Blog

21 Pri
0

Rama i hapi krimit dhe portën e Universitetit

I nderuar kryetar

Të nderuar kolegë deputetë,

Gara në universitete tashmë është mbyllur dhe urimi në këtë rast për të gjithë ata që ia kanë dalë me sukses është i natyrshëm sikurse mbetet i tillë për ata që patën kurajën të merrnin pjesë në këtë garë. E them këtë që patën kurajën sepse në këto zgjedhje universitare sikurse të gjitha llojet e zgjedhjeve të bëra në Shqipëri në këto 3 vjet nuk ishin aspak të lehta dhe aspak normale. Këto zgjedhje u shkelën, u dhunuan, u tronditën pikërisht nga politika e veshur me krim dhe nga krimi i cili kërkoi të vishte edhe tunikën e fundit që i kishte mbetur pa futur në garderobën e tij, tunikën e akademikut. Republika e dijes në analogji me republikën e letrave siç mund ta quajmë republikën e universiteteve, u kërcënua nga republika e rrugës dhe iu kërkua të imponoheshin me zor pikërisht parimet e republikës së rrugës dhe paradoksi këtu është që iu kërkua që të imponoheshin këto parime të republikës së rrugës, pikërisht nga ajo që e ka për detyrë ta mbështesë, ta zhvillojë dijen, ta zhvillojë universitetin, pikërisht nga politika.

Sigurisht, shumë kolegë këtu në këtë sallë që tashmë e kanë shprehur këtë gjë, por edhe unë vetë do ta konsideroja disi naive një deklaratë timen sot, nese nga kjo foltore do të thoja se ishte Rama vetë ai që e çoi Shullazin tek profesor Koni, dhe aq më pak ishte Nikolla, por pavarësisht se e vërteta e kësaj deklarate është disi afër, megjithatë më lejoni të bëj një paralelizëm shumë të thjeshtë dhe paksa profesional timin. Kur Tolstoin, shkrimtarin e madh rus e pyetën me indinjatë duke e akuzuar se pse Ana Kareninën, personazhin e tij të dashur e çoi në rrotat e trenit, ai u mbrojt me akuzën, se Ana Karenina vajti vetë, unë thjesht e krijova, e mbështeta dhe e frymëzova personazhin tim. Edhe një herë ndjesë për krahasimin se s’mund të krahasohet Tolstoi me kryeministrin tonë pasi Tolstoi i ka letrarë personazhet e tij, dhe i krijon për të mbështetur dhe përhapur vlera njerëzore, ndërsa kryeministri i krijon personazhet e tij real për të grabitur vlera njerëzore. Dhe sigurisht edhe nëse unë do e pyesja kryeministrin, per personazhin e tij real ai do jepte të njëjtën përgjigje, jo ai ka ikur vetë, siç e ka lënë të nënkuptohet, por ama gjithsecili prej nesh në këtë sallë dhe jashtë kësaj salle e di shumë mirë se ky personazh real është i krijuar nga ky kryeministër dhe është ky kryeministër që e mbështeti, e frymëzoi, dhe e bëri atë që të kapërcejë portën e rëndë të universitetit duke dashur të mbjellë imponimin e politikës së kriminalizuar. Eshtë ky kryeministër i cili republikën tonë e ka shndërruar në republikë të krimit dhe të rrugës, i cili republikën tonë e ka shndërruar në republikë bananesh, dhe jo republikë bananesh nga fakti që malli eksportohet, republikë bananesh nga ata që e drejtojnë këtë vend. Sepse nEse do të nisemi nga malli që eksportojmë, tragjikisht Shqipëria eksporton rininë e saj drejt Europës dhe tragjikisht, eksporton vetëm mendje. Ky kryeministër e ka shndërruar Shqipërinë në republikën ku jeta s’ka vlerë, ku universiteti s’ka vlerë, ku ekonomia nuk ka vlerë, biznesi nuk ka vlerë dhe vota nuk ka vlerë.


 

Fjala në Parlament e deputetit të Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, 21 prill 2016

 

Read More
21 Pri
0

PD në Kushtetuese për ligjin që shpronëson pronarët; kërkohet pezullimi i menjëhershëm deri në vendimin final

 

“Sot Gjykata Kushtetuese po shqyrton një nga çështjet më të rëndësishme të këtyre 25 viteve, çështjen me ligjin me të cilin qeveria rishpronëson pronarët. PD ka paraqitur bashkë me subjektet e tjera kundërshtimet e saj ndaj këtij ligji. Ky ligj është antikushtetues, bie ndesh me jurisprudencën e kësaj gjykate. Mbi të gjitha, bien ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, sepse cënon jo vetëm parimet e Kushtetutës të Shqipërisë, por dhe të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

PD ka bërë të qartë që ne i qëndrojmë në mënyrë absolute të drejtës së pronarëve për të rimarë pronën që në mënyrë të padrejtë u është marrë para më shumë se 70 viteve. Do të garantojmë në mënyrë maksimale që kjo e drejtë të shkojë në mënyrë përfundimtare dhe të plotë tek pronarët. Duke marë parasysh faktin që në 25 vite ka patur dhe padrejtësi, kjo nuk është arsye që kjo qeveri, e cila buron drejtpërdrejt nga koncepti i shpronësimit të vitit 45, me këtë vjen sot përpara kësaj gjykate, të ketë të drejtën për të rishpronësuar së dyti. Ne garantojmë që ky ligj do të shfuqizohet, por ajo që ne presim është që Gjykata Kushtetuese duke i qendruar jurisprudencës së saj, ta shfuqizojë këtë ligj si antikushtetues dhe në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, për të rikthyer të drejtën e pronës tek pronarët. Me atë që bën ky ligj e përsëris, është rishpronësimi I pronarëve. Ne këtë nuk do ta lejojmë.

