Blog

17 Shk
0

Përkujtohet 25 vjetori i grevës së urisë, sakrificës dhe guximit që çoi në mposhtjen e diktaturës më të egër në Europë

Partia Demokratike ka përkujtuar sot 25 vjetorin e grevës së studenteve e cila i parapriu rrëzimit të shtatores së diktatorit.  Pedagogë dhe studente kanë rrëfyer momentet e grevës së urise, arsyet që i shtynë për t’u futur në grevë, terrorin  që regjimi ka ushtruar ndaj tyre, guximin dhe vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund kauzës së tyre të drejtë për liri dhe demokraci për Shqiperinë si gjithë Europa.  Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se studentet grevistë janë shembulli më i mirë se si me zjarrin e idealit të lirisë sakrifikuan gjithçka dhe bënë të mundur përmes sakrificës dhe guximit të tyre mposhtjen e diktaturës më të egër në Europë.

“Partia Demokratike sot në opozitë, në kushtet e një injorimi të dhimbshëm dhe do të thoja në kufinjtë e kriminales që qeveria e sotme i bën përvjetorit të 25-të të grevës së urisë së studentëve dhe shembjes së diktaturës me shembjen e shtatores së diktatorit Hoxha në qendër të Tiranës, nuk do  ti kalojë në heshtje, duke nisur që sot e me aktivitetet që vazhdojnë me 19 dhe 20 Shkurt.

Dua ta nis me një mirënjohje të thellë për të gjithë ata studentë që u futën në grevën e urisë e që sot përcjellin tek rinia atë që për mua është vlera më e madhe e grevës së urisë;shembullin e të rinjve të cilët me zjarrin e idealit të lirisë sakrifikuan gjithçka dhe bënë të mundur përmes sakrificës dhe guximit të tyre mposhtjen e diktaturës më të egër në Europë.

Në procesin e kontaktimit të protagonistëve, një pjesë e madhe e të cilëve nuk ndodhen në Shqipëri, bashkëpunëtorët më informuan emocione prevaluese. Prekje deri në ngashërim e derdhje lotësh për evokimin që është bërë, për thirrjen në skenën e opinionit publik të këtyre heronjve gjigandë që në fakt pasi kryen detyrën e tyre karshi lirisë, demokracisë e kombit vazhduan me jetët e tyre normale. Në fakt prekja është dhe duhet të jetë e jona. Mirënjohja është dhe duhet të jetë përjetësisht e jona për veprën e tyre të jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Le ta kuptojmë pra sa të mundemi e sa më mirë. Uroj që ky panel të bëjë një përpjekje për tu relatuar ju të rinjve domethënien e vërtetë të grevës së urisë dhe vlerën e madhe të guximit që sot përsëri pas 25 vitesh koha dhe sfidat e Shqipërisë europiane siç e duam ne po e thërrasin përsëri në skenë e unë jam i sigurtë që rinia shqiptare përsëri nuk do të zhgënjejë por do të ngrihet për lirinë dhe demokracinë”, tha Basha.

Ish kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka rrëfyer përjetimin e tij për grevën e studentët dhe si nisi greva e pas rrëzimin e shtatores së diktatorit.

“Dua të përulem me nderimin më të madh para atyre 720 studentëve që me 18 shkurt vendosën të vetflijohen për një kauz shumë të madhe dhe u lartësuan në trimërinë dhe guximin e heronjve të vërtetë. Greva e studentëve, ka historikun e vet, pa mëdyshje me një diversitet tregimesh që është normale, por cilat janë momentet. De-Enverizimi ishte problemi më madhor i Partisë Demokratike. Pa de-Enverizimin, Partia Demokratike ishte një fasadë-opozitë. Ju them ju një gjë, që mund t’ju duket çudi sot. Në shkurtin e viti ’91, i gjithëfuqishëm  dhe i gjithëkugjetshëm i këtij vendi ishte Enver Hoxha, nga qendra e Tiranës  në çdo skaj të territorit, por fatkeqësisht edhe në mentalitetin e shqiptarëve.  Në këtë kontekst, gumëzhinte sigurisht mjedisi universitar dhe intelektual për këtë problem, por nisma nuk kishte. Dhe nga mesi i muajit janar unë i them Azem Hajdarit se, ne po nuk ndërmorëm de-Enverizimin ne nuk kemi të ardhme si opozitë dhe çdo ditë dhe më shumë ne dukemi para botës dhe shqiptarëve si një fasadë -opozitë, pasi çdo mëngjes dhe çdo darkë që ne kalojmë përbri shtatores së diktatorit, ai tallet me ne. Siç ishte ai, u ngrit në këmbë  më përqafoi dhe më tha se: “unë për tre ditë të heq Dullën”. i them jo prit, në asnjë mënyrë  pasi ata e vendosin përsëri dhe e vendosin dhe me vaj pastaj.  Ky ishte aksioni më i vështirë”, tha Berisha.

720 studentë të regjistruar por dëshmitë e tyre flasin për një numër edhe më të madh studentësh grevistë të ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit duke sfiduar frikën dhe terrorin.

“Të ishe nga Kavaja dhe student nënkuptoje në mënyrë të menjëhershme pjesëmarrjen në grevën e urisë. Qyteti i Kavajës ishte ndër qytetet e para që theu frikën kundër atij regjimi diktatorial dhe me thënë të drejtën edhe në Qytet Studenti frika ishte thyer që më përpara, që një natë dhjetori kur ky burri pranë meje ( Sali Berisha) erdhi tek godina nr 4 dhe me thënë të drejtën që aty u kuptua qartë që ishte diçka që nuk do kishte kthim prapa. Regjimi kishte marrë të tatëpjetën dhe ne duhet ti bënim ceremoninë siç e meritonte. Edhe njëherë dua ti rikthem antikomunizmit të qytetit nga unë vij, Kavaja, sepse në këto 25 vite kanë ndodhur edhe gjëra të pakëndshme dhe unë i ftoj bashkëqytetarët e mi ti rikthen atij antikomunizmi dhe atyre virtyteve të cilët ata besuan 25 vite më pare”, tha Parid Teferiçi.

