Blog

21 Kor
0

Nuk ka asnjë kusht të ri, Edi Rama të zbatojë marrëveshjen për interesat e vendit

Mirëmëngjes. E sigurt që shumica prej jush në këtë sallë kanë ndenjur deri në orët e vona mbrëmë dhe kanë nisur ditën sot herët në mëngjes, sikurse unë dhe bashkëpunëtorët e mi dhe mijëra qytetarë. Po, me mijëra qytetarë që dje pavarësisht bindjeve politike, iu bashkuan gëzimit të përligjur për arritjen e marrëveshjes kombëtare për Reformën në Drejtësi.

Marrëveshje, e cila nuk i shërben interesit të një partie politike por interesit të Shqipërisë dhe çdo shqiptari. Kemi një marrëveshje. Përpjekjet tona kanë arritur një marrëveshje më të mirë, një projekt më të mire, jo për Partinë Demokratike por për Shqipërinë, ndaj sot i bëj thirrje të gjitha palëve ta votojnë këtë marrëveshje në Kuvendin e Shqipërisë.

Për fat të keq, mbrëmë, kjo marrëveshje është vënë sërish në dyshim dhe jam sot këtu për t’i shpjeguar çdo shqiptari faktet.

E para, ka pasur një mirëkuptim, një marrëveshje prej kohësh se për të katër institucionet, subjekt i nenit 88 do të aplikohej e njëjta formulë. Për të katër institutucionet, e keni dëgjuar me dhjetra here këtë, ta them këtu në këtë sallë.

Të Hënën, kjo pjesë e marrëveshjes është konfirmuar nga Partia Socialiste. Këtë e thotë negociatori i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi. Këtë e konfirmon negociatori i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani. Të Hënën, negociatori i Partisë Socialiste ka pranuar se marrëveshja qendron për katër institucionet, sigurisht për KLGJ dhe për KLP me tre anëtarë për mazhorancën dhe dy anëtarë për opozitën.

Eshtë pretenduar dje, se Basha ka prezantuar kushte të reja pasi është arritur marrëveshja.
Ky është një mashtrim i turpshëm.

Ditën e Hënë, Partia Socialiste i konfirmoi negociatorit tim përmes negociatorit të saj se marrëveshja është për të katër institucionet dhe shikoni çfarë ka thënë Lulzim Basha ditën e Martë, një ditë para marrëveshjes se djeshme në këtë sallë në prani të gazetarëve:

“Mbi bazën e këtyre kritereve sigurisht do të vendoset nëse i plotëson apo nuk i plotëson. Dhe mosplotësimi i njërit prej kritereve automatikisht e çon aplikuesin në moskandidim. Plotësimi i gjithë këtyre kritereve përbën listën e kandidatëve nga e cila pastaj, sipas procedurës së parashikuar në procedurën hibride, përzgjidhen komisionerët e Vettingut, përzgjidhen komisionerët publikë, përzgjidhen anëtarët e KLGJ-së jogjyqtarë dhe anëtarët e KLP-së joprokurorë”.

Pra, përzgjidhen komisionerët e Vetingut, përzgjidhen komisionerët publikë, përzgjidhen anëtarët e jogjyqtarë të KLGJ-së, përzgjidhen anëtarët joprokurorë KLP-së, sipas të njëjtën formulë.

Ky ka qenë qëndrimi i Lulzim Bashës, për ata që nuk e dinë dhe për ata që rrejnë me dëshirë apo me projekte të zeza për Shqipërinë.
Partnerëve ndërkombëtarë sot dua t’u bëj me dije se çdo mashtrim që mund të kenë marrë dje nga pala kundërshtare bie përtokë me këto dy prova.

U them gjithë partnerëve, SHBA, BE, këto janë fakte të bazuara mbi evidenca të pakundërshtueshme. Ky është qëndrimi i im të martën.

Ku është kushti i ri? Ku është kushti i ri?

Mbrëmë në mesnatë në një moment sinqeriteti, Fatmir Xhafaj, kryetari i Komisionit Ad–Hoc për drejtësinë, pranoi se drafti zyrtar i PS, drafti zyrtar që ndodhet sot në Kuvend sipas procedurave zyrtare, me përjashtimin e opozitës pas dështimit të së hënës, nuk përfshin as rekomandimet Nuland, as rekomandimet Hahn.

Por duan të na bëjnë ne, të besojmë që të pranojmë pjesën për KLGJ-në dhe për KLP-në. Pse?

