Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka marrë pjesë ditën e sotme në Kuvendin Zgjedhor të degës së PD, Elbasan. Në fjalën e tij, Basha komentoi turin e takimeve të kryeministrit jashtë vendit, duke thënë se ishte ai që i largoi nga shtëpitë e tyre dhe sot po shkon të zhvillojë takime me ta.
Kreu i PD gjithashtu tha se Rama në takimin me 55 kryetarët e bashkive të partisë socialiste, u ka dhënë urdhër që të çojnë njerëz jashtë vendit për t’ia mbushur stadiumet ku do të bëjë takimet.
“Tani që ka zbrazur Shqipërinë, po shkon tek eksporti i tij, po shkon te diaspora. A po shkon vallë te diaspora? Se lajmet e fundit tregojnë se i ka mbledhur 55 kryetarët e bashkive dhe u ka dhënë kuota, bashkitë e vogla nga 50, bashkitë e mëdha nga 100 për të mbushur stadiumin. Pse? Që të ndihet mirë Edi Rama. Dhe të eksportojë edhe më shumë shqiptarë. Dhe kryetarët e bashkive, duke nisur nga ky i Elbasanit, që kanë harruar se çfarë është shërbimi ndaj qytetarëve, i janë kthyer në vegla të shfaqjes së “one man shoë” të Edi Ramës, shfaqje me një njeri, që nuk bën më të qesh për asnjë njeri. Bën të qaj shumë nëna dhe baballarë, prindër fëmijësh. Po shkon atje ku i ka përzënë shqiptarët, atje ku vazhdon t’i përzë shqiptarët, për t’ju thënë çfarë? Që pas 4 palë zgjedhjesh premtuime për votën e diasporës, se bën votën e diasporës. Aq më pak votën preferenciale apo siç njihet në popull listat e hapura, apo votimin elektronik, apo barazinë e votës. Pse? Sepse qëllimi nuk është të përmirësojë jetën e shqiptarëve. Kjo është më kriminalja nga të gjitha. Edi Rama e di se çfarë po bën. Skalionet e larta të partisë socialiste nuk kanë asnjë dyshim se çfarë po bëjnë. Siç e tregojnë vjedhjet e me WhatsApp në skandalin e inceneratorëve, apo në skandalin e bashkisë së Tiranës. As frikë nuk kanë pasur nga ligji, dërisa erdhi SPAK” – tha Basha.
Kreu i PD gjithashtu përsëriti mbështetjen e pakushtëzuar të PD, ndaj SPAK dhe BKH. Baha më tej u shpreh se demokratët janë e vetmja forcë politike, e qartë, e prerë, transparente, e vendosur në luftën kundër korrupsionit si domosdoshmëri për të ringjallur shpresën dhe besimin e shqiptarëve.
“Ndaj për demokratët shqiptarë është e qartë që dilema ka marrë fund, dilema duhej të merrte fund, Partia Demokratike është në mbështetje të pakushtëzuar ndaj SPAK-ut dhe BKH-së, për t’i dhënë fund pabarazisë së ligjit, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për të çuar të korruptuarit shqiptarë, të korruptuarit e kësaj qeverie atje ku e kanë vendin, para ligjit dhe prapa hekurave. Që ky qëndrim është i qartë, e tregon edhe ankthi që ndodhen tashmë në hetime penale, në procedime penale, të arrestuar apo në pritje të gjykimit apo edhe vet në burg duke vuajtur dënimin për dëmet e jashtëzakonshme që i kanë shkaktuar këtij populli dhe qytetarëve me vjedhjet e tyre të përbindshme. Prandaj menduan dhe zbatuan planin e tyre diabolik për amnistinë e të korruptuarve të dënuar nga SPAK-u. Ju e patë edhe vet, në fillim Partia Demokratike, më pas media, më pas vet institucionet e drejtësisë treguan qartë këtë lojë të ndyrë, këtë lojë të ulët, natyrisht të ideuar dhe të udhëhequr nga Edi Rama dhe kjo qeveri, por të përqafuar nga ata që me mandat të marrë nga votat tuaja, flijuan interesat e demokratëve, flijuan interesat e shqiptarëve dhe bashkuan votat për të liruar zyrtarët e korruptuar dhe të dënuar nga SPAK dhe GJKKO, duke mbajtur në procedim penal protestuesit demokratë dhe protestuesit në tërrësi kundër korrupsionit. Kjo i nxjerr ata të zbuluar, si ai llumi që nuk e ka mendjen të bëjë diçka për vendin por e kanë mendjen vetëm tek vetja e vet dhe karrigia e vet. Kjo është ajo që na diferencon me ta dhe nga të gjithë faktorët e tjerë politik në vend. E vetmja forcë politike, e qartë, e prerë, transparente, e vendosur në luftën kundër korrupsionit si domosdoshmëri për të ringjallur shpresën dhe besimin e shqiptarëve, për një Shqipëri që u ofron mundësi dhe mirëqenie atyre dhe familjeve të tyre, është dhe mbetet, Partia Demokratike e Shqipërisë” – tha Basha.
Read More