Blog

01 Mar
0

Veliaj thellon paligjshmërinë, ndërton pa leje në zemër të Tiranës

Pas ndërtimin të paligjshëm në Parkun e liqenit, Erion Veliaj kapet sërish në shkelje të ligjit. Këshilltarët demokratë në Bashkinë e Tiranës denoncuan sot standardin e dyfishtë të kryetarit Erion Veliaj. Në qendër të qytetit dhe pranë bulevardit qendror të Tiranës, po ndërtohet pa asnjë transparencë apo konsultë me qytetarët. Këshilltari Mateo Spaho u shpreh se kj​o zonë është e mbrojtur me ligj ndërkohë që nuk ka asnjë leje ndërtimi ndërkohë nuk dihet se çpo ndërtohet në këtë zonë. Spaho tha se Bashkia e Tiranës po vepron me standard të dyfishtë pasi qytetarët e thjeshtë po burgosen e gjobitën rëndë kur rregullojnë shtëpitë e tyre.

 

“Jemi sot këtu për të denoncuar një tjetër paligjshmëri të Bashkisë së Tiranës. Pikë së pari, ndërtimi që po shohim nga pas është një ndërtim pa leje, i pakonsultuar me qytetarët e Tiranës dhe nuk dihet se si do të jetë në fund. Ndërkohë që sot qytetarët e Tiranës kërkojnë të ndërtojnë shtëpitë e tyre, ti përmirësojnë ato, për këto ata rrezikojnë të shkojnë në burg ose të marrin gjoba të mëdha. Kryetari i Bashkisë së Tiranës i lejon vetes dhe merr guximin të bëjë punime tërësisht pa leje. Nëse vetë institucionet shqiptare, në rastin konkret Bashkia e Tiranës, bën punime pa leje me çfarë fytyre u kërkon qytetarëve të Tiranës që të zbatojnë ligjet dhe rregulloret e territorit. Pra është komplet një ndërhyrje pa asnjë lloj konsultimi me qytetarët dhe kundër të gjitha ligjeve dhe rregulloreve duke marrë parasysh që është edhe një territor i mbrojtur dhe zonë e mbrojtur”, tha Spaho.

 

Kreu i këshilltarëve të djathtë, Leonard Olli akuzoi kryetarin Erion Veliaj se po shkel ligjin e ndërkohë propagandon punë të bashkisë. Ai u shpreh se ky ndërtim është abuzim në të njëjtën formë si ndërtimi në parkun e Liqenit Artificial.

 

“Siç e theksoi edhe z Spaho, tashmë standardi i dyfishtë në qeverisjen e vendit në atë qendror dhe lokal po shfaqet frikshëm nga dita në ditë. Jemi para një paligjshmërie absolute sepse përtej faktit që kemi të bëjmë me një zonë të mbrojtur të paktën me ligjet e Republikës së Shqipërisë dhe jo Republikës Popullore të Shqipërisë siç duan ta shndërrojnë këtë vend Erion Veliaj dhe Edi Rama, nuk mund të ndërhyhet pa pasur një projekt, nuk mund të ndërhyhet pa pasur një leje ndërtimi. Sikundër e vini re, tashmë ky standard i dyfishtë operon sa tek betozinimi i liqenit të Tiranës sa tek ndërhyrja, tek vendi që po shihni konkretisht në qendër të Tiranës. Kjo është një zonë e mbrojtur dhe ndërkohë këto ndërhyrje fasade që janë thjeshtë e vetëm për të justifikuar gjasme “vrullin” e madh për të bërë më të mirë Tiranën. Nëse do të bëni një levizje në të gjithë periferinë e Tiranës do të shikoni punë dhe objekte të filluara të ndërprera në mes dhe banorët të lënë mëshirë të fatit. Zona të tëra si tek Kodra e Priftit ku janë bërë punime apo ndërhyrje, ku janë shembur pa leje shtëpi e oborre, tashmë janë braktisur në mëshirë të fatit. Dhe rendin dhe pararendin sikundër spekulojnë në mënyrën më të turpshme në emër të fëmijëve, tashmë po spekolojnë në mënyrën më të turpshme në emër të ndërtimit të Tiranës. Tirana nuk ka nevojë të rindërtohet. Tirana ka nevojë të kujdesesh për të por mbi të gjitha Tirana ka nevojë që para se ta prekësh atë të respektosh ligjet që ke firmosur dhe nënshkruar me dorën tënde”, tha Olli.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 1 Mars 2016

Read More
29 Shk
0

Komisioni i Venecias pranoi shqetësimet e ngritura nga opozita për reformën në drejtësi

Prononcim për mediat i deputetit Eduard Halimi

Me kryetarin Basha sapo patëm një takim me ambasadorin e Sh.B.A-së dhe shefin e OPDAT të cilët na dorëzuan draft-opinionin e Komisionit të Venecias, draft-opinionit final, të dytin pas atij të dhjetorit. Na e dorëzuan në të dyja gjuhët dhe nga sot ai draft-opinion është i publikuar edhe në faqen zyrtare të misionit EURALIUS, të misionit të BE-së për ti dhënë fund çdo dyshimi apo keqinterpretimi që mund të jetë bërë këtyre ditëve. Partia Demokratike është e inkurajuar nga pranimi që Komisioni i Venecias i bën shqetësimeve që ka ngritur opozita që në fillim për draftin e parë të Ramës, për kapjen politike të sistemit të drejtësisë. Shqetësime të cilat adresohen pothuajse në të gjitha paragrafet e draft-opinionit të Komisionit të Venecias. Ky draft-opinion i cili është bërë publik sot dhe është shpërndarë në media, gjen të gjitha shqetësimet e opozitës në lidhje me kapjen e drejtësisë. Sigurisht aty ka çështje të cilat duhet ti nënshtrohen një dialogu politik dhe është detyrë e qeverisë dhe mazhorancës që të krijojë kushtet për dialog politik i cili ti japë zgjidhje të gjitha çështjeve për të cilat komisioni i Venecias flet qartë për nevojën e domosdoshme të një dialogu politik në çështjet e miratimit të ndryshimeve kushtetuese. Sot del e qartë se kush ishte ai që ishte kundër një dialogu politik, i cili ishte Edi Rama, që në fillim në një mënyrë të njëanshme e hartoi draftin, shkoi në Komisionin e Venecias, iu rrëzua herën e parë, dhe vijmë  sërish sot duke rrëzuar Komisioni i Venecias skemën e kapjes politike të sistemit të drejtësisë prej tij. Të gjithë qytetarët duan një sistem drejtësie më të mirë dhe kjo është shumë e kuptueshme për çdo qytetar ashtu siç është e qartë se sistemi i drejtësisë nuk mund ti besohet qeverisë, ekzekutivit, aq më shumë një qeverie dhe një mazhorance kleptokratike si kjo. Ky është një parim dhe një standard që Komisioni i Venecias e vendos në top listën e vet. Ndaj është detyrë e mazhorancës dhe e qeverisë të krijojë kushtet për një dialog politik, për të cilin komisioni i Venecias flet qartë. Se kur do t’i krijojë kushtet qeveria për dialog politik kjo i mbetet detyrë dhe në dorë qeverisë për ta bërë.