Ky është një draft i parakorduar. PD, kurrë nuk e ka pranuar këtë draft, as nuk e ka parë këtë draft. Pjesa për KLGJ-në dhe KLP-në është formula e vjetër e votës të vetme të transferueshme që ne e kemi konsideruar publikisht vota e vetme e trafikueshme.

Pse ndodh kjo? Ndoshta e shpjegojmë pak më vonë.

Por ne kemi një marrëveshje. Ne i përmbahemi kësaj marrëveshje. Ne jemi gati ta votojmë këtë marrëveshje sot në Parlament, për interesat e Shqipërisë.

Këtë kam deklaruar dje publikisht para shqiptarëve, këtë ka deklaruar në mënyrë unanime grupi parlamentar.

Pse do ta bënim diçka të tillë? Pse do t’ia anonçonim marrëveshjen Kancelares Angela Merkel, Ndihmës Sekretares Victoria Nuland, Komisionerit për Zgjerimin Johannes Hahn, kryetarit të Partive Popullore Joseph Daul, kryetarit të Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Parlamentit Europian Elmar Brok, kryetarit të Presidencës të Bashkimit Europian Lajcak, në telefon gjatë gjithë ditës.

Pse do ta bënim këtë dhe pastaj të riktheheshim në tavolinë për të ribërë marrëveshjen? Pse a mund ta thotë dikush?

Ky është një mashtrim i pacipë.

Ka një marrëveshje mbi tavolinë dhe Edi Rama duhet ta zbatojë këtë marrëveshje dhe t’i japim shqiptarëve sot reformën e shumëpritur në drejtësi sipas draftit të rakorduar nga të gjitha palët.
Partia Demokratike do të jetë sot në Parlament me votat e saj për këtë marrëveshje.

I bëj thirrje Edi Ramës të heqë dorë nga lojërat dhe të heqë pengesën e fundit duke votuar marrëveshjen e arritur për reformën në drejtësi.


Deklarata për mediat e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 21 Korrik 2016

 

Read More
20 Kor
0

PPE: Roli i Bashës qendror në marrëveshjen për Reformën në Drejtësi, tani radha e Parlamentit

Në prag të votimit vendimtar për paketën e Reformës në Drejtësi në Parlamentin Shqiptar, Presidenti i Partisë Popullore Europiane Joseph Daul dha këtë deklaratë:

“Ne kemi ndjekur nga afër diskutimet dhe negociatat për draftin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri. Kjo reformë është shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.

Ndërsa shpesh bisedimet kanë qenë të vështira dhe komplekse, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha negocoi me sukses dhe kontriboi për një rezultat të frytshëm. Kryetari Basha ka demonstruar lidership për partinë dhe vendin e tij duke luajtur një rol të rëndësishëm në arritjen e një marrëveshje që i shërben interesave të të gjithë popullit shqiptar”, tha presidenti i PPE, Joseph Daul.

“Një sistem i pavarur dhe transparent i drejtësisë mbetet një nga elementet kryesore të nevojshme që një vend demokratik të ketë sukses dhe të rritet. Shqiptarët meritojnë të ketë një sistem drejtësie ku asnjë qytetar nuk është mbi ligjin dhe ku korrupsioni të mos lulëzojë. Ne jemi të gatshëm për të ndihmuar dhe për të mbështetur partnerët tanë shqiptarë në krijimin e një sistemi të tillë drejtësie”.

 “Vota e nesërme për paketën e Reformës në Drejtësi do të jetë një hap për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe bazat për një të ardhme më të mirë për popullin shqiptar. Partitë politike shqiptare dhe deputetë, duke përfshirë edhe ata të Partisë Demokratike, duhet të demonstrojnë përkushtimin e tyre për kauzën Europiane për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve duke miratuar Reformën në Drejtësi”, përfundoi Presidenti Daul.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 20 korrik 2016

Read More
20 Kor
0

Basha-Brok: Reforma në drejtësi, hap përpara në rrugën e integrimit europian

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pati një bisedë telefonike me Kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian, Elmar Brok, ku mori përgëzime për arritjen e marrëveshjes për reformën në drejtësi.

Brok e cilësoi sukses të jashtzakonshëm të Partisë Demokratike dhe të z.Basha mbylljen me sukses të negociatave.

Kreu i Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian, çmoi lart lidershipin e treguar nga z.Basha në arritjen e kësaj reforme, reformë që do të kontribojë në rrugën e integrimit europian të Shqipërisë.

