Mesazhi i Kryetarit të Partisë Demokratike në nisjen e Akademisë Politike për të rinjtë demokratë
Nuk e kërkojmë dhe nuk do ta kërkojmë votën për të sjellë dhe vetëm për të sjellë Partinë Demokratike në pushtet, por për të sjellë qytetarin shqiptar në pushtet, qytetarin e lënë në periferinë e politikës, të harruar, të braktisur, të goditur, të varfëruar, të dhunuar nga arroganca, krimi dhe vjedhja qeveritare. Votën do ta kërkojmë për një model të ri politik dhe shoqëror ku pushteti do të jetë i kufizuar dhe qytetari do të jetë i fuqizuar. Ku deputetët do të zgjidhen sa më afër konsultimit sot me anëtarësinë dhe votuesit demokratë, që nesër të jenë përfaqësues në radhë të parë të qytetarëve dhe jo të partisë. Ku instrumentët e kontrollit të pushtetit të mos jenë thjeshtë figurina, e Parlamenti thjesht një noter i kryeministrit, por të jenë llogaridhënës përpara qytetarëve dhe llogarikërkues përpara ekzekutivit të ardhshëm dhe ku levat më të fuqishme të kontrollit qe ka një demokraci, opozita e ardhshme dhe shoqëria civile, do të kenë të gjithë hapësirën dhe mundësinë të kontrollojnë përmes transparencës, kritikës, denoncimit çdo vendim të qeverisë së ardhshme.
Kërkoj nga ju që keni spikatur me aksionin tuaj politik, të jeni akoma më vetëveprues, akoma më krijues, akoma më të vendosur në betejën tonë kundër një qeverie e cila i ka shpallur dënimin me vdekje zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe të cilës do t’i rezervojmë përballjen më të fortë që ka njohur tranzicioni shqiptar.
Kërkoj gjithashtu me gjithë hapjen e madhe, me gjithë prurjet e mëdha, të jeni akoma më të hapur edhe ndaj prurjeve të reja edhe në demokracinë e brendshme, në Forumin Rinor të PD, sikundër po përpiqemi në Partinë Demokratike.
Ju e keni detyrë, e keni tagër, e keni mandat, por e keni edhe mundësi të sillni më shumë frymë bashkëkohore dhe moderne në Partinë Demokratike. Silleni! Keni syrin e palodhur, mendjen e kthjellët për të ndihmuar korigjimin dhe reformimin e mëtejshëm të Partisë Demokratike. Bëjeni! Ju pret një barrë e rëndë dhe një përgjegjësi, jo një privilegj. Një mundësi për Partinë Demokratike, një përgjegjësi për ju: Të nxirrni nga rradhët tuaja, 35 përqind të kandidatëve për deputetë, të jepni shembullin e konkurencës, të debatit,të primareve, siç e dhatë në zgjedhjet e kryetarit, të bëheni shembulli i meritokracisë politike, bëjeni dhe jam i bindur se do ta bëni.
Kam mësuar se në politikë ashtu si edhe në jetën e përditshme nuk duhet të mërzitesh, nuk duhet të thyhesh në pengesën e parë, as në të dytën, asnjëherë. Sepse politika është rrugë e vështirë në të cilën ndonjëherë, apo edhe shpeshherë do të humbësh. Shpeshherë do të luftosh dhe do të dështosh, por nuk humbet besimin. Nëse lufton për gjënë e duhur, nuk humbet besimin, sepse një ditë do t’ia dalësh, një ditë do të fitosh. Kjo nuk do të thotë që të mos përpiqesh, nga frika e gabimit, kjo nuk do të thotë që mos të gabosh asnjëherë, nuk do të thotë që nuk do të zhgënjehesh me veten, me të tjerët, këto janë pjesë e politikës, siç janë pjesë e jetës. Nëse nuk jeni të përgatitur për t’iu qëndruar zhgënjimeve, nëse nuk jeni të përgatitur pas plagëve të marra në betejë, jeni në karrierën e gabuar, jeni në misionin e gabuar.