Sot ajo që presim është që Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim lidhur me pezullimin e zbatimit të ligjit. Eshtë një ligj i cili tashmë ka filluar efektet e tij, prodhon pasoja të rënda e për rrjedhojë kërkesa para kësaj gjykate është që ky ligj të pezullohet derisa gjykata të marrë një vendim. Shpresojmë që gjykata ta marrë në konsideratë këtë rrezikshmëri  të lartë që prodhon kjo normë e re e kësaj qeverie”.


Prononcim i deputetit të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, 21 prill 2016

Read More
21 Pri
0

PD apelon vendimin e KQZ që ndaloi qytetarët e Tiranës të shprehen për parqet

Departamenti i Mjedisit dorëzon kërkesën. Malltezi: Çdo mjet për të bërë të mundur dëgjimin e zërit të qytetarëve

Partia Demokratike apeloi sot në kolegjin zgjedhor vendimin e para një muaji të KQZ, që nuk lejoi mbajtjen e referendumit lokal, ku qytetarët e Tiranës të shpreheshin e të vendosnin për projektet e Bashkisë që po dëmtojnë parqet me afera klienteliste e korruptive.

Departamenti i Mjedisit në PD depozitoi sot kërkesën pranë Gjykatës së Apelit.

“Partia Demokratike po apelon sot në Kolegjin Zgjedhor vendimin e militantëve të shumicës së shullazëve të KQZ për të refuzuar dhënien e formularëve ndaj qytetarëve të Tiranës për të mbledhur mbi 20 mijë firma që duhen për referendumet vendore. KQZ e shullazëve e ktheu Kushtetutën dhe Kodin zgjedhor njësoj si statutin e partisë socialiste ku nenet nuk zbatohen, por interpretohen sipas dëshirës  së shullazëve të KQZ dhe të pushtetit. Për fat të keq, ne jemi këtu për të kërkuar një e drejtë që na e njeh Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor,  por ne do të përballemi për vlerat kushtetuese, do të përballemi për të drejtat e qytetarëve që nëpërkëmben përditë dhe që përqeshen nga oligarkët e pushtetit që paturpësisht edhe gënjejnë sikur nuk do të ketë beton nëpër parqe. Ne do të mundësojmë që qytetarët të shprehen, që zëri i tyre të dëgjohet dhe do pranojmë cilido qoftë mendimi i tyre. Zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet dhe ne do të bëjmë çmos që kjo gjë të  bëhet e mundur me çfarëdo lloj mjeti demokratik”, u shpreh për mediat kreu i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 21 prill 2016

 

Read More
20 Pri
0

Largimi i Saimir Tahirit, domosdoshmëri për ecjen përpara të procesit hetimor ndaj rastit “Shullazi”dhe  bandave të lidhura me pushtetin

Vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda për dhënien e masës “arrest me burg”  Shullazit është vendim i drejtë, i shumëpritur nga qytetarët shqiptarë. Qytetarët e ndershëm besojnë dhe vlerësojnë hapat e atyre prokurorëve dhe gjyqtarëve me integritet të cilët zbatojnë ligjin, japin kuptim togfjalëshit shtet ligjor, japin drejtësi duke dhënë vendime të drejta siç ishte mbajtja në “arrest me burg”, masa e sigurisë për bandën e “Shullazit”.

Prej më shumë se dy vjetësh opozita, Partia Demokratike ka denoncuar lidhjet e tmerrshme të krimit me pushtetin e Edi Ramës, veshjen e pushtetit të Edi Ramës me krim dhe veshjen e krimit me pushtetin e Edi Ramës. Prej më shumë se dy vjetësh ne kemi denoncuar për epideminë e gjobvënies, tritolit, kërcënimeve, rrëmbimeve dhe industrisë së narkokultivimit dhe narkotrafikimit si rezultat i lidhjeve të bandave kriminale me Edi Ramën dhe Saimir Tahirin. Por me rastin e këtij operacioni të suksesshëm, të kësaj pike kthese, ku të paktën në këtë fillim duket se  pushteti nuk ia ka dalë të ndihmojë lidhjet e tij kriminale, shqiptarët po mësojnë disa të vërteta.

Po mësojnë se si Emiliano Shullazi me mbështetjen dhe përkrahjen e lidhjeve të tij qeveritare është pasuruar në këto dy vite, duke iu vënë pistoletën në kokë biznesmenëve duke iu thënë “o gjobën, o jetën!”.

