Blog

28 Nën
0

Të nderojmë sakrificën e dëshmorëve duke u bashkuar për një Shqipëri ku kthehen e nuk largohen shqiptarët

Dua t’ju uroj të gjithë shqiptarëve kudo që janë, të gjithë bashkatdhetarëve Gëzuar 28 Nëntorin!

Ta nderojmë sakrificën e dëshmorëve të kombit duke u bërë bashkë, duke u bashkuar për ta bërë Shqipërinë një vend ku kthehen dhe jo largohen shqiptarët.

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Zoti e bekoftë Kombin Shqiptar!

Gëzuar 28 Nëntorin!


Urimi i Lulzim Bashës për 28 Nëntorin, 2016

 

Read More
27 Nën
0

Basha: Të krijojmë një shoqëri ku ecën përpara puna, mundi dhe aftësia

Lulzim Basha me demokratët e Tepelenës: Bashkimi i të gjithë qytetarëve të ndershëm është rruga e largimit të kësaj qeverie

Me demokratët e Tepelenës, Lulzim Basha ndau shqetësimin për gjendjen e rëndë të vendit si pasojë e keqqeverisjes dhe vizionin e tij për të kthyer pushtetin në duart e qytetarëve.

Basha pohoi se shqiptarët po kërkojnë në masë ndryshim dhe Partia Demokratike duhet t’i prijë kësaj vale popullore.

Por kreu i opozitës, nuk harroi ti kujtojë demokratëve se ndryshimi fillon nga vetja.

“Po ngjizet një konsensus mbarëkombëtar që kështu nuk shtyhet më, por ne jetojmë me këtë realitet e duhet të jetojmë me këtë realitet. Duhet të përballemi me këtë realitet, të gjithë, duke filluar nga unë i pari”, tha kryetari i Partisë Demokratike.

Basha theksoi se kjo nuk ka të bëjë thjesht me një rrotacion të pushtetit, por me rikthimin e tij në duart e qytetarëve. Ndaj themeltare për Lulzim Bashën është rëndësia e identifikimit të secilit prej tyre. Qytetarë në nevojë, të pa punë, në varfëri apo të dëmtuar nga abuzimi qeveritar.

“Ka ardhur koha që ne të kemi jo thjesht një ide, por regjistrin e plotë të familjeve në nevojë ekonomike, të të papunëve me qëllim që buxheti ynë që në ditët tona të para, t’i përgjigjet këtyre nevojave, t’i përgjigjet këtyre sfidave. Familjeve në nevojë ekonomike 200KW për muaj, do t’i kenë falas të paguara nga buxheti i shtetit. Familjet në nevojë ekonomike, do të kenë të paguar faturën e ujit nga buxheti i shtetit. Unë nuk do të pranoj kurrë asnjë investim, asnjë lek që hidhet për fasada dhe për luks sa kohë që nuk kemi zgjidhur tërësisht problemin e bukës, ujit dhe dritave, për çdo familje shqiptare, për çdo shqiptar kudo që është”.

Në Tepelenën e gjunjëzuar për shkak të narkotrafikut, kreu i selisë blu pohoi se droga nuk është zgjedhja e fshatarëve të varfër apo e të rinjve që nuk kanë asnjë mundësi tjetër, por e bandave të lidhura me pushtetin.

Basha tha se përmes Partisë Demokratike do të ndërtojë një Shqipëri të shanceve të barabata dhe meritokracisë.

“Qëllimi ynë është të ndërtojmë një ekonomi që u ofron mundësi të gjithë shqiptarëve. Cili është sekreti  shoqërive që ecin përpara. Nderojnë punën, nderojnë djersën dhe mundin e njerëzve. Kush punon ecën përpara. Çfarë kemi ndërtuar këtu në Shqipëri? Një sistem ku sado të punosh, sado i ndershëm të jesh, sado mund dhe djersë të derdhësh, nuk ecën përpara. Kush ecën përpara? Servili, gënjeshtari, i paafti, i korruptuari, krimineli. Cili vend ka bërë përpara në këtë mënyrë? Cila shoqëri është ndërtuar mbi këto baza? Asnjëra. Kjo është rruga për të shkatërruar shoqërinë, për të shkatërruar bashkëjetesën, dhe kjo po ndodh. Shqiptarët poi kin përsëri masivisht në kërkim të një jete më të mirë, jashtë Shqipërisë. Shkojnë në vende të huaja. Ikin nga vendi i tyre, shkojnë në vende të huaja në vende ku sistemi ofron që puna nderohet. Mundi nderohet, djersa shpërblehet. Ku hajduti dhe i korruptuari shkojnë në burg. Ndërsa këtu, puna, mundi, djersa ndëshkohen. I korruptuari dhe hajduti bëhen deputetë, bëhen ministra, bëhen kryeministra. Bëjnë ekonomi. Kanë pushtet, kanë mirëqenie, kanë para. Premtimi ynë kryesor ndaj shqiptarëve është që së bashku me shqiptarët e ndershëm, që janë shumica absolute këtu, ne do ta përmbysim këtë realitet. Do ta përmbysim duke marrë pushtetin që ka kjo pakicë e duke ja dhënë shumicës, të cilës i takon. Është pushteti i shqiptarëve. Është qeverisja e shqiptarëve. Janë pasuritë e shqiptarëve. Këta janë zaptuesit. Këta duhet të largohen. Dhe bashkimi ynë me të gjithë shqiptarët e ndershëm, është rruga e largimit të kësaj qeverie”, tha kryetari i opozitës Lulzim Basha.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 27 nëntor 2016

img_0921 img_0912 img_0871 img_0842

Read More
26 Nën
0

Basha: Beteja jonë është betejë për t’u kthyer pushtetin njerëzve përmes qeverisjes transparente

Lulzim Basha me anëtarët dhe mbështetësit demokratë në Memaliaj

“Duam apo nuk duam ne, Shqipëria nuk mund të vazhdojë më kështu. Ne ndodhemi para zhvillimeve dinamike, javët dhe muajt do të vijnë,” u tha Lulzim Basha anëtarëve të Partisë Demokratike në Memaliaj, duke u kërkuar të jenë në krye të aksionit për hapjen e partisë dhe veçanërisht qëndrimin me njerëzit dhe pranë tyre.

“Gjendja reale e njerëzve është aty ku nuk mban më. Dhe kjo nuk është më çështje e mbështetësve të Partisë Demokratike. Shqipëria sot de fakto i takon një pakice, që janë bërë multimilionerë, miliarderë në kurrizin e shqiptarëve.”

“Jemi mbledhur këtu për të rënë të gjithë dakord me njëri-tjetrin dhe pastaj jashtë këtyre mureve me banorët e Memaliajt, e Tepelenës, e Gjirokastrës dhe e gjithë Shqipërisë se beteja në të cilën thirremi dhe i thërrasim, nuk është thjesht betejë për të përmbysur një qeveri të korruptuar, por është betejë për t’u kthyer pushtetin njerëzve duke bërë qeverisje transparente dhe të përgjegjshme që lekët e taksapaguesve të shkojnë tek taksapaguesit.”

Basha shpjegoi se Partia Demokratike ka zgjidhje konkrete dhe realiste për gjendjen e rëndë që po kalon vendi dhe qytetarët.

“Familjet në nevojë ekonomike në qeverisjen time, në qeverisjen tonë, 200 kilovatët e parë do t’i kenë falas. Faturën e ujit për konsumin e tyre jetik do ta kenë falas. Se nuk do të ketë nën qeverisjen tonë as palma, as lluks qeveritar të shfrenuar. Që të ketë familje të cilat nuk janë më në errësirë dhe kanë bukën të garantuar.”

“Zgjidhja jonë është 100 milion euro buxhet për subvencione për çdo fermer në vit, është 1 përqind e prodhimit të brendshëm bruto, për 300 mijë familjet fermere, pa burokraci pa NIPT në varësi të prodhimit bujqësor apo blegtoral do t’i jepen lekët në dorë, grant.”

“E kemi ne projektin për rendin dhe sigurinë, e hartuam. Dhe kjo është punë e jona, e askujt tjetër.”

Kryetari i Partisë Demokratike u kërkoi drejtuesve dhe anëtarëve të shkojnë derë më derë, për të identifikuar hallet konkrete të njerëzve, çdokënd që është në varfëri, i papunë dhe i goditur nga fatkeqesitë e natyrës dhe abuzimet e qeverisë.

“Ajo që kërkoj nga gjithësecili prej jush është në rradhë të parë të prekni dhe evidentoni problemet për zonat ku jeni përgjegjës.”

Basha bëri të ditur se duke ndryshuar PD-në, do të ndryshojë politikën dhe vendin. Më pak pushtet për kryetarët e politikanët, më shumë për qytetarët. Basha foli për një Shqipëri që ofron shanse për të gjithë.

“Kemi në anën tonë të vërtetën, kemi në anën tonë faktet, kemi në anën tonë argumentat, kemi në anën tonë alternativën që presin njerëzit. Kemi në anën tonë, apo gati duke ardhur në anën tonë, njerëz që kurrë nuk u ka shkuar mendja tek Partia Demokratike si zgjidhje.”


