Blog

10 Tet
0

Këlliçi me të rinjtë europianë: Zgjedhjet e lira, nevojë jetike për Shqipërinë

Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi mori pjesë në mbledhjen e Këshillit të Kryetarëve të YEPP (Youth of European’s People Party), forumi i të rinjve të Partive Popullore Europiane i mbajtur në Vjenë. Z.Këlliçi paraqiti para drejtuesve të të rinjve të djathtë europianë nevojën jetike për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri duke denoncuar fenomenin e blerjes së votës si në rastin e zgjedhjeve në Dibër. Kreu i të rinjve demokratë foli për gjendjen e rëndë ekonomike në vend ku mbi 40 % të të rinjve janë të papunë ndërsa një pjesë e madhe e tyre duan të largohen nga vendi. Këlliçi mori mbështetjen e drejtuesve të të rinjve të Partisë Popullore Europiane për përballjen e këtyre sfidave të të rinjve shqiptarë. Ai u takua edhe me kryetarin e Junge ÖVP, Forumit Rinor të Partisë Popullore Austriake dhe njëkohësisht Ministrit të Jashtëm të Austrisë, z. Sebastian Kurz, me të cilin ndau nevojën për më shumë bashkëpunim mes forumeve të të rinjve.

Këshilli i kryetarëve të YEPP miratoi një deklaratë në përundim të punimeve e cila u nënshkrua nga krerët e forumeve rinore të 19 shteveve si; Austria, Hollanda, Hungaria, Norvegjia, Finlanda, Kroacia, Sllovakia, Sllovenia, Suedia, Zvicra, Irlanda, Shqipëria me titull: ‘For a new European Centre Right’, pra për një qendër të djathtë të re europiane. Kjo deklaratë e të rinjve të djathtë europianë i kërkon Partive Popullore Europiane hapjen dhe modernizimin e strukturave partiake, hapjen më shumë ndaj shoqërisë civile, ekspertëve, njohjen e gabimeve të së shkuarës, etj.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 10 Tetor 2016

Read More
10 Tet
0

Plehrat janë rrënim, historia e një të moshuare që jeton me kazanat e mbetjeve

Mbetjet që Edi Rama po ia përcjell qytetarëve si shpëtimin ekonomik të vendit, janë në fakt një mjerim. Janë biznes për klientët e tij dhe për mafian e plehrave, por për njerëzit janë shkatërrim. Safije Cani është 80 vjeçe banon në Laprakë, dhe jeton duke rrëmuar nëpër kazanët e plehrave. E braktisur në çdo drejtim nga shteti, paratë që nxjerr nuk i dalin as per të paguar dritat, as për ilaçe. Sekretari për Aksionin Qytetar pa nga afër kushtet e vështira ku jeton 80 vjeçarja.

“Jam 80 vjeç dhe jetoj vetëm. Mbledh kanaçe përditë, mos i paça kalamajtë. Fëmijët kanë ikur në Azil. Nuk kam askënd”, thotë ajo.

Salianji: Sa lekë fiton me këto?

E moshuara: 500 lekë, 500 të vjetra në ditë.

Salianji: Dritat kur t’i kanë prerë

E moshuara: Prej dy vjetësh. Vetëm një llampë kam këtu (në kuzhinë) dhe në korridor.

Ajo thotë se askush nuk interesohet për jetën e saj, shteti e ka braktisur.

“S’ka ardh kërkush. Vetëm jam këtu. Nga bashkia nuk duket kurrkush. S’kam parë kërkënd dhe asnjeri nuk më ndihmon. Nuk vjen asnjeri të më shohë”, thotë e moshuara.

Salianji: “Këtu tek ty mund të vijnë vetëm për fushatë për reklamë me kamera. Ja kështu si ti për tek plehrat i thotë qytetarëve shqiptarë se do të punësojë 30 mijë veta, ja kështu si ty do të punësojë njerëz, me 500 lekë të vjetra në ditë apo një mijë lekë e ta mbushë Shqipërinë plot me plehra. Ndërkohë Rama fiton 150 milion euro nga kjo. Ky godet të varfërit, godet njerëzit e pamundur si ti dhe bën lek për të pasurit dhe njerëzit e tij. Po ilaçet, shëndetësinë a ta kanë dhënë falas”?

E moshura: Jo, jo nuk më japin asgjë falas, i kam blerë dhe shtrenjtë. Mezi më del se duhet dhe të ha.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 10 Tetor 2016

Read More
09 Tet
0

Veliaj i zhytyr në tendera korruptivë me fitues të paracaktuar

Erjon Veliaj është përfshirë në një valë tenderash të dyshimtë, me shkelje të rënda ligjore që janë afera të pastra korruptive.

