Zgjedhjet në Shqipëri kanë qenë vazhdimisht një çështje problematike me rëndësi themelore politike për konsolidimin e demokracisë dhe janë element thelbësor i kriterit politik për antarësimin në BE.
Zhvillimi i zgjedhjeve me standarte të larta ishte pjesë kryesore e prioriteteve që duheshin përmbushur nga Shqipëria në kuadër të marrjes së statusit të Vendit Kandidat. Plotësimi i këtij kriteri në vitin 2013 hapi rrugën për propozimin e Komisionit Europian në tetor 2013 dhe marrjen e statusit në vitin 2014.
Përkeqësimi dramatik i standarteve në vitin 2015 e kthen çështjen e zgjedhjeve në prioritet politik themelor. Partia Demokratike e pozicionon këtë reformë në krye të reformave bashkarisht dhe në të njëjtin nivel me reformën në drejtësi. Faktori ndërkombëtar është i interesuar për monitorimin e procesit të reformës zgjedhore, zbatimin e ligjit nga autoritetet shtetërore dhe vëzhgimin e zgjedhjeve të viti 2017.
Gjendja e standarteve zgjedhore sipas OSBE/ODIHR
Ndërkohë që palët politike kanë kontestuar vazhdimisht rezultatin dhe legjitimitetin e zgjedhjeve, zhvillimet e 15 viteve të fundit kanë treguar një trend të dukshëm përmirësimi në standartet e zgjedhjeve, përmirësime këto të njohura edhe nga organizmat ndërkombëtarë, vëçanërisht nga OSBE/ODIHR.
- Raporti i vitit 2001: “Procesi zgjedhor ishte i tejzgjatur, konfliktual, i pasigurtë dhe i fragmentuar. … Megjithëse vlerësimi fillestar ishte më pozitiv pas raundit të parë të votimit, procesi zgjedhor I tejzgjatur, si edhe shkeljet e përsëritura dhe gjithnjë e më serioze në raundet e tjera të zgjedhjeve, veçanërisht në Zonën 60, bindën OSBE/ODIHR-in për nevojën e modifikimit të vlerësimit të saj për këto zgjedhje në tërësi. Menjëherë pas përfundimit të procesit, opozita i paraqiti prova të qënësishme rreth këtyre shkeljeve OSBE/ODIHR-it.”
- Raporti vitit 2003: Zgjedhjet për qeverisjen vendore ishin një mundësi e humbur për një përparim domethënës drejt përmbushjes së angazhimeve të OSBE-së dhe standardeve të tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.
- Raporti i vitit 2005: Zgjedhjet për Kuvendin të datës 3 korrik 2005 u përputhën, vetëm pjesërisht, me angazhimet e OSBE-së dhe standarde të tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike dhe shënuan disa përparime në zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri.
- Raporti I vitit 2007: Zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të vitit 2007 i përmbushën vetëm pjesërisht angazhimet e OSBE-së dhe standarde të tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.
- Raporti i vitit 2009: [Zgjedhjet] arriten shumicen e angazhimeve te OSBE-se […] Nuk pati asnje prove per numerim te parregullt apo manipulim te rezultateve, dhe asnje parregullsi madhore ne Vendet e Numerimit te Votave, me perjashtim te bllokimit te numerimit ne disa VNV.
- Deklarata e Misionit të SHBA në OSBE 2009: Shtetet e Bashkuara përshëndesin qytetarët dhe Qeverinë Shqiptare për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 qershor 2009. Qeveria e Shqipërisë ka meritë për progresin e mirëfilltë në shumë fronte në këto zgjedhje […] Rezultati i votës përfaqson qartë vullnetin e popullit shqiptar.
- Raporti I vitit 2011: Ndërkohë që zgjedhjet ishin konkurruese dhe transparente, ato ishin tejet të polarizuara, me mungesë besimi ndërmjet partive politike në qeveri dhe opozitës.
Zgjedhjet e vitit 2013 garantuan standarte të larta pavarësisht klimës së ngarkuar politike dhe bllokimeve të krijuara nga Partia Socialiste në opozitë, përfshirë bllokimin e KQZ nëpërmjet tërheqjes me urdhër politik të 3 antarëve të KQZ-së. Falë standartit të lartë të siguruar, u bë e mundur rotacioni politik paqësor i pushtetit dhe marrja e vendimit nga BE për dhënien e statusit të vendit kandidat në pranverën e 2014.
Zgjedhjet për pushtetin vendor të vitit 2015 shënuan një rënie dramatike të standarteve të zgjedhjeve. Nëse në vitin 2009 zgjedhjet “arriten shumicen e angazhimeve te OSBE-së” përfshirë angazhimet kyçe, zgjedhjet e vitit 2015, të parat zgjedhje të organizuara nga mazhoranca e majtë pas marrjes së pushtetit shënuan shkeljen e disa angazhimeve kyçe të OSBE përveç një numri të madh shkeljesh të tjera. Disa nga këto shkelje të standarteve bazë të konstatuara nga OSBE/ODIHR në Raportin Përfundimtar për zgjedhjet e vitit 2015 janë:
- Barazia e të drejtës për kandidim: “Interpretimi i kufizuar dhe zbatimi i paqëndrueshëm i rregullave mbi regjistrimin e kandidatëve pengoi të drejtën e kandidatëve për të garuar në kushte të barabarta, në kundërshtim me angazhimet e OSBE-së dhe standartet e tjera ndërkombëtare”
- Liria e votës: “MVZ-ja e OSBE/ODIHR-it morri akuza të shumta për presion të ushtruar ndaj nëpunësve të sektorit publik prej drejtuesve në detyrë nga koalicioni qeverisës, kryesisht ndaj mësuesve, punonjësve të shëndetësisë dhe punonjësve bashkiak, duke përfshirë kërkesa për të marrë pjesë në tubimet e fushatës së ASHE-së, për të siguruar vota, si edhe kërcënime për heqje nga puna, nëse nuk votonin për kandidatët e ASHE-së. Këto akuza së bashku me rastet e vërejtura ditën e zgjedhjeve rritën shqetësimin rreth mundësisë së zgjedhësve për të hedhur votën e tyre “pa frikën e ndëshkimit”, siç e parashikon paragrafi 7.7 i Dokumentit të Kopenhagenit të OSBE-së i vitit 1990”.
