Përshëndetje të nderuar deputetë,
Anëtarë të medias,
Të nderuar qytetarë,
Mblidhemi sërish këtë të mërkurë një ditë para seancës plenare të Kuvendit, në këtë mbledhje të grupit parlamentar për të analizuar siç e kemi bërë zakon aktualitetin politik, për të shpallur qëndrimet tona, për të komunikuar me qytetarët shqiptarë problemet e mëdha e të përditshme që vetëm sa shtohen.
Por do të më lejoni që edhe sot në nisje të fjalës time ti kushtoj pak kohë një procesi që ndonëse mund të duket abstrakt për qytetarët, ka një rëndësi themelore për cilësinë e jetës së tyre, për sigurinë e tyre, të pronës së tyre, të fëmijëve të tyre, për sigurinë e parave publike, të taksave, të tenderave, të prokurimeve, të cilat vidhen dhe shpërdorohen sic e tregojnë edhe raportet e fundit në një shkallë të paprecedentë për Shqipërinë e tranzicionit nga Edi Rama dhe qeveritarët e tij. Dhe ky është procesi i reformës në drejtësi.
Proces i cili ndonëse nisi në mënyrë të njëanshme, i konceptuar si një mashë për të cimentuar kapjen politike të gjykatave, prokurorisë, e të çdo hallke të sistemit të drejtësisë nga Edi Rama dhe kupola e tij, prapë se prapë me ndërhyrjen e faktorit ndëkombëtarë dhe qëndrimin e qartë, parimor që prej ditës të parë të Partisë Demokratike sot ia ka dalë të kthehet në një proces në qendër të vëmendjes, në krye të listës së prioriteteve, jo vetëm për opozitën, BE, SHBA por edhe për qytetarët shqiptarë.
Pyetja që shtrohet është kjo: A është drejtësia, reforma në drejtësi një prioritet për Edi Ramën? Unë e kam përgjigjen ndaj kësaj pyetje, ndonëse përgjigja nuk paragjykon atë që i kërkoj sot.
I kërkoj të lerë menjëanë nazet dhe spërdredhjet, propagandën që e ka bërë zakon ta fusë kudo ku faktet nuk i ecin më, dhe t’i kthejë përgjigje ftesës time publike tashmë prej më shumë se një muaji, për tu ulur si përfaqësues të partive kryesore politike në vend, ne ose përfaqësuesit tanë, të Partisë Demokratike, të Partisë Socialiste, të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe ti japim vendit reformën në drejtësi ashtu siç e meriton Shqipëria, siç e meritojnë shqiptarët, jo siç e do një palë apo pala tjetër. Dhe kemi sot një dokument ku mund të bazohemi, kemi rekomandimet e Venecias, kemi rekomandime kristal të qarta për sa i përket parimeve mbi të cilat duhet të reformohet drejtësia.
Të gjithë e kanë kuptuar se loja me ekspertë ishte një përpjekje po kaq mjerane e Ramës për t’i ikur përgjegjësisë për reformën në drejtësi, sa loja me planin franez për ti ikur masakrës urbane kur ishte kryebashkiak. Këtej bëheshin kullat dhe dengjet e parave fluturonin në xhepat e njeriut të përfolur nga raportet ndërkombëtare si zotëruesi i pasurive prej 200 milionë eurosh, e këtej na tregohej se plani ishte i ekspertëve francezë. Nuk mund të pranojmë lojëra të tilla me reformën në drejtësi.
Loja me ekspertë mbaroi. I madh e i vogël, të gjithë faktorët politikë në vend, partnerët ndërkombëtarë e kanë kuptuar se ku ka mbetur sharra në gozhdë. Gozhda është Edi Rama i cili me çdo kusht kërkon: ose të kapë drejtësinë ose jo reformë në drejtësi.