“Kam qënë 18 vjeç ditën që jam futur në grevën e urisë. Do të doja në radhe të parë të bëja një homazh për të gjitha femrat që morën pjesë në grevë për arsye se nuk ishin të shumta në numër. Homazhin e dytë doja ta bëja për ata 18 vjeçarë që u larguan pa leje nga shtëpitë për t’ju bashkuar grevës. Dhe mesazhi im i tretë. Është e vërtetë që ajo ishte grevë e studentëve por ajo grevë nuk do të kishte kuptim pa krijimin e Partisë Demokratike 2 muaj më parë. Ashtu siç nuk ka kuptim sot çfarëdo lloj greve apo proteste që në bëjmë nëse në dallë të saj nuk do të jetë Partia Demokratike”, tha Edith Harxhi.

Sot 25 vjet më pas, studentët grevistë kanë një mesazh për të gjithe ish studentët dhe studentet e sotëm, se janë gati të futen sërish në grevën e urisë për të ndalur të keqen që ka mbërthyer vendin.

“Unë u bëj thirrje të gjithë prap se nuk jemi të vjetër. Unë jam 48 vjeç. Jam gati të futem prap në grevë sepse shkurti sivjet është i errët dhe i zymtë sa shkurti i 1991. Shkurti i 1991 çoi të gjithë Tiranën e gjithë Shqipërinë në këmbë dhe ngjalli shpresë. Shkurti këtë vit është më keq se shkurti i 1991. Kemi më shumë bukë, banesa më të mira, kemi kushte më të mira por nuk ka pasur shkurt më të keq. Dhe shkurt po them që tua shkurtojmë këtyre”, tha Ajet Ramçaj.

“Nuk është kosto e madhe që të veprosh që të reagosh dhe që të kërkosh ndryshimin thjeshtë bëhet, siç e kanë bërë studentët”, tha Mark Marku.

Por  studentët grevistë të Kavajës dhe Shkodrës hapën dhe sfidën se cilat ishin qytetet më antikomuniste. Askusht prej tyre nuk dëshironte të mos i përgjigjej kësaj sfide të heshtur edhe në kushtet kur sot simbolet e diktaturës po rikthehen frikshëm mes nesh.

“Unë jam nga Berati dhe pavaresisht se Berati tregohej si zona e vullnetarëve të Enverit në fakt ishin të shumtëë  studentët që ikën pa leje nga shtëpia, duke thënë se kishin provim për t’u futur në grevën e urisë. Sepse Berati i prin qytetarisë dhe kërkon dhe mbështetet fuqishëm në vlerat e lirisë dhe demokracisë”, tha Dritan Haznedari.

“Vlora nuk është më pak antikomuniste se Kavaja dhe këtë e treguar dhe do ta tregojmë gjithmonë”, tha Ermal Arapi një ish student nga Vlora, pjesëmarrës në grevën e urisë 25 vite më parë.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 17 Shkurt 2017

Read More
17 Shk
0

Rama sfidon mesazhet e John Kerry-t, emëron ministër financash njeriun e aferave korruptive

Mirëdita të nderuar anëtarë të grupit parlamentar,

Përfaqësues të medias,

Të dashur qytetarë,

Dua ta nis mbledhjen me një urim në emër të Partisë Demokratike për 8 -vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Një urim që nuk i shkon vetëm vëllezërve dhe motrave tona në Kosovë, por çdo shqiptari në çdo cep të kombit dhe kudo ku jetojnë nëpër botë.

I shkojnë çdo kujt sepse i tillë është edhe gëzimi i përligjur për domethënien e 17 shkurtit 2008.

Por sot përveç gëzimit është edhe një ditë përkujtimi, ditë nderimi për breza të tërë që luftuan dhe sakrifikuan për lirinë kombëtare, plot pesë breza që prej Lidhjes së Prizrenit, 130 vjet më parë  dhe 35 vite nga shpallja e objektivit për Kosovën Republikë.

Intelektualë, qytetarë, të rinj dhe të reja që u përballën me aparteidin, genocidin dhe terrorin, luftuan, e fituan luftën e fundit çlirimtare në Europë.

Një ditë për nderimin e ikonave të pavarësisë dhe lirisë, arkitektit të Kosovës së Pavarur presidentit Ibrahim Rugova, komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari.

Po kështu një ditë mirënjohje ndaj NATO-s e drejtuar nga SHBA, të cilët bënë të mundur zmbrapsjen e fushatës së spastrimit etnik, çlirimin e Kosovës dhe drejtuan procesin në pavarësinë e saj.

Sot Kosova e njohur nga 111 shtete, ka finalizuar dhe nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asoocimit me Bashkimin Europian, dhe po çon drejt përfundimit procesin e heqjes së vizave, pra të lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës.

Ne i ndjekim hap pas hapi  zhvillimet në Kosovë sepse përparimi i Kosovës dhe i qytetarëve të saj janë për ne demokratët, sikundër për të gjithë shqiptarët këtu në Shqipëri jo thjesht një përparësi politike apo interes i dorës së parë por edhe një urim i përditshëm shpirtëror dhe familjar.

Sfidat tona të përbashkëta mbeten mirëfunksionimi i demokracisë, shteti ligjor dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit për t’i hapur rrugë një të nesërme më të mirë me ekonomi  të fortë dhe mundësi më të mëdha për qytetarët tanë.