- Ndarja e partisë nga shteti: “Personalitetet kryesore të PS-së dhe LSI-së shpërndanë çertifikata për legalizimin e pasurive të paluajtshme në aktivitetet elektorale, dhe një numër kandidatësh të ASHE-së përdorën aktivitete dhe burime shtetërorë për qëllime fushate. Këto zbehën ndarjen midis shtetit dhe partisë dhe shkelën paragrafin 5.4 të Dokumentit të Kopenhagenit të OSBE-së të vitit 1990, i cili parashikon “një ndarje të qartë midis shtetit dhe partive politike””.
Në zgjedhjet e vitit 2015 gjithashtu u konstatuan:
- Blerja dhe manipulimi i votës. Kontrolli i votës dhe moslejimi për të votuar.
- Kriminalizimi i procesit zgjedhor nëpërmjet kandidatëve me të kaluar kriminale dhe përdorimit të bandave kriminale në fushatë dhe gjatë ditës së zgjedhjve.
- Manipulim me listat e zgjedhësve, e në veçanti në bashkitë Durrës, Kavajë etj, nëpërmjet zhvendosjes së paligjëshme të zgjedhësve nga një njësi vendore në një tjetër apo brenda përbrenda të njëjtës njësi vendore, në kundërshtim me ligjin që rregullon gjendjen civile dhe vendbanimin.
- Votim i shtetasve të caktuar në vend të shtetasve të tjerë, veçanërisht në emër të shtetasve emigrantë.
- Përdorimi i letërnjoftimeve të falsifikuara.
- Përdorimi i paligjshëm i burimeve të administratës publike dhe përdorimi dhe kontrolli i administratës në zgjedhje. Presioni mbi punonjës të administratës me largim nga puna, për të mos dalë në votim ose për votim në favor të partisë në pushtet. Ofrimi i vendeve të punës me administratë në këmbim të votës.
- Angazhimi aktiv i punonjësve të Policisë së Shtetit për të intimiduar dhe kërcënuar kandidatët, votuesit dhe simpatizantët e opozitës. Qëndrimi pasiv i Policisë së Shtetit në fushatë ndaj kriminelëve të angazhuar nga maxhoranca.
- Kufizime të lirisë së fjalës dhe censura e medias në përgjithësi.
- Financim jotransparent i fushatës zgjedhore, shpenzime të pajustifikuara me burimet e financimit, mungesa e nje kontrolli efikas mbi financat e partive politike, si dhe përdorimi i parave me burime të dyshimta ose kriminale.
- Lejimi për votim i të burgosurve në kundërshtim me ligjin. Ushtrim i ndikimit shtetëror mbi lirinë e votës së të burgosurve në favor të partisë që kontrollon drejtimin e sistemit penitenciar.
- Kapja nga qeveria e vendimarrjes së administratës zgjedhore, duke përfshirë KQZ. Standard i dyfishtë në vendimarrje në favor të partive në pushtet.
Zgjedhje me këto shkelje standartesh themelore, nuk përmbushin kushtet për një vend kandidat që aspiron për hapjen e negociatave për antarësim në BE. Shkeljet e konstatuara nga OSBE/ODIHR kanë cënuar standartet e procesit dhe duke qenë shkelje të një karakteri të përhapur dhe sistemik që tregojnë qasjen e mazhorancës për të fituar me çdo kusht, përbëjnë një kërcënim të madh për standartet dhe legjitimitetin e zgjedhjeve në vitin 2017.
Faktorët kryesorë të riskut për zgjedhje demokratike
Reforma territoriale – reforma territoriale ka deformuar raportet e përfaqësimit dhe barazinë e votës në zgjedhje lokale ku vota në njësitë me dominancë të partive të majta vlen më shumë se vota në njësitë me dominancë të djathtë, përcaktuar kjo nga raporti numër votash për zyrtar të zgjedhur. Në njësitë e djathta duhen më shumë vota për një mandate se në njësitë e majta. Po keshtu, është krijuar pabarazi e shpërndarjes së pushtetit nëpërmjet ndarjes së padrejtë të elektoratit apo gerrymander. Njësitë me dominancë të majtë janë përgjithësisht më të vogla duke garantuar kontroll mbi territorin, burimet njerëzore dhe administrative. Kjo ka një ndikim indirekt të fuqishëm në zgjedhjet e përgjithëshme, duke konsideruar përdorimin e burimeve njerëzore, institucionale dhe materiale të pushtetit vendor në favor të kanddatëve të partisë që kontrollon pushtetin vendor si dhe presioni mbi administratën për të votuar në favor të tyre.
Korrupsioni politik – Zgjedhjet e 2015 provuan që korrupsioni politik në zgjedhjet në Shqipëri ka marrë përmasë të madhe duke u reflektuar për herë të parë në nivel rekomandimesh në raportin e OSBE/ODIHR. Burimet e këtij korrupsioni janë tenderat korruptivë, të drejtpërdrejtë dhe koncensionet klienteliste qindramilionëshe si dhe paratë nga trafiqet, kryesisht ai i drogës. Sasia e madhe e parasë kriminale që vjen nga krimi I organizuar dhe korrupsioni I madh shtetëror minon stabilitetin e procesit zgjedhor dhe besushmërinë dhe legjitimitetin e tij. Për rrjedhojë, ky korrupsion që synon kapjen dhe mbajtjen e pushtetit, gërryen besushmërinë e pushtetit public dhe sjell destabilitet politik.
Kriminalizimi i procesit zgjedhor dhe kandidaturave – Zgjedhjet e 2013 dhe 2015 treguan vullnetin e hapur negativ politik për të fituar zgjedhjet me çdo kusht. Kriminalizimi u shfaq me konsolidimin e përdorimit të bandave dhe individëve kriminalë në aktivitete të fushatës ku këta individë mbështetën kandidatët e mazhorancës me prezencë publike dhe presion, intimidim dhe dhunë fizike mbi kandidatët e opozitës dhe votuesit. Po kështu, këto segmente kriminale u përfshinë në procesin e blerjes së votës dhe intimidimin e komisionerëve zgjedhorë.
