Blog

15 Qer
0

Basha-Ramës: Lëri provokimet e ulëta, prano plotësisht dhe jo pjesërisht Rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias që t’i japim Shqipërisë një drejtësi të pakapur politikisht

A ka shqiptar ta besojë se ti e don drejtësinë më të pavarur sesa trupa më e përzgjedhur në Europë, ajo e Komisionit të Venecias, nga e cila mer këshilla çdo kryeqytet i Europës për reforma kushtetuese?

Ky që pikon krim dhe korrupsion në çdo qelizë dhe pore, sot kërkon të bëjë reformë në drejtësi  me plan për kapjen e saj. 

Nga konferenca për shtyp e kryeministrit, me thënë të drejtën unë po prisja ndonjë lajm, lajm nuk ka. Është lajm i vjetër. Është politika e stërvjetër e provokimit, provokimit dhe deligjitimimit të opozitës, institucionit themelor të demokracisë që ka patur, ka dhe do të ketë gjithmonë për detyrë pavarësisht se kush është në opozitë kontrollin e qeverisjes, dhe në rastin konkret ruajtjen e sistemit të reformuar të drejtësisë nga duart e qeverisë. Nga duart që duken dhe ashtu siç ju thash të hënën e kaluar pas takimit me kryeministrin, nga duart që nuk duken dhe që janë specialiteti i Edi Ramës.

Pyetja është, a e ka ftuar Edi Rama, Armando Prengën të vijë të votojë për kapjen e drejtësisë? A do të vijë me pistoletë, apo pa pistoletë në sallën e Kuvendit? Me gëzhojë në xhep, apo jo? A e ka ftuar Arben Ndokën, që të vijë dhe të kapë drejtësinë, apo nuk e ka më deputet, se ia hoqi Departamenti i Shtetit duke e përmendur me emër si turp që Edi Rama ka bërë deputet një person të dënuar për prostitucion dhe rrëmbim personi. A e ka ftuar Mark Frrokun të votojë planin e tij për kapjen e drejtësisë? Apo i është nisur për Belgjikë sepse ka probleme me drejtësinë, për vrasje? Po Kokëdhimën, a e ka ftuar të votojë në këmb të tij projektin për kapjen e drejtësisë, apo e kapi drejtësia në flagrancë duke shkelur Kushtetutën? Po Artur Bushi? Ervin Rroshi? Dhjetëra person të tjerë… a i ka ftuar? Apo i çoi nga deputetë në kryetarë bashkie?

Ky pra, që pikon krim dhe korrupsion në çdo qelizë dhe pore sot kërkon të bëjë reformë në drejtësi me plan për kapjen e saj. Për çfarë e do drejtësinë me kaq ngulm? Pse nuk i mjafton pushteti që ka për disa muaj? Është shumë e thjeshtë. Sepse zullumi që ka bërë për këto 3 vite është shumë i madh. Dhe ai e di vetë. Me një drejtësi të pakapur nga ai, nuk do të flinte asnjë natë i qetë Edi Rama, as në sarajet e tij në Surrel. Asnjë natë nuk do të flinte i qetë, kampioni i korrupsionit të tij, Ilir Beqja, nëse drejtësia do të ishte e pakapur, asnjë orë gjumë nuk do të bënte dot Saimir Tahiri i ngjyer në çdo gjiriz kriminal në vend nëse drejtësia do të ishte e pakapur. Asnjë orë gjumë nuk do të bënte as Beni i çarterave, madje do të mendonte të kapte avionin më të parë nëse drejtësia do të ishte e pakapur, pagjumësi e thellë do të ishte edhe për Damianin e vjedhjes së shekullit me aferën e CEZ-it dhe shumë ministra, zyrtarë, drejtorë dhe oligarkë të qeverisjes më të inkriminuar në këto 25 vite.

Do humbisnin gjumin njëherë e mirë sepse hija e zullumeve dhe krimeve që i kanë bërë të rrotullohen në kokën e tyre, do t’i linte pa gjumë. Ndaj e duan me çdo kusht drejtësinë e kapur.  Nuk do t’jua japim, kurrsesi. Edi Rama nuk do ta ketë kurrë votën e opozitës për një drejtësi të kapur e të kontrolluar me duar që i duken apo me duar që nuk i duken. Por një drejtësi të pakapur, po e duam dhe e kemi dashur. E deshëm dje, e duam sot e do  ta duam përgjithmonë.

Vendi ynë nuk ka nevojë për provokime të ulëta, që tregojnë vetëm destabilitet mendor dhe politik të Kryeministrit dhe qeverisë së tij. Vendi ynë nuk ka nevojë për vija të kuqe, as për politikanë që thithin të bardha.

Vendi ynë ka nevojë për një dritare shprese. Ka nevojë për një dritare  shprese për ekonominë që po lëngon, për pasigurinë që është ulur këmbëkryq, për varfërinë që ka kapur mijëra familje për fyti, për një klimë të shëndoshë biznesi, që të hapen e jo të mbyllen bizneset, bashkë me vendet e punës.

Ka nevojë për perspektivën europiane dhe prandaj Partia Demokratike u investua prej fillimit për një drejtësi të pakapur politikisht. Luftuam dhe fituam betejat tona. Për Byronë Kombëtare të Hetimit, ju kujtohet të gjithëve, ju kam thënë shqiptarëve prej fillimit se nuk do të pranoja kurrë një Byro të Hetimit nën Edi Ramën dhe Saimir Tahirin dhe sot nuk e kemi të tillë falë punës tonë, falë këmbënguljes tonë, falë investimit tonë, falë fitores tonë dhe tërheqjes nga ai projekt ogurzi, me sanksionimin e qëndrimit tonë të drejtë nga Komisioni i Venecias. Dhe kështu fituam jo një  apo dy, por plot 38 beteja me oligarkinë dhe regjimin e korruptuar dhe kriminal të Edi Ramës që donte ta fuste drejtësinë në xhep.

E vërtetë është, kishim 10 apo 12 çështje të tjera, jo të kapjes politike por të arkitekturës dhe eficencës së sistemit. Nuk jemi të lumtur që drafti nuk i reflekton këto, por detyrën tonë, detyrën time si kryetar i opozitës për moskapjen politike e kam kryer, edhe pse detyrën time si jurist nuk e ndiej të plotësuar me cilësinë shpesh çaluese të draftit. Por hoqëm dorë, hoqëm dorë nga të gjitha pikat e tjera që nuk kanë të bëjnë me moskapjen politike pikërisht që Shqipërisë t’i ofrojmë një dritare shprese, e mundësisht rekomandimin pozitiv për negociatat, perspektivën europiane, që është identiteti im politik, që prej ditës së parë në shërbim publik.

Por zgjidhja vonon sepse Edi Rama nuk heq dorë nga projekti i tij i kapjes politike. Do të kontrollojë Vettingun me dorën e tij apo me duart që nuk duken. Dhe sot në gjithë këtë logore përsëri refuzoi t’i përgjigjej pyetjes time, pyetjes së faktorit ndërkombëtar. Pse nuk pranon rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias?

Zgjidhja është aty e plotë dhe e qartë. A mos mendon vallë se Komisioni i Venecias bën duanë e Partisë Demokratike? A ka shqiptar ta besojë se ti e don drejtësinë më të pavarur sesa trupa më e përzgjedhur në Europë, nga e cila merr këshillë çdo kryeqytet i Europës për reforma kushtetuese? Nëse jo, pse nuk e pranon? Vetëm dhe vetëm sepse shkatërron përfundimisht projektin tënd të kapjes politike. Nuk ka nevojë ta lexosh në anglisht, lexojua shqip shqiptarëve.

“Nëse palët në procesin politik nuk pranojnë shumicën e cilësuar të kërkuar për anëtarët jo gjyqtarët të katër institucioneve të reja, ata mund të zgjedhin një sistem propocional që garanton përfaqësimin e opozitës në organet kolektive ose çdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në procesin e përzgjedhjes” .

Jo sepse duan Lulzim Bashën por sepse duan opozitën, opozitën sot dhe nesër, opozitën drejt të cilës po e çon Partinë Socialiste. Sepse është një instrument i domosdoshëm i kontrollit në demokraci.