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 26 nëntor 2016

 

img_0737 img_0729 img_0647 img_0641 img_0483

Read More
25 Nën
0

Jemi parti e gjithë shqiptarëve, buxheti ynë do i përgjigjet nevojave të qytetarëve

Ky takim ka të bëjë me fazën finale të procesit të hapjes, të bashkimit, të përgatitjes së PD dhe të opozitës për të marrë përsipër përgjegjësinë e madhe, barrën e kthimit të shpresës tek Shqipëria, tek shqipëtarët, për një Shqipëri që i ofron shanse dhe mundësi të gjithëve.

Bashkarisht edhe këto javë, këto muaj, kemi qenë pjesë e një faze konsultimi e bashkëbisedimi me njerëzit me qytetarët me anëtarët e PD. Ky konsultim ka qenë i vazhdueshëm, por tashmë në këtë fazë përfundimtare , do të na duhet që së bashku me ju, me drejtuesit e PD në rrethe dhe këtu në qendër të marrim vendimet e aksionit tonë politik, të marrim vendimet që presin shqiptarët për alternativën tonë për programin tonë, për ekipin tone, për përfaqësimin tonë para shqiptarëve. Jam i bindur se me këtë konsultim që i ka kaluar gjithmonë konturet e partisë tonë politike dhe, që ka përfshirë gjithë qytetarët e ndershëm të këtij vendi dhe do ti përfshijë të gjithë ata që duan të jenë pjesë e ndryshimit të vërtetë, ne do të konkludojmë me vendimet e duhura, si i përsa i përket aksionit politik, ashtu edhe sa i përket alternativës, programit, ekipit tonë të ri.

Lajmet e këtyre ditëve nuk janë lajme të mira. Realiteti ynë i drogës i krimit, i korrupsionit tashmë, jo vetëm është kuptuar, por po theksohet nga e gjithë Evropa.

Mediat dhe politikanët e Evropës po flasin hapur dhe pa dorashka. Ky realitet që shqiptarët e përjetojnë përditë në kurrizin e tyre, në shtëpitë dhe familjet e tyre, tashmë po vë në rrezik integrimin europian të vendit. E shohim e prekim, janë fakte që i di unë, i dini ju, i dinë demokratët, i dinë opozitarët, i dinë të gjithë, i di e gjithë Shqipëria, të gjithë i kuptojnë. Ka vetëm një njeri në botë që nuk e sheh këtë realitet dhe i fshihet me vetëmohim. Ky person fatkeqësisht është kryeministri aktual i vendit . Në vend që të reflektojë për gjendjen ku është zhytur Shqipëria, në vend që të reflektojë për mesazhet e forta që nuk kanë nevojë për ndërmjetës, ai ka zgjedhur të fshehë realitetin dhe të vazhdojë avazin e tij të propagandës së shfrenuar, trushplarjes dhe keqinformimit të qytetarëve shqiptarë me regji qendrore.

Sot dhe tash tri vite në Shqipëri janë përjetuar dy botë, bota – realiteti, ku jetojnë shqiptarët dhe bota ku jeton Edi Rama. Kjo e fundit është bota e luksit, është bota e avionëve privatë, e çarterave, është bota e ekspozitave të kushtueshme në  kryeqendrat e botës, është bota e qejfit, e udhëtimeve. Eshtë bota e indiferencës totale ndaj realitetit ku jeton pjesa tjetër e shqiptarëve. Sepse, shqiptarët jetojnë në një botë të varfërisë që shtohet, të papunësisë  që shtohet, të krimit, të drogës, të fëmijve në shkolla në gjendje të mjerueshme, të fëmijëve pa shkollë, të shëndetësisë në ditën e vet më të zezë, të njerëzve të dëshpëruar e të shtyrë deri në aktet më tragjike si lajmi i tmerrshëm që morëm sot nga Fllaka e Durrësit dhe gjithë ky realitet ka përballë një njeri, Edi Ramën i cili ka humbur vullnetin, dëshirën dhe mundësinë për ta parë këtë botë. Në zyrë e keni parë, i ka veshur muret me skicat e vizatimeve të tij, krenohet me skicat e vizatimeve të tij në vend që të kishte në zyrën e tij hallet e panumërta të shqiptarëve dhe skicat e projekteve për të zgjidhur këto probleme. Edhe kur i duhet të dalë nga zyra, cfarë bën? Merr me vete botën e tij të izoluar të luksit. E keni parë besoj sa herë që vjen me regji qendrore dhe bën të ashtëquajtura takime me qytetarët edhe në fshatrat më të thellë e më të varfëra të Shqipërisë, merr gjithmonë me vete karriget e rehatshme të Tiranës. Edhe sot në Peqin, nuk besoj se ishin karriget e Peqinit ato ku ishin ulur fermerët, jo, jo, janë karriget e lluksit. Merr me vete botën e tij të lluksit e transporton për pak minuta me regji qendrore dhe kur përballet me hallet e njerëzve sic u përball sot në Peqin, me atë zonjën që Ishte studente ekslence dhe që e ka të pamundur të gjejë vend pune si infermiere, çfarë bën; i trajton hallet si gënjeshtra, si ankesa dembelesh, i trajton hallet si sajesa sharlatanësh apo i stigmatizon si njerëz që janë aty jo për hallet e tyre, por për hallet e opozitës. Apo i stigmatizon si njerëz, të cilët janë aty jo për hallin e tyre, por për hallin e opozitës. Sepse, në botën e tij, fajin gjithmonë e ka dikush tjetër. Fajin nuk e ka kurrë as qeverisja, as kryeministri. Një ditë fajin e ka populli, pothuajse çdo ditë në fakt, ditën tjetër fajin e kanë mediat, çdo ditë fajin e ka opozita sepse për të, opozita është armiku kryesor. Eshtë armiku më i madh, siç e ka thënë, me i madh se krimi, droga apo korrupsioni.

Droga po mbyt Shqipërinë. Edi Rama thotë, fajin e ka opozita. Krimi ka shtënë në dorë shtetin, ekonominë, ky thotë fajin e ka opozita. Klientët e tij po plaçkisin çdo pasuri të vendit ku me ta ashtuquajturat konçensione që në fakt janë monopole qeveritare, ku me tendera korruptivë, ku me grabitje ashiqare të njerëzve të lidhur me të dhe me pushtetin e tij, shqipëria po zbrazet, njerëzit po ikin, ky thotë; fajin e ka opozita. Bota dhe Europa në veçanti po i bie këmbanave të alarmit, për drogën, për krimin, për korrupsionin, për gjendjen e vendit dhe përgjigjia e tij është; fajin e ka opozita. E di që nuk kanë mbetur shumë njerëz që shpresojnë se Edi Rama mund të ndryshojë, por nëse ka mbetur ndokush për fat të keq do të zhgënjehet. Tashmë Edi Rama e ka braktisur krejtësisht popullin e tij, vendin dhe të vërtetën. Ka braktisur të vërtetën. Tani, ai është një skllav i egos së tij, i etjes së tij për lluks, për pushtet, për para dhe për famë personale në kurriz të popullit më të varfër të Europës dhe kjo e ka çuar tek një grusht klientësh dhe tek krimi. Ndaj ne do të bëjmë detyrën tonë të shenjtë. Jo thjesht atë që nuk po bën Edi Rama dhe qeveria e tij, por atë që është detyra jonë ekzistenciale, arsyeja përse ekzistojmë si parti politike, përse jemi mbledhur këtu në këtë sallë. Përse kemi marrë përsipër përgjegjësitë me të cilat na kanë investuar demokratët, ajo detyrë është; të mendojmë për njerëzit, t’u gjendemi gjithmonë pranë, e në veçanti atyre që janë në nevojë. Braktisjes totale nga Edi Rama, të realitetit, të të vërtetave, ne duhet t’u përgjigjemi me solidaritet, me ndihmë për qytetarët dhe me një raport të pastër me të vërtetën e qytetarëve. E kemi bërë këto tre vite, mund, duhet dhe kam bindjen se do ta bëjmë edhe më mirë. Të vertetën e qytetarëve. Nga ana tjetër, kjo gjendje e vërtetë ekonomike, kjo gjendje e vërtetë shoqërore psikologjike, ky depresion, duhet të reflektohet në hartimin e një buxheti realist që ka në themel nevojat e njerëzve. Për këtë arsye, kërkoj nga ju, nga drejtuesit tuaj kudo ku ndodhen, të ndërmarrin një proces verifikimi, evidentimi, regjistrimi konkret të të papunëve, të të pastrehëve, familjeve pa të ardhura apo me të ardhura minimale, pra njerëzve në veshtirësi ekonomike, të njerëzve të goditur nga fatkeqëesitë natyrore, nga përmbytjet, nga sëmundjet siç është dermatoza nodulare, që po bën kërdinë në zonat rurale, nga prishjet e paligjshme të objekteve për të mundësuar, jo këtë buxhet që ka sjellë ky, se ky do të jetë buxheti më jetëshkurtër në historinë e Shqipërisë, por që buxheti ynë t’i përgjigjet realisht këtyre nevojave sepse buxheti ynë, buxheti im, buxheti i Partisë Demokratike, nuk do të shkojë për kolltuqe, për palma, për fasada, por do të shkojë në radhë të parë dhe mbi të gjitha, për njerëzit në nevojë që sot përbejnë për fat të keq shumicën dërrmuese të qytetarëve shqiptarë. Nuk mund të lejojmë, dhe nuk do të lejojmë qindra miliona euro për fasada, ndërkohë që familjet në nevojë ekonomike nuk marrin ndihmën ekonomike. Ata që e marrin, e lënë po atë ditë për faturat e energjisë, për faturat e ujit, për gjobat, për penalitetet, për kamatvonesat. Me qeverinë tonë, qëllimi i parë dhe kryesor është që asnjë familje nuk do të mbetet pa bukë, pa ujë dhe pa drita. Ç’më duhet mua si kryeministër 600 mijë lek palma, kur ka njerëz që nuk kanë bukë të ushqejnë fëmijët në darkë? Çfarë kryeministri do të isha nëse do të pranoja shpenzimin e 140 milionë eurove në një vit për 11 klientët e mi, kur me këto para mund të kisha hapur 55 mijë vende pune. 55 mijë vende pune! Kjo krizë ekonomike dhe sociale që vendi po kalon, fakti që sot mijëra familje diskutojnë bukën e fëmijëve, pamundësia për të paguar çmimin e rritur në energjisë e cila sipas EUROSTAT është më e larta në rajon, ky realitet nuk futet, nuk depërton dot, në zyrën me vizatime të Edi Ramës.

