Zëri i Amerikës: Zoti Basha ju ndodheni këtu në Uashington për ceremoninë e përurimit të Presidentit të ri Donald Trump. Fillimisht do të kërkoja një sqarim për statusin me të cilin po merrni pjesë ju në këto ceremoni. Ka pasur spekulime në shtypin shqiptar për mënyrën se si vijnë zyrtarët shqiptarë këtu në Uashington. Ajo që dihet është që nuk ka ftesa zyrtare nga qeveria amerikane. Ftesat lëshohen nga anëtarët e kongresit, ligjvënës ose senatorë. Cili është statusi juaj?
Lulzim Basha: Unë jam ftuar në ceremoninë e inaugurimit dhe në ceremonitë e tjera me rastin e inaugurimit, nga anëtarë të mazhorancës, pra të partisë republikane të kongresit amerikan. Për shembull, dje kam qenë i ftuar i senatorit Ted Cruz. Për ceremoninë e inaugurimit kam ftesë të përbashkët nga kryetari i komisionit për Europën në komisionin e jashtëm të Kongresit dhe nga bashkëkryetari i komisionit për OSBE-në, nga dy kongresmenë të njohur republikanë dhe po kështu kam një numër ftesash nga kongresmenë dhe senatorë të partisë demokratike për disa nga aktivitetet e tjera që organizohen gjatë inaugurimit të presidentit Trump. Pra, ftesat janë ftesa, nuk janë bileta, janë të papaguara, janë të dërguara dhe jo të kërkuara dhe unë jam i nderuar që u jam përgjigjur ftesave të përfaqësuesve të shumicës në kongresin amerikan dhe të partisë republikane, komitetit kombëtar republikan për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit Trump, pra, në ceremoninë e inaugurimit dhe të gjithë festimet dhe ceremonitë e tjera.
Zëri i Amerikës: Në fakt do të bëj një sqarim. Do të thotë se ju i quani ftesa ato që quhen po bileta. Por dallimi është që disa prej këtyre dalin në forume të ndryshme të shtiblerjes online, përfundojnë atje, në rrugë pa të drejt dhe njerëz të ndryshëm mund të arrijnë t’i blejnë me çmime nga pesëqind deri në disa mijë dollarë.
Lulzim Basha: Nuk e kam ndjekur këtë proces, me thënë të drejtën. Unë jam i ftuar zyrtarisht nga anëtarë të kongresit, nga anëtarë të mazhorancës dhe nga komiteti kombëtar republikan për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit dhe në të gjitha ceremonitë e tjera që zhvillohen gjatë kësaj jave, disa prej të cilave kanë filluar.
Zëri i Amerikës: E qartë. Zoti Basha zgjedhjet e tanishme presidenciale këtu në Shtetet e Bashkuara ishin nga më interesantet dhe në të njejtën kohë më përçarëset në historinë e Amerikës. Megjithatë, nesër kur të bëhet ceremonia e përurimit presidenti i zgjedhur Trump do ta filloj ditën me një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Obama. Prej andej, të dy do të shkojnë në kongres. Do të fillojnë pastaj ceremonitë e tjera përuruese. Rivalja e tij kryesore, Hillary Clinton do të jetë e pranishme në ceremoninë e përurimit. Pra kjo do të thotë se në Amerikë, një nga thelbet, çelësi i demokracisë, tranzicioni paqësor i pushtetit nuk po cënohet aspak. Të kthehemi në vendin tuaj në Shqipëri. Pas gjithë këtyre viteve të tranzicionit në sistemin demokratik, zgjedhjet, tranzicioni i pushtetit ka qënë gjithmonë jo aq i suksesshëm. A ka ardhur koha që edhe në Shqipëri këto ndryshime pushteti, pasi mbarojnë zgjedhjet pala humbësa ta përgëzoj palën fituese dhe jeta të vazhdoj normalisht?