Se si në këto dy vite Shullazi dhe shullazët me mbështetje qeveritare ia kanë dalë të përfitojnë shuma marramëndëse për shkak të kësaj mbështetje duke i vënë pronarët e bizneseve, qytetarët, pronarët e trojeve para zgjedhjes “o vër firmën për tjetërsim të pronës e prano diktatin e krimit me mbështetje qeveritare ose jetën!”.

Shqiptarët kanë mësuar dhe po mësojnë se si Edi Rama dhe Saimir Tahiri kanë bërë atë që ka kërkuar dhe kërkon Emiliano Shullazi dhe banda e tij dhe shullazët e tjerë. Dhe në këmbim edhe Shullazi bën atë që i kërkon Edi Rama dhe Saimir Tahiri.

Këto janë çështje që opozita i ka denoncuar me forcë, por që sot shqiptarët kanë shansin t’i shohin përmes një procesi gjyqësor i cili meriton dhe do të ketë vëmendjen e plotë të opozitës, por po kështu uroj edhe të partnerëve tanë strategjikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës,  të Bashkimit Europian, si një provë që kjo pikë kthese në vigjilie të reformës në drejtësi do të jetë për të gjithë shqiptarët shpresa që lidhjet e krimit me pushtetin dhe lidhjet e pushtetit me krimin nuk mund të jenë përherë mbi të drejtën, mbi ligjin.

Sepse shqiptarët nga njëra anë kanë mësuar se për 30 mijë lekë të merret shpirti, merresh dhe futesh në burg, ndërsa kur kapesh në flagrancë duke gjobitur, duke vënë tritol, duke mbjellur e korrur hashash në sasi të mëdha e duke e trafikuar atë, në qoftë se ke lidhje qeveritare shpëton paq. Dhe rasti i “Shullazit” nuk është as i fundi, as i fillimi.

Dje patëm në Fushë-Arrëz rastin e vëllait të kryetarit të Bashkisë së Fushë-Arrësit i cili u arrestua në dijeninë tonë sipas të dhënave operacionale të përfituara sipas hetimeve të Prokurorisë dhe pak orë më vonë u lira sepse deputeti Pjerin Ndreu u gjend papritmas në Fushë-Arrëz dhe zgjodhi të festonte me këtë person me precedentë penalë, të dënuar për 7 vite, sipas informacioneve paraprake.

Përpjekja për të ndalur dorën e drejtësisë vazhdon. Edi Rama dhe Saimir Tahiri janë në këmbë dhe po bëjnë gjithçka që Shullazi të mos thotë atë që di për këta të dy.

Jo vetëm kaq, presioni ndihet kudo, presioni është shtrirë edhe në mediat kombëtare të cilat nën këtë presion po ndërtojnë alibitë e biznesmenëve të cilët po na dalin dhe po thonë se nuk ndihen të kërcënuar apo nuk kanë qenë të kërcënuar, apo në nxirjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë hetim. Shteti dhe media e kapur nga shteti është në dispozicion të Shullazit.

Edi Rama dhe Saimir Tahiri janë në zi, janë dhe në këmbë për ta ndalur, për ta sabotuar këtë hetim dhe kjo është diçka tronditëse por që nuk na habit

Çfarë do të bëjmë ne si opozitë?!

Ne do ta monitorojmë deri në fund këtë proces. Do t’i japim mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme prokurorëve dhe gjyqtarëve me integritet që kanë në dorë këtë rast. Do të ftojmë të gjithë qytetarët shqiptarë të vrasin frikën dhe të dalin përpara me provat, faktet e dëshmitë mbi aktivitetin e kësaj bande dhe bandave të tjera. Sepse ne jemi të bindur që Shqipëria e së nesërmes nuk mund të jetë kurrë Shqipëria e shullazëve, nuk mund të jetë kurrë Shqipëria e qeverisë së bërë njësh me krimin dhe që ka ngritur perandorinë dhe koorporatën e krimit këtu në Shqipëri. Që kjo të ndodhë Saimir Tahiri duhet të largohet një orë e më parë.

Kërcënimet e vazhdueshme ndaj gazetarëve, ndaj opozitës nga Shullazi dhe shullazët vazhdojnë edhe për arsyen sepse protektori i tyre numër një vazhdon të mbajë detyrën e ministrit të Brendshëm. Ndaj është emergjente largimi i Saimir Tahirit, një njeriu botërisht të njohur për lidhjet e tij me Emiliano Shullazin. Një njeriu që është përgjegjës sot për një fushatë të 5-fishimit të mbjelljes së kanabisit anembanë vendit dhe për të cilën kemi kërkuar ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë që të nisë menjëherë monitorimi i kësaj situate të paprecedentë dhe të merren masa. Por çdo masë do të jetë e paplotë dhe çdo përpjekje kundër krimit do të kërkojë energji titantike sa kohë që krimi ka ambasadorin dhe protektorin e vet ministër të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë. Dhe ky është momenti që të përsërisim edhe një herë thirrjen tonë për largimin një orë e më parë të Saimir Tahirit, si një domosdoshëmri të ecjes përpara të procesit hetimor ndaj rastit “Shullazi” dhe për ecjen përpara me hetimete për bandat e tjera në lidhje me pushtetin.