Kryetari i Partisë Demokratike, z.Basha e falenderoi z.Elmar Brok për ndihmën e tij të jashtzakonshme gjatë gjithë procesit, e në veçanti në finalizimin e tij.

Z.Basha ndau të njëjtin vlerësim me z.Brok se një drejtësi me standarde europiane është një hap i rëndësishëm në rrugën e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 20 Korrik 2016

Read More
20 Kor
0

Beteja për standardet e drejtësisë u fitua për Shqipërinë e për çdo shqiptar

Të dashur bashkëqytetarë,

Sapo kam përfunduar një komunikim intensiv me partnerët europianë dhe amerikanë dhe jam në këtë moment para jush, për të ndarë me ju lajmin e mirë.

Pas komunikimit më të fundit, të rakorduar përmes Komisionerit të Zgjerimit Johanes Hahn, është rënë dakord se roli i misionit ndërkombëtar do të jetë një rol rekomandues, vendimmarrja mbetet tërësisht në duart e institucioneve shqiptare, dhe kjo do të mishërohet në Kushtetutën e Shqipërisë, me një dispozitë tranzitore.

Po kështu, nuk do të përjashtohet asnjë qytetar shqiptar nga konkurimi mbi bazën e hamendësimeve, opinioneve, por vetëm mbi bazën e fakteve dhe provave sipas ligjit.

Konkludimi në këtë mënyrë i këtyre dy çështjeve të lëna si litar jashtë, për fat të keq, në negociatën e të hënës në darkë, është edhe konkludimi me sukses i betejës së Partisë Demokratike për një draft kushtetues në përputhje me Komisionin e Venecias dhe bazuar mbi propozimin e zonjës Nuland.

Kjo betejë e fundit ka patur dy qëllime; të mbrojë kushtetueshmërinë, parimin e shenjtë se askush nuk mund të ketë pushtet pa pasur llogaridhënie, dhe ka pasur në qendër të saj të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si ADN-ja  e Partisë Demokratike, si vetë motivi i krijimit të saj dhe motivi sot dhe nesër i të gjitha qëndrimeve të saj politike. Nuk mund të presim as nuk duhet të kërkojmë që Europa të na trajtojë si të barabartë nëse jemi gati të pranojmë veten tonë poshtë standardeve europiane dhe normave euroatlantike të të drejtave të njeriut dhe të kushtetueshmërisë.

Ndaj, kemi bërë këtë betejë, pas shumë e shumë betejave të tjera të fituara e të mishëruara në një draft të standardit europian dhe euroatlantik, në një draft që reflekton dhe mishëron plotësisht rekomandimet e Komisionit të Venecias, siç e kemi thënë prej ditës së parë.

Beteja ia vlejti.

Shumë miq, dashamirës e mbështetës, demokratë por jo vetëm, në këto ditë kanë pyetur, kanë dhënë mbështetjen e tyre dhe kanë shtruar me admirim apo me pikëpyetje se cili ishte motivimi për këtë debat të madh, për këtë betejë të jashtëzakonshme të Partisë Demokratike. Ju them sot se qëndresa jonë dhe besimi im i palëkundur në një arritje pozitive, në një konkluzion pozitiv të procesit, bazohet në dy bindje të thella.

Së pari, se shqiptarët meritojnë një standard europian në çdo aspekt të qeverisjes së tyre e në veçanti në fushën e drejtësisë, dhe asgjë më pak se ç’bën për Europën dhe për Amerikën, nuk mund të bëjë për Shqipërinë, sot dhe nesër. Kjo është bindja ime e thellë personale, i ekspozuar ndaj këtyre vlerave dhe të mirave që këto vlera sjellin për shoqëritë perëndimore dhe i vendosur të jap kontributin tim prej ditës time të pare, e në veçanti sot në detyrën e lartë të kryetarit të opozitës. Që shqiptarët të mos kenë asgjë më pak se standardet perëndimore, se standardi europian në qeverisje dhe në të drejtat e njeriut.

Bindja ime e dytë ka qenë se partnerët tanë të çmuar, aleati ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian nuk mund e nuk do të pranonin kurrë asgjë më pak se standardet dhe normat, parimet që i kanë bërë shoqëritë e tyre të përparuara, të suksesshme dhe individët e tyre të fortë dhe me dinjitet përballë shtetit dhe çdo force tjetër.

Prandaj nuk jam lëkundur në asnjë çast. Jo për kryeneçësi, as për kokëfortësi, as për populizëm, por sepse po të hiqja dorë nga këto dy bindje do të thoshte për mua të hiqja dorë nga vetvetja, do të thoshte për Partinë Demokratike të pushonte së ekzistuari si forca politike që nisi rrugëtimin e saj për Shqipërinë si gjithë Europa, për Liri dhe Demokraci!