Pyetje: Z Halimi, a e kushtëzon miratimin e reformës në Drejtësi marrdhënia e kushtëzuar e Partisë Demokratike me Parlamentin?

Halimi: Edhe njëherë them që i takon qeverisë dhe maxhorancës që të krijojë kushtet për një dialog politik. Sepse dialogu politik është e vetmja mënyrë për të hartuar dhe miratuar ndryshimet kushtetuese siç thotë e zeza mbi të bardhë Komisioni i Venecias. Kush e lexon ndryshe bën gabim dhe është kundër reformës. 

Pyetje: Çarë thotë Venecia për emërimet në Drejtësi me shembujt që jepen?

Halimi: Unë thashë që PD është e inkurajuar nga të gjitha çështjet që ajo ka ngritur dhe shqetësimi i PD që në fillim ka qënë kapja politike e sistemit të drejtësisë. Po ta lexoni ju sot draftin që është publikuar, do të gjeni në çdo paragraf, se Komisioni i Venecias flet qartë për kapjen, flet qartë se si emërimi vetëm nga maxhoranca i drejtuesve të sistemit të drejtësisë është dhe ka premisat e qarta për një kapje politike dhe për Komisionin e Venecias kjo është e papranueshme. Ne e kemi thënë dhe kërkuar që në fillim që draftet të bëheshin në mënyrë të përbashkët që të mos humbim kohë dhe tw vijmë përsëri në një stad ku kemi qënë muaj përpara. Reforma në drejtësi dhe ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen me dialog dhe me konsensus mes palëve dhe jo me arrogancë. Ndaj e theksoj që është detyrë e qeverisë të krijojë kushtet për dialog. 

Pyetje: Cila janë konkretisht këto kushte?

Halimi: të gjitha ato që PD i ka shpallur gjatë ditës së sotme. 

Pyetje: z.Halimi, a ka rënë apo qendron modeli i qeverisë për Byronë Kombëtare të Hetimit në opinionin e Venecias?

Halimi: Në opinionin e Venecias flitet qartë që byro hetimi nën qeverinë nuk mund të ketë kurrë dhe jo më nën një qeveri kleptokratike si kjo që ne kemi sot. Ju i keni parë rastet se si parlamenti është inkriminuar, dhe mënyren se si vetë Edi Rama po i fsheh drejtësisë deputetët, qoftë kur ata gjuajnë me armë qoftë kur i gjuajnë opozitës, qoftë edhe kur ata marrin fonde publike. Ka qënë Edi Rama që i ka fshehur nga Drejtësia dhe nuk mund të imagjinohet. Eshtë e paimagjinueshme se si Byroja e Hetimit, struktura që do të hetojë zyrtarët e lartë, ministrat e Edi Ramës, të varet nga Edi Rama. Komisioni i Venecias edhe këtë e ka thënë qartë që Byro hetimi nën qeveri nuk mund të ketë.

Pyetje: A ka pasur kontakt mes palëve për çështje të papranueshme?

Halimi: Mendoj që në ditët në vijim do të ketë një edhe takim me ekspertët e Partisë Demokratike për të analizuar të gjithë draftin e sjellë nga Komisioni i Venecias dhe do të kemi komunikime të tjera ligjur me çështjet. 

Pyetje: A i premtuat ambasadorit se do ta votoni reformën në drejtësi?

Halimi: Amabasadori na dorëzoi draftin dhe ne jemi shumë të inkurajuar nga mbështjetja që ambasadori amerikan i ka bërë shqetësimeve të opozitës si dhe për mbështetjen e shqetësimeve të opozitës që u konfirmuan nga Komisioni i Venecias në draftin përfundimtar. 

Pyetje: Pra do ta votoni sipas Venecias?

Halimi: Do ta  votojmë reformën vetëm sipas një rruge që është Komisioni i Venecias dhe ky komision thotë dialog politik. Detyra për të krijuar kushtet për një dialog politik i takon qeverisë.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 29 Shkurt 2016

Read More
29 Shk
0

PD dërgon në Kushtetuese ligjin e qeverisë për pronat: Eshtë shpronësim i ri

Partia Demokratike depozitoi sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqimin e ligjit të qeverisë për pronat.

Partia Demokratike vlerëson se ky ligj i qeverisë cënon të drejtën themelore të njeriut që është prona, dhe heq sigurinë juridike.

Për PD, ky ligj është një shpronësim i ri që u bëhet pronarëve.

Deputetët Jorida Tabaku dhe Oerd Bylykbashi u shprehën për mediat pas dorëzimit në Kushtetuese të kërkesës.

“Ka disa elemente që ne gjatë gjithë kësaj kohe i kemi ngritur si shqetësime për faktin se ky ligj është antikushtetues. Së pari ligji merr dhe vlerëson pronën në bazë të vendimit të momentit të shpronësimit të saj duke cënuar një parim shumë të rëndësishëm, të sigurisë juridike.