Media ka zbuluar se Veliaj jo vetëm i bën tenderat pa garë, pa konkurim, por del se fituesi i paracaktuar prej tij ka falsifikuar dokumentet.

Prokuroria ka nisur hetimet për këtë rast, por një zbardhje e plotë e rrethanave do të ishte në interes të publikut, për të kuptuar se si një operatori me dokumenta false i jepen 1 miliardë e 200 milionë lekë.

Prokurimi është bërë me 22 shkurt të këtij viti dhe i është dhënë firmës Ecologica Albania, me negocim, pa tender, pa garë, pa shpallje. I gjithë fondi i jepet mikut të Erion Veliajt edhe pse është shumë më tepër se fondet e nevojshme për pastrimin e asaj zone të Tiranës.

Miku i Erionit merr taksat e qytetarëve të Tiranës dhe paraqitet në Bashki me letra false.

Deri tani prokuroria ka heshtur për dhjetëra afera të Veliajt, të denoncuara me fakte dhe prova. Tani është koha për një hetim të plotë ku të dalin të gjitha përgjegjësitë e Erion Veliajt që e ka kthyer bashkinë në pazar tenderash me vjedhje të drejtpërdrejt, e tani dhe në shërbim të mafias së plehrave.

I bëjmë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që janë në darën e taksave të larta të Veliajt duhet të bashkohen për t’i treguar vendin këtij hajduti që abuzon kaq hapur me paratë e djersës dhe sakrificës suaj.


Deklaratë e kreut të këshilltarëve të Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës, Leonard Olli, 9 tetor 2016

Read More
09 Tet
0

Basha: Pa dekriminalizimin, nuk mund të ketë zgjedhje të lira, siguri dhe mirëqenie për qytetarët

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vijoi turin e dëgjimit dhe bashkëbisedimit me drejtues të Partisë Demokratike në degën 9 në kryeqytet. Duke iu referuar raportit të Guardia di Finanza, e cila në monitorimin që i ka bërë vetëm 17% të territorit konstatoi 5 fishim të sipërfaqes së mbjell me lëndë narkotike. Zoti Basha theksoi se kjo është pasojë e kriminalizimit të pushtetit dhe emërimit në poste kyçe të personave me rekorde kriminale. Lideri i opozitës tha se pa zbatuar ligjin e dekriminalizimit në vend nuk mund të ketë zgjedhje normale, siguri dhe mirëqenie për qytetarët.

“Po të vesh Artur Bushin kryetar të bashkisë së Krujës, çfarë tjetër mund të presësh përveçse mbulimin e Bashkisë së Krujës nga droga dhe ndërtimin e aerodromeve të drogës në Bashkinë e Krujës? Po të kesh Artur  Bardhin në Kurbin, Elvis Roshin në Kavajë, Armando Prengen në Laç, Arben Ndokën në Lezhë e kështu me radhë nga jugu në veri, çfarë tjetër mund të presësh? Kur kriminalizon shtetin, kur vendos trafikantët e dënuar në poste kyçe, kur këta të diktojnë përmes bashkëpunëtorit të tyre më të ngushtë, ministrit të brendshëm se kë do vesh shef policie, kë do vesh drejtor policie? Kriminalizimi i shtetit nga Edi Rama dhe Saimir Tahiri i parapriu kthimit të Shqipërisë në një hambar droge. Kjo do të thotë se pa zbatuar reformën më të rëndësishme në vend ligjin e dekriminalizimit, ne nuk mund të ecim përpara, nuk mund të ketë as zgjedhje, as procese të tjera normale. Siguria mirëqenia janë në rrezik”.

Arsyeja pse Edi Rama ka zgjedhur aleancën me krimin, drogën dhe mafian e plehrave, theksoi kryetari i Partisë Demokratike lidhet me keqqeverisjen e tij dhe pamundësinë në këto kushte për t’u përballuar me qytetarët në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Plani i Edi Rames tha zoti Basha, eshte qe me para krimi, droge dhe plehrash të mund të blejë votën e qytetarëve dhe të mos përballet me mosmbajtjen e asnjë premtimi dhe me shtimin e varfërisë dhe papunësisë.

“Gjithçka ka bërë këto tre vite ka qenë kundër interesit të qytetarëve. Me klimën asfiksuese ndaj biznesit, ndaj punëdhënësve që ka shkatërruar mijëra vende pune në vend që të hapte qoftë dhe një të vetëm të ri; me kthimin e  shëndetësisë shqiptare në mesjetë përmes koncesioneve korruptive dhe hajdutërisë së Ilir Beqës me Edi Ramën; me shkatërrimin e sistemit arsimor, duke djegur ëndrrat e mijëra maturantëve. Ndaj kanë vendosur një aleancë të hapur me drogën, me krimin, me mafian ndërkombëtare të plehrave.“


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 9 tetor 2016

 

Read More
09 Tet
0

Deklaratë e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Ndarja e papritur nga jeta e Gilman Bakallit, në një moshë kaq të re ka prekur këdo që e njihte atë përmes auditorit, ekranit, apo në angazhimet e tij të shumta. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe miqtë e tij. U prehtë në paqe.

