Blog

07 Kor
0

Grabitja në Rinas, kjo qeveri ka falimentuar sigurinë kombëtare, rendin dhe shtetin

Përballja me terrorizmin i cfarëdolloj ngjyre të jetë ai, mbetet një nga sfidat më kryesore dhe më të vështira që shoqëritë e lira dhe demokratike kanë sot, në përballjen e tyre për mbrojtjen e vlerave dhe rritjen e sigurisë për qytetarët e tyre.

Vendi ynë ka qenë dhe është i angazhuar për të plotësuar të gjitha detyrimet dypalëshe  dhe shumëpalëshe që lindin nga  nënshkrim i marërrëveshjeve që parandalojnë dhe luftojnë terrorizmin.

Marrëveshja në fjalë është një e tillë dhe sigurisht që meriton të përshëndetet dhe të miratohet.

Por pyetja që ngrihet sot në opinionin publik shqiptar por dhe më gjërë është se:

A ka angazhim serioz real konkret të strukturave përgjegjëse shtetërore që merren me kontrollin e rrezikut terrorist, me parandalimin e luftimin e tij?

A është vendi ynë një vend i sigurt?

Një vend që parandalon goditjen e vet nga elementet terroristë dhe ndalon nisjen e sulmeve të tilla nga territori i tij?

Nqs do nisemi nga numri dhe përmbajtja e marrëveshjeve, vërtet të mira, të gjithë ne do përgjigjeshim me mburrje ballkanike po.

Por, nqs i referohemi realitetit konkret të masave të marra nga organet ligjzbatuese, të gadishmërisë së tyre, madje dhe profesionalizmit,  atëhere përgjigja është një Jo e madhe.

E kam fjalën këtu për ngjarjen e fundit të Rinasit dhe deshtimin spektakolar të policisë së shtetit në fazën parandaluese, por dhe post kryerjes së grabitjes.

Madje jo thjesht një Jo e madhe .

Është totalisht një, “Për të ardhur keq”, shumë e madhe.

Atë ditë nuk u grabitën thjesht ca miliona euro por u grabit dhe siguria e milionave njerëz.

Një megaskandal i pangjarë.

Është e tillë sepse kjo qeverisje e ka falimentuar si shumë të tjera dhe sigurinë kombëtare dhe rendin dhe shtetin.

I ka shqyer kufijtë aq sa sot në Shqipëri sipas shprehjes hyn e del, sa herë të dojë “derri e dosa”, trafikohet e ç’nuk trafikohet.

Lufta ndaj terrorizmit nuk bëhet vetëm duke dënuar me qindra vite burg disa individë e as me fjalë të mëdha e takime me ngjyra.

Ajo është punë e përditshme, është gadishmëri e përgjegjshmëri.

Grabitja e Rinasit në mes të ditës, në mes të një fushe të paanë, para hundës së policisë, hodhi poshtë cdo iluzion mbi sigurinë kombëtare.

Rrëzoi dhe atë pak dinjitet që na ka ngelur faqe botës.

Na nxorri para partnerëve tanë një shtet qesharak e butaforik.

Një shtet që e rrëzon përtokë një pincë dhe një varre dhe dëshira e një bande për të marrë ca para.

Një shtet i cili nuk vjen aspak era shtet, sic përpiqeni ta paraqisni ju me madhështi,  por sot e gjithë ditën qelbet shtet.

Kutërbon shtet se forcën e tij të vetme e tregon me të pamundurit e të mjerët dhe jo me bandat dhe jo me terrorin.

Më keq se kaq nuk mund të imagjinohet.

Qeveria e kap lepurin me qerre është ajo fjala e mencur.

Po cila qeveri se?

Kjo që është ortak me lepujt? Apo kjo që qerret i përdor për të bërë rolin e lepurit?

Shkërrmoqja e sigurisë së Rinasit na bindi që deri më tani, ne nuk ka na ka mbrojtur as policia dhe as shoqëria e sigurisë. Askush nuk e ka vënë ujin në zjarr nga këta.

Policia në fakt, me thënë të drejtën, nuk ka kohë. Ajo është tërësisht e investuar dhe vrapon me valixhen e catcher-it në dorë për të përgjuar kundërshtarët politikë, biznesin dhe median.

Ndërsa shoqëria vrapon të bëjë aksionerë njerëzit e kryeministrit.

Për ironi të fatit, keqardhje që e shpreh, ne siç duket na kanë mbrojtur tre faktorë: Zoti, rastësia dhe terroristët dora vetë.

Pas kësaj ka ngelur vetëm që kjo qeverisje t’i bëjë një letër të gjatë falenderimi, nga ato që kryeministri ja ka marrë dorën, për të fituar pikët e humbura në opinion, pse jo terroristëve.

T’i falenderojë që nuk janë kujtuar për ne, mgjs kërcënimi i tyre është aty pas dere.

T’i falenderojë që nuk na zgjodhën ne për target, pasi këtu do ishte bërë nami dhe ngjarjet e Parisit, Brukselit dhe Stambollit do na dukeshin si “lojë çetash”.

T’i falenderojë që nuk zgjodhën aeroportin tonë, për të nisur goditje fatale ndaj partnerëve tanë.

Po në fund dhe një falenderim për grabitësit nuk ka pse e kursen. Ndërsa të parët i zbardhën faqen, këto të dytët i ruajtën nderin e humbur të paktën.

Sepse ishin këta që zbuluan të vërtetën e dhimbshme të mosfuksionimit të shtetit, të vërtetën e këmbanave që kanë tre vite që bien.

Në këtë formë do kishte rast të bëhej akoma më shumë lider global sic ëndërron.

Ne në fakt sot kemi zgjedhur të flasim kështu jo për të nxirë, sic po aludoni ju. Jo.

Po flasim me shqetësim për një të vërtetë tronditëse, një realitet ulëritës, i cili duhet të kishte shkaktuar një tërmet, ballët e të cilit duhet të kishin lëkundur dhe këtë parlament.

Përkundër kësaj ju vazhdoni të bëni komedi duke u shqyer me deklarata se cili e ka fajin Tia apo policia, ministria e brendëshme apo e transporteve, grabitësit apo rojet e firmës.

Po merreni me bishtin e dhelprës për të shmangur dëmin dhe të vërtetën.

Habitem se si policia kërkon të lajë duart kur pothuaj të gjitha dokumentat e bëjnë atë fajtore kryesore.

Që ju t’ju dalë paksa gjumi dhe ta kuptoni që ne kemi përfunduar në një vend pa standarte, pa siguri, pa të ardhme, pa asgjë, por vetëm në një vend ku grabitet aeroporti

Po sjell këtë foto që në fakt është dhe simboli me i ri i policisë .