Dështimi i sistemit të adresave – Në harkun kohor prej një viti e gjysëm (vjeshtë 2007 – pranverë 2009) qeveria realizoi plotësisht reformën e gjendjes civile dhe te dokumentave të identitetit. Deri para zgjedhjeve të vitit 2013, u krye pjesa dërrmuese e procesit të krijimit të adresave. Në tre vite 2013-2016, qeveria ka dështuar në realizimin e popullimit të regjistrit të adresave (caktimi I adresës ër çdo person) që është gur themeli për saktësinë e plotë të listave të zgjedhësve. Kjo kërkon regjistrimin në terren derë më derë të vendbanimit të çdo shtetasi në një fushatë regjistrimi në shkallë vendi dhe para zgjedhjeve të ardhëshme. Asnjë hap konkret dhe real nuk është ndërmarrë për këtë qëllim duke vënë në pikëpyetje besueshmërinë e listave të zgjedhësve.
Kapja e institucioneve të pavarura – Me ardhjen në pushtet, mazhoranca e majtë vuri nën kontroll institucionet e pavarura. Një rol kyç pati kapja e KQZ, që u vërtetua nga vendimmarrja e vazhdueshme dhe me standart të dyfishtë kundër ankesave të opozitës në vitin 2015, kjo me impakt negative në procesin e administrimit zgjedhor. Kapja e sistemit gjyqësor nëpërmjet presionit politik vë në pikëpyetje edhe instancat gjyqësore që garantojnë ligjshmërinë e procesit zgjedhor. Përdorimi me qëllim presionin mbi kandidatët apo funksionarët e zgjedhur të djathtë I institucioneve si ILDKP, përkrah presionit nga agjensitë qeveritare si AKU, administrate tatimore, OSHEE etj, cënon standartet e procesit duke zhdukur ndarjen midis shtetit dhe partisë.
Kapja e medias – dy vitet e fundit kanë shënuar një rritje drastike të kontrollit të medias nga qeveria. Ky kontroll ushtrohet nëpërmjet kontrollit të interesave në punët publike të biznesit të zotëron mediat, presionit mbi këto biznese nëpërmjet agjensive shtetërore si dhe shpërdarjes klienteliste të reklamave shtetërore dhe fondeve përkatëse. Si rezultat është krijuar një perde censure mbi aktivitetet e opozitës apo mbi zhvillimet në vend. Kjo rrezikon krijimin e ideve të lira nga zgjedhësit para dhe gjatë procesit zgjedhor si dhe zhvillimin e një fushatë të vërtetë e të lirë, duke deformuar vullnetin e votuesve.
Kontrolli mbi administratën – Rrëzimi i konsensusit të 30 maj 2013 për ligjin e Shërbimit Civil dhe largimet masive të mbi 8 mijë nëpunësve civilë dhe punonjësve të administratës solli si pasojë politizimin ekstrem të administratës, klientelizmin e saj dhe shpesh edhe kriminalizimin e pozicioneve drejtuese. Ofrimi I posteve në administratë si shpërblim politik për militantët, ofrimi I mbrojtjes nga largimi si mjet për blerjen e votës, etj, kanë bërë që administrata të jetë vulnerabël, dhe shpesh të jetë subjekt intimidimi për të votuar në favor të mazhorancës së majtë nën kërcënimin me vendin e punës. Kjo minon çdo hap drejt një administrate zgjedhore profesionale e të pavarur që do bazohej tek administrate publike.
Njëanshmëria ose mosveprimi i institucioneve – Policia e Shtetit ka mbajtur qëndrim krejt pasiv në goditjen e segmentëve kriminalë në procesin zgjedhor, përfshirë blerjen e votave, intimidimin e zgjedhësve dhe kandidatëve apo praninë në publik dhe pranë qendrave të votimit të kriminelëve edhe në kërkim. Denoncimet e dhunës ndaj kandidatëve nuk kanë marrë përgjigje të shpejtë dhe të vendosur. Kjo ka krijuar terren për rritje shqetësuese të kriminalizimit të procesit zgjedhor. Agjencitë shtetërore janë përdorur hapur në procesin zgjedhor për të mbështetur kandidatët e mazhorancës dhe për të bërë presion mbi kandidatët apo zgjedhësit, nëpërmjet gjobave tatimore mbi biznese që mbështesin opozitën, tolerime të shkeljeve nga biznese më lidhje politike me qeverinë, faturime repressive apo falje kamatash, shpërndarje çertifikatash pronësie nga zyrtarë publikë të lartë, përdorim masiv I burimeve materiale shetërore për fushatën e subjekteve të majta, etj duke shënuar një një përdorim abuziv të aseteve shtetërorë në favor të partive në pushtet. Prokuroria nuk ka zbatuar politikën penale në përputhje me përcaktimet ligjore duke krijuar mundësi për vendosjen e një percepsioni pandëshkueshmërie.
Sigurimi i kushteve për zgjedhje të vërteta dhe demokratike
Në këto kushte, garantimi I standarteve të procesit dhe garantimi I rregullave të drejta dhe fushës së barabartë të lojës, përbën qëllim madhor për opozitën. Në këtë kuadër, kryerja e një reforme të plotë zgjedhore që rikthen këto standarte të humbura apo dëmtuara si dhe zbatimi i ligjit në fuqi nga qeveria dhe institucionet e tjera në varësi të saj apo të pavarura, të përfshira në procesin zgjedhor, është kyç për zgjedhje me legjitimitet të pranuar gjerësisht.
Vetëm reforma zgjedhore nuk është e mjaftueshme për garantimin e zgjedhjeve të vërteta dhe demokratike. Nryshimet lgjore nuk përbëjnë recetë për të zëvendësuar mungesën e vullnetit politik nga mazhoranca në pushtet dhe as mund të ndalin plotësisht vullnetin e saj negative dhe në kundërshtim me ligjin për të fituar zgjedhjet me çdo kusht.
Një numër veprimesh konkrete duhen ndërmarrë nga qeveria, institucionet në varësi të saj, KQZ, Prokuroria, etj, për të garantuar kushtet e nevojshme për zgjedhje të vërteta dhe demokratike.
Reforma Zgjedhore
Reforma zgjedhore e sapo nisur duhet që të sigurojë një kornizë ligjore të plotë dhe të miratuar në kohë të mjaftueshme para zgjedhjeve.
Samiti i Stambollit I OSBE-së, I vitit 1999 vendos detyrim të padiskutueshëm mbi Shqipërinë si shtet anëtar që të ndjekë menjëherë rekomandimet e OSBE/ODIHR. Që pas vitit 2001, çdo raport përfundimtar I OSBE/ODIHR është pasuar nga një reform zgjedhore konsensuale. Këto reforma kanë çuar në vlerësimin se kuadri ligjor “përgjithësisht, kuadri ligjor ofron një bazë të shëndoshë për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike”.