Read More
08 Tet
0

Droga ka pushtuar vendin, Rama dhe Tahiri sërish në krahë të trafikantëve

Monitorimi nga ajri tregon se sipërfaqja e mbjellë me drogë në vetëm 17% të territorit që u vrojtua, është 5 herë më e madhe se një vit më parë.

Vetëm për 17 përqind të territorit 5 herë më shumë drogë se vjet. Po në 83 përqind të territorit që nuk u vrojtua dot? Nuk u vrojtuan dot as brigjet e lumenjve dhe zona të tjera përgjatë akseve kombëtare dhe qendrave urbane, ndonëse janë mbushur me drogë si kurrë më parë.

Droga është shtrirë në gjithë vendin dhe ka pushtuar toka edhe pranë akseve kombëtare si në Rinas, apo në zona urbane.

Gënjeshtrat dhe mashtrimet e Ramës dhe Tahirit kanë plasur si tullumbace.

Çdo shqiptar e di se droga ka mbuluar vendin. Por Rama dhe Tahiri, pasi u fshehën dje pas raportit tronditës, dolën dhe rrahën shpatullat e njëri-tjetrit.

Edhe sot, Tahiri tha se:

Janë kultivuar 30 përqind më pak drogë dhe policia ka asgjësuar 98 përqind të sipërfaqes së mbjelle me drogë.

Tahiri tha sot se beteja është e pabarabartë dhe kjo e bëka hero Tahirin që po lufton këtë betejë të pabarabartë.

Betejë e pabarabartë, e pabarabartë me kë? Krimi qenka mbi policinë, krimi qenka superior me shtetin? Si pohon vetë Tahiri, duke pranuar pabarazinë me krimin.

Pikërisht këtë po themi, me forcë çdo ditë që krimi është mbi shtetin, sepse krimi ka kapur shtetin, sepse krimi është vetë shteti, dhe lufta me shtetin e kriminuar është sigurisht e pabarabartë.

Gjoja Tahiri po punon shumë, por nuk ka arritur së pari të parandalojë mbjelljen e qindra hektarëve drogë, nuk ka arritur të kapë askënd nga bosët e drogës, me përjashtim të të pamundurve.

Karteli e ka gjetur zgjidhjen, fajin e ka opozita.

Ndërkohë, çdo ditë, nga Ura e Tapizës e deri në Fushëkrujë, në orët e para të mëngjesit, dhjetëra gra e fëmijë transportohen me furgonë në malet e Krujës për të përpunuar hashashin.

Nxënësit e shkollave helmohen me drogën që është bërë e pranishme kudo.

Banditët ju presin rrugën prokurorëve dhe policia hesht.

Asnjë trafikant nuk është në pranga. Mbrëmë policia me urdhër të Tahirit fshehu ndalimin e Qefalive me 50 kilogramë kanabis të tharë, dhe vetëm pas denoncimit të PD, u detyrua të japin informacion.

Viktima në Shëngjergj, i vrarë me armë zjarri, është për parcelat e drogës, dhe me më këtë rast bëhen 7 jetët e humbura nga konliktet për kanabisin vetëm në pak javë.

Pse e mohon deri në fund, dhe pse e mbron deri në fund, Edi Rama, drogën dhe Tahirin?

Sepse është vetë i përfshirë. Ky është biznesi kriminal që është ndërtuar me lejen dhe bekimin e Edi Ramës.

Karteli i drogës që ka krijuar në vend, është arma e tij që të mbajë me cdo kusht pushtetin, të ruajë miliardat e krimit dhe korrupsionit.

Shqiptarët gjenden përballë një pushteti narkotrafikant.

Një pushteti që synon të drogojë mbarë vendin.

Por shoqëria jonë i ka mekanizmat për ta mbrojtur veten, për ta mbrojtur familjen, fëmijët dhe të ardhmen.

Shqiptarët do të dijnë të reagojnë.

Shqipëria më mirë pa drogë.

Shqipëria më mirë pa Edi Ramën.