Ky popull e paguan energjinë më shumë se çdo popull tjetër në Ballkan. Këto janë vijat tona të kuqe të papranueshme, jo vetëm sot si opozitë por dhe nesër në qeveri. Propaganda me suksese imagjinare duhet dhe do të marrë fund me fundin e kësaj qeverie. Prandaj kërkoj që brenda 15 Janarit, degët tona, aktivistët tanë, anëtarët tanë, simpatizantët tanë, këshilltarët tanë bashkiakë, deputetët tanë, kryetarët tanë të bashkive, të evidentojnë me saktësi në çdo rreth të Shqipërisë gjendjen reale të papunësisë jo thjeshtë si statistikë por si njerëz me halle e brenga, pra si njerëz me emër dhe mbiemër, njerëz që janë në vështirësi ekonomike që nuk kanë asnjë të ardhur, të gjithë ata që kanë pësuar dëme nga fatkeqësitë natyrore, nga përmbyjet, që u janë sëmurur bagëtitë, atyre që u janë prishur pa të drejtë banesat. Këto të dhëna do të vihen në funksion të përfundimit të programit social dhe hartimit të buxhetit realist të Partisë Demokratike, që do të adresojë saktësisht këto nevoja. Alternativa jonë do të jetë një alternativë realiste siç i takon çdo vendi demokratik dhe jo përralla, as fjalë në hava, por plane të mbështetura tërësisht në nevojat e qytetarëve dhe në mundësitë që kemi për ti përballuar prej ditës tonë të parë në qeverisje. Ky është misioni i një qeverie. Kemi të saktë problematikën ekonomike dhe sociale në çdo zonë të vendit. Nuk mund të lejojmë më dhe nuk do të lejojmë, që në kufinjtë e mbijetesës, shqiptarëve t’u orfrohet përsëri gënjeshtra e 20 mijë lekëshit apo e thesit me miell në prag të zgjedhjeve. Do ti garantojmë përmes këtij procesi transparent të vërtetë dhe konkret që nesër qeveria jonë, qeveria ime do të mundësojë që çdo familje shqiptare të ketë bukë, ujë dhe drita. I kemi dhënë zgjidhje kësaj në platformën tonë. Kemi diskutuar bashkarisht me qytetarët duke marrë përsipër në buxhetin e shtetit pagesën e plotë për familjet në nevojë ekonomike deri në 200 kilovat, edhe faturën e ujit për të gjithë familjet në nevojë, për të gjithë familjet e varfëra.

Eshtë e papranueshme, e theksoj; është kriminale dhe do ta trajtojmë si kriminale në aspektin kriminal dhe në aspektin financiar që miliona dollar, 100 milionë dollarë vetëm këtë vit, kanë shkuar për makina, për luks, për palma ndërkohë që njerëzit janë pa bukë, pa ujë dhe në errësirë. Kjo në qeverisjen time, kjo në qeverisjen tuaj, do të marrë fund.

Në mënyrë konkrete i bëj sot thirrje qeverisë të kryejë menjëherë vaksinimin e plotë të të gjithë lopëve të prekura nga dermatoza nodulare. Janë 400 mijë lope në gjithë vendin. Qeveria duhet të akordojë mjaftueshëm para për të blerë vaksinat për çdo lopë. Kushtojnë më pak se sa rryshfeti shtesë që i jep një nënkontraktori për të ndërtuar shtabin e ri të hajdutërisë të OSHEE-së. Kushtojnë më pak se 1 milionë dollarë. Nuk i gjejnë 1 milionë dollarë për bagëtitë e fermerëve sepse ato para i përdorin për çartera. Ashtu si nuk gjen dot 8 milionë lekë për të riparuar aksin nacional në Bërzhitë për 1 vit sepse 10 milionë lekë merr çarteri për në Hamburg. Po kështu, me këtë kërkesë dua të siguroj të gjithë fermerët se si kryeministri i vendit në krye të qeverisë së ardhshme do të ofrojmë ndihmë të plotë për vaksinimin e të gjitha bagëtive dhe do të kompensojmë me vlerë financiare të gjithë bagëtitë e humbura si rezultat i kësaj sëmundje dhe neglizhencës qeveritare. Puna që na pret është e jashtëzakonshme.

Ky është një udhëtim për të gjithë shqiptarët, drejt një Shqipërie që ofron mundësi për të gjithë ata. Larg një Shqipërie ku një pakicë ka në dorë politikën, ekonominë dhe gjithë resurset e vendit. Kjo do të jetë një betejë e vështirë sepse sfidat janë të larta, por në anën tonë janë interesi publik, e mira e përbashkët dhe dëshira e shumicës dërmuese të shqiptarëve për ndryshim.

Bashkë me ta le të bëhemi shpresa për këtë ndryshim, bashkë me ta le të bëhemi ky ndryshim tek i cili mund dhe do të besojnë gjithë shqiptarët. Dhe jo një ndryshim vetëm për një grusht pushtetarësh brenda partive politike. Dhe për këtë na duhet një hapje e vërtetë, një bashkim i fuqishëm, një vendosmëri për të përfaqësuar në çdo nivel, jo thjeshtë e vetëm interesat tona si parti, por interesat e çdo shqiptari.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 25 Nentor 2016

Read More
25 Nën
0

Gruaja, viktima më e madhe në qeverisjen e Ramës

Albana Vokshi për Ditën Ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave

Viktimat e dhunës me bazë gjinore në Shqipëri po shtohen çdo ditë.

Shifrat janë alarmante.
– mijëra gra e vajza u pushuan nga puna dhe u hodhën në rrugë thjesht për arsye politike;
‎- papunësia ndër gra e vajza rritet çdo 3 mujor. Në disa rajone të vendit varion nga 50-70%.
– mijëra të tjera, kryefamiljare, u hoqën nga Ndihma Ekonomike, duke pamundësuar 3 vakte bukë për fëmijët e tyre;
‎- sot punonjëset e administratës, mjeket, infermieret, mesuesit janë të kërcënuar çdo ditë se do pushohen nga puna nëse nuk marrin pjesë në mbledhjet e Partisë Socialiste ose nuk kryejne check- up.
– mbi 200 mijë shqiptarë aziluan në 2 vitet e fundit, dhe 200 mijë te tjerë aplikuan për ëndrrën amerikane. Dhe më shumë se gjysma e tyre janë gra e vajza te cilat Rama po i detyron të largohen pa kthyer kokën pas.
‎- Gratë dhe vajzat shqiptare dhe ato te komuniteteve rome dhe egjiptiane kanë humbur të drejtat e tyre dhe shumica e profesionisteve janë larguar nga Shqipëria.

Në vetëm 9 muaj të viti 2016 janë regjistruar mbi 3 mijë raste dhune me bazë gjinore. Në mbi 80% të rasteve ‎arsyeja është varfëria dhe papunësia.

Mashtrimi me politikat gjinore dhe rrëzimi i Mekanizmit Kombëtar Mbrojtës për të Drejtat e Grave kanë dobësuar statusin e grave në shoqëri.

Por dhuna gjinore nuk është prezent vetëm brenda mureve të shtëpisë, por ka shpërthyer kudo se modelin e jep vetë Kryeministri. E jep në Kuvend kur fyen e poshtëron gratë deputete, e jep në takime kur ndihet në siklet e target ka gratë, e jep çdo ditë me fjalorin, por më së shumti me politikat antisociale.

