Blog

12 Maj
0

Të votojmë bashkërisht Amendamentin e Dekusarizimit, Rama po përgatit Kokëdhimën Ministër të Turizmit

Para pak ditësh, i fundmi i listës së “Rilindjes”, Koço Kokëdhima, iu bashkua listës nr.2 të “Rilindjes” që tashmë është ose jashtë parlamentit ose në burg.  Vendimi i  Gjykatës Kushtetuese  besoj se është mirëpritur jo vetëm nga opozita jo vetëm nga publiku shqiptar por kam përshtypjen është mirëpritur dhe nga pjesë e grupit socialist këtu në parlament. Për fat të keq ka një njeri që nuk e mirëpriti këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe ai është kryeministri Rama  cili që në fillim megjithëse e dinte shumë mirë se Koço Kokëdhima kishte shkelur Kushtetutën me vetëdije me vullnet të lirë, u përpoq të pengojë vendosjen  e drejtësisë , zbatimin e Kushtetutës së këtij vendi. Që në fillim e urdhëroi grupin e tij të votontë kundër vajtjes së çështjes Kokëdhima përpara Gjykatës Kushtetuese. Më pas kur Gjykata Kushtetuese mori vendim dhe detyroi grupin parlamentar socialist ta dërgonte  Kokëdhimën përballë  drejtësisë, prapë u bënë të gjitha përpjekjet, presion ndaj gjykatës, zgjatje të zbardhjes së vendimit të parë të Gjykatës Kushtetuese dhe çdo formë tjetër për të penguar që  Koço Kokëdhima të largohej nga ky parlament sepse duam apo s’duam ne ai dhe pjesa tjetër e rilindasve që tashmë nuk janë në këtë parlament, janë simboli i vërtetë i Parlamentit të Edi Ramës sepse për fat të keq ky është një shtet i Edi Ramës, i atij që thotë po bëjmë shtet.

Është shteti që kalon nga Sajmir Tahiri tek Habilajt, nga Koço tek Balilajt. Është shteti që kalon nga çunat e Balës tek Erion Veliaj, nga Rama tek Shullazi . Ky është shteti që ka ngritur Edi Rama, ky është shteti të cilit ne i jemi ngritur kundër dhe jo vetëm ne por të gjithë qytetarët shqiptarë. Brenda këtij rrethi lëvizin të gjitha segmentet e këtij të ashtëquajturi shtet, nga krimi i madh tek krimi i vogël dhe anasjelltas.

Dhe nuk e dimë se kush është kriminel më i madh ai që ka bërë trafik droge dhe prostitutash , apo këta që shkelin Kushtetutën? A është krim më i rëndë ai i Mark Frrokut apo i këtij që shkel Kushtetutën?

Për këtë arsye, ne sot kemi depozituar një amendament kushtetues, ku kërkojmë që në vazhdën e logjikës së Ligjit për Dekriminalizimin, jo vetëm kriminelët ordinerë, trafikanët droge, prostitutash, vrasësh etj, që sot janë futur në listën e dytë të Rilindjes, jashtë këtij parlamenti por dhe këta që kryejnë krime kushtetuese, të mos kenë të drejtë rizgjidhen as në këtë parlament dhe as në institucione të tjera shtetërore.

Pse? Sepse na ndodhi që Gjykata Kushtetuese e hoqi mandatin Beqës, ja hoqi sepse kishte shkelur Kushtetutën, sepse kishte abuzuar me fondet publike. I kishte marrë shqiptarëve  paratë nga xhepi duke përfituar nga posti i tij. Dhe çfarë ndodhi, pasi Beqja shkoi në shtëpi ? Rama na e mori dhe na e riktheu ministër . Nga i dënuar nga Gjykata Kushtetuese,  na u kthye ministër në qeverinë e Ramës.

Pse u bë kjo , për çfarë ndodhi? Është kthyer në lubinëi të kësaj qeverie, sepse i tillë është, ashtu është mësuar, të grabisë fondet publike. E njëjta gjë po përgatitet me Koçon. Nuk e dinë apo nuk e dinë këta, por pak rëndësi ka. Po përgatitet të sjellë Koçon Ministër të Turizmit.

Qeshni por fatkeqësisht , ky është problem që ne i marrim vesh gjërat para jush dhe ky është problemi juaj dhe jo i joni . Po përgatitet ta sjellë Kocon ministër të turizmit. Pse? Sepse duhet të vjedhë prapë, duhet të grabisë prapë. A e patë sa i mërzitur ishte kryeministri pas vendimit që u mor për Koçon? Dhe çfarë deklarate bëri? Dënimi i Kocos tha, ky vendimi i Gjykatës Kushtetuese , është arsyeja pse ne duhet të reformojmë drejtësinë. Sipas Ramës ky është koncepti dhe nuk është prova e parë për drejtësinë. Kush dënon oligarkët , kush  dënon kriminelët e Ramës , është fajtor dhe duhet dënuar. Nuk e dëgjuat asnjëherë ta bëjë këtë deklaratë Rama, kur gjykatësit liruan Xhuvanin, kur liruan Prengën, kur liruan Frrokun. Jo!  I duartrokiti madje.