Por sot kjo betejë përmbushet me një fitore. Jo fitore e Lulzim Bashës, as fitoren e Partisë Demokratike, por fitoren e çdo shqiptari duke nisur nga Kryeministri apo Presidenti i vendit e deri tek qytetari më i thjeshtë i Republikës, të gjithë të barabartë para ligjit.

Ndaj jam krenar dhe do ta luftoja këtë betejë dhjetëra herë në qoftë se do të vihesha në të njëjtat pozita sepse konkluzioni mund të ishte vetëm një: Fitore e standardit europian.

Tani kjo betejë ka përfunduar. Unë jam sot këtu për t’u deklaruar shqiptarëve që Partia Demokratike është e gatshme që nesër të bashkojë votat në Parlamentin e Shqipërisë me draftin kushtetues të versionit hibrid, si të miratuar të hënën në darkë me dy çështjet e zgjidhura sipas dakordësisë me komisionerin Hahn.

Tani është koha për bashkim.

Ndasitë politike do të vazhdojnë të ekzistojnë. Problemet e mëdha që na ndajnë ne dhe qeverinë nuk mund të mbulohen nga asnjë akt politik.

Por akti politik i nesërm nuk është në emrin tonë.

Eshtë në emër të çdo shqiptari e shqiptareje, është në emër të gjeneratave që dhanë dhe luftuan për një drejtësi të pavarur, për një Shqipëri demokratike dhe të shtetit ligjor dhe është mbi të gjitha, për fëmijët dhe të palindurit akoma të shqiptarëve që e meritojnë, e sa i takon Partisë Demokratike dhe mua, do të kenë një vend të standardit europian. Asgjë më pak nuk është e mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ju faleminderit!


Deklaratë e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 20 korrik 2016

Read More
20 Kor
0

Bisedë telefonike Basha-Merkel

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, zhvilloi një bisedë telefonike me Kancelaren Federale të Gjermanisë, Znj. Angela Merkel.

Në fillim të bisedës zoti Basha e informoi Kancelaren Merkel për arritjen e konsensusit për draftin kushtetues të reformës në drejtësi.

Zonja Merkel e përgëzoi zotin Basha për kontributin e tij dhe lidershipin e treguar ne procesin e arritjes se konsensusit, si një kontribut madhor për Shqipërinë dhe shqiptaret. Kancelarja gjermane shprehu bindjen se zbatimi me sukses i reformës në drejtësi do të jetë një ogur i mbarë për integrimin dhe të ardhmen Europiane të Shqipërisë dhe e siguroi zotin Basha për mbështetjen e saj të plotë dhe të gjithanshme.

Zoti Basha shprehu mirenjohjen e thellë për mbështetjen e jashtzakonshme të Kancelares Merkel dhe Gjermanisë ndaj Shqipërisë, në sfidat e rrugëtimit të saj Europian, dhe në procesin e reformës në drejtësi dhe e garantoi atë se Partia Demokratike do të vazhdojë të jetë promotore e të gjitha proceseve reformuese duke u udhehequr nga parimet dhe vlerat Europiane. Beteja e Partisë Demokratike në procesin e reformës në drejtesi ka qënë prej fillimit e deri në kurorëzimin e saj me sukses, një betejë për standardet dhe parimet Europiane dhe Perendimore të demokracisë, shtetit ligjor dhe për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, theksoi zoti Basha.

Në këtë kuadër, sfida më e madhe që Shqipëria ka përpara, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, theksoi zoti Basha. Kancelarja Merkel e siguroi kreun e opozitës shqiptare për angazhimin dhe ndihmën e saj dhe të Gjermanise për zgjedhje të lira dhe të ndershme.


 

Njoftim për media i Partisë Demokratike, 20 korrik 2016

 

Read More
19 Kor
0

Njoftim për media i Partisë Demokratike

Partia Demokratike vlerëson propozimin e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe shpreh gatishmërinë për t’u ulur menjëherë në tryezën e bisedimeve me negociatorët e mazhorancës dhe ekspertet e huaj për të konkluduar pozitivisht  me zgjidhje, për dy çështjet e mbetura, që u dakordësuan mbrëmë, e më pas papritur u zhbënë në orët e vona të natës.

Me qëllim që negociatat të jenë transparente dhe në sytë e mbarë shqiptarëve PD mbështet propozimin që këto negociata të jenë hapura për median.