Sjellja e dhunshme e Kryeministrit është përhapur si epidemi në çdo vendim-marrje dhe ndërmarrje. ‎
Historia e shfrytëzimit të grave dhe fëmijëve në Ndërmarrjen e Bashkisë Tiranë, viktimat e fshehura në pirgjet e mbeturinave, gruaja 42 vjeçe dhe fëmija 17 vjeç, janë ngjarjet e tmerrshme që ende çensurohen dhe përndiqen e kërcënohen bashkë me gazetarët që publikuan investigimin.

Gratë dhe vajzat janë më të varfëra dhe më të pambrojtura se tre vite më parë. ‎

Dita Ndërkombëtare Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave është një apel revolte kundër dhunës shtetërore të përhapur në çdo qelizë të institucioneve.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 25 nëntor 2016

Read More
24 Nën
0

Berisha- qeverisë: Ju jeni mafia e plehrave, nuk njihni kufi për të vjedhur këtë vend

Zonja deputete!

Zotërinj deputetë!

Kumbarë ministra!

Ndrikulla ministre!

Sigurisht që ju quaj ndrikulla. Kur të kap mafia quhesh ndrikull, kur nga mëngjesi deri në darkë vjedh paratë e taksapaguesve minimumi quhesh ndrikull.

Të dashur qytetarë që ndiqni këtë seancë!

Së pari dëshiroj t’u përcjell përshëndetjet më të përzemërta atij grupi qytetarësh, që në mbrojtje të interesave jetike të çdo qytetari shqiptar, në mbrojtje të shëndetit, në mbrojtje të jetës, në mbrojtje të të ardhmes së shqiptarëve në këtë vend, zbardhën një natë në të ftohtë për të bërë një thirrje, një apel e një kushtrim mbarë qytetarëve të vendit; të mbrojmë shëndetin dhe jetën tonë dhe të fëmijëve tanë, të mos pranojmë që kjo qeveri, për lidhjet e saj të dokumentuara mafioze, të cilat i paraqita para një jave me dokumenta, me mafien italiane të shndërrojë Shqipërinë në megapellgun e plehrave të Italisë dhe më gjerë.

Politika  e shndërrimit të Shqipërisë në megapellgun e plehrave është një politikë jashtëzakonisht e rrezikshme që kërcënon në mënyrë thelbësore jetën e shqiptarëve. Dhe marrëveshja e importit të plehrave, futja në trajtimin e plehrave të Tiranës të kompanive të Ndraghetës janë vetëm disa aspekte. Aspekte të tjera po kaq makabre zhvillohen në heshtje në sekret njësoj si në shpellat mafioze në këtë qeveri.

A e dini të dashur qytetarë se sot duhet të ishte në Kuvend, ligji për katastrofën e Korçës, Pogradecit dhe Kolonjës, ligj që do shndërronte zonën më të pasur të Shqipërisë, në pellgun më të ndotur të Ballkanit dhe Evropës?! Ligji që i jepte jetë një projekti, të cilin nuk guxoi asnjë qeveri që nga viti 1992 deri sot, t’i japë jetë, i ndërtimit të një megateci me torfën e kënetës së Maliqit, e cila në në sipërfaqen që do të jepej për këtë qëllim për 157 milionë metër kub, e cila, sipas ekspertëve më të shquar të fushës, për shkak të koeficinetit të ulët energjitik do të prodhonte 50 milionë metër kub hi pleh me të gjitha mbetjet toksike.

Ky është peshqeshi që Peleshi i bën Korçës me kryemafiozin, me don Edvinin. Po ka mendje të sëmurë që mund t’i lejojë vetes një vendim të tillë? Dhe e bën këtë në sekretin më të plotë, duke thyer çdo ligj të vendit, duke mos patur asnjë autorizim tjetër përveç xhepit të Lefterit, që majmet me rryshfetet që merr nga kriminelët e mjedisit dhe të Peleshit me shokë.

A ka mundësi o socialistë t’ju pyes si ka mundësi që nuk pyetet asnjë qytetar i Korçës? Ku e keni ligjin e kalimit nga fondi bujqësor në fond të përdorimit për TEC të 288 hektarëve tokë në Maliq? A keni ndjenja njerëzore a jo, o të babëzitur që mendoni vetëm për xhepat tuaj. Si mund të veproni prapa shpinës o të neveritur?! Këtë as diktatori nuk e bënte. A doni t’ju jap dokumenta të plota?! Ju jeni të mbërthyer kokë e këmbë nga mafia e plehrave! Ju jeni mafia e plehrave! Në fakt, kufi për të vjedhur këtë vend ju nuk njihni.

Vazhdojmë më tutje. Cfarë ndodh me inceleratorët. Shkoni në Fier. Pa pyetur asnjëri, në Mbrostar kërkojnë t’u bëjnë gjëmën, t’u kallin datën. A e dini si është bërë tenderi i inceleratorit në Fier? Nëse keni ndjenjat më minimale njerëzore për fëmijët e Fierit, ju o deputetë socialistë merreni e shiheni tenderin se si është bërë, si është hapur. Tenderi është hapur se kush do të ndërtojë inceleratorin, pa asnjë lloj kushti. Cfarë po ndodh tani? Tani inceleratorët e përdorur për 30 -40 vite, që të gjitha, teknologjitë më të reja të djegies, të cilat janë në përdorim, i kanë nxjerrë jashtë përdorimi, i kanë nxjerrë në skrap. Ky skrap po vjen falas në Shqipëri dhe tenderi prej 20 mln eurosh, i shpallur si fond për inceleratorin është shpallur 20 milion vjedhje, se atë ta bëjnë dhuratë falas dhe të tillë në Europë ka me dhjetëra sot. Po ne duhet të vjedhim 20 milionë dollarë nga buxheti, për të blerë një të tillë për privatin. A ka kufi, a ka normë dhe etikë ky njëri që s’bën asgjë tjetër veçse pasurimin e tij. Ky njëri, i cili nga mëngjesi deri në darkë përdor mediat dhe mendon se me koprolalinë dhe llogorenë e tij të neveritshme do mund të mbulojë këto vjedhje monstruoze. Me shifrat që shpik, me elif matrakë mendon se do mund të gënjejë shqiptarët.

Një nga kriteret më themelore sot të BE është mbrojtja e mjedisit, sepse mjedisi është jeta. A dëgjoni ndonjëherë të flasin për mjedisin? A nuk e bënë këta moratoriumin e drurëve, e prerjes së drurit? Shkoni në rrugën në Librazhd. Cdo 10 min kalon një makinë me trungje. Për të gjitha taksën e merr Edi Rama me çakallin e tij të pafytyrë, me çakallin që e përdor si leckë për këpucët. A dëgjuat ju për moratoriumin për gjahun? Ja u kanë dyllosur çiftet gjahtarëve të ndershëm që prej vitesh e dekadash jetonin me gjahun. Dhe kanë dyfishuar çiftet e nomenklaturës së tyre të kalbur socialiste, që vjedh nga mëngjesi në darkë, plaçkit edhe cipëza toke, ku mundet e ku s’mundet. Do që të prishë në Himarë shtëpi mbi 300 vjeçare dhe nuk prish pallatet e Koços, që janë dy monstra, dy përbindësh që i kanë zënë detin Himarës, sepse është aksioner. Del dhe flet këtu për naftën, ndërkohë që mafia e naftës bën ligjin në Shqipëri që kur e mori me Besnik Sulën. A e dini ju që janë zhdukur mbi 40 mijë ton naftë dhe ky zotëria jep porosi që të mos flitet për këtë? Këta mashtrues ordinerë që përdorin këtë platformë për të lëshuar gënjeshtra dhe mashtrime për qytetarët të pafajshëm shqiptar. Dalin e flasin se mblodhën të ardhurat. Cfarë mblodhët? Duke rritur taksat 50%, kanë mbledhur në 4 vite, 4 herë më pak nga ç’kemi mbledhur ne me uljen e taksave mbi 50%. Dallimi është i madh shumë. Se ato para që u mblodhën me ulje taksash shkuan jo vetëm në buxhet por edhe biznesit i vjelet shumë më tepër, kurse këta vjedhin e vjedhin çdo fjë, natën, ditën, në çdo tender e gjithçka tjetër.

Cfarë bëni tjetër ju. Rregjistrimet tregojnë 19 mijë qytetarë, të cilët u shpallën se u janë bëra analizat, check -up, ishin të vdekur. A e kuptoni që karriget tuaja qëndrojnë mbi mashtrimet mbi të vdekurit, mbi përdhosjen e tyre. Përdorni edhe të vdekurit për të vjedhur. 19 mijë të vdekur në regjistrat e ndrikullës vampire, që me kushurirën vampirë pijnë gjakun e të sëmurëve shqiptar. 150 mijë të tjerë s’kanë bërë kurrë check-up.

Sot për çdo shqiptar shpenzimet për shëndetësinë janë më të ulta se 15-20 vitet e fundit. Nga 250 dollarë që janë, 130 dollarë janë të qytetarit në buxhet, kurse këto të buxhetit i merr ndrikull Nushi e kumbar Rama dhe mbushin regjistrat me emra të vdekurish. Tani dalin e thonë se nuk e japin regjistrin.