Unë ia kuptoj ankthin. Sepse për mua pyetja që shtrova para qytetarëve është pyetje retorike. Askush nuk ka më shumë nevojë sot për gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar sesa Edi Rama dhe kupola e sejmenëve të tij që kanë futur në duar vetëm vitin e kaluar 1.1 miliardë euro tendera, koncensione, prokurime.
Askush nuk i trembet më shumë një drejtësie të pavarur, të reformuar dhe efektive që punon dhe nuk bën sikur punon, që shkon pas korrupsionit duke nisur nga peshku më i madh, sesa kreu i ekzekutivit. Dhe për analogji askush nuk është më i interesuar për reformën në drejtësi se opozita e vendit, Partia Demokratike e cila nuk ka kauzë më të rëndësishme se luftën kundër korrupsionit dhe krimit, si dy gangrena që po zhbëjnë çdo standard të sigurisë dhe të jetës për qytetarët në këtë vend.
As ekonomia nuk mund të ngrihet, as arsimi dhe as shëndetësia nuk mund të përmirësohen nëse nuk luftohet krimi dhe korrupsioni, dhe as krimi, as korrupsioni nuk luftohen me drejtësi të kapur, aq më pak me një drejtësi të shantazhuar.
Pra, zotit Rama s’i mbetet veçse të përgjigjet drejt, pa spërdredhje. Nëse është për reformën në drejtësi është i mirëpritur dhe këtë ftesë që po ia drejtoj unë, kryetari i opozitës. Edhe pse normalisht do duhej ta drejtonte ai si kreu i qeverisë. Të ulemi pa humbur kohë dhe të kryejmë një tjetër proces si ai që të gjithë po e lavdërojnë sot, edhe ata që nuk e deshën dhe që në fakt nuk e duan akoma por që s’kanë çfarë të bëjnë, procesi i dekriminalizimit.
Kryetari i Komisionit të Venecias, Gianni Bucchicchio e veçoi si një proces të suksesshëm, të një konsensusi të bazuar mbi parime dhe vlera të pakundërshtueshme, jo pazare politike. Pra, kemi një precedent të suksesshëm. Humbi një vit sepse iu desh të instalonte edhe disa kriminelë në krye të bashkive, por ligji u miratua dhe uroj që aktet që do ta bëjnë të aplikueshëm të miratohen këto ditë dhe të mos kemi vonesa të pakëndshme në këtë proces.
Tani çfarë e pengon? Kam prej shtatorit, afro pesë muaj, që i bëj të njejtën ftesë për reformën në drejtësi. Nuk të beson më askush, as ty, as kasnecët e tu kur bredhin lartë e poshtë në perëndim duke thënë që opozita nuk e do reformën, që Ilir Meta nuk e do reformën. Opozita e do reformën, opozita është gati të bëjë gjithçka për reformën. Ndaj t’i lemë llafet, të ulemi, ti japim shqiptarëve një drejtësi të reformuar. Përndryshe barra e përgjegjësisë për këtë dështim është qartësisht e Edi Ramës dhe kupolës së tij. Sikundër akuza që i bëj sot si kryetar i opozitës, por që është akuza legjitime e çdo qytetari syhapur dhe të vëmendshëm ndaj aferave në këtë vend është se reforma në drejtësi e tremb Edi Ramën.
Ndërkohë kemi një produkt të gatshëm për të cilin siç më është raportuar edhe vetë zoti kryeministër ka rënë dakord, unë kam rënë dakord, përfaqësuesi i Ilir Metës tha javën e kaluar se paskësh rënë dakord. Dhe kjo është Byroja Kombëtare e Hetimit.
Byroja Kombëtare e Hetimit duhet të futet në rendin e ditës ditën e enjte. S’ka mbetur gjë tjetër për t’u rakorduar, gjithçka është rakorduar. Taksapaguesit amerikanë përmes ndërhyrjes së çmuar të ambasadorit Lu dhe qeverisë amerikane kanë vënë në dispozicion miliona dollarë, për të trajnuar prokurorët dhe punonjësit e policisë që do të jenë pjesë e kësaj strukture për të hetuar korrupsionin e nivelit të lartë.