Vendi ynë nuk ka nevojë për retorikë provokuese, se përndryshe do të kisha kthyer përgjigje për abuzimin e tmerrshëm që bëre me disa nga ngjarjet më të rënda që rëndojnë në ndërgjegjen tënde. Por sot me përgjegjësitë që kam marrë si kryetar i opozitës dhe i alternativës për nesër, të ftoj të reflektosh e të qetësohesh.

Partia Demokratike dhe unë jemi gati në çdo moment t’i japim Shqipërisë një drejtësi të pakapur politikisht. Mjafton që ti të heqësh pengesën e vetme dhe të pranosh plotësisht dhe jo pjesërisht rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias.


Deklaratë për media e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 15 qershor 2016

 

Read More
15 Qer
0

Rama linçon gjykatësin kur nuk i pëlqen vendimi, e do drejtësinë nën këmbët e tij

Nga njëra anë, Edi Rama predikon vetingun, pra vlerësimin e gjykatësve, dhe propagandon që atë ta bëjnë profesionistët e jo partitë, nga ana tjetër ka vërsulur një taborr me policë kundër gjykatësit që dha një vendim që nuk i pëlqen atij, një vendim bazuar mbi kërkesën e prokurorisë për pezullimin e drejtorit të përgjithshëm të policisë, mbi skandalin e përgjimeve.

Linçimi publik mesjetar që po i bën gjykatësit sepse nuk dha masën që donte ai, në një përpjekje për të trembur gjykatën e apelit para vendimit për Cakon e tij, tregon mirëfilli, e nxjerr lakuriq, konceptin e Edi Ramës për drejtësinë dhe institucionet e drejtësisë.

Kjo është gjithashtu një vepër e rëndë penale, shkelje e nenit 145 pika 3 e Kushtetutës që ndalon ndërhyrjen në veprimtarinë e gjykatave.

Edi Rama po e shkel ligjin themelor, duke kërcënuar çdo gjykatës e prokuror në vend, duke u thënë se nëse hetoni kundër meje, nëse jepni vendime kundër meje, unë ju vërsul policinë.

Me fletërrufe e me aksione prej gestapoje, Edi Rama po u tregon gjykatësve dhe prokurorëve se i pret fati i Arjan Aliajt nëse guxojnë të hetojnë, të bëjnë drejtësi, kundër krimeve të tij, kundër korrupsionit të tij.

Për kujtesë, Arjan Aliaj është i njëjti gjyqtar që për Edi Ramën ishte në rregull, kur liroi babain e Saimir Tahirit të akuzuar për kontrabandë ilaçesh.

Partia Demokratike është pa asnjë rezervë në favor të hetimit të pasurisë së gjykatësve e çdo zyrtari në vend. Por vetëm bazuar mbi ligj, e kur kjo bëhet nga institucionet që kushtetuta ngarkon me këtë detyrë.

Edi Rama po dëshmon çdo ditë motivin e vërtetë që ka për reformën në drejtësi, që është kapja e saj. Kërkon ta ketë nën kontroll, që ai të verifikojë pasurinë e gjykatësve e prokurorëve, që ai të vlerësojë vendimet e tyre, që ai të caktojë kush qëndron e kush ikën.

Edi Rama kërkon ta ketë drejtësinë nën hyqëm, që të mbrojë krimet e tij, të mbrojë batërdinë e vjedhjeve në shëndetësi e dogana, grykësinë e tenderave që i ndan me miqtë, plaçkitjen e pasurive publike, aferat skandaloze si ajo e stadiumit, lidhjet me bandat e trafikantët, të mbrojë krimin shtetëror të përgjimit të paligjshëm.

Eshtë sot detyrë kombëtare të mos e lejojmë Edi Ramën ta vendosë drejtësinë nën këmbët e tij.

Opozita është e vendosur për të mos lejuar kapjen mafioze të drejtësisë nga Edi Rama.

Do të ketë drejtësi sipas Venecias, vetëm sipas Venecias, sipas parimeve e standarteve të saj.

Drejtësi që kufton korrupsionin e krimin.

Drejtësi që nuk sulmohet nga kryeministri kur heton qeverinë.

Drejtësi që nuk linçohet nga askush kur bën detyrën e zbaton ligjin.


Deklaratë e Sekretarit për Zgjedhjet, Ivi Kaso, 15 qershor 2016

Read More
15 Qer
0

Rama do përballet me ligjin për aferën e stadiumit me kullë 24 katëshe

Partia Demokratike, thirrje Prokurorisë të hapë hetimet

Sekretari për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji denoncoi sot nisjen e punimeve për kullën 24 katëshe pranë stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Salianji u shpreh se Partia Demokratike mbështet ndërtimin e një stadiumi për tifozët shqiptarë por kurrsesi këtë projekt korruptiv që ka nisur të ndërtohet pa transparencë dhe në shkelje të hapur të ligjit. Ai paralajmëroi kryeministrin Rama për këtë projekt korruptiv e antiligjor dhe i bëri thirrje Prokurorisë të hapë menjëherë hetimet.

“Që në fillim dua të them që Partia Demokratike është për ndërtimin e një stadiumi siç e do publiku, siç e duan tifozët, siç e do shoqëria civile, siç e duan analistët dhe gazetarët më të njohur në këtë vend, një stadium që të jetë në shërbim të tifozëve, në shërbim të publikut dhe shërbim të qytetarëve. Jemi këtu edhe një herë tjetër për ti bërë thirrje prokurorisë për të nisur hetimin për një aferë korruptive, po për ti bërë thirrje edhe kryeministrit për të kthyer përgjigjet që nuk i ka kthyer Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Sot Edi Rama ka nisur shkatërrimin e stadiumit kombëtar me prepotencë, me arrogancë, më forcën e pushtetit që ka sot, por me përgjegjësinë që do të mbajë para ligjit nesër. Drejtësia vonon, por nuk harron. Ky është postulat që Edi Rama duhet ta dijë mirë  dhe duhet ta njohë. Nuk mundet që stadiumin e vetëm kombëtar të këtij vendi pa transparencë, pa tender, pa dhënë asnjë shpjegim një kompanie e cila nuk dihet se nga ka ardhur, një kompanie për të cilën nuk dihet se cilat janë procedurat që janë ndjekur për të përzgjedhur firmën fituese për ndërtimin e këtij projekti të stadiumit kombëtar, por që në fakt nuk është stadium, por një kullë 24 kate, kulla më e lartë në Tiranë e cila nuk mund të jetë as koncesion, as partneritet publik-privat. Sepse kjo kullë, nuk i kthehet publikut nesër, kjo kullë i mbetet përjetësisht firmës e cila do ta ndërt​ojë”, tha Salianji.

Sekretari për Aksionin Qytetar shtroi edhe disa pyetje në lidhje me këtë projekt që kryeministri ende nuk u është përgjigjur ndërsa shtoi se Partia Demokratike do ta ndjekë deri në fund këtë rast korruptiv deri në përgjigjen e plotë ligjore.

“I kemi kërkuar kopje të procesverbalit të mbledhjes së shoqërisë aksionere e cila po merr dhe po ndërton sot kullën pas fushe. A ka mbajtur qëndrim për 25 përqindëshin e aksioneve që ka shteti dhe cili është qëndrimi që ka mbajtur qeveria si aksionere në këtë projekt? A ka kopje të kontratës së partneritetit publik-privat për realizimin e këtij projekti të miratuar nga shoqëria anonime ku shteti zotëron 25 përqind dhe përse edhe pas kërkesës së bërë nga kryetari i grupit parlamentar të PD edhe sot Edi Rama nuk jep përgjigje? A janë ndjekur procedurat për dhënien e lejes zhvillimore siç e kërkon ligji? A është marrë leje nga instituti i monumenteve dhe nga ministria e Kulturës duke qenë e qartë në ligj që monumentet e kulturës nuk mund preken, nuk mund të shkatërrohen dhe nuk mund të ndërtohet dhe nuk mund të zhvillohet pa marrë lejen e specialistëve. Për këtë arsye Prokuroria e Përgjithshme duhet të nisë hetimin për shpërdorim detyre dhe për përvetësim të pronës publike ndaj Edi Ramës dhe vëllait të tij dhe për këto arsye PD do të bëjë kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme për ti shkuar deri në fund hetimit të kësaj çështjeje”, tha Salianji.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 15 qershor 2016

 

Read More
14 Qer
0

Basha: Opozita gati ta votojë sot draftin, Ramen se lë vëllazëria me krimin të pranojë rekomandimin 88

 

Edi Ramës i pëlqejnë fjalët e mëdha dhe shprehjet bombastike. E dëgjuat sapo mbylli një fjalim 45 minutash. U tha gjithçka por nuk iu përgjigj disa pyetjeve kryesore, në fakt një pyetje kryesore.

i pëlqejnë shprehjet figurative, metaforat, por në fakt ajo që i mbetet njeriut jo vetëm në politikë, por veçanërisht në politikë, nuk janë fjalët, janë veprat. Cili është modeli i Edi Ramës?! Çfarë i ofroi Shqipërisë në këto 3 vite,  tani që kjo maxhorancë ka nisur muzgun e saj me një Shqipëri në krizë ekonomike, me qindra,  mijëra shqiptarë në eksod apo me dëshirë për eksod, në situatë totale pasigurie për biznesin, për qytetarët, me krimin në pushtet të kurorëzuar në fron, në parlament e  në bashki.