Unë ja u them këtu se kjo do jetë një çështje beteje për jetë a vdekje. Mos mendoni se mund të mbani të dhënat se në mënyrë absolute tolerancë zero do ketë nga opozita nëse ju guxoni të mendoni të fshihni të dhënat, kaq ju them, provojeni. Se na ka nxjerrë atë perversin që i futën kallëpin te kryeministria dhe thotë janë të dhëna personale, dmth të vjedhin për të dhëna personale. Unë i them kuvendit që t’a garantojë funksionimin normal, përndryshe do marrim qëndrimet më të merituara ndaj këtij qëndrimi..

Ju po vidhni haptaz por fshehje vjedhjesh ne nuk u lejojmë. Tani kaluat tek analizat. U premtuat shqiptarëve se do të kemi shërbim shëndetësor falas. Sot shërbimi shëndetësor është më i kushtueshëm se kurrë në Shqipëri. Sot 50% e shërbimeve janë pagesa direkte të qytetarëve shqiptarëve. Sot jo vetëm që nuk u hoqën sigurimet shoqërore, sikurse premtuat ju, por ato mbetën siç ishin me tendencë për rritje. Dhe tani, një vjedhje e paimagjinueshme.

Një muratori i dhatë sterilizimin!

Një magazinierjeje, apo ndrikull Nushit doni ti jepni laboratorët!

Nuk gënjehen shqiptarët, lëreni ç’thotë ky, se Rama është nastradin, nuk ka respekt për veten e tij, kujton se duke shqipëruar në çdo fjali një gënjeshtër kujton se kalon lumin.

Ka tre ditë që rreh gjoksin për partneritetin publik privat në shëndetësi. Do ti them njëriut që është tmerrësisht defiçitar se kur erdhëm në pushtet, në Shqipëri merrnin shërbimin e dializës vetëm 46 qytetarë. Të tjerët ose gjenin mik dhe mundësi në Janinë, ose në Strugë ose vdisnin. Nuk kishin ata asgjë tjetër! Nga 46, numri i të sëmurëve që morën shërbimin e hemodializës, pas firmosjes së partneritetit publik – privat arriti në 640!

Mirëpo njeriu as nuk skuqet, e as nuk zverdhet! se e di që këtu nuk ja pret kush fjalën dhe vazhdon. Ne e shpikëm këtë thotë. Që ta dini ju, me të njëjtin çmim e bënte kompania, por e bënte në lokalet e veta. Tani e bën me të njëjtin çmim, por në lokalet e shtetit! Pra të paktën aq sa është qiraja, 25% më shtrenjtë. Apo doni ta kapërceni me mashtrime këtë, doni ti kapërceni dështimet me mashtrime?

Nuk ka asnjë në botë që shërbimin qëndror të laboratorëve ta privatizojë. Nuk është se janë në nivelin më të lartë, por duhet të dini se në fushën e laboratorëve, në aparatura, në specialistë, në kualifikime janë investuar dhjetëra e miliona USD. Kam respektin më të madh për shërbimet private në spitalet private, por i garantoj qytetarët se laboratorët shtetërore janë laboratore serioze, drejtohen nga njerëz seriozë, nga laborante serioze, të cilat nuk kanë asnjë lloj interesi tjetër përveç saktësisë, nuk kanë interes për të regjistruar analiza fallco, nuk bëjnë check up-e fallco, kanë interes vetëm reputacionin dhe ndihmën e të sëmurit.

Por partneritetin publik – privat në laborator, përveç disa vendeve në Afrikë, e futi një një spital të vetëm dhe Britania e Madhe, në një spital të vetëm në Shën Thomas. Lexoni pak The Guardian çfarë thotë për këtë. 400 incidente janë bërë. Dështim i plotë thotë! Po ç’na duhet neve? Neve na duhet të vjedhim!

Të dashur qytetarë dhe qytetare,

Në 8 vite qeverisje ka patur vetëm një koncension, në të cilën buxheti juaj kalonte për shërbim privat, dhe kjo ka qënë hemodializa dhe asnjë tjetër. Kurse deri sot janë mbi 2 miliardë euro borxhe dhjetë vjeçare të buxheteve tuaja. Në një vit 19 të vdekur, prisni ju në vitet e ardhshme. Të gjitha do jenë shpenzime për ata që s’janë më ose gjysma e tyre. Po pse? Sepse paguajnë ministrin, paguajn kryekumbarin dhe kaq është e gjithë puna.

Tani na nxjerrin argumenti se këta na bëka 70 e ca analiza kundrejt pafundësisë që bën privati. Unë këtu do sqaroj dy gjëra. Së pari analizat sot, po bleve mjetet më moderne, i bën pafundësisht sa të duash. Po së dyti, në rast se zemra ka 200 tregues të punës së saj, dhe në vendet më të avancuara nuk përdoren më shumë se 20-30 prej tyre. Të tjerat janë teorike dhe i përdorin ata të cilët bëjnë studimethelbësore të avancuara por jo praktika e përgjithshme mjekësore. Ju doni të fusni paratë në këto? Ta dini mirë se kurrë sdo pranohet një gjë e tillë. Vjedhje dhe vetëm vjedhje. A e dini që ERE ka anulluar me urdhër tenderin e kumabrit Rama me kompaninë serbe. Kurse Rama urdhëron veglën e tij dhe i jep një llokëm të madhe pa tender, dhe, pasi ja jep asaj, bën me 1/3-tën e sasisë një tender me 5 kompani të tjera. A i pagoi kjo kompani ekspozitën në Beograd apo e bleu me dhurata të tjera? Një gjë është e sigurtë, se ajo është famoze në korrupsion. Dhe druaj se kjo është kompania nr. 1 që bllokon linjën Tiranë-Prishtinë dhe këtu Edi Rama është në tavë me këtë kompani. Kur Enti Rregullator i Energjisë urdhëron anullimin si të paligjshëm të tenderit, s’ishte tender por dhënie gratis, dhe këta vazhdojnë si pa të keq, sigurisht që këtu Rama është skllav i kompanisë serbe, e njohur kjo për korrupsion të politikanëve në Serbi dhe vende të tjera.

Më thatë se pse ti quaj kumbarë dhe ndrikulla. Po çfarë mund ti quaj ndryshe unë këta që shesin çdo interes për xhepat e tyre. A mund të veprohet siç veprojnë këta njerëz. Një njëri që del dhe bërtet e mashtron nga mëngjesi deri në darkë për suksese imagjinare në një kohë kur të gjitha janë dështime të plota. Cdo gënjeshtër e juaja, një nga një po del në dritën e diellit. Të jeni të sigurtë që i keni kohërat shumë të numëruara, keni marrë fund!

Lidhur me problemin e fundit, i them Edi Ramës të mos shërbehet me njerëz të cilët i depersonalizon, i shpërfytyroin, i degjeneron dhe degradon në shkallën më ekstreme në radhë të parë para vetes së tyre, para familjarëve më të afërt të tyre, para miqve e kolegëve, para zgjedhësve të Shqipërisë. Shërbeu sa të duash por ata janë simboli i fytyrës tënde. Unë nuk them se janë të pafajshëm, jo nuk janë. Ata janë skllevër të rekrutuar. Por e vërteta është se faqja e zezë të mbetet ty kur i detyron ata mjeranë të shpërfytyrohen dhe të gënjejnë në mënyrë të përsëritur para kamerave. E çon ministrin e jashtëm në Brazil dhe shtypi botës thotë se  shkoi në bordello burrash, dhe nuk e përgënjeshtron dhe nuk e hedh në gjyq….Po ju s’keni as dinjitet individual dhe asgjë tjetër. Po për cilin ministër është thënë kjo?   Ja u tha opozita këtë? Ja u tha bota more, e keni shkrimin që është qarkulluar në çdo kancelari të botës kudo që shkon. Nuk e shkruan dot opozita një shkrim të tillë. Absolutisht ja kanë shkruajtur ata që e kanë fotografuar, ata që e kanë faktuar. Po pse nuk del ta hedhi në gjyq autorin ky (Bushati)? Apo ja nxjerr fotot dhe videon pastaj? Cdo njëri, kudo që të ndodhë ka të drejtë të hapë gjyqe. Edhe Brazili ka një sistem gjyqësor të jashtëzakonshëm. Kanë kryqëzuar presidentin ata.