Deklaratë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Arben Ristani, 8 tetor 2016

Read More
08 Tet
0

Basha: Pesëfishimi i sipërfaqes së kultivuar me drogë është akuza me fakte për kriminalizimin që Edi Rama i ka bërë shtetit shqiptar

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dëgjoi dhe bashkëbisedoi me drejtues të strukturave të Partisë Demokratike në Pukë. Puka është një ndër zonat që ka vuajtur më së shumti keqqeverisjen e Edi Ramës, mos mbajtjen e premtimeve, papunësinë në rritje dhe për pasojë emigrimin. Edi Rama në tre vite, theksoi zoti Basha është faktuar si njeriu që e do pushtetin për vete dhe një grup miqsh të tij, duke u lënë si alternativë qytetarëve drogën dhe emigrimin.

“Për fatin e keq të Shqipërisë është provuar se Edi Rama, ky koalicion qeveritar prej ditës së parë e deri tani që po i vjen mbyllja e mandatit ka menduar vetëm për veten e vet, vetëm për xhepat e vet, vetëm për pasurimin e vet, vetëm për pushtetin e vet. Sepse një qeveri që erdhi me premtimin për 300 mijë vende pune dhe çoi 100 mijë shqiptarë refugjatë; Një Kryeministër që premtoi shëndetësi falas dhe e futi në gjendjen më mesjetare, më të zezë, më të vobektë, më të korruptuar që ka parë shëndetësia në këto 26 vite; Një Kryeministër që premtoi rend dhe siguri dhe që shumëfishoi krimin, drogën, vrasjet, nuk është në gjendje të tregojë një punë konkrete që i vlen qytetarëve, por që i tregohen me gisht me dhjetëra afera korruptive është varrmihëse e shpresës”.

Në Pukë ka me qindra hektarë tokë të mbjellur me kanabis nën mbrojtjen e policisë dhe pushtetarëve vendorë, theksuan qytetarët. Në 17% të territorit është 5- fishuar kultivimi i kanabisit në një vit. Nga 44.7 hektarë vitin e kaluar në 213.7 hektarë këtë vit, theksoi zoti Basha duke shtuar se kjo është vepër e Al Kaponeve në qeveri, në bashkëpunim të ngushtë me kartelin e drogës, është alternativa e Edi Ramës.

“Edi Rama llomotit për orë të tëra por nuk thotë  asgjë për krimin që mori pesë jetë njerëzish në dy ditë ndërkohë që ai rrihte gjoksin. Ministrit të tij i ishte trashur gjuha se iu kapën 21 tonë drogë. 21 tonë drogë janë akuza me fakte, për kriminalizimin që Edi Rama i ka bërë shtetit shqiptar.  Është prova se demokratët, Partia Demokratike po thonin dhe thonë të vërtetën, që sipërfaqja e kultivimit është shumëfishuar dhe shtrihet anembanë Shqipërisë, si përgjigja e zezë, si alternativa e vetme që Edi Rama u lë fukarenjve që punojnë si skllevër sepse përfitimet i marrin një grusht njerëzish”.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 8 tetor 2016

 

Read More
08 Tet
0

Kongresi i Grave të PPE, Vokshi: Brukseli të ndërhyjë, droga po kërcënon Shqipërinë

Kryetarja e LDGSH ndan shqetësimin e pushtimit të vendit nga droga që po prek edhe gratë e fëmijët

Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas, deputetja Albana Vokshi deklaroi në Kongresin e Forumit të Grave Popullore Europiane se Shqipëria rrezikon të kthehet në një “Kolumbi” në Ballkan për shkak të lidhjeve të qeverisë me prodhuesit dhe trafikantët e drogës.

Zonja Vokshi deklaroi se Partia Demokratike dhe LDGSH kanë nisur takimet me qytetarët për të denoncuar lidhjet e qeverisë me krimin dhe për të mos lejuar pushtimin e Shqipërisë nga trafikantët e drogës dhe mafia e plehrave. Ajo kërkoi ndihmën e Forumit të Grave Popullore Europiane për të lobuar me kancelaritë perëndimore për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo situatë kritike që rrezikon edhe procesin e integrimit ne BE.

Zonja Vokshi shprehu shqetësimin për rritjen e numrit të vrasjeve për shkak të konflikteve për parcelat e drogës si dhe rritjen e përdorimit nga ana e fëmijëve e të rinjve. Trafikantët po shfrytëzojnë të rinjtë dhe familjet e varfra për të mbjellë kanabis duke sjellë edhe rënien e sektorëve të tjerë prodhues të ekonomisë (bujqësia, fasonët etj) . Ndërsa në raportet sekrete ka të dhëna se rryshfeti për drogën shkon deri në qeveri. Edhe në mediat më prestigjioze po shkruhet se qeveria e Tiranës po e përdor drogën për të mbajtur pushtetin, tha deputetja Vokshi në takimin e europarlamentareve dhe përfaqësueseseve të qeverive të djathta europiane.

