Blog

23 Shk
0

PD kërkesë Kuvendit: Të enjten të kalojë dekriminalizimi

Partia Demokratike i drejtoi sot Kryetarit të Kuvendit një kërkesë për të vënë në zbatim ligjin e Dekriminalizimit. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka kërkuar Kuvendit që aktet nënligjore që mundësojnë vënien menjëherë në veprim të Ligjit për Dekriminalizimin të miratohen të enjten, me 25 shkurt.

Edhe pse sekretari amerikan i Shtetit e cilësoi Dekriminalizimin si histori suksesi dhe si model që duhet ndjekur, Edi Rama vazhdon të ndajë pushtetin me Ndokën, Bushin, Roshin, e së fundmi i hapi rrugën rikthimit në parlament Armando Prengës, i cili me dorën e tij, me armë pa leje, përgjaku qytetarët brenda komisariatit të policisë.

Në kushtet kur Edi Rama po dëshmon çdo ditë mungesë vullneti për zbatimin e dekriminalizimit dhe përkrahje të hapur për të inkriminuarit e tij në parti dhe në poste publike, Partia Demokratike do të kushtëzojë çdo funksionim normal të parlamentit me miratimin këtë të enjte të vendimit që vë në zbatim ligjin e Dekriminalizimit.


 

Njoftim për media e Partisë Demokratike, 23 Shkurt 2016

KERKESE PER MIRATIMIN E VENDIMIT TE DEKRIMINALIZIMIT (1)

 

Read More
22 Shk
0

PD dhe qytetarët e Tiranës protestojnë kundër betonizimit të Parkut të Liqenit

Protestuesit: Veliaj rrethon parkun, ne rrethojmë Veliajn. Veliaj beton në park, ne mbjellim pemë

Partia Demokratike dhe qytetarët e Tiranës kanë protestuar sot kundër betonizimit të Parkut të Liqenit, dhjetfishimit të taksave, të faturave të ujit dhe rritjes së çmimit të biletës së autobuzëve.

Deputetët e Partisë Demokratike dhe qytetarët kanë sjellë fakte konkrete të abuzimit, mashtrimit dhe korrupsionit të kryebashkiakut Veliaj duke sjellë në këtë mënyrë shkatërrim të jetës së qytetarëve dhe falimentim të bizneseve.

“Erdhi duke thënë se do ul taksat por sot po i  rëndon biznesin e ndershëm duke 10 fishuar taksën e hapësirës publike, nga 1500 lekë të vjetra në 15 mijë lekë të vjetra. Nga 30 mijë lekë që paguante një biznes i ndershëm për 4 tavolina kafe, sot duhet të paguajë 300 mijë lekë dhe kjo pa lajmërim dhe papalajmërim. Sot duhet të paguajnë edhe Janarin edhe Shkurtin sepse kështu i teket kryetarit të Bashkisë. Kjo është një padrejtësi që i bëhet çdo qytetari të Tiranës, çdo njeriu të ndershëm që kërkon të mbajë familjen e vetë. Kjo është një padrejtësi që u bëhet të gjithë bizneseve. E njëjta gjë ndodhi me biletën e autobuzit. E mbajnë mend të gjithë kur doli e tha se sa të jem unë kryetar bashkie nuk do të guxojë njeri të rrisë çmimin e biletës së autobuzit. Nuk kaloi një javë dhe çmimi i biletës u rrit. Pse?! Sepse do pasurohen disa biznesmenë që e kanë mbështetur e financuar në fushatë dhe kjo në kurriz të çdo qytetari të ndershëm që sot përdor autobuzin në qytetin e Tiranës. Erdhi duke thënë që do shtojmë hapësirat e gjelbërta dhe Tirana do të ketë një qytet pa beton dhe ja ku po e betonizon galerinë e Arteve Parkun Rinia dhe parkun e liqenit. Nuk e ka bërë askush më parë dhe nuk ka denjuar ta bëjë as Edi Rama. Guxon dhe thotë se do jetë një park lodrash për fëmijët. Por nuk ka se si të jetë një park i tillë. Ajo është vetëm një shteg i hapur për betonin e mëtejshëm, një vije demarkacioni se deri ku do të shkojnë pallatet dhe ndërtimet. Nëse do të bëjë park lodrash për fëmijët, Tirana ka vende plot dhe nuk ka pse të presë pemë. Mund ta bëjë te Garda në krah nëse aty nuk do bëhet pallat, mund ta bëjë tek universiteti në krah nëse aty nuk do bëhet pallat. Por jo miq, ky do ta bëjë atje sepse në krah të universitetit ka plan të bëjë pallat. Padiskutim që protesta do të vazhdojë çdo ditë derisa Veliaj të tërhiqet nga ai projekt që i merr frymën cdo qytetari të Tiranës”, tha Gerti Bogdani.

“Jemi sot këtu dhe unë jo thjesht si opozitar, por si qytetar i Tiranës për ti thënë: Ndal këtij manekini të Edi Ramës! Këtij kryetari bashkie ndër më të korruptuarit që ka njohur Ballkani dhe Europa mbarë.

Ka vetëm gjashtë muaj  kryetar bashkie, vetëm gjashtë muaj. Vetëm afera në CV-në e tij në këto gjashtë muaj. E filloi me historinë e parkimeve nëntokësore. E filloi dhe po e bitis me lejet e ndërtimit që po jep në kufijtë e Parkut të Liqenit Artificial. Ky kryetar bashkie që guxon sot të “kafshojë” dhe betonizojë mushkëritë e vetme që ka qyteti i Tiranës.

Ky kryetar bashkie që guxon të 10-fishojë taksat e biznesit të vogël. Ky kryetar bashkie që guxon të fusë duart në xhepat e qytetarëve të Tiranës si hajdut në datë 31 dhjetor në darkë me paketën fiskale që   rëndon xhepat e çdo qytetari anembanë qytetit dhe anembanë ish-komunave të qytetit të Tiranës.

Jemi sot këtu të gjithë bashkë si qytetarë të lirë për ti thënë : Ndal, çdo projekti korruptiv dhe abuziv të kryetarit të Bashkisë apo edhe Kryeministrit.  Ata ndërtojnë pa leje ndërkohë që çdo qytetar i Tiranës për një tullë, për një dritare, për një përfundim muri në shtëpitë e tyre përfundojnë çdo ditë në dyert e komisariateve dhe në dyert e prokurorisë.

Jemi sot këtu dhe do të jemi çdo ditë bashkë, unë, çdo koleg i imi, çdo qytetar i lirë i Tiranës për t’i thënë këtij zotërisë që as ti, që as babai yt politik, as mamaja jote që të paguan dasma dhe fushata nuk  jeni padronët e Tiranës. Padronë të Tiranës jeni ju, janë qytetarët e Tiranës që do të vijnë këtu çdo ditë për t’ju ndaluar me çdo kusht”, tha Keltis Kruja.