Po për këtë çfarë presin, pse vonohet? Ndaj sot dua të autorizoj kryetarin e Grupit Parlamentar që nesër në seancë plenare ti kërkoj Kuvendit miratimin me procedurë të përshpejtuar të ligjit për Byronë Kombëtare të Hetimit.
Problemi, i tyre është korrupsioni. Korrupsioni, krimi, janë përgjegjësit e dështimit apo përkeqësimit në çdo fushë.
Sot kjo qeverisje mund të përmblidhet në dy fjalë, para dhe propagandë. Para jo për njerëzit, jo për qytetarët, kuleta e të cilëve vetëm sa është holluar, para për vete dhe për klientët e tyre,
Shëndetësia është pasqyra më autentike e qeverisjes së korruptuar dhe demagogjike të Edi Ramës, ku mishërohen skandalet më të mëdha dhe veset më të shëmtuara të këtij modelit “Para dhe propagandë”.
Të tillë e bënë shëndetësinë të pangopurit dhe të paskrupujt në krye të qeverisë. Asaj ia kanë vënë syrin që në fillim me përparësi, dyshja Rama-Beqaj dhe si rezultat e kanë katandisur në turpin dhe dramën më të madhe në vendit.
Është e vështirë të gjesh sot një mjek, një infermier, një punonjës, një pacient apo familjarët e tyre, me përjashtim të ndonjë rrotëlyeri nga qeveria, që të mos ndihet keq kur dëgjon, sheh dhe prek se shëndetësia shqiptare është në fakt e sëmura e madhe, e shpërdoruara e madhe, e dhunuara e madhe, e shfrytëzuara e madhe e Edi Ramës, Ilir Beqës, ortakëve dhe miqve tyre.
Sondazhi i fundit i financuar nga Bashkimi Europian dhe PNUD-i tregon se shëndetësia si sektor kryeson dhe udhëheq rënien në pikiatë të besimit të qytetarëve te kjo qeveri nga viti 2014 në vitin 2015. Shëndetësia është në ditën e saj me të zezë edhe pse qytetarët nxjerrin miliona euro nga taksat, nga xhepat e tyre për të.
Por këto miliona përfundojnë në xhepat e Ramës, Beqës, Nushit dhe tarafeve të tyre.
Shëndetësia falas jo vetëm që është harruar, nuk përmendet por sot shërbimi shëndetësor është ku thërret qameti. Spitalet nuk kanë medikamentet dhe pajisjet bazë, për të mos folur për pajisje apo medikamente që duhen për sëmundjet e renda, sepse për ato nuk pretendon më askush.
Rasti më i fundit, ai i spitalit të Pogradecit ku mungonin medikamentet bazë për t’ju dhënë ndihmën e parë të lënduarve nga shpërthimi në Beragozhd, apo mungesave në spitalin e traumës të Fraksiparinës ose thënë ndryshe të holluesit të gjakut, që i duhet çdo pacienti, që ka kryer ndërhyrje kirurgjikale.
Skandaloze janë edhe rastet e zëvendësimit me militantë të profesionistëve që sjellin edhe rastet e leximit jo profesional të skanerit, në rastet ku punon. Siç ndodhi me zotërinë 60- vjeçar para disa ditësh i cili u diagnostikua për apendesit dhe doli gjatë ndërhyrjes kirurgjikale se kishte trombozë në zorrë.
Qytetarët po paguajnë sot jo vetëm miliona euro kompanisë së Vilma Nushit për Check-up- in e famshëm, por rezultatet e tij i kanë zhytur në depresion të thellë e të pajustifikuar.