Gjatë fjalës së saj, Vokshi theksoi shqetësimin për thellimin e varfërisë te gratë dhe të rinjtë. Referuar raporteve të Bankës Botërore, gjysma e popullsisë jeton në minimimin jetik, me më pak se 500 lek në ditë, pasi korrupsioni është i përhapur në cdo qelizë të qeverisjes.

“Shqiptarët kanë frikë të flasin nga varfëria dhe po shfrytëzohen për punë të rënda dhe të paligjshme bashkë me fëmijët e tyre dhe gratë e pambrojtura. Papunësia është rritur ndjeshëm tek gratë (në rajone të caktuara edhe 50 – 70%); politikat qeveritare i mbyllën dyert e universiteteve mijëra vajzave që investuan për 12 vjet për tu arsimuar. Pa punë, pa akses në arsim e shëndetësi, pa shpresë, e vetmja mundësi për shumë gra dhe vajza mbetet azilimi.  Vokshi falenderoi qeveritë e vendeve Europiane që mikpritën familjet shqiptare që emigruan nga varfëria dhe papunësia.

Censurimi i medias, përndjekja e gazetarëve që hiqen nga puna për denoncimet që i bëjnë korrupsionit dhe krimit shtetëror ishte një tjetër shqetësim që znj. Vokshi ndau me pjesëmarrëset në takim.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 8 tetor 2016

 

Read More
07 Tet
0

Erion Veliaj kalon bashkinë dhe pasuritë e Tiranës në shërbim të mafias

Deklaratë e këshilltarëve të PD për mediat, pas ndalimit të fjalës së tyre në mbledhjen e Këshillit Bashkiak

Këshilltarët e PD në Bashkinë e Tiranës nuk janë lejuar të flasin në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak ku Erion Veliaj kaloi akte të tjera në funksion të mafias së mbetjeve. Në këtë mbledhje, Erion Veliaj grabiti dhe një truall prej 22 mijë metrash katrorë, për tia dhënë pikërisht industrisë kriminale të mbetjeve. Pa transparencë dhe pa dhënë asnjë lloj llogarie.

Kreu i Këshilltarëve të PD, Leonard Olli, foli me mediat pasi iu hoq e drejta e fjalës në Këshill.

“Për këto diskutime duhej të kishim të drejtën legjitime që të gjithë shqiptarët e kanë fituar me gjak në vitin 90, të drejtën e fjalës. Kjo e drejtë fjale duhet të jepet brenda sallës së Këshillit Bashkiak ku ne kemi bërë betimin se ne do të mbrojmë interesat e publikut. Për fat të keq, nuk është hera e parë që kjo mazhorancë, pa dallim, me dhunën e kartonëve, sa herë vjen çështja për interesat mafioze, fillojnë dhe mbyllin mikrofonin dhe ndalojnë mbledhjen. U djeg shumë diskutimi i çështjes së “Eco Tirana”, jo thjesht dhe vetëm se është një aktivitet totalisht i paligjshëm, antiambientalist, në zemër të Tiranës e cila do të ketë impakt për rreth 90 mijë banorët e njësisë administrative n.9, pasi do të ketë depozitim mbetjesh, lëre çfarë thuhet zyra. Ajo që ata donin të fshihnin me çdo kush ishte aktiviteti i kësaj kompanie, e cila i ka paraprirë në kohë ligjit famëkeq të importimit të mbetjeve. Mafia po vendos diktatin. Popullit i është hequr e drejta e vendimmarrjes. Kjo u duk qartë edhe në parlament për mosaprovimin e referendumit. Fatkeqësia është se të gjithë bëjnë apel për një qytet më të pastër por të mos harrojmë se ishte vetë kryetari i bashkisë Erjon Veliaj, i cili jo më larg se katër muaj më parë, bëri apelin për t’u punësuar tek firma 3R. Apeloi për të shkuar për të punuar se të gjithë aty do të ishin të garantuar dhe të siguruar.  Dhe çfarë ndodhi. Një 17 vjeçar humbi jetën në mënyrë tragjike i shfrytëzuar çmendurisht nga mafia e përpunimit të plehrave. Sot na sjellin një emër të ri dhe këtë e fshehin nën petke memorandumesh, por nëse janë kaq të qetë, përse refuzojnë të bëjnë transparencë? Nuk është vetëm paligjshmëria që në themel në krijimin e kësaj kompanie, por janë 22 mijë m2 në qendër të Tiranës. Eshtë ky kryetar bashkie që mashtron duke thënë se unë do të ndërtoj shkolla dhe në atë vend mund të ndërtohej më shumë se një shkollë. Eshtë pikërisht ai vend mu në zemër të njësisë administrative nr.9 që mund të ishte bërë një qendër multifunskionale, që ishte vijimi i asaj që kishte iniciuar z. Basha. Ju e dini që atje ishte programuar një qendër multifunksionale për fëmijët, për parashkollorët, për shkollat e mesme, e me radhë. Por jo. Duhet t’i jepet mafias në përdorim. Dhe për fat të keq, që ta bëjnë këtë sa më lehtë dhe në mungesë të plotë transparence zgjodhën këtë mënyrë për ta mbyllur me dhunë”, u shpreh Olli.