Mazhoranca në pushtet e shkeli këtë detyrim ndërkombëtar duke mos trajtuar rekomandimet e vitit 2013. Qëllimi ishte lënia e hapsirave ligjore për të siguruar rezultat në favor të saj. Ky dështim i qëllimshëm krijon risk në kryerjen me sukses të reformës aktuale për shkak se Komisioni i reformës Zgjedhore duhet të trajtojë bashkërisht rekomandimet e 2013 dhe 2015 gjë që përbën një ngarkesë të konsiderueshme.
Reforma territoriale, e kryer në mënyrë totalisht të njëanshme përbën një faktor risku të lartë për legjitimitetin e zgjedhjeve. Reforma qëllimisht e njëanëshme ka krijuar pabarazi të rëndë të votës si dhe I ka dhënë mazhorancës në pushtet mundësi të ushtrojë ndikim administrative, financiar, dhe politik të madh në favor të mazhorancës socialiste mbi shumicën e popullsisë votuese. Kjo cënon barazinë e votës dhe të shanseve në procesin zgjedhor.
Raporti i vitit 2015 provon përdorimin e burimeve njerëzore, material e financiare të pushtetit vendor, presionin mbi administratën për të votuar në favor t mazhorancës qeverisëse. Kjo vërteton potencialin e lartë manipulues që I jep mazhorancës qeverisëse aktuale ndarja e re territorial. Pa ndryshimin e hartës territorial në fuqi, sa kohë që ajo ndikon si në rezultatin zgjedhor, ashtu edhe në organizimin administrativ zgjedhor, zgjedhjet do kenë legjitimitet të cënuar dhe do jenë të paparanueshme.
Ndryshimet e momentit të fundit para zgjedhjeve në Kodin Zgjedhor, për të përshtatur ndryshimet e hartës territorial, krijuan boshllëqe dhe paqartësi ligjore e për rrjedhojë çuan në konfuzion ligjor.
Reforma zgjedhore duhet të trajtojë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR të 2013 dhe 2015. Përveç këtyre rekomandimeve, në kuadër të domosdoshmërisë së garantimit të kushteve për zgjedhje të vërteta dhe demokratike, Partia Demokratike kërkon që të trajtohen edhe një sërë çështjesh me karakter themelor. Mostrajtimi I tyre do e bënte reformën të paplotë dhe të pamjaftueshme.
- Dekriminalizimi I procesit zgjedhor. Zbatimi I plotë I ligjit të dekriminalizimit, në germë dhe frymë është kyç për një process zgjedhor të besueshëm dhe të pranueshëm. Zbatimi i ligjit të dekriminalizimit duhet sigurojë që asnjë kandidat me rekorde kriminale të mund të marrë një post të zgjedhur. Po kështu, këta individë nuk duhet të jenë pjesë e procesit zgjedhor dhe fushatës së partive dhe kandidatëve. Kodi Zgjedhor duhet të ndalojë që këta individë të marrin pjesë në administratën zgjedhore të çdo niveli.
Kodi Zgjedhor, në sintoni me ligjin 138/2015 për dekriminalizimin e institucioneve publike, duhet të shtojë parashikimet për kriteret procedurat, afatet dhe dokumentacionin e nevojshëm në lidhje regjistrimin e kandidatëve për funksionet e zgjedhura me votim të drejtpërdrejtë.
Po kështu, Kodi Zgjedhor duhet të përfshijë parashikime të reja për të parandaluar penetrimin e individëve ne çdo nivel të administratës zgjedhore, deri tek niveli i numëruesit.
Duhet parashikuar mundësia që në kodin zgjedhor dhe në ligjin për partitë politike të vendosen ndalime ose pengesa që persona me rekorde kriminale të marrin pozicione drejtuese ose janë anëtarë të organeve kolegjiale drejtuese të partive që kanë përfaqësim parlamentar ose në organet e pushtetit vendor. Duhet të parashikohen procedura verifikimi në përputhje me ato të ligjit 138/2015. Ligji duhet të parashikojë sanksione të forta financiare përfshirë ndalime nga financimi vjetor apo zgjedhor për partitë që mbajnë në fuksionet e përcaktuara nga ligji persona me rekorde kriminale.
KQZ duhet të hartojë pa vonesë aktet e nevojshme nënligjore në përputhje me ligjin 138/2015 dhe ndryshime të tjera ligjore në lidhje me dekriminalizimin e procesit zgjedhor.
- Përdorimi i teknologjive në votim. Partia Demokratike kërkon futjen e teknologjive në votim në vitin 2017, me qëllim identifikimin e sigurtë të votuesve në qendrën e votimit, verifikimin dhe parandalimin e votimit të shumfishtë në të njëjtën qendër votimi ose në qendra të ndryshme, shmangien e kontrollit të votës (cënimin e lirisë së votës) në mënyrë politike, korruptive apo kriminale, modernizimin dhe përshpejtimin e procesit të votimit, numërimit dhe nxjerrjes së rezultatit, ndërkohë që sigurohet përdorimi i thjeshtë i teknologjive.
Duhet ngritur një sistem i cili identifikon zgjedhësin në qendrën e votimit nëpërmjet dokumentit të identitetit dhe të dhënave biometrike, përfshirë shenjën e gishtërinjve. Komunikimi duhet të garantojë në kohë reale të dhënat në bazat shtetërore të të dhënave të gjendjes civile, listës së zgjedhësve, te dokumentave të identitetit dhe shenjave të gishtave. Gjithashtu, sistemi duhet të parashikojë verifikimin nëse zgjedhësi për të cilin po kryhet verifikimi, ka votuar më parë gjatë ditës së votimit në ndonjë QV. Verifikimi i suksesshëm duhet t’i hapë rrugë autorizimit për të votuar.
Qendra e votimit duhet të jetë e pajisur me pajisje elektronike votimi ku zgjedhja e subjektit zgjedhor nga votuesi bëhet në ekranin e pajisjes kompiuterike. Shfaqja e subjekteve në ekran duhet të jetë e qartë dhe e thjeshë për t’u kuptuar dhe zgjedhur. Zgjedhja e kryer në ekran passjell printimin e një flete votimi me karakteristika dixhitale sigurie që garantojnë unicitettin e fletës, votën e shprehur nga votuesi dhe fshehtësinë e saj. Fleta e votimit, përveç barcode apo një kodi të ngjashë të lexueshëm në mënyrë optike, duhet të përmbajë të shtypur me gërma vetëm emrin e subjektit zgjedhor për të cilin ka votuar zgjedhësi, me qëllim që ky i fundit të ketë mundësi të verifikojë zgjedhjen e bërë.