Fotoja është shkrepur sipas atyre që ma dërguan në inbox, vetëm dy ditë para grabitjes dhe jam i prirur ti besoj këtë.

Në foto është një nga drejtuesit e një prej njësive policore të komisariatit të Rinasit, që janë ngarkuar për mbikqyrjen e aeroportit.

Drejtuesin e ka zënë vapa dhe ja ka futur një dremitje, i disinteresuar për gjithcka ndodh rrotull.

Dhe atë ditë policia gjumë po flinte.

Po ku është përgjegjësia e këtyre që ja fusin gjumit?!!

Këtë e tregon jo vetëm memorandumi midis TIA-s dhe Policisë ku qartazi përcaktohet roli angazhues kontrollues i policisë së shtetit, por e përcakton qartë dhe ligji për policinë e shtetitnë nenet ëprkatëse të tij.

Duke qenë se anëtarët e komisionit të sigurisë i janë referuar ose do ti referohen, unë po sjell në vemendjen tuaj “Detyrat e plan vendosjes së Seksionit të Rendit dhe të Sigurisë” të Aeroportit, një lloj rregullore e detyrueshme për zbatim nga njësia, anëtari i së cilës ishte ai polici që ja kishte futur gjumit për shtatë palë qefe.

Dhe ky dokument dëshmon qartë detyrat përkatëse!


Fjala në Kuvend e deputetit të PD, Luçiano Boçi, 7 korrik 2016

Read More
07 Kor
0

Formula jonë largon ndikimin politik dhe garanton profesionalizmin

Partia Socialiste vijon të spekulojë duke pretenduar në mënyrë të gënjeshtërt dhe duke u përpjekur si gjithmonë që të hedhë hi në sytë e publikut shqiptar se propozimi i Partisë Demokratike, që është propozim më shumë se dy javor, i kundërshtuar pa asnjë argument deri më sot, se qenka një propozim që përfshin politikën në procesin e vetingut. Ky është një pretendim dhe një gënjeshtër flagrante. Dua të bëj shumë të qartë që propozimi ynë, dhe që është qendrim parimor i yni, është që në procesin e vetingut dhe në përzgjedhjen e komisionerëve që do bëjnë vetingun e gjyqtarëve dhe prokurororëve, partitë politike nuk do kenë asnjë rol, as në ardhjen e kandidaturave dhe as në filtrimin e kandidaturave që përputhen me kriteret kushtetuese dhe ligjore. Në këtë proces, partitë politike, qoftë në maxhorancë apo qoftë në opozitë, nuk duhet të kenë rol dhe propozimi i PD përcakton ekzaktësisht këtë.

Së dyti, në propozimin që bëjmë ne për të cilin do të keni më shumë detaje në prezantimin që do të bëhet nesër, nëpërmjet votës sekrete në përzgjedhjen e kandidatëve që do të votohen nga Parlamenti, garantohet diçka thelbësore; pamundësia e plotë për të etiketuar politikisht secilen prej 12 kandidaturave që do të dalin për komisionin e vetingut. Pra vota sekrete e garanton katërcipërisht këtë. Nuk do të jetë e mundur të etiketohet askush.

Parlamenti i Shqipërisë është parashikuar që në fillim që të jetë ai që do të përzgjedhë midis kandidaturave profesionale dhe kjo nuk do të thotë aspak politizim. Filtrimi jo nga partitë, por nga Gjykata Kushtetuese, me monitorim ndërkombëtar, do të garantojë që kandidaturat te jenë jashtë çdo ndikimi politik. Pra e theksoj që ky proces largon maksimalisht politikën nga përzgjedhja e këtyre kandidaturave.

E fundit që dua të theksoj është që me propozimin që ne bëmë dje publik, PD ka lëvizur nga propozimi i bërë nga OPDAT dhe Euralius dhe i pranuar prej nesh që në shkurt, i mishëruar edhe në draftin e paraqitur nga Partia Demokratike në muajin maj, i vendeve të rezervuara, një propozim qartazi i ndërkombëtarëve, sipas tyre, në përputhje të plotë me Komisionin e Venecias. Propozimi që bëjmë sot është lëvizje nga modeli i vendeve të rezervuara por që garanton në mënyrë të plotë zbatimin konsenguent të paragrafit 88, duke garantuar çdo gjë që parashikon Komisioni i Venecias dhe duke qënë i tillë është absolutisht oferta jonë e kompromisit.

Ajo që bën Partia Socialiste është se vazhdon të propozojë që nga muaji shkurt votën e transferueshme, e cila në llogaritë e tyre i jep më shumë influencë dhe pushtet maxhorancës sesa opozitës dhe nga ana tjetër përveç që është diçka shumë komplekse dhe që dështon në rrethanat e Shqipërisë, është gjithashtu një formulë e ekspozuar ndaj korrupsionit politik që do ta kthente votën e vetme të transferueshme në një votë të trafikueshme. Unë besoj se kjo do të ishte një goditje jo vetëm për interesin e demokracisë shqiptare por në mënyrë specifike për besueshmërinë dhe pranueshmërinë e produktit të Reformës në Drejtësi. Besoj që është mirë që Partia Socialiste të tërhiqet nga pozicioni që kanë refuzuar më herët dhe të pranojë këtë ofertë të re kompromisi dhe të mos refuzojë siç ka bërë deri më sot pa asnjë arsye.​


Prononcimi për mediat i nënkryetarit të komisionit për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi, 7 Korrik 2016

 

Read More
07 Kor
0

Kryetari i PD, Lulzim Basha vizitë në Greqi, pritet nga drejtues të lartë politikë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka nisur një tur takimesh në vendet anëtare të Bashkimit Europian. Pas Gjermanisë dhe Italisë, zoti Basha është pritur në Greqi nga drejtues të lartë politikë. Zoti Basha u prit në takime të veçanta nga Kryetari i Nea Demokracia,  Z.Kyriakos Mitsotakis. Më pas ai zhvilloi një takim me Grupin Parlamentar të Nea Demokracia dhe me Kryetarin e Komisionit Parlamentar të Marrëdhënieve me Jashtë Kostas Duzinks. Kryetari i Partisë Demokratike u prit dhe nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PASOK,  Andrea Loverdos.