Ligji bazuar njëkohësisht dhe mbi parimet ndërkombëtare të pranuara dhe nga vendimet e dhëna nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe vendimet e Gjykatës së Strasburgut, bie ndesh pikërisht me një sërë vendimesh të dhëna kohët e fundit, por cënon dhe parimin e barazisë para ligjit që do të thotë të gjitha vendimet e reja që dalin nga komisioni janë në mënyrë logjike me vlerë shumë më të vogël se prona që u është njohur qytetarëve të tjerë pas vendimeve të dhëna nga gjykata e Strasburgut.

Ne në fakt kemi mbledhur gjatë gjithë kësaj kohe mendimet e grupeve të interesit duke gjykuar që prona është një nga të drejtat bazë themelore të njeriut dhe duke gjykuar që ky ligj vetëm do ta vonojë procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave sepse ky ligj në vetvete nuk e njeh procesin e njohjes, nuk e njeh pronën si një koncept por kalon thjesht direkt në kthimin dhe kompensimin e saj. Sigurisht që, ligji ka dhe elemente të cilët në mendojmë se janë shumë të dëmshëm duke kaluar në rastin kur një individ heq dorë në mënyrë vullnetare nga e drejta e tij që është e drejtë e bazuar në Kushtetutë, e drejta themelore e njeriut, e drejta e pronës, nëse ai do të marrë një pjesë të shpërmblimit. Këto janë disa nga elementet kryesore për të cilën ne sot e kemi sjellë ligjin në Gjykatë Kushtetuese dhe i shtohet argumenteve të sjella nga grupet e tjera të interesit duke shpresuar që Gjykata Kushtetuese të japë një vendim të drejtë për këtë çështje”, tha Jorida Tabaku.

“Besoj që çështja që duhet të fokusojmë qartë ne si Parti Demokratike është që për ne ish-pronarët janë një shtyllë identiteti e PD, elektorat i PD, ne nuk mund të pranojmë në asnjë mënyrë, e ndaj jemi këtu përpara Gjykatës Kushtetuese, që me këtë ligj të mos ndodhë diçka e papranueshme, rishpronësimi i pronarëve. Cënimi i drejtpërdrejt i parimit kushtetues i të drejtës së pronës nëpërmjet këtij ligji është flagrant. Pronarët rishpronësohen dhe ne, këtë, nuk do ta lejojmë në asnjë moment. Gjithashtu, një element shumë thelbësor për ne është fakti që cenohet siguria juridike dhe barazia përpara ligjit, siguria juridike e të gjithë ish-pronarëve. Tashmë kjo qeveri me këtë ligj ato dhjetëra mijëra vendime që pronarët kanë sot nëpër duar, ua djeg në duar pronën. Ua heq edhe atë copë letër që ata arritën ta fitonin si një të drejtë. Qeveria sot ia kthen në një letër pa vlerë në mos ia djeg fare. Ne e kemi bërë shumë të qartë në emër të Partisë Demokratike në parlament dhe sot jemi për të konfirmuar këtë qëndrim se ky ligj në çdo mënyrë do të shfuqizohet. Vullneti i Partisë Demokratike është që në momentin më të pare, çdo element që bie ndesh me pronat e ish-pronarëve, ai moment të shfuqizohet për rrjedhojë pronarëve t’u garantohet e drejta.

Unë besoj se është shumë e qartë për Gjykatën Kushtetuese bazuar edhe mbi çka marrë vendime edhe më parë. Nuk mund të flas asgjë se ç’mund të jetë presioni që do të bëjë qeveria në çdo rast, ky ligj nuk mund t’i qëndrojë kësaj Gjykate. Në çdo ligj që kërkon shumicë të thjeshtë ne do ta shfuqizojmë dhe do të miratojmë një ligj që të jetë plotësisht, 100 përqind në favor të ish-pronarëve”, tha Oerd Bylykbashi.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 29 Shkurt 2016

 

KERKESE GJYKATES KUSHTETUESE PER LIGJIN E PRONAVE

 

 

Read More
29 Shk
0

Basha: Të bashkuar në misionin tonë për largimin e regjimit kleptokrat dhe të inkriminuar të Edi Ramës dhe Ilir Metës

Mblidhet tryeza opozitare

Konkluzionet e tryezës: 1) Institucionalizimi i tryezës opozitare

2)  Zbatimi i dekriminalizimit të politikës si prioritet i të gjithë prioriteteve në Shqipëri

3) Garantimi i një procesi zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe demokratik 

Prononcimi i plotë i kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha pas tryezës opozitare

Pyetje: Zoti Basha morët ndonjë vendim pas takimit me aleatët?

Basha: Tre vendime kryesore të tryezës së opozitës dua tua komunikoj sot në emër të gjithë kryetarëve dhe përfaqësuesve të forcave opozitare.

Së pari, vendimin për të institucionalizuar tryezën e opozitës duke i paraprirë kështu proceseve të rëndësishme si organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, dhe platformës politike që do të shpalosim para gjithë qytetarëve shqiptarë.

Së dyti, unifikimin e qëndrimit për dekriminalizimin e politikës. Zbatimin e ligjit të dekriminalizimit si një domosdoshmëri urgjente për stabilitetin politik të Shqipërisë në kushtet kur personat me rekorde të tmerrshme kriminale dhe banditët e armatosur me mandat deputeti në gjirin e mazhorancës përbëjnë një rrezik të përditshëm për shëndetin dhe jetën e qytetarëve, dhe po përdoren si “azapë” për t’iu kundërvënë opozitës politike të vendit.

Siç ishte rasti i djeshëm i rrahjes barbare dhe kërcënimit me jetë të kryetarit të Partisë Demokratike në Peqin nga deputeti i mazhorancës Aqif Rakipi.