Çfarë u ofroi shqiptarëve?!

Modeli i Ramës për bashkitë është Enver Rroshi sepse paska pasur edhe një emër tjetër, i hetuar jo vetëm për përdhunim por edhe për drogë e pastrim parash nga DEA amerikane. Modeli i Edi Ramës për paratë e shqiptarëve, për doganat është Elisa Spiropali. Me 5 milionë euro pasuri krekoset para bashkëpunëtorëve të saj. 400 milionë euro u kanë vjedhur shqiptarëve vetëm vitin e kaluar. Modeli i Edi Ramës për shëndetësinë është ilir Beqja me 350 milionë euro koncensione të ndara me miq për shërbime që nuk jepen kurrë dhe spitale pa illace etë katandisura më keq se në mesjetë. Për ekonominë modeli është “Beni Charter” që do të japë Skavicën pa tender e bën Pazar me pasuritë publike. Për rendin modeli është Tahiri i njëmijë e një lidhjeve me krimin, që bashkëbisedon me vrasësit në zyrën e tij, që jep makinën e tij private si taksi droge habilajve, dhe tani përgjues i paligjshëm.

Atëhere më thoni qytetarë të dashur, cili do të jetë modeli i Ramës për drejtësinë?! Çfarë modeli ka ndërmend ky njeri për drejtësinë?!

Është e kuptueshme që ka të njëjtin model, të korruptuar, të kapur e të urdhëruar prej tij. Modelin që do ta ndihmojë,  do ta ushqejë  dhe do ta mbajë të paprekur modelin e tij qeverisës me krimin e korrupsionin, modelin e  rregjimit të tij që po i merr frymën çdo shqiptari demokrat e socialist.

 Ndaj PD ka marrë përgjegjësinë e saj dhe unë si kryetar i opozitës kam marrë përgjegjësinë time dhe jemi investuar pikërisht për një Reformë në Drejtësi, që nuk e mbron por e lufton krimin dhe korrupsionin.

Kush ndihet i kërcënuar me këtë reform?!  Unë, kryetar i opozitës që i denoncoj këto afera ditë për ditë me fakte dhe argumenta të pakundërshtueshme?! Apo shefi i zullumit?!

 45 minuta, 45 minuta me figura bombastike, një përgjigje nuk dha madje i iku 10 herë nenit 88. Nuk e lexoj tha. Ia kam lexuar unë dy herë në takim dhe në konferencë. Me siguri po na ndjek tani dhe po e lexoj për herë të tretë.

 Rekomandimi 88 i opinionit final të Komisionit të Venecias, albitrit të vetëm për reformën në Drejtësi, për Tiranën, për Brukselin për Uashingtonin, do apo s’do ti. “Nëse palët në procesin politik nuk pranojnë shumicën e cilësuar të kërkuar për anëtarët e gjyqtarët të katër institucioneve” jo të dy, pra të katër institucioneve “ata do të zgjedhin  një sistem propocional që garanton përfaqësimin e opozitës në organet kolektive ose cdo model tjetër të përshtatshëm që do të ndikonte sigurimin e opozitës në procesin e përzgjedhjes” .

Po këta çfarë janë?! Seksioni i Partisë Demokratike në Venecia? Dega jonë në Venecia janë këta?! Klubi i shokëve të mi studentë në Venecia janë këta?!

Jo mo jo, ky është Komisioni I Venecias. Nuk ekziston për ti dhënë kontroll politik Lulzim Bashës mbi sistemin e dejtësisë por ekziston për të mbrojtur sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe kudo vend tjetër nga kontrolli politik i qeverisë dhe në këtë rast nga kontrolli politik i Edi Ramës,

E kupton shumë mirë këtë ai. Është kapur si pas fijes së kashtës pas atyre që duan të zëvendësojnë Venecian. Unë u jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që kanë ndihmuar për këtë reformë. E kam mirëpritur dhe e mirëpres ndihmën e tyre në të ardhmen. Por ta harrojë çdokush se mund ti mbivendoset apo të zëvëndësojë Komisionin e Venecias. Në Republikën e Shqipërisë e katandisur kështu siç e ka katandisur kjo qeveri, për fat ka një opozitë dhe një kryetar opozite që i përmbahet standardeve perëndimore të demokracisë. Dhe ky standart më dikton hapur pa asnjë dilemë ti them cdokujt se standardi i artë është Komisoni i Venecias dhe nuk mund të zëvëndësohet nga asnjë  autoritet tjetër në faqen e rruzullit tokësor.

Këtë Edi Rama e di shumë mirë dhe mendon se do tia hedhë me fjalë.

Dhe atij i pëlqejnë fjalët e bukura. Vende të rezervuara tha që nuk jap por përpfaqësimin proporcional për dy organet është gati ta japë. Hajde tani ta intepretojmë këtë. A nuk tha të njëjtën gjë dje?! A nuk është ky një pranim i pjesshëm i rekomandimit 88-të?! Këtë thotë ky rekomandim që ky thotë që nuk e kam lexuar megjithëse ia kam lexuar ditën e hënë, javën e kaluar.

Pra e pranon por për dy dhe jo dy të tjera. Këtu është vija e kuqe?! Për çfarë?! Që të vendosësh ti se cilët gjyqtarë janë të korruptuar e cilët jo?! Që të vendosësh ti se cili prokuror është i korruptuar dhe cili jo?! Ta them që tani se prokurori që heton Erion Velinë për dosjen e falsifikimit të firmës është i pakorruptuar se nuk po e zbardh. Ky që vendosi arrestimin e dy drejtorëve të policisë dhe pezullimin e këtij tjetrit për përgjimin, për të cilin po bën çdo gjë, ky është i korruptuar. Gjykata Kushtetuese që vendos heqjen e mandatit të Koço Kokëdhimës kërcënohet dhe i thuhet prit se po vjen reforma në drejtësi. Pse?! Sepse ligjin e zbatoi por jo siç e donte Edi Rama. Ky është problemi.

Vëllazëri. Brotherhood. Nuk ka vëllazëri Partia Demokratike me askënd tjetër përveçse me demokratët, opozitarët dhe qytetarët që mezi presin largmin e qeverisë tënde që i ka zënë për fyti. Ti ke vëllazëri, Brotherhood of crime. Rroshin, Bushin, Prengën, Ndokën, Frrokun 1, Frrokun 2, Cubin, e dhjetra të tjerë që po dalin ditë për ditë. Sna e kishe kursyer as skafistin e 9 Janarit. E kishe bërë shef në kapitenerinë e Durrësit. Kjo është vëllazëria jote. Në emër të saj çirresh, në emër të saj shkruan hartime të gjata pa arritur ti përgjigjesh një pyetje të vetme. Pse nuk pranon atë që Venecia e përcakton si normë të moskapjes politike të drejtësisë nga ty sot e çdo kryeministër nesër e pasnesër. Kujt i djeg miza nën kësulë?!

I gënjeve prap shqiptarët kur ju the se duhet që radiologët të jenë transparentë, profesionalë dhe të pavarur. Por këtë kërkoj edhe unë. Çështja është; këta radiologë transparentë, profesionalë dhe të pavarur do ti zgjedhësh ti të gjithë?! Apo do ti zgjedhim së bashku pasi të kemi garantuar që gjithsecili prej tyre përmbush kriteret dhe kontrollin strikt në daç edhe ndërkombëtar të integritetit. Ama këta që kanë kaluar këtë kontroll smund ti zgjedhësh vetëm zotrote. S’ta them unë por ta thotë 88-ta që ti nuk do ta lexosh.