E sotmja është një ditë e veçantë sepse ngërthen bashkë disa faktorë jashtëzakonisht të rëndësishëm; Forumin Rinor të PD, forum i cili ka njohur transformime të mëdha gjatë këtij viti, duke iu nënshtruar proceseve demokratike të zgjedhjes me “një anëtar një vote” të kryetarit të ri z.Belind Këlliçi , të kryetarëve të forumeve në degë, të Këshillit Kombëtar dhe së shpejti besoj dhe të organeve të tjera drejtuese, e nga ana tjetër Fondacionin për Liri dhe Demokraci. Kur vendosa për krijimin e këtij fondacioni nuk kisha parasysh thjesht dhe vetëm që të kemi dhe ne një Fondacion në parti, ndonëse partitë simotra i kanë dhe i kanë instrumenta të forta që ndihmojnë politikëbërjen, ndihmojnë oponencën e partisë në qeverisje dhe fuqizimin e partisë në opozitë për të marrë drejtimet e vendeve përkatëse. Por kisha parasysh domosdoshmërinë për të krijuar pikërisht hapësirën, gjerësinë, thellësinë e mendimit që përfaqësojnë aktivitete si këto, ku jeni ulur sup më sup, ajka e rinisë demokrate, me kontributet historike të kësaj partie, me drejtuesit aktualë të kësaj partie dhe me miqtë tanë të çmuar që kanë sot një mesazh të qartë që po rezonon në këtë sallë e përtej kësaj salle: se shpresa e ndryshimit quhet Partia Demokratike dhe kësaj shprese i prin rinia demokrate.
Por kjo do të kishte qenë e pamundur pa ndihmën e çmuar të aleatëve tanë, familjes tonë politike PPE, Presidentit Daul, të deleguarit të tij sot këtu, mikut tonë, Sekretarit për Marrëdhëniet me Jashtë Patrik Voller, pa mbështetjen e Fondacionit të kristiandemokratëve gjermanë te Kancelares Angela Merkel dhe përfaqësuesit të tyre punëtor të palodhshëm të durueshëm dhe vizionar, Valter Gros, i cili së bashku me bashkëpunëtorët e tij dhe në bashkëpunim me Institutin Republikan Ndërkombëtar të Partisë Republikane amerikane dhe Institutin Demokrat kombëtar të Partise Demokrate amerikane, kanë bërë të mundur organizimin e kësaj akademie që starton sot këtu në Durrës dhe prej këtej starton një proces dialogu përgatitje, vendimmarrje për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, duke patur në fokus dhe në ballë të kësaj përpjekje rininë demokrate, rininë shqiptare.
E kam parë axhendën, është jashtëzakonisht e ngjeshur, është ndryshe nga ky start ku pothuajse kemi një orë e ca që flasim. Sepse dialogu do të nisë shumë shpejt sapo ky sesion inaugurues të përfundojë, në dhjetëra sesione paralele do të gërshetohet rinia, përfaqësuesit e rinisë demokrate me kontributet historike të kësaj partie, me lektorët që vijnë me ftesë dhe mbështetje të Konrad Adenauer të dy instituteve që sapo përmenda, për të nisur një bashkëbisedim thelbësor për sfidat e Shqipërisë sot.
Sepse Shqipëria është në një udhëkryq të rrezikshëm për demokracinë, për shtetin ligjor, për stabilitetin dhe për të ardhmen e saj evropiane. Një udhëkryq të rrezikshëm, të cilin nuk do e kishim dëshiruar kurrë ndonëse e kemi paralajmëruar çdo ditë të opozitës sonë tre vjeçare. Një udhëkryq të rrezikshëm të shkaktuar nga braktisja totale e rinisë shqiptare, e qytetarit shqiptar, e interesit publik, në favor të aleancës së qeverisjes aktuale me krimin, me drogën dhe me një grusht biznesmenësh hajdutë që kanë tre vite që zhvasin paratë e shqiptarëve në tre buxhete shteti, që nuk derdhin asnjë përfitim te taksapaguesit, asnjë përfitim te qytetarët shqiptarë që janë në gjendje të vazhdueshme përkeqësimi.
Në këtë kontekst jemi mbledhur sot dhe nuk është e rastësishme as parrullë, as thjesht dëshirë e PPE-së, apo e miqve tanë kristiandemokratë të Angela Merkel që PD të bëjë gjithçka për të fituar zgjedhjet e ardhshme. Por është domosdoshmëri jo për ne, jo për strukturat tona, jo për të sjellë në pushtet një administratë demokrate, por për të sjellë në pushtet qytetarin shqiptar i cili sot është i braktisur, i goditur dhe i tradhëtuar nga një qeveri, nga një kryeministër që mendon vetëm për veten e tij dhe për një grusht njerëzish me paratë dhe krimet e të cilëve, mendon se mund të vazhdojë të mbajë pushtetin.