Se në fakt ishte ai që i bëri presion drejtësisë të merrte ato vendime. Por  kur u dënua Koçon gjeti arsyen e vërtetë, sepse duhet reforma në drejtësi.

Sepse ky është koncepti i këtij kryeministri për drejtësinë . Megjithatë duke u rikthyer tek propozimi ynë , unë kërkoj që pavarësisht urdhrit politik që do të marrin , që bashkë me ndryshimet e tjera kushtetuese, deputetët socialistë ti bashkohen grupit të PD-së dhe ta votojnë këtë amendament. Ne këtë amendament e kemi cilësuar Amendamenti i Dekusarizimit .Pas dekriminalizimit hadje të bëjmë bashkë  pa ju detyruar kush,  si tek Dekriminalizimi, hadje ta bëjmë dhe Dekusarizimin që,  Kocot,  Beqet dhe kush me vetëdije, vjedhin paratë e shqiptarëve, të mos kenë të drejtën të rikthehen në Parlament apo edhe në Qeveri.


Fjala në Kuvend e kreut te grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, 12 maj 2016

 

Read More
12 Maj
0

Amendamenti i dekusarizimit i dorëzuar sot në Kuvend nga Partia Demokratike

 

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE

KRYETARI

 

Tiranë, më _____/_____/2016

Lënda:       Propozohet për shqyrtim dhe miratim një nismë për rishikim të Kushtetutës

DREJTUAR:      ZOTIT ILIR META

                             KRYETAR I KUVENDIT

 

 

  1. Kryetar i Kuvendit,

Në mbështetje të nenit 177 të Kushtetutës dhe nenit 77/a të Rregullores së Kuvendit, bashkëlidhur ju dërgojmë për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Shqipërisë, projektligjin “Për një shtesë dhe ndryshim në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”, së bashku me relacionin shoqërues. Kjo nismë është ndërmarrë nga 1/5 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Me bindjen se dekusarizimi i Kuvendit dhe jetës publike në vend, është masë plotësuese e reformës së dekriminalizimit, dhe hap jetik për mbrojtjen e interesit publik,

KRYETARI

 

EDI PALOKA

 

 

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

KUVENDI

 

PROJEKTLIGJ

Nr. ______/2016

 

PËR NJË SHTESË DHE NDRYSHIM NË LIGJIN NR. 8417, DATË 21.10.1998 “KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, I NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 83, pika 1, dhe 177, të Kushtetutës, me propozimin e jo më pak se një të pestës së deputetëve

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, bëhen shtesa dhe ndryshimi si vijon:

Neni 1

Në nenin 69 bëhen këto ndryshime:

  1. a) Pas pikës 1, shtohet pika 1/1 me përmbajtje si më poshtë vijon:

“1/1. Nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë, personat që i është konstatuar një herë papajtueshmëria e mandatit sipas nenit 70 të kësaj Kushtetute.”.

  1. b) Në pikën 2, togfjalëshi “me paragrafin 1” zëvendësohet me togfjalëshin “me paragrafët 1 dhe 1/1”.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Miratuar më _____/_____/2015

KRYETARI

ILIR META

RELACION 

MBI PROJEKTLIGJIN 

PËR NJË SHTESË DHE NDRYSHIM NË LIGJIN NR. 8417, DATË 21.10.1998 “KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, I NDRYSHUAR

Neni 70/3 i Kushtetutës e konsideron të papajtueshme me funksionin e deputetit ushtrimin e “veprimtarisë fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre”. Ndërkohë, sipas nenit 70/2, ndalimet e tjera parashikohen me ligje të posaçme.

Nga këto dispozita rezulton se Kushtetuta jonë ia delegon ligjeve të posaçme rastet e papajtueshmërisë (neni 70/2). Ajo ka preferuar të vendosë ndalimin në rang kushtetues dhe ta cilësojë si të papajtueshëm me funksionin e deputetit ushtrimin e aktivitetit fitimprurës prej tij, kur të ardhurat nga ky aktivitet burojnë nga Buxheti i Shtetit. Ky ndalim është i shprehur qartë dhe pa ekuivok nga kushtetutbërësi, i cili ka patur si qëllim eliminimin e plotë të mundësive për ta konsideruar funksionin e deputetit si një mundësi e mirë për të shtuar burimin e të ardhurave private nëpërmjet pozitës së favorshme që ka ai si anëtar i organit më të lartë përfaqësues. Nëse deputeti përveç pagës që do të merrte si i tillë, do të mund të merrte dhe të ardhura të tjera nga buxheti i shtetit për shkak të profesionit të tij primar, atëherë ky parim do të cenohej.

Mirëpo, edhe pse deputeti kryen një “krim” kushtetues me vullnet të plotë, duke e konsideruar funksionin e deputetit si një mundësi të mirë për të shtuar burimin e të ardhurave private nëpërmjet pozitës së favorshme që ka ai si anëtar i organit më të lartë përfaqësues, sanksioni i parashikuar nga Kushtetuta, është vetëm mbarimi i mandatit të deputetit për legjislaturën ku evidentohet kjo shkelje kushtetuese.