Një gjë është e sigurt, kjo që ka filluar nuk mund të ndalet dhe nuk do të ndalet. Vullneti i shqiptarëve për shtet ligjor do të përkthehet në të tjera veprime, në të tjera demaskime të lidhjeve të pushtetit me krimin dhe opozita siç ka qenë do të vazhdojë të jetë në ballë të kësaj përpjekje.

Pyetje: Me protesta?

Basha: Me të gjitha format dhe mënyrat.

Pyetje: Zoti Basha, përse thoni se duhet të largohet Saimir Tahiri kur ju njësoj fajësoni edhe kryeministrin Rama por për ata nuk kërkoni largim?

Basha: Ne kemi kërkuar prej momentit të parë të daljes së skandalit të “Habilajve” largimin e Saimir Tahirit dhe këtu nuk ka asgjë të re. Siç e thashë unë duke rishprehur edhe një herë mbështetjen dhe inkurajimin për prokurorët, për gjyqtarët, për personelin e Policisë Gjyqësore në rastin e këtij hetimi, ritheksoj një qëndrim politik të opozitës: largimin e Saimir Tahirit si parakusht për t’i prerë shpresat e këtij grupi kriminal dhe grupeve të tjera të lidhura me të se mund të influencojë përmes kërcënimeve, presioneve hetimet dhe procesin e ndjekjes penale dhe të gjykimit.

Por përgjegjësi kryesor për këtë gjendje të vendit është padyshim Edi Rama dhe largimi i Edi Ramës, krijimi i një qeverie teknike që do të garantojë zgjedhjet e ardhshme – sepse një pjesë e mirë e kësaj mbështetje politike jepet pikërisht për të kapur dhe prishur zgjedhjet e ardhshme: përmes fushatës së mbjelljes së drogës që shihet si një burim kryesor të ardhurash për të blerë dhe për të intimiduar votuesit shqiptarë në zgjedhjet e ardhshme, përmes aleancës së çeliktë me krimin arkitekt i saj ka qenë dhe është sot e gjithë ditën Edi Rama, kryeministri i vendit. Kështu që qëndrimi ynë për Edi Ramën është shprehur tashmë. Me Edi Ramën nuk mund të ketë demokraci, nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk mund të ketë dhe nuk do të ketë shtet ligjor. Por largimi i Saimir Tahirit është parakusht për ecjen normale të procesit “Shullazi”.

Pyetje: A keni informacion ju se çfarë Emiliano Shullazi di për Saimir Tahirin dhe Edi Ramën, siç ju edhe thatë?

Basha: Opozita prej kohësh ka denoncuar atë që dihet publikisht, botërisht. E di Tirana, e di Shqipëria, e dinë partnerët ndërkombëtarë lidhjen e ngushtë të Saimir Tahirit me Emiliano Shullazin, shërbimet e ndërsjellta që i kanë bërë dhe i bëjnë njëri-tjetrit. Pyetje dhe fakte tronditëse presim të dalin në dritë edhe në kuadër të hetimeve dhe procesit në fjalë, fakte dhe pyetje tronditëse do t’i drejtohen protagonistëve nga opozita duke filluar që nesër.

Pyetje: Zoti Ahmetaj më herët i konsideroi abuzuese deklaratat e opozitës në lidhje me ekonominë duke folur me shifra konkrete për investimet dhe papunësinë në vend. Jaanë abuzuese sipas tij deklaratat e opozitës. Keni një koment për këtë?

Basha: Unë mendoj se sot ai është sjellë si “shullazi i financave” sepse shifrat dhe faktet nuk i denoncoi opozita por i denoncoi Banka Botërore, anketa e Bankës së Shqipërisë, Departamenti i Shtetit, raporti i Fondacionit “ Bertelmann”, Shoqata e Investitorëve Gjermanë, Shoqata e Investitorëve të Huaj. Po përmend vetëm gjashtë raporte që u publikuan shtatë ditët e fundit por Arben Ahmetaj dhe kredibiliteti i tij tashmë dihen.  Ky ishte njeriu që tha jap dorëheqjen po të më nxirrni një udhëtim me charter. I kemi nxjerrë 15 –të udhëtime me charter. Ka guximin të dalë atje dhe të përrallisë për vende të reja pune, ndërkohë që qeveria e tij, qeveria e Edi Ramës ka mbyllur vetëm vitin e kaluar 72 mijë vende pune në dy muaj dhe është përgjegjëse për shpunësimin më masiv dhe më të shpejtë të shqiptarëve në historinë 25-vjeçare të demokracisë. Del atje kur duhet të ishte duke dhënë përgjegjësi për blerjen e një bilete avioni Tiranë-Vjenë 6 milionë e 700 mijë lekë, pra një hajdutëri me brirë. Megjithatë lajmi i ditës Emiliano Shullazi nuk ka për të shërbyer si alibi për Arben Ahmetajn. Koha do të vijë edhe për Arben Ahmetaj të japë llogari për megaskandalet, për aferat, për vjedhjen masive për leverdi të tij dhe shefit të tij. Ndërsa dënglat për rritje ekonomike nuk i beson as vetë e s’ka shqiptarë t’i besojë.


