në funskion të investimeve apo shërbimeve ndaj qytetarëve.
Në qeverinë time nuk do të ketë investime fasadë, për palma e pllaka, për buzëkuq, siç ka ndodhur këto katër vjet, ku janë shpenzuar plot 510 mln USD për investime që kanë sjellë zero punësim, zero. Përveç se është një investim i kotë, është edhe një skemë vjedhje, si Veleria e Durrësit. 6 milionë dollarë, nga të cilat 3 milionë dollarë beton. Kush do e sjellë betonin, e dini vetë ju. Prodhuesi më i madh i betonit, njëkohësisht kryetari i Bashkisë së Durrësit.
Duke shkatërruar trashëgiminë historike, kulturore, turistike, potencialin turistik të qytetit, përse? Që të marrë 3 milionë të betonit ai, pjesën tjetër ta ndajë me njeriun që i ka çuar paratë dhe i ka caktuar arkitektin, që është vetë kryeministri. Arkitekti është i njejti që ka bërë zyrat tek stadiumi, që do të bëjë ekspozitën tani për disa ditë në Firence.
Ja ku e ka interesin e tij. 400 çifte durrsakësh do të merrnin apartamente sociale me këto para. Nga 600 apo 700 familje me ndihmë ekonomike mund të shkonin në 12 mijë familje. Por jo. Investim fasadë, duke shkatërruar qytetin e Durrësit.
Nuk do të ketë investime të tilla, por do të ketë patjetër një portofol robust, të fuqishëm investimesh në infrastrukturën publike për të cilën, Shqipëria ka kaq shumë nevojë. Akset kryesore strategjike, ndërtimi më në fund i një porti të thellë me kapacitete të mëdha, pë t’i dhënë Shqipëisë mundësinë që të jetë një magazinë për Ballkanin dhe më gjerë. Kuptohet, jo thjesht një magazinë, një magazine me punëtorë, me inxhinierë, me rojtarë, me gjithçka, pra që të krijojë vende pune për Shqipërinë. Rritja ekonomike është e pamundur pa mirëmenaxhuar borxhin publik. Sot borxhi publik ka shkuar 72%, e gjetën 62 dhe e çuan 72%. Gjoja mori para për të larë borxhin, borxhi është rritur, taksat janë rritur, investimet publike që rrisin ekonominë janë 0, rritja e rrogave dhe pensioneve është 0.
Borxhi është kthyer në një kërcënim real për Shqipëinë. Sot, çdo shqiptar, çdo shqiptar, jo çdo kryefamiljar, ka një borxh prej 3800 dollarësh. Rregulli im fiskal do të jetë sjellja në kontroll e borxhit tek 60%, kujt i duket utopi, kujt i duket e parealizueshme e ftoj të ulemi sot, konteksti është më i gjerë dhe të shikojmë masat drastike, duke pëfshirë privatizimet strategjike të cilat do të mundësojnë futjen e borxhit nën kontroll.
Arsimi dhe rinia janë prioritet absolut për të siguruar rimëkëmbjen ekonomike, vetë rimëkëmbja ekonomike është prioriteti ynë numër një dhe gjithçka është në funksion të saj edhe lufta kundër krimit por brenda kësaj, e para e të parave, është arsimi dhe rinia.
Papunësia në radhët e rinisë ka arritur në 40%, 4 në 10 të rinj, janë pa punë, jashtë kësaj ndërtese, anë e mbanë Shqipërisë. Për këtë, platforma jonë parashikon një sërë zgjidhjesh, duke mbështetur drejtpërdrejtë kompanitë që hapin vende pune për rininë, duke mbështetur investimet vendase dhe të huaja që hapin vende pune për rininë dhe duke ndërtuar urën lidhëse midis të sapo diplomuarëve dhe tregut të punës. Jo me fjalë, por me veprime konkrete! Duke nisur me stazhet për 10 000 të rinj në vit. Dua të ndalem një minutë te kjo, se është çështje jo vetëm e jona, por edhe e juaja. 10 000 të rinj do të mbështeten drejtpërdrejtë në vit, nga qeveria me, me fonde, për të bërë stazhe pranë jush, pranë sipërmarrjes.
Pyetja parë është ku do i gjeni paratë, apo jo! Sipas llogarive tona, fatura totale duke pëfshirë një rrogë prej 200 000 lekësh të vjetra në muaj dhe sigurimet e gjithçka tjetër shkon në 24 milionë euro. 71 milionë euro, 6 koncesionarë, 6 veta 71 milionë euro. Ku do ti gjejmë paratë ne për 10 000 të rinj? Ja ku do ti gjejmë! 10 000 të rinj nga 17 000 që hyjnë në tregun e punës dhe që enden rrugëve, nuk do të enden më rrugëve, nuk do të rrinë më në kafe duke parë njëri – tjetrin, apo disa duke u bërë dru me hashash, por do të shkojnë nga mëngjesi deri pasdite, të bëjnë stazhin me pagesë në sipërmarrje, do të krijojnë rrjetet e tyre të miqësive me kolegët, do të njohin tregun e punës, do të marrin zanatin dhe sipas të gjitha anketave, 70% e atyre që kanë një stash prej tre muajsh apo më shumë sigurojnë vendin e punës.