“Të dashur qytetarë të Tiranës, të nderuar qytetarë të Tiranës që kini vendosu rtë jetonin  këtë qytet. Mund të mos jemi ne që jemi mbledhur të gjithë këtu me shkollë sa ka ky dhe shefi i tij atje te kryeministria por një gjë e kuptojmë mirë se Park quhet atje ku ka bar dhe pemë dhe jo atje ku ka beton

Mund të mos jemi me shkollë sac janë këta por e kuptojmë shumë mirë që fëmijët tanë janë njëqind herë më të shëndetshëm , luajnë një qind mijë  herë më mirë atje ku ka bar dhe pemë dhe jo atje ku i shtrojnë me beton. Kryetari aktual i bashkisë dhe kjo qeveri mund të jenë ndoshta dhe më të mirët në këtë shekull, por na kushtojnë shtrenjtë. Nuk mund ta paguajmë nje kryebashkiak sado i mire te jete  me 50  fishim të taksave tona. Është i shtrenjtë largohu, nuk je për ne.

Qeveria e cila heq bukën nga goja atyre që nuk e kanë për tja u dhënë oligarkëve gjoja për të na shërbyer ne, është e shtrenjtë. Nuk e mbajmë dot të shporret.

Në vitin 1944 kur erdhën sapo konsoliduan pushtetin, gjëja e parë që bënë mblodhën tatimin e jashtëzakonshëm të luftës jo vetëm në Tiranë, në Shkodër në Vlorë në Fier në Korcë e kudo. Ky është tatimi i jashtëzakonshëm i Erion Velisë i Edi ramës dhe nuk duhet ta paguajmë si në 44.

Të nderuar vëllezër dhe motra, kjo është cështje vullneti, nëse lëshojmë terren ndaj këtyre sic lëshuam në 44 sigurisht që ju zgjat 46 vjet dhe 460 vjet sundimi. Sot jemi këtu për tju thënë JO nuk paguajmë , nëse sot tërhiqemi, ai Park atje shum shpejt do të bëhet si Komuna e Parisit që dikur ishte e gjitha bar dhe tullën e parë e vendosi Edi Rama . të mos bëjnë një Komunë të re Parisi tek Parku i liqenit. Të gjithë bashkë të shkojmë tani të tregojmë dashuri për qytetin tonë të tregojmë refuzimin për këtë bandë fallsifikatorësh”, tha Gent Strazimiri.

Protestuesit janë drejtuar drejt parkut të liqenit ku kanë hequr gardhin rrethues dhe në vend të betonit kanë mbjellë pemë të reja. Gardhi rrethues është zhvendosur para bashkisë. Të rinjt, qytetetarët e Tiranës kanë shprehur vendosmërinë e tyre se çdo ditë do të jenë në protestë kundër betonizimit të parkut.

“Siç e patë, qytetarët e Tiranës sot ndaluan shkatërrimin e Parkut Artificial të Liqenit që po i bën kryebashkiaku erion veliaj dhe kryeministri Edi Rama, duke pastruar të gjitha mbetjet dhe pjesët e ndërtimit të cilat do të mundësonin ndërtimin e paligjshëm, korruptiv dhe klientelist. Qytetarët e Tiranës jo vetëm i hoqën dhe i çmonuan çdo pjesë të cilat dëmtonin Parkun e Tiranës por do të bëjnë të mundur të mos preket dhe të mos kthehet siç është kthyer Tirana në kohën e qeverisjes së Ramës, një vend plot me beton. Tentativa të pafundme pati nga provokatorë të paguar apo të Policisë së Shtetit për të tentuar të krijojë konflikt, mes protetsuesve dhe Policisë së Shtetit. Një tentavivë e dështuar ashtu si edhe nisma e Erion Veliajt që nga Londra thotë se do ta shkatërrojë parkun, të vetmin park kombëtar të Tiranës. Partia Demokratike dhe qytetarët do të jenë çdo ditë si sot për të mbjellë pemë, për të ndërtuar dhe jo për të shkatëruar siç po bën Edi Rama dhe Erion Veliaj me parkun e Tiranës”, tha Ervin Salianji.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 22 Shkurt 2016

Read More
21 Shk
0

Të hënën në orën 10, bashkë me qytetarët e Tiranës për të ndalur oligarkun e Bashkisë

Thirrje e këshilltarëve demokratë në Bashkinë e Tiranës dhe degëve të PD të Tiranës

Erion Veliaj, ky mashtrues i korruptuar që premtoi se nuk do rriste çmimin e biletës së urbanit dhe 24 orë më vonë e rriti duke ju marrë qytetarëve 15 mijë euro në ditë më shumë; ky gënjeshtar që premtoi se nuk do rriste por do ulte taksat bashkiake dhe vetëm 4 muaj më pas i rriti ato dëri në 10 herë; ky hajdut që gënjeu se nuk do prekej asnjë fije bari por dha me koncesion të jashtligjshëm Parkun Rinia e po ndërton pa leje në parkun e Liqenit duke shkatërruar mijëra metra katrorë gjelbërim, kjo vemje që falsifikoi firmën e inspektorit të bashkisë dhe tani po perpiqet të mbyllë hetimet e prokurorisë duke ofruar rryshfete marramendëse për te korruptuar prokuroret e ceshtjes, ky sharlatan që kunder ligjit vazhdon ndertimin pa leje ne mes te parkut, qe lejon ndertimet e Xhillarit ne kalane e Tiranes nderkohe qe qytetaret dergjen ne burg me dite per nje dritare apo nje riparim catie, ky oligark vendor i derguari i shefit te hajduteve ne Tirane, duhet ndalur me cdo mjet dhe me cdo cmim. Pallavrat e tij, se po e ben kete per femijet, kur ne fakt po nderton nje kioske-lokal-restorant per mikun e tij, nuk i beson askush dhe i neverit cdo qytetar i Tiranes. Tirana eshte qyteti i qytetareve dhe jo oborri i pasem i ordinerit te bashkise.
Qytetaret e Tiranës kanë ditur të rrezojnë diktatorë gjakatarë, kane hedhur ne toke sistemin me te eger komunist te gjithe lindjes. Te henen do tregojne se nje dordolec i korruptuar si Veliaj nuk mund te sundoje qytetin e tyre. Te henen ne oren 10 para Bashkise dhe me pas drejt Parkut te Liqenit per te ndalur kete oligark lokal bashke me interesat e tij korruptive e klienteliste.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 21 Shkurt 2016

 

Read More
21 Shk
0

Spitali i Bulqizës, qendra shëndetësore ku mungon gjithçka

Deputetët Keta, Hoxha dhe Shehu shohin kushtet e mjerueshme dhe dëgjojnë ankesat e pacientëve

Deputetët e Partisë Demokratike Roland Keta, Bedri Hoxha dhe Sherefedin Shehu, panë nga afër  gjendjen në spitalin e Bulqizës dhe dëgjuan shqetësimet e paciantëve dhe familjarëve të tyre.