Prononcimi për mediat i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas mbledhjes së Grupit Parlamentar

 

 

Read More
20 Pri
0

Gjykata vendosi pezullimin e zgjedhjeve në Universitetin e Sporteve, Ministria nuk e zbaton

Kemi këtu një nga rastet flagrante të ndërhyrjes të ministrisë në procesin zgjedhor dhe madje të shkeljes së ligjit. i referohemi fakultetit të Veprimtarive Fizike të Universitetit të Sporteve ku një prej kandidatëve pa bërë padi ndaj Komisionit të Apelimit në Gjykatën Administrative e cila ka marrë vendimin e saj për pezullimin e procesit zgjedhor dhe bazuar në vendimin e gjykatës, që po e tregoj këtu, Komisioni i fakultetit ka ndjekur vendimin e gjykatës dhe ka marrë vendimin për pezullimin e procesit zgjedhor për dekan të këtij fakulteti, por përsëri është Komisioni i Apelit ai që vendos me ndërhyrjen e njerëzve të dërguar nga ministria që vendos që procesi të vazhdojë dhe përjashtimin e njërit prej kandidatëve që është z Agron Kasa. Kjo është jo vetëm shkelje e kompetencave të ndërhyrjes brutale të ministrisë në procesin zgjedhor, ndërhyrje që ne e kemi denoncuar, por është njëkohësisht një shkelje e rëndë ligjore që për të cilën anëtarët e Komisionit të Apelit do të mbajnë përgjegjësi penale, pasi do të bëhet edhe denoncimi përkatës nga kandidati, por jemi këtu edhe për të faktuar atë që kemi thënë këto ditë që ministria dhe qeveria është duarbrenda procesit zgjedhor në universitete në rastin e zgjedhjeve për rektorët dhe dekanët. Gjërat janë e zeza mbi të bardhë dhe nuk mund të mohohen.


Denoncim i kreut të Departamentit të Arsimit, Luçiano Boçi, 20 prill 2016

Read More
20 Pri
0

Ndalohet me forca speciale vëllai i kryebashkiakut të Fushë-Arrësit, lirohet pas pak orësh nga Pjerin Ndreu

Pabarazia para ligjit dhe favorizimi i njerëzve të pushtetit. 

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë, që tregon pabarazinë para ligjit, që tregon se nëse je i afërt me pushtetin ke lehtësi, favore dhe del menjëherë nga komisariati.

Dje rreth orës 19.00 në Fushë-Arrës, është ndaluar me forca operacionale, vëllai i kryetarit të Bashkisë, Albert Tuci, person me precedent penal, i dënuar për trafik ndërkombëtar droge me 7 vite burg.

Policia e Fushë-Arrësit nuk ka pasur dijeni, është shmangur nga ky aksion, për shkak të njohjeve dhe lidhjeve që i dyshuari ka në këtë Bashki.

Pasi është mbajtur disa orë më pas në komisariatin e Pukës, Tuci ka fituar lirinë, me ndërhyrjen e deputetit Pjerin Ndreu.

Dhe pas kësaj, një festë e madhe është zhvilluar në lokalin në qendër të Fushe-Arrësit, me dolli pa fund për deputetin Ndreu i cili i hoqi prangat të dyshuarit, vëllait të kryetarit të Bashkisë.

Partia Demokratike e konsideron këtë ndërhyrje të paligjshme të deputetit Ndreu, si dëshmi e dy standardeve, e favorizimit të njerëzve në pushtet.

Ligji nuk vepron ndaj mikut të deputetit, ndaj vëllait të kryetarit të Bashkisë.

Ky ndalim i ligjit para njerëzve të lidhur me pushtetin dhe me deputetët e Edi Ramës, është në fakt oligarkia.

Çdo qytetar pa njohje, pa lidhje, do të ishte mbajtur në burg e do të ishte dënuar, qoftë edhe për një tullë të vënë pa leje.

Ndërsa njeriu i deputetit të Ramës, edhe pse i dyshuar për vepra të rënda, edhe pse i ndaluar me forca speciale, fiton menjëherë lirinë pas ndërhyrjes së oligarkëve.

Partia Demokratike i kërkon prokurorisë të hetojë rastin, e të nxjerrë para përgjegjësisë deputetin e Edi Ramës dhe ata që urdhëruan lirimin e të dyshuarit, vëllait të kryetarit të Bashkisë së Fushe-Arrësit.


Deklaratë e kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, 20 Prill 2016

 

Read More
20 Pri
0

Noka letër Ramës: Të nisë urgjent monitorimi i gjithë territorit të vendit, mbjellja e drogës është shtrirë kudo

Zëvendëskryetari i Komisionit të Sigurisë në Parlament, deputeti Flamur Noka, i ka drejtuar një letër kryeministrit të vendit, ku ngre shqetësimin për të dhënat që tregojnë pesëfishimin e sipërfaqes së mbjellë me cannabis-sativa, shtrirjen e këtij fenomeni në gjithë territorin, si dhe për faktin që grupet kriminale po përdorin një farë të veçantë, vietnameze çka mundëson kryerjen e ciklit të plotë në 45 ditë.