Çështja e dytë, kush mendon se ky është një bonus ndaj sipërmarrjes që të ulë koston operative duke përfituar rrogat nga shteti, e ka gabim. Unë ju ftoj që në këtë skemë ju të jeni bashkë kontribues, përfitimi është afatgjatë. Në qoftëse arrihet kualifikimi dhe arrihet kualifikimi i mijëra të rinjve, përmes stazheve të punës, tregu i punës përmirësohet, aftësitë absorbuese të tregut të punës rriten. Më shumë mundësi, më shumë vende pune, por mund të përfitoni se do të keni njerëz më të kualifikuar. Ata që na thonë, që s’ka specialistë, po sigurisht që s’ka specialist, kur nuk i jep mundësinë të bëjë as stazh.
S’ka vende pune, sepse nuk ka përkushtim ndaj vendeve të punës. Ky është një akt i cili ka efekte shumëfishuese për ekonominë, ju e kuptoni fare qartë, ju e kuptoni fare mirë! Të keni shtetin në krahun tuaj, qeverinë në krahun tuaj, por edhe në krahun e këtyre 10 000 të rinjve, nga të cilët të paktën 7000 brenda vitit të parë do të sigurojnë një vend pune, por jo në kurriz të taksapaguesëve, jo duke bërë lojëra, ku kjo të kthehet në një skemë stimuluese për informalitetin, apo ulje e shpenzimeve operative për sipërmarrjen.
Kjo është ekonomia sociale dhe humane! Ne investojmë për rininë, ne investojmë për vende pune tek rinia, ju bashkëinvestoni dhe për këtë, ne do të marrim shembujt më të mirë të vendeve të avancuara dhe do ti kthejmë në skema të cilat do të mbështesin, rininë, vendet e reja të punës por do të mbështesin edhe biznesin që po punon ndershëm në këtë fushë.
Meqë unë jam tek çështjet sociale – ekonomike dhe ura janë 10 000 stazhet për rininë, Shqipëria mbetet një vend me pabarazi të mëdha sociale dhe për këtë arsye në programin tonë i kemi kushtuar një rëndësi të madhe kujdesit social. Asnjë familje me ndihmë ekonomike nuk do të privohet nga mundësia për të patur bukën, energjinë elektrike, ujin, librat dhe kujdesin shëndetësor të garantuar. Për këtë kategori 200 kv e parë të energjisë elektrike do të paguhen si pjesë e paketës të ndihmës sociale, po kështu fatura e ujit dhe librat e fëmijëve. Një nga vendimet e para të qeverisë time do të jetë rritja e ndihmës ekonomike dhe shpërndarja e saj tek çdo familje që është në nevojë për të garantuar permbushjen e nevojave ekonomike. Kjo rritje do të shkojë nga 1300 lekë që merr një person në një familje, ndihmë ekonomike sot, në 3000 lekë për person, pothuajse dyfishim i skemës së ndihmës ekonomike. Plotësisht e përballueshme nëqoftëse nuk vazhdojmë të japim koncesione korruptive, tendera korruptivë dhe të ndërtojmë vela për Gjushat.
Synimi ynë është që paga minimale të shkojë rreth 32 000 lekë. Natyrisht kjo nuk bëhet me dekret, këtë do ta bëjë tregu në bashkëpunim me një qeveri miqësore, jo me dekret, nuk besoj në rritjen e pagave me dekret. Pagat rriten nga ekonomia! Këto 32 000 lekë do të jenë të përjashtuara nga tatimi mbi të ardhurat personale, pra do ta rrisim nga 30, në 32 mijë lekë.
Çdo punëdhënës që punëson individë nga kategoria e familjeve në ndihmë ekonomike do të subvencionohet me gjysmën e kontributit të punëdhënësit për sigurimet shoqërore. Rritja e ndihmës ekonomike është fatale nëqoftëse nuk rriten mundësitë për punësim të atyre që janë në ndihmë ekonomike. Synimi ynë nuk është t’i mbajmë në ndihmë ekonomike, por t’i nxjerrim një ditë e më parë nga ndihma ekonomike në tregun e punës. Stimujt fiskal dhe financiar do të shkojnë tek ata sipërmarrës që e bëjnë këtë punë bashkë me qeverinë.
E njejta gjë edhe për sektorin bujqësor, fermerët që punësojnë punëtorë sezonalë nga kategoria e familjeve në ndihmë ekonomike, do të subvencionohen me gjysmën e pagesës së tyre. Parashikojmë që deri në fund të mandatit tonë të parë qeverisës të rrisim me minimalisht 33% pensionin minimal dhe të ulim moshën e daljes në pension.
Para se të hyjmë në tema të tjera që kanë të bëjnë me energjinë, me eksportet, me turizmin më lejoni ta përfundoj këtë prezantim të përgjithshëm në mënyrë që të jemi sa më të angazhuar në bashkëbisedim, dhe ti kaloj shkurtimisht fjalën dy miqve që kam në krah, së pari Drejtorit të Fondacionit Konrad Adenauer që na ka mbështetur fuqimisht në hartimin e një platforme realiste, të zbatueshme dhe shndërruese për gjendjen ku është sot Shqipëria, dhe pas kësaj, ekonomistit të shquar gjerman Matias Schefer.
Read More