Shqetësues është fakti që sot nuk pate guximin ti kërkosh ndejsë shqiptarëve për mynxyrën e në veçanti kavajsve, për mënxyrën që u bërë me Rroshin. Kjo tregon se je i paaftë të pendohesh, kjo tregon që nuk pendohesh dhe kjo tregon se pa pendesë nuk ka reflektim dhe pa reflektim nuk mund të ketë përmirësim.

Ndaj sot nuk ke folur as si kryeministri i shqiptareve dhe madje as si kryetari i partisë më të madhe aktualisht në maxhorancë por si avokat i Rroshit. Asgjë tjetër nuk të pengon ty ti shtrish dorën opozitës dhe të pranosh rekomandimin e Venecias, përveç avokatisë së krimit, përveç frikës së tmerrshme që ke se pa këtë avokati del qartë jo si njëri por si kreu i brotherhood of crime, vllaznisë së krimit.

Dhe së fundmi, mos e përziej Italinë në skandalin e përgjimit. Skandali i përgjimit është i yti, i Saimir Tahirit dhe i kokave të turkut që urdhërove për të përgjuar në mënyrë të paligjshme. Për këtë ne do të qendrojmë fuqishëm deri në zbardhjen e plotë dhe vënien para ligjit çdo personi përgjegjës. Mos e përziej Italinë në këtë aferë, se është aferë e jotja 100 %. Sigurisht do vazhdozh ta përziesh më pas Italinë, Europën, Amerikën, Kombet e Bashkuara,  Nauru, Vanuatu, por përgjegjësisë për mega skandalin e përgjimit nuk ke për ti ikur dot dhe as nuk ke për ta tregtuar dhe bërë pazar me rastin e reformës në drejtësi.

Së fundmi, qytetarë shqiptarë, siç u kam thënë në këto ditë e javë, dua tu them edhe sot. Partia Demokratike është gati të miratojë që sonte draftin kushtetues. E vetmja që na ndan është rekomandimi 88-të që ai nuk do apo bën sikur nuk do ta lexojë. Arbitri ka folur. Partia Demokratike e ka pranuar dhe i vetmi që nuk e pranon është Edi Rama. Arsyet: brotherhood of crime.

Faleminderit!


Konferenca per shtyp e kryetarit te Partise Demokratike, Lulzim Basha, 14 Qershor 2016

Read More
14 Qer
0

Basha me Steinmeier: Pranimi i plotë i Rekomandimit 88 të Venecias nga Edi Rama mban peng Reformën në Drejtësi

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha priti sot në një takim Ministrin e Jashtëm gjerman Frank Walter Steinmeier. Zoti Basha shprehu mirënjohjen për kontributin e Gjermanisë dhe të ministrit Steinmeier për anëtarsimin e Shqipërisë në NATO dhe Pavarësinë e Kosovës, kohë në të cilën mbante postin e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë.

Zoti Basha i bëri të ditur Ministrit të Jashtëm gjerman se opozita e drejtuar prej tij ka shprehur me vepra dhe jo me fjalë mbështetje të plotë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Ndryshe nga opozita e djeshme e drejtuar nga Rama e cila bllokoi për tre vjet statusin për vendin kandidat, unë personalisht, theksoi z.Basha kam kërkuar tek çdo qeveri dhe tek çdo drejtues i familjes së Partisë Popullore Europiane mbështetje për dhënien e statusit kandidat Shqipërisë.

Kryetari i Partisë Demokratike shprehu shqetësimin për gjendjen e rëndë në vend si rezultat i lidhjeve të pushtetit aktual me krimin dhe promovimit dhe mbështetjes nga Kryeministri Edi Rama të personave me rekorde kriminale në Parlament, në bashki e në poste të larta të administratës shtetërore.

Për këtë z.Basha solli si shembull rastin e kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi, për të cilin një vit më parë partnerët ndërkombëtarë i kërkuan Edi Ramës të mos e kandidonte pasi ishte i dënuar në Zvicër e Itali për trafik droge e vepra të tjera kriminale. Zoti Rama injoroi thirrjet edhe publike të ndërkombëtarëve duke e kandiduar. Për të mbrojtur këta persona me rekorde kriminale zvarriti për një vit ligjin e dekriminalizmit dhe kur ky u miratua e sfidoi hapur duke u shfaqur në publik me Rroshin e kryebashkiakë të tjerë që janë subjekt i ligjit të dekriminalizimit.

Duke iu referuar korrupsionit, situatës fiskale dhe te sigurisë ligjore, z.Basha solli në vëmendje raportin e Dhomës së Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë e cila rendit Shqipërinë në vendin e fundit në rajon ku investitorët gjermanë do të donin të investonin.

Një tjetër fakt i paraqitur nga kreu i opozitës është edhe numri i lartë i azilkërkeusve shqiptarët të ciëlt janë renditur të dytët në Gjermani pas sirianëve dhe të parët në Holandë. Faktori kryesor i këtij eksodi masiv të qytetarëve shqiptarë është pasiguria si rezultat i simbiozës krim-pushtet dhe rënies së shteit ligjor.

Kreu i Partisë Demokratike e njohu ministrin e Jashëtm gjerman me presionin e jashtëzakonshëm që Kryeministri Edi Rama ushtron ndaj gjyqësorit. Këtë e dëshmon ndër të tjera rasti I ish- deputetit Kokëdhima, i cili kishte përfituar në kundërshtim me ligjin fonde publike. Edi Rama refuzoi ta dërgonte për hetim dhe pasi u detyrua nga opozita ta bëjë këtë, ushtroi një presion të jashtëzakonshëm ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese duke i kërcënuar publikisht edhe pas vendimit të marrë nga ata për heqjen e mandatit të Kokëdhimës. Një rast tjetër flagrant i presionit të papranueshëm ndaj gjyqësorit është edhe rasti i përgjimeve. Pas nisjes së hetimeve dhe dhënies së masave të para nga Gjykata për drejtues të lartë të policië së  shtetit të përfshirë në këtë krim, Edi Rama kërcënoi hapur gjyqtarin duke e quajtur atë killer.

Një vend të veçantë në takim zuri reforma në drejtësi.

Që në nisje të reformës theksoi zoti Basha, mazhoranca ka bërë gjithçka që të kapë politikisht sistemin. Kjo u faktua edhe nga Venecia e cila rrëzoi draftin e parë të mazhorancës në plot 38 pika duke e konsideruar si një propozim që conte në kapje politike të drejtësisë. Ndonëse Partia Demokratike i kërkoi mazhorancës të ulen dhe të miratojnë një draft të përbashkët, kjo u refuzua nga mazhoranca e cila solli edhe një draft të dytë të njëanshëm. Sërish Venecia faktoi shqetësimet e opozitës për kapjen politike, ndër të cilat edhe Byroja Kombëtare e Hetimit të cilën Edi Rama e donte nën varësinë e ministrit të Brendshëm.

Falë rolit të opozitës sot kemi një draft të përmirësuar dhe të dakorduar me përjashtim të një cështje: atë të zgjedhjes së institucioneve të reja. Partia Demokratike ka kërkuar zbatimin e plotë të Rekomandimit 88 të Venecias për këtë cështje. Edi Rama nuk ka demostruar vullnet për të pranuar zbatimin e rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias mbi moskapjen politike të drejtësisë.

Pavarësia e sistemit të drejtësisë është një parim pa të cilin nuk mund të ketë reformë ndaj Reformë me kapje politike të sistëmit nuk mund të ketë. Ndaj në në takimet me Ramën dhe Metën kam parashtruar një dhe vetëm një kërkesë nënvizoi kreu i opozitës: zbatimin e plotë të Rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias. Parimi duhet të pranohet për të gjitha institucionet, theksoi z.Basha sepse një drejtësi nuk mund të jetë e pakapur nëse kryeministri  vendos se kush është i pastër dhe kush jo nga gjyqtarët dhe prokurorët. Kjo është refuzuar deri tani nga Edi Rama .