Në vlerësimin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, deputetët të cilët me vullnet të plotë, kryejnë shkelje kushtetuese, jo vetëm duhet të humbasin mandatin e deputetit, por duhet edhe t’i ndalohet kandidimi apo zgjedhja në të ardhmen. Kjo i shërben parimit të shërbimit sa më të mirë ndaj qytetarëve dhe në fund të fundit parimit të demokracisë, ku çdo funksionar publik duhet të ushtrojë me të gjitha forcat dhe energjitë e veta detyrën për të cilën është zgjedhur ose emëruar, detyrë të cilën ai e ka pranuar me vullnetin e tij të plotë dhe të lirë. E kundërta mbart, natyrshëm, dyshime lidhur me besueshmërinë e publikut në cilësinë e përfaqësimit të tij.

Gjithashtu, ne cmojmë se dekusarizimi i Kuvendit dhe jetës publike në vend, është masë plotësuese e reformës së dekriminalizimit, dhe hap jetik për mbrojtjen e interesit publik. Nëse deputeti është provuar njëherë se nuk respekton parimin e shërbimit sa më të mirë ndaj qytetarëve dhe cenon parimet e demokracisë funksionale, atëherë nuk ofrohet asnjë garanci që në të ardhmen do të korrigjojë sjelljen e tij. Rizgjedhja apo rikandidimi i personave që kanë kryer “krimin” kushtetues të parashikuar në nenin 70 të Kushtetutës, duke përfituar fonde apo pasuri publike, në vlerësimin tonë përbën një kërcënim të rëndë për integritetin dhe funksionimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike, si dhe për bazat e lirisë ekonomike.

Nëse fondet publike dhe pasuritë publike do të përfitohen nga vetë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, kjo do të ishte një goditje e rëndë ndaj lirisë ekonomike dhe bizneseve të ndershme dhe pa asnjë lidhje me politikën. Askush prej tyre nuk do të besonte se në prokurimet publike zbatohet parimi i “konkurueshmërisë” nëse pjesëmarrës në garë janë kompanitë në pronësi të deputetëve apo personave të lidhur me deputetët.

Për këtë arsye, propozojmë një shtesë në nenin 69 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku të përcaktohet se nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë, personat që i është konstatuar papajtueshmëria e mandatit sipas nenit 70 të Kushtetutës. Në rast se ato zgjidhen, atëherë mandati do të konsiderohet i pavlefshëm.

Ne besojmë se miratimi i këtij amendamenti kushtetues, është kusht i domosdoshëm për forcimin e demokracisë, frenimin e fenomenit të përfitimeve të paligjshme të fondeve publike dhe pasurive publike, rritjes së besimit të qytetarët tek funksionimi i institucioneve publike, si dhe garanton parimin e shërbimit sa më të mirë ndaj qytetarëve.

Read More
12 Maj
0

Deklaratë e Partisë Demokratike

Rënia e shtetit ligjor në Shqipëri dhe triumfi i mafias me mbështetje qeveritare është sot kryelajmi i CNN dhe mediave të tjera rajonale dhe botërore.

Prej më shumë se 24 orësh i shpalluri në kërkim ndërkombëtar Klement Balilaj për narkotrafik nuk arrestohet por i bën karshillek ligjit nga zyrat shteterore të drejtorisë së Transporteve në Sarandë. Nëse Klement Balilaj nuk do të kishte mbrojtjen e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe shefit të tij Edi Rama a mund të ndodhte kjo?

Sipas CNN, policisë greke, vetë policia shqiptare i është justifikuar se “në Shqipëri nuk mund ta prekim sepse ky person ka lidhje me me politikanë të nivelit të lartë”.

Sajmir Tahiri duhet të largohet një orë e me parë dhe të vihet para drejtësisë si garantuesi dhe mbrojtësi i bandave të trafikut ndërkombëtar të drogës, gjobvenësve, kriminelëve dhe njeriu që ka kriminalizuar  Policinë e Shtetit.

Por çlirimi i vërtetë i Shqipërise nga krimi i veshur me pushtet dhe pushteti i bërë njësh me krimin vjen vetëm me largimin e kësaj qeverie.​


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 12 Maj 2016

Read More
11 Maj
0

Deklaratë e Partisë Demokratike

Mbrojtja që Saimir Tahiri dhe drejtues të Policisë së Shtetit i bëjnë Klement Balilaj, i dyshuari si një nga krerët e organizatës kriminale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, u faktua sot ndërsa Balilaj bën show mediatik nga zyrat publike të drejtorisë së Transportit në Sarandë, ndërkohë që është shpallur në kërkim nga policia greke.