Rezultatet e analizave kanë nxjerrë një pjesë të madhe të pacientëve femra me probleme me prostatë. 50 përqind e qytetarëve femrave që kanë bërë Check-up kanë dalë të alkoolizuara. Shumë persona kanë rezultuar me parainfarkt, apo siç u bë publike nga kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, rasti i zonjës nga Kamza ku rezultatet e analizave i nxjerrin proteinat totale 25, çka do të thoshte se ajo duhej të ishte në dializë por në fakt ajo jeton një jetë me një regjim pothuajse atletik.
Kjo është shëndetësia e Ramës dhe Beqajt për të cilën shqiptarët paguajnë miliona euro. Ne si opozitë kemi provuar dhënien e 1.7 mld lekëve më shumë vetëm vitin e kaluar për 100 mijë kontrolle që nuk janë kryer kurrë. Por abuzimi është edhe më i madh. E denoncuam që në fillim si një aferë të pastër korruptive por kjo aferë sot po u kushton shtrenjtë qytetarëve për shëndetin e tyre.
Pak ditë më parë, nën presionin e denoncimeve tona dhe të një pjese të medias së lirë, Rama deklaroi përgjysmimin e ryshfetit të tij me koncesionin e Check-up-it nga 120 milionë euro në 64 milionë dollarë.
Prapë mashtrimi është skandaloz, për të shpëtuar nga skandali ku Rama, Beqaj dhe donatorja e tij janë kapur në flagrance. Sipas kontratës, pavarësisht numrit të personave që do bënin kontrollin, Edi Rama kishte planifikuar për Vilmën paratë për kontrollin e 920 mijë personave, edhe pse të dhënat zyrtare tregojnë se vetëm 20 përqind e kanë bërë Check-up-in.
Pas fushatës dhe denoncimeve tona, Nastradini tha se do t’i japë para Vilmës jo për 920 mijë persona, por për 475 mijë, prapë më shumë se dyfishi i atyre që aktualisht bëjnë check-up-in.
Pa dyshim në nisje kjo duket si një fitore e një beteje sepse është përgjysmuar të paktën hisja e tij në këtë megaskandal por lufta nuk është fituar.
Shikoni çfarë ndodh. Ilir Beqaj i cilësuar botërisht si kampioni i korrupsionit, njeriu sot më i diskredituar. I madh e i vogël e tregojnë me gisht. Por Edi Rama gjithmonë kërkon të tregojë, me këmbëngulje, se Ilir Beqaj është ai vetë.
Sajoi një vizitë në spitalin e Beratit, në krah të Beqës, gojëkyçur por thjesht për të manifestuar se koncesioni, abuzimi, është vetë ai.
Edi Rama ka dhënë mbi 300 milionë euro për shëndetësinë jashtë sistemit në duar klientësh, dhe mundohet përditë të shesë në publik, me regji të fortifikuar, në ambiente ku nuk hyn ajër tjetër pos propagandës bajate, se kemi një shëndetësi tjetër nga ajo që prekim, një në lulëzim.
Po mijëra pacientë që dergjen pavijoneve e përgënjeshtrojnë. Dhjetëra, mijë familjarë të tyre e përgënjeshtrojnë. Të sëmurët që marrin serum në karrige e përgënjeshtrojnë.
Dhe ngjarje të rënda si ajo e Beragozhdit në Pogradec 3 ditë më parë, e hedh poshtë këtë propagandë anti-humane të Ramës sepse u pa qartë se qindra milionë eurot e Ramës nuk iu gjendën sa duhet, si duhet dhe kur duhet të plagosurve.
Është vetëm përkushtimi shpesh heroik i mjekëve dhe infermierëve, si ata të repartit të Djegies, që tregoi se shëndetësia ekziston ende falë tyre. Çka e pashë dhe vetë në vizitën që bëra pranë të lënduarve dhe të afërmve të tyre.
Por Edi Rama ka zgjedhur mos ta njohë këtë realitet. Të mos përballet me të sepse për të shëndetësia nuk është pacienti, nuk është i sëmuri, nuk është hallexhiu. Shëndetësia për të është Vilma, është Nadiri, është emigranti i Peruxhias me një punëtor, është Beqaj dhe salloni ku vërtiten miliardat.