Zoti Basha vlerësoi shumë të rëndësishme marrëdhëniet me shtetin fqinj dhe theksoi angazhimin e Partisë Demokratike për të mbështetur dhe nxitur më tej këto marrëdhënie të cilat ndikojnë edhe në lehtësitë dhe përmirësimin e kushteve të bashkëkombasve tanë që jetojnë dhe punojnë në shtetin grek. Për të shfrytëzuar plotësisht potencialin që ekziston në marrëdhëniet Shqiptaro-Greke, zoti Basha theksoi se është e rendësishme qe të trajtohen në frymën e bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë të gjitha çështjet e mbartura dhe të zgjidhen duke demonstruar vullnet të përbashkët dhe vizion europian. Në këtë kuadër, z. Basha shtroi anullimin e ligjit të luftës, si një çështje zgjidhja e të cilës do të kishte një impakt shumëplanësh pozitiv në marrëdhëniet dypalëshe.

Në takimet e zhvilluara me drejtues të partive politike dhe me deputetë të komisionit të Jashtëm të parlamentit grek, zoti Basha ka kërkuar mbështetjen e tyre në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Zoti Basha u takua dhe me kryesinë e Partisë Demokratike të Greqisë.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 7 Korrik 2016

Read More
07 Kor
0

Kjo qeveri është shndërruar në një makineri babëzie të pashembullt – nuk po ngopet duke vjedhur!

Zoti kryetar i seancës!

Një përshëndetje për ju, por një keqardhje për hilen e madhe që ka bërë mazhoranca, e cila me vellon e turpit që ulet sot në këtë sallë nuk mund të dilte në skeptrin e parlamentit ndaj dhe ia lëshojnë opozitës.

Me këtë rast dua t’i garantoj se ulen si këtu si një maxhorancë unike në botë, e dominuar në çdo qelizë nga krimi i organizuar. Pse ndodh, pse çdo javë kemi të paktën një ngjarje madhore të krimit? Sepse kreu juaj është kaput meduzae, është kreu i meduzës së krimit. Pse ndodh çdo javë një apo dy ngjarje të mëdha krimi? Sepse kreu juaj e ka shndërruar Shqipërinë në proktetoratin e krimit. Sepse kriminelët, trafikantët, vrasësit ndjehen zotër të territorit të këtij vendi.

Ajo që ndodhi në aeroportin shqiptar, aeroportin e vetëm unik është një akt i mirëfilltë terrorizmi, natyrisht  jo ndaj personave por një grabitje e stilit terrorist. Për 12 minuta banda e armatosur me automatikë, kallashnikovë, pistoleta e të gjitha mjetet, pra jo për 3 min por 12 min pushtoi pistën e avionëve, pistë në të cilën ishin disa avionë, kreu krimin e shëmtuar dhe u largua pa iu futur ferra në këmbë. Cfarë mësuan shqiptarët mbrapa? Shqiptarët pas kësaj ngjarje nga ju mësuan se nuk keni asnjë përgjegjësi për aeroportin. A ka turp më të madh?! Nëse ka një pikë kufiri më nevralgjike siguria kombëtare, nëse ka një pikë kufiri më strategjike ky është aeroporti dhe vetëm aeroporti, pastaj janë portet e pastaj janë territore të tjera. Ju menjëherë latë duart, “nuk kemi përgjegjësi ne, por ka përgjegjësi kompania” që është e avokatit të kreut tuaj. Fati i shqiptarëve, siguria e aeroportit varej nga avokati i Edi Ramës. Po avokati ndjehej zot në protektoratin e tij të krimit. A ka gjë më të paimagjinueshme sesa një polici të lajë duart e të thotë se s’ka të bëjë me sigurinë në aeroport. Po nëse ske të bësh me sigurinë në aeroport atëherë për ty siguria nuk ekziston më.

E shëmtuar ishte mungesa e transparencës. Në mënyrën më të neveritshme deklaruat se u vodhën 1 milionë. Ja u them unë këtu se janë nisur nga bankat 115 kg euro, pra rreth 30 mln euro. Nën 20 milion euro avionët nuk pranojnë të transportojnë, se edhe avionët kanë problemet e veta të transportit nga shkarkimi deri në destinacion. Janë nisur 115 kilogramë, janë rrëmbyer mirë e bukur, qetë e qetë 85 kg. Janë rrëmbyer të paktën 20 mln euro. Kjo nuk është vepër e një bande ordinere, kurrën e kurrës nuk mund të jetë. Kjo është vepër e një bande zyrtare qeveritare.

Iu thatë shqiptarëve u vodhën 1 mln, iu thatë shqiptarëve se s’keni punë me aeroportin. Por një gjë shqiptarët shohin, se dy vjedhjet më të mëdha ndodhin nën kompanitë e partisë. Se vjedhja ditën për diell tek banka në Bulevard, ishte e tëra në duart dhe kthetrat e kompanisë Gjici. Gjici famoz ka fituar 54 tendera në rojë. Pas tij vjen Nazeri, kompania e avokatit të Edi Ramës.

Kompania Nazeri është një nga kompanitë kryesore të fitores së të gjitha tenderëve tuaja. Ju peshon në kandar, ju peshon në euro ndaj i fiton të gjitha tenderët. Deklaroni pra një shumë fallso. Ky është një akt edhe më i shëmtuar.

Natytrisht atyre që jua vjedhin, ja u vratë barkun. Të dashur qytetarë ato janë kursimet tuaja. Mos kujtoni se ata u dobësuan apo humbën gjë. Jo, ata i kanë të siguruara ndaj vjedhin bashkërisht brenda 12 minutave 20 mln euro në zemrën e vendit që duhet të jetë më i sigurti në Shqipëri, por që është bërë vendi më i pasigurtë, pre e akteve terroriste të mirëfillta, jo kundër njerëzve por kundër eurove.

Degradimi juaj është ekstrem. Jeni shndërruar në një makineri babëzie të pashembullt ndoshta në historinë e njerëzimit. Dje mediat ndërkombëtare ju denonconte se keni blerë një kosh plehrash 1 milion e 550 mijë lekë të reja. 100 kosha plehrash që keni vendosur në Park i keni 3.1 milionë euro. Se vetëm për llampat e Parkut dhe koshat e plehrave po shpenzoni fiks 12 milionë euro. A e kuptoni o qytetarë që pse nuk ju rriten rrogat? Ju keni tre vjet që ja u ngrini rrogat qytetarëve, s’kanë parë një qindarkë. Sot ju o qytetarë merrni 12% më pak në sajë të inflacionit dhe rritjes së çmimeve sesa merrnit tre vjet më parë. Natyrisht ju merrni tonelata gënjeshtrash nga këta qeveritarë. Por e vërteta është se xhepat tuaj varfërohen çdo ditë e më shumë. Po si mund të ndodhë ndryshe, kur këta paratë tuaja edhe në plehra i vjedhin. E dëgjuat të fundit? Koshi “firmato” për të mashtruar vjedhjet. Pra duhet të ishte Dolce Gabana, apo Versaçe. Kosh 1200 euro.