Së fundi do ti them Ramës. Me një zhgarravinë që ke shpërndarë, duke u vendosur yllin në ballë martirëve të kombit, i ke pushkatuar për së dyti ata. Turp i madh! Tregove që je besnik i xhelatëve të tyre sepse ata vërtet ranë në luftë me nazistët por për së dyti ata, idealin e tyre e ekzekutoi Enver Hoxha. Ti që e ke quajtur gjakun e tyre si gjak të rremë në themel të kolltuqeve, në faqen 7 të “Refleksione”-ve të tua, ti tani në vend të një ndjese publike, se ai është gjak i shenjtë jo gjak i rremë, ai që bie për atdhe atij i shenjtërohet gjaku. Yllin e kuq nuk ja u dha nëna dhe babai vet. Yllin e kuq ja u dha Enver Hoxha, kryekrimineli i të gjithë historisë kombëtare të shqiptarëve. Dhe ti ja u rivendos yllin e kuq pas 25 vitesh që e kemi hequr. Ti, atyre që ja u quan gjakun e rremë, tani na del në emër të babait tënd, skulptorit kriminel Kristaq Rama dhe kryexhelatit Enver Hoxha, gjete këto ditë t’ja u rikthesh yllin në ballë.

Ata kanë përjetësinë kurse ylli ka shkuar në koshin e plehrave të historisë së bashku me ata të cilët e sollën në Shqipëri.


Fjala ne kuvend e ish Kryeministrit Sali Berisha, 24 Nentor 2016

Read More
24 Nën
0

Jemi zëri i revoltës, nuk e përjashtoni dot popullin

Dua të trajtoj një problem që ka të bëjë dhe me procedurën, por duke qenë se minutat do të më duhen për ta sqaruar çështjen, mendova të flas i pari te çështja e rendit të ditës.

Ajo që dua të them është fakti se Byroja Parlamentare ka marrë një vendim për të përjashtuar nga punimet e parlamentit Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, zotin Paloka, si dhe një nga deputetët më aktivë të Partisë Demokratike, zotin Noka, qoftë në komisionet parlamentare, qoftë në seancat plenare. Ne si opozitë fjalën kemi, ne si opozitë këtë  foltore kemi. Të përjashtosh Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, apo deputetët aktivë të opozitës, është një veprim arbitrar, një veprim i padrejtë, një veprim i cili synon t’i mbyllë gojën opozitës.  Unë  do të kërkoja që  Byroja ta rishikonte çështjen, në mënyrë që të mos ecim me këtë lloj arbitrariteti duke synuar mbylljen e gojës së opozitës, pengesën për të sjellë në parlament zërin e qytetarëve. Ju e dini që ne hallet e qytetarëve sjellim në këtë sallë parlamenti, pasqyrim i zërit të tyre jemi në këtë parlament. Të ecësh në këtë drejtim, pra të kërkosh t’i mbyllësh gojën opozitës është një veprim jo i duhur që nuk i përgjigjet një Shqipërie e cila prosperon të jetë pjesë e Bashkimit Europian.

Siç jua thashë dhe më sipër, ne këtë foltore kemi, këtë zë kemi, sepse nuk mund t’i zgjidhim ne direkt hallet e qytetarëve. Por të paktën  mund t’i sjellim në këtë parlament dhe t’i bëjmë prezent për të gjithë. Kuptoni se sa e rëndësishme është kur çdo ditë përballemi me hallin e njerëzve, ashtu sikurse dhe një pjesë e deputetëve të maxhorancës që kanë aq fleksibilitet, aq mundësi, aq ndjenja për t’i dëgjuar,  për të sjellë zërin e tyre në parlament. Ngarkohemi çdo ditë me halle qytetarësh, të cilët ankohen për shërbimin jo të mirë në spitalet e vendit, për mungesën e ilaçeve nëpër spitalet e vendit, për njerëz që sorollaten nga spitali në spital dhe humbin jetën. Ngarkohemi çdo ditë me hallet e qytetarëve që ankohen për ministra të cilët vjedhin dhe grabisin çdo ditë pasuritë kombëtare, konkretisht si ministri i Shëndetësisë, meqë e nisa me hallet e njerëzve në këtë fushë, i cili jep tenderë me nga 100 milionë euro për kontrolle, 100 milionë euro gjoja për sterilizime, 100 milionë euro gjoja për hemodializën dhe pasi vjen këtu do të  pushtojë edhe  foltoren e parlamentit duke mos e lënë opozitën të bëjë prezente problemet. Kur ndodhesh në një situatë të tillë sigurisht që njerëz me mish dhe gjak jemi, pasqyrimin e revoltës kemi, sepse revolta, siç e shihni, po ngrihet çdo ditë kudo nga të gjithë qytetarët e këtij vendi. Ne këtë foltore dhe këtë zë kemi dhe sigurisht që do t’i sjellim këtu, hallet e njerëzve. Hallet e njerëzve që përmbyten, njerëz që nuk marrin shërbimet nga shteti, por lihen në mëshirë të fatit,  njerëz që u ngordhin bagëtitë, burimet e vetme të jetesës dhe nuk u çohet një vaksinë. Ka njerëz që janë të papunë dhe janë të detyruar të dëgjojnë edhe mashtrimet tuaja për gjoja 300 mijë vende pune të reja.  Njerëz që nuk u rriten rrogat, pensionet, asistencat sociale. Pra, bëhet fjalë për vuajtje të përgjithshme që pasqyrimin e saj e gjen te zëri i opozitës. Ne këtë zë kemi për të sjellë këtu në këtë foltore të parlamentit. Të përpiqesh ta bllokosh, të përpiqesh të largosh nga punimet e seancës Kryetarin e Grupit Parlamentar të PD-së dhe deputetë të opozitës është absolutisht një veprim i padrejtë që tregon jo vetëm arrogancën, por tregon  pandjeshmëri, mbylljen e veshëve dhe të syve ndaj zërit të qytetarëve që duhet të vijnë në këtë foltore.

Për të gjitha këto arsye do t’ju kërkoj që ta rishikoni situatën. Pra, të rimblidhet Byroja e Parlamentit dhe ta rishikojë këtë vendim, në mënyrë që të sigurojë pjesëmarrjen e opozitës në parlament. Duhet të keni parasysh një gjë. Edhe një deputet sikur të ngelet nga opozita, përsëri të njëjtën gjë do të bëjë, përsëri zërin e qytetarëve do të sjellë, revoltën e tyre do të sjellë. Shikoni se nuk është e mirë kjo që po ndodh. Nuk kënaqemi, nuk gëzohemi, por shohim me hidhërim se si ministrat tuaj gjuhen me vezë, si ministrave tuaj u mbushet koka me salcë. Ky nuk është një veprim që e shohim me kënaqësi, apo  e përcjellim si të tillë, por ta dini që është pasqyrim i revoltës popullore.  Shikoni se çfarë ndodh në Mbrostar, për shembull, kur doni të çoni përsëri për të djegur plehrat atje. A e shikoni se çfarë ndodh me revoltën popullore ndaj plehrave? Dhe sot njerëzit kanë gdhirë nëpër rrugë duke protestuar.  Pavarësisht se atje ka punonjës policie të papërgjegjshëm për detyrën që bëjnë ku u thyejnë krahët të rinjve dhe të rejave, revolta vazhdon dhe do të ngrihet. Dhe ne zërin e tyre do të sjellim në parlament për kushtet e rendit dhe të sigurisë në këtë vend, për njerëzit që vriten si pulat dhe policia e ka mendjen te rripi i sigurimit të shoferëve nëpër makina. Do të ngremë shqetësimin për mafien, e cila  ngre aeroporte droge dhe e transporton atë me avionë,  kur ministri në seancë thotë se ka shkatërruar 98,2% të sipërfaqes së mbjellë dhe që gjoja ky 0,2%-shi kondicionoka mafien që të ndërtojë aeroporte dhe të transportojë me avionë drogën. Është e dhimbshme të shikosh se si nxënës, jo vetëm të gjimnazeve, por dhe të shkollave 9-vjeçare, nën efektet e djegies së drogës, shkojnë nëpër spitale. Keni pasur 2 shembuj të tillë. Janë problematika të cilat sigurisht që opozita do t’i sjellë në Kuvend, sigurisht që opozita do t’i bëjë prezent.

Është e dhimbshme të shikosh se si nëna me fëmijë në bark sorollatet dyerve të spitaleve derisa humb jetën. Është e dhimbshme e gjithë ecuria që keni pasur për shkak të arrogancës, që nga momenti kur keni ardhur në pushtet.  Ka  njerëz që janë detyruar të vetëvriten për shkak të pushimit nga puna, kanë qenë të detyruar të vetëvriten për shkak të 5 lekëve të papaguara nga energjia elektrike. Këtë sigurisht që opozita do ta sjellë në parlament. Ju nuk mund t’ia mbyllni gojën opozitës duke përjashtuar deputetët e saj nga punimet e parlamentit, sepse nuk mund t’i mbyllni gojën popullit në fund të fundit. Edhe një deputet, sikur i fundit të ngelet nga opozita, përsëri të gjitha këto do t’jua rendisë një nga një në këtë foltore për të ndikuar sadopak në ndërgjegjen tuaj të kalbur dhe të zëna nga paratë e zhvatjes së këtij populli.

Pavarësisht se arroganca ju bën të mos mendoni, por është e vërtetë që organizatat ndërkombëtare e kanë bërë prezent faktin që Kryeministri i këtij vendi ka akumuluar 200 milionë dollarë pasuri të grabitur të këtij populli, që ministrat tuaj harxhojnë para pa fund për luksin e tyre qoftë për zyrat e punës, qoftë për makinat e shtetit, qoftë për mënyrën  jetesës. Përballë këtij populli, që po varfërohet çdo ditë, kjo bën që zëri i opozitës të jetë gjithmonë e më i fortë në këtë foltore.