Pas vëzhgimit, deputetët u shprehën se spitali ndodhej në gjendje të mjerueshme me mungesa të shumta të investimeve në infrastrukturë.

Familjarët e pacientëve sjellin nga shtëpitë e tyre ngrohëse, batanije, çarçafë, jastëkë.

Përveç kushteve skandaloze, ky spital ka mungesë të personelit mjekësor.

Prej 11 mjekësh që duhet të shërbejnë në spital, ndodhen vetëm 6 prej tyre, për një popullsi prej 45 mijë banorësh.

Mjekët që mungojnë janë, kirurgu, gjinekologu, neurologu etj, domosdoshmëria e të cilëve është jetike në këtë qark.

Në këtë spital, marrin ndihmën e parë edhe 3500 minatorë të gjithë nga Bulqiza duke përfshirë edhe Martaneshin.

Deputeti i Qarkut Dibër, Roland Keta tha pas takimit me pacientët se të shohësh gjendjen e Spitalit sot është më keq se 50 vite më parë.

“Nuk ka mjekë specialistë, nuk ka gjinekologë, kardiologë, mungojnë edhe shumë specialistë të tjerë. Ju e patë vetë është një infrastrukturë e shkatërruar. Nuk është nuk është spital, as qendër shëndetësore nuk mund t’i thuash. Eshtë një spital që i shërben 45 mijë banorëve, është një spital që shërben 2 qytete minatorësh, Krastës dhe Bulqizës. Ka mbi 3500 minatorë të cilët çdo ditë mund të kenë aksidente dhe nuk ka kirurgë. Mendoni se si mund të pritet një lindje, vijnë qytetarët nga Ostreni apo nga Martaneshi dhe nuk gjejnë mjekun specialist dhe sorollaten nga Spitali i Bulqizës në Spitalin e Peshkopisë dhe nga Peshkopia në Tiranë. Qytetarët e Bulqizës nuk e kanë të sigurt shërbimin shëndetësor. Çfarë ndodh. Ka dy vjet që nuk bëhet asnjë investim. Nuk ka shtretër, nuk ka aparat kardiologjie, ka mungesë ilaçesh, nuk ka batanije. Unë dua të falenderoj mjekët dhe personelin mjekësor por nuk është faji i tyre, por mungesa e politikave, mungesa e vullnetit të kësaj qeveri për të shërbyer në shëndetësi. Unë dhe e gjithë opozita kemi ngritur zërin sepse nuk është i rëndësishëm check-up, por fondi nga buxheti i shtetit të financohet në sistem. Që do të thotë të çohen fonde në spitalet bashkiake, rajonale, të investohet në aparatura, në qendra shëndetësore. Ka 3 vjet nuk eshtë ndërtuar një qendër shëndetësore në rrethin e Bulqizës pothuajse në të gjithë qarkun e Dibrës. Unë kam një apel për Ministrin e Shëndetësisë, qeverinë që të kthejnë vëmendjen nga Spitali i Buqizës”, tha Keta.


 

Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 21 Shkurt 2016

Read More
21 Shk
0

Materniteti i Pogradecit në gjendje të mjerë, shëndetësia Rama-Beqa mashtrim

Deputetja Qirici sheh nga afër kushtet mizerabël dhe takon pacientet që duhet të blejnë gjithçka vetë

Deputetët demokratë vijojnë denoncimet nga terreni të rrënimit të spitaleve dhe sistemit shëndetësor në të gjithë vendin. Deputetja e Korcës Eleni Qirici ishte në maternitetin e Progradecit bashkë me anëtarë të Këshillit bashkiak dhe përfaqësuese të Lidhjes së Gruas. Zonja Qirici u takua me nëna të reja, të afërm të tyre të cilët theksuan se kushtet janë skandaloze dhe se çdo pajisje dhe ilaç e blejnë në faramacitë e qytetit.

“Unë jam një grua nga Rrajca. Edhe pse kam kartën e sigurimit shëndetësor, unë duhet të bëj pagesë për shërbimet këtu, pasi nuk më njihet”, tha një zonjë nga Librazhdi.

Deputetja Eleni Qirici tha se kushtet janë përtej skandalozes. Këtu gjendja është e papërballueshme, nuk ka ku të shkojë më keq se kaq. Stafi është i përkushtuar por ata nuk mund të bëjnë asgjë përballë vështirësive dhe mungesave të shumta. Materniteti është institucioni ku lind jeta dhe nuk mund të funksionojë me sallën e lindjes pa kushte dhe me çdo pajisje e mjedis jashtë funksionimit.

Deputetja Qirici ngriti dhe shqetësimin e mungesës së sanitareve dhe personelit në staf, nga shkurtimet e padrejta.

Ndërkohë dhe në këtë maternitet është ulur ndjeshëm numri i lindjeve, pasi nënat e reja të Pogradecit shkojnë në spitalin e Ohrit. Teksa ministri i shëndetësisë  bashkë me Ramën kryen 28 koncesione në 22 muaj me fitime marramendëse, në spitale dhe maternitetet e vendit nuk investohet asnjë fond duke e çuar sistemin në degradim të plotë.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 21 Shkurt 2016

 

Read More
21 Shk
0

Deklaratë e Partisë Demokratike

Partia Demokratike dënon ashpër dhunën e ushtruar sot ndaj të rinjve, ndaj të moshuarve, ndaj burrave e grave të Tiranës, që kanë dalë në mbrojtje të pasurisë së tyre, kanë dalë në mbrojtje të Parkut të Liqenit. Kjo dhunë e shëmtuar burracakësh është urdhëruar nga Edi Rama dhe Erion Veliaj, për të mbrojtur aferën korruptive të ndërtimit të paligjshëm.

Partia Demokratike mbështet qëndresën e shoqërisë civile dhe qytetarëve të Tiranës. Ne jemi në krahun e tyre në këtë lëvizje vendimtare për të ardhmen e qytetit dhe të demokracisë në vend.

Partia Demokratike kërkon hetim të menjëhershëm nga prokuroria dhe vënie para ligjit të policëve që kanë ushtruar sot dhunë si dhe eprorëve të tyre. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të qytetarëve që janë shoqëruar në polici.