Siç është rasti i pardjeshëm, sulmi me armë zjarri ndaj aktivistëve të Partisë Demokratike në Ersekë nga një prej krerëve të Partisë Socialiste dhe mbajtja e fshehtë e kësaj ngjarje deri në denoncimin tonë.

Siç janë rastet e panumërta të cilat kanë një fill përbashkues, Edi Ramën i cili pavarësisht prej ligjit për dekriminalizimin vazhdon të mbetet inspiruesi, frymëzuesi i dhunës politike kundër opozitës nga personat me rekorde kriminale me të cilët ka ardhur në pushtet.

Aleanca e Krimit ka sot përballë një Aleancë Opozitare që vjen duke u zgjeruar dhe që e ka theksuar dhe e thekson dekriminalizimin si prioritetin numër një, prioritetin absolut të Shqipërisë dhe shqiptarëve sot. Prioritetin e gjithë prioriteteve. Të ndjekur nga prioriteti tjetër, ai i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Sot opozita shqiptare, faktori opozitar i përbërë nga gjithë partitë politike të opozitës, formalisht pjesë e këtij koalicioni, të tjerë me të cilët jemi në dialog dhe bashkëpunim të vazhdueshëm dhe që presim të jenë pjesë e këtij koalicioni, rakordohen në një qëndrim të përbashkët të përbërë nga disa propozime kryesore për të siguruar zgjedhjet të lira dhe të ndershme në Shqipëri.

Për të eliminuar të gjitha premisat për kërcënimin e votuesve, për presionin dhe shantazhin e votuesve, për shit-blerjen e votës së votuesve shqiptarë, për shtrembërimin e vullnetit të tyre përmes vjedhjes së votave në procesin e numërimit. Dhe në këtë kuadër kemi dalë me propozime konkrete të cilat do t’i parashtrojmë në formatin politik të dialogut me maxhorancën formale. Si dhe procesin e financimit të fushatës dhe procesin e aksesit mediatik, elementët e aksesit mediatik të opozitës dhe të gjitha partive politike në fushatë.

Ne kemi propozime konkrete të cilat sot mbajnë vulën dhe firmën e çdo partie politike pjesëtare e koalicionit opozitar. Dhe më lejoni të them edhe të partive të tjera të cilat ndihet dhe janë në opozitë me qeverisjen dhe janë në proces të afrimit të koalicionit opozitar të drejtuar nga Partia demokratike.

Këto janë tre konkluzionet: Institucionalizimi i tryezës opozitare. Zbatimi i dekriminalizimit si prioritet i të gjithë prioriteteve në Shqipëri, pra dekriminalizimi i politikës.  Garantimi i një procesi të lirë, të ndershëm dhe demokratik zgjedhor, për t’i paraprirë çdo diskutimi tjetër që mund të ketë të bëjë me modelin, që të garantojë një përfaqësim sa më të denjë të votës së shqiptarëve në parlamentin e ardhshëm të shqiptarëve.

Reforma në drejtësi nuk ishte si temë?

Basha: Është diskutuar padyshim. Është një ndër prioritetet. Por siç ju thashë dekriminalizimi, zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë prioritetet kryesore të theksuara sot në tryezën e opozitës.

Zoti Basha keni një koment në lidhje me opinionin e Komisionit të Venecias?

Basha: Do të kemi takime brenda Partisë Demokratike  dhe me partnerët në orët dhe në ditët në vijim dhe padyshim që do të kemi qëndrimet tona. Përveç atij që është bërë i ditur para dy ditësh përmes një analizë paraprake të dokumentit nga ekspertët tanë.

Nuk ju duket se ka urgjencë për miratimin e reformës?

Basha: Nuk dua ta kthej këtë në një konferencë për shtyp me shumë tema apo pika të rendit të ditës. Ky është një komunikim të cilin e bëj në emër të të gjithë kolegëve të koalicionit opozitar. Koalicioni opozitar ka marrë përsipër një detyrë shumë të vështirë në një ’97 pa plumba, në një Shqipëri të zotëruar nga krimi jashtë dhe brenda Parlamentit. Unë dua falënderoj kolegët e mi, kryetarët e partive opozitare për një diskutim të frytshëm dhe konstruktiv, dhe të bashkëndajë me shqiptarët vendosmërinë tonë për të çliruar Shqipërinë nga ky regjim kleptokrat dhe i inkriminuar.

Aleanca Demokratike dhe FRD-ja janë në bisedime me ju?

Basha: Jemi në proces dialogu të hapur dhe jam shumë i bindur dhe me shumë besim se partitë të tjera të cilat e shohin veten në opozitë me regjimin e inkriminuar dhe kleptokrat të Edi Ramës dhe Ilir Metës po vijnë dhe do të vijnë në koalicioni tonë.

Faleminderit!


 

Njoftim për media i Partisë Demokratike, 29 Shkurt 2016

Read More
29 Shk
0

Shteti nuk ekziston në Tropojë, varfëria ka shkuar në skaj

Deputetja Hajdarmataj denoncon mungesën e fondeve dhe të projekteve për familjet në skamje. 

Deputetja e Tropojës Mimoza Hajdarmataj, vizitoi familjet në nevojë të fshatrave, Bujan, Margegaj, Kërnajë, Llugan dhe Komuna Tropojë. Ajo tha se gjendja e shumë famijeve tropojane është në një mjerim të paimagjinueshëm, ndërkohë që një pjesë e tyre jetojnë dhe në banesa të dëmtuara rëndë.

Në familjen Toska, ku është djegur banesa dhe jetojnë në një dhomë, në varfëri  10 anëtarët e saj, kryefamiljari, Agimi shprehet se nuk ka marrë as edhe mbështetjen më të vogël nga emergjencat civile.

Në familje të tjera, deputetja Hajdarmataj u përball me dëshpërimin e kryefamiljareve , të divorcuara ose me bashkëshortë që kanë humbur jetën, të cilat përballojnë rritjen e fëmijëve, në kushtet e të papunësisë dhe pa asistencë sociale.