Kryetari i Partisë Demokratike i bëri të ditur ministrit të jashtëm gjerman tentativën e Edi Ramës për të shantazhuar dhe blerë vota nga deputetët e opozitës për miratimin në mënyrë të njëanshem të reformës në drejtësi. Kjo, theksoi kreu i PD do të jetë fundi i këtij parlamenti. Zoti Basha rikonfirmoi para ministrit të Jashëm gjerman qëndrimin e bërë publik se, nëse trafikohet qoftë edhe një mandat i opozitës atëherë opozita do të  djegë mandatet dhe do t’i drejtohet qytetarëve.

Kryetari i PD theksoi se opozita ka demostruar të gjithë vullnetin për të gjetur zgjidhje siç rekomandon Komisioni i Venecias në rekomandimin 88 dhe se zbatimi i tij i plotë për të katër institucionet e reja është rruga e miratimit të menjëhershëm të draftit kushtetues.

Në takimin me ministrin e Jashtëm gjerman zoti Basha u ndal edhe tek çështja e reformës zgjedhore. Kreu i demokratëve solli në vëmendje raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e vitit 2015-ës ku theksohet se zgjedhjet nuk ishin as të lira- as të ndershme, pati shitblerje kartash identiteti, blerje vote, intimidim të votuesve dhe presion në qendrat e votimit nga persona me precedentë kriminalë, çka u faktua edhe nga përfasqësues të trupit diplomatik në Shqipëri. Në këto kushte, theksoi z.Basha votimi dhe numërimi elektronik janë zgjidhja e vetme për ti dhënë mundësi qytetarëve të shprehin të lirë vullnetin e tyre.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 14 qershor 2016

 

Read More
14 Qer
0

Basha: Opozita e gatshme të votojë reformën në drejtësi nëse zbatohet i plotë, rekomandimi 88 i Opinionit Final të Komisionit të Venecias

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka dalë me vendimin unanim të mbështetjes së miratimit në parim të draftit të ndryshimeve kushtetuese në funksion të reformës në drejtësi, me një dhe vetëm një kusht: Adoptimin dhe zbatimin e plotë, jo të pjesshëm të rekomandimit 88 të Opinionit Final të Komisionit të Venecias. Kjo ka të bëjë me moskapjen politike të drejtësisë. Moszbatimi i plotë i rekomandimit 88 e në veçanti sa i përket procesit të skanimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve do të thotë të dorëzosh drejtësinë, jo të një kryeministër dosido, por tek Edi Rama që i quan “killer” gjyqtarët që hetojnë skenarët e përgjimit. Që ka frenuar deri më sot zbardhjen e falsifikimit të firmës nga Erion Veliaj. Që dekoron prokuroren që ndërpreu çështjen penale në ngarkim të Saimir Tahirit për narkotaksinë e lidhur me Habilajt dhe që u bën fresk atyre që në vend që ta ndiqnin penalisht dhe ta çonin para drejtësisë Shullazin, Habilajt, “Hakmarrjen” e dhjetëra banda të tjera që bëjnë ligjin nga mëngjesi deri në darkë, ju bën fresk gjithë ditën duke i siguruar akses në një drejtësi të shantazhuar politikisht.

Pra Partia Demokratike ka një dhe vetëm një kërkesë, që në fakt është zotimi im dhe zotimi i Edi Ramës në Bruksel dhe Uashington. Zbatimin e plotë të rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias. Zbatimin e plotë të Opinionit Final të Komisionit të Venecias. Nuk kemi asnjë kërkesë tonën, asnjë kusht tonin, por zbatimin e plotë të rekomandimit final të Komisionit të Venecias. Nëse pala tjetër bie dakord, jemi gati ta miratojmë që sot draftin kushtetues. Nëse pala tjetër nuk bie dakord, “Tungjatjeta!”, “Mirupafshim kur të bini dakord”.


 

Njoftim për media i Partisë Demokratike, 14 qershor 2016

Read More
13 Qer
0

Asgjë më pak dhe asgjë më shumë se ç’rekomandon Venecia. Ky është standarti ynë për Drejtësinë

Përshëndetje të nderuar përfaqësues të medias

Dua të siguroj sot të gjithë shqiptarët se Partia Demokratike po bën dhe do të vazhdojë të bëjë deri në çastin e fundit, shpresoj në një konsensus mbarë kombëtar për Reformën në Drejtësi, atë që ka premtuar, gardiane kundër kapjes politike të sistemit të drejtësisë si forma më e lartë e korrupsionit, korrupsioni politik. Këtë kemi kërkuar që prej ditës së parë dhe në funksion të kësaj kemi insistuar për përfshirjen në këtë proces të Komisionit të Venecias. Përfshirja e Komisionit të Venecias me kërkesën e Partisë Demokratike, garantoi që në të dy draftet e dërguara nga qeveria në këtë komision, Venecia të thoshte fjalën e saj e të çmontonte jo njëherë, jo dy herë, por plot 38 herë projektin e kapjes politike të sistemit të drejtësisë nga qeveria aktuale.

Tash një javë palët ndahen në një pikë të vetme por të rëndësishme: mënyrën e përzgjedhjes së institucioneve të reja vendimarrëse dhe kontrolluese të sistemit të drejtësisë. Partia Demokratike nuk ka asnjë interes tjetër përveç asaj për të cilën jam zotuar para qytetarëve shqiptarë, demokratë dhe socialist, si kryetar i opozitës, si kryetar i Partisë Demokratike, si jurist me formim perëndimor që e ka parë se çbën drejtësia e pavarur dhe e pakapur, si qytetar, si familjar, si bir e prind në këtë vend: Moskapja politike nuk është thjesht kusht, është vetë reforma. Me kapje politike nuk ka reformë.

Sot, pas insistimit tonë parimor – përkundër presioneve të jashtëzakonshme e të paparimta  – për të qëndruar në modelet dhe parimet e ofruara nga Komisioni i Venecias kemi një lajm të mirë. Edi Rama pranoi sot parimin e konsakruar në opinionin final të Komisionit të Venecias, në rekomandimin 88, atë që njihet gjerësisht si modeli i vendeve të rezervuara. Pranoi parimin por nuk dëshiron ta aplikojë atë siç e kërkon Komisioni i Venecias në të katër institucionet e reja të sistemit të drejtësisë por në vetëm 2 prej tyre.

Dëshiron ta aplikojë në KLGJ-në dhe në KLP-në, për të cilën ne kemi rënë dakord që prej muajit Shkurt. Me 17 Shkurt, Partia Demokratike pas sugjerimeve të OPDAT dhe EURALIUS zgjodhi mes modeleve të ofruara, modelin e vendeve të rezervuara për këto dy organe vendimarrëse. Por po kaq të rëndësishëm e konsideron Komisioni i Venecias zbatimin e këtij parimi edhe për 2 institucione të tjera, Komisionin e Posaçëm të Verifikimit dhe Komisionin e Apelimit. Më lejoni ta lexoj përsëri:

Paragrafi 88. Opinioni Final i Komisionit të Venecias.

“Me qëllim përgatitjen e tekstit përfundimtar, Komisioni i Venecias i rekomandon autoriteteve shqiptare që t’i kushtojnë vëmendje çështjeve të mëposhtme:

– Nëse palët në procesin politik nuk pranojnë shumicën e cilësuar të kërkuar për anëtarët jo gjyqtarë të KLGJ, KLP, KPK dhe DHSK”, që janë dy dhomat e tjera, pra vetingu dhe apeli për vetingun “ata mund të zgjedhin një sistem proporcional që garanton përfaqësimin e opozitës mes organeve kolektive ose çdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në procesin e përzgjedhjes.”

Ky është Opinioni Final i Komisionit të Venecias. Z Rama pranoi parimin por ama vetëm për dy institucione. Për dy të tjerat jo. Përse?! Çfarë do të bëjnë këto dy organe?! Këto do të ndajnë shapin nga sheqeri. Do të largojnë gjyqtarët dhe prokurororët e korruptuar e do të lënë në sistem ata me dinjitet e integritet e që i shërbejnë ligjit, që janë ushtarë të ligjit dhe jo të Edi Ramës, e sigurisht as të Lulzim Bashës.