Të njëjtën gjë pohon edhe seksioni grek i CNN  në lajmin me titull: “Mbrojtje politike për baronin e kartelit të Ballkanit”, ku i referohet një takim dypalësh mes policisë greke dhe asaj shqiptare. Përfaqësuesit e policisë shqiptare, siç raporton CNN janë dorëzuar duke thënë se “në Shqipëri nuk mund ta prekim sepse ky person ka lidhje me parti politike dhe kontakte me politikanë të nivelit të lartë”.

Lidhjet e Sajmir Tahirit me trafikantët dhe mbrojtja që u jep përmes emërimit të të besuarve të tyre në poste të larta të Policisë së Shtetit është prova më e fundit për inkrimininim e qeverisë Rama. Sot nuk dihet ku fillon qeveria e mbaron krimi, ku fillon krimi e mbaron qeveria.

Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të veprojë pa humbur kohë për të çuar para drejtësisë drejtuesit e kësaj organizate kriminale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike por edhe mbështetësit e tyre në poste kyçe në Policinë e Shtetit dhe në qeveri. ​


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 11 Maj 2016

Read More
11 Maj
0

Klement Balilaj i lidhur me Sajmir Tahirin dhe drejtues të lartë të policisë së shtetit  

Sot vijojmë publikimin e fakteve tronditëse për rolin e Sajmir Tahirit dhe funksionarëve të emëruar prej tij, në kultivimin dhe trafikun ndërkombëtarë të drogës.

Rasti më i fundit është Drejtori i Transportit në Sarandë, Klemend Balili të cilin autoritetet greke dhe shërbimet  e partnerëve ndërkombëtarë, e kanë cilësuar  si një ndër kokat e një organizate kriminale të narkotrafikut.

Klemend Balili është konsideruar  nga mediat greke si baroni i drogës apo “Escobari i Ballkanit”.

Opozita e ka denoncuar që në vitin 2014 dhe konkretisht më 18 maj, kohë kur Edi Rama e emëroi drejtor të Transportit , si të lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës.

Klemend Balili është arrestuar në korrikun e vitit 2006 me 750 kilogramë kanabis. Aksion i suksesshëm i policisë në atë kohë pasi i arrestuari dyshohej se drejtonte një klan kriminal në Sarandë e përreth.

Klemend Balilaj njihet për lidhjet e tij të forta politike dhe ka qenë sponsorizues i fushatës elektorale të PS në vitin 2013. Si lidhje të tij të drejtpërdrejta rezultojnë kushërinjtë e ministrit të Brendshëm, vëllezërit Habilaj, me të cilët ka bashkëpunuar për trafikim të lëndëve narkotike në vitet 2014-2016.  Nëpërmjet vëllezërve Habilaj, Klemend Balilaj ka vendosur kontakt të drejtpërdrejt me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Nga informacionet e brendshme të oficerëve me integritet në Policinë e Shtetit, partnerëve ndërkombëtarë, dhe strukturave të hetimit të specializuara në Shqipëri, që kanë hetuar shtetasin Klemend Balilaj, rezultojnë  lidhje të tij të forta nëpërmjet Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri me drejtues të lartë të Policisë së Shtetit si më poshtë:

Ish-drejtori i Forcave së Posaçme Operacionale Albert Pata

Drejtorin e Policisë së Durrësit Perlat Çullhaj

Drejtorin e Policisë Vlorë Jaert Çelaj

Drejtorin e Policisë Gjirokastër Aranit Arapi

Ish-drejtorin e Policisë Vendore Gjirokastër, Kastriot Skënderi, i cili në vitin 2015 në zonën e Kakomesë u kap me një kamion me 1 ton lëndë narkotike e llojit kanabis sativa.

Nesër do të njiheni me të tjerë fakte tronditëse të lidhjeve të Ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri dhe funksionarëve të lartë të Policisë së Shtetit me trafikun ndërkombëtar të drogës.


Deklaratë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Arben Ristani, 11 maj 2016

Faks e gazetes Panorama, 17 korrik 2006 Faks e gazetes Shekulli, 17 korrik 2006

 

Read More
11 Maj
0

Basha: Nevoja për Reformën në Drejtësi nuk ka qenë kurrë më e madhe, por për një reformë në drejtësi që Lufton dhe nuk mbron krimin dhe korrupsionin

Nervozizmi kundër reformës në drejtësi dje mori formën e tij të plotë me kërcënimin që Edi Rama i bëri Gjykatës Kushtetuese pas heqjes së mandatit të oligarkut Kokëdhima.

Partia Demokratike është partia e demokracisë dhe e shtetit ligjor dhe si e tillë ka qenë prej ditës së parë mbështetësja më e qartë dhe më e vendosur e Reformës në Drejtësi.  Kushti i vetëm i Partisë Demokratike gjatë gjithë  këtij procesi ka qenë, është dhe do të mbetet deri në realizimin e tij me sukses, siç kemi besim të plotë që do të ndodhë, moskapja politike e drejtësisë.