Fleta e votimit është e lexueshme nga zgjedhësi para se të hidhet në kuti por nuk mund të merret prej tij. Pajisja mundëson leximin viziv pa pengesë. Konfirmimi i zgjedhësit sjell hedhjen e fletës së votimit në kutinë e votimit ndërsa vota regjistrohet elektronikisht në memorien e pajisjes së votimit në mënyrë që siguron fshehtësinë e votës. Me qëllim shmangien e shit-blerjes së votës, intimidimin e zgjedhësit dhe ruajtjen e konceptit bazë të votimit, vota e printuar nuk mund të merret fizikisht nga zgjedhësi. Vota e ruajtur në memorien elektronike të pajisjes është e dhëna parësore për hartimin e rezultatit zgjedhor ndërsa vota e printuar e depozituar në kuti shërben vetëm për qëllime verifikimi dhe auditimi të rezultatit në procesin ankimor. Shkëputja e dy të dhënave me elelentë të njëjtë dhixhitalë përbën garanci për bllokimin e çdo tentative për manipulim, transparencë dhe besushmëri nga zgjedhësi dhe subjektet.
Ky sistem mundëson identifikimin e sigurtë të zgjedhësve, parandalimin e votimit të shumfishtë apo në emër të zgjedhësve të tjerë, eleminon fenomenin e bllokimit të zgjedhësve nëpërmjet marrjes së dokumentit të identitetit, votimin e sigurtë që ul numrin e fletëve të pavlefshme, eleminim të fenomenit të votimit “karuzel” nëpërmjet nxjerrjes së votës jashtë QV, nxjerrjen e menjëhershme dhe të sigurtë të rezultatit zgjedhor, garantimin e shmangies së ndërhyrjeve nga jashtë në sistem dhe transparencë dhe auditim të plotë e të sigurtë të rezultatit.
Përzgjedhja e teknologjisë duhet bërë në mënyrë që siguron besim tek palët. Teknologjia duhet të garantoje akses të plotë e të papenguar për opozitën tek software dhe hardware i përdorur, procesi të jetë plotësisht i auditueshëm dhe objekt ankimi sipas rastit.
Një element thelbësor është ngritja e një grupi ekspertësh auditimi IT që përfshin detyrimisht ekspertë të partive politike si dhe hartimi dhe miratimi i procedurave transparente, profesionale, efikase të auditimit të software-it dhe hardware-it të sistemit. Këto objektiva duhet të garantojnë akses dhe besim të subjekteve zgjedhore dhe të publikut.
Ligji duhet të jetë i plotë në lidhje me përdorimin e teknologjive në votim. Teknologjia duhet të garantojë identifikim të saktë të zgjedhësve.
Një sistem i tillë gjithashtu, mund t’i hapë rrugë zvogëlimit të administratës zgjedhore duke reduktuar numrin e komisionerëve, uljen e kostove me rreth 1,6 milionë Euro në çdo zgjedhje, thjeshton procesin, rrit besimin në procesin e votimit dhe numërimit e për pasojë mundëson profesionalizimin e komisionerëve nëpërmjet trajnimit në kohë të tyre, edhe kur janë të emëruar politikisht. Një zvogëlim i administratës passjell ulje të kostos së procesit. Ulje të kostos passjell edhe reduktimi I kostove për printimin dhe logjistikën e fletëve të votimit me shumë subjekte. Gjithashtu, ky system, për shkak të saktësisë së identifikimit, votimit dhe numërimit, ul numrin e ankimeve zgjedhore duke shkurtuar fazën paszgjedhore.
- Financimi I partive dhe fushatës dhe ulja e kostove të politikëbërjes. Pavarësisht përputhjes me standartet e Këshillit të Evropës, korniza ligjore për financimin e partive dhe fushatës zgjedhore duhet rishikuar për të siguruar barazi sipas standarteve ndërkombëtare, mekanizma rigoroz dhe efikasë kontrolli të burimeve të financimit dhe shpenzimeve, me qëllim garantimin e financimit të ligjshëm, të mjaftueshëm dhe transparent. Afatet dhe procedurat e deklarimit dhe verifikimit duhen rishikuar dhe shtrënguar. Përzgjedhja e ekspertëve kontabël duhet të jetë e detyrueshme për ekspertët që përcaktohen për të kryer ekspertimin. Refuzimi për të kryer ekspertimin duhet të përfshijë penalitete të forta.
Partia Demokratike propozon që financimi i partive politike dhe ai për zgjedhjet të jetë 100% nga buxheti i shtetit me qëllim shmangien e financimeve private nga burime të dyshimta. Paralelisht me këtë, propozohet kriminalizimi i financimeve private. Kodi Zgjedhor dhe ligji për partitë politike duhet të përcaktojnë rregulla dhe kritere detyruese për përllogaritjen e vlerës së financimit për njësi (vlerë për një zgjedhës dhe/ose vlerë për mandat përfaqësimi parlamentar) i cili të bëjë të mundur përllogaritjen e shumës që duhet të vejë në dispozicion buxheti i shtetit. Shuma e përllogaritur sipas kritereve duhet të jetë detyruese për tu vënë në dispozicion sipas ligjit për buxhetin e vitit përkatës.
Kostot indirekte të politikës, përveç kostos së financimit publik, rriten nga pasojat që krijon konflikti i interesit që passjell financimi privat. Për këtë, duhet ashpërsuar korniza ligjore që pengon financimin nga subjekte që kanë përfituar nga fonde publike nëpërmjet tenderash dhe koncensionesh si dhe duhet të ndalohet përfitimi i tenderave apo koncensioneve për një kohë të përcaktuar, nga kompani që kanë financuar partitë politike dhe kandidatët.
Duhet rregulluar në mënyrë strikte përfitimi i donacioneve në natyrë dhe shërbime apo favore nga partitë politike, kandidatët apo edhe institucionet shtetërore. Lista e donatorëve, shifra e donacionit ose shifra e përllogaritur e një donacioni në natyrë ose shërbime, për institucionet shtetërore duhet bërë publike.