Besimi tek Partia Demokratike, shpresa se nesër do të sjellë ndryshimin për të cilin 25 vite nuk kemi pushuar së ëndërruari, një Shqipëri evropiane, është obligues. Ja ku jemi me mesazhe fare të qarta për t’i dëgjuar jo thjesht ju, por mbarë Shqipëria: integrimi europian i vendit është në rrezik. E s’ka si të jetë ndryshe. Nuk mund të jetë vend që hap negociata, një vend, qeveria e të cilit, dhunon zgjedhjet. Nuk mund të hapë negociatat një vend qeveria e të cilit është bërë njësh me kartelin e drogës, me të cilën ka nisur të ndërtojë edhe aeroporte droge, ndërkohe që aeroporti ndërkombëtar dhunohet e grabitet në mes të ditës. Nuk mund të jetë vend që nis negociata me BE, një vend që dhunon maturantët e tij, përmes ligjeve të padrejta dhe klienteliste, si ato që kanë shkaktuar dramë kombëtare për dhjetra mijë maturantë. Nuk mund të hapë negociatat një vend, ku vidhet ditën për diell nga qeveritarët dhe natën për hënë nga bandat e lidhura me qeveritarët. Nuk mbahet asnjë përgjegjësi ligjore, mediat quhen kazan nga vetë kryeministri i vendit dhe shoqëria civile është në presion të jashtëzakonshëm
Keto tre vite përkeqësimi shënon çdo fushë të jetës dhe ne këtë sot e dimë fare mirë.
Por jemi këtu bashkë me miqtë tanë sepse ka shpresë, ka besim, ka zgjidhje. Dhe kjo është PD, kjo është rinia e demokratëve, kjo është opozita e shqiptarëve. Nuk është e vetëthënë as e vetëpranuar. Qytetarët kërkojnë prova nga unë, nga PD, nga deputetët tanë, nga skuadra jonë e sotme dhe e nesërme, nga rinia demokrate.
Duan të dinë nëse ia thoni me sinqeritet dhe kjo varet nga përgjigja që marrin. A vijmë të vetëdijshëm që dhe ne kemi bërë gabimet tona, gabime që i kanë kushtuar interesit publik? Dhe ne duhet të japim përgjigje të qarta dhe të prera se vijmë si një forcë politike që ka reflektuar dhe se pavarësisht rekordit tonë pozitiv që u përmend, e u prek këtu, edhe nga Sekretari i Jashtëm i PPE, kemi patur stokun tonë të gabimeve , gabime të cilët padyshim patën rolin e tyre në rrotacionin politik të 2013. Por ne kishim një vizion, kishim një program dhe një plan; shumë u realizuan dhe gabime u bënë. Duhet të jemi krenarë për çfarë arritëm por kokëulur, zemërhapur t’u themi shqiptarëve: Po, kemi gabuar, kemi mësuar, kemi reflektuar dhe të shohim përpara.
Dhe së dyti, cdo ndjesë për gabimet, duhet të jetë e sinqertë dhe në funksion të një aleance të re që ka lindur dhe po forcohet jo vetëm me grupet e interesit, por me qytetarin shqiptar. Një aleancë, domethënia e të cilës është kjo: nuk e kërkojmë dhe nuk do ta kërkojmë votën për të sjellë dhe vetëm për të sjellë Partinë Demokratike në pushtet, por për të sjellë qytetarin shqiptar në pushtet, qytetarin e lënë në periferinë e politikës, të harruar, të braktisur, të goditur, të varfëruar, të dhunuar nga arroganca, krimi dhe vjedhja qeveritare. Votën do ta kërkojmë për një model të ri politik dhe shoqëror ku pushteti do të jetë i kufizuar dhe qytetari do të jetë i fuqizuar. Ku deputetët do të zgjidhen sa më afër konsultimit sot me anëtarësinë dhe votuesit demokratë, që nesër të jenë përfaqësues në radhë të parë të qytetarëve dhe jo të partisë. Ku instrumentët e kontrollit të pushtetit të mos jenë thjeshtë figurina e Parlamenti, thjesht një noter i kryeministrit, por të jenë llogaridhënës përpara qytetarëve dhe llogarikërkues përpara ekzekutivit të ardhshëm dhe ku levat më të fuqishme të kontrollit qe ka një demokraci, opozita e ardhshme dhe shoqëria civile, do të kenë të gjithë hapësirën dhe mundësinë të kontrollojnë përmes transparencës, kritikës, denoncimit çdo vendim të qeverisë së ardhshme, qeverisë së demokratëve, qeverisë sime. Dhe mbi të gjitha, ku çdo vendim që ka të bëjë me interesin publik, nuk mund të merret e nuk do të merret pa pyetur e konsultuar dhe vendosur bashkë me qytetarët shqiptarë, në të gjitha format duke përfshirë edhe ato referendare.