Deputetja Hajdarmataj tha se vazhdimisht i bën apelit Shërbimit Social dhe Emergjencave civile për të ardhur dhe për të parë nga afër skamjen ekstreme të qindra familjeve në fshatrat e Tropojës, por dhe brenda në qytetin e Bajram Currit.

“Këtu shteti është prezent vetëm përmes  ekraneve televizive. Bashkia ka fonde të parëpfillshme për ti ardhur në ndihmë një kategorie të madhe të njerëzve të varfër në Tropojës. Me reformën territoriale, pushteti lokal jo vetëm nuk ka fituar pavarësinë por i janë cunguar edhe më shumë fondet nga qeverisja qendore”, tha Hajdarmataj.

“Në Tropojë në mbi 2 vite e gjysëm qeveria nuk ka asnjë nisëm apo program konkret për të ulur varfërinë dhe mungesën e shpresës. Ministritë e Çështjeve Sociale dhe të Arsimit flasin për shkolla profesionale dhe punësim në profesione të lira, por Tropoja nuk ka as edhe një punishte fasonësh, agrobiznesi, apo industri minerare që të punësojë të rinj, burra dhe gratë. Ndërkohë çmimet e larta të energjisë dhe taksat e kanë bërë  të pamundur  ekzistencën e bizneseve në Veri dhe Verilindje të vendit”, shtoi Hajdarmataj.

Me mbështetjen e Fondacionit të Katarit u shpërndanë  pako ushqimesh tek afro 100 familje në varferi të plotë, mes të cilëve dhe të moshuarve në vetmi.


 

Njoftim për media i Partisë Demokratike, 29 Shkurt 2016

Read More
29 Shk
0

Përfaqësuesit e PD në terren me biznesin e vogël, taksat Veliaj po sjellin rrënimin e tyre

Tregtarët e vegjël ankohen për taksat e rritura dhe tarifat e larta. Në prag të falimentimit

 

Përfaqësues të Partisë Demokratike, deputetë, anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës, pjestarë të departamenteve, kanë pasur takime në terren me biznesin e vogël, në lidhje me 10 fishimin e taksave që ka bërë Veliaj, shtimin e taksave dhe tarifave të reja, çka ka sjellë një atmosferë krize dhë rrënimi.

Anëtarja e Këshillit Bashkiak, Ariana Çela në komunikimin me bizneset e vogla të njësisë 4 në Tiranë, u shpjegoi atyre çfare ka ndodhur konkretisht.

“Ne kemi bërë përpjekje shumë të madhe për të mos miratuar paketën që solli Veliaj për të rrritur taksat e biznesit të vogël se kemi qenë të bindur që taksat kanë qenë të papërballueshme për tu paguar nga ju. Për fat të keq bëhet fjalë për një paketë fiskale që ka mundësuar rritjen e taksës së ndërtesës dhe këtu në këtë dokument keni të shpjeguar si kanë qenë dhe sa janë bërë.

-Sipërfaqja e dyqanit për metër katror nga 280 lekë që ka qenë për metër katror është bërë 440 lekë për metër katror.

-Tarifa e pastrimit nga 100 mijë lekë të vjetra është bërë 200 mijë lek të vjetra.

-Eshtë shtuar dhe një tarifë e re për infrastrukturën arsimore 18 mijë lekë si familjarë, sikurse 40 mijë lekë të reja për biznesin e vogël. Nuk e di a jeni në dijeni të këtyre tarifave, e rritjes së taksave. Ne jemi shprehur kundër dhe në datën 30 Dhjetor kur kaloi dhe tani kemi kërkuar rishqyrtim të tyre”, u shpreh zonja Çela.

Tregtarët e vegjël thanë se janë kundër këtyre masave dhe taksave dhe u shprehën se pavarësisht, askush nuk e bën pastrimin në zonën e tyre.

“Për taksën e arsimit, po ne që s’kemi shkollë këtu pse do paguajmë, me çfarë të paguajmë? Çfarë të them? Bravo u qoftë atyre dhe mua që luftova për ata. Në rregull. Se unë jam e majtë dhe votova për ta”, u shpreh një tregtare.

“Ngarkesa është shumë e madhe. Unë  të garantoj që rezistenca jonë nuk do kursehet. Në mënyrë absolute ne kemi kërkuar e do të vazhdojmë të kërkojmë që ai të risjellë taksat në këshill për ti ulur taksat aty ku ishin. Por nuk mjafton vetëm angazhimi ynë, duhet dhe angazhimi i gjithësecilit, i çdo biznesi”, tha Çela.

“E dini ju qe perveç rritjes së taksave është shtuar taksa e arsimit 4800 lekë për biznesin e cila është në kundërshtim me Kushtetutën që parashikon arsimin falas për ciklin e ulët dhe të mesëm? Erion Veliaj ka shkelur Kushtetutën. Neni 57 i Kushtetutës, pika 5 parashikon: Arsimi i detyrueshem si dhe arsimi i mesëm i përgjithshëm në shkolla, është falas”, tha Albana Miftari, anëtare e departamentit të ekonomisë në PD.

“Juve ju falëminderit për përpjekjet, por e keqja jonë është që nuk dal unë se po i bën ai që kam votuar për të. Qe faji im, katastrofë. Janë dy muaj që kam marrë para nga shtëpia për të mbuluar shpenzimet, pra kam dalë me minus, se unë dua të jem në rregull me shtetin se ai të vjen e të bën gjëmën”, u shpreh një tregtar.

“Ngadalë e ngadalë ne do e mbyllim sepse kjo situatë po bëhet e papërballueshme”, tha një tjetër.

“Sigurisht që ne jemi dakort të paguajmë taksa por aq sa mundemi, jo dhjetë apo njëzetfishuar sa e kanë bërë këta. Ne jemi për aq sa na takon, 10 mijë lek xhiro bëjmë në ditë”, tha një pronar i një biznesi të vogël.

Deputeti i PD, Myqerem Tafaj theksoi se: “Edhe ne si opozitë jemi absolutisht për pagesën e taksave, por jo në këtë nivel. Sepse këtu po e shohim që xhiro ditore është tepër e ulët, pra që nuk justifikon të tilla taksa”.