Po a ka njëri në këtë vend që mund ti thotë vetes shqiptar që mund të bëj një shpërdorim të tillë me kosha plehrash. Vetëm koshat dhe llambat e Parkut janë 12 milionë euro. Po kush e bën këtë? Se duhet të jetë një njëri jashtë çdo lloj standardi që ti lejojë vetes të bëj një gjë të tillë. Ky është Albani, ky është Eftimi. Eftimiu i bën të gjitha. Po si i fiton Eftimiu projektet? Me 99.2% të fondit limit të caktuar. Ky mumuth, ky monstër që i merrte Ramës gjatë kohës që ishte kryebashkiak 80% të të gjitha lejeve të ndërtimit. Eshtë rikthyer tani po kaq i fuqishëm, si kanal i zi vjedhjesh të shqiptarëve. Nga të rriten rrogat? Si të ndërtohen rrugët? Nuk të lë vjedhja.

Një ditë po dëgjoja një debat që keni zhvilluar midis koalicionit për fondet për rrugë. Po ku ka fonde për rrugë? Të gjitha i keni për zyra, për lukse dhe vidhje. Prandaj nuk përfundon dot 1 km rrugë. Shko o zoti Pandeli e më thuaj një fjalë. Si ka mundësi që s’ka përfunduar për 3 vite rresht rruga Lin-Pogradec. Kur ne e kemi dorëzuar trasenë e shtrirë. Si ka mundësi që ti bëhet ajo që ju bë sot Vlorës, me famozen Lungomare që është shndërruar në Lungo-mundim. E kishin vlonjatët rrugën me 6 korsi., të cilën s’ja u kisha ndërtuar as unë as ju, ja u kishin ndërtuar që përpara dhe ju ja u kthetë me dy korsi rrugën. U thatë se do ndërtonit blloqe me lule dhe ja u kthyet në blloqë betoni meqë me beton vidhet. Tani për të dalë nga Vlora deri në Radhimë, nga 7-8 min që duhej më parë sot do 45 minuta. I kanë goditur Vlorës në mënyrë fatale turizmin. Ja reduktuat korsitë nga 6 në 2 korsi. Çfarë bëtë me rrugën e Arbrit? Ku e keni? Mashtrime dhe vetëm mashtrime. Çfarë bëtë me Bay-passin e Fierit o deputetë të Fierit? A e lamë ne të inauguruar dhe filluam punimet? A është kjo e vërteta? Me projekt dhe me çdo gjë. Tenderin e fitoi një kompani e madhe italiane. Pse nuk ngrini zërin ju? Apo mbushni xhepat? Cfarë ndodh me ju? A keni ju interesa zgjedhësish? Ka tre vjet, shkoni shifeni sa ka ecur. Dhe kreu juaj del këtu dhe thotë “na le 100 projekte” duke treguar se sdi ç’është projekti dhe zhvillimi. Në vend që të falenderonte që lashë projekte në vazhdim, se nënkuptohet që çdo qeveri për të bërë projektet e veta do një kohë të caktuar, po ky nuk ka anulluar një projekt të vetëm. Po pse? Sepse ishin të drejta, ishin të studiuara, sepse qëndronin plotësisht. Por ato nuk i zbaton ti, i vjedh. Cfarë bëtë ju me rrugën Lushnjë – Berat? A ka gjë më të turpshme, tre vjet pasi keni ardhur në pushtet nuk bëni dot një rrugë që në mënyrë absolute mbaron për katër muaj. Asnjë shkëmb nuk kishte ajo, por vetëm një zgjerim dhe një urë. Sot e kësaj dite rruga s’ka përfunduar sepse ju i gjobisni firmat dhe pastaj ato ju peshojnë ju me pare.

Ju keni ndaluar  by pass-in e Vlorës. O vlonjatë a e dini ju pse ska ecur qoftë dhe një kilometare të vetëm ndonëse paratë janë që të gjitha? Sespe qeveritarët tuaj i diktojnë kompanisë fituese të tenderit nënkontraktorin. Dhe kur ai nuk pranon nënkontraktorin i vërsulen ta shqyejnë dhe e bllokojnë. Kur do ngopeni ndonjëherë ju? Vidhni në aeroport, vidhni në tendera, vidhni në Park, vidhni në rrugë, vidhni kudo.  Kjo është e patolerueshme.

Paguan 80 mijë euro për një foto. Se meqë më pyesni mua ç’janë këto krimet e psionit shkoni pyesni Bilalin se ç’janë krimet e pasionit. Që shkon regjistrohet si gruaja tij. Le të dali ta mohojë po të dojë. Se do shkonte dhe paraqitej atje si çift gay. A ka njëri që ka bërë një gjë të tillë? tani e ka drejtësia amerikane dhe drejtësia shqiptare. Tani nuk shpëton më ai. Viktor Pontën e kryqëzuan për një shumë shumë më të vogël. Kjo është arsyeja dhe shkaku kryesor se pse ju pengoni reformën në drejtësi.

Ky është shkaku kryesor se pse ju doni me çdo kusht të përjashtoni opozitën, se pse ju doni me çdo kusht ta keni drejtësinë në duart tuaja. Kurrë s’keni për ta patur. Kjo është arsyeja. Edi Rama mund ti shpëtojë drejtësisë shqiptare por absolutisht s’do i shpëtojë drejtësisë amerikane.

Mos mendojë se do lajë duart duke mohuar Bilalin, se Bilali ka dhe dokumentat e gjendjes civile. I penduari i nxjerr të gjitha dhe do ja nxjerrë.

-— Rama të ketë kurajon dhe të mos pengojë reformën në drejtësi. Aferat i ka mbi kokë dhe mbi supe, nuk i shpëton dot, drejtësia vonon po nuk harron!

Ndaj dhe ju ftoj, siç po vijnë thirrjet nga të gjitha anët, të proçedojmë këtë reformë drejtësie, jo me idenë për ta përjashtuar opozitën por me idenë për të bashkëpunuar me opozitën, për të arritur në një konsensus. Ja u them dhe një herë, opozita ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm me qëndrimet e saj, është bërë gardiane e rekomandimeve të Komisionit të Venezias dhe parimeve të drejtësisë së pavarur. Opozita nuk ka kërkuar dhe nuk kërkon as edhe një lëshim në interes të saj por gjithçka në interes të drejtësisë së pavarur.