Por që kjo të ndodhë kështu siç është planifikuar të ndodhë, as Edi Rama, as Lulzim Basha nuk mund të kenë dorën vendimtare të përzgjedhjes të këto dy organe. Sepse përndryshe na dalin gjyqtarët që hetojnë skandalin e përgjimit të korruptuar e na del prokurorja që pushoi çështjen e narkotaksisë së Tahirit, e pastër. Shqiptarët e kuptojnë fare qartë, këtu fle lepuri.

Dhe këtu Partia Demokratike nuk kërkon asnjë vend të vetëm për militantët apo për anëtarët e saj. Ne nuk duam që në këtë sistem të vendoset Oerd Bylykbashi, Eduard Halimi, Enkelejd Alibeaj, Gazmend Bardhi apo Ivi Kaso por nuk pranojmë kurrsesi që pala tjetër të vendosë në këtë sistem Sokol Sadushin, Ardian Dvoranin, Sokol Berberin, Fatmir Xhafën apo Pandeli Majkon. Parimi i konsakruar nga Komisioni i Venecias është ai i përfaqësimit propocional, por jo i personave me kredenciale politike: i personave me integritet profesional e personal. Dhe për këtë ka dhe duhet të ketë një sistem të pastër vetingu për kandidatët që do të propozohen.

Ndaj sot duke iu dorëzuar parimit të Venecias, z Rama pranoi se ishte ai dhe vetëm ai pengesa deri më sot për një konsensus mbarëkombëtar për një reformë në drejtësi që nuk mbron por ndërshkon krimin dhe korrupsionin në nivele të larta. Por duke e pranuar vetëm për dy organe ekspozoi po kështu se nuk heq dorë nga kapja politike e atyre që do të bëjnë vetingun apo kontrollin e integritetit të figurës për gjyqtarët dhe prokurorët. Pra eskpozoi se kërkon të kapë politikisht këto dy organe të rëndësishme për këtë proces.

Në këtë moment dua të sqaroj para çdo shqiptari edhe njëherë se opozita kurrë nuk ka kërkuar 2/3 dhe e dini pse?!  Sepse 2/3 me mekanizmin zhbllokues do të thote kapje e plotë dhe totale e drejtësisë. Edi Rama kurrë nuk do të pranonte e nuk do të pranojë konsensusin me opozitën në parlament me 2/3 e votive por do të kapë mekanizmin zhbllokues dhe përmes tij do të kapë institucionet e drejtësisë. Kaq e thjeshtë është.

Prej Janarit ne përzgjodhëm një formulë tjetër. Pse?! Pse Venecia tha vende të rezervuara?! Se kërkon që ta kapë opozita?! Pse janë çmendur komisionerët, raporterët e Venecias?! Dhe Rama është më i mençur se gjithë ekspertët që këshillojnë Europën për reforma kushtetuese? Apo Rama e do drejtësinë e pavarur dhe Komisioni i Venecias do tia japë drejtësinë Partisë Demokratike?! Jo. Absolutisht jo. Venecia tha qartë se vendet e rezervuara janë formula që opozita të kryejë detyrën e saj për të mos e kapur qeveria drejtësinë. Armiku më i madh i drejtësisë është kapja politike. Kapja nga qeveria, kapja nga kryeministri, qoftë Rama sot ose Basha nesër.

Paragrafi 88 e ka përcaktuar qartë se modeli i vendeve të rezervuara është rruga e konsensusit politik mes palëve për dy institucionet që tashmë z Rama i ka pranuar sipas këtij parimi por edhe për dy të tjerat që reziston ti bindet të njëjtit parim, të njëjtit rekomandim të Komisionit të Venecias. Rruga është e hapur që z Rama sot apo nesër ti bindet plotësisht dhe jo pjesërisht rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias.

Përsa më përket mua dhe Partisë Demokratike, mbi këtë parim nuk ka e nuk mund të ketë çedim. Por jemi të hapur që sot që së bashku me palën tjetër të rakordojmë të gjitha detajet e një sistemi filtrimi të kandidaturave që do të shmangnin depërtimin në procesin e miratimit të kandidaturave me vendet e rezervuara në të gjitha organet, të sadushëve, të dvoranëve, të berberëve, të bardhëve, të kasove dhe të alibeajve. Dhe për këtë Partia Demokratike dhe unë personalisht jemi të gatshëm që sot.

Pyetje: Sot kryeministri duke iu referuar negociatave politike ose teknike për reformën në drejtësi, tha që PD nga mbërritur në një pikë ku është tërhequr nga të gjitha kërkesat e saj fillestare dhe ka mbetur tek vendet e rezervuara, si një mënyrë për të bllokuar reformën në drejtësi. Keni ju një koment për këtë? A jeni tërhequr ju në të vërtetë nga të gjitha kërkesat që ju keni patur në fillim për finalizimin e kësaj reforme?

Basha: Ky qëndrim i kryeministrit, në rradhë të parë është një qëndrim i papërgjegjshëm. Është një qëndrim fëminor për të thënë që “këta i braktisën, unë i fitova”. Këtu nuk bëhet fjalë as për fitoren e Partisë Socialiste, as për fitoren e Partisë Demokratike. Kjo tradhton mënyrën se si kryeministri e shikon procesin e reformës në drejtësi, si një lojë politike.

Unë nuk e shikoj kështu dhe kam dhënë prova rej fillimit. Duke angazhuar ekspertët më të mirë të opozitës, të Partisë Demokratike, me një proces që rezulton, jo braktisje, por me fitore. Sa fitore? 38 fitore. Kush i thotë? Komisioni i Venecias. Arbitri. Meqë jemi edhe në sezon futbolli. Pak rëndësi ka se ç’thotë njëra palë, apo tjetra. Rëndësi ka se çfarë thotë arbitri. Arbitri thotë: 38 herë e ka rrëzuar mazhorancën e  i ka dhënë të drejtë opozitës. Unë nuk i përkas atyre, apo kësaj gjenerate politikanësh që tund flamurin e fitores. Sigurisht nuk mund të pranoj broçkulla që paskemi braktisur çështjet, por duhet t’u them se këto 38 fitore nuk janë fitore të Partisë Demokratike dhe të Lulzim Bashës, ndonëse ne i nxitëm dhe ne ishim gardianët. Janë fitoret e shqiptarëve.

Imagjinoni ku do të ishte sot drejtësia, nëse opozita nuk do të kishte këmbëngulur, nëse opozita nuk do të ishte angazhuar, nëse opozita nuk do të ishte përfshirë dhe nëse opozita nuk do të kishte ruajtur standardin evropian dhe euroatlantik në çdo qëndrim të sajin. Sot Byroja Kombëtare e Hetimit do të ishte nën Sajmir Tahirin, njeriun e vënë në akuzë për përgjim, si krim kushtetues si krim i sigurisë kombëtare dhe i vënë përsëri nën akuzë për kërcënim të gjyqësorit sepse nuk pranon të hetohet për një krim, për të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka larguar një President. Imagjinoni ku do të ishte drejtësia sot, nëse do të kishim pranuar që trupat e rëndësishëm të kontrollit të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të ishin nën kontrollin e kryeministrit, këtij që i thotë gjyqtarëve që hetojnë aferat e tij, “jeni killera” dhe u rreh shpatullat gjyqtarëve të korruptuar që mbyllin dosjet e korrupsionit me anë të të cilave zhvatin miliona e miliona euro të shqiptarëve.

Pra Partia Demokratike nuk i ka braktisur, por i ka fituar betejat e hapura. Janë betejat tona dhe betejat e çdo shqiptari. Drafti ka ardhur këtu ku është, jo me dëshirën e Ramës, por me pahir nga ana e tij. Ka ardhur sepse ne dhe Komisioni i Venecias rezonuam në të gjitha çështjet kryesore të moskapjes politike. Drafti ka ardhur këtu duke përfshirë dhe thjeshtimin e arkitekturës siç e kërkuam ne. Këto janë të vërtetat. Por, në fund të fundit kjo nuk është një lojë futbolli Rama-Basha. Do të vijë edhe ajo. Një e bëmë para 5 vjetësh dhe tjetra  do të vijë së shpejti.