Prandaj për ta mbyllur do të doja t’ju kërkoja edhe një herë ta rishikoni vendimin për të përjashtuar deputetët e opozitës nga punimet e parlamentit, sepse nuk është kjo rruga që çon në një përfundim të vlefshëm qoftë edhe për zullumet tuaja.


Fjala në parlament i deputetit të Partisë Demokratike, Arben Ristani, 24 nëntor 2016

 

Read More
24 Nën
0

Interesi klientelist ndot Korçën me lëndë helmuese 

Intelektualë dhe ambjentalistë së bashku me Departamentin e Mjedisit në PD kërkojnë ndaljen e projektit të TEC-it që do përdorë torfën e Maliqit 

Departamenti i Mjedisit, Pyjeve dhe Turizmit në Partinë Demokratike organizoi një konsultim të hapur me publikun në qytetin e Korçës në lidhje me projekt-ligjin për të kthyer 288 hektarë tokë bujqësore në zonë minerale për përdorimin e torfave të Maliqit për prodhim energjie në TEC me kapacitet 500 MW.

Torfa është mbetje natyrale e kënetave e cila pas përpunimit për energji çliron lëndë helmuese, më e dëmshme se dioksidi i karbonit. Për këtë arsye dhjetëra intelektualë, pedagogë dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Korçë, Maliq dhe Devoll shprehën pakënaqësi në lidhje me këtë projekt-ligj i cili është kaluar pa asnjë transparencë për publikun. Eshtë mbajtur i fshehtë për këshillat bashkiake të Maliqit dhe të Devollit.

Pjesmarrësit kërkuan mbajtjen e debateve publike dhe konsultimeve të gjera me grupet e interesit. Intelektualë dhe agronomë të Korçës theksuan se mungesa e transparencës lë shumë pikëpyetje mbi dëmet ekologjike që shkakton tymi dhe mbi 50 milionë ton hi që mbeten pas prodhimit.

Panelistët firmosën peticionin ku i kërkojnë Parlamentit:

1-Të pezullojë miratimin e këtij projekt-ligji derisa të kryhen seanca të plota të konsultimeve me publikun,

2-Të detyrojë komisionet parlamentare të dëgjojnë zërin e ekspertëve, këshilltarëve bashkiakë dhe të banorëve, dhe

3-Të detyrojë qeverinë që të kryejë studime të thelluara për vlerësimin strategjik mjedisor, për vlerësimin e ndikimeve sociale, për përcaktimin e teknologjisë dhe shpërndarjes së tymrave në ajër, dhe rrugëzgjidhjes për gati 50 milione ton hi që do të krijohet nga një TEC i mundshëm.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 24 nëntor 2016

Read More
23 Nën
0

Hapja e PD drejt qytetarëve, e vërtetë dhe e pakthyeshme

Sot ndër të tjera kemi diskutuar për fillimin e një procesi bashkëbisedimi për hapjen e Partisë Demokratike dhe për forcimin e demokracisë së brendshme. Dua të ndaj me ju se këto ditë kam marrë me qindra mesazhe nga qytetarët shqiptarë, të cilët dua t’i falenderoj, mesazhe të shumta inkurajimi dhe shprese, por nuk ka qenë të pakta mesazhet e dyshimit dhe të pasigurisë. Unë e kuptoj dyshimin e një shoqërie të zhgënjyer thellësisht me politikën, e kuptoj sepse në të shkuarën, edhe kur ka lindur një dritë shprese është shuar, edhe kur ka patur një mundësi reale për të ndryshuar, është zbehur. Por dua t’i siguroj ata, se ndryshimi i Partisë Demokratike, hapja e saj do të jenë të vërteta, të besueshme dhe të pakthyeshme. Makiazhet, apo gjërat e lëna përgjysëm do të minonin jo vetëm besueshmërinë e Partisë Demokratike, por do të minonin shanset për një ndryshim pozitiv në Shqipëri. Ndaj, i siguroj se do të ndërtojmë së bashku me ta një proces i cili të japë garanci të plotë se ndryshimi do të jetë i vërtetë, një ndryshim tek i cili mund të besojnë dhe të mbështeten për të përmirësuar jetën e çdokujt në Shqipëri. Procesi do të jetë i vështirë, udhëtimi ynë do të jetë i vështirë. Do jetë i sulmuar dhe i anatemuar, nga elitat që kontrollojnë, politikën, ekonominë, median. Por jam i bindur se bashkë me shqiptarët do t’ia dalim që Partia Demokratike të kthehet në lumin e shpresës e mundësive për çdo shqiptar që dëshiron të jetojë e të ndërtojë jetën e tij këtu, sepse në thelb ajo që do të ndërtojmë së bashku është një Shqipëri që nuk ofron mundësi vetëm për një grusht njerëzish, të cilët duan me çdo kusht të ruajnë gjendjen aktuale, të ruajnë status-quo-n, por një Shqipëri që ofron shanse për të gjithë. Ky është një proces në të cilin do të përfshihen të gjithë demokratët, grupi parlamentar, kryesia, këshilli kombëtar, degët e Partisë Demokratike, është një proces i cili ka për qëllim hapjen e Partisë Demokratike për këdo që është gati dhe dëshiron të japë kontributin e tij dhe të saj për një udhëtim i cili ka për pikëmbërritje jo thjesht dhe vetëm një rrotacion politik, por një politikë në shërbim të njerëzve, e jo në shërbim të elitës dhe një grushti njerëzish. Do ta nisim brenda Partisë Demokratike, do ta nisim duke e bërë Partinë Demokratike plotësisht një parti të shqiptarëve, një parti të Shqipërisë, e jo parti drejtuesish që kanë për qëllim ardhjen e tyre ne pushtet, dhe me rregullat, normat, parimet që do të zbatojmë, do të japim garancinë tonë me vepra, jo me fjalë, që po kështu, nesër do të ndryshojmë Shqipërinë. Kjo është një temë që ka konsumuar një diskutim në këto muaj, është diskutuar sot gjerësisht në grupin parlamentar dhe nga e cila presim zhvillime pozitive në javët në vazhdim për t’i paraprirë vendimmarrjes sonë dhe aksionit tonë politik.

-Z.Basha, a e morët në analizë sot humbjen në Kolonjë?

Për Kolonjën mund t’ju them vetëm se, kushdo që kërkonte një provë tjetër, jo se ishte e nevojshme, ja ku e ka. Në një zonë ku historikisht e majta ka qenë e avantazhuar, nuk iu përmbajtën dot nevojës për të shkatërruar procesin zgjedhor përmes shitblerjes së votës dhe presioneve siç mediat e kanë dokumentuar shumë mirë.

-Z.Basha, flisni për një proces të vështirë, por në fakt ndoshta i referoheni të gjitha humbjeve që PD i ka patur në përballje elektorale që prej 2013-ës, në çdo sfidë, ku ju keni rezultuar humbës. Kjo është arsyeja që ju e konsideroni proces të vështirë të bashkimit, të gjithë elitave dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë?

Jo në fakt. Ajo që po mundohem të transmetoj përmes jush është diçka tjetër, që interesat e këtyre që prishin zgjedhjet, që blejnë votat, që kanë kthyer Shqipërinë në hambar droge, janë interesa miliarda euroshe dhe me këto miliarda euro që në fakt i takojnë taksapaguesve shqiptarë, në vend që të bëhen investime, në vend që të hapen vende pune, në vend që t’u vihet në ndihmë të sëmurëve, fëmijëve nëpër shkolla, përfiton një grusht njerëzish. Beteja është me këtë pakicë, me këtë elitë të inkriminuar dhe të korruptuar e cila ka interes pasurimin e saj dhe për pasurimin e saj nuk ndalet, as para kapjes dhe prishjes së zgjedhjeve, as para blerjes, kapjes dhe vënies në kontroll të medias, as para shkeljes flagrante të ligjit, as para paktit me krimin, por mund dhe do të ndalet me një aleancë të madhe qytetare, e cila duhet të besojë në një ndryshim të vërtetë, ndaj procesi do të jetë i vështirë, sepse kur ky grusht njerëzish kontrollon pasuritë e shqiptarëve, kontrollon buxhetin e shqiptarëve, do ta kuptojë se përballë nuk ka thjesht një parti politike që kërkon të vijë në pushtet, por ka një vullnet të madh politik të Partisë Demokratike dhe të qytetarëve për një ndryshim rrënjësor të sistemit politik në qendër të të cilit të jetë shporrja e këtij modeli, ky grusht njerëzish që kontrollojnë pasurinë sigurisht do të bëjë rezistencë të plotë me të gjitha format dhe mënyrat, siç po bëjnë edhe sot jo për hir të parimit, por për hir të milionave që fusin në xhep ditë për ditë në kurriz të shqiptarëve të papunë, të varfëruar dhe të sjellë deri në kafshatën e bukës për fëmijët dhe gjendjen më katastrofike të shërbimeve që duhet ta ofrojë shteti.