Një model i ri politik të cilin duhet ta shpjegojmë para qyetarëve, e në veçanti para rinisë, sepse është dhe duhet të jetë mbi të gjitha betejë e rinisë demokrate. Betejë e rinisë shqiptare.
Jemi në një udhëkryq të rrezikshëm. Kombi ynë i ka parë disa të tillë në shekullin që lamë, por edhe në dy dekadat që lamë pas. Sa herë kemi qenë para udhëkryqeve të tilla, rrugën e ka gjetur rinia, shpresën e ka ndezur rinia, energjinë e ka dhënë rinia. Rinia në fakt është gjeneza e Partisë Demokratike, ndaj kujdesi, interesi, vëmendja e Partisë Demokratike, e imja personalisht është në rradhë të parë një detyrim i madh dhe së dyti është rruga e drejtë, rruga e duhur, rruga e vetme për të rikthyer së bashku shpresën, se në votimin e ardhshëm, vota e çdo qytetari shqiptar, do të jetë një votë jo vetëm për të ndryshuar pushtetin por për të ndryshuar pozitivisht jetën e çdo qytetari, jetën e çdo familjari, jetën e çdo të riu e të reje.
Këtë presin sot qytetarët nga ne. Beteja është e vështirë. Interesat kriminale dhe korruptive janë të mëdha. Shikoni shifrat: 160 milionë euro, janë tashmë përfitime të bosëve të drogës. Miliarda euro të mafias së plehrave, 1 miliardë euro në vit zhbëhen nga buxheti i shtetit dhe përfundojnë në xhepat e korruptuar të qeveritarëve shqiptarë sipas të dhënave zyrtare. Aleanca e kundërshtarit tonë politik me krimin, me drogën dhe me korrupsionin është e fortë dhe e çimentuar. Rreziku i kësaj aleance shprehet qartë për zgjedhjet, për shtetin ligjor, por edhe për stabilitetin e këtij vendi.
Por ne vijmë këtu me një shpresë dhe besim të madh sepse aleanca që ne kemi, që ne duam të ndërtojmë, dhe po ndërtojmë dhe do të ndërtojmë, ka provuar sa herë që ka qenë e sinqertë, të jetë e pathyeshme, dhe kjo është aleanca me qytetarin shqiptar, me popullin shqiptar.
Sot nuk dua të zgjatem, por dua të ndaj me ju disa gjëra që unë kam kuptuar nga politika këto 11 vite të të qenit përfaqësues politik dhe publik, dhe 26 vite ne pluralizëm që e ndjek si qytetar.
Kam mësuar se në politikë ashtu si edhe në jetën e përditshme nuk duhet të mërzitesh, nuk duhet të thyhesh në pengesën e parë, as në të dytën, asnjëherë. Sepse politika është rrugë e vështirë në të cilën ndonjëherë, apo edhe shpeshherë do të humbësh. Shpeshherë do të luftosh dhe do të dështosh, por nuk humbet besimin. Nëse lufton për gjënë e duhur, nuk humbet besimin, sepse një ditë do t’ia dalësh, një ditë do të fitosh.
Kjo nuk do të thotë që të mos përpiqesh, nga frika e gabimit, kjo nuk do të thotë që nuk do të gabosh asnjëherë, nuk do të thotë që nuk do të zhgënjehesh me veten, me të tjerët, këto janë pjesë e politikës, siç janë pjesë e jetës. Nëse nuk jeni të përgatitur për t’iu qëndruar zhgënjimeve, nëse nuk jeni të përgatitur pas plagëve të marra në betejë, jeni në karrierën e gabuar, jeni në misionin e gabuar.
Në politikë duhet të dëgjosh zërin, nevojat, kritikat e njerëzve që ke përballë, por jo njerëzve që flasin prapa shpine, apo fshehur. Tek ne politika shpesh ka qenë politikë kulisash prapaskenash. Ju të rinjtë, nuk duhet të bëheni pjesë e kësaj lloj politike. Ju duhet ti dilni përballë politikës dhe i vetmi kompromis që duhet të bëni, është kompromisi me njerëzit që keni përballë. I vetmi zë që duhet t’ju gëzojë, apo t’ju hidhërojë është zëri i qytetarëve, është zëri i interesit publik.