Ju ftoj edhe një herë të arsyetoni propozimin e fundit të PD-së. Një propozim që absolutisht garanton në shkallën më të lartë atë trupë që do të bëjë “vetting”-un e punonjësve të sistemit të drejtësisë e natyrisht,  jua them unë, nuk do të mund të kandidojë asnjë prej tyre që u gjet në konflikt interesi në këto organe.

Nuk do të mund të kandidojë Dvorani që shkeli ligj dhe Kushtetutë, mori dy vite me radhë rrogën e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë mbështetur nga Edi Rama. I bëj thirrje Prokurorit  të Përgjithshëm të nisë urgjent hetimet ndaj tij dhe të zhdëmtojë qindarkë më qindarkë, dëmin që u shkaktoi shqiptarëve ky uzurpator i vendit.

Nuk mund të kandiojë aty kunati i bashkëkreut të partisë komuniste të Shqipërisë, Fatmir Xhafës.

Nuk do të mund të jetë në asnjë nga këto forume as dhe Ibrahimi,  kunati i ministres, as Sadushi që urdhëron lirimin e  kriminelëvë në gjykata.

Këta përjashtohen për një periudhë së paktën 8-vjeçare, në çdo emërin, nga instancat e larta të drejtësisë.

Ju ftoj edhe njëherë, të ulemi këto ditë bashkë me opozitën. Të ketë kurajon dhe integritetin Edi Rama. Aferat i ka mbi kokë dhe mbi supe, nuk i shpëton dot, drejtësia vonon po nuk harron. Bën mirë të përgatitet me avoketër e ç’të dojë, po reformën të mos e pengojë.


Fjala ne Kuvend e ish kryeministrit Sali Berisha, 7 Korrik 2016

Read More
06 Kor
0

Basha: Edi Rama hesht se  nuk e do reformën në drejtësi por shpreson që fajin do t’ia lërë opozitës me shpresën për ta përdorur si kalë beteje në zgjedhjet e ardhshme

Prej 17 ditësh, maxhorancës i është ofruar një formule e re në përputhje të plotë me rekomandimin 88, si kompromis për të miratuar Reformën në Drejtësi, por ska asnjë përgjigje.

  • Opozita ka dhënë një zgjidhje të pranueshme, të ekzekutueshme të përputhur me “Venecian” dhe që në parim zgjidh çdo kundërshtim të derisotëm të Edi Ramës. Nuk ka më kundërshtime, prandaj nuk ka çfarë të thotë. Ka vetëm shpresën që me 21 korrik të drejtojë gishtin tek opozita, por gishtin ia ka prerë Bilali me shokë.
  • Në qoftë se ka bërë plan të shkojnë në zgjedhje të parakohshme me këtë kalë beteje po i them që sot që e ka gomar të ngordhur.
  • Nuk ka shqiptar sot që të besojë se Edi Rama nuk ka frikë se gjyqtarët dhe prokurorët e pavarur do të marrin një ditë në dorë të gjitha dosjet; që nga CEZ-i, tek koncesionet e Ilir Beqës, tek grabitjet e bandës së kriminelëve me lidhje të drejtpërdrejta me kupolën drejtuese të Ministrisë së Brendshme dhe Saimir Tahirin që ka shpallur zonën Fushë-Krujë –Durrës si zonë të lirë të krimit të organizuar, përgjimet e paligjshme, apo “Bilalgate”-in 80 mijë dollarë financim i paligjshëm.

Konferencë për shtyp e Kryetarit të Partisë Demokratike

Mbledhja e grupit parlamentar, të cilës i parapriu mbledhja e aleatëve opozitarë, rikonfirmoi qëndrimin tonë dhe vendosi të bëjë publike faktin se opozita prej 17 ditësh, prej datës 24 qershor i ka ofruar maxhorancës përmes një formule në përputhje të plotë me rekomandimin 88, rrugën e daljes, kompromisin për të miratuar Reformën në Drejtësi.

Deri ditën e sotme, me përjashtim të disa deklaratave të miat të cilat ju i keni pasqyruar, ne nuk e kemi bërë publik këtë fakt me shpresën dhe besimin se pala tjetër do të vazhdonte të negocionte në mirëbesim për të gjetur zgjidhje.

Prej 17 ditësh Partia Socialiste dhe përfaqësuesit e Partisë Socialiste jo vetëm që refuzojnë kompromisin e ofruar nga opozita, por po kështu refuzojnë të paraqesin me shkrim apo me gojë argumentet se përse kjo zgjidhje në pikëpamjet e tyre është e papranueshme.

Në këto kushte konkluzioni ynë është i qartë; sa më shumë maxhoranca futet në llogoret e saj duke refuzuar, tashmë jo thjeshtë rekomandimin 88 por edhe logjikën, vullnetin për të shkuar drejt një zgjidhje, aq më shumë shqiptarët e kanë të qartë se Edi Rama nuk e do reformën në drejtësi por fajin do t’ia lërë Partisë Demokratike, do t’ia lërë opozitës.

Sigurisht, në qoftë se ka bërë plan të shkojë në zgjedhje të parakohshme me këtë kalë beteje po i them që sot që e ka gomar të ngordhur. Se nuk ka shqiptarë sot që të besojë se Edi Rama nuk ka frikë se gjyqtarët dhe prokurorët e pavarur do të marrin një ditë në dorë të gjitha dosjet; që nga CEZ-i, tek koncesionet e Ilir Beqës, tek grabitjet e bandës së kriminelëve me lidhje të drejtpërdrejta me kupolën drejtuese të Ministrisë së Brendshme dhe Saimir Tahirin që ka shpallur zonën Fushë-Krujë –Durrës si zonë të lirë të krimit të organizuar, përgjimet e paligjshme.

Apo “Bilalgate”-in 80 mijë dollarë financim i paligjshëm, sot një vepër penale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për dorasin, dhe nëse drejtësia shqiptare vepron me 50% të integritetit dhe pavarësisë së drejtësisë amerikane, nesër do të marrë të pandehur kryeministrin si porositës dhe përfitues i kësaj vepre të paligjshme korrupsioni për të cilat akoma nuk denjon të japë përgjigje dhe të bëjëtransparencën minimale para qytetarëve, se nuk ka çfarë të thotë.

Në këtë kontekst ndodh edhe refuzimi i Edi Ramës dhe kasnecëve të tij për të gjetur një zgjidhje funksionale.