“Unë dua të flas për pagesën e kontributeve, është një shkelje e barazisë ndërmjet shtetasve sepse profesioneve të lira të cilave u është ngritur kontributi, dhe janë gjithsej 21. Profesione të lira janë dhe një këngëtar,  balerin është dhe një këpucar, orëndreqës. Pra si ka mundësi të shtohen kontributet për ta”, u ankua një qytetar.

“Profesionistë të lirë me llogaritjet që kemi bërë janë 11 mijë dhe kjo është shtresa e mesme e shoqërisë e cila nuk duhet rënduar. Ne jemi të interesuar që shtresa e mesme të forcohet sepse është baza e demokracisë”, tha Tafaj.


 

Njoftim për media i Partisë Demokratike, 29 Shkurt 2016

 

Read More
29 Shk
0

10 mijë e 782 të rinj demokratë zgjedhin drejtuesit e rinj, në një garë të pahasur deri më sot në Shqipëri

Partia Demokratike po finalizon garën e drejtuesve të forumit rinor në degët e saj, me një garë të jashtzakonshme, një konkurencë e panjohur deri tani në politikë, me një proces model, me votim të lirë e të ndershëm sipas parimit një anëtar një votë.

Sot votohet për kreun e të rinjve demokratë të Durrësit, ndërkohë që gara për 52 degët e tjera të PD ka mbaruar.

Konkurenca ka qënë spektakolare dhe në disa degë gara është ndarë me një votë të vetme, si në rastin e degës 8 në Tiranë, apo në zgjedhjen e drejtuesit të forumit për Malësinë e Madhe.

Ndërkohë që në 9 degët e PD, në Dibër, Gramsh, Has, Kavajë, Kuçovë, Kurbin, Peqin, Pogradec, Tropojë, rezultati ka qënë i ngushtë dhe fituesi ka dalë me pak vota diferencë. Në Diber me 9 vota diferencë,  në Gramsh me 2 vota diferencë, në Has 2 vota diferencë, në Kavajë 5 vota diferencë, në Kuçove 4 vota diferencë, në Kurbin 4 vota diferencë, në Peqin 6 vota diferencë, në Pogradec 9 vota diferencë, në Tropojë 4 vota diferencë.

Ndërkohë që 14 degë të tjera FRPD janë ndarë me më pak se me pak se 25 vota diferencë.

10 mijë e 782 të rinj demokratë morën pjesë në këto zgjedhje, që nisën me 7 shkurt.

Një pjesmarrje rekord dhe entuziasëm i jashtzakonshëm i përfshirjes së të rinjve në politikë. Kjo e nxitur nga gara e fortë, kandidaturat e spikatura dhe procesi i rregullt e respektimi i votës. Me zgjedhjen sot të kreut të FRPD të Durrësit, mbyllet procesi për drejtuesit e forumit në gjithë degët e Shqipërisë.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 29 Shkurt 2016

Read More
28 Shk
0

Deputeti i mazhorancës Aqif Rakipi dhë vëllai i tij rrahin barbarisht kryetarin e PD-së së Peqinit për motive të pastra politike

Dal në këtë orë të vonë për të komunikuar me ju, për një ngjarje të rëndë të ndodhur sot në Pajovë të Peqinit, rreth orës 18.00, brenda në një lokal, ku kryetari i degës tonë në këtë qytet, Diell Çela, është rrahur barbarisht nga deputeti i PDIU Aqif Rakipi dhe vëllai i tij.

Partia Demokratike e denoncon ashpër këtë ngjarje, si një sulm të pastër politik ndaj përfaqësuesit tonë.

Ngjarja vjen në kuadrin e një kriminaliteti në rritje brenda mazhorancës qeverisëse, dhe pason goditjen me armë dy ditë më parë në Ersekë të anëtarit të PD nga kryetari i PS atje.

Dhuna barbare e ushtruar ndaj kryetarit demokrat të Peqinit nga deputeti i mazhorancës është shprehje e inkriminimit dhe lehtësisë më të cilin banditët e veshur me pushtet, godasin e rrahin qytetarët dhe përfaqësuesit e opozitës.

Partia Demokratike i kërkon prokurorisë procedim të shpejtë dhe hetim serioz e të plotë të ngjarjes.

Ndërkohë, Partia Demokratike ka njoftuar dhe ka informuar ambadasat dhe partnerët ndërkombëtarë për këtë rast skandaloz dhune.

Ne duam të sigurojmë çdo qytetar, se Partia Demokratike dhe njerëzit e saj as nuk frikësohen e as nuk ndalen në betejën për të pastruar politikën dhe shoqërinë nga krimi.

Do të jemi në krye të kësaj beteje çdo ditë, dhe do ta fitojmë këtë betejë bashkë me qytetarët.


Deklarata per mediat e Sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristani, 28 Shkurt 2016

 

Read More
28 Shk
0

Duma në Torovicë të Lezhës: Qytetarët shpresë tek PD për të ndryshuar realitetin

Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma e shoqëruar nga kryetari i PD-së së Lezhës Paulin Marku takoi banorët e Torovicës së Lezhës të cilët vuajnë ende nga përmbytja dhe mungesa e vëmëndjes qeveritare. Një zonë e pasur bujqësore me mbi 5 mijë banorë që vuan nga mungesa e rrugës dhe ujit të pijshëm duke izoluar këtë komunitet i cili jeton në një varfëri të madhe.

Banorët i shprehën Sekretares Duma shqetësimet e tyre për mungesën e investimeve dhe në veçanti të menaxhimit të përmbytjes pasi ende sot ka hetarë të shumtë toke nën ujë. Ata kërkuan ngritjen e shqetësimeve të tyre për të dalë nga varfëria e skajshme pasi mbi 40 familje kanë lënë fshatin për të kërkuar azil si të vetmen shpresë.