Lulzim Basha: Unë do të thoja se konstatimi është pjesërisht i drejtë. Në zgjedhjet e 2005 dhe në zgjedhjet e 2013 pati rotacion pushteti. Të dyja këto unë do t’i vlerësoja si relativisht të qeta dhe joproblematike. Do të vlerësoja në veçanti tranzicionin e vitit 2013, kur mazhoranca e atëhershme përgatiti dosjet për të gjithë institucionet në mënyrë të plotë dhe substantive për t’i lehtësuar tranzicionin e pushtetit qeverisë që erdhi drejtuar nga zoti Rama dhe zoti Meta. Kjo u vlerësua nga shoqëria shqiptare edhe ndërkombëtarisht. Pra, ishte një hap drejt konsolidimit të praktikës demokratike në Shqipëri. Problemi është se që nga ky moment kemi patur probleme të njëpasnjëshme me zgjedhjet. Dy muaj pas tranzicionit të pushtetit ne patëm zgjedhje lokale në Korçë për shkak se ish-kryetari i bashkisë u emërua zëvendës-kryeministër. Nga mediat shqiptare, të cilat nuk mund t’i akuzosh se janë afër opozitës, u filmua një proces i turpshëm i shit-blerjes së votës. Opozita protestoi dhe ngriti zërin. Unë insistova për një hetim të plotë. Hetimi nisi dhe në korrik të vitit tjetër, pra, në 2014, maxhoranca në mënyrë të njëanshme kaloi një amnisti për të bllokuar nxjerrjen para drejtësisë të autorëve të shitblerjes së votës në Korçë. Mosndëshkimi i këtij krimi elektoral ishte paralajmërim për atë që ndodhi në 2015, për atë që OSBE e quajti minim të besimit tek vota e lirë. Ky ishte konkluzioni i OSBE për zgjedhjet e 2015. Për të arritur në shfaqjen më të shëmtuar në zgjedhjet e Dibrës në shtator të vitit të kaluar, ku përveç shitblerjes së votës, problemi i madh i rolit të kriminelëve në politikë dhe në zgjedhje, i infektuar edhe me problemin e drogës, sollën asgjësimin e procesit politik. Çfarë është procesi politik? Ai është një garë. Edhe këtu në Amerikë patëm garë mes dy alternativave.
Zëri i Amerikës: Keni të drejtë. Ideja është kjo që në Amerikë ose në Shqipëri kur të mbarojnë zgjedhjet të mos vazhdojnë më thirrjet për bojkotim parlamenti, protesta të kryesuar nga partitë ose deputetët vetë. A është maturuar sa duhet politika shqiptare?
Lulzim Basha: Problemi numër një me Shqipërinë sot është se qeveria është treguar jo e paaftë për të mbajtur zgjedhje të lira e të ndershme, por autore e kapjes dhe prishjes së zgjedhjeve. Sot në Shqipëri kemi një problem, që është konstatuar botërisht nga shumë sondazhe të pavarura, që shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk besojnë se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të lira e të ndershme. Dhe ky është një problem i madh jo vetëm për opozitën, për partinë demokratike apo për mua. Ky është një problem i jashtëzakonshëm për vendin. Sepse të mos besosh që do të kesh zgjedhje të lira e të ndershme do të thotë të mos besosh tek e ardhmja, të mos kesh shpresë se përmes votës mund të ndryshosh politikën. Kjo ka sjellë një valë të re emigracioni. Shqiptarët po largohen nga Shqipëria, sepse ka një humbje besimi te politika si instrument ndryshimi. Kjo është detyra jonë e parë dhe kryesore; të rikthejmë besimin te politika, si instrument në duart e qytetarëve për të ndryshuar, e jo për të ndryshuar ministrat apo klientët e qeverisë, por për të ndryshuar jetën e qytetarëve. Që kjo të ndodhë, duhet të kemi zgjedhje të lira e të ndershme. Sot zgjedhjet janë të kërcënuara nga shitblerja e votës, nga moszbatimi i ligjit të dekriminalizimit, apo kriminelët në politikë, nga përdorimi i shtetit. “Shteti u bë njësh me partitë” – tha OSBE-ja. Ndaj ne kemi propozuar një paketë ku përfshihet votimi dhe numërimi elektronik, dekriminalizimi i shpejtë i politikës, aksesi i barabartë në media, kufizimi i shpenzimeve elektorale dhe transparenca e financimit të partive politike.