Protesta e qytetarëve të bashkuar në mbrojtje të pasurisë publike jo vetëm nuk ndalet, por do të përshkallëzohet  deri në ndaljen e oligarkut lokal të Edi Ramës, mashtruesit të korruptuar Erion Veliaj. Ju bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës të bashkohen nesër në orën 10 para Bashkisë dhe më pas në marshimin e protestës drejt Parkut të Liqenit.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 21 Shkurt 2016​

Read More
20 Shk
0

25 – vjetori i rrëzimit të shtatores, flasin protagonistët e asaj dite: Zoti ka qenë me ne, liria fitoi

25 vite më parë studentë dhe qytetarë të Tiranës rrëzuan shtatoren e diktatorit Enver Hoxha. Ndërsa populli vuante nga varfëria, nga mungesa e bukës, në vend ngriheshin bunkerë dhe shtatore. Terrori komunist nuk kursente askënd, censura kishte shtrirë kthetrat e saj kudo.

Në këtë 25 -vjetor kanë përcjellë mesazhet e tyre protagonistë, të persekutuar, qytetarë të zakonshëm që morën pjesë në rrëzimin e shtatores së diktatorit, artistë të cilët u persekutuan për agjitacion dhe propagandë për një këngë, për një festival etj. Një material filmik që tregon terrorin komunist, situatën ekonomike deri tek përmbysja e madhe ka zgjuar shumë emocione te ata që e vuajtën persekucionin. Një ndër ta ishte dhe Tomorr Alizoti.

Mua personalisht kjo ditë më emocionon tej mase. Unë vij nga një familje e persekutuar, me njerëz të varur, të internuar, të burgosur. Vuajtja nuk është ndonjë krenari por është fatkeqësi që i ndodh njeriut, fatkeqësisht nga sistemi totalitar që hoqi Shqipëria. Partia Demokratike është shtëpia e tyre, është partia e Konicës, e Fishtës, e të burgosurve të Spaçit, e nënave që ndiqnin fëmijët e tyre me trajse. Një ndër to ka qenë edhe nëna ime që ndiqte burrin e saj me trajse me mua të vogël për ta pare në  Spaç. Në Gjermaninë Lindore që kishte 18 milionë banorë, shifrat sipas institutit shkencor, që janë vrarë në murin e Berlinit variojnë nga 136 deri në 255 në një popullsi prej 18 milionë banorësh. Ndërsa në Shqipëri në një popullsi prej 2.5 milionë banorësh mendohet se janë 5 mijë të vrarë. Po të shkojmë më larg në një vend si Korea e Veriut, një ndër vendet më të çmendura me diktaturën e saj, mendohet që janë 1700 të vrarë në 20 milionë banorë. Pra ju lutem kuptoni terrorin, depersonalizimin, dehumanizimin e individit shqiptar dhe fatkeqësia më e madhe sot është  se qeveria shqiptare nuk ka asnjë përkujtim për këtë tragjedi shqiptare.. Kjo është shumë e turpshme.”

20 shkurti është tashmë i lidhur pazgjidhshmërisht me emrin e Rajmonda Bulkut. Me guximin dhe kurajon, me thirrjen drejtuar grave dhe nënave ajo orientoi mijëra qytetarë dhe studentë që ishin në Qytetin Studenti drejt sheshit “Skënderbej”.

Nëse ata njerëz na nxitën për të qenë ne ata njerëz që deshëm të mos kemi më frikë dhe të fillonim atë që kishe filluar Europa që të shembnim komunizmin e të risillnim etërit tanë e tuajit në jetën normale. E që ju të kishit një jetë më të mirë, për veten tonë, fëmijët tanë e të rinjtë e asaj kohe. Kemi qenë që të gjithë në ditët e para të çudisë të madhe që tek ne, që ishte tek të gjithë ne si një pikëpyetje, çudia e Azem Hajdarit.  Çfarë ishte ky njeri që na mbushi mendjen, ti shkojmë pranë, me shokët e tij, intelektualë të nderuar ai krijoi Partinë Demokratike. Më pas erdhi greva e studentëve, ajo që na u duk një nga gjërat më sublime që nuk ishim mësuar. Një gjë e dhimbshme, makabre që nuk donin të hiqnin emrin e Enver Hoxhës që ishte një paradoks qesharak. Si nuk vinte ajo gruaja, Nexhmija, që këta të rinj ishin ngujuar deri në sakrificë sublime për emrin e burrit të saj. Unë mendoj që duhet të vinte me vrap dhe ta hiqte. Apo ai ish President i asaj kohe. Ç ‘rëndësi ka. Ata i kishin duart të lyera me gjak dhe nuk mund ta bënin këtë. Ata mbrojtën veten e tyre. E mbrojtën aq shumë sa na detyruan të bëjmë diçka atë ditë. Ishte një pikë vlimi për ne dhe të gjithë shqiptarët sepse kishin ardhur të gjithë prindërit e atyre studentëve dhe ishin të gjithë shqiptarët në atë pjesë të sheshit në qytetit Studenti. Mbaj mend shumë artistë që donin të kontribuonin e të nxirrnim studentët nga greva e urisë sepse ata po vuanin pa të drejtë. Dhe filloi ajo nismë. Kur kam shkuar të flas, kolegia ime që erdhi pas meje aty filloi ti lutet policit që donte të hiqte qendrën e zërit aty, i tha që na lër dhe pak të bëjmë atë që duam ne gratë. E filluam me artistët dhe pastaj erdhën të gjitha gratë por me thirrjen time erdhi pafund i gjithë sheshi në qytet Studenti. Ne të gjithë donim të bënim diçka të rëndësishme për rininë e ngujuar, për veten tonë, për Shqipërinë, për shqiptarët. Ky ishte një kontribut që ne e vlerësojmë edhe sot dhe ju falënderoj për dhënien e fjalës. Kjo stafetë që ishte tek ne të rinj në atë kohë, tani u takon ju z. Basha që të vazhdoni me guxim dhe menje të hapur sepse ju jeni ai brez që duhet ta çoni këtë brez shumë përpara ashtu siç e meritojnë dhe siç e dëshironim ne në këto 25 vite.”

Një tjetër artiste që fati i keq e ndoqi gjatë regjimit komunist ishte dhe Justina Aliaj. Një këngë e kënduar prej saj në Festivalin e 11-të do të ishte mallkim për vitet më pas. Fillimisht u caktua të punonte në Dukagjin e më pas zhvendoset në Tiranë ku punoi 8 vjet në Ndërmarrjen e NISH-Mjeteve Mësimore.