Javën e kaluar i bëra thirrje, harxhoi edhe një javë tjetër ndërkohë që bën lojën e tij të dyfishtë. Ndërkombëtarëve u thotë unë jam gati të votoj çfarëdo që propozohet, opozitës i refuzon propozime logjike në përputhje me 88-ën, pa i dhënë asnjë arsye.

Sepse dëshiron dështimin e reformës.

Natyrisht në kushtet aktuale parlamentare ne nuk kemi votat për të diktuar  një reformë sipas “Venecias” por ne insistojmë deri në fund, siç kemi bërë deri më sot, që opinioni final i Venecias të materializohet i plotë në draftin kushtetues.

Nëse kjo dështon, dështuesi ka vetëm një emër dhe ky është Edi Rama. Përgjegjësia është e tij dhe të jetë i sigurt se me fakte dhe argumenta edhe të patreguara deri më tani të një procesi të gjatë ku jemi investuar me mund, me energji, me përkushtim, me ekspertët tanë më të mirë, me politikanët tanë më të mirë do t’i bëjmë të qartë çdo qytetari shqiptar, demokrat dhe socialist se si opozita e vendit, e cila kishte 1001 arsye të thoshte se nuk futem me ty për Reformën në Drejtësi sepse ti je palë e pabesueshme,në fakt u investua për Reformën në Drejtësi dhe sot gjendet përballë një loje të pastër të Edi Ramës për të sabotuar Reformën në Drejtësi.

Ka një rrugë për të vërtetuar të kundërtën dhe rruga është të pranojë formulën e kompromisit, e treta që opozita ofron apo përqafon.

E para, ka qenë ajo që u ofrua nga OPDAT dhe EURALIUS në 10 shkurt dhe që ne e riadoptuam në draftin tonë të datës 29 maj.

E dyta, ka qenë propozimi i 6 qershorit në takimin me të për “listat alternative” prapë sipas rekomandimeve të “Venecias”.

Ky është propozimi ynë i tretë. I treti që opozita bën dhe Edi Rama vazhdon të insistojë në mospranimin e këtij propozimi pa asnjë argument. Argument është sigurisht frika që Edi Rama ka nga një reformë e vërtetë në drejtësi dhe përgatitja që bën për të dështuar këtë reformë, me shpresën se do t’ia lërë fajin në derë opozitës.

Kjo nuk ka për të ndodhur. Opozita është e vendosur edhe në kontekstin aktual politik të ofrojë rrugën e zgjidhjes. Rrugët e zgjidhjes janë mbi tavolinë dhe së shpejti ne do ta bëjmë këtë ofertë tonën publike për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Por duhet ta dini dhe të jeni të sigurt, ashtu siç ju kam thënë deri më sot, për gjithçka tjetër në raport me Reformën në Drejtësi, për BKH-në, për vendet e rezervuara etj, se opozita ka dhënë një zgjidhje të pranueshme, të ekzekutueshme të përputhur me “Venecian” dhe që në parim zgjidh çdo kundërshtim tëderisotëm të Edi Ramës.

Nuk ka më kundërshtime, prandaj nuk ka çfarë të thotë. Ka vetëm shpresën që me 21 korrik të drejtojë gishtin tek opozita, por gishtin ia ka prerë Bilali me shokë.

Kështu që edhe një herë e ftoj që të reflektojë. Kjo nuk është një përplasje mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, as një kacafytje mes opozitës dhe maxhorancës. Kjo është një çështje shumë më e madhe që i takon çdo shqiptari. Ndaj jemi angazhuar në mënyrë të tillë pavarësisht se përpara kishim dikë që s’i kemi besuar që orën e parë, sot që na ndan vetëm kjo çështje ofertën e ka mbi tavolinë. Nëse ka një kundërshtim të vetëm ta paraqesë atë me shkrim dhe ne jemi gati që këtë betejë, këtë debat ta bëjmë publik pastaj para çdo qytetari.

Pyetje: Zoti Basha, a e pranojnë ndërkombëtarët formulën tuaj?

Basha: E rëndësishme është që formula jonë është bazuar mbi dokumentin themelor ndërkombëtar që është opinioni final i “Venecias”. Mbi opinion final të “Venecias” nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë institucion tjetër.

Pyetje: Zoti Basha cila është formula juaj?

Basha: Do ta bëjmë publike në ditët në vijim në mënyrë që të uleni dhe ju, ta projektojmë dhe qytetarët ta kuptojnë.

Pyetje: A përjashton ajo operacionin ndërkombëtar të monitorimit?

Basha: Sigurisht që jo. Operacioni ndërkombëtar të monitorimit ka..

Pyetje: Si vendimmarrëse?

Basha : Jo, opozita nuk ka vendosur asnjëherë që operacioni ndërkombëtar i monitorimit të ketë kompetenca që nuk i jep Venecia. Ne kemi qenë dhe jemi për kompetenca që “Venecia” i njeh komisionit apo operacionit ndërkombëtar të monitorimit dhe për këto kemi qëndruar dhe do të qëndrojmë deri në fund.

Pyetje: Do të thotë që jeni kundër fshirjes së mandaturave që ia jep operacioni?

Basha: Jo nuk jemi futur në detaje të tilla.

Pyetje: Operacioni vetëm këtë bën, fshin kandidaturat.

Basha:  Jo, operacioni bën atë që i ka ngarkuar “Venecia”. Se në çfarë mënyre e zgjedh ta bëjë, këtë natyrisht e zgjidhin më mirë ekspertët. Detyra jonë është të garantojmë zbatimin 100% të “Venecias” për këtë dhe çdo aspekt tjetër.

Pyetje: D.m.th, formula juaj z.Basha…

Basha: Formulën do të kesh rast ta shpjegoj shumë gjerësisht dhe me detaje që ta transmetojnë të gjithë, sa mundeni dhe pa censurë.

Pyetje: Zoti Basha po me propozimin e ri të Fatmir Xhafës jeni njohur?

Basha: Nuk është propozim i ri, është propozim i rrëzuar nga opozita në 17 shkurt me shkrim dhe gjatë takimit tim të 6 qershorit në mënyrë të argumentuar. Sepse është një metodë me potencial  të lartë korruptimi, pa transparencë dhe tepër i ndërlikuar për kushtet  dhe për proceset për të cilat propozohet.

Falemnderit !


Konferencë për shtyp e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 6 korrik 2016

Read More
06 Kor
0

Shtohen mediat ndërkombëtare që flasin për skandalin e fotos 80 mijë dollarëshe, Rama hesht

Reuters, Zëri i Amerikës, Washington Post, Associated Press, Daily Mail, The Guardian, shkruajnë për krimin federal të investuar nga Edi Rama. 