Zgjidhja është afër dhe Partia Demokratike është gati të japë edhe njëherë kontributin e saj pozitiv për një draft kushtetues sipas propozimit hibrid dhe në përputhje të plotë me Komisionin e Venecias.

Shqiptaret nuk meritojne provokime të ulëta dhe as lojera politike me reformën në drejtësi, ndaj ftojmë mazhorancen të ulemi së bashku dhe të negociojmë në kushte transparence totale para shqiptareve për t’u dhënë zgjidhjen që ata meritojnë.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 19 korrik 2016

 

Read More
18 Kor
0

Negociatat, propozimi hibrid të sillet brenda parametrave të Venecias. Drejtësi për qytetarët, jo kalkulime politike

“Së pari dua të falenderoj Kryetarin e Kuvendit, për mundësinë për një konsultë me të tre faktorët kryesorë politikë në vend. Si kryetar i Partisë Demokratike dhe kryetar i opozitës e vlerësoj këtë si një takim konstruktiv. Në fund të takimit të tre kryetarët e forcave politike kanë angazhuar secili nga një përfaqësues të tyrin për të kërkuar zgjidhje bazuar mbi propozimin hibrid dhe rekomandimet finale të Komisionit të Venecias.

Për ne, kjo është një mundësi për të përmbyllur me sukses maratonën e reformës në drejtësi, për të përmbyllur në veçanti draftin kushtetues, natyrisht pas kësaj janë dhe shtatë ligjet.

Negociatori ynë, z.Oerd Bylykbashi ka plotfuqinë për të negociuar një zgjidhje, bazuar mbi propozimin hibrid dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias. Ne kemi paraqitur një zgjidhje dhe kontributi ynë për ta sjellë propozimin hibrid, tërësisht brenda parametrave të Venecias është dëshmia më e qartë e seriozitetit, e përkushtimit  dhe e sinqeritetit të Partisë Demokratike, që e ka parë dhe e sheh reformën në drejtësi si një interes madhor të qytetarëve shqiptarë dhe jo si një kalkulim politik apo një betejë paraelektorale.

Kështu e kemi nisur dhe kështu po e vazhdojmë këtë proces. Uroj që negociatorët që sapo janë mandatuar do të bëjnë një punë të mirë dhe do ta çojnë në konkluzion pozitiv këtë proces për ti dhënë shqiptarëve dhe aleatëve tanë lajmin e mirë”.


Prononcim i Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas takimit me krerët e mazhorancës, 18 korrik 2016

Read More
17 Kor
0

Grabitja e miliona eurove në Rinas, PD publikon nesër provat e bashkëpunimit të njerëzve të Tahirit

Më 30 qershor ra çdo standard i sigurisë publike e sigurisë kombëtare në vend, kur në mesdite aeroporti i vetëm ndërkombëtar që kemi, u pushtua nga një grup i armatosur e me maska.

Grabitja e miliona eurove, dhe tronditja që kjo ngjarje shkaktoi në mbarë opinionin publik, u shoqërua nga përpjekjet e Edi Ramës e Saimit Tahirit për ta larguar përgjegjësinë nga vetja.

Sot që kanë kaluar 18 ditë nga sulmi me armë në pistën e avionëve në territorin më strategjik të vendit, ende askush nuk ka mbajtur përgjegjësi, dhe Rama e Tahiri po luajnë çdo gur që kanë në dorë për të dalë të larë nga kjo histori.

Gjithkush e di se në grabitjen me armë e me maska në shkallët e avionit, pati bashkëpunim të policisë, të shefave të pikave kyçe të aeroportit të Rinasit e më lart.

Është provuar se policia edhe pse gjendej në pistën e avionëve, edhe pse kishte prezencë të shtuar pas sulmeve në aeroportin e Stambollit, nuk reagoi ç’ka bëri të mundur grabitjen dhe largimin e qetë të autorëve, asnjë prej të cilëve ende nuk është ndaluar.

Partia Demokratike do të publikojë nesër fakte dhe të dhëna që vërtetojnë katërcipërisht bashkëpunimin e njerezve të Saimir Tahirit në polici, në këtë grabitje e sulm të armatosur në Rinas.

Prova që dëshmojnë dhe një herë, inkrimimin tronditës që ka ndodhur në policinë e shtetit me Ramës e Tahirin në këto 3 vite.

Nesër, prova e fakte, foto dhe filmime për përfshirjen e njerëzve të Tahirit në graditjen më të rëndë të këtyre viteve në Shqipëri.