Dëshiroj në këtë jetë të mblidheni si sot. Unë jam një shqiptare si gjithë të tjerët dhe kam dëshirë vetëm me dhënë përjetimet e mia të asaj dite. Me ju thënë të drejtën ndodhesha në popull jo afër turmës që ishte duke u ngrënë dhëmbë për dhëmbë, sepse ishte në një krahë liria në një krahë forca, por isha pak më tutje dhe shpirti im bënte një rrokadë rebele, sa vinte frika i zinte vendin gëzimit, nuk dija kur do të shpërthente, nuk e dija kush do të fitonte dhe kur shoh që rrëzohet busti mbetem dhe them: Zoti ka qenë me ne, liria fitoi. Edhe kurrë nuk më harrohet kur një burrë mu afrua dhe më tha: Zonjë a thua kemi të drejtë? Fëmijët tanë pas ditës së sotme janë tanët e jo më të Enverit? Po i thash. E kështu e mbaj mend atë ditë dhe në emër të asaj them që është gjynah që populli ynë të vuajë siç kemi vuajtur. Të gjithë i kemi sytë nga ju, të gjithë i kemi sytë nga drejtësia. Ne nuk dimë me bë dallim të pushojë së marri frymë gjysma e të marrë frymë gjysma tjetër. Jo! Ne vetëm duam që të jetojmë bashkë e të jetojmë në harmoni e të gëzojmë si gjithë popujt e tjerë.”

Enigma mbetet si në një kohë aq të shkurtë sheshi “Skënderbej” u pushtua nga mijëra qytetarë, nuk kishte mjetet e komunikimit që ka sot dhe mbi të gjitha nuk kishte organizim paraprak. Serxho Petrela i jep përgjigje kësaj pyetje me dëshirën e madhe që kishin qytetarët e Tiranës për të rrëzuar regjimin komunist.

Unë jam pinjoll i një familjeje tiranase, me profesion piktor. Jam gjendur atë ditë pothuajse rastësisht në atë shesh bashkë me mijëra të tjerë. Vij nga një familje jo e persekutuar politike, që nuk pësoi atë diktaturë të egër klasike të burgosjes dhe të persekutimit, të internimit, por fal Zotit që në rini më është krijuar bindja që ai regjim duhej rrëzuar sepse ai regjim kishte marrë lirinë time dhe të shqiptarëve. Mund të them që ajo ditë bëri ndarjen e epokave, por fatkeqësisht na tregoi se ndarja ishte e thellë mes nesh dhe atyre që kërkonin të përmbysnin përbindëshin e kuq. Sigurisht që emocionet e asaj dite janë të mëdha. Do të përmend faktin që përveç atyre mijërave që morën pjesë tek studentët ai karvan i madh që erdhi në shesh për të rrëzuar bustin e Diktatorit atë ditë,  kanë qenë çunat e rrugës së Durrësit dhe të Kavajës, e Pazarit të Ri që ishin të vendosur për ta rrëzuar atë kërmë. E theksoj se rrëzimi i bustit nuk është vetëm trofe i studentëve por është edhe merita e insistimi i qytetarëve dhe djemve të Tiranës. Atë nuk duhet ta harrojmë kurrë. Ata sot janë heronjtë e heshtur. Sot ata vazhdojnë jetën e tyre në Shqipëri dhe jashtë vendit. Ta kujtojmë gjithmonë këtë ditë si dita jonë, dita e lirisë, dita e vlerave.

Student i Akademisë së Arteve, pjesë e grevës së urisë por jo vetëm kaq. Robert Budina ishte  mes mijëra qytetarëve shqiptarë që në vitin 1991 udhëtuan me anije drejt Italisë, në atë që njihet si eksodi biblik i shqiptarëve. Pavarësisht se në mënyra të tjera fatkeqësisht këtë eksod po e përjetojmë dhe sot. Budina ka dy mesazhe për të përcjellë, e para është falja që u kërkon të persekutuarve në emër të të gjithë atyre që patën një fat disi më të mirë dhe e dyta thirrja për të gjithë të rinjtë dhe qytetarët për të mos u larguar nga vendi, por për të larguar të keqen e për të ndërtuar të ardhmen këtu.

Unë kam qenë student i Akademisë së Arteve, studioja për Regji në atë kohë, për Teatër.  Si pjesë e një familje që nuk ka vuajtur nga diktatura do t’i kërkoj ndjesë familjeve që kanë vuajtur sepse realisht unë kam pasur shumë shokë por nuk i kuptoja dot dhimbjet e tyre. Madje kam qenë shumë mik me një që ka qenë i persekutuar dhe nëna ime nuk më linte që të shoqërohesha më të sepse më thoshte që i kisha hapur probleme partisë, gjë që unë nuk e shihja se si mund të futej deri në këtë pjesë njerëzore dhe nuk mund ta pranoja. Ashtu sikundër kam patur “fatin” të bëj ushtrinë në atë kohë dhe në çdo çast më përmendej që ”Po haja bukën e partisë, po pija ujin e partisë dhe çdo gjë të partisë.” Depersonalizimi ishte i tejskajshëm. Kështu që si artist, si pjesa më e ndjerë e shoqërisë, besoj që në Akademinë e Arteve u plantua e gjithë rezistenca. Ne vendosëm të ngriheshim me shumë forcë, me shumë dinjitet, mbi të gjitha me shumë ideale. Kujtoj këtu babain tim që ka qenë komunist dhe thoshte se :”Ne e nisëm me shumë ideale”. Dhe ishte pikërisht ai që në atë kohë diktature e kuptoj që idealet e tij të shkuara kishin marrë fund dhe u bë me ne me një ideal të ri. Madje ka ardhur në grevë të urisë për të na mbështetur për të shkuar përpara, për ta çuar më tej. Kështu që ne e bëmë atë dhe ajo ishte një ditë e cila nuk duhet të harrohet asnjëherë, sepse është pjesë e historisë si shumë momente të rëndësishme. Ne ishim  pjesë e qytetarëve dhe nuk mendoja se unë do ti futesha politikës, thjesht doja të jepja kontributin tim që njerëzit që dijnë ta bëjnë këtë punë ta çojnë përpara. Sepse unë besoj se arti është ajo pjesë reformatore, pjesë opozitare e çdo lloj pushteti. Kështu që për të nxitur çdo lloj pushteti që të bëjë punën e tij mire, mendoj se ajo ditë duhet të jetë një ditë optimizmi. Shumë njerëz thonë që Shqipëria nuk bëhet por unë besoj se shqiptarët kanë tmerrësisht shumë forca pozitive që këto duhet t’i përdorin për të mirën e tyre dhe jo për të zgjedhur rrugën më të shkurtër, për t’u dorëzuar, për të ikur nga vendi. Duhet të gjithë ta japim kontributin tonë këtu dhe ta formojmë fytyrën tonë. Shpesh gjejmë rrugën më të thjeshtë. Dikur e kam bërë edhe unë këtë, nuk dua ta bëj më sepse besoj se ne kemi forca, jemi një komb që meritojmë shumë më tepër” .