Ndaj edhe një herë i uroj nga zemra gëzuar përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës!

Zonja dhe zotërinj deputetë java e kaluar, e diela u mbyll me vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry.

Siç jeni në dijeni, unë dhe një grup deputetësh të PD-së  patëm të dielën  një takim të  mrekullueshëm me sekretarin Kerry.

Dhe dua të ndaj me ju sot, me mbarë qytetarët, me mbarë bashkëkombësit tanë mirënjohjen  tonë të  thellë për këtë takim të pazakontë në axhendën e ngjeshur të një Sekretari Shteti.

Dua po kështu që së bashku të  ndajmë përgjegjësitë për të çuar përpara angazhimet që  rrjedhin  nga bisedimet e hapura  dhe shumë miqësore  me sekretarin Kerry.

Kemi folur si miq, kemi folur si aleatë të ngushtë për sfidat kyçe të Shqipërisë, ku spikat si një imperativ  lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

Jemi të  nderuar, të frymëzuar dhe të inkurajuar prej faktit që SHBA njohin tek Partia Demokratike një forcë konstruktive perëndimore, një alternativë  të fuqishme politike, që përballet  dhe propozon, që lufton dhe  ndërton.

Jemi të lumtur që qëndrimet tona  për çështjet  themelore të  demokracisë në vend dhe për sfidat  me rezonancë  kombëtare, rajonale dhe me gjerë,  janë në sintoni të plotë me qëndrimet e  partnerit tonë strategjik, çka u konfirmua edhe në takimin e nivelit të  lartë me sekretarin Kerry.

Diskutimet e mia  me sekretarin Kerry u përqendruan në tre çështje kryesore.

Së pari, sfida e madhe që ka Shqipëria për të mposhtur influencën e krimit në të gjitha fushat e jetës e në veçanti në politikë ku Partia Demokratike ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Ky grup parlamentar së bashku me demokratët anembanë Shqipërisë u angazhuan në një betejë të paprecedentë në historinë e Europës, duke përfshirë masa ekstreme si ato të bojkotit parlamentar, për të fituar një kauzë të drejtë, një kauzë legjitime, siç është ajo e dekriminalizimit. Pra, të largimit të personave me rekorde të tmerrshme kriminale nga Parlamenti dhe nga të gjitha institucionet e tjera publike, ndalimin e garimit apo emërimit të tyre në të nesërmen.

Kjo betejë siç e parashtruam dhe siç e luftuam me çdo çmim deri në fitore është një parakusht që çdo reformë tjetër të ecë përpara, është kusht i çdo kushti për legjitimimin e hapave të mëtejshëm që Shqipëria duhet të hedhë si për sa i përket reformës në drejtësi, çështjes së votës dhe zgjedhjeve të lira dhe çështjeve të tjera që e mbajnë peng zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë dhe qytetarëve të saj.

Ndaj bashkë me mirënjohjen për mbështetjen e jashtëzakonshme, deçizive të SHBA-ve në këtë betejë të fituar, jam shumë i inkurajuar të ndaj me ju edhe mesazhin e përkrahjes për zbatimin e këtij ligji në germë dhe në shpirt nga SHBA, për të cilën edhe një herë i shpreh mirënjohjen time të madhe.

Çështja e dytë që diskutova në takimin me z.Kerry është ajo e reformës në drejtësi ku Partia Demokratike ka një qëndrim të qartë, koherent dhe transparent: atë të mbështetjes pa kushte të një drejtësie të reformuar, të një drejtësie të pakapur politikisht, të një drejtësie që lufton korrupsionin në nivele të larta dhe kudo,  përfshirë korrupsionin  në gjirin e saj.

Konfirmova edhe një herë angazhimin tonë për një reformë gjithëpërfshirëse me konsensus, bazuar në parimet dhe normat e gjithëpranuara të Komisionit të Venecias. Theksova gatishmërinë time dhe të Partisë Demokratike për të punuar së bashku në frymën e konsensusit për këtë reformë  shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Reformë e cila nuk mund të kryhet pa angazhimin, pëlqimin dhe konsensusin e Partisë Demokratike në bazë të parimeve të shpallura, ato të Komisionit të Venecias.

Dhe çështja e tretë, çështja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, çështja që ndan demokracitë në të dështuara apo të vërteta. Çështja që përcakton nëse Shqipëria do të ecë përpara apo jo.

Mungesa e zgjedhjeve të lira, siç po shohim dhe po jetojmë çdo ditë,  rrezikon demokracinë, rrezikon stabilitetin, rrezikon shpopullimin e Shqipërisë, rrezikon  rrëzimin e  vendit.

Kërkova angazhimin e SHBA për të zgjidhur këtë problem ekzistencial për demokracinë shqiptare dhe kam kënaqësinë e madhe t’ju konfirmoj se nga sekretari Kerry mora konfirmimin e mbështetjes totale ndaj Shqipërisë për të kapërcyer këtë brengë dhe sfidë të madhe, zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Mesazhet e sekretarit Kerry përbëjnë një inkurajim dhe shtytje të madhe për opozitën. Ne promotorët e dekriminalizimit jemi gati që së bashku me qytetarët shqiptarë të bëjmë të gjitha përpjekjet për ta çuar demokracinë shqiptare në një stad të ri, në një demokraci të re të pjesëmarrjes qytetare, të pyetjes së qytetarëve, të vendosjes nga qytetarët. Ky është parakusht i eliminimit të çdo rreziku, i mbylljes së çdo dere për oligarkinë në Shqipëri. Ky është një interes madhor kombëtar, është po kështu një interes madhor euroatlantik.