Kjo duhet të jetë një përpjekje serioze për ti dhënë shqiptarëve një drejtësi që nuk mbron, por ndëshkon krimin dhe korrupsionin. Garanci për këtë është vetëm moskapja politike. Venecia ka folur qartë. Parimi është vetëm ai i vendeve të rezervuara. Paragrafi 88 e thotë të zezë mbi të bardhë. Partia Demokratike e ka pranuar, Edi Rama  e kishte refuzuar deri dje. Sot e pranon parimin për 2 organe, nuk e pranon për 2 të tjera. Domosdo që nuk e pranon sepse do që të përjashtojë nga sistemi gjyqtarët që hetojnë skandalet e përgjimit, të CEZ-it, të koncesioneve në shëndetësi. Do që të përjashtojë nga sistemi prokurorët që vënë para përgjegjësisë zyrtarët e tij të korruptuar apo ndjekin lidhjet kriminale të kësaj qeverie nga Habilajt tek Xibraku, nga Shullazi tek “Hakmarrja për drejtësi”, e kudo tjetër. Ai dëshiron ta kapë sistemin. Ai e ka jetike kapjen e sistemit.

Unë jam këtu për ti garantuar shqiptarët për një sistem drejtësi të pakapur politikisht dhe për këtë arsye kërkoj nga Edi Rama reflektim të plotë sonte, që parimin e konsakruar në paragrafin 88 që e ka pranuar për 2 institucione, ta pranojë edhe për 2 institucione të tjera. Garantoj çdo shqiptar se PD do të qëndrojë fuqimisht që personat që do të përfaqësojnë interesat e Republikës së Shqipërisë në këto 2 organe të mos jenë ushtarë të politikës, të mos jenë ushtarë të Edi Ramës apo të Lulzim Bashës, por të jenë ushtarë të ligjit. Për këtë PD ka gati propozime konkrete dhe nëse ka vullnet ne jemi gati të avancojmë, por parimi i konsakruar në Komisionin e Venecias, paragrafi 88, mbetet parimi me të cilin PD do të ecë përpara për ti dhënë shqiptarëve që drejtësi të pakapur politikisht.

Pyetje: Z. Rama nuk foli për vende të rezervuara dhe nuk iu referua, madje kërkoi që mazhoranca të tërhiqej nga 2/3-at dhe opozita nga vendet e rezervuara për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. A jeni të gatshëm ju për një zgjidhje tjetër që tejkalon 2/3-at apo vendet e rezervuara?

Basha: Siç e kam bërë të qartë që prej fillimit, paragrafi 88 e Komisionit të Venecias është ai që garanton moskapjen politike. Ne kërkojmë zbatimin e opinionit final të Komisionit të Venecias. Unë kam dalë para jush, këtu në këtë sallë, në salla të tjera,në konferenca, në fshatra, në qytete, në Bruksel, në Ëashington dhe u kam thënë shqiptarëve: “ Unë pranoj gjithçka që rekomandon Komisioni i Venecias.” Dhe Komisioni i Venecias ka folur qartë.

Dikush tjetër ka zgjedhur ta bëjë fytyrën shollë. Ka thënë në Bruksel dhe në Ëashington, do të pranoj Venecian, dje thoshte nuk e pranoj 88-ën, sot siç e lexoi e pranoi 88-ën, por vetëm për 2 organe por nuk e pranon për 2 të tjerat. Edi Rama duhet të ndajë mendjen. Nëse është për një drejtësi të reformuar por të pakapur politikisht, jam gati të bashkoj votat me deputetët e tij dhe të mazhorancën për projektin që është gati. Nëse ka vendosur që më mirë një drejtësi nën hyqmin e tij politik, nën diktatin e tij, siç e ka sot e gjithë ditën se sa një drejtësi të pakapur politikisht, kjo është zgjedhja e tij. Do të përballet ai me pasojat. Sepse herët a vonë, ne do ti japim shqiptarëve një drejtësi që nuk mbron por ndëshkon krimin dhe korrupsionin. Jo sipas mendjes sonë, por sipas këtij projekti tashmë me vulën përfundimtare të Komisionit të Venecias.

Pyetje: A është e gatshme PD të lëvizë nga vendet e rezervuara ? Rama ka folur për përfshirje të opozitës në process duke iu referuar paragrafit 88 të Komisionit të Venecias . Rama tha që bëhet fjalë për përfshirjen e opozitës në proces dhe se mazhoranca nuk e ka parë asnjëherë opozitën të papërfshirë në këtë process. Por që të arrihet kjo,  duhet që mazhoranca të lëvizë nga 92 vota, ndërsa opozita të lëvizë nga vendet e rezervuara?

Basha: Janë 94 vota Everest. Nuk i ka 94 vota, nuk e ka legjitimitetin dhe cdo përpjekje për të nisur një proces pa dakortësim me opozitën, do të përkthehet nga PD si një përpjekje për pazar votash, për trafikim votash dhe do ti përgjigjemi me të gjitha mjetet dhe format demokratike. Më lejo të konfirmoj këtë së pari.

Së dyti nëse dëshiron ta përmbyllë me sukses këtë proces për cështjen e vetme të parakorduar, PD propozon as më pak dhe as më shumë se rekomandimin numër 88 të Komisionit të Venecias .  Zoti Rama e pranon këtë parim për dy organe dhe nuk e pranon për dy të tjera. I bëj thirrje të gjejë kurajon dhe përgjegjësinë që parimin ta zbatojë për të katër organet kolegjiale sic e parashikon Komisioni i Venecias. Ky është qëndrimi im, ky është qëndrimi i PD, ky është qëndrimi i opozitës. Venecia u pranua prej fillimit si arbitër, Venecia ka folur, PD e ka pranuar. U ekspozua sot përtej propagandës se ai që se kishte pranuar është Edi Rama , e pranoi gjysëm të pranojë dhe gjysmën tjetër dhe jemi gati ta votojmë.

Pyetje: Zoti Basha ndërkohë që ju po mbani këtë konferencë për mediat, kryeministri Rama ka postuar diçka në mediat sociale “dikush duhet ti thotë Lulzimit që s’kam thënë asgjë të re nga cfarë thashë pas takimit me të dhe nuk kam pranuar as sot vendet e rezervuara“. Keni ndonjë koment?

Basha: Pra tërhiqet nga parimi i  rekomandimit 88. Atëherë lajmi i mirë që njoftova në fillim të konferencës, nuk është lajmi i mirë që prisnim të gjithë. Ky është problemi pra, e ka pranuar ndërsa tani tërhiqet. Unë kam qenë i qartë prej fillimit, koherent dhe transparent. Komisioni i Venecias, rekomandimi 88 i jep zgjidhje çështjes së vetme, që ndan palët. PD e ka pranuar, unë e kam shpallur,në Tiranë, në Bruksel dhe në Ëashington , zoti Rama nuk e pranon. Në atë konferencë për shtyp që e ka pranuar për dy organe , tani nuk e pranon as për ato të dyja, ose kështu thoni ju, mbetet ta verifikojmë.

Pyetje: Në fakt zoti Rama shkruan se formulë zgjidhje me opozitën po, ndërsa kompromis partiak për skanim të prokurorëve, gjykatësve, kurrë.  Partitë larg duart nga skanimi thotë Rama…

Basha: Tani problemi këtu është që në këtë mënyrë ekspozon ndërgjegjen e tij. Në subkoshiencën e tij,  atij i duket se vendet e rezervuara është e drejta për të emëruar persona, ushtarë politikë. Edhe një herë po them, parimi i vendeve të rezervuara nuk është parim i Lulzim Bashës, është parimi i Venecias. Nëqoftëse ky qenka për drejtësi të pavarur dhe Venecia qenka për të kapur drejtësinë opozita, nëse ka njeri që e beson këtë, nëse ka shqiptar që e beson se Edi Rama e do drejtësinë të pavarur, ndërsa Komisioni i Venecias do tia japë drejtësinë Lulzim Bashës, atëherë unë jam gati kushdo qoftë,  ta sqaroj këtu, në zyrën time, kushdo qoftë ky, se nuk besoj se janë dy ose më shumë se tre vetë dhe me siguri të gjithë janë në kryeministri. Por e vërteta është ndryshe. Komisioni i Venecias shpall modelin e vendeve të rezervuara, pikërisht që ti pamundësojë qeverisë kapjen politike të organeve të reja të drejtësisë, sepse siç thotë Venecia, siç jam i bindur, besojnë dhe të gjithë shqiptarët, drejtësia e kapur politikisht nga qeveria, është një drejtësi e korruptuar, e cila nuk do të ndërshkojë, por do të mbrojë korrupsionin qeveritar dhe krimin e lidhur me qeverinë.