Kreshnik Çollaku denoncoi mungesën e transparencës dhe pamundësinë për të marrë informacion nga bashkia:

“Do të them një mesazh të cilin unë e mendoj dhe do t’ua kërkoj edhe kolegëve të mi të Këshillit Bashkiak. Unë jam një i zgjedhur i këtij qyteti, si një përfaqësues i një pjese të saj në Këshillin Bashkiak, unë dua t’i them çdo qytetari të Tiranës se e kam të pamundur të zhvilloj atë funksion, atë veprimtari për të cilën unë jam votuar në këtë këshill. Ne sot jemi para një akti që sanksionon një veprimtari të qartë dhe të pastër mafioze. Akte të cilat kalojnë pa transparencë, akte të cilat kalojnë në dhunim të çdo ligji dhe më e rënda dhe këtu fillon mosfunksionimi ynë si Këshill, unë personalisht ndjehem i paaftë ta kryej këtë. Ne nuk kemi asnjë lloj mundësie për të replikuar, për të kërkuar informacion, për të kundërshtuar, pra të dashur qytetarë të Tiranës, ne nuk mund t’ju gënjejmë dot. Un nuk ju gënjej dot. Unë si këshilltar i këtij Këshilli Bashkiak, nuk e kryej dot më funksionin si i zgjedhur aty brenda. Ndaj po vlerësoj seriozisht, dhe do t’ua kërkoj kolegëve të mi, në mbledhjen që do të zhvillojmë, të dorëzojmë mandatet e Këshillit Bashkiak. Ne nuk mund të përfaqësojmë dot qytetarët sepse këtu ka një vullnet mafioz i cili bllokon fjalën, transparencën, sqarimet në çdo element. Kemi konsumuar çdo argument, kemi konsumuar çdo kërkesë normale, logjike, të edukuar, duke bërtitur ndonjëherë për të marrë fjalën. Për të thënë fjalën tonë, për të kërkuar informacion dhe transparencë, kjo nuk ndodh. Sjellja është tipike mafioze. Përpara këtyre sjelljeve ka dy rrugë, ne të mos gënjejmë qytetarët. Këtu brenda nuk mbrohen më interesat e qytetarëve, kështu që na mbetet, të dorëzojmë mandatet, të bojkotojmë këtë farsë dhe t’u drejtohemi qytetarëve ta zgjidhin vetë”, u shpreh Collaku.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 7 tetor 2016

Kreshnik Collaku

 

Read More
07 Tet
0

Basha: Në 17% të territorit është 5 fishuar kultivimi i kanabisit në një vit. Po në 83% tjetër të sipërfaqes?!

  • Sipërfaqja e mbjellë me drogë është rritur nga 44.7 ha vitin e kaluar në 213.7 ha këtë vit
  • Droga e 5-fishuar në territor është vepër e Al Kaponëve në qeveri, në bashkëpunim të ngushtë me kartelin e drogës, është alternativa e Edi Ramës.
  • Në gjithë këtë proces nuk kemi asnjë trafikant të arrestuar e të proceduar por veç fakir-fukarenjve që punojnë si skllevër bashkë me fëmijet e tyre në arat e kanabisit.
  • Policia shqiptare sot pretendoi se kishte asgjësuar 99.8%. Pra, nëse dhjëtëra tonë drogë, afro 20 tonë të konfirmuara, ndoshta më shumë, të kapura nga policia italiane përfaqësojnë 0.2% të sasisë së drogës së prodhuar në Shqipëri këtë vit, atëherë flasim për një prodhim minimal prej 10 mijë tonë drogë këtë vit në Shqipëri.
  • Edi Rama dhe Saimir Tahiri nuk kishin prioritet të luftonin kultivimin e drogës, por të luftonin opozitën, të luftonin median, të luftonin qytetarët që denonconin ditë për ditë njollën e drogës që hapej e përhapej, e gëlltiste hektarë të tërë në mbarë Shqipërinë.
  • Qytetarët shqiptarë, demokratë e socialistë, pjesëtar të shoqërisë civile, ne gjendemi përballë shtetit narko-trafikant.Shteti ligjor në Shqipëri ka rënë, bashkë me të çdo garanci për lirinë dhe mirëqenien e çdo shqiptari. Ndaj ky kartel nuk na lë asnjë zgjidhje tjetër përveçse të ngrihemi, të bashkohemi, të përballemi e ta rrëzojmë narko-kartelin që ka rrëzuar Republikën e Shqipërisë. 