Të nderuar deputetë,

Akoma pa u ngritur nga Rinasi avioni i Sekretarit të Shtetit, kryeministri Edi Rama, autori i promovimit të individëve me rekorde kriminale në  politikë dhe në poste të larta, përgjegjësi numër një për korrupsionin galopant në vend, ndërmori me nxitim disa gjeste dhe  veprime të menjëhershme që shkojnë plotësisht në drejtim të kundërt, madje  janë një sfidë e hapur ndaj  mesazheve që dha miku amerikan në vizitën e tij në Tiranë.

Gjesti i parë, u  kujdes që ish-deputeti i tij i Lezhës, i larguar nga Kuvendi për dënimin që ka marrë nga gjykatat italiane si trafikant i qenieve njerëzore, të  prezantonte në një ceremoni prefektin e ri të qarkut të Lezhës.

Gjesti i dytë, ishte dalja demonstrative në Kavajë dje përkrah Elvis Roshit, një tjetër subjekt i njohur ndërkombëtarisht i ligjit të dekriminalizimit dhe tallja publike me rekordet e tij.

Mesazhi i kryeministrit për  miqtë  e tij me rekorde kriminale në veçanti dhe për botën e krimit në tërësi është  i qartë: Mos e vrisni trurin se ç’thotë Amerika dhe çfarë i them unë Amerikës për luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Kjo është politikë! Unë punën e kam me ju. Do të bëj çmos t’ju mbaj deri në fund. Do bëj çmos t’ju fus nga penxherja dhe çdo vrimë kur ligji ju nxjerr nga dritarja. Ju jeni përfaqësuesit e mi të vërtetë, ju jeni prefektët e mi të  vërtetë.

Por karshillëku ndaj mesazheve  të vizitës historike të zotit Kerry shënoi një kulm me  të ashtuquajturat ndryshime  në qeveri e në radhë të parë me emërimin e  Arben Ahmetajt në postin e Ministrit të Financave, një akt që ka  ngjallur indinjatë në mbarë opinionin publik për shkak të rekordeve që ka ky ministër si  i përfshirë në afera korruptive të njëpasnjëshme. Një akt që  ka shkaktuar ilaritet në shumë qarqe politike ndërkombëtare që merren me Shqipërinë.

 Ahmetaj i denoncuar publikisht nga opozita dhe jo vetëm, për landfillin e Elbasanit nga ku vidhet 10 mijë euro para të taksapaguesit shqiptarë çdo ditë apo ndërmjetësi për pazarin e fshehtë dhe korruptiv të Skavicës.

Ahmetaj i emëruar në postin e ministrit të Financave është një konfirmim se plaçkitja, mbushja e xhepave me paratë e shqiptarëve është standardi i artë i Edi Ramës.

Po kështu Rama mbrojti fort modelin e koncesionit në shëndetësi, model i vjedhjes më të shpejtë të parave të shqiptarëve në historinë e vendit nga ku janë zhdukur 338 milionë euro dhe nga ku punëtorja e palodhur e ndërtimit të kësaj skeme u emërua ministre e Ekonomisë.

Rama, Ahmetaj, Tahiri dhe Beqja  përbëjnë tashmë kupolën e ngushtë, që kontrollon të gjitha  aferat korruptive madhore,  të denoncuara në vijimësi nga grupi ynë parlamentar, nga opozita dhe nga mediat.

Të tjerët  konsiderohen dhe janë  punëtorë  dhe shërbëtorë të këtij sistemi, të destinuar për t’u bërë kurban për kundërshtimin  apo rebelimin më të vogël.

Emërimi i  Ahmetaj  është paraprirë nga një ulje  e qëllimshme, kriminale, e denoncuar e të ardhurave doganore dhe tatimore me qëllim që vjedhja qeveritare në dogana dhe tatime të intensifikohet dhe  të lustrohet në rrafshin propagandistik me realizimin e planit të ulur.

Emërimi i Ahmetajt është paraprirë me emërimin e punonjësve të  modelit  të  Qebinit dhe individë me rekorde të ndryshme kriminale, që janë përzgjedhur për të siguruar  shtegtimin e sigurt të parave të kontrabandës dhe korrupsionit në kontot dhe parajsat fiskale të qeveritarëve të korruptuar.

Emërimi i Ahmetajt, sipas rrjetit të gazetarëve investigativë të Ballkanit Perëndimor BIRN,  është  përshpejtuar për t’i hapur rrugë koncesionit të TVSH-së, koncesionit të vjedhjes tjetër të shekullit në Shqipëri në shifrat e  140 milionë eurove, që  Edi Rama synon  t’ia japë vëllait të tij  Olsit.

Ish-ministri Shkëlqim Cani, sipas këtij raportimi, nuk ka pranuar ta firmosë këtë  koncesion të  padëgjuar, të turpshëm dhe antiligjor. Ka, sigurisht, te çdo zyrtar me një minimum integriteti një moment përgjegjësie kur konformizmi nuk mund të shtrihet  në akte antipopullore antikombëtare dhe korruptive, pavarësisht prej çmimit.  Ne besojmë se të tillë ka jo pak edhe në  radhët e kundërshtarëve tanë. Ne  besojmë se banda e Edi Ramës është më e zbuluar dhe më e  izoluar se kurrë.

Shkarkimi poshtërues i Shkëlqim Canit dhe emërimi i Arben Ahmetajt është bërë për t‘i hapur rrugë koncesionit të TVSH-së, është bërë për t’i hapur rrugë kontrollit të plotë të burimeve të korrupsionit qeveritarë për llogari të Ramës dhe kupolës së tij të parave.

Emërimi i Arben Ahmetaj është një sulm, një ofensivë e re, më e  babëzitura që Edi Rama ka shpallur ndaj financave publike  për t’i zhvatur me dorë akoma më të rëndë se deri më sot.