Jetojmë në një vend që ka një histori të kapjes politike të drejtësisë, të një mazhorance kur këto dy parti ishin një e vetme,ku  korrupsioni dhe krimi e renditën Shqipërinë në fund të listës së Europës dhe në një pozicion të pa lakmueshëm edhe me vendet e botës së tretë. Për fat të keq tashmë me dy parti kjo maxhorancë përsëri po e rendit Shqipërinë si vendin më problematik në lidhjet me krimin e organizuar, me kultivimin dhe trafikimin e drogës, si vendin ku oligarkia gllabëron me babëzinë e saj miliarda euro të popullit më të varfëruar të Europës nga taksat e taksapaguesve më të ngarkuar në Ballkan.  Nevoja për Reformën në Drejtësi nuk ka qënë kurrë më e madhe. Por për një reformë në drejtësi që Lufton dhe nuk mbron krimin dhe korrupsionin. Kjo natyrisht bën shumë persona nervozë. Ne i dimë, i njohim këta persona me emër dhe mbiemër. Ata janë sot në hierarkinë e pushtetit të Shqipërisë.

Dhe ne kemi mirëkuptimin e plotë, durimin e plotë për tejkalimin e kësaj vështirësie të rezistencës së një pushteti për një Reformë në Drejtësi që nuk mbron por lufton krimin dhe korrupsionin. Të rezistencës së një kryeministri i cili hidhet në fyt Gjykatës Kushtetuese sepse merr vendimin e drejtë dhe largon oligarkun Koço Kokëdhima nga Parlamenti pasi ka konsumuar krimin kushtetues të marrjes së parave të taksapaguesve shqiptarë për të cilat ishte betuar se do ti mbronte. Të nervozitetit të ministrit të Brendshëm të cilit i ka mbetur vetëm të rrethojë Prokurorinë për krimin e rëndë të kësaj Prokurorie; arrestimin e Emiljano Shullazit, kokës së narkotrafikut në Shqipëri.

Nervoziteti i atyre që i tremben gjyqtarëve dhe prokurorëve të pavarur dhe të aftë ti bëjnë ballë këtij presioni politik: Ka dy vjet e gjysëm që nuk rresht për të marrë vendimet që do Edi Rama në raport me oligarkët, për të marrë vendimet që do Edi Rama në raport me krimin. Këtij presioni politik duhet ti qëndrojë, e do ti qëndrojë me dinjitet gjyqësori i reformuar. Ky është testi.

Reforma nuk është një copë letër por reforma është zbatimi i saj përballë një oligarkie e cila sot i ka vënë vetes një damkë turpi të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër të realitetit euro-aziatik, kur ditën e djeshme dy kasnecë të kësaj qeverie, dy ministra të kësaj ministrie i bënë presion kryetarit të Gjykatës së Drejtave të Njeriut në Gjykatën e Strasburgut, presion të hapur politik për të mos gjykuar çështjet e pronave me palë shtetin si dhunues dhe shkelës i së drejtave të pronarëve. Presione që vetë ministri i Drejtësisë i kabinetit i bëri Gjykatës Kushtetuese për të njëjtën çështje.

Pra nuk është aq e lehtë sa ç’mund të mendojë dikush. Është e vështirë ndaj ka zgjatur dhe mund të zgjasë sepse në fund të fundit rëndësi ka produkti dhe jo koha.

Rëndësi ka standardi europian nga i cili Partia Demokratike dhe unë personalisht nuk tërhiqemi dhe për të cilin nuk bëjmë asnjë kompromis. Por ne do të punojmë së bashku me partnerët tanë siç kemi punuar dhe do të lëmë të gjitha mundësitë e hapura që të sjellim edhe kundërshtarët tanë politik në tryezën e një konsensusi jo për hir të Partisë Demokratike por për hir të shqiptarëve, për hir të Shqipërisë, për hir të brezave që do të vijnë.

Tek Partia Demokratike erdhën dhe u larguan ambasadorët duke gjetur dhe duke një Parti Demokratike aspak nervoze për Reformën në Drejtësi, aspak nervoze për të kaluarën e saj, për të sotmen e saj dhe për të nesërmen e saj. Sigurisht që ka një problem nervoziteti i cili dje mori formën e tij të plotë me kërcënimin që Edi Rama i bëri Gjykatës Kushtetuese. Kush pretendon se kjo nuk ekziston është naiv. Ne duhet të merremi politikisht me këtë problem. Ta tejkalojmë këtë problem e ti themi Edi Ramës se tejkalimi i frikës dhe i paranojës së tij do të ndodhë me hir ose me pahir, se Shqipëria do të ketë një drejtësi të reformuar me gjyqtarë dhe prokurorë të aftë të hetojnë nga kryeministri i vendit tek zyrtari më i fundit, të aftë ti çojnë përpara drejtësisë, të aftë ti dënojnë pa favore, pa paragjykime ndaj askujt por vetëm në bazë të ligjit. Ky është standardi europian, ky është standardi i Partisë Demokratike, ky është standardi im.

I vetmi shqetësim i Partisë Demokratike është që qytetarët të kenë një drejtësi të pakapur nga politika, që politika të mos i diktojë gjyqtarët dhe prokurorët. Në këtë kuadër kërkuam shpjegim edhe për të famshmin neni 25 dhe se cila dorë e ka futur në draftin përkatës. Sigurisht që bëmë të qartë pozicionin tonë edhe njëherë që një nen i tillë nuk është kërkuar dhe kurrë nuk do të pranohet nga Partia Demokratike.