Deklaratë e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha

Të nderuar qytetarë, shumë prej jush mund të kenë ndjekur sotpërfundimin e raportimit të monitorimit të territorit shqiptar nga ajri, nga ana e partnerëve italianë, Guardia di Finanza dhe agjencive të tjera ligj zbatuese italiane.

Sot bashkë me kërkesën time për publikimin e plotë dhe të shpejtë të këtij raporti, dua t’ju njoftoj se edhe opozita është informuar zyrtarisht nga autoritetet italiane se pas vrojtimit të 17% tëterritorit të Shqipërisë nga ajri rezulton 5-fishim i sipërfaqes së mbjellur me drogë.

Pra, sipërfaqja e mbjellë me drogëështë rritur nga 44.7 ha vitin e kaluar në 213.7 ha këtë vit, një 5-fishim i sasisë, i sipërfaqes të mbjellë me drogë.

Bëhet fjalë të nderuar qytetarë jo për të gjithë territorin e Shqipërisë, por për vetëm 17% të territorit të vrojtuar, ndërkohë që 83% e territorit të Shqipërisë nuk ka arritur të vrojtohet.

Po kështu në këtë 17% të territorit tëvrojtuar ku kemi një 5-fishim të sipërfaqes të mbjellë me drogë, nuk ka arritur të vrojtohet cikli i parë prodhues i farës vietnameze sepse ajo është korrur javën e parë të qershorit, ndërkohë që vrojtimi nga ajri i partnerëve italianë ka nisur javën e tretë të qershorit.

Raportimet e medias italiane tregojnë për dhjetëra tonë drogë të ardhura nga Shqipëria që janë kapur në brigjet italiane, ndërkohë që policia shqiptare sot pretendoi se kishte asgjësuar 99.8%.

Pra, nëse këto dhjetëra tonë drogë, afro 20 tonë të konfirmuara, ndoshta më shumë, të kapura nga policia italiane përfaqësojnë 0.2% të sasisë së drogës së prodhuar në Shqipëri këtë vit, atëherë flasim për një prodhim minimal prej 10 mijë tonë drogë këtë vit në Shqipëri. Shifër që mund të jetë edhe dyfishi i kësaj.

Shqipëria është kthyer në hambarin më të madh të drogës në Europë. Ne e paralajmëruam. Ne kërkuam nisjen e monitorimit nga ajri dhe i kërkuam autoriteteve shqiptare, Kryeministrit, ministrit të Brendshëm të nisë parandalimin muaj më parë. Por Edi Rama dhe Saimir Tahiri në vend që të vepronin u tallën dhe sulmuan opozitën.

Sepse të parandalonin kultivimin e drogës, të parandalonin 5-fishimin në vetëm 17% të territorit do të thoshte të sulmonin interesat e veta.

Prandaj në gjithë këtë proces nuk kemi asnjë trafikant të arrestuar e të proceduar përveç fakir-fukarenjve që punojnë si skllevër bashkë me fëmijet e tyre në arat e kanabisit.

Prandaj habilajve e balilajve dhe ushtarëve të tyre nuk u hyn një ferrë në këmbë.

Edi Rama dhe Saimir Tahiri nuk kishin prioritet të luftonin kultivimin e drogës, por të luftonin opozitën, të luftonin median, të luftonin qytetarët që denonconin ditë për ditë njollën e drogës që hapej e përhapej, e gëlltiste hektarë të tërë në mbarë Shqipërinë.

Kishin prioritet të luftonin dhe denigronin ata prokurorë me integritet e të guximshëm që iu kundërvunë me guxim drogës, t’i pengonin në aksionin e tyre. Ndonëse nuk arritën dot që brenda tre ditëve të kësaj jave të konfiskoheshin 26 tonë drogë. Drogë e kartelit të drogës në bashkëpunim me Edi Ramën dhe Saimir Tahirin, të cilëve iu iku zëri, iu trash gjuha, në vend që të përgëzonin këtë aksion të Prokurorisë.

Droga ka përfshirë masivisht shoqërinë. Dje patë rastin e fundit dhe të bërë publik të nxënësve të shkollës së Paskuqanit, pasojat katastrofike për këta të rinj, për familjet e tyre. Por ju e dini fare mirë, siç e di edhe unë, e  ndjek me shqetësim të përditshëm që konsumi i drogës në gjimnazet tona është rritur dhe po rritet dita –ditës.

Këto janëkonkluzionet që mund të nxjerrim nga të dhënat zyrtare të monitorimit:

E para: Shumëfishimi i sipërfaqes nga 44.7ha në 213.7 ha, 5-fishim i sipërfaqes vetëm në pjesën e monitoruar, që nuk është as 1/5-a e territorit të Shqipërisë.