Emërimi i Arben Ahmetajt është reduktimi  brutal,  pa doreza,  i qeverisjes në një punë të vetme: të bëjnë pare.

Emërimi i Arben Ahmetajt është lufta e re, më e zeza, që Edi Rama u shpall zgjedhjeve të lira, sepse kërkon t’i vendosë që tani në rrethimin e parave  të pista. Është i ndërgjegjshëm se shqiptarët  nuk e votojnë. E di se elektorati që e votoi në vitin 2013 është në hemorragji të përditshme. Shpresa e tij e  vetme është të blejë  varfërinë, të blejë dinjitetin e  shqiptarëve.

Emërimi i Arben Ahmetajt është  lufta e re që Edi Rama i  shpall opozitës, Partisë Demokratike dhe gjithë shqiptarëve.

Kështu e lexojnë njerëzit, kështu e lexojnë miqtë dhe partnerët tanë karshillëkun e tij të hapur ndaj mesazheve të vizitës së sekretarit Kerry.

Ne do t’i përgjigjemi.

Do të përballemi në Kuvend me këtë emërim korruptiv që do hyjë në rekordet më të zeza të historisë parlamentare dhe demokracisë shqiptare.

Do të vazhdojmë betejën ligjore kundër koncesioneve të zhvatjes së shqiptarëve.

Do të shkojmë deri në shtëpinë e fundit, në fshatin e fundit  për t’u treguar shqiptarëve me fakte dhe prova si po vidhen dhe shpërdorohen paratë e tyre;  do të udhëheqim revoltën dhe shpresën e tyre.

Do të nderojmë vizitën dhe mesazhet e sekretarit Kerry duke u bërë protagonistë të demokracisë dhe shtetit ligjor në vend;  do të vijojmë bashkëpunimin e ngushtë me miqtë dhe partnerët tanë amerikanë dhe europianë.

Si forcë politike Partia Demokratike ka patur gjithmonë një lidhje të veçantë me SHBA, që përkon me  mirënjohjen e popullit  tonë për këtë vend, ku fati na ka dhënë gjithmonë miq dhe shpëtim në ditët më të vështira të historisë tonë.

Ne kemi lindur si parti e orientimit perëndimor, jemi rritur e pjekur si parti euroatlantiste, kemi udhëhequr anëtarësimin e vendit në NATO dhe qëndrojmë si një shtyllë e partneritetit strategjik  me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rrënja e këtyre lidhjeve është mirënjohja e pakufishme për çfarë kanë bërë SHBA për Shqipërinë dhe kombin shqiptar,  është ëndrra  shqiptare e demokracisë, për një Shqipëri  të fortë e të begatë. Euroatlantizmi dhe atdhetarizmi  janë për ne dy anë të së njëjtës medalje.

Jemi  të vetëdijshëm për potencialet që ka akumular dhe vazhdon të akumulojë krimi  i veshur me pushtet dhe pushteti i veshur me krim në Shqipërinë e sotme. Por i njohim mirë  goditjet që ka marrë e po merr oligarkia në përpjekjet e saj për të asgjësuar demokracinë.

Kjo është beteja. Kjo është lufta e opozitës shqiptare. Të çmojmë liritë, të mposhtim sundimin e krimit, të vendosim sundimin e ligjit. Në qoftë se deri dje kemi ëndërruar, shpresuar dhe inkurajuar njëri-tjetrin dhe ndjekësit tanë, sot pas vizitës së sekretarit Kerry jemi më optimistë; në qofte së deri dje kemi qenë  plot me shpresë, sot jemi plot me besim se do t’ia dalim. Me shqiptarët, me partnerët, me SHBA.


Fjala e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në mbledhjen e Grupit Parlamentar, 17 Shkurt 2016

Read More
17 Shk
0

PD kallëzon në prokurori Veliajn për ndërtimin e paligjshëm tek Parku i Liqenit

Partia Demokratike kallëzoi sot penalisht kryetarin e Bashkisë së Tiranës, për ndërtimin e paligjshëm brenda Parkut të Liqenit të Tiranës.

Me objekt; shpërdorim detyre dhe ndërtim të paligjshëm, sot Sekretari për Aksionin Qytetar në PD, Salianji, depozit​oi në prokurori kallëzimin penal ndaj Veliajt.

“Sapo dorëzuam në Prokurori një kallëzim penal për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj për shpërdorim detyre, për ndërtim të paligjshëm dhe për shkatërrim të pronës publike. Siç jeni në dijeni, dje qytetarët e Tiranës në dy aksione të ndryshme e kanë shkatërruar dhe e kanë hedhur poshtë ndërtimin e paligjshëm që kërkon të bëjë kryetari i Bashkisë së Tiranës Veliaj në një zonë të mbrojtur, në një zonë e cila është kategorikisht e mbrojtur me ligj nga ndërhyrjet, siç është Parku i liqenit të Tiranës. Siç e dini, ndërhyrja aty bëhet për interesa të pastra korruptive dhe klienteliste të kryebashkiakut të Tiranës i cili me pretekstin që kërkon të ndërtojë park lojërash për fëmijët do bëjë edhe një lokal për klientët e vet e më pas do ti ndryshojë destinacionin parkut të Tiranës që të ketë mundësi të ndërtojë ashtu siç ka miratuar edhe planin për hyrjen e parkut që të ndërtojë në të pallate shumëkatëshe. Partia Demokratike dhe qytetarët e Tiranës, ashtu siç nuk e lejuan dje ndërtimin e paligjshëm të kryetarit të bashkisë Veliaj”.

Salianji paralajmëroi aksion t​ë fuqishëm qytetar, nëse Veliaj nuk heq dorë nga ky ndërtim i paligjshëm.