Një gjë tjetër që kam kuptuar dhe duhet ta ndaj me ju dhe pa dyshim ju e dini, që politika është në rradhë të parë, shërbim publik, është mision. Sigurisht që politikanët kanë karrierën e tyre dhe karriera ka kërkesa të caktuara dhe me kthesa, me pengesa,me të papritura, por karriera nuk duhet të humbasë qëllimin e rëndësishëm të politikës. Politika është në shërbim të njerëzve. Duhet të jetë në shërbim të njerëzve. Vullneti personal dhe kolektiv i politikanëve, është shumë i rëndësishëm për të ecur përpara por vullneti i qytetarit, por vullneti i popullit, është mbi gjithçka. Dhe nëse politikanët nuk bien dakord me popullin nuk është populli që duhet të ikë, por është politikani që duhet të ikë.
Kthehem edhe një herë tek interesi publik e them me bindje të plotë se kemi ndërtuar një model edhe më të fortë në drejtim të interesit publik. Dekriminalizimi, arritja jonë që Patriku e quajti foshnjen time, por në fakt është vepra e çdo demokrati shqiptar, e çdo opozitari shqiptar, e çdo socialisti të ndershëm shqiptar, e çdo shqiptari e shqiptareje të ndershme. Dëshira për të shporrur nga institucionet, njerëzit e rekordeve kriminale, është një interes i qartë publik, interes qytetar të cilës i shërbyem prej ditës së parë, pa asnjë dilemë. Çfarë dileme mund të kishim? Të ndërtonim edhe ne fijet tona me krimin? Të bëheshim gati të kandidonim edhe ne trafikantët e drogës, vrasësit, bandidët? Për t’u përballur me të tyrët? Sigurisht që jo. Interesi publik prevaloi dhe do të prevalojë gjithmonë. Të marrim problemin e madh me të cilin përballet sot Shqipëria, atë të drogës. Që të gjithë e shohim bashkë me pasojat e veta shkatërruese, përveç kryearkitektit i cili nuk e sheh, nuk e sheh drogën Edi Rama. Cila është alternativa. Të heshtim? E dimë që hallet janë të mëdha, problemet janë të mëdha. Problemet ekonomike në veçanti. E dimë që një pjesë e shqiptarëve janë ushqyer përmes kësaj industrie vdekjeje, me atë 20 mijë lekëshin që marrin ditë për ditë në ara, në parcelat e drogës. Ua kam thënë, dhe ua përsëris sot. Eshtë 20 mijë lekëshi i helmit. Fut helmin në shtëpitë tuaja, fut vdekjen, fatkeqësinë në komunitet. Ne kemi alternativë. Ne kemi alternativë zhvillimi për ju. Nuk është kjo rruga për të luftuar varfërinë që është ulur këmbëkryq dhe që ju detyron drejt industrisë së vdekjes. Alternativa jonë është të qëndrojmë fuqishëm dhe fortë kundër drogës. Droga është shkatërrim për Shqipërinë. Helm për fëmijët tanë, helm për gjimnazistët, helm për rininë. Eshtë shkatërrimi i ekonomisë, është zëvendësimi i strukturës shoqërore me një strukturë kriminale e cila një nga një kap dhe rrëzon të gjitha institucionet, policinë, gjykatat, prokurorinë, zgjedhjet, politikën, ekonominë. Nuk ka asnjë alternativë tjetër. Interesi publik e dikton. Partia Demokratike ka vendosur të përballet kundër kartelit të drogës, deri në fitore.
Marrim çështjet e tjera themelore të interesit publik. Siç është çështja e trajtimit të mbetjeve të importuara në Shqipëri. Pse është çështje e interesit publik? Pikë së pari, sepse ka të bëjë me konceptin tonë për demokracinë. Nëse një numër i madh qytetarësh fituan të drejtën që shqiptarët të vendosin për këtë çështje, askush nuk mund dhe nuk duhet t’ua marrë më këtë të drejtë. Eshtë e drejta e tyre. S’mund të vendosë më as Edi Rama sot, as Lulzim Basha nesër. Do të vendosin qytetarët. Me referendum. Me hir ose me pahir, importi i mbetjeve në Shqipëri duhet të jetë një çështje e vendosur nga populli shqiptar me votë referendare.