Zëri i Amerikës: Pikërisht kjo, sot reforma zgjedhore është në qendër të debatit politik që po bëhet në Shqipëri. Por ky debat i madh po bëhet pikërisht para zgjedhjeve.
Lulzim Basha: Nuk është e vërtetë. Debati ka nisur qysh në vitin 2011, që të jemi të drejtë. Partia Socialiste ka ngritur disa çështje, që ishte votimi elektronik në 2011, u bënë prova në 2013 për numërimin elektronik. Ato dështuan, por nuk ka dështuar teknologjia, sepse është alibi të thuhet kështu, që pse dështoi në 2013 numërimi elektronik nuk mund të kërkohet sot votimi elektronik. Ne kemi bërë kërkesën në maj 2016. Në 17 maj PD e ka zyrtarizuar kërkesën, sepse kërkesa është më e hershme. Qysh pas zgjedhjeve të 2015 unë i kam shkruar komisionit të ODIHR-it dhe i kam këkruar zyrtarisht maxhorancës votimin elektronik: le të marrim së bashku masat për votimin elektronik.
Zëri i Amerikës: Në komisionin paralamentar për zgjedhjet, partia demokratike, pra opozita dhe shumica kanë pak a shumë të njejtin numër anëtarësh. Pra, komisioni është i ndarë në mënyrë të barabartë dhe nuk kemi dëgjuar që partia juaj që nga maji, siç thatë ju vetë, deri sot të keni insistuar në votimin elektronik. A mendoni ju se votimi elektronik mund të arrijë të realizohet, mund të bëhet në këto pesë muaj? Kryetari i OSBE-së në Shqipëri tha që është pak vonë.
Lulzim Basha: Unë nuk kam ndërmend të hyj në debat që kanë për detyrë të ndihmojnë që Shqipëria të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme. Detyra e OSBE-së është që shqiptarët të votojnë të lirë. Kjo është detyrë kryesore e opozitës. Duhet të jetë detyrë kryesore edhe e maxhorancës. Duhet të jetë detyrë kryesore e çdokujt që i dhimbset Shqipëria, çdo shqiptari dhe e miqve tanë. Ne kemi një propozim konkret, i cili është zyrtarizuar më 17 maj 2016, pra, çdo alibi se nuk e kemi thënë në kohë, se nuk kemi kohë është vetëm një alibi. Të thuash se nuk kemi kohë për të bërë zgjedhje të lira e të ndershme, kjo është qesharake. Shqiptarët duan zgjedhje të lira e të ndershme dhe meritojnë zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo është një zgjidhje që ne kemi ofruar. Ne jemi të hapur nëse maxhoranca apo nëse partnerët kanë zgjidhje të tjera më të mira se kjo. Ne jemi të hapur t’i dëgjojmë e t’i pranojmë. Shqetësimi ynë ka të bëjë me faktin se shitblerja e votës, që gjithë shqiptarët e dinë se është një problem i madh, deformon vullnetin e qytetarëve. Çfarë ndodh? Nuk zgjidhet një qeveri në bazë të dëshirave, projekteve dhe kërkesave ë qytetarëve, por në bazë të parave që blejnë varfërinë e qytetarëve. Dhe me t’u zgjedhur një qeveri e tillë, ajo në vend që t’u përgjigjet qytetarëve me investime, me punësim, me ekonomi më të fortë, me të ardhme më të sigurtë, me gjithë masat që duhet të marrë, fillon e merret me xhepat e saj, me xhepat e klientëve, që u kanë dhënë paratë për të blerë votat e qytetarëve. Pra, varfëria, papunësia dhe kriza ekonomike janë drejtpërdrejt të lidhura me zgjedhjet e prishura dhe të kapura. Që të kemi një ekonomi funksionale, që të kemi një punësim real, jo vetëm premtime për 300 mijë vende pune, por punësim real, duhet të kemi një qeveri të përgjegjshme, dhe kjo del vetëm nga zgjedhje të lira e të ndershme.