“Do ta ndalojnë përsëri sa herë të ketë shkelje ligji dhe në rast se insiston për ta prishur të vetmin park që i ka mbetur qytetit të Tiranës atëhere qytetarët do ta nxjerrin nga zyra e kryetarit të bashkisë së Tiranës”, tha Salianji.


Prononcim për mediat i Sekretarit për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji, 17 Shkurt 2016

Read More
17 Shk
0

Mirdita e izoluar dhe e braktisur nga mungesa e investimeve në infrastrukturë

Deputetja Deda dhe banorët e fshatrave sjellin shqetësimin për mungesën e rrugëve dhe të investimeve prej 3 vitesh.

Bashkia e Mirditës vuan mungesën e rrugëve që lidhin fshatrat me qendrën. Qeveria dhe pushteti lokal nuk kanë investuar asnjë fond në rrugët dytësore apo urat që lidhin Rrëshenin me Repsin, Fanin, Rrubikun, Kacinarin, Oroshin dhe shumë zona e fshatra të tjera. Deputetja e zonës Albina Deda së bashku me banorët kanë protestuar për braktisjen e qeverisë, e cila në 2013 premtoi investime dhe ndërhyrje në infrastrukturë.

“Mirdita është e izoluar, gjendja  në terren tregon qartë se kjo qeveri ka mashtruar mirditorët dhe të gjithë shqiptarët. Ajo nuk ka mbajtur asjnë premtim, i ka braktisur këta banorë në hallet dhe mjerimin e tyre. Premtuan do asfaltojnë rrugët që lidhin njësitë administrative me qendrën, por këtu nuk është hedhur asnjë lopatë dhe askush nga Drejtoria e Rrugëve nuk  inspekton gjendjen e rëndë”, tha Deda.

Qeveria e mëparshme investoi në Mirditë në Rrugën e kombit, investim strategjik që përshkon Mirditën në gjithë gjatesinë e saj, Fan-Rrubik- Rrëshen-Rreps.

Vetë banorët thanë se ecin me orë të tëra nga fshatrat për në Rrëshen, duke rrezikuar dhe jetën nga reshjet, pasi automjetet nuk i përballojnë dot rrugët e rrënuara.

Ndërkohë, deputetja Albina Deda solli në vëmendje dhe largimin nga puna të afro 70 punonjësve të mirëmbajtjes së rrugëve për shkak të punësimit të militantëve të majtë. Drejtuesit e Bashkisë  në këtë sektor, tha Deda, përfaqësojnë interesat kriminale dhe jo ato të komunitetit të Mirditës.


 

Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 17 Shkurt 2016

2

Read More
16 Shk
0

Qytetarët dhe përfaqësuesit e PD ndalin ndërtimin e Veliajt tek Parku i Liqenit

Partia Demokratike, përfaqësuesit e saj në Këshillin Bashkiak dhe qytetarët e Tiranës protestuan sot në zonën e Parkut të Liqenit ku Erion Veliaj ka vendosur të ndërtojë.

Qytetarët dhe përfaqësues të Partisë Demokratike duke e kundërshtuar këtë ndërtim si të paligjshëm dhe korruptiv, shkulën rrethimin e jashtëm të kantierit të Veliajt.

Po ashtu, protestuesit mbollën dhjetra fidane pemë për të zëvendësuar masakrën që ka bërë Erion Veliaj duke prerë pemët.

I pranishëm në protestë, këshilltari demokrat në Bashki, njëherësh kreu i Departamentit të Planifikimit dhe Zhvillimit Urban në PD, Besnik Aliaj u shpreh se: “Jemi në kushtet e një terri informativ dhe jo vetëm për qytetarët por edhe për vendimarrësit. Anëtarët e Këshillit Bashkiak nuk janë informuar për çka po ndodh këtu. Duhet të dimë se edhe në rast përjashtimor të prerjes së pemëve, kjo bëhet me ligj dhe në këto raste, ekspertë të caktuar duhet të bëjnë vlerësimet dhe duhet të hedhin firma që nesër verifikohen deri në Prokurori. Ministri i Mjedisit në varësi të territorit duhet të marrë në dorë kompetencën. Të mos harrojmë që kjo është pjesë e kurorës së gjelbër të Tiranës. Ka një vendim qeverie, ka një përcaktim dhe një shpallje të kësaj kurore dhe askush nuk mund ta shkelë. Në këtë terr informacioni nuk është anashkaluar vetëm opozita apo qytetarët por edhe prefekti që është garanti. Po ju them që prerja e pemëve ndalohet me ligj. Të presësh një pemë është ekzekutimi i një jete të gjallë. Kjo gjë është denocuar edhe nga shoqëria civile e cila sot ka bërë një akt dhe prishi gardhin e më pas ka bërë edhe denoncimin”.

“Qendra multifuksionale e premtuar nga qeni sulmues i Ramës në bashki është në vetvete qendër multifuksionale grabitjeje e hapësirës publike dhe mushkërisë së gjelbër. Atë që z.Rama nuk guxoi vetë ta bëjë si kryetar bashkie tashmë po e realizion me z.Veliaj, dhe për fat të keq të dy bashkë vijojnë të jenë pjesë integrale e mafies së betonit. Janë premruar edhe 10 ndërhyrje të tjera të cilat janë në kundërshtim flagrant me ligjin por edhe me statusin e veçantë që gëzon ky park, e vetmja mushkëri e gjelbër që ka Tirana për momentin. Janë shkelur e hedhur poshtë me një të hedhur të lapsit vendime të Këshillit Bashkiak, ligji për ndërtimet në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ne do të vijojmë betejën tonë politike dhe ligjore në mënyrë që ky ndërtim i paligjshëm dhe skandaloz, i paprecedentë dhe i urdhëruar nga ortakët e 20 përqindëshit të para ca viteve në Bashkinë e Tiranës, të mos kalojë”, tha kreu I këshilltarëve demokratë në Bashki, Olli.