Dhe kjo, bashkë me ndjesën e qartë dhe paekuivoke, për ligjin që ne miratuam në 2011-ën, sigurisht në rrethana krejt ë ndryshme, të një Shqipërie jo kaq të pasigurt, sa të ulen avionët e drogës dhe të kalojnë armët e kriminelëve në perimetrat e sigurisë së Durrësit, por prapë se prapë, duke patur parasysh rrethanat e sotme, e kam thënë dhe dua ta përsëris, do të ishte një vendim që unë personalisht do ta merrja ndryshe.
Ndaj mësojmë të ecim përpara. Sot kemi një vendim unanim. Dhe nuk është vendim populist. Eshtë një vendim për interesin publik, për të ndaluar helmet në Shqipëri. Ai që duhet t’i japë përgjigje pyetjeve, nuk jemi ne, që zgjedhim të jemi në krahun e qytetarëve, që zgjedhin të përfaqësojmë zërin e qytetarëve, që zgjedhim të luftojmë për zërin e qytetarëve përmes referendumit sot, përmes protestës qytetare nesër me 1 tetor, të cilën do e përkrahim me të gjitha forcat dhe mënyrat. Ai që duhet ti shpjegojë qytetarëve ndryshimin e qëndrimit është Edi Rama që tre vite më parë, ju pengoi, ju mori, ju vodhi, ju grabiti të drejtën referendare dhe sot me hile dhe pabesi rikthen importin e plehrave. E rikthen sepse janë rikthyer fuqishëm interesat mafioze për të kapur dhe skllavëruar. E rikthen sepse kjo është historia e tij tre vjeçare. Merri shumicës, jepi pakicës. Ne do ta ndalim.
Së fundmi, nga reflektimet personale te cilat po ndërthuren në reflektime politike, ajo që kam parë dhe mësuar në këto 11 vite, është se politika ka dinamikën e saj. Si vetë jeta. Dhe që politika të mbetet përherë e mirë përherë në shërbim të qytetarëve dhe përherë moderne, e freskët, e motivuar, e gatshme për beteje të, për interesin publik, jo për interesa të veçanta, ajo duhet të garantojë që njerëzit vijnë, gjejnë mundësi, zhvillojnë karriera dhe pastaj largohen. Që të vjetrit, ua lënë rradhën të rinjve, që elitat qarkullojnë. Ju nuk do të hyni sot në Partinë Demokratike dhe të prisni 30 vjet sa të më vijë mua mosha që të dal në pension e t’u hap rrugë. Partitë shqiptare, duhet të përqafojnë vlerën evropiane, të qarkullimit të elitave. Dhe unë jam sot këtu, si provë dhe si garanci e kësaj në Partinë Demokratike të Shqipërisë.
Ky është premtimi që u bëj sot të rinjve demokratë, që do ta keni rrugën e hapur për të ecur përpara në Partinë Demokratike, sigurisht duke konkuruar dhe duke kontribuar. Tani do të më lejoni që të bëj disa kërkesa. Kërkoj nga ju që keni spikatur me aksionin tuaj politik, të jeni akoma më vetëveprues, akoma më krijues, akoma më të vendosur në betejën tonë kundër një qeverie e cila i ka shpallur dënimin me vdekje zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe të cilës do t’i rezervojmë përballjen më të fortë që ka njohur tranzicioni shqiptar.
Kërkoj gjithashtu me gjithë hapjen e madhe, me gjithë prurjet e mëdha, të jeni akoma më të hapur edhe ndaj prurjeve të reja edhe në demokracinë e brendshme, në Forumin Rinor të PD, sikundër po përpiqemi në Partinë Demokratike.
Ju e keni detyrë, e keni tagër, e keni mandat, por e keni edhe mundësi të sillni më shumë frymë bashkëkohore dhe moderne në Partinë Demokratike. Silleni!
Keni syrin e palodhur, mendjen e kthjellët për të ndihmuar korigjimin dhe reformimin e mëtejshëm të Partisë Demokratike. Bëjeni!
Ju pret një barrë e rëndë dhe një përgjegjësi, jo një privilegj. Një mundësi për Partinë Demokratike, një përgjegjësi për ju: Të nxirrni nga rradhët tuaja, 35 përqind të kandidatëve për deputetë, të jepni shembullin e konkurencës, të debatit,të primareve, siç e dhatë në zgjedhjet e kryetarit, të bëheni shembulli i meritokracisë politike, bëjeni dhe jam i bindur se do ta bëni.
Suksese dhe faleminderit!
Njoftim për media i Partisë Demokratike, 30 shtator 2016
Read More