Deklarata për mediat e anëtarit të Komisionit të Sigurisë, Alban Zeneli, 17 Korrik 2016

Read More
17 Kor
0

Ku ndryshojnë 80 mijë dollarët e Ramës nga 50 mijë eurot e Andreas?

Në këtë momente të rëndësishme kur flitet për drejtësi, përgjegjësi, llogaridhënie, prej 20 ditësh, Edi Rama nuk jep asnjë shpjegim, edhe pse gjendet publikisht nën akuzë se ka investuar me 80 mijë dollarë një krim federal në Shtetet e Bashkuara.

Së fundmi, tre ditë më parë, Fox News, duke raportuar mbi këtë skandal, arriti në konkluzionin se pikërisht Edi Rama ka siguruar paratë për Bilal Shehun, i cili u përdor për t’i mundësuar shefit të rilindjes një foto me Obamën, foto që u përdor më pas në fushatë.

Gjigandi ndërkombëtar Fox News i shtohet mediave më të mëdhaja të globit që tregojmë me gisht shtetasin e huaj numër 2, por Edi Rama hesht nuk jep asnjë sqarim. Krimi federal që ka investuar Edi Rama me 80 mijë dollarët e tij, është një vepër e rëndë për të cilën Bilal Shehu pritet të dënohet në vjeshtë me 5 vite burg e 250 mijë dollarë.

Ndërsa Edi Rama ka detyrimin e përgjegjësinë publike të tregojë burimin e parave me të cilat bleu foton me Obamën.

A janë para të ligjshme, apo aktivitetit kriminal?

Kush është burimi i 80 mijë dollarëve?

A janë para droge e trafiku ato që u futën në fushatën presidenciale në SHBA, nga shtetasi i huaj numër 2, siç e cilëson FBI Edi Ramën.

Për të gjitha këto ka një kallezim penal në Prokurorinë e Përgjithshme dorëzuar nga Partia Demokratike.

Ne e përgëzojmë organin e akuzës për rastin e fundit të procedimit për korrupsion të anëtares së Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea për 50 mijë euro rryshfet.

Është rasti që Prokuroria të reagojë me të njëjtën kurajo e vendosmëri edhe për 80 mijë dollarëshin e paligjshëm me të cilin Edi Rama bleu foton me Obamën.

Të hetojë Prokuroria e të zbardhë rastin pa u ndikuar nga presioni i kryeministrit, por bazuar vetëm mbi ligj.


Deklarata për mediat e sekretares së Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma, 17 Korrik 2016

 

Read More
16 Kor
0

Mentaliteti i sunduesve, forma e qeverisjes në 3 vite

Sjellja prej cubi e ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati në dyert e Presidentit, është më shumë se fodulleku i një mediokri, është fytyra arrogante e një qeverie që nuk njeh rregullat, ligjin, normat e institucionet, por sundon sipas tekave e interesave të saj.

Ashtu si Bushati në dyert e Presidentit që përplaset, dhe agreson punonjësit e gardës, ministri tjetër i Ramës, Tahiri i habilajve e Shullazit, përplaset e sulmon institucionet e drejtësisë, i kërcënon ata në mënyrë mafioze.

Edhe fytyra tjetër e qeverisjes, Veliaj, sulmon gjykatat e ngre barrikada, për interesat e tij private e klienteliste.

Dhe në krye të kësaj bande që mendon se ka pushtet absolut e nuk njeh asnjë institucion të pavarur me Kushtetutë, është Edi Rama, i cili jo vetëm frymëzon e shpërblen aktet si këto të Bushatit, Tahirit e Veliajt, por ai vete është në vijën e parë të sulmit e shantazhit kriminal ndaj gjykatave, prokurorëve e institucioneve që nuk mendojnë si ai, që nuk marrin vendimet që dëshiron ai.

Ky mentalitet sunduesish ka qënë qeverisja e këtyre tre viteve, dhe ky mentalitet është e vërteta e përpjekjes së Edi Ramës për të mos bërë Reformën në Drejtësi, por për ta kapur drejtësinë, për ta vënë nën vete, për ta asgjesuar si pushtet të pavarur.

Lepuri i madh i hajduterisë e korrupsionit ka gjetur strehë në barkun e Edi Ramës, ndaj ai nuk do drejtësi, por gjykatës e prokurorë që do të mbyllin dosjet e tij të panumërta të korrupsionit.


Deklarata për mediat e zedhënëses, Ina Zhupa, 16 Korrik 2016

 

Read More