Prononcimi i kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, pas mbledhjes së grupit, 11 maj 2016

 

Read More
10 Maj
0

Shullazi nr 2 brutalizon gazetarin, nuk hap gojën as ministri e as ministrja se Rama jo e jo

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Medias dhe Edukimit, z Genc Pollo vizitoi sot në spitalin e Traumës gazetarin e dhunuar barbarisht një natë më parë, Eduard Ilnica. Z Pollo u shpreh se dhunimi gazetarit përbën një kulm pas lajmeve për dhunë të shtuar në stadiume por më e rëndë është mungesa e reagimit nga qeveria. Kreu i komisionit të Medias u shpreh se kjo mungesë solidariteti nga qeveria është e patolerueshme dhe e pafalshme kur sipas informacioneve të para dhunuesi ishte kushëriri i Shullazit.

“Vizitova gazetarin Eduard Ilnica të dhunuar britalisht dje në darke nga një personazh që e mban veten për të fortë zone dhe shef sporti. Është një ngjarje kulmore në një sërë aktesh të dhunshme që kanë përfshirë stadiumet tona por fatkeqësisht nuk kemi parë reagime nga autoritetet duke filluar nga qeveria dhe ministria përgjegjëse për sportin. Sot arriti kulmin dhe unë dëshiroj që Eduard Ilnica të shërohet sa më parë. Të gjithë dëshirojnë që dhunuesit e tij të përballen ashtu siç duhet me ligjin. Po mendoj që askush nuk e kupton që as ministri i Brendshëm dhe as ministrja e Sporteve deri në këto moment nuk janë prononcuar. Nuk kanë dënuar dhunën brutale, nuk janë solidarizuar me gazetarin e plagosur rëndë. Ndoshta kjo ka të bëjë me personin dhunues sepse sipas informacioneve të para është kushëri i Shullazit. Por është e pafalshme, e patolerueshme. Është një izolim në raport me një opinion publik të shëndetshëm që dhunën nuk e ka pjesë të kulturës së përditshme dhe shpresoj që ky apel, që është për të gjitha ata sportdashës që ta lënë sportin në atë që është në thelbin e vetë, një garë e fisme që nxjerr në pah anët më të mira të natyrës njerëzore, dhe ti largohen çdo akti të dhunshëm nga cilido që mund të nxitet diçka e tillë sepse kjo vërtet na turpëron të gjithëve, të gjithë sportdashësit dhe të gjithë njerëzit e tjerë”, tha Pollo.

Më tej, kreu i komisionit tha se shpreson që të jetë rasti i fundit i dhunimit të një gazetari në një kohë që liria e medias është përkeqësuar. “Shpresoj vërtetë që të jetë rasti i fundit i dhunimit të një gazetari. Liria e shtypit në Shqipëri është në përkeqësim dhe raportet ndërkombëtare e klasifikojnë lirinë poshtë e më poshtë. Dhunimi i një gazetari nga persona të lidhur me të pushtetshmit dhe mosdënimi publik i aktit, mossolidarizimi publik me viktimën e përkeqëson më shumë këtë liri të shtypit tashmë në rënie”, tha Pollo.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 10 maj 2016

Read More
10 Maj
0

A foli Tahiri me Shullazin? Roli i nëndrejtorit të Tiranës në lidhjet kriminale

A ka biseduar Saimir Tahiri me Emiliano Shullazin, përpara ndalimit të tij nga policia?

A e ka garantuar Tahiri, Shullazin, se thjesht do të shoqërohej do të pyetej për kërcënimin e kandidatit per rektor, e më pas do lihej i lirë?

Të gjitha të dhënat tregojnë se kështu ka ndodhur.

Pakti u prish, sepse prokuroria urdhëroi arrestimin për akuzat e gjobvënies e kanosjes, pas punës disa mujore që kishte bërë për sigurimin e provave, sigurisht pa dijeninë e Tahirit.

Burime serioze, oficerë që janë në dijeni dhe që kanë qenë prezentë në aksion, dëshmojnë se Sajmir Tahiri ka folur me Emiliano Shullazin përmes telefonit të nëndrejtorit të policisë së Tiranës, Ermal Muça.

Ky funksionar i policisë rezulton të jetë një nga personat e besuar për shumë paligjshmëri e trafiqe që bëhen me dijeninë dhe bekimin e Tahirit.

Nëse prokuroria merr pamjet e dy muajve të fundit të lokalit ku ndodhi ekzekutimi i Elton Çiços, do të shohë se pothuajse çdo natë Ermal Muça dhe Qebini i doganave ishin në shoqërinë e viktimës. Dhe të gjitha këto lidhje përfshijnë Shullazin e të çojnë tek Tahiri.