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 20 Shkurt 2016​

Read More
20 Shk
0

Le ta bëjmë 20 Shkurtin një standard të papajtueshmërisë me të keqen

Falënderoj gjithsecilin prej jush zonja dhe zotërinj të pranishëm këtu në këtë ceremoni përkujtimore, ata dhjetëra apo qindra që ndodhen sot jashtë për shkak se kjo sallë kaq zë,

Zoti ambasador,

Të nderuar përfaqësues rë trupit diplomatik,

Përfaqësues dhe drejtues të opozitës dhe të Partisë Demokratike,

Ish -studentë të grevës së urisë, të përndjekur politikë, intelektualë, qytetarë të Tiranës,

Siç e thanë edhe parafolësit sot  nderojmë me krenari por edhe emocion të madh në vargun e ngjarjeve që ndryshuan historinë tonë në 25 vite më parë:  rrëzimin e shtatores të diktatorit Enver Hoxha nga qytetarët e Tiranës, nga çunat e Tiranës, punëtorë, intelektualë, të përndjekur politikë, studentë, të rinj, sidomos të rinj.

Sa herë kujtojmë përballjen madhështore të 20 shkurtit 1991, mendja e gjithsecilit prej nesh numëron dhe rinumëron vetvetiu sekondat plot emocion të papërshkrueshëm të tërheqjes  së monumentit hijerëndë nga demostruesit heronj.

Tundjen, hepimin, shembjen përdhe  të simbolit të diktaturës si rrëzimi i  epokës së  shtypjes dhe izolimit gjysëmshekullor.

Thirrjen e madhe që pushtoi sheshin “Skënderbej” dhe përhap anembanë qytetit dhe anembanë Shqipërisë, anembanë Europës e anembanë botës

Ishte ora e frymëmarrjes  së lirë, ora e çlirimit të shqiptarëve nga  thundra dhe hija e tiranisë.

Zonja dhe zotërinj,

Rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës  25 vite më parë është padyshim ngjarja që i foli më shumë se çdo ngjarje tjetër botës për Shqipërinë, për popullin tonë, për historinë tonë gjysëmshekullore; është  ngjarja që i tregoi botës se në Shqipërinë e shndërruar në burg për qytetarët e saj nga regjimi më i egër, më shtypës në Europë, prapë se prapë jetonin njerëz që nuk ishin nënshtruar, nuk ishin prishur nga varfëria, nga dajaku, nga dogma, nga propaganda dhe masmedia; se jetonte një rini e  guximshme, në vlim, shpërthyese, e  vendosur deri në flijim për të  fshirë nga  faqja e vendit diktaturën dhe simbolet e saj, e etur për Shqipërinë si gjithë Europa.

Rrëzimi i shtatores së diktatorit është monumenti ynë i kurajos qytetare, i nderit qytetar, është ngjarja që rriti respektin për shqiptarët në botën e lirë.

Nëse do të përfytyronim një panair të lirisë,  një panair ndërkombëtar të lirisë Shqipëria do të përfaqësohej aty me dinjitet nga 20 shkurti i vitit 1991, me qytetarët e saj që sulen përpara në mes terrorit policor, armëve dhe kërcënimeve për të rrëzuar  me çdo çmim simbolin e diktaturës.

Nderim dhe mirënjohje të pakufishme për të gjithë ata që u derdhen në shesh atë ditë, njerëz të  thjeshtë shumica prej tyre, njerëz që nuk u del emri në gazeta dhe në kujtime, njerëz që historia i mban në anonimatin e lëvizjeve popullore, por pa të cilët nuk mund të ketë fitore.

Ata e dinë se kanë qenë në shesh atë ditë 25 vite më parë, e dinë se kanë marrë  pjesë dhe kanë dhënë  kontributin e  tyre  për  fitoren e madhe. Dhe kjo ju mjafton e ju tepron të ndihen qytetarë para ndërgjegjes dhe trashëgimtarëve të tyre.

Nderim dhe mirënjohje të pakufishme gjithashtu  për studentët, për sindikalistët, opozitarët dhe intelektualët që ideuan, frymëzuan, morën pjesë  dhe drejtuan rrëzimin e monumentit.

Atë ditë nuk ra vetëm një shtatore bronzi, por një model i të keqes, një mishërim i doktrinës çnjerëzore të shtypjes, të dhunës, të luftës së klasave, të shpronësimit, të kolektivizimit, të izolimit, të varfërisë dhe mjerimit proverbial, të mohimit absolut të çdo lirie dhe të drejte njerëzore. Sepse Enver Hoxha ishte kreu i së keqes që iu mori qytetarëve pronën, lirinë dhe besimin në Zot.

 Zonja dhe zotërinj,

Demokracia është e papajtueshme, alergjike dhe e pashartueshme me çdo element të diktaturës, aq më pak me simbolet e saj. Ky është mësimi i madh i 20 shkurtit 1991.

Është  një mësim i vyer që udhëton në kohë dhe nga një brez në tjetrin. Është një mësim që përcakton vijën ndarëse mes Shqipërisë së re demokratike nga Shqipëria e vjetër hoxhiste dhe reminishencat e saj.

Në këtë 25- vjetor, 20 shkurti ndan sërish dy modele, dy botë, dy rrugë për të ardhmen e vendit – Ne që shikojmë dhe mësojmë nga modeli i demokracive perëndimore dhe kundërshtarët tanë që kanë në mendje, pavarësisht se mundohen ta fshehin, adhurimin për modelin e diktatorit.

Kjo nuk është retorikë. Siç u tha sot disa herë qeveria e sotme, pasi injoroi sa mundi festimet kombëtare për 25- vjetorin e Lëvizjes Demokratike në dhjetor të vitit të kaluar, nuk tha asnjë fjalë të vetme për ngjarjet shkurorëzuese të Enver Hoxhës në shkurt të vitit 1991, nuk organizoi asnjë veprimtari përkujtimore për 20 shkurtin epik.

Si është e mundur? Në cilin vend të hapur të botës mund të ndodhë që qeveria të heshtë për një ngjarje kaq të madhe dhe kaq të rëndësishme, kaq lavdi plotë për historinë dhe qytetarët e vendit që ajo  qeveris?

Heshtja e mbajtur nga qeveria dhe shefi i saj Edi Rama është e turpshme, është provokuese, është e dënueshme, është ogurzezë, është një heshtje që flet, flet shumë për raportin e tyre të vërtetë me trashëgiminë hoxhiste.

Atyre nuk iu bën zemra; nuk mund të lartësojnë aktet e trimërisë të qytetarëve shqiptarë, siç është 20 shkurti.

Në vend të një populli që përballet me të keqen, duan një popull që konformohet me të keqen, që mënjanohet, trembet dhe struket.

Ata  promovojnë nënshtrimin në vend të mesazheve dhe shembujve të lirisë; ata investojnë shuma kolosale për propagandë dhe trushplarje me qëllim që të fshehin dështimet në abuzimet e tyre të jashtëzakonshme. Modeli i tyre është përdorimi antiligjor i pushtetit, është represioni ndaj qytetarëve në një anë dhe pasurimi i shfrenuar për vete dhe për klientët e oborrit të tyre në anën tjetër. Me një synim: me forcën e pushtetit dhe parasë së tyre të vënë nën kontrolli të tyre gjithçka, të çimentohen në pushtet si oligarkë, pavarëissht si jetojnë, si mbijetojnë, si mundohen, si vuajnë dhe çfarë mendojnë shqiptarët.