KQZ duhet të krijojë një listë kostosh reference të detyrueshme, për materiale, infrastrukturë apo aktivitete zgjedhore me qëllim matjen e shpenzimeve. KQZ duhet të jetë e autorizuar me ligj që të përllogarisë koston e aktiviteteve zgjedhore si në ambiente të hapura, edhe në ambiente të mbyllura bazuar mbi një listë shpenzimesh tip. Duhet përcaktuar kostoja për tipologji të ndryshme të zyrave elektorale, materialeve të propagandës (postera, billborde, flamuj, banera, etj). Lista e kostove-tip duhet bërë publike nga KQZ. KQZ duhet të përllogarisë shpenzimet e deklaruara sipas kostove të miratuara në rastet kur subjekti politik deklaron shifra më të ulta se kostot referencë.
Me qëllim uljen e kostove të fushatave dhe të politikëbërjes e për rrjedhojë, të ulë sasin e nevojshme për financim dhe bërjen e këtij financimi të përballueshëm, Kodi Zgjedhor duhet të vendosë kufizime të detajuara për tipologjitë e caktuara të aktiviteteve dhe infrastrukturës së përdorur apo mjeteve të propagandës. Kështu, duhet kufizuar numri i zyrave elektorale në raport me popullsinë apo numrin e qendrave të votimit. Duhet kufizuar numri i billbordeve posterave, banerave apo flamujve të përdorur nga një subjekt. Duhen vendosur kufizime strikte për kohën totale dhe numrin e reklamave zgjedhore për çdo subjekt dhe kostoja e nje reklame duhet të përcaktohet ligjërisht dhe të jetë e unifikuar. Në të njëjtën kohë duhen vendosur mekanizma që kostoja e reklamave të mos jetë e pagueshme drejtpërdrejtë por të jetë e zbritëshme nga transmetuesit televizivë dhe radiofonikë nga detyrimet që i kanë shtetit. Duhet të kufizohet numri i aktiviteteve që transmetohen live apo në çdo formë tjetër dhe që përfshin kosto për transmetim mediatik. Në çdo rast, kufizimet duhet të jenë proporcinale dhe nuk duhet të pengojnë zhvillimin dhe mediatizimin efikas të fushatës së një subjekti.
Shpenzimet zgjedhore (jo financimet) duhet të deklarohen periodikisht përpara zgjedhjeve. KQZ duhet të krijojë instrumentat për denoncimin e të dhënave në lidhje me shoenzimet e bëra nga subjektet politike sipas kostove të deklaruara prej tyre apo kostove referencë. Subjektet duhet të kenë detyrimin për të deklaruar periodikisht gjatë fushatës numrin e zyrave zgjedhore, tipologjinë e tyre dhe vendndodhjen përkatëse, numrin e aktiviteteve të kryera, sasinë e materialeve kryesore propagandistike (billborde etj), numrin e reklamave televizive dhe shpenzimet e tjera mediatike për pasqyrimin e fushatës, sondazhert e kryera dhe koston përkatëse. Subjektet duhet të regjistrojnë në KQZ kontratat për konsulencë zgjedhore apo për mardhëniet me publikun dhe të deklarojnë kostot përkatëse.
Përveç instrumentave zyrtarë të verifikimit në kohë dhe në vend gjatë fushatës, KQZ duhet të trajtojë me seriozitet denoncimet e bëra nga subjektet politike apo OJF edhe kur ato nuk janë të akredituara si vëshguese apo denoncimet në media.
Duhet ngritur një sistem i pavarur verifikimi i levizjeve financiare të korporatave për një periudhë përpara dhe pas procesit zgjedhor. Subjektet e përfaqësuara në KQZ duhet të kenë mundësi që nëpërmjet audituesve zyrtarë të akredituar nga KQZ, të mbikqyrin levizjet financiare dhe bankare që raportohen në Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave.
Partitë politike duhet të paraqesin raportet e detajuara financiare të financimit dhe shpenzimeve pas procesit zgjedhor në afate të shkurtuara. Subjektet politike duhet të justifikojnë paratë e shpenzuara. Shumat e pashpenzuara nga financimi i marrë, duhet të verifikohen si gjendje në llogaritë bankare të subjekteve. Kontrolli duhet të kryhet i njëjtë për të gjithë subjektet duke shmangur selektivitetin dhe abuzimin me qëllim ushtrimin e presionit mbi subjekte të caktuara politike.
Ligji duhet të parashikojë sanksione të ashpra, përfshirë sanksione penale për deklarime të pasakta apo të rreme në lidhje financimin dhe shpenzimet politike. Duhet të sigurohet aplikimi pa ekuivok dhe konsistent i sanksioneve ligjore të përcaktuara. Duhet përcaktuar qartë përgjegjësia individuale edhe penale e funksionarëve partiakë dhe kandidatëve në kuadër të financimit politik dhe deklarimit të burimeve të financimit dhe shpenzimeve. Deklarimi i rremë i shpenzimeve duhet të passjellë humbjen e mandatit të zgjedhur dhe ndjekjen penale.
Duhet parë mundësia e krijimi të një komisioni të përhershëm parlamentar për monitorimin e financimit të partive politike në periudhë zgjedhore dhe jozgjedhore. Ky komision duhet të ngrihet mbi baza paritare dhe duhet të drejtohet nga opozita parlamentare. Komisioni duhet të ketë kapacitete të plota ligjore për të thirrur çdo institucion kompetent, përfaqsues të subjekteve deklaruese dhe çdo individ për të raportuar para tij.
- Përdorimi i burimeve shtetërore dhe presioni mbi administratën. Duhen forcuar në kodin zgjedhor kriteret ndaluese për përdorimin e burimeve njerëzore dhe aseteve shtetërore në fushatën zgjedhore në favor të subjekteve zgjedhore apo kandidatëve. Për këtë qëllim duhet rishikuar edhe kuadri ligjor penal.
Duhet forcuar kuadri ligjor zgjedhor por edhe ai që rregullon shërbimin civil dhe administratën publike në tërësi me qëllim mbrojtjen e nëpunësve nga presionet politike nëpërmjet masave disiplinore dhe largimeve nga puna. Duhet forcuar legjislacioni që pengon marrjen në punë me qëllime elektorale. Duhet forcuar kuadri ligjor penal për presionin e ushtruar ndaj punonjësve të administratës me qëllim pjesmarrjen në aktivitetete zgjedhore, strukturat zgjedhore të subjekteve garuese dhe veçanërisht presionet për të votuar në favor të kandidatëve të caktuar.