Nisur nga këto të dhëna shqetësuese, Noka, i kërkon kryeministrit të marrë masa e të nisë para kohe misionin e monitorimit nga ajri, përmes policisë italiane sipas marrëveshjes së vitit 2011.

Noka kërkon shtrirjen e monitorimit në të gjithë territorin e vendit, pa kufizim apo paracaktim të itinerarit, dhe publikimin e plotë të të dhenave të përftuara nga ky monitorim. Bashkëngjitur letra e plotë e deputetit të Partisë Demokratike, Flamur Noka.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 20 Prill 2016

Letra e Nokes

Read More
20 Pri
0

Kokëdhima në Kushtetuese, Ristani: Shpresojmë që Rama të mos i bëjë presion gjyqtarëve

Prononcim i Sekretarit të Përgjithshëm pas seancës për mbarimin e mandatit të Kokëdhimës. I gjithë grupi parlamentar i PS në sallë  

Ristani: Ju shihni një etje, veprimtari të ethshme të deputetëve socialistë të cilët janë turrur për të përfituar nga pasuritë publike, në kundërshtim me ligjin. Rasti në fjalë, rasti i Kokëdhimës është një rast i tillë ku deputeti në kundërshtim me kushtetutën, në kundërshtim me nenin 2 dhe 3 të nenit 70 të kushtetutës, ka kryer veprimtari private ndërkohë që e ka të ndaluar duke qenë se ka pasur një funksion publik dhe njëkohësisht ka përfitruar nga fondet publike në më shumë se 150 raste. Unë shpresoj që Gjykata Kushtetuese do të marrë një vendim të drejtë në këtë rast, i cili do të çojë në mbarimin e mandatit të deputetit Kokëdhima duke shpresuar njëkohësisht që gjyqtarët nuk do të jenë marrë në telefon për t’u thënë që do t’u këpusim këmbët si në rastin e gjyqtares së Krujës dhe nga ana tjetër mendoj se e kam të vështirë të besoj që qeveritarët e sotëm nuk do të dërgojnë Shullazët për t’u bërë presion edhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese ashtu siç po bëjnë ndaj kandidateve per rektor të universiteteve, ashtu siç kanë bërë për garat e tyre të brendshme në parti. Sot ishte e çuditshme, fakti që i gjithë grupi parlamentar i PS ishte në seancën e gjykimit, dukej qartë një lloj presioni ndaj Gjykatës. 

Pyetje: Edhe ju kishit deputetët tuaj… 

Ristani: Isha vetëm unë dhe një përfaqësues i grupit parlamentar i cili ka ndjekur ecurinë e kësaj çështjeje. Unë shpresoj shumë që i madhi nuk do të ketë çuar Shullazët për të kërcënuar gjyqtarët e nuk do ti ketë marrë në telefon për t’u thënë që do t’ju pres këmbët. Shpresoj që çështja do të ecë mbarë dhe ne do të vazhdojmë në linjën tonë të dekusarizimit të parlamentit ashtu sikurse kemi arritur disa fitore të vogla, sepse do të vazhdojë akoma dhe më tutje dekriminalizimi i parlamentit dhe jetës politike të vendit.


Njoftim për media e Partisë Demokratike, 20 Prill 2016

 

Read More
19 Pri
0

Basha: Zgjedhjet e lira dhe të ndershme prioritet mbi prioritetet

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot Raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian z.Knut Fleckenstein. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, zbatimi në gërmë dhe frymë i ligjit të dekriminalizimit, lufta kundër korrupsionit dhe ngritja e një sistemi drejtësie të pavarur kanë qenë disa nga temat e diskutuara në takimin mes liderit të opozitës Lulzim Basha dhe eurodeputetit Fleckenstein.

“Tema kryesore e diskutimeve me zotin Fleckenstein ka qenë sfida më urgjente e Shqipërisë dhe shqiptarëve: demokracia, zgjedhjet të cilat po afrojnë dhe nevoja për të punuar së bashku me Bashkimin Europian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të ndërtuar të gjithë garancitë që oligarkia dhe krimi i lidhur me pushtetin të mos cenojnë votën e shqiptarëve.

Në këtë kuadër, Partia Demokratike ka hartuar një platformë së bashku me aleatët mbështetur mbi parime dhe mbi zgjidhje europiane të cilat do të mundësojnë që vota e shqiptarëve të mos preket, që shqiptarët të votojnë të lirë, të paintimiduar. Kjo platformë do të mundësojë sprapsjen dhe çmontimin e dy problemeve kryesore në zgjedhjet shqiptare nën qeverisjen Rama-Meta që janë shitblerja masive e votës dhe influenca e krimit, përdorimi i kontingjentit kriminal, jo vetëm si kandidat por edhe si kontingjente intimiduese të qytetarëve dhe administratës zgjedhore.

Ashtu sikundër edhe në Uashington me personalitetet më të larta të administratës dhe ligjvënësve amerikanë edhe me zotin Kukan dhe personalitete të tjera të Parlamentit Europian dhe të Komisionit Europian, çështja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është kthyer fuqimisht në fokusin e tyre, si një çështje urgjente me të cilën Brukseli dhe Uashingtoni po merren dhe përmes të cilës do të mbështesin përpjekjet e opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme,”- theksoi zoti Basha.