Pyetje: Për të qenë më të qartë se konferenca e kryeministrit , a e pranon PD që të tërhiqet nga vendet e rezervuara për të gjetur ndoshta një formulë tjetër që tejkalon edhe vendet e rezervuara që kërkon opozita , por dhe dy të tretat që në fakt mban dhe i kërkon mazhoranca . A jeni të gatshëm ju si opozitë,  të negocioni dhe të gjeni një formulë tjetër përtej këtyre dy formulave?

Basha: Komisioni  i Venecias në rekomandimin e bërë publik në opinionin final,  ka dhënë zgjidhje . Palët u angazhuan që zgjidhjet do ti kthenin në një draft. Cështja që ndan palët, është cështja e organeve të reja të institucioneve drejtuese të drejtësisë dhe për këtë,  opozita ka pranuar formulën e ofruar nga Komisioni  i Venecias. Ai që se ka pranuar është Edi Rama . Ne e kemi pranuar, sepse besojmë se kjo formulë përbën një garanci të madhe, ndonëse jo absolute, kundër kapjes politike. Edi Rama nuk e pranon ,në pikëpamjen time pikërisht për këtë gjë , sepse dëshiron ose një drejtësi të kapur politikisht ose kështu sic është.

Ndaj i takon Edi Ramës ti thotë shqiptarëve “pse nuk e pranon rekomandimin  88 të Komisioni t të Venecias”?  Kjo është pyetja një milion euro , pse nuk e pranon Rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias në tërësi.” Këtu është shumë e qartë: “Nëse palët në procesin politik, nuk pranojnë shumicën e cilësuar,  të kërkuar për anëtarët gjyqtarë të KLGJ , KLP , KPK , DHSK , ata mund të zgjedhin një sistem propocional që garanton përfaqësimin e opozitës në organet kolektive, ose cdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në procesin e zgjedhjes.” Më pak se ky rekomandim, nuk mund të pranojmë. Nuk kërkojmë më shumë se ky rekomandim. Ky është qëndrimi im, dje, muajin e kaluar dhe vitin e kaluar.


Konference per shtyp e kryetarit te Partise Demokratike, Lulzim Basha, 13 Qershor 2016

 

Read More
13 Qer
0

Reagim i Partisë Demokratike

I diskredituari Elvis Rroshi, modeli i Edi Ramës për pushtetin lokal, edhe pse pati dhe e ka edhe sot mbrojtjen e pakursyer të shefit të rilindjes, ra në më në fund, sepse dekriminalizimi po funksionon.

E megjithatë, ai gjen sërish kurajon të kërcënojë, dhe thotë se nuk e lëshon Bashkinë e Kavajës, sikur ta ketë pronën e tij, sikur ta ketë hambarin personal.

Sigurisht, çdokush e di se ato janë fjalët, janë qëndrimet, janë kërcënimet e Edi Ramës, që shprehen përmes zëdhënësit të tij për dekriminalizimin, Elvis Rroshi.

Por i dënuari në disa vende të Europës, për drogë e përdhunim, përdoruesi i 5 emrave, falsifikuesi i formularit të dekriminalizmit, dhe shefi i tij Edi Rama, shpejt do ta kuptojnë se po vjen fundi i krimit në politikë. Dhe do të përballen me ligjin deri në fund.

Rroshi është turpi i Edi Ramës, i Kavajës, i Shqipërisë. Me kandidimin dhe rikandidimin e tij, Rama poshtëroi qytetarët e vendit. Por më në fund, e drejta triumfoi. Dekriminalizimi u vu në jetë, dhe dekriminalizimi është në shërbim të vendit, të çdokujt, të majtë e të djahtë e të paparti, që kërkon të ketë në bashki, në zyrat publike, në krye të vendit, përfaqësues me dinjitet e integritet, dhe jo trafikantë, vrasës, tutorë, përdhunues, të cilët populli nuk i do dhe nuk i deshi për asnjë moment, por që Edi Rama ua imponoi me forcë.


Reagim i Partisë Demokratike, 13 Qershor 2016

Read More
13 Qer
0

Skafisti i tragjedisë së 9 janarit, me Edi Ramën bëhet shef në kapitenerinë e Durrësit

Inkriminimi që Edi Rama i ka bërë zyrave publike duke emëruar persona me të shkuar kriminale në poste kyçe të administratës, është tronditës.

Partia Demokratike ka denoncuar qindra raste nga më të të pabesueshmet. Si përshembull të bësh drejtor të transportit për gjithë Sarandën, Balilin trafikantin më të madh të drogës, apo kur vendosi në krye të autoritetit ushqimor, një të dënuar për prodhime pirate në bodrume.

Por më e rënda në galerinë e madhe të inkriminimit të Ramës është një rast që kemi mësuar së fundmi.

Artur Rrokaj njëri nga skafistët e 9 janarit 2004, përgjegjës për humbjen e 28 jetëve, i dënuar nga drejtësia për këtë krim, me rilindjen është bërë shef në kapitenerinë e Portit të Durrësit.

A mund ta besoni se skafisti i 9 janarit, i një prej dramave më të mëdha të shqiptarëve në përpjekjen për të gjetur Europën, me Edi Ramën ruan portin e Durrësit, jep urdhra, largon anije, afron ngarkesa, komandon në kapitenerinë më të madhe në vend.

Kjo ka ndodhur.

Mund ta gjeni edhe me emrin Arten, se e ka ndërruar.

Por është i njëjti. Është përgjegjësi për 28 të jetët e humbura në ujin e ftohtë të janarit, të cilit Edi Rama i ka besuar kapitenerinë e portit më të madh shqiptar.

Ky është pra shteti i Edi Ramës. Ky është pushteti që ai na instaluar në vend, me të inkriminuar, trafikantë, tutorë e vrasës.


Deklaratë e Sekretares së Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma, 13 qershor 2016

Read More
13 Qer
0

Qindra banorë të Krutjes në protestë, s’kanë rrugë, kanalizime, po falimentojnë

Partia Demokratike mbështet kërkesat e drejta të komunitetit 3500 banorësh

Qindra banorë të njësisë vendore Krutje në Bashkinë e Lushnjës kanë protestuar dje për mungesën e shërbimeve dhe rënien drastike të mirëqenies së tyre. Ky komunitet prej 3500 banorësh nuk kanë rrugë, kanalizime dhe grumbullim të rregullt të mbetjeve urbane. Sipas banorëve, ekonomia e tyre është ulur pasi krahas mungesës së infrastrukturës ata vuajnë edhe çmimin e ulët me të cilin shesin produktet bujqësore që prodhojnë.

“Kemi probleme të shumta. Plehrat nuk mblidhen. Nuk ka rrugë. Në 3 rrugët e fshatit janë të pashtruara dhe nuk ka asnjë ndriçim. Bashkia kërkon edhe taksë gjelbërimi kur nuk ka mbjellë asnjë pemë. Eshtë bërë për të ikur nga ky vend, sepse jemi pa rrugë, nafta e shtrenjtë dhe çmimi për prodhimet është i ulët”, shprehen banorët.

Kreu i Partisë Demokratike të Lushnjës,  Myslym Murrizi mbështeti protestën e banorëve të Krutjes duke i cilësuar kërkesat e tyre si legjitime.

“Jemi këtu në mbështetje të protestës së qytetarëve të Krutjes për problemin e parë emergjent të tyre për rrugën Krutje-Lifaj. Jetojnë 3500 banorë në këtë njësi dhe kjo rrugë është premtuar disa herë nga pushtetarët lokalë. Ky komunitet i mrekullueshëm kërkon shërbim për pagimin e taksave. Ata kanë edhe problem të tjera siç është edhe subvencionimi i bujqësisë. Sot në opozitë dhe nesër në pushtet do të jemi në të drejtën e qytetarëve për shërbimet e tyre. Është elementare në 2016 që një komunitet në zemër të Shqipërisë dhe Myzeqesë të ketë rrugën. Protesta e tyre është e dejtë dhe qytetarët duhet të reagojnë në këtë formë ndaj çdo qeverie që nuk mban premtime”, tha Murrizi.


 

Njoftim për media i Partisë Demokratike, 13 qershor 2016

Read More