Ata i konsiderojnë  paratë e shqiptarëve si t’i kishin paratë e tyre. Ata po i hedhin paratë e shqiptarëve në koncesione korruptive që nuk janë parë e nuk janë dëgjuar, prej nga marrin bashkë me ortakët dhe klientët e përzgjedhur prej tyre pjesën e luanit. Thërrimet për qytetarët i konsiderojnë dhurata të qeverisë dhe nuk kanë turp të kërkojnë mirënjohje dhe lavdi publike për këtë. Njëlloj si paraardhësit e tyre politikë.

Në çdo gjë që bëjnë dhe thonë ata nuk na lënë të harrojmë dhe ne nuk harrojmë se ndërsa në një Shqipëri të lirë, anëtare e NATO-s dhe kandidate në Bashkimin Europian, hoxhizmi, diktatura  dhe ideologjia komuniste nuk mund të kthehen si qëmoti, qeveria e idhtarëve të pushtetit absolut njësohet me hoxhizmin si praktikë qeverisjeje.

Rama-Meta është në thelbin e veprimit të saj një qeveri neohoxhiste, që nuk mund të sjellë Enverin, por ka sjellë asfiksimin e ekonomisë, goditjen e pronës dhe lirive të qytetarëve, arrogancën dhe arbitraritetin e shkollës së vjetër antidemokratike. Është qeveria që operon përmes frikësimi, qeveria që dhunon dhe plaçkit pasuritë publike dhe individuale për interesa vetjake dhe kupolës.

Për të gjithë shqiptarët që duan dhe nderojnë liritë, ligjin dhe punën e ndershme, kjo qeveri është  një devijim i madh dhe i pabesë nga akti madhështor i 20 shkurtit 1991.

20 shkurti është himni qytetar i lirisë. Si i tillë, ndërsa ka përcaktuar dhe përcakton udhëtimin e pakthyeshëm perëndimor të Shqipërisë, 20 shkurti, me vlerat që mbart, nuk është thjesht histori, por është sërish në betejë, sërish përballë të keqes, në radhë të parë përballë monumenteve të reja të arbitraritetit, krimit  dhe korrupsionit në sistem.

Nuk janë monumente bronzi, e dimë. Por rrugë të mesme nuk ka: ose shqiptarët  do të rrëzojnë të keqen që ka zënë qoshen e qeverisjes,  ose e keqja do t’i mposhtë dhe degradojë ata.

Liria nuk mund të  bashkëjetojë në paqe me krimin dhe korrupsionin në sistem. Liria  nuk mund të mundet. Shqiptarët nuk manipulohen, nuk frikësohen, nuk mashtrohen. Shqiptarët, sikundër popujt e tjerë,  kanë  krijuar në histori majat e tyre të cilave u referohen në sfidat me të cilat përballemi.

20 shkurti i vitit 1991 është një maje e tillë për ne,  nga më të lartat që kemi. 20 shkurti është pasuri e paçmuar. Ai na mëson pareshtur se hoxhizmi si praktikë pushteti, hoxhizmi që trashëgohet apo imitohet nga nipërit, pasuesit apo idhtarët e tij politikë, maniakë abuzivë të pushtetit, nuk duhet të jetë kurrsesi  pjesë e modeleve tona të qeverisjes.

Ndaj në  këtë 25- vjetor të 20 shkurtit të lavdishëm,  në këtë ditë nderimi, kujtimi dhe reflektimi, me lejoni t’i drejtohem edhe një herë mbarë qytetarëve shqiptarë e në veçanti rinisë shqiptare:

Le ta bëjmë 20 shkurtin një standard të papajtueshmërisë me të  keqen!

Le të jetë 20 shkurti emblemë e lidhjeve tona me vlerat e lirisë dhe demokracisë perëndimore!

Le të jemi në këmbë,  të  jemi të bashkuar për fitoren e shpejtë e të sigurtë të këtyre vlerave!

Rroftë liria!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!


Fjala e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në aktivitetin përkujtimor të 25 vjetorit të rrëzimit të shtatores së diktatorit, 20 Shkurt 2016

Read More
20 Shk
0

Veliaj vazhdon ndërtimin e paligjshëm, korruptiv e klientelist të Parku i Liqenit

 Përfaqësuesit e Partisë Demokratike denoncojnë sërish aferën e Veliajt 

Erion Veliaj nuk tërhiqet nga paligjshmëria e tij dhe vazhdon të ndjekë interesin korruptiv e klientelist duke ndërtuar brenda Parkut të Liqenit. Edhe pse banorët e Tiranës kanë protestuar, edhe pse ka një kallëzim penal në Prokurori për këtë shkelje të rëndë të ligjit, Veliaj vazhdon sërish punimet.

Sekretari për aksionin qytetar në PD dhe këshilltarë të PD në Bashkinë e Tiranës denoncuan sot sërish këtë akt të paligjshëm e korruptiv, pikërisht në zonën ku Veliaj ka planifikuar të ndërtojë lokalin për mikun dhe klientin e tij.

“Çdo ditë policia e Shtetit dhe Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar nxjerrin lajm kur arrestojnë, burgosin qytetarë të cilët ngulin një gozhdë, suvatojnë ballkonet apo hapin një dritare. Ndërkohë në mes të Tiranës, në një park të mbrojtur me ligj ku nuk lejohet kategorikisht ndërhyrja bëhet ndërtim i paligjshëm. Siç e shikoni pas nesh, jemi në kushtet kur policia e Shtetit dhe Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar mund të kapë në kushtet e flagrancës punjës që punojnë me urdhër nga kryetari i Bashkisë për të ndërtuar një vepër korruptive dhe klienteliste, jo një park lojërash siç thotë, por një lokal me vlerë 800 milionë lekë për klientët e vetë qeverisë. Ne para katër ditësh kemi dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës. Edhe njëherë i bëjmë thirrje Prokurorisë që ta hetojë sa më shpejt sepse kjo çështje është në ndjeshmëri të lartë publike dhe nga ana e Prokurorisë duhet të trajtohet siç i takon”, u shpreh Salianji.