Shëndetësia falas, ky premtim demagogjik i Edi Ramës dhe qeverisë së tij, ka rezultuar jo vetëm një gënjeshtër e madhe por mbi të gjitha një marifet për të vjedhur dhe abuzuar përmes koncesioneve dhe tenderave që kanë lënë gojëhapur të madh e të vogël, përmes financimit me paratë e qytetarëve shqiptarë, të shërbimeve dhe strukturave paralele apo gjysëm paralele me ekzistueset, të menaxhuara tani nga privatë të përzgjedhur prej dyshes Rama-Beqja. Këta kanë krijuar një sistem shëndetësor që nuk është as publik, as privat, por thjesht korruptiv.
“Falas pra, me lekët e taksapaguesve por nga këto lekë Rama dhe Beqaj fusin në xhep më shumë se gjysmën e tyre”!
Kjo është e vërteta e shëndetësisë falas.
Çmimi i shëndetësisë për çdo shqiptar është koncesioni 100 milion euro i sterilizimit, që Beqaj ia ka bërë dhuratë mikut të tij, Ilir Rrapit.
Çmimi i shëndetësisë janë dhjetëra e dhjetëra tendera pa garë apo me garë të stisur, ku mbi 30 prej tyre i ka fituar vetë ministri Beqja dhe ortaku i tij, rast i padëgjuar në Europë.
Çmimi i shëndetësisë janë rimbursimet abuzive, siç është shembulli skandaloz i rimbursimit të “Omega Farm” me një shumë prej 300 milionë lekësh për shitjen gjoja të 252 mijë tabletave ketosteril, që sipas raportit të KLSH-së nuk rezulton të ketë hyrë në depo gjatë një periudhe njëvjeçare.
Çmimi i shëndetësisë janë abuzimet e vazhdueshme nga Fondi Shëndetësor, Fond që mbikëqyret drejtpërdrejt nga Ilir Beqaj, si kryetar bordi, ku vetëm abuzimet me karburantin, udhëtimet jashtë shtetit, shërbimin e makinave, blerjet, kancelaritë, koktejet, darkat, ahengjet i kanë kushtuar 100 milionë lekë shqiptarëve.
Vidhet shëndetësia. Vidhen qytetarët.
Ky pra është çmimi real i shëndetësisë dhe është më i kripuri që mund të imagjinohet. Por edhe më i hidhuri sepse përmban edhe rriskën e majme të korrupsionit, të përfitimeve të padrejta e të paligjshme nga një grusht njerëzish që kontrollojnë sistemin me Edi Ramën në krye.
Një tjetër aferë është paralajmëruar nga mjekët e Urgjencës së Tiranës. Një urdhër verbal i Ilir Beqajs parashikon shkrirjen e urgjencës, pa asnjë studim, pa asnjë konsultim, pa dhënë sqarime se kush do ta ofrojë këtë shërbim. Synimi është i qartë thonë mjekët. Urgjenca jepet me koncesion, toka ku është urgjenca jepet për pallat.
Ne jemi sot në krah të mjekëve dhe qytetarëve dhe i bëjmë thirrje Edi Ramës të tërhiqet menjëherë nga ky akt dhe të marrë masa të menjëhershme për të përmirësuar kushtet në këtë urgjencë e cila duhet t’u vijë në ndihmë të menjëhershme qytetarëve.
Zonja dhe zotërinj, deputetë, lufta për çlirimin e shëndetësisë nga kthetrat e korrupsionit është një interes i madh dhe urgjent publik.
Ne nuk do të ndalemi me denoncime tona të mbështetura si gjithmonë në fakte dhe argumente të pakundërshtueshëm. Ndërkohë kemi përgatitur dhe do të shpalosim edhe programin tonë për shëndetësinë.