Kreu i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi tha se: “Prerja e pemëve është një akt tmerrësisht i rëndë, një vepër penale e dënueshme nga neni 205 i Kodit Penal. Gjithashtu, është në dhunim të planit rregullues të Tiranës me nenin 42 të rregulloreve. Për fat të keq në këtë vend nuk po shihet më ligji por vetëm maliqi. Për fat të keq, këtu po dhunohen çdo ditë zonat e gjelbërta të Tiranës. Në programin për mjedisin të Partisë Demokratike ndalohet kafshimi i mushkërive të Bashkisë së Tiranës. Referendum, qoftë edhe për parkun për të mos lejuar më banditët e betonit të ndërtojnë brenda parkut të liqenit. Këto ne nuk i falim më”.


Njoftim per shtyp i Partise demokratike, 16 Shkurt 2016

Read More
16 Shk
0

Rama pengon drejtësinë, vazhdon të mbrojë korrupsionin e deputetëve të tij

Edi Rama vazhdon të mbrojë nga drejtësia deputetët e tij Kokëdhima, Suli dhe Leskaj, vazhdon të mbrojë korrupsionin e tyre.

Nga njëra anë, ai urdhëron parlamentin të mos shqyrtojë kërkesën e opozitës për mbarimin e mandateve, nga ana tjetër Edi Rama nuk i hap rrugën drejtësisë për këta deputetë, që haptazi në kundërshtim me Kushtetutën kanë përfituar para publike dhe kontrata me qeverinë.

Abuzimet e deputetëve, 150 transfertat financiare të Kokëdhimës për biznesin e tij, dhjetra milionë lekë në muaj që merr Rakip Suli nga paratë e OSHEE me godinën e tij – para gjaku të shqiptarëve të mbledhura me kërbaç, hekurudha Fier- Vlorë që mori Leskaj, janë raste tipike të kapjes së shtetit, janë shembuj të oligarkisë në veprim.

Edhe pse lufta kundër korrupsionit dhe reformimi i drejtësisë janë prioritete kyçe, të theksuara edhe nga Sekretari Kerri me 14 shkurt, Edi Rama sërish vazhdon në drejtim të kundërt, duke i bërë presion Gjykatës Kushtetuese të mos zbardhë vendimin  për Kokëdhimën, duke penguar Kuvendin të shkarkojë 3 deputetët e tij të kapur në flagrancë, duke mbrojtur aferat e tyre me paratë dhe pasuritë e shqiptarëve.

Ky është prioriteti i Edi Ramës dhe jo drejtësia dhe lufta ndaj korrupsionit.

Ky është modeli që ka ai për drejtësinë. Ta ketë nën kontroll, ta urdhërojë. Drejtësi që nuk ndëshkon njerëzit e tij, drejtësi që nuk lufton korrupsionin e njerëzve të tij.


​Deklarata për mediat e nënkryetarit te Partisë Demokratike, Edi Paloka, 16 Shkurt 2016

 

Read More
16 Shk
0

Edi Rama zgjedh Arben Ndokën, jo Sekretarin Kerry

Mimi Kodheli pati rastin të takohej me Sekretarin amerikan të Shtetit, Kerry, i cili theksoi si sukses ligjin e dekriminalizimit.

Dy ditë më pas, ministrja e Edi Ramës shfaqet me Arben Ndokën, që është objekt i dekriminalizimit, një nga arsyet pse kjo nisëm e opozitës me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, u bë ligj.

Ja ku është fotoja e ministres së mbrojtjes me ish-deputetin, që dekriminalizimi e largoi nga parlamenti, por jo nga Edi Rama i cili i ka besuar qeverisjen e Lezhës të dënuarit për prostitucion dhe rrëmbim personi.

Jo vetëm kaq, por PS-ja e Lezhës tha dje se Ndoka është krenaria e saj.

Dy ditë pas vizitës së Kerrit, Edi Rama vazhdon të sfidojë mesazhin e tij, kërkesën e Shteteve të Bashkuara të amerikës, të miqve ndërkombëtarë dhe kërkesën e qytetarëve të vendit për pastrimin e politikës nga krimi.

Dy ditë më parë, Ndoka prezantoi prefektin e Lezhës. Dje ai u shfaq me Ministren e Mbrojtjes.

Pra është e qartë. Edi Rama ka zgjedhur Arben Ndokën, dhe jo sekretarin Kerri.

Ka zgjedhur krimin, dhe jo partnerët ndërkombëtarë.

Ka zgjedhur trafikantët, banditët, dhe jo qytetarët.


 

Deklarata për mediat e kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, 16 Shkurt 2016

 

IMG_4646

 

 

Read More
16 Shk
0

Spitalet e Sarandës dhe Delvinës në degradim të plotë

Deputetja Elmazi sheh nga afër gjendjen dhe dëgjon akesat e pacientëve

Deputetja Liliana Elmazi ishte në spitalet e Sarandës dhe të Delvinës ku pa nga afër gjendjen e mjerueshme të sistemit shëndetësor, dhe dëgjoi ankesat e kërkesat e qytetarëve.

Pacientët, të afërmit e tyre, dhe mjekët i shprehën zonjës Elmazi, shqetësimin e mungesës së ilaceve, paisjeve  të amortizuara dhe kushteve skandaloze të spitaleve.