E dyta: Parcelat e asgjësuara dhe të kapura ku trafikantët janë ndaluar kanë protagonistë vetëm Prokurorinë dhe policinë e vendeve fqinje. Sepse siç e keni parë policët e Saimir Tahirit, njerëzit që ka vënë në poste kyçe kanë qenë garant dhe pjesëmarrës në kultivimin e drogës.

E treta: Janë ndaluar dhe proceduar roje, njerëz të thjeshtë, fakir-fukarenj të punësuar në të zezë që marrin 20 mijë lekë (të vjetra) në ditë. Asnjë prej bosëve, prej peshqve të mëdhenj apo të mesëm, asnjë prej oficerëve të policisë që janë kujdestarë dhe garantë të drogës. Sepse këta narko-trafikantë me uniformë zakonisht kur bien në rrjetën e operacionit të prokurorisëlajmërohen në kohë nga shefat e tyre të mëdhenj dhe largohen në drejtim të paditur.

E kartërta: Shqipëria ka hyrë në syrin e ciklonit sa i përket drogës. Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mediat e lira të perëndimit kanë ngritur alarmin. Edi Rama eglendiset dhe krihet para ekraneve. Por nuk ka asnjë analizë, asnjë raport serioz për strukturimin e grupeve kriminale të drogës, për organizimin e tyre, për logjistikën e tyre, për lidhjet e tyre me krimin ndërkombëtar, gjithçka lihet në heshtje.

Të gjithë këta faktorë të marrë së bashku tregojnë qartë atë që e di sot i madh dhe i vogël; se qeveria është brenda, se Edi Rama dhe Saimir Tahiri janë brenda në organizatën më të madhe të drogës qëështë vetë qeveria; se këta janë Al Kaponët e drogës.Droga e 5-fishuar në territor është pra vepër e Al Kaponeve në qeveri, në bashkëpunim të ngushtë me kartelin e drogës,është alternativa e Edi Ramës.

Sot Saimir Tahiri duhet të ishte një ministër i shkarkuar. E vërteta e drogës, e vërteta që ajo ka mbuluar vendin me një organizim mes Ramës, Tahirit dhe krimit është e vërteta e një perandorie financiare me qindra milionë euro, para të pista që Edi Rama i ka nëplan t’i fusë në zgjedhjet e ardhshme, para të krimit që sipas mediave ndërkombëtare që jo vetëm po destabilizojnë Shqipërinëpor edhe rajonin.

Sot, ndërkohë që Edi Rama zaptoi ekranet duke iu thënë shqiptarëve sa të mira janë plehrat që po ju sjell, me qëllim për të larguar vëmendjen nga të dhënat zyrtare të kultivimit dhe të trafikimit të drogës që tregojnë 5-fishimin, sot pra portali më i madh i lajmeve në perëndim “Huffington Post” botoi një analizë të gjendjes së drogës në Shqipëri, autori ështëLuke Coffey, drejtor i Qendrës për Politikë të Jashtme i Fondacionit Heritage. Një nga njohësit më të mirë dhe më të vlerësuar të politikës së jashtme amerikane i cili paralajëmroi në këtë analizë se droga shqiptare tashmë përbën rrezik për destabilizimin e gjithë Ballkanit dhe një problem për mbarë Europën.

Luke Coffey argumenton se një nga motivet e lejimit të drogës nga qeveria ështëmbajtja e pushtetit me anë të parave të drogës për vitet e ardhshme. Ai u bën thirrje Uashingtonit dhe qeverive europiane të merren seriozisht me gjendjen në Shqipëri.

Edi Rama ka bërë legalizim “de facto” të kësaj të keqe që po rrënon Shqipërinë, por duke e kontrolluar ai vetë me Tahirin e bandat e tij. Populli argat, emigrant, i burgosur ose skllav në fermën e madhe të drogës të Edi Ramës dhe Saimir Tahirit.

Saimir Tahiri nuk mund të qëndrojë më asnjë ditë në detyrë.

Qytetarë shqiptarë, demokratë e socialistë, pjesëtarë të shoqërisë civile: ne gjendemi përballë shtetit narko-trafikant. Shteti ligjor në Shqipëri ka rënë. Bashkë me tëçdo garanci për lirinë dhe mirëqenien e çdo shqiptari. Ndaj ky kartel nuk na lë asnjë zgjidhje tjetër përveçse të ngrihemi, të bashkohemi, të përballemi e ta rrëzojmë narko-kartelin që ka rrëzuar Republikën e Shqipërisë.


 

Njoftim për media i Partisë Demokratike, 7 tetor 2016

Foto Grafiku

Read More