Dekriminalizimi ishte një tjetër çështje e diskutuar në takimin Basha –Fleckenstein. Zoti Basha ka shprehur shqetësimin  e emërimit si koordinatorë të PS të personave me të shkuar kriminale. Është e domosdoshme, theksoi kryetari i Partisë Demokratike largimi i kriminelëve jo thjesht nga institucioni por edhe nga infrastruktura politike e vendit.

“Zbatimi i ligjit të dekriminalizimit dhe më tej zbatimi i dekriminalizimit në frymë, pra largimi i kriminelëve jo thjesht nga institucioni por edhe nga infrastruktura politike e vendit, ku për fat të keq sot ata kanë një influencë të jashtëzakonshme.

Siç janë rastet e emërimit të kriminelëve me damkë si koordinatorë të Partisë Socialiste në shumë degë të Partisë Socialiste në Shqipëri. Siç është rasti flagrant i Emiliano Shullazit, këtij banditi me nam, lordit kryesor të drogës në Shqipëri, kërcënuesit të bizneseve, të qytetarëve, gjobëvënësit, i cili e ka ushtruar këtë aktivitet pikërisht për shkak të mbështetjes së drejtpërdrejtë që ka marrë nga qeveria e Edi Ramës dhe në veçanti nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Dhe në këtë kuadër padyshim arrestimi i tij mund të jetë një pikë kthimi. Mes 1001 përpjekjeve të një grupi prokurorësh me integritet për të luftuar krimin dhe lidhjet politike, duket se lidhjet politike ia kanë dalë të sprapsin hetimet. Shpresoj që kjo të jetë një pikë e fuqishme kthese në këtë drejtim pavarësisht prej përpjekjeve të lidhjeve politike të Emiliano Shullazit. Një test i monitoruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Bashkimi Europian, që të shërbejë në të vërtetë si hapi i parë kuptimplotë, rezultati i parë i reformës në drejtësi.

Unë e shoh si një sfidë që shpirti i reformës në drejtësi të fillojë të japë rezultatet edhe pa u miratuar paketa ligjore. Dhe në fakt kjo ka rëndësi sepse paketa ligjore është një copë letër e vdekur në qoftë se nuk ka rezultate në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.”

Korrupsioni i shtrirë në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe që ditë për ditë po rëndon më shumë mbi ekonominë e çdo familje shqiptare ishte çështje e diskutuar në takimin mes liderit të opozitës Lulzim Basha dhe eurodeputetit Knut Fleckenstein. Zoti Basha, ndërsa ka theksuar se vitin e shkuar fatura e korrupsionit arriti në 1 miliard euro, theksoi se edhe këtë vit janë miliona euro që po iu merren shqiptarëve. Për këtë, zoti Basha bëri të ditur se do të informojë qytetarët në detaje.

“Krimi dhe korrupsioni kanë faturën e tyre dhe kjo faturë nuk është thjesht politike por është financiare. 1 miliard euro është fatura e korrupsionit qeveritar vitin e kaluar. Një faturë e tmerrshme financiare po paguhet nga shqiptarët këto tre muajt e parë të këtij viti, për të cilin shpresoj të kem rastin t’ju informoj së shpejti përmes një materiali të detajuar që është përgatitur nga Partia Demokratike dhe që do të pasqyrojë para shqiptarëve me shifra, me emra, me fakte të pakundërshtueshme gjakpirjen që një grup oligarkësh të lidhur me qeverinë e korruptuar shqiptare po ju bëjnë qytetarëve shqiptarë në këtë kohë krize. Duke ju vjedhur edhe në këto tre muaj të parë të këtij viti miliona euro përmes tenderave me negocim dhe pa konkurrencë, përmes tenderave korruptivë dhe koncensione korruptive, duke shkatërruar më tej sistemin shëndetësor, duke eliminuar shanset e ekonomisë për rigjallërim, duke shkatërruar vende pune dhe duke kredhur në një mjerim dhe varfëri të mëtejshme Shqipërinë dhe shqiptarët”.

Ndonëse Fleckenstein i përket një spektri tjetër politik nga zoti Basha kjo nuk e ka penguar kryetarin e Partisë Demokratike t’i paraqesë platformën e demokratëve për nxjerrjen e vendit nga kriza, për tu mundësuar qytetarëve shqiptarë zhvillim dhe punësim.

“PD nuk ka vetëm një angazhim të qartë, të fortë dhe të vendosur për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por edhe një angazhim për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Dhe padyshim ndonëse i përket spektrit tjetër politik me zotin Fleckenstein, Raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian ndava edhe pikëpamjet tona, platformën tonë për ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike si hapi i parë, nga kriza “Rama”. Dhe së dyti, për të siguruar nxjerrjen e Shqipërisë nga varfëria, rivitalizimin e ekonomisë shqiptare përmes platformës tonë, përmes taksave të ulëta, luftës kundër korrupsionit, luftës kundër krimit dhe rigjallërimit të portofoleve të investimeve publike që hapin vende pune dhe vende pune me paga më të mira për shqiptarët”.