Kur skandalin e 80 mijë dollarëve për një foto me Obamën e pasqyroi Reuters dhe Zëri i Amerikës, Rama tha se janë media të paguara nga Partia Demokratike.

Sot listës së mediave botërore të blera nga opozita, që shkruajnë për skandalin 80 mijë dollarësh të Ramës për një foto me Obamën, i janë shtuar dhe Washington Post, Associated Press, Daily Mail, The Guardian.

Mbarë globi e di sot dhe tregon me gisht Edi Ramën, pasi mediat më prestigjioze ndërkombëtare kanë raportuar për krimin federal që po hetohet nga FBI, krim i investuar nga shefi i rilindjes.

Ndërkohë Rama vazhdon të heshtë, nuk jep asnjë shpjegim dhe sulmon opozitën dhe mediat më në zë në botë si të blera.

Një njeri i korruptuar si Edi Rama, i cili bleu me 80 mijë dollarë një foto me Obamën, mendon se çdo gjë është në shitje e çdo gjë mund të blihet.

Por krimi është shumë i rëndë, është krim federal, dhe eshtë kryer në Amerikë ku Edi Rama nuk i bën dot shantazhe kriminale drejtësisë.

Krimi është i rëndë dhe mediat më prestigjioze botërore flasin për të, dhe nuk janë si ato media që i kap, i lëshon, u mbyll gojën dhe i drejton vetë Edi Rama.

Nuk është nga ato skandale që Rama mendon se do ta kalojë duke sulmuar opozitën, apo duke sulmuar Washington Post, Reuters, Associated Press, Zëri i Amerikën, The guardian, e Daily Mail, si të blera nga ne.

Ai ka zgjedhur të mos japë asnjë shpjegim, të heshtë, dhe të reagojë me zyrën e propagandës duke sulmuar mediat ndërkombëtare. Kjo është zgjedhja e një fajtori. E një njeriu të kapur në krim.

Përveç hetimit që po bën FBI, është e qartë se Rama ka konsumuar tre vepra penale edhe sipas ligjeve shqiptare, që janë ndikimi i paligjshëm, mosdeklarimi i pasurisë, dhe pastrimi i parave, vepra për të cilët ai duhet të përgjigjet para drejtësisë shqiptare.

Kallëzimi penal është dorëzuar tashmë, dhe ne i kërkojmë Prokurorisë të hetojë me seriozitet dhe e pandikuar nga sulmet e presionet e Edi Ramës.


Deklaratë e nënkryetarit të PD, Edi Paloka, 6 korrik 2016

Read More
05 Kor
0

Urimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për festën e Fitër Bajramit

Gëzuar Fitër Bajramit çdo shqiptari. E di se Muaji i Ramazanit ka qënë një sakrificë e madhe për të gjithë agjeruesit, me ditë të gjata e të nxehta. Uroj që Zoti t’ua pranojë sakrificën dhe agjerimin si një ndjesë dhe si një bekim për të gjithë shqiptarët dhe kombin shqiptar. Këto janë ditë të vështira për mijëra familje. Janë ditë të pasigurisë, të varfërisë. Por festa e sotme është edhe një simbol shpresë dhe besimi. Prej ditës së parë të Ramazanit më kanë mbetur në mend katër vargje të Kuranit të cilat me lejen tuaj do desha t’i kujtoj sot publikisht një sure të  Kuranit që quhet Ndiçimi.

“Në mesditë kur shndrit dielli

e natën kur erresia bie

Zoti yt nuk të ka braktisur

as zemëruar me ty nuk është.

E patjetër çfarë po vjen

më e mirë është se çfarë po shkon

e Zoti bujar do të jetë me ty e ti i kënaqur”.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!

Gëzuar Bajramin!


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 5 Korrik 2016

 

Read More
04 Kor
0

Reagim i Partisë Demokratike

Reagimi i dëshpëruar i Ramës përmes zyrës së tij të propagandës konfirmon faktin së është ai shtetasi i huaj që ka porositur pagesën e paligjshme 80 mijë dollarë për të përfituar një foto me Presidentin Obama.

Ky që nuk mungon të komentojë gjithçka mbi këtë rruzull, ka 5 ditë që hesht teksa zyra e tij e propagandës cilëson Reuters dhe Zërin e Amerikës si media të paguara nga Partia Demokratike.

Ndërkohë që e pret një tjetër padi për këtë shpifje të pacipë, Edi Rama vazhdon të mos ju përgjigjet pyetjeve: “Ku i mori 80 mijë dollarë Edi Rama kur kishte deklaruar një pasuri prej 3 mijë Euro? A janë këto 80 mijë dollarë para rryshfeti apo korrupsioni? Çfarë ju premtua në këmbim sponsorizuesit të 80 mijë dollarëve?”

Partia Demokratike i bën thirrje Edi Ramës të mos fshihet pas zyrës së propagandës, por të dalë para shqiptarëve dhe para drejtësisë për tu përballur me të vërtetën.


Reagim i Partisë Demokratike, 4 korrik 2016

 

Read More
04 Kor
0

80 mijë dollarë për foton me Obamën, PD depoziton kallëzimin penal ndaj Edi Ramës

Partia Demokratike depozaitoi sot kallëzimin penal ndaj kryeministrit Edi Rama, në lidhje me akuzat e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, fshehje të pasurisë dhe pastrim të parave.

Kallëzimi i Partisë Demokratike vjen pas hetimeve që po bën FBI në Amerikë në lidhje me krimin federal të futjes së 80 mijë dollarëve, nga një burim I jashtëm në fushatën e 2012 të Presidentit Obama.

Eshtë vërtetuar se burimi i jashtëm është Edi Rama, i cili pagoi 80 mijë dollarë në vitin 2012, për të siguruar një takim dhe një foto me Presidentin Obama.

Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Eduard Halimi u shpreh për mediat:

“Depozituam kallëzim penal ndaj kryeministrit për faktet e bëra të njohura botërisht për rastin e vitit 2012, ku tregohet qartë se Edi Rama ka konsumuar të paktën elementët e tri veprave penale, atë të mashtrimit, fshehjes dhe pastrimit të parave, duke ushtruar një ndikim të paligjshëm dhe duke përfituar ai drejtëpërdrejt, nëpërmjet këtij ndikimi të paligjshëm. Faktet dhe grup faktet e bëra publike, të mbledhura nga organet ligjzbatuese amerikane, tregojnë qartë se 80 mijë dollarë janë paguar nga Shqipëria, nga burime tërësisht të dyshimta, të padeklaruara nga kryeministri me një qëllim të vetëm, pikërisht përdorimin e një takimi dhe bërjen e një fotoje me presidentin e SHBA Barack Obama, në 2012, në kohën kur zoti Rama ishte kryetar i opozitës në Shqipëri. Faktet dhe grupfaktet plotësojnë të gjithë elementët e figurave penale të parashikuara nga legjislacioni shqiptar. Legjislacioni shqiptar bën të qartë dhe i ka të qarta të gjitha përcaktimet që kanë të bëjnë me dënueshmërinë e veprimeve të tilla, siç është fshehja e të ardhurave, fshehja e burimeve dhe mashtrimi duke përdorur këto para, dhe po kështu, kemi dhe një precedent ndërkombëtar, siç është ai i Viktor Pontes në Rumani vite më parë, për vepra shumë herë më të lehta se këto, përt të cilat opozita akuzon kryeministrin shqiptar, për shuma shumë herë edhe më të vogla se për këto që bëhet fjalë në vitin 2012, ai është përballur me drejtësinë dhe po vuan dënimin. Tani është momenti që Prokuroria të thërrasë dhe të marrë në përgjegjësi penale, ashtu si ka vepruar prokuria në Rumani apo në vende të tjera, të thërasë në përgjësi penale kryeministrin shqiptar, i cili është i detyruar t’i japë përgjigje pyetjeve që ngrihen dhe nga opozita, nga publiku por dhe nga mediat ndërkombëtare mbi financimin e dyshimtë dhe përdorimin e parave të pista, për aq kohë sa janë nga burim i dyshimtë, janë  para të pista në një fushatë elektorale, për të ushtruar një ndikim të paligjshëm”, u shpreh Halimi.


Prononcim për mediat i nënkryetarit të Grupit Parlamentar, Eduard Halimi, 4 korrik 2016

KALLZIM PENAL PER EDI RAMEN – 80000 $

Read More
04 Kor
0

Me Edi Ramën Shqipëria vend i pasigurtë, Belgjika na heq nga lista

Lajmet e këqija për Shqiperinë nuk kanë të sosur.

Në kulmin e sezonit turistik dhe në prag të diskutimit për hapjen e negociatave për Shqipërinë, Belgjika ka vendosur ta heqë Shqipërinë nga lista e vendeve të sigurta.

Lufta kundër krimit dhe trafiqeve, bëri që në 2012 Belgjika ta fusë Shqipërinë në listën e vendeve të sigurta. Ky vendim i rëndësishëm i parapriu vendimit për heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve në zonën Schengen.

Por prej tre vitesh, nën qeverisjen e Edi Ramës, standardet e sigurisë kanë shkuar në zero, dhe janë ngritur në maksimum lehtësitë e mbështetja për krimin, për trafiqet, për drogën që ka mbuluar çdo pëllëmbë të vendit, për trafikun e armëve, për grabitjet me maska.

Asnjë vend i Bashkimit Europian, asnjë vend demokratik nuk mund të pranojë si të sigurtë një vend ku me urdhër të kryeministrit dhe ministrit të brendshem, fshihet urdhër-arresti ndërkombetar i INTERPOL, siç ndodhi në rastin e Mark Frrokut, apo ku policia ndihmon në arratisjen e Arben Frrokut të dënuar përjetë për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt.

Asnjë vend i Bashkimit Europian nuk mund të pranoje si të sigurtë një vend, ku kryeministri zëvendëson ligjin me sundimin e bandave, ku krimi është veshur me pushtet dhe pushteti me krim.

Asnjë vend i Bashkimit Europian nuk mund të pranoje si të sigurtë një vend ku trafikantë droge, tutorë prostitucioni e përdhunues, bëhen deputetë, kryetarë bashkish, e drejtues të larte të administrates dhe policisë së shtetit.

Asnjë vend i Bashkimit Europian nuk mund të pranoje si të sigurtë një vend që, me bekimin e kryeministrit dhe nën mbrojtjen e ministrit të brendshem, është kthyer në hambar droge, kufinjtë janë bërë inekzistent përballe trafikut dhe deti është pushtuar nga skafet që transportojnë drogë.

Asnjë vend i Bashkimit Europian nuk mund të pranoje si të sigurtë nje vend ku në një pikë të rëndësishme të sigurisë kombëtare si Aeroporti, grabiten me armë miliona euro, policia refuzon të bëjë detyrën dhe pastaj gënjen, dhe kryeministri hesht, ndonëse njerëzit e tij më të ngushtë si Eno Bushi avokati i tij, janë aksionerë të firmës së sigurisë.

Heqja e Shqipërise nga lista e vendeve të sigurta mund të sjellë ndëshkim të qytetarëve shqiptarë, mund të verë në lëvizje mekanizmin e rikthimit të vizave, dhe kjo për fajin e një personi.

Për fajin e Edi Ramës dhe lidhjeve të tij të tmerrshme kriminale. Për faj të Edi Ramës që hesht prej 5 ditësh pas rënies së Aeroportit të Rinasit.

Hesht sepse është i kapur.

Për turpin e tij, ministri i brendshem është angazhuar ta heqë përgjegjësinë nga vetja, por sot u faktua ajo çfarë Partia Demokratike e denoncoi që të shtunen.

Përfaqësuesja e Aeroportit saktësoi sot se policia është njoftuar në kohë rekord për ngjarjen dhe se policia ishte vetëm pak metra larg vendngjarjes, por nuk reagoi.

Heqja e Shqipërisë nga lista e vendeve të sigurta është një vendim dramatik pasi mund të rikthejë regjimin e vizave, është një kambanë alarmi pasi mund të ketë ndikim dhe në vende të tjera të BE.

Edhe më i rëndë bëhet ky vendim, kur mësohet se në listën e vendeve të sigurta janë të gjithë shtetet e rajonit, Serbia, Bosnja, Mali i Zi, Maqedonia. Eshtë përjashtuar pra vetëm Shqipëria.

Ky është realiteti i hidhur ku është futur Shqipëria nën drejtimin e Edi Rames. Largimi i tij është emergjence kombëtare, pasi izolimi i vendit për faj të tij sapo ka nisur.

Partia Demokratike angazhohet se sapo të marrë drejtimin e vendit, do të rikthejë standardet e sigurisë, do ti tregojë vendin bandave dhe krimit duke i shtypur me fuqinë e ligjit, që Shqipëria të rikthehet sa më shpejt në listën e vendeve të sigurta, që qytetarët shqiptarë të mos penalizohen në aspiratën e tyre historike për të lëvizur lirshëm në Europë.


Deklaratë e Sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristani, 4 korrik 2016

Belgjika

Read More