Zëri i Amerikës: Në qoftë se ky kushti që keni vënë ju për votimin dhe numërimin elektronik nuk arrin të zbatohet teknikisht, çfarë qëndrimi do mbani ju për zgjedhjet?
Lulzim Basha: Ne besojmë që kemi dhënë një zgjedhje të duhur për të zgjidhur një pjesë të problemit. Ka probleme që otimi elektronik nuk i zgjidh, si është problemi i drogës.
Zëri i Amerikës: Padyshim, është rrugëdalje shumë e mirë. Por është çështje kohore. Bëhet apo s’bëhet?
Lulzim Basha: Më lejoni ta shtjelloj pak se këtë kam biseduar këtu edhe me përfaqësuesit amerikanë, të cilët më kanë dhënë mbështetje të plotë dhe janë realisht të shqetësuar për zgjedhjet në Shqipëri. Ky është një shqetësim i madh për partnerët tanë euro-amerikanë, një shqetësim i madhe edhe për SHBA-të, për gjithë bashkëbiseduesit që kam patur deri sot këtu, dhe kanë premtuar mbështetje. Mbështetjen e premtoi Victoria Nuland disa herë në bisedat që kam patur me të, mbështetje kanë premtuar drejtues të lartë në senat dhe në kongresin amerikan. Përfaqësues të administratës së presidentit Trump po e ndjekin me një shqetësim të veçantë problemin e zgjedhjeve, por edhe problemin e krimit, të drogës në Shqipëri, dhe janë të angazhuar dhe mbështesin plotësisht përpjekjet e mia dhe të partisë demokratike për zgjedhje të lira e të ndershme. Unë besoj se ka ardhur koha që gjithë këto forca, jo vetëm opozita shqiptare, jo vetëm partia demokratike, por edhe partnerët tanë edhe shoqëria civile, edhe media shqiptare, gazetarët shqiptarë, qytetarët, të bashkohemi për t’i dhënë Shqipërisë zgjedhje të lira e të ndershme.
Zëri i Amerikës: Në kuadër po të zgjedhjeve, partia juaj sot ka të njejtat figura kryesore që ka pusur edhe në tetë vitet kur ishit në qeverisje dhe në zgjedhjet e kaluara të cilat i humbët. Ju jeni në zgjedhje të reja, dhe padyshim që synoni t’i fitoni ato. A mendoni se kjo mund të përbëj problem? Ju keni bëri thirrje, e keni hapur partinë javët e fundit. A është pak vonë për këto gjëra?
Lulzim Basha: Partia Demokratike ka qënë në një proces rinovimi prej ditës së parë të zgjedhjes sime si kryetar, më lejoni ta sqaroj. Pas momentit të daljes…
Zëri i Amerikës: Megjithatë, dominojnë figurat kryesore.
Lulzim Basha: Po sigurisht pasi grupi parlamentar nuk ndërrohet rrugës apo jo. S’ndodh as me Kongresin amerikan, as me senatin. Por ndryshe nga sporti, politika nuk është vetëm çështje moshe. Është çështje kontributi dhe gadishmërie për t’i shërbyer njerëzve. Kushdo që ka gadishmërinë, integritetin, energjinë për t’i shërbyer njerëzve, është i mirëpritur të jap këtë kontribut brenda partisë demokratike duke ndarë vlerat tona, ato që besojmë ne.