“Jemi të përmbutur dhe kërkojmë të paktën të pastrojnë kanalet. Të paktën të bëjnë këtë gjë. Jemi akoma të përmbytur. Jetojmë vetëm me pensionin e mamasë dhe jemi 6 veta në shtëpi. Ka ardhur edhe kryeministri këtu por sot nuk i bie ndërmend të vijë më këtu. Të na shohë tani mirë.  Nuk e kanë mbajtur asnjë premtim. Rrena. As për rrugën, as për kanalizime dhe kanë sjellë dy eskavatorë për vota. Kanalizimet nuk i kanë. Ujësllellës nuk kemi. Kanë bërë vetëm shkollën fillore por edhe aty kanë vjedhur. Janë 40 familje që kanë ikur prej këtush. Nuk ka asnjë mundësi tani sepse edhe azilin e kanë mbylllur”, u shpreh një prej kryefamiljarëve.

Një tjetër shqetësim i banorëve janë edhe faturat abuzive të energjisë elektrike. “Babai ka 15 vjet që më ka vdekur por mua më vijnë akoma fatura. I bëjnë afrofe. Më kërkojnë të paguaj 12 milionë lekë”, tha një banor tjetër.

Sekretarja Duma u shpreh se Partia Demokratike do të ofrojë çdo ndihmë ligjore për tu ardhur në ndihmë qytetarëve që kërkojnë të drejtën e tyre në dyert e institucioneve të shtetit. Ajo solli disa raste se si banorët diskriminohen politikisht si rasti i një çifti pensionistësh të varfër që nuk përfitonin ndihmën nga ministria e Bujqësisë për gjedhët e tyre duke u thënë se jeni anëtarë të Partisë Demokratike.

“Në fakt problemet janë shumë të mëdha dhe nuk dua të jem këtu për premtime që njerëzit i zhgënjejnë kur u thonë do të bëjmë 100 % kur mundësitë nuk janë për të bërë 100 % të gjërave. Të vjen keq që njerëzit thonë të jetë së paku si në vitet 90  me një rrugë, me një ujësjellës, me një shkollë dhe jo me mijëra hektarë të mbjella me punë krahu, djerse dhe gjaku e që nuk bëhet fjalë për bujqësi me subvencione, impute e naftë pa akcizë sepse keto nuk njihen këtu. Më e keqja është që këta qytetarë as që i pretendojnë më këto. Pretendojnë për ujin e pijshëm se shkojnë në Lezhë me bidona dhe paguajnë transportin. Një problem i madh janë edhe dritat. Njëri tha se nga problemet e higjenës i kanë nxjerrë fëmijët nga spitali ndërkohë që qendra shëndetësore këtu në Torovicë nuk egziston. Kanë vuajtur për një mjek dhe një infermjere dhe nuk mund të bëhet fjalë për urgjencë. Rrugën e pamë vetë dhe qytetarët e vuajnë çdo ditë. Ajo që mund të them për problemet ligjore të qytetarëve e që nuk u njihen të drejtat, si Parti Demokratike kemi vënë në dispozicion mbështetjen juridike falas që të marrin të drejtën në dyert e institucioneve. Kemi realitete më të rëndë si ajo e dy pensionistëve që dy vite përpara kishin gjedhë. Edhe pse sot i matrikulojnë nuk marrin dot paratë e tyre sepse i thonë në ministrinë e Bujqësisë që je tek lista e militantëve të partisë tjetër që është një nga gjerat që në Shqipërinë e 2016, për të gjitha arsyet bashkë dhe për kaq pak shqiptarë sa jemi, duhet të kishte marrë fund. Por kjo e keqe s’po merr fund”, tha Duma.

Ajo tha se ky realitet duhet të marrë fund duke shtuar se duhet tu jemi borxhlinj qytetarëve që kanë ende shpresë tek politika dhe në veçanti tek Partia Demokratike.

“Është bërë një reklamë e madhe që do ketë decentralizim të pushtetit vendor por në fakt nuk po ndodh nga pikëpamja financiare. U bë reklama vetëm për të ndarë territoret politikisht por kur vjen puna tek financat, buxheti dhe tek ajo që njerëzit prekin nuk bëhet fjalë që kryetarët e bashkive të kenë atë akses që duhet të kishin sepse edhe territoret i kanë shumë më të mëdha. Megjithatë, pas këtyre takimeve së bashku me kryetarin e Partisë Demokratike të Lezhës dhe kryetarin e Bashkisë të vendosim disa piketa që të buxhetohen. Njerëz që kanë pasur durimin që me këtë vuajtje të na presin prap dhe të kenë besim dhe të thonë që sërish kemi besim tek politika, në fakt ne duhet t’u përulemi dhe me keqardhje them që ne bëjmë shumë pak në raport me durimin që ata kanë për jetët e tyre që ne duhet të ndihemi borxhlinj që i shohim rrallë herë”, u shpreh Sekretarja e PD.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 28 Shkurt 2018

Read More
28 Shk
0

Këshilltarët e PD: Të mblidhet urgjentisht Këshilli Bashkiak, të votohet propozimi ynë për ulje taksash e heqje tarifash

Këshilltarët e PD në Bashkinë e Tiranës deklaruan sot se paketa fiskale e Erion Veliajt është e paligjshme. Ata kërkuan mbledhje urgjente të Këshillit Bashkiak. Çdo ndryshim i paketës fiskale duhet bërë në mënyrë ligjore në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Gjithashtu, këshilltarët demokratë theksuan edhe një herë propozimin e bërë tashmë nga përfaqësuesit e PD për uljen e taksave, heqjen e taksës anti-kushtetuese për arsimin, dhe heqjen e disa tarifave të vendosura nga Erion Veliaj, që rrënojnë biznesin e vogël dhe ekononimë familjare në Tiranë.