“Ne më shumë marrim sëmundje sesa arrijmë të kurohemi”, u shpreh një pensioniste e cila i bëri të ditur deputetes se ushqimet, ilaçet dhe carcafët i blejnë me paratë e tyre.

Deputetja Elmazi tha se është absurde dhe antihumane që ministri i shëndetësisë Beqaj fut në xhepat e tij, kryeministrit dhe klientelës së qeverisë, 330 milion euro nga koncesionet dhe nuk investon as edhe një lek në spitale.

“Ju e shihni vetë që në Maternitet atje ku lind jeta çdo gjë është në degradim. Në spitale lagështira është mbytëse, nuk ka dyer e dritare dhe kushtet janë skandaloze. Pra sistemi nga Tropoja në Sarandë ka degraduar nga rilindasit Rama –Beqaj”, tha deputetja  Elmazi  e cila i bëri thirrje kryeministrit që si deputet i Vlorës të inspektojë nga pranë spitalet e Jugut.

Ndërkohë që nga koncesionet në shëndetësi fitimet e pushtetarëve janë marramendëse, shumica e banorëve të Jugut kryejnë trajtimet dhe lindjet në spitalin e Janinës duke u thelluar edhe më shumë në borxhe e halle, për të përballuar sëmundjet dhe problemet shëndetësore.


 

Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 16 Shkurt 2016

Read More
15 Shk
0

Kerry vlerëson dekriminalizimin, Rama dërgon Arben Ndokën të prezantojë Prefektin e Lezhës

Departamenti amerikan i shtetit e cilësoi të papranueshme që Arben Ndoka, i dënuar në Itali për trafik prostitucioni dhe rrëmbim personi, të ishte pjesë e parlamentit.

Sekretari Kerry, pasi e vlerësoi dje në Tiranë procesin e dekriminalizimit, e veçoi atë si sukses dhe model që duhet ndjekur.

E megjithatë, ja ku është i zgjedhuri i Edi Ramës, i besuari i tij në Lezhë, duke prezantuar Prefektin e Qarkut.

Ja ku është i dënuari që, pas denoncimeve të opozitës, pas qëndrimeve të partnerëve ndërkombëtarë, dhe pasi ligji i dekriminalizimit e nxorri jashtë parlamentit, sot, me bekimin e Edi Ramës, qeveris Lezhën, bën emërime, shkarkime, tenderime. Vendos për çdo gjë.

Edi Rama sfidon hapur dekriminalizimin, sfidon hapur mesazhin e z.John Kerry.

Ai vazhdon t’u japë pushtet personave të inkriminuar, vazhdon ti mbajë ata afër, dhe po i përgadit ata për zgjedhjet që po vijnë për të deformuar votën e lirë.

Si ta kuptojmë qytetarët këtë shpërfillje të Edi Ramës ndaj mesazhit të Kerrit?

Si duhet ta shohë publiku inkriminimin deri në palcë që Edi Rama tashmë po i bën edhe Partisë Socialiste.

Ende pa u mbushur 24 orë nga mesazhi i sekretarit Kerry për dekriminalizimin, Edi Rama po konfirmohet si promotor dhe protektor i krimit në politikë.


Deklarata për mediat e Sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristani, 15 Shkurt 2016

 

Read More
15 Shk
0

Pas mesazhit të USA, Rama në drejtimin e kundërt, presion gjykatës, mbrojtje korrupsionit

Edhe pse lufta kundër korrupsionit dhe reforma në drejtësi janë prioritete kryesore për vendin, siç u theksua edhe dje nga Sekretari amerikan i Shtetit, Edi Rama po vazhdon në drejtimin e kundërt duke i bërë presion gjykatës, e duke mbrojtur korrupsionin e njerëzve të tij.

Me ndërhyrjet e tij, Edi Rama vonon zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Koço Kokëdhimën, duke penguar kështu drejtësinë, e duke dalë në krah të korrupsionit.

Edi Rama po përdor çdo mjet për të vonuar drejtësinë për njeriun e tij Kokëdhima, i kapur me 150 shkelje të Kushtetutës, me 150 pagesa të paligjshme financiare të parave publike për biznesin e tij.

Ja pra se si e mendon drejtësinë Edi Rama, ja çfarë drejtësie kërkon ai. Kjo është dëshmia e mbrojtjes që ai i jep vjedhjes e abuzimit kur këtë e bëjnë njerëzit e tij.

Fillimisht Edi Rama urdhëroi parlamentin të mos merrte në shqyrtim kërkesën e Partisë Demokratike për heqjen e mandatit të Koço Kokëdhimës.

Ndonëse Gjykata Kushtetuese e shpalli anti-kushtetues këtë vendim të parlamentit, që në nëntor të vitit të kaluar, përmes presionit të Edi Ramës po vonohet zbardhja e tij.

Rasti Kokëdhima është shembulli i korrupsionit me fondet publike të njeriut pranë kryeministrit, është shembulli i kapjes së shtetit, shembulli i oligarkut qeveritar që qëndron mbi ligjin.

Qytetarët, partnerët tanë ndërkombëtarë dhe opozita, kërkojnë pikërisht që drejtësia të arrijë këto standarde, që të ndëshkojë raste të tilla, që njerëzit pranë kryeministrit të mos jenë të pandëshkueshëm, të mos jenë të mbrojtur kur marrin 150 pagesa nga paratë publike në shkelje të Kushtetutës.

Ky është rasti që në frymën e prioriteteve që ka vendi për luftën ndaj korrupsionit dhe reformimit të drejtësisë, në frymën e mesazhit të theksuar dje nga Sekretari Kerri, Gjykata Kushtetuese të tregojë pavarësi nga kryeministri e të hapë rrugën e drejtësisë.


Deklarata për mediat e deputetit Eduard Halimi, 15 Shkurt 2016

 

Read More