Eshtë kjo arsyeja pse arma dhe telefoni i viktimës u morën natën e krimit. Sepse arma dhe sidomos telefoni zbulojnë lidhjet me krerët e policisë dhe janë provë e dëshmi e trafiqeve të drogës.

Ky është pra drejtimi që i bëhet policisë së shtetit, inkriminimi i saj në pikat kryesore. Ky është shteti kriminal, ku Edi Rama e ministri i Brendshëm janë një me bandat, bëjnë pazare, ofrojnë siguri e paprekshmëri për to.

Ndaj jeta e qytetarëve sot është më e pasigurtë se kurrë, droga ka mbuluar vendin, dhe trafikantët e bandat sundojnë kudo.


Deklarata për mediat e kreut të departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, 10 Maj 2016

 

Read More
10 Maj
0

Veliaj hakmerret ndaj policit që denoncoi falsifikimin e gjobës

Erion Veliaj, falsifikatori i gjobës që i vuri protestës popullore të 8 Dhjetorit, është hakmarrë ndaj policit bashkiak Besmir Karaj, duke e larguar nga puna.

Karaj pati integritetin dhe kurajon që ta denonconte publikisht se firma e gjobës nuk ishte e tija, se ishte falsifikuar. Për këtë ai bëri dhe një kallëzim penal në prokurori me 10 Dhjetor.

Falsifikimi i dokumentave është një vepër e rëndë penale, mirëpo nga 10 dhjetori i vitit të kaluar e deri më sot, prokurori i çështjes nuk ka ndërmarrë asnjë hap për këtë çështje.

Prej 5 muajsh, prokurori Ardian Dyrmishi, mban të mbyllur në sirtar këtë kallëzim, ka provat dhe faktet e mjaftueshme dhe nuk ndërmerr asnjë veprim ligjor ndonëse mediat raportuan se edhe laboratori shkencor i policisë konfirmoi falsifikimin e firmës nga Bashkia.

Partia Demokratike i kërkon sot këtij prokurori të tregojë se çfarë ka bërë me këtë çështje, pse ai nuk kryen detyrën që i ngarkon ligji.

Ja ku kemi mbërritur me Edi Ramën, me shtetin e tij të korruptuar e kriminal.

Denoncuesi i krimit, i falsifikimit, Polici Karaj që prej tre vitesh në detyrë nuk kishte asnjë vërejtje apo shkelje, hidhet në rrugë, ndërsa autori i krimit, falsifikatori, Erion Veliaj nuk preket, madje vazhdon të trashë zullumin çdo ditë.

Kjo është oligarkia kriminale e Edi Ramës ku ndëshkohet denoncuesi dhe mbrohet shkelësi i ligjit, falsifikatori, gënjeshtari Veliaj.


Deklarata për mediat e anëtares së Këshillit Bashkiak të Tiranës, Reila Bozdo, 10 Maj 2016

 

Read More
09 Maj
0

Simboli i oligarkisë Koço Kokëdhima mori nga drejtësia atë që shpresonte dhe dëshironte çdo qytetari këtij vendi

PD portal të posaçëm për denoncimin e  zyrtarëve të inkriminuar

Basha: Le të jetë ligji për dekriminalizimin vendi ku bashkohen demokratë dhe socialistë për një Shqipëri të pastër nga krimi politik, për një Shqipëri europiane!

Platforma e PD  për procesin zgjedhor: Votim biometrik, numërim elektronik, kontroll të plotë të financave të partive politike dhe kriminalizimin e donacioneve private përmes financimit 100% të partive nga buxheti i shtetit, kufizim i shpenzimeve në fushatë elektorale, dhe të gjithë aspektet e tjera që kanë të bëjnë me shkurtimin e duarve të korrupsionit dhe krimit nga vota e shqiptarit, hapësirë e barabartë të partive politike në media.

Basha: Pa një reformë zgjedhore që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme asgjë tjetër nuk do të funksionojë normalisht në këtë vend.

Sot është një ditë shumë e bukur, jo thjesht për nga moti, jo vetëm sepse është Dita e Europës por sepse është dita kur simboli i oligarkisë Koço Kokëdhima mori nga drejtësia shqiptare atë që shpresonte dhe dëshironte çdo qytetari këtij vendi, demokrat, socialist apo i paparti, heqjen e mandatit. Heqjen e mandatit për abuzimin me Kushtetutën, heqjen e mandatit për korrupsionin, heqjen e mandatit sepse ishte përfitues i parave të taksapaguesve shqiptarë ndërkohë që ishte betuar se do t’i mbronte paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Paratë që në vend që të kthehen në rroga më të larta, pensione më të larta, shkolla, ujësjellës, subvencione për bujqësinë, përfundojnë në xhepat e oligarkëve shqiptarë dhe kryeoligarkut të jugut Koço Kokëdhimës. Sot janë një kafshatë e ngelur në fytin e tij me këtë hap të parë që është heqja e mandatit të tij si deputet.