Njoftim per shtyp i Partisë Demokratike, 19 Prill 2016

Read More
19 Pri
0

Spitalet s’kanë ilaçe, qytetarët nuk i blejnë dot, Rama-Beqaj ndajnë milionat e shëndetësisë çdo muaj

Epidemia më e rrezikshme sot në vend, është mungesa e ilaçeve, sidomos për sëmundjet e rënda, çfarë po vë në rrezik jetën e qytetarëve, ndërkohë që 340 milionë euro Edi Rama dhe Ilir Beqa kanë ndarë me miqtë e tyre, ndërkohë që qindra milionë lekë jepen çdo muaj për Vilmën, e megjithatë, medikamente nuk ka.

Fondi për shëndetin po vidhet çdo ditë, dhe Ilir Beqaj injoron thirrjet për ndihmë të pacientëve dhe familjarëve të tyre.

Në spitalin Onkologjik, edhe pas denoncimeve të pacientëve, vizitës së deputeteve te PD te Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, gjendja është katastrofike. Akseleratori linear nuk është vënë në funksionim ende. Njëra prej aparaturave të kobaltit nuk e ka burimin e energjisë të përshtatshëm e nuk funksionon ashtu siç duhet. Ilaçet mungojnë. Në pjesën më të madhe të rasteve, qytetarët nuk e përballojnë dot faturën e kripur të këtyre medikamenteve të shtrenjta që duhet ti marrin nëpër farmaci. E në këto raste, jo vetëm shëndeti por edhe jeta e tyre është në rrezik çdo ditë.

Për ta përditësuar kampionin e korrupsionit, po ju sjellim disa dëshmi, të publikuara ditët e fundit në gazetën Shendet Plus.

–         Qerimi nga Kukësi, i papunë ka dy fëmijë hemofilik, një djalë 10 vjeç dhe një vajzë 12 vjeç. Ai thotë se në QSUT nuk ka ilaçe, mungon prej kohësh faktori VIII. Mungesa e mjekimit të pështatshëm shkakton hemorragji dhe jeta e fëmijëve është në rrezik.

http://shendeti.com.al/hemofilia-femijet-ne-lufte-per-jeten-familjaret-ne-lufte-per-te-ardhurat/

–         Xhuljana 18 vjeç nga Pogradeci. Trajtohet tek Onkologjiku. Ajo dëshmon se nuk po e bën dot kurimin sepse në spital nuk ka medikamente. Në Farmaci janë shumë shtrenjtë dhe familja e saj nuk i përballon dot.

http://shendeti.com.al/18-vjecarja-me-kancer-nuk-kemi-mundesi-te-blejme-ilacet/

–         Dituria, një grua e shtruar tek Hematologjia thotë se i blen vetë ilaçet. Por ai i duhuri, Velkadi, kushton miliona dhe ajo nuk e përballon dot.

http://shendeti.com.al/skandali-sherbimi-i-hematologjise-ilacet-futen-kontrabande-ne-rrezik-jeta-e-pacienteve/

Ndërkohë, tek Infektivi në QSUT, mungon prej javësh çdo preparat për trajtimin e të sëmurëve me HIV-AIDS.

Tek Trauma mungon çdo gjë. Barnat i blejnë vetë pacientët, analizat duhet të bëhen tek privati, protezat duhet t’i sigurojnë vetë ku më e lira kushton 800 euro.

Akoma më e rëndë është gjendja në spitalet bashkiake dhe rajonale në gjithë Shqipërinë.

Mungesa e ilaçeve është kriza më e madhe që po vuajnë qytetarët, të sëmurët dhe familjarët e tyre.

Por një tjetër shqetësim i madh, është futja e ilaceve kontrabandë, të pakontrolluar. Tregu farmaceutik është kapur nga,”koordinatori i korrupsionit  Beqaj” .

Për shkak të politikave klienteliste, Glaxo dhe Actavis janë larguar nga Shqipëria. Jo vetëm në çdo spital, por dhe në farmaci mungojnë çdo ditë barna, edhe ato jetike.

Ndryshimet klienteliste të ligjit të barnave në Shqipëri, i hapën rrugë barnave të falsifikuara dhe atyre kontrabandë dhe të skaduara. Cilësia e barnave nuk është e garantuar. Në datën 7 mars në një seancë degjimi në Komisionin e Jashtëm, Beqaj u detyrua të pranojë se në treg ka barna të falsifikuara, në përpjekje për të shpëtuar nga ndjekja penale.

Me Konventën Medicrime dhe në ndryshimet në Kodin Penal, lejimi i ilaçeve kontrabandë konsiderohet krim, neni 284-d që parashikon deri në 5 vjet burg.

Partia Demokratike bën përgjegjës për këtë krim Edi ‎Ramën dhe Ilir Beqën.

Ndaj i bëjmë përsëri thirrje prokurorise të përparojë me hetimet për të ndalur këtë krim të tmerrshëm në shëndetësi.


 Deklaratë e deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi, 19 prill 2016

Read More