“Nga takimet që kemi pasur me bizneset, kemi konstatuar dy probleme shumë të mëdha. E para është që atyre u është disafishuar faturimi për hapësirën publike e cila në të gjitha rastet është një vlerë shumë e madhe që e tejkalon madje edhe fitimin e tyre mujor. Shikojmë një irracionalitet, një gjobvënie të Bashkisë së Tiranës ndaj bizneseve. Në raste të tjera shikojmë që sektorë të bashkisë në mënyrë selektive përdorin tarifimin. Pra ndarja në zona A, B, C, D nuk është një ndarje që qendron strikte por është një ndarje që keqpërdoret sipas preferencave të inspektorëve. Biznesi është i depresuar dhe e ndjen veten në prag të falimentimit. Të gjithë janë të mërzitur dhe nuk duhet të harrojmë që biznesi është motorri i kësaj shoqërie. Biznesi i Tiranës po ha goditjen e dytë pas asaj që Edi Rama i ka bërë dy vite rresht”, tha Reila Bozdo.

Keshilltarja demokrate Ariana Çela u shpreh se: Qendrimi ynë nuk është ndonjë surprizë. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak në datën 30, kur është bërë propozimi i kryetarit të Bashkisë për Paketën Fiskale, ne jemi shprehur kundër dhe amendamentet tona nuk u morën në konsideratë. Nga takimet me biznesin që kemi bërë është konfirmuar qendrimi që paketa Fiskale me rritje shumëfish është e papërballueshme për biznesin. Kemi depozituar pranë sekretarisë së Këshillit Bashkiak kemi propozuar të njëjtat amendamene që ishin propozuar nga ne në datën 30 Dhjetor. Kërkojmë një mbledhje urgjente të Këshillit Bashkiak për të shqyrtuar edhe njëherë Paketën Fiskale. Bëhet fjalë për rritje disa herë të taksës së tabelës, së taksës për zënien e hapësirës publike, taksën e ndërtesës por edhe takssa të reja siç është taksa e truallit apo taksa e ndikimit në infrastrukturën arsimore.

“Siç e theksuan edhe kolegët, ne sot jemi përpara një fakti të kryer kur bizneset janë gjunjëzuar në mungesën e plotë të transparencës. Ajo që ne u përpoqëm tu përcillnim të gjithë grupeve të interesit në ato pak ditë që na u lanë në dispozicion ishte e pamjaftueshme dhe siç e kuptoni sot jemi para faktit që këto taksa jo vetëm nuk janë konsultuar siç e kërkon ligji, jo vetëm u kaluan në formën me abuzive me qëllimin e vetëm mbushjen e arkës së bashkisë duke mohuar çdo interes apo mundësie praktike të bizneseve, dhe kjo ka qënë arsyeja kryesore që ne përtej paketave që kemi paraqitur kërkuam gjykimin e kësaj çështje ne gjykimin administrativ sepse është Paketë Fiskale që ka kaluar në formë të paligjshme. Siç e keni dëgjuar nga deklaratat, kjo paketë nuk mund të hynte në fuqi para datës 1 mars. Pavarësisht kësaj ne kemi një qendrim konstant në këtë çështje. E kemi ngritur edhe para se biznesi të njihej realisht me faturat gjunjëzuese e vrastare të cilat po ndrydhin iniciativën e lirë, po ndryshin shpirtin e një shoqërie të bazuar në vlerat e një shoqërie perëndimore, dhe për këtë arsye të gjithë së bashku kërkojmë mbledhjen urgjente të Këshillit Bashkiak. Paketa Fiskale miratohet dhe konsultohet  vetëm nga Këshilli Bashkiak. Të gjitha elementët e tjerë mund të bëhen transparentë e publik dhe jo në negociata thjeshtë në grupet e interesit në zyrën e kryetarit të Bashkisë por kjo mund të bëhet fare mirë duke mbledhur sa më parë mbledhjen e Këshillit me transparencë publike ku përtej propozimeve që ne kemi çuar për ulje me 30 % të të gjitha taksave, heqjen e taksës së infrastrukturës arsimore si një taksë antikushtetuese, kthimin e tarifave të tjera në nivelet e mëparshme dhe heqjen e 16 tarifave të tjera të cilat janë totalisht të pabazuara në ligj. Nuk po ofrojnë shërbime por janë detyrime të Bashkisë së Tiranës. Kemi çuar propozimet dhe kërkojmë thirrjen e menjëhershme. Pavarësisht protestave të grupeve të interesit të bizneseve kryetari i Bashkisë nuk ka bërë ansjë përçapje për tu konsultuar me ta. Nuk i dha kohë këshillit Bashkiak që të konsultonte në kohë dhe sipas ligjit Paketën Fiskale dhe buxhetin dhe tashmë jemi përpara këtij faktit të kryer i cili zgjidhet vetëm me mbledhjen e menjëhershme të Këshillit Bashkiak dhe pjesëmarrjen e grupeve të interesit për ta diskutuar në transparencë të plotë paketën. Propozimet tona janë konkrete dhe unë besoj se anëtarët e këshillit të të gjitha grupeve duhet të jenë njohur me këtë paketë por edhe nëse jo thirrja e një mbledhje dhe dhënia e më shumë ditëve afat për tu konsultuar me anëtarët dhe grupet e interesit, do të ishte zgjidhja me racionale dhe e drejtë dhe do të tregonte kurajon për të pranuar gafën e madhe që është bërë me biznesin”, tha kreu i këshilltarëve, Olli.

Agron Makishti, një përfaqësues i biznesit të vogël u shpreh se ata kërkojnë vec të tjerash që inspektorët e zonës të jenë të pajisur me kontratën e bizneseve të zonave për metrat katrorë. “Sepse ata vijnë dhe ia fusin kot. Të thonë që do paguash kaq metër. Duam që kontrata të jetë se sa metër duam dhe më pas të vijnë e të inspektojnë apo të marrin masa. Sepse vendin që kemi para lokalit apo biznesin ne nuk është e thënë ta marrim të gjithën, por aq sa kemi nevojë. Këtë duam dhe sigurisht uljen e takes ndryshe protestat nuk do i ndalim”, tha Makshiti.


Prononcimi për mediat i përfaqësuesve të PD në Këshillin Bashkiak të Tiranës, 28 Shkurt 2016

 

Read More