Duhen ngritur instrumenta ligjorë efikas për denoncimin dhe hetimin e rasteve të presionit mbi punonjësit e adminsitratës. Prokuroria duhet të hetojë rastet e denincuar si akte që cënojnë lirinë e votës.
- Media dhe fushata. Korniza ligjore duhet rishikuar me qëllim garantimin e parimit “par condicio” ose kushteve të barabarta si dhe të shmanget çdo formë censure të drejtpërdrejtë apo të tërthortë nga shteti apo media te veçanta. Korniza ligjore duhet të sigurojë mbulim të plotë të nivelit të zhvillimit të medias se shkruar, elektronike dhe në internet.
Në periudhën e fushatës zgjedhore liria e shprehjes e kandidatëve dhe liria e zgjedhësve për të përzgjedhur midis platformave konkuruese duhet të prevalojë mbi çdo aspekt tjetër, përfshirë lirinë e medias. Liria e medias nuk duhet të përthyejë apo deformojë mesazhin që japin kandidatët, i cili duhet të transmetohet tek zgjedhësi në mënyrën më të drejtprdrejtë të mundëshme. Zgjedhësi duhet të bëjë zgjedhje të informuar dhe të lirë nga çdo ndikim.
Kostot e mbulimit mediatik duhet të ulen dhe kontrollohen në përputhje me standartet dhe praktikat e mira ndërkombëtare. Mekanizmat e monitorimit duhet të forcohen në aspektin e kompetencave, kapaciteteve dhe profesionalizmit apo pavarësisë nga shteti. Duhet të zhvillohen dhe miratohen dokumenta që përcaktojnë standarte sasiore dhe etike sipas fushave të mbulimit mediatik, me qëllim garntimin e njëtrajtshmërisë dhe efikasitetit të mbulimit dhe të monitorimit. KQZ duhet të aplikojë pa mëdyshje sanksionet ligjore
- Listat e zgjedhësve dhe sistemi i adresave. Duhet rishikuar kuadri ligjor dhe administrative për hartimin e listave të zgjedhësve si dhe të garantohet integriteti i dokumentave të identitetit. Kuadri ligjor duhet të garantojë që zgjedhësit të votojnë sipas vendbanimit faktitk të regjistruar.
Për këtë qëllim, duhen forcuar kriteret dhe procedurat ligjore dhe nënligjore të regjistrimit dhe verifikimit të vendbanimit faktik nga zyrat e gjendjes Civile (ZGJC) dhe pushtetit vendor. Procedura e verifikimit duhet të kryhet nga zyrtarë të përcaktuar të bashkisë (policia bashkiake) brenda një afati të shkurtër dhe duhet të garantojë që vendbanimi i deklaruar i shtetasit është faktik. Ligji duhet të lidhë shërbime të ofruara nga shteti me regjistrimin e vendbanimit faktik të saktë. Saktësia e vendbanimit lidhet me saktësinë e të dhënave për dokumenta identifikimi si letërnjoftim, pasaportë apo patentë dhe të dhëna të rreme mund të ndikojnë organet ligjzbatuese apo gjykatat në përmbushjen e funksioneve.
Duhet të parashikohen rregulla të qarta e strikte për deklarimin dhe/ose ndryshimin e vendbanimit nga një njësi në një tjetër dhe brenda të njëjtës njësi si dhe mekanizma ligjorë kontrolli e verifikimi që janë të thjeshtë e të besueshëm.
Deklarimi I rremë e vendbanimit duhet të jetë I dënueshëm. Deklarimi i tëdhënave të rreme passjell falsifikim të të dhënave të regjistrit te gjendjes civile dhe ligji duhet të penalizojë deri edhe penalisht deklaruesit e të dhënave të rreme dhe zyrtarët që nuk kryejnë verifikimin sipas ligjit. Ligji duhet të lejojë çregjistrimin kryesisht të vendbanimeve fiktive.
Qeveria duhet të plotësojë regjistrin e adresave me urgjencë dhe saktësi e transparencë për publikun dhe opozitën. Regjistri i adresave të shtetasve dhe saktësia e tij është themelore për saktësinë e listave të zgjedhësve dhe parandalimin e manipulimit të tyre. Nëpërmjet popullimit të sistemit të adresave duhet të hiqen rekordet “999” dhe listat duhet të pastrohen nga dublimet. Popullimi I regjistrit të adresave duhet të përfundojë para fillimit të procesit të listave të zgjedhësve për vitin 2017. Opozitës duhet t’i krijohen mekanizma aksesi dhe monitorimi të plotë në këtë proces.
- Votimi I emigrantëve. Ndryshimet ligjore për regjistrimin e emigrantëve përbëjnë rrezik për të drejtën e votës së emigrantëve, pasi regjistrimi në regjistrin e emigrantëve passjell heqjen automatike të tyre nga QV në territorin e Republikës së Shqipërisë. Legjislacioni zgjedhor dhe I gjendjes civile duhet të mbrojnë këtë të drejtë duke harmonizuar dispozitat e ligjit të gjendjes civile me Kodin Zgjedhor.
Duhet të krijohen mekanizma ligjorë auditimi nëpërmjet auditësh zyrtarë si në rastin e listave të zgjedhësve, për të dhënat e sistemit TIMS në lidhje me hyrje-daljet e emigrantëve në periudhë zgjedhore dhe ditën e votimit, me qëllim verifikimin e mashtrimeve zgjedhore nëpërmjet votimit të paligjshëm në emër të emigrantëve.
Prokuroria duhet të ndjekë me rreptësi pretendimet për shkelje të kësaj natyre që mund të përfshijnë jo vetëm votimin fiktiv, por edhe falsifikimin nga zyrtarë të të dhënave të TIMS. Verifikimi duhet të përfshijë verifikimin dhe ballafaqimin e hyrje-daljeve të kufi me të dhënat e votuesve në ditën e zgjedhjeve.
- Rishpërndarja e mandateve. Duhet siguruar informacion periodik mujor për ndryshimet e popullsisë në gjendjen civile me qëllim sigurimin e shpërndarjes së drejtë të mandateve sipas qarqeve. Auditët e KQZ të përcaktuar me ligj duhet të kenë të drejtë të verifikojnë ndryshimet e kryera në regjistrin kombëtar të gjendjes civile dhe t’ia raportojnë zyrtarisht KQZ-së.