Zëri i Amerikës: Po. Dhe pasi shërbejnë, pasi japin kontributin, kur rezulton i humbur ia lë vendin të tjerëve. Apo jo?
Lulzim Basha: Dhe padyshim partia është hapur. Unë kam kënaqësinë të ndaj me ju, siç kam ndarë me shqiptarët përmes mediave në Shqipëri, faktin se me dhjetra të rinj të mirëshkolluar në Shqipëri, dhe jashtë Shqipërisë, të punësuar në institucionet prestigjoze private dhe publike, i janë bashkuar Partisë Demokratike. Ne kemi sot një ekip të jashtëzakonshëm, me juristë, me ekonomistë, me profesionistë të fushave të ndryshme të cilët kanë hartuar një program të Partisë Demokratike për një ekonomi të fortë dhe për të nxjerr vendin nga kriza ku ndodhet sot. Punësimi i shqiptarëve, hapja e vendeve të punës, ringritja ekonomike janë tre propozimet kryesore me të cilat ne dalim para shqiptarëve, propozime konkrete, jo me fabula, 300 mijë vende pune kot. Por për mua sot si kryetar i opozitës dhe nesër si kryeministër detyra numër një është të kthejmë vendet e punës që janë zhdukur si rezultat i politikave të gabuara, i represionit, i arrogancës, i taksave të larta. Kjo është plotësisht e mundur dhe sot unë kam një program, kam një ekip që ndërthur kontributet në vite dhe energjinë dhe potencialet e reja të cilat janë bashkuar me Partinë Demokratike jo për të marr, se ne sot jemi në opozitë, por për të dhënë dhe për të kontribuar. Pra Partia Demokratike shkon në këto zgjedhje me një ekip ku ndërthurret eksperienca më e mirë, integriteti dhe energjia rinore. Dua të sjell në vëmendjen tuaj faktin që dy ditë para të nisesha për këtu, ne kemi hapur një proces unik në politikën shqiptare, të përthithjes të kandidaturave për deputet, jo vetëm duke pyetur strukturat tona, ananëtarët tanë dhe mbështetësit tanë por duke pyetur qytetarët anembanë. Duke ju drejtuar kështu, jo vetëm drejtuesve të partisë demokratike, por edhe shoqërisë civile, botës akademike, botës së sipërmarrjes, të përndjekurve politikë, pronarëve, organizatave jo-fitimprurëse, rinisë, pensionistëve. Pra, të gjitha kategorive shoqërore, për të evidentuar njerëzit më të gatshëm dhe më të besueshëm për të qenë deputetët e ardhshëm të partisë demokratike. Ky është një proces i domosdoshëm për të kthyer besimin tek politika, hapja e partive politike. Sepse këtu ku kemi ardhur, zoti Xhixho, kemi ardhur si rezultat edhe i partitokracisë, i vendim-marrjes së mbyllur, i korrupsionit të ngritur në sistem për shkak se të gjitha vendimet merren dhe kontrollohen nga një palë duar dhe po kështu kontrollohet pushteti që lind nga këto vendime. Kjo do të marrë fund me mua. Partinë po e hap. Hapja do të jetë e parikthyeshme, do të vazhdojë të zgjerohet dhe kështu me këtë frymë hapjeje, siç menaxhojmë sot betejën opozitare nesër do të menaxhojmë qeverisjen e vendit. Në konsultim të plotë me qytetarët, duke përfilllur kërkesat e qytetarëve, duke mos i shkelmuar ato, pa arrogancë, duke i njohur problemet, duke i zgjidhur problemet.
Zëri i Amerikës: Si do të jenë listat e deputetëve të partisë, do të jenë lista të hapura apo do të jetë të përcaktuara nga kryetari i tanishëm?