Gjithçka që kemi deklaruar ne ka dalë siç kemi thënë ne. Duke filluar me kontrabandën e duhanit dhe karburanteve, duke vazhduar me Check-up-in apo denoncimet tona të fundit për lidhjet kriminale dhe emërimet kriminale nga Rama dhe Tahiri në poste kyçe.
Shembull ilustrues i fuqisë së bandave mbi këtë dyshe dhe i degradimit të skajshëm të kësaj qeverisje për këtë shkak është emërimi në postin e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Doganave të njëfarë Besmir Qebini, i larguar nga Komisariati i Kavajës për shkelje të rënda dhe për dyshime të forta si i përfshirë në trafikun e drogës.
Prej disa javësh ky person dhe përmes këtij personi, klani kriminal që e ka promovuar, ka në dorë jo vetëm kontrabandën por edhe anti-kontrabandën dhe hetimin doganor. Pra, ka në dorë çdo lehtësi për trafiqet e drogës, të armëve dhe çfarëdolloj tarfiku dhe kontrabande tjetër.
Nuk është fare rastësi që pas këtij emërimi padroni i Saimir Tahirit, Emiliano Shullazi u fut, jo doli por u fut nga pika e kalimit kufitar në Durrës me një mjet të blinduar, që as nuk u ndalua, as nuk u kontrollua.
Pasi ne e denoncuam këtë fakt Edi Rama vuri në punë gjithë shtetin dhe prodhoi një dokument, që në fakt vërteton denoncimin tonë, prodhoi dokumentin e daljes së Audit Q7 por jo hyrjes së makinës së blinduar dhe me këtë mashtrim, Edi Rama rikonfirmoi edhe një herë para qytetarëve, para opozitës, para partnerëve tanë zyrtarisht lidhjen e tij me Emiliano Shullazin dhe Shullazët e tjerë të krimit.
Dhe sa herë kapet me presh në duar Nastradini hesht. Ka dy ditë që hesht.
Kjo është e vërteta, këto janë të vërtetat. Jo mashtrimet për të cilat paguhen miliona lekë nga taksat e shqiptarëve për reklamë por të vërtetat e hidhura që sheh dhe prek i madh e i vogël.
Ne i themi dhe do t’i themi, do t’i ndajmë me qytetarët, me miqtë dhe partnerët tanë që janë të alarmuar për lidhjet e politikës me krimin në Shqipëri, për peshën e krimit në vendimmarrjet e qeverisë.
Kjo është lufta jonë: e ndershme, principiale, ballore, dhëmbë për dhëmbë kur është nevoja. Nuk mund të pranojmë kurrë që korrupsioni dhe krimi të bëjnë ligjin në këtë vend.
Ndaj jemi të vendosur dhe do të bëjmë çmos që reforma në drejtësi sipas Venecias të mos pengohet nga Edi Rama.
Ndaj i kemi kërkuar dhe i kërkojmë Prokurorisë të hetojë më urgjencë, të komunikojë për hetimet që ka nisur e të nisë me urgjencë hetimet për koncesionet, për tenderat abuzivë, për aferat e mëdha korruptive në shëndetësi, në energjitikë, në rend e tjerë, të denoncuara nga KLSH, nga opozita, nga media e lira dhe nga qytetarët.
Denoncimet e KLSH-së për abuzimet me vlerë rreth 480 milionë euro të kontratës së likuidimit të qeverisë me ÇEZ , denoncime të tjera për afera të tjera korruptive të ministrave të sotëm janë aty.
Denoncimet e opozitës janë aty e do të jenë aty.
Ne nuk tërhiqemi as nga beteja politike, as nga beteja ligjore. Për asnjë çmim.
Ka filluar numërimi mbrapsht për këtë bandë hajdutësh me në krye Edi Ramën dhe padyshim ata do të humbasin dhe jo ne.
Ata do të thyhen, e keqja do të thyhet, jo opozita, jo qytetarët.
Faleminderit!
Fjalimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në mbledhjen e Grupit Parlamentar, 3 Shkurt 2016
Read More