“Mendojnë se janë mbi ligjin dhe se mund të kapërcejnë të gjitha nivelet por kjo nuk do të kalojë. Ne do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore siç kemi vepruar deri më sot. Do të vijojmë betejën tonë në Këshillin Bashkiak të Tiranës në mënyrë që transparenca të bëhet e plotë dhe të gjithë shkelësit e ligjit pavarësisht se sot janë të veshur me pushtet, të mos i shpëtojnë ligjit. Eshte e qartë tashmë se klientët e Ramës po marrin në zotërim edhe parkun e liqenit dhe pë rfat të keq siç e kanë përcaktuar edhe diplomatët e huaj, qeni sulmues i ramës në Bashkinë e Tiranës nuk po ndalet dhe po kafshon gjithçka, tashmë edhe vetë liqenin artificial. Eshtë e turpshme dhe është koha që institucionet e pavarura të hetimit të veprojnë sa më parë sepse nuk kemi të bëjmë vetëm me krim ekonomik dhe në kushtërshtim me ligjin, por mbi të gjitha kemi të bëjmë me vendosjes e mafies të betonit dhe përfitimit në kurriz të qytetarëve dhe ambjentit”, tha Leonard Olli.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 20 Shkurt 2016

 

Liqeni

Read More
19 Shk
0

Shqipëria ka nevojë për kultin e individit të lirë, pa të cilin demokracia mbetet një formalitet

Të nderuar miq,

Të nderuar panelistë,

Së pari, dua të përshëndes Fondacionin për Liri dhe Demokraci, Bordin e Fondacionit, Presidentin e Fondacionit z.Imami, të gjithë ata që kanë bashkëpunuar në këtë koncept, që i paraprin 25-vjetorit të rrëzimit të simbolit të diktaturës, shtatores së diktatorit Enver Hoxha pak metra më tej në mes të sheshit “Skënderbej”.

Dua të falënderoj Fondacionin “Hanns Seidel” dhe përfaqësuesit e këtij fondacioni në Shqipëri të cilët vazhdojnë të japin një mbështetje të fuqishme Partisë Demokratike dhe Fondacionit për Liri dhe Demokraci në misionin tonë opozitar por edhe në misionin tonë të ringritjes së vlerave, standardeve dhe normave perëndimore, europiane si në programin tonë opozitar ashtu edhe në alternativën tonë të nesërme për qeverisje.

Së treti, dua të them që për mua ky eveniment dhe mënyra e organizimit përbëjnë një risi e cila ka për qëllim të eksplorojë në një dialog me pjesëmarrësit këtu në sallë por edhe me publikun që na ndjek përmes medias, domethënien e atij akti 25 vite më parë dhe të eksplorojë përtej domethënies edhe investimin që ai akt, shembja e simbolit të diktaturës duhet të përbëjë për brezat dhe për sfidat me të cilat Shqipëria po ndeshet sot e do të vazhdojë të ndeshet derisa të kultivojë kultin e individit.

Shqipëria nuk ka nevojë për kultin e individit diktatorial, për kultin e individit që shembëm 20 vite më parë, për simbolin e “njeriut diell” nga e cila varet ekzistenca e çdo robi e çdo skllavi e çdo proletari e çdo demokrati apo çdo socialisti. Nuk ka nevoje për kultin e individit për të cilin duhet të thërrasim “Rroftë udhëheqësi i partisë!”, sa herë marrim në dorë tapitë e legalizimit  apo na kthehen si shërbime taksat që na merren nga xhepat tanë. Shqipëria ka nevojë  për kultin e individit të lirë, pa të cilin demokracia mbetet një formalitet. Individ të lirë, këtij tipari, këtij identikiti të demokracisë perëndimore cili është aksioneri i vërtetë i shtetit, si kontratë, i demokracisë, i individit që e kupton se shteti nuk disponon asnjë mjet sepse të gjitha mjetet burojnë nga individi.

Paratë që shteti destinon janë paratë e taksave që paguan individi. Të drejtat që shteti mbron janë të drejtat natyrale dhe hyjnore të individit. Liritë që shteti duhet të garantojë janë liritë natyrale të individit dhe aspiratat që shteti duhet të investojë janë aspiratat legjitime të individit.

Shqipëria ka nevojë për kultin e qytetarit të lirë i cili në demokraci nuk është thjeshtë vlerësuesi me votë një herë në katër vite i qeverisjes por është dhe do të jetë dhe gardiani i qeverisjes, i cili nuk ka nevojë as të thërritet as të stimulohet për protestë por i prin protestës sa herë që keqqeverisja e lë në baltë, e kërcënon apo ç ‘është me e keqja e rikthen në kohët e errëta kur e trajton ri rob, si skllav, si qenie që duhet të jetë i lumtur që i shtrëngon dorën udhëheqësit, për të marrë tapinë e legalizimit që i takon. Për të marrë shërbime për të cilat ka paguar me kokën poshtë dhe pa kërkuar llogari edhe kur gjysma e parave vidhen rrugës. Ky pra, pa dorashka është edhe interesi im kryesor, interesi ynë kryesor si forcë politike.

Në këtë diskutim të sotëm dhe në këtë përvjetor të 25-të, ne duam që të sjellim  përtej nderimit për protagonistët që e nisëm pardje në Qytetin Studenti me protagonistët e grevës së urisë, e përtej kujtimit nesër në një ekspozitë me një instalacion artistik në Muzeun Kombëtar i cili do të qëndrojë i hapur për 48 orë, edhe rëndësinë e  atij akti që nuk ishte thjesht dhe vetëm rrëzimi i një simboli. Këto aktivitete normalisht duhet t’i takonin qeverisjes që paguhet nga taksat e shqiptarëve edhe për të përkujtuar këto momente të rëndësishme të shqiptarëve por që i ka lënë edhe këtë 25-vjetor sikundër edhe në 25-vjetorin e ngritjes për demokraci të 8 dhjetorit të vitit të kaluar në një harresë frojdiane, në kuptimin e plotë të fjalës, pra në një harresë kriminale.

Kështu që pa marrë shumë kohë, duke shprehur respektin dhe vlerësimin e madh për të gjithë panelistët e nderuar që do të flasin sot, profesor Peqinin, profesorësh Nikën, profesor Gjekmarkaj, për z.Kulluri, për z.Fuga që ndodhet në panelin pasardhës. Profesor Tupen, për të tjerë që i kërkuam të vinin por fatkeqësisht nuk ndodhen sot në Shqipëri e do t’i jepnin edhe më shumë kolorit këtij diskutimi që nuk është një diskutim partiak, nuk do të jetë një diskutim partiak por synon dhe shpresojë që do t’ia arrijë që të afrohet sa më shumë me thelbin e vërtetë me 20 shkurtit 1991 që nuk ishte një përplasje, urrejtje e verbër ndaj disa dhjetëra apo qindra kile bronz, ishte shumë më shumë se kaq, është dhe duhet të jetë shumë më shumë se kaq.

Ju faleminderit!


Fjala e kryetarit të Partisë Demokratike, z.Lulzim Basha në aktivitetin e FLD të titulluar “Politika simbolike, një dialog për qytetarin dhe demokracinë”, 19 Shkurt 2016

 

Read More