Kjo është jo vetëm një fitore e Partisë Demokratike që ka mbrojtur që prej fillimit drejtësinë e kauzës tonë në raport me Koço Kokëdhimën por është një fitore e të gjithë atyre që duan një politikë të pastër nga konflikti i interesit, një politikë të pastër nga ata që janë futur vetëm për të përfituar dhe fryrë xhepat e tyre, një politikë të pastër nga krimi. Pra, një politikë europiane Ditën e Europës.

Është po kështu një ditë e mirë sepse po fillojnë të kërcasin ingranazhet e krimit të veshur me pushtet dhe pushtetit të veshur me krim nga pesha e ligjit të dekriminalizimit.

Partia Demokratike fton të gjithë qytetarët shqiptarë të bëhen pjesë e zbatimit të këtij ligji duke denoncuar pranë një portali të posaçëm që do të hapim që prej ditës së nesërme me informacione konkrete çfarë dinë ata për zyrtarët e inkriminuar në fshatin, qytetin, rrethin, qarkun e tyre, në çdo nivel nga drejtorë e zyrtarë ujësjellësash e deri tek anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë, apo ministrat e kabinetit “Rama-Meta”. I ftoj pra qytetarët që duke filluar nga dita e nesërme të bëhen pjesë e zbatimit të ligjit të dekriminalizimit. Së bashku ta bëjmë këtë ligj efektiv duke i larguar siç e meritojnë nga politika dhe nga vendimmarrja njerëzit me rekorde të tmerrshme kriminale.

Le të jetë ligji për dekriminalizimin vendi ku bashkohen demokratë dhe socialistë për një Shqipëri të pastër nga krimi politik, për një Shqipëri europiane!

Së treti, është një ditë e rëndësishme për demokracinë shqiptare. Partia Demokratike, grupi i saj parlamentar finalizoi diskutimet për platformën për procesin zgjedhor ku vendosëm t’i propozojmë Komisionit Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore votimin elektronik me shenjat e gishtërinjve. Kontrollin e plotë të financave të partive politike dhe kriminalizimin e donacioneve private përmes financimit 100% të partive nga buxheti i shtetit. Kufizimin e shpenzimeve në fushatë elektorale, të parave që nuk i “pjell” gjeli i artë i ndonjë partie politike por janë para korrupsioni të kryer apo që pritet të kryhet apo paraprihet. Lirinë e medias dhe hapësirën e barabartë –“par condicio” të faktorëve politikë, të partive politike në hapësirën mediatike, në funksion të informimit të publikut dhe të tjerë parametra europiane për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Natyrisht parametri i parametrave mbetet një qeveri teknike sepse Edi Rama tashmë është faktuar botërisht një person jo në gjendje për të garantuar zgjedhje të lira dhe të  ndershme.

Këto pra janë tre lajme të gëzueshme që dua të ndaj sot me qytetarët shqiptarë nga selia e PD, nga kryeselia e opozitës.

Së shpejti do të finalizojmë qëndrimin tonë për procesin zgjedhor bashkë me aleatët tanë dhe pres që brenda kësaj jave apo fillimi i javës së ardhshme Komisioni Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore, mazhoranca të ketë të parashtruar në mënyrë profesionale standardin europian  të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, votimin biometrik, numërimin elektronik dhe të gjithë aspektet e tjera që kanë të bëjnë me shkurtimin e duarve të korrupsionit dhe krimit nga vota e shqiptarit.

Partia Demokratike dhe unë e kemi bërë të qartë prej fillimi, pa një reformë zgjedhore që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme asgjë tjetër nuk do të funksionojë normalisht në këtë vend.

Natyrisht ne jemi edhe sot kemi qenë pjesë dinjitoze e përpjekjes për një reformë në drejtësi, pa propagandë, pa shtirje siç bënë ata që thonë do ta votojmë pa e lexuar. Por me seriozitetin që meriton reforma në drejtësi jemi angazhuar dhe do të vazhdojmë të angazhohemi.

Por zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe gjithçka që ka të bëjë me garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme janë prioritet i prioriteteve. Ua kam thënë dhjetëra herë këtu dhe në të tjera forume, dhe si të tilla janë dhe mbeten kusht absolut i Partisë Demokratike dhe i opozitës për gjithçka tjetër në këtë vend.

Pyetje: Z.Basha folët për lajme nga Grupi Parlamentar por ka pasur edhe debate sot?

Basha: Sigurisht ka patur dhe do të ketë gjithmonë e më shumë. Ky është standardi im si kryetar i Partisë Demokratike, parti e debatit, parti e rrahjes së mendimeve, parti e çdo demokrati, sigurisht edhe e çdo deputeti. Kjo ishte mbledhje e Grupit Parlamentar dhe deputetët do të japin mendimet e tyre dhe në fund fare do të vendosim të gjithë së bashku si një parti e bashkuar dhe e vlerave. Dhe sot kemi arsye bashkë me shqiptarët të jemi edhe më me shumë besim se bashkimi rreth Partisë Demokratike, rreth vlerave, rreth vlerave e jo sloganeve po fillon të japë rezultat.


 

Prononcimi per mediat i kryetarit te Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, 9 Maj 2016​

Read More