-Zoti Basha konkretisht cfarë do të thotë hapje e PD

Ju dhe të gjithë kolegët tuaj do të keni mundësinë në mënyrë të zgjeruar dhe të plotë të bëni pyetje, të merrni informacione nga unë dhe nga të gjithë përfaqësuesit e PD. Ajo që desha të njoftoj sot është që ky proces është futur në një faze finale që bashkëbisedimi për hapjen dhe për demokracinë  e brendshme në PD do të cojë në një produkt politik, në një vendimmarrje politike dhe qëllimi është të sjellim një ndryshim tek i cili njerëzit besojnë, tek një rreze drite që nuk shuhet dhe nuk do të shuhet me ardhjen e PD në pushtet, por do të ndryshojë demokracinë duke i fuqizuar qytetarët, duke i bërë ata zotërit e vërtetë të Shqipërisë, resurseve të saj, buxhetit të saj, dhe të ardhmes së fëmijëve të tyre.

-Ndonjë gjë konkrete

Po mundohem të shmang arrogancën dhe cinizmin, që janë pronë e kundërshtarit politik. Mesazhi ka qenë i qartë. Ju realitetin politik e njihni. Konkretisht, kjo do të thotë që PD bëhet gati për një hapje të vërtetë, jo makijazh. Konkretisht kjo do të thotë që së bashku me demokratët do tu ofrojmë shqiptarëve një parti politike për interesat e tyre, jo për interesat e mia, apo drejtuesve të kësaj partie. Dhe ky është një proces i vështirë por ne e dimë rrugën përmes të cilës ecet, sepse është një rrugë që shoqëritë normale e kanë bërë dhe prandaj janë shoqëri normale, drejt të cilave duan të emigrojnë sot 70% e popullsisë së Shqipërisë.

-Po ndërkohë përsa i përket demokracisë së brendshme 

Padyshim është një proces dhe nuk mund të përmblidhet në një intervistë duke qëndruar këtu në këmbë, por mund të përmblidhet në një sërë vendimesh që do ti japin rrugë hapjes së PD, për të thithur në gjirin e saj të gjithë ata që duan të kontribuojnë që të mos ketë gardh as fizik dhe as mendor, për të dhënë kontributin e tyre në një demokraci pjesmarrëse për qytetarët. Mekanizmat, mënyrat sesi do ta bëjmë këtë të mundur, që të mos jetë makjazh as përfaqësim i zgjedhur me dorë, por të jetë me të vërtetë produkt i besueshmërisë së re të PD në raport me dëshirën e cdo shqiptari për ndryshim, këto ne do ti shohim e do ti dëshmojmë së bashku.

-Kur do ti prezantoni drejtuesit e zgjedhur nëpër qarqet e vendit sepse jeni shumë vonë duke marrë në konsideratë se pala tjetër e ka bërë këtë gjë prej kohësh

Pala tjetër është hedhur në sulm për të ruajtur status-quon, për të ruajtur privilegjet e tenderave, të prokurimeve që vjedhin, për të zhvatur, për të vazhduar paktin e tyre me krimin. Pra nuk është thjesht cështje caktimi, është cështje e një përqasje të re, në thelb të të cilës do të jetë hapja, do të jetë demokracia e brendshme, kufizimi i pushtetit, dhënia e vendimmarrjes anëtarësisë së PD, garantimi i qytetarëve se ndryshimi që ne do të sjellim dhe do ta sjellim, do të jetë një ndryshim i vërtetë dhe jo makjazh. Do të jetë ndryshimi tek i cili ata mund të besojnë dhe që do të ndryshojë jetët e tyre dhe jo thjesht jetën apo fatin e  drejtuesve të një partie politike.

-A do të afroni ata të cilët janë larguar për shkak të Sali Berishës? Dhe ka plot demokratë të tillë

Pyetja juaj është e paragjykuar se nuk mund të thuash që janë larguar prej këtij apo atij. Një gjë ju them, bashkimi i cdo demokrati në respekt të diversitetit të mendimit të cdo kujt, është deviza që unë kam shpallur prej ditës së parë si kryetar i kësaj partie dhe do të jetë patjetër një nga parimet kryesore të bashkimit dhe të hapjes si procesi që do ti japë rrugë një shprese të re për Shqipërinë dhe një politike në thelb të së cilës do të qëndrojë ndryshimi i vërtetë dhe jo thjesht rrotacioni politik.

-Ju flisni për hapje partie por strukturat janë ende në zgjedhje dhe ende nuk e keni mbyllur. A e dëmton kjo PD?

Njëra nuk e përjashton tjetrën. Procesi i zgjedhjeve është drejt përmbylljes,  është një proces që tregon dinamizmin e PD, kërkimin gjithmonë të më të mirit, të më të zotit përmes votës së anëtarëve dhe jo tekave të kryetarit, dhe është një nga themelet e punës që do të cojnë më tutje dhe do ta kulminojmë me këtë hapje të re dhe me një zgjerim të demokracisë së brendshme në PD.

 

-Z.Basha ju flisni për demokracinë e brendshme, por z.Selami pak kohë më parë kërkoi mbledhjen e Këshillit Kombëtar dhe nuk u realizua, nuk ja dhatë këtë mundësi, ai nuk i mbledh dot firmat.

Këshilli Kombëtar është mbledhur dhe mblidhet për të marrë vendime të rëndësishme të PD. Dhe padyshim si të gjitha forumet, si grupi parlamentar, si kryesia e PD, si Këshilli Kombëtar do të kenë rolin e tyre në vendimmarrjen që na pret. Por kësaj vendimmarrje do ti prihet nga një bashkëbisedim i sinqertë ku çdokujt i kam kërkuar, deputetëve, kryetarëve të degëve, anëtarëve të Këshillit Kombëtar, anëtarëve të PD të kontribuojnë, edhe të tjerëve, simpatizantëve, mbështetësve, pse jo edhe kritikëve tanë, të kontribuojnë pra për një proces të vërtetë dhe jo për një makiazh. Për një proces të vërtetë nga i cili PD do të dalë si një parti moderne, përfaqësuese, e vërtetë e shumicës së shqiptarëve që kërkojnë një ndryshim tek i cili mund të besojnë, jo thjesht rrotacion.

-Po ju e nisët një hapje të tillë para dy vitesh…

Hapja ka nisur para tre vitesh, dhe jo para dy vitesh. Hapja ka vazhduar çdo ditë. Por sot produkti i kësaj hapje do të reflektojë aleancën tonë me qytetarët për të cilën kemi folur gjithë këto vite para betejës së madhe, për tia dhënë qytetarëve në dorë pushtetin që iu takon.


Komentet e Lulzim Bashës me mediat, pas mbledhjes së grupit parlamentar, 23 nëntor 2016

Read More
23 Nën
0

Njeriu i Taulant Ballës ndërton në Tiranë dy kate pa leje, policia dhe bashkia nuk reagojnë

Kryetari i këshilltarëve të PD në Bashkinë e Tiranës ka denoncuar sot një rast skandaloz të favorizimit të deputetit Taulant Balla në Tiranë, ku një i afërmi i tij ndërton dy kate pa leje, dhe ndërkohë që qytetarët denoncojnë, askush nuk ndërhyn.

Ndërtesa është vetëm 100 metra larg komisariatit numër 2, në zonën e 21 dhjetorit. Banorët e zonës kanë lajmëruar e kanë denoncuar, por policia sapo ka vajtur në vend, është tërhequr me urdhëra politikë.

“Planet që shihni pas meje janë pamjet e një ndërtimi pa leje, në shtetin e së zhdrejtës që ka vendosur Edi Rama dhe Erjon Veliaj. Kjo ndërtesë ka lidhje me Taulant Ballën, deputetin e Partisë Socialiste, kushëriri i të cilit Mariglen Disha, ka bërë këtë ndërtim pa leje. Komisariati nr.2 ka tentuar të ndërhyjë për të rikthyer rendin dhe ligjin, por janë zbrapsur me urdhër politik, sepse policia e kapur nga Tahiri dhe nga Rama, nuk mund të veprojë kundër shefave të pushtetit, por vetëm ndaj qytetarëve të vobektë dhe të pambrojtur. Kjo është e vërteta në shtetin e së zhdrejtës së Edi Ramës dhe Erjon Veliajt. Kjo është ajo që ndodh në ccdo cep të kryeqytetit dhe vende të tjera, sepse askush nuk mund të dalë mbi bandën e pushtetit, sepse banda e pushtetit mund të ndëshkojë cdo të pamundur qoftë edhe për rregullimin e ccative për qytetarët që nuk marrin leje tek ta, ose nëse nuk paguajnë nën dorë. Kjo është e papranueshme. Ky është denoncim i qytetarëve”, u shpreh Leonard Olli.


Denoncim i kreut të këshilltarëve të PD në Bashkinë e Tiranës, Leonard Olli, 23 nëntor 2016

Read More