Lulzim Basha: Sistemi aktual nuk lejon lista të hapura por propozimi ynë për votimin elektronik i hap rrugë listave të hapur. Partia demokratike nuk kemi qenë dhe nuk mund të jemi kurrë pengesë për listat e hapura. Unë e kam thënë dhe dua ta përsëris, për mua çdo sistem që e sjell deputetin më afër qytetarit është i pranueshëm. Por për momentin, vëmendja jonë është tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Të garantohet vota e shqiptarit, le ta zgjedhin vetë kë sistem të duan. Me zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe me mbështetjen e partnerëve tanë amerikanë dhe euroatlantik, partia demokratike shkon e sigurt drejt fitores.
Zëri i Amerikës: Edhe një pyetje e fundit, lidhur me një reform po aq të rëndësishëme që është ende duke u kryer në Shqipëri, që u miratua, po vazhdojnë ende të miratojnë ligje të tjera për reformën në drejtësi. Nuk dua të ndalem në meritën, në vlerat ose në difektet e kundërshtimeve ose ankesave që keni pasur ju ndaj këtre ligjeve. Por, do të ndalemi tek çështja e përceptimit, e imazhit. A mendoni se kundërshtimi që ju i keni bërë kësaj reforme ose çuarje e këtyre ligjeve të reja në gjykatën kushtetuese që mund të kenë qenë ankesa tuaja plotësisht të drejta, por ka përfunduar që janë rrëzuar, mund ta dëmtojë imazhin e partisë dhe mund të ketë një kosto elektorale?
Lulzim Basha: Absolutisht jo. Sepse partia demokratike prej ditë së parë ka qenë pro reformës në drejtësi. Të tjerat janë broçkulla dhe “fake news” për të përdorur një term nga presidenti Trump. Janë lajme të rreme të shpërndara dhe të fabrikuara nga kundërshtarët e vërtetë të një reforme të vërtetë në drejtësi, ata që i tremben drejtësisë së pavarur. Ne kemi kundërshtuar një drejtësi në duart e kryeministrit, në duart e këtij kryeministri apo në duart e mia, apo kushdo që vjen pas meje. Por ne kemi qenë prej fillimit për një drejtësi të pavarur dhe për këtë kemi marrë edhe përgëzimet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Zv/Sekretarja Nuland. Unë kam patur rastin ta bisedoj këtë edhe me anëtarët dhe drejtuesit e lartë të administratës që inagurohet nesër dhe kam marrë sigurinë, garancinë, që ata do të mbështesinë plotësisht këtë përçasje parimore ndaj vlerave të lirisë, demokracisë dhe shtetit ligjor, jo shtetit njëshit, jo shtetit të kyreministrit por shtetit ligjor, shtetit të së drejtës. Ndaj nga kjo vizitë, deri tani sepse nesër kemi ditën e madhe në Uashington, dua të ndaj me gjithë shqiptarët kënaqësinë e madhe të një Uashingtoni që mbetet thellësisht i interesuar për përparimin dhe zhvillimin e Shqipërisë dhe të një administrate të re të presidentit Trump që pret me padurim të vazhdoj kontributin për sigurinë, shtetin ligjor dhe zhvillimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në të gjithë rajonin. Kam patur rastin të flasë edhe për problemet e fundit në Kosovë dhe çështjet e stabilitetit rajonal në tërësi dhe ju them në fund të kësaj interviste se për partinë demokratike me ardhjen e presidentit Trump nis erë e re, jo vetëm për Amerikën por edhe për Shqipërinë, ku në qendër do të jetë qytetari dhe fuqia e qytetarit, vota e qytetari, zëri i qytetarit do të përbëj ndryshimin e vërtetë. Unë do të mbështetem fuqimisht tek ky shembull dhe kam besim te madh se ky shembull jo vetëm do mbështesë por edhe do të frymëzojë një ndryshim të shpejtë në Shqipëri.
Intervista e kryetarit te Pd, Lulzim Basha per Zerin e Amerikes, 19 Janar 2017
Read More