- Roli i policisë në zgjedhje. Duhet rishikuar korniza ligjore që rregullon policinë e shtetit dhe rolin e saj në procesin zgjedhor. Policia e shtetit duhet të garantojë që persona me rekorde kriminale apo të lidhur me struktura kriminale të mos jenë të pranishëm pranë qendrave të votimit apo të dëmtojnë fushatën e subjekteve zgjedhore.
Policia e shtetit duhet të hetojë menjëherë dhe në mënyrë të besueshme dhe transparente çdo rast dhune të denoincuar nga subjektet zgjedhore. Ratet e hetuara duhet të referohen në prokurori.
Ligji duhet të rregullojë qartë identifikimin e efektivave të përfshirë me detyra në procesin zgjedhor, rolin dhe detyrat e ngarkuara dhe regullat për veprim të policisë së shtetit në fushatë, ditën e votimit dhe gjatë numërimit të votave.
- Forcimi I politikës penale. Rishikimi dhe sipas rastit, ashpërsimi i politikës penale në lidhje me krimet zgjedhore. Është i nevojshëm rishikimi i të gjitha dispozitave penale në lidhje me veprat penale zgjedhore. Ligji i dekriminalizimit ka vendosur ndalim 20-vjeçar për ushtrim funksioni pas kryerjes së dënimit me burg për personat që kryejnë vepra penale në fushën e zgjedhjeve. Ky ndalim tregon vullnetin e legjislatorit për ta konsideruar krimin zgjedhor me një rrezikshmëri të madhe sociale, të njëjtë me korrupsionin.
Korniza ligjore penale duhet t’I përshtatet këtij vullneti politik dhe publik. Në mënyrë të posaçme, shit-blerja e votës, korruptimi I funksionarëve zgjedhorë, marrja apo dhënia e premtimit të votës apo mbështetjes zgjedhore nëpërmjet ofrimit të të mirave materiale duhen klasifikuar si korrupsion zgjedhor. Legjislacioni penal i shteteve demokratike ka përcaktime që i kualifikojnë këto vepra si korrupsion zgjedhor. Psh. në Itali, këto veprime përbëjnë korrupsion dhe Gjykata e Kasacionit, në vitin 2014, ka vendosur që ndryshe nga veprat e zakonshme të korrupsionit ku kërkohen dy persona që vepra të jetë konsumuar, korrupsioni zgjedhor konsiderohet se është konsumuar si vepër penale edhe kur veprimet e kundërligjshme janë kryer nga një person i vetem (premtuesi, ofruesi apo kryerja e nje veprimi papatur domosdoshmërisht pëlqimin e atij që përfiton).
Duke u konsiderua si korrupsion, kjo vepër duhet t’i nënshtrohet hetimit për veprat e korrupsionit nga prokuroria e krimeve të rënda, e në përputhje me reformën në drejtësi, nga prokuroria e posaçme antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.
Ligji duhet të parashikojë shpërblime të larta për personat që denoncojnë raste të korrupsionit zgjedhor. Shpërblimi duhet që të jetë dukshëm më i lartë se pagesat korruptive që ofrohen në shkëmbim të votës, dokumenteve të identifikimit apo veprave të tjera të dënueshme. Ndërkohë që dënohet pranimi i pagesës apo të mire materiale, përfitimi, privilegji, shërbimi, vendi pune, etj nga votuesi, komisioneri apo çdo person tjetër që parashikon ligji, denoncimi mund të passjellë përjashtim nga ndjekja penale.
Duhet të hetohen dhe dënohen rastet e denoncimit të përdorimit të dokumenteve të identifikimit të falsifikuara dhe të votimit të shumfishtë.
Prokurori i Përgjithshëm duhet të ndërmarrë masa të dukshme dhe të besueshme në forcimin e zbatimit të politikës penale ndaj krimit zgjedhor.Prokuroria duhet të ngrejë një task-forcë me resurse të mjaftueshme për ndjekjen, hetimin dhe procedimin penal të krimeve zgjedhore.
- Referendumet. Duhet rishikuar korniza ligjore që rregullon referendumet me qëllim garantimin efikas e të papenguar nga ligji apo vullnetet politike apo ekstraligjore e të drejtës për demokraci të drejtpërdrejtë. Duhen rishikuar afatet, procedurat dhe kërkesat e panevojshme dhe penguese ligjore që janë vërtetuar se bëjnë de facto nul iniciativat për referendum.
- Sistemi zgjedhor. Reforma duhet të marrë në shqyrtim edhe optimizimin e sistemit zgjedhor dhe eleminimin e hapësirave për abuzim me të. Ndërkohë që sistemi duhet të garantojë përfaqësim politik, ai duhet të sigurojë efikasitet në qeverisje.
Duhet garantuar e drejta e çdo subjekti politik real dhe kandidati të pavarur për të garuar të lirë por duhet eleminiuar që sigla partiake të “blihen” dhe të përdoren në zgjedhje për të kontrolluar votën nëpërmjet skemash mafioze të kontrollit të votës. Ndërkohë që duhet ruajtur e drejta e shtetasve për të krijuar parti politike pa pengesë, partitë politike duhet të regjistrohen në zgjedhje mbi bazën e një minimumi mbështetjeje që provon egzistencën reale të tyre. Siglat e partive të regjistruara formalisht mund të përdoren për të kontrolluar votat e blera apo votuesit e intimiduar duke orientuar këta votues që ta hedhin votën në sigla të caktuar. Më pas, në numërim verifikohet nëse zgjedhësit përkatës I kanë hedhur votat siç janë instruktuar. Nëpërmjet skemash të përcaktuara mafioze, kur në garë konkurojnë një numër I lartë partish të regjistruara fiktivisht, mund të kontrollohet një numër I madh votuesish për qendër votimi apo në nivel zone zgjedhore.
Reforma duhet të përmbyllet në kohë të mjaftueshme për të garantuar që procesi pregatitor të jetë i plotë dhe i besueshëm. Kjo kërkon vullnet të qartë kryesisht nga mazhoranca, jo vetëm për të përmbyllur reformën ligjore por edhe për të marrë masat për alokimin e fondeve të mjaftueshme, marrjen e masave që ndalojnë përdorimin e aseteve shtetërore dhe të administratës, si dhe veprimet e tjera qe lidhen me veprime kyçe pregatitore si listat e zgjedhësve, adresat, etj.
Kjo kërkon edhe monitorim parlamentar me qëllim garantimin në kohë të zbatimit të kornizës ligjore.
Read More